Skip to main content

“Riza Lluka, ai që guxoi!” plus 2 more Telegrafi Opinione

“Riza Lluka, ai që guxoi!” plus 2 more Telegrafi Opinione


Riza Lluka, ai që guxoi!

Posted: 23 Mar 2018 10:05 AM PDT

Sot shqiptarët kujtojnë guximin dhe fotografinë historike të deputetit shqiptar, Riza Lluka. Sot, pas 29 viteve, fotografia ikonë e politikanit shqiptar, bëhet monument kujtese në vetëdijen tonë kolektive.

Ai ishte i guximshëm, intelektual pa komplekse, kombëtar, jourrejtës i kulturave të etnive tjera, njohës i mirë i kulturës dhe historisë së popujve të gadishullit ilirik. Ai nuk kalkuloi, nuk u shit e nuk u ble; ai qëndroi dhe dëshmoi se është bartës i interesave të popullit shqiptar në Kosovë dhe jo vetëm këtu.

Deputeti Riza Lluka ishte dashnor besnik i kulturës së kombit të vet, i drejtpërdrejtë në bisedime, i frikshëm për injorantët e për të pa diturit, jashtëpartiak e diplomat që nuk u kuptua as nga rrethi më i ngushtë i miqve të tij.

Ja, këto janë disa nga vetitë e Riza Llukës – Haxhi Zekës së shekullit XXI. Rastësi e ngjashmëri e trisht e fotografisë kombëtariste të shekullit XX, të heroit Lluka, me fotografinë e Kuvendit të Kosovës që u plasua para tri ditësh në publik (më 21 mars 2018).

Mohikani, ndoshta i fundit në Kuvendin e asaj zezone, veprimi i tij largpamës, na rikujton qartë e shpjegueshëm dramën, dhunën dhe guximin e disa deputetëve shqiptarë të shekullit XXI, të cilët ringjallën shpirtin e guximshëm e intelektual të Riza Llukës.

Ishte errësirë e bënte ftohtë atëherë… Kishte gjak … shumë gjak! Patrioti nuk u frikësua por u burrërua deri në pavdekësi; ai më 23 mars 1989 u përjetësua; ai i tha jo kolonializmit e fashizmit serb në Kosovë.

Ne, shqiptarët, të përkujtojmë e të nderojmë, z. Riza Lluka!

Përjetë e mot, faleminderit!

The post Riza Lluka, ai që guxoi! appeared first on Telegrafi.

U prehtë në paqe Rendi Liberal Botëror

Posted: 23 Mar 2018 10:04 AM PDT

Pas një vrapimi prej gati një mijë vjetësh, komentoi filozofi dhe shkrimtari francez Volter (Voltaire), Perandoria e Shenjtë Romake në rënie nuk ishte më as Romake dhe as perandori. Sot, rreth dy shekuj e gjysmë më pas, problemi, për të perifrazuar Volterin, është se rendi botëror liberal në zvenitje nuk është më as liberal, as botëror dhe as i rregullt.

Shtetet e Bashkuara, duke punuar ngushtë me Mbretërinë e Bashkuar dhe të tjerët, krijoi rendin liberal botëror në fund të Luftës së Dytë Botërore. Objektivi ishte që të siguroheshin që kushtet që sollën dy luftëra botërore në 30 vjet të mos rishfaqeshin më kurrë.

Për këtë qëllim, vendet demokratike vendosën të krijojnë një sistem ndërkombëtar që ihste liberal në kuptimin që duhej të bazohej në sundimin e ligjit dhe në respektimin e sovranitetit të vendeve dhe integritetit të tyre territorial. Të drejtat e njeriut duhej të mbroheshin. Të gjitha këto duhej të zbatoheshin në të gjithë planetin; në të njëjtën kohë, pjesëmarrja ishte e hapur për të gjithë dhe vullnetare. Institucionet u ndërtuan për të promovuar paqen (Kombet e Bashkuara), zhvillimin ekonomik (Banka Botërore) dhe tregtinë e investimet (Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe ajo që më vonë u bë Organizata Botërore e Tregtisë).

