Skip to main content

Tirana Observer: “Kadare, letër ndjese për Vlahutin” plus 9 more

Tirana Observer: “Kadare, letër ndjese për Vlahutin” plus 9 more


Kadare, letër ndjese për Vlahutin

Posted: 10 May 2017 09:05 AM PDT

Shkrimtari i madh shqiptar Ismail Kadare iu adresua me një letër publike ambasadores së BE në Tiranë, Romana Vlahutin, pas kërcënimeve të bëra ndaj saj nga publicisti Kastriot Myftaraj, përmes një artikulli të publikuar në media.

Kadare shkruan se është ndjerë edhe ai i fyer nga ato që janë shkruar në adresë të Vlahutin, ndërsa thekson gjithashtu se është i gatshëm të kërkojë ndjesë në gjunjë.

LETRA

Letër për Romana Vlahutin, ambasadore e BE në Shqipëri

E nderuara Zonjë,

Më lejoni t'ju drejtohem me këtë letër krejtësisht personale, për tronditjen që më shkaktoi sot fyerja e paskrupullt që u bë publikisht kundër jush në shtypin shqiptar.

Nuk është fjala për të sqaruar këtu se ç'është fyerja e një njeriu jo normal dhe se sa pak lidhje ka ajo me një popull e një shoqëri të tërë.

Megjithatë ajo fyerje u botua nga shtypi i vendit tim, kështu që në një mënyrë ose një tjetër na vuri para përgjegjësisë të gjithëve.

Ndonëse shkrimtar i njohur, nuk marr përsipër të përgjigjem për ato çka mund të ndodhin në këtë vend, për mirë apo për keq.

Do të doja thjesht të ndaja me ju pikëllimin që mund të ndiejë njeriu, i cili, në vendin ku vjen të ndihmojë për kapërcimin e brengave, ndeshet me një mosmirënjohje të tillë.

E dashur Romana Vlahutin, do të isha gati t'ju kërkoja ndjesë në gjunjë, për t'ju siguruar se mirënjohja për ju është e do të jetë e pacenueshme.

Ismail Kadare

Paris, 10 maj 2017

“Pseudonimi shqiptari”, seriali që nguli para TV, telespektatorin rus!

Posted: 10 May 2017 08:02 AM PDT

Nga Armand Plaka

Nuk ndodh shpesh që shqiptarët të bëhen të famshëm në një vend të madh europian e aq më tepër në Rusi, vendin më të madh në botë. Por në aspektin artistik, duket se emri "shqiptar" në një periudhë të caktuar – jo larg momentit aktual – ka përbërë një tërheqje më vete për të veshur me ketë emër pseudonimin e personazhit të një seriali artistik të zhanrit aksion, shumë të ndjekur atje në vitet 2006-2012.

Nuk e di nëse ka qenë i ditur ky fakt, por mua m'a solli si informacion një shqiptar që studion në Rusi, e që më bëri menjëherë të bëja ca gërmime fare minimale në web, rezultatet e të cilave më përkuan tërësisht me të dhënat që ai më dha. M'u duk interesante t'a ndaja si informacion ndër shqiptarë, edhe pse seriali në fjalë, veç emrit, dmth. pseudonimit "shqiptar/i"(nga rusishtja: "albanec" ) nuk ka kurrfarë lidhjeje me Shqipërinë apo shqiptarët.

Në fakt, skenari dhe të dhënat bazë sugjerojnë se nën pseudonimin "shqiptari" fshihet vetë personazhi kryesor, Viktori, një ish-agjent i epokës sovjetike, luajtur me mjeshtëri nga Aleksandr Dedjushko (Александр Дедюшко).

Cilësitë profesionale të tij do të bëhen shkas që jeta e tij "profesionale" të stërzgjatet, falë këmbënguljes së ish-kolegëve të tij, tashmë të riformatuar në epokën post-sovjetike, ku ndërthuren vrasjet dhe bizneset e pisëta, duke bërë që ai t'a kuptojë se tashmë me këtë riangazhim "profesional", është vënë në pikëpyetje edhe vetë jeta e tij.

