Skip to main content

“Dy Koretë sërish në tryezë” plus 9 more - Gazeta Dita

“Dy Koretë sërish në tryezë” plus 9 more - Gazeta Dita


Dy Koretë sërish në tryezë

Posted: 14 Jun 2018 02:42 AM PDT

Koreja e Veriut dhe ajo e Jugut zhvilluan bisedime ushtarake për herë të parë pas më shumë se një dekade, dy ditë pasi presidenti Donald Trump u takua me liderin korenoverior Kim Jong-un dhe pasi anuloi stërvitjet e përbashkëta ushtarake me jugun.

Bisedimet ushtarake të zhvilluara në rang gjeneralësh u mbajtën në fshatin kufitar të armëpushimin Panmunjom në zonën e çmilitarizuar.

Megjithëse ndalimi i stërvitjeve të përbashkëta i zuri në befasi koreanojugorët, Seuli tha se ky zhvillim i shërben dialogut me Korenë e Veriut. Bisedimet ushtarake ishin planifikuar në maj, por u shtynë. Palët në bisedime thanë se takimi ishte konstrutiv pa dhënë shumë detaje, megjithëse vetë fakti që u ulën në një tryezë konsiderohet një zhvillim i rëndësishëm.

Gjenerali Ahn Il-san nga Koreja e Veriut tha se palët duhet të punojnë për të pakërcyer pengesat e ardhshme, duke marrë shembull samitin mes Trump dhe Kim Jong-un.

Në të njëjtin kuadër, homologu i tij koreanojugor Kim Do-gyun, tha se takimi shërbeu për uljen e tensioneve dhe për përcaktimin e një takimi të ardhshëm në rang ministrash. Diskutimet përfshinë edhe vendosjen e një linje telefonike mes dy ushtrive.

o.j/dita

Shkrirja me shpejtësi e akullnajave po rrit nivelin e deteve (FOTO)

Posted: 14 Jun 2018 02:29 AM PDT

 

Akullnajat në Antarktidë po shkrihen me ritme të shpejta.

Satelitët që monitorojnë gjendjen e kontinentit të bardhë tregojnë se rreth 200 miliardë ton në vit tani po humbasin në oqean si rezultat i shkrirjes.

Kjo po nxit rritjen e nivelit global të detit me 0.6 mm në vit – një rritje prej tre herë më shumë nga viti 2012 kur është kryer vlerësimi i fundit.

Shkencëtarët i raportojnë shifrat e reja në revistën Nature.

Qeveritë do të duhet të marrin parasysh informacionin dhe ritmin e përshpejtuar ndërsa planifikojnë të marrin masa për të mbrojtur komunitetet bregdetare të ulëta.

Shkencëtarët thonë se shkrirjet po ndodhin kryesisht në perëndim të kontinentit, ku ujërat e ngrohtë janë duke u ulur dhe duke shkrirë frontet e akullnajave që përfundojnë në oqean.

"Nuk mund të themi kur filloi, nuk kemi bërë matje në det që nga ajo kohë", shpjegon Prof. Andrew Shepherd.

"Por ajo që mund të themi është se klima është shumë e ngrohtë për Antarktikun. Kontinenti nuk mund ta përballojë këtë klimë dhe po shkrihet pesë metra nga baza e tij çdo vit dhe kjo është ajo që shkakton rritjen e nivelit të detit", tha ai për BBC.

Agjencitë hapësinore kanë fluturuar satelitët mbi Antarktidë që nga fillimi i viteve 1990.

Evropa, në veçanti, ka një rekord të pandërprerë të vëzhgimit që nga 1992.

Këto anije kozmike mund të tregojnë se sa akulli është i pranishëm duke matur ndryshimet në lartësinë e faqes së akullit dhe shpejtësinë në të cilën lëviz në drejtim të detit.

Misionet specifike gjithashtu kanë aftësinë për të peshuar faqen e akullit duke ndjerë ndryshimet në tërheqjen e gravitetit, ndërsa kalojnë lart.

a.s/dita

40 mijë euro për këmbën e majtë prej kristali të Zidane

Posted: 14 Jun 2018 02:26 AM PDT

 

Dyzet mijë euro është vlera për të blerë këmbën e majtë, të derdhur në kristal, të Zinedine Zidane, legjenda e futbollit, që pritet të dalë në shitje në mbështetje të ELA-së, Shoqata Europiane kundër Leukodistrofisë.

Ky imitim i këmbës së majtë të Zidane, e njëjta që mundi të shënojë gola të jashtëzakonshëm me Real Madrid në finalen e Ligës së Kampionëve në vitin 2002, do të prodhohet në 100 kopje, por disa kopje të veçanta do të propozohen më pas si pjesë e shitjes në ankand në favor të ELA-së, ku ish-trajneri i Realit është sponsor që nga viti 2000.

"Jam i kënaqur që i thashë 'po' këtij projekti për të mbledhur para për të gjitha këto familje në vështirësi. ELA-ja zë një vend të rëndësishëm në jetën time, megjithëse fizikisht nuk jam gjithnjë i pranishëm aty. Jam në dijeni të zhvillimeve në shoqata dhe kur kam mundësi takohem me familjet", tha Zidane.

"Mund të kisha ndihmuar një shoqatë tjetër, por fjalimi i Guy (Alba, presidenti i ELA) bëri ndryshimin, në kohën kur ai erdhi të më takojë 18 vite më parë në Torino", theksoi ai.

"Në 18 vite, gjërat kanë ndryshuar shumë", u shpreh për median, Guy Alba.

"ELA është kthyer në financuesin kryesor të hulumtimit në mënyrë private për leukodistrofinë në shkallë botërore dhe ka mundësuar shpëtimin e fëmijëve. Prania e Zizou na shpëtoi vite e vite përballje me sëmundjen", shtoi Alba.

a.s/dita

Takimi me Ramën, Meta: Biseduam për marrëveshjen e detit dhe negociatat

Posted: 14 Jun 2018 02:25 AM PDT

Presidenti Ilir Meta ka folur për herë të parë pas takimit të djeshëm me kryeministrin Edi Rama.