E gjitha kjo u mbështet më shumë nga fuqia ekonomike dhe ushtarake e Shteteve të Bashkuara, një rrjeti aleancash nëpër Evropë dhe Azi, dhe armëve bërthamore, të cilat ndihmuan në parandalimin e agresionit. Rendi botëror liberal u mbështet në këtë mënyrë jo vetëm te idealet e përqafuara nga demokracitë, por edhe te pushteti i fortë. Asgjë nga këto nuk u kalua pa u vënë re në Bashkimin Sovietik, i cili ishte bindshëm jobliberal dhe që kishte një koncept tërësisht të ndryshëm për atë që përbën rend në Evropë dhe nëpër botë.

Rendi liberal botëror rezultoi më i shëndoshë se kurrë në fund të Luftës së Ftohtë dhe kolapsit të Bashkimit Sovjetik. Por sot, një çerek shekulli më vonë, e ardhmja është në dyshim. Në të vërtetë të tre komponentët – liberalizmi, universaliteti dhe ruajtja e rendit – janë sfiduar si kurrë më parë në historinë e 70 viteve të fundit.

Liberalizmi është në tërheqje. Demokracitë po ndjejnë pasojat e rritjes së populizmit. Partitë e ekstremeve politike kanë fituar terren në Evropë. Vota në Mbretërinë e Bashkuar në mbështetje të largimit nga BE vuri në pah rënien e ndikimit të elitave. Edhe SHBA po përjeton sulme të paprecedentë nga vetë presidenti i vendit mbi median, gjykatat dhe institucionet e zbatimit të ligjit.

Sistemet autoritariste, përfshirë Kinën, Rusinë dhe Turqinë, janë bërë më të rënda. Vende të tilla si Hungaria dhe Polonia duken të painteresuara për fatin e demokracive të tyre rinore.

Është gjithnjë e më e vështirë të flasësh për botën si një e tërë. Ne po shikojmë ngritjen e rendeve rajonale – ose, më e dukshme në Lindjen e Mesme, e kaoseve rajonale – secila me karakteristikat e veta. Përpjekjet për të ndërtuar kuadre botërore po dështojnë. Proteksionizmi është në ngritje; raundi i fundit i bisedimeve botërore për tregti nuk dha kurrë rezultate. Dhe ka pak rregulla që qeverisin hapësirën kibernetike.

Në të njëjtën kohë, rivaliteti mes fuqive të mëdha po rikthehet. Rusia dhunoi normat bazë të marrëdhënieve ndërkombëtare kur përdori forcat e armatosura për të ndryshuar kufijtë në Evropë, dhe dhunoi sovranitetin e SHBA-së përmes përpjekjeve për të ndikuar në zgjedhjet e vitit 2016. Koreja e Veriut ka kundërshtuar një konsensus të fortë ndërkombëtar kundër përhapjes së armëve bërthamore. Bota ka qëndruar mënjanë ndaj tmerreve humanitare në Siri dhe Jemen, duke bërë shumë pak në OBK apo gjetkë në përgjigje ndaj përdorimit të armëve kimike nga qeveria e Sirisë.

Venezuela është një shtet i dështuar. Një në çdo njëqind njerëz në botë sot është ose refugjat ose i zhvendosur brenda vendit të vet.

Ka shumë arsye se pse e gjitha kjo po ndodh dhe pse tani. Rritja e populizmit është pjesërisht në përgjigje të të ardhurave në stanjacion dhe humbjes së vendeve të punës, më së shumti për shkak të teknologjive të reja por gjerësisht i është atribuuar importeve dhe emigrantëve. Nacionalizmi është një mjet gjithnjë e më i përdorur nga udhëheqësit për të fuqizuar autoritetin e tyre, veçanërisht në mes të kushteve të vështira ekonomike dhe politike. Dhe institucionet botërore kanë dështuar të adaptohen me balancat e reja të pushtetit dhe teknologjitë.

Por dobësimi i rendit liberal botëror është shkaktuar, më shumë se nga çdo gjë tjetër, nga ndryshimi i sjelljes së SHBA-së. Nën presidentin Donald Trump, SHBA ka vendosur të mos bashkohet me Partneritetin Trans-Paqësor dhe të tërhiqet nga marrëveshja e Parisit për klimën. Ajo ka vendosur në mënyrë të njëanshme tarifa mbi çelikun dhe aluminin, duke u mbështetur në një justifikim (siguria kombëtare), të cilin mund ta përdorin edhe të tjerët, në një proces që mund ta vendosë botën në rrezik të luftërave tregtare. Ajo ka ngritur pikëpyetje mbi angazhimin e vendit në NATO dhe në aleancat e tjera. Dhe ajo rrallë flet për demokracinë apo të drejtat e njeriut. Sllogani "Amerika e Para" dhe rendi botëror liberal duken të papajtueshme.

