Skip to main content

“Përunjësia, arti i atyre që dinë të përmirësohen” plus 9 more - Gazeta Dita

“Përunjësia, arti i atyre që dinë të përmirësohen” plus 9 more - Gazeta Dita


Përunjësia, arti i atyre që dinë të përmirësohen

Posted: 26 Apr 2018 02:03 AM PDT

 

Që nga "di vetëm atë që nuk di" e Sokratit, përunjësia është sjellja më efikase për të gjetur pikën e ekuilibrit mes vlerësimit të vetvetes, si dhe pranimit të limiteve tona, pa të cilin është e vështirë që të rritesh dhe përmirësohesh. Dhe nuk ka fare lidhje me modestinë.

Që nga kohët e Sokratit, njohim vlerën e përunjësisë. Shprehja e tij "di që nuk di", është një shembull i admirueshëm i asaj që mund të jetë përunjësia, dhe avantazhet që mund të na sjellë.

HIstoria tregon për një mik të vjetër të Sokratit, Cerefoni, u konsultua me orakullin e Delfit për të ditur nëse ekzistonte ndonjë person më i ditur se sa filozofi, dhe përgjigja ishte negative: Sokrati ishte vërtetë më i dituri i të gjithëve, iu përgjigj orakulli.

Por filozofi grek, duke ushtruar artin e dyshimit, nuk besonte se zotëronte dije më të mëdha se sa një politikan, një poet apo një artist. Kështu që, filloi t'i pyesë, me stilin e tij. Dhe zbuloi diçka që nuk e priste aspak: këta personazhe nuk i kishin të gjitha ato njohuri që deklaronin se i kishin.

Prej këtu, buruan konkluzionet e Sokratit: ndërkohë që një politikan apo një artist mendojnë se dinë dhe në fakt nuk dinë, unë nuk besoj se di, atë që praktikisht nuk e di. Filozofi pranonte kështu, me përunjësi, se nuk dinte pjesën më të madhe të gjërave të kësaj bote. Dhe të paktën për këtë, ishte i sigurt.

Fjala përunjësi (humilta), buron nga fjala latine humus, ose më saktë tokë pjellore. Nga kjo pikëpamje, përunjësia përfaqëson terrenin më pjellor për të rritur dijet dhe fituar aftësi të reja. Pa përunjësinë, është e vështirë të rritesh dhe përmirësohesh. Nëse arroganca na shpie të zëmë pozicion mbrojtës të qëndrimeve tona, përunjësia na shtyn që të shohim përtej, të kërkojmë informacione të reja dhe zgjidhje të reja./bota.al

l.h/ dita

“Optimist, pozitiv. Tani është Emmanuel, mishërimi i vlerave amerikane”

Posted: 26 Apr 2018 01:57 AM PDT

Dominique Moisi, si e gjykoni fjalimin e Emmanuel Macron para Kongresit të SHBA? Mendoni që udhëtimi i tij ka qenë i frytshëm?

Ai i Macronit në Kongres ishte një fjalim i madh. Një ditë më herët, në konferencën për shtyp në Shtëpinë e Bardhë me presidentin Trump, m’u duk më në mbrojtje. Por sot Macroni shpalosi vizionin e tij për botën. Është sikur të ketë zëvendësuar presidentin e SHBA.

Në çfarë mënyre?

Tradicionalisht, është udhëheqësi i Amerikës që mban një fjalim pozitiv, optimist, internacionalist, universalist. Sot e bëri presidenti francez. Macron ka marrë vendin që zakonisht në histori i përkiste presidentit amerikan. U duartrokit vazhdimisht nga demokratët, dhe në disa momente edhe nga republikanët. Macron u tregua i zoti në çështjet themelore dhe i aftë në formë, sepse nuk e sulmoi Trumpin direkt.

Republikanët u shfaqën të ftohtë kur Macron fliste për mjedisin dhe marrëveshjet e Parisit.

Disa tema nuk mund të ndillnin unanimitet. Por ajo që më bëri përshtypje, është se Macron e dinte që kishte në dispozicion një foltore të jashtëzakonshme. E përdori për t'iu drejtuar të gjithëve: qytetarëve amerikanë, pjesëtarëve të Kongresit, por edhe qytetarëve të botës, europianëve dhe francezëve.

Si ju dukën tonet e fjalimit?

