Skip to main content

Tirana Observer: “Rama: Pse ndodhi krisja e koalicionit me LSI-në” plus 9 more

Tirana Observer: “Rama: Pse ndodhi krisja e koalicionit me LSI-në” plus 9 more


Rama: Pse ndodhi krisja e koalicionit me LSI-në

Posted: 19 Jun 2017 10:35 AM PDT

Kryeministri Rama ka folur sot nga Lushnja në një takim elektoral, duke treguar edhe arsyen e krisjes me LSI-në.

Pasi tha se reformat me koalicionin ishin të suksesshme, Rama tha se krisja me LSI-në në fakt ka nisur me votimin e reformës në drejtësi.

"Krisja me ta nuk ka nisur tani. Krisja me partnerin e koalicionit ka nisur me votimin e reformës në drejtësi. Ata ëndërrojnë akoma se ajo nuk do të zbatohet", tha Rama.

Kryeministri iu përgjigj edhe PD-së, për spotin më të fundit elektoral, ku Rama paraqitet si një drejtues automjeti pa patentë që aksidentohet.

"I them partisë së patentave, se unë nuk po ju ftoj në një garë me makina. Vërtet s'kam patentë, por s'është e njëjta gjë", tha Rama.

SONDAZHI: PS fiton thellë, PD 22%, dobët LSI

Posted: 19 Jun 2017 10:29 AM PDT

Report TV dhe 'Piepoli' kanë publikuar sondazhin e fundit parazgjedhor.

Nëse zgjedhjet do të zhvilloeshin sot, pjesmarrja në zgjedhje do të ishte: 55.2% do marrin pjesë, 30.5% jo, 14.3% se di.

Partia fituese, sipas këtij sondazhi, do të ishte Partia Socialiste, me një rezultat të thellë prej 58.7%.

PD do të merrte vetëm 21.8% të votave.

Edhe LSI-së, sipas këtij sondazhi, është në një situatë jo të mirë.

Partia e drejtuar nga Petrit Vasili, do të merrte vetëm 5.6% LSI, PDIU 0.8%, dhe po kaq edhe LIBRA e Ben Blushit.

Për këtë sondazh janë intervistuar 1200 persona.

Nga Armir Shkurti/ Darvinizmi politik shqiptar dhe rreziku i tensioneve të mëdha

Posted: 19 Jun 2017 10:25 AM PDT

Më shumë ngjan me një gosti kanibalësh në fakt ky muaji i fundit, që nga marrëveshja Rama–Basha. Peshku i madh iu turr të voglit pa besë e pa mëshirë. Bukur! Shumë u gëzuan. "I hoqëm qafe këta që na bezdisnin"! – festonin militante entuziastë. Tani mbetën në "tepsi" edhe dy: LSI dhe PDIU. Për këta "tava" është prenotuar për më 25 qershor. Atë ditë kanë caktuar për t'i therur dhe pjekur.

Kjo qe një kthesë e papritur në darvinizmin e politikës shqiptare. Shprehja e Talat Pashës, ministrit të Brendshëm të Perandorisë Osmane, thënë Ekrem Bej Vlorës se "kur të mbarojnë kullotat pafund të perandorisë sonë do shqyeni njëri -tjetrin në atë vendin tuaj të varfër e të vogël" , doli profetike.

Duke mbetur tek Darvini: Nuk mbijeton ai që është më i fuqishmi por ai që përshtatet më mirë. "Tepsia" ka bukë për të gjithë, kështuqë të gjithë janë përshtatur deri më sot. Tani tepsinë e do vetëm njëri për vete. Të tjerët duhet të ngordhin. Kjo është situata.

Çështja është se e gjitha luhet tek "tepsia" dhe rreth "tepsisë", nën hundën e një populli përditë e më të uritur dhe nëpërkëmbur. Sot – edhe i papërfaqësuar. Dyshja rreth tepsisë nuk është sot as përfaqësuese e ndonjë klase a ideologjie, por thjesht grupime pragmatiste interesi. Sot në fakt dallimi i njërës parti nga tjetra është i papërfillshëm duke bërë që praktikisht – sipas ligjeve të darvinizmit – të jetë e pamëshirshme, si luftë brenda llojit që është.

