Skip to main content

“Perëndimi nuk do t’i ndalojë tmerret në Siri, se thjesht nuk i intereson” plus 2 more Telegrafi Opinione

“Perëndimi nuk do t’i ndalojë tmerret në Siri, se thjesht nuk i intereson” plus 2 more Telegrafi Opinione


Perëndimi nuk do t’i ndalojë tmerret në Siri, se thjesht nuk i intereson

Posted: 24 Feb 2018 06:32 AM PST

Nick Paton Walsh

Të thuash që 'nuk ka fjalë' të përshkruash tmerrin është irrituese, por tani të mos thuash asgjë është bërë mënyra e re e të shprehurit rreth luftës më tmerruese të botës.

Është kryesisht puna e Kombeve të Bashkuara të gjejnë fjalët – të artikulojnë mizorinë që po lëshohet përsëri mbi popullin e Sirisë. Në vend të saj, zyrtarët e saj lëshojnë një deklaratë që thotë: "Nuk ka fjalë që mund të përdoret për të përshkruar fëmijët e vrarë, nënat e tyre, baballarët e tyre dhe të dashurit e tyre", pas një dite tjetër brutale në Ghouta.

Nuk është se masakra i shpëton kufijve të gjuhës së folur, por deklarata "nuk ka fjalë" aludon dy gjëra që janë shumë më të tmerrshme:

E para: pas 7 vitesh që dënon dhunën me "termat më të fortë të mundshëm", OKB-ja – negociatori kryesor dhe furnizuesi i ndihmave – ka arritur në përfundimin që të mos thuash asgjë është mënyra e vetme me të cilën mund të tërheqë vëmendjen.

E dyta: OKB-ja në mënyrë efektive e pranon se nuk ka më rol në Siri.

Vetoja e Rusisë në Këshillin e Sigurisë së OKB-së pengon çdo rezolutë kuptimplotë – e cila shpesh hidhet poshtë nga regjimi i Assadit që përsëri akuzohet për përdorimin e gazit sarin, pavarësisht një rezolute që kërkon dorëzimin e të gjitha armëve kimike.
Aty ku paqebërësit dhe diplomatët duhet të kenë një mekanizëm për ulje përshkallëzimi dhe mëshirë, tani ekziston një hapësirë boshe e qëllimshme.

Departamenti Amerikan i Shtetit vetëm pak javë më parë artikuloi një strategji me shumë pika për Sirinë kaq të gjërë dhe gjithë-përfshirëse që në thelb angazhonte SHBA-në për një prezencë pak a shumë të përhershme në vend- si dhe largimin e Assadit.

Zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit këmbëngul se administrata është "e angazhuar plotësisht" kur bëhet fjalë për situatën në provincën e Ghoutës, por megjithatë, kur pyetet se çfarë po bëjnë ekzaktësisht Shtetet e Bashkuara, ajo përgjigjet në një sallë të mbushur me gazetarë: "Nuk e di se çfarë prisni që ne të bëjmë."

Në vetvete kjo është një deklaratë shumë e çuditshme, që presupozon se nevoja për një përgjigje të thjeshtë dhe të qartë për Ghoutën është një lloj fantazie e egër mediatike. Megjithatë është gjithashtu një përgjigje shumë e sinqertë. Çfarë mund të pritet që Shtetet e Bashkuara të bëjnë në të vërtetë?

Madje edhe kur kancelarja Angela Merkel thotë që Gjermania "duhet të bëjë çdo gjë që mundet që t'i japë fund masakrës", më pas ajo propozon t'i bëjë thirrje një prej bashkë-sponsërve të saj, Rusisë.
E vërteta e këtyre deklaratave është se ato e pranojnë realitetin. Nëse Perëndimi nuk është i përgatitur të rrëzojë avionët e mbështetur nga Rusia nga qielli mbi Ghoutën për të vendosur një zonë ku ndalohet fluturimi, atëhere i ka duart e lidhura.

Kjo nuk është një seri e re taktikash nga regjimi sirian dhe Rusia: më parë ata kanë biseduar rreth një armëpushimi, para bombardimit, rrethimit dhe zbatimit të objektivave të tyre ushtarake – duke kërkuar përfundimisht që të gjithë banorët të largohen nga një territor i rrethuar. Kjo është ajo që bëjnë ata. Dhe atrofia e pafuqishme dhe konfuze është se çfarë po bën bota e jashtme në përgjigje të kësaj situate.

