Skip to main content

“Në Barcelonë planifikoheshin sulme kundër monumenteve” plus 19 more Radio Evropa e Lirë

“Në Barcelonë planifikoheshin sulme kundër monumenteve” plus 19 more Radio Evropa e Lirë


Në Barcelonë planifikoheshin sulme kundër monumenteve

Posted: 22 Aug 2017 10:30 AM PDT

Grupi që dyshohet se qëndron prapa sulmit me furgon në Barcelonë, ka planifikuar të përdorë eksplozivë kundër monumenteve, përfshirë katedralen Sagrda Familia të qytetit, i tha njëri prej të dyshuarve gjykatës në Madrid. Mohamed Houli Chemlal është njëri nga katër të dyshuarit e mbijetuar që dhanë dëshmi të martën. Planet e grupit u shkatërruan pasi një shtëpi e mbushur me pajisje për prodhimin e bombave, në qytetin Alcanar, shpërtheu një ditë para sulmit të së enjtes në Barcelonë. Trembëdhjetë veta janë vrarë dhe mbi 100 janë plagosur nga goditja me furgon në bulevardin Las Ramblas të Barcelonës. Tetë anëtarë të grupit janë të vdekur - dy janë vrarë në shpërthimin në Alcanar dhe gjashtë janë qëlluar më pas nga policia. I dyshuari i fundit që është vrarë është Younes Abouyaaqoub, 22 vjeç, dhe besohet se ka qenë shoferi i furgonit në Las Ramblas. Burime nga gjykata cituan të martën Houli Chemlalin të ketë thënë se disa "sulme shumë më të mëdha" kanë qenë të planifikuara.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Me nderime shtetërore varroset ish-kryeministri Rexhepi

Posted: 22 Aug 2017 10:13 AM PDT

Me nderime të larta shtetërore, është varrosur të martën ish-kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi. Ceremonia e varrimit u mbajtur në fshatin Shipol të Mitrovicës. Në këtë ceremoni morën pjesë zyrtarët më të lartë të vendit, përfaqësues të partive politike dhe qytetarë të shumtë.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit drejt zhbllokimit

Posted: 22 Aug 2017 09:37 AM PDT

Kuvendi i Kosovë pritet që këtë javë të bëjë një përpjekje të re në kuadër të përmbylljes së seancës konstituive, që ka si qëllim zgjedhjen e kryetarit dhe pesë nënkryetarëve të këtij institucioni. Ndërkohë, përpjekjet e partive politike në koalicionin PAN ku bëjnë pjesë Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për të siguruar votat e mjaftueshme për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, janë duke vazhduar. Kryesuesi i seancës konstituive, deputeti Adem Mikullovci, ka thirrur për të enjten vazhdimin e seancës së nisur që nga 3 gushti. Analisti politik, Imer Mushkolaj tha për Radion Evropa e Lirë se lëvizjet e fundit politike nga subjekti Aleanca Kosova e Re, e cila ka paralajmëruar zgjidhje edhe jashtë koalicionit të saj me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Alternativën, japin indikacione se konstituimi i Kuvendit do të ndodh shpejt. "Krijimi i institucioneve të reja brenda kësaj javë është në dorën e zotit [Behgjet] Pacolli. Ai ka dhenë sinjale të qarta se tashmë dëshiron që ta zhbllokoj situatën. Natyrisht që kur e thotë një gjë të tillë dihet se po i bashkohet koalicionit PAN. Kjo zvarritje e mëtejme, thënë kushtimisht, varet shumë vetëm nga mënyra sesi zoti Pacolli do të behet pjesë e Qeverisë, respektivisht nga pozitat që ai mund t'i kërkojë për vete dhe partinë e tij", thotë Mushkolaj. Zgjidhja që ka ofruar Aleanca Kosova e Re, vijon Mushkolaj, bëhet edhe më e besueshme për faktin se nuk ka asnjë përafrim apo ndonjë marrëveshje ndërmjet partive të tjera, përkatësisht ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. "Vetëvendosja dhe LDK-ja kanë kontradikta shumë të mëdha dhe tash për tash bashkëpunimi mes tyre mungon dhe nuk mund të bashkëpunojnë për të krijuar një shumicë të nevojshme. Andaj, Pacolli shihet si zhbllokues i situatës", thekson Mushkolaj. Lideri i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ditë më parë pati thënë se një Qeveri gjithëpërfshirëse do të ishte zgjidhje për zhbllokimin e nyjës politike për formimin e institucioneve. Edhe Valmir Ismajli, analist nga organizata joqeveritare "Demokraci Plus", konsideron se bllokadës së formimit të institucioneve. e cila ka nisur që nga data 3 gusht, gjatë kësaj jave mund t'i vije fundi. Ai thotë se tash më është e qartë se Aleanca Kosova e Re, do t'i bashkohet koalicionit PAN dhe do të largohet nga koalicioni i njohur si LAA-së, ku bëjnë pjesë Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleancës Kosova e Re dhe Alternativa. "Këtë të enjte pritet që të kemi konstituimin e Kuvendit. Zoti Veseli duket se do të jetë prap kryetar i Kuvendit me votat e AKR-së. Nuk është shumë e qartë nëse do të kemi edhe Qeverinë në këtë javë, pasi që PAN-i do t'i bëj edhe disa kalkulime duke llogaritur se mund të 'peshkojë' edhe ndonjë deputet tjetër nga koalicioni LAA ose ndonjë përllogaritje sa i takon zgjedhjeve lokale", tha Ismajli. Sipas Ismajlit, pas konstituimit të Kuvendit, formimi i Qeverisë se re mund të shtyhet për shkak të numrave jo të mjaftueshëm të votave. Ai konsideron se pavarësisht nëse votat për formimin e saj do të sigurohen, Kosova mund të ketë sërish një Qeveri të paqëndrueshme. "Kurdo që të ndodh formimi i Qeverisë nuk do të jetë stabil, sepse numri është shumë minimal dhe do të detyrohet që çdo herë të gjithë anëtarët e partive në pushtet të jenë të pranishëm në Kuvend, në mënyrë që ta mbivotojnë opozitën. Pra, edhe nëse kemi Qeveri ajo do të jetë jostabile dhe me një afat të shkurtër nëse nuk do të kemi ndonjë ndryshim të pozicioneve nga subjektet e tjera politike", tha Ismajli. Organet drejtuese të partisë, Aleanca Kosova e Re, kanë autorizuar liderin e saj , Behgjet Pacollin, që bashkë me deputetët e zgjedhur dhe kryesinë e ngushtë, të shohë mundësi të gjetjes së daljes nga kriza dhe të shohë mundësi të tjera alternative jashtë koalicionit me LDK-në dhe Alternativën. Kjo lëvizje e AKR-së tash për tash po shihet si mundësi për zgjidhjen e nyjës politike, pasi që Kuvendi i Kosovës që nga 3 gushti nuk arriti të përmbyllë seancën konstituive për shkak të mungesës së minimumit prej 61 votave nga koalicioni fitues i zgjedhjeve (PAN), për të zgjedhur kryetarin e Kuvendit. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