Edhe ashtu siç ishte, politika shqiptare qe larguar mjaft nga interesat dhe problemet e votuesit. Sot, e deformuar dhe monopolizuar siç u bë, është edhe më arbitrare dhe e huaj për një shumicë njerëzish. Kur "tepsia" mbetet ideali dhe angazhimi i vetëm i politikës, të gjitha tensionet dhe hallet e tjera veçse acarohen dhe fryhen. Situatë si e sotmja mbahet mend në vitet 1989. –  '90 dhe '96.

Na kujtohet viti 1996, kur pas fitores fantazmagorike të PD-së dhe shuarjes së protestave shpejt e shpejt, u duke se tashmë s'kish burrë që rrëzonte më Berishën. Ama pas 8 muajsh u bë nami. Shoqëria njerëzore ka ligjet e veta ku, si në fizikë, asgjë nuk zhduket por transformohet. Pra një energji negative në rritje prej urisë dhe arrogancës nuk është çudi t'i dalë nga kontrolli dy përçorëve që të vetmin flamur kanë tepsinë. Demokracia ka ca parametra, pa të cilat nuk quhet e tillë. Duke filluar që nga pluralizmi, përfaqësimi dhe transparenca. Po ashtu edhe kontrolli dhe balancimi. Diktatura nuk është kur është i keq udhëheqësi por nuk s'ndjehet opozita, kur është në tepsi opozita ose kur ajo mungon fare

Dëshmia e rrallë e vitit 1921/ Kur Fan Noli denonconte në mediat franceze Serbinë

Posted: 19 Jun 2017 10:09 AM PDT

Le Petit Parisien (1921): Deklarata ekskluzive e imzot Fan Nolit, delegat i parë i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve mbi konfliktin serbo-shqiptar

Nga Aurenc Bebja*, Francë

Gazeta franceze, "Le Petit Parisien", ka botuar, të enjten e 22 shtatorit 1921, në faqen n°3, deklaratën ekskluzive të Fan Nolit, në lidhje me konfliktin serbo-shqiptar.

Atdhetari shqiptar, i shqetësuar nga hordhitë serbe, përfaqësonte asokohe Shqipërinë në Lidhjen e Kombeve (Gjenevë) me qëllim për të mbrojtur interesat tona kombëtare.

Çfarë ka thënë patrioti shqiptar për gazetën franceze? Në vijim do të gjeni deklaratën e tij të plotë, të sjellë në shqip nga Aurenc Bebja, Blogu "Dars (Klos), Mat – Albania":

"Gjenevë, 21 Shtator (Dep. Petit Parisien)

Imzot Fan Noli, delegat i parë i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, ka paraqitur një protestë (shkresë) kundër veprimeve të ushtrisë serbe, e cila ka pushtuar rajone të reja shqiptare dhe ka bombarduar disa fshatra. Ai na ka shprehur deklaratat në vijim:

Serbët, duke sulmuar, kanë dashur të parandalojnë vendimin e Konferencës së ambasadorëve dhe të Lidhjes së Kombeve. Prandaj, grusht shteti i tyre është një sfidë e hedhur ndaj dy organeve që janë aktualisht të angazhuara për çështjen tonë. Unë mezi besoj se qeveria në Beograd, duke vepruar kështu, është bazuar në premtime të fshehta që ajo mund të ketë marrë. Unë thjesht mendoj se ajo ka dashur të përfitojë nga pavendosmëria e përgjithshme. Megjithatë, shkatërrimi brutal i fshatrave paqësore do t'u kujtojë në mënyrë efektive liderve të politikës evropiane ndjenjën e realitetit.

