Skip to main content

Tirana Observer: “Një qytet në Mars brenda vitit 2050” plus 9 more

Tirana Observer: “Një qytet në Mars brenda vitit 2050” plus 9 more


Një qytet në Mars brenda vitit 2050

Posted: 24 Jun 2017 10:18 AM PDT

Nga Norvegjia, astrofizikanti i famshëm britanik, Stephen Hawking ripërsëriti thirrjen e tij se njeriu duhet të "përgatisë valixhet" për t'u larguar nga ky planet nëse nuk dëshiron zhdukjen.

Hawking shprehet shumë pesimist. Ai thotë se rreziqet janë të shumta, që nga goditja nga një asteroid, një sulm alien e deri tek vetë njeriu me armët bërthamore dhe aktivitetin e përditshëm në shfrytëzim të burimeve natyrore që po ngrohin gjithnjë e më shumë shtëpinë tonë të përbashkët.

E me një plan konkret për t'u larguar prej Tokës është themeluesi i Space X, Elon Musk. Ambicia e miliarderit amerikane nuk shkon përtej sistemit tonë diellor.

"Një qytet krejtësisht funksional me 1 milionë banorë mund të ngrihet në Mars brenda vitit 2050", thotë ai.

Themeluesi i Space X prej vitesh është duke punuar me planin e tij për të dërguar njeriun e parë në "Planetin e Kuq" brenda vitit 2023 dhe vetë ka një dëshirë.

"Dëshiroj që të vdes në Mars, sigurisht, jo nga përplasja, apo ndonjë aksident tjetër. Dua të plakem në Mars", është shprehur Musk.

Klima, Macron dhe Schwarzenegger bashkojnë forcat kundër Trump (VIDEO)

Posted: 24 Jun 2017 10:08 AM PDT

Presidenti francez Emmanuel Macron ka marrë një mbështetje tjetër ndaj homologut amerikan Donald Trump dhe tërheqjes së tij nga pakti për klimën.

Këtë radhë ai ka marrë mbështetje nga muskujt e aktorit dhe ish-guvernatorit të Kalifornisë, Arnold Schwarzenegger.

Në një video të postuar në rrjetet sociale, Macron shfaqet përkrah yllit të "Terminator", i cili zotohet ta "bëjë planetin të madh sërish".

Faktikisht, kjo është një përshtatje e sloganit të fushatës elektorale të Trump, "Ta bëjmë Amerikën të madhe sërish".

Macron ka qenë një kritik i vendimit të presidentit amerikan për t'u tërhequr nga marrëveshja e nënshkruar në vitin 2015 në Paris.

Duke folur në kamerën e telefonit të tij, Schwarzenegger tha se ai dhe Macron kishin folur për çështjet e ambientit dhe për "një të ardhme të gjelbër" së bashku.

Pamjet e postuara në rrjetet sociale tregojnë yllin e filmave aksion të shprehet "i nderuar" për takimin me Macron dhe të thotë se do të punojnë së bashku për të siguruar një energji të pastër për të ardhmen.

"Me presidentin Macron, një lider i madh!", përfundon klipi.

Nga Blendi Fevziu / Fushata më e shëmtuar e pluralizmit!

Posted: 24 Jun 2017 09:39 AM PDT

Si mund ta quaj këtë fushatë dhe sa konsideratë mund të kem për të, pyeta veten dje në darkë, kur fushata e 25 Qershorit u mbyll. Fati e ka sjellë  të ndjek çdo fushatë zgjedhjesh kombëtare që prej 31 Marsit, 1991. Në këto 26 vjet, kjo është fushata e 11-të që përcjell si gazetar (pa llogaritur zgjedhjet lokale). Është e gjashta fushatë në 20 vitet e emisionit 'Opinion' që e kam përcjellë nga studioja live çdo natë. Sot mund të them një gjë, me bindje të plotë: ishte një fushatë e mërzitshme, një fushatë bosh dhe padyshim më e keqja që unë njoh në këto 26 vjet.

