Skip to main content

“Ligjvënësit rusë dhe Mbreti saudit nuk pajtohen për të ardhmen e Assadit” plus 15 more Radio Evropa e Lirë

“Ligjvënësit rusë dhe Mbreti saudit nuk pajtohen për të ardhmen e Assadit” plus 15 more Radio Evropa e Lirë


Ligjvënësit rusë dhe Mbreti saudit nuk pajtohen për të ardhmen e Assadit

Posted: 16 Apr 2017 09:36 AM PDT

Një delegacion rus i dhomës së lartë të parlamentit, të Këshilit Federal, janë takuar në Rijad me Mbretin e Arabisë Saudite, Salman bin Abdulaziz Al-Saud, me të cilin kanë biseduar për luftën në Siri. Zëvendëskrytari i Këshillit Federal, Ilyas Umakhanov, i ka thënë agjencisë Interfax se në takim është diskutuar për të ardhmen e presidentit sirian Bashar al-Assad. Ai ka thënë se delegacioni rus, që udhëhiqej nga kryetarja e Këshillit Federal, Valentina Matviyenko, ka pasur "mendime të ndryshme" me Mbretin saudit, në çështjen se a duhet të qëndrojë në pushtet ende Assadi. Por ai shtoi se të dyja palët kanë rikonfirmuar gatishmërinë e tyre"për të vazhduar konsultimet, me qëllim që të kërkojnë zgjidhjen e situatës aktuale dhe që qëndrimet e tyre të përafrohen". Arabia Saudite dhe fuqitë perëndimore kanë thënë se Assadi nuk duhet të lejohet të qëndrojë në pushtet, kur të arrihet një marrëveshje e paqes, ndërkaq Rusia është njëri prej mbështetësve kryesor të qeverisë së Assadit.  

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

SHBA: Arrihet konsensus me Kinën për të ndaluar testet raketore të Koresë së Veriut

Posted: 16 Apr 2017 08:24 AM PDT

Këshilltari për siguri kombëtare i presidentit amerikan, H.R. McMaster thotë se tash ka "konsensus ndërkombëtar"- përfshirë Kinën dhe udhëheqësinë kineze- për ndalimin e testeve raktetore të Koresë së Veriut. McMaster i bëri këto komente në Kabul, pasi ushtria amerikane njoftoi se Koreja e Veriut ka dështuar në lansimin e një rakete më herët gjatë ditës së sotme. Komanda e Paqësorit e SHBA-së ka thënë se ka detektuar dështimin e lansimit të një rakete, disa orë përpara se Nënpresidenti amerikan, Mike Pence të arrinte në Seul të Koresë së Jugut. Komanda amerikane ka thënë se raketa "ka shpërthyer pothuajse"menjëherë pasi është lansuar. McMaster tha se testet e raketave nga Koreja e Veriut, i përkasin një sjellje të provokimit, destabilizimit dhe kërcënimit- dhe presidenti amerikan, Donald Trump, nuk do të lejojë që Koreja e Veriut ta kërcënojë SHBA-në apo aleatët rajonalë. Ai tha se konsensusi, që përfshinë edhe Kinën, është "mënyra se si do të zgjidhet ky problem. Është koha që ne të ndërmarrim të gjitha veprimet, që të tentojmë ta zgjidhim këtë çështje në mënyrë paqësore". McMaster e ka quajtur Korenë e Veriut "regjim armiqësor" dhe ka thënë se lideri verikorean, Kim Jong un është "i paparashikueshëm" dhe ka "demonstruar brutalitetin e tij". Ai ka shtuar se Uashingtoni është duke punuar me aleatët në rajon dhe udhëheqësinë e Kinës, për të gjetur përgjigjen e duhur për këtë çështje dhe ka thënë se të gjitha opsionet janë në tavolinë.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Fotografitë e javës

Posted: 16 Apr 2017 07:59 AM PDT

Më poshtë mund të shikoni disa prej fotografive më interesante të përzgjedhura nga Radio Evropa e Lirë për këtë javë.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Kuvendi, i ‘pafuqishëm’ për demarkacionin

