Skip to main content

“Padia ndaj Serbisë për gjenocid, mes deklaratave dhe mundësive” plus 19 more Radio Evropa e Lirë

“Padia ndaj Serbisë për gjenocid, mes deklaratave dhe mundësive” plus 19 more Radio Evropa e Lirë


Padia ndaj Serbisë për gjenocid, mes deklaratave dhe mundësive

Posted: 18 Apr 2017 08:44 AM PDT

Tash e disa vite, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka përsëritur deklaratat se Kosova do ta padisë Serbinë për gjenocid të kryer gjatë luftës, në vitin 1998 dhe 1999. Një deklaratë të tillë, ai së fundmi e ka ripërsëritur, përmes rrjetit social Facebook, duke përkujtuar 18 vjetorin e masakrave ndaj civilëve në fshatrat Poklek dhe Çikatovë e Vjetër, të kryera nga forcat serbe. Presidenti Thaçi ka theksuar se "populli dhe shteti i Kosovës asnjëherë nuk do t'i harrojnë këto krime dhe shumë shpejt do ta padisë Serbinë për gjenocid në Kosovë". Megjithatë, deri më tash, asnjëherë nuk është saktësuar se para cilës gjykatë do të ngrihej një padi e tillë. Zyrtarët e kabinetit të presidentit Thaçi, të kontaktuar nga Radio Evropa e Lirë, nuk kanë dhënë asnjë sqarim se kur dhe në cilën gjykatë ndërkombëtare do ta ngrisë shteti i Kosovës padinë ndaj Serbisë.  Por, Afrim Hoti, profesor i të Drejtës Ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka shpjeguar mundësinë në parim që Kosova mund ta ushtrojë mekanizmin e padisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, përkundër se për një gjë të tillë ekzistojnë pengesa të natyrës juridike. Kjo gjykatë, siç thotë profesor Hoti, është trup i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, dhe në parim, para kësaj gjykate mund të parashtrojnë padi vetëm shtetet që kanë statusin e anëtarit të Kombeve të Bashkuara. "Megjithatë, ekziston një hapësirë e ngushtuar juridike, që për shtetet ose entitetet që nuk janë anëtare të OKB-së, por që marrin mbi vete të respektojnë ose t'i pranojnë dispozitat nga statuti, atëherë edhe këtyre entiteteve u bëhet e mundur një gjë e tillë. Prandaj, mendoj që Kosova do të kishte mundësinë, sipas paralajmërimeve të presidentit, që ta ndiqte këtë rrugë dhe ta padisë Serbinë për të bëmat e saj në Kosovë". Në anën tjetër, organizatat, të cilat janë marrë me hulumtimin e krimeve të luftës, vlerësojnë se institucionet e Kosovës, nuk kanë bërë mjaftueshëm për mbledhjen dhe dokumentimin e fakteve për krimet e kryera nga forca serbe në Kosovë, të cilat do ta bënin efektive padinë eventuale të shtetit të Kosovës ndaj Serbisë për gjenocid. Bekim Blakaj nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, fond ky i cili është marrë me hulumtimin e krimeve të luftës, thotë për Radion Evropa e Lirë se në disa raste kësaj organizate i janë drejtuar prokurorë të ndryshëm për raste të veçanta, por nga institucionet e Kosovës nuk ka pasur kërkesa lidhur me materialet që posedon fondi. "Unë nuk kam ndonjë informacion që institucionet e Kosovës kanë mbledhur fakte. Sigurisht që prokuroritë kanë mbledhur fakte për raste të caktuara, por nuk e besoj që janë mbledhur faktet për të gjitha krimet që kanë ndodhur në Kosovë dhe të jenë sistematizuar ato. E di që para më shumë se 4 vjet është themeluar edhe Instituti për hulumtimin e krimeve të luftës. Disa publikime që i kanë pasur ata nuk më bëjnë të besoj që janë mbledhur faktet në mënyrë të detajuar, të cilat pastaj do ta krijonin lëndën, respektivisht, padinë ndaj Serbisë për gjenocid". Profesor Hoti, thekson se provat për krimet e forcave serbe në Kosovë do të duhej mbledhur që moti. Por, megjithatë, sipas tij, krimet e tilla, nuk vjetrohen asnjëherë. "Sa më afër periudhës kur janë zhvilluar luftimet, provat do të ishin më të besueshme, më të prekshme dhe më vizuale. Ndërkohë që, përtej rrethanave praktike ose politike, mendoj që edhe tani nuk është vonë, për faktin që veprimet që inkriminojnë një shtet që të ketë kryer gjenocid ose krime të luftës, kundër paqes apo kundër të drejtave të njeriut, nuk vjetërsohen asnjëherë. Pra, për to mund të ngritet ose mund të iniciohet proces gjyqësor qoftë edhe pas 40, 50 ose 100 vjetësh, kur të jenë zbuluar rrethanat e tilla". Blakaj, shpreh mendimin, se pavarësisht se ngre ose jo padi Kosova ndaj Serbisë, faktet për krimet e forcave të saj në Kosovë, duhet mbledhur gjithsesi. "Faktet është dashur të mblidhen më herët, por edhe tani nuk është vonë që të mblidhen ato. Me kalimin e kohës, kujtimet e dëshmitarëve okularë zbehen. Për fat të keq, një numër i tyre më nuk janë në jetë. Pastaj, dokumentacioni gjithashtu zhduket, mbetet në sirtarë të ndryshëm dhe siç kalon koha, është më vështirë të mblidhe këto fakte dhe të kompletohen. Mirëpo, pa marrë parasysh për çfarë arsye, ato fakte duhet të mblidhen, sepse, fundja, në të ardhmen ato duhet ta krijojnë një lloj kujtese kolektive për të kaluarën që ka ndodhur në Kosovë". Ndryshe, autoritetet e Beogradit kanë reaguar lidhur me deklaratat e presidentit Thaçi, se Kosova do ta padisë Serbinë për gjenocid, duke theksuar se këto janë përpjekje për të frikësuar serbët dhe se në Kosovë nuk ka pasur gjenocid. (REL)

