Skip to main content

“Rama takon Ruçin një ditë para seancës në Kuvend” plus 9 more - Gazeta Dita

“Rama takon Ruçin një ditë para seancës në Kuvend” plus 9 more - Gazeta Dita


Rama takon Ruçin një ditë para seancës në Kuvend

Posted: 23 May 2018 01:39 AM PDT

 

Kryeministri Edi Rama i është drejtuar ambienteve të Kryesisë së Kuvendit ku është takuar me kreun e këtij institucioni, Gramoz Ruçin.

Takimi mes tyre vjen një ditë para seancës plenare.

Kujtojmë se opozita ka paralajmëruar moslejimin e një senace normale.

PD ka kërkuar dorëheqjen e Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj të cilin e akuzon se ka mbrojtur vëllanë e përfshirë në trafik droge.

l.h/ dita

Tahiri apelon masën e ‘arrestit shtëpiak’, vendimi më 28 maj

Posted: 23 May 2018 01:33 AM PDT

Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri i akuzuar si bashkëpunëtor në trafikun e drogës me Habilajt, ka apeluar ndaj masës së sigurisë ‘arrest shtëpie’.

Seanca në Gjykatën e Apelit ndaj tij do zhvillohet në datën 28 maj.

Tahiri ndodhet në ‘arrest shtëpie’ që prej datës 12 maj.

Tahiri është njohur me këtë vendim më 15 maj, duke dalur para Gjykatës së Krimeve të Rënda.

Avokati i ish-ministrit, Maks Haxhia e konsideroi ekstreme masën e dhënë, duke thënë se nuk ekziston nevoja e sigurimit.

Ndërkohë, Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkon ‘arrest me burg’ ndaj Tahirit dhe e ka apeluar masën ‘arrest shtëpie’.

s.a/dita

Ekspertët holandezë: KE rekomandoi hapjen e negociatave falë Reformës në Drejtësi

Posted: 23 May 2018 01:28 AM PDT

 

Ambasada shqiptare në Holandë në bashkëpunim me Qendrën për Bashkëpunimin Ligjor Ndërkombëtar (The Center for International Legal Cooperation (CILC) organizuan një tryezë diskutimi me tematikë "Shteti i së drejtës në Shqipëri dhe kontributi Holandez dhe i Bashkimit Evropian".

Në tryezë ishin të ftuar për të shpjeguar Reformën në Drejtësi në Shqipëri, ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj, Drejtuesja e Ekipit të Euralius Agnes Bernhard dhe Eric Vincken, zëvëndësdrejtor i CILC.

Gjatë tryezës së diskutimit doli në pah që në vijim të reformave të ndërmarra nga qeveria shqiptare, e udhëhequr nga kryeministri Edi Rama, Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm në drejtim të zbatimit të reformës në drejtësi, e cila ka si qëllim të rrisë profesionalizmin, eficencën dhe pavarësinë e sistemit të drejtësisë.

Reforma e sistemit të drejtësisë në Shqipëri është përshkruar si "revolucionare" dhe "e guximshme" nga ekspertët holandez, të cilët morën pjesë në një tryezë diskutimi.

Zbatimi i reformës në drejtësi është kryer me ndihmën e ekspertëve të Bashkimit Evropian dhe veçanërisht ekspertët që përfaqësojnë Holandën të emëruar nga Qendra për Bashkëpunimin Ligjor Ndërkombëtar (The Center for International Legal Cooperation (CILC).

Gjatë diskutimeve doli në pah që modeli shqiptar i reformës në sistemin e drejtësisë është një nga modelet më të mira për reformimin e sistemeve të drejtësisë në Ballkanin Perëndimor dhe në vendet e tjera.

Me zbatimin e reformës në drejtësi, Shqipëria ka tejkaluar në reformat e saj edhe reformat e ndërmarra nga disa shtete anëtare të Bashkimit Evropian.

"Reformat në Shqipëri, kurrsesi nuk mund të konsiderohen kozmetike dhe përkundrazi mund të quhen si një përpjekje e guximshme dhe unike në llojin e saj" deklaroi Robert Bosch, ish-Ambasador i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri dhe moderatori i tryezës së diskutimeve.

