Skip to main content

“Bota e letrave qan vdekjen e Philip Rothit” plus 9 more - Gazeta Dita

“Bota e letrave qan vdekjen e Philip Rothit” plus 9 more - Gazeta Dita


Bota e letrave qan vdekjen e Philip Rothit

Posted: 26 May 2018 01:47 AM PDT

"Të hidhëruar dhe të mallëngjyer…" Kështu shprehet bota letrare për lajmin e vdekjes së Philip Rothit në të gjitha rrjetet sociale ku shkrimtarë, kritikë dhe lexues shprehën ngushëllimet dhe e kujtuan autorin 85 vjeçar amerikan.

Autorja Joyce Carol Oates, që ishte e lidhur me Rothin, ndau me publikun një intervistë që bëri bashkë me autorin në vitin 1974. "Ishim shumë të rinj atëherë, por Philip kishte një sasi të konsiderueshme punësh. Unë e kuptova që ishim shpirtra binjakë kur pashë që në murin e dhomës së shkrimit mbante Franc Kafkën, një foto identike me atë që mbaja unë. U prehtë në paqe!"

Autor tjetër që shprehu keqardhje në gazetën britanike "The Guardian" ishte Jonathan Safran Foer, i cili sinjalizoi se ndikimi i Roth është i krahasueshëm me autorë amerikanë të përmasave të Herman Melville dhe Emily Dickinson.

"Nëse do të kem nipër shpresoj që t'i lexojnë dhe që jetët e tyre të formësohen nga fjalët e tij ashtu siç ndodhi me timen. Ai ishte heroi im!"

Shkrimtarja dhe mikja personale e Rothit, Anne Margaret Daniel u shpreh për ndikimin e tij dhe se asnjë autor amerikan nuk kishte njohje më të pasur mbi historinë e vendit. Autorja sugjeroi se vepra e Rothit duhet të jetë pjesë e studimit të historisë amerikane të shek XX.

Një tjetër përfaqësues i letërsisë ishte edhe Gary Shteyngart: "Nuk do të ketë asnjë si ai".

Gazeta La Reppublica e përshkruan autorin si një shkrimtar me shpirt hebre që rrëfeu Amerikën. Autori spanjoll Juan Cruz tha se amerikani ishte shkrimtari që pushoi së shkruari kur i deshi qefi – raporton bota.al

The New York Times e përshkruan veprën e Rothit si imponuese dhe thotë se vepra e tij eksploron si askush tjetër epshin, judaizmin dhe Amerikën. The Washington Post rrëfen mbi ndikimin që provokoi një nga romanet e tij më të njohur "Ankimi i Portnoit", i cili skandalizoi dhe ndryshoi për gjithmonë letërsinë amerikane.

Gazetarja e francezes Le Monde, Josyane Sauvigneau, e cila ishte mike e afërt me autorin dhe që e kishte intervistuar shumë herë përgjatë karrierës së tij u shpreh: "Thonë se Philip Roth ka vdekur. Me siguri është gënjeshtër. Duhet të ketë çuar në varr ndonjë nga dublantët e tij".

"Nathan Zuckerman dhe David Kepesh janë të gjallë përgjithmonë në romanet e tij dhe aventura e bukur në Newark (New Jersey) filloi në 19 mars 1933 dhe përfundoi këtë të martë në 22 maj, në Nju Jork," – publikoi prestigjiozja e letërsisë kritike Livres franceze.

b.m. / dita

Çfarë është heterofonia

Posted: 26 May 2018 01:42 AM PDT

Heterofonia është formë muzikore e të kënduarit dhe të ekzekutuarit në grup, kur disa prej zërave ose instrumenteve krijojnë shmangie të pjesshme e të përkohshme nga vija kryesore melodike.

Është dukuri e lashtë muzikore dhe i ka prirë formimit të homofonisë e polifonisë.

Është ruajtur krahas tyre në forma rudimentare.

Në muzikën popullore shqiptare ndeshet ende në mjaft krijime tradicionale të të gjitha krahinave të vendit, kryesisht në repertorin e grave, si: në këngët rituale, vajet etj.

Nuanca heterofonike ruhen aty-këtu në shoqërimin instrumental të atyre këngëve të cilat këndohen me lahutë, çifiteli, sharki, bakllama etj.

b.m. / dita

“Më hoqën nga puna se isha i PD”, Rama: Nëse është e vërtetë të hënën kthehesh në punë

Posted: 26 May 2018 01:38 AM PDT

Gjate turit të llogaridhënies ditën e sotme në Berat, kryeministri Rama është përballur me disa nga shqetësimet dhe ankesat e qytetarëve.

Një prej tyre i ka kërkuar ndihmë ekonomike për të shkolluar të bijën, pasi para tre vitesh e kanë hequr nga puna duke i thënë se ishte i PD.

Qytetari: Më hoqën nga puna se "nuk je i joni se të ka futur PD në punë", vajza ime është nxënëse shumë e mirë, dhe do të vazhdojë shkollën, por familja ime nuk mundet pasi siç ju thash më keni larguar nga puna, ça ndihme mund të marrë familja ime në këtë rast? Kam qenë në administratë, në zyrën e IT, motivi ka qenë i thjeshtë, të ka futur  PD në punë.

