Skip to main content

“Pse nuk ka agjitatorë liberalë në qytet?” plus 2 more Telegrafi Opinione

“Pse nuk ka agjitatorë liberalë në qytet?” plus 2 more Telegrafi Opinione


Pse nuk ka agjitatorë liberalë në qytet?

Posted: 31 Mar 2018 09:12 AM PDT

Klementin Mile

Sot nuk gjen thuajse fare agjitatorë liberalë në vendin tonë. Por gjen, në numër të konsiderueshëm, agjitatorë komunistë dhe konservatorë. Përtej simpative dhe antipative për këto pozicione ideologjike, si mund të shpjegohet kjo situatë? A lidhet mungesa e agjitatorëve liberalë me ndonjë karakteristikë të fshehtë të natyrës njerëzore (ose kulturës së shqiptarëve), e cila thotë që liria është një gjë që duhet patur frikë? A mos vetë liberalizmi, ndryshe nga komunizmi dhe konservatorizmi, është një doktrinë aspak tërheqëse për popullin?

Rrugën për te përgjigjet e këtyre pyetjeve e çel vetë termi "agjitator". Shqiptarëve që kanë jetuar në komunizëm me siguri u kujtohet neni 55 i Kodit Penal të regjimit komunist, ku flitej për "agjitacionin dhe propagandën e armikut". Sipas këtij neni, propagandë dhe agjitacion quhej tentativa për të përmbysur ose minimizuar pushtetin e popullit. Edhe në gjuhën latine (agitationem, agitare) agjitacioni ka kuptimin e lëvizjes së gjërave, duke sjellë ndryshim te gjendja ekzistuese.

Agjitatori, pra, është një veprues që prodhon ngjarje, e cila ka potencialin ta ndryshojë gjendjen. Si i tillë, agjitatori është i pakënaquri me gjendjen ekzistuese, i humburi prej saj, kundërshtari i autoritetit dhe politikave shtetërore, protestuesi i përhershëm. Agjitatori është i njëkohshëm me ngjarjen: ai e prodhon ngjarjen dhe prodhohet prej saj. Agjitatori përkufizohet si kundër gjendjes e, në këtë kuptim, kundër shtetit dhe politikave shtetërore (state, stato i referohen si gjendjes ashtu dhe shtetit).

Këto tipare përkufizuese të agjitatorit njerëzit e kanë të vështirë t'i gjejnë te liberali. Liberali jo vetëm që nuk shihet si i pakënaqur me gjendjen ekzistuese, por shihet madje si përfituesi kryesor prej kësaj gjendjeje. Jo vetëm nuk shihet si prodhues i ngjarjes, por konsiderohet gardian i gjendjes. Jo vetëm nuk duket të jetë kundër shtetit, por shihet si i gatshëm të sakrifikojë shumëçka për vijimin e shtetit.

Ka arsye historike pse liberali portretizohet si e kundërta e agjitatorit. Pavarësisht se liberalizmi lindi si lëvizje proteste ndaj establishmentit konservator të aristokracisë dhe fesë, shumë shpejt liberalët morën pushtetin dhe u bënë ata vetë establishmenti. Për shembull ende sot flitet për sundimin e demokracisë liberale në vendet më të zhvilluara të botës. Në ato vende është normale që liberalët të konsiderohen si "ata që kanë pushtetin" dhe gjithë të tjerët, ndër ta komunistët dhe konservatorët, si agjitatorë të pakënaqur me gjendjen ekzistuese të institucioneve dhe politikave.

Ndryshe nga vendet e zhvilluara, në Shqipëri nuk mund thuhet se liberalët kanë qenë ndonjëherë në pushtet apo janë aktualisht. Liberalët, në fakt, janë kontingjent i përshtatshëm për t'u bërë agjitatorë në vendin tonë. Por ama këtu hyn në veprim një iluzion i përhapur gjerësisht. Ai sipas të cilit në këtë vend janë bërë politika liberale dhe neoliberale aq shumë, saqë tani ka ardhur koha e ndreqjes së dëmeve të sjella prej tyre. Por e vërteta është se në Shqipëri nuk janë bërë as politika liberale, as komuniste, as konservatore. Që kjo të ndodhte do duhej që votat në zgjedhje të fitoheshin ideologjikisht prej partive.

