Skip to main content

“Shtohet numri i vëzhguesve për zgjedhjet në Shqipëri” plus 19 more Radio Evropa e Lirë

“Shtohet numri i vëzhguesve për zgjedhjet në Shqipëri” plus 19 more Radio Evropa e Lirë


Shtohet numri i vëzhguesve për zgjedhjet në Shqipëri

Posted: 20 Jun 2017 09:59 AM PDT

Asambleja Parlamentare e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë thotë se u bashkohet monitoruesve të tjerë ndërkombëtarë, që do t'i vëzhgojnë zgjedhjet parlamentare në Shqpëri, këtë të diel. Në kumtesën e sotme kjo asamble thekson se 45 përfaqësues të 18 shteteve, do t'i monitorojnë zgjedhjet së bashku me 300 vetë, që tashmë janë vendosur nga Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejta të Njeriut (ODIHR), raporton AP nga Tirana. Mbajtja e zgjedhjeve të lira dhe korrekte dhe lansimi i reformave gjyqësore mund të ndikojnë në Bashkimin Evropian se Shqipëria, anëtare e NATO-s prej vitit 2009, është e gatshme për fillimin e negociatave për anëtarësim. Këto zgjedhje, të nëntat me radhë në Shqipërinë paskomunsite, ku marrin pjesë 18 parti politike dhe koalicione, po mbahen pas kompromisit të arritur ndërmjet Partisë Socialiste në qeveri dhe Partisë Demokratike në opozitë. Kjo parti opozitare për tre muaj e ka bojkotuar punën e Kuvendit të Shqipërisë për shkak të shqetësimeve se votimet mund të manipulohen.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Sanksione kundër sepratistëve, derisa Poroshenko arriti në SHBA

Posted: 20 Jun 2017 09:22 AM PDT

Departamenti i Thesarit i Shteteve të Bashkuara ka shpallur sot sanksione të reja financiare kundër dhjetëra luftëtarëve, liderëve dhe aleatëve të separatistëve të mbështetur nga Rusia, në konfliktin në pjesën lindore të Ukrainës, i cili tashmë ka hyrë në vitin e tretë. Shpallja u bë derisa presidenti i Ukrianës, Petro Poroshenko, ka arritur në Shtëpinë e Bardhë për takim me presidentin, Donald Trump, që është takimi i tyre i parë ballë për ballë, dhe zyrtarë të tjerë në Uashington. Në mesin e personave të përfshirë në sanksione është edhe një lideri i lartë separatist i së vetshpallurës "republikë popullore" e Donjeckut dhe Luhanskit, e të tjerë. Prej prillit të vitit 2014, nga konflikti në pjesën lindore të Ukrianës, janë vrarë së paku 10,090 vetë dhe afro 2 milionë njërëz janë zhvendosur.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Teleskopi i NASA-s i ka gjetur edhe 10 planetë si Toka jashtë Sistemit Diellor

Posted: 20 Jun 2017 08:47 AM PDT

Astronomët i kanë shtuar 10 kandidatë në listën e planetëve përtej Sistemit Diellor, që po rritet gjithnjë e më tepër, me madhësi dhe temperaturë si në Tokë, duke i shtuar gjasët që atje mund të ketë kushte për jetë. Shkencëtarët i kanë gjetur këta planetë kandidatë, gjatë observimeve të 200 mijë yjeve në konstellacionin Cygnus me Teleskopin Kepler të Gjithësisë së agjencisë amerikane, NASA. Këto bota me gurë, që janë zbuluar së fundit, kanë largësi të duhur nga yjet amë për ujë, nëse ai ekziston, për të krijuar pellgje në sipërfaqen e tyre. Shkencëtarët besojnë se uji në gjendje të lëngët është përbërësi kryesor për jetë. "Një pyetje e rëndësishme për ne është se a jemi ne të vetëm?" tha shkencëtari në programin Kepler, Mario Perez, një një bisedë telefonike me gazetarët, dhe ka shtuar se "ndoshta Kepleri sot na thotë ne në mënyrë indirekte... se ne nuk jemi vetëm". Administrata Kombëtare e Aeronautikës dhe Gjithsësisë e Shteteve të Bashkuara e ka lansuar teleskopin Kepler në vitin 2009, për të mësuar nëse planetët e ngjashme me Tokën janë të zakonshëm ose të rrallë. Me të dhënat finale të analizave të Keplerit në dorë, shkencëtarët thonë se ata tash mund të punojnë në përgjigje të pyetjes së paraqitur, që është hap madhor në vlerësimin e gjasëve se jeta ekziston përtej Tokës. Gjatë katër viteve prej lansimit të teleskopit të Keplerit, janë gjetur 2,335 planetë të konfirmuar, në një pjesë të vogël të së ashtuquajturës galaktikë Milky Way, përfshirë 50 bota sikur Toka. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Refugjatët e strehuar në Kosovë, presin rastin të ikin për në vendet e BE-së

