Skip to main content

“Hipoteza: A është martuar Skënderbeu në Ardenicë?!” plus 9 more - Gazeta Dita

“Hipoteza: A është martuar Skënderbeu në Ardenicë?!” plus 9 more - Gazeta Dita


Hipoteza: A është martuar Skënderbeu në Ardenicë?!

Posted: 25 Feb 2018 01:41 AM PST

 

Nga Ilirjan Gjika

Historia shkruan shumë pak rreth martesës së Skëndërbeut. Të dhënat e para rreth saj i japin në vitin 1510 dy nga ''biografët'' e parë të tij, si Marin Barleti dhe Gjon Muzaka në veprat e tyre të botuara në Itali (Marin Barleti, Histori e Skëndërbeut, Tiranë 1964, f. 292; ''Kronika e Gjon Muzakës'' në Pëllumb Xhufi, Nga Paleologët te Muzakajt, 55, Tiranë 2009, f. 418-419).

1.

Në mënyrën më të hollësishme këtë martesë na e përshkruan Biemi, i cili në librin e tij ''Historia e Gjergj Kastriotit të quajtur Skëndërbej'', botuar në Breshia të Italisë në vitin 1756, na sjell të dhëna interesante për dasmën e Skënderbeut. Ky autor na jep për herë të parë edhe datën e saj dhe moshën e çiftit. Midis të tjerave ai shkruan se “…vitin që pasoi 1451, e kaloi në qetësi dhe çlodhje si kërkesë për gjithë vështirësitë të viteve të shkuara. Ishte gjithashtu një vit memorial për martesën e Skënderbeut me Marinën vajzën e Arianitit si dhe për ndërtimin e kështjellës se Modrizës. Martesa u bë ne datën 26 Prill dhe dhëndëri kishte 48 vjeç, ndërsa nusja 26 vjeçe (Giovanni Maria Biemmi. Istoria di Giorgio Castrioto detto Scander-Begh, G. M. Rizzardi, Brescia 1756, f. 285-përkthimi Etnor Canaj).

Por historiografia nuk ka arritur të zbulojë se ku është celebruar kjo martesë. Kjo për faktin e thjeshtë se deri tani askush nuk ka mundur të zbulojë dhe publikojë të paktën një dokument që flet rreth saj. Ekzistojnë vetëm disa gojëdhëna të cilat aludojnë rreth disa kishave, si vende ku është kryer kjo ceremoni martesore. Njëra prej tyre dhe pikërisht më e lakuara është ajo që identifikon si vendin ku u bë kurorëzimi: Manastirin e Ardenicës.

Mendohet se kjo e dhënë që vjen prej vitit 1451 është ruajtur brez pas brezi në kujtesën e komunitetit të murgjve të këtij manastiri. Në këtë formë ajo arriti deri në shekullin e kaluar kur e ndeshën udhëtarë dhe studiues të ndryshëm, të cilët e publikuan në botimet e tyre. Pikërisht njëri prej tyre ishte edhe studiuesi italian Xhovani Lorenconi i cili erdhi në Shqipëri në qershor të vitin 1929. Ai u ngarkua nga Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë që të ndihmonte për formulimin e akteve ligjore të reformës agrare që pritej të zbatohej nga mbreti Zog. Lorenconi qëndroi në vendin tonë deri në në muajin maj të vitit 1930 dhe vizitoi një pjesë të madhe të territorit të Shqipërisë, duke përfshirë edhe manastirin e Ardenicës, për të cilin shkroi edhe të dhënat që ndeshi aty rreth martesës së Heroit. Këto, përfshirë edhe të tjera të dhëna me karakter të ndryshëm që i mblodhi anembanë Shqipërisë, ai i botoi të përmbledhura në një sërë librash dhe artikujsh, si: ''La questione agraria Albanese'', botuar në Bari në vitin 1930; ''L’Albania agricola, pastorale, forestale'', pubblikuar në disa botime midis viteve 1940-1941 dhe ''Il volto e l’anima dell’Albania-secondo il diario di un viaggiatore, 1929-1939'', botuar në Firence në vitin 1940. Pikërisht në librin e parë, Lorenconi, përmend midis të tjerave edhe ngjarjen e mësipërme.

Por rreth martesës së Kastriotit ''flet'' edhe artikulli me titull ''Historia e Bibliotekave në Shqipëri'', botuar në vitin 1938 në revistën ''Hylli i Dritës''. Do të ishte publicisti dhe studiuesi Llukë Karafili, i cili me pseudonimin ''Bardhyli'' shkruante midis të tjerave, se ''Gojdhana thotë se në këtë Manastir të Shenjtë edhe Gjergj Kastrioti Skënderbeu kur u martua me Princeshën Maria Andronika të bijën e Princit Gjergj Komnen Thopies Princin e Kaninës më 26 të Prillit 1451 bëri stacion qëndrimi në këtë Manastir, si dhe Kurorëzimin fetar e mori prej dorës së igumenit të këtij Monastiri, i cili siç thuhet ish nji i quajtur Feliks e ka qenë edhe Episkopi titullar i Apollonisë dhe i Bylionës. Gjithashtu thuhet se Skënderbeu nërmjet të dhuratave që la, dha përkujtim edhe një armature të tij (Shpat) për kujtim'' (Bardhyli, Historia e Bibliotekave në Shqipëri, Hylli i Dritës, 1938, nr. 4, f. 165).

Ndërkohë më vonë kemi edhe një tjetër dëshmi nga brenda komunitetit monastik të Ardenicës. Një gjë të tillë e bëri, peshkopi i Apolonisë Irine Banushi, kur ndodhej i   internuar në këtë manastir. Në vitin 1967 ai ndaloi një grup të rinjsh ateistë të cilët në kuadrin e fushatës antifetare ishin nisur nga Fieri për ta shkatërruar këtë objekt. Peshkop Irineu u foli atyre se këtu ishte kurorëzuar heroi ynë kombëtar Skënderbeu, duke e mbrojtur manastirin (Andrea Llukani, Krishtërimi në Shqipëri, Botimet Trifon Xhagjika, Tiranë 2012, f. 323).

Por jo vetëm kaq, sepse ky hierark i lartë kishtar, e materializoi këtë të dhënë edhe në shënimet e veta ku bën një përshkrim të gjerë të këtij objekti kulti. Midis të tjerave në shkrimin ''Kisha e Manastirit t'Ardenicës'' ai shkruan në ligjëratë të drejtë se: ''Ikonom Papa Aleks Doka thotë se këtu në kët vend kishte qënë kisha e parë e Manastirit. Prapë ay thotë (si na e dimë) se kishte ndigjue prej ish famullitarit Papa Markos, se Skëndërbegu si kje martue me Donikën, të binë e princit të Kaninës, Arianitit, pat kthye në Manastir me vue kunorën kishtare'' (Kristofor Beduli, Episkop Irine Banushi: martir i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, KOASH, Tiranë 2000, f. 81-82).

