Skip to main content

“Brendet në kontekstet kulturore të së ardhmes” plus 2 more Telegrafi Opinione

“Brendet në kontekstet kulturore të së ardhmes” plus 2 more Telegrafi Opinione


Brendet në kontekstet kulturore të së ardhmes

Posted: 14 Jun 2018 08:09 AM PDT

Nga GERTON BEJO

CEO i Vatra Design Consultancy*

www.vatra.net

Leximi dhe interpretimi i shenjave, simboleve, logove është diçka që ne të gjithë e bëjmë në mënyrë instiktive çdo ditë, me ose pa vetëdije. Prandaj lindën brendet, për të identifikuar dhe rritur sa më shumë përmbushjet e nevojave personale njerëzore dhe, ato të bizneseve.

Por brendet dhe kuptimet e tyre shtrihen në kontekste të caktuara kulturore dhe historike, kuptime tërësisht subjektive.

Kjo e bën edhe më të vështirë punën e krijuesve dhe menaxherëve të tyre, ndaj zgjedhja e simboleve, sloganëve, ngjyrave dhe gjithë elementëve që përbëjnë një brend, mbetet një ndër sfidat më të mëdha në menaxhimin e kompanive apo dhe vetë identiteteve njerëzore.

Në ditët tona, brendet kanë një vlerë të paçmuar kulturore. Ato janë të mbështjella me kuptime, që janë më shumë se sa vetë logot, ngjyrat, paketimet, pasi ato mbartin dhe tregojnë histori të lidhura me gjithë shoqërinë të cilës i përkasin.

Sa më e specializuar është një agjenci, aq më mirë ajo zbërthen, identifikon dhe vizualizon simbolet që reflektojnë kulturën e kompanisë. E sa më mirë ajo e bën këtë, aq më shumë rriten fitimet dhe jetëgjatësia e markës.

Kreativiteti, si "bibël" në punën e një agjencie komunikimi

Origjinaliteti është gjithçka. Ndaj dhe interesi për logot dhe grafikat, ka ndryshuar së bashku me natyrën e komunikimit njerëzor. Më parë konsumatorët ishin pasivë dhe vetëm marrës të mesazheve, tashmë ata e përfshijnë veten në markat që përdorin. Secili nga ne është interaktiv me kompanitë lokale dhe ndërkombëtare, në çdo moment të ditës, në çdo cep të globit.

Në mënyra të pavetëdijshme, ne investojmë te brandet e pëlqyera, ndihemi "bashkëpronarë" e madje pyesim veten pse nuk marrim ende pjesë në vendimmarrjen e tyre.

Pra, çdo konsumator në këtë epokë është bërë më i zgjuar dhe reagon ndaj asaj që prodhojnë dizajnerat.

Kreativiteti nuk është më një element që i duhet shtuar, por është thelbi që markat të mbijetojnë dhe të mos zhduken.

Prandaj dhe ne te Vatra Design Consultancy, e kemi kreativitetin "biblën" e përditshmërisë tonë.

Zhvillimi i ideve të reja është çfarë i ka bërë brandet për të cilët punojmë të kenë sukses në treg dhe, bashkë me ta, edhe ne.

Megjithëse shpesh menaxherët janë skeptikë përballë propozimeve kreative, si diçka e panjohur, e pakuptueshme dhe e paprovuar për ta, në fund binden se zgjidhjet inovative e bëjnë biznesin të ndryshëm nga të tjerët dhe e rrit suksesin.

Por sfida e agjencive kreative konsiston në ruajtjen e ekuilibrit midis risive që propozon, me identitetin fillestar të brandit, që është vlera e patjetërsueshme e tij.

Por jo vetëm kaq. Çdo konsumator është një brand më vete dhe çdo adoleshent ka mësuar fuqinë e përfaqësimit të tij. Çdokush që ka një llogari në rrjetet sociale, veçanërisht Instagram, zgjedh me kujdes rrobat, ngjyrat, shprehjet, sfondet, mesazhet që poston për ndjekësit e tij.