Tani, është e kuptueshme, se problemi shqiptar është diçka që nuk mund të vonohet. Objektivi ushtarak i kësaj ofensive është pushtimi i malit të Lurës, në perëndim të Dibrës. Ky mal ka një pozitë shumë të fortë strategjike, i cili komandon fushën e Tiranës dhe tregjet jugore të Mirditës. Trupat, që do të instalohen aty, do të mbajnë vendin nën një kërcënim të vazhdueshëm dhe do të mund të pushtojnë kryeqytetin tonë kur të duan. Prandaj, ushtria shqiptare nuk mund të pranojë këtë zotërim pa u përpjekur për ta kundërshtuar atë. Lufta është e pashmangshme nëse nuk do të ketë një ndërhyrje.

Operacionet aktuale të shtabit serb kanë qenë të lehta për shkak se trupat e tyre, në pikënisje, pushtuan linjën e famshme të demarkacionit, e vendosur në mënyrë abritrare gjatë kohës së armëpushimit dhe se tashmë na marrin pjesën e gjashtë të territorit të caktuar Shqipërisë nga ana e Konferencës së Londrës në 1913.

Serbët, që prej tre muajsh, organizonin bandat e armatosura të artilerisë dhe të mitralozëve, të komanduara rregullisht nga oficerë, të cilët vepronin në krye të ushtrisë me qëllim për të përgatitur rrugën për pushtimin. Këto grupe kanë pikën e tyre të mbledhjes në territorin serb, Prizren, ku gjendet pseudo-qeveria mirditore e Marka Gjonit dhe në Dibër. Por ata u zmbrapsën kudo. Kështu, serbëve u ra maska dhe tani ata do të sjellin trupa të rregullta.

Unë nuk dua të hap këtu një debat mbi statusin territorial të Shqipërisë apo mbi kontradiktat e politikës serbe. Pas shpalljes së paqes, Serbia pranoi, zyrtarisht dhe disa herë, vlefshmërinë e kufijve të 1913, por ajo tani refuzon t'i njohë. Gjithsesi, asgjë nuk justifikon masat brutale që ajo ka ndërmarrë. Serbët pohojnë se ata kanë të drejtë. Në qoftë se ata janë të bindur për drejtësinë e kauzës së tyre, mjaftonte të prisnin thjesht verdiktin e Lidhjes së Kombeve, i cili tashmë nuk do të vonojë. Në vend të kësaj dhe pikërisht në momentin kur popujt aspirojnë me gjithë shpirt paqen, ata përdorin dhunën dhe nuk ngurojnë të përdorin armët.

Rastësi domethënëse: ky agresion i ri përsëritet pothuajse një vit më vonë nga shkatërrimi i 150 fshatrave shqiptare të luginës së Drinit prej trupave serbe."

Burimi: Blogu © Dars (Klos), Mat – Albania

I nxehti, si të shmangim urgjencat kardiake

Posted: 19 Jun 2017 09:36 AM PDT

Jo të pakta janë rastet kur gjatë stinës së verës dëgjojmë për humbje të jetës në plazh apo ambiente të tjera për shkak të infarktit apo atakut kardiak. Shumë prej personave nuk dinë që vuajnë nga sëmundje të zemrës ndërsa atë tjerët pavarësisht se mjekohen përballen me vështirësitë e saj për shkak të temperaturave të larta. Dr. Lulzim Çela, mjek kardiolog prej në Urgjencën e Sëmundjeve të Brendshme në QSUT, thotë se "urgjencat kardiovaskulare janë çrregullime të rrezikshme për jetën, të cilat duhet të njihen menjëherë, në mënyrë që të shmangen vonesat në trajtim si dhe për të minimizuar sëmundshmërinë dhe vdekshmërinë". Dr. Çela shprehet se "në shërbimin tonë trajtojmë urgjenca të cilave u ofrohet kujdes maksimal nga një staf i specializuar, i cili vepron me profesionalizëm për stabilizimin e gjendjes së pacientit dhe mbajtjen nën vëzhgim deri në stabilizimin e gjendjes dhe transferimin në shërbimet të tjera në varësi të gjendjes klinike, apo kthimin në shtëpi pasi gjendja gjykohet përfundimisht e stabilizuar". Shërbimi i urgjencës mjekësore përfshin kujdesin klinik e paraspitalor në situatat kur pacienti është në rrezik. Nevoja për shërbimin e urgjencës mjekësore përfundon me stabilizimin e gjendjes shëndetësore të pacientit ose me shtrimin e tij në spital.