OKB: Katërfishohet numri i fëmijëve vetëvrasës në Nigeri

Posted: 22 Aug 2017 09:13 AM PDT

Numri i fëmijëve që shfrytëzohen si sulmues vetëvrasës nga grupi terrorist Boko Haram është katërfishuar brenda një viti, tha Fondacioni për Fëmijë i Kombeve të Bashkuara (UNICEF). "Që nga fillimi i vitit, 83 fëmijë janë shfrytëzuar si 'boma njerëzore' në verilindje të Nigerisë", thuhet në raportin e UNICEF-it. Pesëdhjetepesë prej tyre kanë qenë vajza, shumica më të reja se 15 vjeçe, 27 kanë qenë djem dhe një ka qenë foshnje e lidhur për një vajzë, shtoi UNICEF. Për krahasim, rreth 20 fëmijë janë përdorur si sulmues vetëvrasës gjatë gjithë vitit të kaluar. Rritja dramatike e numrit të tyre ndodh në kohën e një urie masive dhe krizës së zhvendosjes në verilindje të Nigerisë. Rreth 1.7 milion njerëz janë zhvendosur nga sulmet e vazhdueshme të Boko Haramit në rajon. Kombet e Bashkuara kanë paralajmëruar se rreth 450,000 fëmijë janë në rrezik nga kequshqyerja këtë vit. Boko Haram, i cili thirret në një intepretim strikt të Ligjit të Sheriatit, ka vrarë mbi 20,000 njerëz në Nigeri, si dhe në vendet fqinje: Çad, Niger dhe Kamerun.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Papa Françesku mund të vizitojë Rusinë

Posted: 22 Aug 2017 08:16 AM PDT

Sekretari i shtetit të Vatikanit e cilësoi si pozitive idenë që Papa Françesku të vizitojë Rusinë, por tha se duhet shumë punë për realizimin e vizitës. Kardinali Pietro Parolin i bëri komentet të martën në Moskë, në një konferencë për media me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov. Ai nuk dha ndonjë datë për vizitën e mundshme të Papa Françeskut, e cila do të ishte e para e tillë në epokën moderne. Françesku, lider i 1.2 miliard katolikëve të botës, ka bërë përpjekje të qetësojë tensionet midis degëve ortodokse dhe katoliike të Krishterimit. Në shkurt të vitit 2016, ai ka takuar në Kubë Patriarkun Kirill, udhëheqës i Kishës Ortodokse Ruse. Kardinali Parolin do të takojë presidentin rus, Vladimir Putin, të mërkurën në qytetin Soçi. "Diskutimet me Putinin do të përfshijnë marrëdhëniet midis Rusisë dhe Vatikanit, gjendjen e të krishterëve në Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, si dhe situatën në Siri dhe Ukrainë", tha Kremlini.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Lirohen nga arresti shtëpiak të dyshuarit për sulmin ndaj Kuvendit

Posted: 22 Aug 2017 08:03 AM PDT

Gjykatën Themelore në Prishtinë ka liruar nga arresti shtëpiak katër aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje të akuzuar për sulmin kundër Kuvendit të Kosovës. Lajmin e ka konfirmuar avokati, Tomë Gashi. "Në seancën e mbajtur sot, më 22.08.2017, Gjykata Themelore në Prishtinë ka liruar katër aktivistët e Lëvizjës Vetëvendosje, Frashër Krasniqi, Adea Batusha, Atdhe Arifi dhe Egzon Haliti nga arresti shtëpiak, respektivisht nga paraburgimi", ka njoftuar Gashi. Të katër aktivistët e Vetëvendosjes, tani e tutje do të mbrohen në liri. Ata dyshohen për sulmin me mjet shpërthyes kundër Kuvendit të Kosovës që ka ndodhur në mbrëmjen e 4 gushtit të vitit të kaluar. Lidhur me këtë rast, përpos të akuzuarve të tanishëm, të akuzuar ishin edhe Petrit Ademi, ndaj të cilit pushuan hetimet, si dhe Astrit Dehari, i cili vdiq në Qendrën e Paraburgimit në Prizren. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Tre vëllezër shpëtohen nga rrënojat e tërmetit në Itali

Posted: 22 Aug 2017 05:59 AM PDT

Shpëtuesit italianë kanë nxjerrë nga rrënojat të tre vëllezërit e bllokuar pas një tërmeti që ka goditur ishullin Ishia, jashtë brigjeve të Napolit. Së paku dy gra kanë vdekur dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur nga tërmeti me fuqi prej 4 shkallësh të Richterit. Tërmeti ka goditur ishullin e populluar mbrëmjen e 21 gushtit, duke rrënuar disa ndërtesa. Tre vëllezërit - 11 vjeç, tetë vjeç dhe shtatë muajsh - janë shpëtuar në intervale të ndryshme kohore. Babai i tyre dhe dy gra po ashtu janë nxjerrë nga shtëpia e rrënuar. Ishulli Ishia ka një popullsi prej rreth 50,000 banorësh dhe është shumë i njohur për turistët.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Trump paralajmëron Pakistanin për “zonat e sigurta” të terroristëve

