Skip to main content

“Aksident tragjik në Kosovë, shuhet përfaqësuesi i kombëtares kosovare të basketbollit” plus 9 more - Gazeta Dita

“Aksident tragjik në Kosovë, shuhet përfaqësuesi i kombëtares kosovare të basketbollit” plus 9 more - Gazeta Dita


Aksident tragjik në Kosovë, shuhet përfaqësuesi i kombëtares kosovare të basketbollit

Posted: 23 Jun 2018 01:51 AM PDT

Një aksident i rëndë ka tronditur botën e basketbollit, teksa i ka marrë jetën përfaqësuesit të Kosovës, Gazmend Sinani.

Mediat kosovare bëjnë të ditur se aksidenti ka ndodhur në Gjakovë në orët e para të mëngjesit të së shtunës.

Federata e Basketbollit e Kosovës me pikëllim të thellë njofton opinionin për një ngjarje tragjike që ka ndodhur në orët e hershme të mëngjesit të së shtunës. Në aksident janë plagosur edhe Granit e Fisnik Rugova, Altin Morina dhe fizioterapeuti i ekipit Kujtim Shala.

"Federata e Basketbollit e Kosovës shpreh ngushëllimet e përzemërta familjes Sinani dhe miqve të Gazmendit për këtë humbje të pakompensueshme", thuhet në njoftim.

Gazmend Sinani ishte 27 vjeç.

Pasi kaloi grupmoshat e reja në Prishtinë, karrierën e vazhdoi në Turqi, ku ishte pjesë e akademisë së Fenerbahçes dhe kombëtareve turke të grupmoshave të reja. Në Kosovë ka luajtur për Prishtinën, Bashkimin e Rahovecin, kurse në klube të ndryshme turke është paraqitur disa sezone.

Më 2017/18 luajti në ligën elite në Angli.

Sinani ishte anëtar i kombëtares së Kosovës, që nga pranimi i FBK-së në FIBA."Me humbjen e tij, Kosova ka humbur një prej basketbollistëve më të mirë të gjeneratës, kombëtarja ka humbur njërin prej basketbollistëve më të vlefshëm dhe më luftarak. Angazhimi i tij gjatë përgatitjeve për ndeshjet e qershorit ka qenë inspirim dhe motivim për bashkëlojtarët, kurse qasja e tij profesionale dhe shpirti luftarak do të mbeten në kujtim të secilit adhurues të basketbollit", thuhet në njoftimin e FBK-së.

o.j/dita

A duhet shqiptarët të mbështesin, ose përdorin emrin e ri të Maqedonisë?

Posted: 23 Jun 2018 01:43 AM PDT

Prof. James Pettifer*

Pas shumë vitesh vështirësish me Greqinë, shumica e maqedonasve dhe miqve të Maqedonisë mund të mendohet se janë të kënaqur me emrin e ri të propozuar. Megjithatë, shpallja e “Maqedonisë së Veriut” këtë javë ka prodhuar zemërim dhe indinjatë në shumë rajone të ndryshme dhe në të dy anët e kufirit. Nuk është e vështirë të kuptohet pse.

Qeveria e Zaev bazohet në mbështetjen shqiptare për të mbijetuar. Shqiptarët kanë vuajtur vështirësi në të drejtat e njeriut në Maqedoni për shumë vite dhe Marrëveshjet e Ohrit që dolën nga konflikti ushtarak në 2001 në shumë raste nuk janë zbatuar, edhe pse partia e BDI-së ishte në qeveri shumë vite pas asaj date. Partia e BDI-së duhet të marrë parasysh rekordin e vet në këtë sferë, në vend që të fajësojë të gjithë të tjerët për dobësitë në pozitën e shqiptarëve.

Një arsye kryesore për këtë ishte mungesa e mbështetjes për ndryshim në mesin e bashkësisë diplomatike të huaj, që dikur u tërhoq nga kërcënimi i dhunës, pas vitit 2001 humbi interesin për fatin e shqiptarëve. Megjithatë, faktorët e njëjtë të huaj në vend po u kërkojnë shqiptarëve të mbështesin emrin e ri dhe të bashkohen me Zaevin në një fushatë të mundshme referendumi më vonë gjatë vitit. A duhet ta bëjë këtë ky komunitet?

Përgjigja duhet të jetë një ‘Jo’ vendimtare. Zhvillimi i kushtetutshmërisë mund të ndodhë gjithnjë, pasi ai ka ndodhur prej qindra vjetësh në Shtetet e Bashkuara, por në një mënyrë të konsideruar dhe konsensuale dhe ku identiteti themelor i vendit nuk kërcënohet. Siç ka theksuar me të drejtë presidenti Ivanov, çështja është kushtetuese dhe Zaev dhe bashkëpunëtorët e tij të ndikuar nga jashtë nuk kanë fare mandat ligjor për ta ndryshuar me firmën e një njeriu të vetëm.

Kjo i hap rrugën përfundimit të sundimit të ligjit dhe pozicioni i Ivanov duhet të mbështetet fuqimisht jo vetëm nga të gjithë maqedonasit nga çfarëdo pozicioni, por edhe nga të huajt që janë me të vërtetë miq të Maqedonisë – në vend të “armikut të financuar nga jashtë”- të cilët nuk dëshirojnë ta shohin vendin të mbijetojë dhe të përparojë në formën e tanishme dhe me kufijtë e tanishëm. Progresi i kufizuar i shqiptarëve që nga viti 1991, varet tërësisht nga sundimi i ligjit në një kornizë shtetërore të sigurt dhe të garantuar ndërkombëtarisht. NATO dhe BE po përpiqen ta minojnë, për të arritur këtë ‘marrëveshje’ që është rënë dakord dhe kjo nuk është në interesin e shqiptarëve.

Emri i zgjedhur është gjithashtu mjaft i pandjeshëm ndaj shqetësimeve legjitime shqiptare. Ai do të kapte shumë shqiptarë nacionalistë në një identitet që ata nuk mund të dëshironin ta kishin dhe ta bënte më të vështirë debatin e ardhshëm për përmirësimin e gjërave.

