Skip to main content

“Hetemi apo sistemi?” plus 2 more Telegrafi Opinione

“Hetemi apo sistemi?” plus 2 more Telegrafi Opinione


Hetemi apo sistemi?

Posted: 25 Apr 2018 08:59 AM PDT

Hetemin po e njihni! Mbetet të flasim pak edhe për sistemin, për ta kuptuar se "kush" është kush në këtë kolumne. E kam fjalën për sistemin shëndetësorë, pikërisht atë për të cilin po ankohemi të gjithë. Nuk është si në Evropë!

Hetemi po e sfidon sistemin. Nuk po e sfidon vetëm sistemin tonë, por edhe atë evropian dhe global. Pak a shumë i bie se para syve tanë, pikërisht nëpër emisionet më të shikuara të humorit ndër ne, ato me "O2" e me "Xing", po shpalosen banderolat e një revolucioni kulturor të përmasave globale. Si zakonisht, ne jemi publik "sui generis"! Tash e tutje, çdo revolucion fillon në Kosovë, ashtu si filloi edhe rebelimi ynë global që u mbyll me bombardimet e NATO-s. Ishin bombardimet e para të NATO-s në një shtet sovran.

Pas kësaj, bombardimet me motive humanitare u bënë udhë. Falë Zotit, bombardimet ndodhën dhe ato na e sollën lirinë, edhe pse disa dashakeqë po thonë se ato e sollën edhe tumorin i cili nga paslufta mund të ketë vrarë më shumë njerëz se vetë lufta. Sidoqoftë, industria shëndetësore, me theks të veçantë ajo farmaceutike, pas lufte ka lulëzuar ndër ne si asnjëherë më parë. Lulëzoi edhe kimioterapia, armiku më i madh i Hetemit. Askënd nuk e shanë më shumë Hetemi se kimioterapinë e cila, siç thotë ai, po i vret njerëzit më shumë se tumori. Mjekët, thotë ai, vazhdojnë të vrasin pacientët. Nuk e dinë çfarë bëjnë, mjekët! Hetemi thotë se industria farmaceutike është biznesi më i madh pas naftës, në përmasa globale. Ajo nuk i prodhon veç ilaçet, por i prodhon edhe sëmundjet. I krijon ato nga hiçi! I sëmurë pastaj i vret me ilaçe!

Pra, kush është Hetemi dhe "kush" sistemi në këtë kolumne, po pyesni ju! Hetemin pra e njihni të gjithë! Nuk ka anembanë trojeve etnike televizion të rëndësishëm, as emision të shikuar nga ata të humorit apo ata që janë më serioz se kimioterapia, ku ai nuk ishte kohëve të fundit. Atje shkoi, apo më saktë, përmes tyre erdhi deri te ne, me mision, për të përhapur zjarrin e revolucionit të tij shkencor dhe shëndetësor, e mund të thuhet edhe kulturor, sepse ushqimi është kulturë. Ndërkaq shëndeti, si thotë ai, është në zorrë, pra është ushqim. Ne jemi ajo çka hamë, thotë Hetemi, dhe jo vetëm Hetemi!

Ndërkaq, këto ditë sistemi kryesisht heshti, derisa Hetemi po e kritikonte rëndë dhe po i shpaloste, (jo) pa modesti idetë e tij të cilat gjithqysh do të i ndryshojnë shqiptarët. E duke marrë parasysh prirjen shqiptare për t'u bërë lajm global, kjo mund të nxisë edhe reforma globale, e rrjedhimisht të shpëtojë njerëzimin nga vrasësit modern, të veshur në mantele të bardha.

Sistemi ka dështuar, thotë Hetemi! Vendin e sistemit do ta zë Hetemi, sepse ai ka përgjigje për problemet shëndetësore të qytetarëve, sidomos për telashet e tyre të ëmbla me sheqer, të cilën ai me të drejtë e konsideron sëmundje mbi sëmundjet, pak a shumë si nënën e të gjitha sëmundjeve. E kush nuk e do të ëmblën, o Hetem, në cilëndo formë që të paraqitet ajo?

