Skip to main content

“Macron propozon forcë të përbashkët të mbrojtjes në BE” plus 19 more Radio Evropa e Lirë

“Macron propozon forcë të përbashkët të mbrojtjes në BE” plus 19 more Radio Evropa e Lirë


Macron propozon forcë të përbashkët të mbrojtjes në BE

Posted: 26 Sep 2017 09:33 AM PDT

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, bëri thirrje për një forcë të përbashkët të mbrojtjes në Bashkimin Evropian. Duke folur në Universitetin e Sorbonës në Paris, Macron propozoi bashkëpunim më të madh në siguri dhe në luftën kundër terrorizmit. Ai tha se dëshiron që Bashkimi Evropian t'i shtojë sistemet e përbashkëta të mbrojtjes dhe të ketë "kapacitet autonom për veprim" nëpërmjet një force të përbashkët ushtarake. Macron bëri thirrje për një buxhet të përbashkët të mbrojtjes dhe tha se akademia trajnuese evropiane duhet po ashtu të krijohet. "Evropa, siç e dimë, është shumë e dobët, shumë e ngadaltë dhe shumë e paefektshme. Por, vetëm Evropa mund të na japë mjetet për të vepruar në skenën botërore teksa merremi me sfidat e mëdha të ditës", tha Macron. Ai ka ardhur në pushtet në muajin maj duke premtuar se do të forcojë Eurozonën dhe do të thellojë integrimin evropian, përpara daljes së Britanisë nga blloku.  

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Banka Botërore vazhdon mbështetjen për Kosovën

Posted: 26 Sep 2017 09:14 AM PDT

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, priti të martën në takim drejtoreshën rajonale të Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, Linda Van Gelder, dhe përfaqësuesin e Bankës Botërore për Kosovë, Marco Mantovanelli. "Gjatë takimit, kryeministri Haradinaj falënderoi përfaqësuesit e Bankës Botërore për mbështetjen financiare dhënë Kosovës, duke kërkuar që edhe më tutje të vazhdojë ky bashkëpunim, me fokus të veçantë për mjedisin", thuhet në njoftimin që ka lëshuar Zyra e Haradinajt. Sipas të njëjtit, përfaqësuesit e Bankës Botërore ofruan gatishmërinë për mbështetje për projektet e reja dhe vazhdimin e projekteve aktuale që Banka Botërore ka me Zyrën e Kryeministrit. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Trump do të vizitojë Porto Rikon

Posted: 26 Sep 2017 09:03 AM PDT

Presidenti i Shteteve të Bashkura, Donald Trump, tha se do të udhëtojë në Porto Riko javën e ardhshme, për të parë nga afër shkatërrimet që ka shkaktuar uragani Maria. "Ai ishull është goditur rëndë", tha Trump në Shtëpinë e Bardhë. Guvernatori i Porto Rikos ka bërë thirrje për ndihmë federale, duke thënë se ishulli është në prag të krizës humanitare. Maria ka lënë së paku 13 njerëz të vdekur në këtë territor të SHBA-së, ndërsa ka shkaktuar ndërprerje të ujit, të energjisë elektrike dhe të shërbimeve telefonike. Uragani ka goditur Porto Rikon të mërkurën e kaluar dhe ka qenë një prej stuhive më të fuqishme në këtë rajon në gati 90 vjet. Pas kritikave se administrata e tij nuk po vepron shpejt, Trump tha se SHBA do të dërgojë ushqime, ujë dhe furnizime të tjera në Porto Riko. "Porto Riko është shumë i rëndësishëm për mua", tha Trump. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Ekstremistët fetarë gjejnë alternativa për propagandë

