Skip to main content

“Rudi Xhuliani: A ka ndërhyrje ruse në Shqipëri” plus 9 more - Gazeta Dita

“Rudi Xhuliani: A ka ndërhyrje ruse në Shqipëri” plus 9 more - Gazeta Dita


Rudi Xhuliani: A ka ndërhyrje ruse në Shqipëri

Posted: 22 Mar 2018 01:54 AM PDT

 

Ish-kryebashkiaku i Nju Jorkut, Rudi Xhuliani ka komentuar raportet mes SHBA dhe Rusisë, si dhe shtrirjen e influencës ruse.

Në emisionin "Opinion", Xhuliani tha mbrëmë se Rusia është një fuqi po aq false sa ishte gjatë kohës së Bashkimit Sovjetik.

"Ne i mbivlerësojmë ata. Mendoj se është mirë ta mbivlerësosh armikun. Më mirë sesa ta nënvlerësosh atë. Unë mendoj se ata janë një vend i fortë por nuk janë asgjë në krahasim me Kinën. Kina është një vend i fortë. Një vend më i pasur. Ndërsa ne jemi 2 apo 3 herë më të fuqishëm ekonomikisht se Kina dhe gati 8 herë më të fuqishëm ushtarakisht", – tha Xhuliani duke fajësuar Obamën dhe Klintonin për mënyrën se si u sollën me Rusinë duke i dhënë sipas tij Putinit çfarë ai kërkonte pa marrë asgjë.

"Unë mendoj se Putini e pa këtë dhe tha: "Unë mund t'i shkel me këmbë këta njerëz. Ata janë budallenj, ata janë të gatshëm të japin pa marrë asgjë në këmbim, ata nuk negociojnë fort siç bëj unë." Unë mendoj se kjo i dha forcë atij që të hynte në Ukrainë. Në Gjeorgji në fillim. Gjeorgjia ishte një kufi i vogël. Ukraina ishte arritja e vërtetë. Dhe ai e goditi atë shumë fort" – tha Xhuliani.

"Një sulm ndaj Polonisë do të niste një luftë botërore. Do e kishin të gjithë Evropën kundër. Po ashtu edhe Shtetet e Bashkuara. Ata nuk e duan këtë. Unë mendoj se ata duan vetëm të ngacmojnë. Estonia ka disa probleme në veri.

Mendoj se vendi juaj është në formë të mirë sepse nuk ka ndikim rus këtu. Kjo është ajo çka dua të them në lidhje me rezistencën ndaj Rusisë.

Kosova? Po. Mendoj se ky është problem. Por besoj gjithashtu se rusët po kërkojnë më shumë në veri. Më shumë si në Estoni. Ndoshta jo dhe aq në Letoni, ata janë pak më perëndimorë tani. Estonia ka një popullatë të madhe ruse", tha Xhuliani.

a.s/dita

Përvjetori i dytë i sulmeve në Bruksel, i mbijetuari: Njerëzit janë braktisur

Posted: 22 Mar 2018 01:46 AM PDT

 

Përvjetori i dytë i sulmeve terroriste në Belgjikë, ku mbetën 32 të vdekur, rikthen sërish kujtimet e dhimbshme për Walter Benjamin, këmba e djathtë e të cilit është amputuar pjesërisht si pasojë e shpërthimit të bombës në aeroport.

Qeveria deklaroi vitin e kaluar se do t'u jepte të mbijetuarve statusin e viktimës, duke i bërë atyre të mundshme të përfitojnë pension dhe rimbursim të kostove mjekësore, por Benjamini thotë se Belgjika ka bërë shumë pak për të ndihmuar të mbijetuarit t'iu kthehen jetesës së mëparshme.

"Është përgjegjësia e qeverisë të mbrojë qytetarët e saj", thotë Benjamin, i cili hodhi të gjitha kujtimet e tij në një libër për të përballuar situatën e rëndë. "Njerëzit janë braktisur", shprehet më tej ai.