Posted: 22 Aug 2017 05:43 AM PDT

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka lënë mënjanë një njoftim për nivelin e trupave amerikane në Afganistan, gjatë adresimit të tij të parë zyrtar para kombit të tij, duke paralajmëruar Pakistanin për mbështetjen e supozuar të grupeve ekstremiste në rajon. Trump është tërhequr nga premtimi i tij në fushatë për t'i dhënë fund luftës më të gjatë në historinë amerikane, derisa është paraqitur i përkushtuar për një konflikt të hapur në Afganistan. Trump duke vënë theksin në strategjinë e tij të re në Afganistan dhe Azinë Jugore, ka thënë se ai nuk do të flasë, "për numrin e trupave apo për planet e ardhshme rreth aktiviteteve ushtarake". Duke folur në bazën ushtarake afër Uashingtonit, Fort Myer, presidenti Trump, ka premtuar "fitoren" në luftën në Afganistan, duke shtuar se strategjia e tij nuk është e bazuar në "afate kohore arbitrare", mirëpo në kushtet ne terren. Sekretari i Përgjithshëm NATO-s, Jens Stoltenberg, ka përshëndetur, "qasjen e re" të Trumpit, dhe ka thënë se qëllimi i aleancës, "mbetet të garantojë se Afganistani nuk do jetë më kurrë zonë e sigurt për terroristët të cilët kanë sulmuar vendet tona". Disa analistë e kanë përshëndetur qëndrimin e ashpër të Trumpit për Pakistanin, derisa të tjerët e kanë kritikuar atë që e kanë quajtur, strategji me detaje të pakta dhe rikujtim i politikave të dështuara të ish-presidentit amerikan, Barack Obama. Presidenti ka paralajmëruar se nuk do tolerojë Pakistanin, që sipas tij po siguron zona të sigurta për grupet ekstremiste, siç janë talibanët afganë. Islamabadi i hedhë poshtë këto akuza. "Ne nuk mund të qëndrojmë të heshtur për zonat e sigurta të Pakistanit", ka thënë Trump. "Pakistani mund të fitojë shumë nëse mbështet përpjekjet tona në Afganistan. Mirëpo mund të humbas shumë nëse vazhdon të strehojë terroristët". "Nga të tre presidentët amerikanë të cilëve iu është dashur të përballen me luftën e padeklaruar të Pakistanit në Afganistan, fjalët e Trumpit kanë qenë më të qartat, të cilat vënë në pah se Pakistani është pjesë e problemit", ka thënë analisti pakistanez, Mohammad Taqi. Jo, afateve kohore "arbitrare" Presidenti Trump, ka thënë se Shtetet e Bashkuara kanë qenë në Afganistan jo për të ndërtuar shtetin, mirëpo "për të vrarë terroristë". Trump ka shtuar se SHBA-së i duhet një plan për një "rezultat të ndershëm", pasi një dalje e shpejtë nga Afganistani do të kishte pasoja të "papranueshme". Duke përcjellur deklaratat e presidentit Trump, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Jim Mattis, ka sugjeruar se SHBA-ja dhe shtete të tjera mund të dërgojnë më shumë trupa në Afganistan. "Do të konsultohem me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s dhe aleatët tanë, shumica e të cilëve kanë treguar përkushtim për rritjen e numrit të trupave", ka thënë Mattis. "Administrata e presidentit Trump me të drejtë beson se angazhimi i vazhdueshëm pa afate kohore arbitrare, do të përçojë mesazhin e drejtë si për miqtë ashtu edhe për armiqtë në Afganistan dhe rajonin e gjerë", ka thënë eksperti i Azisë Jugore, Ahmad K. Majidyar. Majidyar ka thënë se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të trajnojnë, pajisin dhe ndihmojnë forcat afgane, derisa Pentagoni do të ketë më shumë autoritet për të targetuar grupet terroriste rajonale dhe ndërkombëtare në Afganistan dhe Pakistan, të cilat paraqesin kërcënim direkt në sigurinë amerikane. Trump ka qenë skeptik për politikën amerikane në rajon, pasi Shtetet e Bashkuara kanë qenë pjesë e luftës në Afganistan, nga viti 2001. Ai ka thënë gjatë adresimit të tij se "instinkti fillestar ka qenë për largim" nga Afganistani, mirëpo ka arritur tek një tjetër përfundim pasi e ka studiuar çështjen kur ka filluar punën në zyrë. Trump i ka bërë thirrje Kabulit për implementimin e "reformave të vërteta dhe zhvillimore". "Krahasuar me paraardhësit e tij, Trump ka theksuar një strategji më të qartë në Afganistan", ka thënë analisti afgan, Omar Samad. "Më e rëndësishmja, ai ka dalluar se kush është mik dhe kush armik", ka shtuar tutje ai. Senatori John McCain, udhëheqës i Komisionit të Senatit për Shërbime të Armatosura, ka thënë se strategjia e Trumpit tejkalon të kaluarën e administratës së ish-presidentit Obama, me "strategjinë e dështuar" në Afganistan. Trump i ka lënë rrugët e hapura për ndonjë paqe eventuale me talibanët, ndonëse ka shtuar se "askush nuk e di se nëse apo kur mund të ndodhë një gjë e tillë". Përmes një deklarate, Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson, ka thënë se Uashingtoni është "i gatshëm për mbështetjen e dialogut paqësor në mes të qeverisë afgane dhe talibanëve pa kushte paraprake". Zëdhënësi i talibanëve, Zabiullah Mujahid, i ka hedhur poshtë deklaratat e presidentit Trump, duke i cilësuar si "të vjetra" dhe "të paqarta". "Në rast se Amerika nuk i tërheq trupat e saj nga Afganistani, shumë shpejt ky vend do të jetë varri i superfuqisë së shekullit 21", ka thënë Mujahid përmes një deklarate. Analisti Samad ka thënë se mesazhi i Trumpit u ka treguar talibanëve dhe mbështetësve të tyre se SHBA-ja nuk do rri në situatë të bllokuar. "Më në fund talibanëve u është treguar se çfarë planifikon të bëjë Amerika, në mënyrë që të fitojë", ka thënë ai. Talibanët vazhdimisht i kanë bërë thirrje SHBA-së dhe aleatëve të saj të largohen nga Afganistani, duke mos lënë mundësi të paqes me Qeverinë e Kabulit, për aq kohë sa forcat e jashtme qëndrojnë në tokën afgane. Më shumë trupa amerikane në terren? Presidenti Trump ka njoftuar për një rishikim të strategjisë pak kohë pasi ka marrë presidencën në muajin janar, derisa zyrtarët amerikanë kanë thënë se ai i ka pyetur privatisht nëse shtimi i numrit të trupave është veprim i matur. Ai u ka thënë zyrtarëve të lartë në korrik se "ne nuk jemi duke fituar, ne jemi duke humbur" luftën në Afganistan, kundër grupeve siç janë talibanët, Al-Kaida dhe Shteti Islamik. Sipas një raporti amerikan të publikuar me herët gjatë këtij viti, talibanët konsiderohet se kontrollojnë rreth 40 për qind të shtetit. Vendimi i presidentit Trump ka ardhur pas një takimi me ekipin e tij të Sigurisë Kombëtare, në kampin David, për të diskutuar konfliktin. Më herët gjatë këtij viti, ishte thënë se presidenti i ka dhënë autoritet sekretarit Mattis, për trupat në Afganistan, duke hapur rrugë për shtimin e tyre, pas kërkesës së Komandantit amerikan në Afganistan, Gjeneralit John Nicholson. Zyrtarë të ushtrisë amerikane dhe ata të Inteligjencës frikësohen se tërheqja ose zvogëlimi i prezencës së trupave amerikane, do t'i ndihmonte talibanëve dhe do t'i lejonte Al-Kaidës dhe militantëve të Shtetit Islamik, të përdorin Afganistanin për organizimin e sulmeve kundër SHBA-së dhe aleatëve të saj. Shtetet e Bashkuara e kanë pushtuar Afganistanin në tetor të vitit 2001, duke u thirrur në artikullin e pestë të NATO-s për vetëmbrojtje kolektive, pas sulmeve të 11 shtatorit në Nju Jork dhe Uashington. Fushata e udhëhequr nga SHBA-ja e largoi nga pozita qeverinë e talibanëve e cila strehonte liderin e Al-Kaidës, Osama bin Laden. Forcat amerikane janë duke qëndruar atje gjatë udhëheqësive të presidentëve, George W. Bush, Barack Obama, dhe tani Trump. "Ka qenë rrëmujë dhe tani ne do ta bëjmë më pak rrëmujë", ka thënë Trump më herët gjatë këtij viti kur është pyetur për Afganistanin. "Është e habitshme se si pas tetë muajsh rishikim të strategjisë, në fund rezultoi me një politikë e cila tingëllon sikur politikat që janë përdorur në mënyra të ndryshme dhe kanë dështuar në të kaluarën", ka thënë, Michael Kugelman, bashkëpunëtor i Azisë Jugore në Qendrën Ndërkombëtare Woodrow Wilson në Uashington. Strategjia në Afganistan është komplikuar nga dallime të brendshme për atë nëse Shtetet e Bashkuara duhet të marrin qëndrim të ashpër kundrejt Pakistanit për dështim të ndalimit të strehimit të talibanëvë afganë në këtë vend dhe arrestimit të liderëve ekstremistë afganë. Zyrtarët amerikanë dhe ata afganë kanë thënë se talibanët afganë janë të mbështetur nga ushtria pakistaneze dhe agjencia e inteligjencës. Përpara se Trump të merrte një vendim të tillë, atij i janë bërë propozime nga zyrtarë amerikanë, për të rishikuar nëse do të duhej të përcaktonte Pakistanin, si shtet që mbështet terrorizmin, në rast se nuk do t'i përndjekte liderët e rrjeteve të talibanëve afganë, të cilët konsiderohen ndër grupet ekstremiste më vdekjeprurëse afgane. Mirëpo një përcaktim i tillë do të nxiste sanksione amerikane, duke përfshirë ndalimin e shitjes së armëve dhe dhënien fund të ndihmës ekonomike amerikane për Pakistanin. "Në rast se Pakistani nuk përballet me pasojat e aksioneve të tij, sjellja e tij nuk do të ndryshojë përballë Afganistanit", ka thënë analisti Taqi. Trump ka bërë një hap të befasishëm duke bërë thirrje për përfshirje më të madhe të Indisë në luftën afgane. Trump ka thënë se dëshiron të "zhvillojë më tutje partneritetin strategjik me Indinë", ashtu që Nju Delhi "t'i ndihmojë më shumë rreth Afganistanit, posaçërisht në fushën e ekonomisë". India, një nga aleatët më të ngushtë të Kabulit, ka shpenzuar miliarda në ndihma dhe infrastrukturë në Afganistan. Shtetet e Bashkuara kanë pasur rreth 100,000 trupa gjatë viteve 2010-2011. Aktualisht SHBA-ja ka 8,400 trupa në Afganistan, staf i cili ishte përcaktuar nga ish-presidenti Barack Obama. Në këtë vend gjenden edhe rreth 5000 trupa joamerikane të NATO-s. Përgatiti: Krenare Cubolli