Posted: 26 Sep 2017 07:51 AM PDT

Ndikimi i rrjeteve sociale dhe e ashtuquajtura propaganda "online" është një prej faktorëve më kryesor në periudhën e deritashme, për përhapjen e ideologjive ekstremiste dhe indoktrinimin e të rinjve me ideologjitë e tilla, vlerësojnë njohësit e aspekteve të sigurisë në Kosovë. Të paktën, kështu flasin matjet e Qendrës Kërkimore për Politika të Sigurisë. Drejtori ekzekutiv i kësaj qendre, Burim Ramadani, thotë për Radion Evropa e Lirë, se ky ndikim dhe kjo mënyrë e të propaganduarit të ideve ekstremiste, kryesisht me bazë fetare, është mjaft e vështirë që të luftohet. "Përfshirja e rrjeteve sociale dhe e internetit në përgjithësi, është jashtëzakonisht e madhe në Kosovë, ashtu sikurse edhe në vendet tjera. Si e tillë, është e vështirë që të vendoset nën kontroll. Por, unë besoj që qasja më e mirë është ndërtimi i kundër- narracionit në rrjetet sociale dhe po ashtu edhe në platformën 'online', në mënyrë që të ballafaqohet argumentimi i vërtetë i interpretimit të saktë dhe të themi, më liberal të çështjeve fetare", tha Ramadani. Valon Canhasi, ekspert vendor i rrjeteve sociale, duke folur për Radion Evropa e lirë, shpjegon që platformat dhe mediat sociale, sidomos ato që janë "në kohë reale", sikurse Twitter, fillimisht kanë qenë të përdorura mjaft prej grupeve dhe organizatave të ndryshme, për të shpërndarë përmbajtjen e aktiviteteve të tyre nga e ashtuquajtura "vija e parë e frontit", në vendet ku zhvillohej konflikti. Por, sipas tij, vetë këto platforma, të cilat kanë numër të madh të përdoruesve, kanë ndërmarrë masat për të penguar propagandimin e ideve ekstremiste dhe radiale, që çojnë në terrorizëm. "Ajo çfarë kam parë tek këto platformat, sikurse Facebook dhe Twitter, është se ato e kanë parë që kanë filluar të kenë ndikim, për shkak së shpërndarja e përmbajtjes ka qenë shumë e shpejtë dhe e madhe, në të njëjtën kohë. Kanë filluar t'i censurojnë. Për shembull, këto platforma kanë bërë një lloj koalicioni, që të mund t'i bllokojnë këto llogari. Ajo çfarë kanë bërë tash është që i kanë bllokuar me mijëra llogari të këtyre organizatave dhe e kanë censuruar përmbajtjen e tyre për shpërndarje, të cilën e kanë krijuar. Tash, në këtë kohë, nuk janë duke u përdorur", tha Canhasi. Por, Ramadani thekson se rrjetet sociale dhe platformat 'online', në përgjithësi, kanë mjaft hapësira, të cilat mund të shfrytëzohen për indoktrinim, dhe është vështirë që përmes mbylljes apo restrikcioneve të caktuara, të zhvlerësohen apo mbyllen këto hapësira. Sipas tij, edhe qasja në këto rrjete dhe platforma ka evoluuar. "Evoluimi i qasjes 'online' i këtyre rrjeteve, respektivisht, të lëvizjeve ekstremiste, është në vazhdimësi e sipër. Gjatë tërë kohës ka ndryshuar. Dhe kryesisht ka pasur jo vetëm mesazhe agresive, por kryesisht ka pasur mesazhe promovuese për lëvizjet ekstremiste. Dhe kjo është ide, e cila duhet të luftohet në mënyrë të prerë", tha Ramadani. Edhe Canhasi, vlerëson se qasja e grupeve, organizatave apo individëve me ide ekstremiste në platforma "online", ka evoluuar. "Ata kanë filluar të përdorin aplikacione, të cilat janë më shumë 'një për një', sikur 'Viber', 'WhatsApp' dhe platforma të ngjashme, që krijojnë grupe të njerëzve, të cilët mund të shprehin interesim, por që janë të mbyllura për publikun", theksoi Canhasi. Ramadani thekson se dëmet nga e ashtuquajtura propaganda 'online', sipas vlerësimeve të qendrës që drejton, llogariten të barabarta sikurse propaganda e drejtpërdrejtë nga interpretuesit ekstremist të fesë. Ndërkaq, Canhasi ka thënë se raporti zyrtar i rrjetit social Facebook, tregon se gjatë vitit të kaluar, Qeveria e Kosovës ka bërë 14 deri në 17 kërkesa për qasje në llogari të disa individëve, por pa shpjeguar arsyet e kërkesave. Ky numër është relativ për faktin se për persona të caktuar kërkesa është përsëritur.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Tusk: Nuk është arritur progres i duhur në bisedimet për Brexit