Rama: Së pari më vjen keq nëse është e vërteta kështu. Problemi i trajtimit të pushtetit si një instrument për të uzurpuar në mënyrë partiake administratën, nuk është një problem që e kanë të tjerët dhe nuk e ka PS,  edhe PS ka qenë dhe është e prekur nga ky fenomen mizerabël. Edhe sot këta që kam në krah kur unë them që punës duhet ti gjejmë njeriun, këta mendojnë se e bëj vetëm për televizion. Nëse ke provë për këtë që thua, do kthehesh në punë ditën e hënë. Ne nuk mund ti ndajmë njerëzit në tanët dhe të atyre. maksimumi ditën e mërkurë ti do të jesh në punë, nëse kjo që the është e vërtetë.

o.j/dita

Tre çerek shekulli arsim në Karbunarin buzë Vjosës

Posted: 26 May 2018 01:31 AM PDT

Nga Xhevat Zenjelaj

Dihet që fshati i Karbunarit nuk ka pasur shkollë deri në pranverën e vitit 1943. Në Këshillin Antifashist me Telo Haxhiun -Kryetar dhe Dervish Mehmetin, Gjysh Selimin, Luto Dervishin e të tjerë, me ndihmën dhe orientimin e Namik Xhafës, si i ngarkuar nga Qarkori i Vlorës, u vendos të hapej për herë të parë në historinë e fshatit një klasë ku të mësonin bijtë e këtij komuniteti.

Kështu, më 25 maj 1943, në një nga mjediset e ish-xhamisë së vjetër të Brushkajve, u hap klasa e parë. Puna u nda midis burrave e grave. Nën kujdesin e aktivistëve të gruas dhe rinisë se fshatit si, Emine Bazaj, Sadihanë Xhafaj, Mahi Kasaj, Irfan Xhafaj, Rexhep Bazaj, Medin Skëndaj etj., u organizua pastrimi e sistemimi i një dhome si klasë. Burrat gjetën materialet dhe përgatitën dërrasën e zezë dhe stolat, duke përdorur copa binarësh e dërrasash të mbetura nga shtëpitë e djegura nga fashizmi pak më parë, më 14 prill 1943. Për nxirjen e dërrasës së zezë u përdor blozë e zierë, kurse për shkumës, u morën pjesë të forta (damar) të baltës së bardhë që përdorej në fshat për lyerjen e shtëpive, të cilat u "poqën" në zjarr. Ndërsa për të shkruar, me vështirësi u siguruan disa fletore dhe lapsa, të cilat u prenë përgjysmë, nga që nuk gjendeshin lehtë.

Kështu, më 26 maj 1943, u hap klasa e parë. Mësuesi që çeli dritaren e parë të dijes për komunitetin tonë ishte biri i tij, Fiqiri Maliq Xhafaj, i cili kishte mbaruar Normalen e Elbasanit. Ndërsa nxënësit e parë përmendim:Tajar Xhafaj, Myslym e Galip Hysaj, Elham Veizaj, Hodo Hodaj, Ali Mataj, Kadri Skëndaj, Xhezmi Xhafaj etj.

Vazhdoi viti i parë dhe kaluan disa muaj edhe nga viti i dyte, por në 10 maj1944 mësues Fiqiriu me 8 bashkëfshatarë të tjerë u arrestuan dhe internuan në Kampin famëkeq të Prishtinës deri në përfundim të Luftës.

Me çlirimin e vendit, në shkurt 1945 u hap klasa e parë dhe e dytë po në mjediset e mësipërme. Nxënësit e parë në to ishin Tajar e Bedri Xhafaj, Myslym-Galip e Neki Hysaj, Hodo Hodaj, Razi Dervishi, Nasho Haxhiraj, Myftar Veizaj, Ali Mataj, Kalo Danaj, Safet Danaj, Mato Kasaj, Hajdër Cenaj etj. Rëndësi të veçantë pati ulja në bangat e kësaj shkolle e vajzave të fshatit, si: Behije ZeqirXhafaj, FeruzeNesoHysaj, BexheteBegoRrapaj, MyqeremeHysniCenaj etj.

Në këtë fillim të ri patën nderin të ishin mësuesit, Fiqiri Xhafaj e Batjar Kasaj nga Armeni, të cilët u pasuan në vazhdimësi nga Burhan Ciraku, Ylmi Myrtaj nga Trevllazëri, Malo Agalliu, Çuman Beqiri, Aneta Shllaku nga Shkodra etj. Mësues Fiqiriu në vitin 1947 u largua familjarisht nga fshati.

Mësimi në këtë mjedis të ngushtë e provizor vazhdoi deri në vitin 1954, kur u ndërtua shkolla e re në lagjen Xhafaj, tek ish-makina e Vajit. Kësaj shkolle iu vu emri i dëshmorit të fshatit "Sabri Pelivani". Mësimi bëhej paralel me dy klasa. Për herë të parë atë vit dha mësim Hodo Hodaj, që kishte klasën e parë dhe të tretë. Në vazhdim jepnin mësim mësues nga fshatra e zona të tjera të rrethit, të tillë si: Fari Mezini, Ahmet Malo, Bektash Xhindolli, Kujtim Elmazi, Sabri Azizi, Faruk Mezini etj. Pozitiv është fakti se afërsisht në vitet 1957-'58 mbaruan arsimin e mesëm dhe erdhën si mësues në fshat Nasho Haxhiraj e Nezari Bazaj.

Në vitin 1960-'61 u ndërtua shkolla e re fillore me 4 klasa e dhomë mësuesish në truallin e TajarXhafajt, aty ku është sot. Mësues kanë qenë: Milto Gjini, Eftali Kajana, Mitat Samiu, SadikRoshi, Liri Bombaj, Dafina Rrapaj.

