Skip to main content

“Rusia, Serbia konfirmojnë zhvillimin e bashkëpunimit ushtarak” plus 19 more Radio Evropa e Lirë

“Rusia, Serbia konfirmojnë zhvillimin e bashkëpunimit ushtarak” plus 19 more Radio Evropa e Lirë


Rusia, Serbia konfirmojnë zhvillimin e bashkëpunimit ushtarak

Posted: 25 Apr 2017 09:10 AM PDT

Rusia dhe Serbia konfirmuan interesin e përbashkët për zhvillimin e bashkëpunimit në fushën ushtarake, tha ministri i Mbrojtjes i Rusisë, Sergei Shoigu, pas takimit në Moskë me homologun serb, Zoran Gjorgjeviq. Shoigu tha se Moska e sheh Beogradin si partner të besueshëm, i cili mbron parimet themelore të sigurisë ndërkombëtare. "Për fat të keq, bota nuk po bëhet vend më i qetë dhe më i qëndrueshëm. Ngjarjet në dekadën e fundit, që lidhen me revolucione shumëngjyrëshe, pushtime të ndryshme dhe përmbysje me dhunë të udhëheqësve të shtetit, nuk sjellin asgjë të mirë", tha Shoigu. Ai po ashtu tha se fitorja e Aleksandar Vuçiqit në zgjedhjet presidenciale në Serbi e forcon besimin e Rusisë në marrëdhëniet e fuqishme midis dy vendeve.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Elton John ka vuajtur nga një infeksion “potencialisht vdekjeprurës”

Posted: 25 Apr 2017 08:40 AM PDT

Këngëtari i njohur britanik, Elton John, ka vuajtur nga një infeksion bakterial, "potencialisht vdekjeprurës", që e ka detyruar të kalojë dy net në kujdesin intensiv dhe të anulojë koncertet në SHBA, tha menaxheri i tij. Këngëtari është sëmurë javën e kaluar, në fund të një turneu në Amerikën Jugore, dhe është kthyer në Britani për trajtim urgjent. Nëntë koncerte që është dashur të mbahen në Las Vegas dhe Kaliforni gjatë dy javëve të ardhshme, janë anuluar. Në deklaratën e menaxherit të tij thuhet se infeksioni që ka vuajtur John është "i rrallë dhe potencialisht vdekjeprurës". Ai nuk dha më shumë detaje. Këngëtari 70 vjeç ka shitur mbi 200 milionë albume, duke u bërë njëri nga artistët më të suksesshëm i të gjitha kohërave.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Nëndetësja amerikane arrin në Korenë e Jugut

Posted: 25 Apr 2017 08:00 AM PDT

Një nëndetëse amerikane ka arritur në Korenë e Jugut, nga shqetësimi se Koreja e Veriut mund të kryejë një tjetër provë raketore ose bërthamore. Nëndetësja USS Michigan, e pajisur po ashtu me raketa, do t'iu bashkohet disa luftanijeve që do të vijnë me transportuesin Carl Vinson. Koreja e Veriut është duke festuar përvjetorin e 85-të themelimit të ushtrisë së saj me stërvitje në shkallë të gjerë, tha Koreja e Jugut. Tensionet në Gadishullin Korean janë rritur javëve të fundit. Koreja e Veriut ka shpeshtuar provat e saj bërthamore dhe rakterore, ndërsa qëllim i saj është të ketë kapacitet për të vënë kokat bërthamore në raketa ndërkontinentale, të cilat mund të arrijnë caqe në gjithë botën, përfshirë Shtetet e Bashkuara. Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se kjo nuk do të ndodhë dhe ka rritur presionin mbi Phenjanin.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

OSBE: Kanë filluar hetimet për eksplodimin vdekjeprurës

Posted: 25 Apr 2017 07:16 AM PDT

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) e ka filluar hetimin e brendshëm lidhur me eksplodimin e makinës së pjesëtarëve të misionit vëzhgues në pjesën lindore të Ukrainës, me ç'rast është vrarë një pjesëtar i misionit. Sekretari i përgjithshëm i OSBE-së, Lamberto Zannier, tha sot në Moskë, pas bisedës me ministrin e jashtëm rus, Sergei Lavrov, se do të lansohen edhe hetime të tjera për të parë se kush është përgjegjës për eksplodimin e pardjeshëm. Shtetasi amerikan, Joseph Stone, është vrarë, ndërsa dy vëzhgues të tjerë – një femër gjermane dhe një mashkull çek – janë plagosur, kur vetura e tyre ka hasur në një minë. "Mina ishte lënë në rrugën, e cila shfrytëzohej edhe nga civilët, dhe ka mundur të ketë edhe viktima të tjera", u tha gazetarëve zoti Zannier. Lavrov tha se Moska e favorizon ashpërsimin e masave të sigurisë për Misionin special monitorues të OSBE-së në pjesën lindore të Ukrainës. Misioni i OSBE-së është krijuar për ta monitoruar konfliktin ndërmjet forvcave qeveritare të Ukrainës dhe separatistëve të mbështetur nga Rusia, në rajonet lindore Luhansk dhe Donjeck. Nga ky konflikt, prej prillit të vitit 2014, janë vrarë më se 9,900 vetë.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Përfaqësues të shoqërisë civile serbe, kallëzim penal ndaj Daut Haradinajt