Posted: 26 Sep 2017 07:45 AM PDT

Presidenti i Bashkimit Evropian, Donald Tusk, thotë se bisedimet për daljen e Britanisë nga Bashkimi Evropian (Brexit), ende nuk kanë bërë progres të nevojshëm për të lëvizur në etapën e dytë, ashtu siç kërkohet nga Britania. Zoti Tusk është shprehur "optimist i kujdesshëm" se negociatat për ndarje mund të lëvizin përpara, raporton agjencia AP nga Londra. Pas takimit të sotëm me kryeministren e Britanisë, Theresa May, Tusk tha se beson se Britania përfundimisht është tërhequr nga qasja jorealiste për largim nga BE-ja. Britania dëshiron të fillojnë diskutimet për raportet e ardhshme me BE-në, por zyrtarët e BE-së thonë se kjo nuk mund të ndodhë derisa të arrihet progres i mjafuteshëm për kushtet e ndarjes. Javën e kaluar, në përpjekje për zbutje të kësaj situate, kryeministrja May tha se Mbretëria e Bashkuar do të jetë e gatshme të paguajë në arkën e BE-së gjatë fazës tranzitore dyvjeçare, pas Brexitit, që pritet të ndodhë në mars të vitit 2019. Tusk tha sot në Downing Street në Londër, ku është selia e kryeministrisë britanike, se "nuk ka progres të duhur, por ne do të punojmë për këtë". 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

SHBA: Shqetësim për dënimin e gazetarit të Radios Evropa e Lirë

Posted: 26 Sep 2017 07:19 AM PDT

Shtetet e Bashkuara mbrëmë kanë shprehur "shqetësim të thellë" për shkak të dënimit të gazetarit të Radios Evropa e Lirë/Radio Liria, Mykola Semena, nga një gjykatë në Krimenë e okupuar nga Rusia. Javën e kaluar, një gjykatë e ka dënuar gazetarin Semena, 66 vjeçar, lidhur me akuza për separatizëm, me 2 vjet e gjysmë burg me kusht dhe ndalim të aktivitetit të ardhshëm gazetaresk. "Ky dënim ishte i bazuar në faktin se zoti Semena e ka kritikuar okupimin dhe aneksimin e Krimesë në shkrimet e tij", tha zëdhënësja e Departamentit amerikan të shtetit, Heather Nauert. "Ne u bëjmë thirrje autoriteteve okupuese ruse për ta tërhequr dënimin e zotit Semena, ta lejojnë atë ta vazhdoj aktivitetin e tij gazetaresk, dhe ta ndalin fushatën e tyre për t'i heshtur ata që mendojnë ndryshe në Krime", tha Nauert dhe ka shtuar se "Krimeja mbetet pjesë integrale e Ukrainës dhe Shtetet e Bashkuara mbesin fushqishëm në mbështetje të integritetit territorial dhe sovranitetit të Ukrainës".

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Shpërfillje e kërkesave të të rinjve nga partitë politike