Me kalimin e viteve nxënësit u shtuan, por edhe nevoja për të vazhduar shkollën 7-vjeçare ndihej gjithnjë e më tepër. Në këto kushte nga vitet 1957-1964, përveç disa nxënësve qëkishin njerëzit e tyre në qytete ose qendra ku kishte shkollë të këtij cikli, një pjesë e bijve të këtij fshati kanë sakrifikuar për vazhdimin e 7-vjeçares nga Karbunari në Selenicë, rreth 7 km larg.Të tillë kanë qenë: Petrit Hodaj, Isuf Danaj, Bexhet Bejaj, Xhevat Zenjelaj, Ismet Manaj e mjaft të tjerë vit pas viti.

Me përpjekje e këmbëngulje nga ana e popullit dhe organizmave përfaqësuese të tij, me shtysën e  mësuesve dhe  kontributin e shtetit dhe të fshatit, në tetor 1964 u bë e mundur hapja e klasës së V-të të 7-vjeçares. Nga nxënësit e parë që patën fatin  të ulen në bangat e kësaj klase, ishin: Vladimir Hysaj, Bashkim Likaj, Malo Bejaj, Asllan Bazaj, Nizaete Xhafaj, Afërdita Zotaj, Cuman Resulaj, Ylman e Qani Lutaj, Kastriot Haxhiraj etj.

Në personelin mësimdhënës të kësaj periudhe do të përmendim, të parin djalë të komunitetit tonë që kishte mbaruar Institutin Pedagogjik, IsufDanaj, si dhe të tjerë, përveç Nashos dhe Hodos, ishin: Lena Petraj, Eftali Papa, Qirjakulla Danaj, Dhurata e Dhimosten Dhimo, Remzi Shtylla, Milo Dumi e Novruz Abileka, i cili do të bëhej drejtori i parë i shkollës sonë 7-vjeçare (1965-1967).

Në kuadrin e ndërtimeve nga tërmeti i 3 prillit 1969, në fshat u ndërtua nga themelet shkolla e re, tashmë 8-vjeçare me klasa të mjaftueshme për 120 nxënës të asaj kohe. Kishte dhomë mësuesish e mbi të gjitha, kabinete tëmatematik-fizikës, kimi-biologjisë dhe mjaftë materiale didaktike-mësimore për lëndët gjeografi, histori, gjuhë-letërsi etj., të cilat përbënin një risi për ngritjen e nivelit mësimor dhe përvetësimin e dijeve nga nxënësit etj.

Në shkollë vijuan të japin mësim mësues të ndryshëm si: Lek Tahiri, GjinovefaSelimi, Lefteri Babo, Zoi Dhamaj, Remzi e Violeta Nervaj, Suzana Meçaj, Gazmir Bora, Petrit Kapaj, Istref Fejzaj, Kujtim Qalliu, Ëngjëll e Dudë Anagnosti, Vasil Nesturi, Novruzete Lamaj, Lefteri Neli etj. Pozitiv është fakti se në vitin 1968 mbaroi Institutin Pedagogjik në Shkodër djali tjetër i fshatit, Kujtim Bazej, i cili u emërua edhe drejtor i kësaj shkolle për periudhën 1968-1970, pasuar nga HasanVeizi 1971-'73, Remzi Nervaj, 1974-76 e Sotir Simaku që drejtoi këtë institucion deri në fillim vitet '90.

Gjatë kësaj periudhe kontingjenti nxënësve arriti mbi 200 dhe personeli arsimor ishte më i zgjeruar. Në vazhdimësi erdhën dhe kontribuan në procesin e mësimdhënies: Lefter Hasani, Natasha Llanaj, Llazar Prifti, Luçiana Bici, Leonela Haxhiraj, Kujtim Sula, Pilo Luniku, Vladimir Halili, Pëllumb Brahimi, Laver Shoraj etj., që përmendëm më sipër, të cilët meritojnë mirënjohjen dhe falënderimet e komunitetit karbunaras për sakrificën e bërë dhe punën për edukimin e disa gjeneratave nxënës të këtij fshati të largët.

Me ndryshimet demokratike edhe mbarëvajtja e shkollës dhe kontingjenti i nxënësve pësuan luhatje. Megjithatë ndjenja arsimdashëse e karbunarasve, ashtu si edhe e popullit tonë, nuk u venit asnjëherë, pavarësisht kushteve ekonomike apo shoqërore-politike, sistemimit të një pjese të konsiderueshme të komunitetit në qytete e zona brenda vendit e jashtë tij, nga Karbunari kanë vazhduar shkollën e mesme në Selenicë dhjetëradjem e vajza  për të realizuar ëndrrën e tyre, ndjekjen e arsimit të lartë.

Në këto rrethana u desh të kompletohej personeli mësimdhënës me kontigjente të fshatit, kryesisht me arsim te mesëm e disa me arsim të lartë. Të tillë ishin: Lavdosh Agaj, Irena Xhafaj, Alketa Hysaj, Ylman e Hamide Lutaj, Aferdita Manaj, Halime Kasaj, Ardita Likaj, Zamir Dervishiaj, Virjon Mema, Aristidh Hysenaj, Klementina Zenjelaj, Patriot Meçaj, Kozeta Cenaj, Mimoza Birçaj, Selvi Avdulaj, AgurDanaj, Thëllëza Haxhiraj, Eneida Hysaj, Raimonda Danaj, Maksi Hysaj, Zare Xhafaj, Argita Cenaj, Sadihanë Xhafaj, Viktor Manaj, Epaminonda Sadiku etj.

Mbas viteve '90 shkollën e kanë drejtuar: Artur Hysaj, Ago Birçaj, Kastriot Haxhiraj, Shkëlqim Xhafaj, Fiqirete Hysaj etj. Pavarësisht rrethanave të ndryshme, ky komunitet mundet të ndihet krenar. Sot ai numëron mbi 300 bijë e bija të tij me arsim të lartë, në degë të ndryshme të shkencës e diturisë, që japin kontributin e tyre kudo brenda e jashtë atdheut.