Pas një takimi që ka patur sot, Meta ka deklaruar për mediat se me kryeministrin është diskutuar për negociatat me Greqinë.

Takimi i djeshëm me Ramën ka qenë normal, janë diskutuar disa çështje, kryesisht lidhur me rëndësinë e çeljes së negociatave, ku shpresojmë në një vendim pozitiv. Natyrisht edhe për ecurinë e negociatave me Greqinë, kemi diskutuar, por jemi në një proces për të marrë vendime të mëtejshme, pasi Presidenca pret informacione edhe më të plota, sipas standardeve më serioze, që meriton kjo çështje. Shpreh kënaqësinë për konfirmimin e zotit Dedja te Gjykata Kushtetuese, është i merituar. Dua të nënvizoj rëndësinë e vettingut për anëtarët e Kushtetueses. Është e domosdoshme të kemi sa më shpejt një gjykatë funksionale për t'i dalë për zot Kushtetutës së vendit“, u shpreh Meta para gazetarëve.

o.j/dita

Antonio Gramshi, origjina dhe historia

Posted: 14 Jun 2018 02:19 AM PDT

Nga Giuseppe Carlo Siciliano*

Gjurmët shqiptare

Gjurmët më të vjetra të familjes Gramshi gjenden në qytetin me të njëjtin emër, që ndodhet në juglindje të Shqipërisë. Gramshi është qendra e njësisë së tanishme administrative, bashkisë dhe rrethit me të njejtin emër. Dikur ka qenë selia e një principate mesjetare shqip folëse që zgjati afërsisht deri në vitin 1912, kur ra Perandoria Osmane në Ballkan, kur dhe në trevat shqiptare, në qytetin e Vlorës, më 28 nëntor të atij viti, Ismail Qemal Bej Vlora ngriti në qiell flamurin e kuq kombëtar me shqiponjën e zezë dykrenare në mes.

Eksodi tragjik i shqiptarëve në Itali është i lidhur me pushtimin otoman të Ballkanit në shekullin e pesëmbëdhjetë. Nën sundimin osman u krijua një sistem i ri ekonomik, social, gjuhësor dhe fetar, në një vend ku, shqiptarët (edhe pse u shkuan dëm  pesëdhjetë vite rezistencë) kërkuan fort të mbanin pavarësinë së bashku dhe nuk ranë kurrë në gjumë kombëtar. Osmanët ndaluan gjuhën, ngritën kastën e re aristokratike, dominuan ekonomikisht të gjithë gadishullin e Ballkanit arritën maksimizimin e produktivitetit dhe dominuan akoma më rëndë energjitë e popujve dhe, vendosën unitetin fetar islamik në një vend që gjithmonë ka qenë për besimin tek Vatikani katolik-romak në veri dhe ortodoks grek në jug.

***

Përfaqësuesit me mbiemër Gramshi erdhën në Itali në gjysmën e dytë të shekullit të pesëmbëdhjetë, pas pushtimit dhe nënshtrimit të Shqipërisë nga trupat osmane. Arritën në Puglia, të udhëhequr nga Giovanni Castriota, biri i heroit kombëtar Giorgio Castriota Skënderbeu. Të gjitha familjet shqiptare u detyruan nga Ferrante d'Aragona të rindërtonin shtëpitë e vjetra në të gjithë Italinë jugore popullsia e së cilës ishte zhvendosur për shkak të urisë, murtajës, tërmeteve shkatërruese dhe konflikteve të vazhdueshme për çështjen  e kurorës napoletane.

Familjet shqiptare u vendosen në Calabria Citra, provincë e tanishme e Cosenza, gjatë shtatë migrimeve të njëpasnjëshme që kanë mbuluar një hark të gjatë kohor. Ndër të tjerë gjejmë mbiemrin Gramsci në shumë bashkësi arbëreshe. Edhe në situatat e tensioneve më të rëndësishme, të paktën, e gjejmë në një numër individësh, që, me siguri, u ishte dhënë ky mbiemër në Plataci.

Nëpërmjet disa studimeve 'onomastice, dhe në veçanti të shqipes, si dhe regjistrimeve të ralla (më parë kanë qenë konsiderouar ekskluzivisht "zjarret" e, dmth numri i familjeve, përtej numrit të pjestarëve të çdo familjeje), ne mund të kthehemi në krahasimet e para onomastike nga gjysma e dytë e shekullit të 18-të e tutje.

Prania e familjeve shqiptare në territorin e Mbretërisë së Napolit është regjistruar në disa kapituj dhe audienca të rralla, por mbetet të jetë realiteti i kushteve mesjetare të popullatave jugore, që, për shekuj nuk lënë asnjë gjurmë dokumentare të lëvizjeve të tyre. Në këtë kontekst, edhe pakica shqiptare, ka qenë subjekt i të njëjtave dinamika sociale dhe burokratike, që ka përfunduar në një harresë të gjatë, por kohë pas kohe dalin dhe raste të tilla si regjistrimi i vdekjeve nga disa priftërinj largpamës.

Prania sporadike e pakicës së shqiptarëve të regjistruar është, afërsisht, 1500 deri pothuajse 1700, por kjo pakicë nuk përkon me mungesën e komuniteteve për shkak të lëvizjeve historike të  jugut dhe më gjerë që kanë ndikuar në masë të madhe në ndryshimet sociale, ekonomike, kulturore dhe politike të të gjithë gadishullit. Pikërisht për këto nevoja dhe për zhvillimet që ndodhën, familja platacese Gramsci ndërmori rrugën e diasporës së re të brendshme. Më përpara shkuan në qytetet "latin" dhe përreth, pastaj në qytetin e Cosenza, dhe, më në fund në Napoli, kryeqytetin e mbretërisë.