Arresti kardiak

Në disa raste një komplikacion i quajtur aritmia ventrikulare bën që zemra të kalojë në spazmë dhe ndalon së rrahuri, kjo gjendje njihet si arresti kardiak i menjëhershëm. Një arrest kardiak ndodh kur rrahja mekanike e zemrës ndalon papritur dhe ky është rast urgjent, sepse vdekja ndodh nëse nuk ndërhyhet brenda pak minutave. Arresti kardiak nuk është infarkt edhe pse mund të çojë në një të tillë. Infarkti shkaktohet nga një arterie e bllokuar që ndërpret furnizimin me gjak të muskulit të zemrës. Kjo nuk është domosdoshmërisht vdekjeprurëse. Arresti kardiak ndodh kur ritmi i zemrës ndërpritet. Shansi për të mbijetuar është më pak se 6 për qind, kur ndodh jashtë mjedisit të spitalit. Ndaj edhe qyetarët e thjeshtë duhet të jenë të informuar rreth disa teknikave sesi të jepet ndihma e parë. Pra si të japin frymëmarrjen artificiale që ta bëjnë zemrën të filloi përsëri të punojë. Manovrat ringjallёse pёrfshijnё manovrat bazë tё suportit tё jetёs (Basic Life Support-BLS), tё cilat aplikohen menjёherё. Qёllimi i BLS ёshtё qё tё sigurojë ventilacionin e emergjencёs dhe perfuzionin sistemik nёpёrmjet ringjalljes zemёr-mushkёri (Cardio Pulmonary Resuscitation-CPR).

Simptomat

Simptomat që paralajmërojnë një goditje në zemër  dhe që hasen shpesh tek personat të cilët pësojnë arrest kardiak kanë dhimbje gjoksi, ndjesi presioni në gjoks, kur dhimbja fillon të përhapet edhe në krah, nofull, marrje mendsh, djersitje, marrje fryme, ndjesi të vjelli ose të vjella, ndjenjë paniku, kollitje e vështirë, krizat hipertensive. Kurse porsa i përket shenjave më të shpeshta klinike që ankojnë këta të sëmurë janë dhimbja e kraharorit, vështirësia në frymëmarrje.

Shkaqet

Shkaktari kryesor është sëmundja e aterosklerozës. Gjatë atakut kardiak ndodh një mbyllje e një dege të arterieve koronare, zakonisht nga një tromb i çliruar nga dëmtimi aterosklerotik i enës. Në këtë sëmundje ndodh një depozitim i substancave yndyrore në muret e arterieve duke rezultuar në ndryshime në strukturën e tyre dhe formimin e pllakave aterosklerotike. Ena e gjakut humb butësinë e faqes se brendshme te saj. Me tej pllaka dëmtohet duke i dhënë mundësinë gjakut të mpikset në vendin e dëmtuar. Trombocitet, nëpërmjet kapacitetit të tyre lidhës, së bashku me qelizat e bardha të gjakut dhe qelizat e kuqe të gjakut bëjnë të mundur formimin e masës së mpiksur mbi pllakë. Masa rritet shpejt për llogari të pjesës së brendshme të enës duke penguar qarkullimin e gjakut ne të. Ajo zonë në të cilën ky gjak ishte i drejtuar do të mbetet pa oksigjen dhe pastaj të vdesë (Atak në zemër). Përveç arsyes se mësipërme, qarkullimi i gjakut mund të jetë i bllokuar nga një hemorragji në muret e arterieve, për shkak të këputjes së enëve të vogla të gjakut që e ushqejnë atë. Shkaqe të tjera mund të jetë ardhja e një koaguli nga ndonjë pjesë tjetër e trupit duke shkaktuar bllokim të arteries që furnizon me gjak një zonë të caktuar të muskulit të zemrës. Ateroskleroza prek arteriet e mesme dhe të mëdha dhe karakterizohet nga një trashje e përhapur, por e parregullt e murit të enëve të gjakut duke formuar pllaka yndyre të cilat pengojnë rrjedhjen normale të gjakut dhe në rastet më të rënda bllokim tërësor. Pllakat janë të përbëra nga një grumbullim i qelizave yndyrore dhe kanë tendencë të rriten në mënyrë progresive me kalimin e kohës. Sipas studimeve të fundit janë më tepër se 200 faktorë te cilët ndikojnë në rritjen e mundësisë për të pësuar një atak kardiak.

