Skip to main content

“Putin i fal gratë e dënuara me burg për mesazhe tekstuale” plus 15 more Radio Evropa e Lirë

“Putin i fal gratë e dënuara me burg për mesazhe tekstuale” plus 15 more Radio Evropa e Lirë


Putin i fal gratë e dënuara me burg për mesazhe tekstuale

Posted: 29 Jul 2017 09:36 AM PDT

Presidenti rus, Vladimir Putin i ka falur dy gra, të cilat ishin dënuar për tradhti, pasi kishin dërguar mesazhe tekstuale disa personave në Gjeorgji rreth lëvizjes së ushtrisë ruse, në prag të fillimit të luftës së shkurtër mes Rusisë dhe Gjeorgjisë më 2008. Vendimet për falje të Putinit janë publikuar në faqen zyrtare të qeverisë ruse. Sipas dokumenteve, thuhet se Annik Kesyan dhe Marina Dzhandzhgava, nuk do ta përfundojnë dënimin. Të dy gratë u patën shpallur fajtore për tradhti, pasi kanë dërguar mesazhe tekstuale rreth lëvizjeve të ushtrisë ruse afër kufirit me Abkhazia, rajon i shkëputur nga Gjeorgjia, pak kohë pasi të niste lufta e shkurtër më 2008. Kesyan ishte dënuar me tetë vite burgim, derisa Dzhandzhgavas i ishte shqiptuar dënimi prej 12 vitesh burg. Gjatë muajit mars, Putin e ka falur gruan e tretë, Oksana Sevastidi, e cila ishte dënuar me shtatë vite burgim në vitin 2016, pasi edhe ajo kishte dërguar mesazhe tekstuale në vitin 2008, për një tren rus i cili ishte nisur për në Abkhazia, rajon i shkëputur nga Gjeorgjia. Interfax ka raportuar se të tri gratë ishin arrestuar në vitin 2013 në Rusi.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Sharif cakton vëllain e tij si kryeministër të ardhshëm të Pakistanit

Posted: 29 Jul 2017 08:24 AM PDT

Kryeministri i rrëzuar nga pushteti në Pakistan, Nawaz Sharif, e ka caktuar vëllain e tij Shehbaz, pasues të tij në këtë pozitë dhe ka nominuar ish ministrin e Naftës, Shahid Khaqan Abbasi, si kryeministër të përkohshëm. "Unë e mbështës Shahbaz Sharif pas meje në pozitën e kryeministrit, mirëpo derisa ai të merr kohën e tij për të konkuruar në zgjedhje, e nominoj për këtë pozitë Shahid Khaqan Abbasi", ka thënë Sharif në një fjalim para anëtarëve të partisë së tij, i cili është transmetuar në televizion. Dorëheqja e Nawaz Sharif nga pozita e kryeministrit, erdhi pasi vendimit të Gjykatës Supreme, e cila urdhëroi që Sharif të largohet nga ky post, rreth akuzave për korrupsion, pas shpërndarjes së të ashtuquajturave Letrat e Panamasë më 2016. Abbasi do të jetë në pozitën e kryeministrit përkohësisht, për të paktën 45 ditë, derisa Shehbaz Sharif, do të dorëhiqet nga pozita e udhëheqësit të Punjabit dhe të garojë në zgjedhjet e parakohshme. Shehbaz Sharif, 65 vjeçar, e ka udhëhqur Punjabin nga viti 2008.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

PDK thotë se është e gatshme për zgjedhjet lokale

Posted: 29 Jul 2017 07:51 AM PDT

Këshilli Drejtues i Partisë Demokratike të Kosovës, përmes një komunikate për media, ka bërë të ditur se po vazhdojnë përgatitjet për zgjedhjet lokale, të cilat do të mbahen më 22 tetor të këtij viti. Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka thënë se do vazhdojë takimet me çdo qytetar të Kosovës, për të bashkëbiseduar dhe ndërtuar së bashku programin qeverisës në komunat e Kosovës. "PDK është themeli i shtetësisë sonë, forca e ndryshimit të kombit shqiptar, me rezultate të pamatshme larg nga çdo parti tjetër ekzistuese, garancë sovraniteti, stabiliteti, partneriteti, tolerance dhe zhvillimi të këtij vendi", ka thënë Veseli. PDK ka thënë se do të ofrojnë program në pajtim me nevojat e qytetarëve. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka caktuar tanimë datën 22 tetor 2017, për mbajtjen e zgjedhjeve lokale. Zgjedhjet lokale do të mbahen në 38 komunat e Kosovës. Ato pritet të prodhojnë kryetarët e rinj të komunave dhe përbërjet e reja të asambleve komunale.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

