Skip to main content

“Vrasja e Kasmit, Apeli lë në burg Mario Meshinin” plus 9 more - Gazeta Dita

“Vrasja e Kasmit, Apeli lë në burg Mario Meshinin” plus 9 more - Gazeta Dita


Vrasja e Kasmit, Apeli lë në burg Mario Meshinin

Posted: 15 Feb 2018 02:37 AM PST

 

Gjykata e Apelit ka lënë në burg Mario Meshinin, personi i dyshuar se nxori në pritë Dëfrim alias Devi Kasmin, i cili u ekzekutua pranë shtëpisë së tij.

Ngjarja ndodhi më 29 Janar në rrugën "Petro Cani" në Tiranë.

Avokati i Meshinit apeloi vendimin e Shkallës së Parë për të lënë të lirë klientin e tij, me argumentin se nuk ka lidhje me ngjarjen, pasi viktimën e kishte mik prej disa kohësh.

Por Apeli nuk pranoi këtë kërkesë dhe ka lënë në fuqi masën e sigurisë "arrest me burg" për Mario Meshinin.

Ky i fundit i kishte dërguar mesazh në celular Dëfrim Kasmit për t'u takuar poshtë pallatit ku banonte viktima.

Meshini ka thënë para hetuesve se në momentin që mbërriti me motor poshtë pallatit të Kasmit, aty ishin edhe vrasësit, të cilët qëlluan për vdekje 41-vjeçarin.

Më pas, Mario Meshini shkoi në banesën e tij dhe jo në komisariat, duke argumentuar se ishte i tronditur nga vrasja dhe se ekzekutori i vendosi pistoletën në kokë duke e kërcënuar.

Mirëpo kjo dëshmi e tij nuk e ka bindur Prokurorinë, e cila ka dyshime se Mario Meshini ka nxjerrë pikërisht në pritë Dëfrim Kasmin për t'u ekzekutuar.

Në fillim të shkurtit, Policia e Tiranës arrestoi ish-policin grek Efthimios Efthimiu, si vrasësi me pagesë i Kasmit, si dhe tre bashkëpunëtorë të tij Elton Halipaj, Malvin Dinellari dhe Elton Hoxhallarin.

Ndërsa Aurel Hoxhallari është në kërkim si organizatori dhe porositësi i atentatit.

a.s/dita

 

Rama: Teatri do shembet! Vetëm në Shqipëri aktorët zihen për mure

Posted: 15 Feb 2018 02:34 AM PST

 

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në Kuvend se godina e Teatrit Kombëtar do të shembet dhe se do të ndërtohet Teatri i ri.

Kreu i qeverisë ftoi opozitën që të shkojë në teatër, pasi sipas tij ka që pas vitit '91 që nuk shkel në teatër, ndërsa tha se vetëm në Shqipëri aktorët zihen për mure, ndërsa fatkeqësia e tyre është se nuk ka role.

"Në teatrin e ri do shkoni si spektatorë dhe do mësoni nga e  para ç'është teatri sepse keni që në vitin '91 që nuk keni shkuar në teatër.

Pse po fyen, artistët dhe aktorët. Na thoni ku është fyerja apo se ju kapeni pas çdo fije bari si i mbyturi dhe kujtoni se do ktheheni aty ku nuk ktheni dot. Jemi të pakonkurrueshëm. Nuk na konkurroni dot.

Mos duhet t’ua ndajë qeveria rolet. Të ngrihet kinostudioja e re dhe t’u japim punë. Përse? Keni parë ndonjë vend normal ku aktorët ngrihen sa herë flitet për mure e karton xhes.

Beteja komplet pa përmbajtje.

Ligji për arsimin e lartë është i duhuri

Jeni djathi kaçkavall plot vrima që nuk hapet”, tha Rama.

Kryeministri tha se debati për ndërtimin e teatrit ka 20 vite që diskutohet dhe se askush nuk ka marrë përsipër të ndërtojë një godinë të re.

“Jeni gati të kapeni pas çdo gjëje, sepse jeni në ajër e doni vetëm të kapeni. Ne do ta ndërtojmë Teatrin e ri Kombëtar më në fund. Se kjo mbledhje që vazhdoi ka nisur para 20 vitesh. Ka vdekur të tërë ata që e nisën mbledhjen përveç Robert Ndrenikës.