Posted: 16 Apr 2017 06:27 AM PDT

Qeveria e Kosovës ka lënë të kuptohet se nuk e përjashton mundësinë e procedimit të projektligjit për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, brenda disa ditësh, megjithëse zyrtarë të saj thanë se ende nuk është vendosur për këtë çështje. Qëndrimet pasojnë deklarimet e zyrtarëve të lartë ndërkombëtarë, që gjatë javës vizituan Kosovën, se 'Kosova duhet ta ratifikojë marrëveshjen e demarkacionit për të realizuar synimin e saj për liberalizim të vizave' dhe rrugën evropiane. Projektligji megjithatë, sërish u kundërshtua nga opozita në Kosovë, e cila thotë se nuk ka ndryshuar qëndrimin e saj, pavarësisht qëndrimeve ndërkombëtare dhe sugjerimeve për t'i dhënë fund kundërthënies së demarkacionit. Projektligji u tërhoq nga Kuvendi në verën e vitit të kaluar, pas një periudhe të kundërshtimeve edhe të dhunshme të opozitës, e cila e cilësoi marrëveshjen e arritur me Malin e Zi, në vitin 2015, siç tha, të dëmshme për Kosovën. Çështja e demarkacionit, që u ndërlidh me procesin e liberalizimit të vizave nga Komisioni Evropian vitin e kaluar, u ngrit sërish në vizitat në Kosovë të minsitrit të Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel, dhe edhe senatorit amerikan, John McCain. Të dy zyrtarët e lartë ndërkombëtarë i kërkuan institucioneve të vendit që ta përfundojnë procesin e demarkacionit të kufirit me shtetin që, siç thanë, 'është miqësor me Kosovën'. Senataori McCain në fjalën e tij në Kuvend, duke shprehur besimin e tij në "vazhdimin e rrugës evropiane të Kosovës', iu tha deputetëve se "ka ardhur koha që të vazhdojë ky përparim". "E ndaj pikëpamjen e presidentit Thaçi se miratimi i marrëveshjes së demarkacionit të kufirit me Malin e Zi do të sjellë liberalizimin e vizave dhe kjo dëshmon një hap të fuqishëm drejt të ardhmes evropiane të Kosovës", tha McCain. Marrëveshja për demarkimin e kufirit të Kosovës me Malin e Zi, u nënshkrua në Vjenë në vitin 2015, në praninë e ministrit të Jashtëm të Austrisë, dhe ajo u miratua nga Kuvendi i Malit të Zi pak ditë pas nënëshkrimit. Mali i Zi ndërkaq ka marrë dritën jeshile edhe të presidentit amerikan, Donald Trump, sikundër edhe të pothuaj të gjitha vendeve evropiane për anëtarësimin në NATO, dhe demarkacioni me Kosovën i ka shërbyer për të hapur një kapitull të rëndësishëm për të ardhmen e vendit, që u gjet nën trysninë ruse në vitet e fundit. Por megjithatë, Kuvendi i Kosovës mund ta ketë vështirë kalimin e një projektligji të Qeverisë për demarkacionin. Kryeministri Isa Mustafa i tha Radios Evropa e Lirë se kurdo që koalicioni i shumicës të merret vesh, projektligji do t'i procedohet Kuvendit, i cili, siç tha, duhet të marrë përgjegjësinë për qytetarin. "Mendoj që është përgjegjësi shumë e madhe, sepse natyrisht që një Kuvend i cili nuk e konsideron çështjen e nxjerrjes së qytetarëve të vet nga izolimi dhe i mbanë në izolim për kauza politike ose për interesa personale, ai Kuvend mandej shtrohet pyetja se a ka të drejtë morale edhe më tutje të ekzistojë apo ta rivlerësojë vetveten", tha Mustafa. Por, pavarësisht krejt qëndrimeve të deritashme, përfshirë edhe rezultatet e një Komisioni shtetëror për matjen e territorit të vendit, që thonë se Kosova nuk ka humbur pjesë të territorit të saj, opozita mbetet në qëndrimin që ka pasur deri më sot. Marrëveshja, sipas saj, lë jashtë mbi 8 mijë hektarë të tokës së Kosovës dhe ajo kërkon rishqyrtimin e saj. Muharrem Nitaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës thotë se qëndrimi i partisë së tij për çështjen e demarkacionit, nuk ka ndryshuar. "Qëndrimi i Aleancës nuk është i përkohëshëm. Është konsistent. Sepse ne besojmë se qëndrimi i Aleancës në raport me demarkacionin ka qenë i saktë, është i saktë dhe prandaj nuk kemi asnjë arsye që të lëvizim qoftë edhe për një milimetër nga ky qëndrim", tha Nitaj. Sidoqoftë, demarkacioni mund të ndryshojë gjithë skenën politike në vend, varësisht nga sjelljet e deputetëve brenda Kuvendit, marrë parasysh se një numër i tyre edhe nga radhët e koalicionit qeverisës, kanë shprehur kundërshtimet ndaj tij. (REL)

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Papa denoncon “regjimet shtypëse” por bën thirrje për vetëpërmbajtje

Posted: 16 Apr 2017 06:18 AM PDT

Papa Françesku ka denoncuar "regjimet shtypëse", në mesazhin e tij për Pashkët, por ka bërë thirrje për vetëpërmbajtje. Ai u bëri thirrje edhe udhëheqësve botërore që të parandalojnë përhapjen e konflikteve, teksa tensionet janë rritur në Korenë Veriore dhe Siri. Papa Françesku ka mbajtur meshën e festës së Pashkëve, teksa janë shtuar masat e sigurisë në Sheshin e Shën Pjetrit, pas sulmeve të fundit në Londër dhe Stokholm. "Në situatën komplekse dhe shpesh dramtatike të ngjarjeve që ndodhin sot në botë, Zoti do t'i udhëheq të gjithë ata që punojnë për drejtësi dhe paqe. Shpresojmë që ai do t'ju jap liderëve të botës kurajon që atyre ju duhet për të parandaluar përhapjen e konfiktit", ka thënë ai. Duke folur në festën më të rëndësishme të kalendarit të krishterë, Papa Françesku gjithashtu bëri thirrje për paqe në Sudanin Jugor, Somali, Kongo dhe Ukrainë.  