Ndërsa botimi më i plotë studimor rreth Manastirit të Ardenicës është libri i autorit Naun Kule: ''Rrëfimet e Ardenicës'', botuar nga KOASH në Tiranë në vitin 1999. Në faqet e tij midis morisë së tematikave të shumta dhe trajtesës së gjerë të tyre, përfshihet edhe një përshkrim i plotë i zhvillimit të martesës e Skënderbeut.

Pikërisht prej këtyre dëshmive verbale të grumbulluara në Ardencë është formuluar në këto dy dekada të fundit edhe hipoteza historike, se Skënderbeu është kurorëzuar me Donikën në altarin e kishës së manastirit të Ardenicës. Sipas saj, çifti mbërriti në këtë manastir pas dasmës së zhvilluar në shtëpinë e nuses në Kaninë, në 21 prill 1451. Ai shoqërohej nga princat shqiptarë, njerëz të familjes, përfaqësuesit e Napolit, Vatikanit, Raguzës dhe Venedikut. Ceremoniali i kurorëzimit u bë në mesditën e datës 26 Prill 1451, i drejtuar nga peshkopi Feliks, nën kujdestarinë e të cilit ndodhej edhe manastiri i Ardenicës. Të nesërmen Skënderbeu me Donikën u nisën drejt Krujës, ku u zhvillua dasma madhështore në shtëpinë e dhëndrit, sipas riteve të traditës shqiptare.

 

2

Por sa e vërtetë është dëshmia se Heroi ynë kombëtar është martuar në Ardenicë! Kësaj pyetje mund ti jepej përgjigje e saktë vetëm nga publikimi i dokumenteve. Por fatkeqësisht biblioteka e famshme e këtij manastiri ku ruheshin dokumentet, kodikët, regjistrat dhe libra të ndryshëm u dogj në rrethana të panjohura në vitin 1932. Po kështu burime të tjera alternative napolitane apo veneciane heshtin rreth kësaj ngjarjeje, kudo që të ketë ndodhur ajo.

Ndërkohë që dihet fakti që në këtë bibliotekë ruheshin dokumente të vjetra dhe me shumë vlera. Një e dhënë e tillë na vjen prej Leon Reit i cili kishte patur mundësinë dikur të studionte në këtë bibliotekë përpara se ajo të digjej. Këtë gjë arkeologu francez e tregon në ditarin e tij të shqipëruar nga studiuesi i palodhur Luan Rama (Leon Rei, Hyjnitë kishin të drejtë, Shtëpia Botuese Dituria, Tiranë 2012, f. 63-66).

Në këto shkrime, Rei, tregon se kur kishte nisur të organizonte fushatat e gërmimeve në Apolloni, e njoftuan konfidencionalisht se në bibliotekën këtij manastiri ndodhej edhe një kodik i vjetër që fliste për krishtërimin në Apoloni. Kështu ai shkoi emkas për të në Ardenicë.

Fatkeqësisht ky dokument u dogj bashkë me bibliotekën. Gjithsesi Rei, nuk tregon se çfarë dokumentesh të tjera ndodheshin aty përfshirë edhe një akt të mundshëm të martesës së Heroit. Po kështu edhe Anthim Aleksudhi, mitropoliti dijetar i Beratit, i cili në librin e tij ”Përshkrim i shkurtër i mitropolisë së shenjtë të Beratit”, botuar në Korfuz në vitin 1868, megjithëse i kushton një rubrikë të veçantë studimore manastirit të Ardenicës, nuk e përmend një ngjarje të tillë (Anthimos D. Alexoudes, Syntonos Historike Perigrafe Tes Hieras Metropoles Belegradon, H Ionia, Kerkyra 1868, f. 74).

Por përse dokumentacioni historik nuk i vërteton të dhënat verbale që na vijnë nga brenda këtij manastiri. Dhe mbi të gjitha këto të dhëna na vijnë nga një komuniteti i mirëorganizuar murgjish që përgjatë shekujve ka bërë një jetë aktive në manastirin e Ardenicës. Një njoftim për bashkësinë e tyre na e jep në ditarin e tij të udhëtimit edhe piktori shëtitës, anglezi Eduard Lir, kur e vizitoi manastirin në 17 tetor të vitit 1848 (Edward Lir në Shqipëri, Ditar udhëtimesh 1848-1849, Plejad, Tiranë 2008, f. 144).

Po kështu në mbishkrimin e 20 shkurtit të vitit 1744 që gjendet mbi portën perëndimore të naosit përmendet se në manastir shërbenin 12 murgj. Të tillë ishin Andoni, Pankrati, Klimenti, Vikenti, Manasiu, Mitrofani, Josifi, Jerotheu, Vasili, Theokliti, Kozmai, Joakimi (Theofan Popa, Mbishkrime te Kishave të Shqipërisë, Akademia e Shkencave të Shqipërisë, Tiranë 1998, f. 97).

Por këtij manastiri nuk i kanë munguar asnjëherë klerikët e përkushtuar. Për tu përmendur është edhe murgu Nektar Tërpo me origjinë nga Voskopja. Ai njihet si autor i librit me përmbajtje fetare “Besimi” (Pistis), i cili u botua në Venedik në vitin 1773. Por Nektar Tërpo ka lënë edhe një mbishkrim me shumë vlera në këtë manastir. Kështu në në vitin 1731 ai ka shkruar një lutje të shkurtër në ikonën gravurë të kishës në të cilën ka lënë edhe nënshkrimin: Nektar jeronomaku (Theofan Popa, f. 95).

Një klerik tjetër është edhe murgu Simon i cili njihet edhe si Simoni i Ardenicës. Ky murg është autor i disa ikonave në artin kishtar përfshirë edhe atë të Shën Gjergjit (Dhorka Dhamo, Murg Simoni i manastirit të Ardenicës dhe disa ikona të shekullit XVII, Studia Albanica, 1, 1986). Vepra të këtij autori janë ekspozuar sot në Muzeun Kombëtar i Artit Mesjetar në Korçë së bashku me mjeshtrit e tjerë të kësaj gjinie në Shqipëri.

Ndërkohë që një tjetër igumen i këtij manastiri si Klimenti, përmendet edhe në sipërmarrjen e ndërtimit të kishave të tjera si ajo e Shën Gjergjit në Libofshë (Theofan Popa, f. 104).

Edhe imzot Irine Banushi, i cili kaloi në këtë manastir një pjesë të viteve të fundit të jetës së tij, në shkrimet e tij përmend një sërë klerikësh dhe laikësh që shërbyen gjatë shekullit të XX në këtë manastir. ''Si igumen i Manastirit, shkruan ai, ishte: Protosingjel Igumen Sako, Mbas tij igumen ishte Papa Trifon Kordhishta prej Shën Pjetrit, mbas tij: Mihal Bozo, mbas tij Ikon. Kristo Leshi, mbas tij Kov Bozo, mandej Llaz Bozo, Luç Bozo (Kristofor Beduli, Episkop Irine Banushi: martir i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, KOASH, Tiranë 2000, f. 82).

