Skip to main content

“Bushati inspekton investimin 2.2 mln eurosh në Pukë” plus 9 more Gazeta SHQIP

“Bushati inspekton investimin 2.2 mln eurosh në Pukë” plus 9 more Gazeta SHQIP


Bushati inspekton investimin 2.2 mln eurosh në Pukë

Posted: 27 May 2018 01:21 AM PDT

Qeveria shqiptare ka ndërmarrë projektin për rikualifikimin urban të Bashkisë së Pukës, që parashikon rikonstruksionin e fasadave të ndërtesave përgjatë rrugës nga shëshi "Tërbuni" deri shërbimit spitalor; ndërtimin e një shëtitoreje përreth liqenit; një kënd lojërash për fëmijë dhe një amfiteatër.

I pranishëm në inspektimet e punimeve për rigjenerimin e shëtitores qendrore, që parashikohet të përfundojë brenda këtij viti, ka qenë edhe ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati, në cilësinë e drejtuesit politik të qarkut, së bashku me deputetë të zonës dhe kryebashkiakun e Pukës.

Bushati vlerësoi projektin, përfundimi i të cilit, sipas tij do të ndikojë në rigjallërimin e jetës në këtë qytet.

"Puka, çdo ditë e më shumë po ndryshon. Sistemi i rikualifikimit të banesave, pedonalja dhe projekti i liqenit do t'i japin një tjetër frymëmarrje Pukës", theksoi ministri i Jashtëm.

Kryetari i Bashkisë së Pukës, Gjon Gjonaj, nga ana e tij e falënderoi qeverinë shqiptare për investimin, që do të sjellë edhe rritjen e turizmit në këtë zonë.

Projekti për Bashkinë e Pukës është ndarë në dy faza, e para prej të cilave ka përfunduar. Gjatë saj janë kryer ndërtimi i pedonales së qytetit, çative të ndërtesave, ndriçimi dhe rivitalizimi i hapësirave të gjelbra dhe ndërtimi i shatërvanit në sheshin e qytetit.

Pas gati 30 vitesh, në Pukë po investohet sërish për t'i dhënë një fizionomi tjetër këtij qyteti, për ta bërë më tërheqës për qytetarët dhe vizitorët, për shfrytëzimin e potencialeve të turizmit apo agroturizmit.

27 maj 2018 (gazeta-Shqip.com)

Humori i mirë mund të parandalojë në plakjen e trurit

Posted: 27 May 2018 01:15 AM PDT

Të qenit i një natyre pozitive mund të ketë efekte "anti-plakje" në tru, duke ngadalësuar humbjen e aftësive mendore me kalimin e kohës.

Një studim sugjeron që, përkundrazi, vuajtjet nga çrregullimet depresive përshpejtojnë rënien njohëse. Hulumtimi u krye nga Darya Gaysina dhe Amber John nga Universiteti i Sussex dhe u botuan në revistën 'Psychological Medicine'.

Studimi është në fakt shqyrtimi i të dhënave të jo më pak se 34 veprave të botuara tashmë në këtë temë, për gjithsej 71 mijë persona të përfshirë.

Disa studime kanë treguar një lidhje midis çrregullimeve depresive dhe ndryshimeve anatomike-strukturore të trurit, madje edhe me uljen e volumit të disa zonave. Në këtë punë shkuam për të hetuar ndikimin e çrregullimeve depresive afatgjata në aftësitë mendore të individëve të cilat tashmë bien fiziologjikisht vit pas viti.

Në këtë studim u vu re që rënia kognitive e varur nga mosha është më e shpejtë në mesin e atyre që vuajnë nga çrregullime depresive ose nga depresioni i madh. Sipas autorëve, është një përparësi që sistemet shëndetësore të marrin sëmundjen mendore gjithnjë e më të përhapur (depresioni është një problem gjithnjë e më i përhapur që mund të ndikojë deri në një në pesë persona) për të ndihmuar në parandalimin e shumë rasteve të rënies njohëse dhe çmendurisë.

27 maj 2018 (gazeta-Shqip.com)

Salah rrezikon Botërorin. Klopp: Shpatulla, ose klavikula

Posted: 27 May 2018 01:11 AM PDT

Lotët e derdhura nga Mohamed Salah mbrëmjen e djeshme, ndoshta nuk ishin vetëm për humbjen e mundësisë për të dhënë kontributin e tij në finalen e parë të Champions League gjatë karrierës së tij, të cilën e braktisi pas vetëm 30 minutash.

