Skip to main content

“Ruçi ndërpret seancën, Basha në Facebook: Nuk ma mbyllni gojën” plus 9 more - Gazeta Dita

“Ruçi ndërpret seancën, Basha në Facebook: Nuk ma mbyllni gojën” plus 9 more - Gazeta Dita


Ruçi ndërpret seancën, Basha në Facebook: Nuk ma mbyllni gojën

Posted: 17 May 2018 02:29 AM PDT

 

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi ka ndërprerë seancën e sotme plenare, pasi kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha refuzoi të lironte foltoren.

Por ky i fundit është futur në transmetim live në Facebook, nga ku vijon të flasë.

"Gjithçka që bëni ju këtu jo vetëm dëmton shqiptarët, por synon edhe t'i mbyllë gojën opozitës.

Tani po të them Gramoz Ruçi që gojën opozitës nuk ke për t'ia mbyllur dot as ti as Edi Rama, as Fatmir Xhafaj.

As me metodat e vjetra të sigurimit të shtetit ku jeni shkolluar dhe rritur dhe as me metodat e reja për të cilat ju kanë mësuar ata që ju japin milionat e drogës. Prandaj unë do të vazhdoj deri në fund këtu fjalën për çështjen e vetme që ka ky parlament, po të ishte parlament. Dhe nëse do të japësh kontributin tënd do të më lësh të mbaroj fjalën deri në fund.

Nëse do të vazhdosh ritualin e ndaljes së fjalës së opozitës për çështjen më të rëndësishme që ka sot Shqipëria, dhe një nga skandalet më të mëdha që po ndjek Europa, atëherë unë do të vazhdoj me mjetet që falë zotit as Sigurimi i Shtetit, dhe askush tjetër nuk mund të na pengojë për të komunikuar me qytetarët", tha Basha, duke paralajmëruar se fjalimin e tij do ta vazhdonte live në rrjetet sociale.

Ruçi tha se "nuk është në dorën time që të zgjedh dhe të marr, në dorën time është të zbatoj rregulloren e parlamentit" dhe ndërpreu seancën.

a.s/dita

Neymar: Kam frikë, ky është momenti më i vështirë i jetës time

Posted: 17 May 2018 02:19 AM PDT

 

Katër vjet pas dëmtimit të tmerrshëm të pësuar në çerekfinalet e kampionatit botëror të luajtur në shtëpi kundër Kolumbisë, fraktura e vertebrës së tretë së shpinës kurrizore që vuri në rrezik edhe karrierën, Neymar dridhet sërish.

Sulmuesi i Paris SG, i ndalur që nga fundi i muajit shkurt, si pasojë e një dëmtimi në shputë, e mbylli para kohe sezonin në Ligue 1 dhe po synon të riaftësohet në kohë për të luajtur në Rusi 2018.

Objektiv i mundur, jo më kot Tito e ka përfshirë në listën e futbollistëve të grumbulluar, gjithsesi ish-sulmuesi i Barcelona ka frikë…

Frikë fizike? Psikologjike? Ai që i shqetëson të gjithë është vetë futbollisti që ka folur për gazetën "AS": "Në kokën time ndodhen miliona mendime, mendoj për shumë gjëra. Për fat të mirë, gjatë riaftësimit në Brazil isha i rrethuar nga njerëz me hare, që më kanë bërë të ndihem mirë, duke hequr nga koka ime mendime të këqija."

Cilat mendime shqetësojnë Neymar? "Ato që nuk mund të jem në maksimumin e mundësive dhe të zhgënjej pritshmëritë e një kombi të tërë. Brazilianët duan të më shohin në fushën e lojës, por ju garantoj se askush nuk është më i trembur se unë. Kam frikë! Pres me padurim që ky moment, më i vështiri i jetës time, të ikë sa më shpejtë dhe të jep gati të vrapoj dhe të përqendrohem te Kupa e Botës."

a.s/dita

Trump insiston: Më 12 qershor zhvillohet takimi me Kim

Posted: 17 May 2018 02:15 AM PDT

Donald Trump është ende i gatshëm të takohet me liderin koreano verior Kim Jong-un, muajin e ardhshëm, pavarësisht një deklarate nga Peniani se ai nuk ishte i interesuar të diskutonte kërkesa të njëanshme për heqjen dorë nga armët e tij bërthamore.

