Skip to main content

“Griezmann, mbreti i Europës që vlen 100 milionë euro, por kur ishte fëmijë askush nuk e donte” plus 9 more - Gazeta Dita

“Griezmann, mbreti i Europës që vlen 100 milionë euro, por kur ishte fëmijë askush nuk e donte” plus 9 more - Gazeta Dita


Griezmann, mbreti i Europës që vlen 100 milionë euro, por kur ishte fëmijë askush nuk e donte

Posted: 18 May 2018 03:03 AM PDT

 

Nuk e donte askush, asnjëri! Lyon i dashur, St.Etienne, Auxerre, Sochaux dhe Metz. Të gjithë e kishin pasur në provë Antonie Griezmann dhe të gjithë e kthyen në shtëpi: "Shumë i brishtë".

Montpellier besoi pak më shumë, por vetëm pak: sa për ta marrë në një turne ndërkombëtar në Paris, luajtur në qendrën sportive të PSG, në "Camp des Loges", atje ku "ia vodhi" Real Sociedad.

Ia vodhi është një term disi i ekzagjeruar. Skuadra spanjolle, për të marrë Antonie u përball vetëm me burokracinë franceze, që nuk lejon një fëmijë të emigrojë pa praninë e prindërve.

Zgjidhja erdhi nga Eric Olhats, ai që e pa në "Camp des Loges" dhe u dashura me aftësitë e tij.

Jetonte në Bayonne dhe kisha në klub një djalë që bënte çdo ditë rrugën nga qyteti francez në kufi me Spanjën deri në San Sebastian. Atij iu bashkua edhe Antonie. Në mëngjes në shkollë dhe pasdite, pas një ore rrugë me makinë, shkonte në Zubieta për t'u stërvitur. Ishte viti 2005 dhe Grizmann ishte 14 vjeç.

Më në fund po realizohej ëndrra e të gjithë familjes, që ishte "e sëmurë" pas futbollit. Gjyshi nga mamaja, Amaro Lopes, portugez, kishte luajtur me Paços de Ferreira, përpara se të emigronte në fshatin francez Macon, 70 kilometra larg Lionit, ku punonte si murator. Atje lindi e ëma e Antonie që u martua me një tjetër futbollist, i cili më pas u bë drejtor i Union Foot.

Maconnaise ishte skuadra ku nisi të luajë "princi i vogël". Babë e bir ishin tifozë të çmendur pas OL dhe kush e di se çfarë kanë menduar drejtuesit e Lyon kur e panë të mërkurën në mbrëmje duke shkatërruar Marseille, në finalen e Europa League.

Një rast "miopie" të përgjithshme, shumë i veçantë, pak a shumë si jeta dhe veprat e familjes Griezmann. Rruga drejt suksesit ka qenë e gjitha me grope, të mbushura me ujë.

Te Sociedad luante pak. Talenti ekzistonte, por fiziku nuk ia lejonte.

Kjo deri në pranverën e vitit 2009, kur në një turne ndërkombëtar U-19, Antonie shpërtheu dhe u shpall golashënuesi më i mirë. Finalja ishte pikërisht kundër Atletico Madrid.

Në atë verë, si pasojë e fatit që ktheu dhe një serie dëmtimesh, fitoi një vend te skuadra e parë, pavarësisht se shumë të tjerë niseshin të favorizuar nga ai. Trajneri ishte Martin Lasarte, uruguaiani që te Nacional i kishte dhënë mundësinë e debutimit dikujt të quajtur Luis Suarez.

Griezmann ecën mirë, por në vjeshtë një skandal seksual përfshin njeriun që e zbuloi, Eric Olhats, babai shpirtëror, vëllai dhe frymëzuesi i Antonie. Një prind e denoncoi për mesazhet që i kishte nisur djalit të tij 13 vjeç dhe një gjykatë e dënoi me 3 muaj heqje lirie dhe e ndaloi për 10 vjet që të merrej me sportistët nën 18 vjeç.

Griezmann u largua nga Olhats, i cili gjithsesi u shpall i pafajshëm në apel, 11 muaj më pas.

Eric dhe Antoine bashkohen sërish dhe nuk do të ndahem më deri në verën e kaluar. Kaluan së bashku edhe krizën me kombëtaren pasi në tetor 2021, Griezmann u arratis bashkë me Niang, Mvila dhe Ben Yedder nga pika e grumbullimit të Francës U-21. 400 kilometra në taksi për një natë të shfrenuar për tre lojtarët  e ri, tre ditë para ndeshjes me Norvegjinë, sfidë vendimtare që blutë e humbën dhe mbetën jashtë Euro U-21. Griezmann u skualifikua për 13 muaj nga Federata Franceze e Futbollit. Në mars 2014 dënimi u fal dhe Deschamps e grumbulloi në kombëtaren "A".