Në përgjigje të pyetjeve nga pjesëmarrësit, Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj si dhe Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, e bënë të qartë që çdo ndryshim i kryer si pasojë e reformës është konsultuar gjerësisht me organizatat e shoqërisë civile dhe aktorët e tjerë të interesuar nëpërmjet një procesi gjithëpërfshirës dhe transparent, i cili ishte treguesi më i mirë i zhvillimit të kulturës demokratike në vend.

Nga pjesëmarrësit u përmend edhe se reforma në drejtësi ishte një nga elementët kyç që bindi Komisionin Evropian për të rekomanduar hapjen e negociatave me Shqipërinë.

Fatmir Xhafaj, ministër i Brendshëm, në cilësinë e ish-kryetarit të Komisionit Parlamentar për Reformën në Drejtësi u shpjegoi të pranishmëve domosdoshmërinë për një reformë të thellë në sistemin e drejtësisë, e kushtëzuar kjo nga niveli profesional, mënyra se si funksiononin institucionet drejtuese të sistemit, si dhe perceptimi negativ që publiku shqiptar kishte tek sistemi i drejtësisë.

Sipas Xhafaj, ajo çka pritet nga kjo reformë është pastrimi i radhëve të sistemit nga gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar, të paaftë dhe të lidhur apo ndikuar në vendimarrjen e tyre nga bota e krimit, krijimi i institucioneve të reja që sigurojnë më shumë pavarësi të sistemit, krijimi i mekanizmave që garantojnë balancë dhe kontroll efektiv të sistemit në luftë me koorporatizmin dhe korrupsionin.

Ministrja e Drejtësisë, gjatë fjalës së saj, u shpreh se "në Shqipëri sistemi i drejtësisë është rindërtuar nga themelet. Jo çdo njeri është dashamirës ndaj sistemit të ri për shkak se kanë shumë për të humbur. Rrjedhimisht, ndryshimet rrënjësore në sistemin ligjor shqiptar nuk lidhen vetëm me ligjet dhe rregullat, por edhe me zemrat dhe mendjen e njerëzve".

Më tej, përpara auditorit, ministrja Gjonaj deklaroi se "jemi krenar që jemi asistuar nga një numër ekspertësh dhe akademikësh me eksperiencë, si edhe nga ekipi i CILC në ndryshime e mëdha që po ndërmarrim dhe të cilat qysh tani, kanë sjellë shumë zhvillime. Pa ndihmën e vendeve të tjera, qeveria dhe administrata publike do e kishte të vështirë të ndërmerrte reforma të një shkalle të tillë".

Eric Vincken, zëvendësdrejtor i CILC përgjegjës për drejtimin e ekipit të ekspertëve holandez tha se "reforma ligjore në Shqipëri është e një shkallë historike dhe e pashoq. Nuk është bërë kurrë më parë. Ka ndryshuar pothuajse çdo nen dhe kapitull të legjislacionit shqiptar. Gjithashtu, ne vlerësojmë miratimin në parim të marrëveshjes së Eurojus-it nga Shqipëria si dhe nëpërmjet pjesëmarrjes së Shqipërisë në platformat e tjera ndërkombëtare ajo është shndërruar në një anëtare me të drejta të plota të ekosistemit ligjor global. Hapja e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian do të nxisë më tej qeverinë për të vijuar me reformat rrënjësore në Shqipëri".

Në takim foli edhe zonja Agnes Bernhard, drejtuesja e ekipit të Euralius, e cila ndau me të pranishmit rolin që ka luajtur EURALIUS në hartimin e reformës, si dhe në zbatimin e saj.

Në përmbyllje të takimit, z.Bosch vlerësoi reformat e rëndësishme që qeveria shqiptare ka ndërmarrë si dhe deklaroi që për sa i përket kapitullit 23 dhe 24, në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Shqipëria është shumë herë më e avancuar se sa shtete të tjera të rajonit, të cilat i kanë hapur negociatat e anëtarësimit të tyre në Bashkimin Evropian.

l.h/ dita

Familjes shqiptare i refuzohet kërkesa për azil, francezja i vjen në ndihmë

Posted: 23 May 2018 01:11 AM PDT

Një familjeje shqiptare në Gap të Francës i është refuzuar kërkesa për azil, edhe pse kanë dëshmuar se kanë marrë kërcënime në Shqipëri.