Pas lotëve të tij duket se fshihej frika se do t'i duhet të heqë dorë edhe nga Botërori i parë në karrierën e egjiptianit, i cili mezi priste të luante me Egjiptin e tij në Rusi gjatë kësaj vere.

Këtë gjë duket se e ka konfirmuar edhe trajneri i Liverpoolit, Jurgen Klopp, në fjalën e mbajtur pas ndeshjes finale të Kievit.

"Dëmtimi i Salah është serioz, tashmë gjendet në spital për t'iu nënshtruar testeve. Ndoshta shpatulla, ndoshta klavikula, njëra prej të dyjave i është nxjerrë nga vendi. Botërori për të tashmë është në rrezik serioz".

Ish-sulmuesi i Romës u dëmtua gjatë pjesës së parë të sfidës ndaj Realit të Madridit, pas një gjesti tejet brutal të qendërmbrojtësit Sergio Ramos, e u detyrua të dilte mes dhimbjesh dhe lotësh nga fusha e blertë.

Pas ndihmës së shpejtë të dhënë nga stafi mjekësor i Liverpoolit, Salah tentoi të hynte në lojë, por e pa që e kishte të pamundur, për t'u zëvendësuar më pas nga Lallana.

27 maj 2018 (gazeta-Shqip.com)

Laçi-Skënderbeu ora 19:00, ekspertët përballë kampionëve

Posted: 27 May 2018 01:05 AM PDT

Nëse finalja e Kupës së Shqipërisë do të ishte një hotel luksi, Laçin do ta trajtonin si një klient të zakonshëm, kjo është hera e 4-t që e viziton në këto 5 vitet e fundit, hark kohor kur e ka fituar dy herë trofeun. Laçi ekspert i Kupës, me një marrëdhënie dashurie intensive me trofeun e dytë futbollistik për nga rëndësia në vend. Kupën, Skënderbeu nuk e ka fituar asnjëherë, është një trofe që deri vitin e kaluar nuk kishte arritur të ndizte shkëndijën e dashurisë në skuadrën korçare që ishte në finale edicionin e kaluar kur humbiste përballë Tiranës, por këtë vit gjërat janë ndryshe.

Skënderbeu kërkon  trofeun që i mungon në palmaresin e klubit dhe mbi të gjitha triumfin e dyfishtë në kampionat e Kupë, për t'i vënë  vulën më të mirë të mundshme një sezoni të dominuar në fushë, për të pritur më pas lajmet për Europën me ndërgjegjen e qetë dhe vetëdijen se në fushë ka bërë gjithçka mirë.

Për Ilir Dajën lajmi i mirë është prezenca e Ali Sowe në stërvitje, kryegolashënuesi i kampionatit është gati dhe do të jetë në finale, aty ku gjen terrenin ideal dikush tjetër nga sulmi i Skënderbeut, James Adenyi në finalen e 2015 shënonte në Qemal Stafa golin vendimtar që çonte trofeun në Laç.  Këtë të diel në Elbasan Arena do të bëjë gjithçka për ta fituar me Skënderbeun, kjo është padyshim një ndeshje e veçantë për të. Në kampin korçar Ilir Daja këto javët e fundit ka menaxhuar energjitë e titullarëve fiks enkas për këtë të diel dhe grupi është i plotë me përjashtim të Fidan Alitit, i grumbulluar me përfaqësuesen e Kosovës, ndërkohë që për Orges Shehin kjo mund të jetë ndeshja e fundit me fanellën e skuadrës ku ka fituar 7 tituj kampionë.

Grup i plotë në dispozicion edhe për Gentian Mezanin që me Laçin e tij, një skuadër me shumë të rinj, e futboll entuziazmues ka surprizuar duke bërë një kampionat vërtet të mirë dhe Europa është e garantuar, pavarësisht se si shkojnë gjërat në finalen e Elbasanit, por një mbyllje me trofe do të ishte padiskutim fundi më i lumtur për Laçin, dhe njëkohësisht një arrije e merituar për një trajner që mbërriti në kampin kurbinas mes skepticizmit, por me shumë punë e kokën ulur konfirmoi se është një ndër teknikët më të mirë të kampionatit shqiptar. Bilanci sezonal thotë dy fitore të Skënderbeut dhe dy të Laçit, ajo e fundit që la një shije veçanërisht të hidhur për Ilir Dajën, por kjo është një ndeshje tjetër, një finale Kupe ku gjithçka është për t'u fituar.