I pari i familjes Gramsci, ishte Nicola, biri i pronarit Don Gennaro, i lindur në Plataci në vitin 1765. Ai vendosi të linte hapësirën e ngushtë historike dhe sociale në të cilën jetonte komuniteti i tij dhe të niste një karrierë ushtarake. Në fillim shkoi në Cosenza për t'iu përgjigjur thirrjes ushtarake. Menjëherë kuptoi se ky mund të ishte rasti i duhur për një çlirim personal. Prandaj vendosi të qëndronte në ushtrinë borgjeze dhe të transferohej në Napoli duke u bërë pjesë e legjendës së Armatës së Re maqedonase të ngritur nga Ferrante d'Aragona në ditët e Skënderbeut. Në moshën 55 vjeç, atë e gjejmë në kryeqytetin napoletan me gradën e "Zëvendësshefit të Regjimentit Leopoldo të Garnizonit në Gaeta …"

Gjurmët e familjes

Hulumtimi i parë mbi origjinën e familjes Gramsci në Itali fillon nga prania e caktuar dhe e dokumentuar e mbiemrit në komunitetet shqiptare. Ne vazhduam të kërkojmë burimet më të besueshme që sot mund t'i gjejmë lehtë, domethënë mund t'i gjejmë nga arkivat e famullisë dhe nga ato relativisht të reja të Gjendjes Civile. Së pari, dokumentet janë ruajtur me xhelozi në famullitë lokale – dhe, për rrjedhojë, jo gjithmonë ka qenë e lehtë për t'u përdorur. Këto të dhëna dokumentojnë një epokë të hershme që varion midis viteve 1600 dhe 1800. Dokumenti i dytë, pas lindjes së Ediktit të Joachim Murat 1806, duke filluar nga mesi i vitit 1808 dhe 1809 është depozituar në Arkivin e Shtetit, në statusin e Seksionit Civil.

Nga analiza e dokumenteve të Gjendjes Civile të Arkivave të Shtetit në Cosenza, në Arkivat e Seksionit Civil të Shtetit, gjithashtu gjendet mbiemri Gramsci, edhe me çdo ndryshim të mundshëm, ndonëse ky mbiemër duket se është i pranishëm vetëm në territoret e bashkësive arbëreshe të vendosura në veri të Kalabrisë (bregdetin e Jonit dhe masivin Pollino, dhe në mes, në Spezzano shqiptare), ndërsa (ky mbiemër) mungon plotësisht në zonat në të djathtë dhe në të majtë të lumit Crati. Kjo tregon se, në kohën e shpërndarjes së familjeve në Kalabri, vëmendja e italianeve në përgjithësi dhe e autoriteteve napolitane u drejtuan jo vetëm në ndarjen e familjeve, por sidomos edhe në shpërndarjen e refugjatëve në një territor të gjerë, malor, të paarritshëm (të izoluar) dhe pa një rrjet rrugor.

Vendosja në Calabria erdhi nga një periudhë laike dhe nga shumë kriza: tërmete të tmerrshme që kanë shkatërruar në mënyrë të përsëritur të gjithë territorin, duke shkatërruar fshatrat e zonave të tëra, por edhe nga murtaja dhe kolera, nga malarja endemike e shkaktuar nga moçali i kraterit, por dhe nga luftërat për vazhdimësinë e kurorës në Napoli mes Angevin dhe Aragonese. Të gjitha këto kanë pasë çuar në një rënie të madhe të popullsisë vendase. Në vitet 1400 kjo zonë kishte pamjen e një pylli të egër të mbuluar me bar për shkak të mungesës së gjatë të dorës së njeriut pothuajse në të gjithë shtrirjen e saj, me fshatra te shkatërruar plotësisht dhe të braktisur; ishte një territor i ekspozuar ndaj mbretërimit pa kundërshtarë, shkatërrimit të shumfishtë nga derdhjet sezonale të ujrave të Cratit në detin Jon që nuk ishte venë dorë nga koha e pushtimit romak. Në vend që të garantohej rrjedhja e ujit në detin Jon, ai ishte bërë gjithnjë e më shumë një moçal me ujë të ndenjur nga Cosenza deri në Sybaris.

Ne kete skenar te trishtuar, çfare mundesie me e mire mund te paraqitej per aragonezet që ishin fitues ne betejen e gjate me Angevin fale sherbimeve te sjella nga trupat shqiptare te udhehequra nga gjenerali Demetrio Rera dhe dy djemte e tij dhe, me vone nga vete Gjergj Kastrioti Skenderbeu, se sa te ripopullonin kete territor te gjere?

Mund te japim nje tjeter shqyrtim te ngarkesave historike: e para eshte se  Erina Castriota, vajza e Gjonit dhe mbesa e Gjergjit, ishte e martuar me princin Pietro Antonio Sanseverino të Bisignano, zoteria i Kalabrisë Citra dhe e tokave të Crotone. Kjo grua e serte dhe e perqendruar plotesisht mbi interesat e familjes, ne vend që të ishte e përkushtuar dhe e disponuar me më shumë dashuri ndaj popullit të saj, ajo siguroi që berthamat e para shqiptare të zgjerohen me ardhjen e familjeve te reja qe do të garantonin me mirë rregullimin e territorit dhe produktivitetin ekonomik.

Largësinë mes grupeve dhe shpërndarjen e familjeve shqiptare, e dëshironte edhe Ferrante i Aragonës, mbreti i Napolit dhe miku i ngushtë i Skënderbeut, sepse i trembej traditave ushtarake shqiptare,  shpirtit të tyre luftarak, guximit dhe vendosmërisë së tyre; frika e bëri atë të mos i besonte shumë nga këta "miq" të cilët në mënyrë të përsëritur i treguan atij bashkëpunimin, por edhe vlera, dhe që, për të shmangur çdo lloj problemi, ai kishte vendosur t'i ndajë grupet homogjene sa më shumë që të ishte e mundur në një zonë gjeografikisht të vështirë, ku çdo gjë mungonte dhe ku çdo fshat mund të ishte plotësisht i izoluar nga komunikimi me të tjerë.