Nga ndarja me menaxherin Olhats, familja e tij kujdeset për Grizmann. Babai i tij ka nisur kontaktet për transferimin te Barcelona, ndërsa e motra Maud, merret me marrëdhënien me publikun.

Edhe ajo ka një histori për të treguar, duke qenë se i shpëtoi mrekullisht atentatit terrorist në teatrin Bataclan në Paris, në nëntor 2015.

Griezmann donte të shkonte me çdo kushte te Atletico Madrid dhe në vitin 2014 nuk u nda mirë me klubin e Real Sociedad. Vitin e kaluar e kërkoi me ngulm Manchester United, por ai bëri një pakt me Atletico. Duke qenë se spanjollët ishin dënuar nga FIFA dhe nuk mund të bënin merkato, atëherë ai vendosi të qëndrojë duke marrë premtimin se do të shitej në verën 2018.

Tani Barcelona duket se do të jetë klubi që më 1 korrik do të paguajë klauzolën për blerjen e tij: 100 milionë euro. "Nuk është koha për të folur për të ardhmen," – tha Griezmann pasi ngriti trofeun e Europa League, por fëmija që nuk e donte askush e ka kuptuar që tani vlen sa një thesar.

Përgjimi i PD, Alibeaj, Bardhi dhe Salianji të hënën në prokurori

Posted: 18 May 2018 02:49 AM PDT

Prokuroria e Përgjithshme ka vendosur të thërrasë ditën e hënë tre zyrtarët e PD që publikuan audiopërgjimin, ku sipas tyre vëllai i ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj, Agron Xhafaj, bisedon me  "bashkëpunëtorin X" për pazare droge.

Shkresa e Prokurorisë, që specifikon ditën e hënë të 21 majit në orën 10:00, ka mbërritur në selinë e PD dhe kërkon të paraqiten pranë organit të akuzës deputetët Ervin Salianji, Enkelejd Alibeaj dhe zyrtari Gazmend Bardhi.

Ata do të pyeten nga prokurorët P. Kulluri dhe G.Osmanaj.

o.j/dita

Pogradec, përplaset për vdekje 18-vjeçari

Posted: 18 May 2018 02:40 AM PDT

Një 18-vjeçar ka humbur jetën pasi është përplasur për vdekje nga një mjet. Informacionet paraprake policore bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur në aksin rrugor Çërravë-Pogradec.

"Më datë 18.05.2018, jemi njoftuar se në fshatin Çërravë-Pogradec, ka ndodhur një aksident ku mjeti tip "Benz" me targa AA009JJ, me drejtues shtetasin K.P, banues në Korçë, ka aksidentuar me pasojë vdekje shtetasin A.H, rreth 18 vjeç, banues në fshatin Çërravë, këmbësor në rrugë. Drejtuesi i mjetit ndodhet i shoqëruar në Komisariat për veprime të mëtejshme proceduriale. Po punohet për zbardhjen e rrethanave të aksidentit", njofton policia.

o.j/dita

Si kanë ndryshuar shkëmbimet ekonomike Shqipëri-Turqi: Eksportet shënojnë rënie, importet rritje

Posted: 18 May 2018 02:38 AM PDT

 

Gjatë muajve të fundit Shqipëria ka njohur një rritje të importeve nga Turqia ndërsa eksportet kanë shënuar rënie.

Referuar të dhënave të tregtisë së jashtme të publikuara nga INSTAT, rezulton se në prill të vitit 2018 Shqipëria ka importuar nga Turqia 4.6 miliardë lekë mallra duke shënuar një rritje me më shumë se 400 milion lekë krahasuar me prillin e vitit të kaluar.

E në kuadrin e katërmujorit janar-prill, rezulton se shkëmbimet kanë qenë në total 16.3 miliardë lekë, duke shënuar një rritje me 1.3 miliardë lekë krahasuar me periudhën janar-prill të vitit 2017.

Ndryshe nga sa ka ndodhur me importet, eksportet kanë shënuar rënie.

Të dhënat e INSTAT dëshmojnë se në prill të këtij viti Shqipëria ka eksportuar 76 milion lekë mallra më pak drejt Turqisë.

Edhe në rang katërmujori, në periudhën janar-prill 2017 Shqipëria ka shënuar një rënie të eksporteve drejt Turqisë me 200 milion lekë, shkruan Scan.

a.s/dita

Vlorë, gjendet i pajetë një i ri te sheshi i ‘Flamurit’

Posted: 18 May 2018 02:38 AM PDT

Një i ri është gjetur i pajetë ditën e sotme pranë Monumentit të Pavarësisë në Vlorë.