27 maj 2018 (gazeta-Shqip.com)

“Kim Jong-un i gatshëm për denuklearizimin dhe takimin me Trump”

Posted: 27 May 2018 12:59 AM PDT

Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-un rikonfirmoi angazhimin e tij për të përmbushur denuklearizimin e gadishullit Korean, si dhe për takimin e planifikuar me presidentin amerikan Donald Trump. Të paktën kështu shprehet presidenti koreano-jugor, Moon Jae-in.

Në Uashington, presidenti amerikan Trump la të kuptohej se përgatitjet për samitin e 12 qershorit me Kim Jong-unin ishin duke vijuar rregullisht, pavarësisht se ai anuloi takimin gjatë javës së fundit.

Moon dhe Kim ranë dakord gjatë një takimi të papritur të mbajtur gjatë së shtunës se samiti i mundshëm mes Koresë së Veriut dhe Amerikës duhet zhvilluar.

"Udhëheqësi Kim dhe unë kemi rënë dakord që samiti i 12 qershorit duhet zhvilluar dhe duhet të jetë i suksesshëm, ndërsa objektivi ynë për denuklearizimin e gadishullit Korean dhe për një regjim paqësor nuk duhet ndalur", tha Moon gjatë një konference për shtyp në Seul.

27 maj 2018 (gazeta-Shqip.com)

Itali, presidenti nën presion për të dekretuar ministrin euroskeptik

Posted: 27 May 2018 12:39 AM PDT

Partitë e koalicionit qeveritar në Itali e kthyen nga presidenti Sergio Mattarella presionin për të miratuar me çdo kusht kandidatin euroskeptik të tyre për ministër të Ekonomisë, duke thënë të shtunën se alternativa tjetër e kësaj do të ishte vetëm mbajtja e zgjedhjeve të reja.

Mattarella ka bllokuar momentalisht formimin e qeverisë, gjë që do t'i jepte fund krizës politike mbi 80-ditore, për shkak të shqetësimeve në lidhje me vullnetin e "Lega Nord"-it të ekstremit të djathtë dhe "Lëvizjes antiestablishment të 5 yjeve" për të emëruar si ministër të Ekonomisë 81-vjeçarin Paolo Savona.

Savona ka qenë një kritik i ashpër i Euros dhe i Bashkimit Europian, por gjithsesi ka kredenciale të shquara, për shkak se dikur ka mbajtur edhe rolin si ministëri Industrisë. Formalisht, kryeministri i mandatuar Giuseppe Conte i prezanton përbërjen e kabinetit qeveritar presidentit, i cili duhet t'ia miratojë më pas.

Conte, një profesor jurisprudence shumë pak i njohur dhe pa eksperiencë politike, u takua me presidentin të premten, por pa zgjidhur ngërçin.

"Shpresoj që askush të mos ketë zgjedhur alternativën 'Jo'", tha kreu i "Lega Nord"-it, Matteo Salvini, përpara mbështetësve të tij në veri të Italisë. "Qeveria, ose duhet të marrë frerët dhe të nisë punët në orët në vijim, ose t'u drejtohemi edhe njëherë kutive të votimit", tha ai.

Më pas, edhe udhëheqësi i "5 yjeve", Luigi Di Maio tha se priste që presidenti të merrte një vendim për mbështetjen e qeverisë brenda 24 orësh. Edhe kjo lëvizje antiestablishment e mbrojti kandidaturën e Savonës.

"Është një zgjedhje politike dhe, bllokimi i një zgjedhjeje minitrore është përtej rolit të presidentit", tha Alessandro di Battista, një prej politikanëve më të lartë të "5 yjeve".

Mattarella nuk ka folur publikisht për Savonën, por përmes ndihmësve të tij e ka bërë të qartë se nuk dëshiron një ministër Ekonomie antieuro dhe se nuk do të mund të pranonte "diktatin" e partive të koalicionit.

Kritikat e Savonës ndaj euros dhe politikave ekonomike gjermane kanë tronditur edhe më tej tregjet, gjithsesi të shqetësuara mbi vullnetin e qeverisë së ardhshme për të vënë dorë mbi borxhin masiv të Italisë, 1.3 herë më të lartë sesa prodhimi kombëtar vjetor.