Si do ta klasifikoja këtë fushatë, pyeta vetën sërish dhe gjeta vetëm një përgjigje: pa pasion, pa emocion dhe tejet teatrale. Një teatër i madh ku mungonte një gjë që në fushatat shqiptare nuk ka munguar kurrë: shpirti i sfidës.

Ishte një fushatë shumë larg asaj të 3 Korrikut 2005, që ka qenë padyshim më e mira në Shqipëri këto 27 vjet. Një fushatë e mbushur me besim, bindje, frymëzim dhe padyshim kredo morale. Një fushatë ku Berisha, Nano e Meta, prodhuan një ndër spektaklet më të jashtëzakonshëm politike të këtij vendi dhe ku secili, besonte me shpirt në atë që deklaronte. Ishte një fushatë që sfida direkte e mazhoritarit e bëri edhe më të mprehtë dhe që vështirë se do rikthehet sërish me atë emocion në Shqipëri. Një fushatë ku u përballën ide, programe, por ku nuk mungoi edhe ajo që gjendet kaq rrallë në Shqipëri, ndjesa publike.

Ishte një fushatë që nuk kishte entuziazmin dhe naivitetin e asaj të 1991 dhe 1992. Nuk kishte shpresën që ngjallnin ato të dyja dhe dashurinë e besimin mes liderëve politikë dhe votuesve të tyre. Për arsye specifike, ato dy fushata nuk përsëriten më, dhe për mua, mbeten margaritaret e pluralizmit dhe garës politike në Shqipëri.

Nuk ishte një fushatë si ajo e 1996, e tensionuar, por e mbushur me besimin e palëve që në garë ishin më mirë dhe më bindës se kundërshtari. E dominuar nga besimi për fitore dhe me një garë reale, garë plot pasion.

Nuk ishte një fushatë si ajo e 1997, me rreziqe, plumba, dhunë e vrasje, por me vendosmërinë e politikanëve për të komunikuar me zgjedhësit e tyre dhe për t'ju garantuar atyre një të ardhme më të mirë. Një të ardhme përmes votës. Edhe ajo ishte një fushatë e vërtetë, edhe pse tejet e vështirë.

Nuk ishte një fushatë si ajo e 2009, një përballje brilante e dy shkollave, asaj të Berishës tradicional dhe plot pasion e bilanc, me atë të Ramës që premtonte një politikë të re. Një fushatë po ashtu mbresëlënëse qoftë edhe në ballafaqimet publike.

Nuk ishte një fushatë as si ajo e 2013, kur Rama e Meta ja arritën të ngjallin shpresën për ndryshim dhe kur Berisha, me shifrat në disfavor, qëndroi në fushëbetejë deri sekondën e fundit, me bindjen që vetëm vota mund ta largonte prej andej.

Nuk ishte as si dy fushatat e referendumeve të kushtetutave, më 1994 dhe 1998, mbushur me tension dhe dëshirë për të sfiduar tjetrin. Jo! Ishte një fushatë as e shëmtuar dhe as e bukur. Ishte një fushatë e mërzitshme. Mund të thoja me shumë lehtësi: ishte më e keqe se ajo e 2001 që unë e konsideroja më të shëmtuarën deri sot.

Ishte një fushatë ku asnjë nga liderët nuk ngjante i vërtetë. Rama me teatrin e tij që pengesë për vendin kishte qenë LSI dhe me fabulën e timonit; Meta me kontestimin e qeverisjes 4 vjeçare ku kishte qenë pjesë ndërkohë që vijon të qëndrojë në qeveri; Basha me Republikën e Re, që më shumë e ka përdorur si grafikë të bukur banderolash se sa e ka shtjelluar si aksion politik.