Ju që na qaheni për kulturën e artin. Teatrin e ri Kombëtar do ta bëjmë dhe atë godinën e re do ta shembim dhe do të krijojmë hapësirën europiane për të dhënë shfaqje, parë teatër. Dhe teatri juaj mund të vazhdojë, bini daulleve por gjëma nuk do të ndodhin”, theksoi ndër të tjera kryeministri.

a.s/dita

Meta: Ruajtja e integritetit të KLSH, një sfidë e rëndësishme

Posted: 15 Feb 2018 02:23 AM PST

 

Presidenti Ilir Meta gjatë analizës vjetore të Kontrollit të Lartë të Shtetit tha se performanca e KLSH ka qenë e qëndrueshme dhe ka pasur ndikim në rritjen e cilësisë së qeverisjes ndër vite.

Sipas Metës, ruajtja e integritetit të KLSH, mbetet një sfide e rëndësishme.

"Domosdoshmëri për të rikthyer besimin tek institucionet publike dhe vendimmarrjen e tyre. Mbështetje për institucionin e veprimtarinë audituese të KLSH", tha Meta.

Gjithashtu Presidenti tha se komunikimi arrogant nuk na ndihmon për të jetësuar reformat.

a.s/dita

Dëborë në Llogara, lëvizja e mjeteve vetëm me zinxhirë. Probleme edhe në Dibër e Korçë

Posted: 15 Feb 2018 02:10 AM PST

Reshjet e dendura të dëborës janë rikthyer në zonat malore të vendit. Në Qafën e Llogarasë kalimi bëhet vetëm me zinxhir, madje raportohet se në disa pika kalimi është i vështirë edhe me zinxhira vendosur.

Trashësia e dëborës arrin deri në 50 centimetra. Në zonë ndodhen disa mjete borëpastruese dhe është hedhur kripë, por rënia e vazhdimisht e dëborës e neutralizon atë.

Policia rrugore ndodhet në vendin e ngjarjes dhe nuk lejon që të kalojnë automjete pa vendosur zinxhirët.

Edhe në Qarkun e Dibrës raportohen probleme. Thuajse në të gjitha rrugët në këtë zonë kalimi bëhet vetëm me zinxhirë për shkak të ngricës në rrugë.

Qarku i Korçës është përfshirë i gjithi nga reshjet e bardha. Në Dardhë dëbora ka arritur deri në 30 centimetra, ndërsa në Voskopojë 10 cm. Në rrugën Qafë-Thanë – Qafë-Plloçë e deri në Kapshticë dëbora shkon deri në 7 centimetra.

Deri më tani raportohet se përveç aksit Korçë-Dardhë dhe Qafa e Qarrit, që kalohen me zinxhirë, në të gjitha rrugët e tjera nuk ka probleme.

o.j/dita

“Magji” në penalltinë e Cristianos (Video)

Posted: 15 Feb 2018 02:01 AM PST

Cristiano Ronaldo ishte protagonisti i madh i fitores së Realit të Madridit ndaj PSG-së 3-1 në 1/8 e finaleve të Champions League.

Sulmuesi portugez shënoi dy gola, njërin prej të cilëve me 11-metërsh. Por, shumë pak tifozë vunë re diçka të çuditshme te penalltia e CR7. Ishte ish-shoku i tij i skuadrës te Manchester United, Rio Ferdinand, i cili nënvizoi fenomenin e çuditshëm që ndodhi në këtë episod.

Përsëritja tregon se topi ngrihet në momentin që Cristiano përgatitet ta godasë. Kjo ndodhi pasi këmba mbështetëse e sulmuesit të Realit shkel me forcë dhe tapeti vibron aq sa për të ngritur pak topin fiks në momentin që goditet nga e djathta e Topit të Artë.

Në "BT Sport", Rio Ferdinand tha: "Ju betohem, është çmenduri! E bënte këtë gjë në stërvitje gjithmonë".

o.j/dita

INTERVISTË: Dashuria sot? E veshur më bukur, por e zhveshur nga sinqeriteti

Posted: 15 Feb 2018 01:46 AM PST

Entela Resuli

Dje ishte dita e të dashuruarve. Nuk po i hyj historisë se përse është cilësuar e tillë, por në vendin tonë, vitet e fundit në datën 14 shkurt kanë filluar të bëhen dhurata në emër të dashurisë! Në rrugë sheh çifte krah për krah njëri-tjetrit. Shumë pak burra me lule në dorë  dhe më shumë motorra që lëvizin për të çuar buqetën e radhës, te gruaja që do i gëzohet trëndafilave të kuq.

Dyqanet i kishin bërë gati buqetat qysh më përpara. Kjo e mërkurë ishte një ditë me shumë fitime për ta. Dashuria, kur do, lëviz gjakun, por edhe ekonominë!