I pyetur nëse takimi i planifikuar për më 12 qershor në Singapor, është ende në fuqi, Trump tha “do të shohim çfarë do të ndodhë, duke shtuar se nuk kanë marrë asnjë njoftim se koreano veriorët e kanë anuluar atë”.

Presidenti tha se ai do të insistonte në denuklearizimin në takimin me Kim. Sidoqoftë, fjala është e vakët, Koreja e Veriut e përdor denuklearizimin për të përshkruar një proces afatgjatë në të cilin të gjitha fuqitë bërthamore do të çarmatosen ndërsa zyrtarë të administratës Trump e kanë interpretuar si çmontim dhe shkatërrim të armëve bërthamore të Koresë së Veriut dhe programeve të raketave me rreze të gjatë veprimi.

Kjo paqartësi, që lejon ecjen përpara me planet për takimin e parë mes një presidenti amerikan në detyrë dhe një lideri koreano-verior duket se është thelluar gjatë fundjavës kur John Bolton, këshilltari për sigurinë kombëtare i Trump dhe Mike Pompeo, sekretar shteti, u shfaqën në programe informative për të dhënë versionet e tyre thuajse të ndryshme mbi pozicionin negociues të SHBA.

Bolton dhe Pompeo folën për një presion maksimal të Trump që e kishte detyruar Kim të ulej në tryezën e negociatave.

Por Bolton sidoqoftë, shkoi më larg se Pompeo në përcaktimin e denuklearizimit. Ai tha se denuklearizim do të thotë heqje qafe e të gjitha armëve bërthamore, çmontim dhe dërgimi i tyre në Oakridge në Tennessee. Që do të thotë heqjen dorë nga aftësitë e pasurimit të uraniumit dhe riprocesimit të plutoniumit.

Më herët ai kish thënë se në çarmatimin e Koresë së Veriut duhej përdorur modeli libian, duke iu referuar heqjes dorë nga programi embrionik i armëve bërthamore të tij në 2003. Zyrtarët koreano-veriorë më shumë se këtë kanë pasur parasysh vdekjen e Gadafit, çka ka sjellë edhe tensione.

o.j/dita

Audio-përgjimi, Basha: Terror policor ndaj dëshmitarit X

Posted: 17 May 2018 02:05 AM PDT

Në seancën e sotme parlamentare, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u shpreh se prej 72 orësh dëshmitari X, që del në audio përgjimin e publikuar nga PD, dhe familja e tij janë nën presion të tmerrshëm nga banda Xhafaj.

"Agron Xhafaj duhet të ishte nën arrest dhe nën hetim nga Prokuroria. Edi Rama dhe Xhafaj janë të zënë me një punë tjetër, se çfarë, do ta marrim vesh shumë shpejt. Prej 9 ditët shqiptarët dhe opinioni ndërkombëtar kanë parë fakte që janë pranuar edhe vetë nga Xhafaj. Agron Xhafaj i ka ikur gjithë këto vite drejtësisë. I ka ikur drejtësisë gjatë gjithë procesit të dënimit. Agron Xhafaj nuk ka vuajtur asnjë ditë dënim. Deri dje, ai ishte në Vlorë. Ai ndërroi identitetin e tij. Është fakt se Agroni vazhdonte aktivitetin e tij në Vlorë. Dje papritur, ai u nis fshehurazi për në Itali, jo si ekstradohen të dënuarit, por me avionin e linjës. Pesë vjet pa i hyrë gjemb në këmbë dhe papritur, pasi u publikuan faktet përcillet me nderime dhe mallëngjim të shtirë për në Itali.

Çfarë fshihet pas kësaj ngjarjeje? Policia duhet ta kishte ndaluar, prokuroria duhet të niste menjëherë hetimet. Por policia ka marrë të tjerë urdhra nga Xhafaj. Banda Xhafaj po bën presion. Policia është vënë pas familjes së dëshmitarit X dhe vetë dëshmitarit, duke ushtruar terror. Policia e ka për detyrë të ndalonte Agron Xhafajn. Prokuroria e ka për detyrë për të hapur hetimet", tha Basha.