Kurrë më shumë se tani njerëzit nuk kanë qenë kaq të ndërgjegjshëm dhe të sofistikuar për përfaqësimin e tyre në imazhe dhe rrjedhimisht kuptime. E gjitha kjo në thelb është një proces dizenjimi, që bëhet nga njerëz të zakonshëm. Kultura e imazhit ka zënë një vend të rëndësishëm në jetët tona, gjë që rrit përgjegjësinë e agjencive kreative.

Konsumatorët e së ardhmes

Kur flasim për markat, njohja e konsumatorit është një ndër gjërat më të rëndësishme.

Generation Z, të lindurit e vërtetë dixhital, sipas disa parashikimeve do të përbëjnë 40% të konsumatorëve deri në vitin 2020. Ndërkohë studiuesit kanë ngritur pyetjen: A do të munden brandet e tanishëm t'i kenë të tyret edhe këta konsumatorë? A kanë ata ngjashmëri me Millennials (Generation Y) dhe a ndajnë të njëjtat tregje?

Të dy brezat kanë tolerancë të ulët ndaj gjërave të komplikuara, pasi janë mësuar të kërkojnë gjithçka me një prekje të gishtit dhe të marrin kënaqësi të menjëhershme.

Si do t'ia bëjnë brandet të kënaqin Generation Z, të cilët nëse diçka nuk u pëlqen, nuk u japin një mundësi të dytë por me aq mundësi sa kanë për të zgjedhur, gjejnë mbështetjen e kërkuar te një brand tjetër? Si do t'i mbijetojnë bizneset këtyre dy brezave?

Është diçka e përbashkët që vihet re në mentalitetin e Millennials dhe Generation Z: ata zgjedhin eksperiencat përpara sendeve, pasi ato i japin mundësinë diçkaje të mundshme për t'u shpërndarë në Instagram, Snapchat dhe Youtube etj. Është sfidë e re e brandeve të ndërtojnë rrugë që konsumatorët të krijojnë eksperienca me to dhe të zbaviten, si dhe të ndërtojnë platforma që i lejojnë ata të jenë ata që duan të jenë, por dhe duke prodhuar produkte që përshtaten me stilin e jetës së tyre.

Gjithashtu, një mënyrë për t'i bërë ata për vete është përfshirja e këtyre dy brezave në ideimin, krijimin, zbatimin e zhvillimit të brandeve. Ata janë breza me mentalitet sipërmarrës, me ambicie dhe shumë të vendosur, të cilët vlerësojnë brandet mendjehapur që përfshijnë konsumatorin me informacion përtej produktit, por dhe me dije, mesazhe dhe koncepte të thella.

Këta breza të rinj, duan të japin kontributin e tyre në botën që jetojmë. Ata janë të interesuar për vlerat që konsumojnë, ndaj brandet duhet që për t'i fituar këta konsumatorë të kujdesen për një transmetim vlerash, jo vetëm te fitimi aktual. Njohja e brezave të rinj të konsumatorëve, do të bëjë dhe më të sigurt jetëgjatësinë e suksesit të brandeve. Kjo është një detyrë që lind për agjencitë që krijojnë dhe menaxhojnë këto brande.

Pra, çelësi që duhet të përdorin agjencitë dhe brandet nuk është përpjekja për kontroll, por përpjekja për bashkëkrijim.

Kësaj audience të re dhe rebele i duhen lejuar kanale komunikimi e bashkëveprimi për t'u përfshirë. Ata menaxherë që e kuptojnë dhe dinë ta bëjnë këtë, janë fitimtarët e vërtetë.

*Vatra Design Consultancy është një markë e regjistruar në pronësi të V Advertising shpk

The post Brendet në kontekstet kulturore të së ardhmes appeared first on Telegrafi.