Ishte një fushatë ku Rama dhe Meta nuk dhanë llogari për qeverisjen dhe ku Basha nuk ja doli të hapë debat për programin dhe premtimet e tij. E gjithë vëmendja u përqëndrua tek batutat mes Ramës e Metës. Ato që do kujtoten nga kjo fushatë janë poturet e Ramës, 2 gishtat me trëndafil, kazani, tepsia, pantallonat prej doku të Bashës apo sporti me selfie "alla Rama", deklarata e Metës se vendimet e LSI i merr Petrit Vasili dhe padyshim më e famshmja, timoni që Rama e kërkoi kaq shumë nëpër Shqipëri, por që makinës nuk di t'i japë.

Ishte një fushatë për t'u harruar dhe padyshim që do të harrohet shpejt…

Edhe Basha si Rama, e kalon ditën e heshtjes zgjedhore me familjen

Posted: 24 Jun 2017 09:17 AM PDT

Ndryshe nga ditët e zakonshme të fushatës elektorale, Lulzim Basha ka zgjedhur familjen për të kaluar këtë të shtunë.

Kryetari i Partisë Demokratike ka shfrytëzuar ditën e heshtjes zgjedhore për të kaluar pasditen me bashkëshorten Aurela dhe dy vajzat e tij.

Basha ka postuar një fotot në rrjetet sociale ku shfaqet ulur në një tavolinë në ambient shtëpie, teksa i jep qershi vajzës së vogël.

Më herët ishte kryeministri Edi Rama që publikoi një video ku ai po luante me djalin e tij, Zaho.

70 miliardë dollarët e Putinit: Si e shpenzon presidenti rus pasurinë e tij misterioze

Posted: 24 Jun 2017 08:54 AM PDT

Pretendohet se Putini është njeriu më i pasur në botë, por sipas Kremlinit, ai fiton rreth 133,000 dollarë në vit dhe jeton në një apartament të vogël.

Një ish këshilltar i qeverisë ruse vlerësoi se pasuria e tij vlen 70 miliardë dollarë. Menaxherja e fondeve Hedge Bill Browder, një kritike e Putinit, pretendonte se ai kishte më shumë se 200 miliardë dollarë.

Bussines Insider ka bashkuar një listë të gjërave në të cilat besohet që Putini ka shpenzuar para.

Si President i Rusisë, qëndrimi zyrtar i Putinit është Kremlini i Moskës. Sidoqoftë, ai shpenzon pjesën më të madhe të kohës në një vendbanim të qeverisë periferike jashtë qytetit të quajtur Novo-Ogaryovo.


Thuhet se ka rreth 20 pallate dhe vila të ndryshme.

Nga të dhënat zyrtare të botuara në vitin 2016 nga Kremlini tuhet se Putini ka një portofol shumë modest të pasurive të paluajtshme. Raporti tha se ai kishte një pronë të vogël toke dhe një apartament me një garazh.

Por gjatë viteve, Putini ka qenë i lidhur edhe me prona të tjera. Më e diskutueshmja është e ashtuquajtura "pallati i fshehtë". Ky thuhet se u ndërtua për Putinin duke përdorur fonde të paligjshme shtetërore.

Kjo rezidencë thuhet se kushtoi 1 miliardë dollarë për të ndërtuar. Ka një teatër privat dhe një vend për ulje me hapësirë për tre helikopterë.

Në vitin 2012, një dosje u hartua nga një rival politik i Putinit, i cili pretendonte se Putin kishte në pronësi disa avionë privatë, helikopterë dhe jahte.

Ai akuzohet se zotëron 58 lloje të ndryshme të avionëve, duke përfshirë një Dassault Falcon, i cili ka 19 ulëse.

Një nga avionët e tij thuhej se kishte një kabinë 11 milionë dollarëshe të pajisur ku vetëm tualeti kushton afro 100,000 dollarë. Ky avion ka nje hapësirë  deri në 186 pasagjerë. Putini akuzohet se ka pesë prej tyre.

Dosjet pohojnë se Putini ka një koleksion prej katër jahtesh, ku secila prej tyre kushton mijëra dollarë për t'u mirëmbajtur. Rossiya, një nga jahtet e tij, u rinovua në vitin 2005. Ajo thuhet se ka kushtuar plot 1.2 miliardë dollarë për të bërë. "The Graceful", një tjetër jaht i tij, thuhet se ka vend për 14 persona dhe ka gjashtë dhoma gjumi.