Marrëveshja nuk është thjesht për emrin, aq e rëndësishme sa trumbetohet. Greqia dhe Serbia po punojnë së bashku për të izoluar shqiptarët në Ballkan. Kushdo që nuk e beson këtë duhet të shkojë në Preshevë, ku pjesa e re e autostradës serbo-greke e “Rrugës së Miqësisë” izolon në mënyrë specifike Preshevën – dhe Kosovën – për të sjellë Beogradin dhe Nishin përsëri në aksin Athinë-Beograd.

James Pettifer

Ka gjithashtu thashetheme nga burime të besueshme – megjithëse nuk mund t’i vërtetoj – për planin britaniko-grek për një tubacion nafte dhe gazi në Serbi përgjatë së njëjtës rrugë. Baza politike e vetë Zaevit në Strumicë është në një nga rrugët e skemës dhe shpjegon se për ata që e kanë studiuar dhe njohur rajonin për shumë vite, duket mjaft e paarsyeshme mbështetja e (e çuditshme?) për të nga bashkësia ndërkombëtare.

Ç’të themi për argumentin se SHBA-të si mbrojtës të shqiptarëve mbështesin emrin e ri? Epo, kohët po ndryshojnë. Së pari, jo e gjithë Amerika zyrtare është dakord, siç do të tregojë një shikim në Tëitter ose Facebook. Nuk është aspak e qartë nëse Amerika diplomatike zyrtare ishte përgjegjëse për përmbajtjen famëkeqe të "marrëveshjes" prej 20 faqesh, e cila duket se është shkruar nga një grup i vogël think-tank (opinion bërës) që nuk njihen për një ekspertizë të mirë të Ballkanit.

Ka pasur një kontribut të konsiderueshëm grek në draftin përfundimtar të dokumentit. Së dyti, edhe pse SHBA është jetike për sigurinë shqiptare në Ballkan përgjithësisht, politikat po ndryshojnë dhe do të ishte tragjike që shqiptarët të mbeteshin të lidhur me botën Blair-Clinton kur supozimet e saj janë zhdukur prej kohësh.

Maqedonia ka pasur një rekord të gjatë të marrëdhënieve produktive me NATO-n, veçanërisht gjatë luftës së Kosovës, lidhur me çështjet e refugjatëve dhe ka furnizuar me ushtarë koalicione të udhëhequra nga SHBA që nga ajo kohë. Duke e detyruar vendin në NATO, por duke shkaktuar destabilizimin rajonal në këtë proces, nuk është një ide e mirë për sigurinë e shqiptarëve, si një popull i varur nga SHBA dhe NATO.

Një qasje e mundshme do të ishte që shqiptarët të tërhiqeshin së shpejti nga koalicioni qeverisës dhe të lejonte Zaevin të qeveriste sipas mendjes së tij, duke gjetur konsensus ndërpartiak për një çështje sipas bazës së emrit. Kjo do të shmangte pjesëmarrjen e shqiptarëve në këtë proces potencialisht shkatërrues. Nëse do të ketë një referendum mbi emrin ose kushtetutën e re, shqiptarët duhet të gjithë të bëjnë fushatë për të votuar alternativën “jo”.

Kushtetuta dhe sundimi i ligjit duhet të mbrohen, kundër asaj që në sfond janë përpjekjet greke për të shtrirë hegjemoninë në të gjithë Maqedoninë në një aks të përbashkët greko-serb. Përzierja amerikane e kërcënimeve dhe “karrotave” duhet të refuzohet në mënyrë të vendosur, si destabilizuese dhe e gjykuar keq, por në një atmosferë mosmarrëveshjeje midis miqve dhe ku duhet të theksohet se si një fuqi e madhe SHBA-të duhet të mbajnë të gjithë maqedonasit në bord, në vend që të hipotekojë kredibilitetin e saj të plotë në një ndryshim të çuditshëm dhe të keqkuptuar të emrit që vetëm mund të rezultojë në paqëndrueshmëri më të gjerë rajonale.

Nga këndvështrimi i Uashingtonit ekziston një dëshirë e kuptueshme për të mbajtur hegjemoninë mbi Maqedoninë, por kjo nuk duhet të jetë me çmimin e demokracisë, qeveria e Zaev nuk do të jetë e përjetshme dhe, nëse shqiptarët hipotekojnë të gjitha shpresat e tyre në një qeveri të Shkupit, kjo nuk do të ishte e mençur. Një Ukrainë është e mjaftueshme./ Përgatiti për botim: Xhevdet Shehu 

*Universiteti i Oksfordit

“Greqia shpëton”, Tsipras mban premtimin dhe vendos kollaren

Posted: 23 Jun 2018 01:32 AM PDT

Disa vite më herët, pasi kishte marrë drejtimin e Greqisë me synimin për t'i dhënë fund krizës së borxhit, kryeministri Alexis Tsipras kishte bërë një premtim të çuditshëm.

Ai tha se pasi të arrinte këtë qëllim, do të fillonte të vishte kollare, një aksesor që nuk është se e preferon dhe përdor as në takimet zyrtare.

Pas tetë vitesh me shkurtime të ashpra në shpenzime publike, bashkëngjitur reformave të ashpra ekonomike, Greqia ka arritur një marrëveshje me kreditorët e BE-së për lehtësimin e borxheve. Shlyerja e 96 miliardë eurove do fillojë të zbatohet pas dhjetë vjetësh, si një mënyrë për t’i lejuar vendit të marrë veten nga kriza e thellë ekonomike.

Këtë lajm Tsipras e priti me humor e qetësi, ndërsa në takimin me aleatët politikë të tij në Athinë, mbajti premtimin e dhënë dhe vendosi një kollare.

"Sot është një ditë e rëndësishme për të gjithë, por para së gjithash u takon atyre që për tetë vjet u goditën keq nga kriza, për ata që panë një jetë të tërë të shkatërruar dhe ata që mbanin barrën për vendin", tha Tsipras.