Sipas policisë, i riu nuk ka shenja dhune, por dyshohet se është përdorues i lëndëve narkotike.

Nga të dhënat e para, dyshohet se viktima mund të ketë vrarë veten. Ai është identifikuar si shtetasi A.Y.

o.j/dita

Loni Papa i Cucës së Maleve

Posted: 18 May 2018 02:36 AM PDT

Loni Papa është ndër të parët shkrimtarë i njohur i Myzeqesë së Lushnjes. I lindur më 28 mars të vitit 1932 në Bubullimë të rrethit të Lushnjës, djali i vetëm i Thoma Papës (Thomajit që kishte mbaruar për mësues në Normalen e Elbasanit), mësimet e para i mori në vendlindje. Këtu le të hapim një parantezë: Erdhi një kohë që në Bubullimë të kishte rreth dyqintë arsimtarë të dalë nga radhët e banorëve të saj. Kishte mjaft familje me pesë, gjashtë e deri me shtatë mësues. Familja e Thomajit përbëhej nga katër të tillë: Thomaj, Loni (edhe pse e ushtroi pak vite këtë profesion), Ollga, e cila arriti deri pedagoge në Institutin e Lartë Bujqësor të Kamzës, si dhe Liljana.

Shkollën shtatëvjeçare Loni e kreu në Elbasan. Në vijim vazhdoi arsimin e mesëm në Shkollën Pedagogjike "17 Nëntori" të Tiranës, ndërsa studimet e larta do t'í ndiqte në degën Gjuhë – Letërsi shqipe në fakultetin Histori – Filologji të Universitetit të Tiranës, duke qënë ndër universitarët e parë të rrethit të Lushnjës.

Me talent të spikatur që në rininë e hershme, djaloshi nga Bubullima do të botonte rregullisht në gazetën "Zëri i Rinisë". Duke u bërë i afirmuar si krijues, me mbarimin e shkollës së mesme, ndërkohë që ishte fare i ri në moshë, emrohet redaktor në këtë gazetë, ku punoi vetëm për tre vjet. Tashmë do të dërgohej në qytetin e Lushnjes, ku shërbeu si mësues i gjuhës dhe i letërsisë shqipe. Sakaq, vazhdoi të krijojë e të botojë në mënyrë sistematike. I shquar ndër moshatarët e vetë, tashmë anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve të Shqipërisë, ftohet në Tiranë për të rinisur punën si redaktor dhe gazetar në "Zëri i Rinisë".

Gjatë periudhës që ndërtohej prej vullnetarëve të rinisë hekurudha Rrogozhinë – Fier shkrimtari Loni Papa drejtoi gazetën periodike "Vullnetari".

Prej vitit 1970 e për mjaft kohë në vijim vazhdoi veprimtarinë e vetë si shkrimtar në profesion të lirë.

Mbas ndryshimit të sistemit politiko – ekonomik të vendit, në vitet 1994 – 2001 shkrimtari i mirënjohur myzeqar krijoi dhe drejtoi Shtëpinë Botuese "Ardita". Po gjatë këtyre viteve botoi disa nga veprat e veta, disa libra të autorëve të tjerë shqiptarë, si dhe disa përkthime nga autorë të huaj.

Kur themi Loni Papa menjëherë kujtojmë dramën "Cuca e maleve"

Çdo shkrimtar, poet apo prozator, gjatë veprimtarisë së tij krijuese ka një kulm të krijimtarisë së vetë. Shkrimtari Loni Papa mori emër të shquar që kur ishte tridhjetë e pesë vjeç falë dramës "Cuca e maleve". Tema ishte e përzgjedhur: përpjekjet për arsimimin dhe për emancipimin e Shoqërisë, sidomos të shoqeve menjëherë mbas çlirimit të Shqipërisë.

E vënë së pari në skenë në Teatrin "Migjeni" të Shkodrës nga trupa e këtij Teatri me regjisor Mihal Luarasin, shfaqja u prit me shumë interesim nga artdashësit shkodranë dhe ishte kjo arsyeja që ajo u dha shumë herë gjatë atij viti.

Siç tregon vet Loni, edhe drama "Cuca e maleve" ka një histori të saj. U paraqit për t'u vënë në skenë në Teatrin Popullor, por… nisën ngurimet! Qendroi mjaft kohë në tavolinën e dramaturgut, sikurse qendroi po kaq gjatë edhe në sirtarët e disa prej atyre që kishin dëshirë ta shikonin të vënë në skenë. U desh guximi i Mihal Luarasit që drama të merte jetë në skenën e Shkodrës.