Putin gjithashtu pëlqen të krenohet me pamjen e tij. Dosja e 2012-ës pohoi se Putini ka 11 orë me vlerë rreth 687,000 dollarë.

Sipas gazetës "Rusia Beyond Headlines" (Rusia Përtej Titujve) të qeverisë ruse, Putini zotëron një orë A. Lange & Söhne Tourbograph 'Pour Le Mérite', i cili kushton gjysmë milioni dollarë.

Shitja e votave në Ksamil, LSI: Kryeministri gënjeshtar ordiner

Posted: 24 Jun 2017 08:40 AM PDT

Luan Rama në një dalje për shtyp akuzon kryeministrin se ka gënjyer në lidhje me automjetin i cili u denoncua nga LSI se po shiste vota në Ksamil.

Luan Rama tha se Ilir Hysi i cili u akuzua nga Rilindja nuk është i LSI, por një Ilir Hysi tjetër që jep makina me qira dhe në momentin e shpërndarjes së parave për votat ky automjet po përdorej nga Jani Bregasi, militant i PS.

"Jam këtu për të denoncuar një akt krejt qesharak dhe të papërgjegjshëm nën peshën e panikun që e pret Rilindjen dhe kryetarin e saj sepse kryeministri i vendit është shfaqur sot si një zëdhënës gënjeshtar dhe i papërgjegjshëm duke publikuar një lajm të rremë. Sot strukturat e LSI po dokumentojnë dhe denoncojnë të gjitha aktet e PS në kundërshtim me ligjit. Strukturat e Policisë së Shtetit po kryejnë shantazh përmes blerjes së  votës. Në faqen zyrtare të LSI janë bërë dy denoncime. I pari ka të bëjmë me faktin që LSI denoncon një akt kriminal që mban firmën edhe autorësinë e Rilindjes, akti i rëndë është rasti i blerjes së votave në Ksamil. Kemi njoftuar rreth orës 14:00 se një mjet me targa SS 602 MI e tipit Lanca me 3 anëtarë të Rilindjes po shpërndan para në këmbim të votës.

Pas këtij lajmi ka dalë një lajm tjetër me burim të drejtpërdrejtë Ramën që thotë se LSI denoncon një targë makine, por bën autogol sepse targa e makinës është e nënprefektit që është i LSI. Këtë lloj lajthitje nuk mund t'ia tolerojmë kryeministrit që shfaqet ordiner. Kjo makinë është në pronësi të një qytetari me emrin Ilir Hysi, por jo i Ilir Hysit të LSI. Ai është një qytetar që jem makina me qira. Kryeministri t'i mbajë shesim dhe t'i verifikojë.

Ilir Hysi i LSI ka në pronësi vetëm makinën me targë AA 474 NG.

Makinën që shpërndante para për Rilindjen dhe Rama ia atribuon LSI e ka marrë nga biznesi i Ilir Hysit tjetër Jani Bregasi që është mbështetës dhe militant i PS në Sarandë.

Zoti Kryeministër dëshpërimin dhe panikun për humbjen mos e shfaq duke akuzuar qytetarë të lirë, ankthi për humbjen janë të tuat dhe edhe më të mëdha do të bëhen nesër”, tha Rama.

Hendeku midis Perëndimit dhe Lindjes në BE thellohet

Posted: 24 Jun 2017 07:42 AM PDT

Në një kohë kur Angela Merkel dhe Emmanuel Macron kremtuan në takimin e nivelit të lartë të BE përbashkësinë gjermano-franceze, përçarja me evropianolindorët po shtohet. Nga Brukseli informon Christoph Hasselbach.