Kasti i aktorëve më pas pasurohet edhe me figura të tjera të kinematografisë e botës TV moderne ruse.

ANALIZA/ Nga Berlini në Cardiff, në dy vite Juventusi është kthyer në një Ferrari

Posted: 10 May 2017 06:50 AM PDT

Dy vite më parë bardhezinjtë arritën në finale (humbën) kundër Barcelonës si një veturë e thjeshtë. Por sot ajo makinë është kthyer në një makinë jashtë serie.

Të luash dy finale të Champions League në vetëm 3 vite do të thotë të jesh një nga skuadrat më të mira në Europë.

Në Itali ata po dominojnë prej 6 vitesh por tashmë ky Juventus është i frikshëm edhe në kompeticionet europiane. Tanimë mund të thuhet me plot gojën që bardhezinjtë e Massimiliano Allegrit janë një makinë Ferrari e aftë për të kaluar çdo pengesë dhe gjithmonë me gazin në maksimum, analizon Gazzetta dello Sport.

2017-ta mund të jetë viti i suksesit të trefishtë, ose më saktë viti që të gjithë tifozët e Juventusit ëndërrojnë prej dekadash.

Deri në fund të sezonit, Juventusit i kanë mbetur edhe dy finale, njëra në Kupën e Italisë dhe tjetra në Champions, sepse titulli i gjashtë kampion rradhazi në Serinë A, edhe pse matematika nuk e zyrtarizon akoma është një çështje e mbyllur.

Dy vite më parë ishte një tjetër Juventus ai që u mund nga Barcelona në finalen e Berlinit. Edhe atë herë, bardhezinjtë iu afruan shumë tripletës, por në kryeqytetin gjerman edhe pse bënë një ndeshje të mirë, shpërdoruan shumë dhe në fund u dorëzuan përballë Leo Messit me shokë.

Tashmë është një tjetër histori, ky Juventus në fakt nëse atë periudhë kishte në skuadër 4 lojtarë që e kishin fituar më parë Champions-in, Evra, Pirlo, Morata e Tevez, sot ka 3, Dani Alves, Khedira dhe Mandzukic, por kjo pak rëndësi ka pasi bardhezinjtë janë një skuadër më e frikshme se ajo e 2015-tës.

Mbrojtja është një ndër më të mirat në Europë. Bonucci e Chiellini në qendër janë thjeshtë të pakalueshëm ndërsa Alex Sandro e Dani Alves nga krahët janë si dy motora pa frena, gjithmonë të pranishëm në manovrën sulmuese të skuadrës, pa harruar që në portë është një ekspert si Gianluiggi Buffon.

Në mesfushë Pjanic e Khedira formojnë një dyshe perfekte përpara mbrojtjes, madje me formën e tyre kanë ulur në stol edhe një lojtar të rëndësishëm si Claudio Marchissio.

Në Torino i kanë harruar tashmë lojtarë të tillë si Pirlo, Vidal e Pogba. Në skemën 4-2-3-1 të Allegrit ka vend për Mandzukic që ka bërë të pabesueshmen në këtë sezon duke sakrifikuar jo pak përsa i përket pozicionit të tij në fushë, rolin e fantazistit e bën Dybala, ndërsa herë Cuadrado dhe herë të tjera Dani Alves luajnë në krahun e djathtë të sulmit.

Në qendër të repartit ofensiv është një killer i vërtetë si Gonzalo Higuain që ka justifikuar shpenzimin e madh që bërën drejtuesit bardhezinj për të duke realizuar 32 gola në 46 ndeshje.

Nga Berlini në Cardiff në një distancë kohore prej dy vitesh, Juventusi ka ndryshuar shumë dhe këtë herë për mirë, sepse tashmë është një skuadër më e pjekur dhe me shumë eksperiencë e aftë për të triumfuar në çdo kompeticion ku merr pjesë.