E dini atë rrëfimin për një të marrë, i cili e kishte bërë zakon të hante sheqer kudo që gjente? Kur ankoheshin të tjerët, gjithnjë dikush e mbronte atë duke u thënë: "Mos e ngisni, se është i marrë"! "Nëse është i marrë, përse nuk ha krip", komentonin me thumb njerëzit. Por, Hetemi thotë se sheqeri është pak a shumë një armik, edhe pse ai nuk e parapëlqen luftën e klasave në mes të ëmblës dhe shijeve të tjera.

Sistemi shëndetësor, gjithnjë sipas Hetemit, ka edhe njësitë e veta speciale që janë mjekët dhe farmacistët. Ai konsideron se mjekët dhe farmacistët pak a shumë janë vrasës serikë, që vrasin më së shumti njerëz në kohën tonë, madje më shumë edhe se luftërat. Nuk po flasim vetëm për sistemin tonë të shëndetësisë, sepse aspak nuk është e nevojshme të jesh Hetem për të kuptuar se ka dështuar ky sistem. Mjafton të jesh pacient. Mund të jesh edhe i shëndoshë si molla dhe ta kuptosh se sistemi të sëmurë sapo paraqitesh në sportel ku të presin tre-katër veta të cilët të marrin shënimet duke shkruar me laps, të kontrollojnë dokumentet dhe s'të lënë as të vdesësh derisa s'i jep edhe të dhënat e fundit.

Derisa në sportele nuk mund të lëvizësh nga personeli i tepërt që merret me thashetheme dhe u nxin jetën pacientëve, nëpër spitale nuk lëvizë dot nga familjarët të cilët me ndërrime, kujdesen për të afërmit e sëmurë, dhe i ndërrojnë, i pastrojnë dhe ua sjellin barërat nga sistemi barnatoreve përreth spitalit, përfshirë edhe barërat esenciale.

Ky është sistemi ynë shëndetësor aktualisht, pak a shumë një mekanizëm torture për qytetarët të cilët kryesisht e përballojnë me stoicizëm sëmundjen deri në topitje të plotë dhe derisa të pranohen në trajtim të përhershëm nga armata e mjekëve dhe farmacistëve. Spitalet publike janë pra ai vendi ku qytetarët shkojnë për të krijuar varësi nga barërat dhe për t'u bërë qiraxhinj të përhershëm të sistemit shëndetësorë të cilit, pastaj, çdo muaj i paguajnë haraç dhe ankohen.

Pra, blejnë barëra pa hesap. Vetëm nga një bar kundër kolesterolit, si thotë Hetemi, industria farmaceutike globale fiton rreth 60 bilionë, ndërkohë që kolesteroli është miku më i mirë i njeriut, sipas tij!

"Nëse gabimet mjekësore do të trajtoheshin si një sëmundje, ajo do të ishte vrasësi tretë më i madh në Shtetet e Bashkuara", shkruan Marty Makary, autori i studimit nga më të fundit mbi vdekjet e shkaktuara nga gabimet mjekësore. Askush nuk e di se sa njerëz në fakt vdesin për shkak të gabimeve të mantelbardhëve. Dihet se në disa raste, kur mjekët ishin në grevë, gjatë asaj kohe kishte rënë numri i vdekjeve në këto qytete. Bëhet fjalë për të dhëna zyrtare nga qytetet Tel Aviv dhe Mexico City! Natyrisht, kjo mund të interpretohet në mënyra të ndryshme. Mediat kryesore janë me industrinë.

Por, Hetemi nuk flet për këtë lloj të vrasjes së pacientëve nga mjekët. Hetemin e duan mediat tona. Ai flet për vrasjet e qëllimshme, vrasjet për përfitime nga ana e industrisë shëndetësore farmaceutike, klinikave…! Ai është i bindur se koncepti i shëndetësisë oficiele është krejtësisht i gabuar dhe vrastar. Ai është i bindur se insulina vret. Ai është i bindur se kolesteroli nuk është armik i njeriut. Ai mendon se këto që kanë marrë emra sëmundjesh, nuk janë sëmundje, por janë gjendje që mund të tejkalohen me meditim dhe me ushqim, dhe se njeriu mundet dhe duhet të jetojë deri në 250 vjet. Pse, jo?! Kush nuk do të dëshironte. Aq më tepër kur nëpër media defilojnë edhe pacientët e shëruar pasi janë shkëputur nga barnat dhe nga trajtimi i sistemit.