Ky takim i nivelit të lartë duhej të përhapte optimizëm: negociatat e Brexitit që tani u lihen profesionistëve, kësaj iu shtua edhe një ofertë britanike për të drejtat e qytetarëve të BE në Mbretërinë e Bashkuar pas daljes së Britanisë së Madhe nga BE. Kjo ofertë vërtet që tani kritikohet si e pamjaftueshme dhe e paqartë, por konsiderohet përparim. Tani, 27 shtetet e tjera anëtare duan të avancojnë me vrull projekte të reja. Simbolike ishte edhe konferenca e përbashkët e shtypit e Kancelares gjermane, Angela Merkel dhe e Presidentit francez, Emmanuel Macron. Merkeli e quajti takimin e nivelit të lartë “një këshill optimizmi dhe dinamizmi”. Fjalë të tilla thuhen edhe më lehtë, kur rritja ekonomike praktikisht në të gjitha shtetet, edhe në ato të dobëtat, ka avancuar më tej. Eurozona madje ka lënë pas vetes tremujorin më të mirë në gjashtë vitet e fundit, gjë që përballë krizës shumëvjeçare nuk do të thotë shumë.

Presidenca estoneze e radhës e BE nuk dëshiron të mjaftohet me këtë. Estonia konsiderohet si vendi model i digjitalizuar i Evropës. Kryeministri estonez, Jüri Ratas paralajmëroi në Bruksel: “Të dhënat (digjitale) janë industria e qymyrit dhe e çelikut e së ardhmes. Prandaj ne duhet të jemi të parët në tregun botëror të ekonomisë digjitale.”

Shpërndarja e refugjatëve? Për momentin pa shanse

Një pozicion drejtues kërkon BE edhe në ruajtjen e tregtisë së lirë. Atë BE e sheh të rrezikuar nga tendencat proteksioniste të Presidentit të SHBA, Donald Trump. Nga ana tjetër, BE nuk është “naiv”, siç tha Macron. Të qenurit të hapur kërkon edhe sjellje korrekte. Në qendër të kritikave është para së gjithash Kina.

Atmosfera e mirë pas depresionit të Brexitit nuk qe e thënë të përhapej në të gjitha fushat. Nga njëra anë kemi këtu temën e migrimit. Pikërisht ai me të cilin lidhen shpresa, Macroni, i zemëroi që në krye evropianolindorët, të cilët kundërshtojnë të pranojnë refugjatë nga shtetet kryesore ku shkojnë refugjatë, Greqi dhe Itali. Macroni u ankua që nuk jemi në “supermerkato” dhe BE nuk ka ndërmend “vetëm të shpërndajë para, pa pyetur për vlerat evropiane”. Ai vërtet që nuk përmendi emra, por të adresuarit u ndjenë të prekur, si p.sh. Hungaria. Kryeministri hungarez, Viktor Orban ia ktheu me të njëjtën monedhë, dhe sa ky ishte “një shqelm”, Macroni është “i ri” këtu dhe “ndërhyrja e tij pak inkurajuese”.

Për t’i qetësuar valët, Macroni u takua në kuadër të takimit me anëtarët e Grupit të Vishegradit. Por nga takimi nuk rezultoi gjë. Merkeli tha pas takimit se në çështjen e sigurimit të kufijve të jashtëm “ne jemi shumë, shumë dakord”. Por për fat të keq nuk u shënuan “përparime në çështjen e shpërndarjes.”

Frika nga konkurrenca evropianolindore

Macroni druhet se i gjithë projekti evropian është në pikëpyetje, sepse punëmarrësit në vendet e pasura kanë frikë nga konkurrenca evropianolindore. Macroni para pak kohësh shpjegoi me këtë edhe Brexitin, kur tha: “Si erdhi puna deri te Brexit-i? Sepse punëmarrës nga Evropa Lindore zunë vende pune britanike”. Prandaj Macroni kërkon që të ndryshohet direktiva e BE dhe që punonjësit e dërguar evropianolindorë të paguhen njësoj si ata vendas, p.sh. si francezët. Mbështetje për këtë ai ka nga Gjermania dhe Austria. Por evropianolindorët e kundërshtojnë rreptësisht marrjen e përparësisë në konkurrencë.