Posted: 25 Apr 2017 06:50 AM PDT

Përfaqësues të shoqërisë civile nga komuniteti serb thonë se kanë ngritur kallëzim penal pranë Gjykatës Themelore në Pejë, kundër deputetit Daut Haradinaj, për shkak të një deklarate që ai kishte bërë gjatë një interviste në RTV Dukagjini. Në këtë intervistë, Haradinaj ka folur lidhur me mundësinë e ekstradimit në Serbi nga autoritetet franceze, të vëllait të tij, liderit të Aleancës së Ardhmërisë së Kosovës, Ramush Haradinajt. "Në rast se gabojnë të bëjnë këso veprimesh, atëherë, ata le të bëhen gati për tema më serioze. Nëse duan Kosovën etnikisht të pastër, pa serb, le të bëjnë hajgare me Ramushin", kishte deklaruar, Daut Haradinaj. Lidhur më këtë deklaratë, Nenad Maksimoviq, drejtor i Qendrës për paqe dhe tolerancë, i ka thënë Radios Evropa e Lirë në gjuhën serbe se Daut Haradinaj jo vetëm që ka nxitur frikë dhe shqetësim te komuniteti serb, por një deklaratë e tillë paraqet vepër penale. "Nismës së Qendrës për paqe dhe tolerancë për kallëzim penal ndaj Daut Haradinajt i janë bashkuar disa organizata të shoqërisë civile si dhe individë. Kurse qëndrimi ynë i përbashkët është që për shkak të rrethanave specifike këtë lëndë do të mund ta trajtoj vetëm Gjykata Speciale e Kosovës", ka deklaruar ndër tjera, Maksimoviq. Reagimi i Daut Haradinajt, kishte pasuar ndalimin e vëllait të tij, ish-kryeministrit të Kosovës dhe kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj nga autoritetet franceze më 4 janar të këtij viti, mbi bazën e një urdhër-arresti ndërkombëtar të Serbisë, me të cilin pretendohet se ai kishte kryer krime lufte. Pas disa seancave të zhvilluara, pritet që gjykata në Colmar, më 27 prill, të marrë vendimin për Ramush Haradinajn, ku përmenden si dy mundësi, ajo e lirimit të tij apo ekstradimi në Serbi, siç ka kërkuar Beogradi. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

KDI: Asociacioni ndikon në përkeqësimin e raporteve ndëretnike

Posted: 25 Apr 2017 06:07 AM PDT

Themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe mund t'i përkeqësoj tutje raportet mes shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë, thuhet në rezultatet e një sondazhi të publikuar nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI).  Në këtë sondazh, KDI ka adresuar çështjet kryesore dhe më të debatuara në Kosovë që ndërlidhen me dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Aty përmendet shtrirja e sistemit të drejtësisë në tërë territorin e vendit, shpërbërja e strukturave paralele serbe, shtrirja e sovranitetit të institucioneve të Kosovës në tërë territorin e vendit si dhe ndikimin e themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë Serbe në marrëdhënien ndëretnike. Me këtë rast Jeta Krasniqi nga KDI, duke u thirrur në të gjeturat e këtij sondazhi ka thënë se pjesa më e madhe e qytetarëve, përkatësisht 46 për qind e të anketuarve, vlerësojnë se Asociacioni i komunave me shumicë serbe mund të ndikojë në përkeqësimin e raporteve ndëretnike. "Gjysma e qytetarëve të Kosovës, përkatësisht 51 për qind, vlerësojnë se dialogu Kosovë-Serbi nuk ka ndikuar që Kosova të shtrijë sovranitetin e saj në veri të vendit. Janë vetëm 4 për qind e qytetarëve që vlerësojnë se dialogu Kosovë-Serbi ka pasur ndikim në këtë aspekt", ka thënë ajo. KDI vlerëson se Qeveria e Kosovës duhet të garantojë një qasje gjithpërfshirëse dhe një transparencë të plotë për formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, duke shtjelluar në detaje kompetencat e këtij mekanizmi, dhe duke garantuar një debat të mirëfilltë shoqëror rreth efekteve të tij. Rezultatet e sotme, ishin të tretat me radhë që KDI ka prezantuar në lidhje me dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Sfidat e shkollimit të personave të verbër

