Skip to main content

Tirana Observer: “OSBE: Bojkoti dëmton vendin dhe PD-në” plus 9 more

Tirana Observer: “OSBE: Bojkoti dëmton vendin dhe PD-në” plus 9 more


OSBE: Bojkoti dëmton vendin dhe PD-në

Posted: 27 Mar 2017 09:44 AM PDT

Kryetari i Prezencës, ambasadori Bernd Borchardt, gjatë një interviste për gazetën në anglisht "Albanian Daily News",  me rastin e 20-vjetorit të krijimit të Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ka deklaruar se kërcënimet për një bojkot të zgjedhjeve, ose një bojkot, vetëm sa do të dëmtonte vendin dhe ata që e fillojnë atë.

"Besoj fuqimisht që shqiptarët meritojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme, në kohë dhe me përfaqësimin e duhur të të gjitha partive. OSCE/ODIHR-i po përgatit një mision shumë të plotë për vëzhgimin e zgjedhjeve. Nëse partitë duan që zgjedhjet të bazohen te një ligj më i mirë zgjedhor – atëherë ato duhet të gjejnë konsensus për përmirësimet. I kemi nxitur prej më shumë se një viti që ta bëjnë këtë gjë. Kemi bërë shumë rekomandime për përmirësime. Mënyra për të ecur para duhet të jetë dialogu për përmirësimet e Kodit Zgjedhor dhe jo kërcënimet për një bojkot të zgjedhjeve; një bojkot vetëm sa do të dëmtonte vendin dhe ata që e fillojnë atë. Kërcënimet për të ndërprerë procesin e rregullt demokratik do të ishin shumë të papërgjegjshme; janë shumë të paktë ata shqiptarë që mund të duan që vendi të shkojë 20 vite pas. Thirrjet për dhunë janë një territor ku nuk duhet shkelur absolutisht."  

 
Intervista e  plotë
 Intervistoi: Genc Mlloja

Albanian Daily News: Një mision afatshkurtër, që mbushi 20 vjeç. Shkëlqesi, si i shihni dy dekadat e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri? A ka qenë me vlerë ky mision, i cili nisi në vitin e trazuar 1997 dhe që është rinovuar për të ardhur deri në ditën e sotme? A mund të thuhet që "misioni u përmbush"?
Ambasadori Borchardt: Shqipëria ka pasur zhvillim mbresëlënës gjatë 20 viteve të fundit. Personalisht, erdha për herë të parë këtu në vitin 1996 dhe kujtoj shumë mirë se sa keq dukej Tirana dhe qytete të tjera. Ne krenohemi për kontributin e dhënë për zhvillimin pozitiv të Shqipërisë. Sidoqoftë, në Shqipëri ka ende probleme thelbësore dhe qeveria i ka kërkuar Prezencës të vazhdojë të mbështesë vendin në disa fusha, si: lufta kundër kanabisit, zbatimi i Strategjisë Kombëtare Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, vazhdimi i angazhimit të të rinjve, grave, dhe grupeve të margjinalizuara dhe kthimi i këtij angazhimi në përmasa rajonale, kur është e mundur, si dhe trajtimi i rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it në zgjedhjet e vitit 2017 dhe forcimi i medias publike. Në terma më të përgjithshëm: Prezenca ka vazhduar të zhvillohet paralelisht me vendin dhe puna jonë sot përqendrohet te sfidat dhe përparësitë e qytetarëve dhe institucioneve të sotme. Ndërsa në vitet e para u përqendruam te ndërtimi i institucioneve, aktualisht e vendosim shumë më shumë theksin te funksionimi dhe afrimi i tyre me qytetarët.

Albanian Daily News: A keni projekte të veçanta për të përkujtuar 20 vitet e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri?