Shumë amerikane. Macron përsëriti disa herë "I believe", ka lartësuar vullnetarizmin dhe optimizmin, vlera tipike amerikane. Dhe në të njëjtën kohë u thoshte amerikanëve atë që donin të dëgjonin, pra që Irani nuk mund të bëhej fuqi bërthamore, as sot, as kurrë. Ky fjalim para Kongresit justifikon tërësisht vizitën shtetërore të Macron në SHBA, dhe u përgjigjet kritikave që i janë bërë për këtë marrëdhënie të çuditshme personale me Donald Trump. I çuditshëm ky president që përqafon gjithmonë Trumpin, duhet t'i zgjedhë më mirë miqtë e tij, duke parë vlerat që mbron. Por duke u shfaqur si interlokutor i preferuar i Trumpit, Macron pati nderin të flasë në Kongres dhe e përdori këtë mundësi deri në fund.

Macron po shfaqet si udhëheqës i botës së lirë, në vend të presidentit amerikan?

Po, Macron po shfaqet si kampion i demokracisë klasike, që i kundërvihet demokracisë joliberale. Përgjigja ndaj frikës, nacionalizmit dhe izolacionizmit është presidenti Macron.

Po në lidhje me Iranin, a nuk ka pranuar ai idenë e Trumpit, pra që marrëveshja aktuale nuk funksionon?

Këtu presidenti francez u shfaq më pak bindës, sepse kërkonte një kompromis. Në 12 maj Trump do të tërhiqet ndoshta nga marrëveshja, dhe Macron përpiqet të tregojë se jo të gjithë dyert janë të mbyllura, që Franca dhe SHBA të bëhen promotorë të kësaj ujdie. Këtu Macron është në pozicion mbrojtës, ndërkohë që për botën dhe vlerat, Macron sot luante në sulm.

A mos përfiton edhe nga marrëdhëniet e këqija të Trump me Merkel dhe May?

Po, natyra i ka tmerr boshllëqet dhe i mbush gjithmonë. Në këtë mënyrë, Macron vendoset në qendër të skenës ndërkombëtare dhe duket sikur u thotë bashkatdhetarëve: ka francezë që bëjnë grevë, por ndërkohë unë përfaqësoj në mënyrë të shkëlqyer Francën në SHBA, dhe duhet të jeni krenarë për presidentin tuaj. Besueshmëria ndërkombëtare e Macronit varet edhe nga sa do të bëjë realisht reformat e brendshme, dhe besueshmëria në vend forcohet prej pozicionit të tij ndërkombëtar, dhe nga fakti që Franca po rikthehet në botë. / Corriere della Sera – Bota.al

*Dominique Moisi është Drejtor i Institutit Francez të Marrëdhënieve Ndërkombëtare

Merrnin ryshfet për regjistrimin e makinave, pranga dy zyrtarëve

Posted: 26 Apr 2018 01:53 AM PDT

 

Specialistët e Seksionit kundër Korrupsionit, në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, kanë finalizuar me sukses operacionin e koduar "Kodifikimi".

Si rezultat i këtij operacioni u bë i mundur kapja dhe arrestimi i Daniel Xhemo, 52 vjeç dhe Fredi Gogo, 64 vjeç, të dy banues në Korçë, me detyrë kontrollorë fizik në Drejtorinë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor Korçë.

Arrestimi i tyre u bë pasi, janë kapur në flagrancë duke marrë shuma lekësh nga persona të ndryshëm, për të favorizuar regjistrimin e mjeteve pranë Drejtorisë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor në Korçë, ku ndryshonin vitin e prodhimit të automjeteve me qëllim shmangien e taksave. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë për veprime të mëtejshme.

l.h/ dita

Morali në shoqërinë tonë, të huajt që “drejtojnë” dhe kopjimi i të keqes

Posted: 26 Apr 2018 01:49 AM PDT

Aleksandër Meksi*

Vijon nga numri i kaluar

  1. Shtet i fortë, individ i fortë

Kemi dëgjuar shpesh të thonë që individë të fortë bëjnë shtetin të fortë, individë të pasur bëjnë shtetin të pasur. Kjo është një gënjeshtër dhe absurditet që përhapet me qëllimin e vetëm – dobësimin e shtetit dhe mosveprimin e ligjit (kujtojmë këtu : Ujku mjegull do), nga të cilat fitojnë vetëm të pandershmit e paskrupull e asocial. Kjo gjë është e padobishme për bashkësinë e sidomos për ata vetë.

