Skip to main content

“SHBA: U arrestua Tiger Woods i dyshuar për ngasje nën alkool” plus 19 more Radio Evropa e Lirë

“SHBA: U arrestua Tiger Woods i dyshuar për ngasje nën alkool” plus 19 more Radio Evropa e Lirë


SHBA: U arrestua Tiger Woods i dyshuar për ngasje nën alkool

Posted: 29 May 2017 09:04 AM PDT

Ylli i njohur i golfit, Tiger Woods, është arrestuar në Floridë, i akuzuar se e ka drejtuar veturën nën ndikim të alkoolit. Zyra e sherifit në qarkun, Palm Biç, ka raportuar në faqen e vet në Internet se Woods ishte dërguar në burg, aty kah ora 7 e mëngjesit sipas kohës lokale. Nga shënimet e policisë shihet se Wood ishte arrestuar nga policia në vendin Jupiter, raporton agjencia AP. Ai ishte liruar pak para orës 11 paradite, me kërkesën e tij me shkrim. Ai është akuzuar se e ka drejtuar automobilin nën ndikim. Nuk janë dhënë detaje të tjera. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Liberalizimi i vizave më 2017, vetëm në teori

Posted: 29 May 2017 08:40 AM PDT

Për shkak të mosarritjes së përmbushjes së dy kushteve të fundit, ratifikimit të Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, si dhe luftimit të krimit dhe korrupsionit, procesi i liberalizimin e vizave për Kosovën është i bllokuar, thonë njohësit e integrimeve evropiane në vend. Ata shprehen mjaft skeptik se liberalizimi i vizave për Kosovën do të mund të realizohet brenda këtij viti, për shkak të proceseve të brendshme në vend, por edhe për shkak të afateve procedurale në vendet e Bashkimit Evropian. Aktualisht Kosova është në proces të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare që do të mbahen më 11 qershor. Pas shpalljes së rezultateve zyrtare të këtyre zgjedhjeve, brenda 30 ditësh duhet të mbahet seanca konstituive e Kuvendit. Avni Mazreku, profesor i të Drejtës Evropiane thotë se procesi për liberalizimin e vizave për Kosovën do të zhbllokohet vetëm atëherë kur nga Kuvendi i Kosovës do të ratifikohet Marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi, e që në legjislativin e kaluar nuk ka pasur vullnet politik për ratifikimin e versionit aktual të marrëveshjes. "Unë jam skeptik që Kosova këtë vit mund ta realizojë regjimin e lëvizjes së lirë në zonën Schengen. Për afate të caktuara strikte, ne nuk mund të flasim aktualisht, për vet faktin se vet procesi është aktualisht i bllokuar. Vetëm kur ky proces të zhbllokohet, atëherë fillon procedura normale e procedimit të kësaj çështje në strukturat vendimmarrëse të Bashkimit Evropian, përkatësisht në institucionet e BE-së. Madje, as atëherë, pa e pasur një përfaqësim të drejtë të kësaj çështjeje në shtetet përkatëse, të cilat kanë për të votuar për këtë çështje, nuk mund të prejudikohet të themi një datë precize, të saktë, se kur ky vendim do të merret definitivisht". Shenoll Muharremi, njohës i integrimeve evropiane, thotë për Radion Evropa e Lirë se marrë parasysh që Kosova aktualisht gjendet në proces zgjedhor, qytetarët nuk duhet t'i marrin shumë seriozisht premtimet e politikanëve se liberalizimi i vizave do të arrihet brenda këtij viti me siguri. "Prej momentit kur plotësohen të gjitha kushtet (nga Kosova), për t'i përfunduar procedurat vet Bashkimi Evropian, nevojiten tre deri në gjashtë muaj. Kështu që, varësisht kur ne t'i kryejmë edhe dy kushtet e mbetura, mendoj që Bashkimit Evropian do t'i duhen tre deri gjashtë muaj. Në rast të Kosovës, nëse eventualisht kanë sadopak simpati, do të mund të bëhej ndonjë procedurë më e shpejtë që të përfundohej ky izolim. Por, deri më tash, praktika ka treguar, jo vetëm për liberalizim të vizave, por për secilin proces, Kosova ka pasur periudha të stërzgjatura". Profesor Mazreku thekson që edhe në rast se Kosova do të arrijë ta përmbushë kushtin për ratifikimin e Demarkacionit me Malin e Zi, mbetet mjaft pikëpyetje nëse do të arrijë që brenda këtij viti ta marrë liberalizimin e vizave. "Çështja e Kosovës nuk ka shkuar në Këshillin e Bashkimit Evropian. Këshilli i Bashkimit Evropian është organ ndërqeveritarë. Kjo nënkupton se varet nga qëndrimi shteteve, që kanë një procedurë shumë specifike të votimit, që quhet sistemi i shumicës së kualifikuar. Nga ai moment kur merret vendimi e deri në zbatimin e plotë të atij vendimi, është çështje e disa muajve. Mirëpo, deri te arritja e procedimit të kësaj çështjeje në Këshillin e Bashkimit Evropian janë po ashtu disa muaj. Pra, po flasim për një situatë hipotetike, kur procesi zhbllokohet. Të themi se situata ose versioni më optimist i mundshëm, në qoftë se gjatë kësaj vere do të zhbllokohej procesi, do të jetë marsi i vitit 2018, atëherë kur qytetarët e Kosovës mund të lëvizin lirshëm", thotë Mazreku. Por, Muharremi nuk e sheh të pamundur mundësinë që Kosova ta marrë liberalizimin e vizave deri në fund të këtij viti. "Faktikisht, është vështirë, por nuk është e pamundur, në aspektin që nëse bëhet diçka shpejt dhe i përfundojnë obligimet që kanë mbetur, si dhe punojnë shumë me diplomaci, ka gjasa. Por, duke marrë parasysh që qeveritë tona, së pari po kanë vështirësi t'i themelojnë qeveritë, pastaj nuk po janë shumë të mirë në diplomaci që të punojnë me shtetet anëtare, atëherë gjasat janë shumë minimale". Sidoqoftë, njohësit e integrimeve evropiane, vlerësojnë se Kosova gjendet në një situatë konfuze dhe jo mjaft shpresëdhënëse se do të mund ta realizojë këtë vit liberalizimin e vizave për qytetarët e saj.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Moskë: Nga stuhia kanë humbur jetën së paku gjashtë vetë