Argumenti im është se nuk duhet që thjeshtë SHBA të nxirret mënjanë për t'u kritikuar. Edhe fuqitë e tjera të sotme, përfshirë BE-në, Rusinë, Kinën, Indinë dhe Japoninë, mund të kritikohen për atë që po bëjnë, apo nuk po bëjnë, apo të dyja. Por SHBA nuk është thjeshtë njësoj si çdo vend tjetër. SHBA ishte arkitekti kryesor i rendit botëror liberal dhe mbështetësi kryesor i këtij rendi. SHBA ishte edhe përfituesi kryesor.

Vendimi i Amerikës për të braktisur rolin që ka luajtur për më shumë se shtatë dekada përbën për rrjedhojë një pikë kthese. Rendi liberal botëror nuk mund të mbijetojë më vete, për shkak se të tjerët nuk kanë as interes dhe as mjete për ta mbajtur atë. Rezultati do të jetë një botë më pak e lirë, më e varfër dhe më pak paqësore, si për Amerikanët ashtu edhe për të tjerët. /Project Syndicate/reporter.al/

The post U prehtë në paqe Rendi Liberal Botëror appeared first on Telegrafi.

John Bolton dhe shqetësimi i shqiptarëve

Posted: 23 Mar 2018 09:58 AM PDT

Shtatë arsye se pse asgjë themelore nuk do të ndryshojë për Kosovën dhe shqiptarët

Shumë shqiptarë e kanë pritur me një lloj shqetësimi emërimin nga presidenti Donald Trump, të ambasadorit John Bolton, në postin kyç të Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare.

Arsyeja kryesore është se Bolton është një nga diplomatët e rrallë amerikanë që është shprehur kundër pavarësisë së Kosovës në vitin 2008.

Argumentet e Boltonit ndryshuan disa herë, por për ta përmbledhur ai paraqiste pavarësinë e Kosovës si diçka që ishte në kundërshtim me interesat amerikane, si shkelje e ligjit ndërkombëtar, provokim i panevojshëm i Rusisë dhe një pikënisje për shpërthim të radikalizmit islamik në Evropë.

Shqiptarët nuk janë të vetmit që e shohin me dyshim emërimin e tij. Shumë nga kritikët e tij e akuzojnë si luftënxitës, si dikë që preferon përdorimin e forcës aty ku diplomacia mund të kishte mjaftuar. Në veçanti, disa janë të shqetësuar se Bolton është sjellë në kabinet nga presidenti Trump për të grisur Marrëveshjen gjashtëpalëshe me Iranin. Në bazë ta saj, Irani ka ndaluar prodhimin e armës bërthamore në shkëmbim të heqjes së bllokadës tregtare.

Trump, Bolton dhe një numër i madh politikanësh amerikanë janë të mendimit se Irani është duke e ndërtuar armën bërthamore gjithsesi. Sipas kritikëve të tyre, ata në fakt, thjesht duan luftën e radhës në Lindjen e Mesme. Ironia është se Trump u bë president pas një fushate ku u tall dhe kritikoi ashpërsisht angazhimet ushtarake amerikane në Irak dhe Afganistan. Po ai ka ndryshuar tashmë shumë nga qëndrimet e fushatës.

Për Korenë e Veriut, ai ka këshilluar një goditje paraprake që sipas tij do ta shpartallonte regjimin dhe do t'ia sabotonte aftësinë për të luftuar seriozisht. Deklarata si këto vetëm sa ia kanë rritur imazhin e dikujt që mund të veprojë në mënyrë të papërgjegjshme në krye të sigurisë kombëtare amerikane. Koreja e Veriut është peshë e lehtë për t'u ndeshur me Amerikën, mirëpo, pesimistët imagjinojnë skenarin ku një predhë e vetme me përmbajtje bërthamore arrin t'u shpëtojë raketave amerikane, duke vrarë nga dhjetëra mijëra deri në një milion vetë, në Korenë e Jugut, Japoni apo edhe në bregu perëndimor amerikan. Fitorja amerikane mund të humbasë shkëlqimin nëse vjen me një çmim të tillë.