Kjo lloj masakre nuk u regjistrua sa duhet kur filloi në vitin 2012, as në 2013 kur barbarizmi u bë aq i egër saqë sirianët e dëshpëruar lejuan organizatën terroriste të Al Qaedës të dominonte disa zona dhe një grup të quajtur ISIS të marshonte në qytetin sirian Raqqa.

Në Homs, Hama, në lindje të Aleppos, madje edhe me përdorimin e gazit sarin në Ghouta në 2013 dhe Khan Sheikhoun në 2017, krimet nuk janë kurrë të mjaftueshme që të marrin një përgjigje serioze dhe të përkushtuar nga Perëndimi. Deri tani, Assadi ka humbur një aeroport dhe transaksionet bankare ndërkombëtare i duken të ndërlikuara. Asgjë tjetër.

Është shqetësuese të arrihet në përfundimin se diskutimi i përsëritur "kurrë më" dhe indiferenca perëndimore fsheh çështjen e vërtetë në rrezik në këtë rast. Ne thjesht nuk na intereson. Bota perëndimore do të veprojë vetëm nëse kryqëzata e Sirisë gjeneron një tmerr kaq ekstrem saqë militantët të kërcënojnë qytetet tona. Iluzioni që turpi dhe zemërimi ynë mund të ngadalësojë masakrën po i jep popullit të Ghoutës shpresa false.

Përpjekjet e Perëndimit ndoshta mund të vijnë në ndihmë për pasojat. Ne nuk jemi të aftë të bëjmë asgjë. Por ndërkohë ku mund t'i dërgojmë lulet? /Analizë e botuar në CNN/Përktheu për BalkanWeb: Aleksandra Kola/

The post Perëndimi nuk do t'i ndalojë tmerret në Siri, se thjesht nuk i intereson appeared first on Telegrafi.

Pse jemi perfeksionistë?

Posted: 24 Feb 2018 04:45 AM PST

Klementin Mile

Kujt s'i ka ndodhur ta shtyjë për më vonë një punë, një udhëtim, një vendim apo diçka tjetër të rëndësishme? Në fakt, sa më e rëndësishme të jetë ajo gjë për ne, aq më shumë priremi ta shtyjmë për më vonë bërjen e saj. Duket sikur ka një rregull që i shtyn për më vonë të gjitha gjërat e rëndësishme, një rregull që dominon psikikën tonë dhe na e mbush jetën me gjëra të parëndësishme. Gjërat e rëndësishme ose i shtyjmë për më vonë ose nuk i bëjmë kurrë.

Është e famshme historia e arkitektit nga Shirazi që projektoi xhaminë më të bukur të botës. Ai ishte një projekt jashtëzakonisht i guximshëm, e megjithatë me proporcionet e duhura, kishte një sofistikim hyjnor, por nga ana tjetër edhe një ngrohtësi njerëzore. Ndërtues të famshëm iu lutën arkitektit t'i lejonte ta ngrinin xhaminë; njerëz të pasur erdhën prej së largu për t'ia blerë projektin; hajdutët bënë plane për t'ia vjedhur; sundimtarë të fuqishëm menduan t'ia merrnin me forcë. Por arkitekti e kyçi veten në studion e tij dhe, pasi e pa ngulazi projektin për tre ditë e tre net, e dogji.

Arkitekti nuk mundi ta duronte mendimin që ndërtesa e ngritur e xhamisë do t'u nënshtrohej forcave të degradimit dhe kalbëzimit, kolapsit eventual ose shkatërrimit nga barbarët. Gjatë atyre ditëve dhe netëve në studio ai e pa krijimin e vet të reduktohej në pluhur dhe tmerrua nga ajo pamje. Më mirë të mbeste perfekt. Më mirë të mos ndërtohej kurrë.

Por, si përballemi me këtë mungesë perfeksioni të botës që ekziston? Në gjuhën angleze ekziston termi 'procrastination', i cili ka pikërisht domethënien e bërjes së gjithçkaje të parëndësishme, si justifikim për shtyrjen më vonë të gjërave të rëndësishme. Kështu, 'procrastination' është të shohësh nga dritarja, të pish një gotë, të bësh një shëtitje, ta shoshitësh edhe njëherë me mendje atë çështje, të shfletosh një libër, të përhumbesh në imazhet e celularit etj. etj.