Difiçiti neurologjik

Midis ankesave kardiake më të shumtat kanë të bëjnë me anginën e kraharorit të paqëndrueshme, infarktin akut të miokardit dhe edemën mushkërore akute. Ankimet neurologjike kanë të bëjnë me infarktin ose hemoragjinë cerebrale (dhimbje koke okcipitale, vjellje, konfuzion mendor, konvulsione dhe retinopati me edemë papilare. Më së pari duhet vendosur se kemi të bëjmë me një Emergjencë apo Urgjencë HTA (hipertensioni arterial) mbi bazën, jo vetëm të vlerave të larta të TA (tensioni arterial), por dhe mbi bazën e pranisë ose jo të shfaqjeve të prishjes funksionale progresive të organit në shënjestër. Së dyti, gjendja duhet dalluar nga HTA dytësor, nga masat intrakraniale, traumat e kokës, epilepsia, vaskuliti cerebral nga sëmundjet e indit konjunktiv, si lupusi, si dhe nga anksieteti akut dhe krizat e panikut.

Mjekimi i emegjencës HTA

Pacientët me emergjencë HTA duhen dërguar urgjentisht në spital. Menjëherë të fillohet mjekimi nën monitorim të aktivitetit kardiak. Gjithashtu duhen bërë vlerësimet neurologjike e renale. Pikësynimi i mjekimit është ulja e TA mesatar në masën jo më shumë se 25% brenda disa minutash ose 1 ore. Më pas nëse gjendja është e qëndrueshme mund të tentohet ulja e mëtejshme e TA deri në 160/110-100 mmHg brenda 2 deri 6 orësh. Duhet shmangur me doemos ulja e tepruar e TA për të mos përkeqësuar perfuzionimin e organit në shënjestër të dëmtuar. Kur gjendja e përmirësuar e të sëmurit mbetet klinikisht e qëndrueshme dhe nëse tolerohet gjatë 24- 48 orëve të ardhshme, TA mund të shtyhet drejt nivelit normal. Eshtë e kuptueshme që terapia duhet zgjedhur në pajtim me organin në shënjestër të dëmtuar dhe me sëmundjet bashkekzistuese. Pacientët me Urgjencë HTA mund të mjekohen në shtëpi. Nuk është e detyrueshme që ata të shtrohen në spital. Ato mund të përfitojnë nga përdorimi i barnave hipotensive me veprim të shkurtër. Pikësynimi i mjekimit është ulja e TA deri në masën 25% të TA mesatar brenda 24 orësh, korrigjimi i mjekimit të mëparshëm, ose fillimin e mjekimit në qoftë se ai ka qenë i pamjekuar. Një i sëmurë i tillë duhet rishikuar brenda 3-5 ditësh për të rishikuar mjekimin nëse del e nevojshme. Pacientët me dëmtim të organeve në shënjestër duhen drejtuar për konsultim te specialistët përkatës.

Simptomat që paralajmërojnë një goditje në zemër janë:

Dhimbje gjoksi

Ndjesi presioni në gjoks

Kur dhimbja fillon të përphapet edhe në krah, nofull

Marrje mendsh

Djersitje

Marrje fryme

Ndjesi të vjelli ose të vjella

Ndjenjë paniku

Kollitje e vështirë

Krizat hipertensive

Shenjat më të shpeshta klinike që ankojnë këta të sëmurë janë :

Dhimbja e kraharorit

Vështirësia në frymëmarrje

Difiçiti neurologjik.