Posted: 29 May 2017 08:33 AM PDT

Nga një stuhi e fuqishme që e ka goditur sot Moskën, kanë humbur jetën së paku gjashtë vetë, ndërsa më tepër se 40 të tjerë janë lënduar. Kryetari i qytetit të Moskës, Sergei Sobyanin, u ka shprehur ngushëllime familjeve të njerëzve që e humbën jetën nga kjo stuhi. Ministria e energjisë ka njoftuar se nga stuhia janë shkatërruar përçuesit elektrikë në Moskë, kështu që afro 7,300 vetë kanë mbetur pa rrymë elektrike. Po ashtu, është dëmtuar edhe sistemi transportues i qytetit, ndërsa shumë lidhje të trenave janë shtyrë ose anuluar.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Oregon: Myslimanët e krijojnë një fond për viktimat e sulmit

Posted: 29 May 2017 08:15 AM PDT

Myslimanët në qytetin Portlend në Oregon të Shteteve të Bashkuara, thonë se po mbledhin para për t'i ndihmuar familjet e dy personave, që janë vrarë kur ata i kishin mbrojtur dy vajza, të cilat ishin sulmuar nga një person anti-mysliman. "Jam shumë falënderues si mysliman dhe si qytetar në Portlend... se ne qëndrojmë së bashku si një", tha dje imami në Qendrën myslimane, Muhammad A. Najieb. Ai theksoi se dy vajzat e reja, njëra me veshje tradicionale myslimane, "mund të kenë qenë viktima, por tre heronj dolën para tyre dhe i mbështeten ato". Raportohet se vajzat ishin të moshës 16 dhe 17 vjeçare. Në fondin e krijuar, që në orët e para të tij, janë mbledhur 50 mijë dollarë, ka thënë zoti Najieb. Policia tha se e ka arrestuar personin Jeremy Joseph Christian, 35 vjeçar, i akuzuar se i ka vrarë dy meshkuj më 26 maj. Ky person kishte postuar fotografi dhe komente në mediat sociale, që sugjeronin simpati për nazistët dhe dhunën politike. Raportohet se incidenti i rëndë filloi kur Christian kishte drejtuar fyerje dhe ofendime religjioze kundër dy vajzave, të cilat ishin myslimane dhe gjendeshin në një tren të udhëtarëve. Zyrtari i policisë, Pete Simpson, tha se sulmuesi kishte përdorë "gjuhë të urrejtjes ose fjalë paragjykuese".