Basha tha se shteti i Edi Ramës ka detyrë të gjejë dhe t'i mbyllë gojën dëshmitarit X dhe t'i mbyllë gojën opozitës.

o.j/dita

Teatër, muzikë dhe kurse vallëzimi falas për publikun, vjen në Tiranë edicioni i dytë i Festivalit të Resë

Posted: 17 May 2018 01:43 AM PDT

Bëhu gati për një verë të paharrueshme në qytet! Për të dytin vit radhazi, Tirana mirëpret Festivalin e Resë ose “Cloud Fest”, i cili do të mbahet nga data 18 Maj ora 20:00 deri më 27 Maj ora 02:00. Fokusi i këtij viti do të jetë kryesisht në artin performues duke sjellë një larmi ndërdimensionale me mbi 10 ditë program, 120 artistë nga 15 shtete duke përfshirë 4 ansamble shtetërore, një simpozium filozofik, meditim në grup, performanca letrare , trajnim 2 ditor për karrierë në Arte e kurse me koreografë për profesionistë si edhe kurse vallëzimi për publikun.

Në dy vjetorin e saj, "REJA" dhe lulishtja e saj pranë Galerisë Kombëtare të Arteve, do të jenë hapësirat për teatër fizik, instalacione audio-vizuale, bashkëbisedime me artistë, lojëra urbane, piknik e after-party. Përgjatë gjithë ditëve dhe netëve të festivalit, publiku do të mund të gjejë përzierjen më të mirë.

Të gjitha performancat që do të organizohen te "REJA" gjatë ditëve të Festivalit, do të jenë pa pagesë edhe mikpritëse për të gjithë grupmoshat. Në rast shiu, aktivitetet artistike do të zhvendosen tek teatri Kombëtar eksperimental "Kujtim Spahivogli".

Që nga dita e inaugurimit të saj dy vite më parë e deri më sot, më shumë se 200 evente të gjitha zhanreve art, dancë, performancë, teatër, muzikë , film, debate, sporte etj, janë zhvilluar tek "REJA".

“REJA” që atëherë është bërë jo vetëm atraksioni më i veçantë dhe hapësira më e vizituar e qytetit, por më e rëndësishmja është që është kthyer në një aset kulturor me një program të pasur, i krijuar në bashkëpunim me partnere lokale, ndërkombëtare dhe individë të pavarur apo institucional.

o.j/dita

Në kërkim nga Italia, arrestohet në Durrës klonuesi i kartave të bankës

Posted: 17 May 2018 01:40 AM PDT

Një 38-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Italia është arrestuar në Durrës.

Sipas burimeve zyrtare Tedi Hoxha, është "në arrestimin e përkohshëm me qëllim ekstradimi drejt Italisë.

"Gjykata Magjistrate e Hetimeve Paraprake Torino/Itali me vendimin Nr.15542/2015 RG GIP datë 20.12.2016 ka lëshuar urdhër arresti ndërkombëtar në ngarkim të shtetasit të mësipërm, për kryerjen e veprave penale "Organizatë kriminale" "Konspiracion penal me synim qasjen e paautorizuar në sistemin e informacionit" dhe "Instalimin e pajisjeve interceptuese","Ndalimi ose ndërprerjen e komunikimeve informatike,"parashikuar në nenet 415, 615, 617 të Kodit Penal Italian dhe nenet 55 të Dekretit Nr. 231/2017", njofton policia e Durrësit.

Mësohet se Hoxha merrej me klonimin e kartave të bankës.

o.j/dita

Kuvend, betohet deputeti i PS-së, Spartak Braho

Posted: 17 May 2018 01:27 AM PDT

 

Deputeti i Partisë Socialiste, Spartak Braho bëri sot betimin në Kuvend, pas marrjes së mandatit të deputetit të Kuvendit të Shqipërisë si kandidat i listës të PS-së për Qarkun Tiranë për plotësimin e vakancës,  mandat nga i cili hoqi dorë Saimir Tahiri.

Në fillim të seancës së sotme plenare, Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi informoi se në mbledhjen e komisionit të Mandatit dhe Imuniteteve u bë verifikimi i mandatit paraprak, ku rezultoi se Braho nuk ka asnjë paligjshmëri në zgjedhje.

Në bazë të nenit 72 të Kushtetutë dhe nenit 4 të Rregullores së Kuvendit, ai ftoi Brahon të bëjë betimin si kusht për të ushtruar mandatin e deputetit.

Braho ishte i 19-ti në listën e PS-së për Tiranën.