Sistemi i cili shëron me ilaçe, vret, thotë Hetemi! "Nëse i japim qelizës çka i duhet, s'ka nevojë për ilaçe". Kjo tingëllon si formulë shpëtimtare, e Hetemin e bënë të duket si shpëtimtar!

Me të vërtetë, ashtu po duket kur kemi parasysh se si duket dhe si funksionon sistemi ynë shëndetësorë! Me të vërtetë, po ju them!

The post Hetemi apo sistemi? appeared first on Telegrafi.

Evropa që nuk beson më

Posted: 24 Apr 2018 11:13 AM PDT

Pier Ferdinando Casini

"Nuk do ju flas për Italinë, por për Evropën dhe jo për Evropën e djeshme apo të sotme, por për Evropën e së nesërmes, për atë Evropë që duam ta mendojmë, ta përgatisim dhe ta ndërtojmë", po përdor disa shprehje të thëna gjatë një fjalimi në radio, në vitin 1952 nga Alcide de Gasperi, pasi kujtimi i një prej etërve themelues të Evropës duhet të na bëjë të gjithëve të lëmë mënjanë përpjekjet mazokiste dhe euroskeptike e të përqafojmë me bindje projektin e një Evrope gjithmonë e më të fortë, gjithmonë e më të madhe e më pranë popujve evropianë.

Sot nuk ka vend për ndalesa të forta e nuk mund të lëmë pas dore aspiratën legjitime teksa shohim të mirëpritur – pothuaj pas 70 vjetësh nga lindja e idesë politike të Evropës – frytin e përpjekjeve, të sakrificave, të propozimeve të parashtruara nga etërit themelues, që ndër vite u pranuan dhe u kultivuan më tej nga klasat drejtuese evropiane.

DEBATI MBI TË ARDHMEN E EVROPËS

Evropës sot i duhet të përballet me sfida të reja e angazhuese. Kërcënimet që, në këtë moment historik, vënë në rrezik – për herë të parë që nga nënshkrimi i Traktatit të Romës – integritetin dhe stabilitetin e Bashkimit, në thelb janë dy llojesh.

I pari, ka karakter të jashtëm dhe është i lidhur me situatën e re gjeopolitike të botës: BE-ja është e kërcënuar nga Kina, Rusia dhe nga luftërat dhe nga terrorizmi në Lindjen e Mesme dhe në Afrikë, por edhe nga administrata e re e SHBA-ve që duket se po vë në diskutim shtatëdhjetë vitet e fundit të politikës së jashtme amerikane.

I dyti ka karakter të brendshëm dhe ka të bëjë më përparimin e ndjenjave kundër BE-së, nacionaliste dhe ksenofobe brenda vetë Unionit, të cilat e kërcënojnë nga brenda integrimin politik dhe vlerat themelore të demokracisë liberale. Marine le Pen në Francë, Viktor Orban në Hungari, Geert Wilders në Holandë, Grillo e Salvini në Itali, sa për të përmendur disa.

Ideja për të bashkuar Evropën mori udhë nga një këndvështrim edhe në një kontekst të luftës së ftohtë. Lindi si një përforcim i atij pakti mes vendeve perëndimore që, në mbrojtje të vlerave të përbashkëta, duhet të kufizonte kërcënimin sovjetik e të nxiste një zonë të tregut të lirë.

Mirëqenia ekonomike e pasluftës, rritja ekonomike dhe shoqërore si dhe ndërlidhjet mes kombeve, kanë qenë një mbështetje për atë që në një farë pike duket se ishte një proces i pakthyeshëm i destinuar për t'u realizuar plotësisht.

