Skip to main content

“Ndihmësit kryesorë të Trumpit kanë biseduar me hetuesit për lidhjet ruse” plus 19 more Radio Evropa e Lirë

“Ndihmësit kryesorë të Trumpit kanë biseduar me hetuesit për lidhjet ruse” plus 19 more Radio Evropa e Lirë


Ndihmësit kryesorë të Trumpit kanë biseduar me hetuesit për lidhjet ruse

Posted: 25 Jul 2017 10:01 AM PDT

Dy anëtarë kryesorë të fushatës presidenciale të Donald Trumpit, janë takuar sot me hetuesit e Kongresit, që po e shqyrtojnë ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet e vitit 2016 dhe marrëveshjen e fshehtë të mundshme të Moskës me ndihmësit e Trumpit. Jared Kushner, dhëndër dhe këshilltar i presidentit amerikan, Donald Trump, është kthyer në Kapitoll Hill, për të dytën ditë të takimeve private, por kësaj radhe me bisedime me dyer të mbyllura me ligjvënësit në Komitetin e Inteligjencës së Dhomës Përfaqësuese të Kongresit të Shteteve të Bashkuara. Ndaras, Paul Manafort, ish-shef i fushatës së zotit Trump, është takuar me personelin dypartiak të Komitetit të Inteligjencës së Senatit dhe "është përgjigjur plotësisht në pyetjet e tyre", ka thënë zëdhënësi i tij, Jason Maloni. Një person i afërt me hetime, i ka thënë agjencisë Associated Press, se Manafort në këtë komitet i ka paraqitur shënimet ekzistuese nga takimi në ndërtesën Trump Tower, vitin e kaluar, që është në fokus tëhetimeve të Kongresit. Manafort dhe Kushner janë ballahaquar me hetime për pjesëmarrje në këtë takim, pasi ai ishte përshkruar në emailat dërguar Donald Trump të riut, djalit të presidentit Trump, në kuadër të përpjekjeve të qeverisë ruse për ta ndihmuar fushatën presidenciale të Donald Trumpit. Zoti Kushner dje u është përgjigjur pyetjeve të stafit në një panel të inteligjencës së Senatit. Ai ka pranuar se i ka pasur katër takime me rusët gjatë dhe pas fushatës presidenciale të Trumpit, por ka insistuar se ai nuk ka pasur "asgjë për të fshehur", duke thënë se "të gjitha aksionet e mia ishin të rregullta".

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

SHBA: Të shtëna alarmi kah anija iraniane në Gjirin Persik

Posted: 25 Jul 2017 08:46 AM PDT

Një zyrtar i mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara ka thënë se një anije patrulluese e Marinës amerikane sot ka shkrepur të shtëna alarmi kah një anije e Marinës së Iranit në pjesën veriore të Gjirit Persik, pasi anija iraniane ishte afruar në 140 metra nga anija amerikane. Ky zyrtar tha se luftanija amerikane, USS Thunderbolt, ka ndërmarrë të shtëna alarmi, pasi përpjekjet për komunikim nëpërmjet radios ishin injoruar nga anija iraniane. Mëtutje, ky zyrtar amerikan tha se anija e Gardës Revolucionare të Iranit, po ashtu, i ka injoruar edhe sinjalet e dritës nga USS Thunderbolt. "Është jashtë normës" nga një anije ushtarake e Iranit që "të afrohet në atë shkallë të shpejtësisës", tha zyrtari amerikan dhe ka shtuar se luftanija amerikane "është dashur të veproj për sigurinë e ekuipazhit". Përfundimisht, luftanija iraniane ishte larguar pas të shtënave të alarmit. Luftanija USS Thunderbolt, që është anije e kategorisë patrulluese, ka marrë pjesë në një ushtrim dhe stërvitje me municion të vërtetë në Gji, gjatë javës së kaluar, së bashku me anijet e tjera të Marinës së Shteteve të Bashkuara dhe luftanijet e shteteve të Gjirit Persik, që janë aleatë amerikanë.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

SHBA: Gjyqtari e ka ndalur dëbimin e irakianëve

Posted: 25 Jul 2017 08:13 AM PDT

Një gjyqtar federal në Miçigen të Shteteve të Bashkuara e ka ndalur për kohë të pacaktuar dëbimin e më se 1,400 shtetasve të Irakut, që ishin paraburgosur gjatë fushatës kundër imigrantëve në gjithë Shtetet e Bashkuara, gjatë muajit të kaluar. Gjyqtari Mark Goldsmith, dje e ka marrë këtë vendim preliminar, pas kërkesës së Bashkësisë Amerikane të Lirive Civile, për këta irakianë, shumica prej të cilëve ishin të krishterë. Kjo bashkësi ka pretenduar se imigrantët do të ballafaqoheshin me persekutim në Irak për shkak se ata konsiderohen minoritete etnike dhe religjioze në këtë vend, që është i përfshirë nga konflikti. Ky urdhër gjyqësor do të lejoj që irakianët të mbesin në Shtetet e Bashkuara, deri në arritjen e një vendimi përfundimtar gjyqësor. Afro 230 prej këtyre irakianëve po mbahen në paraburgim, ndërsa 1,200 të tjerë janë të lirë.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Rusi: Policia i ka shpërndarë protestuesit në mbështetje të Navalnyt