Posted: 26 Sep 2017 07:02 AM PDT

Të rinjtë në Maqedoni thonë se partitë politike nuk po i përfillin kërkesat e tyre në fushatën për zgjedhjet lokale që do të mbahen më 15 tetor. Ndërkohë që përfaqësuesit e partive politike, që garojnë në zgjedhjet vendore, thonë se gjatë ditëve në vijim do të shpalosin ofertat konkrete për të ardhmen e të rinjve. Megjithëse, shprehin pakënaqësi me trajtimin e kërkesave të tyre, shumë të rinj përgëzojnë partitë politike që në listat për këshilltarë komunalë kanë lënë hapësirë për të rinjtë të cilët janë dëshmuar me profesione të caktuara. Sidoqoftë, shumë të rinj thonë se kandidatët që garojnë në zgjedhje për të parin e komunës, në vend se në fokus në kenë politika të mëdha, siç është integrimi, ata duhet të fokusohen në krijimin e kushteve më të mira për të rinjtë në vendbanimet ku jetojnë si dhe kërkojnë oferta konkrete që do t'u mundësonte një jetë dinjitoze, të pavarur nga prindërit duke pas një punë të përhershme. "Mund të them se rinia nuk disponon as me kushtet elementare për t'u zhvilluar. Po filloj nga komuna unë në të cilën jetoj (Çairi i Shkupit) ku mungon një qendër rinore dhe ku çdo i ri i cili ka ndonjë iniciativë konkrete në mungesë të kësaj qendre duhet të drejtohet në ndonjë fondacion ose me forca të tjera ashtu siç di, ta realizojë atë ide, do ë thotë nuk ka një derë të caktua ku ne do të mund të grumbullohemi dhe të realizojmë ato ide", thotë për Radion Evropa e Lirë, Arlinda Baftiu aktiviste për të drejtat e të rinjve. "Gjithashtu edhe mungesa e një librarie të mirëfilltë është problem relevant sepse iniciativat individuale private si të tilla nuk mund tu shërbejnë plotësisht nevojave tona. Këto janë vetëm një pjesë e kërkesave tona", thekson ajo. Ndërkaq, Majlinda Çilafi studente në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Shkupit thotë se kandidatët që garojnë në këto zgjedhje duhet të fokusohen në projekte konkrete për të rinjtë. "Një nga prioritet kryesore që duhet të kenë partitë politike në Maqedoni duhet të jenë kërkesat e të rinjve. Ka mungesa të shumta sa i përket rekreacionit të të rinjve. Mungojnë iniciativat për të stimuluar të rinjtë që të shfrytëzojnë potencialin e tyre". "Me sa duket edhe në këtë fushatë zgjedhore të rinjtë janë lënë pas dore nga ana e politikëbërësve", thotë Çilafi. Përderisa Ylber Gashi, kryetar i Unionit të nxënësve shqiptarë të shkollave të mesme në Maqedoni, një pjesë e maturantëve të cilët për herë të parë do të mund të shfrytëzojnë të drejtën e votës, thotë se drejtuesit e komunave duhet të angazhohen që të krijojnë kushte të barabarta për të gjithë të rinjtë pavarësisht se jetojnë në komunat me shumicë shqiptare apo ata maqedonase. "Po është e vërtetë se ekziston diskriminimi. Shkollat maqedonase ku ndjekin mësimin të rinjtë maqedonas kanë më shumë kushte, përderisa tek shkollat me mësim në gjuhën shqipe mungojnë gjërat elementare në dëm të nxënies së mësimdhënës", thotë Gashi. Ndryshe, Musa Lamallari nga diaspora shqiptare e Maqedonisë thotë se mungesa e platformave konkrete të partive politike, me theks atyre shqiptare për t'u kushtuar një vëmendje të merituar të ardhmes së të rinjve, ka bërë që ata të shkëlqejnë me suksese jashtë Maqedonisë. "Për momentin unë nuk shoh se të rinjtë kanë qasje për të vepruar si faktor i rëndësishëm në kuadër të partive politike". "Nuk ka një program të qartë që do t'u ofrohej të rinjve shqiptarë. Për këtë problem partitë politike duhet të ulen të gjitha së bashku dhe të bisedojnë se si tu jepet më shumë hapësirë të rinjve", thotë Llamallari. Përfaqësuesit e organizatave për të rinjtë thonë se një nga problemet kryesore që i detyron të rinjtë të largohen nga Maqedonia është se partitë politike i kanë robëruar institucionet dhe të rinjtë i trajtojnë si makineri votuese dhe jo si potencial i rëndësishëm që vë në lëvizje proceset në shoqëri.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Sinjal se mund të refuzohet rasti kundër ndalesës së zgjeruar të Trumpit