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Ivanov kërcënon Zaevin! LSDM: Presidenti flet me gojën e Gruevskit

Posted: 16 Apr 2017 05:40 AM PDT

Lidhja social-demokrate vlerëson se presidenti maqedonas Gjorge Ivanov vazhdon me lojërat e rrezikshme të orkestruar nga VMRO-ja e Nikolla Gruevskit, që mund të thellojnë edhe më shumë krizën në vend. Deklarata e presidentit se lideri opozitar, Zoran Zaev ka hyrë në lojëra të rrezikshme dhe se mund të përfundojë në burg lidhur me bisedat e përgjuara telefonike të zyrtarëve, sipas LSDM-së, dëshmon qartë se kreu i shtetit vazhdon të jetë në shërbim të Nikolla Gruevskit. "Presidenti Ivanov edhe njëherë dëshmoi se është vetëm se shërbëtor i Gruevskit dhe familjes së tij. Edhe njëherë ai nuk foli me gojën e tij por më gojën e Gruevskit dhe Mijallkovit. Ai nuk ka forcë as të kërcënojë e as të dëmtojë dikë. Kjo tregon se qëllimi i tij vazhdon të jetë destruktiv dhe në shërbim të VRMO DPMNE-së", ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë, deputeti i LSDM-së, Muhamed Zeqiri, duke shtuar se prononcimet e tilla të Ivanovit dhe kritikat e tij në adresë të bashkësisë ndërkombëtare, nuk janë gjë tjetër vetëm se përpjekje e tij dhe e Gruevskit për t'i ikur përgjegjësisë nga shkeljet që kanë bërë. "Ata vazhdojnë me avazin e vjetër dhe të gjithë u kanë faj. Ata vazhdojnë të kërkojnë fajtorë kujdestar. Në këtë rast, sipas tyre, ata janë faktori ndërkombëtar dhe subjektet politike shqiptare. Ata nuk kanë rrugëdalje dhe e dinë se nuk mund t'i ikin drejtësisë. Për të gjithë këto obstruksione dhe shkelje të Kushtetutës sigurisht se edhe Ivanovi së bashku me Gruevskin një ditë do të japin llogari", thotë Zeqiri. Presidenti Ivanov, në intervistën për gazetën austriake Wienner Zeitung, gjithashtu ka shprehur kritika ndaj bashkësisë ndërkombëtare, e cila sipas tij, "përmes një telefonate ka prishur në momentin e fundit koalicionin VMRO-BDI", e në anën tjetër nuk ka dënuar siç thotë "platformën shqiptare". "BE-ja dhe SHBA-të u kyçën për të ndihmuar në gjetjen e zgjidhjes për dalje nga kriza, mirëpo ata nuk i dënuan shkaktarët e kësaj krize e që janë Edi Rama me politikanët shqiptarë. Sot, jemi në krizë institucionale e nxitur nga Platforma e Tiranës", ka deklaruar Ivanov. Por, nga Bashkimi Demokratik për Integrim kanë mohuar që koalicioni të ketë qenë gati me VMRO-në, ndërsa akuzojnë Ivanovin për nxitje të krizës ndëretnike. "Koalicioni me VMRO-në nuk u bë sepse ashtu vendosi Ali Ahmeti dhe sepse ashtu deshën shqiptarët. Tek kryetari Ahmeti dhe BDI-ja nuk ka patur asnjë ndërhyrje, as vendore, as të huaj e as fqinjësore, por ngadhënjeu përcaktimi jonë për barazi, reforma, sundim të së drejtës dhe integrim në NATO dhe BE që ishin të papërputhshme me VMRO-në. Befasohemi që akoma ka njerëz në Maqedoni që i besojnë Ivanovit dhe insinuatave të tij përrallore. Ivanov përveç se po nxit krizë ndëretnike të paqenë dhe bllokadë institucionale, tash ka filluar edhe të shpifës infantil duke u bërë për keqardhje", thuhet në reagimin e Bashkimit Demokrati për Integrim. Duke komentuar qëndrimet e fundit të presidentit Ivanov, njohësit e çështjeve politike, thonë se kreu i shtetit është tani më se e qartë se punon për agjendën e VMRO-së së Gruevskit, e cila edhe e ka zgjedhur për president. "Ai favorizon bashkëpartiakët e tij dhe këtë që ai e bën nuk e ngjanë një shteti demokratik. Ai bën ndarje në shoqëri, ndanë qytetarët, vendoset mbi institucionet duke prejudikuar ngjarje të caktuara, para se gjithash para liderëve politik. Të gjithë qytetarët janë të barabartë para ligjit, por nuk është presidenti ai që duhet të jap verdiktin pasi ka institucion të cilave u takon të marren me çfarë do qoftë shkelje ligjore", thotë Jove Kekenovski, njohës i çështjeve politike dhe ish anëtar i VMRO DPMNE-së. Sipas tij, deklarata e presidentit nxjerr në sipërfaqe edhe dyfytyrësinë e VMRO-së e cila në njërën anë kundërshton koalicionin e LSDM-së me partitë shqiptare gjoja për shkak të platformës shqiptare e në anën tjetër nxjerr një të vërtetë tjera se pikërisht VMRO-ja ka pranuar këtë deklaratë. "Kjo tregon një gënjeshtër të madhe të VMRO-së pasi e ashtuquajtura platforma e Tiranës të cilët ata e quajnë ashtu, në fakt VMRO-ja edhe e ka pranuar dhe sikur të mos ishte telefonata e fundit siç thotë Ivanovi, ajo edhe do të realizohej", thotë Kekenovski. Ndryshe, edhe katër muaj nga zgjedhjet e 11 dhjetorit, Maqedonia është pa qeveri të re pikërisht për shkak të kundërshtimit të presidentit Gjorge Ivanov që të mandatojë për kryeministër liderin social-demokrat, Zoran Zaev të cilin e akuzon për siç thotë, rrënimin e shtetit unitar me dakordimin për koalicion me partitë shqiptare të cilat janë bashkuar rreth deklaratës që parasheh avancimin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni. (REL)  