PDK-së i kërkohet të tërheqë Kadri Veselin nga kandidimi për kryetar të Kuvendit

Posted: 29 Jul 2017 07:36 AM PDT

Kadri Veseli, nuk do të ketë përkrahjen e Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës me partitë partnere në koalicion, në rast se kandidon për postin e kryetarit të Kuvendit. Kryetari i deritashëm i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili është edhe kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, konsiderohet i papranueshëm për këtë post nga Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK-ja. Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit është e domosdoshme për vazhdimin e procedurave tjera të konstituimit të Kuvendit dhe për fillimin e fazës për formimin e Qeverisë së re. Në mënyrë që procesi i formimit të institucioneve të mos bllokohet, si zgjidhje, Vetëvendosje dhe LDK i ofrojnë koalicionit PAN, ku bëjnë pjesë Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma që të propozojnë një kandidat tjetër për kryetar të Kuvendit. Glauk Konjufca nga Lëvizja Vetëvendosje thotë se Kadri Veseli do të dështojë nëse kandidon, për mungesë të votave. "Lëvizja Vetëvendosje do të votojë kundër Kadri Veselit për kryetar të Kuvendit, por ne jemi të gatshëm që t'i shqyrtojmë edhe emrat tjerë të cilët do të mund të propozoheshin", thotë Konjufca. Në rast se zgjedhje e kryetarit të Kuvendit dështon, procedura mbetet aty deri në arritjen e ndonjë marrëveshje politike. Për zgjedhjen e tij, nevojitet shumica e thjeshtë prej 61 votave, por të cilat koalicioni PAN deri më tani nuk e ka dëshmuar se i ka. Analisti nga Instituti Demokratik i Kosovës, Albert Krasniqi thotë se kjo nyje, nëse krijohet, duhet të zgjidhet, ngase nuk mund të vazhdohet me procedura tjera. "Nëse ky kandidat nuk i merr votat e mjaftueshme, pra 61 e më shumë vota, atëherë nuk mund të procedohet më tutje, duhet që të ndërpritet seanca, të shihet nëse mund të arrihen kompromise mes subjekteve politike apo të provohet me një kandidat tjetër, i cili do të ishte më i pranueshëm për shumicën e deputetëve", sqaron Krasniqi. Partia Demokratike e Kosovës, si subjekti më i madh në kuadër të koalicionit PAN, thotë se nuk e caktuar ende kandidatin për kryetar të Kuvendit. Por, sipas nënkryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, ai mund të jetë pikërisht kryetari i partisë, Kadri Veseli. "Është e drejtë e opozitës që të thotë se e votojë ose nuk e votojë, por z.Veseli e ka mbështetjen e PDK-së dhe të partnerëve të koalicionit. Besoj që z.Veseli do ta thotë vet fjalën përfundimtare", ka thënë Hoxhaj. Përderisa për kryetarin e Kuvendit, Vetëvendosje dhe LDK thonë se mund të tregojnë fleksibilitet nëse nuk kandidon Veseli, ato e përjashtojnë mundësinë që ta përkrahin cilindo kandidat të këtij koalicioni për kryeministër. Deputetja e zgjedhur e LDK-së, Vjosa Osmani thotë se Qeverinë duhet ta formojnë Vetëvendosja dhe LDK-ja, pasi që koalicioni PAN, sipas saj, të dështojë në përpjekjen e parë. "Ka vullnet të mirë tek të dyja palët që të arrihet një marrëveshje për bashkëqeverisje, duke supozuar që koalicioni PAN do të dështojë t'i ketë numrat e nevojshëm për formimin e Qeverisë dhe ne besojmë që ata do të dështojnë dhe së dyti, kemi edhe një mision që na bashkon, pra që PDK-në ta lëmë në opozitë", ka thënë Osmani. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thirrur seancën konstituive të Kuvendit për datën 3 gusht. Aty, pritet që deputetët të betohen dhe të zgjedhin kryetarin dhe pesë nënkryetarët e këtij institucioni. Nga momenti i konstituimit të Kuvendit, pason periudha prej 15 ditëve për formimin e Qeverisë së re.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Garda Revolucionare e Iranit akuzon SHBA-në, për sulme afër anijeve të saj