Posted: 20 Jun 2017 08:34 AM PDT

Sulman Ali, 22 vjeç nga Pakistani, ka ikur nga vendlindja e tij në kërkim të një jete më të mirë. Pas një rrugëtimi të gjatë, ai tani është i strehuar në Qendrën e Azilkërkuesve në Kosovë. Qendra e Azilkërkuesve në Magurë të Lipjanit, gjatë këtij viti ka strehuar 81 refugjatë nga vendet e Lindjes së Mesme, kryesisht nga Afganistani dhe nga Siria. Aktualisht në këtë Qendër janë të strehuar 22 refugjatë. Sulman Ali, thotë se pas një viti qëndrimi në Turqi ka ardhur në Kosovë. Në Kosovë, ai thotë se do të qëndrojë deri në momentin kur t'i jepet mundësia që të shkojë në Gjermani, atje ku thotë se e ka edhe familjen. "Jam këtu qe një javë, kam ardhur nga Turqia. Unë jam këtu në Kosovë, prej këtu do të shkoj në Beograd e pastaj do të shkoj në Gjermani", thotë ai. Sulman thotë të jetë i kënaqur me kushtet të cilat i ofrohen në Qendrën e Azilit në Kosovë, por që synimi i tij, është që t'i bashkohet familjes së tij. "Kushtet janë të mira këtu, nuk kemi probleme, kemi dhomat, kemi veshmbathje njerëzit janë të mirë këtu, nuk kemi probleme. Në Gjermani dua të shkojë të gjejë punë, pastaj të shkojë edhe në shkollë", thotë ai. Kosova nuk është përfshi në valën e madhe të refugjatëve, por që sipas autoriteteve, kryesisht shfrytëzohet nga refugjatët si një vend transit për të kaluar më pas në vende të ndryshme të Evropës. Në Qendrën e Azilkërkueseve në Kosovë, kryesisht janë të rinj të ikur nga vatrat e krizës që kanë përfshirë vendet e tyre. Drejtori i Qendrës për Azilkërkues në Magurë të Lipjanit, Fitim Zariqi, thotë për Radion Evropa e Lirë se krahasuar me vitin e kaluar, këtë vit ka pasur rritje të azilkërkuesve në Kosovë, por që numri është i kontrolluar. "Kosova përveç strehimit ofron edhe shërbime tjera, si shërbime shëndetësore, ushqim, pako higjienike, veshmbathje dhe shërbime të tjera, si ofrimi i kurseve të gjuhës shqipe, të kompjuterëve dhe shërbimeve tjera që ofrohen në bashkëpunim me organizatat joqeveritare". "Kosova ka një buxhet të limituar të ofrimit të shërbimeve, por në bashkëpunim me organizatat e ndryshme që veprojnë në Kosovë kemi arritur t'i mbulojmë të gjitha nevojat e azilkërkuesve", thekson Zariqi. Autoritetet në Kosovë, nënvizon Zariqi, kanë një plan dhe janë të gatshëm t'i strehojnë më shumë se 3 mijë refugjatë, nëse paraqitet nevoja. "Kosova ka përgatitur një plan të emergjencës që t'ju përgjigjet nëse do të ketë fluks të mundshëm të refugjatëve. Ne kemi kontaktuar më të gjitha organizatat që ofrojnë lista të mbështetjes në rast se do të ketë fluks të mundshëm të refugjatëve dhe këtë e kanë bërë këto organizata dhe ne i kemi përfshirë në plan. Ne kemi paraparë që mund t'i strehojmë rreth 3 mijë azilkërkues", thekson Zariqi. Ndryshe, më 20 qershor shënohet Dita Botërore e Refugjatëve. Kjo ditë synon të kthejë vëmendjen te miliona familje që detyrohen të ikin nga shtëpitë, për shkak të konflikteve apo keqtrajtimeve të ndryshme. Agjencia për Refugjatë e Kombeve të Bashkuara publikoi të hënën raportin vjetor, i cili nxori në pah se 65.6 milionë njerëz në botë janë refugjatë, azilkërkues ose të zhvendosur brenda përbrenda vendeve të tyre.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Rreth 81 refugjatë gjatë vitit të strehuar në Kosovë

Posted: 20 Jun 2017 08:12 AM PDT

Qendra e Azilkërkuesve në Magurë të Lipjanit, gjatë këtij viti ka strehuar 81 refugjatë nga vendet e Lindjes së Mesme, kryesisht nga Afganistani dhe nga Siria. Aktualisht në këtë Qendër janë të strehuar 22 refugjatë.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Shqipëri: Prokurori kërkon që nipi i ish-diktatorit të dënohet për drogë

Posted: 20 Jun 2017 08:11 AM PDT

Një prokuror në Shqipëri ka kërkuar që nipi i ish-diktatorit të Shqipërisë dhe tetë ndihmës të tij, të dënohen dhe burgosen për trafikim të drogës në Evropën Perëndimore. Ky prokuror ka kërkuar sot nga Gjykata e Krimeve Serioze në Tiranë, që ta dënoj Ermal Hoxhën me 13 vjet burg, ndërsa të tjerët, përfshirë dy kolumbias, ndërmjet 13 e 15 vjet burg, raporton agjencia AP nga Tirana. Ermal Hoxha, 42 vjeçar, dhe personat e tjerë ishin arrestuar në janar të vitit 2015, të akuzuar për krijimin e grupit të organizuar kriminal, që ka përpunuar dhe trafikuar kokainë në vendet e Evropës Perëndimore. Policia i kishte konfiskuar 120 kilogramë drogë, para të gatshme dhe armatim, në një bazë të tyre. Ermal Hoxha është nipi më i madh i ish-diktatorit të Shqipërisë, Enver Hoxha, i cili sundoi në këtë vend me grusht të hekurt prej vitit 1944 e deri kur vdiq, në vitin 1985. Pesë vite pas vdekjes së tij, nga revolta studentore u përmbys regjimi izolacionist komunist.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Borisov – Zaev: Maqedonia dhe Bullgaria para marrëveshjes historike