Posted: 25 Jul 2017 08:04 AM PDT

Policia e Rusisë i ka shpërndarë sot protestuesit në qytetin siberian, Kemerovo, që ishin mbledhur për ta mbështetur politikanin opozitar, Aleksei Navalny, i cili tashmë po zhvillon fushatë intensive për zgjedhjet presidenciale të Rusisë, vitin e ardhshëm. Policia për një kohë të shkurtër i ka arrestuar disa aktivistë dhe e ka shkatërruar një kiosk të fushatës, ku jepeshin posterë dhe flamuj kombëtarë të Rusisë. Aktivistët thanë se ata kishin kërkuar leje për mbajten e tubimit, por meqë nuk kishin marrë pëgjigje nga autoritetet lokale, ata konsideronin se kishin të drejtë të mbanin tubim. Më 12 korrik në qytetin tjetër të Siberisë, Krasnojarks, policia i konfiskoi kompjuterët e selisë lokale të fushatës së Navanyt, duke thënë se shefi i fushatës kombëtare të tij, Leonid Volkov, ishte i dyshuar për shkelje të të drejtave të autorit dhe për krjim të virusit kompjuterik. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Volker: SHBA po e shqyrton dërgimin e armëve në Ukrainë

Posted: 25 Jul 2017 07:52 AM PDT

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për konfliktin në Ukrainë, Kurt Volker ka thënë se Shtëpia e Bardhë po e shqyrton mundësinë për të dërguar "armë mbrojtëse" në Ukrainë. Ai ka thënë se një lëvizje e tillë do t'i mundësonte Ukrainës që ta mbrojë veten, "nëse Rusia do të ndërmerrte hapa të mëtejshëm ndaj territorit ukrainas".

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Kuvendi thirret në seancën konstituive pa u qartësuar shumica parlamentare 

Posted: 25 Jul 2017 07:27 AM PDT

Me shumë paqartësi rreth krijimit të shumicës parlamentare, përbërja e re e Kuvendit të Kosovës pritet të mblidhet në seancën konstituive më 3 gusht. Kryesia e Kuvendit të Kosovës tashmë të shpërndarë, ka mbajtur mbledhjen me përfaqësuesit e subjekteve politike parlamentare. Pas mbledhjes, kryetari i përbërjes së kaluar të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka thënë se që nga data 26 korrik do të nis regjistrimi i deputetëve të përbërjes së re të Kuvendit, "Shpresoj që kjo legjislaturë e re, e gjashta - përgëzoj të gjithë deputetët e zgjedhur - do të jetë shumë më efikase sesa ajo që e kemi pasur në legjislaturën e pestë. Do ta shfrytëzoja edhe këtë moment, që të them se gjatë atyre tri ditëve, 26, 27 dhe 28 (korrik) të regjistrohen të gjithë deputetët e legjislaturës së gjashtë, për arsye se është procedurë standarde, e cila duhet të përfundojë". Veseli ka theksuar se më 3 gusht do të mbahet seanca e konstituive e Kuvendit të Kosovës, ku pritet të zgjidhet edhe kryetari i Kuvendit. "Më datën 3 gusht do të kemi seancën konstituive të Kuvendit. Në të njëjtën kohë do të kemi edhe hapat, të ndërmerren edhe për kandidaturën, propozimet për kandidat për kryetar të Kuvendit, i cili domosdo edhe në bazë të Kushtetutës, do të jetë nga Partia Demokratike e Kosovës, përkatësisht nga koalicioni PAN. Në të njëjtën kohë do të procedojmë. Për vendimmarrjen do t'ju njoftojmë". Por, Aida Dërguti nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës ka mundur të bëhet më herët se sa më 3 gusht dhe sipas saj, panevojshëm është humbur kohë. Sipas saj, më 3 gusht do të shihet nëse koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën, i njohur si koalicioni PAN, i ka numrat për formimin e Qeverisë së re. "Tashmë po bëhen gati 2 muaj nga dita e zgjedhjeve dhe në vend se të mbahet mbledhja konstituive, gjatë kësaj periudhe PAN-i është marrë me spekulime se i kanë numrat. Prandaj, 3 gushti do të jetë dita kur do ta kenë mundësinë që të na e dëshmojnë nëse i kanë numrat apo jo". Dërguti gjithashtu ka lënë të kuptohet se Lëvizja Vetëvendosje nuk do ta votojë kryetarin e ri të Kuvendit të Kosovës, të cilin do ta propozojë koalicioni PAN. "Nuk do të duhej të ishte befasi, sepse ne as herën e kaluar nuk e kemi votuar kryetarin e Kuvendit. Nuk do të duhej të ishte kjo pyetje për Vetëvendosjen se çfarë do të veprojë për votimin e kryetarit, sepse ne as herën e kaluar nuk e kemi votuar Kadri Veselin". Konstituimi i Kuvendit të Kosovës, do të hapë rrugën që Presidenti i vendit t'i jap mandatin njërit prej kandidatëve të propozuar për kryeministër, që ta krijojë Qeverinë e re dhe në këtë rast, në bazë të rezultateve të zgjedhjeve të 11 qershorit, kandidatit të koalicionit PAN-it, Ramush Haradinaj.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Gjykata Evropiane: Rusia do t'i paguajë kompensim të dënuarit për vrasjen e Nemtsovit