Posted: 29 Jul 2017 06:16 AM PDT

Garda Revolucionare islamike e Iranit (IRGC), ka thënë se një avionmbajtëse detare amerikane, i'u është afruar anijeve të saj patrulluese në Gjirin Persik, duke nisur të shtëna zjarri. Kjo Gardë i ka cilësuar si "provokative" dhë "joprofesionale", lëvizjet e tilla. Sipas saj, ngjarja ka ndodhur në mbrëmjen e 28 korrikut duke shtuar se anijet detare të SHBA-së, pas janë larguar. Ende nuk ka ndonjë reagim nga SHBA-ja për këtë çështje. Javën e kaluar, një anije patrullimi e marinës amerikane e paralajmëroi me të shtëna një anije të kësaj Garde në pjesën veriore të Gjirit Persik, pasi e njëjta i'u afrua anijeve amerikane, ka thënë ushtria e SHBA-së. Komanda qendore e SHBA-së, ka thënë se të shtënat janë nisur nga luftanija USS më 25 korrik, pas tentimeve të dështuara për të komunikuar me anijen iraniane. Sipas tyre anija e Gardës Revolucionare të Iranit ka kryer "veprim të pasigurtë dhe joprofesional" në ujërat ndërkombëtarë.  

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Xhamia në Prishtinë, me arkitekturë moderne apo klasike osmane?

Posted: 29 Jul 2017 05:53 AM PDT

Arkitektura e xhamisë në lagjen "Dardania", në Prishtinë e cila pritet të ndërtohet, ka hasur në mospajtime të shumta të ekspertëve të fushës, përfaqësues të shoqërisë civile dhe asamblistët e Kuvendit Komunal të Prishtinës. Polemikat në debatet publike rreth kësaj xhamie, të bëra gjatë kësaj jave, asnjëherë nuk kanë vënë në pyetje nevojën e ndërtimit të xhamisë, por planin urbanistik dhe arkitekturën e xhamisë. Arkitektura e xhamisë, sipas arkitektit të Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), Esat Ramadani është arkitekturë klasike osmane. "Xhamia është arkitekturë klasike osmane, është modeli i kryeveprës së Mimar Sinanit, por që xhamia edhe pse është brenda një forme klasike, do të funksionojë si një objekt shumë modern", ka thënë Ramadani në prezantimin e projektit që kishte bërë ditë më parë para asamblistëve të Komunës së Prishtinës. Megjithatë, ekspertë të fushës konsiderojnë se gjatë procesit të përzgjedhjes së projektit të kësaj xhamie dhe përcaktimit të kushteve të ndërtimit, janë bërë gabime. Valdet Osmani nga Asociacioni i Arkitektëve të Kosovës, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se nëse procedurat për përzgjedhjen e projektit për xhaminë të ishin ndryshe, do të kishe pasur mundësi që të zgjidhej një projekt me arkitekturë tjetër dhe jo më këtë aktualen. Sipas tij, kjo xhami do të duhet të kishte arkitekturë moderne dhe t'i përshtatet edhe kohës kur ai objekt ndërtohet. "Po të ishte ndryshe e organizuar i gjithë ky proces, dhe Komuna e Prishtinës t'i përcaktonte kushte dhe kriteret se për çfarë objekti do të lëshohet leja, unë besoj që nëse do të përcaktoheshin këto kritere nga Komuna, do të kishte fituar një projekt më një xhami me arkitekturë moderne që do të përmbushte edhe kriterin financiare dhe do të ishte një objekt që edhe mund të mirëmbahet në të ardhmen më lehtë dhe me një kosto të përballueshme", thekson Osmani. Në mungesë të vendosjen së këtyre kritereve, shton Osmani, janë paraqitur edhe këto kundërthënie rreth projektit dhe projekti është zvarritur me vite. Gurëthemeli për ndërtimin e kësaj xhamie, si një nga objektet më të mëdha fetare të besimit islam në Kosovë, ishte vënë në tetor të vitit 2012. Kryetari i Shoqatës së Ndërtimtarëve të Kosovës, Brahim Selimaj, zvarritjet për projektin e ndërtimit të xhamisë qendrore në Prishtinë, i konsideron të paarsyeshme. Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se duhet të gjendet një konsensus dhe të gjitha këto probleme të tejkalohen, pasi që sipas tij, projekti për ndërtimin e xhamisë është i nevojshëm dhe duhet të finalizohet. "Sa i përket përmasave, llojit dhe vendit të xhamisë duhet të diskutohen. Unë mendoj që këto vite që kanë kaluar, janë vite të humbura të cilat nuk kanë nevojë të zvarriten, projekti duhet të bëhet konform planeve dhe ligjeve urbanistike. Është gabim i madh që çështja e xhamisë është zvarritur kaq shumë. Duhet të gjejmë një mundësi të përshtatshme, qoftë nga projekti, qoftë lokacioni dhe ajo xhami të fillojë të ndërtohet", thekson Brahimaj. Brahimaj kërkon nga autoritetet kompetente që projekti i xhamisë të marrë vlerësimin e ekspertëve të fushës dhe të fillojë ndërtimi. Arkitektura e projekti të xhamisë është kundërshtuar edhe nga një grup qytetarësh përmes rrjeteve sociale. Lokacioni ku pritet të ndërtohet xhamia, po ashtu nga asamblistët e Kuvendit komunal ishte konsideruar të jetë ndarë në vend të gabuar dhe hapësirë e pamjaftueshme për një objekt të tillë. Por, për arkitektin Valdet Osmani, hapësira dhe vendi plotëson kushtet për projektin aktual të xhamisë. "Objektet fetare në çdo vend të botës ndodhen në lokacione të ndryshme. Nëse xhamia do të kishte edhe infrastrukturë përcjellëse, si fakultete apo konvikte për studentët, atëherë do të duhej të ndërtohej diku në periferi, ku edhe mundësitë për hapësirë janë më të mëdha. Por, në rastin e xhamisë në Prishtinë ajo është vetëm qendrore dhe nuk do të ketë këto objekte përcjellëse, kështu që lokacioni dhe parcela plotëson kriteret dhe kushtet", thekson Osmani. Për ndërtimin e xhamisë në kryeqytet ishin paraqitur 81 projekte. Ndërtimi i xhamisë do të financohet dhe do të ndërtohet nga Bashkësia Islame Turke, me një kosto të përgjithshme prej rreth 40 milionë euro. Në kuadër të projektit, pranë xhamisë, parashihet edhe ndërtimi i oborrit, parkingje, salla për konferenca, bibliotekë, zyre administrative, dy dhoma gjumi, laboratorë si dhe dyqane.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