Ai mori mandatin e deputetit, pasi Saimir Tahiri dorëzoi mandatin e deputetit një javë më parë, pas hetimeve të nisura nga prokuroria.

a.s/dita

Përgjimi/ Salianji e Alibeaj shmangin Prokurorinë: Sot nuk vijmë dot

Posted: 17 May 2018 01:20 AM PDT

 

Tre zyrtarët e PD-së që janë thirrur nga prokuroria e Krimeve të Rënda nuk do të shkojnë sot për të dhënë shpjegime lidhur me përgjimin misterioz që ata pretendojnë se është bërë ndaj Agron Xhafës.

Deputetët Enkelejd Alibeaj dhe Ervin Saliani janë sot në seancën parlamentare dhe ndaj i kanë kërkuar Prokurorisë caktimin e një dite tjetër.

Duke iu shmangur marrjes në pyetje nga Prokuroria, deputetët edhe eksperti ligjor, ngrenë edhe më shumë pikëpyetje lidhur me autenticitetin e materialit.

Prokuroria e Krimeve të Rënda i kishte thërritur për t'i marrë në pyetje sot tre zyrtarët e PD, dy deputetët Enkelejd Alibeaj dhe Ervin Salianji si dhe ekspertin për çështjet ligjore, Gazmend Bardhi lidhur me përgjimin ambiental të publikuar prej tyre 4 ditë më parë për Agron Xhafajn dhe që ngriti dyshime të mëdha lidhur me autenticitetin e tij.

Tre opozitarët ishin thërritur për t'u paraqitur para Prokurorisë së Krimeve Të Rënda në orën 10:30 të ditës së sotme.

Ata do pyeteshin lidhur me publikimin e përgjimit ku nga PD pretendohet se Agron Xhafaj, vëllai i ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, bisedon me një trafikant droge për transportimin e një ngarkese me kanabis drejt Italisë i cilësuar si bashkëpunëtori X.

Agron Xhafaj kallëzoi për shpifje të hënën në mbrëmje Alibeajn, Salianjin dhe Bardhin pranë Prokurorisë së Tiranës, duke theksuar se sajuan këtë material në mënyrë të paskrupullt.

Në kallëzimin e bërë në Prokurori, Xhafaj thotë se zëri që dëgjohet në audio nuk është i tij.

Kryeministri Edi Rama, e cilësoi si një manipulim dje materialin e PD-së, duke iu referuar një ekspertize ndërkombëtare për materialin.

o.j/dita

Precedenti “Xhafa” dhe rasti “Tahiri”

Posted: 17 May 2018 01:11 AM PDT

Bedri Islami

Dje, si nuk ishte menduar, sidomos nga opozita, Agron Xhafa, vëllai i Ministrit të Punëve të Brendshme, pasi bëri të njohur letrën e tij, arriti në shtetin fqinj, Itali, për t'u dorëzuar pranë strukturave të drejtësisë, dhe, për të vuajtur dënimin e tij ose rishikimin e procesit.

Sido që të jetë, ai, pa asnjë dyshim, që ka patur edhe mendimin e mbështetjen e vëllait të tij, dhe, duam apo nuk duam, më shumë se gjithçka tjetër, do të mbetet fakti që, për herë të parë, njëri ndër funksionarët më të lartë të shtetit dhe në një post të rëndësishëm, dorëzon vëllain e tij në organet e drejtësisë, për më tepër në një shtet tjetër, nga i cili, deri tani, nuk ka pasur asnjë kërkesë për ekstradimin e tij, asnjë ndërhyrje, veç ndalimit disa javor, 16 vite më parë, dhe dëbimit.

Nëse ky ka qenë qëllimi i parë i opozitës, rikthimin në vuajtjen e dënimit të një njeriu për çfarë ka ndodhur kaq vite më parë, kjo është arritur. Por, a ka dashur kaq dhe çfarë do të thotë shembulli i tashëm Xhafa në politikën shqiptare, a do të ketë vazhdimësi e gjithë kjo apo do të jetë një rast i veçantë, sporadik, më shumë i bërë nga halli se sa nga dëshira, a do të mund ta përballojë opozita një precedent të tillë?