Posted: 25 Apr 2017 05:55 AM PDT

Të jetosh i verbër është sfidë. Por, kjo sfidë është edhe më e madhe kur pjesëtarëve të kësaj kategorie të shoqërisë u mungojnë kushtet elementare për jetë. Një nga kushtet e domosdoshme, konsiderohet edhe shkollimi sa më afër familjes, për shkak të nevojës që kanë këta persona për ndihmë dhe përkrahje. Fatlum Elshani, është 15 vjeç. Ai është pjesëtar i një familje pesë anëtarëshe. Ai është i verbër dhe tash e tre vjet po ndjek mësimet në shkollën, "Xheladin Deda", në Pejë, ndonëse jeton në rrethinë të Komunës së Klinës. Kjo shkollë është burimore dhe ofron mësim për personat e verbër me pajisje të veçanta. Atij i duhet të jetojë në konviktin e kësaj shkolle, në mënyrë që të ketë mundësi të ndjekë mësimin. "Shkollimi është një mundësi e mirë për mua, pasi nuk varem më pastaj nga askush. Shpresoj se edhe do të gjej punë në të ardhmen. Unë qe tri vjet vazhdoj shkollimin në këtë shkollë", thekson Elshani. Ai thotë se ka ndjekur mësimin edhe në shkollë të rregullt, por që dallimi është i madh, ngase këtu ofrohen kushte më të mira mësimi për personat e verbër. Aty mësohet edhe alfabeti Braj. Alfabeti Braj përdoret nga të verbrit, dhe është aktualisht alfabet i pranuar në gjithë botën, i modifikuar dhe i përshtatur sipas veçorive të gjuhëve të ndryshme. Ky sistem ua mundëson të verbërve shkrim-leximin dhe ua lehtëson komunikimin. "Më herët kam qenë në shkollë të rregullt, por kushtet kanë qenë si për të gjithë fëmijët e tjerë. Këtu e kam mësuar alfabetin Braj. Nuk është lehtë por është mundësi e mirë". "Tash mendoj të punësohem diku. Mendoj se do të ishte mirë nëse do kisha mundësi. Këtu merren më shumë me neve sesa në shkollë të rregullt", thotë Elshani. Kryetari i Shoqatës të të Verbërve të Kosovës, Mexhit Foniqi thotë se institucionet e vendit duhet të krijojnë mekanizma adekuat që ta ndihmojnë komunitetin e të verbërve. Sipas tij, në shkollat e rregullta mungojnë pajisjet e nevojshme për fëmijët e verbër. Kurse në shkollën burimore në Pejë, ofrohen kushte të mira, por aty, është e pamundur që t'i ndjekin mësimet fëmijët e të gjitha komunave. "Një shkollë e tillë nuk është e mjaftueshme pasi që fëmijët synojnë të jenë afër familjes. Qendra burimore çfarë është në Pejë, ka numër të vogël të nxënësve, pasi prindërit po hezitojnë t'i dërgojnë ata në shkollë, ngase një fëmijë 6-vjeçar nuk mund të adaptohet në atë shkollë- konvikt", thotë Foniqi. "Ata duhet ta kenë shkollën sa më afër. Ne synojmë që fëmijët e verbër të përfshihen në shkolla të rëndomta. Ka raste që fëmijët ndjekin mësimin në shkolla të rregullta, por ato janë të pakta", thekson tutje Foniqi. Sipas tij, ndonëse Ministria e Arsimit ka premtuar që në shkolla do të ketë kushte të favorshme si alfabetin Braj, shkrim më të përshtatshëm apo me shkronja të zmadhuara, pastaj audio-mësim, ato nuk janë vënë në praktikë dhe nuk janë zbatuar. Në Ministrinë e Arsimit, Shkencës e Teknologjisë, Lulavere Kadriu, udhëheqëse e divizionit për arsimin e fëmijëve me nevoja të veçanta për nivelin e arsimit parauniversitar, thotë se në shkolla të rregullta ndjekin mësimin rreth 1900 nxënës të verbër dhe me shikim të dobësuar. "Mund të them se mbi 90 për qind e fëmijëve të verbër mësojnë në shkolla të rregullta. Ligji parasheh që të gjithë fëmijët me aftësi të kufizuara duhet të mbajnë mësim në shkolla të rregullta. Vetëm ata me dëmtime të rënda shkojnë në shkollën burimore në Pejë". "Ne alfabetin Braj nuk e ofrojmë në shkolla, vetëm qendra burimore në Peje e ofron. Për ofrimin e këtyre shërbimeve janë edhe institucionet tjera përgjegjëse", ka thënë Kadriu. Derisa Xhavit Kastrati, drejtor në qendrën burimore për mësim dhe këshillim, ''Xheladin Deda'' në Pejë, që ofron arsim parauniversitar për personat e verbër, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se aty ofrohet mësim nga klasa e parë e deri në përfundim të shkollës së mesme të lartë. "Këtu vijnë fëmijë edhe nga shtetet fqinje. Këtu ka qëndrim javor. Janë dy drejtime profesionale, drejtimi i shkencave juridike dhe teknologjia informative e komunikimit". "Shkollimi i personave të verbër bëhet përmes pajisjeve alternative. Qendra burimore punon në dy fusha me nxënës nga gjitha komunat dhe nxënës të integruar në shkolla të rregullta, ku janë 43 të tilla", ka thënë Kastrati. Ligji për personat e verbër është miratuar në Kuvendin e Kosovës në qershor të vitit 2012. Por ai, sipas udhëheqësve të organizatave që mbrojnë të drejtat e personave të verbër, nuk po gjen zbatim. Përveç 1900 nxënësve, sa besohet të jetë numri i personave të verbër apo me shikim të dobësuar, statistikat tregojnë se në Kosovë ka rreth 4 mijë persona të kësaj kategorie. (REL)

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

OKB kërkon fonde shtesë për të shmangur urinë në Jemen

Posted: 25 Apr 2017 05:29 AM PDT

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres ka bërë thirrje për më shumë fonde, me qëllim që të shmanget uria në Jemen. Këto komente Guterres i bëri në hapjen e një konference të donatorëve në Gjenevë. Guterres gjithashtu u bëri thirrje të gjitha palëve në Jemen që të sigurohen se ndihma humanitare të mund të arrijë te njerëzit në nevojë. OKB bën thirrje që Jemenit t'i jepen 1.2 miliardë dollarë këtë vit, ku Guterrers ka thënë se një fëmijë nën moshën pesë vjeçare vdes çdo 10 minuta, nga shkaqe shëndetësore të cilat janë të parandalueshme. Konflikti dy vjeçar në Jemen, në mes të rebelëve huthi dhe forcave qeveritare, ka lënë të vrarë të paktën 10 mijë persona në Jemen, ndërkaq pjesa tjetër e popullsinë janë duke vuajtur nga uria dhe sëmundje të shumta janë përhapur. Rreth 19 milionë njerëz, apo dy e treta e popullsisë në Jemen, kanë nevojë për ndihmë urgjente ka thënë Guterres, teksa ka bërë thirrje për bisedime për paqe. Kryeministri i Jemenit, Ahmed Obeid Bin Daghr ka thënë se qeveria, e cila kontrollon një pjesë të shtetit, do të ndihmojë që ndihmat të shpërndahen. "Ne jemi të gatshëm të hapim rrugë për këto furnizime me ndihma", ka thënë ai. Në fillim të kësaj konference të donatorëve, Arabia Saudite ka premtuar 150 milionë dollarë, Kuvajti 100 milionë dollarë, Gjermania ka thënë se do të dhurojë 50 milionë euro, ndërkaq Shtetet e Bashkuara kanë thënë se do të ndihmojnë Jemenin me 94 milionë dollarë.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