BE nis veprim ligjor kundër reformave të drejtësisë në Poloni

Posted: 29 Jul 2017 05:21 AM PDT

Bashkimi Evropian ka nisur një veprim ligjor kundër qeverisë së Polonisë rreth ligjit të ri kontravers, i cili mund të minojë pavarësinë e gjykatave në këtë vend. Sipas BE-së, një ligj i tillë i mundëson partisë në pushtet, Ligji dhe Drejtësia të ketë më shumë ndikim në gjykata. Komisioni ka thënë sot, përmes një deklaratë se i ka dërguar Varshavës një njoftim zyrtar pas publikimit të ligjit në Poloni. BE-ja ka nisur çështjen e këtij ligji pasi në të gjenden mosha të ndryshme të penisionimit për gjyqtaret femra kundrejt  gjyqtarëve meshkuj, gjë e cila përbën shkelje të ligjeve antidiskriminuese në BE. "Ligji i ri i lejon ministrit të Drejtësisë të ketë ndikim mbi gjyqtarë në baza individuale, dhe janë të paqarta kriteret e zgjatjes së mandatit të tyre" ka thënë Komisioni Evropian përmes një deklarate. Në këtë deklaratë thuhet se qeveria e krahut të djathtë ka një muaj kohë të përgjigjet ndaj shqetësimeve të Komisionit. Nënkryetari i Komisionit, Frans Timmermans, i ka dërguar një letër ministrit të Jashtëm të Polonisë, më 28 korrik, duke i përsëritur ftesën atij dhe ministrit të Drejtësisë për t'u takuar në Bruksel, në mënyrë që të rifillojnë bisedimet.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Sulmuesi i Hamburgut është njohur si islamist

Posted: 29 Jul 2017 04:04 AM PDT

Një person ka vdekur dhe  gjashtë të tjerë janë lënduar, pas sulmit me thikë të 28 korrikut, në një market në Hamburg, ka thënë policia gjermane. Një dëshmitar ka thënë se sulmuesi, një migrant 26 vjeçar, ka thirrur me zë të lartë "Zoti është një", përpara se të ndalohej nga kalimtarët dhe të arrestohej. Gazeta nga Berlini, Der Tagesspiegel, ka thënë se sulmuesi është i njohur për policinë si islamist. Agjencia e lajmeve, dpa, ka raportuar se autoritetet e sigurisë janë duke hetuar të dhëna sipas të cilave ka mundësi që sulmuesi të ketë lidhje salafiste. Ministri i Brendshëm i Hamburgut, Andy Grote, ka konfirmuar se i dyshuari ka qenë i njohur për autoritetet si "islamist". "Ai ka qenë i njohur si islamist por jo si xhihadist", ka thënë Grote. Ai ka shtuar se ka mundësi që sulmi mund të ketë pasur motive islamiste, mirëpo nuk e ka hedhur poshtë mundësinë që autori të përballet me probleme psikologjike. Majori i Hamburgut, Olaf Scholz, u ka thënë gazetarëve se gjatë hetimeve kanë kuptuar se autori i krimit ka qenë kërkues i azilit, mirëpo nuk është dëbuar pasi nuk ka pasur dokumente identifikimi. Viktima e këtij sulmi është një 50 vjeçar, që besohet të ketë qenë qytetar me shtetësi gjermane. Të lënduarit e tjerë janë duke u trajtuar në spital, disa prej tyre me lëndime serioze, ka thënë policia.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Irani nuk ua vë veshin sanksioneve të SHBA-së