Duhet më në fund të bindemi se vetëm në një shtet të fortë ka individë të fortë (e të sigurt), vetëm në një shtet të pasur ka individë të pasur e mirëqenie, ka mbrojtje sociale për më të varfrit e më të dobëtit.

Vetëm një shtet i fortë, një shtet i ligjit mund të na mbajë nga shkatërrimi i njerëzve të pafytyrë dhe të marrë.

  1. Korrupsioni, kryefjala e ditës

Një nga temat më të përfolura në mediat shqiptare dhe fjalimet partiake, në bisedat e kafeneve e tryezat me ushqim të bollshëm (sigurisht dhe me pije), subjekt themeltar i çdo shpifjeje dhe sharje ka qenë korrupsioni. Duhet të pranojmë se shumica dërrmuese e njerëzve nuk janë të interesuar për drejtësi (në gjithë kuptimet e fjalës) në këtë çështje.

Çdo ditë që shkon, shtohen shifrat, shtohen njerëzit që përfliten. Jam i bindur se në fund të shekullit do të rezultojnë të korruptuar jo vetëm tre milionë shqiptarët, por dhe një pjesë e mirë e arbëreshëve dhe arvanitasve.

Kuptohet që për shumicën të korruptuar janë dhe ata që fitojnë nëpërmjet “spekulimit”, që është vetë ekonomia e tregut. Në këtë tymnajë, ata që dëshirojnë apo janë të interesuar, kanë shesh për përshesh. Ata shajnë më shumë se kushdo. Po të mblidhen shumat e vjedhura (?!) nga numri i pafund (!) i pushtetarëve të korruptuar (nga lukuria, siç i quan K.B), i partiakëve etj. etj. rezulton që në Shqipëri të jetë bërë hataja.

Për t’ia u bërë të besueshme atyre që duan dozën e përditshme të luftës (sharjeve) kundër korrupsionit japin dhe ” njoftime ” (asnjëherë të konfirmuara) të FMN (deri dje armik i tyre për vdekje) e ndonjë tjetri nga e majta Evropiane që kërkon të dijë ku humbën paratë e tyre në Shqipëri. Opinioni publik shqiptar duhet të dijë që ato para paracaktohen, miratohen, administrohen dhe kontrollohen nga vetë donatorët, të cilët dhe kur japin kredi, i caktojnë vetë rrogat e tyre (gjithnjë me 5 shifra).

A ka korrupsion në Shqipëri? Sigurisht që po. A duhet luftuar? Pa dyshim duhet. A luftohet si duhet? Fatkeqësisht jo.

Gjate 5 vjetëve të qeverisjes së PD-së janë hequr pushtetarë të lartë në qendër dhe pushtetin lokal e punonjës të tjerë të shumtë. Kjo tregon se dhe është luftuar. Drejtësia mund të kishte ndihmuar në këtë fushë. Urojmë ta bëjë tashti.

Për të bllokuar dhe parandaluar veprimtaritë korruptive duhen ligje dhe struktura për zbatimin e tyre. Duhet vullneti politik dhe detyrimi ndaj ndjenjës së drejtësisë që të realizohet kjo, veçse duhet dhe gjykimi negativ i publikut ndaj dukurive të tilla.

Për këtë ka përvojë të pasur të vendeve perëndimore dhe gatishmëri bashkëveprimi me to. Për evazionin fiskal dhe kontrabandën ka struktura përkatëse, por ka patur dhe mbrojtje nga ana e organeve të drejtësisë gjë që nuk duhet të ndodhi më. Roli i Prokurorisë, i Policisë Kriminale, i strukturave të Ministrisë së Financave dhe Shërbimit të Kontrollit të Shtetit dhe vetëm i tyre është vendimtar. Shërbimi Informativ Kombëtar për nga ligji ekzistues nuk ka këtë detyrë, veçse kur një veprimtari e tillë synon përmbysjen e rendit kushtetues.

Nëse përfton të dhëna të dobishme për luftën kundër krimit në ekonomi, duhet t’ia kalojë këto strukturave përkatëse. Nëse duhen struktura të tjera për luftën kundër krimit të organizuar apo koordinimin e kësaj lufte, ato le të ngrihen sipas përvojës perëndimore dhe nevoja për të le të gjykohet sipas problemeve dhe rezultatit që do japin (po përmend këtu nevojën për një strukturë sado të vogël pranë Këshillit të Ministrive – si organ ekzekutiv – në formën e një Inspektimi Shteti).