VMRO kërkon takim liderësh për zgjedhje të reja, LSDM refuzon

Posted: 25 Apr 2017 05:13 AM PDT

Përfaqësues të VMRO DPMNE, thonë se kriza politike në Maqedoni nuk mund të zgjidhet përmes procedurës së tanishme parlamentare, por nevojitet takim i liderëve të partive politike. Sipas tyre në takim do të diskutohej për të gjitha çështjet e hapura, pa anashkaluar pikat që, siç thonë, cenojnë integritetin e vendit. Takimi mendohet se do t'i hapte rrugën mbajtjes së zgjedhjeve të reja parlamentare. VMRO DPMNE e Nikolla Gruevskit, ka afro katër muaj që po mbanë të bllokuar krijimin e qeverisë së re me arsyetimin se ajo rrezikon shtetin maqedonas nga ajo që e quan "Platformë e Tiranës". "Përveç se të ulemi në tavolinë të përbashkët ku do të hapim debatin për të gjitha çështjet e pazgjidhura dhe të gjitha të tjerat që kërcënojnë Kushtetutën dhe karakterin unitar të shtetit, zgjidhje tjetër nuk mund të ketë", ka deklaruar Kërste Mukoski, deputet i VMRO DPMNE-së. Zyrtarë të partisë thonë se me të gjitha forcat do të vazhdojnë të kundërshtojnë zgjedhjen e kryeparlamentarit të ri, Talat Xhaferi, i propozuar nga LSDM-ja dhe dy partitë shqiptare BDI dhe "Aleanca për Shqiptarët", të cilat siç thotë VMRO-DPMNE, "rrezikojnë karakterin unitar të shtetit me pranimin e deklaratës së partive shqiptare, pikat e së cilës synojnë zgjidhjen e të drejtave kombëtare të shqiptarëve". Por Lidhja Social-Demokrate e Zoran Zaevit, nuk ka pranuar zgjedhje të reja dhe takim liderësh pasi, sipas saj, 'tanimë ka një shumicë të re parlamentare që duhet të pranohet nga Nikolla Gruevskit dhe presidenti Gjorge Ivanov'. "Për çfarë dhe me kë të bisedojmë në një takim të tillë të liderëve. Ne kemi pasur takime të tilla ku u arrit marrëveshja e Përzhinës për mbajtjen e zgjedhjeve të 11 dhjetorit. Zgjidhja e krizës qëndron tek Gruevski. Ai duhet ta dorëzojë pushtetin për t'i mundësuar shumicës së re formimin e institucioneve", ka deklaruar Petre Shilegov, zëdhënësi i LSDM-së. Debati për zgjedhje të reja ka nisur të forcohet duke marrë parasysh bllokimin e punës së Kuvendit, por sa zgjedhjet mund të zgjidhin krizën është çështje po ashtu e diskutueshme që lë pak optimizëm për një drejtim pozitiv të zhvillimeve në Maqedoni. "Edhe nëse kemi zgjedhje të reja dhe në ato zgjedhje përsëriten të njëjtat rezultate, atëherë Maqedonia sërish do të ballafaqohet me krizë. Apo nëse kemi zgjedhje dhe në to fiton VMRO DPMNE-ja, do të kemi një praktikë të rrezikshme për demokracinë në Maqedoni pasi në të ardhmen do të mund të paraqitej një situatë e njëjtë ku një parti politike do të pamundësonte tranzicionin paqësor të pushtetit, do të kërkonte zgjedhje të parakohshme dhe do të kërkonte që me dhunë të fitojë legjitimitetin nga qytetarët", thotë Xhelal Neziri analist dhe drejtues i qendrës për gazetari hulumtuese. Ai mendon se kriza ndoshta mund të nis të marrë epilog pozitiv me një rol më aktiv të bashkësisë ndërkombëtare, pasi situata mund të përkeqësohet nëse së shpejti nuk dilet nga bllokimi institucional. "Ajo që mund të pritet dhe të shihet në perspektivë është përdorimi i sanksioneve ndaj personaliteteve kryesore apo bartësve të institucioneve në Maqedoni, që të bëhet një lloj presioni ndaj tyre që të zhbllokojnë gjendjen e tanishme për të mundësuar konstituimin e Kuvendit dhe formimin e Qeverisë së re", thotë Neziri. Kriza politike ndërkohë ka nisur të reflektohet edhe në aspektet ekonomike dhe sociale. Ekspertët kanë paralajmëruar se pas dy muajve do të ketë vështirësi financiare në pagesën e pensioneve ndërsa ndihmat sociale për familjet e rrezikuara tani më kanë nisur të mos paguhen me rregull. Probleme financiare priten edhe në sektorin privat. (REL)

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Macron dhe Le Pen marrin pjesë në varrimin e policit të vrarë në Paris

Posted: 25 Apr 2017 04:34 AM PDT

Emmanuel Macron dhe Marine Le Pen, dy kandidatët për president të Francës, kanë marrë pjesë në varrimin e policit të vrarë në sulmin në Paris që ndodhi javën e kaluar. Macron dhe Le Pen ishin në mesin e qindra njerëzve që morën pjesë në varrimin e policit, Xavier Jugele, 37-vjeçar, i cili u vra gjatë të shtënave në Champs Elysees. Grupi militant, Shteti Islamik tha se një luftëtar i tij, e ka kryer këtë sulm. Autoritetet franceze kanë thënë se sulmuesi është Karim Cheurfi, 39-vjeçar francez, i cili u vra nga autoritet franceze. Presidenti i Francës, Francois Hollande e ka nderuar policin e vrarë Jugele, me "Legjionin e Nderit", që është një prej nderimeve më të larta në Francë.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Hetohen kompani për fiksim çmimesh