Njëmbëdhjetë vjet më vonë, domethënë në vitin 1967, drama "Cuca e maleve" u vu në skenën e Teatrit Popullor nga regjisori i madh, Piro Mani. Janë të shumtë ata që e kujtojnë atë kohë, kur kjo shfaqje vazhdoi të jepej gjatë, dhjetëra herë. Roli i Cucës u luajt nga tre aktore shumë të njohura: Roza Xhuxha (Anagnosti), Edi Luarasi dhe Antoneta Papapavli.

E pritur shumë mirë nga spektatorët e shumtë dhe, nisur nga vlerat e larta ideo – artistike, dramës "Cuca e maleve", iu dha Çmimi i Republikës së Shkallës së Dytë.

Bazuar në subjektin e dramës "Cuca e maleve", katër vjet më vonë, pikërisht më 1970 u krijua baleti "Cuca e maleve" me libret të autorëve Loni Papa e Agron Aliaj. Ky balet me muzikë të kompozitorit Nikolla Zoraqi u vu në skenën e Teatrit të Operas e Baletit Shqiptar nga koreografi i shkëlqyer, Agron Aliaj. Ky balet është ekranizuar në formën e një filmi muzikor me regjisor Dhimitër Anagnostin në vitin 1974 dhe është pasqyruar disa herë në filatelinë shqiptare të asaj kohe.

Si drama, edhe baleti "Cuca e maleve" janë shfaqur dhe pritur shumë mirë si brenda, ashtu edhe jashtë Shqipërisë.

U zgjatëm te drama "Cuca e maleve", por kjo nuk është e vetmja si e tillë e këtij autori. "Cuca e maleve", (që është përkthyer edhe në frengjisht), u pasua nga dramat "Kalimi në urë" (1969), "Marga" (1971), e cila është vlerësuar me çmimin e parë në një konkurs kombëtar, "Një copë rrugë" (vënë në skenë nga Teatri Popullor)  (1976), "Gurët e Kreshanës" (1976), "Zbatharakët" (1976) etj.

Në një vëllim të titulluar "Gjeniu i marrëzisë" (2003), dramaturgu myzeqar ka përfshirë pesë drama: "Çafka e detit" , "Arda", "Vozabërësi Dako", "Martesa e Lidrës" dhe "Gjeniu i marrëzisë".

Po kështu, ka botuar edhe dramat "Etiketa e shkulur"" dhe  "Baltë dhe bar".

Zbritur me mjeshtëri në botën e madhe të fëmijëve

Të shkruash për fëmijët nuk do të thotë ta ulësh stekën e krijimtarisë letrare. Përkundrazi, të marrësh përsipër të krijosh prodhimtari letrare për të vegjlit duhet të matesh mirë. Të matesh mirë, sepse fëmijët janë të vegjël nga mosha, por kurrësesi nga kërkesat dhe shijet. Pa provo t'u vesh në duar një libër të dobët! Do të shfletojnë faqet e para dhe veç të shikosh se si do ta lenë menjanë.Të gjithë jemi dëshmitarë të faktit, se si fëmijët ndjekin me kërshëri një pjesë interesante skenike, por ama zhurmojnë në një rast tjetër, kur do të jenë duke ndjekur një pjesë të dobët.

Ja, pikërisht këto ka mbajtur parasysh shkrimtari Loni Papa teksa është ulur për të shkruar për fëmijët. Në vitin 1957, kur ishte njëzet e pesë vjeç, botoi vëllimin e parë për fëmijë me titullin "Historia e maçokut". U prit shumë mirë. Ministria e Arsimit e asaj kohe e përfshiu në librat shkollorë, që do të shfrytëzoheshin nga nxënësit për lexim jashtë klase. Në vitin 1964 botoi novelën "Ne, gjahtarët e fshatit dhe Lica jonë e dashur". Edhe ky vëllim u botua në mijëra kopje, dhe, sikundër vëllimi i mëparshëm, edhe ky u shpërnda në të gjitha shkollat e Republikës për t'u shfrytëzuar nga shkollarët si lexime jashtë klase.

Shkrimtari Loni Papa nuk mbeti thjeshtë autor për fëmijë, por mendoi e krijoi edhe për lexuesit e rritur të sistemit shkollor. Në vitin 1974 botoi novelën "Miu që hëngri macen", ndërsa katër vjet më pas u dërgoi lexuesve shkollorë novelën tjetër me titull "Gishto trimi". Por nuk mbeti këtu, por vazhdoi më tej. Kështu, gjashtë vjet më pas lexuesit në moshë të vogël i dhuroi librin "Rosat e Eglës".