Punët e botës po ua lëmë për momentin të tjerëve. Po sa duhet të shqetësohen shqiptarët në Ballkan për këtë emërim të John Bolton?

Paniku do të ishte pa vend. Madje edhe shqetësimi disi arkaik. Të mos harrojmë se kur John Bolton u deklarua me forcë kundër pavarësimit të Kosovës, ai nuk ishte më një diplomat në detyrë, por një komentues në media, e një studiues në institucionet e mendimit politik amerikan. Zyrtarët kur nuk janë më në detyrë shprehin mendime që shkaktojnë debate, por në detyrë ripërqafojnë vendimet dhe synimet e përcaktuara të shtetit amerikan.

E dyta, të mos harrojmë se Ambasadori Bolton ishte në atë kohë i inatosur me Presidentin George W. Bush dhe sidomos Sekretaren e Shtetit Condoleezza Rice. Ai ishte emëruar fillimisht Ambasador në detyrë i SHBA-së në OKB. Përballë pakënaqësisë në Senatin Amerikan dhe mes aleatëve të Amerikës për pikëpamjet e tij, administrate vendosi që ta zëvendësojë. Bolton nuk ua fali asnjëherë këtë ndryshim. Nuk është çudi pra, që nëse Bush dhe Rice do të dilnin kundër pavarësisë së Kosovës, Bolton të deklarohej si flamurtar i saj.

E treta, Bolton ashtu si është normale në SHBA ishte kundër njohjes së pavarësisë sa kohë që nuk ishte bërë akoma fakt i kryer. Ai vijoi të shpehej kundër saj edhe në javët e para, po qysh atëherë i është shmangur me kujdes temës. Mund të provokohet nga serbët dhe rusët që ta përsërisë dhe mbrojë qëndrimin e tij, po kurrsesi të diskutojë atë që është tashmë një e vërtetë e pakthyeshme. Pavarësia e Kosovës nuk e destabilizoi Ballkanin, përkundrazi rajoni ka mbetur në paqe e bashkëpunimi mes vendeve fqinje, madje edhe mes Prishtinës dhe Beogradit, ka ardhur duke u përmirësuar e forcuar.

E katërta, edhe sikur Bolton të kishte mbetur armik i pavarësisë së Kosovës (e pamundur duke pasur parasysh heshtjen e tij 10-vjeçare, po për hir të argumentit), ai nuk do të kishte kohë që të merrej me të. Ai po hyn në kabinetin Trump për t'u angazhuar në fazën e dytë të presidencës, ku të gjithë kohën do t'ia hajë përplasja me Kinën pas fillimit të luftës tregtare, takimi i Presidentit Trump me diktatorin koreanoverior, dhe mbi të gjitha hartimi i një politike të re izoluese dhe luftuese ndaj Iranit dhe regjimit të Ajatollahëve.

Kjo e fundit, më shumë se puna e Kosovës do ta vendosë ambasadorin John Bolton, në radarin e shqiptarëve. Për ata që nuk e kanë vënë re, apo e kanë harruar, Bolton vizitoi Shqipërinë plot një vit më parë, me rastin e festës së Nevruzit, për të festuar së bashku me opozitën e regjimit të Ajatollahëve, që është strehuar në Shqipëri. Këto ditë vizitën e radhës e kreu një tjetër personalitet i afërt me presidentin Trump, Rudy Giuliani. Nëse Bolton do të hartojë një plan që përfshin nxitjen e rrëzimit të regjimit në Iran, muxhaedinët e strehuar në Shqipëri do të jenë pa dyshim pjesë e tij. Cilat mund të jenë pasojat për Shqipërinë është vështirë ta imagjinosh. Ndoshta nuk do të ketë asnjë pasojë, po Tirana ka më shumë arsye se Prishtina që të ndjekë pasojat e emërimit të tij.