 

Foto/ PD publikon “hartën e familjeve mafioze”

Posted: 26 May 2018 01:22 AM PDT

Partia Demokratike ka publikuar atë që ajo e quan "harta e familjeve mafioze" në Shqipëri. Harta e familjeve politiko mafioze është një instalacion për të simbolizuar qeverinë e Edi Ramës në 5 vitet e fundit.

Harta është rreth 2 metra e gjysmë e lartë dhe mban emrat e personave të akuzuar publikisht ose që janë dënuar.

Në hartë janë emrat e Mark Frrokut, Arben Ndokës, Armando Prengës, deputetët e përjashtuar për vrasje, prostitucion, trafik droge. Janë emrat e Vangjush Dakos, Qazim Sejdinit, Elvis Roshit, si dhe të njerëzve të afërt politikë të Edi Ramës, Fatmir Xhafaj, Saimir Tahiri, Granoz Ruçi e Taulant Balla.

o.j/dita

Rama në Berat: Për çdo problem mund t’i drejtoheni platformës online

Posted: 26 May 2018 01:20 AM PDT

 

Teksa në Tiranë pritet të nisë protesta e opozitës, kryeministri Edi Rama ndodhet në Berat ku foli për platformën e bashkëqeverisjes.

"Për tre minuta mund ta kesh platformën në celular ke gjithë qeverinë në të. Çdo ministër e ke në xhep nëse ke një problem konkret për të zgjidhur. Kemi pasur, dhe llogariteni qe janë rreth 1 mijë zgjidhje në muaj, ka shkuar në 9 mijë totali dhe duhet të rritet sepse ka plot njerëz që akoma ose nuk e dinë, ose nuk e beson. Ç'rëndësi ka nuk të kushton gjë, vetëm tre minuta. Edhe të rinjve që janë këtu do t’i kërkoja ndihmë që të flasin me prindërit, gjyshit dhe gjyshet, dhe t’i vihen në dispozicion me mbrokllat që kanë në xhep, që rrinë gjithë ditën në Facebook e Instagram e chate, dhe thojini  prindërve që atë mbrokllën e kanë dhe ata në dispozicion nëse kanë ndonjë problem dhe ndihmoni që problemin ta bëjnë me dije te platforma dhe ju siguroj që do marrin përgjigje brenda 10 ditësh", tha Rama.

Ai tha se do të zbatohet projekti i kërkuar në Berat për bibliotekën e shkollës, por më pas shkolla "Babë Dudë Karbunara" do të rikonstruktohet.

o.j/dita

Dalin shifrat e para, ja sa protestues janë nisur nga rrethet

Posted: 26 May 2018 01:11 AM PDT

Opozita proteston sot kundër qeverisë dhe kërkon dorëheqjen e ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj pas akuzave për trafik droge për vëllain e tij Agron Xhafaj. Nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim vijnë edhe shifrat e para të qytetarëve të nisur nga rrethet për të protestuar sot në Tiranë.

LSI njofton për numrin e protestuesve te nisur nga rrethet, konkretisht: Qarku Korçe 2000. Qarku Elbasan 3000. Qarku Berat 3000. Qarku Durrës 2500. Qarku Vlore 1500. Qarku Gjirokastër 1500. Qarku Dibër 1000. qarku Shkodër 2000. Qarku Lezhe 2000. qarku Kukës 500. Qarku Fier: 3000

Ndërkohe sipas mediave, referuar burimeve nga PD e Shkodrës janë nisur rreth 5000 protestues të organizuar. Nga Dibra, mësohet se janë nisur mbi 1500 protestues.

Ndërkaq burime zyrtare nga PD Elbasan konfirmojnë se të paktën 3 mijë qytetarë nga të 7 bashkitë e Qarkut të Elbasanit do të nisen në mënyrë të organizuar për t'iu bashkuar protestës së sotme në Tiranë.

Nga Fieri janë nisur rreth 2000 protestues. Nga Lezha rreth 1500 qytetarë të organizuar nga PD dhe LSI.

o.j/dita

Mercenarët e fjalës

Posted: 26 May 2018 12:57 AM PDT

Fitim Çaushi

Sir John Davis, tek "Metamorfoza e fjalës", ka shkruar: "Fjalës ende i duhet të luftojë për të vërtetën. I duhet të luftojë me shpirtin e gazetarit të lirë e të pavarur. Fjala që flet për shqetësimin e popullit. Fjala që flet për dhimbjen e tij, fjala e brengës së atij që ka emigruar, fjala e atij që ende nuk ka gjetur vetveten në këtë jetë, fjala që kërkon të ndërtojmë atë që kemi humbur prej kaq vitesh, atë që nuk e kemi".

E citoj këtë, për t'u kujtuar tërë atyre pseudogazetarëve, pseudoanalistëve, pseudostudiuesve, se propaganda e zezë kundër Enver Hoxhës është një mercenarizëm i shëmtuar, antishqiptar dhe antinjerëzor. Pa kurrfarë analize dhe ballafaqimi me kushtet historike të asaj periudhe historike, kalemxhinj ordinerë, pa kurrfarë vlere intelektuale dhe shpirtërore, shkruajnë ende për Enver Hoxhën me mllef, me akuza monstruoze, duke përjashtuar nga kjo propagandë më shumë se gjysma e popullsisë shqiptare, e cila ka mendim vlerësues për veprën madhore të Enver Hoxhës në shërbim të shoqërisë Shqiptare.