E veçanta e krijimtarisë për fëmijë e Loni Papës është mendimi i sinqertë dhe ndjenja e ngrohtë, me të cilat autori ka zbritur në botën e paanë të të vegjëlve. Stili i zhdërvjelltë dhe gjuha e pasur dhe e pastër kanë bërë që veprat për fëmijë të këtij shkrimtari të lexohen me shumë kënaqësi edhe nga të rriturit.

Zellin dhe pasionin për t'u marrë me krijimtari letrare për fëmijë, Loni Papa e vazhdoi edhe mbas viteve nëntëdhjetë. Të këtyre viteve janë librat "Hundëçipët dhe mbreti Kuku (novelë", (1993), "Përralla fluturuese (rrëfenja)", (1994), " Kënga e mjellmës (rrëfenja)", (1995), "Gomari mendjehollë" (1995), "Tri motrat (rrëfenjë)", 1996), "Floçka Ardë (rrëfenjë), (1997) etj.

Po mbas viteve nëntëdhjetë ky shkrimtar myzeqar ka botuar edhe 7 drama e komedi për fëmijë, ku përmblidhen: "Laura dhe vëllezërit","Motrat", "Lojë luftash", "Fyelli magjik"(komedi), "Bariu dhe Dhëmbëhekuri", "Gëzofi i Erlës", "Dac Maçi" (komedi).

Edhe në kapërcyell të dy shekujve, në rrugën e krijimtarisë

Viti nëntëdhjetenjë dramaturgun e mirënjohur Loni Papa e gjeti pesëdhjetë e nëntë vjeç. Mund ta konsideronte të mbyllur kapitullin e krijimtarisë së vetë: Tërë jetën shkrova e botova prozë e poezi, për fëmijë e për të rritur; shkrova fabula, por edhe novela e romane, shkrova skenarë filmash për fëmijë e përgatita radiodramatizime, shkrova kritikë letrare, studime etj., etj.,  dhe… mjaft!

Por nuk mendoi kështu. E ndjente së brëndshmi se kishte ende shumë se ç'mund të jepte. Zjarri që i qe flakëruar që në rini vazhdonte t'i mbetej i ndezur. Dhe ia nisi punës, natyrisht tashmë me një vrull të shpenguar, për botime të reja në disa zhanre. E filloi me krijimin e Ndërmarrjes Botuese "Ardita".

Përvoja e gjatë në botën e botimeve i dha mundësi Lonit që të shkelte në rrugë të reja krijuese, por jo në drejtim të padijtur. Ndërsa punonte e punonte, oponent të veprës së vetë pranonte vetëm ndërgjegjen e tij. Ndryshe nga mjaft të tjerë, që hapën krahët dhe nisën fluturimin pa menduar se ku do të mund të qendronin, ky autor nuk i shkëputi këmbët nga toka. E njihte mirë lexuesin. Duke e njohur, dëshironte edhe ta respektonte, duke i dërguar një vepër letrare me nivel sa më të lartë artistik, por edhe me mesazhe të qarta atdhetare.

Mbas një pune tejet të kujdesshme, në vitin 2000 do t'i dërgonte lexuesit romanin "Megi". Në vazhdim do të botonte vëllimet me rrëfenja "Përralla fluturuese" (1994) dhe "Kënga e mjellmës" (1995). Këto do të pasoheshin edhe nga vëllime të tjera me rrëfenja, siç ishin "Tri motrat" (1996), "Floçka Ardë" (1997) etj. Në këto e në të tjera vepra letrare ndihet Loni "tjetër"', por edhe Loni i Cucës së maleve. Themi "tjetër"", sepse subjektet i ndriçonte nga drita e lëshuar prej këndvështrimeve më interesante.

Dashurisë së kahershme, domethënë krijimtarisë për fëmijët nuk do t'i ndahej edhe në kapërcyell të dy shekujve. Kështu, periudhës së mbas vitit 1991 ai do të botonte vëllimet "Gomari mendjehollë" (1995), si dhe shtatë drama e komedi për fëmijë (2004), ku përmblidhen: "Laura dhe vëllezërit","Motrat", "Lojë luftash", "Fyelli magjik"(komedi), "Bariu dhe Dhëmbëhekuri", "Gëzofi i Erlës", "Dac Maçi" (komedi) etj.

Shkrimtar me interesa të gjëra intelektuale

 Krahas veprimtarisë së mirëfilltë letraro – artistike, Loni Papa është marë edhe me kritikë letrare e deri edhe me studime të mirëfillta në fushë të letërsisë. Të kësaj natyre janë shënimet e botuara në kohë të ndryshme në mjaft organe shtypi. Ky shkrimtar nuk ka qendruar i mbyllur në kullën e vetë të krijimtarisë, por e ka hedhur vështrimin edhe te të tjerë krijues, duke u nxjerrë në pah vlera ideore e artistike. Interesant është shënimi letrar "Thërrime nga jeta e një poeti", kushtuar Migjenit, botuar në revistën "Nëntori", nr. 8, viti 1962. Duke qënë, si të thuash, pjesëtar i kastës së atyre që shkruanin drama, por që edhe i vinin në skenë, ky shkrimtar ka botuar në vitin 1968 në revistën "Ylli" shkrimin studimor "Paradoksi"", kushtuar Artistit të Popullit, Kadri Roshi.