Posted: 25 Jul 2017 07:25 AM PDT

Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut ka urdhëruar Rusinë t'i paguajë Temirlan Eskerkhanovit, 6000 euro kompensim, i cili është njëri nga burrat e dënuar në rastin e vrasjes së ish politikanit opozitar rus, Boris Nemtsov. Gjykata vendosi që Moska të paguajë këtë shumë në kompensim për Eskerkhanov, i cili është ankuar për kushtet e arrestimit të tij në paraburgim, kushtet në qelinë e mjetit ku është transportuar dhe për mungesë të një shqyrtimi të shpejtë të arsyeve të paraburgimit të tij. Gjykata Evropiane nuk i ka pranuar ankesat që kanë bërë vëllezërit, Anzor dhe Shadid Gubashevs, që po ashtu janë të dënuar për vrasjen e Nemtsovit. Boris Nemtsov, ish reformist, është njohur si kritikues i presidentit rus, Vladimir Putin, dhe liderit çeçen që mbështetet nga Kremlini, Ramzan Kadyrov. Nemtsov është vrarë në Kremlin, në vitin 2015. Një gjykatë ruse i ka dënuar Eskerkhanov, vëllezërit Gubashev dhe dy persona të tjerë me 11 deri në 20 vite burgim, për vrasjen e Nemtsovit. Të afërmit dhe ish bashkëpunëtorit e viktimës kanë thënë se vrasja është urdhëruar nga nivele të larta dhe drejtësia do të vihet në vend, vetëm kur organizatorët e vërtetë të vrasjes, do të identifikohen dhe dënohen. Avokatët e familjes së Nemtsovit kanë thënë se e kanë kundërshtuar vendimin e gjykatës për dënimin e pesë çeçenëve, duke kërkuar që rasti të shqyrtohet si "vrasje e figurës shtetërore apo publike".

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Kryesia e vjetër e Kuvendit cakton seancën konstituive

Posted: 25 Jul 2017 07:22 AM PDT

Kryesia e vjetër e Kuvendit është takuar sot, për të diskutuar për seancën konstituive, e cila do të mbahet më 3 gusht.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Trump "sulmon" Sessions

Posted: 25 Jul 2017 06:44 AM PDT

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e ka kritikuar Prokurorin e Përgjithshëm, Jeff Sessions, njëherësh ish aleatin e tij, duke e cilësuar si "shumë të dobët", pasi sipas tij, Sessions, ka dështuar të hetojë disa të dhëna të publikuara nga Intelegjenca dhe hetime të tjera për ish kandidaten demokrate Hillary Clinton. Në një seri të postimeve në Twitter, Trump e ka akuzuar edhe Ukrainën për tentim të "sabotimit" të fushatës së tij, pa ofruar ndonjë të dhënë. Trump po ashtu ka shfaqur zemërim rreth vendimit të Sessionit, për tërheqje nga hetimet qeveritare rreth ndërhyrjes së supozuar të Rusisë në zgjedhjet presidenciale në SHBA, pak kohë pasi kishte marrë postin. Javën e kaluar Trump ka thënë se ai nuk do ta emëronte kurrë Sessions në pozitën e Prokurorit të Përgjithshëm, nëse do ta dinte se ai do të tërhiqej nga këto hetime. "Prokurori i Përgjithshëm Jeff Sessions, ka marrë pozicion SHUMË të dobët ndaj krimeve  të Hillary Clintonit (ku janë emailet dhe serverët DNC)", ka shkruar Trump në Twitter. Këto deklarata të presidentit Trump vijnë pas disa raportimeve të Washington Post, e cila duke cituar burime anonime, ka thënë, se Trump dhe këshilltarët e tij kanë diskutuar mundësinë e zëvendësimit të prokurorit Sessions.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Hepatiti, sëmundje vdekjeprurëse nëse nuk zbulohet me kohë