E pesta, Bolton është shquar si një nga zërat më anti-Kremlin në SHBA. Edhe me një President që është simpatizues i Putinit, antipatia mbetet. Ajo madje mund të marrë përmasa të tjera sepse Rusia ka investuar shumë në Iran dhe nuk dëshiron një prishje të marrëveshjes, aq më pak një eliminim të kundërpeshës së Iranit ndaj Arabisë Saudite dhe influencave të tjera në rajon. Moska madje është përfshirë në farkëtimin e një trekëndëshi të paimagjinueshëm pak vite më parë: Rusi-Turqi-Iran. Të tre vendet mund të kishin hyrë në luftë me njëra-tjetrën për shkak të përplasjes së interesave në Siri, mirëpo druajtja nga kostoja e atij skenari dhe kundërshtimi i përbashkët ndaj një shteti të mundshëm kurd, i ka kthyer në aleatë. Jo pak kanë ndikuar grushti i dështuar apo i sajuar i shtetit në Turqi, prishja e marrëdhënieve mes sauditëve dhe turqve dhe sigurisht mos aprovimi mbarëperëndimor për çimentimin e Erdoganit si President i plotfuqishëm në vend, në kurriz të lirisë së medias, funksionimit të opozitës, gjyqeve të papolitizuara dhe të paqes me pakicën kurde.

Që të rikthehemi te çështja jonë, vështirë se Bolton do të pranojë diktatin rus në Ballkan, aq më tepër kur marrëdhëniet Moskë-Washington do të vijnë duke u keqësuar në mënyrë të pashmangshme pavarësisht nga ndjenjat dhe preferencat e presidentit Trump.

E gjashta, Bolton nuk do të jetë Sekretar Shteti, postin që ka ëndërruar, por Këshilltar për Sigurinë Kombëtare. Një arsye e thjeshtë është se ky post është i vetmi në kabinet që nuk kërkon miratimin nga Senati Amerikan. Nuk është sekret, se jo vetëm Demokratët, po as Republikanët në Senat nuk do të votonin për Boltonin. Nuk e deshën për Ambasador në 2005, nuk e duan në kabinetin presidencial as sot.

Ngjitja e tij, në kabinet do ndodhte herët a vonë. Shumë shqiptarë dhe jo vetëm ata kanë mbajtur frymë nga perspektiva e Boltonit në kabinet. Në vitin 2008, në 2012 dhe në 2016. Të gjithë kandidatët kryesorë republikanë për presidentë e kanë pasur në krye të listës për Sekretar Shteti. Madje edhe John McCain e Mitt Romney. Shumë shqiptarë në SHBA kanë pasur një arsye më shumë për të votuar për një president demokrat nga dyshimi që kanë pasur për ambasadorin Bolton. Tani ky "ankth" me apo pa bazë do të shuhet njëherë e përgjithmonë. Ndoshta është më mirë që ai vjen në pushtet tani, kur Kosova është punë e kryer, kur vëmendja ka shkuar tjetërkund dhe kur ai nuk është më aq influences sa në vitet e mëparshme.

E fundit, do të shohim se sa gjatë do të qëndrojë Bolton në Administratën Trump, ku zyrtarët më të lartë po qarkullojnë e zëvendësohen me një shpejtësi relativisht të madhe. Trump nuk është një president i zakonshëm dhe koha ka treguar shumë shpejt se është vështirë për figura me personalitet që të qëndrojnë nën hijen e tij. Përplasjet e mbrapaskenës duken të pashmangshme. Bolton është gjithashtu një personalitet i vështirë. Jo më kot, në vite, ka krijuar kundërshtarë e pakënaqësi të shumta. Ai mund të lulëzojë nën drejtimin e presidentit Trump, por është më shumë e mundshme që një konflikt të shpërthejë mes të dyve. Trump vjen nga një botë, ku është mësuar t'i qëndrojnë në këmbë, Bolton për një dekadë e gjysmë ka shijuar lirinë e të mos qenit në detyrë, ku ka thënë e ka bërë çfarë ka dashur. Mund të krijojnë një duet shumë të mirë, po edhe mund të përplasen në mënyrë të tmerrshme. Koha do ta tregojë.

Deri atëherë, shqiptarët mund ta ndjekin se çfarë do të bëjë njeriu të cilit i janë druajtur aq shumë. Është e natyrshme që do të kishim dashur dikë tjetër të emëruar për atë post. Po, sipas gjasave, vështirë se do të ndryshojë ndonjë gjë themelore, për ne e për Kosovën. /Illyria Press/

The post John Bolton dhe shqetësimi i shqiptarëve appeared first on Telegrafi.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more