Trupa ushtarakë patrullojnë rrugët e Brukselit që kur 3 myslimanë të rinj belgë hodhën veten në erë me valixhe-bombë në stacionin e metrosë "Maelbeek" dhe në Aeroportin "Zaventem" më 22 mars të vitit 2016.

Por Benjamini dhe të mbijetuarit e tjerë thonë se ende ndiejnë shqetësime mbi sigurinë, teksa përballen me kujtimet e trishta të atyre sulmeve.

Motra e Philippe Vansteenkiste u vra gjatë njërit prej sulmeve e tashmë ai ka vendosur të drejtojë një grup për viktimat. Ai shprehet se rreth 500 viktima të drejtpërdrejtë dhe indirekt të atij sulmi po përpiqen të vijojnë jetën.

"Njerëzit ecin si të hutuar, duke menduar 'sa me fat paskam qenë që munda t'iu shpëtoja sulmeve', por menjëherë më pas nisin edhe simptomat e çrregullimeve post-traumatike të stresit", thotë Vansteenkiste.

Benjamin kishte planifikuar të udhëtonte me avion drejt Izraelit për të takuar vajzën e tij 16-vjeçare, kur ndodhi shpërthimi në aeroportin e Brukselit.

Menjëherë më pas, siç rrëfen ai, një tjetër mysliman i erdhi në ndihmë. Ai kujton momentet tragjike, me synimin për të theksuar se jo të gjithë myslimanët duhen fajësuar për sulmet që ndodhin anembanë botës.

Që prej atëherë, Benjaminin e sheh të nxitojë nga një terminal i aeroportit në tjetrin, si dhe në pikat e kontrollit të sigurisë, teksa flet me të mbijetuar të tjerë të atyre ngjarjeve, pasi bisedimet me të mbijetuarit, qofshin ata edhe të amputuar, e kanë ndihmuar të përballojë stresin.

Francë, ish-presidenti Sarkozy vihet nën hetim formal

Posted: 22 Mar 2018 01:37 AM PDT

 

Ish-presidenti francez, Nicolas Sarkozy është vendosur nën hetim formal mbi akuzat se ka marrë financime për fushatën presidenciale nga ish-udhëheqësi i vrarë libian, Muammar Gaddafi.

Ai po hetohet për financim të paligjshëm të fushatës, shpërdorim të fondeve publike libiane dhe korrupsion pasiv. Sarkozy u lirua të mërkurën pas dy ditëve marrjeje në pyetje mbi financimin e fushatës së suksesshme presidenciale të vitit 2007. Megjithatë, 63-vjeçari Sarkozy mohon të ketë shkelur ligjet.

Ai thotë se akuzuesit libianë po kërkojnë "hakmarrje" ndaj vendimit të tij për të dërguar avionët luftarakë francezë gjatë trazirave që rrëzuan Gaddafin në vitin 2011. Politikani i qendrës së djathtë dështoi në përpjekjen e tij për t'u rikthyer në pushtet në vitin 2012, duke humbur përballë socialistit të asaj kohe, François Hollande.

Në vitin 2013, Franca nisi një hetim mbi akuzat se fushata e Sarkozysë përfitoi miliona euro financime të paligjshme nga Gaddafi. Një nga ish-ministrat e Sarkozysë dhe aleat i afërt, Brice Hortefeux, raportohet gjithashtu të jetë marrë në pyetje nga policia gjatë së martës.

Një ish-ndihmës i tij, Alexandre Djouhri, po lufton kundër ekstradimit në Francë, pasi u arrestua në Londër gjatë muajit janar me dyshimin e pastrimit të parave, si pjesë e këtij hetimi. Biznesmeni zviceran mohon ndonjë shkelje, e thotë se hetimi është i motivuar politikisht, sipas agjencisë së lajmeve "Reuters".

Pretendimet për financim nga Gaddafi vijnë nga një biznesmen franko-libanez, Ziad Takieddine, e disa prej ish-zyrtarëve të regjimit të Gaddafit.