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Daçiq: Maqedonisë i pengoi oficeri serb i inteligjencës, por jo ata amerikanë e të tjerë

Posted: 29 May 2017 08:09 AM PDT

Ministri i jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka deklaruar sot se ambasadorja e Serbisë në Maqedoni, Dushanka Divjak Tomiq, ka pasur bisedë korrekte më Ministrinë e jashtme të Maqedonisë, për praninë e diplomatit serb dhe oficerit të inteligjencës, Goran Zhivaleviq, gjatë dhunës në Kuvendin e Maqedonisë dhe se nuk është biseduar për masat kundër tij. Megjithatë Daçiq theskoi se është shumë interesant, siç kanë shkruar disa media, se në vendin e njejtë ishin edhe përfaqësuesit e shërbimeve të jashtme të vendeve të tjera, por Maqedonia nuk i ka thirrë ambasadat e tyre. Mëtutje, ai theksoi se Maqedonisë nuk mund t'i pengojnë përfaqësuesit e Serbisë, e të mos e pengojnë ata amerikanë, gjermanë, francezë e të tjerë, raporton agjencia Beta nga Beogradi. "Ne do të përpiqemi t'i kemi raportet më të mira me fqinjët...por ashtu si sillen ata ndaj nesh, ne do të sillemi ndaj tyre", tha Daçiq. Ivica Daçiqi tha se për lëvizjet e tij, Goran Zhivaleviq i ka njoftuar oficerët për lidhje të Maqedonisë.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Shqipëri: OJQ-ja dhe banorët e padisin qeverinë për hidrocentral

Posted: 29 May 2017 07:58 AM PDT

Banorët e disa fshatrave dhe një Organizatë joqeveritare në Shqipëri e kanë paditur qeverinë për dhënien e koncesionit për ndërtimin e një hidrocentrali në një fushtë të mbrojtur. Organizata lokale Toka, e formuar në vitin 2016 për mbrojtjen e Alpeve Shqiptare, dhe banorët e katër fshtrave në Luginën e Valbonës, dëshirojnë që gjykata ta "shpall absolutisht të pavlefshme kontratën për koncesion", raporton agjencia AP nga Tirana. Kjo luginë gjendet në Alpet Shqiptare, që është një hapësirë pitoreske dhe atraktive për turistët, afro 260 kilometra në veri të kryeqytetit, Tirana. Catherine Bohne nga organizata Toka tha se ky projekt do të shkaktoj "dëm serioz dhe të pariparueshëm për ambientin natyror dhe për mirëqenien sociale të komunitetit". Ky rast është dërguar në Gjykatën Administrative në Tiranë, pas përpjekjeve të dështuara për ta bindur Ministrinë e energjisë për ta ndalur projektin.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Merkel një “transatlantike thellësisht e bindur”

Posted: 29 May 2017 06:41 AM PDT

Zëdhenësi i kancelares gjermane Angela Merkel ka thënë se ajo " është transatlantike thellësisht e bindur" e cila beson se është e drejtë nëse theksohen ndryshimet në raport me Shtetet e Bashkura në mënyrë që të mbahen relacione të shëndosha. Komentet e Merkel disa i kanë interpretuar si sugjerime se Shtetet e Bashkuara me Donald Trumpin si president dhe Britania në rrugën e saj jashtë Bashkimit Evropian nuk janë më partnerë të besueshëm. Merkel ka thënë gjatë një tubimi të dielën në Mynih se ndonëse është e rëndësishme që të mbahen raporte të mira me aleatë si Shtetet e Bashkuara apo Britania, " tashmë ka kaluar koha kur ne kemi mundur të mbështetemi tek të tjerët". "Ne evropianët duhet të marrin fatin në duart tona", ka shtuar ajo. Gjatë një konference për shtyp në Berlin, zëdhënësi i saj Steffen Seibert ka thënë se "fjalët e kancelares qëndrojnë dhe se ato kanë qenë mjaft të qarta". "Është një transatlantike thellësisht e bindur", shtoi ai. "Pasi relacionet transatlantike janë shumë të rëndësishme për kancelaren, është e pritshme që ajo të flasë sinqerisht për këto dallime", ka thënë ai.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

BE ndihmon Afganistanin, Pakistanin dhe Iranin me miliona euro

Posted: 29 May 2017 06:15 AM PDT

Bashkimi Evropian ka bërë të ditur se më shumë se 44 milionë euro do t'i shpenzojë në ndihma humanitare në Afganistan, Pakistan dhe Iran. Komisionari i BE-së për ndihma humanitare dhe menaxhimin e krizaveChristos Stylianides ka thënë se financimi do të mbështesë refugjatët afganë në Iran dhe Pakistan, të zhvendosurit nga shtëpitë e tyre në Afganistan si dhe do të ngrisë menaxhimin ndaj katastrofave në Azinë Qendrore. "Ndihma e BE-së do të ndihmojë qindra mijëra persona të prekur nga konfliktet dhe katastrofa natyrore", ka thënë Stylianides. Ndihma do të fokusohet në mbrojtje, ushqim, shëndetësi, ujë, higjienë dhe sanitari. Komisioni Evropian ka financuar programe humanitare në këtë rajon që nga viti 1996.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Putin mirëpritet nga presidenti francez Macron