Përfundimisht mund të thuhet se Shqipëria është terren ideal për zhvillimin e agjitacionit liberal – për teza të guximshme dhe të mbrojtura fuqishëm për lirinë ekonomike, liritë sociale, privatizimin, individualizmin etj.; por ky agjitacion nuk mund të ngjizet për sa kohë vijon iluzioni se liberalët janë në pushtet – edhe pse jo si parti, sidoqoftë përmes politikave liberale dhe neoliberale. /mapo.al/

The post Pse nuk ka agjitatorë liberalë në qytet? appeared first on Telegrafi.

Filmi i keq, skenari i keq, regjisori edhe më i keq

Posted: 31 Mar 2018 12:50 AM PDT

Nuk ka film të keq, ka skenar të keq dhe regjisor të keq! Të paktën kështu mendoj unë si adhurues i madh i filmave dhe serialeve të shumtë. Por, jo rrallëherë ka mundësi që edhe filmi, edhe skenari , e edhe regjisori të jenë të këqij! Një film i keq me një skenar të keq, me një regjisor mosvet të keq, na u shfaq ditë më parë, pa dashje, para ekraneve tona duke na bërë konfuzë, krenarë, të hareshëm, të mjegulluar, në delirium, patriotë, kuazipatriotë, nacionalistë e atdhetarë njëkohësisht! Ishte ky filmi i quajtur "Marko Gjuriq dhe sakrifica e tij"!

Me shumë gjasë, skenari i këtij filmi ishte shkruar nga dyshja Thaçi-Vuçiq në Bruksel, por me disa ndërhyrje të vogla edhe të vetë protagonistit kryesor në këtë film, Marko Gjuriqit.Kur një darkë sekrete ishte ngrënë një natë në Bruksel, përveç dyshes Thaçi-Vuçiq, pjesë e kishte qenë edhe vetë Marko Gjuriqi, i cili u arrestua nga autoritetet kosovare sipas një skenari të përgatitur paraprakisht nga Thaçi e Vuçiqi, porse me pajtimin e vetë Marko Gjuriqit! Pra, Marko Gjuriç ishte pajtuar që të jetë protagonist i skenarit (maskaradës mediale) të shkruar dhe përgatitur nga dyshja në fjalë për arrestimin e, tij porse jo gjithçka kishte shkuar sipas skenarit!

Çuditërisht, me gjithë paralajmërimin se do të arrestohej nëse do të futej në territorin kosovar, me gjithë praninë e madhe të policisë kosovare në pjesën veriore, në hyrjet kufitare me Serbinë, dhe me gjithë përgatitjet e duhura për ta parandaluar hyrjen e zyrtarit të Serbisë, Marko Gjuriq në Kosovë, ky i fundit ia kishte arritur të futet në Kosovë pa kurrfarë problemi!

Për më shumë, ky kishte arritur që me shumë siguri të ishte e pjesë e takimit me politikanë serbë, zëvendëskryeministra e ministra të qeverisë kosovare, si dhe me politikanë lokalë serbë nga pjesa veriore e Kosovës. Me gjasë, skenari i Brukselit ishte përgatitur asisoj ku Gjuriq, kuptohet duke e ditur paraprakisht, do të arrestohej nga Policia e Kosovës në mënyrë të qetë, pa bërë bujë dhe kaos, pa hedhur shok bomba dhe pa përdorim të forcës, pastaj do të dërgohej shkurtimisht në pjesën jugore të Mitrovicës apo edhe ne stacionin policor në anën veriore të Mitrovicës, do të mbahej larg mediave dhe publikut dhe pastaj pas disa minutave do të lirohej duke u përcjell jashtë territorit kosovar nga vendkalimi kufitar në Merdare.