Sarkozy u arrestua në vitin 2014 pas një tjetër hetimi për abuzime me financat e fushatës së tij, hera e parë kjo që i ndodhte një ish-presidenti francez.

a.s/dita

Vuçiç: Perëndimi mbështet fuqishëm pavarësinë e Kosovës

Posted: 22 Mar 2018 01:21 AM PDT

 

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, tha të mërkurën se fuqitë perëndimore nuk duan të flasin se kujt i takon Kosova dhe e trajtojnë atë çështje të mbyllur. Ai i bëri këto komente pas takimeve që ka zhvilluar ditëve të fundit në Shtetet e Bashkuara, në një vizitë private gjatë së cilës është takuar edhe sekretarin e përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guteres.

Ai i tha televizionit shtetëror serb se gjatë qëndrimit në Shtetet e Bashkuara ka zhvilluar takime të rënda lidhur me çështjen e Kosovës

"Jam i kënaqur me punën e përpjekjen tonë, por nuk jam i kënaqur me rezultatet. Kam shpresuar për mirëkuptim më të madh. Nuk jam i kënaqur me atë që kam arritur. Qe një kohë të gjatë po flasim për të ardhmen e Serbisë, për Kosovën… Po përpiqemi të gjejmë zgjidhej kompromisi, por pala shqiptare po e bën punën e vet, e bashkësia ndërkombëtare të veten. Nuk jam i kënaqur, sepse vendet perëndimore qëndrojnë fuqishëm në mbështetjen dhe ruajtjen e pavarësisë Kosovës", tha ai.

Presidenti serb ka paralajmëruar mundësinë që në muajin prill të paraqesë një platformë për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, por për këtë tha ai, ka nevojë edhe për mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare.

"Megjithatë, Perëndimi nuk dëshiron në asnjë mënyrë të flasë për atë se kujt i takon Kosova", tha ai duke nënvizuar se Serbia po paguan çmimin e vendimeve të gabuara të së kaluarës, përfshirë edhe ngritjen e çështjes së pavarësisë së Kosovës para Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë e cila ka pohuar se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk bie ndesh me ligjin ndërkombëtarë.

Ai ritheksoi se Serbia është e gatshme për kompromise por jo "edhe të sakrifikojë interesat e saj", ndërsa hodhi poshtë pohimet se ka zhvilluar takime private me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, apo të ketë biseduar me të për "ndarjen e Kosovës", një pohim i hedhur nga forcat opozitare në Serbi por edhe nga disa medie evropiane.

Për të premten në Bruksel është paralajmëruar takimi i radhës ndërmjet presidentit serb dhe presidentit të Kosovës në kuadër të bisedimeve për ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian. Presidenti serb tha se moti i lig që ka përfshirë Shtetet e Bashkuara mund të pengojë këtë takim.

Takimi i fundit ndërmjet tyre është mbajtur në Bruksel më 20 shtator të vitit 2017 në New York, më ndërmjetësimin e zonjës Mogherini, në dritën e zotimeve të bëra në dy takime që u zhvilluan në korrik dhe në fund të muajit gusht në Bruksel, kur ata ishin pajtuar për një fazë të re të bisedimeve ndërmjet të dyja palëve, përtej çështjeve teknike.

Vitin e kaluar presidenti serb hapi një dialog të brendshëm serb për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, pavarësinë e së cilës ajo vazhdon ta kundërshtojë, por është përfshirë në një proces bisedimesh në shkëmbim të afrimit më strukturat evropiane.

Ai është zotuar të vazhdojë rrugën evropiane por edhe të ruaj lidhjet me aleatin e saj Rusinë, një dëshirë e nacionalistëve serb që nuk pajtohen me pavarësinë e Kosovës. Kosova mbetet çështja kryesore në bisedimet e Serbisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Kjo është ritheksuar edhe në fillim të muajit shkurt, kur Komisioni Evropian shpalosi Strategjinë për Zgjerimin me vendet e Ballkanit Perëndimor, që është një nga zhvillimet e rëndësishme për rajonin gjatë këtij viti. Në muajin prill, Komisioni Evropian do të publikojë raportin e përparimit të këtyre vendeve, ndërsa në muajin maj në Sofje, pritet të mbahet takimi i lartë i vendeve të Ballkanit Perëndimorë. Strategjia e zgjerimit do të diskutohet më pas në qershor në takimin e lartë të Bashkimit Evropian, ndërsa në korrik në Londër do të mbahet takimi i radhës i vendeve të Ballkanit Perëndimorë.