Dashuria kur vjen, nuk ka nevojë për komente, por duket se kjo ndjenjë gjithmonë e më shpesh po bëhet komerciale. Rinia tërhiqet më tepër nga të mirat materiale dhe jo nga ndjenja. Modeli që i ofrohet, në forma të ndryshme, në rrjetet sociale, në Tv, në rrugë, është luksi.

Ku ka luks ka dhe dashuri!? Por në fakt nuk është gjithmonë kështu. E kundërta mund të jetë e vërtetë.

Personi i parë që më shkoi në mendje për të folur mbi këtë temë, ishte Profesor Përparim Kabo.  Ai pranoi të ndajë me ne disa mendime në lidhje me dashurinë, por edhe një analizë se çfarë ndodh me rininë sot në raport me këtë ndjenjë, për të cilën, thonë se, nëse nuk provohet, atëherë nuk ke jetuar. Më poshtë, biseda me të:

Përparim Kabo

-Profesor, çfarë është dashuria sot?

Dashuria nuk është profesion, as profesionalizëm, është frymë dhe frymëzim, ndaj ndërtimi saj nuk vjen nga sendet por nga ndjeshmëritë e thella njerëzore që bëjnë relative gjithçka posesive dhe mbi të gjitha mbajtjen peng nga mosha!

   -A ka ndryshuar dashuria me kohën, pasi duket se njerëzit janë bërë më materialist?

Për ata që dinë të dashurojnë, jo. Për ata që bëjnë sikur duan ajo është pjesë e tregut dhe industrisë së gënjeshtrës.

-Deri në ç'pikë mund të sakrifikohet për dashurinë?

Deri në limitet e jetës, madje dashuria është e plotë kur do dhe në botën tjetër.

-Në kohët që po jetojmë, ka më shumë apo me pak  dashuri?

Dashuria nuk matet me sasi, ka më shumë sinqeritet apo me pak sinqeritet, kjo më shqetëson. Dashuria është veshur më bukur me rroba duke e zhveshur nga shpirti i sinqeritetit.

-Ka një shqetësim në vendin tonë, dhuna, numri i lartë i divorceve… Mos po përjetojmë një krizë në familje dhe në dashuri. Pse ndodh kjo?

Kriza në familje është më komplekse por se dashuria është e sëmurë dhe jashtë familjes sepse mes tyre nuk ka komunikim shpirtëror dhe vlerash, është rralluar shumë gjendja ku bashkimi i dy njerëzve nga dashuria para ndërtimit të familjes me atë kur ndërtohet familja. Prova është globale, aq sa sot flitet për atë që quhet poligamia seriale.

-I bën kjo njerëzit më të palumtur?

Lumturia është një gjë e shenjtë e fisnike që lind dhe mbahet përtej materiales, është një gjendje që mund të ta dhuroj si sinergji natyra, arti, shpirti dhe devocioni njerëzor kur të gjithë bashkë pjalmojnë frymëzimin.

-Profesor, si ju duket rinia sot, sjelljet e tyre në raport me dashurinë në këtë epoke dixhitale, ku shihet se më shumë i kërkojnë dhe i shprehin ndjenjat e tyre në rrjetet sociale?

Rinia nuk mund të ndahet nga dashuria dhe dashuria nga kjo moshë sepse ndryshe, dashuria do ishte objekt muzeal, por çështja është se a ka të rinj të dashuruar apo ka të rinj që njohin veten në kontrastin bardh e zi, përmes eksplorimit të trupit, instiktit dhe humbjes së përgjegjësisë për ndërtimin e jetës së tyre duke mbajtur përgjegjësitë.

Të komunikosh on line për dashurinë do të thotë ose të kesh frikë prej saj ose të gënjesh në emër të saj. Një puthje e gjallë mund të ndryshojë gjithçka në jetën e njeriut.

-A e zbeh martesa dashurinë, dhe pse njerëzit po ngurojnë të martohen, vitet e fundit?

Martesa e provon dashurinë në detyrime sa humane aq edhe të ndjeshmërisë, sa kohë që njeriu që do është me ty çdo ditë dhe çdo natë. Martesa i ka hyrë në hak dashurisë sepse është shndërruar në ceremonial luksi dhe në shtëpi luksi, në udhëtime luksi dhe në ëndrra luksi, kjo lloj familje është një koncesion fatkeq te mosdashuria.