Me këtë skenar, të dy presidentët kishin planifikuar të arrinin efektin faktik, juridik dhe psikik në të dy popullatat respektive. Vuçiq do ta kishte një alibi më shumë para popullit të tij se, megjithatë, pjesa veriore e Kosovës nuk është krejtësisht në kontrollin e aparatit shtetëror serb dhe se një kompromis do të ishte zgjidhja më e duhur. E, kompromisi për atë pjesë, siç e dimë të gjithë, do të ishte formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, respektivisht të një autonomie me kompetenca të mëdha të komunitetit serb në Kosovë ose, më e keqja, ndarja e Kosovës në trajektoren përgjatë lumit Ibër! Në anën tjetër, presidenti do ta kishte përdorur si argument faktin se, në mënyrë që Kosova të fusë nën kontroll dhe ta integrojë plotësisht pjesën veriore të Kosovës, do të duhej të formohej sa më shpejt Asociacioni si një përmbushje e obligimit që Kosova – respektivisht vetë presidenti dikur e kishte marrë përsipër për ta kryer. Ky Asociacion, sipas presidentit dhe pasuesve të tij të verbër, do të ishte plotësisht nën juridiksionin dhe kontrollin e plotë të autoriteteve kosovare!
Kaq!

Ky ishte skenari Thaqi-Vuçiq e të cilin e dinte dhe për të cilin paraprakisht ishte pajtuar të jetë pjesë vetë Marko Gjuriq!

Por, çfarë ndodhi në të vërtetë? Kush e ndryshoi dhe ku ndryshoi skenari?

Për shkak të rejtingut në rënie e sipër si dhe për shkak të ngjarjeve të fundit kur u votua demarkacioni, për shkak të gjetjes së një shkaku për të rinisur punën e tij për formimin e Asociacionit me shumicë serbe, si dhe për shkak të manisë së tij të sëmurë që t’i vë kundërshtarët e tij para aktit të kryer (Ramush Haradinajn në këtë rast), presidenti vendos të ndryshojë pjesë të skenarit dhe të veprojë ndryshe. Duke qenë në bashkëpunim vetëm me ish-bashkëpartiakun e tij, Kadri Veselin, dhe duke anashkaluar krejtësisht institucionet e Kosovës, respektivisht kryeministrin Haradinaj, përmes marionetave të tij brenda Policisë së Kosovës, Thaçi jep urdhër që Marko Gjuriq të arrestohej me bujë të madhe, të sillej në Prishtinë, të ekspozohej para publikut dhe mediave (kujtoni pamjet kur zyrtarë policorë i thërrasin mediat televizive që të afrohen sa më afër Gjuriqit në mënyrë që kamerat të kapin sa më mirë sjelljen e tij, ecjen e tij gati 200-metërshe) deri tek Stacioni i Policisë Qendër. Çuditërisht, Policia e Kosovës kësaj radhe kishte vendosur të mos e përdorte hyrjen e veçantë nga prapa (ngjitur me Kafet e Vogla) për të dërguar të arrestuarin brenda ambienteve të policisë, ashtu siç i transporton zakonisht, porse kishte vendosur që të arrestuarin Gjuriq ta sillte nga rruga kryesore, respektivisht nga "Bulevardi Policor" – siç quhet ndryshe kjo rrugë.

Gjuriq sillet në Prishtinë, dhe pas një ultimatumi disaminutësh dhënë nga Vuçiqi, mbahet për pak minuta dhe përcillet jashtë kufirit të Kosovës përmes vendkalimit kufitar Merdare. Syri i publikut të shumtë dhe kamerat televizive kapin pjesën (lajmin) kryesor të ditës dhe me kaq përfundon saga e arrestimit të Gjuriqit, por jo edhe reagimet e shumta si dhe lufta mediale nga distanca.

Personalisht deklaroj se nuk jam e nuk kam qenë asnjëherë kundër arrestimit të Marko Gjuriqit apo të ndonjë politikani serb që hyn e del në Kosovë pa marrë lejen paraprake nga autoritetet kosovare. Përkundrazi, ky meriton arrestimin sa herë qe hap gojën dhe vjell retorikën e tij nacionaliste antishqiptare, por jam kundër skenarit të ndarjes që po fillon pikërisht sot e pikërisht me arrestimin e Gjuriqit, sepse Gjuriq ka hyrë dhe ka dalë në dhe nga Kosova me dhjetëra herë tashmë duke shpërfillur secilin urdhër për mos hyrje në Kosovë nga autoritetet kosovare!