Posted: 29 Jul 2017 03:48 AM PDT

Irani i ka dënuar sanksionet e reja të miratuara nga Kongresi në SHBA, për programin e tij të raketave, mirëpo ka premtuar se do ta vazhdojë atë. "Ne do të vazhdojmë me fuqi të plotë programin tonë të raketave", është cituar të ketë thënë zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Bahram Ghasemi për një televizion të kontrolluar nga shteti. "E dënojmë këtë veprim armiqësor dhe të papranueshëm", ka thënë ai për sanksionet. Ghasemi ka thënë se Teherani i konsideron masat e SHBA-së si "armiqësore, të dënueshme dhe të papranueshme", duke shtuar se "këto janë përpjekje për të dobësuar marrëveshjen bërthamore". Sipas marrëveshjes së vitit 2015 të SHBA-së dhe fuqive të tjera botërore, Irani duhet të limitojë aktivitetet bërthamore në këmbim të lehtësimit të sanksioneve. Irani konsideron se testimi i raketave nuk e shkel marrëveshjen, pasi aksione të tilla po bëhen për qëllime të vetëmbrojtjes. "Ushtria dhe fusha bërthamore janë çështje të politikës sonë të brendshme, dhe të tjerët nuk kanë të drejtë të ndërhyjnë apo të komentojnë rreth tyre", ka shtuar Ghasemi. Legjislacioni i sanksioneve, i cili përfshin edhe Rusinë dhe Korenë Veriore, është miratuar nga Senati i SHBA-së. Legjislacioni ri parasheh dënime të detyrueshme për njerëzit që janë të përfshirë në programin e raketave balistike të Iranit, dhe për secilin që bashkëpunon në këtë drejtim. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Huckabee Sanders, ka thënë se presidenti amerikan Donald Trump do ta nënshkruajë legjislacionin për t'i kthyer sanksionet në ligj. Ndaras prej këtij vendimi, Departamenti i Thesarit në SHBA, i ka vënë sanksione kompanisë industriale iraniane, Shahid Hemmat (SHIG), e cila konsiderohet si "qendra" e Teheranit për programin e raketave balistike. Ky vendim erdhi si përgjigje të atyre që Thesari i ka konsideruar si "vepra të vazhdueshme provokative" nga ana e Iranit. "Qeveria e SHBA-së do të vazhdojë të kundërshtojë aktivitetin e raketave balistike të Iranit", ka thënë Sekretari i Thesarit, Steven Mnuchin. Mnuchin ka thënë se sanksionet "theksojnë shqetësimet e thella të SHBA-së rreth zhvillimeve në Iran, sa i përket raketave balistike dhe sjelljeve të tjera provokative". Më 28 korrik, Britani e Madhe, Franca dhe Gjermania i janë bashkuar SHBA-së, për të dënuar lansimin e një rakete nga Irani me kapacitet të bartjes së një sateliti dhe kanë paralajmëruar se një veprim i tillë është në kundërshtim me rezolutën e OKB-së, dhe shkel marrëveshjen bërthamore të vitit 2015. Përmes një deklarate të përbashkët, ata i kanë bërë thirrje Iranit të ndalojë zhvillimin e raketave që kanë kapacitet të bartin koka bërthamore dhe kanë "ndikim destabilizues në rajon". Përgatiti: Krenare Cubolli

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Soyuz dërgon astronautët në Stacionin Ndërkombëtar të Gjithësisë

Posted: 29 Jul 2017 03:17 AM PDT

Anije kozmike Soyuz, është nisur nga baza ajrore Bajkonuar e Kazakistanit, drejt një misioni pesë mujor në Stacionin Ndërkombëtar të Gjithësisë. Në këtë anije gjenden astronauti nga NASA, Randy Bresnik, astronauti rus, Sergei Ryazansky dhe Paolo Nespoli nga Agjencia Evropiane e Hapësirës. Disa orë më vonë anija ka arritur në Stacionin Ndërkombëtar të Gjithësisë. Të tre astronautët u janë bashkuar një ekipi prej tre personash që tashmë gjenden në këtë stacion. Për 42 vjeçarin, Ryazansky, ky është misioni i tretë në Stacionin Ndërkombëtar të Gjithësisë. Laboratori hapësior i këtij stacioni kap shifrën e 100 miliardë dollarëve.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Në Pakistan diskutohet për kryeministrin e ri