Edhe ky Kampionat Botëror e ka një arsye gëzimi

Posted: 14 Jun 2018 06:39 AM PDT

E pranueshme, gëzimi për një eveniment të tillë nuk është kaq i thjeshtë… Kampionati Botëror 2018 fillon, po ku është emocioni? Gëzimi për pesë javë futboll, për baste lojërash me kolegë apo për traditën gjermane të ndeshjeve që shihen në grup me birra në dorë dhe salçiçe. Më parë kjo ndjesi ishte brenda nesh, para se të fillonte kampionati… apo?

Ndërkohë që vramendja për gëzimin që mungon vazhdon, aktivizohet edhe arsyeja. Po sigurisht që gëzimi nuk ngre kokë, me kaq shumë probleme, me kaq kryetituj negativë, skandale që para garës futbollistike si do lindë ndjenja e gëzimit? Fillo me mikpritësin Rusinë: Një vend që përpiqet fshehtas të eliminojë njerëzit me helm nervor, që anekson Krimenë duke shkelur të drejtën ndërkombëtare, që bombardon spitale në Siri, që kryen sulme hakerash në vendet gjoja miq, që i lejon vetes luksin e kampionatit më të shtrenjtë në histori, kur shumë rusë janë të varfër, që gënjen botën e sportit me sistemin e dopingut, që kërcënon gazetarët që i zbulojnë skandale të tilla, – a mundet një vend i tillë të jetë mikpritës i Kampionatit Botëror të Futbollit?

Kësaj i shtohet që prej kohësh asaj që dihet, se disa nga vendimmarrësit e shpërndarjes së kampionatit tek FIFA kishin bërë pazare të dyshimta me koncernin shtetëror Gazprom?

Tjetra, të marrim FIFA-n: koncernin organizues, më falni, shoqata jo e orientuar nga fitimi, sipas të drejtës zvicerane. Ajo ndëshkon federata si ajo e Nigerisë për “përzierje politike” duke i përjashtuar nga kampionati (2014) dhe shpërblen nga ana tjetër federata si atë të SHBA-së për “përzierje politike” në një kampionat…apo si ta kuptojmë ndryshe mesazhin në Twitter të Donald Trumpit në botën e futbollit, para shpërndarjes së kampionatit për vitin 2026. Kjo është pak a shumë si të marrësh kartonin e kuq për një përpjekje të kapjes së topit në rrëshqitje e sipër dhe për përpjekjen tjetër menjëherë kupën.

E qartë, ka shumë arse që të mos gëzohesh për këtë kampionat. Por të paktën një arsye ka: Kampionati i afron njerëzit. E ka bërë këtë gjithmonë. E me marshimin global të futbollit kjo forcohet edhe më shumë. Futbolli është një gjuhë që e kupton gjithkush, në çdo vend të botës. Ai i bashkon njerëzit nga vende të ndryshme, ata shkëmbehen, dialogojnë, mësojnë nga njëri-tjetri, zbusin paragjykimet, kalojnë kufijtë. Pikërisht heqja e këtyre kufijve do të ishte një sukses për kampionatin.

Në mesin e krizave diplomatike dhe rusëve gjithnjë e më të izoluar, kampionati i futbollit ofron një shans për afrim. Krahas një gjysmë milione vizitorëve që priten, nuk do të ishte keq që një shans të tillë ta shfrytëzonin edhe politikanët. Ndërkohë që bojkotimet e evenimenteve të futbollit nuk kanë sjellë asnjë rezultat, ky vit ka treguar, se çfarë roli ndërlidhës luan futbolli. Lojërat Olimpike në Pyoenchang në fillim afruan dy Koretë në sport, pastaj edhe në parketin politik. Nëse kjo do të bëhet e mundur mes Rusisë dhe perëndimit atëherë mund të flitet për një ëndërr vere të kampionatit.

The post Edhe ky Kampionat Botëror e ka një arsye gëzimi appeared first on Telegrafi.

A mund të shpëtohet Euro?