Përgjithësisht kontrolli kundër fshehjes së fitimit, fshehjes së pasurisë, pastrimit të parasë etj. bëhet dhe nëpërmjet legjislacionit të hartuar për këtë qëllim. Ky kuadër ligjor duhet të plotësohet sa më parë. Mjaft akte edhe janë përgatitur me përvojë e ekspertë të huaj.

Përsa i përket pushtetarëve, problem që do të jetë gjithnjë i pranishëm në mediat dhe tryezat (jo politike), zgjidhja ligjore ekziston dhe thuajse e plotë, e cila, në gjykohet e arsyeshme, dhe mund të përmirësohet. Ligji për deklarimin e pasurisë së nëpunësve që mund të korruptohen, për mendimin tonë është i mjaftueshëm dhe po të vihet realisht në jetë është mjaft efikas. Ai mund të vihet në veprim duke ngritur dhe struktura më të plota e vetëm për këtë qëllim.

Nga përvoja besoj se duhet sa më parë dhe ligji për tatimin mbi trashëgiminë dhe dhuratat. Mendoj se të ardhurat e pronat që vijnë me këtë rrugë nga persona pa lidhje të afërt farefisnie, për nëpunësit nën kontroll, të jetë jo 40% sa e ka shumica e vendeve, por 70%.

Jam i mendimit se për t’u mbyllur ose reduktuar në përmasat minimale ky kapitull i përfoljes masive, këto veprime duhen bërë sa më parë.

Kjo çështje ka dhe një aspekt moral. Edhe kohë më parë, por sidomos sot me ndryshimet e bëra, akuzohet një klasë e tërë politikanësh, ndërkohë që nuk jepen emra të veçantë e as bëhen akuza konkrete. Këtij avazi po i përmbahen dhe artikullshkruesit e deridjeshëm të emëruar politikanë me grykën e kallashit.

Ky qëndrim rrezikon të kthehet në modë (nuk ka hajdutë, por vetëm politikanë që vjedhin) apo gjykime apriori dhe kundër tyre sot dhe nesër. Shqiptarët duhet ta kenë të qartë që ashtu siç nuk janë të gjithë bashkëkombësit hajdutë, ashtu nuk janë të tillë apo të korruptuar të gjithë politikanët. Pikërisht për këtë arsye, vetëdeklarimi dhe verifikimi i pasurive të tyre paraqet interes për përcaktimin e mëkatarëve dhe seleksionimin e tyre.

  1. Krimi i organizuar infekton shtetin

Qëndrimi ndaj krimit të organizuar që përflitet e lakohet në “shifra” e  “fenomene”, është një tregues tjetër i ndershmërisë së shoqërisë shqiptare. Rrallëherë dëgjojmë gjykime realisht kritike dhe qëndrime e veprime zyrtare ndaj dukurive negative, si kontrabanda, trafiku i drogës, i klandestinëve, i prostitucionit, bandat e rrugëve, gjobëvënësit apo mashtruesit financierë. Të gjithë përflasin emrat e tyre, por ata rrallë përmenden në gazeta, madje dhe kur ndalohen, nuk jepen emrat e tyre. Kështu nuk luftohet krimi i organizuar. Qytetarët kanë të drejtë t’i dinë, t’i njohin, t’iu shmangen. Ata duhet t’i jepen drejtësisë, të mos lejohen në punë shteti apo kontakte me të, në të kundërt ata do të infektojnë shtetin. Ata s’kanë të drejtë të kenë (dhe tërthorazi) mbrojtjen e shtetit. Kështu bëhet në gjithë botën, kështu qytetarët kontrollojnë shtetin nga infiltrimi i krimit të organizuar.

Është e rëndësishme dhe imperative që shteti, për të ruajtur veten dhe shtetasit, të mos jetë tolerant ndaj krimit të organizuar dhe atij financiar. Për këtë, mbi bazën e përvojës së huaj, duhet të plotësohen ligjet ekzistuese dhe sipas nevojës të hartohen të reja, ndër të tjera për t’i paraprirë rritjes së krimit. Çdo lëshim sot, kur krimi është në hapat e para, do të jetë me pasoja nesër. Duhet gjithashtu të rritet forca parandaluese e policisë, ashtu dhe forca goditëse nëpërmjet pajisjes më të mirë, kualifikimit dhe krijimit të strukturave të profilizuara. Pra, të gjitha këto do të jenë pa vlerë, po qe se nuk do të ngarkohet në të njëjtën masë dhe drejtësia.