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Ligjvënësi rus: REL, VOA dhe CNN, pjesë e “sistemit të presionit” të SHBA-së

Posted: 18 Apr 2017 08:33 AM PDT

Një ligjvënës rus ka thënë se Radio Evropa e Lirë/Radio Liria, Zëri i Amerikës dhe CNN, janë pjesë e "sistemit amerikan të presionit", që kanë për cak Rusinë. Leonid Levin, kreu i komitetit për politika të informacionit, në dhomën e ulët të parlamentit rus, i bëri sot këto komente, gjatë seancës dëgjimore që po mbahet për shqyrtimin nëse puna e këtyre tri mediave amerikane është në përputhje me ligjet ruse. Seanca vjen pas rritjes së tensioneve mes Moskës dhe Uashigntonit, pas ndërhyrjes së dyshuar të Kremlinit në zgjedhjet presdienciale amerikane dhe përshkallëzimit të luftës në Siri. Ligjvënësit rusë kanë urdhëruar hetim muajin e kaluar, pasi senatorja amerikane, Jeanne Shaheen, paraqiti një projektligj, përmes së cilit kërkohet që të hetohet rrjeti RT, që mbështetet nga Rusia. Senatorja demokrate ka kërkuar që të hetohet nëse ky rrjet televiziv ka shkelur ligjet amerikane. Levin e quajti REL-in, VOA-n dhe CNN-in, "pjesë të një sistemi të gjerë amerikan, për të bërë presion mbi vendin tonë". Por ai tha se komiteti nuk do të kërkojë zyrtarisht që autoritetet federale të hetojnë nëse këto media duke respektuar ligjet në Rusi, raporton agjencia Interfax. Radio Evropa e Lirë dhe VOA mbikëqyren nga Bordi i Guvernatorëve për Transmetim (BBG), një agjenci amerikane që mbikëqyrë transmetimin civil të operacioneve mediatike. VOA është një entitet federal, ndërkohë që Radio Evropa e Lirë është një organizatë private jofitimprurëse që financohet me fondet e Kongresit amerikan.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Paraburgoset një person lidhur me sulmin në Shën Petersburg

Posted: 18 Apr 2017 07:58 AM PDT

Një gjykatë në Moskë ka urdhëruar paraburgimin e një të dyshuari, nën dyshimin se ka lidhje me sulmin e 3 prillit në metronë e Shën Petersburgut. Edhe tëtë persona të tjerë janë në paraburgim për sulmin vdekjeprurës, ku u vranë 15 persona dhe u plagosën 45 të tjerë. Vendimi për parabugosjen e 26-vjeçarit, Abror Azimov, erdhi pasi ai pranoi se është pjesërisht fajtor, duke thënë se kishte ndjekur "komandat e njerëzve të tjerë, pa e kuptuar se ishte pjesë e përgatitjes së një sulmi terrorist". Gjykata urdhëroi që ai të qëndrojë në paraburgim deri më 3 qershor. Azimov, shtetas rus me origjinë nga Azia Qendrore, u arrestua më 17 prill. Arrestimi i tij u bë disa ditë pasi autoritetet ruse, arrestuan edhe 8 persona të tjerë nga Azia Qendrore në Shën Petersburg dhe Moskë, nën dyshimin se kanë qenë të përfshirë në sulm. Akbarjon Jalilov, 22-vjeçar i lindiru në Kirgizi por me pjeardhje Uzbeke, është identifikuar nga autoritetet ruse si sulmuesi vetëvrasës. Ai kishte shtetësi ruse.    

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Çdo i katërti i punësuar merr pagë nën minimalen