Por një shoqatë humanitare franceze është mobilizuar për të ndihmuar familjen me dy fëmijë me moshë 8 e 10 vjeç.

Shtetasja franceze Michèle Passas u ka liruar prindërve të dy fëmijëve dhomën e saj të gjumit. Tashmë prej tre ditësh me radhë, kjo banore e Gapit ka ndarë banesën e saj me familjen shqiptare dhe ka zgjedhur të flejë në divanin e sallonit.

"Dua që ata të kenë sado pak intimitet që të mund të pushojnë, pasi ata janë shumë të stresuar", ka pohuar për "France 3" francezja që është anëtare e shoqatës.

Michèle Passas

Më tej, ajo thotë se familja fle nën ndriçimin e dritave pasi kanë frikë nga errësira.

"Më parë ka ekzistuar mundësia për të telefonuar në numrin telefonik 115, që është përgjegjës për strehim, por tani ata refuzojnë të ndihmojnë familjet që gjenden në këtë situatë", thekson Cécile Leroux, vullnetare e shoqatës.

Ajo vazhdon duke thënë më tej: "Na kanë thënë se nuk janë të `prekshëm`, por çfarë do të thotë `i prekshëm` kur bëhet fjalë për një familje me dy fëmijë të mitur që nuk ka para?"

s.a/dita

Tirana e pajetueshme? Rama ironizon “kokat e mëdha”

Posted: 23 May 2018 01:00 AM PDT

 

Kryeministri Edi Rama këtë mëngjes ka zgjedhur të ironizojë të gjithë ata që thonë se Tirana është bërë e pajetueshme.

Duke postuar shkrimin e prestigjiozes amerikane "Lonely Planet" që boton guidat më të famshme në botë për udhëtimet dhe që e ka renditur Tiranën ndër 10 vendet të cilat duhen vizituar patjetër nga turistët këtë verë, Kreu i qeverisë fton të gjithë qytetarët që të lexojnë materialin, të cilin e gjeni KËTU.

 "Me ftesën që të shkoni vetë deri tek numri 10 e pastaj t'i lini të vazhdojnë "kokat e mëdha" të klubit të llafeve të Tiranës të thonë se Tirana është bërë qytet i pajetueshëm. Ju uroj një ditë të bukur", shkruan Rama.

Në artikullin e saj, "Lonely Planet" shkruan se kryeqyteti shqiptar nuk është vetëm një qytet "portë" por është metropol i fuqishëm që ka pësuar transformim.

l.h/ dita

I akuzuar për mashtrim, arrestohet pronari i kompanisë farmaceutike ‘Sulkaj’

Posted: 23 May 2018 12:54 AM PDT

Pronari i kompanisë farmaceutike ‘Sulkaj’ shpk, njëherazi ish-administrator i një spitali privat në Tiranë është arrestuar.

50-vjeçari Lefter Sulkaj ka mashtruar një numër të lartë personash dhe 4 banka të nivelit të dytë, duke iu premtuar se me paratë e marra do i bënte aksionerë në biznesin e tij.

Si fillim, gjykata kishte caktuar masën e 'arrestit me burg' në mungesë ndaj Sulkajt më 18 gusht të vitit të kaluar. Por më pas, gjykata e zbuti masën ndaj pronarit të ‘Sulkaj’ shpk duke e dërguar në 'arrest shtëpie'. Por për shkak se nuk ishte dakord me këtë vendim, prokuroria e apeloi atë.

Një treshe gjykuese e apelit vendosi të prishë vendimin e shkallës së parë dhe ta ashpërsojë sërish masën e sigurisë për këtë të dyshuar.

Prokuroria ka thënë se po heton të gjitha rastet e mashtrimit, për të cilat ka dyshime se Sulkaj i ka kryer në bashkëpunim edhe me zyrtarë të lartë në bankat e nivelit të dytë në vend.

Skema e mashtrimit

Nga hetimet ka rezultuar se njërin nga qytetarët ai e ka emëruar për një periudhë 2 mujore si administrator të spitalit të tij privat dhe në këmbim i ka marrë shumën prej 500 mijë eurosh. Gjithashtu ka dyshime të forta se, Sulkaj ka përfituar shuma të mëdha edhe nga kreditë bankare, ku ka lënë si kolateral asetet e kompanisë së tij dhe shtëpitë e vëllezërve.