Posted: 29 Jul 2017 02:18 AM PDT

Në Pakistan, anëtarët e partisë në pushtet, kanë mbajtur një takim për të vendosur se kush do të jetë kryeministri i ardhshëm i vendit, pas dorëheqjes së Nawaz Sharif që mbante këtë pozitë. Vëllau i Sharifit, Shehbaz, që aktualisht drejton provincën e Punjabit, është konkurrent i fortë për postin e kryeministrit. Këto takime po mbahen pas dorëheqjes së Sharifit, i cili mori këtë vendim pasi Gjykata Supreme udhëroi largimin e tij nga zyra. Kjo gjykatë mori këtë vendim duke akuzuar ish kryeministrin për korrupsion pas shpërndarjes së të ashtuquajtuarave Letrat e Panamasë më 2016. Sharif i ka mohuar akuzat. Shumë njerëz kanë dalur në rrugët e Islamabadit për të festur vendimin e Gjykatës Supreme, derisa lideri opozitar, Imran Khan, i cili e ka udhëhequr fushatën kundër Sharifit e ka cilësuar vendimin si "fitore të madhe" për Pakistanin. Mirëpo në bazën e fuqisë së Sharifit, në Lahore, provincë e Punjabit, kanë shpërthyer protestat në mbështetje të kryeministrit duke bllokuar rrugët dhe duke thirrur " Nuk do ta pranojmë këtë vendim". Geo TV, ka raportuar se Sharif e ka propozuar vëllaun e tij në postin e kryeministrit gjatë një takimi që është mbajtur me zyrtarë të lartë të partisë, pas vendimit të Gjykatës Supreme. Shehbaz Sharif, 65 vjeçar udhëheq Punjabin nga vitit 2008. Mediat pakistaneze kanë raportuar se Shehbaz e ka prezantuar vendin e tij në disa forume ndërkombëtare, duke përfshirë edhe OKB-në.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Kim Jong Un: Raketat e Koresë V. mund të përfshijnë tërë SHBA-në

Posted: 29 Jul 2017 01:38 AM PDT

Lideri i Koresë Veriore, Kim Jong Un, ka thënë se raketat balistike interkontinentale të vendit të tij kanë kapacitet të përfshijnë tërë territorin e SHBA-së. Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka premtuar se "do të marrë gjithë hapat e nevojshëm" për të mbrojtur vendin e tij. Deklarata e Kim Jong Unit, e cila është transmetuar nga agjencia shtetërore e lajmeve në Korenë Veriore, erdhi vetëm një ditë, pasi Penjani lansoi për testim raketen e dytë balistike interkontinentale (ICBM). Sipas zyrtarëve raketa ishte më e avancuar dhe fluturoi më shumë se sa raketa e parë. Sipas ekspertëve, një raketë e tillë mund të arrijë deri në Los Angjelos dhe Çikago. Në deklaratë po ashtu thuhet se testi "është kryer me shumë sukses" dhe ka përmbushur objektivin, që Koreja Veriore të ketë kapacitet të sulmojë SHBA-në me koka bërthamore. Trump e ka cilësuar këtë testim si "të pamatur dhe të rrezikshëm", dhe ka paralajmëruar Penjanin se ambiciet e këtij vendi do të dështojnë. "Duke kërcënuar botën, këto testime të armëve e izolojnë Korenë Veriore dhe dobësojnë ekonominë e saj", ka thënë Trump. "Shtetet e Bashkuara do të marrin të gjithë hapat e nevojshëm për të rujtur sigurinë e Amerikës dhe të aleatëve tanë në rajon", ka shtuar tutje ai. Zëdhënësi i qeverisë japoneze, Yoshihide Suga, ka thënë se raketa e Koresë Veriore ka fluturuar 45 minuta, rreth 5 minuta më shumë se testimi i mërparshëm i një rakete të tillë. Ushtria e Koresë Jugore ka thënë se raketa ka arritur lartësi prej 3,700 kilometrash përpara se të arrinte në det.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Maqedoni: Partitë politike të gatshme për zgjedhjet lokale