Posted: 18 Apr 2017 07:44 AM PDT

Analiza e Institutit për Hulumtime ekonomike "Finance Think" në Shkup, ka nxjerrë në pah se çdo i katërti i punësuar në Maqedoni merr pagë nën mesatare. Sipas analizës 76 për qind e të punësuarve në vend paguhen më pak se 20 mijë denarë (330 euro). Në bazë të entit shtetëror të statistikave, rroga mesatare në Maqedoni është 22.750 denarë. Njohësit e çështjeve ekonomike, duke komentuar rezultatet e hulumtimit në fjalë, thonë se standardi i ulët jetësor bën që qytetarët në Maqedoni, më lehtë të bëhen pre e manipulimeve të ndryshme politike. Iljo Trajkoski për Radion Evropa e Lirë thotë se një situatë kur mbi 76 për qind e të punësuarve marrin pagë nën mesataren, e cila edhe ashtu është shumë më e ulët, krahasuar me vendet e tjera të Bashkimit Evropian, 'është e kuptueshme se kemi të bëjmë me një kategori shumë të ndjeshme, e cila, lehtësisht mund të instrumentalizohet në funksiontë partive politike në pushtet'. "Në vendet me demokraci të zhvilluar, forcë të zhvillimeve paraqet ajo shtresa e cila është e njohur si shtresa e mesme. Por në Maqedoni shtresa e mesme është zhdukur. Dhe përderisa kemi një shtresë e cila është në kufijtë e varfërisë, atëherë kjo kategori shumë lehtë mund të manipulohet. Madje personat të cilët kanë aq standard të ulët jetësorë janë bërë të varur nga pushteti sepse ata kanë frikë se nëse ndryshon, ata mund të humbasin dhe ato pak mjete materiale që sigurojnë si pagë", thotë Iljo Trajkoski nga Fakulteti i Skonomisë në Shkup. Ndërkaq Fatmir Bytyqi, drejtor i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, për Radion Evropa e Lirë thotë se politikat ekonomike të qeverisjes gjatë dekadës së fundit, në vazhdimësi kanë dëmtuar standardin jetësorë duke prodhuar varfëri edhe në mesin e të punësuarve. "Duke e mbajtur nivelin e pagës minimale prej rreth 10 mijë denarë dhe pagën mesatare rreth 22 mijë denarë kemi të bëjmë me një nivel shumë të ulët që nuk mundëson një standard për jetë dinjitoze. Nëse analizojmë të dhënat se shporta konsumatore për një familje katër anëtarëshe arrin rreth 30 mijë denarë, ndërkohë që Qeveria promovon pagën minimale prej 10 mijë denarëve, i bie shumë qartë se politikat ekonomike krijojnë varshmëri të të punësuarve nga politikbërësit", thotë Bytyqi. Ndryshe Analiza e Institutit për Hulumtime ekonomike "Finance Think" ka nxjerrë në pah se rrogë më të ulët se mesatarja marrin të gjithë të punësuarit në veprimtaritë shërbyese, të punësuarit në sektorin e hotelerisë, bujqësi, të punësuarit në sektorin e tregtisë, industrisë së përpunimit dhe veçanërisht rreth 70% e të punësuarve në ndërtimtari. Përderisa në bazë të hulumtimit në fjalë me mbi 20 mijë denarë paguhen të punësuarit në sektorin financiar dhe atë të energjetikës si edhe të punësuarit në administratën publike . (REL)

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Bildt në Shkup: Respektoni Kushtetutën, ju shpie në BE

Posted: 18 Apr 2017 06:26 AM PDT

'Demokraci. Kushtetutë. Evropë. Respektimi i këtyre tri çështjeve do ta çojnë përpara Maqedoninë'. Kështu ka deklaruar në Shkup', Carl Bildt, bashkëkryesues i Institutit të Këshillit Evropian për politikë të jashtme dhe ish shef i diplomacisë suedeze. Pas takimit me liderin opozitar social-demokrat, Zoran Zaev, Bildt tha se në çdo shtet demokratik ka kushtetutë e cila duhet të respektohet, duke aluduar kështu në krizën politike që po mbahet peng nga presidenti Gjorge Ivanov dhe partia VMRO DPMNE, të cilët po pengojnë formimin e qeverisë së re edhe pse LSDM-ja dhe partitë shqiptare kanë tanimë shumicën parlamentare.  "Ju kishit zgjedhje, keni Kushtetutën si çdo shtet evropian. Ndonjëherë mund të ketë probleme, por duhet të respektoni Kushtetutën dhe praktikat demokratike. Kjo është mënyra e vetme se si zgjidhen problemet në demokracinë Evropiane", ka deklaruar Bildt. Nga ana tjetër, kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev, siç thuhet në një njoftim me shkrim të kësaj partie ka përsëritur qëndrimin për zhbllokimin e shpejt të proceseve në përputhje me kushtetutën dhe zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit. "Së shpejti do të zgjidhet kryetari i ri i Kuvendit e më pas edhe qeveria e re reformuese. Ky është vendim i shumicës parlamentare i shprehur në zgjedhje dhe të gjitha institucionet janë të obliguara të marrin masa për transferimin e pushtetit", ka thënë Zaev. Bashkëkryesuesi i Institutit të Këshillit Evropian për politikë të jashtme ka gjatë ditës takon edhe liderëve e partive tjera politike BDI, të lëvizjes BESA, Aleancës për Shqiptarët, por jo edhe me presidentin Gjorge Ivanov. Pas takimit kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti njëjtë sikur edhe lideri i LSDM-së është angazhuar për zhbllokimin e institucioneve duke thënë se kjo mund të bëhet edhe pa pëlqimin e VMRO-së. Paraprakisht nga kabineti presidencial thanë se Ivanov ka refuzuar të takohet me Carl Bildt për shkak të obligimeve tw tjera të presidentit. Por, Bildt përgënjeshtroi të ketë kërkuar takim edhe me kreun e shtetit. "Nuk mund të thoni se ai ka refuzuar të takohet me mua, pore them sinqerisht ne nuk jemi të interesuar aspak ta takojmë atë. Kemi shumë takime të tjera primare me forcat politike dhe nuk jemi këtu për ta takuar Presidentin. Derisa nuk e kam takuar atë dhe nuk e kam dëgjuar nuk mund ta komentoj pozicionin e tij. Së pari do t'i dëgjojmë forcat politike", ka deklaruar Bildt. Njoftimi i presidencës se Ivanov nuk do të takojë zyrtarin nga Brukseli është transmetuar gjerësisht në opinion duke rikujtuar edhe vendimin e mëhershëm të tij për të mos takuar komisionarin për zgjerim të BE-së, Johannes Hahn gjatë vizitës së fundit në Shkup. Presidenti po udhëheqë një politikë kritikuese ndaj bashkësisë ndërkombëtare për shkak të kërkesave për respektimin e shumicës së re parlamentare, por edhe akuzave ndaj tij për bllokimin e procesit të zgjedhjes së qeverisë së re. Bashkëkryesuesi i Institutit të Këshillit Evropian për politikë të jashtme, Carl Bildt, para mediave tha se ndodhet në Shkup në një mision inspektimit të krizës politike, për të grumbulluar informacione të cilat më pas do t'i dorëzohen liderëve evropian në bazë të të cilave Brukseli do të sjell vendim lidhur me gjendjen në Maqedoni.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Opozita turke kërkon zyrtarisht anulimin e referendumit