Mashtrimet u zbuluan pas denoncimeve të bëra në adresë të tij nga qytetarë të ndryshëm, mes të cilëve dhe nga djali i dajës së të dyshuarit.

s.a/dita

Kriminelët do shkulin krimin!

Posted: 23 May 2018 12:52 AM PDT

 

Vijnë nga çdo cep i SHQUPIT,
shfaqje histerike,
se në Shqipëri s’ka ndodhur,
asgjë dramatike!

U bë Kali i Betejës,
një mavro përgjim,
nga ata që janë vetë,
të zhytur në krim!

Edhe protesta e radhës,
nuk e fsheh qëllimin:
“Janë ngritur kriminelët,
për të shkulur krimin!”

Partia Demokratike,
dhe shoqkat e saj,
nuk e lënë që të harrohet,
Njëzet e Gjashtë Maj!

Nuk na lënë që të harrojmë,
neve historinë,
kur i vodhi zgjedhjet hapur,
në gjithë Shqipërinë!

Brezit të ri do t’i dukej.
si një film horror,
po ta kishte parë me sy,
gjithë atë terror!

Sërish Kafshë e Viçidolit,
eshtë strumbullari,
që asnjëherë nuk u ngop,
me gjak shqipëtari!

Ulëret ujku tërbuar,
brënda në Tiranë,
që ta vrasin Edi Ramën,
ta hedhin në Lanë!

Dhe unë pyes Arta Markun,
në Prokurori,
dhe sa kohë do ulërasë,
ky njeri i zi?!

Që kur ka dalë nga shpella,
deri sa u plak,
nuk u ngop duke kërkuar,
gjak dhe vetëm gjak!

Pse do ngrihet metastaza,
dhe mortja Lulash,
tani që ka Shqipëria,
shumë më pak hashash?!

Kur tani-me Fatmir Xhafën,
krimi po grushtohet,
gati një ton kokainë,
nga shteti bllokohet!

Pse kaq zhurmë dhe rrëmujë,
përse-o vampirë,
kur gjendja në Shqipëri,
është më e mirë!

Shqipëria-narkotikë,
më nuk kultivon,
po opozitë e bashkuar,
mashtron e mashtron!

Në rrugën për Europë,
mbjell gjëmba dhe ferra,
Shqipëria ka probleme,
si vendet e tjera!

Komisioni-përparime,
sheh në Shqipëri,
ndërsa shoqja Lulëzime,
zi dhe vetëm zi!

Kukuvajkë e opozitës,
në SHQUP po vajton,
dhe me gjuhë të ndyrë dhune,
vendin kërcënon!

Ka ardhur dhe ka kaluar,
koha për zinxhira,
se kanë bërë dëme shumë,
këta qelbësira!

Arben Duka

ANALIZA: Ballkani Perëndimor në BE është iluzion

Posted: 23 May 2018 12:41 AM PDT

 

BE i përmbahet synimit të anëtarësimit të plotë për vendet e Ballkanit Perëndimor. Këtë e bëri sërish në takimin e nivelit të lartë në Sofje. Christoph Hasselbach kërkon të ndiqet një rrugë tjetër.

Nga Christoph Hasselbach

Argumentimi i Komisionit Evropian tingëllon bindës: “Ose ne eksportojmë stabilitet ose importojmë instabilitet”, e përmbledh rregullisht Komisari i Zgjerimit të BE, Johannes Hahn motivin e BE, për t’u dhënë gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor një perspektivë të qartë anëtarësimi. Ajo synon të jetë nxitje për reforma demokratike dhe ekonomike si dhe për zgjidhjen e konflikteve brendashtetërore.

Ajo që nuk e thotë Komisioni, peshon të paktën po kaq shumë: BE dëshiron të kundërshtojë ndikimin në rritje të Rusisë dhe Kinës në rajon. Të dy synojnë të bëhen tërheqës me para dhe investime dhe në dallim nga BE ata nuk bëjnë pyetje të pakëndshme për gjendjen e shtetit juridik.