Posted: 29 May 2017 06:00 AM PDT

Presidenti rus Vladimir Putin, u prit nga presidenti i ri francez, Emmanuel Macron në Pallatin e Versailles. Ky është takimi i parë i të dy liderëve që nga fitorja e Macron në zgjedhjet në Francë. Video: REUTERS

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Financimi i partive politike edhe nga adresat e dyshimta

Posted: 29 May 2017 05:44 AM PDT

Mungesa e transparencës financiare të subjekteve politike ka ngritur dilema të mëdha te përfaqësuesit e shoqërisë civile në Kosovë, lidhur me mënyrën e financimit, përfshirë edhe fushatat zgjedhore. Fushata zgjedhore në Kosovë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit, nis më 31 maj.  Ata thonë se partitë politike bëjnë shpenzime shumë më të mëdha financiare, krahasuar me mjetet që atyre u ndahen nga buxheti i Kosovës çdo vit. Në vit, partive politike, të cilat janë të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës nga buxheti i Kosovës, u ndahen më shumë se 4 milionë euro. Kjo shumë atyre u ndahet më pas mbi bazën e përfaqësimit të numrit të ulëseve të fituara në Kuvend për një mandat. Petrit Zogaj, analist dhe drejtor ekzekutiv i organizatës "Fol", në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se në vazhdimësi ka pasur mungesë të shpjegimit nga ana e partive politike për burimet e financimit. "Nuk besoj që mjetet financiare të buxhetit të Kosovës që ndahen për partitë politike janë ato që partitë politike shpenzojnë dhe të njëjtat janë të mjaftueshme për to. Partitë politike në vazhdimësi kanë hezitim të bëjnë auditime për shpenzimet e tyre". "Problemi më i madh i financimit të partive politike është gjatë kalendarit zgjedhor, ku çdo herë ka pasur probleme me transparencën e këtyre financave që partitë politike kanë dhe mungesën e shpjegimit të burimeve nga vinë", thekson Zogaj. Mungesa e llogaridhënies nga partitë politike rreth financimit të tyre, kryesisht të fushatave zgjedhore, sipas Zogajt, 'ka të bëjë me atë se brenda këtyre financave të panjohura të partive politike ka diçka të dyshimtë'. "Arsyeja pse partitë politike nuk janë transparente është se ka diçka për të fshehur para publikut, ka diçka të jashtëligjshme brenda subjektit apo ka diçka që organet e pavarura mund të iniciojnë procedura hetimore". "Pra, ka të bëjë me mjete që janë të dyshimta, me mjetet që mund të jenë të krimit të organizuar, mjete që mundohen të hynë në sistem financiar jashtëligjshëm. Ky është problemi pse një subjekt politik nuk dëshiron të jetë transparent", thekson Zogaj. Financimi transparent i partive politike ka qenë në vazhdimësi kërkesë edhe e Bashkimit Evropian dhe përsëritet nëpër Raportet e Progresit që publikon Komisioni Evropian. Radio Evropa e Lirë ka bërë përpjekje për të kontaktuar përfaqësuesit e partive kryesore politike në Kosovë mbi këtë çështje, por nuk ka arritur të marrë përgjigje.  Megjithatë, ato kanë nënshkruar të hënën, me nismën e Institutit Demokraci për Zhvillim, deklaratën për rritje të transparencës dhe llogaridhënies financiare gjatë fushatës zgjedhore. Me nënshkrimin e kësaj deklarate, partitë politike zotohen se "do t'i bëjnë publike raportet e tyre financiare me kohë ashtu siç parashihet me Ligjin mbi Financimin e Partive Politike". Drejtori ekzekutiv i Institutit për Demokraci për Zhvillim, Shpend Emini, ka thënë se mungesa e auditimit të financave të partive politike është e dëmshme për proceset demokratike në Kosovë. "Ne si shoqëri civile kemi kritikuar vonesat që bëhen në proceset e auditimit të financave të partive politike. Kryerja e auditimit kontrollit dhe zbardhja e fondeve të financimit të partive politike do të ishte një hap i madh drejt transparencës dhe llogaridhënies të partive politike", thekson Emini. Në bazë të Ligjit për financimin e subjekteve politike, partitë janë të obliguara që të publikojnë për çdo vit raportin vjetor financiar, që tregon të gjitha të hyrat dhe shpenzimet e partisë. Raportet financiare të partive politike pas dorëzimit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, duhet të auditohen nga auditorët, të cilët i përzgjedh Kuvendi i Kosovës nëpërmjet Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, me anë të një thirrjeje të hapur publike për aplikim. Por, që nga viti 2013, nuk është bërë një auditim i tillë.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Maqedonia të martën voton Qeverinë e re