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

McMaster takohet me presidentin afgan

Posted: 16 Apr 2017 05:19 AM PDT

H.R. McMaster, këshilltari për siguri kombëtare i presidnetit amerikan, Donald Trump, ka arritur në Kabul për bisedime, vetëm disa ditë pasi ushtria amerikane hodhi bombën më të madhe jobërthamore mbi caqet e militantëve të Shtetit Islamik në lindje të Afganistanit, duke vrarë pothuajse 100 militantë. McMaster ka njoftuar në Twitter se gjendet në kryeqytetin afgan për "bisedime të rëndësishme mbi bashkëpunimin", mes dy shteteve. Ndërkaq, pallati presidencial i Afganistanit, ka thënë po ashtu në Twitter, se presidenti afgan, Ashraf Ghani dhe McMaster, "kanë biseduar për raportet dypalëshe, sigurinë, kundërterrorizmin, reformat dhe zhvillimin", gjatë takimit të sotëm. Më 13 prill, ushtria amerikane ka sulmuar me bombën e tipit GBU-43/B, mbi pozicionet e IS-it në provincën Nangarhar. Zyrtarët afganë kanë thënë se nga sulmi me bombën jobërthamore më të madhe, që është përdorur ndonjëherë, janë vrarë 94 militantë. Ata kanë thënë se nuk ka viktima në mesin e civilëve.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Forcat irakiane nisin një ofensivë të re në Mosul

Posted: 16 Apr 2017 04:34 AM PDT

Forcat irakiane kanë nisur një sulm të ri ndaj militantëve të Shtetit Islamik në Qytetin e Vjetër të Mosulit, kanë thënë zyrtarët ushtarakë. Mosuli, qyteti i dytë më i madh i Irakut, ra nën kontrollin e IS-it më 2014, por forcat qeveritare në ofensivën e nisur 6 muaj më parë, kanë arritur të marrin shumicën e kontrollit të qytetit. Përparimi i forcave qeveritare është bërë më i vështirë, pasi në Qytetin e Vjetër të Mosulit, ku gjenden militantët e IS-it, për shkak të rrugëve të ngushta dhe gjarpërore, nuk mund të hyjnë tanket dhe makineria tjetër e rëndë ushtarake. Në deklaratën e forcave irakiane thuhet se trupat e tyre kanë arritur të depërtojnë 200 metra në Qytetin e Vjetër, dhe i janë afruar xhamisë al-Nuri. Kjo xhami ka rëndësi të madhe simbolike, pasi prej aty lideri i IS-it, Abu Bakr al-Baghdadi shpalli kalifatin islamik. "Sulmuesit vetëvrasës me motoçikleta tashmë janë arma e preferuar e Daesh-it brenda Qytetit të Vjetër", ka thënë një kapiten i policisë irakiane, i cili i është referuar IS-it me akronomin arab. Vlerësohet se rreth 400 mijë persona janë ende në Qytetin e Vjetër të Mosulit, ndërkaq, 300 mijë të tjerë janë larguar që prej se ofensiva në Mosul filloi në tetor. Trupat irakiane e kanë shpallur të çliruar pjesën lindore të Mosulit dhe tash janë duke zhvilluar beteja të ashpëra për të marrë nën kontroll edhe pjesën perëndimore të qytetit.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Pence arrin në Korenë e Jugut