Efekti medial arrin kulminacionin e vet, reagimet e qytetarëve janë prej duartrokitjes deri në delirium dhe hallakatje! Presidenti arrin qëllimin e tij prej politikani i cili gjithmonë arrin ta bëjë "krenar" popullin e tij! Megjithëse nuk e kishte thënë deklarativisht, presidenti kishte lënë të nënkuptohej se ishte ai i cili kishte qenë prapa këtij aksioni për arrestimin e Gjuriqit!

Gjatë gjithë natës dhe të nesërmen, në Kosovë dhe në Serbi, reagimet mediale dhe ato të publikut janë të shumta dhe të ndryshme: kërcënuese, frikësuese, patriotike, emocionale, kuazipatriotike, falsoretorike etj.

Me gjithë faktin se politikanë serbë hyjnë e dalin nga Kosova me dhjetëra herë brenda muajit duke shpërfillur secilin urdhër policor dhe institucional nga Kosova, prapë, brenda natës, entuziazmi për shtet të ligjit, shtet që mbron territorin dhe kufijtë kishte arritur kulminacionin!

Të nesërmen, politikanë serbë, respektivisht Lista Serbe, pjesë e qeverisë së Kosovës, në marrëveshje me padronin e tyre në Serbi, Vuçiq, merr vendim të largohet nga Qeveria Haradinaj dhe kërcënon se nëse autoritetet kosovare dështojnë në formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe deri me 20 Prill 2018, ata vetë do ta bëjnë një gjë të tillë.

Skenari i Brukselit u përmbyll suksesshëm! Vuçiqi dhe Gjuriqi (ndonëse ky i dyti jo ashtu siç e kishte pritur) arrijnë qëllimin e skenarit të tyre i cili e delegon vendimin për Asociacionin e komunave me shumicë serbe nga autoritetet kosovare tek autoritet e Serbisë, respektivisht tek Lista Serbe e cila merr përsipër formimin e Asociacionit duke shpërfillur autoritetet kosovare dhe duke u dhënë atyre ultimatum disaditor dhe, në anën tjetër, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli heqin nga vetja barrën e formimit të Asociacionit për të cilin u kishin garantuar bashkësisë ndërkombëtare, si dhe konfrontimin e tyre me popullin e Kosovës.

Për më shumë, presidenti arrin, për të tretën herë, ta djegë politikisht Haradinajn duke e vënë kësaj radhe në pozitën e spektatorit para ekranit, ashtu sikurse mijëra e qindra mijëra spektatorë tjerë kosovarë, gjatë kohës kur skenari i Brukselit Thaçi-Vuçiq po gjente zbatim në ditën e 26 marsit 2018 në pjesën veriore të Mitrovicës dhe në Prishtinë pak më vonë.

Tri ditë më vonë, një aksion i ngjashëm për nga skenari, por jo edhe për nga realizimi u shfaq papritmas në qytezën e Lypjanit, kur mediat televizive dhe portalet elektronike njoftuan se gashtë shtetas turq ishin arrestuar nga Policia e Kosovës dhe ishin deportuar menjëherë për në Turqi me kërkesën e autoriteteve turke. Siç njoftonin mediat, këta gjashtë turq ishin pjesë e gylenistëve, pra përkrahës të Fetullah Gylenit, një lider shpirtëror turk, kundërshtar i madh i presidentit aktual turk Recep Tayyip Erdogan. Sikurse në aksionin për arrestimin e Gjuriqit, edhe këtë herë shefi i Qeverisë, Haradinaj, ishte totalisht out në lidhje me atë se çfarë kishte ngjarë, kush ishte arrestuar, kush kishte dhënë urdhër për arrestim dhe deportim të shtetasve turq! Pra, edhe njëherë kryeministri kosovar kishte qenë vetëm spektator televiziv i ngjarjeve për të cilat do të duhej të ishte informuar paraprakisht dhe në vazhdimësi.