Duke përfituar nga mungesa e mundësive që kjo pjesë e popullsisë ta shprehë mendimin e saj në media, por edhe për shkak të terrorit psikologjik që krijojnë këta tellallë dhe kastat drejtuese, kujtojmë studiuesen Hannah Arendt: "Gjatë shekujve, pohuesit e së vërtetës kanë qenë të ndërgjegjshëm për rreziqet që i kanosen".

Këta pseudo propagandist nuk kanë kurajën të shkruajnë edhe vlerësimet e njerëzve të ndershëm për Enver Hoxhën, sepse sikundër e ka shkruar Marksi qysh më 1824 në gazetën "Rheininsche zeitung": "Duhet ditur nëse liria e shtypit është një privilegj i disa personave apo privilegj i shpirtit njerëzor".

Liria e shtypit nuk është pjesë e këtyre mercenarëve, të cilët e kanë ndërgjegjen të robëruar, në varësi, sikundër ka shkruar Lenini "nga qesja me para", dhe jo nga e vërteta historike. Këta tellallë politikë e kanë më lehtë të shajnë Enver Hoxhën se sa të ndikojnë në rregullimin e problemeve  konkrete në Shqipëri, të cilat në asnjë periudhë të historisë së Shqipërisë, nuk kanë qenë më të acaruara dhe më të pashpresa.

Deklarata e UNESCO-s mbi Mediat, në principin V, thekson: "Karakteri i këtij profesioni  kërkon veç të tjerash që gazetari të favorizojë pjesëmarrjen e publikut në mediat, çka përfshin detyrimin për korrigjimin, ratifikimin dhe të drejtën e përgjigjes".

Në emisione televizive shihen të njëjtët mercenarë-analistë, sikundër edhe në media. Me përjashtime të veçanta, këta lloj robërish, nuk e ofrojnë masën e popullit për këtë temë të rëndësishme, sepse u pritet grazhdi.

Deklarata në princip e Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve mbi Deontologjinë Gazetareske, mbajtur në Bordo në vitin 1954, në pikën 2, thekson: "Gazetari duhet të mbrojë në çdo kohë principin e dyfishtë, të lirisë për të kërkuar informacion dhe për ta publikuar atë ndershmërisht, principin e komentimit e të kritikës, si dhe të drejtën për një koment të barabartë dhe një kritikë të ndershme...ai nuk duhet të heqë apo eliminojë informacionet thelbësore dhe nuk duhet t'i falsifikojë dokumentet".

Sikundër shihet është princip i gazetarisë "e drejta për një koment të barabartë dhe një kritikë të ndershme", dhe jo e kundërta; vreri i zi kundër Enver Hoxhës dhe punës së ndershme 45 vjeçare e një popull që i dha Shqipërisë përparime kolosale në bujqësi, industri, mjekësi, arsim, kulturë, edukim, prestigj dhe sovranitet kombëtar. Gazetari nuk duhet të falsifikojë dokumentet, sikundër ndodh me shpifjet dhe akuzat monstruoze ndaj Enver Hoxhës, kur e vërteta është ndryshe. Në ato mijra vlerësime që bëhen për Enver Hoxhën në popull, po citoj tre raste:

  1. Duke udhëtuar me grupin folklorik në një festival në Preshevë, midis artistëve popullorë, natyrshëm ra fjala për gjendjen e vështirë sot në Shqipëri. Shoferi solemnisht theksoi: "Pse s'bëheshin në kohën e Babazotit këto gjëra? Kur përmendet Babazoti unë ngrihem në këmbë". Në çast la timonin dhe u ngrit! Ishte i befasishëm, i papritur ky reagim. Mbaj timonin se na hodhe, i thashë i sugjestionuar.
  2. Në gusht 2015 isha i ftuar në dasmën e djalit të n/kryetarit të komunës së Drenasit Sherif Krasniqi. Nga mesi i dasmës prej 400 veta, shumë dasmorë u ulën në gjunjë në mes të sallës, si të organizohej një rit i lashtë. Morën çiftelitë, sharkitë dhe filluan të këndonin këngë për Enver Hoxhën. Aty u afruan tërë dasmorët dhe këndonin në kor. Ishte si një llavë vullkani që na ndezi flakë. Pas përfundimit të ritit, u ulën secili në tavolinat e tyre dhe vazhdoi dasma.

Sherif Krasniqit i është vrarë djali në luftën e Kosovës, vet ka qenë shumë vite në burg nga Serbi. Kur vdiq Enver Hoxha në prill të vitit 1985, një nga ushtarët serb, e fyeu Enverin. Sherifi ishte në shërbim në kuzhinë, rrëmbeu thikën dhe e plagosi ushtarin. E futën në izolim, e nxorën në gjyq,  por ai u mbrojt me tezën se "më provokoi, më fyejti prijësin tonë. A fyeni ju, po t'ju shajmë udhëheqësit tuaj? E pra, Enver Hoxha është udhëheqësi i shqiptarëve!"

  1. Profesori i Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin e Gjirokastrës, duke pirë kafen e mëngjesit, na tregoi: "Isha duke shkuar në Korfuz. Ishte rregull shtetëror të paguanim 1000 lekë për të kaluar në anije. Mes njerëzve u paraqit në sportel edhe djali i madh i Enver Hoxhës. Polici pa pasaportën, dhe i drejtohet:

-Ju shoku qytetar mund të kaloni.

-Ju lutem pagesën – i thotë  pasagjeri.

-Kaloni ju thashë! Për djalin e Enver Hoxhës nuk marr lekë.

-Ju lutem nuk mund ta pranoj, më vini në pozitë të vështirë!