Mendoj se, nëse deri tani Fatmir Xhafa ka qenë njeriu i rreptë i ligjit, pas kësaj ai do të shihet edhe si dora e fortë e ligjit. Nëse deri tani opozita e ka parë shansin e saj në largimin e ministrit Xhafa si një shkak për betejë politike, tani e tutje ajo do e shohë një domosdoshmëri, sepse do të jetë edhe më e frikësuar për fatin e saj, veç e veç, si njerëz që kanë shkelur ligjet me dy këmbët, me dy duart e familjarisht. Ai, ministri Xhafa, që, pa ngurrim dhe pa ndërhyrje të shtetit fqinj, nis vëllain e tij drejt një burgimi jo të shkurtër dhe jo të lehtë, tani do të ketë edhe mbi vete gjithë sulmet e opozitës, nga të gjitha anët, pasi precedenti që krijoi është mbytës për to, e për më tepër është i frikshëm.

Mendoni për një çast sikur Sali Berisha të merrte për dore, atë birbon e tij pasanik, dhe ta dërgonte tek prokuroria e përgjithshme, menjëherë pas rastit Gërdeci. T'u thoshte prokurorëve, "e di, ju jeni të paanshëm, jeni dinjitozë, ju e bëni ndërshmerisht punën tuaj, për më tepër se këtu është ajo që e kam quajtur Silvia Konti, zonja Rama, dhe nxirreni të vërtetën".

E mendon dot kush këtë?

Nuk besoj se ka një njeri të tillë, me imagjinatë kaq të sëmurë. Përse? Sepse, të gjithë, me zë e me foigurë, panë se si ish shefi i qeverisë, punën e parë që bëri, iu vërsul prokurorisë së shtetit, i quajti me një gjuhë halabakësh, si rrugaç i shkallës sipërore, si njerëz të lidhur me krimin, si mbetje të komunizmit, si kupolë e korrupsionit dhe, në fund, i detyroi të tërhiqeshin, fillimisht nga çështja dhe më pas nga gjithë sistemi i drejtësisë.

E mendon dot një shef qeverie, i cili deklaron gjithë ditën se është në radhë të parë njeriu i familjes dhe i kanunit dhe nuk njeh as baxhanakun e tij, të cilin, i biri e kishte dërguar si taksambledhës në kantierin e vdekjes dhe babai i tij qëllimisht ia ngatërron emrin.

Shqipëria ka pasur mjaft, shumë më tepër se sa është menduar, kur familjarët e "të fortëve" në politikë janë bërë pjesë e krimit. Por nuk ka pasur asnjë rast kur ata vetë e kanë dërguar njeriun e tyre drejt gjykimit, hetimit apo drejt një vendimi të sigurtë për dënim. Rasti "Rusmajli", megjithëse edhe asaj kohe ka qenë i veçantë, nuk është në këtë tagër, e përgatitur pas kulisave për të hequr qafe një njeri që shpejt mund të ishte dëmi i tyre, gjithçka u sajua dhe mbaroi për një dorëheqje.

Tani, gjërat janë ndryshe, shumë më ndryshe, sepse nuk është fjala për një largim nga pozita, që edhe ashtu nuk është e përhershme, por për shumë më tepër se sa kaq.

Po kthehem përsëri tek një shembull familjar. Me dëshmi tepër të besueshme, Argita Malltezi, kërkonte 3 milionë euro për një firmë të babait të saj. Për një investim madhor që mund të ishte i favorshëm për zhvillimin e vendit. Babai mund ta kishte vënë firmën pa e pyetur të bijën, dhe nuk kishte përse ta pyeste. Ajo nuk ishte pjesë e shtetit, megjithëse punët e shtetit i zgjidhte ajo. Kur pagesa 3 milionë euroshe nuk u bë, investimi përfundoi. Gjithçka u bë publike. Kishte ndonjë burrë prokuror apo burrneshë prokurore që i shkoi ndër mend se mund të thërriste bijën berishiane dhe ta pyeste, të paktën ta pyeste, se çfarë qndron pas kësaj? Asnjë! Mbi to vigjëlonte jo vetëm ati, por edhe një lukuni tjetër bashkëpunëtorësh të të atit, që i dinin huqet dhe inatet e tij.

Opozita, kur ishte në pushtet, vepronte ndryshe e ndryshe vepron edhe tani. Ndjenja e frikës së saj është e justifikueshme, pasi e dinë se çfarë ka ndodhur në kohën e tyre. Për shembull, një Mul, deputet i Kukësit, dikur ministër –  tani duket si xhandar i rëndomtë, kur kishte një funksion shtetëror tjetër, të gjithë vëllezërit e kunatat i bëri me shtëpi plazhi në Sarandë. E pyeti njeri? Jo, as dje e as sot. Që të mos thirren as nesër, bubullijnë, krijojnë video të rreme, sulmojnë dhe janë gati të përmbytin gjithë parlamentin e bashkë me të edhe gjithë Shqipërinë.