  1. Shtypi, urgjent ribërja e ligjit

Një botë e re, një shoqëri e hapur për të gjithë, me shanse dhe të drejta të njëjta për këdo, kërkon transparencë në gjithçka. Për të arritur këtë, një rol vendimtar luajnë mjetet e informacionit. Pa media të lira e pa konkurrencë ndërmjet tyre, kjo gjë nuk mund të sigurohet. Dezinformimi apo larja e trurit me propagandë boshe e të rreme, që nuk ka asgjë të përbashkët, sjell me kohë reagime të papëlqyeshme. Vetëkuptohet që një informim real kërkon punë të kualifikuar, gjë që nuk e shohim sot ku informacioni i tipit bolshevik dhe dezinformimi i vazhdueshëm pa fakte apo argumente, pa shifra e të dhëna të kontrolluara, bombardon lexuesin duke krijuar vetëm imazhe të rreme (por të kërkuara) për ngjarjet dhe për njerëzit. Do të ishte çudi nëse veprime të tilla nuk do të arrinin të luanin rol negativ në ecurinë e jetës ekonomiko-shoqërore të vendit (zor të mos e kemi pësuar një gjë të tillë në këto vitet e fundit). Duhet sa më parë të ribëhet ligji i shtypit (të tillë kanë gjithë vendet demokratike) për të siguruar lirinë dhe përgjegjësinë e informacionit. Duhet të përmirësohet ligji për mediat televizive dhe radiofonike duke e bërë më liberal për t’i hapur rrugë iniciativës dhe krijimit të lirë, informimit të papenguar dhe konkurrencës normale.

Përsa i përket vërejtjes që dëgjojmë shpesh për mungesën e vërtetësisë dhe seriozitetit në dhënien e lajmeve, unë mendoj se kjo duhet të preokupojë më shumë pronarët dhe punonjësit e gazetave për pasojën e mosshitjes së gazetave në një të ardhme të afërt, kur publiku të fillojë të mos i besojë dhe për pasojë nuk do t’i lexojë.

  1. Të huajt "drejtojnë" Shqipërinë

Së fundi, të huajt që seleksionojnë, këshillojnë, mësojnë apo udhëzojnë partitë politike, politikanët dhe politikat shqiptare, nuk bëjnë gjë tjetër veçse marrin mbi vete “drejtimin” e Shqipërisë dhe shqiptarëve, gjë jo dhe aq e lehtë për një perëndimor të përkohshëm e kalimtar në këtë dhe që, veç të tjerave, nuk i njeh dhe kupton shqiptarët dhe gjuhën e tyre. Në këtë rast, kur lufton, përpiqesh e merr mbi vete të “drejtosh” shqiptarët, më e pakta duhet t'u plotësosh mundësitë dhe kërkesat ekonomike, gjë që deri më tani nuk po e bëjnë (kujtojmë këtu : i ngopuri nuk mund të kuptojë të uriturin). Sidoqoftë, u takon atyre të vendosin formën e ndihmës dhe praninë (apo ndërhyrjen) e tyre përderisa këmbëngulin të “drejtojnë” ata e të vlerësojnë drejtimin e shqiptarëve e vetëm ata, sepse me sa duket kanë arritur në përfundimin se ne nuk jemi në gjendje të bëjmë këtë apo nuk duam.

  1. Spastrimet në administratë, ose viti zero

Spastrimet e fundit në administratën qendrore, aspak në përputhje me praktikat demokratike e në kundërshtim të plotë me ligjet në fuqi, hapin spiralen e përsëritjes së pafund të këtyre sa herë që do ndërrohen partitë apo njerëzit në pushtet. Ky është dëmi më i madh që i bëhet Shqipërisë, fillimi çdo herë nga e para (apo viti “0” sipas modelit musolinian, që proklamojnë sot disa nga drejtuesit e shtetit ).

Nuk ka fatkeqësi më të madhe se krijimi i një administrate provizore, me njerëz të emëruar “formalisht” me kritere partiake (qoftë dhe pazar brenda koalicionit), në fakt sipas kritereve të interesave krahinore e krahinalizmit. Në këtë rast dhe pushteti do jetë kalimtar. Më keq akoma kur kjo merr trajtat në administratën qendrore  (dhe në çifliqet e komiteteve) të spastrimeve sipas “biografisë” apo luftës së klasave, rezultatet e së cilës janë të njohura mirë për shqiptarët.