Marrë parasysh faktin se vetë kryeministri e mohoi menjëherë se ai qëndronte prapa këtyre arrestimeve dhe kur të njëjtën gjë e bëri edhe kryeparlamentari Kadri Veseli, atëherë me automatizëm u kuptua se prapa kësaj maskarade të radhës qëndronte askush tjetër pos Hashim Thaçi! Ndoshta presidenti do ta kishte marrë përsipër autorësinë e këtij skenari nëse reagimi i qytetarëve do të ishte në favor të arrestimit dhe deportimit të shtetasve turq. Mirëpo, kur masa e gjerë e popullatës dënuan një aksion të tillë dhe reagimet në rrjetet sociale kundër këtij aksioni ishin të mëdha, atëherë, si zakonisht, si një dinak i pashoq, në një postim tijin në Facebook, presidenti e mohoi kategorikisht përfshirjen e tij në këtë aksion!

Pra, për dallim prej aksionit të parë ku masa e qytetarëve ishte në ekzaltim e delirium kuazipatriotik, presidenti nuk ngurroi të nënkuptohej se ishte ai skenaristi i atij aksioni, përderisa në aksionin tjetër, kur masa e qytetarëve ishte e revoltuar dhe ishte kategorikisht kundër një aksioni të tillë, la të nënkuptohej se nuk ishte ai skenaristi i këtij aksioni dhe nuk kishte të bënte asgjë me këto arrestime dhe deportime.

Pra, në ditën kur Marko Gjuriq u arrestua, u soll në Prishtinë dhe u ekspozua para mediave dhe qindra qytetarëve të ekzaltuar e të hallakatur nga gëzimi e krenaria, "Gjarpri" (Hashim Thaçi) ekspozoi këmbët e tija dhe me mburrje la të kuptohej se ishte ai që dha urdhër për arrestimin e zyrtarit serb në Kosovë, ishte ai që po mbron Republikën nga Serbia dhe zyrtarët e saj, ishte ai që po mbronte Republikën dhe pacenueshmërinë e territorit të Republikës. Ndërkaq, kur shtetasit turq u arrestuan dhe u deportuan për në Turqi, kur qindra mijëra qytetarë shprehen pakënaqësinë dhe mospajtimin e tyre, shprehen revoltën e tyre për këto arrestime dhe deportime, "Gjarpri" fshehu këmbët e tija dhe mohoi kategorikisht përfshirjen e tij në këtë maskaradë.

Për fund: Personalisht deklaroj se nuk jam e nuk kam qenë asnjëherë kundër arrestimit të Marko Gjuriqit apo të ndonjë politikani serb që hyn e del në Kosovë pa marrë lejen paraprake nga autoritetet kosovare. Përkundrazi, Gjuriqi meriton arrestimin sa herë qe hap gojën dhe vjell retorikën e tij nacionaliste antishqiptare, por jam kundër skenarit të ndarjes që po fillon pikërisht me arrestimin e Gjuriqit, sepse Gjuriqi ka hyrë dhe ka dalë nga Kosova me dhjetëra herë tashmë duke shpërfillur secilin urdhër për mos hyrje në Kosovë nga autoritetet kosovare! Po vërehet mirë se kjo maskaradë mediale-politike i shkon për shtati vetëm një pushteti, një politikani i cili është në djegie e sipër dhe kërkon të djegë edhe shtëpinë e tij – gjithkçka pas tij.

Dy skenarët e lartcekur, i pari në bashkautorësi, ndërsa i dyti si autor i vetëm, shpërfaqin tendenca populiste, retorikë false si dhe kuazipatriotizëm të dy presidentëve karshi popullit të tyre. Në rastin e parë populizmi dhe euforia nacionaliste i dha presidentit kredit kuazipatriotik, por jo edhe në rastin e dytë. Në rastin e dytë presidenti mori kreditin e një politikani që për interesa personale arreston dhe deporton brenda ditës qytetarë kosovarë, qytetarë tjerë që jetojnë dhe punojnë legalisht në Kosovë. Këto raste shpërfaqin pasigurinë dhe frikën që mund ta ndjejë secili qytetar i Kosovës.