***

Rreth vitit 1480, pas valës së tretë të refugjatëve shqiptarë nga Epiri dhe Ciameria, disa familje u transferuan në tokat e zonës së Jonit të Sipërm për të marrë në posedim tokat që ishin destinuar nga Sanseverinos. Ishte një vend tmerrësisht i egër, pyje të virgjër dhe të pasur më shumë për lojë dhe panaire, toka të djerra, të papunuara kurrë më parë, ku banonin kryesisht burra. Shqiptarët e zgjodhën me kujdes vendin ku do të ndërtohej fshati i ri: një rrafshnaltë në 1000 metra mbi nivelin e detit, relativisht afër bregdetit Jon, por tashmë në zemër të Masivit Pollino, pothuajse e padukshme për këdo që vinte nga Lindja dhe i paprekshëm nga Perëndimi, por në gjendje që të jepte garanci ekstreme për një popull që po largohej, i lodhur nga rrethime dhe luftëra të pafundme, malësor alpinist për traditat dhe kulturën, popull i aftë për të shndërruar në vetvete natyrën e egër dhe mospërfillëse duke u rimarrë me bujqësi dhe blegtori me bagëti të imta.

Pas disa dekadave izolimi të detyruar, shqiptarët u vendosën në banesa të përkohshme (në masoneri tipike të Kaljive, thurrur me thupra të thata gështenjë ose të ngjashme me vegjetacionin e pranishëm në këtë zonë, të suvatuara vetëm nga brenda dhe nga pjesa e përparme me balte dhe, në raste të rralla, më vonë, të lara e të zbardhura me gëlqere, mbuluar me gjethe dhe me bar të thatë). Gjatë kësaj kohe u mbajt i pandryshuar premtimi së brendëshmi për t'u kthyer sa më shpejt në vendin e tyre, në vendin e Skënderbeut, sapo vendi të çlirohej nga pushtimi otoman (kjo ishte arsyeja pse, "u pranuan" kushtet e këqija të jetës, të gjitha "fluturimet" dhe ato mikpritjet e përafërta në zonat e izoluara të Kalabrisë, pra e quanin të afërt ditën e kthimit dhe të qendrimin të përkohshëm). Dalëngadalë filloi të ndjehej gjithnjë e më shumë dëshira që të adaptohen në vendin e ri, duke e lënë ëndrrën e lashtë të një kthimi të mirëpritur në shtëpi. Me vdekjen e papritur të Skënderbeut, njerëzit e tij u ndjenë se mbetën jetimë dhe të pastrehë. Pasiguria e vendit të origjinës, varfërimi i ngadaltë dhe i pandalshëm i familjeve, të cilat edhe pse u mburrën për pasurinë më të madhe në atdhe, dukej se po u shterronin burimet e vendit për shkak të  izolimit shekullor. Të gjitha këto çuan në vendosjen e domosdoshme dhe të paepur të diasporës së re në mbretëri. Migrimi që pasoi nuk ishte si i pari, një migrim i përgjithshëm, por filloi nga pak individë, më pas u duk si një bashkim i vazhdueshëm që nuk njohu ndërprerje dhe mbetet serioz edhe në ditët e sotme.

Tashmë është konfirmuar nga një seri dokumentesh të shkruara arkivore që rrënjët e familjes së Antonio Gramsci gjenden në Plataci. Provat shkresore fillojnë me praktikën voluminoze për kthimin e pensionit nga ana e fisnikërisë së Altomonte, Maria Francesca, e veja e Gennaro Gramsci, që pat lindur në Plataci në 1810 dhe vdiq në Gaeta më 1873.

Statusi Civil në Calabria

Hulumtimi është bazuar në një punë të konsiderueshme paraprake, e cila zgjati rreth dy vjet, kryesisht nëpër Seksione Arkivore të Shtetit, dhe në veçanti në gjendjen e Arkivave të Cosenza – Seksioni i Kalabria Citra, Gjendja Martesore (4). Hulumtimet janë marrë me dokumentet në fjalë për vitet 1808/1820, duke shfletuar regjistrat e lindjes, të martesës dhe të vdekjes së të gjithë 21 komuniteteve italo-shqiptare në krahinë, duke përfshirë fraksionet e tyre përkatëse.

U shfrytëzuan më shumë se 37.000 çertifikata të vdekjes, sepse këto do të mundësonin "një udhëtim" të besueshëm, edhe pse relativ, sepse është kryesisht i kohëve të fundit (vetëm dy shekujt e fundit). Në 'to u konstatua përhapja e emrit të Gramshit brenda komuniteteve italo-shqiptare në krahinën e Kozencës. Cili ishte rezultati? Në fund të fundit, duhet të verifikohej midis tyre prania e drejtë të mbiemrit Gramshi me të gjitha variantet e caktuara, por edhe të mundshme. Komunitetet që kanë mbiemrin Gramsci (me variante të Gramisci  – më të përhapura – dhe të rralla: Gramesci, gram, Gramis,), ishin si vijon:

ACQUAFROMOSA:

Cola Gramisci, së bashku me përfaqësues të tjerë të familjeve shqiptare që u vendosën sipas Konventës së Sancta Maria del Monte, morën koncesionin për ndërtimin e komunitetit të Acquaformosa dhe të doganave qytetare të përcaktuara në vitin 1501. Akti ruhet në Arkivin e Vatikanit, Kodi Vatikani latin 14.386 F. 9 ss.

Më pas nuk ka gjetje të mëtejshme për praninë e Gramsci ose Gramisci në komunitet.

CASTROREGIO:

Këtu ekziston vetëm një rast. Duhet të theksohet se në fshatin e afërt të Farnetas, mbiemri Gramsci mungon plotësisht.

Sipas të dhënave të faktit, shqiptarët e ardhur gjatë shekujve të parë, të diktuar nga Kanuni i Lekë Dukagjinit, por edhe nga rallësia e vendbanimeve në Itali, iu shmangën martesave me "latine", për të shmangur më tej arsyen për lidhjen me tokën e re në dëm të ëndrrës së një kthimi të menjëhershëm në shtëpi. Duhet të besohet, falë informatave të tjera të shumta, se rasti i vetëm i mbiemrit në këtë komunitet, është, më shumë se çdo gjë tjetër, një nga shumë shkëmbimet martesore midis familjeve të ndryshme shqiptare. (6) Një fakt tjetër është përpilimi i aktit të vdekjes ku, nën titullin "prindërit", raportohej: "të panjohur", për të treguar, ndoshta, edhe përkatësinë e tyre jo të drejtpërdrejtë brenda komunitetit.