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Trump flet për strategjinë e SHBA-së në Afganistan dhe Pakistan

Posted: 22 Aug 2017 05:43 AM PDT

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka paraqitur strategjinë e re të SHBA-së për Afganistan dhe Pakistan. Trump e ka paralajmëruar Pakistanin se po ofron "strehë të sigurt për agjentët e kaosit, dhunës dhe terrorit". (Video: AP)

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Gjykata e Indisë ndalon "divorcin e menjëhershëm" të myslimanëve

Posted: 22 Aug 2017 05:41 AM PDT

Gjykata e lartë e Indisë konstatoi se praktika e divorcit të menjëhershëm të myslimanëve është jokushtetuese, duke shënuar një fitore të madhe për aktivistet e të drejtave të grave. Gjykata tha se praktika e tillë është "joislamike". India është një nga pak vendet ku një burrë mysliman mund të divorcojë gruan brenda pak minutash, duke thënë fjalën "talaq" apo divorc tri herë. Vendimi historik i gjykatës vjen në përgjigje të peticioneve që e kundërshtonin këtë praktikë. Rasti është ngritur nga pesë gra që janë divorcuar në këtë mënyrë dhe nga dy grupe për të drejta të njeriut. I ashtuquajturi divorc "talaq" nuk përmendet në Ligjin e Sheriatit apo në Kuran, por praktika e tillë ka ekzistuar me dekada. Shumica e vendeve myslimane, përfshirë Pakistanin dhe Bangladeshin, e kanë ndaluar divorcin talaq, por zakoni ka vazhduar në Indi, ku nuk ka ligje uniformë mbi martesën dhe divorcin, të cilat do të zbatoheshin për çdo qytetar.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Çka fshihet pas tensionimit të raporteve Serbi – Maqedoni?!