Posted: 16 Apr 2017 03:59 AM PDT

Nënpresidenti amerikan Mike Pence ka arritur në Korenë e Jugut, që shënon nisjen e turneut të tij dhjetëditor në rajonin e Azi-Paqësorit, pas rritjes së tensioneve në Korenë e Veriut për shkak të programit të armëve bërthamore. Pence ka arritur në Seul sot, pas njoftimit nga Koreja e Jugut dhe Shtetet e Bashkuara se Veriu ka dështuar të lansojë një raketë. Ky dështim i Koresë së Veriut vjen pasi avionmbajtësit amerikanë janë nisur drejt Gadishullit Korean. Megjithatë, zyrtarët ushtarakë kanë thënë se SHBA nuk ka për qëllim që të përdorë forcë ushtarake ndaj Koresë së Veriut, në përgjigje të testeve bërthamore dhe lansimit të raketave nga Pheniani. Pence, që shoqërohej nga gruaja e tij Karen, vendosën kurora me lule në Varrezat Kombëtare në Seul, gjatë një ceremonie. Ai pritet që të marrë pjesë në shërbimet kishtare së bashku me trupat amerikane dhe jugkoreane, për nderë të festës së Pashkëve. Presidenti amerikan, Donald Trump, kur u pyet nga gazetarët gjatë kësaj jave për Korenë e Veriut tha : "Koreja e Veriut është problem. Problemi do të zgjidhet". Ai në vazhdimësi ka deklaruar se nëse Kina - që është partneri tregtar kryesor i Veriut- nuk ka vullnet të bëjë më shumë për çëshjen e Veriut, SHBA do ta marrë përsipër zgjidhjen e kësaj çështjeje.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Pashkët në Kosovë: Festë e paqes dhe pajtimit

Posted: 16 Apr 2017 03:30 AM PDT

Në Kosovë besimtarët e krishterë po kremtojnë festën e Pashkëve. Në meshën mbajtur sot Katedralën "Nënë Treza" në Prishtinë u tha se mesazhi i Pashkëve në thelbin e vet bart porosinë për paqe, dashuri, pajtim, jetë të drejtë, të ndershme dhe të mirë.           Kurse në meshën solemnetë mbajtur mbrëmë, Imzot Dodë Gjergji ka porositur se paqja e vërtetë është ajo që e ka burimin në drejtësinë e Zotit, ndërsa ka kërkuar që çdonjëri të promovojë tolerancën ndërfetare dhe dashurinë ndërnjerëzore.  "Paqja e vërtetë është ajo, që e ka burimin në drejtësinë e Zotit, ajo që është e mundur dhe vërtet është e mundur. Në vendin tonë kanë kaluar shumë vite, që kur paqja është rënduar nga ata që e ndalen luftën, por kjo nuk do të thotë që me ne mbretëron paqja, pasi që ajo akoma nuk ka depërtuar në mendjen dhe në zemrën e secilit dhe kemi shumë pasoja të dhimbshme", ka thënë Imzot Dodë Gjergji. Urime për festën e Pashkëve kanë dërguar edhe liderët e institucioneve të Kosovës. Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ka thënë se "kjo festë dhe këto ditë të shpresës, dashurisë dhe mirëkuptimit, uroj t'ju gjejnë mes njerëzve tuaj të dashur, familjeve tuaja, me gëzime dhe shumë të mira për juve", thuhet në urimin e Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi Telegram urimi për besimtarët e krishterë për Festën e Pashkëve, ka dërguar edhe kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa.  Ai ka shprehur urimet më të përzemërta për të gjithë besimtarët katolikë, ortodoksë dhe besimtarët e tjerë të krishterë të cilët kremtojnë këtë festë të rëndësishme. "Festa e Pashkëve përçon te besimtarët anekënd mesazhe të fuqishme të shpresës, të optimizmit dhe të dashurisë, duke përforcuar besimin, virtytet dhe vlerat më të larta njerëzore", thuhet në urimin e kryeministrit Isa Mustafa.  Edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, nërrjetin social Facebook ka "uruar përzemërsisht të gjithë të krishterët që festa e Pashkëve të sjellë sa më shumë paqe, lumturi e begati në familjet tuaja", ka shkruar Veseli. Telegram urimi për komunitetin katolik të Kosovës, për festën e Pashkëve, ka arritur nga Bashkësia Islame e Kosovës.  Në telegramin e urimit të kryetarit të kësaj Bashkësie, Naim Tërnava, thuhet, " i nderuar Ipeshkëv, zotëri Dodë Gjergji, me rastin e festës së Pashkëve kam nderin dhe kënaqësinë që në emrin tim personal dhe në emër të bashkëpunëtorëve të mi si dhe në emër të besimtarëve të besimit Islam t'u përcjell juve personalisht, bashkëpunëtorëve tuaj si dhe të gjithë besimtarëve të besimit katolik urimet e mia më të sinqerta duke u dëshiruar gjithë të mirat e begatitë e Zotit". "Uroj që mesazhet dhe porositë që dalin nga festa e Pashkëve të jenë si gjithherë në funksion të fisnikërimit të popullit tonë dhe gjithë popujve në botë", thuhet në telegram urimin e Bashkësisë Islame të Kosovës. Festa e Pashkët shënon ditën kur të krishterët besojnë se është ringjallur Jezu Krishti. Kjo është festa më e rëndësishme e të krishterëve. (REL)

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Besimtarët e krishterë festojnë Pashkët

Posted: 16 Apr 2017 02:13 AM PDT

Miliona besimtarë të krishterë në mbarë botën sot festojnë Pashkët. Festa e Pashkëve – dita për të cilët të krishterët besojnë se Jezu Krishti është ringjallë- sivjet po festohet në të njëjtën ditë nga të krishterët katolikë dhe ortodoksë. Besimtarët e krishterë në Kosovë sot po ashtu festojnë Pashkët. Në një meshë solemne të mbajtur në Katedralen "Nënë Tereza" në Prishtinë në vigjilje të Pashkëve, është bërë thirrje paqe, tolerancë ndërfetare dhe dashuri ndërnjerëzore.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Mbi 100 të vrarë nga shpërthimi në Siri