Posted: 14 Jun 2018 02:52 AM PDT

Joseph E. Stiglitz

Euro mund të jetë në prag të një krize tjetër. Italia, ekonomia e tretë më e madhe në Eurozonë, ka zgjedhur atë që mund të përshkruhet më së miri si një qeveri Euroskeptike. Kjo nuk duhet të habisë askënd. Përplasja në Itali është një episod tjetër i parashikueshëm (dhe i parashikuar) në sagën e gjatë të organizimit difektoz të monedhës së përbashkët, në të cilën fuqia dominuese, Gjermania, pengon reformat e nevojshme dhe këmbëngul në politika që i përkeqësojnë problemet strukturore, duke përdorur retorikë që dukshëm synon të ndezë pasione.

Italia ka ecur keq që kur u krijua euro. Prodhimi i Brendshëm Bruto real i saj (i përshtatur me inflacionin) më 2016 ishte në të njëjtin nivel si më 2001. Por e gjithë eurozona si e tërë nuk ka ecur shumë mirë. Nga viti 2008 deri më 2016, PBB reale e saj u rrit me vetëm 3% në total. Më 2000, një vit pasi u krijua euro, ekonomia e SHBA-së ishte vetëm 13% më e madhe se sa ajo e Eurozonës; më 2016 ajo ishte 26% më e madhe. Pas një rritjeje reale me 2.4% më 2017 – jo mjaftueshëm për të kapërcyer dëmet e një dekade krize – ekonomia e Eurozonës po dobësohet sërish.

Nëse një vend ecën keq, fajin për këtë e ka ky vend; nëse shumë vende ecin keq, fajin e ka sistemi. Siç e thashë unë në librin tim Euro: Si Monedha e Përbashkët Kërcënon të Ardhmen e Evropës,euro ishte një sistem pothuajse i dizajnuar për të dështuar. Ajo ia hoqi qeverive mekanizmin kryesor të pështatjes (përcaktimin e interesave dhe të kursit të këmbimit); dhe, në vend që të krijonte institucione të tjera për të ndihmuar vendet të përballeshin me situata të ndryshme ku mund të binin, ajo imponoi kufizime të reja – shpesh të mbështetura në teori politike dhe ekonomike të diskretituara – mbi deficitet, borxhet e madje edhe politikat strukturore.

Euro supozohej të sillte mirëqenie të përbashkët, e cila mund të forconte solidaritetin dhe të sillte përparime në objektivin evropian për integrim. Në fakt ajo ka bërë krejt të kundërtën, duke ngadalësuar rritjen dhe duke mbjellë përplasje.

Problemi nuk qëndron te mungesa e ideve se si mund të lëvizet përpara. Presidenti i Francës

Emmanuel Macron, në dy fjalime të mbajtura në Sorbonë shtatorin e kaluar dhe kur mori Çmimin Karli i Madh për Unitetin e Evropës në maj, ka artikuluar një vizion të qartë për të ardhmen e Evropës. Por Kancelarja e Gjermanisë Angela Merkel efektivisht ka hedhur ujë të ftohtë mbi propozimet e tij, duke sugjeruar, për shembull, shuma qesharake parash për t'u investuar në fusha në të cilat ka nevojë urgjente për investime.

Në librin tim, unë theksova nevojën urgjente për një skemë të përbashkët për sigurimin e depozitave, për të shmangur tërheqjen e depozitave në vendet e dobëta. Gjermania duket se e pranon rëndësinë e një bashkimi bankar për funksionimin e monedhës së përbashkët, por, njësoj si Shën Augustini, përgjigjja e saj ka qenë, "O Zit, më bëj të pastër, por jo tani." Bashkimi bankar në dukje është një reformë që duhet të ndërmerret diku në të ardhmen, nuk ka rëndësi se çfarë dëmi po ndodh sot. Problemi kryesor i zonës monetare është si të korrektohen problemet në kursin e këmbimit, të tilla si ato me të cilat po përballet Italia sot. Përgjigjja e Gjermanisë është të hedhë barrën mbi vendet e dobëta të cilat sakaq po vuajnë nga papunësia e lartë dhe ritmi i ulët i rritjes ekonomike. Ne e dimë se çfarë sjell e gjitha kjo: më shumë dhimbje, më shumë vuajtje, më shumë papunësi e madje edhe rritje më të ngadaltë. Edhe nëse rritja rimëkëmbet, PBB nuk arrin kurrë nivelin që do të kishte arritur në rast se do të ndiqej një strategji më e arsyeshme. Alternativa është që të zhvendoset një pjesë e barrës së përshtatjes te vendet e fuqishme, me paga më të larta dhe kërkesë më të lartë të mbështetur nga programet qeveritare të investimeve.