Posted: 29 May 2017 05:18 AM PDT

Seanca parlamentare për zgjedhjen e Qeverisë së re të Maqedonisë është caktuar për të martën, 30 maj. Nga kabineti i kryetarit të Kuvendit të Maqedonisë, Talat Xhaferi kanë njoftuar se mandatari për formimin e Qeverisë, Zoran Zaev ka dorëzuar propozimin për përbërjen e Qeverisë së re, bashkë me programin qeverisës. Gjatë të dielës, Zoran Zaev, publikoi propozimet për ministrat e rinj të kabinetit qeveritar. Propozimet kanë marrë mbështetje nga partia e Zaevit, Lidhja Social-Demokrate dhe dy partitë politike shqiptare, Bashkimi Demokratik për Integrim dhe Aleanca për Shqiptarët, të cilat janë pjesë e koalicionit qeverisës. Dy partitë politike shqiptare do drejtojnë 7 ministri dhe një dikaster pa portofol. Bashkimi Demokratik për Integrim do të drejtojë dikasterin e Euro- Integrimeve, Sistemin Politik dhe Marrëdhënieve Midis Komuniteteve, Ministrinë e Drejtësisë, atë të Ekonomisë dhe Planifikimit Hapësinor, si dhe një ministri pa resor. Emrat nga BDI  Bujar Osmani, i cili është propozuar të drejtojë dikasterin e Euro-Integrimeve, paraprakisht ka ushtruar detyrën e ministrit të Shëndetësisë në qeverinë e ish-kryeministrit, Nikolla Gruevskit, emri i të cilit përmendet edhe në bisedat e përgjuara për shpërdorim të detyrës. Ndërkaq, Ramiz Merko, ministër pa resor ka drejtuar Komunën e Strugës për të cilin mësohet se Prokuroria Publike ka ngritur hetime për shpërdorim të mundshëm të detyrës zyrtare, nën dyshimet për kurdisje të tenderëve. Hazbi Lika, do të drejtojë dikasterin e Sistemit Politik dhe Marrëdhënieve Midis Komuniteteve, ndërkohë që menjëherë pas konfliktit të armatosur ka ushtuar detyrën e zëvendësministrit të Punëve të Brendshme, si dhe një mandat ka drejtuar Komunën e Tetovës. Sadulla Duraku do të drejtojë Ministrinë e Ambientit Jetësor, ndërkohë që aktualisht është kryetar i Komunës së Likovës, zonës më të prekur nga konflikti i armatosur gjatë vitit 2001. Vetëm dy ministra të propozuar nga BDI-ja, ai i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi dhe ai i Drejtësisë, Bylent Saliu janë emra që më pak njihen në opinion. Ndërkohë, Aleanca për Shqiptarët do të drejtojë dy Ministri, atë të Shëndetësisë dhe Ministrinë e Pushtetit Lokal. Njohësit e çështjeve politike, duke komentuar përbërjen e re të ministrave në Qeverinë e Maqedonisë, konsiderojnë se kjo nuk paraqet një fillim të mbarë sa u përket reformave të paralajmëruara nga mandatari, Zoran Zaev. Sefer Tahiri njohës i çështjeve politike thotë se bëhet fjalë për njerëz të cilët nuk është se shquhen për rezultate të favorshme në realizimin e reformave të sistemit shoqëror. Ai përqendrohet sidomos në ministrat nga radhët e BDI-së. "Vlerësoj se kjo ka të bëjë me strategjinë e Ali Ahmetit dhe partisë që drejton, Bashkimit Demokratik për Integrim, që të rikthejë lojtarët e vjetër. Megjithëse vlerësoj se bëhet gabim strategjik nga ana e kësaj partie dhe liderit të saj, sepse konteksti politik përmes së cilit kalon Maqedonia është krejtësisht tjetër nga periudha e post-konfliktit të armatosur", thotë Tahiri.  Sipas tij, bëhet fjalë për "njerëz të vjetër nga të cilët pritet të realizojnë reforma të reja". Ndërkaq politologu maqedonas, Nikolla Dujovski konsideron se për të realizuar premtimet e dhëna, për një Qeveri reformatore dhe euro-integruese, do të duhej që ministrat e rinj të zgjedhin rreth vetes ekipe personale të dëshmuara dhe jo ushtarë partiakë. "Është koha të shmanget praktika që nga ministri është varur gjithçka. Për të pasur sukses realizimi i konceptit qytetar për të cilin është angazhuar, Zoran Zaev, i cili pritet të zgjidhet për kryeministër, duhet të mobilizohet e tërë shoqëria. Kurse ministrat, të zgjedhin si ekip personalitete me vizion dhe dije të dëshmuar në profesionet e tyre", thekson Dujovski. Votimi i Qeverisë pritet të bëhet më shumë se pesë muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare, për shkak të bllokadave të shumta që iu bënë Kuvendit nga partia VMRO-DPMNE e ish-kryeministrit Nikolla Gruevski.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