Posted: 16 Apr 2017 01:50 AM PDT

Numri i të vrarëve nga sulmi me makinë-bombë ndaj autobusëve që bartnin sirianët që po evakuoheshin, ka arritur në të paktën 112, ka thënë grupi monitorues. Vëzhguesi sirian për të drejtat e njeriut ka thënë se 98 sirianë që po evakuoheshin nga dy qytete janë vrarë nga shpërthimi i makinës, që goditi autobusët me të cilët ata po udhëtonin në perëndim të Alepos. Pjesa tjetër e viktimave janë punëtorët e ndihmës dhe rebelët që po ruanin autobusët, ka thënë ky grup, duke shtuar se pritet që numri i viktimave të rritet. Më 15 prill, media shtetërore siriane ka raportuar se nga shpërthimi janë vrarë të paktën 39 njerëz. Organizata për mbrojtjen e civilëve sirianë, e njohur gjerësisht me emrin "Helmetat e Bardha", ka thënë se vullnetarët e tyre kanë evidentuar se 100 persona, përfshirë, gra, fëmijë dhe luftëtarë rebelë janë vrarë nga shpërthimi. Autobusët po bartnin mijëra shiitë, të cilët mbështesin qeverinë e presidentit Bashar al-Assad. Popullsia e Sirisë është kryesisht sunite. Megjithatë, Assad dhe shumica e mbështetësve të tij i përkasin minoritetit fetar alavit, që shpesh konsiderohet si degë e islamit shiit.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Mijëra protestues kërkojnë që Trump të deklarojë taksat

Posted: 16 Apr 2017 01:18 AM PDT

Mijëra persona në mbarë Shtetet e Bashkuara kanë marshuar në protestën në "Ditën e Taksave", me qëllim që t'i bëjnë presion, presidentit Donadl Trump të publikojë taksat e tij federale. Më 15 prill janë mbajtur protesta në dhjetëra qytete në SHBA, që përkon me afatin vjetor kur amerikanët duhet të paraqesin deklaratat e tyre tatimore në qeverinë federale. Shumica e protestave ishin paqësore, edhe pse ka pasur disa raste ku në disa protesta ka pasur grupe pro-Trumpit, të cilët janë përballur me protestuesit që kërkojnë që presidenti të publikojë taksat e tij. Në Berkeley, Kaliforni, të paktën 21 persona janë arrestuar pas përleshjeve në mes të mbështetësve të Trumpit dhe kundërshtarëve të tij. Trump ishte kandidati i parë presidencial, që për më shumë se 40 vjet, ka refuzuar që të publikojë të ardhurat e tij gjatë fushatës zgjedhore. Asnjë kandidat presidencial nuk obligohet që të publikojë taksat e tij, por kritikët thonë se kjo gjë ka lënë të kuptohet se Trump është duke fshehur diçka. Protestat e fundit, janë të një serie të protestave të organizuara nga demokratët, grupet e punës, organizatat e grave dhe grupe të tjera që kritikojnë Trumpin dhe politikat e tij.      

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

BIK: Sulmi në xhaminë e Llabjanit dëmton përpjekjet për mirëbesim ndërfetar dhe ndëretnik

Posted: 16 Apr 2017 12:58 AM PDT

Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) ka reaguar për sulmin në xhaminë e fshatit Llabjan të komunës se Novobërdës. Në një reagim për media të kësaj Bashkësie, thuhet se "sulmi, përdhosja dhe demolomi i objekteve e simboleve fetare, përveç që është akt i papranueshëm, është veprim që dëmton seriozisht përpjekjet e komuniteteve fetare për krijimin e mirëbesimit ndërfetar e ndëretnik" . Të shtunën pasdite, thuhet në reagim, se kjo xhami është demoluar nga një pjesëtar i komunitetit serb, i cili përveç dëmtimit të xhamisë ka bërë edhe përdhosjen e sallës së lutjeve si dhe "ka dëmtuar e përdhosur lehvat me ajete nga Kurani famëlartë që kanë qenë të vendosura në muret e xhamisë". "Sulmet e tilla dhe përdhosja e objekteve fetare nxisin e ringjallin urrejtje, mos durim e dhunë, frikën dhe klimën e mosbesimit tek popullata e Kosovës, andaj duhet angazhim i të gjithëve që këso veprime të mos na përsëriten", thuhet ndër të tjera në reagimin e BIK-ut. Për sulmin ndaj xhamisë në Llabjan kanë reguar edhe përfaqësues të Listës Serbe. Përfaqësuesi i kësaj Liste, Slavko Simiq sulmin ndaj xhamisë e ka quajtur akt të turpshëm, kurse ka ftuar qytetarët që të ruajnë paqen.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Koreja e Veriut ka dështuar në lansimin e një rakete