Çifti amerikan adopton fëmijën e dytë shqiptar me sindromën Down

Posted: 10 May 2017 06:33 AM PDT

Para pak vitesh, një çift nga Kalifornia adoptoi Marion, një fëmijë me sindromën Down nga Shqipëria, të cilin prindërit biologjike e kishin braktisur në jetimore.

Para pak ditësh,  çifti Mortensen ka adoptuar një tjetër fëmijë me sindromën Down, po nga Shqipëria: Arvioli ishte braktisur gjithashtu nga familja e tij, por tashmë ai nuk është më jetim, por përkundrazi, ka një familje gjigande. Ka një vëlla dhe tre motra.

Nga pesë fëmijët e çiftit, vetëm një nga vajzat është bija e tyre biologjike, kurse katër fëmijët e tjerë janë të adoptuar pasi familje është ajo që kujdeset për ty dhe të do, jo ajo me të cilën të lidh gjaku.

“Jemi ne të bekuarit në këtë rast. Falenderojmë çdo ditë Zotin për Marion dhe Arviolin. Mario ka qënë një bekim i jashtëzakonshëm për ne dhe na ka mësuar shumë për vlerën e vërtetë të gjërave në jetë. Jemi të sigurtë se dhe nga Arvioli do të mësojmë shumë gjëra të tjera”, tha ekskluzivisht për Living, mamaja adoptive, Colleen Griffin Mortensen.

Juventusi në finale: A do të përsëritet koincidenca italiane e numrit 7?

Posted: 10 May 2017 06:27 AM PDT

Juventusi është tashmë në finalen e Ligës së Kampioneve në Kardif dhe gazeta spanjolle "Marca", shumë pranë Real Madridit, ka hulumtuar në lidhje me kundërshtarin e finales së Champions-it, Juventusin duke sjellë një rastësi kurioze.

"Marca" nënvizon faktin se "mjaft befasuese duket një koincidencë, që ndoshta nuk e keni ditur. Besojeni ose jo, por çdo 7 vite, një skuadër italiane triumfon në Champions".

Ja shkrimi në fjalë: "Juventus është në finale të Ligës së Kampionëve, pasi mundi Monaco me rezultatin e përgjithshëm 4-1. Kjo do të jetë hera e nëntë e "Zonjës së Vjetër", që mbërrin në stacionin e fundit të garës më të madhe kontinentale. Në tetë finalet e mëparshme, bardhezinjtë e Torinos kanë humbur gjashtë herë dhe kanë fituar vetëm dy herë. Finalja e fundit, në vitin 1996, kundër Ajax, 21 vite më parë, pas ekzekutimit të penalltive. 14 vite më parë, në vitin 2003, ishte Milani, që do të fitonte pikërisht kundër Juventusit, pas ekzekutimit të penalltive.

Nga pika e bardhë dështuan Trezeguet, Zalayeta dhe Montero. Dhe shtatë vjet më parë (në vitin 2010), Interi fitoi Ligën e Kampionëve, pas fitores në finale kundër Bayern Munich, me dy gola të shënuar nga Diego Milito.

Që nga viti 1989, kur Milani mundi Steauan e Bukureshtit, skuadrat italiane janë shfaqur çdo shtatë vite në finalet e Champions-it, duke i fituar ato: 1989 (Milan), 1996 (Juventus) 2003 (Milan), 2010 (Inter) … dhe 2017 (Juventus)."

Nëse tradita e ciklit 7-vjeçar do të vazhdojë apo jo, do ta mësojmë vetëm më 3 qershor, në finalen e Kardifit.

16 vjet më parë i vdiq bashkëshorti, këngëtarja Valbona Mema habit me gjestin

Posted: 10 May 2017 06:14 AM PDT

Këngëtarja e muzikës popullore, Valbona Mema po i rrit e vetme dy fëmijët, që prej vitit 2001, pasi bashkëshorti i saj Sokoli është ndarë nga jeta si pasojë e një sëmundje të rëndë.