-Kaloni ju lutem se më vononi punën, sikundër e shikoni presin edhe të tjerë në radhë.

-Nuk mund të kaloj pa paguar, edhe për faktin se mund t'ju penalizojnë për shkakun tim.

– Sa të jem unë këtu, ju nuk do të paguani sikur tani të më pushojnë nga puna, prandaj ju lutem vazhdoni dhe udhëtim të mbarë.

I gjithë sheshi duartrokiti. U krijua një atmosferë mirëkuptimi dhe respekti për policin kurajoz dhe njerëzor.

Tellallët politikë dhe padronët e tyre mund të mendojnë se me sharjet ndaj Enver Hoxhës, do ta shkulin përfundimisht nga zemra e popullit prijësin e madh të shqiptarëve, por Enver Hoxha ka rrëmbyer qindra mijra këngë dhe urime nga Jugu në Veri, që do ta këndojnë dhe përkujtojnë atë në shekuj, sepse brezi jonë do ta mbjelli dashurinë për Enver Hoxhën në zemrat e fëmijëve, nipërve dhe mbesave, në zemrat e miqve dhe gjitonëve, pa bujë, pa zhurmë, natyrshëm. Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe Enver Hoxha, për veprën e tij madhore popullore dhe kombëtare, janë të paasgjësueshëm, çfarëdo që të bëjnë neofashistët e vjetër dhe të rinj.

Duke goditur Enver Hoxhën, tellallët godasin socializmin dhe i ngrenë himn një sistemi shtypës dhe shfrytëzues. Edhe 800 vjet më vonë, Dante mbetet aktual: "Disa njerëz sundojnë, kurse të tjerë vuajnë". Po kaq aktual mbetet Gorki: "Klasat e pasura nuk krijuan një jetë që të ishte e denjë për njerëzit. Borgjezia është një ferrë zvarritëse, mallkimi i botës, ajo e shkatërron individin nga brenda, nga fëshfëritja e saj e keqe shuhet kumbimi i kambanave të fuqishme të bukurisë,  dhe të së vërtetës optimiste të jetës. Ajo është një pellg i pafund balte që thith në thellësitë e saj dashurinë, poezinë, mendimin dhe artin…na vjen keq që borgjezia tërheq në anën e saj njerëz të vlefshëm dhe të talentuar, na vjen keq se si vdesin këta njerëz, të helmuar me helmin e qelbëzuar të ambientit që po dekompozohet me shpejtësi".

Mbase kanë ç'të marrin mercenarët e fjalës nga këta kolosë të mendimit njerëzor.

 

 

FOTO: Policia rrethon Kryeministrinë, FNSH dhe RENEA në gatishmëri

Posted: 26 May 2018 12:55 AM PDT

Masa të rrepta nga forcat e policisë për mbarëvajtjen e protestës së opozitës. Policia ka kaluar në gatishmëri, ndërsa në terren janë nxjerrë 1500 punonjës policie. RENEA, FNSH, Shqiponja dhe agjentë të SHISH do monitorojnë me efikasitet tubimin e opozitës.

Policia ndodhet në gjendje të plotë gatishmërie për të ndërhyrë në çdo moment nëse protesta eskalon në akte dhune. Në tarracën e Kryeministrit dhe Kryesisë së Kuvendit janë vendosur disa snajperë. Policia e Shtetit ka kërkuar edhe ndihmën e ekspertëve të huaj për monitorimin e protestës.

Gjithashtu, në gatishmëri janë edhe dy automjete ujë hedhëse. Opozita pritet të protestojë për katër orë në Bulevardin Dëshmorët e Kombit.

o.j/dita

Fjalor i paradokseve (Pjesa III)

Posted: 26 May 2018 12:52 AM PDT

Fatos Tarifa

(Vijon nga numri i kaluar)

P

Parfum

Nëse s'është i mirë, është shumë i keq. Në çdo rast, gratë e moshuara këshillohet të mos e përdorin.

PASION INTELEKTUAL

Pasionet intelektuale, që bëhen pasione shpirtërore të vërteta, janë si dashuritë që provojmë gjatë jetës, prej të cilave asnjëra nuk e shuan dot krejtësisht kujtimin, çiltërsinë dhe magjinë e premier amour.

Pasuri

Vlera dhe dobia e saj përcaktohet nga ai që e posedon atë. Më mirë një njeri i varfër, sesa një i pasur që s'është njeri. Nderi dhe emri i mirë kanë më shumë rëndësi sesa tërë pasuria e një njeriu të pandershëm dhe që s'gëzon respektin e askujt.

Pemë

E dhimbshme të shohësh një të prerë. Shenjë e dhunës njerëzore mbi natyrën.

Përfundim

Nuk ka të tillë.

Përkufizim

Kufizim.

Pikturë

Kritikët e artit, si rregull, çmojnë më shumë ato piktura që s'na pëlqejnë dhe që s'i kuptojmë. Madje ato që nuk i kuptojnë as ata vetë.

Pleqëri

Pleqëria nuk ka të bëjë me vdekjen, as me moshën, por me jetën. Nuk plaket, ose plaket më vonë ai njeri,i cili përgatitet për pleqërinë që kur është i ri. Nëse nuk përgatitesh për këtë, kur bëhesh 70 vjeç, 35-vjeçari brenda teje do të të pyesë: "Ç'ndodhi me mua"? Njeriu luan, punon, krijon, dashuron, është i lumtur dhe vuan në çdo moshë. G. B. Show thoshte se "ne nuk pushojmë së luajturi sepse plakemi; ne plakemi sepse pushojmë së luajturi".

Poet

Si rregull, një njeri i varfër dhe i dashuruar.