Këto zhvillime shihen si një përpjekje e ripërtërirë e Bashkimit Evropian për një qasje ndryshe ndaj rajonit të trazuar për shkak të rritjes së ndikimit rus, krizës së emigracionit, rrëshqitjes së Turqisë drejt autoritarizmit dhe synimit për të forcuar integrimin evropian pas largimit të Britanisë në vitin 2019./Zëri i Amerikës

a.s/dita

Moti i acartë, bora mbulon Veriun e Shqipërisë

Posted: 22 Mar 2018 01:15 AM PDT

 

Moti ekstrem, që paralajmëroi sinoptikani grek Arnautoglu për Shqipërinë, ka nisur në veri të vendit.

Reshjet e dëborës po bien edhe në zonat e banuara, por problemi më i madh është era e fortë në rrugë.

Situata paraqitet e ngjashme në Rrugën e Kombit, në aksin nga Kukësi në Dibër dhe nga Kukësi në Tropojë.

Aksi rrugor Bulqizë-Peshkopi kalohet pa zinxhirë, por me vështirësi për shkak të erës së fortë dhe ngricave.

Edhe aksi Qafë e Buallit-Krastë kalohet pa zinxhirë, por ka prani të ngricave. Ndërkohë, aksi Ura e Çerenecit-Steblevë mund të kalohet pa zinxhirë.

Trashësia e dëborës ka arritur në orët e para të ditës deri në 20 centimetra.

a.s/dita

 

Një Chef si ky i yni, në listën e kuzhinierëve më të mirë evropianë për 2018

Posted: 22 Mar 2018 12:54 AM PDT

Që jemi një vend që e dashurojmë në marrëzi ushqimin, kjo gjë dihet tanimë. Që u jemi mburrur turistëve me pjatat tona tradicionale që të bëjnë të lësh sëbashku me gishtat dhe mendtë, e kemi bërë, përse ta mohojmë diçka të tillë…

Por, që të kishim një shef kuzhine që është renditur në 'Opinionated about Dining' në vendin e 109 të listës së kuzhinierëve më të mirë evropianë për vitin 2018, kjo po që është diçka për t'u krenuar ballëlartë.

'Opinionated about Dining' është një ndër markat më të respektuara udhëzuese ndërkombëtare, e cila funksionon me një sistem vlerësimi të restoranteve, ku përfshihen ekspertë që udhëtojnë anembanë botës për të përjetuar artin e kuzhinës si dhe komuniteti i anëtarësimit, ku çdo anëtar ndikon në rezultatet e renditjes aktuale të këtyre restoranteve.

Pra, falë këtij paneli votimi, që erdhi brenda paketës së krijimit të OAD-së nga Steve Plotnicki në 2004, Fundim Gjepali do të përzgjidhej për të qenë midis shefave më të mirë të Evropës, shkruan Dita.

36 vjeçari nga Shijaku ka qenë gjithnjë i apasionuar pas gatimit dhe erës tunduese që arrin të përcjellë një pjatë e shijshme. Ai vjen nga një familje ku bujqësia e blegtoria kanë qenë gjithnjë të lëvruara dhe do ishte pikërisht babai i tij, ai që në mënyrë të pakuptueshme do të depërtonte në venat e Fundimit dëshirën për të shkëlqyer në gastronomi.

Emigruar në moshën 16-vjeçare drejt Italisë, përballja e tij e parë me kuzhinën do të kishte si element lidhës profesionin e pjatalarësit, që më pas do të shërbente si një shkollë e vërtetë kuzhine për përthithjen e "sekreteve" që fshihen pas atyre dyerve me xhama të përkëdhelur nga avulli.