Anna Gramisci, 38 vjeç, lindur në Castroregio në 1795 nga prindër të panjohur, vdekur në 1817 (çertifikatën e vdekjes e gjejmë me datën 12.3.1817)(5)

CIVITA:

Në këtë komunitet prezantohet mbiemri Gramis / Grams, i cili mund të jetë një transkriptim lokal i mbiemrit Gramshi. Por gjithashtu mund të supozohet të jetë një transkriptim i gabuar i mbiemrit Dramis / Dramë (6), mbasi është shumë më i përhapur në të gjithë zonën e shqiptarëve të Pollino.

Margherita Gramis, e viteve 70, e lindur në Civita në 1742 nga prindër të panjohur, vdekur në vitin 1812 (çertifikata e vdekjes është e datës 13.7.1812)

Antonio Gramis, 57 vjeç, lindur në Civita në 1760 nga prindër të panjohur, vdekur në 1817 (çertifikatën e vdekjes e gjejmë të datës 23.11.1817)

Maria Grams, gruaja e Crisostomo Mortato (mbiemri rezulton nga akti i vdekjes së djalit të saj Tomaso i lindur në Civita në vitin 1768 dhe vdekur në vitin 1810 në moshën 42 vjeç – certifikatë vdekjeje e 15.10.1810)

* Shtetas italian, qytetar arbëresh, anëtar i Organizatës Kombëtare të Veteranëve  të LANÇ të Popullit Shqiptar

Përgatiti për botim: Elidiana Canaj

Vijon…

 

Kuriozitete nga botërorët e futbollit (V)

Posted: 14 Jun 2018 02:12 AM PDT

Nga Skifter Këlliçi

 

KORE E JUGUT, JAPONI 2002

BRAZILI PESË HERË NË EVERESTIN BOTËROR

…Po zhvillohej ndeshja Itali-Koreja e Jugut. Vërtet Vieri shënoi në minutat e para, por po ai do t'i kishte dhënë fund kësaj meseleje që u bë kaq sëkëlldisur për italianët , por gjuajti jashtë me portë të boshatisur. Pastaj, gjyqtari Moreno, nga Ekuadori, nuk quajti të vlefshëm golin e Damianit. Skandal! Dhe ja, dy minuta para mbarimit koreanët barazuan dhe në 117', pra në shtesën e lojës, Ahni, u dha aziatikëve. U përsërit kështu drama e Italisë që në Botërorin '66, në Angli kishte humbur me Korenë, por këtë radhë të…Jugut

Me Morenën për ditë me radhë u mor i tërë shtypi dhe RAI. Kështu Italia humbi, por këtë radhë me një Kore tjetër…(Sa për kureshtje, në shtator të vitit 2010 ky Moreno u arrestua dhe në aeroportin Kenedi të Nju Jorkut, sepse iu gjetën rreth 6 kg drogë në një çantë dhe u dënua me dy vjet e gjysmë burg).

Për herë të parë në historinë e botërorëve një skuadër aziatike, Korea e Jugut, arrinte në një lartësi, nga ku mund të shihte "botën", si Modunjo me këngën e tij të famshme "Volare".

Ashtu si në ndeshjen në grup, Brazilit iu desh të stërmundohej që të prodhonte një gol kundër Turqisë, që u tregua edhe këtë radhë kundërshtar i denjë për 4 herë kampionët e botës. Të vetmin gol e shënoi Ronaldo në 49'.

Koreanojugorët nuk lanë dyshime për ndonjë skandal "gjyqësor". Luftuan si të barabartë me gjermanët, që mundën të dilnin ngadhënjimtarë në këtë ndeshje, pas golit të vetëm dhe përsëri të Ballakut në 75'.

Finalja për vendin e tretë, shumë dramatike, midis Koresë së Jugut dhe Turqisë u mbyll 3-2 për të dytën që me tri goditje të sakta të "këlliçëve" të tyre, prenë çdo shpresë të atdheut të "diellit që nuk perëndon", siç njihet Koreja. Ky ishte dhe mbetet suksesi më i madh i futbollit turk në botërorët e futbollit, që njihet edhe për fitoren 3-1 të përfaqësueses së saj, më 1955, kundër Gjermanisë Perëndimore, atëherë kampione e botës.

Në këtë ndeshje u regjistrua një rekord origjinal: Turku Shukur shënoi në sekondën e 11-të golin e parë, duke thyer rekordin e francezit Lakomb, që kishte shënuar në takimin me Italinë golin e parë në sekondën e 44-t të Botërorit Argjentinë '78.

Në finale u ndodhën kështu dy nga përfaqësueset më të denja të futbollit botëror-Brazili dhe Gjermania. Por këtë radhë "samba" braziliane, falë solistëve Ronaldo, Rivaldo dhe Ronaldinjo, që katër vjet më parë kishte dëshmuar se do të ngjitej denjësisht "në katedër", fitoi 2-0, duke ndalur vërshimin e "stuhisë dhe vrullit" vagnerian të gjermanëve.

Kështu Brazili për të pestën herë u proklamua mbreti i një botërori, për të "abdikuar" katër vjet më pas në Botërorin Gjerman 2006.

Brazili- Markos, Lucio, Edmilton, Junior, Kafu, Silva ,Kleberson, R.Karlos, Ronaldinjo,

Rivaldo, (Paulista),),Ronaldo, (Denilson);

Gjermania- Kahn, Linker, Ramalou, Metcelder, Frings, Haman,,Jeremies, (Asamoa), Bode, (Zige), Shnajder,,Klose, Neuvil, (Birhof).

Gjyqtar- Kolina ,(Itali)

Stadiumi "International" Jokohama,(69.029)

Golshënuesi më i mirë i botërorit- Ronaldo, (Brazil), 8 gola;

Lojtari dhe më i mirë: Kahn, portier,(Gjermani).

GJERMANI 2006

 ITALIA PËR TË KATERTËN HERË KAMPIONE BOTËRORE

Pritej që Brazili të hakmerrej kundër francezëve për humbjen e tetë vjetëve të shkuara në finalen e Parisit, por pesë herë kampionët e botës u gjunjëzuan nga një gol i rrallë i Anrisë në 57 ' dhe u kthyen të zhgënjyer në atdhe pa Kupën e Botës.