Në pamje të parë duket sikur 'procrastination' manifeston thjesht përtacinë tonë për t'u marrë në mënyrë vendimtare me gjërat. Në një shikim të dytë do mund të vinim re mungesën e guximit për t'u përballur me vendimet për gjëra të rëndësishme. Por në fakt 'procrastination' (shtyrja për më vonë e gjërave të rëndësishme) shënjon një problem më themelor. Qoftë kur bëhet fjalë për shtyrjen e vendimit për t'u martuar, vendimit për të bërë fëmijë, vendimit për të nisur shkrimin e një libri apo vendimit për të zgjedhur destinacionin e pushimeve, problemi që manifestohet e ka burimin te diferenca që bënte Platoni ndërmjet botës së qenies dhe botës së bërjes, idesë dhe realizimit, ideales dhe ekzistueses.

Problemi është se idealja është gjithmonë më perfekte se ekzistuesja. Jo më kot bota e ideve është model për botën empirike të bërjes së gjërave. Disa njerëz kanë një lloj prirjeje perfeksioniste – ata preferojnë idealen kundrejt ekzistueses, pasi qenia e gjërave është gjithmonë më perfekte se bërja e tyre. Lidhur me këtë argument, gnostikët thoshin që bota e krijuar prej Zotit ishte më pak perfekte se bota që Zoti mund të mos e kishte krijuar kurrë. Bota, po të mos ekzistonte, do të ishte vërtet perfekte. Gnostikët besonin se mosekzistenca ishte shenjë e perfeksionit, ndërkohë që ardhja në ekzistencë një formë degradimi. Për shembull ata thoshin se atributi më i lartë i hyjnores ishte mosekzistenca. Prandaj i referoheshin Zotit si "ai që nuk është", dhe jo si krijues i botës, i mbetur në kurthin e ekzistencës dhe kohës. Të biesh në ekzistencë – pavarësisht në qofsh botë, person, send apo Zot – do të thotë të hysh në kohë, dhe me kohën vjen kalbëzimi, vjetrimi dhe vdekja.

Në kulturën perëndimore ka prioritet qenia ndaj asgjësë, ekzistenca ndaj mosekzistencës, realja ndaj ideales. Madje të jesh, siç shpjegon Heideggeri, do të thotë të jesh prodhuar. Por, pavarësisht kësaj, perfeksionizmi nuk duhet parë si diçka për t'u shmangur. As si diçka që na fton në pasivitet dhe padobishmëri. As si diçka që na shpie në nihilizëm. Përkundrazi, perfeksionizmi mund të jetë përbërësi kryesor i bërjes së gjërave të rëndësishme të jetës, duke na shtyrë jo drejt shmangies së tyre, por drejt reflektimit për t'i bërë më mirë. /Mapo/

The post Pse jemi perfeksionistë? appeared first on Telegrafi.

Kultura është zemra e një shoqërie

Posted: 24 Feb 2018 04:36 AM PST

Carmen-Francesca Banciu

Identiteti, integrimi dhe përkatësia: aktualisht këto tema kërcënojnë të na vënë poshtë. Prandaj ndoshta është më mirë që kolektiven ta zbërthejmë te individualja, për ta bërë më të kuptueshme. Edhe në shembullin e artistëve dhe të autorëve është interesante që të vëzhgosh, sa i komplikuar dhe kontradiktor është procesi i pranimit dhe i integrimit. Kultura është një fushë ku mbizotërojnë fort emocionet. Shqetësime shumë më të mëdha se pranimi në rrjetin e sigurimeve sociale shkakton bërja e të huajve pjesë të kulturës tënde. Sepse kultura është zemra e një shoqërie.

Identiteti, integrimi dhe përkatësia janë tema, të cilat më preokupojnë edhe mua personalisht. Veçanërisht kur afrohet koha e Panairit të Librit të Lajpcigut. Në mënyrë krejt të veçantë kur shfaqet një libër i ri i imi – si tani – më duhet të mendohem për identitetin tim si autore. Për identitetin tim dhe të autorëve që nuk kanë lindur në Gjermani si unë. Cilës kulturë, cilës letërsi i përkasim ne? Si prezantohemi? Nuk ka rëndësi si e përkufizon ti veten, por edhe si të perceptojnë dhe të prezantojnë.