Posted: 25 Apr 2017 03:55 AM PDT

Autoriteti Kosovar i Konkurrencës është duke shqyrtuar një mori lëndësh ku dyshohet se grupe operatorësh të ndryshëm ekonomik, kanë bërë marrëveshje për fiksim të çmimeve apo shërbimeve si dhe kanë keqpërdorur pozitën dominuese në treg. Kështu bëjnë të ditur për Radion Evropa e Lirë, përfaqësues të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës. Fiksimi i çmimeve është marrëveshje e cila është e ndaluar me Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës. Valon Prestreshi, kryetar i Komisionit të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se janë në fazën e trajtimit të disa lëndëve të parashtruara nga ankuesit. "Fiksimi i çmimeve nga ndërmarrjet në kartel i ndalon edhe Ligji për mbrojtjen e konkurrencës. Por, normalisht në çdo vend ku ka ekonomi të tregut të lirë mund të ketë akterë që tentojnë të shtrembërojnë konkurrencën e drejtë, siç janë pjesëmarrësit në kartel që hartojnë një marrëveshje të ndalur në formë të shkruar ose në formë të bashkërenduar", thekson Prestreshi. Por, siç thekson Prestreshi, të gjitha ato kompani që tentojnë ta çrregullojnë tregun në formë të marrëveshjes së ndalur ose më bashkërendim do të hetohen nga Autoriteti Kosovar i Konkurrencës. "Kemi tri elemente bazë shtyllë që konkurrenca i trajton, siç janë marrëveshjet e ndaluara, abuzimet me pozitën dominuese dhe përqendrimet e ndaluara (kur dy firma blejnë njëra tjetrën, por në mënyrë jo ligjore). Pjesa më e theksuar janë marrëveshjet e ndaluara pasi që ndërmarrjet nuk kanë akoma njohuri për Ligjin për mbrojtjen e konkurrencës", thekson ai. Autoriteti Kosovar i Konkurrencës në të kaluarën kishte ndëshkuar me nga 100 mijë euro kompanitë për shitjen e arkave fiskale, pasi që si të tilla ishin dyshuar për fiksim të çmimeve. Ngjashëm ishte vepruar edhe me 10 kompani të sigurimeve të cilat ishin gjobitur secila me nga 100 mijë euro. Në anën tjetër, përfaqësues të bizneseve në Kosovë thonë se fiksimi i çmimeve bëhet në dëm të konsumatorëve dhe të shoqërisë në përgjithësi. Ata thonë se ndërmarrjet që marrin pjesë në to vendosin çmime më të larta (dhe marrin fitime më të mëdha) sesa në një treg konkurrues. Kryetari i Aleancës Kosovare të Biznesit Agim Shahini, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se fiksimi i çmimeve nga grup operatorësh ekonomik është një dukuri mjaft e shprehur në Kosovë. "Ka dyshime për fiksim të çmimeve tek disa operatorë në disa sektorë siç janë bankat komerciale kur kemi të bëjmë me kamatat e kredive dhe shërbimet e tyre, po ashtu fiksim të çmimeve dyshohet se mund të bëjnë operatorët telefonik, por edhe tek kompanitë e sigurime", thotë Shahini. Mekanizmat kompetent, shton Shahini, duhet të jenë më aktiv në hetimin e këtyre kompanive, pasi që si e tillëkjo dukuripo dëmton konkurrencën e drejtë në vend dhe ekonominë në përgjithësi. "Autoriteti Kosovar i Konkurrencës duhet të jetë më aktiv dhe nëse has në këto fenomene të veprojë në bazë të ligjit. Këta mekanizma duhet të jetë të pavarur dhe pa ndërhyrje nga jashtë", thotë Shahini. Me Ligjin mbi Konkurrencën, ndalohen të gjitha marrëveshjet ndërmjet dy ose më shumë ndërmarrjeve të pavarura, vendimet e marra në mes të shoqatave të ndërmarrjeve dhe praktikat e bashkërenduara të cilat mund të ndikojnë në mënyrë të dukshme në çrregullimin e konkurrencës tregtare. (REL)

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Gjenerali amerikan dhe presidenti taxhik flasin për bashkëpunimin ushtarak

Posted: 25 Apr 2017 03:30 AM PDT

Presidenti i Taxhikistanit, Emomali Rahmon ka biseduar me komandantin e Komandës Qendrore të SHBA-së, Gjeneralin Joseph Votel. Zyra e Rahmon ka thënë se dy bashkëbiseduesit kanë diskutuar për "perspektivat e bashkëpunimit në sferën ushtarake" dhe për synimin e forcimit të "sigurisë dhe stabilitetit rajonal". Rahmon dhe Votel gjithashtu kanë biseduar për "propozime efektive për zgjerimin e bashkëpunimit dhe forcimin e aftësive", të forcave kufitare taxhike, në kufirin me Afganistanin. Ky takim vjen dy muaj pasi presidenti rus, Vladimir Putin u takua me presidentin Rahmon, ku dy bashkëbiseduesit patën thënë se janë pajtuar "për të rritur përpjekjet e përbashkëta për mbrojtjen e kufirit mes Afganistanit dhe Taxhikistanit, duke përdoror kapacitetet e bazës ushtarake ruse", në Taxhikistan. Rreth 7 mijë trupa ruse janë të vendosur në tri ndërtesa, që konsiderohen se janë pjesë e një baze ruse në Taxhikistan. Komanda Qendorore e SHBA-së është përgjegjëse për aktivitetet ushtarake të Shteteve të Bashkuara në Lindjen e Mesme, ish-republikat sovjetike të Azisë Qendrore dhe Pakistan.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Pentagoni: Bombarduesit rusë fluturuan afër Alaskës dhe Kanadasë