Posted: 22 Aug 2017 05:29 AM PDT

Pas tensionimit të raporteve diplomatike mes Serbisë dhe Maqedonisë mund të fshihen shumë interesa nga rrafshi gjeopolitik, thonë njohësit e marrëdhënieve ndërkombëtare. Serbia ka tërhequr stafin e saj diplomatik nga Shkupi, duke mos e sqaruar saktë një veprim të tillë.  Ftohja e raporteve diplomatike, sipas njohësve të zhvillimeve politike, vjen në kohën kur Maqedonia po bën hapa drejt përshpejtimit të procesit të integrimit në strukturat euroatlantike. Maqedonia nënshkroi marrëveshjen për fqinjësi të mirë me Bullgarinë, ndërkohë që ka intensifikuar takimet me zyrtarët e lartë të Greqisë për të tejkaluar kontestin që ka rreth çështjes së emrit. Blerim Reka, ish-ambasador i Maqedonisë në Bruksel, njëherësh dhe ligjërues në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, tha për Radion Evropa e Lirë se zhvillmi i fundit diplomatik mes Serbisë dhe Maqedonisë dëshmon për agresivitetin e Beogradit ndaj politikës së re që po zhvillon Qeveria e Shkupit. Reka tha se Serbia e ka konsideruar deri vonë Maqedoninë si koloni të saj dhe këtë më së miri e dëshmuan dhe ngjarjet e përgjakshme të 27 prillit në Kuvendin e Maqedonisë, kur në mesin e protestuesve të dhunshëm u gjend dhe një pjesëtar i Ambasadës serbe. "Kthesa euroatlantike e Qeverisë së re të Republikës së Maqedonisë dhe ndërprerja prej një dekade të varësisë serbo-ruse, i tregoi qartë Beogradit se më nuk mund të luajë rolin e metropolës-koloniale në Shkup". "Mendoj se arsyeja kryesore është kthesa strategjike që bën Maqedonia në raport me integrimin në NATO dhe në Bashkimin Evropian dhe kjo është si të themi, një alarm i kuq, jo vetëm për Beogradin, por edhe për Moskën të cilat nuk mund të llogarisin më sikurse këto dhjetë vitet e fundit, në një Maqedoni e cila do t`ia bllokojë vetes anëtarësimin në NATO", tha Reka. Me veprimet e veta, Maqedonia, sipas tij, këto dhjetë vitet e fundit kishte bllokuar jo vetëm vetveten, por edhe integrimin e Ballkanit Perëndimorë në NATO. Nga ana tjetër Denko Malevski, ish- ministër i Punëve të Jashtme të Maqedonisë thotë se në këtë tensionim raportesh sheh një luftë mes forcave më të mëdha për të shtrirë influencën gjeopolitike, veçanërisht për faktin se Maqedonia kufizohet me Serbinë e cila ka marrëdhënie të afërta me Moskën. "Afër kufirit tonë verior është dhe një qendër trajnuese ruse, ndërkohë që shumë shpejtë presim që NATO të shtrijë kufijtë e saj duke përcaktuar Maqedoninë si vijë e shtrirjes në Ballkanin Perëndimor". "Gjithsesi se ekziston një rivalitet i tillë mes fuqive të mëdha dhe një gjë e tillë reflektohet edhe në raportet mes vendeve fqinje në Ballkan", thekson për Radion Evropa e Lirë, Denko Malevski. Sipas tij, Serbia ndjehet e shqetësuar nga relaksimi i marrëdhënieve mes Maqedonisë dhe Bullgarisë si dhe relacioneve gjithnjë më të mira që ndërton Maqedonia me Shqipërinë duke u shkëputur kështu nga influenca serbe. "Serbia dhe Greqia duan të dinë në çfarë përmasash do të shtrihet influenca bullgare në Maqedoni. Këtyre dy vendeve u konvenon një shtet i vogël i cili nuk do ta pengojë komunikimin mes tyre, mendoj Serbisë dhe Greqisë nuk u konvenon të marrë shtirje influenca bullgare ose ajo shqiptare", thotë Malevski. Ndërkaq, Blerim Reka duke komentuar qëndrimin e fundit të shefit të diplomacisë serbe, Ivica Daqiç se Serbia mund të ndryshojë politikën e saj për emrin e Maqedonisë nëse voton për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO, thotë se Beogradi këtë e shfrytëzon vetëm si pretekst artificial për të tensionuar raportet mes këtyre dy vendeve. "Maqedonia besoj si shtet serioz nuk mund t`i lejojë vetes që të votojë kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO sepse në atë rast do të votonte kundër vullnetit të 25 për qind të popullsisë së saj, të cilët janë shqiptarë". "Po ashtu, Maqedonia nuk mund të votojë kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO edhe nga faktin tjetër se tri të katërtat e kufirit të saj si shtet, Maqedonia i ndan me shqiptarët", tha Reka. Ndryshe, edhe në reagimin e Qeverisë së Maqedonisë si përgjigje Beogradit pas tërheqjes së stafit të ambasadës së Serbisë në Maqedoni, theksohet se Maqedonia si shtet është e vendosur në ndërtimin e raporteve të mira fqinjësore me Republikën e Serbisë, por edhe më vendet tjera të rajonit. Megjithëse në komunikatën e Qeverisë të publikuar në Facebook nga kryeministri Zoran Zaev, nuk komentohen akuzat e Beogradit, për siç thuhet, "veprimet e kundërzbulimit ndaj Serbisë" dhe se kush mund të jetë i implikuar në këtë çështje.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Kabuli mirëpret angazhimin e Trumpit në Afganistan

Posted: 22 Aug 2017 05:08 AM PDT

Presidenti i Afganistanit, Ashraf Ghani, mirëpriti vendimin e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, për të vazhduar angazhimin e trupave amerikane në luftën e forcave afgane kundër kryengritësve talibanë. Ghani falënderoi SHBA-në për, siç tha, mbështetjen e "luftës së përbashkët kundër kërcënimit terrorist". Trump konfirmoi se ushtria amerikane do të mbetet e angazhuar në konfliktin e hapur në Afganistan, edhe pse më herët ka thënë se ai e mbështet tërheqjen e saj. Trump dha pak detaje për planin e angazhimit, por e veçoi Pakistanin si strehë të ekstremistëve. Zyrtarët pakistanezë i hodhën poshtë këto pohime. Talibanët, në anën tjetër, paralajmëruan se Afganistani do të bëhet një "varrezë tjetër" për SHBA-në nëse ajo nuk i tërheq trupat. NATO, ndërkaq, bëri thirrje për paqe në Afganistan. "NATO inkurajon të gjithë afganët të punojnë së bashku drejt një zgjidhjeje të negociuar politike dhe drejt paqes së qëndrueshme", tha për Radion Afganistani i Lirë Marion Aubry, zëdhënëse e Përfaqësuesit Civil të NATO-s në Afganistan.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Rusia shlyen gjithë borxhin e ish-Bashkimit Sovjetik