OKB: Mbi 100,000 afganë të zhvendosur më 2017

Posted: 29 May 2017 05:14 AM PDT

Mbi 100,000 afganë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre në vitin 2017, për shkak të luftës, thanë Kombet e Bashkuara. Të dhënat nga Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare treguan se 103,229 njerëz janë zhvendosur qysh në janar. Shifra tregon 36% rënie krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Zyra e OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare tha se ka disa arsye për zvogëlimin e numrit. Sipas saj, luftimet kanë vazhduar në zonat e njëjta sikurse vitin e kaluar, çfarë do të thotë se shumë njerëz kanë qenë të ikur. Së dyti, varfëria është rritur dhe shumë njerëz nuk kanë mjete për të zhvendosur familjet në vende të tjera. Pasiguria është rritur po ashtu në qytete që më parë janë konsideruar zona të sigurta.  Militantët talibanë dhe ata të të ashtuquajturit Shtet Islamik kanë kryer disa sulme në Kabul, ku qindra civilë janë vrarë ose plagosur qysh në janar.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Vazhdojnë bastisjet në Mançester

Posted: 29 May 2017 04:47 AM PDT

Policia britanike ka arrestuar një 19-vjeçar më 28 maj, në lidhje me sulmin terrorist të 22 majit, ku u vranë 22 persona. Deri më tani, në paraburgim janë 15 persona. Policia ka vazhduar bastisjet më 28 dhe 29 maj. Video: Reuters

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Takim për Ukrainën më 30 maj

Posted: 29 May 2017 04:34 AM PDT

Zëvendës-ministrat e punëve të jashtme nga Gjermania, Franca, Ukraina dhe Rusia do të takohen në Berlin më 30 maj. Zëdhënësi i qeverisë gjermane Martin Schaefer ka bërë të ditur për planin e takimit, i cili do të jetë i ndarë në katër drejtime, sipas procesit i cili njihet tashmë si Format i Normandisë. Gjermania dhe Franca në vazhdimësi kanë qenë duke kërkuar ndihmë për të përfunduar luftën midis separatistëve pro-rusë dhe qeverisë ukrainase, në të cilën janë vrarë 9,900 njerëz që nga prilli i vitit 2014. Qëllimi i takimit "është që të rishikohet situata aktuale lidhur me armëpushimin dhe angazhimet e tjera sipas marrëveshjeve të Minsk-ut", shtoi zëdhënësi i qeverisë gjermane Martin Schaefer në një konferencë të rregullt për shtyp. Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë mbi veprimet e saj në Ukrainën lindore, ku Kievi dhe NATO kanë deklaruar se Moska ka nxitur trazira në vitin 2014 dhe i ka dhënë mbështetje të fortë ushtarake separatistëve, të cilët mbajnë pjesë të krahinave Donetsk dhe Luhansk. Ky takim është planifikuar në ditën kur po zhvillohet takimi në mes presidentit rus Vladimir Putin si dhe presidentit francez Emmanuel Macron në Pallatin e Versajës.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Rusia dëbon një ligjvënës të Malit të Zi

Posted: 29 May 2017 04:30 AM PDT

Autoritetet ruse dëbuan sot nga Moska ligjvënësin malazez, Miodrag Vukoviq. Vukoviq, zyrtar i lartë i Partisë Demokratike të Socialistëve, ka kaluar natën në Aeroportin Domodedovo të Moskës, në zonën tranzite, përpara se të dëbohej. Policia kufitare e Rusisë e ka ndaluar atë dhe i ka kumtuar se është "person non-grata". Vukoviq ka pasur destinacion - përmes Moskës - Minskun. Kryetari i Kuvendit të Malit të Zi, Ivan Brajoviq, tha se sjellja e rusëve ndaj Vukoviqit është "në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare dhe praktikën diplomatike". Ai tha se pret kërkimfalje zyrtare nga Moska për "sjelljen e pahijshme ndaj përfaqësuesit të organit më të lartë legjislativ të Malit të Zi". 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Kosovë: Shoqëria civile paralajmëron letër proteste drejtuar OKB-së