Posted: 25 Apr 2017 02:07 AM PDT

Aeroplanët luftarakë rusë javën e kaluar kanë fluturuar disa herë afër Alaskës dhe Kanadasë, duke shkaktuar aktivizim të aeroplanëve luftarakë të forcave të mbrojtjes ajrore të Amerikës Veriore, për të parën herë në më tepër se dy vitet e fundit, ka njoftuar mbrëmë Pentagoni. Bombarduesit rusë të tipit, Tu-95 Bear, ishin vërejtur në hapësirën ajrore ndërkombëtare tri herë, dy herë afër ishujve Aleutian të Alaskës, dhe njëherë afër territorit kontinental të Alaskës dhe Kanadasë, tha Pentagoni. Këto fluturime, për të cilat Pentagoni thotë se kanë kanë ndodhur më 17, 18 dhe 20 prill, kanë ndikuar që në dy raste Komanda e Mbrojtjes së Hapësirës Ajrore të Amerikës Veriore (NORAD), t'i lansoj aeroplanët luftarakë për interceptim. Zëdhënësja e NORAD-it, Lori O'Donley, tha se një numër i aeroplanëve anti-nëndetëse të tipit, Il-38, po ashtu, janë vërejtur në këtë hapësirë, më 19 prill. Shtëpia e Bardhë nuk i ka dhënë ndonjë rëndësi të madhe këtyre fluturimeve, duke thënë se "kjo nuk është diçka shumë e pazakonshme". "Të gjitha ato janë ndërmarrë në mënyrë të sigurt dhe profesionale dhe me respekt të hapësirës ajrore të Shteteve të Bashkuara", tha zëdhënësi i Pentagonit, Jeff Davis. Por, Davis tha se fluturimet e këtilla afër Alaskës nuk kanë ndodhur për disa vite, ndërsa arsye mund të jetë se aeroplanët e tipit, Tu-95s me helikë, ishin tërhequr për mirëmbajtje. "Kjo ishte hera e parë në afro dy vjet e gjysmë që ne kemi parë që Rusia ndërmerr misione të bombarduesit me rreze të gjatë veprimi sikur ky në dhe rreth Alaskës", tha Jeff Davis. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Abe dhe Putin do të takohen gjatë kësaj jave

Posted: 25 Apr 2017 02:01 AM PDT

Kremlini njofton se kryeministri i Japonisë, Shinzo Abe do të udhëtojë më 27 prill për në Rusi, ku do të takohet me presidentin rus, Vladimir Putin. Abe dhe Putin do të diskutojnë për zbatimin e marrëveshjeve të arritura gjatë vizitës së Putinit në Japoni në muajin dhjetor, por Kremlini nuk ka dhënë më shumë detaje. Gjatë asaj vizite, Putin dhe Abe kishin dështuar të zgjidhnin mosmarrëveshjen territoriale, që ka tensionuar raportet mes dy shteteve që prej Luftës së Dytë Botërore. Bashkimi Sovjetik kishte marrë nën kontroll ishujt në veri të bregdetit të Japonisë, gjatë ditëve të fundit të luftës. Japonia ende pretendon se ato ishuj i takojnë asaj. Rusia i quan këto ishuj Kurilet Jugore, ndërkaq Japonia si Territoret Veriore. Në deklaratën e Kremlinit thuhet se liderët do të bisedojnë për rritjen e bashkëpunimit në fushën "politike, tregtare dhe sferat humanitare", si dhe çështjet rajonale dhe ndërkombëtare.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