Fundim Gjepali nuk e ka mbaruar shkollën e kuzhinës, megjithatë ka ndjekur një sërë stazhesh e konferencash nëpër shtete ku vlerësohet kultura gastronomike si: në Francë, Spanjë e Itali. Pasqyroi njohuritë e tij jo vetëm me receta të reja, por edhe me kombinime të shumëllojta ingridientësh, metoda e teknika të reja konservimi  si dhe artin e të paraqiturit estetikisht një pjatë të çfarëdolloji.

Në një simbozë ideale të përkushtimit, talentit dhe vullnetit ai do të vendosej në krye të restorantit "Antico Arco", që konsiderohet si një ndër restorantet më të mirë e më me traditë në Romë. Por, për të gjithë kuriozët, në pamundësi për të rrëmbyer avionin e për të llastuar shqisat tuaja, të cilat mund të jenë besnike të ullinjve të Beratit por edhe të pjatave “elegante”, Fundim Gjepali gjendet si shef kuzhine edhe në  "Padam Boutique Hotel& Restaurant" (i pozicionuar mrekullisht në zemër të Tiranës).

Ky është shefi i kuzhinës Fundim Gjepali, i cili jo vetëm ofron një kulturë gastronomike në 360 gradët e saj pavarësisht vendndodhjes gjeografike, por arrin të  shndërrohet në bashkëpunëtorin më të ngushtë të parë ndonjëherë në "arratisjen tuaj të ëmbël urbane."

s.a/dita

22 mars 2018

Posted: 21 Mar 2018 06:00 PM PDT

Horoskopi, 22 mars 2018

Posted: 21 Mar 2018 05:00 PM PDT

Dashi

Edhe pse Marsi sjell ritme marramendëse, tani që keni rikuperuar plotësisht e keni më të lehtë të kontrolloni veten dhe të tjerët. Eshtë momenti për t'u marrë me problemet personale.

 

Demi

Parashikohet përgjithësisht një ditë e qetë për ju që i përkisni kësaj shenje, ndonëse në momente të caktuara mund të keni ndonjë moment acarimi me dikë, por që do të përfundojë shpejt.

 

Binjakët

Kuadri yjor për ju sot është pozitiv, sidomos tani që  Mërkuri është në një orbitë që favorizon si krijueshmërinë tuaj, ashtu edhe pasionet në planin sentimental. Intersante një njohje e re.

 

Gaforrja

Eshtë përsëri Afërdita, ylli i dashurisë ai që do të jetë dominues për pjesën më të madhe të të lindurve të kësaj shenje, duke favorizuar lidhjet e reja, por edhe ato ekzistuese.

 

Luani

Me pozicionin e Mërkurit nga njëra anë dhe Jupiterit shumë të favorshëm dita sot mund t'ju ofrojë momente shumë interesante në fushën e raporteve ndërpersonale. Mund të merrni një propozim të ri.

 

Virgjëresha

Me pozicionin e tij në shenjë Marsi është në harmoni me Afërditën dhe Mërkurin duke bërë që dita e sotme të jetë vërtet e vrullshme, por plot fantazi. Sa vështirë për të ruajtur një sekret!

 

Peshorja

Pozicioni aktual i Saturnit në shenjë ka ndikuar e do të ndikojë për disa ditë negativisht te ju, prandaj duhet të kini kujdes për t'i marrë gjërat më shtruar. Eshtë momenti të veproni pa u ngutur.

 

Akrepi

Edhe për ju janë Mërkuri edhe Afërdita yjet që do t'ju mbështesin, por sa të vështirë do ta keni për të frenuar veten. Nganjëherë është më mirë të dëgjoni zërin e arsyes e jo atë të zemrës.

 

Shigjetari

Përsëri qielli juaj është i mbushur me yje të mirë, prandaj nëse sot nuk do të arrini të bëni asgjë pozitive, duhet ta kërkoni shkakun te vetja e jo në qiell. Nëse tregoheni të hapur do të keni më shumë harmoni me partnerin..

