Skip to main content

RTSH: “Kodheli, deputetja e re e PS në Kukës: Ky qark ka nevojë për shumë investime!” plus 9 more

RTSH: “Kodheli, deputetja e re e PS në Kukës: Ky qark ka nevojë për shumë investime!” plus 9 more


Kodheli, deputetja e re e PS në Kukës: Ky qark ka nevojë për shumë investime!

Posted: 26 Jun 2017 02:07 PM PDT

Ministrja e mbrojtjes Mimi Kodheli, do të jetë deputetja e vetme e PS në qarkun e Kukësit. “E nderuar që do përfaqesoj Kuksianët, Hasjanët dhe Tropojanët” tha ajo për RTSH. Sipas zonjës Kodheli “Procesi ka qenë i qetë dhe për këtë falenderoj të gjithë qytetarët”. Ajo vlerëson se PS ka patur një rezultat historik në Tropojë. “Te gjitha qendrat e votimit rritje për PS. Në Bashkinë Kukes, PS kryeson me 1800 vota mbi PD, një tjetër arritje historike. Partia socialiste e qarkut Kukës ka arritjen më të madhe në këtë fushatë elektorale. Nga 11.100 vota që ishte diferenca mes PD dhe PS, sot jemi vetëm 1.100 vota” tha zonja Mimi Kodheli. Por duke ju referuar faktit se kundërshtarja e PS, PD ka fituar dy deputetë, zonja Kodheli mendon se ” Megjithë investimet e rilindjes urbane që kanë prekur të tre kryqendrat e këtij qarku, sërish ka nevojë për më shumë investime. Prioritet do të jetë punësimi i të rinjve, ndërtimi i një infrastrukture për të gjithë zonat rurale si dhe përmiresimi i shërbimeve.  Kukësi, Hasi dhe Tropoja votojnë Partinë Socialiste dhe kryeministrin Edi Rama për të drejtuar vendin, për shtet, punë dhe mirëqënie” thotë deputetja e PS në Kukës Mimi Kodheli.

Kalon ora 22, por numërimi ende nuk ka përfunduar

Posted: 26 Jun 2017 01:49 PM PDT

Ora 22 e paralajmëruar nga KQZ si ora kur numërimi i votave duhet të kishte mbaruar, tashmë ka kaluar, por përpunimi i qendrave të votimit ka arritur afër 85 përqind. Në fakt ky është një rast i rrallë për zgjedhjet në Shqipëri, kur numërimi i votave ecën me një shpejtësi të tillë, të paparë më parë. Rezultatet e deritanishme nxjerrin fitues PS me të paktën 73 mandate, e ndjekur nga PD me 43 mandate dhe LSI me 19 mandate. Ndërkaq 4 mandate do të ketë PDIU dhe PSD 1 mandat.
Nëse bëjmë një krahasim me zgjedhjet e 2013, PS ka marrë deri tani 8 mandate më shumë, LSI 3 mandate, ndërsa PD ka më pak 7 mandate. PDIU ka mbetur në kuotën e 4 mandateve ndërsa PSD ka rihyrë pas dy legjislaturash në parlament me 1 deputet.
Sipas votave në parlament nuk do të jenë PR e cila në zgjedhjet e kaluara ka patur 3 deputetë dhe PKD 1 deputet. Por duhet shënuar se në listat PD janë regjistruar në vende të sigurta disa krerë partish aleate, të cilët pritet të hyjnë si deputetë në parlament.

Mogherini dhe Hahn: Zgjedhjet në Shqipëri u zhvilluan në një mënyrë të qetë dhe të rregullt