…Gjysmëfinale e parë Gjerman-Itali…Gjermanët kujtojnë takimin e 36 vjetëve me axurrët. "Vaterloja" meksikanase, nuk duhej të përsëritej. Por sa larg ishte ky dyluftim nga ai ai 36 vjetëve të shkuara, kur në një grusht minutash të shtesës prej 30 minuta u shënuan plot pesë gola!.. Dhe italianët fituan 4-3.

Në këtë takim, pas 119 minutash, ashtu siç zbardhëllen një velë e vetmuar në horizontin e një deti të dremitur, siç shkruan poeti i madh rus, Lermontov në një poezi të tij, ashtu zbardhëllenin të lodhura shifrat 0-0. Por këtu ndodhi çudia. Pikërisht atë minutë mbrojtësi Groso, dhe pa kaluar mirë 60 sekonda edhe Del Piero, depozituan në portën kundërshtare dy gola që i shastisën gjermanët.

Dhe të mendosh se para fillimit të takimit, drejtuesit e stadiumit, për të nxitur skuadrën e tyre, kishin lënë të buçiste nga fortafolësit melodinë e këngës "Nota magjike", të kënduar nga Xhana Manini dhe Eduardo Benato, me të cilin ishte hapur Botërori '90 në Itali. Por kur u kujtuan ta hiqnin, ishte vonë.

Siç pohoi në fund të takimit mbrojtësi italian, Materaci: "…të frymëzuarit nga kjo këngë ishim ne dhe jo gjermanët".

Kështu pas tetë vjetësh transalpinët, siç quhen francezët nga italianët, u ndodhën përballë axurrëve që kërkonin për herë të katërt të ishin zotëruesit e Kupës se Botës.

U përsërit pak a shumë po i njëjti skenar. Por pas një skandali. Kjo ndodhi në 114', kur Zidani, me një kthesë të befasishme, si të ishte dem, iu sul Materacit dhe e goditi në gjoks dhe e përmbysi… Dhe ta pret mendja që gjyqtari, i sinjalizuar nga anësori, e dëboi me karton të kuq. Siç doli më pas, italiani e kishte sharë Zidanin me origjinë algjeriane, nga… nëna, a motra.

Pastaj puna arriti te… penallitë. Dhe kjo ndodhi pasi Zidani kishte hapur serinë e golave me 11-metërsh në 7', kurse Materaci më vonë ishte ngritur si periskop mbi lëmshin e fanellave blu- kaltëroshe të të dyja palëve dhe kishte barazuar,1-1.

Pirlo, Materaci, De Rosi dhe del Piero nuk përsëritën gabimin e francezëve, veçanërisht të Trezegezë dhe kësisoj italianët, pa shkëlqim, jo vetëm në këtë betejë, por edhe gjatë tërë botërorit, u ulën për të katërtën herë në fronin e mbretëtëreshës .

Italia- Bufon, Zambrota, Kanavaro, Materaci ,Groso, Gatuzo, Pirlo, Kamoranezi, (Del Piero), Perrota, (De Rosi)),Toti, Toni,(Iakuinta);

Franca- Bartez, Sanjol,Turam, Galas, Abidal, Riberi, (Trezege), Viera, (Diara), Makelele, Zidan, Maluda, Anri.(Vilfor).

Ishte e dyta herë pas Botërorit Usa '94 që fati i kampiones së botës zgjidhej me 11-metërsha. Në takimin Brazil-Itali gaboi Baxho, ndër më të mirët në fushë. Në takimin e fundit, ai që gaboi ishte Trezegeja, që në fund të pjesës së dytë kishte zëvendësuar Riberinë dhe ende nuk ishte ambientuar me lojën.

Finalja

Itali-Francë 1-1, (5-3 me shtesë dhe 11-metërsha), në Stadiumin Olimpik, të Berlinit, (89.00 shikues); gjyqtar-Elizonfo,(Argjentinë);

Golëshënuesi më i mirë Klose (Gjermani), 5 gola.

Futbollisti më i mirë Zidan, (Francë)

AFRIKA E JUGUT, 2010

SPANJA PER HERË TË PARË MBRETËRESHE E BOTËS

Të papriturën më të bujshme e në këtë botëror sollën ndeshjet e grupit F, ku Italia, 4 herë kampione e botës, zuri vendin e parë, por… nga fundi, me dy barazime të vuajtura me Paraguain dhe Zelandën e Re, kjo e fundit pa asnjë traditë në futboll, dhe një humbje me Sllovakinë, (2-3) që u kualifikua së bashku me Paraguain, kryesues i këtij grupi.

Koreja e Veriut, edhe ajo si shemra e saj, Koreja e Jugut, pas një " agjërimi ", që nga botërori Angli 1966, ku i kishte shkaktuar Italisë një nga humbjet më skandaloze (1-0), kishte arritur përsëri të depërtonte në radhët 32 finalisteteve të këtij botërori.

Mirëpo, këtë radhë, jo vetëm nuk arriti të ndiqte shembullin e shemrës së mësipërme, por grumbulloi …0 pikë, me 11 golat e pësuar, ndonëse mbeti e ngushëlluar me humbjen dinjitoze 1-2 ndaj xhonglerëve brazilianë, të cilët zunë vendin e parë në këtë grup, , të ndjekur nga Portugalia dhe Bregu i Fildishtë, edhe kjo skuadër tjetër afrikane, që ashtu si Nigeria dhe Kameruni, u largua plot trishtim nga ky botëror.

Sidoqoftë, udhëheqësit e lartë koreano-veriorë i dënuan futbollistet me punë të rënda "edukuese", sepse nuk i kishin përvetësuar mirë mësimet e Kim Ir Senit, themeluesit të Koresë komuniste, ndaj dhe ishin mbuluar me turp…

Ndoshta takimi më dramatik i këtij botërori ishte ai midis Gjermanisë dhe Spanjës. Gjithçka u zgjidh pas golit të mbrojtës spanjoll Puiol në minutën e 73-të. Kjo ndeshje në fakt duhej të ishte finalja e këtij botërori. Kaq emocionuese, por edhe kaq me ritëm, me kaq pasazhe tërheqëse.