Poezi

Poezia ka të bëjë me të vërteta universale, në dallim nga historia,e cila merret me fakte dhe ngjarje të veçanta e të përkohshme, pa mundur që të thotë të vërtetën për to.

Politikan

Gënjeshtar profesionist. Sokrati thoshte: "Unë isha shumë i ndershëm për të qenë një politikan dhe të jetoja si i tillë".

PREMTIM

Që qytetarët t'i votojnë politikanët, këta duhet që t'u bëjnë premtime. Kurrë nuk mund të ndodhë që një politikan, i cili kërkon votën e qytetarëve, të mos premtojë asgjë, pra edhe të mos gënjejë. Lie or Lose! (Gënje ose humb!). Politikanët u thonë qytetarëve ato gjëra që këta të fundit duan të dëgjojnë, ashtu si një burrë i thotë një gruaje se duket bukur me veshjen e re që ka blerë dhe asaj i pëlqen t'i dëgjojë këto fjalë prej tij, edhe nëse dyshon në sinqeritetin, madje edhe në luajalitetin e tij.

Prift

Kurrë nuk e kam kuptuar se ç'është një prift. Përse janë të dobishëm priftërinjtë? Volteri thoshte: "Njerëzit kurrë nuk do të jenë të lirë deri sa me zorrët e priftit të fundit të varet edhe mbreti i fundit"(Poésies Diverses, 1875).

Problem

Nëse dimë ta formulojmë, mund edhe ta zgjidhim.

Profesor

Titull që në Shqipëri e ka humbur kuptimin e vet. Shumë njerëz e mbajnë, fare pak janë ata që e meritojnë.

PROGRES

Progresi bazohet në dije, dhe dija përdoret nga truri dhe zhvillohet prej tij. Fuqia e trurit njerëzor është çelësi për të fituar të ardhmen. Por, e ardhmja nuk vjen kurrë nëse nuk e planifikon dhe nuk përgatitesh për të.

Pronë

Një pasuri që mund ta vësh lehtë, por edhe mund ta humbasësh lehtë. E vetmja pronë që mbetet përherë jona është ajo që e ndan me miqtë e tu të vërtetë.

Prozë

E folura e përditshme. Kushdo është një prozator.

Q

E qeshura

E qeshura është distanca më e shkurtër mes dy njerëzve dhe, si e tillë, ajo s'ka vend më të natyrshëm sesa në dashuri. Woody Allen është, ndoshta, shkrimtari dhe artisti që na ka dhënë kombinimin më të këndshëm dhe më harmonik të seksit me të qeshurën, me trajtimin prej tij të seksit si surrealist dhe të pasur me humor.

R

Racionalist

Bertrand Russell. Për Russell-in, mendimi kritik nënkupton edhe vetë reflektimin kritik ndaj çdo gjëje që merret si mendim kritik.

Rapsodi

Një rapsodi fjalësh (A rhapsody of words)—Hamlet.

REPRESION

Shumë sëmundje neurotike dhe impulse patologjikisht antisociale shkaktohen nga strukturat kolektive autoritariste të shoqërisë dhe nga morali seksual konservator e patriarkal që sundon në të. Sa më shumë që një shoqëri e relakson presionin e saj kolektiv dhe institucional mbi sjelljen seksuale të anëtarëve të saj—në radhë të parë përmes një edukimi seksual demokratik, që nis qysh në moshë të vogël—aq më të pakta janë sëmundjet neurorike dhe sjelljet antisociale në radhët e anëtarëve të saj, dhe aq më e ulët është shkalla e dhunës dhe e krimit në familje.

Revolucion

Në politikë, përmbysje e dhunshme; në mendim dhe në shkencë, një paradigmë e re.

Rinia

Një periudhë e jetës, por edhe një gjendje e mendjes sonë.  Njerëzit e shkuar në moshë, të cilët kanë gjallëri dhe jetë brenda tyre, janë shumë më të rinj sesa më të rinjtë që janë plakur në shpirtin e tyre. Madje, të jesh 60 vjeç dhe i ri është një gjë shumë më e bukur dhe më e gëzueshme sesa të jesh 33 vjeç, por i vjetër. Edhe pas të gjashtëdhjetave ne mund t'i vlerësojmë dhe jetojmë vitet që vijnë si një projeksion i viteve të rinisë, nëse u qëndrojmë besnikë ëndrrave të rinisë sonë.

S

Seks

Seksi nuk është thjesht seks; ai është lojë, ëndërr, muzikë, marrëdhënie, virtyt, energji, emocion, ndjenjë, armë, humbje, shpresë, kënaqësi, gëzim—të gjitha këto së bashku dhe, shumë herë, një liman i këndshëm, në të cilin njeriu vazhdimisht e ka të nevojshme të tërhiqet përkohësisht për t'iu shmangur aktiviteteve të rëndomta dhe shqetësimeve të jetës së përditshme. Seksi është një gjë po aq njerëzore dhe e domosdoshme për njeriun, sa edhe çdo gjë tjetër në jetën e tij—frymëmarrja, të menduarit, të ushqyerit, të ushtruarit fizikisht, të bërit art. Çudia është që, edhe pse ne nuk mund të bëjmë dot pa seks, ende ngurojnë ta bëjmë seksin subjekt të bisedave të përditshme, si çdo subjekt tjetër—mendimet që kemi, ushqimin që hamë, veprimet që kryejmë, punët që bëjmë, gjërat që duam. Një ndër meritat e Frojdit ishte, siç ka thënë dikush, se ai e gjeti seksin një jetim të braktisur në kasolle dhe e bëri atë një mysafir të nderuar në dhomën e miqve.