Nga kjo gjë duhet hequr dorë sa nuk është akoma vonë, duke zbatuar ligjin dhe praktikat perëndimore. Dhe kur flasim për ligjet, desha t’ u kujtoj qeveritarëve të sotëm që të mos gënjejnë shqiptarët se çdo gjë që bëjnë ata, bëhet për herë të parë.

  1. Kopjimi i të keqes

Po dëgjojmë shpesh, kur bëhet një e keqe që kështu e bëtë dhe ju

(PD-ja) përpara nesh. Nuk ka turp më të madh për një qeveritar të vetëquajtur demokrat. Të përligjësh të keqen “se kështu kanë bërë dhe të tjerët” është fatkeqësi; ajo nuk u duhet lejuar as fëmijëve.

  1. Në Europë, po ndryshuam

Dhe së fundi, kthehemi te titulli dhe nëntitulli i këtij shkrimi. Ne duhet të ndryshojmë, ndryshe jemi të humbur. Reforma ekonomike, ekonomia e tregut të lirë ka faturë dhe treguesa të perceptueshëm nga cilindo, nga çdo familje shqiptare. Ajo rrit ose ul mirëqenien ekonomike të secilit prej shqiptarëve. Gjendja e shokut të këtij viti dhe pritshmërisë që pason, nuk mund të vazhdojë më. Rimëkëmbja e opozitës gjithashtu do t’iu hapi sytë njerëzve në drejtim të vlerësimit real të “kolapsit të deridjeshëm të ekonomisë shqiptare”, “gjithçka që po bëjmë nuk dihej dje”, “vendosjes së rendit”, "mënjanimit të korrupsionit e kontrabandës”, “fillimit të punës”,  "shtimit të ndihmave të huaja ", "mbështetjes totale për demokracinë e re ” të shoqëruara këto me buzëqeshje të palëve në TV, etj, etj. Të gjitha këto, realiteti dhe gjykimi real për gjendjen në vend, mund të krijojnë rreziqe e mundësi për një tragjedi të re (e dyta gjithnjë më e tmerrshme). Detyra e forcave politike dhe njerëzve me mend është të shmangin e të parandalojnë këtë. Për këtë arsye duhet një moral i ri politik. Çdo vazhdim i praktikave të vjetra e me njerëz të tyre do të sjellë dështim. Ne shqiptarët jemi racë e fortë, dimë të ngrihemi përherë në këmbë (ani se rrëzohemi prapë dhe më keq), por me sa duket dimë shumë mirë që “për inat të sime reje, shtifsha tim bir në dhe“. Unë jam i bindur se po ndryshuam, do të jemi shumë shpejt realisht europianë; po këmbëngulëm në të vjetrën, do zhdukemi.

*Botuar në gazetën "Koha Jonë" më 7 Dhjetor 1997

 

Takimi historik mes krerëve të dy Koreve

Posted: 26 Apr 2018 01:42 AM PDT

 

Ai është cilësuar si takimi historik që mund të sjellë paqen në gadishullin Korean, të ndarë prej më shumë se 6 dekadash tashmë.

Mëngjesin e së premtes, udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-un do të pritet nga homologu i tij jugor, Moon Jae-in, në zonën e çmilitarizuar që ndan dy vendet fqinje.

Do të jetë e para herë që krerë të dy shteteve, ish-armike të mëdha, do të shtrëngojnë duart me njëri-tjetrin që prej vitit 2007.

Rezultati i takimit të shumë trumpetuar do të jetë hedhja e themeleve të atij që konsiderohet si samiti më i rëndësishëm diplomatik i një gjenerate të tërë: përballja e udhëheqësit komunist me presidentin amerikan, Donald Trump, në maj apo në qershor.

Kim Jong-un pritet të kalojë vijën e zonës së çmilitarizuar të premten, në 9:30 me orën lokale, moment ky që do të ndiqet sipas të gjitha gjasave nga miliona njerëz në mbarë botën.

Aty do ta presë Moon dhe së bashku do të bëjnë një ecje të shkurtër deri tek e ashtuquajtura "Shtëpia e Paqes", qendra e konferencave në fshatin kufitar Panmunjon.

