Skip to main content

“Mjeshtëria e shitjes (16): Pikat kryesore gjatë komunikimit me klientin” plus 2 more Telegrafi Opinione

“Mjeshtëria e shitjes (16): Pikat kryesore gjatë komunikimit me klientin” plus 2 more Telegrafi Opinione


Mjeshtëria e shitjes (16): Pikat kryesore gjatë komunikimit me klientin

Posted: 21 May 2018 12:39 AM PDT

Ka shumë detaje të rëndësishme për sukses në shitje, gjatë komunikimit me klientin. Te çdo kontakt, me çdo klient, ka potenciale për shitje, madje edhe në rastet kur ju veç mundoheni të lini përshtypje të mirë në shërbimin ndaj klientit. Për t'ia dalë mbanë, ka qasje se si t'i hapet rruga drejt shitjes dhe se si të mbahen klientët pranë – për kohë të gjata.

Sipas hulumtimeve, njerëzit që do të qëndrojnë në biznes dhe që do të përparojnë në të ardhmen janë ata që gjatë komunikimit kanë kujdes të veçantë në përmirësimin e aftësive të tyre. Nëse i merrni parasysh gjashtë udhëzimet e mëposhtme dhe e bëni secilën prej tyre pjesë të përditshme të imazhit dhe të të bërit biznes, ju jo vetëm që do ta begatoni veten dhe biznesin tuaj, por do ta ndërtoni një bazë referimi të cilën do ta ndjekin edhe të tjerët:

1. Mirësjellja: Më të mirët në shitje janë punëtorët me mirësjellje. Ata janë të kujdesshëm për veprimet dhe fjalorin e tyre. Shoqëria jonë po ndryshon vazhdimisht, si dhe pritjet e saj për sjellje ndaj biznesit. Mjerisht ato pritje shpesh ulen, por njerëzit më të paguar në biznes janë të sjellshëm, kanë shumë kujdes me fjalorin e tyre që të mos fyejnë vlerat e njerëzve me të cilët flasin.

2. Interesimi: Njerëzit duan ta dinë sesa jeni të interesuar për të shërbyer e për të ndihmuar që klienti të jetë i lumtur me shërbimin ose produktin që e ofroni. Vetëm atëherë ai do të pranojë raport të gjatë afarist me ju. Ata duan ta ndjejnë këtë interesim të sinqertë, e jo si shumë të tjerë që e shohin klientin veç si euro në sytë e tyre. Nëse një person mendon se keni nevojë për shitje dhe ai e ndjen presionin që i bëhet për të blerë një produkt, nuk do të jetë i gatshëm të angazhohet në blerje; do t’ju kundërshtojë, sepse e dëshiron interesimin tuaj për të.

3.Përkushtimi: Kjo mungon sot shumë në biznes. Njerëzit nuk janë të gatshëm të angazhohen dhe të përkushtohen për t’u bërë më të mirët në industritë e tyre. Për këtë duhet të jenë të gatshëm të dalin jashtë balancës, që një ditë të kenë ekuilibër të plotë. Ekuilibri duhet, por përgjatë ndërtimit të biznesit duhet të jeni të gatshëm të kaloni disa kohë edhe jashtë bilancit. Kjo do të thotë: nëse keni një familje, duhet të uleni me anëtarët e familjes dhe të thoni: “Do të kalojmë 24 muaj me më shumë kohë në përpjekjet për zhvillimin e biznesit . Duhet ta krijojmë një biznes profesionalisht të fortë ku dhe familja do të përfitojë që të kemi më shumë kohë për njeri-tjetrin. Kjo do të ndodhë, sepse jemi të gatshëm ta japim përkushtimin maksimal për sukses".

4. Kompetenca: Njerëzit kërkojnë kompetencë dhe e meritojnë atë. Klientët presin që ju të jeni ekspert në punën që bëni. Ata duan që ju të njihni produktin apo shërbimin; ata duan të mbështeten në profesionalizmin tuaj.