Posted: 20 Jun 2017 08:04 AM PDT

Maqedonia dhe Bullgaria duket se e kanë hapur një faqe të re të historisë, me vizitën e kryeministrit të Maqedonisë, Zoran Zaev në Sofje. Nga marrëveshja për fqinjësi të mirë mes dy vendeve ka mbetur edhe një detaj i vogël dhe ajo mund të nënshkruhet në ditën e Ilidenit, më dy gusht, deklaroi kryeministri Zaev pas takimit me homologun bullgar, Boyko Borisov. Zaev në Sofje është përkulur para përmendores së Car Samoilit, të cilën dy vendet e llogarisin si të vetin. Një përmendore e këtij personaliteti ekziston edhe në Shkup, dhe përkulje para tij ka premtuar edhe kryeministri bullgar. "Sot Maqedonia po e mbyll kapitullin e nacionalizmit dhe po hap faqen e re të së ardhmes evropiane. Ne kemi nevojën për ndihmën bullgare dhe ajo mund të bëjë këtë. Deri në arritjen e marrëveshjes përfundimtare ka mbetur edhe një detaj i vogël të cilin shërbimet tona do ta mbyllin. Më nuk do të ketë komisione për negociata, do të bisedojnë ministrat e punëve të brendshme për harmonizimin e qëndrimeve që të mund të nënshkruajmë marrëveshjen gjatë vizitave të ndërsjella më rastin e shënimit të ditës së Ilindenit", ka deklaruar Zaev . Detajet e marrëveshjes janë të rëndësishme, jo për sot, por për gjeneratat e ardhshme, tha kryeministri bullgar, Boyko Borisov, duke theksuar se mbyllja e çështjeve të hapura është hap i mirë edhe për Brukselin, por edhe për qytetarët e të dy shteteve. "Do të bëjmë gjithçka që të mundur që me Greqinë të punojmë së bashku që t'i zgjidhim të gjitha problemet, sepse destabilizimi i Maqedonisë, do të thotë edhe destabilizim i kufijve tanë. Ne jemi për Maqedoni unitare, ne jemi për anëtarësim të Maqedonisë në NATO e pastaj edhe në Bashkimin Evropian", është shprehur Borisov. Maqedonia dhe Bullgaria i kanë disa çështje të hapura ndërmjet tyre. Sofja nuk e pranon identitetin dhe gjuhën maqedonase ndërsa i konteston edhe shumë personalitete historike maqedonase, përfshirë edhe Goce Dellçevin, që llogaritet si një nga heronjt kryesor të maqedonasve.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Veseli: Nuk shoh alternativa, Haradinaj do të jetë kryeministër