Ndërkohë, ka shkruar studime me shumë vlerë për disa nga krijuesit letrarë të periudhës së Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare. Interesant është shkrimi "Metafora dhe uni i një poeti", kushtuar Dhimitër Minos, poet dëshmor 22-vjeçar, botuar në revistën "Nëntori", nr. 9 të vitit 1986. Le të kujtojmë këtu, se ky dëshmor është nga vendlindja e Lonit, të cilin (Dhimitrin) ka të ngjarë ta ketë njohur që kur ishin fëmijë.

Prurje cilësore në fushën letrare sjellin edhe shumë shkrime të tjera të karakterit studimor, si ato që kanë të bëjnë me "Mesazhi filozofik", botuar në revistën "Skena dhe Ekrani", nr. 1, 1987. Të tilla prurje sjellin edhe studimet "Vegim", kushtuar Artistit të Popullit Serafin Fanko, botuar në revistën "Skena dhe Ekrani", nr. 1, 1988. "Eja,  moj, ka ardhë Kola", kushtuar dramaturgut Kolë Jakova, botuar në revistën "Skena dhe Ekrani", nr.3, 1988. "Në jetën e dytë", kushtuar aktores Marije Logoreci, botuar në revistën "Nëntori", nr. 8, 1988 e të tjera e të tjera.

Janë edhe shumë e shumë shkrime të tjera të karakterit kritikë letrare, botuar në gazetat "Drita"", Zëri i Rinisë" etj., me anën e të cilave Loni ka inkurajuar talentet e reja për hapa të mëtejshme në fushë të krijimtarisë letrare.

I nderuar si njëri, i respektuar si krijues

Dramaturgu i mirënjohur Loni Papa ka mbetur një intelektual shumë i respektuar jo vetëm në vendlindjen e vetë, por edhe në Lushnje, në mbarë krahinën e Myzeqesë dhe nga një rreth i gjërë shkrimtarësh e artistësh. Dhe është e natyrshme të ndodhë kështu. Mijëra e mijëra nxënës kanë qënë e janë lexues të rregullt të veprës së tij për fëmijë. Mijëra e mijëra njerëz, madje edher jashtë vendit, kanë duartrokitur dramën dhe baletin "Cuca e maleve". Nuk janë të paktë ata që kanë pasur rast të kenë në duar veprat letrare të këtij shkrimtari.

Çdo produkt, sidomos ato letraro – artistike, marrin vlerë kur pranohen si pronë e njerëzve. Veprat e këtij krijuesi kanë, në radhë të parë, sinqeritet. Sepse autori bën fjalë deri edhe për duar dhe baltë. Nisur nga këto vlera të  larta që mishërojnë në vetvete mjaft nga krijimet e tij letrare, këtij shkrimtari i janë bërë disa vlerësime të larta. Kështu, drama "Cuca e maleve" është vlerësuar në vitin 1972 me Çmimin e Republikës të Shkallës së Dytë. Drama tjetër, "Marga", ka merituar Çmimin e Parë në Konkursin Kombëtar Letraro – Artistik, konkurs ky i organizuar me rastin e njëzetepesëvjetorit të çlirimit të Atdheut.

Ndërkohë, është nderuar nga ana e ish Presidiumit të Kuvendit Popullor me Urdhërin  e Punës të Klasit të Dytë për pjesëmarrje aktive si gazetar në veprat kombëtare "Hekurudha Rrogozhinë – Fier" dhe "Rruga e Dritës Kukës – Peshkopi".

Edhe Këshilli Bashkiak i Lushnjës në vitin 2006 e ka nderuar me titullin e lartë "Qytetar Nderi i Lushnjës".

I thjeshtë e, për më tepër, i heshtur – tipik myzeqar, Loni Papa mbetet një shkrimtar që mban vendin e vetë të merituar, përligjur përmes veprave me vlerë që botoi në gjysmën e dytë të shekullit të njëzetë.

 

Kursi i këmbimit: Euro vazhdon në qëndrueshmëri, ndryshime në tregun e dollarit amerikan

Posted: 18 May 2018 02:33 AM PDT

 

Në tregun valutor vendas, euro qëndrueshëm sot blihet me 127 lekë dhe shitet me 128 lekë.