Posted: 18 Apr 2017 06:14 AM PDT

Partia kryesore opozitare e Turqisë apeloi zyrtarisht për anulimin e referendumit që do të rrisë pushtetin e presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan. Nënkryetari i Partisë Popullore Republikane, Bulet Tezcan, tha se ka paraqitur kërkesën në Bordin e Lartë Zgjedhor. Ai tha se rezultati i referendumit për ndryshime kushtetuese është "i paligjshëm" për shkak të parregullsive në votim. Parregullsitë, mes tjerash, thuhet se kanë të bëjnë me vendimin e trupit zgjedhor, në moment të fundit, për t'i cilësuar si të vlefshme më shumë se një milion vota pa vulë zyrtare. Ndryshimet e propozuara, që do t'i japin presidentit më shumë kompetenca dhe do t'i mundësojnë Erdoganit të mbetet në pushtet deri më 2029, kanë kaluar në referendumin e së dielës më 51.4 përqind të votave, kanë thënë zyrtarët zgjedhorë. Kritikët e Erdoganit thonë se reformat do t'i japin pushtet të gjerë një njeriu me prirje gjithnjë e më autokratike. Kryeministri turk, Binali Yildirim, tha sot se "vullneti i popullit është pasqyruar në kutitë e votimit" dhe se "debati ka marrë fund". Bashkimi Evropian, në anën tjetër, i bëri thirrje Turqisë që të hetojë në mënyrë transparente parregullsitë e raportuara. Lexoni edhe këtë: Trump uroi Erdoganin për fitoren në referendum

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Vazhdojnë kërkimet për mbetje mortore të shqiptarëve në Rashkë

Posted: 18 Apr 2017 06:12 AM PDT

Kryetari i Komisionit për personat e pagjetur në qeverinë e Kosovës, Prenk Gjetaj, i tha Radios Evropa e Lirë se ' kërkimet për mbetjet mortore të shqiptarëve" kanë vazhduar në rajonin Kizhevac të Rashkës së Serbisë. "Gërmimet po vazhdojnë për të pestën herë me radhë, pasi deri tani katër herë janë ndërprerë. Presim që kjo të jetë faza përfundimtare kurse të gjitha informacionet e tjera varen nga rezultati. Ekipet tona janë atje vetëm si vëzhguese, ndërsa gërmimet janë duke u bërë", tha Gjetaj. Ai prêt që të gjenden mbetje mortore të shqiptarëve, sepse, siç tha, 'në bazë të informacioneve me të cilat posedojnë 'ata janë varrosur aty'. "Gërmimet do të zgjasin me javë, varësisht nga intensiteti i punëve, Nuk është kjo një punë një ditore", tha Gjetaj. Në vendngjarje janë përfaqësuesit e Komisionit për personat e zhdukur të qeverisë së Serbisë, anëtarët e Komisionit të qeverisë së Kosovës, përfaqësuesit e misionit të BE-së për sundimin e ligjit, EULEX, dhe ata të Kryqit të Kuq ndërkombëtar. Gërmimet në Rashkë të Serbisë nisën prej disa vjetësh por ato u ndërprenë kohë pas kohe. Autoritetet serbe patën pohuar se në Rashkë mund të 'gjenden trupat e pajetë të afro 250 shqiptarëve'. Sipas shënimeve zyrtare edhe rreth 1600 persona konsiderohen të zhdukur që prej përfundimit të luftës në Kosovë.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Rrëzohet helikopteri i policisë turke me 12 veta në bord

Posted: 18 Apr 2017 05:55 AM PDT

Një helikopter i policisë turke me 12 persona në bord është rrëzuar në lindje të Turqisë, konfirmuan autortetet lokale. Helikopteri u zhduk dhjetë minuta pas nisjes nga qyteti Pulumur në provincën Tunçeli, tha Zyra e guvernatorit rajonal. Në deklaratë thuhet se helikopteri bartte shtatë zyrtarë policorë, një gjykatës, një ushtar dhe tre pjesëtarë të ekuipazhit. Kushtet e këqija të motit besohet të kenë shkaktuar incidentin, thuhet në deklaratë. Ekipet e shpëtimit kanë dalë në vendin e ngjarjes, por mjegulla e dendur e ka vështirësuar operacionin, thanë mediat lokale.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Zhvillimi i sektorit energjetik do të sjellë miliarda euro në Kosovë