Ndjenja evropiane konsolidohej te faktet, duke u shndërruar nga një aspiratë krejtësisht intelektuale që kishte lindur mes klasave të kulturuara evropiane në një ndjenjë të masës.

Sot të gjitha këto kushte nuk janë më: bota nuk është më dypolëshe, SHBA duket se janë pak të interesuara për Evropën dhe si të tilla, kriza ekonomike dhe terrorizmi islamik e kanë dëmtuar ndjeshëm besimin dhe shpresën e popujve evropianë.

Vetë institucionet evropiane shpesh perceptohen si organizma burokratikë që më tepër janë të interesuar për të bërë ligje e rregulla sesa për të afirmuar një interes të përbashkët në emër të një ndjenje të përbashkët evropiane.

LIGJËRATA PRO EVROPËS E MACRONIT

Për këto arsye, fjalimi mbi të ardhmen e Evropës së Emmanuel Macronit (që u mbajt në sallën e Parlamentit Evropian në Strasburg më 17 prill) u përqendrua pikërisht mbi nevojën e nxitjes së një sovraniteti të ri evropian: "Është i nevojshëm një sovranitet evropian: të mbrosh idenë evropiane nuk është të mbrosh një ide abstrakte, do të thotë të nisesh nga fakti se shërben një sovranitet më i fortë sesa ai aktual; kundrejt migracioneve, pasigurisë planetare, transformimeve mjedisore dhe shoqërore, ai do të bëjë të mundur që të japim përgjigjet e duhura".

Macron e përvijoi qartazi rrezikun e madh të një "lufte civile" që po vërtitet në kontinentin tonë dhe parashtroi nevojën e rikrijimit (e të mos e shkatërrojë sikurse e mbështesin lëvizjen euroskeptike) të një modeli që tashmë duket se përjeton një krizë të përhershme identiteti: "Nuk mund të bëjmë gjoja sikur jemi në një kohë normale, ekziston dyshimi që përshkon shumë prej vendeve tona evropiane mbi Evropën, po shfaqet një lloj lufte civile evropiane; po dalin në pah egoizmat tona nacionale dhe ndjenjat antiliberale".

Për këtë qëllim, Macron shpalosi edhe një roadmap të përcaktuar qartë: "brenda përfundimit të legjislaturës duhet të arrijmë rezultate konkrete: një program evropian për pritjen dhe integrimin e refugjatëve; një tatim afatshkurtër për digjitalen, në mënyrë që të ofrojë burimet e tij për buxhetin, reforma në unionin bankar dhe qëndrueshmëria e buxhetit; siguri e brendshme, fond evropian për mbrojtjen. Ajo çka na mban së bashku është një kulturë, jo një monedhë".

ÇËSHTJA E ZGJERIMIT

Shumë vende kanë shprehur dyshimin se një zgjerim i mëtejshëm i BE-së mund të sjellë më shumë rreziqe sesa përparësi për vetë Unionin. (Vetë Macron e shprehu qartë se do të mbështetë "zgjerimin vetëm atëherë kur do të kemi një reformë të thellë të Evropës sonë").

Gjithsesi janë të shumtë ata – i pari ndër të tjerë kryetari i Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker – që vijojnë të besojnë se e ardhmja e Evropës mund të ndërtohet vetëm duke e plotësuar shtëpinë evropiane, duke u ofruar vendeve të tjera "një perspektivë evropiane të besueshme" që të mund të ndryshojë ndjenjat kolektive e të lartësojë aspiratën për të zhvilluar më tej integrimin evropian.

Nëse Bashkimi Evropian nuk do që interesat e tij të cenohen nga loja përça e sundo e fuqive të mëdha ( që mbështetjen e saj natyrale e gjen te partitë nacionaliste antievropiane), nevojitet në fakt që të provojë të shndërrohet ajo vetë në një fuqi të madhe.

Nga ana tjetër, shpërbërja e Bashkimit Evropian nuk do të sillte rifitimin e sovranitetit të plotë të shteteve anëtare, por varësinë e tyre të vërtetë nga superfuqitë e tjera të mëdha (SHBA, Rusi, Kinë).