Posted: 25 Jul 2017 06:07 AM PDT

Hepatiti viral është një infeksion që shkakton sëmundje akute dhe kronike të mëlçisë. Në Kosovë, ndonëse nuk ka statistika të sakta, profesionistë shëndetësorë thonë se nga kjo sëmundje prekë rreth 50 persona brenda një viti. Sali Ahmeti, infektolog, i tha Radios Evropa e Lirë, se Kosova njihet si regjion endemik për tri lloje të hepatit viral. Këto tri lloje ndahen në hepatitin A, B dhe C. Ndonëse në periudhën e pasluftës, ka pasur shpërthime epidemike me rreth 20 mijë raste të regjistruara në vit me hepatit A, kohëve të fundit, thuhet se ka më shumë raste sporadike. Doktori Ahmeti thotë se hepatiti A është forma më e lehtë e këtij virusi dhe mund të trajtohet pa lënë gjurmë. Ndërkaq, forma të komplikuara janë hepatitet B dhe C. "Hepatitet B dhe C janë të pranishme në mesin tonë, dhe japin forma kronike. Mund të kalojë në cirozë të mëlçisë dhe më pas edhe karcinom. Nuk kemi ndonjë studim për incidencën e virusit për gjithë popullatën, por bazuar në rutinën tonë të përditshme, ky virus është mjaft i pranishëm", thotë Ahmeti. Organizata Botërore e Shëndetësisë e Kombeve të Bashkuara (OBSH), thotë se miliona jetë njerëzish mund të shpëtohen, nëse personat e infektuar me hepatit viral do të kishin bërë analiza dhe do të ishin mjekuar nga kjo sëmundje, e cila mund të jetë vdekjeprurëse. Të dhënat e reja të organizatës, të publikuara në raportin e vitit 2017, "Hepatiti", tregojnë se rreth 325 milionë njerëz në mbarë botën jetojnë me infeksionet kronike të hepatitit B, ose C. Infektologu Ahmeti shton se në Kosovë, njerëzit e prekur me hepatitin B dhe C paraqiten tek mjeku në stade të vonshme, siç thotë ai, kur sëmundja ka avancuar. "Zakonisht format akute, në shumicën e rasteve kalojnë pa manifestime të veçanta klinike. I sëmuri me vite të tëra nuk diagnostikohet, për shkak se nuk ka simptoma". "Andaj, pacientët vijnë të kërkojnë ndihmë në faza shumë të shprehura dhe të vonshme, atëherë kur bëhet cirroza në mëlçi, apo karcinoma, dhe mundësit mjekësore janë shumë më të vështira", tha Ahmeti. Sami Uka nga zyra e Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, bën të ditur se kjo organizatë ka dhënë një sërë rekomandimesh për parandalim dhe trajtim të virusit të hepatitit, por që si sëmundje vazhdon të mbetet e lartë, sa i përket vdekshmërisë së njerëzve. "Organizata Botërore e Shëndetësisë ka zhvilluar një varg rekomandimesh për parandalimin dhe trajtimin e hepatitit C. Të rëndësishme në parandalimin e virusit janë: Higjiena e duarve, përdorimi i dorëzave, injektimi i sigurt, hedhja e mbeturinave në vende të sigurta, sigurimi i gjakut të pastër, trajnimin e kujdesit shëndetësor, përdorimin e kondomëve, si dhe injektimi të drogave me gjilpëra sterile. Ndryshe, vaksinë nuk ka për këtë virus", thotë Uka. Sidoqoftë, sipas zotit Uka llogaritet se në botë 71 milionë njerëz kanë hepatit C kronik, derisa një numër i konsiderueshëm i tyre janë të infektuar në mënyrë kronike dhe kanë gjasa të preken nga kanceri në mëlçi.. Përafërsisht, siç thotë zoti Uka, 399 mijë njerëz në vit vdesin nga hepatiti C, kryesisht nga karcinoma e mëlçisë, për shkak se qasja në diagnostikim është e ulët. Ndryshe, në Ministrinë e Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës tashmë kanë deklaruar se testimi i hepatitit bëhet falas për qytetarët, me qëllim të parandalimit dhe trajtimit të këtij virusi. Kjo ministri gjithashtu ka hartuar strategjinë virale 2016- 2021, e miratuar në konferencën e 69-të organizuar nga OBSH-ja. Gjithashtu edhe terapia për të prekurit me këtë virus në Kosovë është falas.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Rritet numri i vrasjeve të gazetarëve në Afganistan

Posted: 25 Jul 2017 05:59 AM PDT

Një vëzhgues i mediave afgane ka thënë se të paktën 10 gazetarë janë vrarë në Afganistan, në gjysmën e parë të vitit 2017, që shënon rritje prej 35 për qind nga viti i kaluar. Komiteti afgan për Sigurinë e Gazetarëve (AJSC), vëzhgues i pavarur, ka njoftuar përmes një raporti të publikuar sot, se talibanët dhe grupi ekstremist Shteti Islamik janë përgjegjës për shumicën e sulmeve "direke dhe indirekte", drejt punëtorëve të mediave në Afganistan. "Në gjashtë muajt e parë të vitit 2017, janë raportuar 73 raste të dhunës kundër gazetarëve, duke përfshirë 10 raste të vrasjes, më pas 19 raste të rrahjeve dhe 12 të tjera kanë qenë raste me lëndime", është thënë tutje në raport. "Grupet kryengritëse i kërcënojnë gazetarët nëpër provinca, të kryejnë autocenzurë, duke raportuar ose çka dëshirojnë ata ose të mbyllin kanalet e tyre", ka thënë drejtori i Komitetit afgan për Sigurinë e Gazetarëve, Najib Sharifi. Sipas këtij Komiteti, viti 2016 ka qenë viti më i përgjakshëm për gazetarët në Afganistan, pasi të paktën 13 punëtorë të medias janë vrarë, 10 prej tyre nga talibanët.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Presidenti polak nënshkruan njërën prej tri reformave gjyqësore

Posted: 25 Jul 2017 05:26 AM PDT

Zyra e presidentit të Polonisë, Andrzej Duda, tha se ka nënshkruar në ligj njërën prej tri reformave në gjyqësi, të cilat kanë shkaktuar protesta masive në këtë vend. Të hënën, Duda ka thënë se do të vërë veto mbi dy reformat që, sipas kundërshtarëve, rrisin ndikimin e politikës në gjyqësi. Zyra e Dudës tha të martën se presidenti e ka nënshkruar reformën e tretë. Ajo i lejon ministrit të Drejtësisë, i cili është edhe prokuror i përgjithshëm, të emërojë krerët e gjykatave më të ulëta. Kritikët thonë se të trija reformat janë jokushtetuese, por kanë mirëpritur veton e presidentit mbi dy prej tyre. Këto dy do t'i jepnin ministrit të Drejtësisë kompetencë për të shkarkuar të gjithë gjyqtarët e Gjykatës Supreme dhe për të zgjedhur zëvendësimet e tyre. Komisioni Evropian ka paralajmëruar Poloninë se mund t'ia pezullojë të drejtat për votim nëse i miraton reformat e tilla gjyqësore.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Maqedonia dhe Shqipëria rivendosin komunikimin, në vjeshtë mbledhje e dy qeverive