-E vështirë të mos joshesh nga luksi, kur të dalin përpara shumë shembuj, njerëz që jetojnë në të…

Kjo është një çështje shumë delikate sepse luksi dhe moda janë industri, janë marketing, por janë dhe publicitet, ndaj ndeshja me të është shumë e vështirë. Morali nuk mund ta mundi vetëm edhe kur është kristian, protestant apo indu. Unë mendoj se media e çdo forme duhet të jetë e kujdesshme sepse meqë luksi dhe moda e paguan ajo është shndërruar në shërbyese e tyre dhe nuk merret me njerëzoren normale, me atë të thjeshtën që dhuron gëzim real në çdo kohë dhe në çdo situate. Të rinjtë që nuk kanë mundësi monetare e quajnë si dobësi sepse femrat e tregut duan luks dhe pasuri në shkëmbim të trupit të tyre. Kështu që brenda brezmoshës është krijuar një lloj gare kush ka më shumë dhe kush ka atë që sapo ka dal në treg, vetëm kështu ti mund të krijosh polin tërheqës së gjinisë femërore. Paçka se në kësi rastesh ti nuk je më femër por objekt që shkëmbehesh, në këtë kuptim je e përdorur deri në shpërdorim, nesër vendin tënd do ta zërë një mall tjetër epshor.

-A ka një formë për ta shmangur këtë joshjen nga luksi?

Mendoj se nuk është çështje forme. Duhet të pranojmë se dashuria kështu ka udhëtuar gjithnjë në çdo kohë mes vetes dhe shemrave të saj. Lum ai që është skllav i dashurisë se është princi i lirisë dhe mjerë ai apo ajo që është mbret i luksit dhe nuk ka kurrë takim as me dashurinë dhe as me lirinë shpirtërore. Viktimat e padashurisë janë fatkeq të veshur me luks. Çështje fati.

-Marrëdhëniet njerëzore janë në krizë?

Janë në krizë dhe kjo është globale. Vuajnë më shumë ata që kanë më shumë materialisht. Duhet ushqyer shpirti. Dhe një poezi e ndryshon ditën. Dhe një varg. Dhe një valë deti..

-Në këto kohë, tradhtohet më shumë?

Nuk ka statistika, por tradhtia nisi me Zeusin që i pëlqente e përkohshmja dhe tradhtia nuk ka gjini.

Duke njohur këtë realitet, keni një mesazh…?

Mendoj së dashuria nuk ka nevojë as për mesazhe dhe për opinione sepse ndryshe do binim ndesh me çfarë thashë më lart. Thjesht një jetë pa dashuri është gjithçka por pa shpirt, një lloj kohe kur asgjë nuk jep gëzim. Detyrim për të numëruar ditët dhe për të pritur të mbarojë nata që është edhe më e padurueshme!

Keni një histori dashurie si model, që ju frymëzon …?

Për mua model ka qenë dashuria 50-vjeçare e Victor Hugo-it me Zhuljetën që ishte dashuria e gjeniut me të dashurën. Një histori që tejkalon trupin dhe që ka brenda sakrificën. Shumë shpejt do ta lexoni në një studim timin për jetën e Hugo-it që do dalë si pjesë e librit Antropologjia e Artit. Pak durim deri në takimin e ardhshëm.

Dita

VIDEO+FOTO / “Të dashuruar në azil”, Veliaj i marton në emision live

Posted: 15 Feb 2018 01:40 AM PST

Shën Valentini, ishte një ditë e veçantë jo vetëm për çiftet që kurorëzuan në martesë dashurinë e tyre, por edhe për kryetarin e bashkisë, Erion Veliaj.

Nga të gjitha dashuritë që ka celebruar gjatë këtyre viteve në krye të bashkisë së Tiranës, asnjëra nuk ka qenë si ajo e djeshmja.

Ethemi, 83-vjeçar dhe Vangjelica, 70-vjeçare janë njohur në azil, në Tiranë.

Të ftuar në 'Top Magazine', ata rrëfyen si u njohën dhe e pëlqyen menjëherë njëri-tjetrin.

Vangjelica, pas disa vitesh që jetoi në Greqi, u kthye në Shqipëri për të mos humbur pensionin. Pasi përfundoi në azil, u njoh me Ethemin, i cili e pëlqeu sapo e pa. Pas tri ditësh, tregon ajo, ai i propozoi që të rrinin bashkë, meqenëse kishte vënë re që ajo ishte edhe pa mbështetje.

Pasi Vangjelica pranoi, ata prej një viti e ndajnë kohën bashkë në azil. Por nuk flenë bashkë. Sipas rregullave të azilit, burrat dhe gratë jetojnë në ambiente të ndara.

Me ndihmën e kryebashkiakut të Tiranës, Ethemi dhe Vangjelica kurorëzuan dashurinë e tyre në martesë.

Para se të celebronte këtë dashuri, Veliaj tha se kjo ishte martesa që ka moshën më të madhe që ai ka celebruar, por, siç theksoi ai, ka pasur shumë martesa të çuditshme, të cilat i kanë bërë përshtypje.