Ky takim i nivelit të lartë tregoi se dyshja gjermano-franceze fitoi me Macronin vrull të ri dhe me të mund të nxiten edhe projekte të reja evropiane. Por njëkohësisht, hendeku midis Perëndimit dhe Lindjes, shteteve të vjetra dhe anëtarëve të rinj të BE kërcënon të thellohet edhe më tej./DW

FOTO/ Emily Ratajkowski, seksi dhe provokuese në setin e ri fotografik

Posted: 24 Jun 2017 07:15 AM PDT

Emily Ratajkowski është shfaqur seksi dhe provokuese në setin e ri fotografik. Modelja 26 vjecare, që ka plot 13,6 milionë ndjekës në llogarinë e saj zyrtare në Instagram, i zbavit shpesh herë fansat me foto seksi dhe nudo.

Së fundmi, Ratajkowski ka realizuar setin e saj të fundit, nga Italia, me imazhe të nxehta për revistën e njohur "GQ".

Një grumbull fotografish provokuese të publikuara nga Toskana, kanë risjellë në vëmendjen e fansave linjat e saj perfekte.

Ivanka Trump akuzohet për plagjiaturë

Posted: 24 Jun 2017 07:00 AM PDT

Ivanka Trump përfundon në gjykatë pasi akuzohet se ka kopjuar një linjë këpucësh të një shoqërie italiane. Vajza njëherësh këshilltarja e ngushtë e presidentit amerikan Donald Trump është paditur nga shoqëria "Aquazzura", me bazë në Firence, e cila akuzon kompaninë që prodhon një linjë luksoze dhe shumë të kushtueshme këpucësh për Ivankën për plagjiaturë.

Shoqëria italiane e modës pretendon se një prej modeleve të sandaleve që ajo prodhon, është identike me një model të prodhuar nga kompania e vajzës së presidentit. Sipas shoqërisë italiane, çdo detaj i modelit të saj gjendet edhe në atë të firmës së Ivankës, por me një ndryshim, vlera e sandaleve të Vajzës së Parë është 785 dollarë, kundrejt 125 dollarëve që kushtojnë ato italiane. Padia është nisur në një gjykatë në Nju Jork ndaj Ivanka Trumpt. Tashmë avokatët e saj duhet të përgatisin mbrojtjen.

Blerja e votave, zbulohet mesazhi i Ramës për deputetët: Bllokoni hienat

Posted: 24 Jun 2017 06:45 AM PDT

Kur na ndajnë vetëm pak orë nga zgjedhjet parlamentare, forcat politike kanë denoncuar tentativat për blerje votash, ku të përfshirë sipas tyre janë eksponentë politikë, ndonëse sot është heshtje zgjedhore.

Rasti i fundit ishte denoncimi i LSI-së në Ksamil, ku u kap një mjet që thuhet se shpërndante lekë në këmbim të votës.

BalkanWeb ka zbuluar mesazhin që kryeministri Edi Rama, njëherësh kreu i PS-së u ka dërguar një mesazh deputetëve të tij, ku ironizon këtë rast, ndërsa thekson se ajo makinë ishte e LSI-së.

Mes të tjerash kreu i qeverisë, u shkruan ligjvënësve të tij se 'kësaj i thonë bërtet hajduti kapeni hajdutin'.

MESAZHI I RAMËS DREJTUAR DEPUTETËVE

Sapo LSI ka denoncuar tentative per blerje votash ne Ksamil, me makinen qe rezulton te jete e nenprefektit, anetar i LSI😂 Dmth kesaj i thone bertet hajduti kapeni hajdutin😀 E ndjejne qe loja me i treti i verteti mbaroi dhe njerezit nuk hane bar👍 Ju lutem vigjilence maksimale per te bllokuar cdo hiene qe synon te bleje vota💪Per te garantuar procesin dhe mosdeformimin e votes se shqiptareve🙏Forca dhe beteje dere me dere per te ngulitur tek cdokush mendimin se kush mungon gabon! Perqafime✌🇦🇱

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more