Posted: 20 Jun 2017 07:17 AM PDT

"Mandatari ynë Ramush Haradinaj do të jetë kryeministër i Kosovës, për arsye se është një çështje e interpretimit të vet vullnetit të qytetarëve tanë", ka thënë kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë. "Të njëjtën kohë është një respektim i Kushtetutës së Republikës sonë. Do të thotë, alternativat janë pothuajse fare inekzistente që Ramush Haradinaj të mos jetë kryeministër i Qeverisë së Kosovës për katër vitet e ardhshme', ka deklaruar Veseli. Radio Evropa e Lirë: Zoti Veseli, cila do të jetë formula e krijimit të koalicionit qeverisës, marrë parasysh se jeni pjesë e një koalicioni qeverisës që ka dalë fitues i zgjedhjeve të 11 qershorit, por që nuk i ka marrë votat e mjaftueshme për formimin e Qeverisë? Kadri Veseli: Formula është vota e qytetarëve tanë. Në zgjedhjet e 11 qershorit, koalicioni i prirë nga Partia Demokratike e Kosovës ka fituar qartë, ka fituar bindshëm. Në të njëjtën kohë, demokracia është respektim i procedurave, ajo të cilën e kishim edhe në vitin 2014, do të thosha. Kjo është edhe një arsye më shumë se vendit nuk i nevojitet që të ketë bllokada, vendit nuk i nevojitet që të ketë mllef, vendit nuk i nevojitet që të ketë konflikte mes vete. Duhet të bashkëpunojmë për hir të interesave të qytetarëve. Besoj shumë se me certifikimin e rezultateve, po presim kah data 25 qershor, që të kemi menjëherë implementimin e rezultatit zgjedhor, i cili është i 11 qershorit, ku koalicioni fitues është ai i Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, partisë Nisma si dhe partnerët e tjerë të koalicionit. Radio Evropa e Lirë: Tek cilat parti politike, tek cili bllok politik do t'i kërkoni aleatët e ardhshëm për koalicionin pas-zgjedhor që do të formojë Qeverinë e ardhshme. Keni në dispozicion LDK-në me partitë aleate dhe Vetëvendosjen. Kadri Veseli: Ideale do të jetë, në rend të parë që të respektohen procedurat, të respektohet vullneti i qytetarëve. Të gjitha partitë, kur kemi dalë në zgjedhjet e 11 qershorit, kjo ka qenë arsyeja pse kemi shkuar në koalicione. Arsyeja pse nuk kemi shkuar të vetme, ka qenë pikërisht situata e vitit 2014. Andaj, në mënyrë që të mos kemi një ripërsëritje të një bllokade, vet unë si kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës e kam bërë hapin përmes futjes në këtë koalicion me partnerët e tjerë të koalicionit, në mënyrë që të mos kemi bllokada të cilat po krijojnë stres dhe më tepër ftohje te qytetarët tanë. Ne duhet të orientohemi, në rend të parë nga interesat e qytetarëve. Institucionet duhet të krijohen sa më shpejt dhe në të njëjtë kohë të marrim përgjegjësitë për përmirësimin e jetës së njerëzve tanë. Unë besoj shumë se do të ketë reflektim. Do të ketë reflektim pozitiv nga faktorët politikë aktual të cilët kanë garuar në zgjedhjet e 11 qershorit, në mënyrë që, pas datës 25 qershor, kur ne po presim, të paktën kështu thotë KQZ-ja, që të kemi implementimin e rezultatit zgjedhor pas certifikimit. KOMPROMISI ME LISTËN SERBE Radio Evropa e Lirë: A mund të vijë në shprehje mbështetja tek votat e minoriteteve për krijimin e 61 votave të domosdoshme në Kuvend për formimin e Qeverisë apo do t'i përfshini minoritetet pas një koalicioni me partitë e shumicës? Kadri Veseli: Minoritetet janë faktor konstituiv i kësaj shoqërie dhe shtetit tonë. Do t'i respektojmë. Ideale do të ishte që të mos kishim varshmëri nga minoritetet, për hir edhe të vet interesave të komuniteteve. Por, do të jenë pjesë integruese e një procesi kushtetues, të respektimit të një rezultati zgjedhor. Në të njëjtën kohë, të kemi edhe një përfshirje sa më të gjerë të faktorëve politikë të cilët janë të Kosovës, në emër të interesave të qytetarëve. Kjo shoqëri, jam shumë i sigurt se ka nevojë që ta zëvendësojë mllefin me arsyetimin dhe dëshirën për të ecur përpara. Jo revansh. Por, le të merremi me atë se çka është interes edhe i shtetit dhe në të njëjtën kohë edhe i qytetarëve tanë. Sido që të jetë, komunitetet do të thosha janë pozitive, mirë që janë, por vendimmarrja do të duhet të jetë produkt i Kosovës, i qytetarëve tanë, duke përfshirë edhe minoritarët, duke mos i ndarë.  Radio Evropa e Lirë: Nëse i referohemi një zyrtari në Beograd, Lista Serbe do të mund të kërkojë postin e kryetarit të Kuvendit si shkembim për votat e nevojshme të koalicionit për qeverinë e re. Do t'i pranonit kushte të tilla? ​Kadri Veseli: Beogradi ka marrë fund përfundimisht në Kosovë. Logjika e atyre të cilët mendojnë ta sjellin Beogradin e dëmton brenda faktorin politik kosovar. Nuk do t'i nënshtrohemi asnjë dëshire, asnjë imponimi që vjen nga Beogradi. Ka marrë fund epoka e Serbisë në Kosovë. Do të orientohemi nga pjesa e Kosovës shtet i pavarur sovran, orientimi nga SHBA-të dhe Bashkimi Evropian. Kemi disa obligime që lidhen me të ardhmen e Kosovës; është përmirësimi i jetës ekonomike dhe sociale të qytetarëve, transformimi i FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës dhe hapja e perspektivës së Kosovës drejt BE-së. Duhet sa më shpejtë t'i mbyllim çështjet e hapura të cilat i kemi, demarkacionin me Malin e Zi dhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe në mënyrë që të kemi liberalizimin e vizave dhe integrimin e Kosovës në BE, veçanërisht zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit. Këto duhet të jenë prioritete tona. Sa i takon Beogradit dhe zyrtareve të Serbisë, atyre u ka kaluar boja. Thjesht sa më shumë ju krijojmë hapësirë përmes përçarjes sonë ata aq më tepër do të përfshihen. Përndryshe nuk kanë shansa. Radio Evropa e Lirë: Pas datës 25 qershor, kur po pritet certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve, do t'i bëni edhe ofertë zyrtare LDK-së për koalicion? Kadri Veseli: Oferta zyrtare është që nga momenti kur ne ekzistojmë si parti. Nuk është në interesin e qytetarëve që ne të përjashtojmë njëra tjetrën. Nuk është çështje e jetësisë sonë a jemi në pushtet apo nuk jemi në pushtet. Legjitimiteti duhet të respektohet dhe në të njëjtën kohë edhe legaliteti, Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Proceduara demokratike të cilat i kemi, por nuk është çështje e dëshirës se a do dike apo nuk e do. Ajo çështje po thuajse[është] terciale e cila duhet ta mbisundojë skenën tonë politike. Duhet respekti i asaj çka përfaqësojnë qytetaret tanë. Kjo është ajo çka na dallon ne si PDK shpesh nga disa parti të tjera. Ne nuk flasim më ta pse e duam një lider apo pse nuk e duam. Flasim me respektimin e vullnetit çka përfaqësojnë ata lider dhe ato parti politike. Logjika përjashtues dhe logjika e mllefit nuk krijon perspektive. Mund të krijoj një moment të caktuar një dëshirë moment hakmarrje, revanshi, por perspektiven e Kosovës e ndalë e frenon dhe vetëm sa çon zëra më shumë nga ata të cilët i përmendim, zëra nga Beogradi dhe Serbia që nuk ja duan të mirën këtij vendi. A DO TË SHKOJË PDK NË OPOZITË? Radio Evropa e Lirë: A ka rrethana politike që do ta çonin Partinë Demokratike në opozitë, pavarësisht rezultatit në zgjedhjet e 11 qershorit? Kadri Veseli: Për Partinë Demokratike të Kosovës këto janë zgjedhjet e katërta nga të cilat del fituese. Është e rrallë në Ballkan që ka ndodhur një situatë e tillë, këtë herë së bashku me partnerët e koalicionit. Por, po e them sërish, nuk është çështje jetësore për ne të jesh pozitë apo opozitë. Jetësore për ne është të qenit shtet i pavarur dhe sovran, fuqizimi i këtij shteti, orientimi i drejtë. Nuk do të lejojmë në asnjë mënyrë që të kemi orientim tjetër përveç atij perëndimor, pra partneriteti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian. Të njëjtën kohë kemi edhe fuqizimin ekonomik. Këto janë prioritete të cilat janë në interes të vendit dhe qytetarëve tanë. Do të punojmë fuqishëm me secilin partner, por të njëjtën kohë, Partia Demokratike e Kosovës është shumë e fuqishme që dikush të mendoj ta njëlloj, ta përjashtojë apo ta zhduk nga kjo që është vullneti i qytetarëve. Jemi në rrugë të drejtë për qytetarët tanë, kurse gabimet të cilat i kemi politike do të jenë të përmirësueshme. Kemi marrë mesazh, nëse i referohemi PDK-së, kemi marrë mesazh shumë të qartë nga elektorati ynë. Ne kurrë nuk kemi hatrim, përkundrazi kemi reflektim. Do të punojmë fuqishëm. Por, nuk e lejojmë aski që ta cenoj shtetin tonë të pavarur e sovran. Kjo është garanca të cilën e ka ky shtet me PDK-në, pastaj nga orientimi ynë perëndimor me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian dhe të njëjtën kohë nga zhvillimi ekonomik. Këto janë garancat nga të cilat PDK nuk heq dorë kurrë. Radio Evropa e Lirë: Është shtruar shumë çështja, çka nëse mandatari i juaj, koalicionit PAN, nuk arrin ta formojë Qeverinë e ardhshme. Në këtë rast a shihni një alternativë të dytë për formimin e Qeverisë nga një subjekt tjetër?  Kadri Veseli: Mandatari ynë Ramush Haradinaj do të jetë kryeministër i Kosovës, për arsye se është një çështje e interpretimit të vet vullnetit të qytetarëve tanë. Është një respektim i rregullave të demokracisë mbi të cilat ne veprojmë. Të njëjtën kohë është një respektim i Kushtetutës së Republikës sonë. Do të thotë, alternativat janë pothuajse fare inekzistente që Ramush Haradinaj të mos jetë kryeministër i Qeverisë së Kosovës për katër vitet e ardhshme. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Në Ukrainë rritet presioni për mbeturina