Pas përfundimit të ceremonisë, çifti i ri është përlotur.

o.j/dita

 

0

 

FOTO: Kush është tregtari i gomave që u vra mbrëmë në Bllok

Posted: 15 Feb 2018 01:28 AM PST

Afrim alias Memli Begalla u ekzekutua mbrëmjen e së mërkurës me armë në rrugën "Nikolla Tupe" në kryeqytet.

64-vjeçari u qëllua nga afër me plumb në kokë. Ekzekutori përdori një pistoletë me silenciator dhe më pas u largua në drejtim të paditur, dyshohet me një makinë tip 'BMW', ngjyrë e zezë.

Skena e krimit është ruajtur gjatë gjithë natës nga forcat e policisë dhe mëngjesin e sotëm është rikthyer në vendngjarje grupi hetimor për të këqyrur sërish skenën e krimit për të mbledhur të tjera prova.

Policia shoqëroi dje në komisariat pesë persona të cilët mund të kishin dijeni për ngjarjen. Mësohet se askush prej tyre nuk ka dhënë informacion të vlefshëm për hetimet, pasi nuk dëgjuan të shtëna. Ndërkohë, postblloqe policore janë ngritur edhe në akset kryesore në kryeqytet.

Memli Begalla ka qenë tregtar gomash. Ai kishte në pronësi dy gomisteri në zonën e Yzberishtit dhe në autostradën Tiranë-Durrës, por edhe një agjenci turistike, që administrohet nga vajza e tij.

Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes. Sipas hetimeve paraprake të policisë, shkak i vrasjes dyshohet të kenë qenë borxhet që viktima u kishte personave të tjerë.

o.j/dita

Vrau 17 persona, identifikohet autori i masakrës në Florida

Posted: 15 Feb 2018 01:10 AM PST

Adoleshenti që vrau 17 persona në një shkollë të mesme të Floridës është Nikolas Cruz, 19 vjeç, i pezulluar më parë nga kjo shkollë.

Mësohet se Cruz ka aktivizuar alarmin e zjarrit në mënyrë që studentët të dilnin nga klasat e tyre e më pas hapi zjarr. Ai iu shmang policisë duke u shtirur si një prej studentëve të tmerruar që vraponin për të shpëtuar kokën.

Ai u arrestua një orë pas nisjes së masakrës.

Sherifi i Kontesë së Brauardit, Scott Israel tha se 19-vjeçari ishte përjashtuar nga kjo shkollë një vit më parë për "arsye disiplinore" që ende nuk dihen.

Cruz ishte i armatosur me një pushkë AR – 15 dhe granata tymuese kur hyri në shkollë me maskë kundërgaz dhe vrau 17 studentë dhe pjesëtar të stafit.

o.j/dita

Rinas, 63 personave u është ndaluar udhëtimi jashtë Shqipërisë

Posted: 15 Feb 2018 12:56 AM PST

Vijon zbatimi me rigorozitet i masave shtesë për parandalimin e shtetasve që udhëtojnë në vendet e BE-së me qëllim azil-kërkimin.

Gjatë dy javëve të para të muajit Shkurt, nga shërbimet e Policisë Kufitare të Komisariatit të Policisë Rinas, në dalje janë evidentuar dhe kthyer 63 persona të cilët nuk justifikonin qëllimin e udhëtimit.

Gjithashtu në hyrje janë kthyer 6 shtetas të huaj të cilët nuk justifikonin qëllimin e udhëtimit në vendin tonë. Në drejtim të evidentimit dhe ndëshkimit të atyre që qarkullojnë me dokumente të falsifikuara, janë evidentuar dhe proceduar penalisht 10 raste, ku 4 raste janë proceduar me arrest në flagrancë.

Njëkohësisht janë proceduar penalisht për "Kalim të paligjshëm të kufirit", 15 shtetas. Po nga Policia Kufitare e Rinasit janë proceduar 2 raste të braktisjes së fëmijëve të mitur.

Janë kapur 4 persona në kërkim, si dhe janë ndaluar 3 shtetase të cilat ishin  shpallur në kërkim për largim nga banesa. Përmes aeroportit të Rinasit, në vendin tonë kanë hyrë 32.143 shtetas shqiptarë dhe të huaj, si dhe kanë dalë 28.528 shtetas shqiptarë e të huaj.

Policia bën me dije se edhe në ditët në vijim do vijojë puna me intensitet për të parandaluar, evidentuar dhe ndëshkuar paligjshmërinë.

o.j/dita

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more