Kriza përfshiu Greqinë në vitin 2010, ndërsa që atëherë ekonomia në vend u tkurr me 1/4-tën, papunësia u rrit ndjeshëm dhe pagat e pensionet u ulën me rreth 40 %, ndërsa u kërkuan 3 kredi të mëdha për të shpëtuar.

o.j/dita

 

Si të mbroni lëkurën nga rrezet e dëmshme të diellit

Posted: 23 Jun 2018 01:21 AM PDT

Pranvera Kola

E ndërsa i nxehti ka nisur tashmë, duhet të jeni shumë të kujdesshëm në marrjen e masave të duhura për mbrojtjen e lëkurës nga rrezet e dëmshme të diellit. Në një kohë kur temperaturat pritet të pësojnë tjetër rritje gjatë ditëve në vijim, si dhe pushuesit t'i drejtohen në masë plazhit, autoritetet e Institutit të Shëndetit Publik apelojnë për më shumë kujdes në mbrojtjen e lëkurës nga rrezet e dëmshme të diellit. Apeli për këtë vit vjen veçanërisht në drejtim të aplikimit të kremrave mbrojtës, të cilët janë vendimtarë në shmangien e sëmundjeve të rënda të lëkurës.

Ekspertët e shëndetit publik këshillojnë që të vendosni kremin e diellit të paktën çdo 15 minuta para se të dilni në plazh. Duhet të jeni të kujdesshëm në zgjedhjen e kremrave me faktorë të lartë mbrojtës, të cilët duhet të kenë të specifikuar në mënyrë të dukshme mbrojtjen që ofrojnë ndaj rrezeve të dëmshme UVA dhe UVB. Ndërsa në rastet kur jeni në punë, apo duhet të lëvizni, si shkak i djersitjes së shumtë është e nevojshme që aplikimi i kremit mbrojtës të bëhet të paktën çdo 60 minuta. "Mos harroni që dielli reflekton si në rërë, ashtu edhe në ujë.

Ky reflektim mund t'i bëjë rrezet 80 për qind më intensive, duke shtuar kështu edhe riskun për djegie, apo ndërlikime të tjera, rreziku i të cilave mund të shkojë deri në kancer të lëkurës (melanoma)", bëjnë me dije autoritetet e ISHP-së. Një tjetër këshillë që nuk duhet neglizhuar është edhe kujdesi me solaret për nxirje. Këto të fundit po konsiderohen në masë si një rrezik potencial për zhvillimin e kancerit të lëkurës. "Nxirja nëpërmjet solareve shton rrezikun për shfaqjen e melanomave deri në masën 75 për qind" bëjnë me dije ekspertët e shëndetit publik.

Gjithashtu masa të tjera që duhet të merrni janë edhe mbajtja e syzeve të diellit dhe lenteve që ofrojnë mbrojtje të lartë, përdorimi i kapelave me streha. E mira do të ishte nëse ju arrini të shmangni qëndrimet në diell veçanërisht gjatë orëve 11:00-16:00. Kjo pasi, sikundër e theksuam edhe më lart, ekspozimi i pakujdesshëm dhe i papërgjegjshëm mund të ketë pasoja negative të tilla si djegie nga dielli, dhe në një afat kohor më të gjatë fillimin e tumoreve, përfshirë melanomat.

Grupet më të rrezikuara

Përveç të moshuarve, grupe të rrezikuara nga dëmet e të nxehtit janë edhe fëmijët, foshnjat, të sëmurët kronikë, personat të cilët duhet të jenë të shoqëruar me kujdestarë, dhe ata që kryejnë aktivitete fizike jashtë. Simptomat e të nxehtit të tepërt janë: ngërçet, edema, skuqja e lëkurës, goditja nga i nxehti dhe dehidratimi.

I nxehti mund ta komplikojë situatën e pacientëve që vuajnë nga hipertensioni, nga problemet e zemrës dhe insuficienca renale, ose që përdorin ilaçe që përkeqësojnë efektet e goditjes së të nxehtit. Ndër shenjat paralajmëruese që duhet të mbahen parasysh tek të moshuarit janë: zbehja, marramendja, të vjellat, pulsi i dobët, temperatura e ngritur.

Për të qetësuar këto simptoma tek kjo kategori, si masë paraprake është mirë të errësohen dhomat dhe hapësirat e përbashkëta, të mbahet një temperaturë me ajër të kondicionuar jo më poshtë se 25° C, të kontrollohet hidratimi, tensioni dhe temperatura e të moshuarit.

Ndërsa për fëmijët këshillohet që të bëni kujdes dhe të mos i ekspozoni në diell deri në moshën gjashtë muaj, të përdorni kapelë me strehë të gjerë për të gjitha moshat, t'u  lagni flokët shpesh, u vini syze dielli me filtra të veçantë mbrojtjeje, të certifikuar me markën CE, si dhe të përdorni produkte për fëmijë me faktor mbrojtës jo më pak se 20. Në javën e parë të ekspozimit në diell përdorni produkte rezistente ndaj ujit dhe djersës me faktor mbrojtës jo më pak se 50, si dhe vishuni rroba të gjera prej pambuku, ose liri.