Them kështu, sepse finalja Spanjë -Holandë pak të kujtonte finalen e një botërori. E pra, në fushë lëvrinin yje të futbollit botëror. Ishte e habitshme se si këta aktorë të mëdhenj për 120 të jepnin një shfaqje kaq të mërzitshme, e cila u zgjidh me golin Iniestës në minutën e 116!..

Përbërjet e takimit final, të zhvilluar në stadiumin FNB të Johanesburgut,në prani të 84,490 shikuesve.

Spanja- Kasijas, Serxho Ramos, Pike, Puiol, Kapdevila, Buskuets, Havi Alondo, Havi, Pedro, iniesta, Vila, ( zevendësues-Navas, Fabregas, Torres);

Trajner De Boske;

Hollanda- Stekelenburg, Van der Virl, Heitinga, Mathisjen, Van Brokhorst, De Jong, Roben, Kuit, Snejider,Van Persi;

Trajner- Van Marijk;

Gjyqtar- Web, (Angli).

BRAZIL, 2014

NGADHNJIMI GJERMAN DHE STONIMI I SHURDHAN I SAMBAS BRAZILIANE

Kostoja për organizimin dhe ndërtimin e stadiumeve të reja, rrugëve, aeroporteve, hoteleve për turistët, në qytetet ku u zhvilluan ndeshjet e këtij botërori, arriti shifrën marramendëse… 14 miliardë dollarë. Më larta në historinë e botërorëve të futbollit.

Valës së rrëmbyeshme të protestave që kishin nisur qysh një vit më parë, për shkak të këtyre shpenzimeve skandaloze, iu shtuan protesta të tjera, madje dhe gjatë ditevë të botërorit.

Romario, ish-futbollist i njohur i përfaqësueses braziliane, pastaj  figurë politike, e përcaktoi këtë botëror si "grabitjen më të madhe në historinë e vendit të tij ", dhe kërkoi të bëhej një hetim i thelluar, për të gjetur se si ishin përdorur këto fonde. Një pjesë e mirë e tyre kishte përfunduar në sferat korruptuese të organizuesve dhe qeveritarëve. Por veting nuk pati, si sot në Shqipëri.

Zhgënjimin më të madh në grupin B dhe në këtë botëror e solli Spanja, siç e kemi parë, perandoresha e Boërorit Afrikë 2010, e cila, edhe për gabime foshnjarake të portierit Kasijas, i cilësuar "doreza e artë" e botërorit të kaluar afrikan, doli nga fusha e shpartalluar 5-1, pas valangës së golave të Van Pirsit (2), Robenit dhe De Vrijit , kur golin e ngushëllimit për të e arkivoi Alonso.

Bëri bujë fitorja e Kolumbisë, ( 2-0), kundër Uruguait të fortë Kavanit dhe Suaresit, që luajnë përkatësisht me PSG-në dhe "Barcelonën". Me dy gola të shkëlqyer të Rodriguesit , kolumbianët u hodhën në fazën tjetër të finaleve.

Franca, pasi kaloi "në vrimë të gjilpërës", përligji epërsinë ndaj Nigërisë me dy gola të Pogbës dhe Jobos në 70 dhe 90+1.

Edhe gjermanët hoqën picirin që të ç’kyçnin portën hermetike te Algjërisë, duke na sjellë ndërmend se po kaq pisk e kishin pasur ata në takimin e zhvilluar m në Botërorin Spanjë '1982, kur kishin humbur 1-2.… Këtë radhë i mposhtën ata, po me të njëjtin rezultat, por vetëm në shtesën e lojës prej 2×15 minuta, me gola të Shurles dhe Ozilit në 92' dhe119'.

E njëjta dukuri u pa dhe në takimin e Argjentinë kundër skuadrës zvicerano-kosovare. Shprehem kështu, sepse në përbërjen e kësaj të fundit ishin shqiptarët e Kosovës Xhaka, Mehmeti, Shaqiri, Behrami dhe Xhemaili, pra thuajse gjysma e saj….Dhe të mendosh se në rast se goditja e Mehmetit në minutat e fundit të kohës së rregullt, do të përfundonte fatalisht në shtyllë dhe jo brenda portës , kjo skudër do të kishte arritur në çerekfinale dhe nuk dihej se çdo të ndodhte më pas. Pastaj në 118' ishte De Maria i cili shënoi të vetmin gol të fitores për skuadrën e Mesit…

Që Brazili po çalonte gjithnjë e më shumë, këtë e dëshmoi takimi kundër Kolumbisë, i përshkruar nga lojë e tendosur… Brazilianët dolën të fituar, (2-1). Është e vërtetë që Neimari u dëmtua nga një ndërhyrje e rëndë, por është po aq e vërtetë që  kolumbianët edhe mund të kishin fituar…

Nisi të shkruhej dhe kapitulli ½ të finaleve. Gjermania ishte ndeshur më 2002 në finale me Brazilin e fenomenit Ronaldo që i kishte përcjellë me dy gola, pa pësuar asnjë.

Por këtë radhë, brenda gjysmë ore, edhe për faj të mbrojtësve të çoroditur brazilianë, Myleri në 11', Klose në 23', Kroosi në 24' dhe 26' dhe Khedira në 29' e shpunë rezultatin në 5-0 për teutonët e pamëshirshëm, si dikur në Mesjetë…Ishte me të vërtetë për të mos u besur syve.

Brazilianët mbase kujtonin takimin final kundër Uruguait me 1950… Po atëherë kishin dalë edhe pse të humbur 1-2, kishin luajtur plot dinjitet. Kurse këtë radhë u shpartalluan 7-1…

Finalja e këtij botërori, zhvilluar më 13 qershor 2014, në stadiumin "Marakana" të Rio de Zhaneiros , prani të 74.738 shikuesve, u bë pronë për t'u ndarë midis Gjermanisë dhe Argjentinës. Ashtu si më 1986 në Botërorin Meksikan kur kishte fituar Maradona me shokë, (2-1), dhe kur 4 vjet më pas, në Botërorin Itali 1990 nafaka, u kishte buzëqeshur gjermanëve, që kishin fituar pas 11-metërshit, jo pa polemika,  të shndërruar në golin e fitores nga Brehme.