Lodhja nga zgjerimi është shumë e dukshme

Por kundër një anëtarësimi të plotë në një kohë të afërt flet jo vetëm rrethana që gjashtë shtetet në fjalë nuk i kanë bërë “detyrat e shtëpisë” që u kërkohen, por edhe arsye parimore – krejt të pavarura nga ritmi i reformave në Ballkan.

BE është për momentin tepër i zënë me veten, për të pasur fuqi për një raund të ri zgjerimi. Vetëm të folurit për një datë – Komisioni përmendi në rastin e Serbisë dhe Malit të Zi vitin 2025 – shkakton në shumë kryeqytete panik të vërtetë. Dhe kjo ndodh për arsye të forta.

Në raundet e fundit të zgjerimit, qenë në fund të fundit vendimet politike ato që i spostuan rezervat për mosplotësimin e parametrave për anëtarësim. Nga Rumania dhe Bullgaria për shembull sot do të qe kërkuar më shumë se atëherë kur u pranuan. Por ai që është njëherë anëtar i klubit, kundër tij thuajse nuk ke më mjete në duar. Ai përfiton nga të gjitha përparësitë e BE dhe është në gjendje të bashkë-vendosë edhe atëherë kur sjellja e tij të lë për të dëshiruar. Në rastin e qeverive në Poloni dhe Hungari mund të shohësh që sa e vështirë është për Brukselin që t’i detyrojë për sjellje të mirë shtetet anëtare.

Nacionalizmi në Ballkan është ndoshta problemi më i madh i tij. Komisioni shpreson që me një anëtarësim të shteteve në BE ai mund të mbahet nën kontroll. Por më shumë gjasa ka që atëherë ai vetëm se do të ishte BRENDA dhe jo më jashtë BE. Me rezultatin që Bashkimi Evropian do ta bllokonte veten edhe më shumë se tani pa të.

Bëhet edhe ndryshe

Nuk duhet harruar dallimi gjigant ekonomik: të gjashtë shtetet ndodhen ekonomikisht shumë më poshtë se mesatarja e BE dhe në këtë mënyrë do të ishin në mënyrë të vazhdueshme përfituese parash neto. Për paguesit e parave neto, anëtarësia në BE bëhet gjithnjë e më pak atraktive, sa më shumë përfitues janë. Parimi i solidaritetit në thelb është në rregull. Por mungesa e baraspeshës nuk duhet të jetë shumë e madhe. Veç kësaj, me një anëtarësim të plotë liria e lëvizjes do të çonte ndoshta në lëvizje të tjera migratore nga Ballkani në shtetet më të pasura të BE me sistemet e tyre të pajisura mirë të mbrojtjes sociale. Kjo është e kuptueshme nga këndvështrimi i njerëzve, por do ta nxiste edhe më tej armiqësinë kundër të huajve në Veri.

Çfarë rezulton nga e gjitha kjo? BE as nuk duhet ta lërë Ballkanin vetëm, as t’ia lërë ndikimit të Rusisë dhe Kinës. Synimi duhet të mbetet një lidhje e fortë. Megjithatë ajo nuk duhet të jetë anëtarësimi i plotë, por një partneritet nën këtë nivel, ngjashëm me shtetet e EFTA-s. Kjo do të thotë një bashkëpunim i ngushtë ekonomik edhe mbështetje e shumanshme, por jo e drejtë bashkëvendosjeje në interesat e BE.

Ndoshta janë të shumtë ata kryetarë shtetesh që mendojnë kështu, por nuk e thonë deri tani. Në vend të kësaj, edhe në takimin e BE dhe të shteteve të Ballkanit u dëgjua avazi i vjetër, se shtetet me siguri që pas disa vitesh do të jenë pjesë e BE, por tani është shumë herët. Më e ndershme do të kishte qenë që të dyja palëve t’u jepej një perspektivë më realiste me horizonte konkrete kohore./ DW

l.h/ dita

Rezyme “fake”, presidenti italian heziton të konfirmojë kryeministrin e ri

Posted: 23 May 2018 12:40 AM PDT

Presidenti italian, Sergio Mattarella nuk ka nxituar t'i japë "dritën jeshile" kandidatit të "Lëvizjes 5 yjet" dhe "Lega Nord"-it për kryeministër të Italisë, Giuseppe Conte.