Ajo ka treguar gjithmonë dashurinë ndaj tij, në çdo dalje televizive, duke i kushtuar edhe këngë, mirë po këtë herë ajo ka vendosur të bëjë një gjest akoma më të guximshëm.

Në Instastory këngëtarja ka publikuar një fotografi ku është në procesin e realizimit të një tatuazhi ku duket i gjithë portreti i Sokolit në një përmasë të madhe.

"I përjetshëm në kujtimin tim, dashuria e jetës sime, Sokol!", ka shkruar ajo përbri fotografisë.

Rrëzohet qeveria e Kosovës, në qershor zgjedhje

Posted: 10 May 2017 05:56 AM PDT

Me 78 vota pro Kuvendi i Kosovës ka vendosur rrëzimin e qeverisë së drejtuar nga Isa Mustafa duke e dërguar vendin në zgjedhje të parakohshme, që sipas të gjitha gjasave do të zhvillohen në qershor, ndërsa data do të vendoset nga Presidenti Thaçi.

Seanca në Kuvendin e Kosovës ka qenë e tensionuar, pasi Partia Demokratike ka bashkuar votat me opozitën duke votuar pro mocionit që inicioi Fatmir Limaj.

Mes dy forcave kryesore të qeverisë së Kosovës PDK dhe LDK pati mjaft debate në parlament, ndërsa në fund e fituar doli opozita që ia arriti qëllimit për rrëzimin e qeverisë.

Rrëzimi i qeverisë e fut Kosovën në një tjetër spirale krize, pasi me rrëzimin e qeverisë bllokohet kalimi i demarkacionit dhe rrjedhimisht liberalizimi i vizave me BE.

Mustafa: Rrëzimi, lojë politike

Kryeministri Isa Mustafa e ka cilësuar mocionin si një pamflet politik që nuk ka asnjë bazë.

Mocioni dhe nënshkrimi i tij nga deputetët, ka theksuar Mustafa është "një lojë politike dhe ka si qëllim fshehjen e adresave për krimet dhe aferat korruptive".

Sipas Mustafës, sukseset e qeverisë nën udhëheqjen e tij ishin të mëdha si në planin e brendshëm ashtu edhe në atë ndërkombëtar.

Vetëvendosja: Jo bashkëpunim me LDK dhe PDK

“Isa Mustafa nuk mund të jetë partner i bashkëpunimit të qeverisjes me Lëvizjen Vetëvendosje, po ashtu edhe PDK.

Me atë që dëgjuam sot në Kuvend, mjafton për të kuptuar se nga kush qeverisej Kosova.

Rrëzimi i qeverisë ishte në interesin e qytetarëve të Kosovës” deklaroi kryetari i grupit të Vetëvendosjes, Konjuca.

Limaj: Mocioni u votua, hapet rruga për zgjedhje të parakohshme

Fatmir Limaj, pas votimit pro mocionit për rrëzimin e Qeverisë së Kosovës, ka thënë: "Tani më përfundimisht ofrohet rrugë për zgjedhje të parakohshme".

Nismëtari i mocionit të mosbesimit, Limaj ka falenderuar të gjithë deputetët që votuan pro rrëzimit të qeverisë së Mustafës.

Bëri thirrje për vrasjen e Vlahutin, lirohet Kastriot Myftaraj

Posted: 10 May 2017 05:35 AM PDT

Prokuroria e Tiranës ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm të gazetarit Kastriot Myftaraj.

Sipas Prokurorisë nuk ka vepër penale.

Prangosja e tij është bërë mbrëmjen e djeshme pas një shkrimi të publikuar me dt 7 maj në Facebook, ku kërcënon dhe fyen ambasadoren e BE në Tiranë, Romana Vlahutin.

Ndalimi i tij është bërë nga njësia antiterror, pasi në shkrimin e tij Myftaraj bënte thirrje që çdo shqiptar që do atdheun e tij mund të vrasë Romana Vlahutin dhe ky do të ishte një akt antiterrorist, jo terrorist.