Posted: 25 Jul 2017 04:48 AM PDT

Maqedonia dhe Shqipëria synojnë të hapin një faqe të re bashkëpunimi, pas përplasjeve që kishin periudhën e fundit lidhur me pozitën e shqiptarëve në Maqedoni. Para së gjithash, marrëdhëniet ishin cenuar pas deklaratës së përbashkët të partive shqiptare, e cila ishte arritur me ndihëm e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Kjo deklaratë, nga Qeveria e kaluar e Maqedonisë ishte cilësuar si ndërhyrje në punët e brendshme të këtij vendi. Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë, Nikolla Dimitrov të hënën në Tiranë është pritur nga Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, në vizitën e parë të një zyrtari të lartë të Qeverisë së re të kryeministrit, Zoran Zaev, i cili thotë se angazhohet për përmirësimin e raporteve me të gjitha shtetet fqinje. Dimitrov dhe Bushati thanë se mes dy vendeve nuk ka çështje të hapura dhe se interesi i përbashkët i tyre mbetet anëtarësimi në Bashkimin Evropian. Ata u dakorduan që në vjeshtë të organizohet një mbledhje e përbashkët e dy qeverive. Shefi i diplomacisë shqiptare gjithashtu tha se uron që Maqedonia t'i ketë hapur dyert e mbyllura nga Qeveria e kaluar, në procesin e integrimit euroatlantik të vendit. "Shpresojmë shumë që plani i Qeverisë të hap dyert e mbyllura deri më tani për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO dhe BE. Për ne avancimi i raporteve është i rëndësishëm, sikur edhe anëtarësimi me hapa të shpejt dhe në cilësi i Shqipërisë dhe Maqedonisë në Bashkimin Evropian është i një rëndësie të posaçme për stabilitetin demokratik të Evropës", ka deklaruar Bushati. Edhe shefi i diplomacisë së Maqedonisë, Nikolla Dimitrov, foli për forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, por u ndal edhe në interesimin e medieve lidhur me ligjin për avancimin e përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe. Ky ligj, tha ai, do të miratohet ndërsa e vlerësoi si shumë të rëndësishëm për forcimin e stabilitetit të Maqedonisë. "Sa i përket ligjit për përdorimin e gjuhëve, politika jonë është që të bëhet gjithçka që është në dobi të bashkëqytetarëve tanë shqiptarë... Mendoj se ky proces nuk është duke u zvarritur, përkundrazi ai po realizohet me një dinamikë të shpejtë. Ky ligj është në interes të Maqedonisë, pasi vizioni ynë për shtetin është që sa më shumë qytetarët ta ndiejnë si të tyrin aq më stabile do të jetë Maqedonia", ka deklaruar Dimitrov. Duke komentuar raportet mes Maqedonisë dhe Shqipërisë, njohësit e çështjeve ndërkombëtare thotë se ftohja e tyre ishte pasojë e politikës tensionuese të Qeverisë së ish-kryeministrit, Nikolla Gruevski, dhe se reagimi i Tiranës ishte i nevojshëm në situatën nëpër të cilën po kalonte Maqedonia me krizën e rëndë politike, e cila u përshkallëzua edhe në dhunë fizike. "Raportet e ftohura mes Tiranës dhe Shkupit ishin të imponuar nga Qeveria e kaluara e drejtuar nga ish- kryeministri kryeneç, Nikolla Gruevski, i cili sillej si një shtypës, si një përdhunues i shqiptarëve të Maqedonisë dhe mendoj se Qeveria e Tiranës ia dha përgjigjen e duhur duke e izoluar, ashtu siç e izoloi edhe faktori ndërkombëtar", thotë Arsim Sinani, drejtues i Qendrës për Studime Ndërkombëtare dhe Hulumtime Ballkanike. Sipas tij, në interes të dy shteteve fqinje duhen të jenë raportet e mira në të gjitha fushat, pasi dy vendet nuk kanë çështje të hapura, ndërsa synimi i tyre është anëtarësimi në Bashkimin Evropian. "Raportet me Shqipërinë vlerësoj se duhet të jenë të mira, jo vetëm se deklarativisht. Mendoj se si simbolik më e mirë do të duhej të ishte ndërtimi i rrugës Tetovë-Prizren, që e lidh Maqedoninë me Shqipërinë, duke i mundësuar dalje në detin Adriatik dhe kjo do të shihej si shenj e miqësisë dhe e kapërcimit të raporteve të këqija", përfundon Sinani.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Prishtina e jep ‘dritën e gjelbër’ për ndërtimin e xhamisë