40 thënie nga Jim Morrison për jetën, vdekjen, trishtimin dhe hidhërimet e dashurisë…

Posted: 19 Jun 2017 09:09 AM PDT

Asgjë tek ai nuk ishte e zakonshme.

Vetëm tokësorja e mbante gjithnjë mes njerëzve dhe në çapitjet e jetës si një regëtimë e hovshme në jetën që e jetoi si një demon pa zbritur nga altari i shenjtores, shpirtin e tij.

Ai kishte një penë, një zë dhe një zemër që do ta mbajnë përjetë në kujtesën e admiruesve të poezisë dhe maksimave, muzikës dhe të epërmeve aspirata që i skaliti me zjarrin e rrufeve që përshkëndinin në turret e shpirtit të tij për nga liria.

James Douglas Morrison, (8 dhjetor, 1943-3 korrik, 1971), do të mbetet në kujtesë si një kantautor, poet, shkrimtar por edhe kontributor në kinematografi.

Ai njihet si figura kryesore e grupit të muzikës "The Doors" dhe është konsideruar si një nga personalitetet më tërheqëse të historisë së muzikës rock.

Në 3 korrik 1971, Jim Morrison u gjend i vdekur në vaskën e apartamentit të tij në Paris.

Në versionin fillestar të policisë vdekja e këngëtarit ishte si pasojë e atak kardiak.

Fakti se kufoma nuk iu nënshtrua autopsisë krijoi një stuhi hamendësimesh.

Ndër pëshpëritjet më të zëshme mbetet se vdekja e Jim Morrison ka ardhur nga një mbidozë heroine dhe alkooli.

Misterin e shkaktarëve të fundit të këtij miti e plotëson edhe fakti tjetër, mbajtja për më se një javë të fshehtë lajmin e vdekjes nga pjesëtarët e tjerë të grupit.

OLYMPUS DIGITAL CAMERA

Varri i James Douglas Morrison ndodhet në varrezën Pere Lachaise, Paris, Francë dhe është atraksioni i katërt i kryeqytetit parizien pas Kullës Eiffel, Notre Damit dhe Harkut të Triumfit.

40 thënie nga Jim Morrison

Për veten dhe jetën,

1- Kam lindur duke qarë kur të gjithë qeshnin. Do të vdes duke qeshur, kur të gjithë do të qajnë!

2- Bëj që jeta jote të jetë një ëndërr, por mos lejo që ëndrra të bëhet jeta jote!

3- Jeta më dhuroi tre zgjidhje: seks, drogë dhe vdekje. Unë zgjodha 2 të parat; e treta më zgjodhi mua.

4- Dielli që perëndon të prek në shpirt, vetëm për të të kujtuar se të vodhi dhe nje ditë.

5- Mos jeto me frikën e vdekjes, por vdis me gëzimin se ke jetuar.

6- Më mirë të humbasësh një çast të jetës, sesa jetën në një çast.

7- Ne nuk jemi ata që jemi, por vetëm ajo që të tjerët shohin tek ne.

8- Derisa ngjyra e lëkurës do të jetë më rëndësishme sesa ngjyra e syve, do të ketë luftë.

9- Më mirë një fund i dëshpëruar sesa një dëshpërim pa fund.

10- Të lindësh e pastaj të vdesësh. Ky është absurditeti i jetës.

Për vdekjen, trishtimin dhe hidhërimet e dashurisë…

11- Prapa çdo loje ekziston ideali i vdekjes.

12- Të gjithë kërkojnë një mik, por asnjë nuk provon të bëhet i tillë.

13- Po u zgjove në mëngjes dhe nuk e pe diellin ose dielli je ti, ose ke vdekur.

14- Përse nuk na lejojnë të dashurojmë …X vjeç kur mund të vdesim në çdo moshë?!

15- Nuk ju kërkova unë të më lindni, ndaj më lini të jetoj.

16- Dikush pret shiun për të mos qarë vetëm.