Posted: 26 Sep 2017 06:51 AM PDT

Gjykata Supreme e Shteteve të Bashkuara mbrëmë ka sinjalizuar se mund ta refuzoj kërkesën për kushtetutshmëri të ndalesës së udhëtimit të presidentit, Donald Trump, pasi ai e ka zgjeruar atë, duke i përfshirë edhe dy vende që nuk kanë shumicë myslimane. Gjykata Supreme i ka anuluar argumentimet gojore, që ishin paraparë për 10 tetor, lidhur me çështjen nëse ndalesa origjinale e udhëtimit me përfshirjen e vetëm gjashtë vendeve me popullatë shumicë myslimane ishte diskriminuese. Ky urdhër ka skaduar para dy ditësh. Gjykata ka kërkuar nga palët që t'i paraqesin opinionet e tyre se nëse rasti kundër urdhrit original është tejkaluar me ngjarjet më të reja dhe duhet të refuzohet. Me urdhrin e ri përfshihen edhe Koreja Veriore dhe Venezuela dhe pesë shtete që ishin edhe në urdhrin original: Irani, Libia, Somalia, Siria dhe Jemeni. Kufizimet për shtetasit e Sudanit janë tërhequr, ndërsa shtetasit irakianë ballafaqohen me kontroll të ashpërsuar ose verifikim, por nuk janë subjekt i ndalesës së udhëtimit. Në këtë listë është shtuar edhe Çadi. Kufizimet e reja do të hyjnë në fuqi më 18 tetor. Gjatë një postimi në rrjetin Twitter, presidenti amerikan, Donald Trunp, ka shkruar se "bërja më të sigurt e Amerikës është prioritet numër një për ne. Ne nuk do t'i pranojmë në vendin tonë ata aë nuk mund t'i verifikojmë në mënyrë të sigurt". Por, kritikët thonë se përfshirja e disa vendeve të reja në urdhrin e ri duket se është kryesisht simbolike dhe ka për qëllim që t'i kundërshtoj perceptimet se në shënjestër të urdhrit janë myslimanët.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Autostrada Durrës – Prishtinë së shpejti zgjatet deri në Nish

Posted: 26 Sep 2017 06:36 AM PDT

Autoritetet kompetente në Prishtinë, kanë shprehur gatishmërinë për vazhdimin e punimeve për ndërtimin e pjesës së mbetur të autostradës Prishtinë - Merdare – Nish. Kjo autostradë është vazhdimësi e projektit rajonal Durrës – Prishtinë – Nish. Kjo autostradë në territorin e Kosovës njihet me emrin "Ibrahim Rugova" dhe deri në këtë fazë punimet kanë përfunduar deri në Besi, fshat ky që gjendet në magjistralen Prishtinë – Podujevë. Ndërkaq mbetet të kryhen punimet edhe në rreth 26.8 kilometra tjera të papërfunduara deri në Merdarë, në kufi me Serbinë. Kjo autostradë fillimisht ishte një projekt që lidhte Kosovën dhe Shqipërinë, e njohur si "Rruga e Kombit". Por, ndërkohë ishte mbështetur edhe nga Bashkimi Evropian, si projekt i përbashkët i infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore për Ballkanin Perëndimor. Ministria e Infrastrukturës, në Qeverinë e Kosovës tashmë ka përzgjedhur një kompani konsulente për hartimin e projektit, i cili ka filluar gjatë këtij muaji dhe do të zgjasë 14 muaj, thuhet në një përgjigjeje nga kjo ministri për Radion Evropa e Lirë. "Kompania konsulente ka kryer studimin e disa alternativave të korridorit të ardhshëm të autostradës Besi – Merdare. Këto alternativa të këtij korridori janë vlerësuar sipas një mekanizimi të përbërë nga kriteret teknike, financiare, sociale, mjedisore dhe të sigurisë dhe në bazë të të gjeturave është përgatitur raporti final,me variantin më të favorshëm, i cili është miratuar nga Ministria e Infrastrukturës", thuhet në përgjigje. Edhe, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të këtij projekti, para 10 ditësh ka përuruar segmentim e parë të autostradës Nish- Prishtinë. Projekti i Bashkimit Evropian për ndërtimin e autostradës që do të lidhë Shqipërinë, Kosovën dhe Serbinë, për përfaqësues të komunitetit të biznesit shihet si një nga mundësitë më të mira që duhet shfrytëzuar për bashkëpunim rajonal në fushën e infrastrukturës dhe ekonomisë. Kryetari i Bordit të Odës Ekonomike Gjermane në Kosovë, Fadil Hoxha tha për Radion Evropa e Lirë se përmirësimi i infrastrukturës rrugore ndihmon në lehtësimin e qarkullimit të produkteve të Kosovës jashtë vendit dhe anasjelltas.  "Projektet infrastrukturore me vendet e rajonit, mund të them se janë arteriet e ekonomisë. Pasi Kosova tashmë ka nënshkruar marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, (MSA) dhe produktet tona duhet të gjejnë rrugën në tregun evropian. Pra, do të ishte e mirëseardhur kyçja deri në Nish e autostradës që produktet tona t'i eksportojmë edhe në Evropë", tha Hoxha. Bashkimi Evropian, në mars tëvitit 2015, pas një konference ndërministrore të gjashtë vendeve Ballkanike, të mbajtur në Prishtinë, ka premtuar se është i gatshëm të investojë deri në 1 miliard euro për projektet e përbashkëta të infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore në Ballkanin Perëndimor. Ndryshe, në rrjetin bazik të Ballkanit Perëndimor, projektet që janë përmendur se do të mbështeten, përveç autostradës që lidhë Serbinë, Kosovën dhe Shqipërinë, janë edhe linjat hekurudhore në Ballkan e deri te mbështetja e projekteve të përbashkëta të energjisë.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Ismayilova e fitoi “Nobelin alternativ” për luftë kundër korrupsionit