Vendet evropiane të marra veçmas janë të parëndësishme, vetëm bashkë mund të jenë plotësisht të pavarura. E pikërisht këtu qëndron fuqia e Bashkimit Evropian: të mos kemi shumë politika aq sa janë edhe shtetet anëtare, por të kemi një të vetme, mjaftueshëm koherente sa për të përvijuar interesin e tij dhe për ta mbrojtur atë.

Sot, është më shumë se kurrë e nevojshme të besosh në një Evropë sovrane, e aftë të imponojë vlerat e saj, interesat e saj të përbashkëta në rruzull për të kapërcyer sfidat që na vë përpara një botë gjithnjë e më shumë e globalizuar: nga çështja e menaxhimit të prurjeve migratore tek e drejta për azil, nga mbrojtja e përbashkët te qëndrueshmëria financiare e Eurozonës.

BALLKANI

Ajo çka jemi sot, ajo çka po përpiqemi të ndërtojmë në të ardhmen e afërt është trashëgimi e një mendimi pjellor dhe e një veprimi të vendosur, që është mirëpritur duke tejkaluar kështu pritshmëritë fillestare e që ka mundur të zhvillohet më tej falë edhe ndryshimeve politike në dhjetëvjeçarët e fundit, si rrjedhojë e shpërbërjes së regjimeve totalitare të llojit sovjetik dhe afirmimit të modeleve të reja të marrëdhënieve ndërkombëtare.

Në këtë perspektivë nuk duhet të harrojmë që Ballkani ka qenë gjithmonë skenë e ngjarjeve të mëdha të cilat kanë shënuar historinë e kontinentit evropiane.

Pozicioni i veçantë strategjik, si urë mes Evropës dhe Rusisë e mes Evropës dhe Lindjes së Mesme, në fakt ndër shekuj e ka bërë këtë zonë të jetë një qendër e vërtetë nevralgjike e historisë evropiane dhe e përballjes mes fuqive të çdo kontinenti, "një hapësirë që prodhon histori më shumë se ç'mund të konsumojë", sipas Winston Churchill.

Në vitet '90, rënia e Murit të Berlinit e për rrjedhojë shfaqja e entiteteve të mëdha multinacionale Bashkimi Sovjetik dhe Jugosllavia, regjistruan një drejtim të ri për integrimin e hapësirave boshe, duke u dhënë shkas kështu luftërave për shpërbërjen e Jugosllavisë, të cilat jo rastësisht ndodhën në kurriz të një tranzicioni të madh gjeopolitik.

Në këtë kontekst, mungesa e një aksioni politik konkret nga ana e Evropës (që në një farë mënyre e ndihmoi ndërhyrjen në këtë zonë të Shteteve të Bashkuara për arritjen e interesave të tyre strategjike) jo vetëm që ka penguar gjetjen e një zgjidhjeje por ka ushqyer kontrastet ekzistuese.

E gjithë kjo teksa Evropa dhe komuniteti po përpiqeshin të krijonin një treg të përbashkët dhe të negocionin Traktatin e Maastrichtit, për krijimin e një Unioni ekonomiko-monetar.

Pra, kjo krizë jo vetëm që përbën një kërcënim për rendin evropian që po krijohet por padyshim dhe një mundësi të munguar në të cilën Evropa duhet të kishte treguar se ekzistonte dhe se dinte të vepronte si një fuqi e madhe.

Ndaj, edhe për këtë, sot Evropa ka për detyrë ta integrojë këtë zonë përmes një strategjie zhvillimi dhe ndërlidhjeje rajonale që ët krijojë një rrjet të konsoliduar infrastruktural në mënyrë që të lehtësojë dhe të rritë shkëmbimin ekonomik dhe "kontaminimet" kulturore të nevojshme për zgjimin e ndjenjës së përkatësisë evropiane, e domosdoshme për një bashkim politik të vërtetë e të strukturuar.

Për këtë qëllim është e rëndësishme të kujtojmë se nëse Evropa dëshiron me të vërtetë të shohë Udhën e Mëndafshit si një objektiv strategjik, ndërtimi i urave mes dy brigjeve të Adriatikut duhet të kryhet sa më shpejt të jetë e mundur.