 

Bricjapi

Hëna sot është në një pozicion që, ndoshta nuk ju favorizon, por pasionin ia ndez me siguri. Duhet të bëni më shumë kujdes, sepse me hezitimin që keni, shpesh i prishni punë vetes.

 

Ujori

Kuadri yjor për ju është shumë pozitiv dhe Hëna e mirë sot do të sjellë stimuj dhe pasione të reja në planin sentimental. Mezi prisni të takoni dikë, por atëherë kur duhet ju kyçet goja.

 

Peshqit

Pas një periudhe "jo" me shumë telashe e kokëçarje, tani situata po kthehet gradualisht në favorin tuaj, prandaj duhet të përfitoni pa humbur kohë për të rikuperuar. Erosi tani në rritje.

Ka qaramanë e qaramanë, por bebet e këtyre vendeve thyejnë rekordin e lotëve

Posted: 21 Mar 2018 03:00 PM PDT

 

Prindërit që janë duke u marrë me një bebe që nuk pushon së qari mund të qetësohen, pasi nuk janë të vetmit që ndodhen në këtë situatë. Përpjekjet e para për të krijuar një grafik universal që do të përfaqësonte të qarat e të gjithë bebeve në vendet e ndryshme të botës treguan që bebet në Britani, Kanada dhe Itali qajnë më shumë se në çdo vend tjetër. Prindërit më me fat, bebet e të cilëve qajnë më pak, gjenden në Danimarkë, Gjermani dhe Japoni, sipas studimeve të publikuara në "Journal of Pediatrics."

Prof. Dieter Wolke nga Universiteti i Warwick, i cili ndoqi këto hulumtime thotë: "Çdo bebe ndryshon nga tjetri për sa i përket kohës kur fëmija qan, ku në javën e parë të jetës së tyre variacionet janë të mëdha, por më se normale. Ne mund të mësojmë më shumë duke vërejtur kulturat ku ka më pak të qara dhe të shikojmë në qoftë se kjo ka lidhje me prindërit apo faktorë të tjerë që janë të lidhur me eksperiencat gjatë shtatzënisë apo gjenetikën.”

Të gjitha studimet e kryera nga Universiteti i Warwick tregojnë se kohëzgjatja e të qarave ishte më e madhe gjatë gjashtë javëve të para të jetës dhe më e reduktuar gjatë javëve pasuese. Ata zbuluan se bebet qanin për të paktën dy orë në ditë gjatë dy javëve të para, arrinin kulmin në dy orë e 15 min në ditë gjatë gjashtë javëve dhe reduktoheshin gradualisht përreth një ore dhe 10 min përgjatë 12 javëve. Megjithatë është konstatuar se disa foshnja qajnë më pak se 30 minuta dhe të tjerë deri në 5 orë në ditë. Studimi ka përfshirë gjithashtu Australinë, Hollandën dhe SHBA.

l.h/ dita

Ish-kryebashkiaku i Nju Jorkut: Kam ardhur në Shqipëri për muxhahedinët

Posted: 21 Mar 2018 02:50 PM PDT

 

Ish-kryetari i Bashkisë së Nju Jorkut, Rudy Giuliani ka vlerësuar faktin që Shqipëria ka pranuar të strehojë muxhahedinët dhe ka përgëzuar qeverinë Berisha që nisi këtë proces dhe qeverinë Rama që e përfundoi.

I ftuar në studion e emisionit "Opinion", ish-kryebashkiaku i Nju Jorkut tha se ndodhet në Shqipëri për herë të parë dhe qëllimi i vizitës janë pikërisht refugjatët iranianë.

Rudy Giuliani tregoi gjithashtu se ka pasur marrëdhënie të mira me shqiptarët dhe shumë prej tyre e kanë votuar kur kandidonte për kryetar të Bashkisë së Nju Jorkut.

BF: Zoti Giuliani, mirë se erdhët në Shqipëri.

RG: Faleminderit. Është hera ime e parë këtu dhe jam shumë i impresionuar.

BF:  Eshtë kënaqësia ime që jam këtu me ju sot të flas për karrierën gjithashtu dhe për vizitën tuaj. Kjo është hera e parë që vini në Shqipëri?