17- Jeta është veç një ëndërr në rrugën e vdekjes

18- Uroj që kur të vdes të shkoj në parajsë, sepse ferrin e jetova këtu.

19- Dashuria është gëzimi i qenies dy, tmerri që mbetesh një, frika se bëhesh tre.

20- Nëse juve ju mungon dikush në botë, për mua jeni ju që i mungoni botës.

21- Mos qaj! Sepse në botë ekziston gjithnjë një person që jeton për buzëqeshjen tënde.

22- Kam provuar të eci këmbëzbathur rrugës shtruar plot kujtime, aty ku këmba shkelte dhimbje aty, ku dhimbja shkelte dhimbje…

23- Sikur të na jepej gjithë fuqia magjike që të lexonim mendimet e njëri-tjetrit, supozoj që efekti i parë do të ishte shkatërrimi i të gjitha miqësive…

24- Merr pak dhimbje nga e imja, shpirti im po të thërret, po kjo jetë po s'pati dhimbje kurrë s'mund të quhet jetë…

25- Sado të këqija qofshin ditët, pa to s'dua të mbetem, qaj vetëm ditët e bukura se të këqijat qajnë vetveten…

26- Çdo gjë lind e vogël dhe pastaj rritet, vetëm fatkeqësia lind e madhe, pastaj zvogëlohet…

27- Ka kaq kohë që çdo ditë të shoh e më duket se të shoh për herë të parë…

28- Hero nuk është ai qe bie në betejë, është ai që kur rrëzohet gjen forcën për t'u çuar e lufton përsëri…

29- Pasqyra është miku im më i mirë sepse sa herë qaj nuk qesh me mua…

30- Më pëlqejnë adoleshentët se çdo gjë që bëjnë e bëjnë për herë të parë…

31- Të vrasësh është kurajo e momentit…të lësh të jetojnë është kurajo e përjetshme…

32- Do jepja dhe jetën për të jetuar përjetësisht…

33- Ndonjëherë mjafton një çast për të harruar një jetë e ndonjëherë nuk mjafton e tërë jeta për të harruar një çast…

34- Pas gjakut, gjëja më e mirë që një burrë mund të japë, janë lotët e tij…

35- Dhashë gjithçka që munda. Jam një poet që tregon historitë e tij e një këngëtar që këndon poezitë e tij…

36- Midis të mirës dhe të keqes ka një porte…dhe unë do e hap!

37- Mos u kënaq me horizontin..kërko pafundësinë!

38- Unë jam kështu, sepse shpreh atë që kam brenda…

39- Jeta është si një pasqyrë, të qesh në qofte se e shikon duke qeshur…

40- Nuk do plakem kurrë, sepse jam një yll që bie…

Keni tatuazh? Kujdes nga rrezet e diellit gjatë verës

Posted: 19 Jun 2017 08:44 AM PDT

Mjaft persona tundohen nga një tatuazh, sidomos gjatë periudhës së verës, kur trupi ekspozohet më tepër. Tendencat e tatuazheve janë në zona të ndryshme të trupit dhe të llojeve të ndryshme.

Të vogla apo të mëdha, me ngjyrë apo bardhë e zi apo shkrime. Bota e tatuazheve është gjithnjë e më e gjerë dhe me më shumë variacione.

Si gjithmonë, të parët që përqafuan trendet e fundit si gjithmonë janë njerëzit e famshëm që pas pikturave të vogla apo mesazheve të padeshifrueshme fshehin sekrete domethënëse.

Teksa teknikat evoluojnë, që nga efekti watercolor përmes stencil natyrale, edhe pjesët e trupit që zgjidhen për t'u viztuan njohin momentet e tyre.

Zonat më të preferuara të momentit? Pa dyshim pas veshit, por edhe në qafë dhe poshtë gjoskit për femrat.

Por pavarësisht nga lloji i vizatimit dhe teknika e adoptuar, ajo që duhet të kujtojnë të apasionuarit e tatuazheve, sidomos në agimin e një dite vere që është e nxehtë, është pikërisht mbrojtja e tyre.