Ka fjalë, sipas të cilave Kim do të shoqërohet nga e shoqja, Ri Sol-ju, e cila udhëtoi me të edhe në Pekin muajin e kaluar, rrugëtimi i parë jashtë kufijve i udhëheqësit koreano-verior që prej marrjes së pushtetit në vitin 2011.

Koreja e Jugut nuk është kursyer për samitin e organizuar me shumë kujdes, e vetëm dhomës ku krerët do të ulen së bashku i është bërë një ripërtëritje totale, duke e mbushur me elemente simbolike.

Pas një pushimi për drekë, Kim dhe Moon do të mbjellin një pemë pishe duke përdorur dhè nga mali Halla në Korenë e Jugut dhe mali Baekdu në veri. Pikën kulmore, dita do ta arrijë me një banket të pasur, menyja e të cilit do të jetë e mbushur me specialitete të të dyja vendeve.

l.h/ dita

Sozia e Trump…është një femër

Posted: 26 Apr 2018 01:39 AM PDT

 

Një e moshuar në Spanjë ngjan mjaft me Doland Trump, pasi fotoja e saj u bë virale.

Gazetarja Paula Vazquez po punonte mbi një artikull për fermerët dhe dëmshpërblimet për stuhitë, sipas Newsweek.

Ajo foli me Dolores Leis Antelo, e cila jeton në një fermë në Cabana de Bergantinos, i bëri një foto dhe e postoi në Instagram.

Vasquez tha për median spanjolle Faro de Vigo, se ajo nuk e kishte vënë re ngjashmërinë mes Trump dhe Antelo. Por njerëzit online, po.

Ka dhe nga ata që me ironi shkruajnë "Ndoshta është e motra po ai nuk di gjë".

l.h/ dita

Skandali rrit ndjeshëm fitimet e Facebook

Posted: 26 Apr 2018 01:37 AM PDT

Facebook vërtetoi përfundimisht se nuk ka reklamë të keqe pasi publikoi shitjet e tre muajve të parë të vitit, që janë rritur me thuajse 50% nga një vit më parë, pavarësisht skandalit të madh të të dhënave që çuan Mark Zuckerbergun të japë llogari në Kongres.

Facebook tha se të ardhurat u rritën në 11,9 miliardë dollarë në tremujorin e parë të vitit në krahasim me 8 miliardë në të njëjtën periudhë një vit më parë.

Vetë Zuckerberg shfrytëzoi rastin dhe tha se, pavarësisht sfidave të rëndësishme, komuniteti dhe biznesi i Facebook-ut e kanë nisur shumë fort vitin 2018. Ai gjithashtu shtoi se kompania po rishikon me shumë kujdes përgjegjësitë e saj.

Facebook tha se të ardhurat nga reklamat u rritën në 11,7 miliardë dollarë tremujorin e fundit në krahasim me 7,8 miliardë në 2017. Edhe fitimet e tremujorit të parë u rritën duke arritur në 4,9 miliardë dollarë krahasuar me 3 miliardë të vitit të shkuar.

Rritja e fitimeve të Facebook-ut ndodhi pikërisht kur kompania u përfshi në një skandal kolosal të keqpërdorimit dhe vjedhjes së të dhënave të përdoruesve.

Facebook pranoi se të dhënat e 87 milionë përdoruesve ishin ndarë gabimisht me firmën Cambridge Analitika dhe se kompania nuk kishte bërë asgjë për të kontrolluar apo monitoruar veprimet e saj.

Megjithatë, duket se skandali nuk ka trembur përdoruesit e Facebook-ut, pasi numri mesatar i atyre që ishin aktivë përditë në Facebook gjatë marsit u rrit me 13% (2,2 miliardë), ndërsa numri i stafit të kompanisë u rrit me 48% (27 742).

o.j/dita

Reali i Zidane, terrori i Europës

Posted: 26 Apr 2018 01:29 AM PDT

Real Madrid fitoi sërish në "shtëpinë" e një prej skuadrave më të forta në Europë.

Për herë të tretë radhazi, "Los Blancos" dolën triumfues nga "Allianz Arena".

Një herë me Ancelotti dhe dy herë me Zidane në stol, duket se madrilenët janë kthyer në macen e zezë të Bayern Munchen.

Numrat e trajnerit francez jashtë "Santiago Bernabeu"-t në ndeshjet e Champions League janë të jashtëzakonshëm: fitore në Romë, Napoli, Mynih (2 herë), Paris dhe Torino.

Barazime në Mançester dhe humbje vetëm në Volfsburg.