Pra, për këtë rajon që ende po lan hesapet me një histori shumë të afërt, formalisht mund të hapen shpejt dyert e integrimit evropian. Më 2025 Bashkimi Evropian mund të arrijë të përmbledhë 33 shtete, duke përmbushur fazën e dytë të Bashkimit Evropian të nisur në fillim të shekullit XXI: jashtë Britania e Madhe, brenda Serbia, Mali i Zi, Maqedonia, Kosova, Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina.

Gjithmonë kam pasur bindjen se e ardhmja e Shqipërisë është në Evropë dhe se shqiptarët – që ende e kanë të gjallë kujtimin e luftërave që përfunduan vetëm para pak vitesh – dinë ta mirëpresin deri në thelb vlerën e Bashkimit Evropian, të kësaj aleance që lindi për të sjellë paqe e begati për vendet që ndër shekuj kanë luftuar.

Për këtë vend nuk ka alternativë tjetër për të ardhmen e tij evropiane dhe se drita jeshile e Brukselit për çeljen e negociatave për anëtarësim, e datës 17 prill, përbën një rezultat të rëndësishëm për të cilin Italia ka punuar me vendosmëri.

Edhe pse Shqipëria ka bërë hapa të shumtë në këtë drejtim, sot i kërkohet që të vijojë përpjekjet e saj me energji të reja: duhet t'u përshtatet rregullave të përbashkëta dhe të gjejë prirjen e saj në kuadër të Bashkimit Evropian duke u përpjekur që veçoritë e saj t'i adresojë brenda kufijve të pamat të Evropës së re.

Por, pikërisht perspektiva e të qeni pjesë e një projekti të madh evropian do të bëjë të mundur që të shohë me më shumë optimizëm mundësitë për stabilizimin, zhvillimin e vendit dhe qasjen në përputhje me standardet për funksionimin e institucioneve, të burokracisë dhe të tregjeve.

Edhe ne italianëve na është dashur që ndër vite të përballemi me sakrifica të mëdha, por këto sakrifica janë pranuar me vetëdijen se do ta bënin më të lehtë hopin cilësor, aq të nevojshëm për të qenë protagonistë në kontekstin evropian.

Dhe sot Italia është një motor themelor për zhvillimin e Evropës, pavarësisht se edhe këtu kanë gjetur hapësirë frikërat dhe dyshimet euroskeptike të cilat si edhe në vende të tjera evropiane, kanë karakterizuar qëndrimet e opinionit publik si edhe kanë favorizuar lindjen e lëvizjeve thellësisht kundër organizmave komunitare, në dobi të lëvizjeve lokaliste apo të frymëzuara nga një nacionalizëm ekstrem.

 

The post Evropa që nuk beson më appeared first on Telegrafi.

Diskriminim në punësim nga shteti

Posted: 24 Apr 2018 11:08 AM PDT

Neni 5 i Ligjit të Punës përcakton qartë se diskriminimi është i ndaluar në punësim dhe profesion, lidhur me rekrutimin në punësim, trajnimin, promovimin e punësimit, kushtet e punësimit, masat disiplinore, ndërprerjen e kontratës së punës ose çështjeve të tjera nga marrëdhënia e punës të rregulluara me këtë ligj dhe me ligjet e tjera në fuqi, mirëpo në realitet ky ligj është i mirë vetëm kur rri në raftet e Qeverisë dhe të ministrive përkatëse.

Sipas Institutit Kosovar për Media dhe Politika, sfida më e madhe me të cilën do të përballet Kosova në vitet e ardhshme ka të bëjë me parimin e barazisë. Diskriminimi në tregun e punës në shoqërinë kosovare është aq i përhapur dhe dinamik, sa që nuk ka kohë për pritje nevojiten masa urgjente për ta ndalur atë.