Posted: 26 Jun 2017 12:54 PM PDT

Përfaqësuesja e lartë dhe zëvendëspresidentja e BE Mogherini dhe komisioneri Hahn, me anë të një deklarate vlerësuan se zgjedhjet parlamentare të Shqipërisë më 25 qershor u zhvilluan në një mënyrë të qetë dhe të rregullt. Qytetarët përfituan nga një ofertë e gjerë politike në një fazë të rëndësishme të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE.
Duke ju referuar konkluzioneve paraprake të Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të OSBE / ODIHR, zonja Mogherini dhe zoti Hahn vlerësojnë se garuesit zgjedhorë ishin në gjendje të bënin një fushatë të lirë, ndërsa liritë themelore të grumbullimit dhe shprehjes u respektuan. Sipas tyre korniza zgjedhore në përgjithësi siguroi një bazë të përshtatshme për zhvillimin e zgjedhjeve demokratike.
Zonja Mogherini dhe zoti Hahn nënvizojnë se kanë marrë shënim rezervat e shprehura nga vëzhguesit lidhur me politizimin e organeve zgjedhore dhe zbatimin në kundërshtim të ligjit. “Ne presim ndjekjen e duhur të gjetjeve paraprake të Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve, sidomos lidhur me akuzat për blerjen e votave dhe presionin ndaj votuesve, si dhe ndërhyrjen e aktivistëve të paautorizuar të partive të cilat mund të dëmtojnë besimin e publikut në zgjedhje” shprehen ata.
Dy zyrtarët e lartë të BE premtojnë se “Pasi të përfundojë procesi zgjedhor, do të angazhohemi me qeverinë e re për të mbështetur procesin e reformave dhe për të vazhduar procesin e integrimit në BE. Vazhdimi i reformës së drejtësisë dhe lufta kundër trafikut të drogës dhe kultivimit do të jetë e një rëndësie të veçantë në këtë drejtim. Ne gjithashtu presim të vazhdojmë partneritetin tonë me Shqipërinë për të nxitur bashkëpunimin rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë” shkruajnë në deklaratën e tyre përfaqësuesja e lartë dhe zëvendëspresidentja e BE Mogherini dhe komisioneri Hahn.

Rama e Ruçi fitojnë sfidat

Posted: 26 Jun 2017 12:28 PM PDT

Kryeministri Edi Rama duket se ka fituar një tjetër sfidë në zgjedhjet e 25 qershorit. Ndonëse nuk e kishte deklaruar si të tillë ai, kishte vendosur veten të 6-in në listën emërore të qarkut të Vlorës e cila çon në parlament 12 deputetë. Në zgjedhjet e viti 2013 PS kishte arritur të fitonte 7 mandate, pas një lufte të fortë me PD, dhe ndër ta i pari në listë ishte kreu i PS. Por tani parashikohet që PS të fitojë 8 mandate, duke e bërë hyrjen e zotit Rama në parlament shumë të sigurtë.
Të njëjtën rrugë ka ndjekur edhe Gramoz Ruçi, numri 2 i PS. Zoti Ruçi ishte i 9-ti në qarkun e Fierit. Sipas përllogaritjeve të deritanishme PS në këtë qark fiton 10 nga 16 mandate.
Pozicionimet e zotit Rama dhe zotit Ruçi në listat e qarqeve ishin parë me dyshim. Përkrahësit e tyre i kishin shprehur shqetësim, ndërsa kundërshtarët shpresonin ti mundnin. PD kishte deklaruar në Vlorë se me listën e saj të kandidatëve për deputetë pozita e zotit Rama rrezikohej, e po kështu për zotin Ruçi në Fier.

Euronews: Pesë prioritetet e Ramës

Posted: 26 Jun 2017 11:44 AM PDT

Rrjeti Euronews, vlerëson se Edi Rama ka shumë mundësi të jetë në krye të qeverisë edhe për 4 vjet, thekson 5 prioritetet me të cilat duhet të merret urgjentisht. Sipas Euronews këto prioritete janë: Pronat, Reforma në Drejtësi, lufta kundër drogës, eksodi i trurit dhe papunësia e lartë.
Pronat
Ka shumë dosje të hapura dhe të pazgjidhura. Vetë Rama e ka pranuar që çështja e pronave është një "lëmsh" që po del nga kontrolli. Për zgjidhjen e kësaj çështje, qeveria socialiste ka vendosur një fond prej 500 milionë eurosh, shumë që përdoret për kompensimin e pronarëve.
Drejtësia
Pastrimi i sistemit të drejtësisë, gjyqësorit dhe organit të akuzës nga elementët e korruptuar është një tjetër çështje që socialistët janë zotuar se do të përballen. Parlamenti miratoi ligjin e vettingut për gjyqtarët dhe prokurorët. Më shumë se 300 persona akuzohen si të korruptuar në këtë sistem. "Duhet të justifikojnë të ardhurat, pasi një pjesë e mirë e tyre kanë vendosur pasuri që s'mund të justifikohet. Gjithashtu duhet të provojnë që nuk kanë lidhje me krimin e organizuar si dhe do të testohen për aftësinë", thotë Kryeministri Rama.
Droga
Përpjekjet në luftën kundër drogës kanë qenë të vazhdueshme, por të pamjaftueshme për të ndalur sidomos kultivimin e kanabisit, i lidhur drejtpërdrejtë me krimin e organizuar. Sipas Europol, Shqipëria është furnizuesi kryesor me hashash në vendet e Bashkimit Europian.
Eksodi i trurit
Sipas Instat, rroga mesatare mujore në Shqipëri është nën 460 mijë lekë. Nëse krahasohet me pagat në Itali dhe Greqi është shumë herë më e ulët dhe mjafton për të kuptuar se përse të rinjtë braktisin vendin.
Papunësia
Rreth një e katërta e të rinjve në Shqipëri janë pa punë. Në Gjermani vetëm 7 përqind e të rinjve të moshës nga 15 deri në 29 vjeç figurojnë të papunë, ndërkohë që mesatarja në bllokun e BE-së është 17.2 përqind.