Më të ndjeshëm janë fëmijët e moshës në 0-4 vjeç

Rreziku tek fëmijët, këshillat si t'i mbroni

  • Ambientet ku qëndron fëmija duhet të mbahen të freskëta, me temperaturë deri 25 gradë C dhe lagështi normale. Ajrosja duhet të bëhet vetëm në mëngjes herët dhe natën, ndërsa gjatë ditës duhen mbrojtur dritaret e ekspozuara ndaj diellit.
  • Vishini fëmijët me veshje të pambukta, të lehta dhe të gjera.
  • Kontrolloni rregullisht temperaturën e trupit të foshnjave dhe fëmijëve të vegjël, nëse nevojitet, rifreskoni trupin e tyre me një dush të ngrohtë ose leckë të lagur.
  • Jepuni të pinë ujë, por jo të ftohtë, më mirë ujë natyral sesa lëngje të tjera, në sasi të vogla, ngadalë dhe shumë herë në ditë, shmangni pijet e gazuara.
  • Fëmija që ushqehet vetëm me gji deri në 6 muaj, edhe pse është nxehtë nuk ka nevojë për ujë sepse e merr nga qumështi i gjirit.
  • Nëse fëmija ka temperaturë, ai ka nevojë për më shumë ujë.
  • Shmangni nxjerrjen e fëmijëve jashtë gjatë orëve të nxehta të ditës, pra nga ora 10:00-17:00. Dëmet e shkaktuara nga rrezet e diellit janë veçanërisht të rrezikshme për foshnjat dhe fëmijët e vegjël.
  • Gjithmonë vendosini fëmijës, në pjesët e ekspozuara, një produkt me mbrojtje të lartë ndaj diellit.
  • Mbroni kokën e fëmijës tuaj me një kapelë me anë të gjëra që të mbrojë veshët, fytyrën apo hundën.
  • Në plazh apo në pishina mbroni fëmijët nga të nxehtët dhe rrezatimi diellor (veshje të lehta, kapelë, produkt mbrojtës); shmangni ekspozimin e tyre në diell.
  • Fëmijët nën 6 muaj asnjëherë nuk duhet të ekspozohen drejtpërdrejt ndaj rrezeve të diellit.
  • Duhet ta dini se, edhe nën ombrellë ata nuk janë të mbrojtur nga të nxehtët dhe rrezet e dielli.
  • Fëmijët më të rritur duhet të shmangin aktivitetin fizik jashtë, gjatë orëve të nxehta.
  • Fëmijët duhet të pinë ujë para dhe gjatë aktivitetit fizik, edhe kur luajnë, për të kompensuar humbjet e lëngjeve për shkak të djersitjes.
  • Mos i lini fëmijët pa mbikëqyrje në vende të mbyllura, të pambrojtura nga të nxehtët dhe të ekspozuara ndaj diellit, për shembull në tenda apo në makinë, veçanërisht gjatë orëve të nxehta të ditës.

Të mirat e rrezeve të diellit

Të gjithë ne përfitojmë nga dielli dhe i dimë të mirat e tij. Dielli bën të ndihesh mirë, me humor, ndihmon në prodhimin e vitaminës D, etj. Ekspozimi në diell në masën e duhur është i domosdoshëm për shëndetin.

Vitamina D, e cila prodhohet në lëkurë nëpërmjet ekspozimit ndaj rrezeve ultravjollcë B (UVB), rregullon nivelin e kalciumit në gjak dhe është e nevojshme për shëndetin e kockave dhe muskujve. Gjithashtu, për shëndetin e fëmijës dhe për të parandaluar rakitin, janë të mjaftueshme sasi të vogla të rrezeve UV. Rrezet ultravjollcë mund të përdoren edhe si mjekim.

Ekspozimi ndaj rrezeve ultravjollcë këshillohet për disa sëmundjeve të lëkurës, si: dermatitis atopik, psoriaza, puçrrat e adoleshencës, etj. Kërkohet gjithnjë këshillimi me mjekun, sepse ai përcakton kohën e ekspozimit në diell, etj. / DITA

Eljani, ata të dy dhe aeroplani prej letre

Posted: 23 Jun 2018 01:09 AM PDT

Entela Resuli

“Çufo, Çufo o gjumash, shkon në shkollë avash-avash…”

Eljan Tanini këto kohë është duke lënë gjurmët e tij në Tiranë. Disa instalacione të vendosura në kryeqytet janë ideja dhe realizimi i tij.

Kujtojmë këtu një avion që duket si “prej letre” i vendosur tashmë pranë lagjes së ish-Fushës së Aviacionit, ndërsa ditën e djeshme u njohëm më dy personazhe të vjetër, por të rinj për nga mënyra se si janë sjell: Çufo dhe Bubi Kaçurrel ju presin që t’i takoni në lulishten përball Presidencës.

Ata të dy, të cilët këtë vit kanë mbushur 40 vjeç kanë shoqëruar fëmijërinë e shumë shqiptarëve, janë përjetësuar tashmë jo vetëm në kujtesën tonë me batuat e tyre, por edhe përmes instalacionit të ideuar dhe konceptuar nga artisti Eljan Tanini.

“Çufo, Çufo o gjumash, shkon në shkollë avash-avash…”. Ju kujtohet!? E kush nuk e ka thënë të paktën njëherë në jetë këtë batutë.

Kjo vepër artistike vjen si një promemorie në 40 vjetorin e botimit të romanit me të njëjtin titull të shkrimtarit të dashur për fëmijë, Gaqo Bushaka, dhe imiton letrat origami të zmadhuara, si një mënyrë për të ngacmuar memorien e të rriturve, por edhe për të nxitur fëmijët të frekuentojnë këndin e lojërave aty pranë. Instalacioni u përurua nga nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Andi Seferi, ideatori Eljan Tanini dhe krijuesi i dy personazheve, shkrimtari Gaqo Bushaka.

Ndërkohë, Tanini në këtë periudhë një pjesë të mirë të kohës e ka kaluar mbi bojëra. Nëse kaloni nga Rruga “Myslym Shyri” do të shihni faqen murit të një pallati të vjetër të ngjyrosur me ngjyra të forta,  ku mbizotëron verdha më të cilën Eljani punoi për disa ditë.

  -Eljan, kohët e fundit, Tirana ka disa shenja të cilat janë ndërtuar nga dora jote, një avion si ata prej letre…. disa piktura murale, tashmë e kemi edhe ata "miqtë" tanë me të cilët jemi rritur, Çufon dhe Bubin Kaçurrel. Duket sikur je përqendruar të fëmijëria e atyre që sot janë të rritur. Pse?

Jam i lidhur edhe me memorien kolektive. Vjet në 2 Korrik, inauguruam instalacionin për Kamionin e Lirisë që theu murin e pasëm të Ambasadës Gjermane. Vepra të tjera si kjo do të vijnë shumë shpejt. Është në stilin e jetës sime personale që të merrem me fëmijërinë, ose me ato gjëra që më kanë bërë shumë përshtypje në vitet kur fëmija krijon bazat e para të dëshirave personale. Dua të provokoj me fëmijërinë tonë. Sepse më vjen keq që shpesh herë lindim të egër! Për këtë arsye nuk dua të rritem kurrë duke u përqendruar  te ajo fëmijëri që më ka bërë përshtypje. Mbase në ato të tjerat për të cilat kam plane, pak më vonë.

-Çfarë ju thonë këto simbole dhe çfarë duan të thonë për qytetin?