BE-ja kërkon votimin e shpejtë të Demarkacionit në Kuvend

Posted: 25 Apr 2017 01:36 AM PDT

Komisioneri për çështje të brendshme dhe migracion, Dimitris Avramopoulos, i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës dhe të 'gjitha partive politike në vend' që ta procedojnë sa më shpejt për votim në Kuvend marrëveshjen për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi. Komisioneri Avramopoulos thuhet t'i ketë dhënë Kosovës mbështetjen e plotë në hapat e fundit drejt procesit të liberalizimit të vizave. "Komisioneri Avramopoulos ka njohur përpjekjet e Kosovës për të ratifikuar marrëveshjen për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe e ka inkurajuar kryeministrin Mustafa dhe qeverinë e tij dhe të gjitha partitë politike që ta procedojnë sa më shpejtë atë për votim në Kuvend", thuhet në një kumtesë të përbashkët të komisionerit të BE-së dhe kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa. Kryeministri Mustafa ka qëndruar në Bruksel ku është takuar me komisionerin për cështje të brendshme dhe migracion, Dimitris Avramopoulos, me të cilin thuhet të ketë hapur çështjen e pezullimit të përkohshëm të kushtit të ratifikimit të marrëveshjes për demarkacion me Malin e Zi, për liberalizimin e vizave. Kërkesa e Mustafës që përfshinte hapjen e liberalizimit të vizave për Kosovën dhe përmbushjen e kushtit të demarkacionit 'brenda një periudhe dy vjeçare'. Në kumtesën e përbashkët të komisionerit Avramopoulos dhe kryeministrit Mustafa, thuhet se takimi është zhvilluar për të diskutuar hapat e fundit të nevojshëm për të përmbushur kushtet e mbetura për liberalizim të vizave me Kosovën.  Në kumtesë gjithashtu thuhet se komisioneri i BE-se ka shprehur gatishmërinë e tij që ta vizitojë Kosoven përpara verës së këtij viti.  "Komisioneri Avramopoulos e ka përgëzuar Qeverinë e Kosovës për përparimin e arritur deri tani përfshirë edhe rastet konkrete në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Të dyja palët janë pajtuar se përparimi duhet të mbahet dhe në veçanti numri i dënimeve aktuale të rritet", thuhet në kumtesë. Në Komisionin Evropian, njofton bashkëpunëtori i Radios Evropa e Lirë në Bruksel, thonë se takimi me kryeministrin Mustafa ishte një rast i mirë 'për të analizuar gjendjen momentale në procesin e liberalizimit të vizave dhe përmbushjen e kushteve nga ana e Kosovës'. Marrëveshja për damarkimin e vijës kufitare ndërmjet Prishtinës e Podgoricës u nënshkrua në verën e vitit 2015 në Vjenë, në praninë e përfaqësuesve ndërkombëtarë dhe Mali i Zi e ratifikoi në Kuvendin e tij, duke i hapur rrugën vendit drejt anëtarësimit në NATO. Por, ajo ngjalli reagime të fuqishme të opozitës në Kosovë, e cila përdori edhe gazin lotsjellës për të parandaluar miratimin e saj në Kuvend. Një projektligj në Kuvend u tërhoq nga Qeveria, vitin e kaluar, e cila pohoi se do ta rikthejë 'në kohën kur të ketë arritur numrin e mjaftueshëm të votave'. Partnerët në koalicionin qeverisës thanë se janë pajtuar që brenda ditësh ta votojnë Demarkacionin me Malin e Zi, pas bisedave me zëvendës ndihmës sekretarin amerikan të shtetit, Hoyt Yee. Por, opozita ka këmbëngulur sërish se marrëveshja do të kundërshtohet meqë, sipas saj, 'Kosova me demarkacion humbet mbi 8 mijë hektarë tokë të saj'. Propozimi i kryeministrit Mustafa, për pezullim të përkohshëm të kushtit të demarkacionit ndërkaq është diskutuar të martën me deputetët e Grupit të Partive Popullore në Parlamentin Evropian. Kryeministri Mustafa gjatë ditës do të takojë edhe Joseph Daul kryetarin e Partisë Popullore Evropiane, pjesë e së cilës, në cilësinë e vëzhguesit është edhe Lidhja Demokratike e Kosovës. (REL)

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Kosova përballë kërcënimeve të sigurisë

Posted: 25 Apr 2017 01:05 AM PDT

Mekanizmat e sigurisë të Kosovë janë në rrjedhë të vazhdueshme të përgatitjes për përballje me çfarëdo kërcënimi eventual ndaj sigurisë së vendit, pavarësisht se nuk ka ndonjë rrezik konkret dhe të veçantë që e kanosë vendin, vlerësojnë zyrtarët e Qeverisë së Kosovës. Zëvendësminsitri i Punëve të Brendshme i Qeverisë së Kosovës, Valdet Hoxha, thotë për Radion Evropa e Lirë se në përputhje me rrjedhat globale, që nënkuptojnë ato rajonale dhe ndërkombëtare, në luftë ndaj ekstremizmit të dhunshëm, terrorizmit dhe krimit të organizuar, mekanizmat e sigurisë së Kosovës, po i zbatojnë masat parandaluese për parandalim të çfarëdo akti që e rrezikon sigurinë e vendit. "Nuk ka ndonjë rrezik konkret potencial, por që në pajtim me rendin e përgjithshëm botëror, gjithmonë Policia e Kosovës nuk ia krijon luksin vetes që të jetë komode. Por, duke i zbatuar strategjitë e ndryshme, sidomos atë të policimit të bazuar në inteligjencë, rri gjithmonë e përgatitur dhe në hap me kohën, që të mos gjendet e papërgatitur në situata të ndryshme të sigurisë", thotë Hoxha. Por njohësit e rrethanave të sigurisë në vend, vlerësojnë se Kosova përballet me kërcënime shumëdimensionale të sigurisë kombëtare dhe sigurisë njerëzore. Burim Ramadani, drejtor i Qendrës Kërkimore për Politika të Sigurisë, duke folur për Radion Evropa e Lirë, vlerëson se në periudhën në të cilën po hyn Kosova, gjatë këtij viti, kërcënimi kryesor për sigurinë do të jetë mosqëndrueshmëria e stabilitetit politik dhe institucional, si pasojë e mundshme e ndonjë veprimi nga brenda vendit apo edhe nga rrethanat e jashtme. Në këtë pikë, sipas Ramadanit, si rrezik potencial për kërcënim të sigurisë në Kosovë, duhet marrë parasysh veprimin e organizatave, të cilat nxiten nga qarqet jashtë Kosovës. "Organizatat, sikurse 'Syri i popullit' apo organizatat e terrorizmit global, IS-i dhe të tjerat. Pastaj, nga ndërhyrja e drejtpërdrejtë dhe interesi i mundshëm i Serbisë për destabilizim të Kosovës. Mbi të gjitha, po ashtu një kërcënim serioz është interesimi dhe interesi i Rusisë që Kosova të dështojë si shtet, në mënyrë që Rusia t'i fitojë argumentet në raport me perëndimin. Duhet përfshirë këtu edhe sfidimin e mundshëm të sistemit në Kosovë nga Gjykata Speciale". Ramadani ka shtuar selidhur me këto lloje të kërcënimeve për sigurinë kombëtare të Kosovës, nuk po duket një konsensus nacional i institucioneve dhe i elitës politike, se si të trajtohen ato veç e veç, përfshirë edhe sfidimin e mundshëm të sistemit në Kosovë nga Gjykata Speciale, e cila pritet të vihet në funksion sivjet. Në anën tjetër, zëvendësministri Hoxha ka theksuar se në parim nuk përjashtohet asnjë pistë e preventivës apo e reagimit ndaj grupeve të ndryshme, qoftë të krimit të organizuar apo edhe të natyrave të tjera. "Jemi dëshmitarë që kanë ndodhur edhe disa arrestime brenda vendit, për të cilat është vlerësuar se mund të jenë kërcënim për rendin dhe sigurinë publike. Në këtë kuptim, Policia e Kosovës, preventivën e saj e bazon dhe e orienton në dy drejtime, sikurse në aspektin brenda vendit, po ashtu edhe në aspektin ndërkombëtar. Kështu që, pa përjashtuar asnjë variant, mekanizmi mbrojtës, në kuadër të preventivës të ndodhjes së akteve të ndryshme, ndërtohet në dy drejtime: edhe atë brenda, por edhe në aspektin ndërkombëtar". Edhe Ramadani shpreh besimin se institucionet e Kosovës, në aspektin operativ, kanë kapacitete të mjaftueshme për të mbajtur situatën e sigurisë nën kontroll. "Por, nga aspekti politik dhe institucional, besoj që ka nevojë që të ketë gatishmëri dhe përkushtim më i madh politik, që të mbahet stabiliteti dhe qëndrueshmëria politike dhe vazhdimësia e shtetit të Kosovës". Rreth 10 ditë më parë, në rrugët magjistrale në Kosovë, si dhe në sheshet dhe zonat me qarkullim më të dendur të qytetarëve, ishte shtuar prania e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, kishte këshilluar qytetarët amerikanë të kenë kujdes të veçantë gjatë pushimeve, me rastin e festës së Pashkëve, për shkak se, siç thuhej në faqen zyrtare të kësaj ambasade, "terroristët në rajon më parë kanë pasur caqe objektet e ndjeshme, përfshirë kishat dhe objektet e kulteve tjera, qendrat e këmbësorëve, arenat sportive, sallat e koncerteve dhe tubimet publike". Në të njëjtën kohë, Këshilli për Siguri i Kosovës, përmes një komunikate për opinion, kishte paralajmëruar zbulimin e "veprimeve të disa individëve dhe grupeve të tyre", të cilat kishin planifikuar "të kryejnë akte kundër disa liderëve institucionalë dhe politikë të Kosovës". (REL)