Posted: 26 Sep 2017 06:25 AM PDT

Gazetarja investigative e Azerbajxhanit, Khadija Ismayilova, dhe tre avokatë, të cilët kanë luftuar për drejtësi sociale, e kanë fituar çmimin, Right Livelihood, që shpeshherë quhet edhe "Nobeli alternativ" Reporterja Ismayilova, gazetare e Radios Evropa e Lirë, e cila ka shkruar dhe hetuar për dëshmi për ryshfet në qeverinë e presidentit, Ilham Aliyev, është e para shtetase nga Azerbajxhani, që e ka fituar këtë çmim, që jepet nga një fondacion në Stokholm në Suedi. Në arsyetim është theksuar se ajo ka shprehur "guxim dhe ngulm në zbulimin e korrupsionit në nivelet më të larta qeveritare". Pas shpalljes së sotme në Stokholm se e ka fituar çmimin, Khadija Ismayilova, në rrjetin Twitter ka shkruar se "u falënderohet atyre që e kanë mbështetur në këtë përpjekje". Çmimi vjetor, Right Livelihood Award, që është krijuar në vitin 1980, i shpërblen përpjekjet për të cilat filantropisti gjermano-suedez, Jakob von Uexkull, konsideron se janë injourar nga Çmimet Nobel. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

17 vitet e Putinit

Posted: 26 Sep 2017 06:21 AM PDT

Presidenti rus, Vladimir Putin tani është lideri rus që ka qëndruar më së gjati në pushtet që prej Josef Stalinit. Kështu krahasohet ai me liderët e tjerë botërorë:

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Rusia kërcënohet me bllokimin e rrjetit Facebook

Posted: 26 Sep 2017 05:52 AM PDT

Një agjenci e komunikimeve në Rusi është kërcënuar për ta bllokuar qasjen në rrjetin Facebook, vitin e ardhshëm, nëse kjo kompani nuk i depoziton të dhënat e saj në territorin lokal. Aleksandar Zharov, shef i Agjencisë Federale të Komunikimeve, u tha sot agjencive ruse të lajmeve, se do të punohet që "Facebook të bashkëpunoj me ligjin" për të dhënat personale, që i obligon kompanitë për t'i depozituar ato në Rusi. Kritikët e këtij legjislacioni, që ka hyrë në fuqi në vitin 2015, theksojnë se kjo gjë mund t'i ekspozojë të dhënat tek agjencitë e inteligjencës së Rusisë. Zharov tha se qeveria e Rusisë e kupton se Facebook është "shërbim unik", por theksoi se nuk do të bëjë përjashtime dhe do të duhet ta bllokoj atë vitin e ardhshëm, nëse ky rrjet nuk do të bashkëpunojë.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Kurdët e Irakut festojnë pas referendumit

Posted: 26 Sep 2017 05:50 AM PDT

Më 25 shtator, zyrtarët e zgjedhjeve në veri të Irakut kanë vazhduar numërimin e votave të referendumit të kurdëve, të cilët po kërkojnë pavarësi. Njerëzit kanë dalë nëpër rrugët e qytetit Irbil, të Irakut, për të festuar mbajtjen e referendumit. Qeveria në Bagdad, shtetet fqinje dhe fuqitë e mëdha Perëndimore kanë kritikuar mbajtjen e votimeve. (Video: Reuters)