Posted: 29 May 2017 04:04 AM PDT

Disa organizata joqeveritare në Kosovë të cilat merren me integrimin dhe të drejtat e komuniteteve pakicë, kanë paralajmëruar se do t'i drejtojnë një letër proteste Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), për shkak të vendimit të Sekretarit të Përgjithshëm, Antonio Guterres që kjo organizatë të mos i kompensojë pjesëtarët nga komunitetet rom, egjiptiane dhe ashkali, që pësuan nga helmimi prej mbetjeve të plumbit në kampet e ngritura nga UNMIK-u në veri të Kosovës. Në vend të kompensimit dhe kërkim faljes, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së ka shprehur keqardhje për faktin se në kampet e ngritura nga UNMIK-u (administrata e OKB-së në Kosovë) në komunën veriore të Leposaviqit, disa personave u janë shkaktuar vuajtje të mëdha.  Në vend të kompensimit, Kombet e Bashkuara, sipas zëdhënësit të Guterres, Stephane Dujarric kanë vendosur që të krijojnë një "Fond Mirëbesimi", i cili do të lehtësojë iniciativat bazë të komunitetit për të financuar "projektet e ndihmës". Por, drejtori i Organizatës Joqeveritare, "Avancojmë së Bashku", Bashkim Ibishi thotë se Kombet e Bashkuara nuk kanë garantuar kompensimin dhe se për këtë çështje, së bashku me organizata tjera të shoqërisë civile do t'i drejtohen kësaj organizate me një letër. "Ky projekti nuk garanton kompensim. Projekti nuk e zgjidh problemin e njerëzve të cilët kanë qenë të helmuar me plumb dhe të cilët kanë humbur anëtarët e familjeve të tyre ", ka thënë Ibishi. Organizata për të drejtat e njeriut Human Rights Watch tha se Kombet e Bashkuara, "duke refuzuar të pranojnë abuzimet e tyre, minojnë seriozisht aftësitë e veta për t'iu bërë presion qeverive për shkelje të të drejtave të njeriut". Vitin e kaluar, një panel këshillimor i OKB-së i formuar për të shqyrtuar ankesat e bëra kundër Misionit të OKB-së në Kosovë (UNMIK), i bëri thirrje OKB-së të mbajë përgjegjës UNMIK-un që lejoi familjet rome t'i ekspozoheshin helmimit nga plumbi në kampet për personat e zhvendosur nga lufta e Kosovës në vitin 1998 dhe 1999.  

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Shënohet 100 vjetori i lindjes së John F. Kennedy

Posted: 29 May 2017 03:17 AM PDT

Me rastin e 100 vjetorit të lindjes së presidentit John F. Kennedy do të organizohen një varg ngjarjesh. Kennedy i cili ishte vrarë më 1963, sot do të mbushte 100 vjet. Gjatë ditës do të mbahet një meshë në kishën Francis Xavier në Masaçusets, përderisa përkujtimet do të mbahen në memorialin JFK. Edhe në Boston do të ketë organizime në librarinë dhe muzeun e presidentit Kennedy.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Macron, Putin: Pajtueshmëri për luftë kundër terrorit, por ka pasur edhe mospajtime