RG: Është hera ime e parë në Shqipëri. Hera e parë që vij në Tiranë. Shqipërinë dhe shqiptarët i njoh mirë nga Amerika. Kam takuar njerëz në qeverinë tuaj më parë në Paris pra e njoh mirë Shqipërinë, por nuk kisha qenë kurrë më parë këtu.

BF: Mendoj se shumë shqiptarë kanë votuar për ju kur keni kandiduar për kryebashkiak të Nju Jorkut.

RG: Po, kështu kanë bërë. Ata votuan për mua kur kandidova për kryetar bashkie dhe më mbështetën kur kandidova për të qenë President. Ndjej një lidhje të fortë me ta.

BF: Dhe cili është qëllimi i vizitës tuaj këtu në Shqipëri?

RG: Qëllimi i vizitës time këtu qëndron tek refugjatët iranianë.

BF: Muxhahedinët.

RG: Muxhahedinët, të cilët ju i keni pranuar me shumë zemërgjerësi, në një mënyrë shumë njerëzore. Është diçka për të cilën unë kam punuar.

BF: Mendoj se ishte detyra jonë ta bënim.

RG: Më vjen mirë që e the këtë. Dhe të dyja anët e qeverisë tuaj, të dyja partitë, kanë shfaqur shumë mbështetje. Njëra parti e nisi dhe tjetra po e vazhdon. Unë jam takuar me Kryeministrin dhe me ish-Kryeministrin. Ata janë të dy të bashkuar në lidhje me muxhahedinët. Për t'i ndihmuar ata gjithashtu dhe për t'i rezistuar presionit të Iranit për t'i dëmtuar ata.

BF: Ne e nisëm me Iranin, por ka një histori shumë interesante këto ditë. Kemi disa protesta në disa qytete të Iranit gjithashtu dhe një ndryshim të politikës së jashtme nga presidenti Trump. Ndryshe nga politika e jashtme e presidentit Obama kundrejt Iranit. Çfarë po ndodh tani?

RG: Një ndryshim i madh. Një ndryshim i madh në politikë do të thotë një ndryshim i madh në personel. Kjo po ndodh. Mendoj se do ishte e drejtë të thonim se administrata Obama mbajti një qëndrim më paqësor kundrejt Iranit. Në mënyrë që të arrinte atë që unë mendoj se ishte një gabim i madh në marrëveshjen bërthamore.

BF: Ishte një gabim?

RG: Kështu besoj. Unë besoj se ata mashtruan. Mendoj se ata po mashtrojnë totalisht. Nuk shoh asnjë arsye përse ata nuk do të bënin të njëjtën gjë që kanë bërë në të kaluarën. Ata kanë vrarë shumë nga njerëzit që zbuluan se ata po mashtronin herën e fundit. Muxhahedinët dhe aleatët e tyre. Ata i eleminuan me qëllim dhe Obama nuk bëri asgjë për këtë. Ne e paralajmëruam Obamën për këtë. Grupi im, i përbërë nga demokratë dhe republikanë.

BF: Unë mendoj se Obama u tregua paksa i dobët edhe në Siri dhe në vende të tjera. Ai nuk qe një njeri i fortë në politikën e jashtme.

RG: Nuk ka asnjë dyshim që ai ishte shumë i dobët në lidhje me politikën e jashtme. Ai bëri një vizë në rërë dhe deklaroi se armët bërthamore, armët kimike…

BF: Po, gabimi më i madh i Obamës ishte në Siri që solli edhe rritjen e pushtetit të Putinit.

RG: Putini e mori atë si një shenjë që ai mund ta zgjeronte më shumë pushtetin e tij në botë dhe kështu bëri. Ne i dhamë përsëri Putinit dhe Rusisë një vend në Lindjen e Mesme, kur në fakt ne i kishim larguar ata nga Lindja e Mesme që në kohën e Niksonit. Obama për mendimin tim ishte një President i tmerrshëm./tvklan

l.h./dita

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more