Pra, gojdhana e celebrimit të martesës së Skënderbeut është ruajtur nga një komunitet njerëzish të përkushtuar ndaj besimit, të ditur dhe të kulturuar, të cilët siç e theksonin edhe vetë e kanë ruajtur faktin e ngjarjes në fjalë që nga ndodhia e saj duke e transmetuar gojarisht nga njëri brez në tjetrin deri në ditët tona. Dhe ky është një burim i mirëfilltë historik i cili nuk mund të injorohet apo anashkalohet.

Ndërkohë duhet të theksojmë së Historia është shkencë dhe sie tillë ka edhe mjetet dhe metodat e saj të studimit. Në këtë rast mund ti referohemi, Georgios Giakumis, i cili në librin e tij ''Historia e nesërmja e një shkence të së djeshmes'', kur flet për ''Mjetet e Historianit'', na sjell një shembujt të klasifikimit të burimeve historike. Aty, ai dallon si burime të drejtpërdrejta: tekstet e epokës, monumentet arkeologjike dhe jehonën autentike e traditës së folur (G. Giakumis, Historia e nesërmja e një shkence të së djeshmes, EMAL, Tiranë 2011, f. 163).

Pra, rreth kësaj martesës së mundshme të Skënderbeut në Ardenicë, kemi një burim të drejtpërdrejtë, si jehona autentike e traditës së folur, e cila na dëshmon për ndodhinë e kësaj ngjarjeje. Ndërkohë që problemet e tjera që kanë të bëjnë me tekstet dhe artefaktet mund të diskutohen. Gjithsesi hipoteza vijon të mbetet e debatueshme. A është martuar Heroi në Ardenicë?! Le të shpresojmë duke punuar që të gjendet së afërmi edhe një tjetër burim.

 

Origjina e Rita Orës jo nga Kosova, por nga Shkodra

Posted: 25 Feb 2018 01:34 AM PST

 

Rita Ora njihet në gjithë botën si këngëtare shqiptare me origjinë nga Kosova.

Por së fundmi Kopi Kyçyku, biografi i gjyshit të saj Besim Sahatçiut ka treguar se origjina e saj e vjetër është nga Kazazët e Shkodrës.

Sipas tij orëndreqës të njohur, paraardhësit e Rita Orës kanë shkuar në Pejë të Kosovës, ku mbizotëronte kultura dhe tregtia turke dhe mbiemri u mbeti në këtë gjuhë Sahatçiu.

Rita Ora tashmë e mban mbiemrin në gjuhën e saj shqipe, si artiste e njohur me famë botërore.

"Familja Sahatçiu e ka origjinën nga familja Kazazi e Shkodrës. Më shumë se 100 vjet më parë ata shkuan përtej Drinit dhe mbetën andej, por ruanin komunikimin. Kur u ndanë tokat e Shqipërisë më 1913-n, ata mbetën përfundimisht jashtë kufirit.

Pra, këta i shkëputën lidhjet me Shkodrën dhe më pas shkuan edhe në Prishtinë, ushtruan zejen e orëndreqësit që në atë kohë përdorej turqisht Sahatçiu.

Tani Rita Ora e ka bërë mbiemrin në shqip, një fjalë që dhe ne, dhe shumica e botës e kemi marrë nga latinët. Shumë të dhëna i plotësova nga intervista e të shoqes Besës, e cila u bëri një përshkrim me shumë modesti, por me shumë vërtetësi", shprehet Kyçyku në një intervistë për "Shqiptarja.com".

Ai shton më tej se familja e babait të Ritës është edhe familje tradicionale, edhe moderne.

"Fëmijët e Besnikut janë edukuar dhe kanë edhe një artiste moderne në familje, siç është Rita Ora, por edhe ajo është shumë e thjeshtë në komunikim, shumë e dashur dhe e edukuar.

Familja Sahatçiu (Ora) i përshtaten shumë mirë jetës në Angli. Gratë e kësaj familjeje janë zonja të vërteta shqiptare. Po ashtu edhe fëmijët e Bekimit, xhaxhait të Ritës janë të edukuar. Besniku ka mbaruar dy fakultete, një për anglisht dhe një për ekonomi. Ndërsa Rita, mbesa ka edhe një motër tjetër Elenën, që merrte me biznes dhe një vëlla Donin që është i vogël, rreth 17-18 vjeç", tha ai.

a.s/dita

Pensionet/ Si veprohet për njohjen e periudhave kontributive të para ’90-ës

Posted: 25 Feb 2018 01:24 AM PST

 

Njohja e periudhave kontributive është një ndër problematikat më shqetësuese, e cila përbën edhe burimin kryesor të "konfliktit" mes ISSH-së dhe qytetarëve. Origjina e kësaj problematike, sipas drejtorit të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Astrit Hado, lidhet me mënyrat jonormale të mbajtjes së dokumenteve gjatë periudhës komuniste.

"Kemi probleme me gjeneralitetet, shkurtim emrash etj., kemi po ashtu ndërmarrje të djegura. për të cilat ne nuk kemi asnjë dokumentacion për të provuar nëse kanë punuar apo jo.

Për shkak të periudhës së tranzicionit që kaloi Shqipëria në 1997-n, kemi dokumente të falsifikuara, të korrigjuara etj., që s'mund t'u referohemi pa bërë më parë verifikimet përkatëse. Për këtë janë ndërmarrë disa masa konkrete për zgjidhjen e këtyre problemeve në rrugë administrative. Në 2017-n kemi reduktuar numrin e gjyqeve dhe këtë synojmë ta bëjmë edhe në vitet në vijim. Qëllimi është të mos i sorollatim njerëzit nëpër gjyqe, për këtë kemi vendosur të mos i apelojmë vendimet e Gjykatës së Shkallës së Parë", shprehet Hado.

Në intervistën, dhënë për emisionin "Mirëmëngjesi Shqipëri" në TVSH, kreu i ISSH-së ndalet edhe në kriteret që kërkohen për këtë vit, skemën e pensioneve për emigrantët si edhe plotësimin e periudhës së sigurimeve përmes derdhjes së kontributeve vullnetare.

Cilat janë kriteret bazë për të aplikuar për pension pleqërie?

Kriteri bazë është mosha, përkatësisht 65 vjeç për burrat dhe 60 vjeç e 8 muaj për gratë, të cilat vitin tjetër dalin në pension 60 vjeç e 10 muaj, pasi skema e re parashikon rritje të moshës me 2 muaj çdo vit për këtë kategori. Kriteri tjetër është periudha kontributive, duhet të kesh të paktën 15 vite punë të siguruar.