Kreu i shtetit ua frenoi hovin dy forcave politike fituese të zgjedhjeve të 4 marsit, e arsyeja është jetëshkrimi i profesorit të së Drejtës Private në Universitetin e Firences.

Në rezymenë 12-faqëshe listohen një sërë institucionesh prestigjioze në Itali, Britani, Shtetet e Bashkuara, Francë e Austri, ku ai pretendon të ketë studiuar, por të pakta janë rastet në të cilat specifikon natyrën e studimit apo kursin e ndjekur

54-vjeçari thotë se ka perfeksionuar studimet e tij në Universitetin e Nju Jorkut, "NYU", gjatë periudhave të verës në vitet 2008 deri në 2014-n.

Megjithatë, një zëdhënëse e Universitetit "Michelle Tsai" u shpreh se profesori nuk ka pasur ndonjë status zyrtar në këtë institucion dhe ka marrë thjesht lejen për të përdorur bibliotekën e tij.

Ndër të tjera përmendet edhe "The International Kultur Institut" në Vjenë, emri i të cilit është shkruar gabim në rezyme, ndërsa bëhet fjalë për një shkollë gjuhësh, e cila nuk ofron kurse juridiku.

Gjithë çfarë dihet me siguri për Conten deri më tani është se ka mbaruar studimet për Drejtësi në "La Sapienza" të Romës në vitin 1988.

 s.a/dita

Kostum i zi qepur me të bardhë

Posted: 23 May 2018 12:28 AM PDT

 

Nga Bedri Islami

E gjithë ajo që filloi rreth 10 ditë më parë, megjithëse që nga fillimi tingëllonte si një lojë e pështirë, tani, sidomos pas publikimeve të fundit, qoftë në selinë e PD-së, qoftë në një emision TV, të qartësojnë deri në fund dy gjëra themelore: Pas gjithë kësaj ngrehine është një dëshirë e papërmbajtshme, deri në absurd, për denigrimin e qeverisë Rama dhe duke mos gjetur një kauzë tjetër, është krijuar një gjetje politike-investigative, dhe së dyti, në këtë lojë, veç dy njerëzve që menduan se deti kalohet në këmbë, oligarkët politikë të PD-së, pasi morën flamurin në ditën e parë dhe të dytë, tani janë gati t'ia hedhin atë "Babales", njeriut X dhe gazetarit Olldashi, në këtë rast njeriut Y.

"Nga frika, thotë njëri e tjetri, në fakt, herë njëri e herë tjetri, e çuam përgjimin në selinë e PD-së, pasi aty janë njerëzit që luftojnë drogën dhe mes tyre, më i shquari qenka Salianji, pasi nuk mund ta çonin në prokurori, se ajo është zaptuar nga Edi Rama, as në Polici, se aty ishte Xhafa". Ky ishte pretendimi i parë, që bie saora, kur e di se ai përgjim, nëse është përgjim, është bërë në tetor 2017, kur shefi i prokurorisë ishte miku i madh dhe i deleguari shqupas në atë institucion, Llalla. Ky njihej botërisht si njeriu që kishte mbyllur të gjitha çështjet e nxehta të njerëzve të PD-së, që nga vrasjet dhe deri tek droga e fortë në rrugën e parë të ditur të Kuliqajt të bananeve. Nga kush kishte frikë atëherë gazetari Olldashi dhe dëshmitari që nuk do të jepej, "Babalja"?

Duhet të jesh budalla apo mitingash i thekur të mos e dish tashmë se, përmes dy viktimave të politikës mafioze pëdëiste, nuk u nis të bëhej një përgjim i zakonshëm, por të krijohej një gjendje e pazakontë politike. Që nga tetori e deri në maj shkuan gjashtë muaj dhe në sirtarët e shqupasve rrinte ky përgjim, duke pritur rastin kur bomba e hedhur mund të kishte më shumë efekt. Nëse ka qenë fjala për një krim, përse PD-ja dhe dy "investiguesit" u bënë palë me krimin për gjashtë muaj duke e fshehur atë? Si mundet që "deputetë luftëtarë kundër drogës për gjashtë muaj heshtin dhe nuk dëshmojnë se në Vlorë, përmes një njeriu të njohur, droga po bëhet si një mall i zakonshëm dhe nuk ngritën peshë, të paktën prokurorinë që në tetor e kishin nën kontrollin e plotë?