Që Tirana kërkon të jetë çdo ditë e më shumë qytet me fëmijëri të jetuar e që ka qenë e tillë sepse ky qytet mbahet ende me kujtime. Çufoja dhe Bubi Kaçurrel, kanë ndikuar dhe vazhdojnë të prekin ende jetët e mijëra shqiptarëve të vegjël dhe të mëdhenj me batutat e tyre, ndaj kjo vepër arti që i kushtohet të vegjëlve vjen edhe si një mirënjohje për Gaqo Bushakën që i ka krijuar dy personazhe origjinalë shqiptarë.

-Pse është kaq e nevojshme që këto kujtime t'i takojmë në disa pika të Tiranës?

Sepse është e rëndësishme të shihen, të na shohin. Jam gjithmonë i mendimit që Tiranës nuk i duhen shumë vepra realiste, por vepra që të bëjnë të mendosh më shumë se ajo që ka dashur të thotë autori. Të paktën unë këtë po përpiqem të përcjell.

-Sot (dje), ju përuruat Çufon dhe Bubin Kaçurel, si dhe me çfarë janë punuar këto vepra?

Ata të dy, kështu më pëlqen t’i quaj Çufon dhe Bubin Kaçurrel janë origami. Ashtu siç tha edhe Gaqo Bushaka: Tani Çufo dhe Bubi u bënë japonezë! Është në stilin e punëve të mia, që të bëj një vazhdë veprash prej origami. Kështu i kam parë qenushin dhe derrkucin. Veprat janë përkrahur menjëherë nga Bashkia e Tiranës dhe Satin, duke u mbështetur nga Emira Zenelaj e cila është edhe donatorja. Pra me pak fjalë është dhuratë për Tiranën. Ata të dy edhe kur u qëndron pak larg duket sikur janë prej letre, ose kartoni! Por jo, janë më të fortë dhe të rëndë. Më vjen mirë që njerëzit i pëlqejnë duke u ngjallur kureshtje.

-Ju vetë ç'marrëdhënie keni patur me… avionin prej letre, apo edhe me Çufon dhe Bubin… na trego ndonjë moment nga fëmijëria?

Mbaj mend që kam bërë pafundësisht aeroplanë prej letre sa oborri poshtë pallatit nga rruga dhe pas tij, mbushej me letra të bardha. Kur u përurua aeroplani te Ish-Fusha e Aviacionit, fqinjët nuk e kishin harruar këtë kohë. Ma kujtuan me kënaqësi kur panë lajmet në televizor! Ndërsa me të gjithë personazhet e tjerë të Gaqo Bushakës, e kam nisur vetë leximin e tyre pa më thënë kush. I gjeta një ditë në një dollap në shtëpi dhe nuk u ndava kurrë më. Aq shumë, sa më vjen çdo ditë e më shumë dëshira që të bëhen në këtë stil prej origami të gjithë personazhet e krijuar nga Gaqo Bushaka, të vendosur në një hapësirë të dedikuar.

-Ndërkohë, Eljan, duket së fëmijët sot janë shkëputur nga lojërat e fëmijërisë sonë, tashmë në duart e tyre është teknologjia, e shikoni këtë si problem apo… pjesë e periudhës ku jetojmë?

Duke falenderuar përzemërsisht Gaqo Bushakën për humorin e tij fin që nuk fyen askënd, i shkruar në kohën kur Shqipëria jetonte vite të vështira, uroj shumë që këta dy personazhe të vendosur në park, të jenë një ogur i mirë për t'u kthyer më shumë te libri, te politikat mbi librin, te autorët e ndryshëm, por edhe te këta personazhe që unë mendoj se duhen lexuar patjetër nga çdo shqiptar. Çufoja është simboli i shpirtit të lirë dhe aventurierit që e jeton jetën si t'i vijë e që gjithmonë gjen një zgjidhje për problemet që has.

E shoh si një problem mes gjithë problemesh tona që nuk do të ketë kurrë zgjidhje te ne. Një gjë është e sigurtë: Po rrisim fëmijë që nuk do e duan natyrën dhe që do u vijnë ndot prej saj. Për këtë kanë faj sistemet dhe familjet.

-Do të kemi ndonjë krijim tuajin, personazhet e kësaj epoke, të fëmijëve të sotëm, apo do të qëndroni në fëmijërinë tuaj?

Nuk kam ndonjë kureshtje për personazhet e ditëve tona, ose për ata që janë ndërkombëtarë e qe nuk i njoh fare. Jo nuk ndalem dot te ata pasi nuk jam fëmijë i këtyre ditëve! Por shumë shpejt do të keni krijime të miat edhe jashtë këtyre fushave që keni parë.

-Po punoni edhe me pikturat murale në Tiranë, na tregoni diçka më shumë për punët që keni bërë apo për planet që keni?

Muralja e fundit e krijuar në Rrugën Myslym Shyri, është pjesë e Mural Fest 1. Në atë sfond të verdhë, me titull Portrete shpendësh nga Shqipëria, shfaqen imazhet dhe karakteret njerëzore të shpendëve tanë. Të tjera do shihni shumë shpejt!

-Kjo është një pyetje që e ndjej të nevojshme për sqarim t'ia u bëj: Keni qenë ndër zërat me kritikë ndaj parkut të liqeni, çfarë ndodhi që ndryshuat mendje, u bindët që ishte një projekt i duhur apo bashkia u beri pjesë të projekteve të saj dhe ju heshtët?