Me 15 vite vjetërsi pune, merr minimumin e pensionit?

Nuk mund të themi merr minimumin e pensionit pasi shifra është produkt i viteve të punës, por edhe i pagës. Kështu, një person që ka 15 vite dhe ka punuar me pagë minimale do të marrë 7 mijë lekë të reja, sa është edhe pensioni social. Ndërsa një tjetër që ka po 15 vite, por ka pasur një pagë dyfish më të lartë, atëherë rrjedhimisht do të përfitojë më shumë, pasi me reformën, që ka nisur zbatimin në janar të 2015-s, pensioni është produkt i viteve të punës dhe pagës.

Cilat janë aktualisht skemat e pensioneve që aplikohen?

Skema e sigurimeve shoqërore në Shqipëri ofron tre lloj përfitimesh, që janë: pensioni i pleqërisë, pensioni i invaliditetit dhe ai familjar. Pensioni i invaliditetit ofrohet për ata persona, të cilët humbasin aftësinë për punë, ndërsa pensioni familjar iu jepet në përgjithësi fëmijëve jetimë ose bashkëshortes/it të ve. Gratë e marrin në moshën 55 vjeç nëse janë të papuna, ndërsa burrat në moshën 60 vjeç.

Sa i takon skemës së sigurimeve vullnetare, ç'mund të thoni, cila është situata?

Skema e sigurimeve shoqërore në të gjithë botën është e detyrueshme, por gjatë ciklit të jetës së një individi mund të kemi edhe momente të caktuara, ku për arsye të ndryshme nuk punojmë. Në këto raste është mundësia e mbulimit të këtyre periudhave përmes kontributeve vullnetare. Kjo do të thotë që çdo njeri, i cili nuk është në marrëdhënie pune, mund t'i blejë periudhat e sigurimit në mënyrë vullnetare.

Sa u takon emigrantëve, a ka një bashkëpunim me vendet ku ata jetojnë për njohjen e periudhave kontributive për efekt pensioni? Me cilat vende është arritur marrëveshja?

Për njohjen e periudhave kontributive duhet patjetër të ketë një marrëveshje bilaterale, pasi kemi të bëjmë me parimin e trajtimit në mënyrë të barabartë.

Cenohet ky proces nga fakti, që Shqipëria nuk është pjesë e Bashkimit Europian?

Patjetër që e cenon, pasi vendet anëtare të BE-së nuk kanë marrëveshje, por kanë një rregullore, e cila aplikohet dhe koordinon të gjitha sistemet shoqërore të 27 vendeve. Duke qenë se ne nuk jemi ende pjesë e familjes evropiane, duhet patjetër të lidhim marrëveshje me çdo shtet. Ne kemi aktualisht 10 marrëveshje, nga të cilat 7 janë duke u implementuar, ndërsa 3 të tjera ende nuk kanë hyrë në fuqi. Problem mbetet mosfillimi i negociatave me Greqinë dhe Italinë. Në 1 dhjetor filloi të implementohet marrëveshja me Gjermaninë dhe ka një fluks shumë të madh kërkesash nga qytetarët shqiptarë që jetojnë atje.

Për ta qartësuar, mungesa e një marrëveshje me Italinë dhe Greqinë bën që të mos njihen vitet kontributive që emigrantët kanë këtu. Edhe nëse kthehen vitet e punës, atje sërish nuk njihen…

Po, sepse sigurimet shoqërore funksionojnë mbi bazën e kontributeve të paguara. Në këto kushte, ne duhet të marrin në konsideratë të gjitha periudhat e sigurimeve të realizuara në Shqipëri. Por në rast se ekziston një marrëveshje, të gjitha periudhat e sigurimit të realizuara në Shqipëri apo e kundërta, do të njihen për plotësimin e pragut të viteve që kërkohen. Sakaq, llogaritja e pensionit është në përgjegjësinë e shtetit që ka marrë lekët si kontribut. P.sh., nëse një qytetar shqiptar ka 13 vite pune punë këtu dhe 15 vite në Gjermani, kur i llogaritet pensioni nuk i llogaritet për 28 vite, por për 13. Pra, nuk kemi të bëjmë me transferim të lekëve mes dy vendeve. Por edhe vitet e punës në Gjermani nuk shkojnë dëm, pasi qytetarit i lind e drejta për të përfituar dy pensione.

Ka një paragjykim, që pensionet janë më të ulëta nga ajo që kemi paguar për vite me radhë. Si qëndron e vërteta?

Kjo vlen për ata që kanë paga të larta, mbi 1 milion lekë të vjetra. Kjo kategori nuk i merr lekët mbrapsht. Ndërsa po të flasim për fermerët, të vetëpunësuarit në qytete si edhe ata me pagë deri në 500 mijë lekë, këto kategori i marrin paratë që kanë paguar. Kjo lidhet edhe me rritjen e jetëgjatësisë. Tani pensioni gëzohet 16 deri në 17 vite, e cila po të llogaritet, është 150% e parave që janë derdhur gjatë 35 viteve në formën e kontributeve. Mos harrojmë edhe një gjë tjetër, që ne ofrojmë edhe pensione familjare dhe pensione invaliditeti. Mund të na ndodhë një sëmundje, një aksident, që na humbet mundësinë për punë.

Pra, është një lloj takse për sigurimin e jetës?

Kontributi i sigurimeve shoqërore nuk është taksë. Kontributet për sigurime shoqërore nuk janë aq publike, janë publike për ata që kontribuojnë, por jo për pjesën tjetër.

Statistikat flasin për një barazim të numrit të pensionistëve me atë të fuqisë punëtore, kjo do të çonte në kolaps ekonomik.

Situata është alarmante përsa i përket lindshmërisë, përsa i përket problemeve demografike që ndodhin në Shqipëri, që do të thotë se po bie frikshëm lindshmëria, më pak po lindin dhe, e dyta, jetëgjatësia është rritur. Skema e pensioneve është një nga ato që e pëson direkt nga ky disnivel demografik. Sepse do rritet numri i pensionistëve që do përfitojnë dhe do reduktohet numri i kontribuuesve, atyre që do punojnë. Dhe skema shqiptare funksionon mbi bazën e parimit të solidaritetit. Ne që jemi në moshë aktive në punë paguajmë, për të financuar pensionin e prindërve. Dhe kur të dalim ne në pension, do jenë fëmijët tanë që do financojnë. Në rast se do kemi më pak lindje dhe do kemi shtim të jetëgjatësisë, do vijë një moment që do na duhen më shumë para për të mbuluar. Që do të thotë, ose do kemi shumë deficit dhe do paguajnë shumë taksa brezat e ardhshëm, ose do ketë një problem financiar. Ndoshta është momenti që ne si shtet të ndërmarrim disa politika të tjera për nxitjen e lindshmërisë.