Regjistrimi që u dha së fundi tregon dy vetë, njëri ish-trafikant i njohur, i burgosur, herë me punë dhe herë pa punë, që telefonon në një numër, i cili është i Agron Xhafës, e marrim të mirëqenë, i cili nuk i përgjigjet, që e kërkojnë, sipas gazetarit tri herë resht dhe nuk e gjejnë dhe që pastaj, për pesë minuta, pasi e kanë kërkuar gjithë ditën, bëjnë një bisedë të tipit mafioz, sikur mezi paskan pritur të gjejnë njëri-tjetrin.

Dy gjëra janë thelbësore: Nëse Agron Xhafa kontrollonte të gjithë kartelin e drogës në Vlorë, në tetor 2017, përse nuk i dërgoi "investiguesit" drejt "mallit" të tij, po i la të sorollaten rrugëve të Tragjasit, të pyesin dhe të stërpyesin, për të gjetur 20 kg hashash? Cilido trafikant kërkon të shesë mallin e tij, edhe në mos ai vetë nuk ka, kur është bosi apo pashai i drogës, ai e di se ku gjendet, te cili mund ta marrë, me cilin çmim, pasi i vendos vetë dhe nuk i lë dy njerëz të shkretë, njëri i dërguar me dietat e një force politike e tjetri duke pritur shpërblimin e tij, të vërviten, që nga kryeplaku e deri tek një shitës dyqani.

Së dyti, edhe pse askush nuk e di se cili investoi 20 deri 24 mijë euro për të "saktësuar" investigimin, kush qëndron pas gjithë kësaj duhet të qartësohet. Salianji është njeri me lekë, por, edhe nëse ai nuk ka, para me shumicë, të grabitura, gjenden tek shumë nga figurat e PD-së. Të jenë ata pas këtij investimi? Apo, mund të jetë krejt tjetër: dy " investiguesit", njëri i njohur në botën e trafikut e tjetri duke marrë mendjen e tij, kanë dashur vërtetë të përfitojnë nga trafiku i marijuanës dhe kanë dështuar? Apo e kanë shitur atë dhe tani nuk thonë se ku është? Mund të ndodhë që droga e shitur është kthyer rishtas tek ata në një përfitim tjetër dhe këtë e mbajnë ende në vete? Të dy ata, dëshmitari dhe gazetari, janë njerëz të varfër përgjithësisht; nuk i ka ecur puna dhe nuk mund të hedhin në det 24 mijë euro, veç për t'ia marrë hakun Agron Xhafës për një paketë cigare. Kush ka dijeni për drogën e blerë? Përse kjo e dhënë është fshehur kaq gjatë dhe e njohur vetëm tani që është hapur një dosje e veçantë dhe përgjimet mund të shkojnë përtej mendjes së tyre? Të kujt janë paratë e investuara: kush është njeriu me zemër të madhe që i paska besuar 24 mijë euro një njeriu të njohur si trafikant dhe i burgosur? Si quhet ai? Nëse teza se kush e bëri përgjimin po kthehet në një fantazmë, njeriu që dha paratë për blerjen e drogës, cilido të jetë, nuk mund të jetë fantazmë. Nëse tani, të gjithë, Babalja, Olldashi, Salianji,Basha, ish ministri i përkohshëm dhe ish ministri tjetër, nuk i dalin zot përgjimit, nuk i dalin zot investimit dhe në fund nuk do i dalin zot as dy të parëve, si mund të besosh se paska ndodhur në pesë minuta ajo që nuk shihet, nuk saktësohet, aq më tepër nga dy njerëz që në dy paraqitje të tyre, kanë mashtruar mbi njëzet herë, edhe kundër njëri tjetrit.

Nëse ka dyshime se ku është fillesa e këtij krimi, sepse është krim qëllimi i destabilizimit të vendit, këtë e bën të qartë vetë Olldashi. "Më morën një natë në të gdhirë nga PD-ja", tregon ai, për të intervistuar Babalen. E kishin gjetur. E kishin gjetur edhe më shpejt se sa prokuroria. E kishin fshehur në selinë e tyre, si fshihnin në vitin 1998 armët për grushtin e shtetit. Mendonin se përmes tij, Babales, mund të bënin një grusht shteti tjetër dhe për këtë po përgatiten. Olldashi shkoi me vrap, që pa gdhirë, pasi Babalja po bëhej gati të kalonte kufirin dhe të mos ishte më. E pastaj?