Posted: 18 Apr 2017 05:50 AM PDT

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie, tha të martën në Prishtinë se gjendja me energjinë elektrike në Kosovë mbetet ende e brishtë për shkak të dy termocentraleve të vjetruara. Por ai tha se investimet e realizuara në këtë sektor kanë sjell përmirësime për jetën e qytetarëve dhe shprehu mbështetjen e vazhdueshme të qeverisë amerikane për Kosovën në fushën e energjisë. Ambasadori Delawie i bëri komentet në një forum të nivelit të lartë për energji, që mblodhi aktorë vendorë e ndërkombëtarë në diskutimet për një strategji të energjisë dhe liberalizimit të tregut. Ambasadori Delawi tha se viti 2017 'duhet të jetë një vit kthese për sektorin e energjisë', që Kosova të vazhdojë të punojë për përmbushjen e standardeve të Bashkimit Evropian, dhe përfundimisht sektori energjetik të jetë më bashkëkohor, më i sigurt dhe më konkurrues. "Krejt kjo ka të bëj me zhvillimin ekonomik të Kosovës, por po ashtu edhe me përmirësimin e kualitetit të jetës së njerëzve në Kosovë. Krejt kjo e ndihmon Kosovën në arritjen e synimeve euro-atlantike", tha Delawie. "Miratimi i ligjeve të reja për energji elektrike si dhe strategjia për energji elektrike janë të arritura kaq të rëndësishme për krijimin e themeleve për të gjitha zhvillimet në sektorin energjetik", tha ambasadori amerikan në Prishtinë. Që prej përfundimit të luftës në Kosovë, vendi është përballur me mungesën e energjisë elektrike për shkak të, siç është vlerësuar, 'termocentraleve të vjetruara dhe problemeve me rrjetin energjetik'. Zyrtarisht thuhet se prej vitit 2003 deri më 2016, në termocentrale janë investuar mbi 400 milionë euro, por vlera e donacioneve të huaja nuk është bërë e njohur. Qeveria e Kosovës dhe partnerët ndërkombëtarë në Kosovë thanë se sektori energjetik mbetet prioritet dhe një "Strategji e Energjisë për vitin 2017 -2026", synon që ta stabilizojë furnizimin me energji elektrike në vend, me kosto të përballueshme, me rritje të pjesëmarrjes së burimeve të ripërtëritshme, si dhe integrim në tregun regjional.  Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa tha se miratimi i strategjisë ka qenë hap i domosdoshëm, pasi energjia paraqitet një ndër prioritetet kryesore për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe social të Kosovës. "Dhe ky është treguesi më i mirë që ne mund të arrijmë rezultate të cilat i synojmë, që Kosova është një vend dhe shtet stabil, një shtet ku mund të zhvillohen investime të volitshme, një shtet miqësore për investime. Dhe një shtet që mund të sigurojë të gjithë investitorët që të vijnë dhe të tregojnë vetëm këtu", tha kryeministri Mustafa. Në anën tjetër, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, ka thënë se reforma e sektorit të energjisë, që mundëson transformimin e tij dhe vënien e bazës së qëndrueshme për zhvillimin ekonomik, është e vizionuar në pesë objektiva, që sjellin investime prej 3 miliardë eurosh. Ndërkaq, si lajm pozitiv për këtë sektor ministri Stavileci, e vlerësoi miratimin e pakos se tretë të ligjeve për energji vitin e kaluar në Kuvendin e Kosovës. Sipas tij, këto ligje, janë në përputhje të plotë me direktivat e Bashkimit Evropian dhe i hapin rrugë liberalizimit të tregut. "I hapin rrugën që të liberalizohet tregu, të liberalizohen çmimet dhe krijon mundësi që ne të kemi një treg konkurrues të energjisë elektrike gjë që është synim jo vetëm i Kosovës por i gjitha shteteve të rajonit". Ndryshe, përkrahje autoriteteve vendore, sa i përket investimeve në sektorin energjetik, konkretisht në ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese, siç është projekti i Termocentralit "Kosova e Re", i ka dhënë Banka Botërore dhe përfaqësues të zyrës se Bashkimit Evropian në Kosovë. Autoritetet në Kosovë kanë nisur prej vitesh një projekt për ndërtimin e një termocentrali të ri me një kapacitet prej afro 500 megavatësh. Ndërtimi i termocentralit 'Kosova e Re' pritet të nisë vitin e ardhshëm, dhe ka pasur paralajmërime se ai do ta nxjerrë nga përdorimi Termocentralin 'Kosova A', i cili është ndërtuar në vitet e 60-ta të shekullit të kaluar. (REL) 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Franca parandalon një "sulm të dhunshëm" në prag të zgjedhjeve

Posted: 18 Apr 2017 05:15 AM PDT

Franca tha se ka arrestuar dy persona për planifikim të një "sulmi të dhunshëm" në prag të zgjedhjeve presidenciale. Ministri i Brendshëm i Francës, Matthias Fekl, tha se "dy personat e radikalizuar, të lindur në vitin 1987 dhe 1993, kanë shtetësi franceze" dhe se janë arrestuar sot në qytetin Marsej. Fekl tha se siguria rreth zgedhjeve dhe kanidatëve është përforcuar. Rrethi i parë i votimeve do të mbahet më 23 prill. Kandidatja e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen, dhe kanidati i qendrës, Emmanuel Macron, kryesojnë sondazhet.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