Seksualitet

Seksualiteti ka qenë një subjekt i përhershëm i filozofisë, i psikologjisë, i mjekësisë, i sociologjisë, i letërsisë, i arteve dhe i interesimeve më të gjera të njerëzimit në të gjitha epokat e historisë së tij, për shkak se ai ka qenë dhe mbetet një ndër forcat më motivuese e më misterioze në jetën e çdo individi dhe të çdo shoqërie. Mistika që rrethon seksualitetin njerëzor dhe interdikti që e ka penguar dhe kufizuar për shekuj me radhë shprehjen e lirë të tij do të kishin vazhduar t'i mbanin në pranga individin dhe shoqërinë po të mos kishin qenë Freud, Reich, Kinsey, Simone de Beauvoir e të tjerë.

SekULARISM

Sekularizmi duhet të jetë një tipar thelbësor i shkollës. Ai i mbron nxënësit tanë nga prolesitizmi dhe nga çdo presion ose përpjekje që do të mund t'i pengonte ata të zhvillonin aftësitë e të arsyetuarit racional e kritik dhe të bënin lirisht zgjedhjet e tyre në jetë. Ky është projekti i madh—dhe ende i papërfunduar—i modernitetit, një projekt për racionalizimin, sekularizimin dhe modernizimin e shoqërisë, si e vetmja rrugë e progresit të njerëzimit. Ai mbështetet në zhvillimin e shkencës, të arteve e të teknologjisë dhe në një rol gjithnjë e më vogël të fesë, si një çështje gjithnjë e më shumë private e individit. Ky projekt është pikërisht ajo çfarë Jean-François Lyotard e quante "narrativë e madhe e emancipimit".

SKEPTICIZËM

Skepticizmi gjithmonë i ka hapur rrugë progresit intelektual. Çdo hap përpara në rrugën e qytetërimit është bërë përmes rishqyrtimit të dijeve dhe besimeve të vjetra dhe zëvendësimit të miteve me shpjegimin e shkaqeve natyrore të dukurive.

Sokrati

I pari dhe më i madhi mësues që ka njohur historia.

Sytë

Pasqyrë e karakterit.

SH

Shëndeti

I domosdoshëm për një jetë të mirë, i pamjaftueshëm për një jetë të lumtur.

SHËNIM

"Një poet kurrë nuk mban shënime. Askush s'mban shënime në një marrëdhënie dashurie" (Robert Frost).

Shije

Ka të bëjë gjithnjë me të thjeshtën.

Shok

I rrallë, ndaj edhe i çmuar.

Shpirt

Fjalë që ia themi lehtësisht çdo gruaje që e dëshirojmë.

T

Talent

Dhunti që mund të shfaqet e të ushtrohet në çdo gjë. Ndryshe nga aftësitë, të cilat mund të mësohen e zhvillohen, talenti është një dhunti që, nëse nuk e ke, nuk e fiton dot. Jo se njeriu lind i talentuar, por nëse talenti shfaqet e ushqehet te një individ në një moshë të caktuar, ai mbetet, ndryshe nga aftësitë, të cilat, nëse nuk ushtrohen, zbehen dhe humbasin.

TRADITË

Mënyrë tradicionale e të menduarit, e sjelljes dhe e organizimit institucional të shoqërisë, që mbështetet kryesisht në marrëdhënie farefisnore, në ontologjinë fetare dhe në praktika të cilat janë në mënyrë inherente konservatore.

U

Udhëtim

Ashtu si dituria dhe mosha, udhëtimet e maturojnë njeriun.

Unazë

Ornament i krijuar vetëm për gratë.

Universitet

Çdo universitet pretendon se synon ekselencën, por pak prej tyre e arrijnë këtë.

Urtësi

Të flasësh kur ke gjë për të thënë, jo sepse do të thuash diçka.

Urrejtje

Ndjenjë që e kanë vetëm njerëzit, jo kafshët.

Utopi

Në greqishten e vjetër kjo fjalë ka dy kuptime: ou topos (askund) and eu topos (vend i mirë). Një vend i mirë që nuk ekziston. E përdorur për herë të parë nga Thomas More, fjala "utopi" është bërë një fjalë e përbashkët në të gjitha gjuhët e kultivuara të botës, që nënkupton një fantazi, ose të një ëndërr të parealizueshme.

V

VallËzim

Kushdo duhet të mësojë të vallëzojë dhe të mos harrojë të vallëzojë.

Vdekja

Është më e mirë kur vjen papritur.

Veprim

Këshillohet që të vijë pas mendimit, jo para tij.

Ves

Vesi më i keq që kam njohur te njerëzit është të mos lexuarit.

VIP (Very Important Person)

Një person krejt i parëndësishëm për shumicën e njerëzve.

VIRGJËRI

Mit

VIRTYT

Për të qenë i virtytshëm, i pëlqyer nga të tjerët, i suksesshëm dhe i lumtur në jetë, askush nga ne nuk ka nevojë për fenë dhe për mësimet e saj. Unë në mënyrë kategorike mohoj çdo varësi të sjelljes së virtytshme nga feja dhe besimi në një Zot Abrahamik, ose në ndonjë fuqi tjetër mbinatyrore. Morali nuk është një "territor" që i përket vetëm fesë. Njerëzit që nuk besojnë në ndonjë fe janë po aq të moralshëm e të virtytshëm sa dhe ata që besojnë.

XH

Xhelozi

Pasion i frikshëm për këdo që e ka.

Xhentëllmen

Rrallë kam njohur xhentëllmenë të vërtetë dhe nuk di nëse ka ende burra që mund t'i konsideronim të tillë.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more