Posted: 22 Aug 2017 04:36 AM PDT

Rusia tha se ka zgjidhur çështjen e borxhit të jashtëm, të trashëguar nga ish-Bashkimi Sovjetik. Ministria e Financave tha të martën se Qeveria i ka paguar Bosnje dhe Hercegovinës 125.2 milionë dollarë, të cilat i kanë takuar për shkak të marrëveshjeve tregtare midis ish-Bashkimit Sovjetik dhe ish-Jugosllavisë. Në deklaratë thuhet se Moska e ka zgjidhur çështjen e borxhit me Bosnjën më 8 gusht dhe se ky vend ishte kreditori i fundit i Bashkimit Sovjetik, me të cilin çështja e borxheve nuk ishte zgjidhur. Rusia dhe Bosnja kanë nënshkuar marrëveshjen për pagesën e borxheve në Moskë, në muajin mars. Rusia ka marrë përsipër gjithë borxhin e jashtëm të Bashkimit Sovjetik pas shpërbërjes së tij në dhjetor të vitit 1991. Vlera e këtij borxhi ka qenë rreth 70 miliardë dollarë.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

I jepet lamtumira Bajram Rexhepit

Posted: 22 Aug 2017 02:08 AM PDT

Me nderime të larta shtetërore, është varrosur të martën ish-kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi. Ceremonia e varrimit është mbajtur në fshatin e tij të lindjes, në Shipol të Mitrovicës. Në ceremoninë e varrimit kanë marrë pjesë zyrtarët më të lartë të vendit, përfaqësues të partive politike dhe qytetarë të shumtë. Trupi i pajetë i ish-kryeministrit Rexhepi, i cili është ndarë nga jeta ditën e hënë, është sjellë të martën nga Turqia, ku po trajtohej nga goditja në tru. Nga ora 10, nën organizimin e Komisionit të veçantë shtetëror, në hollin e Kuvendit të Kosovës janë mbajtur homazhe për ish-kryeministrin Rexhepi. Nën patronazhin e kryeministrit të Kosovës në largim, Isa Mustafa, është mbajtur mbledhje komemoracioni për ish-kryeministrin Rexhepi, në të cilën ishin të pranishëm drejtuesit e institucioneve të larta të shtetit, përfaqësues të partive politike dhe familjarët e ish-kryeministrit Rexhepi. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ka vlerësuar lartë figurën e ish-kryeministrit Rexhepi, duke cilësuar atë si një humanist, atdhetar dhe burrështetas të shquar të vendit. "Bajram Rexhepi kishte profil të lartë të politikanit me mbështetje të gjerë qytetare dhe me besim nga bashkësia ndërkombëtare. Me ndarjen e tij të hershme nga jeta, familja humbi njeriun e dashur, ndërsa institucionet e vendit burrështetasin e shquar. Ne, bashkëmendimtarët, kolegët dhe miqtë e tij, do ta ruajmë përjetë kujtimin për të. Mençuria, urtësia dhe largpamësia e tij, do të jenë udhërrëfyes në rrugën tonë për përparimin dhe forcimin e shtetit tonë. Lavdi jetës, veprës dhe emrit të doktor Bajram Rexhepit", tha presidenti Thaçi. Kryeministri i Kosovës në largim, Isa Mustafa, e ka vlerësuar Bajram Rexhepin si një personalitet që ka dhënë kontribut shumëdimensional për vendin, jo vetëm për shkak të pozitave të larta shtetërore, por edhe për shkak të aktivitetit të tij në shërbim të jetës dhe shëndetit të njerëzve, si dhe në shërbim të lirisë, pavarësisë dhe shtet-ndërtimit të Kosovës. "Ai do të mbetet në historinë më të re të Kosovës, si kryeministër i dalë nga zgjedhjet e para të mbajtura pas luftës, duke lënë gjurmë të rëndësishme në ndërtimin e shtetit tonë. Për ne që e njohëm dhe punuam me të, në kuadër të jetës institucionale dhe politike, Bajram Rexhepi do të mbetet në mend si një politikan që e mbante fjalën dhe të cilit mund t'i besohej. Njeri konstruktiv, i dijshëm, komunikues, bashkëpunues dhe korrekt. Bajrami la gjurmët e tij të pashlyeshme në institucionet më relevante të Kosovës, në kohë shumë të ndjeshme dhe të rëndësishme të shtet-ndërtimit tonë", theksoi Mustafa. Në emër të familjes, vajza e ish-kryeministrit Rexhepi, Vanesa Rexhepi, ka falënderuar institucionet e Kosovës, por edhe shtetin e Turqisë, për angazhimin e tyre për trajtimin e babait të saj gjatë kohës sa ishte i sëmurë. "Në nderim të më të dashurit tim, babait tim, doktor Bajram Rexhepit, edhe pse e pikëlluar dhe e katandisur nga dhimbja për vdekjen e tij, do ta përballojmë pikëllimin me krenarinë që na e la në trashëgimi, me personalitetin e tij prej një punëtori, humanisti dhe trimi të madh. Virtytet e larta të babit tim, dashurinë, sinqeritetin, butësinë dhe këshillat e tij, do t'i ruajmë dhe t'i kultivojmë me përkushtim për breznitë e reja". Homazhe për ish-kryeministrin Rexhepi janë mbajtur edhe në qytetin e Mitrovicës, nën organizimin e Kuvendi Komunal të Mitrovicës së jugut. Ish-kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi u lind më 3 qershor të vitit 1954, në Mitrovicë. Diplomoi në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës, në vitin 1979, ndërkaq në Zagreb përfundoi studimet pasuniversitare, në vitin 1985. Deri në vitin 1990, Rexhepi punoi në Spitalin rajonal të Mitrovicës, si kirurg i përgjithshëm dhe specialist endoskopik. Si mjek, ai i ishte bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, gjatë luftës së viteve 1998 dhe 1999. Pas luftës, Bajram Rexhepi ishte kryetari i parë i Komunës së Mitrovicës. Ai ishte, po ashtu, kryeministri i parë i Kosovës, që nga marsi i vitit 2002 e deri në dhjetor të vitit 2004. Në vitin 2007, ai sërish nga qytetarët e Mitrovicës u zgjodh kryetar i Komunës së këtij qyteti. Më pas, ai u zgjodh deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, në të cilin subjekt politik mbante postin e nënkryetarit, si dhe më pas, ka mbajtur postin e Ministrit të Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës. Në vitin 2016, Rexhepi kishte refuzuar postin e deputetit të Kuvendit të Kosovës, duke thënë se nuk do të kthehet më në jetën politike, pasi kishte dhënë dorëheqje nga Partia Demokratike e Kosovës. Rexhepi më pas i ishte kthyer profesionit të mjekut, por ishte përballur me sëmundjen e kancerit, të cilës i kishte mbijetuar. Por, në prill të këtij viti ai pësoi goditje në tru. Ai ishte trajtuar fillimisht në Prishtinë dhe më pas ishte transferuar në Turqi, për mjekim të mëtutjeshëm. Më 21 gusht, Bajram Rexhepi është ndarë nga jeta. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e ka shpallur ditën e martë, ditë zie. Bajram Rexhepi ka lënë pas gruan dhe vajzën e tij.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Homazhe për ish-kryeministrin Rexhepi