Pyetja që bëjnë të gjithë. Jam mësuar me dyshimet e njerëzve të këtij vendi. E që vetëm kanë dyshime për atë që kurrë nuk e kanë nisur vetë, por vetëm kanë shijuar telekomandën e televizorit. Unë jam ende kundër çdo betonizimi hapësire brenda çdo vendi që ka qenë më herët me gjelbërim. Por në thelb kundër betonit në natyrë. Ti më njeh shumë mirë, pasi ke qenë ndër të parat gazetare që ke bërë intervista në lidhje me Mbill Pemën Tënde, nismën vullnetare që pata krijuar me miqtë e mi, mbi bindjet kombëtare për të mbjellur pemë. Unë mbarova protestën, dhe më pas bëra paqe. Por këtu paqja keqkuptohet. Shqiptarët janë mësuar të të vrasin me të gjitha format edhe kur ti i shtrëngon dorën me respekt kundërshtarit. Unë as nuk e vrava, e as nuk e shita Tiranën ose Shqipërinë. Është e thjeshtë të flasësh për të tjerët, kur nuk bëhesh pjesë. Ai nuk është projekti i duhur në vendin e duhur. Bashkëpunimet e mia me Bashkinë kanë qenë edhe para kësaj Bashkie. Nuk kam heshtur, thjeshtë nuk mund të flas unë për të gjitha gjërat që ndodhin në këtë qytet. Nuk është vendi këtu të përmend shumë gjëra. Ashtu siç e kanë treguar edhe protestat e fundit në Tiranë: Ne dalim në rrugë të protestojmë vetëm kur vijnë të na prishin vendin e punës ose shtëpinë. Kur i thërret ti po këta njerëz për shumë arsye të tjera, ose të gënjejnë, ose nuk ta hapin telefonin. Pa merak, prapë do jem në protestë.

– Shpesh shoh që njerëzit ju "sulmojnë" për këtë gjë, si do u përgjigjeshit atyre që ju  shkruajnë vazhdimisht edhe në rrjetet sociale?

Vazhdojnë ende, madje edhe në rrugë. Në fakt ishin thuajse njësoj. Edhe kur dilja për Parkun e Liqenit ishte e njëjta gjë kundër asaj që unë apo ne bënim. Ka disa që paguhen mjaft mirë nga ish dhe zyrtarë të ndryshëm. Thjesht duan të denigrojnë shoqërinë aktive (civile) përmes meje. Unë nuk jam shokët e mi që kam protestuar, e as ata s'mund të jenë si unë. Ka shumë negativitet të tepruar dhe sulme injorantesh si në rrjetet sociale, në popull por edhe media. Por këtu nuk përjashtohen edhe ata profesorët e mediave tona që vetëm ndrisin me statuse në Facebook. Është shumë e thjeshtë të rrish ulur e të shash tjetrin nga telefoni. A del dot në rrugë? A kundërshton dot? A përballesh dot me policinë dhe me shtetin? A ta mban të stresohesh e sëmuresh dhe ti hapësh telashe vetes? Apo ta lëmë fare më mirë se jemi popull dembel?!

Mezi më hapen dyert! Ndërsa gjithë të tjerët vazhdojnë e merren me mua për ndonjë korrupsion që nuk e kam bërë kurrë, prej gati 2 vjetësh e ca që kanë mbaruar protestat mbi Parkun e Liqenit, unë jam i papunë.

 

 

Këpuca që shkeli ëndrrën serbe

Posted: 23 Jun 2018 01:03 AM PDT

U kritikua, u cilësua provokim, por ai vazhdoi edhe më tej!

Xherdan Shaqiri ishte njeriu më i komentuar për një javë në mediat e Serbisë.

Madje, këto media kishin filluar një luftë speciale kundër superyllit shqiptar.

Dhe, ai u përgjigj në mënyrën më të mirë, me gol, dhe atë në minutën e 92-të të takimit.

Ishte goli i rikthimit, ishte goli i fitores dhe goli që fundosi shpresat e serbëve që kanë një mision të pamundur – fitore ndaj kombëtares me më shumë trofe, pesë herë kampione, Brazilit.

E gjithë kjo ndodhi me këpucët që u përqeshën dhe u cilësuan si provokative, këpucët ku gjendet flamuri i Kosovës, vendit prej nga vjen Shaqiri, nga Zhegra e Gjilanit e cila festoi ashtu si të gjithë shqiptarët.

Është kjo këpuca që po inspiron Shaqirin, është Kosova që është udhërrëfyesi i tij drejt suksesit dhe bashkë me shqiponjën po fluturon lart pa u ndalur nga askush, as nga kombëtare si Brazili, e as nga armiqtë si serbët, që vazhdimisht janë marrë me të.

Është këpuca që shkeli ëndrrën e Serbisë./telegrafi

o.j/dita

Njehsimi i diplomave të fituara jashtë, ja ku duhen dorëzuar kërkesat

Posted: 23 Jun 2018 12:51 AM PDT

Pranvera Kola

Jo të gjitha kërkesat për njehsimin e diplomave të fituara jashtë vendit duhet të depozitohen në Ministrinë e Arsimit Sportit dhe Rinisë. Sipas ndryshimeve të bëra së fundmi, pranë këtij institucioni do të dorëzohen vetëm kërkesat dhe dokumentacionet për njohjen e diplomave të doktoraturës, ndërsa për diplomat e niveleve më të ulëta universitare, si dhe certifikatat e tjera, aplikimi do të bëhet në Qendrën e Shërbimeve të Arsimit.

"Dokumentacioni për njësimin e certifikatave dhe diplomave universitare të nivelit 5 deri në nivelin 8 sipas Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve dhe Kornizës Evropiane të Kualifikimeve (me përjashtim të diplomave të doktoratës) duhet të dërgohen me postë në Qendrën e Shërbimeve Arsimore. Ndërsa dokumentacioni për njësimin e gradës shkencore "Doktor", si dhe titujve të tjerë akademikë duhet të dërgohet me postë në Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë", bëjnë me dije burimet zyrtare të dikasterit të arsimit. Aplikimi në secilin rast mund të kryhet online, ose vetëm në formë shkresore.

Në të dy rastet aplikanti duhet të dorëzojë në rrugë postare në QSHA dhe dokumentacionin e kërkuar për njësimin e certifikatave dhe diplomave universitare të nivelit 5 deri në nivelin 8 të Kornizës Shqiptare të Kualifikimeve dhe Kornizës Europiane të Kualifikimeve me përjashtim të diplomave të doktoratës). Dosja e dokumenteve duhet të ketë në brendësi:

"Formularin e aplikimit të plotësuar individualisht, ose atë të printuar pas aplikimit online (në rast se aplikohet online), diplomën ose certifikatën që vërteton përfundimin e studimeve (në rastet kur ky përbën dokumentin zyrtar përkatës në vendin e origjinës ekuivalent me diplomën), listën e notave, ose suplementin e diplomës, fotokopje e kartës së identitetit ose të pasaportës (vetëm për shtetasit e huaj), mandat-pagesën e aplikimit". Dokumentet duhet të jenë origjinalë (me përjashtim të diplomës) ose fotokopje te njësuara me origjinalin. Dokumentet e dorëzuara për njohje nuk i kthehen më aplikantit.