Posted: 20 Jun 2017 07:01 AM PDT

Ligjëvënësit ukrainas kanë rritur presionin ndaj kryetarit të qytetit Lviv në Ukrainë, Andriy Sadovyy, për të gjetur një zgjidhje rreth problemit të mbeturinave. Fraksioni parlamentar i bllokut të Petro Poroshenkos ka kërkuar nga Andriy Sadovyy që menjëherë të bëjë zgjidhje ose të heqë dorë nga posti. Ka më shumë se një vit që janë duke u diskutuar problemet me depozitimin e mbeturinave në këtë vend. Katër persona kanë vdekur në maj të vitit 2016 pasi ishin duke luftuar zjarrin e madh në të cilin po digjeshin një grumbull tejet i madh i mbeturinave. Kjo tragjedi ishte përcjellur me protesta në Lviv kundër kryetarit të qyytetit, Sadovyy.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Veseli: Vullneti i qytetarëve është Haradinaj kryeministër

Posted: 20 Jun 2017 06:47 AM PDT

"Mandatari ynë Ramush Haradinaj do të jetë kryeministër i Kosovës, për arsye se është një çështje e interpretimit të vet vullnetit të qytetarëve tanë", ka thënë kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Alexievich: Agjencia ruse publikoi intervistën pa autorizimin tim

Posted: 20 Jun 2017 06:16 AM PDT

Laureatja e Çmimit Nobel për Letërsi për vitin 2015, Slvetlana Alexievich ka thënë se agjencia e lajmeve ruse Regnum ka publikuar një intervistë të saj, pa kërkuar fillimisht autorizimin nga ajo. Intervista e publikuar përmban pyetje të një gazetari, i cili ballafaqon pikëpamjet kritike të Alexievichit rreth aneksimit të paligjshem të Krimesë nga ana e Rusisë, si dhe mbështetjen e Moskës ndaj separatistëve në lindje të Ukrainës. Alexievich ka thënë se ajo i ka dhënë intervistën të përditshmes Delovoi Peterburg, mirëpo ka kërkuar që intervista të mos publikohej pasi ka kuptuar se intervistuesi "nuk ka pasur qasje të gazetarit, por të një propagandisti". "Në momentin kur gazetari shtroi tri ose katër pyetjet e para, i tregova që refuzoj të përgjigjem në to, dhe kërkova ndalimin e publikimit të intervistës". "Pas pyetjes: Pse ju mbështesni banditët ukrainas?, gjithçka më pas u bë e qartë për mua", ka shtuar ajo.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Kosova ashpërson masat kundër lojës Balena Blu