Qëllimi final i skenarit të parë ishte përgatitja, si për opinionin kosovar e po ashtu edhe për atë serb, për një kompromis të dyanshëm që, me shumë gjasë, pritet të ndodhë brenda 2-3 viteve të ardhme: një kompromis për një ndarje të Kosovës përgjatë trajektores së lumit Ibër, apo për një Asociacion me baza etnike e cila do të funksiononte sikur një republikë brenda një republike tjetër, e ku të dyja vendet do të duhej të digjnin diçka nga vetja e tyre. Serbia do të digjte krenarinë e saj shumëvjeçare për ta njohur fshehurazi shtetësinë e Kosovës dhe pranimin, prapë në heshtje, që Kosova të bëhet me ulëse në OKB apo, edhe më keq për neve, të ketë rolin e vëzhguesit në OKB, përderisa kompromisi apo djegia nga ana kosovare do të ishte heqja dorë prej pjesës veriore matanë lumit Ibër apo lejimin e krijimit të një krijese të tillë sikurse Asociacioni në baza etnike, e cila ndryshe do të funksiononte si një mini-republikë e pavarur brenda Republikës së pavarur të Kosovës.

Qëllimi final i skenarit të dytë ishte implementimi i marrëveshjes sekrete ndërmjet Thaqit dhe Erdoganit për arrestimin dhe deportimin e të gjithë shtetasve turq për në Turqi, të cilët në mënyrë direkte apo indirekete janë të lidhur me organizatën e kundërshtarit politik të Erdoganit, Fetullah Gylen.

Si në rastin e parë, si në të dytin, shpërfaqet politika e mbrapshtë nga presidenti i vendit në dëm të interesave afatgjate të Kosovës. Gjate gjithë mandatit te tij te deritashëm, presidenti ka përfaqësuar çdo gjë tjetër përveç unitetit të vendit. Ai është një president i cili në kushte normale do të duhej të ishte simbol i unitetit. Përkundrazi, Presidenti është skajshmërisht polarizues dhe antagonist. Të paktën gjatë pesë ditëve të kaluara, si president i vendit, ai e ka shkelur rëndë Kushtetutën e vendit. Në rastin e parë duke inskenuar arrestimin e një zyrtari serb në veri të vendit, kurse në rastin e dytë, prapë, duke shkelur Kushtetutën e vendit ka autorizuar kidnapimin dhe deportimin e shtetasve te huaj jashtë Kosovës.

The post Filmi i keq, skenari i keq, regjisori edhe më i keq appeared first on Telegrafi.

Mjaft më!

Posted: 30 Mar 2018 12:42 PM PDT

Michel Friedman

Kurrkush nuk e kupton që ky nuk është fillimi i urrejtjes, nga e cila ne të gjithë bashkë kërkonim të mbroheshim? Prej kohësh ne kemi arritur në qendër të antisemitizmit evropian!

Shembuj ka sa të duash: Parisi, ku një e mbijetuar e Holokaustit u vra në mënyrë shtazarake, sepse ishte e besimit hebre. Britania e Madhe, ku partia laburiste po tronditet nga skandalet antisemitiste dhe kryetari nuk bën asgjë kundër. Hungaria, ku kryeministri Orbán po flet me përçartje për një gjoja konspiracion të hebreit George Soros. Polonia, e cila po mundohet shumë për t’u paraqitur si qengj i pafajshëm sa i përket antisemitizmit, si gjatë Holokaustit ashtu edhe pas tij e deri në ditët e sotme. Austria, ku ekstremizmi i djathtë ka mbërritur të bëjë dëme deri në qeveri dhe ku kancelari Kurz, për shkak të hesapeve që bën për të mbajtur pushtetin e ka bërë antizemitizmin të pranueshëm. Me sa duket antisemitizmi po legjitimohet sërish dhe po legalizohet nëpërmjet zgjedhjeve.