Posted: 22 Aug 2017 01:59 AM PDT

Në hollin e Kuvendit të Kosovës, janë bërë homazhe për ish-kryeministrin e Kosovës, Bajram Rexhepi. Varrimi i ish-kryeministrit do të bëhet në fshatin e tij të lindjes, në Shipol, me ceremoni shtetërore.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Zaev: Maqedonia e vendosur për raporte të mira me fqinjët

Posted: 22 Aug 2017 01:39 AM PDT

Republika e Maqedonisë është e vendosur në ndërtimin e raporteve të mira fqinjësore me Republikën e Serbisë, por edhe më vendet tjera të rajonit. Kështu është përgjigjur Qeveria e kryeministrit, Zoran Zaev lidhur me vendimin e Qeverisë së Serbisë, për të tërhequr të gjithë stafin e Ambasadës së saj në Shkup. "Qeveria e Maqedonisë mbetet fuqimisht e përkushtuar për zgjidhjen dhe jo krijimin e problemeve, me qëllim forcimin e fqinjësisë, bashkëpunimin dhe partneritetin me Republikën e Serbisë, si dhe me vendet tjera në fqinjësi. Jemi të bindur se kjo është mënyra e vetme që rajoni me vendosmëri të ecë përpara", ka kumtuar Qeveria. Në komunikatën e Qeverisë të publikuar sot në Facebook nga kryeministri Zoran Zaev, nuk komentohen akuzat e Beogradit, për siç thuhet, "veprimet e kundërzbulimit ndaj Serbisë" dhe se kush mund të jetë i implikuar në këtë çështje. Megjithatë siç thuhet në komunikatë, "Qeveria e Republikës së Maqedonisë, duke mos sjellë konkluzione të përshpejtuara, i përshëndet paralajmërimet e Beogradit zyrtar për ruajtjen e marrëdhënieve miqësore dhe për kthimin e gjendjes në korniza të zakonshme". Qeveria gjithashtu nuk ka komentuar as mesazhet e shefit të diplomacisë serbe, Ivica Daçiç se Serbia mund të ndryshojë politikanë e saj për emrin e Maqedonisë, nëse voton për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO. Shefi i diplomacisë, Aleksandar Dimitrov i pyetur nëse Maqedonia është përgjegjëse për përpjekjen e re për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO ka thënë se "Maqedonia nuk mund të jetë përgjegjëse për çështje që janë shumë të rëndësishme dhe që mund të shërbejnë si grindje tek fqinjët tanë". Shefi i diplomacisë serbe, Ivica Daçiq para disa muajve kishte deklaruar në Athinë se Beogradi ka gabuar kur në vitet e 90-ta kishte vendosur të njihte Maqedoninë me emrin e saj kushtetues. Deklarata e Daçiqit kishte të bënte me vendimin e Maqedonisë për të votuar në favor në anëtarësimit të Kosovës në UNESCO.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Diskutohen "ide të reja" për konfliktin në Ukrainë

Posted: 22 Aug 2017 01:12 AM PDT

Ndihmësi i Kremlinit për konfliktin në Ukrainë, Vladislav Surkov, është shprehur optimist, pasi është takur me të dërguarin special të Shteteve të Bashkura, Kurt Volker, rreth përpjekjeve për të përfunduar konfliktin në lindje të Ukrainës, duke thënë se kanë diskutuar "ide të reja" në një takim "kontruktiv". Ata janë takuar në Misk, derisa takimi është zhvilluar me dyer të mbyllura. "Takimi ka qenë i dobishëm dhe kontruktiv", u ka thënë Surkov gazetarëve rusë, pas takimit. "Të dyja palët kanë propozuar ide dhe qasje të reja", për zbatimin e marrëveshjes së Minskut të vitit 2015, e cila parashehnjë proces të arritjes së paqes. Surkov, ka thënë se Volker është pajtuar se situata aktuale në Ukrainë është e papranueshme dhe se "ne jemi pajtuar për një proces paqësor në sferën politike dhe atë të sigurisë". Volker nuk ka komentuar asgjë pas takimit. Bisedimet e Volker janë në kuadër të dialogjeve tri ditore të diplomacisë amerikane në luftën mes separatistëve pro rusë dhe forcave qeveritare në lindje të Ukrainës. Nga kjo luftë kanë vdekur më shumë se 10,000 persona nga prilli i vitit 2014. Nga Minsku, Volket niset drejt kryqytetit të Lituanisë, Vilnius, për t'u takuar me zyrtarë të lartë të qeverisë për të diskutuar, "rrugën drejt Ukrainës", ka njoftuar Departamenti i Shtetit. Derisa më 23 gusht, Volker do t'i bashkohet Sekretarit të Mbrojtjes, Jim Mattis, gjatë takimeve me zyrtarë ukrainas për të diskutuar rreth, "hapave të ardhshëm në negocitatat diplomatike për rikthimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës", ka shtuar tutje departamenti.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Në Kosovë sot ditë zie

Posted: 22 Aug 2017 12:23 AM PDT

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi e ka shpallur ditën e sotme, ditë zie në shenjë respekti pas vdekjes së ish-kryeministrit Bajram Rexhepi.  "Në shenjë respekti shtetëror dhe qytetar, dita e martë, 22 gusht 2017, shpallet ditë zie shtetërore në Republikën e Kosovës, pas vdekjes të Dr. Bajram Rexhepi, veteran i UÇK –së, ish-kryetar i Komunës së Mitrovicës, ish-kryeministër i Kosovës, ish-ministër i Punëve të Brendshme, ish-deputet i Republikës së Kosovës dhe kirurg", thuhet ndër tjerash në vendimin e presidentit Thaçi. Me vendim të presidentit Thaçi, flamujt shtetëror janë ulur në gjysmështizë në të gjitha objektet shtetërore të Republikës së Kosovës, brenda dhe jashtë vendit. Ish-kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi ndërroi jetë në Turqi ku po trajtohej pas një goditjeje në tru që nga muaji prill i këtij viti. Ai ishte trajtuar fillimisht në Prishtinë për t'u transferuar më pas në Turqi. I lindur në Mitrovicë më 3 qershor të vitit 1954, zoti Rexhepi për një kohë të gjatë punoi si kirurg në atë qytet dhe në këtë cilësi i ishte bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Në mars të vitit 2002 ai u bë kryeministri i parë i Kosovës pas zgjedhjeve të para të përgjithshme të vitit 2001 dhe drejtoi Qeverinë e koalicionit të gjerë deri në vitin 2004.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Linjat e qarkullimit të trenave të mbyllura deri në rishikimin e buxhetit