27 maj 2018 (gazeta-Shqip.com)

Lëkundje tërmeti në Vlorë

Posted: 27 May 2018 12:37 AM PDT

Një tërmet me magnitutë 3.7 ballë i shkallës Rihter është ndjerë në jugperëndim të vendit.

Tërmeti është i radhës pas një sërë tërmetesh që lëkundën Vlorën gjatë kësaj jave që po lëmë pas.

Qendra Sizmologjike Europiane ka konfirmuar tërmetin me magnitudë 3.7 ballë, me epiqendër 14  kilometra nga Orikumi. Tërmeti ka qenë me një thellësi vetëm 2 kilometra. Nuk ka të dhëna për të lënduar apo dëme materiale.

27 maj 2018 (gazeta-Shqip.com)

Balerina e njohur i uron babait ditëlindjen në mënyrën më të bukur

Posted: 27 May 2018 12:26 AM PDT

Mbrëmë në programin "Dua të të bëj të lumtur" u trajtua një histori suksesi e cila kishte si bazë mirënjohjen e një vajze ndaj babait të saj. Kjo ishte historia e balerinës së njohur të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, Lori Bala.

Ajo kishte ftuar në program babain e saj, Xhevdetin për t'i uruar 70-vjetorin e lindjes dhe për ta falenderuar për gjithçka që ai kishte bërë për të.

Në studio Lori rrëfeu se babai i saj kishte ëndërruar gjithmonë që të ishte një balerin, por për shkak të një dëmtimi, ëndrra e tij ishte ndërprerë. Por që në fëmijëri Xhevdeti kishte transmetuar tek Lori ëndrrën e tij, e kishte mbështetur, i kishte qëndruar pranë që ajo të bëhej balerina e suksesshme që ne njohim sot.

Ndonëse e emocionuar dhe e përlotur, Lori iu drejtua babait të saj me këto fjalë: "Më ke qëndruar gjithmonë pranë, më ke bërë gjithmonë të lumtur. Sot mendova të të bëj unë të lumtur, meqë ti ke 70-vjetorin e lindjes. Të faleminderit që ekziston".

Xhevdeti u shpreh duke thënë se Lori ka qenë gjithmonë një fëmijë i shkathët dhe tepër e talentuar. Gjithashtu ai shtoi që i kishte qëndruar pranë në çdo moment sepse ky profesion kërkonte tepër punë dhe përkushtim.

Momenti që e emocionoi babain ishte letra e Lorit në të cilën shkruhej: "Ti gjithmonë do të jesh mbreti im dhe dua të them që do të ta kushtoj ty çdo hap që do të hedh deri ditën e fundit, sepse pa ty nuk do të isha kjo që jam sot".

27 maj 2018 (gazeta-Shqip.com)

Ekonomia në Rusi i ka punët keq

Posted: 27 May 2018 12:22 AM PDT

Dobësimi i kursit të rublës ka shkaktuar lëkundje serioze në ekonominë ruse. Shumë sipërmarrje gjermane bëjnë të ditur tërheqjen nga ky treg.

Shumë sipërmarrje gjermane e konsideronin tregun rus deri para disa vitesh si një prej tregjeve më të suksesshme. Por sektori i financave në Rusi i ka punët keq dhe në këtë mënyrë janë dëmtuar investorët, prodhuesit dhe tregtarët. Të gjithë ata kanë shpresuar vazhdimin e bumit ekonomik. Prej 24-26 maj në Rusi mbahet Forumi Ekonomik Ndërkombëtar (SPIEF), ku po marrin pjesë ekspertë dhe politikanë nga më shumë se 100 vende të ndryshme, ndër ta edhe nga Gjermania.

MediaMarkt shet përfaqësitë e saj

Pas 12 vitesh punë në Rusi, MediaMarkt ka vendosur të tërhiqet nga ky vend. Tregtuesi më i madh me paisje elektrike është i përfaqësuar në 14 vende të ndryshme të Evropës. Ceconomy AG, e cila e mbanë këtë rrjet të dyqaneve në Rusi, tani po përpiqet t’ia shes ate konkurrentit rus “M.Video”.