Dollari amerikan sot gjithashtu blihet me 107.30 lekë dhe shitet me 108.20 lekë.

Ekspertët parashikojnë ndryshime në tregun e dollarit amerikan dhe ka mundësi që të shikojmë dhe rënie drejt nivelit 106.50 lekë.

Paundi britanik blihet me 145.00 lekë dhe shitet me 146.00 lekë, por ka potencial për rritje të mëtejshme.

a.s/dita

Ekipi i futbollit kthehet në Kakavijë, kryq në pasaportë kapitenit

Posted: 18 May 2018 02:31 AM PDT

Stafi dhe lojtarët e një ekipi futbolli amator janë kthyer mbrapsht në doganën e Kakavijës nga pala greke.

Ekipi i futbollit Antigonea ishte nisur për një ndeshje miqësore në ishullin e Greqisë Skopelo.

Sipas sportistëve nuk u është dhënë asnjë arsye serioze nga autoritetet greke për kthimin.

Madje kapitenit të ekipit i është vendosur kryq në pasaportë, duke ia bërë ta pavlefshme.

o.j/dita

Trazirat e Iranit dhe kolapsi i Venezuelës e ngrenë çmimin e naftës mbi 80 dollarë për fuçi

Posted: 18 May 2018 02:19 AM PDT

 

Sanksionet e reja amerikane që do të godasin industrinë energjetike të Iranit dhe pasojat e kolapsit ekonomik të Venezuelës, kanë ngritur frikën lidhur me furnizimin global me naftë, duke rritur kështu çmimet, me mbi 80 dollarë për fuçi, për herë të parë në pothuajse katër vjet.

Brent ka qenë në rritje edhe para se Donald Trump, president i SHBA, të njoftojë tërheqjen e SHBA nga marrëveshja bërthamore e Iranit dhe të rivendoste kufizimet mbi eksportet iraniane të naftës më parë këtë muaj, çmimet janë rritur më shumë se 40 për qind gjatë vitit të kaluar, shkruan FT sot, sipas Monitor.

Por perspektiva e më pak fuçive të naftës nga Irani dhe problemeve ekonomike të Venezuelës, kanë ndikuar në rritjen e brentit. Reuters sot raporton se treguesit referencë për naftën e papërpunuar europiane, Brent, u rritën me 0.14 për qind dhe u tregtuan me 79.40 dollarë amerikanë për fuçi. Ndërsa treguesit referencë për naftën e papërpunuar amerikane, ËTI, u rritën me 0.3 për qind ose me 24 cent dhe u tregtuan me 71.73 dollarë amerikanë për fuçi.

Këto presione, në krye të shkurtimeve të arritura të prodhimit nga Opec dhe Rusia dhe një rritje e konsumit të naftës të nxitur nga një ekonomi globale më e shëndetshme, kanë bindur disa investitorë se çmimet mund të shkojnë edhe më të larta.

"Gjeopolitika sigurisht që luan një rol të rëndësishëm në mbajtjen nën kontroll të çmimeve, por zhvillimet kryesore tregojnë për humbje reale të furnizimit, jo vetëm rreziqe që nuk mund të materializohen", tha Richard Mallinson në aspektin e konsulencës së energjisë.

Furnizimet e naftës në Venezuelë kanë rënë më shpejt se shumë analistë që kishin parashikuar, teksa kriza politike dhe ekonomike e mbajnë sektorin e energjisë të bllokuar, me një sërë urdhrash të gjykatës që autorizonin konfiskimet e aseteve dhe pengonin eksportet e këtij vendi.

Përveç kësaj, shumë investitorë kanë qenë duke llogaritur në një revitalizim të industrisë së naftës në Iran, me mbështetjen e investimeve perëndimore, për të përmirësuar infrastrukturën e saj të vjetër, duke shpresuar kështu në një rritje të furnizimit global. Por kërcënimi i kësaj jave nga Total, grupi francez që ka udhëhequr grupet e huaja në Iran, për të dalë jashtë vendit, ka bërë një plan të tillë të pamundur.

Irani ka nevojë për më shumë se 100 miliardë dollarë investime të huaja dhe teknologji të re, për të zgjeruar industrinë e naftës dhe gazit gjatë një periudhe afatgjatë.

Disa analistë të industrisë, siç janë ato në Bankën e Amerikës, kanë parashikuar një rritje në gati 100 dollarë për fuçi. Kjo ka nxitur pyetjet nëse prodhuesit e Opec do të vendosin të dalin nga marrëveshja e shkurtuar e furnizimit që ka qenë në fuqi, që nga viti i kaluar.