Posted: 25 Jul 2017 04:27 AM PDT

Në Kosovë ka vazhduar debati për projektin e ndërtimit të xhamisë në lagjen "Dardania", në Prishtinë. Ky projekt, me kërkesë të kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti është prezantuar të martën edhe para asamblistëve të Komunës së Prishtinës. Projekti i xhamisë, është bërë e ditur se do të financohet dhe do të ndërtohet nga Bashkësia Islame Turke, me një kosto të përgjithshme prej rreth 40 milionë euro. Kryetari Ahmeti iu ka kërkuar asamblistëve që të debatojnë rreth projektit të xhamisë dhe të gjendet një konsensus për ndërtimin e kësaj xhamie. Ai ka thënë se xhamia do të ndërtohet, por, që për projektin e kësaj xhamie duhet të ketë konsensus politik dhe shoqëror. "Po ndërtojmë xhaminë më të madhe në Kosovë dhe kjo është përtej mandatit tim dhe nuk është çështje e një kryetari apo një partie politike. Askush nuk po e dikton lokacionin, askush nuk po e diskuton a do të ndërtohet xhamia, xhamia do të ndërtohet, por po kam menduar që Bashkësia Islame e Kosovës të prezantojë projektin para asamblistëve", ka thënë Ahmeti. Asamblistët ndërkohë kanë hedhur një varg kritikash në projektin e xhamisë, megjithatë ata i kanë kërkuar përfaqësues të urbanizmit komunal, që të analizojë mirë projektin dhe të vazhdojë me procedurat e nevojshme të projektit. Vërejtjet e asamblistëve kanë pasur të bëjnë me arkitekturën e xhamisë. Sipas tyre, xhamia nuk do të duhet të ketë arkitekturë neoklasike osmane por një arkitekturë moderne. Po ashtu sipas tyre, orientimi i objektit nuk përkon me vend lokacionin. Lokacioni nga shumica e asamblistëve konsiderohet të jetë ndarë në vend të gabuar, pasi që sipas tyre për ndërtimin e një xhamie qendrore do të duhej të kishte hapësirë më të madhe. Sidoqoftë, kryetari Ahmeti ka thënë që çështja e lokacioni tashmë është e përfunduar, ndonëse sipas tij, ka pasur lokacione më të përshtatshme për ndërtimin e kësaj xhamie. Ndërkohë, përfaqësues të Bashkësisë Islame të Kosovës iu kanë kërkuar asamblistëve që të mbështesin projektin aktual të xhamisë. Resul Rexhepi, sekretar i Bashkësisë Islame të Kosovës ka thënë se çështja e kësaj xhamie ka nisur 17 vjet më parë dhe deri më tani përveç gurëthemelit të saj asgjë nuk është bërë. Ai ka shtuar se kryeqytetit i duhet një xhami madhështore, një xhami që sipas tij, do të ngërthente në vete edhe traditën. "Kemi nevojë për përkrahjen tuaj, kemi nevojë që të na ndihmoni në zbatimin e projektit dhe nesër edhe kryeqyteti ta ketë një simbol me të cilin do të identifikohemi. Ne kemi përzgjedhur një xhami madhështore, të bukur. Duhet të na besoni një gjë, ne e dimë më shumë se çka na duhet neve në këtë kohë dhe në këtë vend", ka thënë Rexhepi. Xhamia qendrore e kryeqyteti, ka shtuar Rexhepi, nuk ka të bëjë më as një parti politike dhe se ajo është jashtë pretendimeve partiake, xhamia është e besimtarëve. Ndryshe, së fundi një grup qytetarësh përmes rrjeteve sociale kanë kundërshtuar ndërtimin e xhamisë me projektin aktual. Sipas tyre, ky projekt është në kundërshtim me planin urbanistik të lagjes "Dardania", ku është menduar ndërtimi i kësaj xhamie. Ata, përmes një peticioni në rrjetet sociale, kanë kërkuar nga qytetarët t'i mbështesin. "Ky peticion është për arkitekturë e jo për fe", thuhet në peticion, i cili është shpërndarë në rrjete sociale. Gurëthemeli për ndërtimin e kësaj xhamie, si një nga objektet më të mëdha fetare të besimit islam në Kosovë, ishte vënë në tetor të vitit 2012. Atë kohë, gurëthemelin e patën vendosur përfaqësues të Bashkësisë Islame të Kosovës dhe krerët e institucioneve ekzekutive dhe legjislative të vendit.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Volker: Uashingtoni po shqyrton dërgimin e armëve në Ukrainë

Posted: 25 Jul 2017 04:24 AM PDT

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për konfliktin në lindje të Ukrainës, Kurt Volker, i tha Radios Evropa e Lirë se Uashingtoni është duke shqyrtuar dërgimin e armëve për forcat qeveritare të Ukrainës që luftojnë separatistët pro-rusë. Volker tha se armatosja e tyre mund të ndryshojë qasjen e Moskës në ish-republikën sovjetike. "Armët mbrojtëse, ato që do t'i mundësonin Ukrainës të mbrojë veten dhe të nxjerrë tanke për shembull, do të ndihmonin për të ndalur kërcënimin e Rusisë ndaj Ukrainës", tha Volker. Sipas tij, vendosja e paqes në lindje të Ukrainës kërkon "dialog të ri strategjik me Moskën". Volker, ish-ambasador i SHBA-së në NATO, ka vizituar pjesën lindore të Ukrainës më 23 korrik. Ai është emëruar këtë muaj përfaqësues i posaçëm i Uashingtonit në negociatat për zgjidhjen e konflikt në Ukrainë. Mbi 10,000 veta janë vrarë qëkur ka shpërthyer konflikti në prill të vitit 2014.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Iranit i kërkohet shfuqizimi i dënimit me vdekje për rastet e drogës