Vazhdojnë numërimet, LSI i merr një mandat PD

Posted: 26 Jun 2017 11:27 AM PDT

Numërimi i votave për zgjedhjet e 25 qershorit po ecën me shpejtësi, ndoshta duke shënuar një rast të rrallë në historinë e votimeve në Shqipëri. Sipas të dhënave më të fundit të KQZ janë përpunuar 76.74 përqind e kutive, ose 4115 nga 5362 kuti, rezultatet e projeksionit të mandateve ka ndryshuar sërisht. Këtë rradhë është LSI që është ngjitur me 19 mandate, ndërsa ka rënë PD në 43 mandate. PS ka mbetur në kuotën e 73 mandateve, PDIU në 4 mandate dhe PSD 1 mandat. Bie e në sy se mandati i PSD po fitohet falë ligjit zgjedhor. Kjo parti ka marrë deri tani 9315 vota, ndërsa një tjetër parti LIBRA edhe pse ka 14072 vota do ta ketë të vështirë të marri një mandat. Specialistt spjegojnë se kjo “padrejtësi” vjen për shkak se votat e PSD janë përqëndruar në një zonë nga ku pritet që ajo të fitojë një deputet, ndërsa votat e LIBRA-s janë të shpërndara.

Kukan për hapjen e negociatave: Unë jam shumë optimist!

Posted: 26 Jun 2017 09:49 AM PDT

Europarlamentari Eduard Kukan, i cili kryeson delegacionin me 7 anetarë të Parlamentit Evropian për vezhgimin e zgjedhjeve në Shqipëri, u shpreh i kënaqur nga ecuria e procesit. I pyetur nga Sonila Agostini e RTSH, nëse zgjedhjet i plotësuan standardet për të hapur negociatat zoti Kukan tha se ndjehet shumë optimist.”Shumë herët për ta thënë. Kur të kemi të gjithë informacionin, të gjitha raportet, atëhere mund të shprehem. Por përshtypjet e mia janë të mira për zgjedhjet, nga ato që kam parë. Por është e domosdoshme të shihet piktura e gjithë vendit para se të japim vlerësime. Sinqerisht, unë jam shumë optimist” thya zoti kukan për RTSH. Më herët, zoti Kukan kërkoi njohjen e rezultatit të votimit nga partitë politike.

Zvogëlohet diferenca PS -PD

Posted: 26 Jun 2017 09:36 AM PDT

Kur janë përpunuar afro 70 përqind e qendra votave të hedhura, diferencat mes PS dhe PD, dy partive kryesore në vend janë zvogëluar PS deri tani projektohet të marri 73 deputetë, ndërsa PD 44.
Në shifra votuesish, PS ka marrë deri tani 514.964 vota ndërsa 309.371 vota. Për tre partite e tjera që pritet të hynë në parlament nuk ka ndryshim. LSI projektohet të marri 18 deputetë, PDIU 4 dhe PSD 1.