Arabia Saudite, udhëheqësi de facto i Opec, ka thënë se do të punojë me prodhuesit e tjerë për të lehtësuar çdo mungesë furnizimi. Por njerëzit e informuar nga ministria e energjisë thonë për FT se Arabia ngurron të hapë 'çezmat' nga frika se mund të shkaktojë rënien e çmimeve të rinovuara. Një tjetër person tha se vendet arabe të Gjirit po monitoronin çmimet mesatare të vitit të shkuar, përpara se të vepronin.

a.s/dita

Hahn: “Perspektivë e hapur” për Ballkanin Perëndimor

Posted: 18 May 2018 02:10 AM PDT

 

BE ripërtërin në samitin e Ballkanit në Sofje premtime të vjetra: anëtarësim, por të bëhen detyrat.

Se kur do të ndodhë kjo, këtë Komisari i zgjerimit të BE, Johannes Hahn nuk mundi ta thotë në intervistë me DW.

Deutsche Welle: Zoti Komisar, BE u ofron gjashtë shteteve ballkanike në "Deklaratën e Sofjes" një perspektivë evropiane, por jo anëtarësim. A mjafton kjo?

Johannes Hahn: Këtu në Sofje ne përqendrohemi te "konektiviteti", pra në ato fusha, ku mund të zgjerojmë lidhjet në infrastrukturë, në sektorin e energjisë dhe në ofertat digjitale me njëri-tjetrin.

Kjo ndikon edhe në një lidhje më të ngushtë me Bashkimin Evropian. Me këtë perspektivë evropiane ne ofrojmë investime shumë konkrete në infrastrukturë.

A nuk shkoni me këtë një hap më pas premtimeve tuaja, që i dhatë 15 vjet më parë në Selanik, pikërisht për zgjerimin?

Jo, ne kemi strategjinë e Ballkanit Perëndimor, të cilën e kemi publikuar në shkurt. Ajo tregon qartë një perspektivë evropiane për të gjitha këto shtete. Por ende duhet bërë shumë. Ne jemi në shkëmbim të vazhdueshëm dhe në bashkëpunim me shtetet. Disa kanë ecur më shpejt se të tjera, të gjithë kanë bërë përparime. Një aspekt shumë i rëndësishëm është që këto shtete të përgatiten për një anëtarësim të ardhshëm në BE edhe në infrastrukturë. Ne po punojmë për një zonë rajonale të tregtisë së lirë, që do t’u mundësojë shteteve që të kenë marrëdhënie më të mira tregtare me njëra-tjetrën.

Synimi është që të rritet rendimenti ekonomik i të gjithë kandidatëve, që ata të bëhen më solidë dhe rezistencë dhe më të aftë për konkurrencë në Evropë.

Shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë edhe një sërë konfliktesh për të zgjidhur me njëri-tjetrin. Le të marrim si shembull grindjes midis Serbisë dhe Kosovës për njohjen e Kosovës si shtet. Si mund të ndihmojë BE që t’i zgjidhë këto konflikte?

Besoj se horizonti i një perspektive evropiane shkakton në rajon një lëvizje shumë të fortë në çështjet politike në rajon. Ne sapo kemi parë që ishte e mundur të zgjidhet një konflikt kufitar pas dy vjetësh e gjysmë midis Kosovës dhe Malit të Zi. Duket se do të kemi së shpejti një zgjidhje në grindjen për emrin e shtetit midis ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë (FYROM) dhe anëtares së BE, Greqi. Dinamika e ka shtyrë përpara edhe dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës.

Ne kemi thënë gjithmonë qartë dhe këtë e dinë të gjithë: nuk do të pranojmë asnjë anëtar të ri, pa u zgjidhur më parë të gjitha konfliktet bilaterale. Kjo ka bërë tashmë efekt.

Komisioni Evropian ka përmendur vitin 2025 si datë të mundshme anëtarësimi për Serbinë dhe Malin e Zi, po të ecin të gjitha sipas planit. Shtetet anëtare nuk e përmendin këtu në Sofje këtë datë. Pse jo?

Kjo ka qenë një lloj "date orientuese". Vendimet do të merren vetëm në takimin tonë të radhës të Bashkimit Evropian në fund të qershorit. Këtu bëhet fjalë vërtet për një datë të përkohshme, e cila duhet të tregojë seriozitetin dhe besueshmërinë e të gjithë procesit. Ne ndihemi të lidhur me detyrimet tona, por tani varet nga shtetet e Ballkanit që të arrijnë përparime.

Johannes Hahn është Komisar i Zgjerimit të BE dhe zhvillon negociatat e anëtarësimit me shtetet kandidate.

Intervistën e zhvilloi Bernd Riegert.

a.s/dita

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more