Për t'u kthyer tek institucioni juaj, janë të shumta gjyqet që zhvillohen. Cilat janë ankesat kryesore dhe a është bërë diçka për të zgjidhur këto mosmarrëveshje në rrugë joligjore?

Skema e pensioneve nuk është shkak, por pasojë. Një person që del sot në pension ka një përvojë pune 20 apo 30-vjeçare. Kjo do të thotë që ne marrim në shqyrtim dokumente, që i takojnë këtyre periudhave dhe çdo problematikë, që ato mund të kenë automatikisht do të reflektohet në pension. Shumica e konflikteve që ne kemi, ka të bëjë me njohjen e periudhave të sigurimit. Ky është një problem shqetësues, pasi ka pasur mënyra jonormale të mbajtjes së dokumentacionit në kohën e komunizmit. Në këto kushte, kemi probleme me gjeneralitetet, shkurtim emrash etj.. Kemi po ashtu ndërmarrje të djegura, për të cilat ne nuk kemi asnjë dokumentacion për të provuar nëse kanë punuar apo jo. Për shkak të periudhës së tranzicionit që kaloi Shqipëria në 1997-n, kemi dokumente të falsifikuara, të korrigjuara etj., që s'mund t'u referohemi pa bërë më parë verifikimet përkatëse. Për këtë janë ndërmarrë disa masa për zgjidhjen e këtyre problemeve në rrugë administrative. Në 2017-n kemi reduktuar numrin e gjyqeve dhe këtë synojmë ta bëjmë edhe në vitet në vijim. Qëllimi është të mos i sorollatim njerëzit nëpër gjyqe, për këtë kemi vendosur të mos i apelojmë vendimet e Gjykatës së Shkallës së Parë dhe po ashtu iu njohim të drejtën e përfitimit të pensionit, që nga momenti kur mbushet mosha.

a.s/dita

Loja e jashtëzakonshme ekonomike e Amerikës

Posted: 25 Feb 2018 01:11 AM PST

 

Politika fiskale po rrit kërkesat, edhe pse ekonomia po tejnxehet

Kthehet sërish volatiliteti*. Një periudhë e gjatë qetësie, thuajse në dukje magjike, gjatë së cilës tregu i aksioneve të Amerikës u rrit në mënyrë të qëndrueshme dhe pa asnjë shitje të madhe, përfundoi papritur javën e kaluar, shkruan The Economist.

Katalizatori ishte një raport që u publikua më 2 shkurt, ku tregohej se rritja e pagave në Amerikë ishte përshpejtuar. Indeksi S&P 500 shënoi rënie të lehtë gjatë asaj dite, ndërsa një ditë më pas ra edhe më shumë.

Vix, i njohur edhe si indeksi i luhatshmërisë, që pasqyron pritshmëritë e investitorëve për ndryshimin e tregjeve të kapitalit, kaloi nga një nivel i përgjumur në 14 në fillim të këtij muaji në një nivel alarmant në 37. Në vende të tjera të botës, situata ishte e tensionuar.

Tregjet më vonë e rifituan disi qetësinë e humbur, por pritet që kjo situatë të vijojë me sesione të tjera të ngjashme, të mbushura me adrenalinë.

Kjo sepse një periudhë luhatshmërie pritet të ndodhë, gjatë së cilës rritja globale do të shkaktojë inflacionin për të zëvendësuar stanjacionin, si frikën më të madhe të investitorëve.

Dhe ky ndryshim i shumëpritur po ndërlikohet edhe nga një lojë e jashtëzakonshme në ekonominë më të madhe të botës.

Në sajë të shkurtimit të taksave, të miratuara kohët e fundit, Amerika po i jep një nxitje të fuqishme politikës fiskale. Huamarrja publike do të dyfishohet në 1 trilion dollarë, ose 5% të PBB-së, në vitin e ardhshëm fiskal. Për më tepër, ekipi që po drejton këtë eksperiment, si në Shtëpinë e Bardhë ashtu edhe në Rezervën Federale, është një prej ekipeve më pa përvojë gjatë të gjitha kohërave.

Nëse rezultati do të jetë pozitiv apo negativ, mund të shihet vetëm në fund të këtij rrugëtimi, i cili nuk do të jetë aspak i lehtë.

Ndizini motorët

Ekonomia botërore mbetet në gjendje të mirë, e nxitur nga një përshpejtim i sinkronizuar në Amerikë, Europë dhe Azi. Dhuna e rivlerësimit ishte për shkak të makinacioneve të reja, që vunë bast për një volatilitet të ulët.

Megjithatë, edhe pse u përpoqën të reagonin ndaj rikthimit të saj, dëmtimi i kolateralit në tregje të tjera, si obligacionet e korporatave dhe këmbimi në valutë, ishte i kufizuar. Pavarësisht rënies, çmimet amerikane të aksioneve shkuan në nivelin ku ishin në fillim të vitit. Kjo ngjarje është vetëm episodi i parë i të gjithë të tjerave që do të vijojnë.

Pas vitesh të tëra, gjatë të cilave investitorët mund të gjenin mbështetje në bankat qendrore, rrjeti i sigurisë së politikës monetare jashtëzakonisht të lirshme po shkatërrohet ngadalë. Rezerva Federale e Amerikës ka rritur normat e interesit për të pestën herë radhazi që nga fundi i vitit 2015 dhe pritet që të bëjë të njëjtën lëvizje edhe muajin e ardhshëm. Obligacionet dhjetëvjeçare janë rritur nga më pak se 2.1% në shtator në 2.8%.

Tregjet e aksioneve janë në një luftë të fortë midis përfitimeve më të mëdha, të cilat justifikojnë çmimet më të larta të aksioneve dhe obligacioneve më të larta, të cilat e zvogëlojnë vlerën aktuale të këtyre të ardhurave dhe e bëjnë më të vështirë justifikimin e vlerësimeve më të larta.

Kjo situatë e tensionuar është pjesë e pashmangshme e kthimit të politikës monetare në normalitet. Ekonomistët mendojnë se reforma e taksave të z. Trump, e cila ia pakëson ndjeshëm taksat firmave dhe amerikanëve të pasur ndërsa njerëzve të zakonshëm ua pakëson ato në një nivel më të ulët, do të trondisë konsumin dhe investimet, duke çuar në një rritje të ekonomisë me 0.3% gjatë këtij viti.

Edhe Kongresi është në prag të rritjes së shpenzimeve qeveritare, nëse arrihet të nënshkruhet një marrëveshje buxhetore. Demokratët pritet të marrin më shumë fonde në drejtim të kujdesit shëndetësor të fëmijëve, si edhe të dyja partitë politike do të marrin më shumë fonde që do të shkojnë në rritje të buxhetit të mbrojtjes. Ndërkohë z. Trump është i vendosur dhe dëshiron ende të ndërtojë murin kufitar dhe një plan infrastrukture.