Posted: 20 Jun 2017 05:58 AM PDT

Autoritetet e rendit thonë se në Kosovë janë raportuar gjashtë raste të të rinjve që kanë rënë pre e, siç thuhet, lojës "Balena Blu". Një nga rastet është raportuar një adoleshent me gërvishtje. "Balena Blu" e cila zhvillohet 'online', përmes internetit, kryesisht synon të vë në shënjestër të rinjtë duke provuar që t'i shtyjë ata në vetëvrasje. Loja fillimisht u përhap në rrjetet sociale në Rusi, por kohët e fundit ka nisur të përhapet edhe në Evropë. Loja nis me një ftesë në rrjetet sociale, e cila u dërgohet atyre që duan të marrin pjesë. Për një ftesë të këtillë flet edhe një i ri me inicialet T.G., 16 vjeç, nga Prizreni. "Kam marrë ftesë nga loja 'Balena Blu', në rrjetet sociale, por nuk e kam pranuar. Unë kam qenë i informuar për rrezikun që ka kjo lojë. Përmes mediave kam marrë informata. Nuk kam pranuar të luaj, dhe nuk e kam lajmëruar policinë", ka thënë T.G. Megjithatë, në platformat e rrjeteve sociale në Kosovë janë përhapur edhe lojëra të rreme, me emër të njëjtë. Dardan Hasku, menaxher i rrjeteve sociale, tha për Radion Evropa e Lirë se i kanë raportuar shumë raste të ftesave të rreme. "Kam filluar të hulumtoj nëse ka profil 'Balena Blu'. Sidomos në Instagram, e që mendoj që adoleshentët e përdorin më shumë sesa rrjetin Facebook. Kanë qenë me dhjetëra të tilla". "Kjo lojë ka nis të përhapet si virus në shtete tjera, dhe këto shtete i kanë devijuar rregullat e lojës dhe i kanë përshtatur. Andaj edhe në Kosovë disa entuziastë pa e pasur idenë se çka po bëjnë, kanë filluar të hapin profile ku kanë postuar fotografi të gërvishtjeve në trup, pastaj qindra kërkesa për mesazhe se si të luajnë me këtë lojë", thotë Hasku. "Fëmijët kanë filluar prej kureshtjes të luajnë, edhe pse unë besoj që nuk e kishin çuar lojën deri në fund, pra deri tek vetëvrasja, por kanë dashur t'i detyrojnë fëmijët ta gërvishtin veten", thekson ai.  Si rezultat i hulumtimit, nënvizon Hasku, duke i raportuar faqet false të lojës ''Balena Blu'' janë mbyllur dhjetëra sosh. "Kjo ka ndodhur në Kosovë, dhe unë i kam raportuar me dhjetëra të tilla, dhe si rezultat ato janë mbyllur. Unë të gjitha i kam ruajtur duke i dokumentuar me foto", shprehet Hasku. Por çka thonë psikologët lidhur me pasojat e lojës ''Balena e kaltër" apo "Blu"? Besnik Peci, psikolog, thotë se më së shumti dëmtohen fëmijët që nuk kanë stabilitet emocional. "Në raport me numrin e të rinjve sa kemi ne raste në Kosovë, pra 6 raste të identifikuara, mendoj se ka shumë raste të tjera në proces. Por, Policia si e vetme nuk mund t'i identifikojë rastet pa bashkëpunimin e prindërve apo kujdestarëve të fëmijëve", thotë Peci. Autoritetet e rendit, lidhur me lojën e quajtur ''Balena Blu'', u kanë bërë thirrje prindërve që t'i mbrojnë fëmijët e tyre duke ua pamundësuar qasjen në këtë lojë të rrezikshme. Baki Kelani, zyrtar për informim në Policinë e Kosovës tha për Radion Evropa e Lirë se Policia ka lëshuar një informacion për qytetarët, duke iu referuar prindërve, por edhe qytetarëve në përgjithësi që të kenë kujdes të shtuar dhe të mos bien pre e lojës së shfaqur. "Po flasim në bazë të informacioneve publike, mbi 130 fëmijë kanë bërë vetëvrasje në Rusi, si pasojë e inkuadrimit të fëmijëve në këtë lojë. Me qëllim të parandalimit të kësaj dukurie, kemi dalë më komunikatë për sqarim se çka është kjo lojë dhe kemi informuar prindërit se si t'i mbrojnë fëmijët e tyre". "Më pas janë raportuar 6 raste që kanë të bëjnë me fëmijë dhe të rinj që kanë rënë pre e kësaj loje. Nuk dihet ende nëse ka edhe raste të tjera", thotë Kelani. Megjithatë, numri prej 130 vetëvrasjesh në emër të kësaj loje, nuk është informacion i konfirmuar edhe zyrtarisht.  Krijuesit dhe administruesit e kësaj loje, janë duke u ndjekur penalisht nëpër vende të ndryshme të botës. Nga aspekti i administrimit me këtë lojë, në Kosovë nuk është shënuar ndonjë rast i arrestimit të ndonjë personi.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Mourinho akuzohet për mashtrim me taksa në Spanjë

Posted: 20 Jun 2017 05:39 AM PDT

Prokurorët spanjollë akuzuan menaxherin e Manchester United-it, Jose Murinho për mashtrim me taksa. Prokurorët në Madrid thanë se Mourinho ka fshehur 3.3 milionë euro taksa, gjatë kohës sa ka qenë trajner i Real Madridit. Sipas tyre Mourinho nuk i ka deklaruar të ardhurat në Spanjë nga viti 2011 deri më 2012. Mourinho ka lënë grupin Real Madrid më 2013, për të kaluar në menaxhimin e ekipit anglez, Chelsea për herë të dytë, para se të kalojë në Manchester United më 2016. Ai ende nuk i ka komentuar akuzat, të cilat vijnë pas zgjerimit të listës për raste të mashtrimeve tatimore duke përfshirë yje të futbollit në Spanjë. Këtu përfshihet edhe ylli i Real Madridit, Cristiano Ronaldo, i cili akuzohet se ka se ka shmangur taksat. Dëmi kap vlerën e 14.7 milionë eurove. Ronaldo i ka hedhur poshtë këto akuza.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Mali i Zi dhe Serbia hapin kapituj të rinj me BE-në

Posted: 20 Jun 2017 04:07 AM PDT

Mali i Zi dhe Serbia kanë bërë edhe një hap drejt integrimit në Bashkimin Evropian, duke hapur edhe dy kapituj të negociatave për anëtarësim. Mali i Zi hapi sot kapitullin 1 për lëvizjen e lirë të mallrave dhe kapitullin 22 për politikën rajonale. Podgorica po ashtu do të mbyllë kapitullin 30 për marrëdhëniet me jashtë. Mali i Zi, i cili këtë muaj i është bashkuar zyrtarisht NATO-s, është vendi i Ballkanit Perëndimor më i përafruari me BE-në. Serbia, në anën tjetër, hapi sot kapitujt për unionin doganor dhe ligjin e pronësisë intelektuale. Nga Mali i Zi dhe Serbia kërkohet harmonizimi i rregulloreve të tyre kombëtare me ato të BE-së përpara se të mbyllen zyrtarisht të gjithë kapitujt, duke hapur rrugën drejt pranimit të tyre të mundshëm në BE. Më 2014, Komisioni Evropian ka bërë të ditur se nuk planifikohet ndonjë anëtarësim i ri deri në fund të vitit 2019, mirëpo disa shtete të Ballkanit Perëndimor janë duke konkuruar për t'u bërë pjesë e BE-së në dekadën e ardhshme.  