Ne kemi parë aktet e para dhe të dyta të kësaj drame shumë herë tashmë. Një qeveri e re është zgjedhur, duke premtuar se do të bëjë një punë më të mirë në negociatat me Gjermaninë për t'i dhënë fund masave të kursimit dhe për të dizajnuar një program më të arsyeshëm reformash strukturore. Nëse gjermanët nuk luajnë nga vendi, kjo nuk e ndryshon rrjedhën e gjërave në ekonomi. Ndjenjat antigjermane rriten dhe çdo qeveri, pavarësisht nëse i përket qendrës së majtë apo qendrës së djathtë, që sugjeron se ka nevojë për reforma, nxirret nga zyra. Partitë anti-estabilishment fitojnë pikë. Përplasja shtohet.

Nëpër të gjithë eurozonën, udhëheqësit politikë po hyjnë në një gjendje paralize: shtetasit dëshirojnë të mbeten në BE, por duan gjithashtu t'i japin fund masave të kursimit dhe të rikthehen te mirëqenia. Atyre u kanë thënë se nuk mund t'i kenë që të dyja. Gjithnjë me sytë nga Evropa veriore ku shpresohet të ndodhë ndryshimi, qeveritë në telashe ruajnë vijën e tyre, ndërkohë që vuajtjet për popujt e tyre rriten.

Qeveria socialiste e kryeministrit të Portugalisë António Costa përbën përjashtim nga kjo tendencë e përgjithshme. Costa ia doli të udhëheqë vendin e tij te rikthimi i rritjes ekonomike (2.7% më 2017) dhe të arrijë një shkallë më të lartë popullariteti (44% e portugalezëve mendojnë se qeveria po punonte më mirë nga sa pritej në prill 2018).

Italia mund të rezultojë një përjashtim tjetër – veçse në një kuptim shumë të ndryshëm. Atje, ndjenjat anti-euro gjenden si në të majtë ashtu edhe në të djathtë. Tashmë që partia e ekstremit të djathtë Lidhja e Veriut është në pushtet, Matteo Salvini, udhëheqësi i kësaj partie dhe një politikan me eksperiencë, mundet me të vërtetë të kryejë kërcënimet që fillestarët gjetkë nuk guxojnë t'i bëjnë. Italia është mjaftueshëm e madhe, dhe ka ekonomistë të shumtë krijues, për të menaxhuar një dalje de facto – duke krijuar në praktikë një sistem me dy monedha dhe me kurs fleksibël, i cili mund të ndihmojë për të rikthyer mirëqenien. Kjo mund të dhunojë rregullat e Euros, por barra e largimit de jure, me të gjitha pasojat e saj, pas kësaj do të zhvendoset në Bruksel dhe Frankfurt ndërsa Italia mund të besojë se një paralizë në BE mund të shmangë ndarjen finale. Cilatdo qofshin pasojat e kësaj, eurozona do të mbetet e dobësuar.

Nuk ka nevojë që kjo të ndodhë. Gjermania dhe vendet e tjera në Evropën veriore mund ta shpëtojnë euron duke treguar më shumë humanizëm dhe më shumë fleksibilitet. Por, duke parë aktet e para të kësaj drame shumë herë, nuk jam i bindur nëse ata janë të gatshëm të ndryshojnë skenar. /Project Syndicate/reporter.al/

The post A mund të shpëtohet Euro? appeared first on Telegrafi.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more