Ambasada e SHBA: Votimi u krye me efikasitet dhe në mënyrë paqësore

Posted: 26 Jun 2017 09:03 AM PDT

Ambasada e SHBA ka publikuar në Fejsbuk një deklaratë lidhur me zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit në Shqipëri. “Shtetet e Bashkuara urojnë qytetarët shqiptarë për ushtrimin e të drejtës së tyre demokratike të votës në zgjedhjet parlamentare të 25 qershorit, 2017. Votimi u krye me efikasitet dhe në mënyrë paqësore në pjesën më të madhe të Qendrave të Votimit” vlerëson deklarata. “Ne përgëzojmë punonjësit dhe vëzhguesit e përkushtuar të zgjedhjeve së ditës së votimit, të cilët punuan gjatë një dite feste kombëtare dhe të nxehti ekstrem, për të përmbushur detyrat e tyre” vazhdon më tej deklarata.
Lidhur me problematikat e zgjedhjeve deklarata “Vëzhguesit ndërkombëtarë dëshmuan incidente të blerjes së votës, fotografimit të fletës së votimit, dhe presoni ndaj votuesve. Zyrtarët e zgjedhjeve dhe forcat e rendit iu përgjigjën pjesës më të madhe të këtyre ankesave, disa prej të cilave përfunduan në arrestime.Edhe pse disa nga shkeljet zgjedhore të dëshmuara ishin serioze dhe duhen adresuar, ato nuk ishin aq të përhapura sa të ndryshonin rezultatin e përgjithshëm të zgjedhjeve” shënon deklarata e ambasadës së SHBA në Tiranë.

Zgjedhjet, OSBE-ODHIR i vlerëson si të mjaftueshme për stabilitetin e nevojshëm

Posted: 26 Jun 2017 08:26 AM PDT

Zgjedhjet në Shqipëri ishin të mira mjaftueshëm për të pasur stabilitetin e nevojshëm në këtë vend për të kryer detyrën. Përcaktimi i vëzhguesve ndërkombëtarë një ditë pas mbajtjes së zgjedhjeve dhe në vazhdim të procesit të numërimit, nuk ndryshonte në cilësi nga gjetjet e procesit të mëparshëm në vend, pavarësisht se vetë vëzhguesit shprehën sa rezerva për mosadresimin e rekomandimeve të kaluara, aq dhe besim për të arritur çeljen e negociatave me mbështetjen europiane.
Koordinatori i misionit të OSBE-se, Robert Batelli tha se “Ka ardhur koha që Shqipëria të bëjë një lëvizje serioze dhe domethënëse drejt normalitetit. Anëtarët e parlamentit, media, qeveria, duhet të jetë plotësisht në përputhje me mandatin e vet. Prandaj u zhgënjeva pak, pasi prisja që këto zgjedhje të ishin më të mira, por janë njësoj si zgjedhjet e mëparshme. Të mira mjaftueshëm për të pasur stabilitetin e mjaftueshëm në këtë vend për të kryer detyrën.
Nga ana e tij eurodeputeti Eduard Kukan tha se “Jemi mjaft të inkurajuar dhe nga rezultatet pozitive dhe ndërmjetësimet politike që çuan në pjesëmarrjen e PD. Dëshirojmë që rezultati të njhet nga të gjitha partitë politike gjë që është kyç për proceset demokratike. Parlamenti Europian mbështet plotësisht kërkesat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE. Është thelbësore të vazhdohen reformat. Shpresojmë që besimi në procesin politik të rivendosen përmes pjesëmarrjes konstruktive të të gjitha partive politike në parlament. Populli shqiptar ka shumë miq në Parlamentin Europian të cilët kujdesen për të ardhmen e tyre” tha zoti Kukan.
Procesi i cilësuar deri tani në respekt të të drejtave themelore nga 304 vëzhgues ndërkombëtarë, ka vlerësuar pa ekuivok pasqyrimin e baraspeshuar nga ana operatorit publik RTSH. “Televizioni publik përmbushi detrimin e tij ligjor për respektimin e kohës së transmetimit të parashikuar për partitë politike” tha Koordinatori i misionit te OSBE-se, Robert Batelli.
Diza zhvilime gjatë fushatës zgjedhore ishin në qendër të pyetjeve të gazetyarëve. Eurodeputeti Eduard Kukan është pyetur për përfshirjen e presidentit të zgjedhur Meta në fushatën zgjedhore.
“Më detyroni të jem diplomatik në përgjigjet e mia për shkak se nuk ka një përgjigje, po apo jo ndaj kësaj pyetje. Kolegët tanë kanë informacion më të saktë përsa i përket akuzave të blerjes së votave apo çfarëdo lloj akuze tjetër. E vërteta është që Meta ishte apo është zgjedhur President në parlament nga shumica kushtetuese. Dhe unë do ju përgjigjem që në vende të tjera Presidenti nuk është anëtar partie për shkak se ai duhet të kryejë përgjegjësitë dhe detyrat e tij objektive dhe të paanshme karshi gjithë popullsisë së vendit. Prandaj përgjigjen mund ta gjeni, uluni dhe mendojeni deklaratën që ju thashë dhe gjejeni përgjigjen aty” tha zoti Kukan.
Raporti përfundimtar i OSBE ODIHR për zgjedhjet do të dalë në 8 korrik.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more