Kjo situatë mosbindjeje fiskale në Uashington DC, është shqetësuese. Duke i shtuar këtu edhe shpenzimet shtesë për rritjen e pensioneve dhe kujdesit shëndetësor, Amerika pritet të arrijë një deficit mbi 5% të PBB-së, në një të ardhme të paparashikueshme. Duke përjashtuar recesionet ekonomike të viteve 1980 dhe 2008, Shtetet e Bashkuara të Amerikës po bëhen më të papërgjegjshme se kurrë më parë, madje që prej 1945-s.

Një ndërthurje midis tregjeve të shtrenjta, një cikli të maturuar biznesi dhe një zgjerimi fiskal, janë disa prej elementeve kryesore të cilët do të sprovonin edhe disa prej politikëbërësve më me përvojë. Por përkundrazi politika fiskale amerikane po drejtohet nga njerëz që kanë shumë pak ose aspak përvojë në këtë drejtim dhe për të cilët deficitet shikohen si diçka fare pa rëndësi. Për më tepër, Banka Qendrore ka në krye të saj një drejtues të ri, Jerome Powell, i cili, ndryshe nga paraardhësit, nuk ka aspak përvojë në politikën monetare.

A i pëlqen z. Powell makinat e shpejta?

Cilët do të jenë faktorët që do të përcaktojnë fundin e kësaj loje? Në një periudhë afatmesme, Amerikës do t'i duhet të përballet me deficitin e saj fiskal. Në të kundërt, normat e interesit do të arrijnë pikun, ashtu siç edhe bënë në vitet 1980. Por në një periudhë afatshkurtër, pjesa më e madhe varet nga z. Powell, i cili duhet të drejtojë në mes të dy rreziqeve të kundërta.

Njëri është se ai është shumë diplomat dhe paqësor, duke u sprapsur nga shtrëngimi gradual (dhe tejet modest) në planet aktuale të Rezervës Federale, si një përgjigje për të qetësuar të gjitha tregjet e acaruara financiare. Dhe si pasojë e një lëvizjeje të tillë, ai mund të krijojë një "gjendje Powell" e cila me kalimin e kohës mund të çojë edhe në krijimin e flluskave financiare. Rreziku tjetër është se Rezerva Federale po merr masa shtrënguese më shumë sesa duhet dhe në një periudhë të shpejtë për shkak se i frikësohet tejnxehjes së ekonomisë.

Dhe pikërisht marrja e masave shtrënguese të nxituara është edhe rreziku më i madh. Duke qenë se është i ri në postin e tij në krye të Bankës Qendrore, z. Powell mund të tundohet për t'i dhënë goditjen e tij luftës ndaj inflacionit dhe të fitojë pavarësinë nga Shtëpia e Bardhë, duke i rritur sa më shumë dhe sa më shpejt normat e interesit. Ky veprim do të ishte i gabuar për tri arsye:

Së pari, është më se e qartë se ekonomia ka arritur punësimin e plotë. Politikëbërësit priren t'i konsiderojnë ata që kanë dalë jashtë tregut të punës si të humbur njëherë e mirë për ekonominë. Megjithatë, shumë prej tyre janë kthyer në punë dhe të tjerë pritet që të vazhdojnë të kthehen. Së dyti, rreziku i një shpërthimi të papritur të inflacionit është i kufizuar. Rritja e nivelit të pagave ka shënuar rritje graduale vetëm në Amerikë.

Një situatë e ngjashme nuk reflektohet aspak në Gjermani apo Japoni, edhe pse të dyja këto shtete kanë një nivel të ulët të papunësisë. Marrëveshjet e pazareve të rrogës pas spirales shpërthyese të çmimit të pagës së fillimviteve '70 janë harruar prej kohësh. Së treti, përfitimet që do të merreshin nga tkurrja e mëtejshme e tregut të punës do të ishin të konsiderueshme. Pagat po shënojnë rritje më të shpejtë duke filluar nga niveli më i ulët, gjë që jo vetëm u vjen në ndihmë punëtorëve të thjeshtë të cilët kanë marrë një goditje të fortë nga ndryshimi teknologjik dhe globalizimi.

Ajo i shtyn firmat që të investojnë më shumë në pajisje kapitali, duke nxitur rritjen e mëtejshme të produktivitetit. Sipas këtij shkrimi të publikuar në "The Economist", nuk këshillohet që Amerika të ndërmerrte një stimul fiskal të një shkalle të tillë, sepse ai është hartuar në mënyrën më të keqe, duke i shkaktuar tregut financiar një paqëndrueshmëri të madhe. Por tashmë që ky eksperiment ka nisur, është më i rëndësishëm fakti që Rezerva Federale të përqendrohet në atë çka ka nisur dhe më e rëndësishmja "ta mbajë trurin në vend".

*Volatiliteti mat masën në të cilën investitorët mendojnë që çmimi i aksioneve do të luhatet në 30 ditët e ardhshme. I quajtur ndryshe "indeksi i frikës", si një tregues se frika dhe lakmia janë ato që po drejtojnë tregun. / Një variabël me interes të veçantë në fushën e ekonometrisë financiare është volatiliteti i çmimit të aksioneve. Vlerësimi i volatilitetit është tepër i rëndësishëm në menaxhimin e riskut, vlerësimin e derivativeve dhe alokimin e aseteve./Monitor

a.s/dita

Këto 6 çifte të Horoskopit, kanë një lidhje mjaft të thellë mes tyre

Posted: 25 Feb 2018 01:05 AM PST

 

A doni të dini nëse ai ose ajo mund të jetë personi i duhur për ju dhe nëse kjo marrëdhënie ndriçohet edhe nga yjet?

Më poshtë keni dy kombinimet me nga 6 çifte që mendohet se mes tyre ka një kimi të veçantë.

Kombinimi i parë

Ujori dhe Virgjëresha

Në pamje të parë Ujori dhe Virgjëresha duken shenja shumë të ndryshme nga njëra-tjetra. Por mes tyre do të mund të lindë një histori e mrekullueshme dashurie. Ujori mund t'i mësoje Virgjëreshës të jetë më pak racionale, kurse nga ana tjetër Virgjëresha mund ta mësojë Ujorin të jetë më pragmatik.

Akrepi dhe Shigjetari

Edhe pse mes tyre ndonjëherë mund të ketë zënka, sërish formojnë një çift perfekt. Akrepi gjen tek Shigjetari ato që do, kurse Shigjetari mund ta zbusë karakterin e Akrepit.

Dashi dhe Luani

Këto dy shenja stimulohen dhe pëlqejnë të njëjtat gjëra. Në pamje të parë mund të duken thjesht miq, por brenda tyre do të lidhen shumë fort me njëri-tjetrin. Arrijnë të kenë edhe një intimitet fantastik së bashku.