Këtë sezon, Real Madrid ka fituar në transfertë ndaj PSG (1-2), Juventusit (0-3) dhe Bayern (1-2).

Kjo është hera e dytë në historinë e klubit që Reali arrin të fitojë ndeshjet jashtë në 1/8, 1/4 dhe 1/2 në Ligën e Kampioneve. Më parë kishte ndodhur në sezonin e largët 1961-1962.

o.j/dita

Sa orë punojnë shqiptarët?

Posted: 26 Apr 2018 01:25 AM PDT

 

Nëse punon në aktivitete administrative, në Shqipëri je i privilegjuar, pasi punon më pak, 2,105 orë në vit. Administrata është e vetmja në Shqipëri që punon më pak se 40 orë në javë, të gjithë sektorët e tjerë e kapërcejnë këtë kufi, teorikisht është dhe kohëzgjatja mesatare e parashikuar në Kodin e Punës.

Raporti i INSTAT për koston e punës në Shqipëri jep të dhëna dhe për orët e paguara në vend, sipas aktivitetit ekonomik, që i referohet vitit 2017. Në Shqipëri punohet mesatarisht 2,173 orë në vit, ose rreth 42 orë pune në javë.

Aktiviteti ku punohet më gjatë në Shqipëri është ai i pasurive të patundshme, me 2,247 orë gjatë gjithë vitit. Më pas renditen industria nxjerrëse dhe ajo përpunuese, me përkatësisht 2,231 dhe 2,222 orë.

E gjatë është dita e punës edhe kur je i punësuar në tregti, me 2215 orë në total, ose gati 42.5 orë në javë. Ndërtimi, përveçse është nga natyra një aktivitet i lodhshëm ka dhe orë relativisht të gjata pune, 2204 në vit, ose 42.4 orë në javë.

Edhe nëse punon në bankë apo sigurime, je i detyruar të rrish në punë më gjatë sesa 40 orë në javë. Për këtë aktivitet, orët mesatare vjetore të paguara janë 2,192 në vit, ose 42.1 në javë.

Shëndetësia është një tjetër aktivitet me orë të zgjatura, prej 2174 në vit, ose 41.8 në javë.

Pas administratës, që i gëzohet një periudhe më të shkurtër në punë, në krahasim me të tjerët, aktivitetet që punojnë ma pak orë janë akomodimi dhe shërbimi ushqimor, 2130 orë, ose 40.9 orë në vit dhe arsimi me 41.3 orë në javë./ Monitor

l.h/ dita

Modeli i familjes shqiptare në vitin 1988, sipas holandezëve

Posted: 26 Apr 2018 01:11 AM PDT

Armand Plaka

Ndoshta s'do më ngacmonte aspak ta vija në dukje në mënyrë eksplicite e madje as ta nxirrja fare si postim në FB, por ajo që më bëri përshtypje e më shtyu realisht ta botoja, është fakti se në diçiturë shkruhet: "Një familje model shqiptare me status-simbolin e saj, një radio mobile nga ato të modës së vitit 1948".

Fotoja është marrë nga një reportazh në mediat holandeze, që mban datën 21 maj 1988, edhe pse imazhi i saj është prerë, duket se bëhej fjalë për radiot "Iliria", të cilat për ato që kanë mundur t'i jetojnë apo t'i përjetojnë ato kohë, e di shumë mirë se ishin vërtetë një mall jo fort i arritshëm për të gjithë, edhe pse për to ndoshta nuk nevojitej autorizim i posaçëm sikurse për TV, lavatriçet apo pajisjet e tjera elektro-shtëpiake.

E pra, edhe holandezëve u kishte bërë përshtypje se atë çka anëtarët e një familje shqiptare e mbanin në dorë plot krenari, nuk ishte veçse një surrogato teknologjie që i kishte perënduar me kohë koha, e na bënte edhe më qesharakë në sy të botës, edhe pse ndoshta as nuk kishim mundur dot ta kuptonim.

Një arsye tjetër që më bëri ta botoj, është edhe fakti se sa shumë kemi ndryshuar, jo vetëm duke pasur parasysh ndryshimet e sistemit e ardhjen e një tjetër epoke që na solli gjithashtu plot zhgënjime e probleme, por që nga ana tjetër na bëri të përjetojmë një revolucion vërtetë të madh teknologjik, që preku jo vetëm shqiptarët, por gjithë botën.

 

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more