MediaMarkt ka mbyllur në muajt e fundit gjashtë filiala në Rusi, gati çdo të 10-tën. Kështu thuhet në raportin vjetor të kësaj sipërmarrje. Si shkak për tërheqje është dobësimi i Rublës ruse dhe rënia e përfitimeve në Rusi. Për shkak të sanksioneve amerikane ndaj Rusisë, të vendosura në prill, mendohet se Rusia nuk do të ketë këtë vit rritje ekonomike.

Otto dhe Quelle mbyllin online-shops

Gjiganti tregtar gjerman Otto Group do të largohet pjesërisht nga Rusia. Në prill koncerni ka bërë të ditur se këtë verë do t’i mbyllë dy online-shops: “otto.ru” dhe “quelle.ru”, që në Rusi veprojnë prej më shumë se 10 vjetësh. Otto Group kumtoi se mbyllja e këtyre dyqaneve online ka të bëjë me ndryshimet strategjike të koncernit. Një rol të rëndësishëm këtu luan edhe konkurrenca e shtuar ruse në tregun online. Ekspertët thonë se mbyllja e Online-Shops ka të bëjë megjithatë me dobësimin e Rublës dhe rritjen e çmimeve të prodhimeve gjermane në treg.

Otto Group ka probleme edhe me “bonprix.ru” dhe shitësin e tekstilit “Witt”, por ka vendosur që këto të mos i mbyllë. Punën do ta vazhdojë edhe “eSolutions” – sektori i shitjeve të logjistikës, marketingut dhe shërbimeve të IT.

Rusia nuk është më prioritet i Adidasit

Prodhuesi gjerman i pajisjeve sportive Adidas do ta reduktojë prezencën e vet në Rusi, varësisht nga zhvillimet në treg. Vendimi është marrë në vitin 2014, kur është regjistruar rënia e parë serioze e kursit të rublës. Pritjet e koncernit janë pesimiste. Adidasi e kishte shpallur Rusinë dhe vendet ish-sovjetike si prioritet në fillim të kësaj dekade – krahas Amerikës Latine dhe Kinës. Për një kohë të gjatë Adidasi ka shënuar atje fitime të mëdha, deri në 10% në vit. Por fitimi tani ka rënë në vetëm 3% dhe si pasojë vitin e kaluar janë mbyllur shumë dyqane. Në këtë rajon kanë mbetur edhe rreth 600 dyqane, ndërkohë që para disa vitesh kanë qenë 1.200.

Metro AG do të bëjë ndryshime

Metro AG u kthehet tregjeve Cash & Carry. Kjo sipërmarrje ka atje rreth 89 përfaqësi në 50 rajone të ndryshme të Rusisë por edhe në Krimenë e anektuar. Koncerni është aktiv në 25 vende të ndryshme dhe nuk përjashton madje që të shtohet numri i përfaqësive.

Në këtë rajon është investuar kaq shumë para sa që Metro AG nuk mund t’i lejojë vetes tërheqjen. Koncerni ka paraqitur në maj një plan për ndryshime të punëve në Rusi. Ai do të punojë në të ardhmen edhe me restorante, kafene dhe dyqane të vogla. Por edhe në fushën e Cash & Carry është shtuar dukshëm konkurrenca në Rusi.

27 maj 2018 (gazeta-Shqip.com) DW

Shokon Ronaldo: Ishte bukur të qëndroje në Madrid

Posted: 27 May 2018 12:15 AM PDT

Real Madrid është qiellin e shtatë, por në mesin e këtij gëzimi vjen një 'bombë' nga Ceistiano Ronaldo: javën tjetër do të jap një përgjigje pë të ardhmen time.

Ishte si një rrufe në qiell tē hapur deklarata e portugezit në përfundim të ndeshjes finale të Champions League. 'Ishte bukur tē ishe pjesë e këtij Reali, bëmë historinë. Në ditët e ardhshme do ti jap një përgjigje tifozëve që më kanë mbështetur. Tani është momenti qëtë festojmë' tha portugezi në përfundimin e ndeshjes.

Një lamtumirë e paralajmëruar apo një deklaratë e nxituar. Tifozët madrilenë kanë filluar të ndiejnë ankth, ndërsa shumë manaxherē klunesh mund tē nisin kontaktet. Në moshën 31 vjeçare portugezi mund të ketë nevojë për ndryshim, ashtu sikundër Real Madrid mund të kërkojë rinovimin e skuadrës.

27 maj 2018 (gazeta-Shqip.com)

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more