Dielli, në fakt, mund të çojë në zbehjen e tyre duke zhvlerësuar vizatimin. Dhe kjo është një arsye më shumë për të vendosur kremin kundër diellit.

Euro në rënie të pandalshme, po i afrohet me shpejtësi rekordit të ri, bie edhe dollari

Posted: 19 Jun 2017 08:21 AM PDT

Euro po zhvlerësohet me shpejtësi në tregun vendas duke shënuar një tjetër rekord të ri të ulët.

Sot, një euro këmbehej me 133.18 lekë, 0.10 lekë më pak se fundi i javës së kaluar, sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë. Ky është niveli më i ulët që nga shtatori i vitit 2009.

Leku është forcuar edhe përkundrejt dollarit, duke u këmbyer me 119.05 lekë, 0.28 lekë më pas se të premten, duke reflektuar kështu zhvlerësimin e dollarit në bursë ndaj monedhës së përbashkët, e cila ka reflektuar besim tek investitorët pas fitores absolute të maxhorancës nga partia e Macronit në Francë.

Në bursat ndërkombëtare, euro ka fituar pikë sot, duke u këmbyer me 1.12 USD, e nxitur nga fitorja bindëse e presidentit francez Macron.

Megjithatë, pavarësisht forcimit në bursë, monedha e përbashkët nuk ka mundur të devijojë nga trendi rënës në vend. Sipas ekspertëve nivele të tilla të ulëta të euros ishin parashikuar për sezonin veror, por duket se fushata zgjedhore ka qenë një nxitës për përshpejtimin e zhvlerësimit të euros në tregun vendas.

Euro, pritet të zhvlerësohet më tej në fund të këtij muaji dhe javën e parë të muajit korrik, pasi me përfundimin e muajit të Ramazanit pritet të shtohet fluksi i turistëve nga Kosova.

Pas trysnisë së efekteve sezonale, ekspertët thonë që euro do të vijojë të zhvlerësohet edhe gjatë gushtit me rikthimin e emigrantëve për pushime, shkruan Monitor.

Teprica e madhe në valutë, sipas tyre, përveç efekteve sezonale, është ndikuar më së shumë për shkak të investimeve të huaja si TAP, por edhe prej aktiviteteve të jashtëligjshme, duke bërë kështu që euro të kapë nivelet më të ulëta të 9 viteve.

Veliaj: Të votosh sot PD-në është si të lozësh lojën “Balena Blu”

Posted: 19 Jun 2017 07:51 AM PDT

Erion Veliaj ironizoi sot fushatën e Partisë Demokratike dhe pretendimin e kësaj të fundit për të kërkuar votën për zgjedhjet e 25 qershorit.

Në një takim elektoral nga Kashari ai e cilësoi faktin që të votosh PD-në, është sikur të luash lojën vdekjeprurëse “Balena Blu”.

"Të votosh sot Partinë Demokratike është si të lozësh lojën Balena Blu.

E nis me gërvishtje, dhe pastaj…

Nuk luajmë 'balena blu' me Partinë Demokratike. Nuk lozet me shqiptarët.

Kjo nuk është lojë, pasi bëhet fjalë për të ardhmen e Shqipërisë. Do sigurojmë 71 mandate dhe me kryeministër Edi Ramën", deklaroi Erion Veliaj.

VIDEO: Bojaxhi surprizon shoferët, ja çfarë ndodh me një prej tyre

Posted: 19 Jun 2017 07:16 AM PDT

Në një format të veçantë takimesh me qytetarë, Gjergj Bojaxhi ka vendosur të takohet me shoferë në trafikun e Tiranës.

Duke shtrënguar duart me ta Bojaxhi, kandidat i Sfida për Shqipërinë, i falenderoi për urimet prej tyre.

Por një prej shoferëve e ka uruar në mënyrë të veçantë, duke dalë nga makina dhe duke e thirrur me një tufë me lule në dorë.

Bojaxhi e takon mbështetësin mes të qeshurave dhe falenderimeve për gjestin e tij.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more