Posted: 25 Jul 2017 03:48 AM PDT

Ligjvënësit iranianë kanë propozuar ndryshime për ligjin e ashpër kundër drogës, të cilat parashohin shfuqizimin e dënimit me vdekje për disa vepra të lidhura me drogën. Në rast se miratohet nga Parlamenti, amendamenti i propozuar mund të zvogëlojë numrin e ekzekutimeve në Republikën Islamike, e cila njihet si një prej vendeve me shkallën më të lartë të shqiptimit e dënimit me vdekje. Irani është përballur me rritje të presionit ndërkombëtar për të zvogëluar numrin e rasteve që u shqiptohet dënimi me vdekje. Grupet për të drejtat e njeriut kanë thënë se Irani ka ekzekutuar të paktën 567 persona gjatë vitit 2016 dhe afro 1,000 të tjerë në vitin 2015. Në këto shifra përfshihen edhe shumë burra nga Afganistani, vend prej të cilit në mënyrë të paligjshme dërgohet pjesa më e madhe e drogës në Iran. Zyrtarët iranianë kanë thënë se 70 për qind e të gjitha ekzekutimeve në vend, janë shqiptuar për vepra të lidhura me drogën. Edhe brenda Iranit ka pasur thirrje për shqiptim më të paktë të dënimit kapital, për rastet e lidhura me drogën. Kritikët kanë thënë se një dënim i tillë ka ndikuar shumë pak në uljen e rasteve të përdorimit dhe trafikimit të këtyre substancave. Irani është një prej vendeve me ligjet më të ashpra në botë sa i përket drogës. Në këtë vend mund të kërkohet dënim me vdekje në rast të trafikimit apo posedimit të 30 gramëve heroinë apo kokainë. Më 16 korrik, Parlamenti iranian pati miratuar një propozim për ndryshimin e ligjit për të ndaluar dënimin me vdekje për raste të vogla, jo të dhunshme, që janë të lidhura me drogën. Sidoqoftë, kryetari i Parlamentit, Ali Larijani, e ktheu draftin e projektligjit mbrapa në komitetin gjyqësor të Parlamentit për shqyrtim të mëtutjeshëm. "Jam konsultuar me udhëheqësin e gjyqësorit sa i përket këtij projektligji", është cituar të ketë thënë Larijani, sipas agjencisë së lajmeve ISNA. "Ata kanë thënë se janë pajtuar me parimet e projektligjit, mirëpo janë disa detaje të cilat duhet të rregullohen", ka shtuar tutje ai. Për tu fuqizuar një ligj i tillë, ai fillimisht duhet të miratohet nga Parlamenti dhe të ratifikohet nga Këshilli i Gardës Kushtetuese, një trup klerik i cili duhet të miratojë në tërësi projektligjin e propozuar. 'Kulmi i mizorisë' Organizata Human Rights Watch, me bazë në Nju Jork, i ka bërë thirrje Parlamentit në Iran, të ndalojë dënimet me vdekje për veprat e lidhura me drogën, derisa Parlamenti është duke diskutuar për ndryshimet e këtij ligji. "Është e pakuptimtë që drejtësia e Iranit të shqiptojë dënime me vdekje, duke u thirrur në ligjin i cili do t'i ndalojë këto ekzekutime në muajin e ardhshëm", ka thënë, Sarah Leah Whitson, e cila drejton organizatën Human Rights Watch, në Lindjen e Mesme. "Ky do të ishte kulmi i mizorisë, në rast se sot dikush dënohet me ekzekutim për një krim, i cili pas ndryshimeve ligjore mund të dënohet me maksimalisht 30 vjet burgim", ka thënë ndër të tjera Whitson. Në nëntor, zëdhënësi i komitetit gjyqësor parlamentar, Hassan Nowruzi, i ka bërë thirrje Parlamentit për ndryshim të ligjit, pasi në atë kohë 5,000 persona ishin në listën e rasteve që mund të ekzekutoheshin për veprat e lidhura me drogën. Shumica prej tyre ishin në moshën 20-30 vjeçare, dhe kishin kryer shkelje të ligjit për herë të parë. Në tetor, më shumë se 150 ligjvënës në dhomën prej 290 anëtarësh, kanë kërkuar të ndalohet ekzekutimi për trafikuesit e drogës. Ata po ashtu propozuan që dënimi me vdekje duhet të largohet edhe për ata që përfshihen në raste të trafikimit për shkak të varfërisë. Në gusht, nënkryetari i departamentit të gjyqësorit për çështje sociale, Mohammad Baqer Olfat, pati thënë se dënimi me vdekje nuk i ka trembur trafikantët e drogës, pasi sipas tij numri i rasteve po rritej. Në vend të dënimit me vdekje, ai pati propozuar për trafikuesit, dënim të gjatë me burg dhe punë të vështirë. 'Qëndrim i rreptë' Mirëpo, disa anëtarë të gjyqësorit i rezistojnë idesë së ndryshimeve për ligjin e drogës. Në disa komente të publikuara në shtator, udhëheqësi i gjyqësorit, Ayatollah Sadegh Larijani, e ka mbrojtur "qëndrimin e rreptë" kundër ndryshimeve të ligjit. "Në disa raste, duke përfshirë ato të trafikimit të drogës, ne jemi të detyruar të veprojmë shpejt, hapur dhe me vendosmëri", ka thënë Larijani. Sipas tij nuk duhet të hiqet dënimi me vdekje. 'Afganët e burgosur' Mijëra afganë që janë të përfshirë në tregti të paligjshme të narkotikëve, kanë përfunduar në burgjet iraniane dhe janë ekzekutuar. Afganistani është prodhuesi më i madh në botë i opiumit, i cili përdoret për përgatitjen e heroinës, derisa Irani është vend transit i drogës nga Azia Perëndimore dhe Evropa. Ende nuk dihet saktë se sa është numri i afganëve të ekzekutuar në Iran, gjatë viteve të fundit. Teherani e informon shumë rrallë Kabulin për ekzekutimin e banorëve të tij. Sipas mediave afgane, rreth 2,000 qytetarë të Afganistanit janë burgosur në Iran për akuza të kontrabandim të drogës dhe akteve të tjera kriminale, derisa qindra prej tyre përballen me shqiptimin e dënimit me vdekje. Ligjvënësit në Afganistan dhe grupe për të drejtat e njeriut kanë ngritur shqetësimet e tyre, duke thënë se shume afganë që burgosen në Iran nuk gjykohen drejtë, për shkak të qasjes së kufizuar tek avokatët mbrojtës. Për më shumë, sipas tyre afganëve të burgosur nuk u jepet mundësia për të marrë ndihmë nga Kabuli. Përgatiti: Krenare Cubolli