Gjermanëve iu deshën plot dy orë kapërthimesh si të gladiatorëve të lashtë, ku herë ata herë argjentinasit gati sa nuk vunë njeri-tjetrin me shpatulla në terrenin e arenave. Siç ndodhi në shtesën e lojës, ku Iguaini, i cili, i ndodhur vetëm para portës, u hipnotizua, gjuajti jashtë, dhe humbi shansin më të mirë që pas vitit 1978 ta çonte për të tretën herë skuadrën e tij në majat më të lart të futbollit botëror.

Për ironi të fatit ia la këtë detyrë Gëtces, i cili zëvendësoi Klosen, që pa ngurrim gjuajti dhe shënoi atë gol aq të dëshiruar…Kështu Gjermania për të katërtën herë, (1954, 1974, 1990, 2014) u shpall skuadra më e mirë e rruzullit tokësor.

Përbërjet e skuadrave:

Gjermania-Noier, Lahm, J. Boateng, Humeles, Hëvedes, Kramer, (Shurle), Shvainshtaiger, Myler, Kroos, Ozil, (Mertesaker), Klose, (Gëtze); Trajnetr Lov;

Argjentina- Romero, Zabaleta, Demikelis, Garai. Roho, Maskerano, Bilia,Perez, (Gago),Laveci, (Palacio), Mesi, Iguain, (Aguero); Trajner Sabela.

Ja, kjo është shkurtimisht kronika e botërorëve të futbollit, që do të shënojë një faqe tjetër në Botërorin "Rusi, 2018'.

 

E rëndë në Lushnje, gjendet e varur në pemë vajza 17-vjeçare

Posted: 14 Jun 2018 01:58 AM PDT

Në orët e para të ditës së sotme një familje në Lushnje është tronditur nga një ngjarje e rëndë.

Rreth orës 05:35, në fshatin Stan Karbunarë ata kanë gjetur të vetëvarur në një pemë në oborrin e shtëpisë vajzën 17 vjeçe me iniciale T.G.

Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të shkakut dhe rrethanave të ngjarjes.

o.j/dita

Një ofertë tunduese nga Gjermania për Strakoshën

Posted: 14 Jun 2018 01:56 AM PDT

 

Thomas Strakosha mbylli një sezon të mirë në aspektin personal me Lazion, duke i ngjitur me shpejtësi shkallët e karrierës.

Kërkesa të shumta kanë mbërritur te Igli Tare për portierin e kombëtares shqiptare, ku e fundit dhe ndoshta më tunduesja për Lazion ka ardhur nga Gjermania.

Bayer Leverkusen është i gatshëm të paguajë 30 milionë për portierin shqiptarë dhe Lazio ka nisur menjëherë punën për të gjetur zëvendësuesin.

Si pasardhës i Berishës, drejtuesit e Lazios po mendojnë për Marco Sportiello, i cili ka një vlerë prej 5 milionë eurosh dhe që nuk po gjen hapësirë të Atalanta.

a.s/dita

SHBA dhe Britania paralajmërojnë tifozët: Kujdes në Rusi, rrezikoheni…

Posted: 14 Jun 2018 01:46 AM PDT

Zyrtarë të inteligjencës së Shteteve të Bashkuara dhe të Britanisë së Madhe i paralajmëruan tifozët e futbollit që udhëtojnë në Rusi për Kampionatin Botëror, se telefonat e tyre celularë dhe kompjuterët mund t'iu piraterohen nga spiunët kibernetikë.

William Evanina, drejtor i Qendrës Kombëtare të Kundërzbulimit dhe Sigurisë në SHBA, tha se në Rusi, edhe njerëzit që besojnë se janë të parëndësishëm, mund të jenë në shënjestër të hakerëve.

"Kushdo që udhëton në Rusi për të marrë pjesë në Kupën e Botës, duhet të jetë i vetëdijshëm për rreziqet kibernetike", tha përmes një deklarate Evanina.

"Nëse planifikoni të merrni me vete një telefon celular, laptop ose pajisje të tjera elektronike, kujdes, çdo e dhënë në këto pajisje mund të arrihet nga Qeveria ruse ose kriminelët kibernetikë", tha ai.

Evanina është përgjegjës për agjencinë që vlerëson kërcënimin ndaj Shteteve të Bashkuara nga spiunazhi i huaj dhe spiunazhi kibernetik.

Ai tha se njerëzit që marrin pjesë në Kupën e Botës, e cila nis të enjten, duhet të mos marrin pajisje që nuk i kanë të domosdoshme.

Në pajisjet që marrin me vete, njerëzit duhet ta heqin baterinë kur nuk i kanë në përdorim, tha Evanina.

Sipas tij, më të rrezikuar janë zyrtarët e korporatave dhe të qeverisë.

o.j/dita

Sekuestrohen 80 kg mjaltë në Tepelenë, shoqërohen 2 tregtarë

Posted: 14 Jun 2018 01:36 AM PDT

Drejtoria Rajonale e AKU Gjirokastёr nё bashkёpunim me Drejtorinë e Policisë sё Qarkut Gjirokastër, Sektori i Krimit Ekonomik dhe forcat policore Shqiponjat, nё vendin e quajtur “Uji i Ftohte”, Tepelenë,  kanё kryer njё operacion tё pёrbashkёt pёr goditjen e aktivitetit tё paligjshёm tё tregtimit te produktit “Mjaltë” nga tregtarë ambulantë.

Janë sekuestruar rreth 80 kg mjaltë i pakontrolluar dhe pa certifikatë origjine.

Forcat policore kanë hasur kundërshti nga ana e tregtarëve dhe për këtë arsye janë shoqëruar 2 prej tyre drejt komisariatit.

Mjalti ishte i pakontrolluar, pa certifikate origjine, pa raport analiza dhe pa etiketa. Tregtohej në ambiente të hapura, në kushte të papërshtatshme higjienike, të ekspozuara ndaj rrezeve tё diellit, ndotjeve dhe kushteve atmosferike.

o.j/dita

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more