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Pesë policë të vdekur nga një sulm me bombë në Afganistan

Posted: 26 Sep 2017 05:43 AM PDT

Sulmet në dy provinca në Afganistan kanë vrarë së paku pesë policë, kanë thënë zyrtarët afgan. Në provincën perëndimore të Herat-it, dy policë kanë vdekur, derisa në provincën Farah, tre të tjerë janë vrarë nga bombardimet. Askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin, por zyrtarët në të dyja provincat kanë hedhur fajin te talebanët. Zëdhënësi i provincës së Herat-it, Jelani Farhad, ka thënë se bashkë me dy të vdekurit nga bombardimet, tre oficerë të tjerë janë lënduar. Policia po patrullonte zonën Ghoryan kur bomba kishte shpërthyer. Kryengritësit talebanë kanë qenë aktiv në Herat dhe Farah, të cilët po sulmojnë forcat e sigurisë afgane në gjithë vendin.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Kroaci: “Kapiten Dragani” është dënuar me 15 vjet burg

Posted: 26 Sep 2017 05:36 AM PDT

Njëri prej komandantëve të formacioneve paraushtarake serbe gjatë luftës në Kroaci, Dragan Vasilkoviq, i njohur si "kapiten Dragani" sot nga një gjykatë në Split është shpallur fajtor për krime të luftës kundër ushtarëve dhe civilëve kroatë. Vasilkoviq është dënuar me 15 vjet burg, kanë raportuar mediat lokale. Aktakuza e ngarkonte atë për krime të luftës të kryera në mes të vitit 1991 në burgun e Kninit, dhe në vitin 1993, në një lokalitet afër Benkovcit, ku i ka torturuar, keqtrajtuar dhe vrarë, pjesëtarët e burgosur të ushtrisë dhe policisë kroate. Në fjalën e tij përfundimtare, Dragan Vasilkoviq, javën e kaluar, i ka hedhur poshtë akuzat, ndërsa procesin gjyqësor e ka cilësuar si "ndjekje të tmerrshme fashiste". Ai theksoi, po ashtu, se është viktimë e procesit të montuar politik dhe se i janë marrë 12 vjet të jetës së tij, aq sa i ishin dashur Australisë, ku jetonte, që të vendoste për ekstradimin e tij në Kroaci.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Erdogan akuzon Kurdistanin për “tradhëti”

Posted: 26 Sep 2017 05:22 AM PDT

Turqia ka akuzuar liderët e rajonit kurd të Irakut, për "tradhëti" pas referendumit për pavarësi, derisa qeveria irakiane ka përjashtuar bisedimet për shkëputjen e mundshme të Kurdistanit. Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, në fjalimin e tij në pallatin presidencial në Ankara, ka paralajmëruar kurdët e Irakut se ata do të vdesin nga uria kur Turqia do të bllokojë kalimin e kamionëve përmes kufirit. Ai shtoi se të gjitha opsionet ekonomike dhe ushtarake po shqyrtohen, kjo si përgjegjie e referendumit kurd të mbajtur në veri të Irakut. Rezultatet primare të referendumit tregojnë se 72 përqind e votuesve kanë marrë pjesë në zgjedhje, dhe 90 përqind e tyre i kanë thënë "po" pavarësisë, raporton televizioni kurd Rudaw. Rezultatet finale të zgjedhjeve pritet të dalin me 27 shtator. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Lirohet nga burgu gazetari turk, Gursel

Posted: 26 Sep 2017 04:54 AM PDT

Gazetari i njohur turk, Kadri Gursel është liruar nga burgu, por katër kolegët e tij, të gjithë gazetarë të gazetës opozitare Cumhuriyet, mbetën në paraburgim pas një vendimi gjyqësor. "Nuk duhet të festojmë ngase disa gazetarë të Cumhuriyet po përballen me akuza të padrejta dhe të pabaza...atyre i'u është privuar liria" tha Gursel, cili ishte i burgosur për 11 muaj. 17 punonjës të gazetës Cumhuriyet janë akuzuar se po mbështesin terrorizmin duke raportuar për tri grupe, të cilat Turqia i konsideron si organizata terroriste. Ky rast kishte ngritur kritika ndërkombëtare. Grupi i lirisë së shtypit P24, kanë thënë se 171 gazetar janë të burgosur, shumica prej tyre të arrestuar pas grushtetit të deshtuar në Turqi. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Pacolli: Ratifikimi i demarkacionit momentalisht nuk është i mundshëm