Precedenti i ri "Xhafa" do i hapë punë njerëzve të politikës dhe sidomos atyre që i kanë këmbët në krim dhe kokën në hakërrim.

Nuk u habita aspak kur mësova se bashkëshortja e Kostë Trebickës, njeriut që u gjet i vdekur pas një "aksidenti" të çuditshëm dhe për verifikimin e të cilit u "integrua" një specialist rrugësh dhe jo një institucion, ishte tani bashkëpronare e një universiteti privat. Ndoshta në të njëjtin ku është edhe gruaja Nishani. Nuk u habita, sepse është bërë traditë e opozitës së tashme, kur ishte në pushtet, që të të shpërblejë pas goditjes. Kjo ka ndodhur me shumë e shumë vetë e do të ndodhë rishtas nëse ajo rivjen në pushtet. Por, nuk ka ndodhur kurrë që njerëzit e saj, t'i marrë për krahësh dhe t'i dërgojë para strukturave të drejtësisë. Ju kujtohet Sefgjini, njeriu që qëndron pas zhdukjes së Remzi Hoxhës, pikërisht në kohën kur SHIK-u i Gazidedes kishte marrë hijen e rëndë të Sigurimit të Shtetit? Normalisht, sipas ligjeve të kohës, ai duhej të largohej nga detyra, pasi çështja e tij ishte jo vetëm në hetim, por edhe në gjykim. Berisha nuk e dha, përkundrazi, e rriti edhe më tej në detyrë dhe për të treguar forcën hakmarrëse, e dërgoi pikërisht drejtues në një institucion burgjesh, si për t'iu thënë të tjerëve se, këtu, pikërisht këtu dhe me këtë njeri mbi kokë, që ju ka vrarë, e keni vendin.

Qeveria e 21 janarit, jo vetëm që nuk dha njeri nga vetja për masakrën që bëri, por, edhe kur prokuroria, pra institucioni suprem për hetimin, urdhëroi ndalimin e disa pjesëmarrësve të zinxhirit komandues të gardës që bëri vrasjet, e kundërshtoi urdhrin, e hodhi poshtë, duke bërë një puç shteti, duke rrënuar institucionet e shtetit dhe duke iu vërsulur tre institucioneve që ishin jashtë kontrollit të tij: institucionit të presidentit, të prokurorisë dhe të shërbimit informativ. Ndue Prendi ishte më i vlefshëm se sa gjithë ngrehina e shtetit. Ai hodhi ngrehinën dhe mbajti Prendin. Qeveria e kohës hodhi në erë Gërdecin, por mbajti Shkëlzenin dhe Mediun; përmes një mjeku të lagjes, pasi vodhi Rrugën e Kombit, mbrojti Bashën, kanakarin e familjes; dhe këto janë shembujt më të njohur, për të mos shkuar më tej në aferën CEZ, dështimin e gjyqeve, prangosjen e prokurorisë, zaptimin e institucioneve të drejtësisë, duke shkuar deri në përqeshjen e kombit me vendosjen në krye të "unitetit" një kapter të politikës, që bëri gjithçka, deri edhe u përgatit për një hakërrim ndaj shtetit të tij, përmes thirrjes që" t'u qëndrojmë fort përballë socialistëve".

Çfarë tregon precedenti i ri "Xhafa" dhe çfarë tregon, po ashtu, edhe rasti "Tahiri"?

Të dy rastet kanë ngjashmërinë e tyre, por kanë edhe të ndryshmet.

E përbashkëta qëndron në faktin se kemi të bëjmë me dy nga figurat e njohura qeverisëse dhe politikëbërse të një force politike, më e madhja dhe më e votuara në vend, në të gjithë kohërat pluraliste. Për një rastësi, të dyja lidhen me përsonalitete që kanë drejtuar ose drejtojnë Ministrinë e Brendshme.

Në të dy rastet, forca e tyre politike, në asnjë moment nuk i ka marrë në mbrojtje. I ka hapur rrugën drejtësisë dhe e ka lënë të lirë të veprojë.