Njohja e gradës shkencore "Doktor"

Aplikimi për njohjen dhe njësimin e gradës shkencore "Doktor", duhet të përmbajë dokumentacionin si në vijim: "Formularin e aplikimit të plotësuar individualisht, kopje të diplomës dhe suplementit të saj (nëse ka të tillë) të lëshuar nga institucioni përkatës i arsimit të lartë, që dëshmon fitimin e gradës shkencore "Doktor", si dhe kopje të noterizuara të diplomave për studimet pararendëse universitare, fotokopje të kartës së identitetit ose të pasaportës (vetëm për shtetasit e huaj), si dhe mandat pagesën e aplikimit. Edhe në këtë rast dokumentet duhet të jenë origjinale.

Kohëzgjatja e procedurave të njehsimit

Procedurat për njohjen dhe njësimin e diplomave, certifikatave dhe gradave shkencore të fituara në përfundim të studimeve të kryera jashtë vendit, kur dosja e aplikimit është e plotësuar me të gjithë dokumentacionin e kërkuar në këtë udhëzim, përfundojnë brenda 45 ditëve në rastet e aplikimit online, dhe brenda 3 muajve në rastet e aplikimit në formë shkresore. Vërtetimi është gjithmonë i vlefshëm (vetëm në Republikën e Shqipërisë) përveç rastit kur ka ankesa për ndryshim dhe kur revokohet nga Komisioni i Njohjes së diplomave.

Tarifat

Sipas kushteve të përcaktuara nga dikasteri i arsimit, tarifa për njohjen dhe njësimin e certifikatave dhe diplomave që i përkasin niveleve të përmendura më lart për çdo diplomë që kërkohet të njësohet, është 2,000 lekë për aplikimet e kryera online dhe 4,000 lekë për aplikimet e kryera vetëm në formë shkresore. Ndërsa për gradat shkencore tarifa për çdo diplomë që kërkohet të njësohet, është 3,500 lekë për aplikimet e kryera online dhe 5,000 lekë për aplikimet e kryera vetëm në formë shkresore./DITA

Rrufeja dëmton transformatorin, pa energji një zonë e Kombinatit

Posted: 23 Jun 2018 12:38 AM PDT

Rrufetë e natës kanë dëmtuar nënstacionin e Kombinatit në kryeqytet e për pasojë një pjesë e tij ka mbetur pa energji elektrike.

Shembja e një pjesë të godinës dhe djegia e pajisjeve 35kV bashkë me transformatorin. Punonjësit e OSHEE, sektori i avarive "tensioni i lartë" kanë kryer manovrimet e para duke mundësuar furnizimin me energji elektrike nga linja të dyta unazore.

Megjithatë, aktualisht një pjesë e zonës Kombinat në Tiranë është pa energji elektrike. Grupet e punës së OSHEE janë në gatishmëri për normalizimin e situatës, pavarësisht kushteve të motit.

o.j/dita

Stuhi dhe shtrëngata gjatë natës, kapriçot e motit vazhdojnë edhe sot

Posted: 23 Jun 2018 12:30 AM PDT

Pas reshjeve të natës me stuhi dhe rrufe duket se e shtuna do të jetë me vranësira të shpeshta që do dominojnë të gjithë territorin.

Më të dendura do të jenë pasditet ku priten rrebeshe shiu në veriperëndim dhe juglindje, por shira të izoluar rrezikojnë dhe zonat qendrore.

Temperaturat e ajrit ulen në veri dhe qendër, por rënie më të lehtë do të ketë në jug duke luhatur vlerat termike nga 10 në 28 gradë Celcius.

o.j/dita

“Derisa kontrata të na ndajë”, Si po rriten paktet paramartesore në Shqipëri

Posted: 23 Jun 2018 12:18 AM PDT

“Derisa vdekja të na ndajë". Ky është betimi tradicional para lidhjes së një martese, ku çifti i premton njëri-tjetrit të ndajnë të mirat dhe të këqijat bashkë deri në fund të jetës. Jo të pakta janë rastet kur këto fjalë përfundojnë në praktikën "derisa Gjykata të na ndajë" dhe kjo në shumicën e rasteve lë njërën palë të lënduar. Situata bëhet më problematike bëhet kur duhet të vendosen pikat mbi "i" se kush do të marrë çfarë nga ajo që ka mbetur nga marrëdhënia. Disa mendojnë që këtë pjesë, nëse ndodh, të mos ia lënë spontanitetit, por ta paracaktojnë me një kontratë paramartesore.

Por, a ka në Shqipëri çifte që bëjnë kontrata të kësaj natyre? Ekspertë të fushës thonë se po, madje janë kontrata me kusht.

"Zakonisht, në kontratat paramartesore, mund të përfshish një gamë të gjerë elementesh mbi të cilën ti apo partneri bini dakord. Në ato pak kontrata që kemi bërë ne, çiftet kanë përfshirë pasuritë, por kanë vendosur edhe kushte. Për shembull, në katër kontrata që kemi bërë, palët kanë vendosur si kusht që: nëse ti më tradhton mua, ose martesa prishet për shkak të një tradhtie, të provuar, atëherë ti nuk ke pjesë në asnjë nga pronat që unë do të vendos gjatë martesës, por edhe pronat që unë i kam pasur para martesës.

Të njëjtën gjë bën dhe pala tjetër. Kam parë kontrata të shteteve të ndryshme që janë shumë më të gjera në përfshirje. Në Suedi, për shembull, përfshihet edhe ndarja e fëmijëve apo modele në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku detajohet roli që luan secili në familje", thotë për "Monitor", Margerita Kola, avokate pranë Kalo and Associates. Sipas saj, në Shqipëri, edhe ato pak kontrata që janë nënshkruar, janë shumë të kufizuara në diapazonin që mbulojnë sa i përket marrëdhënies së një çifti.