Ndonëse nuk ka pasur vullnet politik për të luftuar këtë problem, Qeveria e Kosovës duhet të kuptojë rëndësinë e parimit të mundësive të barabarta si parakusht për drejtësi sociale dhe ekonomi të zhvilluar, dhe të hartojë kornizën ligjore për adoptimin e masave që e luftojnë diskriminimin në bazë të bindjeve politike, gjinisë, moshës dhe aftësive të kufizuara.

Nuk ka konkurs publik në Kosovë që hapet dhe nuk aplikojnë një numër i konsiderueshëm kandidatesh, dhe për atë vend pune veç është duke punuar dikush, thjesht kurdisje e çdo konkursi.

Raporti i Progresit për vitin 2018 ka dhënë vërejtje serioze lidhur me politizimin e vazhdueshëm të administratës publike, pra nepotizmi ndikon negativisht në efikasitetin dhe pavarësinë profesionale të administratës publike.

Ryshfeti, lidhjet familjare, lidhjet partiake sipas UNDP-së janë faktori kyç për të siguruar një vend pune në sektorin publik. Ky fenomen e ka përcjell Kosovën që nga paslufta e këtej, e asnjë Qeveri nuk e ka luftuar këtë të keqe, andaj edhe ka marr përmasa shqetësuese një praktikë e tillë.

Në vitin 2017, ATK-ja kishte shpall konkurs pune për inspektor tatimor, në atë konkurs kishin konkurruar mbi dymijë punëkërkues dhe për kuriozitet ishin pranuar 30 zyrtarë, shumica dominante e tyre pa i plotësuar kriteret, madje pa kaluar as testet elementare: pa diplomë Universiteti, pa përvojë pune, thjesht anëtar të partisë politike që kishte pushtetin në vitin 2017. Për fat të mirë ky konkurs u anulua dhe u shkojë dëm ryshfeti që kishin marrë.

Gjithashtu ditë më parë Ministria e Punëve të jashtme kishte shpallur konkurs për disa pozita në këtë ministri, e në atë konkurs u pranua zyrtari i cili veçse kishte një vit që kishte filluar punën. Pra, një maltretim për garuesit tjerë, ku me këtë rast është shkelur Kushtetuta e Republikës së Kosovës lidhur me barazinë dhe mosdiskriminimin.

Papunësia është një barrë e madhe për të gjithë qytetarët në këtë vend të dalë nga një luftë e përgjakshme. Siç dihet, ky fenomen shkakton shumë dëme të mëdha si në aspektin ekonomik, shoqëror, social e politik.

Mbetet sfidë e madhe për institucionet e Republikës së Kosovës dhe mekanizmat që kanë qasje në përmirësimin e kësaj dukurie, që e ka kapluar shoqërinë kosovare, posaçërisht rininë e saj, e cila përbën më shumë se 50 për qind të fuqisë punëtore.

Rritja e madhe e papunësisë mund të shërbejë si shtrat i ngrohtë për zhvillimin e dukurive negative të dëmshme për shoqërinë në përgjithësi, e posaçërisht për rininë, e cila në Kosovë është jashtëzakonisht në moshë të re. Këto dukuri mund të jenë: kriminaliteti, vjedhjet, plaçkitjet, zhvillimi i ekonomisë ilegale, droga, huliganizmi etj. Për të siguruar ekzistencën e vet dhe të anëtarëve të familjes, të papunët janë të prirë të bëjnë punë të liga dhe të dëmshme që shkojnë në dëm të shoqërisë në përgjithësi. Mund të konstatojmë se papunësia e madhe paraqet një problem mjaft kompleks dhe të ndërlikuar ekonomiko-shoqëror dhe social, për çka duhet edhe qasje komplekse për zgjedhjen e këtij problemi.

Janë qindra mijëra konkurse të kurdisura, punësojnë dajallarë, nipa, mbesa, kushërinj, tezakë, por ama shumica pa meritë. Thjesht ky fenomen ka shtri rrënjë: nuk ke mundësi me u punësu në Kosovë nëse nuk ke dikë, apo nuk jep para! Nuk ka institucion në vend që nuk është prek nga ky fenomen çoroditës!

The post Diskriminim në punësim nga shteti appeared first on Telegrafi.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more