Në shkrimin e tij Myftaraj e akuzon ambasadoren e BE në Tiranë se punon kundër interesave të Shqipërisë si pjesë e tezës për Jugosllavinë e Re.

Veç nxitjeve për dhunë Kastriot Myftaraj përdorte edhe fyerje të rënda ndaj ambasadores Valhutin.

Vrasje në Tiranë, theret me thikë 27-vjeçari, kapet autori.

Posted: 10 May 2017 05:13 AM PDT

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Tiranë ku ka mbetur i vrarë një i ri. Sipas Policise mesohet se më datë 10.05.2017, rreth orës 11:55, në Çekrezë, ka patur një konflikt midis dy shtetasve, ku për pasojë ka mbetur i plagosur shtetasi A. K., 27 vjeç, në pjesën e barkut dhe u dërgua në S.Q.U., për ndihmë mjekësore por ka gjetur vdekjen si pasojë e plagëve të marra.

Shërbimet e Policisë së Komisariatit të Policisë Nr 5, kanë bërë të mundur kapjen në flagrancë të shtetasit Vladimir Luli. Specialistët e Krimeve ndaj jetës në D.V.P. Tiranë, po punojnë për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarje. Në vendin e ngjarjes është gjendur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, një mjet prerës thikë, e përdorur nga autori.

Zbardhet takimi i Metës me delegacionin e Kongresit të SHBA

Posted: 10 May 2017 04:48 AM PDT

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta priti sot një delegacion të Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës i cili kryesohej prej Kryetarit të Komisionit të Çështjeve Ligjore Bob Goodlatte.

Meta i uroi mirëseardhjen në Shqipëri kongresmenëve amerikanë dhe vlerësoi rëndësinë e thellimit të partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, duke shprehur njëkohësisht mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme amerikane në drejtim të forcimit të demokracisë, sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe trafiqeve të lëndëve narkotike.

Kongresmeni Goodlatte, duke vlerësuar bashkëpunimin ndërparlamentar mes dy vendeve përcolli përshëndetjet më të ngrohta të Kryetarit të Kongresit Amerikan Paul Ryan dhe e uroi Metën për zgjedhjen në postin e Presidentit të Republikës.

Sipas njoftimit të Kuvendit, gjatë takimit u diskutua mbi zhvillimet e fundit politike në vend me fokus të veçantë në mbarëvajtjen e zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme, avancimin e reformës zgjedhore, zbatimin e reformës në sistemin e drejtësisë, rritjen e buxhetit në fushën e mbrojtjes në kuadër të NATO-s dhe forcimin e sundimit të ligjit dhe kredencialeve demokratike të Shqipërisë.

Dy palët diskutuan gjithashtu edhe mbi forcimin e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ku vëmendje e veçantë iu kushtua fenomenit të trafiqeve të paligjshme të lëndëve narkotike dhe kultivimit masiv të drogës në vend si një aktivitet që lidhet edhe me rrezikun e terrorizmit dhe krimit të organizuar në të gjithë rajonin.

Duke biseduar mbi zhvillimet në rajonin e Ballkanit, u theksua rëndësia e forcimit të partneritetit mes Shqipërisë dhe SHBA duke ndarë bindjen se Shqipëria është një partner solid i NATOs me peshë të rëndësishme për avancimin e axhendës euro-atlantike të vendeve fqinje.

Në këtë kuadër Meta vuri në dukje se forcimi i sigurisë dhe kontrollit të kufijve ndihmon forcimin e stabilitetit dhe klimën e investimeve ekonomike në rajonin e Ballkanit, ku SHBA kanë interesa strategjikë afatgjatë.

Në përfundim Kryetari i Kuvendit Meta nënvizoi se pavarësisht sfidave dhe problemeve në vend, Shqipëria është e përkushtuar ndaj axhendës së saj euro-atlantike dhe populli shqiptar ndjehet mirënjohës për miqësinë e veçantë me Shtetet e Bashkuara, e cila kontribuon në zhvillimin demokratik dhe në forcimin e paqes dhe stabilitetit në të gjithë rajonin.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more