Ne, autorët me të ashtuquajturin sfond migranti, kemi identitete të disafishta dhe shumë të ndryshme; për disa nga këta autorë, gjermanishtja ka qenë gjithmonë gjuha e tyre amëtare. Në këtë mënyrë, ata integrohen pak a shumë në mënyrë të vetëkuptueshme, por jo krejtësisht, në kulturën e këtushme.

Integrim me siguri nuk do të thotë që të shkëputesh nga e kaluara jote, të shkëputesh nga rrënjët e tua, por që të zhvillohesh më tej me rrënjët e tua në një tokë të re, të rritesh, mbase edhe të rritesh duke dalë jashtë vetes dhe të shkosh pak më larg, atje, ku ke mbërritur dhe ku pranohesh.

Autorë që janë më origjinë nga qarqe gjuhësore dhe kulturore të tjera, shpesh përkufizohen në bazë të origjinës së tyre. Në këtë rast ata konsiderohen edhe ekspertë për tema, të cilat prekin vendin e tyre të lindjes, por i pyesin rrallë për tema dhe për vendime të rëndësishme, të cilat prekin jetën në shoqërinë e re. Edhe kur kanë kohë që jetojnë në Gjermani dhe kur vepra e tyre letrare është e shkruar në gjermanisht. Ekziston edhe kategoria ndërkohë në zhdukje e autorëve, të cilët ndihen përgjithmonë të huaj dhe që vazhdojnë të shkruajnë në gjuhën e tyre amëtare. Dhe pastaj janë edhe ata, që nga pikëpamja e teknikës kulturore shkruajnë në një gjuhë “neutrale”, shumicën e herëve në anglisht.

Në Gjermani shumicën e herëve mua më prezantojnë si autore rumune. Letërsia rumune ka kohë që është ndarë prej meje dhe më llogarit ndër autorët gjermanë. Kështu që shpesh përfundoj midis dy stolave. Krejt ndryshe është gjendja në SHBA dhe në Britaninë e Madhe – atje më prezantojnë si gjermane dhe rumune ose si autore ndërnacionale. Kjo mund të ketë të bëjë me faktin që atje, identitetet e shumëfishta kulturore më tepër bëjnë pjesë në normalitet.

Së shpejti do të bëhen 30 vjet që unë jetoj në Gjermani. Koha që kam kaluar në këtë vend shpejt do të jetë dyfishi i kohës që kam kaluar në moshë të rritur në vendin ku kam lindur.

Në vitin e parë timin në Gjermani unë jetoja si mysafire në Berlin, e ftuar nga programi për artistët i DAAD. Në fillim shkruaja në rumanisht, librat e mi botoheshin vetëm të përkthyer. Shpejt mora vendimin e ndërgjegjshëm që të jetoj në Berlin. Dhe në këtë mënyrë mora edhe vendimin që ta zgjedh gjermanishten jo vetëm si gjuhë të jetës së përditshme, por edhe si gjuhë të librave të mi. Me kalimin e kohës ndryshoi edhe perspektiva, prej së cilës nisem kur i shkruaj librat e mi. Unë i shkruaj librat në gjermanisht nga perspektiva e një berlinezeje me rrënjë të gjera dhe me vështrim të zgjeruar, i cili e kalon kufirin nacional.

Gjuhën e kam pushtuar hap pas hapi – dhe ajo është bërë imja. Në të unë ndihem e mbrojtur dhe e fortë. Dhe aq e guximshme sa të thyej rregullat e gjuhës, kur më duket e përshtatshme nga ana letrare. Unë vazhdoj ta gdhend qartësinë letrare dhe fuqinë shprehëse të gjuhës sime. Dhe besoj se në këtë mënyrë kontribuoj në një këndvështrim shumështresor, të gjerë, pasurues në jetën dhe në të kuptuarin e protagonistëve të tij.

Unë kam lindur në Rumani.

Unë jam një autore berlineze.

Unë jam një autore gjermane dhe rumune.

Unë jam autore evropiane.

Unë jam një autore ndërnacionale.

Çfarëdo tjetër që të jem, unë jam një autore që i përket si kulturës gjermane, ashtu edhe kulturës rumune. /DW/

The post Kultura është zemra e një shoqërie appeared first on Telegrafi.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more