Krejt ndryshe nga sa ka ndodhur dhe sa mund të ndodhë me opozitën në pushtetin e dikurshëm ose nëse një herë do të mund të vijë në pushtet.

E përbashkëta tjetër është se, në dy rastet, edhe kur mes qëndrimit të njërit dhe të tjetrit ka pasur dallime, forca politike nuk është bërë pjesë, duke marrë njërin nën sqetull e duke përplasur tjetrin.

Asnjëherë nuk ka ndodhur kjo me ata që sot çirren e bërtasin, sikur zbukuan një kontinent të ri. Përkundrazi, i kanë marrë në mbrojtje dhe kanë kërcënuar apo fyer gjithë opionin ndërkombëtar dhe përfaqsues të rëndësishëm ndërkombëtar.

Nëse sot, me të drejtë apo jo, një ish ministër i brendshëm është nën arrest shtëpiak, nga përgjime mafiozësh, të cilët mund të flasin gjithçka e me këdo, kur u zbuluan dokumente të rëndësishëm të ambasadës amerikane që ndërthurnin emrin e zevendësministrit Kuliçaj, kushëriri i të cilit tani del njëri nga bosët e drogës së fortë, pikërisht me trafikimin e drogës, askush nuk lejoi hetimin e mëtejshëm. Përkundrazi e morën Kuliçajn dhe e bënë këshilltar të grupit parlamentar, më shumë për t'i mbajtur nën kontroll deputetët që mund të rebeloheshin.

Ndryshimi mes precedentit "Xhafa" dhe rastit "Tahiri" qëndron në faktin se njëri është personalisht nën hetim dhe në këtë rast forca e tij politike nuk mund të bëhej as çadër dhe as çomangë mbi drejtësinë, ndërsa, në precedentin "Xhafa", duke u nisur nga një dënim i vëllait u kërkua të rrëzohej një qeveri që, edhe sot, megjithë mëkatet e saj, do të kishte fituar shumicën parlamentare, në mos më shumë.

Që nga sot, e di, jam i bindur, se shumë leqe do të kenë filluar dridhjen e tyre.

Një këshillë për shefin e qeverisë, jo e natyrshme dhe me bindjen se do të jetë i kuptueshëm humori i kësaj radhe: bëjeni edhe një kompromis me Lulin, po vjen 18 maji, si rast jubilar, jepini diçka ku mund të fitojë dhe opozita do të heshtë. Sepse nuk kanë dalur për të ndërtuar, po për të plaçkitur. Të mirët ikën prej saj, ata që kanë mbetur janë ende të babëzitur.

 

Fshehën pasurinë, dosja e çiftit Gina-Gashi transferohet në Fier

Posted: 17 May 2018 01:07 AM PDT

 

Çifti i prokurorëve Dritan Gina dhe Rovena Gashi, nuk do të gjykohen nga gjykata e Durrësit, por nga ajo e Fierit.

Vendimi për transferimin e dosjes në këtë gjykatë është marrë pak ditë më parë nga prokuroria e qytetit bregdetar, e cila vendosi të shpallë moskompetencën lëndore dhe të transferojë dosjen me të pandehur prokurorët Dritan Gina dhe Rovena Gashi në Fier.

Ky vendim është marrë pasi prokuroria i ka komunikuar akuzat dy prokurorëve, dhe marrë ata të pandehur.

Ky vendim është marrë për të shmangur konfliktin e interesit, pasi Gina ka punuar për disa vite në prokurorinë e Durrësit dhe ka përfaqësuar këtë prokurori gjykatë.

Nisur nga kjo situatë, për të mos i lënë vend çdo kalkulimi, prokuroria ka transferuar dosjen në Fier.

Në Elbasan dhe Tiranë, nuk mund ta transferonin pasi Gina ka shërbyer si drejtues në Elbasan, ndërkohë në Tiranë, Gina vijon te të ishte prokuror, e ndërsa bashkëshortja e tij Gashi, ka shërbyer për disa vite në këtë akuzë.

Ditën e hënë të kësaj jave, Prokuroria e Përgjithshme Arta Marku, nëpërmjet një njoftimi, dy prokurorët Rovena Gashi dhe Dritan Gina janë marrë të pandehur për veprën penale të fshehjes së pasurisë, akuzë kjo që është pasuar me urdhrin e pezullimit të tyre nga detyra.

a.s/dita

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more