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Ymeri: Thaçi nuk është mbret, por president

Posted: 25 Jul 2017 03:33 AM PDT

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, ka thënë se rregullat kushtetuese në Kosovë janë të qarta lidhur me atë se kujt i takon mandati për formimin e qeverisë së re. Lëvizja Vetëvendosje, nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit, ka dalë si subjekti politik i dytë me numrin e ulëseve të fituara në Kuvendin e Kosovës. Gjatë një konference për medie, Ymeri ka komentuar situatën rreth dhënies së mandatit subjektit të dytë politik nga presidenti Thaçi, nëse subjekti apo koalicioni fitues, që në këtë rast është koalicioni i partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën, i njohur si koalicioni PAN, nuk arrin t'i sigurojë numrat për formimin e qeverisë së re. "Së pari, Hashim Thaçi duhet ta kuptojë që ai nuk është mbret në këtë vend. Ai është një president dhe ka një rregull jashtëzakonisht të qartë kushtetues se kujt i takon mandatimi herën e parë dhe herën e dytë. Asnjë kriter shtesë nuk mund ta shtojë Hashim Thaçi, sepse nuk e ka këtë të drejtë kushtetuese. Çfarëdo kërkesa apo kritere shtesë që ai e shton është pengim i drejtpërdrejtë i një procesi demokratik në republikën e Kosovës dhe si i tillë, nuk do të jetë i pranueshëm as për ne e as për qytetarët", ka thënë Ymeri. Ndryshe, presidenti Thaçi, pas konsultimeve me partitë politike ka thirrur seancën konstituive të Kuvendit për datën 3 gusht. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Azerbajxhani arreston hakerë për "vjedhje të miliona dollarëve"

Posted: 25 Jul 2017 03:24 AM PDT

Shërbimi i Sigurisë Shtetërore i Azerbajxhanit (DTX) tha se ka arrestuar anëtarë të dyshuar të një grupi ndërkombëtar të hakerëve, të cilët kanë vjedhur miliona dollarë nga bankat. Në deklaratën e lëshuar sot, DTX tha se grupi i hakerëve dyshohet se ka pirateruar sistemin kompjuterik të një banke në Azerbajxhan dhe se ka vjedhur mbi dy milionë dollarë. DTX e identifikoi njërin prej të dyshuarve si Danila Konstantinovich Dori dhe tha se është arrestuar në Barcelonë të Spanjës dhe është ekstraduar në Azerbajxhan. Kombësia e Dorinit nuk u bë e ditur. DTX nuk i zbuloi emrat e anëtarëve të tjerë të grupit të arrestuar.   

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Dhoma e Përfaqësuesve të SHBA-së voton për sanksionet kundër Rusisë

Posted: 25 Jul 2017 02:24 AM PDT

Dhoma e Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara pritet të votojë sot një ligj, i cili godet me sanksione të reja Rusinë, Iranin dhe Korenë e Veriut. Masa dypartiake, e dakorduar në fundjavë, synon të ndëshkojë Rusinë për aneksimin e Krimesë në vitin 2014 dhe për ndërhyrjen e dyshuar të saj në zgjedhjet presidenciale në SHBA, më 2016. Rusia mohon ndërhyrjen në zgjedhjet e SHBA-së dhe presidenti amerikan, Donald Trump, mohon se zyrtarët e tij kanë bashkëpunuar me Moskën. Të hënën, Rusia dhe Bashkimi Evropian kanë shprehur shqetësim për sanksionet e propozuara nga SHBA-ja, duke thënë se ato mund të prekin projektet e përbashkëta të energjisë.  

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Vatikani mbyll shatërvanet për shkak të thatësirave

Posted: 25 Jul 2017 02:13 AM PDT

Vatikani ka nisur të mbyllë shatërvanet e tij të famshme, për shkak të thatësirave në shumë pjesë të Italisë. Radio Vatikani tha se ky hap është në përputhje me mësimet e Papa Françeskut për mjedisin. Papa ka theksuar frikën e tij ekologjike në një enciklikë të vitit 2015, e cila nxjerr në pah rëndësinë e ujit të pijshëm të pastër. Thatësira e tejzgjatur ka goditur dy të tretat e tokës bujqësore në Itali, ndërsa bujqësisë atje i ka kushtuar rreth 2 miliardë dollarë. Vatikani ka rreth 100 shatërvane dhe të gjitha do të mbyllen. "Me aq sa dimë - së paku në kujtesën tonë - kjo është hera e parë që i mbyllim shatërvanet", tha për agjencinë Reuters zëdhënësi i Vatikanit, Greg Burke. Ai tha se Vatikani po tregon solidaritet me Romën gjatë krizës. Kjo pranverë ka qenë pranvera e tretë më e thatë në Itali në 60 vjet.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more