5.Konsistenca: Secili profesionist i mirë është konsistent. Ata profesionistë e dinë saktësisht se sa kontakte kanë nevojë të bëjnë çdo ditë; ata e dinë saktësisht numrin e thirrjeve – pikërisht numrin e njerëzve që do të bëjnë vizita. Kjo do të rezultojë në më shumë produkte të shitura.

6. Kreativiteti: Njerëzit që bëjnë më të mirën janë kreativë. Me fjalë të tjera, nëse e kanë një sfidë, ata e kapërcejnë duke qenë kreativ. Nëse diçka është e gabuar në jetët e tyre, ata e trajtojnë atë në mënyrë kreative. Nëse nuk arrini të shitni, mos u dëshpëroni. Thjeshtë, bëhuni më kreativ.

Duke u përqendruar në nevojat e blerësve tuaj dhe duke u dhënë atyre shërbimin e duhur që meritojnë, do të zhvilloni një karrierë që do t’ju mbështesë juve gjatë gjithë jetës!

Për më tepër informacione, pyetje, për trajnime individuale ose të dedikuara për kompaninë tuaj, mund të më kontaktoni në adresat e mëposhtme:
Email: denis.gafuri@smardonline.com
Twitter: @DenisGafuri
LinkedIn:
https://www.linkedin.com/in/denis-gafuri-1a174334
Facebook: https://www.facebook.com/denis.gafuri

The post Mjeshtëria e shitjes (16): Pikat kryesore gjatë komunikimit me klientin appeared first on Telegrafi.

Pse Shkupi dhe Athina këmbëngulin për emër sllav

Posted: 21 May 2018 12:11 AM PDT

Rezultati i bisedimeve të gjata natën e 16 majit dhe ditën e 17 majit midis kryeministrit maqedonas Zoran Zaev dhe kryeministrit grek Aleksis Cipras, që u takuan… në Sofje në kuadër të samitit BE-Ballkani Perëndimor, ishte njoftimi se dy kryeministrat gjetën gjuhën e përbashkët për emrin e ri të shtetit të quajtur ndërkombëtarisht FYROM. Gazeta greke "Kathimerini" njoftonte në 18 maj se burime qeveritare në Shkup bëjnë të ditur se kryeministri Zoran Zaev i ka propozuar homologut grek emrin kompozitë "Republika e Maqedonisë së Ilindenit" gjatë bisedimeve me të në kryeqytetin bullgar. Emrin e mësipërm po e lakojnë si gjetje të re të gjitha mediat maqedonase dhe greke. Portali grek "Protothema" shkruante në 18 maj se qeveria e FYROM-it ka propozuar emrin "Republika e Maqedonisë së Ilindenit" dhe pala greke e ka pritur propozimin me një dritë pozitive. Të dy kryeministrat njoftuan se do të takojnë presidentët dhe do të mbledhin liderët e partive politike për të paraqitur propozimin e ri.

Duket se të dy kryeministrat duhet të kenë arritur një shkallë të lartë dakordimi dhe me sa duket janë në prag të deklarimit publik të zgjidhjes, përderisa Cipras deklaroi se pret zgjidhjen deri muajin tjetër, përpara samitit të qershorit të BE. Kurse kryeministri maqedonas ishte më entuziast, sepse deklaroi se "diskutuam zgjidhjen kreative që pala maqedonase ka paraqitur në fazën e fundit të bisedimeve. Nga sot miqësia midis Maqedonisë dhe Greqisë është më e fuqishme".