PD-ja, e mbetur në humbëtirën e mendimit të saj politik, ngriti një kostum të zi, por e qepi me të bardhën. Dhe, si ndodh zakonisht në këto raste, gjithçka po shkon drejt zbardhimit të plotë. Atë që qepi e bëri ngadalë, iu deshën gjashtë muaj për të pritur këtë ditë, ndërsa penjtë e bardhë, dëshmitë e rreme, nuk i llogariti fare. Megjithëse e dinte se të gjitha janë të përdorshme lehtësisht dhe se, pas përgjimit të fabrikuar, gjërat mund të zbardheshin. Kjo nuk i ka interesuar asnjëherë. Do të thonë përsëri se "shteti është i kapur", bile mund të shkojnë edhe më tej, si shkoi një kapter i politikës, Nishani, duke bërë thirrje që kjo qeveri të shkulet me zjarr e me hekur, apo si po bëjnë tani lësëistët, që janë shumë më me mend se shqupasit, ndoshta edhe nga përvoja me përgjimet, që kërcënojnë haptas të gjithë strukturat për një të ardhme të tmerrshme.

Përse e ravijëzuan këtë kostum të zi shqupasit?

Shumë vetë mendojnë se janë kundër hapjes së negociatave me Bashkimin Europian. Duke qenë e vërtetë, nuk është e plotë. Ata, edhe po të ishin në pushtet, nuk do e donin një kontroll të gjithanshëm të Bashkësisë Europiane mbi sundimin e tyre. Kanë qenë kundër nga fillimi, pavarësisht paraqitjes së tyre si demokratë, një leckë që i ka rënë prej kohësh.

Ka edhe një të vërtetë tjetër. Që është më e ndjeshme për to dhe më e pranishme në jetën e tyre.

Janë të paktë njerëzit e kupolës shqupase që nuk janë përfshirë në punë të errëta dhe që nuk qëndrojnë pas shumë ngjarjeve fatale. Një farsë elite politike që, më shumë se gjithçka tjetër mendon për të ardhmen e saj, dhe që, të mbetur në mëshirën e mendjes së Palokës, Ristanit apo të Nokës, përmes njerëzve të saj në institucionet e drejtësisë, ka të dhënat e duhura se jo shumë larg mund të jenë objekt hetimi dhe gjykimi.

Prokuroria është në fillesën e shkëputjes nga ndikimi dhe zotërimi i tyre. Duhet të jetë shumë i vëmendshëm një pjesëtar i strukturave të drejtësisë që haptas, si më parë, të shfaqet si pjesë e politikës dërmuese dhe zhvatëse të shqupasve. Ose që ka vendosur të jetë një kamikaz dhe shpërblyes i ndereve që u kanë bërë shqupasit.

Disa nga gjyqtarët e emëruar nga selia blu janë ende nën dhunën e dosjeve të përgatitura për ta dhe që gjenden në një zyrë ku e dinë fare mirë edhe se çfarë përmbajnë. Lëvizjet e ndonjë gjyqtari për të gjetur apo sajuar mbetje përgjimesh nuk janë më të panjohura. Ky ka qenë edhe ndër shanset e pakta që kishin shpresuar.

Ata e mbajtën gjashtë muaj "përgjimin" të fshehur, e mbajtën në sirtarë dhe në këto gjashtë muaj, përmes një strukture policore ilegale që kanë krijuar, vunë nën përgjim Agron Xhafën, Fatmir Xhafën, si ministër i Brendshëm, disa ministra dhe deputetë, vetë shefin e qeverisë, dhe fakti që edhe sot e kësaj dite deklarojnë pa ngurruar se janë jashtë ligjit në veprimtari ilegale për partitë politike se, shumë shpejt, do të publikojmë video të reja.

Çfarë është kjo strukturë: repart fashist, strukturë mafioze, organizatë politike apo një njësi e komanduar nga veriu kundër shtetit shqiptar?

Këtë do e themi në vazhdimin e këtij shkrimi.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more