Posted: 29 Jul 2017 01:15 AM PDT

Partitë politike në Maqedoni tashmë kanë intensifikuar aktivitet partiake në terren dhe thonë janë të gatshme të futen në garë zgjedhore. Siç ka paralajmëruar kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, zgjedhjet lokale duhet të mbahen në tetor. Por, njohësit e çështjeve politike thonë se vendimtare për të siguruar fitore do të jetë kualiteti i kandidatëve për kryetar komune, me të cilët do të garojnë në zgjedhje si dhe anëtarët e këshillave komunalë. Mitko Gaxhovski nga Fakulteti i shkencave politike në Shkup për Radion Evropa e Lirë, konsideron se pushteti vendor përfundimisht duhet të reflektojë dhe të jetë në shërbim të qytetarëve. Gaxhovski thotë se kësaj radhe më shumë do të votohet për personalitetin që do të garojnë për të fituar besimin e qytetarëve që të drejtojë një komunë të caktuar sesa partinë, sepse qytetarët tanimë saktë e dinë se kush ka kapacitet për tu mundësuar një jetë më kualitative. "Komunat do të duhet të udhëhiqen përfundimisht nga figura të cilët do të duhet të garojnë me projekte konkrete për zgjidhjen e më shumë problemeve me të cilat përballen qytetarët, dhe jo atyre tu ofrohen ide që ne e quajmë 'politikë e madhe', duke ua lënë timonin e menaxhimit të komunës autoriteteve të pushtetit qendror ose edhe më keq, autoriteteve nga partia prej ku vjen kryetari i komunës përkatëse", thotë Gaxhovski. Por, njohësi i çështjeve politike, Selim Ibrahimi për Radion Evropa e Lirë thotë se partitë politike kësaj radhe do të duhet t'i kushtojnë shumë kujdes edhe listës së kandidatëve për këshilltarë komunalë, me të cilën do të garojnë në zgjedhje sepse gara mes partive do të jetë shumë e ngushtë. Selimi thotë se ka kohë të mjaftueshme që të pësojë ndryshime Kodi Zgjedhor, nëse partitë politike janë të sinqerta në deklarimet e tyre se janë pro aplikimit të modelit të listave të hapura që prej zgjedhjeve lokale, sepse në këtë mënyrë thekson ai, rritet cilësia e përfaqësuesve komunalë. "Mendoj se me listat e hapura do të rritej në masë të madhe përgjegjësia e përfaqësuesve komunalë, dhe njëherësh do të kthehej besimi i qytetarëve ndaj të zgjedhurve për të cilët janë përcaktuar". "Është çështje e konsensusit që partitë politike duhet të arrijnë rreth ndryshimeve të Kodit Zgjedhor. Është e paqartë se në këtë fazë të arrijnë marrëveshje për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, dhe në zgjedhjet lokale të tetorit qytetarët të mund të kenë një votim të drejtpërdrejtë për ata që mendojnë se do t'i përfaqësojnë në pushtetin vendor", thotë Selimi. Faktori ndërkombëtar, sa i përket organizimit të zgjedhjeve, në vazhdimësi ka njoftuar për një varg parregullsish, sa i përket mungesës së ndarjes së pushtetit nga partia, lirisë së mediave si dhe përdorimit të administratës si një makineri votuese për partitë në pushtet. Ndërkohë, zëvendëskryeministri për çështje të integrimeve Bujar Osmani ka theksuar se zgjedhjet lokale, të cilat pritet të mbahen në vjeshtë, paraqesin një nga shtyllat kryesore të planit qeveritar të njohur si plani 3-6-9, që në esencë synon t'i japë shtytje procesit integrues . Osmani ka theksuar se Qeveria e Maqedonisë përmes rregulloreve adekuate do të bëj distancim të qartë mes shtetit dhe partisë, për të parandaluar të gjitha keqpërdorimet që ishin detektuar në proceset e kaluara zgjedhore, si pika nevralgjike dhe nga faktori ndërkombëtar, sa i përket zhvillimit të zgjedhjeve sipas standardeve të vendeve të zhvilluara demokratike. "Zgjedhjet e ardhshme lokale do të reflektojnë më së miri pjesën e 3 të planit të Qeverisë", ka theksuar Osmani duke nënvizuar se do të ndërmerren 11 reforma që do të jetësohen para zgjedhjeve lokale, ku mes tjerash do të përditësohet lista zgjedhore nga ana e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, si dhe në Ministrinë e Punëve të Brendshme do të punësohet kuadër i ri. Qeveria e re Maqedonisë është zotuar se do të parandalojë shfrytëzimin e resurseve shtetërore në fushatën zgjedhore, si dhe do të angazhohet të parandalojë çfarëdo lloj presioni që mund tu bëhet të punësuarve në administratë. Ndryshe, kryetari i Kuvendit të Maqedonisë Talat Xhaferi, gjatë kësaj jave tha se nëse gjërat rrjedhin sipas dinamikës së paraparë, ai deri në 6 tetor do të shpallë mbajtjen e zgjedhjeve lokale për tu realizuar ato më 15 tetor.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Trump do ta nënshkruajë legjislacionin për sanksione ndaj Rusisë