Posted: 29 May 2017 02:34 AM PDT

Në takimin e sotëm ndërmjet presidentit të Francës, Emmanuel Macron, dhe presidentit të Rusisë, Vladimir Putin, janë trajtuar shumë çështje nga aspekti global dhe ato për raportet ndërmjet dy vendeve, në prizmin e temave aktuale ndërkombëtare. Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, janë pajtuar për të diskutuar për bashkëpunim më të ngushtë në përpjekjet kundër terrorit. "Prioritet i yni absolut është lufta kundër terrorizmit dhe çrrënjosja e grupeve terroriste, e veçanërisht Daeshit. Kjo është çështja kryesore që ne e kemi të përbashkët në Siri. Ajo që dëshiroj të shoh përtej punës që ne e bëjmë në kaolicionin e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, është që ne ta forcojmë partneritetin tonë me Rusinë", tha Macron, në konferencën e përbashkët për shtyp në Pallatin Versajë, afër Parisit. Në këtë kuadër, presidenti i Rusisë, tha se kolegu i tij francez ka ofruar krijimin e një grupi të punës. "Zoti president ofroi që të krijohet një lloj i grupit të punës në të cilin delegacionet do ta vizitonin Moskën dhe Parisin dhe do të punonin në nivelin praktik dhe dëshiroj ta theksoj këtë, në nivel praktik – për të krijuar bashkëpunim në luftën kundër kërcënimit nga terrorizmi, që përfundimisht është ekstremisht i rrezikshëm si për ne ashtu edhe për vendet evropiane, përfshirë Francën", tha Vladimir Putin. Ai theksoi rëndësinë e sigurimit të shtetit të Sirisë, që sipas tij, është esencial për luftimin e terrorizmit. Për Francën, përdorimi i armatimit kimik në Siri është linjë e kuqe dhe do të rezultonte me kundërsulm, tha Emmanuel Macron. "Çfarëdo përdorimi i armatimit kimik do të rezultoj me hakmarrje dhe kundërsulm të menjëhershëm, së paku sa i përeketë Francës", tha Macron në konferencën e përbashkët për gazetarë me presidentin rus, Vladimir Putin. Të dy vendet i mbështesin palët e ndryshme në konfliktin në Siri. Putin e mbështet Qeverinë e presidentit të Sirisë, Bashar al-Assad, ndërsa Macron është pjesë e koalicionit perëndimor, që i mbështet grupet kryengritëse dhe e ka akuzuar Assadin për përdorim të armatimit kimik në të kaluarën. Presidenti francez, Emmanuel Macron, i ka akuzuar dy organizata mediale që janë pro-Kremlinit, Russia Today dhe Sputnik, se janë "organe të ndikimit dhe propagandës" kundër tij në zgjedhjet presidenciale franceze këtë vit. Presidenti Putin tha se nuk është disktuar për akuzat se Moska është përzier në zgjedhjet e jashtme dhe se Macron nuk e ka shtruar këtë çështje. Ai i ka hedhur poshtë akuzat se Moska është përzier në zgjedhjet presidenciale franceze. Putin tha se sa i përketë vizitës në Moskë së rivales së presidentit francez në zgjedhjet presidenciale, Marine Le Pen, nuk sheh asgjë të keqe. Nëse ajo ka kërkuar takim, për çfarë arsye Rusia duhet ta refuzojë atë, ka pyetur Putin. Presidenti Macron tha se në takim me presidentin Putin i ka prekur edhe disa çështje të tjera aktuale. "Ia kam përkujtuar presidentit Putin rëndësinë e disa çështjeve të cilat janë të veçanta për vlerat tona dhe për opinionin tonë publik. Po e shfrytëzoj këtë mundësi për të përsëritur se sa e rëndësishme për Francën është respektimi i të gjithë njerëzve, të gjitha minoriteteve, dhe për ndjeshmërinë në shoqërinë civile. Ne e përmendëm çështjen e njerëzve të komunitetit LGBT në Çeçeni, por, po ashtu, edhe atë të organizatave joqeveritare në Rusi. Në këto tema, në mënyrë specifike i kam theksuar pritjet e Francës te presidenti Putin", tha Macron. Presidenti Putin nga ana e tij, ka thënë se sanksionet perëndimore kundër Rusisë nuk kanë arritur kurrfarë rezultati në zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë. Përgatiti: Fatmir Bujupi      

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Australia do të rrisë numrin e trupave në Afganistan

Posted: 29 May 2017 02:15 AM PDT

Australia ka bërë të ditur se do të rrisë edhe për 30 numrin e trupave ushtarakë në Afganistan. Ushtarët ndërkombëtarë u vinë në ndihmë ushtarëve afganë për trajnime në betejat kundër talibanëve dhe grupeve të tjera militante. Ministri i Mbrojtjes i Australisë, Marise Payne i tha senatit se rritja e numrit të këshilltarëve ushtrarakë është kërkuar nga NATO si dhe është mbështetur nga Shtetet e Bashkuara. Ky ndryshim do të rrisë në 300 numrin e ushtarëve australianë në Afganistan, të gjithë në role jo luftarake. NATO në Afganistan ka rreth 13,500 trupa, me detyrë në trajnimin, këshillimin dhe asistimin e forcave afgane. Ushtria amerikane është duke planifikuar zvogëlimin e personelit,  pasi aktualisht ka 8400 ushtarë.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Navalny kërkon leje për tubime kundër korrupsionit në Rusi

Posted: 29 May 2017 01:42 AM PDT

Lideri i opozitës ruse Aleksei Navalny së bashku me aleatët e tij kanë bërë kërkesë zyrtare tek autoritetet për lejimin e mbajtjes së tubimeve kundër korrupsionit në Moskë dhe qytete të tjera. Navalny ka bërë të ditur përmes faqes së tij se aktivistë nga 212 qytete kanë planifikuar të protestojnë, ndonëse ende nuk është bërë e ditur për qytetet të cilat kanë kërkuar leje për protestë. Ai ka thënë se tubimet do të zhvillohen me apo pa leje, pasi sipas tij është e drejta e qytetarëve për të demostruar më 12 qershor, që është Dita e Rusisë. Navalny po përpiqet të fitojë vota për zgjedhjet në mars të 2018-tës, në të cilat presidenti Vladimir Putin pritet të kandidojë për herë të katërt. Në protestat kundër korrupsionit më 26 mars, policia kishte arrestuar në Moskë më shumë së 1000 persona duke përfshirë edhe Navalny i cili ishte në burg për 15 ditë.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more