Posted: 26 Sep 2017 04:47 AM PDT

Minsitri i jashtëm i Kosovës, Behxhet Pacolli, ka deklaruar sot në Podgoricë se ratifikimi i marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi, në "këtë moment është i pamudshëm". "Ne jemi të vetëdijshëm se marrëveshja është nënshkruar, por ju lutem të kuptoni dhe të keni durim", u tha Pacolli gazetarëve në Podgoricë, pas takimit me ministrin e jashtëm të Malit të Zi, Sërgjan Darmanoviq. Behxhet Pacolli, që është edhe zëvendëskryeministër i Kosovës, ka shpjeguar se ratifikimi i marrëveshjes është momentalisht "i pamundshëm" për shkak të raportit të forcave në Kuvendin e Kosovës. Ministri i jashtëm malazez, Sërgjan Darmanoviq, tha se pret që institucionet e Kosovës ta ratifikojnë marrëveshjen për demarkacion, raporton agjencia Beta. "Kemi mirëkuptim për proceset në Kosovë dhe presim që marrëveshja të ratifikohet", tha Dërmanoviq, duke theksuar se çështja e kësaj marrëveshjeje në Mal të Zi ka përfunduar. Marrëveshja për demarkacionin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi është nënshkruar në gusht të vitit 2015 në Vjenë. Kuvendi i Malit të Zi e ka ratifikuar këtë marrëveshje, ndërsa atë e ka kundërshtuar opozita e mëparshme në Kosovë, përfshirë edhe Ramush Haradinajn, i cili tash është kryeministër i Kosovës.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

HRW akuzon Mianmarin për krime kundër njerëzimit

Posted: 26 Sep 2017 04:14 AM PDT

Human Rights Watch, ka thënë se Mianmari po kryen krime kundër njerëzimit në fushatën e tyre kundër myslimanëve në shtetin Rakhine. HRW i bën thirrje Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që t'i vendosë sanksione shtesë dhe embargo armësh Mianmarit. Një zëdhënës i qeverisë së Mianmarit ka hedhur poshtë akuzat, duke thënë se nuk ka ende dëshmi për këtë, dhe se qeveria është e përkushtuar për të mbrojtur të drejtat e njeriut. Mianmari, po ashtu ka hedhur poshtë akuzat e Kombeve të Bashkuara se forcat e tyre janë të përfshira në spastrim etnik kundër myslimanëve Rohingya. Ata thanë se forcat e tyre po luftojnë terroristët që po sulmojnë policinë dhe ushtrinë, duke vrarë civilë dhe duke shkatërruar fshatra. Fushata ushtarake ka zhvendosur 440 mijë refugjatë në Bangladesh, shumica nga ata janë Rohingya. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Ish-kryeministri pakistanez del para gjykatës anikorrupsion

Posted: 26 Sep 2017 03:30 AM PDT

Ish-kryeministri pakistanez, Nawaz Sharif, ka dalur para një gjykate antikorrupsion në Islamabad, nën akuzat për korrupsion. Kjo ishte paraqitja e tij e parë para gjykatës, që kur ai ishte përjashtuar nga Gjykata Supreme, që pasoi një hetim se ai kishte pasuri të fshehtë financiare. Përkrahësit e Sharif-it po brohorisnin në përkrahje të tij, brenda dhomës së gjykimit. Gjykata ka lëshuar urdhëra për dy djemt e Sharif-it, vajzës së tij, dhëndrrit, dhe urdhëruan ata të dalin para tribunalit. Sharif do të gjykohet me 2 tetor në lidhje me tri raste të korrupsionit kundër tij, të dorëzuara nga trupi antikorrupsion i Pakistanit. Këshilltarët e tij, e akuzojnë Sharif-in dhe familjen e tij për shpërlarje të parave, duke përdorur pasurinë e Pakistanit për të blerë prona në Londër. Familja e tij thonë se pronat në Londër janë fituar si investim që ata e bënë me familjen mbretërore të Katarit në vitet 1980-ta. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more