Posted: 22 Aug 2017 12:17 AM PDT

Hekurudhat e Kosovës nuk do të mund të vënë në qarkullim linjat e ndërprera të trenave pa u bërë rishikimi i buxhetit për vitin 2017, bëjnë të ditur për Radion Evropa e Lirë përfaqësues të Qeverisë së Kosovës. Por, rishikimi i buxhetit, sipas rregulloreve dhe ligjeve në fuqi nuk mund të bëhet pa konstituimin e institucioneve të reja, Kuvendit dhe Qeverisë, të dala nga zgjedhjet e 11 qershorit. Qarkullimi i trenave në linjën e Pejës dhe atë të Hanit të Elezit është ndërprerë në fillim të muajit gusht për shkak të, siç thuhet, mungesës së mjeteve financiare. E vetmja linjë hekurudhore që është në operim, në transportin e udhëtarëve, mbetet ajo Prishtinë – Shkup dhe anasjelltas. Ministri në largim i Infrastrukturës, Hanefi Muharremi tha për Radion Evropa e Lirë se Qeveria e Kosovës nga subvencionet kishte ndarë mjete për hekurudhat e Kosovës, respektivisht ndërmarrjen "Trainkos", në vlerë prej 1.34 milion euro. "Qeveria i ka subvencionuar hekurudhat e Kosovë. Gjatë qershorit është menduar të bëhet rishikimi i buxhetit dhe në rishikim të shihen se sa mjete duhet të jepen për hekurudhat në mënyrë që të funksionojnë si duhet, por duke pasur parasysh gjendjen politike dhe mungesën e formimit të Qeverisë, edhe rishikimi i buxhetit nuk është bërë, andaj këto mjete nuk mund t'i mbulojë askush", thekson Muharremi. Për shkak të pamundësisë së rishikimit të buxhetit të shtetit, autoritetet e Kosovës patën bërë të ditur se janë përballur me vështirësi në kryerjen e shumë obligimeve. Sidoqoftë, bordi i drejtorëve dhe menaxhmentit i "Infrakos"-it (që merret me menaxhimin e hekurudhave), kanë kërkuar nga institucionet kompetente shtetërore pagesën e diferencës. Pagesa e kësaj diference, siç thonë përfaqësuesit e '"Infrakos"-it, është e përcaktuar me Ligjin mbi hekurudhat e Kosovës, ku në vit kap vlerën rreth 1.8 milion euro. Por, sipas zyrtarëve të "Infrakos"-it edhe përkundër kërkesave, nuk kanë marrë asnjëherë pagesën e duhur të paraparë me ligj. Vlora Jahaj, zyrtare për informim në "Infrakos", thotë se në mënyrë që të mundësohet funksionimi i ndërmarrjes dhe të mos krijohen probleme sociale me punonjësit, institucionet kompetente duhet të ndërmarrin veprime urgjente në mbulimin e obligimeve ligjore. "Bordi i drejtorëve dhe menaxhmenti konstatojnë se "Infrakos" ka shtjerrë të gjitha mundësit financiare që varen nga kjo kompani dhe nuk mund të bëjë asgjë në tejkalimin e situatës ekzistuese pa kryerjen e obligimeve ligjore nga Qeveria, siç parashihet me Ligjin mbi hekurudhat", thekson Jahaj. Sidoqoftë, ministri në largim i Infrastrukturës, Hanefi Muharremi konsideron se hekurudhat kanë mjete të funksionojnë deri në fund të muajit shtator. "Hekurudhat e Kosovës deri në fund të gushtit edhe në shtator i kanë mjetet që të jenë në funksion për arsye se i kanë edhe mbi 245 mijë euro në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik që ata i bëjnë pagesat për derivate dhe mund të punojnë, dhe shpresojë që deri në atë kohë të bëhet ndonjë zgjidhje dhe t'i dalim përballë kërkesave dhe ata të vazhdojnë punën", thekson ai. Infrastruktura hekurudhore në Kosovë vazhdon të përballet me një gjendje jo të mirë. Binarët, ndërtesat e stacioneve, stabilimentet sinjalizuese, pastaj operimet hekurudhore, lokomotivat, vagonët e udhëtarëve, që nga ekspertë të fushës janë konsideruar të vjetruara. Kosova tani më është përfshirë në projektet për modernizimin e hekurudhës, investime këto që hyjnë në pakon për investime të aprovuara në samitin e Ballkanit Perëndimor në gusht të vitit 2015 në Vjenë, në kuadër të agjendës më të gjerë të Bashkimit Evropian për promovimin e lidhjes në rajon dhe të lidhjes me BE-në.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Shefi i Pentagonit arrin papritur në Irak

Posted: 21 Aug 2017 11:29 PM PDT

Sekretari i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara, Jim Mattis, ka arritur në Irak, në një vizitë të papritur, dy ditë pasi forcat irakiane të mbështetura nga SHBA-ja, kanë nisur një sulm në Tal Afar, njërin nga vendet e fundit që kontrollohen nga militantët e grupit ekstremist, Shteti Islamik. Tal Afar, gjendet 80 kilometra nga Mosuli dhe rreth 150 kilometra nga kufiri me Sirinë. Forcat irakiane kanë nisur aksionin e tyre ushtarak për marrjen e kontrollit në këtë pjesë. Aksioni i irakianëve ka ardhur pasi ushtarët e këtij vendi kanë shënuar fitore në Mosul, gjatë një beteje nëntë mujore me militantët e Shtetit Islamik. Kjo ka qenë humbja më e madhe për grupin ekstremist sunit, Shteti Islamik, prej përhapjes së tij në veri të Irakut, gjatë verës së vitit 2014.  

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more