BE kërkon të hetohen “parregullsitë” në referendumin turk

Posted: 18 Apr 2017 05:04 AM PDT

Komisioni Evropian i bëri thirrje Turqisë që të hetojë parregullsitë e dyshuara në referendumin e së dielës. Në referendum, 51.4 % e votuesve turq kanë miratuar ndryshimet kushtetuese, që do të rrisin pushtetin e presidentit Recep Tayyip Erdogan. Parregullsitë, mes tjerash, thuhet se kanë të bëjnë me vendimin e trupit zgjedhor, në moment të fundit, për t'i cilësuar si të vlefshme më shumë se një milion vota pa vulë zyrtare. "U bëjmë thirrje autoriteteve që të nisin një hetim transparent të këtyre parregullsive", tha për gazetarët në Bruksel Margaratis Schinas, zëdhënës i Komisionit Evropian, që është krahu ekzekutiv i BE-së. Parregullsistë janë identifikuar nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë dhe Këshilli i Evropës. "Dijeni vendin tuaj", u është përgjigjur Erdogan vëzhguesve. Mijëra njerëz dolën në rrugët e Stambollit dhe të qyteteve të tjera të Turqisë, të hënën në mbrëmje, për të protestuar kundër rezultatit të referendumit. Në anën tjetër, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e ka uruar Erdoganin për fitoren në referendum. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

SHBA dhe Japonia - bashkë kundër Koresë së Veriut

Posted: 18 Apr 2017 04:20 AM PDT

Nënpresidenti amerikan, Mike Pence, e siguroi Japoninë se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të punojnë me aleatët aziatikë për të çarmatosur Korenë e Veriut nga arsenali bërthamor. "E vlerësojmë kohën sfiduese në të cilën jeton populli japonez - me rritjen e provokimeve matanë Detit të Japonisë", i tha Pence kryeministrit të Japonisë, Shinzo Abe, gjatë qëndrimit në Tokio. "Ne jemi me ju 100%", tha Pence. Abe, në anën tjetër, tha se është e rëndësishme "të bëhen përpjekje diplomatike" dhe të merren "vendime paqësore" për çështjen. "Në situatën aktuale në rajon, problemi i Koresë së Veriut është bërë edhe më i rëndë. Mendoj se vizita juaj në Japoni është jashtëzakonisht në kohë të duhur", i tha Abe nënpresidentit Pence. Phenjani ka shpeshtuar testet bërthamore dhe raketore në vitet e fundit, pavarësisht dënimeve nga komuniteti ndërkombëtar dhe sanksioneve të OKB-së. Më 17 prill, Pence ka thënë se "epoka e durimit strategjik" ndaj Koresë së Veriut "ka marrë fund". Lexoni edhe këtë: SHBA-Kore e Veriut: Në prag të luftës?!

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Kosova do të blejë helikopterë

Posted: 18 Apr 2017 04:07 AM PDT

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka ndërmarrë një iniciativë për blerjen e helikopterëve, të cilët, siç ka thënë ai, do të shërbejnë për të rritur nivelin e sigurisë dhe për të shpëtuar jetën e qytetarëve të Republikës së Kosovës. Në identifikimin e nevojave të qeverisë dhe krijimin e kushteve për blerjen e helikopterëve ka punuar një ekip ndërministror, i cili është emëruar nga Mustafa. Në takimin e mbajtur sot, ku ishin të pranishëm zëvendëskryeministri i parë Hajredin Kuçi, ministrat: Haki Demolli, Imet Rrahmani, Skender Hyseni, komandanti i FSK-së, gjeneral-lejtnant, Rrahman Rama, si dhe drejtori i Policisë, Shpend Maxhuni, ekipi ndërministror ka prezantuar para kryeministrit Isa Mustafa vlerësimet adekuate rreth kësaj çështje. "Pas diskutimeve gjithëpërfshirëse u vendos që të adresohen çështjet procedurale dhe të vendosen kontaktet me kompanitë prestigjioze për blerjen e helikopterëve. Kryeministri Isa Mustafa theksoi se pajisja e institucioneve shtetërore me helikopterë dhe ngritja e kapaciteteve ajrore, që nuk kanë ekzistuar deri më tani, është domosdoshmëri për t'u përballur me situata të emergjencave civile apo situata tjera brenda vendit", thuhet në komunikatën e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Pence i bën thirrje aleatëve ta “izolojnë” Korenë e Veriut

Posted: 18 Apr 2017 04:00 AM PDT

Nënpresidenti amerikan, Mike Pence ka bërë thirrje për presion të koordinuar diplomatik dhe ekonomik ndaj Koresë së Veriut. Këto komente ai i bëri në Japoni, vetëm dy ditë pasi Veriu dështoi në lansimin e një rakete. Pas takimit me kryeministrin japonez, Shinzo Abe, Pence tha se ai e ka siguruar Japoninë për përkushtimin e SHBA-së për të denuklearizuar Gadishullin Korean. (Video: Reuters)

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

May kërkon zgjedhje të parakohshme më 8 qershor

Posted: 18 Apr 2017 03:26 AM PDT

Kryeministrja e Britanisë, Theresa May, shpalli planin për të thirrur zgjedhjet e parakohshme më 8 qershor. Ajo tha se Britania ka nevojë për "udhëheqje të sigurt, të qëndrueshme dhe të fortë" pas referendumit për dalje nga Bashkimi Evropian. Parlamenti do të votojë propozimin të mërkurën. Kryeministres May i duhet mbështetja e ligjvënësve për të mbajtur zgjedhjet para vitit 2020. "Kam konstatuar se e vetmja mënyrë për të garantuar siguri për vitet e ardhshme është mbajtja e zgjedhjeve", tha May. Ajo akuzoi partitë politike se bëjnë "lojë" dhe tha se kjo kërcënon aftësinë e vendit për dalje të suksesshme nga BE-ja.  