Posted: 29 Jul 2017 12:59 AM PDT

Shtëpia e Bardhë, ka njoftuar se presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump ka vendosur të nënshkruajë legjislacionin e miratuar nga Kongresi, i cili parasheh forcimin e sanksioneve ndaj Rusisë, rreth dyshimeve për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së më 2016. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Huckabee Sanders, ka thënë se Trump ka qenë i përfshirë në negociata të "elementeve kritike" gjatë hartimit të projektligjit, diçka që nuk ishte bërë e ditur më parë. "Ai tani ka rishikuar versionin final dhe bazuar në reagimin e tij gjatë negociatave, do ta miratojë legjislacionin dhe planifikon ta nënshkruajë atë", ka thënë Sanders. Njoftimi i Shtëpisë së Bardhë erdhi pasi Rusia bëri të ditur masa hakmarrëse, si përgjigje ndaj legjislacionit, duke udhëruar zvogëlim të stafit diplomatik amerikan, si dhe konfiskimin e pronave diplomatike të SHBA-s në Rusi. Ministri i Jahtëm i Rusisë, Sergei Lavov, i ka thënë homologut të tij në SHBA, se Moska është e gatshme të rregullojë marrëdhëniet në mes të dy vendeve, e cila ka qenë edhe një prej objektivave të Trumpit gjatë fushtatës së tij presidenciale. Ky legjislacion i fuqizon në ligj, sanksionet ekzistuese të SHBA-së ndaj Rusisë për dyshimet rreth përfshirjes ruse në zgjedhjet amerikane të vitit të kaluar. Legjislacioni përfshin sanksione edhe për agresionin rus në Ukrainë, dhe shton masa të reja ndëshkuese duke i ndaluar ushtrisë ruse intervenimin në Siri. Përveç Rusisë ky legjislacion parasheh sanksione të rënda edhe për Iranin dhe Korenë Veriore.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

SHBA vazhdon sanksionet, pas lansimit të raketave nga Irani

Posted: 28 Jul 2017 11:08 AM PDT

Departamenti i Thesarit në SHBA ka thënë se i ka vënë sanksione një kompanie iraniane e cila konsderohet si "qendra" e Teheranit për programin e raketave balistike. Ky vendim erdhi si përgjigje të atyre që Thesari i ka konsideron si " vepra të vazhdueshme provokative" nga ana e Iranit. Zyra e Thesarit për Kontrollin e Aseteve të Huaja (OFAC), ka thënë se sanksionet i janë vënë kompanisë industriale, Shahid Hemmat (SHIG), e cila është "përgjegjëse për zhvillimin dhe prodhimin e pjesëve të raketave balistike". "Qeveria e SHBA-së do të vazhdojë të kundërshtojë aktivitetin e raketave balistike të Iranit", ka thënë sekretari i Thesarit, Steven Mnuchin. Mnuchin ka thënë se sanksionet "theksojnë shqetësimet e thella të SHBA-së rreth zhvillimeve në Iran sa i përket raketave balistike dhe sjelljeve të tjera provokative". Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit të SHBA-së, Heather Nauert ka thënë se "ky akt provokativ  e shkel  shpirtin e marrëveshjes së vitit 2015, që Teherani ka me fuqitë botërore". Marrëveshja e vitit 2015, parasheh kufizime mbi programin bërthamor të Iranit, në këmbim të lehtësimit të sanksioneve. Irani vazhdon të deklarojë se raketat e tilla i duhen për vetëmbrojtje dhe nuk kanë qëllim bartjen e kokave bërthamore. Irani ka deklaruar se që nga marrëveshja e vitit 2015, ky vend nuk është duke punuar në zhvillimin e armëve të tilla.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Turqia liron shtatë pjesëtarë të gazetës opozitare Cumhuriyet

Posted: 28 Jul 2017 10:31 AM PDT

Një gjykatë në Stamboll ka liruar shtatë pjesëtarë të gazetës opozitare Cumhuriyet, të cilët janë në pritje të vendimit përfundimtar të gjykatës. Mirëpo kjo gjykatë ka vendosur që pesë punëtorët e tjerë të kësaj gazete, e cila kundërshton fuqishëm presidentin Recep Tayyip Erdogan, të mbesin në burg deri në fund të gjykimit. Në mesin e të burgosurve ka mbetur kryeredaktori i gazetës dhe një kolumnist. Gjykimi po vazhdon për 17 të pandehurit, të cilët akuzohen për bashkëpunim me organizata terroriste. Këto arrestime kanë ngritur shqetësimet e organizatave për të drejtat e njeriut, sa i përket lirisë së shprehjes dhe pavarësisë së gjyqësorit në Turqi. Që prej tentimeve të dështuara për grushtshtet në korrikun e vitit të kaluar, në Turqi janë arrestuar më shumë se 50,000 persona.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more