Numri i kontratave ende i vogël, kufizohet nga mentaliteti

Është e vështirë të gjesh një numër të saktë të kontratave paramartesore sepse, përveçse është një praktikë relativisht e re në vend, ajo shihet edhe si tabu në shoqërinë shqiptare. Madje, në listën e kontratave disi të "veçanta" që po evoluojnë në tregun shqiptar, duke nisur nga testamentet, tek ndërmjetësimi e deri tek kontratat paramartesore, këto të fundit janë më pak të avancuara. Kjo lidhet më së shumti me pjesën e mentalitetit.

"Shumë pak njerëz bëjnë kontrata paramartesore.

Pjesa e kontratës paramartesore lidhet me kulturën e përgjithshme, por ka të bëjë edhe me elemente të tjera që e pengojnë vendosjen e një kontrate të kësaj natyre. E para, ne vijmë nga një sistem kulture ku martesa ka qenë diçka shumë private. Njerëzit nuk duan të thonë asgjë për familjen e tyre, çfarë zotërojnë, si duan t'i ndajnë. Në këtë sistem ka mbizotëruar mblesëria dhe kalimi tek martesa që e shohim si kontratë është diçka krejt e kundërt me atë që është vendosur tradicionalisht.

Kur ne vendosëm në studion tonë ligjore edhe kontratat paramartesore pati një lloj rezerve, pasi ishte një shteg i pashkelur fare, por gradualisht vendosëm modelin e kontratës, sipas formës së kërkuar nga ligji, duke shtuar elementet që kërkon çdo çift, në mënyrë specifike për marrëdhënien e tij. Kërkesa për të marrë informacion mbi kontratat është e madhe, por numri i atyre që realisht përfundojnë me një të tillë është shumë i vogël", – shprehet avokatja Margerita Kola.

Kontratat do të shmangnin një pjesë të dramave familjare post-divorc

Që të pretendosh se çdo martesë do të rregullohet me një kontratë paramartesore, kjo është diçka e pamundur dhe në Shqipëri, edhe më shumë. Megjithatë, avokatët dhe noterët në këtë pikë bëhen bashkë, pasi përcaktimi paraprak përmes një kontrate i disa detajeve të martesës shmang dramën që vjen më pas me divorcet, edhe pse asnjë nga çiftet nuk i hyn martesës me idenë e ndarjes.

"Ua rekomandoj kontratën paramartesore çifteve sepse, në shumë raste, do të shmangej dhuna në një divorc dhe, mbi të gjitha, do të shmangej përdorimi i fëmijëve si shantazh. Divorcet janë një dramë e madhe kudo në botë, por në Shqipëri përdoren për t'i bërë shantazh njëri-tjetrin. Kontrata paramartesore ka diçka të pastër ligjore. Kodi ynë i Familjes e ka të ndarë divorcin nga ndarja e pasurisë, çka do të thotë dy gjyqe, pra bëhet ndarja e çiftit dhe më pas, ajo e pasurisë dhe në shumë raste palët shfrytëzojnë mundësinë për të tjetërsuar pasurinë, duke dëmtuar palën tjetër", – nënvizon avokatja Kola.

Evolucioni i kontratave, nga ndëshkuesja te mirëkuptimi

Shqipëria ka përqafuar së fundmi edhe një lloj jurisprudence të re që nuk është ajo ndëshkuese. Për avokaten Margerita Kola, kjo është ajo lloj jurisprudence që cilësohet si e mirëkuptimit. Preferenca për të zgjidhur gjërat në mirëkuptim vjen në kushtet kur vendosja e së drejtës përmes ndëshkimit ka kosto relativisht të lartë, njëra nga palët del gjithmonë e pakënaqur dhe në finale, dënimi për njërin apo tjetrin ngarkon me barrë taksapaguesit e thjeshtë, sepse do të shkohet në burg.

"Sot po lëvizet në jurisprudencën restauruese, që në praktikë e gjejmë me mirëkuptimin që arrijnë palët. Është mirë që palët të lidhin shpesh marrëveshje ndërmjetësimi, sepse ligji për ndërmjetësimin e njeh si një titull ekzekutiv këtë proces dhe, në rast se nuk përmbushet vullneti i rënë dakord, gjykata në momentin që ti e çon, nxjerr urdhrin dhe duhet të ekzekutohet. Procedura e një urdhri ekzekutimi që ka ardhur nga një marrëveshje ndërmjetësimi është jashtëzakonisht e thjeshtë. Numri i atyre që duan të hyjnë në një marrëdhënie ndërmjetësimi rritet dita-ditës, kurse i atyre që interesohen për të, shumë herë më i madh. Kjo duhet përshëndetur, pasi si një kulturë e re edhe në botë e jo më në Shqipëri, po gjen përthithje", – shprehet Kola.

Shqiptarët po i largohen "fjalës", për t'i lënë vend kontratës

Kultura juridike nuk është diçka që mund të përthithet menjëherë nga një popull, madje për Shqipërinë gjithçka dikur ka qenë e lidhur me "besën" apo "fjalën e burrit". Më pas, gjatë periudhës së komunizmit, dinamika e zhvillimit nuk ishte dhe aq nxitëse, sepse marrëdhënia ishte vetëm një shtet-individ. Ekonomia e tregut bëri që shqiptarët edhe një herë të testonin disi me fjalën dhe më pas, përvojat e hidhura vit pas viti t'i shtynin ata drejt kontratave normale para noterit.

"Ka rritje të lidhjes së kontratave dhe po vendoset një kulturë e tillë, sepse kanë parë nga përvoja se kanë humbur shumë të drejta për shkak se marrëdhënia e tyre nuk është lidhur sipas ligjit, apo nuk është lidhur fare. Legjislacioni ynë, për hir të së vërtetës, pranon që provon detyrime edhe një kontratë që nuk është e thënë të lidhet para noterit, pra një deklaratë dore, që lidhet mes dy personave, por më pas kjo ka barrë prove më të madhe dhe mund të pretendohet se është lidhur nën presion apo arsye të tjera./Marrë nga Monitor

o.j/dita

 

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more