Dalja e kryeministrit të Maqedonisë me këtë prononcim entuziast publik në konferencë shtypi tregon se jo vetëm mund të jetë arritur një marrëveshje midis dy kryeministrave, por edhe se të dy ata kanë gjetur një interes të përbashkët edhe dypalësh, edhe rajonal. Kënaqësia diplomatike në të dy kryeqytetet buron nga fakti se të dy kryeministrat janë bashkuar në idenë që FYROM të pagëzohet me një emër sllav dhe konkretisht "Republika e Maqedonisë së Ilindenit". Është një emër fetar sllav "Shën Ilija", që merr referencën nga një kryengritje e popullsisë sllave në vitin 1903 kundër perandorisë osmane dhe që zgjati disa ditë. Dita e Ilindenit përfaqëson një ngjarje historike, të cilën e cilësojnë të veten dhe e festojnë edhe Bullgaria, edhe Maqedonia, ndonëse në atë kohë nuk ekzistonte një entitet politik me emrin "Maqedoni", të cilin e shpiku Serbia. Kaq ngushtësisht është i lidhur emri Ilinden me historinë e Bullgarisë dhe të Maqedonisë, sa që zëvendëskryeministri dhe ministër i Mbrojtjes i Bullgarisë Krasimir Karakaçanov deklaroi në 18 maj lidhur me emrin e ri se "Ne nuk na pengon ky emër. Në 1 gusht të vitit të kaluar nënshkruam Traktatin Bullgari-Maqedoni, që na obligon të festojmë së bashku festat e përbashkëta. Ilinden është dita e kryengritjes më të madhe. Nëse dy vendet bien dakord për emrin "Maqedonia e Ilindenit" për ne nuk ka asnjë problem".

Pra, një datë, që është e përbashkët për historinë e dy shteteve sllave, Bullgarisë dhe Maqedonisë, del si propozim për emër i shtetit të deritashëm FYROM. Pra, kemi një emër ekskluzivisht, tipikisht dhe emocionalisht sllav dhe është e qartë se Shkupi me këtë qëllim ia ka paraqitur si propozim Athinës. Nuk është e rastit që deri në takimin e Sofjes propozimi më i pranuar nga të dy palët ishte emri sllav "Gorna Makedonija". Pas tij, del në plan të parë prapë një emër sllav "Maqedonia e Ilindenit". Tendenca diplomatike e të dy qeverive është e qartë për sllavizimin publik të shtetit të Shkupit.

Athina e ka pranuar me dëshirë këtë propozim të Shkupit, sepse jo vetëm justifikon veten për pengesën 25 vjeçare që i ka bërë emrit të shtetit fqinj të veriut, por edhe sepse Greqia fiton një pozicion dhe epërsi diplomatike me këtë hap të ri. Suksesi grek është se Athina pagëzon ligjërisht shtetin fqinj me një emër sllav dhe e bën atë shtet të jetë në borxh politik dhe diplomatik ndaj Greqisë. Greqia ndihmon të hipotekohet në listën e anëtarëve të OKB përkatësia e këtij shteti si pronë vetëm sllave. Ky është edhe çelësi i intrigës diplomatike dypalëshe dhe shpjegimi i faktit përse Shkupi dhe Athina këmbëngulin për emrin sllav të shtetit të FYROM-it.

Për klasën politike maqedonase është e kuptueshme se emri "Republika e Maqedonisë së Ilindenit" e lidh jo vetëm përkatësinë, por edhe me një ngjarje të veçantë historike, e cila ka të bëjë vetëm me historinë dhe me popullsinë sllave. Maqedonia merr me këtë emër tapinë sllave dhe kjo mund të cilësohet fitore nacionaliste e kryeministrit Zaev në planin diplomatik dhe në planin e brendshëm politik dhe ndëretnik. Emri sllav sanksionon shtetin njënacional maqedonas dhe populli shqiptar fshihet nga barazia e pjesëmarrjes dhe e vendimmarrjes së shtetit. Ndaj në mediat greke dhe maqedonase është theksuar ditët e fundit se opozita nacionaliste maqedonase VMRO-DPMNE mund ta pranojë këtë propozim.