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Kuvendi miraton Projektligjin për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale

Posted: 18 Apr 2017 03:18 AM PDT

Në Kuvendin e Republikës së Kosovës u miratua Projektligji për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale. Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, tha se miratimi i këtij projektligji është i një rëndësie të veçantë sepse mënjanon ndërhyrjen politike në ekzekutimin e sanksioneve penale. "Përmes këtij projektligji dëshmojmë se vërtet jemi për reforma, sundim të ligjit dhe për sistem mbi vlerat dhe parimet ndërkombëtare", theksoi ministrja Hoxha. Me theks të veçantë, ministrja vuri në dukje ndryshimin e nenit 94 të ligjit, sipas të cilit, Ministri si i emëruar politik kishte mundësi të pezullojë ekzekutimin e dënimit. Ky nen po ashtu ishte vlerësuar si mundësi për ndërhyrje politike në drejtësi. Miratimi i këtij ligji është kërkuar edhe nga përfaqësuesit ndërkombëtarë në Kosovë. Ambasadori amerikan në Prishtinë, Greg Delawie, përmes një postimi në Twitter, tha se Kuvendi ka marrë hap konkret për të luftuar korrupsionin.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Konfirmohen kërcënimet ndaj presidentit, kryeministrit dhe liderëve opozitarë në Kosovë

Posted: 18 Apr 2017 03:06 AM PDT

Presidenti, kryeministri dhe liderët opozitarë në Kosovë kanë qenë të kërcënuar nga individë dhe organizata të dyshuara për veprimtari kriminale, të cilat tashmë janë nën hetime, është thënë sot pas takimit të Komisionit parlamentar për siguri dhe mbikëqyrje të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI) me drejtorin e kësaj Agjencie, Driton Gashi. Ky takim, u tha se është thirrur për të dëgjuar informacione nga drejtori i AKI-së rreth disa kërcënimeve që kishin drejtuar individë dhe organizata të dyshuara kriminale, për festën e Pashkëve, çka kishte ndikuar në shtimin e masave të sigurisë në gjithë Kosovën.  Kryetari i Komisionit parlamentar për siguri dhe mbikëqyrje të AKI-së, deputeti Haxhi Shala tha se kërcënimet ishin serioze. "Të gjitha ato organizata janë tashmë nën hetime nga Prokuroria. Nuk kemi hyrë ne hollësi, për të mos i dëmtuar hetimet", ka thënë Shala. Institucionet e sigurisë, sipas tij, të gjitha kërcënimet i marrin seriozisht dhe u janë përgjigjur me kohë. "Sipas raportimeve të drejtorit të AKI-së, ka qenë një situatë serioze, por për fat nuk ka ndodhur asgjë", ka thënë Shala. Po ashtu, ai ka konfirmuar edhe njëherë se informacionet e organeve të sigurisë dëshmojnë se cak i sulmeve ishin menduar të jenë edhe figurat politike, nisur nga presidenti, kryeministri si dhe disa liderë të opozitës dhe figura politike nga koha e komunizmit.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Le Pen zotohet se do të pezullojë migrimin

Posted: 18 Apr 2017 02:21 AM PDT

Kandidatja e ekstremit të djathtë për presidente të Francës, Marine Le Pen, tha se do të pezullojë gjithë migrimin e ligjshëm në Francë. Le Pen tha në një tubim se dëshiron të ndalojë "një situatë të çmendur dhe të pakontrolluar". Më pas, shtoi ajo, Franca do të vendosë "rregulla shumë më drastikë" për migrimin, "më të arsyeshëm, më njerëzorë dhe më të menaxhueshëm". Sondazhet e opinionit e nxjerrin Le Penin në garë të ngushtë me kandidatin e qendrës, Emmanuel Macron. Rrethi i parë i zgjedhjeve presidenciale në Francë mbahet të dielën.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Një i plagosur në incidentin në veri të Mitrovicës

Posted: 18 Apr 2017 01:41 AM PDT

Në veri të Mitrovicës kanë ndodhur mbrëmë dy incidente, në të cilat është plagosur një person, ndërsa është dëmtuar një automjet, konfirmoi për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë shefi i operativës së Policisë së Kosovës, Zhelko Bojiq. Ne Lagjen e Boshnjakëve, personi me inicialet S.B. ka raportuar sulmin nga pesë veta të maskuar dhe më pas i është nënshtruar ndihmës mjekësore. Bojiq tha se pala e dëmtuar e ka njohur njërin nga pjesëmarrësit në rrahje dhe se policia është duke punuar në gjetjen e personit të identifikuar dhe marrjen e masave të mëtejshme ligjore. Në rastin e dytë janë arrestuar gjashtë veta, të moshës midis 18 dhe 21 vjeç. Sipas prokurorit të ngarkuar, rasti është karakterizuar si krim i dëmtimit të pronës së luajtshme.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Referendumi në Turqi, neootomanizëm apo rritje e autokratëve në Ballkan?