Gaforrja dhe Peshqit

Kanë shumë pika të përbashkëta, si romanticitetin dhe ndjeshmërinë e lartë. Nëse Peshqit janë shumë introversë, me Gaforren xheloze dhe të dashur krijojnë çiftin ideal. Intensiteti që lidh këto dy shenja është i plotë.

Demi dhe Binjakët

Mes këtyre shenjave mund të ketë një histori dashurie si në përralla. Kanë shumë gjëra të përbashkëta. Adhurojnë perfeksionin në çdo gjë dhe punojnë së bashku për ta arritur atë. Nëse Binjakët janë të rezervuar, Demi preferon të eksperimentojë emocionet e tij dhe në këtë mënyrë arrihet ekuilibri ideal.

Peshorja dhe Bricjapi

Peshorja ka nevojë për shumë dashuri dhe vëmendje, kurse personi që ka nevojë Bricjapi duhet t'i ofrojë siguri, një shtëpi të ngrohtë dhe të ndezë pasionin. Me pak fjalë këta do të plotësojnë njëri tjetrin.

Kombinimi i dytë

Peshorja dhe Akrepi

Peshorja dhe akrepat janë miq dhe partnerë të jashtëzakonshëm, sepse të dy janë fshehurazi intensë. Ata që janë të peshores përpiqen të jenë të dëshiruar, akrepat janë të fiksuar me njerëzit në jetën e tyre. Peshoret marrin rolin e këshilltarëve dhe akrepat gjejnë shumë ngushëllim në këtë.

Së bashku ata krijojnë këtë harmoni të bukur që plotëson nevojat e tyre. Peshorja dhe akrepi nuk duket se janë të kombinuara menjëherë, dhe ndoshta ekziston ngurrim në fillim, sepse interesat dhe personalitetet e tyre duket sikur janë shumë të ndryshme. Por kur këta dy kalojnë kohë së bashku, ata zbulojnë se ekziston një lidhje e vërtetë, e papërshkrueshme, dhe ata nuk ndihen aq mirë me asnjë person tjetër.

Peshqit dhe Gaforrja

Të njohur si dy shenjat më emocionale dhe intuitive të zodiakut, një peshk dhe një gaforre sigurisht e kuptojnë njëri-tjetrin. Së bashku, ata humbasin veten në botën e tyre të çuditshme dhe gjejnë një ndjenjë lumturie, vetëm duke e ditur se kuptohen. Tërheqja midis tyre është menjëherë e pamohueshme.

Peshqit dhe gaforrja janë shumë mirë së bashku, sepse ato ekuilibrojnë njëra-tjetrën. Gaforrja është ndjeshmëria me këmbët në tokë, peshqit janë kreativë dhe intuitivë. Ato përfshijnë ndjeshmërinë reciproke dhe kanë tendencë të kenë shumë interes në bashkimin e menjëhershëm.

Shigjetari dhe Dashi

Kur një Shigjetar dhe një Dash janë së bashku, aventura është e pashmangshme. Të dy dëshirojnë të shohin mendimet e njëri-tjetrit, të planifikojnë udhëtime dhe të diskutojnë çdo fakt të çuditshëm rreth universit. Ata janë si shpirtra binjakë intelektualë dhe ata gjejnë njëri-tjetrin me respekt duke pasur një marrëdhënie të mrekullueshme.

Shigjetar dhe Dashi janë të njohur si mendimtarë dhe individualistë. Të dy janë të pavarur dhe të fortë. Të dy admirojnë cilësitë e të tjerëve dhe krijojnë shpirtra të dyfishtë.

Nëse ata janë të përfshirë në lidhje romantike, ata janë piksësëpari miq të mirë.

Binjakët dhe Ujori

Një binjakë dhe një ujor balancojnë ekstremet e njëri-tjetrit. Ndërsa binjakët mund të jenë të pavendosur dhe disi "në ajër", ujori është i vendosur dhe konkret. Ata vërtet kanë nevojë për njëri-tjetrin për të arritur qëllimet e tyre.

Ky çift funksionon sepse, nën sipërfaqe, ata kanë qëllime të ngjashme. Në fund të fundit, një ujor dëshiron vetëm të jetojë një jetë me cilësi dhe ekuilibër dhe një nga binjakët dëshiron të njëjtën gjë, edhe pse të dyja janë shumë të ndryshme, në mënyrën se si përpiqen për të arritur këtë qëllim. Dhe në fund, ata kanë nevojë për njëri-tjetrin për t'u mbështetur dhe për të lëvizur.

Virgjëresha dhe Demi

Një virgjëreshë dhe një dem janë një kombinim i bërë në parajsë. Të dy janë shenja të tokës dhe balancojnë dëshirat e tyre në një mënyrë idealiste. Ata janë miq të pabesueshëm dhe bashkëpunëtorë biznesi, ata kurrë nuk janë ndjerë aq të kuptuar si me njëri-tjetrin. Virgjëresha do të frymëzohet nga qasja e sigurt e demit në jetë (dhe shija e madhe). Do të jetojnë vetëm duke qenë në shoqërinë e dikujt që i admiron aq shumë.

Demi dhe virgjëresha e ndihmojnë njëri-tjetrin, argëtohen dhe janë të vetëdijshëm për atë që ka rëndësi vërtetë në jetë.

Gaforrja dhe Peshorja

Gaforret dhe Peshoret janë shokë të vërtetë në shpirt. Ku gaforrja është emocionale, peshorja është e balancuar. Kur peshoret kanë nevojë për të, gaforrja do të jetë e lumtur t'i japë të gjithë dashurinë dhe që dëshiron (madje edhe në miqësi!). Këta dy janë miqtë më të mirë natyrorë dhe kanë një mënyrë të thjeshtë të të jetuarit së bashku.

E vërteta është se ata janë krijesa thellësisht emocionale që gjejnë rehati në njerëz të tjerë që i kuptojnë ato dhe gjithashtu duan të punojnë për të jetuar më mirë. Së bashku, ato janë të paepur. Ata janë çifte romantike, martohen shpejt. Ata nuk e humbasin kohën: i bëjnë gjërat zyrtare dhe fillojnë një jetë së bashku.

a.s/dita

Keni probleme me komunikimin? Ky është gabimi kryesor që e bëjnë edhe njerëzit e zgjuar

Posted: 25 Feb 2018 12:51 AM PST

 

"Ka shumë beteja historike që janë humbur për shkak të komunikimit të zbrazët", thotë Steven Pinker, një profesor psikologjie në Universitetin e Harvardit.

Në vendet e sotme të punës ku emailet dhe zhurma janë aq të zakonshme sa takimet personale rreziqet e keqinterpretimit janë gjithnjë të pranishme dhe askush nuk është imun.

Pinker, autor i shkrimit të manualit "Sense of style", thotë se pengesa kryesore për një komunikim të qartë është një fenomen i quajtur "mallkimi i dijes".