Po – edhe në Gjermani. Prej dekadash këtu shkollat e hebrenjve, kopshtet e fëmijëve dhe qendrat e komunitetit hebre duhet të ruhen prej rreziqeve, që vijnë prej nazistëve të vjetër dhe të rinj. Politikanë të AfD-së e quajnë Monumentin e Holokaustit “monument turpi" dhe duan që të rishkruajnë kulturën e kujtesës. Dhe kjo AfD, një parti ekstremiste e djathtë që përdor parulla ekstremiste të djathta dhe antisemite, është zgjedhur për herë të parë në parlament.

Në çdo fundjavë në ndeshjet e futbollit lojtarët e një skuadre shajnë lojtarët e skuadrës kundërshtare si “çifut"- dhe kurrkujt nuk i dhemb veshi për këtë. Barsoleta me hebrenj tregohen po ashtu, dhe megjithëse nuk të bëjnë për të qeshur njerëzit qeshin. Dhe kurrkujt nuk i bën kjo përshtypje. Varrezat hebreje dëmtohen herë pas here. Në internet lëshohet urrejtje, përçmim dhe nënvleftësim shpirtëror.

Nuk durohet më!

Jo vetëm në botën digjitale, por edhe në atë reale përjetohet urrejtje e pakëndshme, e paturpshme njerëzore, prej dekadash. Antisemitizmi strukturor, i përditshëm është bërë i zakonshëm. Dhe pikërisht kjo është më e keqja: Asgjë nuk na e prish më qetësinë. Ne kemi mbyllur veshët e nuk duam të dëgjojmë. Ne jemi mësuar me spiralen e përditshme të eksitimit nga lajmet e medieve. Por, meqenëse nuk reagojmë ndaj provokimeve, ne kthehemi vetë në bashkëpunëtorë, kolaboracionistë.

Mjaft!

E vërtetë është po ashtu se ka vite që në skenën e ekstremizmit si të djathtë edhe të majtë në Evropën që urren hebrenjtë është duke ardhur një lloj antisemitizmi prej pjesëve radikale të botës myslimane. Ai drejtohet kundër Izraelit, por ashpërsia e tij dhe dhuna e tij prek gjithë hebrenjtë, pavarësisht ku jetojnë ata. Prej vitesh bëhen paralajmërime për këtë zhvillim. Prej vitesh të prekurit tregojnë për përvojat e tyre në shkollat gjermane dhe reaksionet e dobëta të njerëzve përgjegjës.

Prej vitesh po përjetohet agresion i hapur në pjesë të vogla, por gjithnjë e më shumë në rritje, të komunitetit mysliman në Gjermani. Prej dekadash shteti gjerman shikon pa ndërhyrë se si të rinjtë ndikohen prej imamëve agresivë dhe armiq të demokracisë nga Arabia Saudite dhe Turqia, dhe bën si e befasuar kur pikërisht këta të rinj radikalizohen.

Edhe një pjesë e refugjatëve janë kundër hebrenjve. Ata vijnë prej diktaturave arabe, që e kanë bindur popullsinë e vet se Izraeli dhe hebrenjtë duhen urryer. Ky është një lloj shpjegimi, por jo justifikimi.

Nuk po flasim për solidaritet me hebrenjtë, por për angazhim të të gjithëve dhe të çdo gjëje që është pjesë e këtij vendi. Çfarë duhet të ndodhë ende, që të fillojë veprimi? Shumë fjalime të natyrës “të mos ndodhë kurrë më" dhe “ruajuni që nga fillimi "nuk është nevoja të mbahen më ditën e diele, kur nga e hëna deri të shtunën ai që mban fjalimin ka parë pa ndërhyrë se si po ndryshon Gjermania?

Ata që janë antisemitë përçmojnë demokracinë, pluralizmin, lirinë, emancipimin dhe iluminizmin.

A na interesojnë vërtet këto vlera? A i mbrojmë ato me mendje dhe zemër? Apo dëgjohet vetëm zhurma e atyre që nxisin urrejtjen sepse të tjerët flasin me zë të ulët?

Unë nuk i shkruaj këto rreshta se jam hebre, por sepse jam njeri. Një njeri si të gjithë ju, që jeni duke i lexuar këto rreshta. Sepse jam i shqetësuar. Edhe për ju.

Mjaft më!

The post Mjaft më! appeared first on Telegrafi.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more