Greqia, duke pranuar emrin tipikisht sllav të këtij shteti, me një gur vret tre zogj. Së pari, fiton epërsi dhe pozicion paternalist mbi Maqedoninë, së cilës i dhuron një tapi shumë të vlefshme për Shkupin, por që Athinës nuk i kushton asgjë. Së dyti, merr me të mirë dhe ndërmerr një gjest miqësie ndaj Bullgarisë, së cilës i përfshin një ngjarje historike në emrin e shtetit të Shkupit. Dihet se Bullgaria kishte shprehur zyrtarisht kundërshtimin e saj ndaj çdo emri gjeografik të Maqedonisë. Së treti, Athina godet dhe dobëson faktorin shqiptar në Maqedoni, të cilit i heq të drejtën e ligjshme të pronësisë së shtetit afër gjysmës së popullsisë nëpërmjet emrit historik sllav. Greqia fiton, gjithashtu, një pozitë më të fortë diplomatike në bisedimet e saj në zhvillim e sipër me Shqipërinë, sepse zgjidhja me Maqedoninë i jep Athinës një kartë të re presioni mbi Tiranën.

Emri i ri sllav "Republika e Maqedonisë së Ilindenit" është në kundërshtim me karakterin demokratik të një shteti multinacional, multifetar dhe multikulturor. Ai neglizhon praninë, të drejtat dhe interesat e popullit shqiptar në Maqedoni. Nuk ka ende informacion se cili është qëndrimi i partive politike shqiptare, në qeveri ose jo, lidhur me emrin e ri sllav. Është e papranueshme që faktori shqiptar të përjashtohet nga procesi i vendimmarrjes shtetërore lidhur me çështjen e emrit. Mendimi im është se partitë politike shqiptare dhe faktori shqiptar nuk duhet ta pranojnë as në qeveri dhe as në parlament një emër sllav të shtetit, që u sanksionon atyre statusin e qiraxhiut apo të qytetarit të kategorisë së dytë. Faktori shqiptar nuk duhet të hutohet nga disa opinione naive, sipas të cilave Ilindeni u takon edhe shqiptarëve, meqë në kryengritjen e asaj kohe ka pasur edhe disa shqiptarë pjesëmarrës. Ilindeni është histori dhe festë bullgare dhe maqedonase. Nuk ka qenë dhe nuk mund të bëhet artificialisht histori shqiptare.

Nuk ka asnjë informacion se cili është qëndrimi zyrtar i Tiranës, e cila nuk mund të vazhdojë me indiferencën ndaj çështjes së emrit sllav të shtetit, i cili cenon direkt interesat jetike të popullit shqiptar në Maqedoni. Tirana nuk mund të përdorë si alibi të heshtjes së saj tezën se rëndësi ka zgjidhja e emrit, sepse hyn Maqedonia në BE dhe në NATO, pavarësisht se po hyn si shtet i maqedonasve. Në datën 26 mars 2018 në analizën botuar në këtë gazetë, me titull "Emri sllav i Maqedonisë-tapi për pronësinë maqedonase", kam shkruar : "Shqipëria duhet të shprehet me forcë kundër çdo emri sllav të Maqedonisë. Është e pakuptueshme përse diplomacia shqiptare gjatë gjithë këtyre dekadave nuk është prononcuar kurrë se për çfarë emri është dakord ajo".

Secili shtet duhet të shohë interesin e tij shtetëror dhe kombëtar dhe ky interes shtetëror e kombëtar kërkon që shteti dhe diplomacia shqiptare duhet të jenë në veprim të vazhdueshëm për të kundërshtuar tendencën e sllavizimit të shtetit fqinj dhe të nëpërkëmbjes së të drejtave të popullit shqiptar në Maqedoni.

The post Pse Shkupi dhe Athina këmbëngulin për emër sllav appeared first on Telegrafi.

Nafta vazhdon ta rrotullojë botën

Posted: 21 May 2018 12:07 AM PDT

Ditëve të fundit kanë filluar ca të ngriten çmimet e karburanteve në Kosovë, rajon dhe më gjerë, aspekt ky i padëshirueshëm për shfrytëzuesit e saj. Nga pamundësia për të përcjell lëvizjet e çmimeve të naftës në bursa e tregje, qytetari i rëndomtë informatën e parë për rritje/ulje çmimi e merr rëndom në pikat e shitjes së karburanteve. Dhe, në momentin kur qytetari përballet me rritje të çmimit, atëherë kjo pashmangshëm shkakton pakënaqësi ekonomike me pasoja sociale, sepse energjia së bashku me ushqimin dhe ujin janë tre faktorët jetikë për njerëzimin dhe kur këto tregje lëvizin ose debalancohen, atëherë është xhepi i qytetarëve ai që pëson ashtu sikundër që pësojnë ekonomitë anekënd globit.