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Lufta civile në Siri: Tensione të larta midis SHBA-së dhe Rusisë

Posted: 20 Jun 2017 03:15 AM PDT

Kryetari i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë amerikane, gjenerali Joseph Dunford, tha se SHBA-ja është duke punuar për rivendosjen e komunikimit me ushtrinë e Rusisë. Moska tha se i ka ndërprerë kontaktet me ushtrinë amerikane rreth Sirisë, pasi një avion amerikan rrëzoi të dielën një avion luftarak të ushtrisë siriane. Edhe SHBA-ja, edhe Rusia kryejnë sulme ajrore në Siri kundër, siç thonë, grupeve terroriste. E ashtuquajtura linjë e komunikimeve për parandalimin e përplasjeve ajrore midis tyre u ndërpre po ashtu. "Ne do të punojnë në mënyrë diplomatike dhe ushtarake në orët në vijim për të rivendosur komunikimin dhe për të ulur tensionet", tha gjenerali Joseph Dunford. "Gjëja më e keqe që ne mund të bëjmë tani është ta hiperbolizojmë situatën", shtoi ai. Dunford tha se qëllim i ushtrisë amerikane është të shkatërrojë grupin ekstremist Shteti Islamik. "Federata Ruse ka deklaruar se qëllimi i saj në Siri, ashtu sikurse i yni, është mposhtja e Shtetit Islamik, andaj në orët e ardhshme do të shohim nëse kjo është e vërtetë ", tha Dunford. Ministria e Mbrojtjes e Rusisë më herët ka thënë se ka pezulluar linjën e komunikimeve me Shtetet e Bashkuara, pasi Pentagoni nuk e ka shfrytëzuar atë përpara se ta rrëzonte aeroplan luftarak sirian, më 18 qershor. Pavarësisht këtyre pretendimeve nga ana e Rusisë, Dunford tha se linja komunikuese është përdorur "gjatë orëve të fundit". Rusia gjithashtu ka paralajmëruar se sistemet e saj të mbrojtjes ajrore do të fillojnë identifikimin e të gjithë aeroplanëve të koalicionit të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara në Siri. Kjo ka bërë që Pentagoni t'i zhvendosë disa aeroplanë. "Ne kemi marrë vendime të matura për të ripozicionuar aeroplanët në Siri, në mënyrë që të vazhdojmë luftimin e forcave të Shtetit Islamik, duke garantuar sigurinë e aeroplanëve tanë", tha zëdhënësi i Pentagonit, Adrian Rankine-Galloway. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer, tha se Shtetet e Bashkuara "do të bëjnë atë që munden në mënyrë që të mbrojnë interesat e vendit", duke shtuar se Uashingtoni do të mbajë linjë të hapur të komunikimeve me rusët. "Përshkallëzimi i armiqësive në mesin e shumë fraksioneve që veprojnë në këtë rajon, nuk do të ndihmojë askënd", tha Spicer. Moska ka kërcënuar me heqjen e linjës së komunikimeve edhe pas sulmit raketor të SHBA-së në një bazë ajrore të Sirisë, më 7 prill. SHBA ka vepruar atëbotë pas dyshimeve se Qeveria siriane ka kryer sulm kimik kundër civilëve. Linja e komunikimit shihet si mjet jetik dhe është krijuar prejse Rusia është bërë pjesë e luftës civile në Siri, në fund të vitit 2015, në mbështetje të presidentit sirian, Bashar al-Assad. Linja komunikuese lidh zyrtarët ushtarakë amerikanë dhe homologët e tyre rusë që veprojnë në Siri, në një qendër të Katarit. Përgatiti: Krenare Cubolli

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Vazhdon rinumërimi, nuk ka datë për certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve

Posted: 20 Jun 2017 02:50 AM PDT

Në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve po vazhdon rinumërimi i votave nga kutitë e votimeve për të cilat është kërkuar një procedurë e tillë. Nga 145 kuti që janë numëruar, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të hënën ka vendosur që të rinumërohen edhe 280 kuti tjera të votimit, për shkak të, siç thuhet, "mospërputhjes së të dhënave të kandidatëve dhe subjekteve politike". Pas rinumërimit të gjithsej 425 kutive të votimit, pritet të fillojë edhe numërimi i votave me kusht, atyre me postë dhe votave të personave me nevoja të veçanta. Përmbyllja e numërimit dhe rinumërimit të votave do të përmbyllet më pas me certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë, të mbajtura më 11 qershor. Valmir Elezi, zëdhënës i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, tha për Radion Evropa e Lirë se procesi i rinumërimit të votave është duke vazhduar normalisht dhe nuk janë evidentuar parregullsi. "Në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve (QNR) po punohet maksimalisht me tri ndërrime, në mënyrë që sa më shpejtë të përmbyllet ky proces".  "Aktualisht, Qendra e Numërimit dhe e Rezultateve është në finalizim të skanimit të listëve të votueseve të rregullt dhe regjistrimit të votuesve me kusht. Në bazë të punës dhe angazhimit në këtë Qendër, ne po shpresojmë që brenda pak ditësh do të fillojmë numërimin e votave më kusht, votave të cilat kanë ardhur përmes postës dhe votave të personave me nevoja të veçanta", tha Elezi.  Sidoqoftë, Elezi nuk ka dhënë ndonjë periudhë kohore se kur mund të shpallen rezultatet përfundimtare për shkak të procedurave dhe kohës për ankesa dhe parashtresa. Ndërkaq, kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, pati deklaruar se certifikimi do të ndodhë më së largu tri javë pas votimeve, që nënkupton javën e fundit të muajit qershor. ​Edhe organizatat joqeveritare që kanë monitoruar procesin e zgjedhjeve të 11 qershorit dhe po monitorojnë procesin e numërimit të votave, thonë se nuk është vërejtur ndonjë parregullsi. Albert Krasniqi, nga Koalicioni i Organizatave Joqeveritare "Demokracia në Veprim", tha për Radion Evropa e Lirë, se bazuar me përvojat nga zgjedhjet e kaluara, probleme mund të paraqiten tek numërimi i votave me kusht dhe votave nga jashtë. "Këto munden me qenë një fazë pak më delikate për të parë se a po anulohen votat më kusht për ata votues që kanë votuar në mënyrë të rregullt. Po ashtu edhe votat nga jashtë, ku herave të kaluara ka pasur parregullsi, sidomos votave që kanë ardhur nga Serbia, për shkak se kanë qenë të plotësuara në mënyrë të njëjtë dhe kandidatë të njëjtë". "Aty do të kemi një fokus më të madh për të parë mënyrën se si janë plotësuar dhe në rast se ka pasur ndonjë parregullsi apo manipulim të vullnetit të qytetarëve", tha Krasniqi. Në bazë të punës që është duke u bërë në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve, Krasniqi beson se në fillim të muajit korrik do të përmbyllet procesi. "Besoj se deri në fillim të muajit korrik do të kemi rezultatet e certifikuara të kandidatëve dhe të subjekteve politike", shprehet Krasniqi. Ndryshe, në bazë të rezultatit preliminar të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partisë Nisma, ka fituar 34 për qind të votave, pasuar Lëvizja Vetëvendosje me 27 për qind, kurse në vendin e tretë është koalicioni Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca Kosova e Re dhe Alternativa me 25.7 për qind të votave. Në zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë, më 11 qershor, kanë garuar 5 koalicione, 19 parti politike dhe 2 iniciativa qytetare, me mbi 900 kandidatë për 120 ulëset e Kuvendit të Kosovës. Nga 120 vendet sa ka Kuvendi i Kosovës, 10 ulëse janë të garantuara për serbët dhe po aq për komunitetet tjera joserbe. Në bazë të Kushtetutës, Kuvendi i Kosovës zgjidhet me mandat katërvjeçar, duke filluar nga dita e seancës konstituive, që mbahet brenda tridhjetë ditësh nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Gjykata evropiane vendos kundër ligjit rus për homoseksualitetin