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Turqia godet caqet e militantëve kurdë në Irak dhe Siri

Posted: 25 Apr 2017 12:53 AM PDT

Ushtria turke ka thënë se ka kryer sulme ajrore kundër militantëve kurdë të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PPK), në afërsi të maleve Sinjar në Irak, si dhe në verilindje të Sirisë, me qëllim që të ndalojë që grupi të dërgojë armë dhe eksplozivë për sulme brenda Turqisë. PPK vazhdimisht ka përdorur këto dy rajone për të lëvizur militantët, armët, bomat dhe materiale të tjera, që i përdor për të kryer sulme ndaj ushtrisë turke. Sulmi i fundit i PPK-së u krye në qytetin Diyarbakir, ka thënë ushtria përmes një njoftimi për media. Ende nuk ka raportime për numrin e të vrarëve nga këto sulme ajrore. PPK konsiderohet organizatë terroriste nga Turqia, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian. Ankaraja thotë se anëtarët e PPK-së po gjejnë streë në Irak dhe Siri.    

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Vazhdojnë protestat në Shkup

Posted: 25 Apr 2017 12:04 AM PDT

Protestat në Shkup kanë vazhduar edhe të hënën, në kundërshtim të propozimit të koalicionit qeveritar të partive shqiptare dhe përdorimit zyrtar të gjuhës shqipe. Mbështetësit e iniciativës "Maqedonia e Bashkuar" kanë kërkuar që të mbahen zgjedhje të menjëhershme.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Shefi i OSBE-së dhe Lavrov do të flasin për konfliktin në Ukrainë

Posted: 24 Apr 2017 11:48 PM PDT

Shefi i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), do të qëndrojë në Moskë nga 24 deri më 27 prill, për të diskutuar për "lehtësimin e zgjidhjes" të konfliktit në Ukrainë, ka njoftuar Ministria e Jashtme ruse. Sekretari i Përgjithshëm i OSBE-së, Lamberto Zannieri do të takohet me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov. Në këtë takim do të marrë pjesë edhe drejtori i OSBE-së për parandalimin e konfliktieve, Marcel Pesko. Pesko do të vizitojë pikëkalimet kufitare ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës, ku janë të vendosur vëzhguesit e misionit të OSBE-së. Zannier gjithashtu është planifikuar të takohet me menaxherët e Organizatës së Traktatit të Sigurisë Kolektive si dhe do të marrë pjesë në konferencën e gjashtë në Moskë për Siguri Ndërkombëtare.  

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Pakistan: Të paktën 9 të vrarë nga një shpërthim

Posted: 24 Apr 2017 11:19 PM PDT

Një zyrtar i qeverisë lokale ka thënë se një bombë e vendosur në rrugë, ka goditur një mini-autobus në veriperëndim të Pakistanit, duke vrarë të paktën 9 persona. Arif Khan, zyrtar në qytetin Parachinar, ka thënë se shpërthimi goditi një minibus që po udhëtonte përgjatë rajonit të banuar me shiitë, në zonën fisnore të Kurram, që gjendet në kufi me Afganistanin. Kjo zonë, që një kohë të gjatë ka qenë skenë e dhunës sektare. Khan ka thënë se një grua dhe dy fëmijë janë në mesin e viktimave. Nga ky shpërthim po ashtu janë plagosur edhe 13 persona të tjerë. Asnjë grup deri më tani nuk e ka marrë përgjegjësinë oër sulmin. Por talibanët në Pakistan dhe grupe të tjera militante sunite, shpesh sulmojnë minoritetin shiitë.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more