Posted: 16 Apr 2017 12:53 AM PDT

Ushtria e Koresë së Jugut ka thënë se Koreja e Veriut ka dështuar në përpjekjen e saj për të testuar lansimin një raketë më herët gjatë 16 prillit. "Koreja e Veriut ka tentuar të testojë një tip të paidentifikuar të raketës nga zona Sinpo mëngjesin e sotëm, por ne besojmë se lasimi i raketës ka dështuar", ka thënë Ministria e Mbrojtjes. Shefat e përbashkët të stafit të Koresë së Jugut gjithashtu kanë thënë se Veriu ka tentuar të lansojë një "raketë të paidentifikuar", por testi ka dështuar. Ushtria amerikane, që ka stacionuar trupat në Korenë e Jugut, gjithashtu ka thënë se ka detektuar dështimin e lansimit të një rakete. Kjo provë vjen një ditë pasi Veriu shfaqi raketat balistike dhe pajisje të tjera ushtarake në një paradë masive dhe u zotua se është e gatshme të kryejë sulme bërthamore, kundër armiqëve. Pas rritjes së tensioneve dhe shqetësimeve se Veriu mund të jetë duke u përgatitur për të kryer ndonjë test bërthamor, Shtetet e Bashkuara kanë vendosur, atë që presdienti Donald Trump e quan "një armatë" të anijeve, përfshirë avionmbajtës, në ujërat në Gadishullin Korean.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Erdogani drejt fitores në referendum