Pyetja që u intereson qytetarëve dhe afaristëve që shfrytëzojnë karburantet në baza ditore, është se pse kanë filluar të rriten çmimet. Se çfarë është duke ndodhur me çmime të karburanteve në SHBA, Kanada, Rusi, Iran, Arabi Saudite, Irak, Azerbajxhan, një qytetari të rëndomtë në Kosovë mund të mos i bëjë shumë përshtypje, kur e dimë që gjeografikisht jemi shumë larg këtyre zonave që vlojnë nga "ari i zi". Por, realiteti është krejt ndryshe: janë pikërisht zhvillimet në politikat energjetike nëpër vendet prodhuese të naftës ato që ndezin dhe fikin motorët e zhvillimit global.

Shikuar në aspektin global, rritja e çmimeve të naftës është në favor të vendeve që zhvillimin e tyre ekonomik e kanë të bazuar në burime energjetike. Por, kjo rritje nuk duhet të shkojë pafund, sepse mund të bëhet e papërballueshme. E, ekonomitë prodhimit të naftës quhen konservative sepse zhvillimin ekonomik nuk e bazojnë në inovacion, por në resurse nëntokësore. Këto vende janë, ndër të tjera, Rusia, Arabia Saudite, Kuvajti, Iraku, Irani, Venezuela, Nigeria, Libia etj. Ndërkohë, burime energjetike të theksuara kanë edhe Kanada e SHBA-të, Norvegjia etj., por ekonomitë e tyre nuk bazohen vetëm në burime energjetike.

Bota në dukje është paqësore në shumicën e pjesëve të saj, por lufta ekonomike për burime dhe tregje energjetike asnjëherë nuk është ndalur dhe as që do të ndalet ndonjëherë. Dhe, duke jetuar nën këto konstelacione ndërkombëtare të paqëndrueshme, shtetet e vogla nuk mund të jenë imune ndaj lëvizjeve të çmimeve të derivateve, ashtu siç nuk mund të jenë as shtetet e mëdha në raste të caktuara.

Nuk është aspak çudi që të bie një qeveri p.sh. në Ballkan apo në ndonjë pjesë të botës si rezultat i rritjes së çmimeve të naftës në glob. Kjo sepse rritja e çmimit të naftës mund të bëhet e papërballueshme për qytetarët e vendit apo vendeve të prekura. Rritja e çmimeve të naftës ndikon edhe në rritjen e çmimeve të artikujve të konsumit, e kjo automatikisht zvogëlon fuqinë blerëse të shtresave të varfra, rrit pakënaqësinë e popullsisë dhe në të shumtën e rasteve shkakton greva, protesta dhe rënie të qeverive. Kur çmimet e derivateve bëhen të papërballueshme, atëherë ekonomia paralizohet e kjo mund të rezultojë edhe me kolaps shteti.

Nuk është aspak çudi që një rritje e prodhimit të naftës nga të gjitha shtetet prodhuese të botës do të debalanconte seriozisht tregjet globale dhe do të mund ta rrëzonte p.sh. qeverinë në Rusi, Arabi Saudite apo Iran, kjo sepse oferta do të rritej shumë në krahasim me kërkesën për naftë e si rezultat i saj këto vende do të duhej të zvogëlonin eksportin. E kur zvogëlohet eksporti bie prodhimi, kur bie prodhimi, bien të hyrat vjetore dhe me këtë fillojnë pakënaqësitë e përgjithshme qytetare përfshirë trazira të dhunshme që mund të paralizojnë shtetin apo shtetet e prekura.