Posted: 20 Jun 2017 02:33 AM PDT

Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut konstatoi se ligji rus, që ndalon shpërndarjen e "propagandës homoseksuale" te të miturit, shkel të drejtën e lirisë së shprehjes dhe është diskriminues ndaj njerëzve homoseksualë. Gjykata me seli në Strasburg vendosi sot në favor të tre aktivistëve homoseksualë rusë: Nikolai Bayev, Aleksei Aleksandrovich Kiselev dhe Nikolai Alekseyev, të cilët kanë pretenduar se ligji shkel të drejtën e lirisë së shprehjes dhe të ndalimit të diskriminimit, sipas Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. "Qëllimi i ligjit, mënyra e formulimit të tij dhe zbatimi i tij janë diskriminues dhe, në përgjithësi, nuk i shpërbejnë asnjë interesi publik legjitim", tha përmes një deklarata gjykata në Strasburg.  "Me miratimin e ligjit të tillë, autoritetet kanë forcuar diskreditimet dhe paragjykimet dhe kanë nxitur homofobinë", tha gjykata. Ligji federal rus që ndalon shpërndarjen te fëmijët të "propagandës për marrëdhënie jotradicionale seksuale" ka hyrë në fuqi në vitin 2013.  

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Zjarret në Portugali ende kërcënim për njerëzit

Posted: 20 Jun 2017 02:20 AM PDT

Temperaturat e larta në Portugali kërcënojnë përpjekjet e zjarrfikësve për të vënë zjarret nën kontroll. Temperaturat sot pritet të arrijnë në 38 gradë Celsius dhe së bashku me erërat rrezikojnë të përhapin zjarret në pyje, tashmë të ndezura. Zyrtarë të mbrojtjes civile thonë se edhe pse 70% e zjarreve është nën kontroll, ato që mbeten janë "shqetësim i madh". Së paku 64 njerëz kanë vdekur qysh të shtunën. Shumica kanë vdekur në makinat e tyre ose në distancë të shkurtër nga zjarret, derisa kanë bërë përpjekje të ikin.  Mbi 130 veta janë plagosur. Qeveria ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në rajonin pyjor Pedrogao Grande, në verilindje të kryeqytetit Lisbonë.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Thaçi: Ushtria do të jetë në përputhje me standardet e NATO-s

Posted: 20 Jun 2017 01:34 AM PDT

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, priti sot në takim ministren sllovene të Mbrojtjes, Andreja Katiç. Në njoftimin e Presidencës për media thuhet se Thaçi e falënderoi ministren Katiç për përkrahjen e vazhdueshme të Sllovenisë, ndërsa shprehu gatishmërinë që "bashkëpunimi i mirë ndërmjet Kosovës dhe Sllovenisë të thellohet edhe më shumë". Presidenti Thaçi e njoftoi ministren Katiç edhe për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Forcë të Armatosur. Me këtë rast, Thaçi citohet të ketë thënë se ushtria e Kosovës do të jetë forcë profesionale, në përputhje me standardet e NATO-s, shumetnike dhe në shërbim të të gjithë qytetarëve të Kosovës.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Poroshenko takon sot Trumpin

Posted: 20 Jun 2017 01:18 AM PDT

Presidenti i Ukrainës, Petro Poroshenko, takon sot në Uashington presidentin e Shteteve të Bashkuara, Donald Trump. Shtëpia e Bardhë njoftoi se Poroshenko do të takojë Trumpin, nënpresidentin Mike Pence dhe këshilltarin për siguri kombëtare, H.R. McMaster. Poroshenko tha se ai do të takojë edhe zyrtarë amerikanë nga departamentet e Shtetit, Mbrojtjes, Tregtisë dhe Energjisë. Vizita e Poroshenkos vjen në kohën kur konflikti midis forcave të armatosura të Ukrainës dhe separatistëve pro-rusë në lindje të Ukrainës është intensifikuar, pavarësisht Marrëveshjes së Minskut për Paqe. Shtetet e Bashkuara kanë ndërmarrë një varg sanksionesh kundër Rusisë, për shkak të ndërhyrjes së saj në Ukrainë.  

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more