Ky paragjykim njohës në thelb do të thotë se kur ju dini diçka është jashtëzakonisht e vështirë të dihet se çfarë është edhe sikur të mos e dinë", thotë Pinker.

Problemi me këtë, thotë ai, është se ju keni më shumë gjasa të përdorni zhargonin që shumica e njerëzve nuk e kuptojnë, të kapërcejnë hapat dhe shpjegimet dhe të mbështeten në abstrakte në vend që të përshkruajnë gjërat në terma konkretë.

Pra, çfarë mund të bëni për të kapërcyer mallkimin e dijes në shkrimet tuaja dhe të folurit tuaj? Pinker rekomandon katër strategjitë e mëposhtme.

  1. Testojeni atë që doni të thoni

Nëse jeni duke shkruar një fjalim apo diçka tjetër të rëndësishme është t'ua tregoni mesazhin tuaj të tjerëve në mënyrë që të kuptoni se sa i qartë është mesazhi që dëshironi të përcillni te të tjerët. Bëjeni këtë gjë pasi do të tronditeni kur të shikoni se ajo që është e qartë për ju nuk është për askënd tjetër.

  1. Zgjidhini fjalët tuaja me kujdes

Fjalët janë ndër armët më të fuqishme që keni e nëse i përdorni ato me kujdes dhe ashtu sic duhet e keni luftën të fituar që pa filluar. Fjalët i përdorim për të skicuar fotot tona mendore dhe për të përcjellë ide dhe mesazhe te të tjerët. Kjo është arsyeja pse është e rëndësishme të zgjedhësh fjalë që do të ndihmojnë njerëzit të kuptojnë atë që po përpiqeni të thoni, në vend të fjalëve që janë konfuze ose vëmendje.

  1. Bëni pushime të shkurtra gjatë fjalimit

Një mënyrë e thjeshtë për të qenë të qartë në atë që po thoni është të bëni pushime të shkurtra të herë pas hershme në mënyrë që të gjithë të arrijnë t'ju ndjekin.

  1. Rishikoni tekstin

Shpesh, pjesa më e rëndësishme e shkrimit është rizgjedhja, dhe Pinker rekomandon një përpunim të përpiktë. Rishikojeni disa herë tekstin tuaj dhe çdo fjalë që keni shkruar në të. A po e përcillni atë që duhet të thoni në mënyrën e duhur? A do të jetë në gjendje secili nga ata persona atje jashtë t'ju kuptojë çdo fjalë që po thoni. Nëse po atëherë jeni në rrugë të mbarë. E nëse jo rikthehuni edhe një herë te fjalimi juaj.

a.s/dita

Zbardhen detaje të reja nga vrasja e Oliver Ivanoviç

Posted: 25 Feb 2018 12:47 AM PST

 

Ka kaluar më shumë se një muaj (16 janar) nga vrasja e Oliver Ivanoviç,  kreu i Iniciativës Qytetare Serbe, por ende nuk dihet se kush e kreu ekzekutimin e tij.

Por, gazeta serbe Novosti shkruan se tashmë janë zbuluar disa detaje rreth vrasjes së Ivanoviçit.

Një nga to është se Ivanoviç është qëlluar nga një pistoletë automatike dhe jo ashtu siç ishte thënë më herët që ishte qëlluar me një "nëntëshe".

Sipas Novostit, burime të afërta me organet hetuese kanë treguar se Ivanoviç ditën e vrasjes ishte përcjellë nga shtëpia e tij e deri tek zyrat e partisë, ku edhe ndodhi vrasja.

Më pas, nga vetura e tipit "Opel Astra", nga sedilja e pasme janë shkrepur plumbat të cilët kanë goditur në gjoks politikanin serb.

Sipas autopsisë, Ivanoviç është qëlluar me gjashtë plumba të cilët kanë prekur organet vitale.

Ekzekutuesit, pas vrasjes së Ivanoviç, janë larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes dhe makina me të cilën u arratisën më pas është gjetur e djegur.

a.s/dita

Olimpiada, dënimi i Rusisë do të hiqet me një kusht

Posted: 25 Feb 2018 12:30 AM PST

 

Dënimi olimpik i Rusisë do të hiqet nëse nuk do të ketë më raste dopingu mes sportistëve të këtij vendi në "Pyeongchang 2018".

Gjithsesi, sipas Komitetit Ndërkombëtar Olimpik (IOC), edhe nëse hiqet ky dënim, atletët rusë nuk do të lejohen të parakalojnë me flamurin e tyre në ceremoninë e mbylljes së Lojrave Olimpike dimërore.

Rusia është dënuar për shkak të rasteve të dopingut në "Sochi 2014". Plot 168 sportistë rusë garuan në Olimpiadën aktuale si atletë neutralë olimpikë.

Vetëm dy prej tyre nuk kaluan testet e dopingut, njëri prej të cilëve merrej me "curling".

Presidenti i IOC-së, Thomas Bach, tha: "Rastet e dopingut janë zhgënjyese, por nuk ka prova që në këto raste është i përfshirë Komiteti Olimpik i Rusisë".

Atletët rusë kanë fituar 16 medalje në "Pyeongchang 2018", dy prej të cilave ishin medalje ari.

a.s/dita

Rama publikon artikullin e medias suedeze: Ksamili, xhevahir i fshehur i Shqipërisë me plazhe përrallore

Posted: 25 Feb 2018 12:22 AM PST

 

Mëngjesin e ditës së sotme Kryeministri Rama ka zgjedhur t'i urojë shqiptarëve një të dielë të qetë me një artikull të huaj i cili flet për bukuritë natyrore të Ksamilit.

Mediat e huaja e kanë vlerësuar shpesh Shqipërinë si një vend ende i pazbuluar i cili ja vlen të vizitohet. Këtë radhë ka qenë media suedeze 'Swedish Nomad' e cila e ka cilësuar Ksamilin si një vend përrallor, e një xhevahir i fshehur të cilin nuk duhet ta humbisni.

a.s/dita

Ndërron jetë aktorja e famshme indiane

Posted: 25 Feb 2018 12:19 AM PST

 

Sridevi Kapoor, aktorja e famshme e Bollywood-it, ka ndërruar jetë në moshën 54-vjeçare pas një ataku kardiak.

Aktorja indiane, e cila njihej thjesht si Sridevi, ndërroi jetë në Dubai, ku ishte e pranishme për një dasmë familjare.

Sridevi ka qenë pjesë e më shumë se 150 filmave, duke përfshirë klasikët indianë "Mr India", "Chandni", "ChaalBaaz" dhe "Sadma".

Ajo ishte një nga të paktat aktore indiane që kanë pasur sukses të madh në "bos office" pa ndihmën e një protagonisti mashkull në film.

a.s/dita

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more