Nuk është e rastësishme që Rusia dhe Arabia Saudite, në bashkëpunim me aleatët e tyre të OPEC-ut (Organization of Petroleum-Exporting Countries) kanë filluar që të kufizojnë prodhimin e naftës që nga janari i viti 2017. Dhe qëllimi këtu nuk është për të rritur çmimet sesa për të zvogëluar sasitë e depozituara globale të naftës. Ndërkohë, që prej 2014 deri në 2017, Rusia bashkë me Arabinë Saudite dhe vende tjera e rritën prodhimin me qëllim të uljes së çmimit të naftës dhe për të ulur prodhimin e naftës nga SHBA-të dhe Kanada në mënyrë që të uleshin fitimet për këto dy shtete. Si Rusia ashtu edhe Arabia Saudite janë duke bërë përpjekje në të gjitha drejtimet përfshirë presionin diplomatik në OPEC për të vazhduar me zvogëlimin e prodhimit të naftës edhe gjatë vitit 2018. Ndërsa, pati vendosur që ky zvogëlim prodhimi të zgjaste jo më shumë se deri në mars 2018, OPEC-u ka udhëzuar që të rriten çmimet e naftës duke ulur prodhimin nga 2.5 në 1.6 milionë barela për ditë.

Në tërë këtë 'katrahurë' prodhimi e çmimesh të naftës e luftë tregjesh anekënd globit, secili mega-prodhues është duke u munduar ta gjejë veten me qëllim të stabilizimit të çmimeve në tregje dhe stabilizimit të ekonomive të tyre. Arabia Saudite e Rusia janë duke shfrytëzuar rezervat shtetërore për të mbajtur GDP-në stabile si rezultat i rënies së eksporteve të naftës dhe çmimeve bashkë me to. E pikërisht këto dy shtete janë të interesuara në ribalancimin e tregjeve të naftës për të siguruar stabilitetin e nevojshëm ekonomik edhe ashtu të luhatshëm.

Kriza e tregjeve të naftës ka zbehur dukshëm popullaritetin e presidentit rus Vladimir Putin dhe një ribalancim i tregjeve të naftës do t'i ndihmonte atij ta mbante autoritetin e tij gjallë. Mbetet të shihet nëse kjo do të funksionojë pa elemente represive.

Se si do të lëvizin çmimet e naftës në të ardhmen është e vështirë të shihet me saktësi. Por, ajo çfarë shihet në horizont është fakti që vende si Kina, India, Brazili, Azia Juglindore, Pakistani etj., do të shënojnë rritje të importeve të naftës si rezultat i rritjeve ekonomike gjithandej. Ndërsa, nevoja për naftë në Perëndim do të jetë e njëtrajtshme me tendencë zvogëlimi importesh si rezultat i zëvendësimit të naftës me energji alternative dhe si rezultat i politikave inovative që do ta përshkojnë perëndimin e pasur gjithandej.

Një gjë është e sigurt, nëse shtetet, ekonomitë e të cilave varen nga burimet energjetike, si Rusia, Arabia Saudite, Venezuela, Irani etj., nuk do të mund t'i arrijnë projeksionet e parapara nëpër buxhetet vjetore të tyre, atëherë për pasojë do të përballeshin me zvogëlim të të hyrave dhe rritjes së krizave qeveritare gjithandej.

Sipas një studimi të OPEC-ut, përqindja e burimeve energjetike në glob në vitin 2000 ndahej kështu: nafta 40.1% dhe gazi 23.3%; në vitin 2010, naftë 38.7% dhe gaz 25.7%; në vitin 2025, nafta 36.9% dhe gazi 29.9%. Meqë jetojmë në kontinentin e Evropës, atëherë ne si qytetarë të Kosovës, shikuar zhvillimet dhe trendet përreth nuk pritet të përballemi me ndonjë rritje drastike të çmimeve të naftës. Por, sigurisht që lëvizjet e çmimeve të naftës në bursa dhe tregje nëpër botë nuk do të mund të kalojnë pa u ndjerë edhe te ne. E kjo dëshmon më së miri që nafta do të vazhdojë ta rrokullisë botën edhe në të ardhmen.

The post Nafta vazhdon ta rrotullojë botën appeared first on Telegrafi.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more