Posted: 16 Apr 2017 12:07 AM PDT

Janë mbyllur vendvotimet në Turqi, në referendumin që do të vendosë nëse vendi do të ndryshojë Kushtetutën e saj, dhe të kalojë në sistemin presidencial- një lëvizje kjo që do t'i mundësonte presidentit turk, Recep Tayyip Edogan, pushtet më të madh dhe do ta lejonte atë që të qëndronte në pushtet edhe më shumë se 10 vjet të tjera. E ardhmja e marrëdhënieve tashmë të tensionuara në mes të Bashkimit Evropian dhe Turqisë është në rrezik dhe analistët parashikojnë se një fitore për Erdoganin mund të çojë në një ndërprerje të marrëdhënieve mes Ankarasë dhe Brukselit. Pas mbylljes së vendvotimeve, me 90 për qind të votave të numëruara, zyrtarët zgjedhorë në Turqi, thonë se 52.5 për qind e trupit zgjedhor kanë mbështetur zgjerimin e fuqive presidenciale të Erdoganit. Zyrtarët turq kanë njoftuar se në referendumin për ndryshimet kushtetuese kanë marrë pjesë 86 për qind e trupit zgjedhor. Votuesit në Turqi kanë votuar për 18 amendamente kushtetuese. Vota me "po" ose "jo" për këto ndryshime kushtetuese mund që të dobësojë Parlamentin e Turqisë, të eleminojë postin e kryeministrit, dhe t'i jap presidentit më shumë kontroll mbi gjyqësorin. Për të kaluar këto ndryshime kushtetuese duhet vetëm një shumicë e thjeshtë. Vetëm disa orë pasi u hapën vendvotimet, agjencia shtetërore e lajmeve në Turqi, ka raportuar se dy persona janë vrarë, pas një përleshje mes dy familjeve jashtë një qendre të votimit në provincën Diyarbakir. Agjencia e lajmeve Dogan ka raportuar se përleshja ka ndodhur për shkak të "dallimeve politike", duke shtuar se një person është dërguar në spital, ndërkaq dy të tjerë janë arrestuar lidhur me këtë rast. Duke votuar për referendumin në Stamboll, Recep Tayyip Erdogan tha se vota "po" është "mundësi për ndryshim dhe transformim". "Ne duhet të marrim një vendim që është përtej të zakonshmes", u tha ai gazetarëve, duke shtuar se shpreson që vendi do të marr vendimin e "pritur". Ndërkaq, kryeministri Binali Yildirim, ka votuar në provincën Izmir. Ai ka thënë se "pavarësisht rezultatit, ne do ta respektojmë atë". Sondazhet e publikuara, vetëm disa ditë para referendumit, kanë sugjeruar se shumica e turqve do të votojnë në favor të amendamenteve – që mund të çojë në ndryshimet më të mëdha të sistemit qeverisës në Turqi, që prej themelimit të republikës moderne më 1923. Rreth 55 milionë njerëz kanë të drejtë vote në këtë referendum për ndryshime kushtetuese. Ata mund të votojnë në 167 mijë qendra të votimit në mbarë vendin.  Erdogan, në ditën e fundit të fushatës për referendum, ka thënë në një tubim në Stamboll se vota "Po" do të "përfundonte punën e nisur më 15 korrik", një referencë kjo për grushtshtetin e dështuar të vitit të kaluar. Udhëheqësia e partisë opozita Partia e Lëvizjes Kombëtare, gjithashtu ka bërë thirrje për votën "Po", pasi kanë arritur një marrëveshje, me partinë e Erdoganit, AKP. Ndërkaq, partia e dytë turke, Partia Popullore Republikane, ka bërë fushatë kundër ndryshimeve kushtetuese, të cilat, nëse miratohen, do të hyjnë në fuqi më 2019. Ligjvënësja e kësaj partia, Silina Dogan ka thënë se natyra autoritare e amendamenteve do t'i jepte fund shpresave të Turqisë që të anëtarësohet në Bashkimin Evropian. Grupi opozitar pro-kurd, Partia Popullore Demokratike, gjithashtu ka kundërshtuar amendamentet, duke thënë se ato janë jodemokratike dhe do të shkelnin parimet e pavarësisë së gjyqësorit. Kritikët në Turqi kanë shkuar edhe më larg, duke thënë se sistemi i ri qeverisës do të ishte një llojë "diktature të zgjedhur", pa asnjë ndarje të pushtetit, duke bërë që Parlamenti të mos ketë asnjë pushtet legjislativ dhe do të bënte që presidenti të mos mund të mbahet përgjegjës për shkeljet eventuale. Kritikët në perëndim gjithashtu kanë thënë se amendamentet do t'i japin shumë fuqi presidentit. Organizata Human Rights Watch ka thënë se propozimet e referendumit, paraqesin një kërcënim të madh për të drejtat e njeriut, sundimin e ligjit dhe të ardhmen demokratike të Turqisë, sepse nëse ato kalojnë, mund të "vendosin në duart e Erdoganit pushtet të pakontrolluar". Këshilli i Evropës ka thënë se është thellësisht i shqetësuar nëse amendamentet nuk do të garantojnë ndarjen e pushteteve në Turqi, kontrollet e duhura dhe balancën ndërmjet degëve të ndryshme të qeverisë, apo pavarësisë së gjyqësorit- duke shtuar se të gjitha janë "parakushte për një shoqëri demokratike". Komisioneri evropian për të Drejtat e Njeriut, Nils Muiznieks ka lëshuar një raport më 12 prill, ku shpreh "shqetësim të madh" se ndryshimet kushtetuese mund të zvogëlojnë autonominë, edhe ashtu të dobët, të gjyqësorit në Turqi. Muiznieks ka thënë se amendamentet e propozuara gjithashtu nuk adresojnë "mangësitë seriose", që janë në Kushtetutën e Turqisë për të drejtat e njeriut dhe lirinë e shprehjes. Më herët gjatë këtij muaji, kancelarja gjermane Angela Merkel, gjatë vizitës në Ankara, ka thënë se amendamentet e propozuara përbëjnë "një transformim të thellë politik". Ajo gjithashtu ka bërë thirrje se "duhet të bëhet gjithçka që të sigurohet ndarja e pushtetit dhe pluralizmi i opinionit të jetë i garantuar në Turqi". Fushata për referendumin ka qenë e përshkruar me polemika. Grupi monitorues i zgjedhjeve i OSBE-së, më 7 prill ka thënë se fushata por edhe votimi do të zhvillohen, teksa shteti është në gjendje të jashtëzakonshme, pas grushtshtetit të dështuar të korrikut të vitit të kaluar. Monitoruesit e OSBE-së kanë gjetur se të liritë themelore janë kufizuar pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, ku mijëra qytetarë janë burgosur ose janë përjashtuar nga puna – përfshirë shërbyes civilë, gjykatës, gazetarë dhe anëtarë të partive opozitare. Kundërshtarët e referendumit pretendojnë se janë përballur me shtypje nga shteti, përderisa mbështetësit e fushatës "Po", kanë pasur qasje që të përdorin mediat shtetërore, objektet dhe fonde, për të organizuar fushatën e tyre. Përpjekjet e Erdoganit dhe të aleatëve të tij për të mbajtur tubime për turqit që jetojnë në vendet e BE-së, janë penguar. Gjermania, Holanda, Danimarka dhe Zvicra, kanë anuluar disa tubime të zyrtarëve turq, që quan në rritjen e tensioneve diplomatike në mes të këtyre shteteve dhe Ankarasë zyrtare. Më 13 prill, Erdogan e përshkruajti Evropën si "kontinent të kalbur", që më "nuk është qendra e demokracisë, të drejtave të njeriut, e lirive por e represionit, dhunës dhe nazizmit". Marc Pierini, ish-ambasador i BE-së në Ankara, i cili tash është analist në Varnegie Europe, thitë se akuzat për nazizëm të Erdoganit kanë zemëruar liderët e BE-së, deri në atë masë sa ai mund të ketë "djegur urat e tij" me Brukselin, "kur flitet për raportet personale". Perini i tha Radios Evropa e Lirë, se nëse amendamentet kushtetuese miratohen, ndërprerja e marrëdhënieve mes Ankarasë dhe Brukselit, duket e pashmangshme. "Do të kemi një sistem që nuk ka ekuivalent në botën perëndimore", thotë ai. "Pushteti do të jetë i koncentruar në një njeri", thotë ai, duke shtuar se ky do të jetë një sistem "hiper-presidencial, pa shumë kontroll dhe balancë. Ky do të jetë një sistem, ku një njeri sundon, që në mënyrë të qartë është në kundërshtim me normat e BE-së". Ekspertët e tjerë evropianë kanë thënë se skenaret më optimiste, sa i përket raporteve midis Turqisë dhe Brukselit, do të ishin nëse votuesit refuzojnë këto ndryshime kushtetuese ose do të ketë një fitore e ngushtë e votës "Po", e cila mund të çojë në zbutjen e qëndrimit luftarak të Erdoganit karshi BE-së.(REL)

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more