Posted: 18 Apr 2017 01:18 AM PDT

Referendumi në Turqi mund të nxisë rritjen e demokracive jo liberale dhe shtimin e liderëve autokratë në rajonin e Ballkanit Perëndimor përfshirë Kosovën, posaçërisht përmes shtrirjes së ndikimit jo vetëm politik por edhe atij ekonomik të Turqisë në rajon, thonë njohës të politikave ndërkombëtare. Sipas tyre vazhdimi i përplasjeve të politikës aktuale turke me Evropën do të mund të shtojë edhe frymën 'anti-evropiane' në vendet e Ballkanit Perëndimor, ku ndikimi turk është ende i madh. Një referendum, i zhvilluar të dielën në Turqi, me të cilin shtohen përgjegjësitë dhe pushteti i presidentit të Turqisë, e nxori fitues me mbi 51 për qind të votave presidentin aktual Recep Tayyip Erdogan, që nxiti prej kohësh këtë hap. Me rezultatet e referendumit, thotë për Radion Evropa e Lirë ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, Enver Hasani, 'Turqia po i jep fund periudhës së një shteti properëndimor të Ataturkut' dhe kjo, thotë ai, do të ketë efekte në Ballkan 'në pjesën që njihej dikur si pjesa evropiane e ish Perandorisë osmane ku ndikimi kulturor ka vazhduar edhe pas largimit të saj'. "Mendoj se tani vazhdimi i politikës agresive ndaj Evropës, nga ana e presidentit aktual, do të çojë sinjale inkurajuese tek rrymimet islamike që ekzistojnë në Ballkan, tek të gjitha shoqëritë dhe shtetet e Ballkanit, ku ka një shumicë të konsiderueshme myslimane dhe ky do të jetë efekti i parë. Për pasojë mund të rris tendencat anti-evropiane në këtë pjesë të Evropës", tha Hasani. Kjo në mënyrë të pashmangshme, thotë Hasani, do të përfshijë Kosovën meqë 'Turqia përgjithësisht ka pasur ndikim këtu për shkak të politikave të jashtme'. "Me ardhjen në pushtet të partisë së Erdoganit, ne kemi parë se në mënyrë graduale ka pasur edhe reflektime në Kosovë në kuptimin se është parë si një fytyrë tjetër, si një imazh i islamit politik, një version i tij, që mund të kultivohet në Kosovë dhe përgjithësisht në Ballkan", tha Hasani. Ndikimi i islamit turk në rajon dhe posaçërisht në Kosovë është theksuar kohë më parë nga David Phillips, nga Universiteti Columbia në New York, i cili pati deklaruar se 'Turqia, përmes Agjencisë turke për zhvillim ndërkombëtar (TIKA), si dhe përmes ambasadës së saj në Kosovë, ka krijuar pozicion të fortë dhe të dukshëm, por agjenda e saj', siç ka thënë ai, "nuk është që t'i ndihmojë kosovarët, por që ta promovojë islamin turk në Kosovë". Shtrirja e ndikimit turk në Kosovë, ka nisur prej para shpalljes së pavarësisë së saj në vitin 2008, me hapjen e një numri shkollash fillore dhe të mesme dhe posaçërisht përmes rindërtimit të një numri xhamish, por ajo u shtua në vitet e para të pavarësimit të vendit, të cilën Turqia e njohu në mesin e shteteve të para. Vetëm në një hark kohor prej 10 vitesh, ndërmjet viteve 2004 dhe 2014, Turqia thuhet se ka investuar në Kosovë mbi 360 milionë euro, ndërkohë që zyrtarisht thuhet se janë afro 700 kompani turke që veprojnë në Kosovë. Tri fushat kryesore ku Turqia arriti të shtrijë ndikimin e saj në Kosovë, janë infrastruktura rrugore - përmes ndërtimit të autostradave; ajo ajrore – me marrjen me koncesion të aeroportit ndërkombëtar të Prishtinës dhe në fushën e energjisë – përmes investimeve në sistemin e distribuimit. Profesori i të drejtës ndërkombëtare në Universitetin e Prishtinës, Vigan Qorolli, i tha Radios Evropa e Lirë se referendumi në Turqi 'mund të rris autoritarizmin në vendet e Ballkanit Perëndimor'. "Kjo do të shkaktojë një valë të re të rritjes së demokracive jo-liberale dhe liderëve autoritarë në Evropë dhe pjesën tjetër të botës aty ku Turqia ka një lloj ndikimi dhe e manifeston patjetër këtë lloj ndikimi. Kjo vecanërisht mund të vërehet në Ballkanin Perëndimor në shtetet ku rritja e influencës turke bëhet kryesisht nëpërmjet ekonomisë", tha Qorolli. Sipas tij shtetet e Ballkanit Perëndimor 'janë të varura ekonomikisht nga Turqia" që, siç thotë, 'do të ngjallë reaksion zingjiror tek liderët që i besojnë Erdoganit" dhe sipas tij, edhe politikave neootomane'. "Kohët e fundit Turqia është bërë një magnet për njerëzit politikë të Ballkanit. Vendet e Ballkanit Perëndimor sigurisht në aspektin politik do të jenë të varura edhe më tutje nga ekonomia turke sepse shtetet e perëndimit po hezitojnë të investojnë në shtetet e Ballkanit perëndimor dhe në Kosovë", tha Qorolli. Sidoqoftë, referendumi turk sado që mund të ndryshojë gjithë zhvillimet në vetë Turqinë do të ndikojë, thonë njohësit e zhvillimeve politike, mbi ndryshimet në qasjen dhe zhvillimet në rajonin e Ballkanit që synimet megjithatë i ka të orientuara drejt integrimeve evropiane.(REL)

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more