Ambasadori Borchardt: Për pjesën e mbetur të vitit, ne po përgatisim dy projekte. I pari i ka sytë nga e ardhmja. Titullohet "Shtigjet rinore" dhe organizohet së bashku me Bashkinë e Tiranës dhe me organizatat rinore në Shqipëri. Në kuadër të tij, synojmë të sjellim në fund të verës në Tiranë të rinj nga i gjithë Ballkani Perëndimor për t'u takuar dhe diskutuar rreth praktikave më të mira në fushat ku vepron OSBE-ja, si për shembull, lufta kundër trafikut të qenieve njerëzore, korrupsioni dhe të tjera, por dhe për të bërë veprimtari në natyrë së bashku.

Projekti i dytë është planifikuar për fundin e vitit. Duam të organizojmë një konferencë shkencore për të diskutuar rolin e ndërkombëtarëve gjatë tranzicionit të Shqipërisë, ku do të reflektojmë, gjithashtu, për kontributin afatgjatë të Prezencës. Do të bëjmë një thirrje për studime shkencore dhe do të ftojmë dëshmitarë të shquar të kohës.

Po ashtu, do përpiqemi të bindim Kryetarin e Radhës së OSBE-së, ministrin e Jashtëm të Austrisë, Kurz, të vizitojë Tiranën këtë vit.

Albanian Daily News: Rastësi apo jo, ju u kthyet në Shqipëri pasi shërbyet si ambasador i Gjermanisë në Tiranë nga viti 2007 në vitin 2010. Si ju duket pozicioni aktual, ku nuk përfaqësoni më një shtet të vetëm, por një organizatë me shumë shtete, që nga emërimi juaj më 1 tetor 2016?

Ambasadori Borchardt: "Përshkrimet e punës" janë sigurisht shumë të ndryshme. Si ambasador i Gjermanisë më duhej, pikësëpari, të përkrahja interesat e vendit tim. Si Kryetar i Prezencës së OSBE-së duhet të përkrah vlerat e OSBE-së dhe të ndihmoj Shqipërinë të arrijë qëllimet e saj në fushat ku është e angazhuar OSBE-ja. Shqipëria është gjithashtu "aktor" i Prezencës, si shtet pjesëmarrës i OSBE-së. Kjo nënkupton bashkëpunim dhe bashkërendim të ngushtë me institucionet shqiptare. Ne jemi këtu pikësëpari për to dhe jo për OSBE-në.

Në të njëjtën kohë, patjetër që ka përputhje të mëdha të "përshkrimeve të punës": vijimësia e procesit të reformave në Shqipëri mbështetet fuqimisht nga veprimtaria e OSBE-së dhe mirëpritet nga shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së, përfshirë Gjermaninë. Dhe Gjermania e mbështet Prezencën tonë.

Një ndryshim tjetër i rëndësishëm për mua është mundësia për të punuar përsëri në një ekip ndërkombëtar të përbërë prej njerëzish prej kombësish dhe përvojash të ndryshme. Një gjë të tillë, e shijova dhe gjatë emërimit tim të parë në OSBE dhe përgjatë punës sime me EULEX-in.

Albanian Daily News: Disa e kanë parë rolin e OSBE-së si arbitër të skenës politike të Shqipërisë dhe të aktorëve të saj kryesorë, forcat politike të së majtës dhe të së djathtës, në armiqësi problematike, për të cilën nuk e mohon dot askush se ka ndalur ecurinë e reformave demokratike në këtë vend të Ballkanit. Sipas jush, cili ka qenë roli i vërtetë i Prezencës së OSBE-së dhe kontributi i saj për të shmangur përplasjet politike të ngjashme me ato kur OSBE-ja nisi misionin e saj në Shqipëri?
Ambasadori Borchardt: OSBE-ja e sheh veten sot si partnere e institucioneve shqiptare dhe e shoqërisë civile. Shqipëria është pjesë e OSBE-së – pra, Shqipëria është një prej aktorëve tanë dhe ka autorësi mbi Prezencën. Puna jonë bashkërendohet ngushtësisht me ministritë dhe institucionet partnere; dhe një pjesë thelbësore e punës ka të bëjë me shoqërinë civile shqiptare. Por ne shohim dhe një rol avokatie te vetja jonë: ne përpiqemi të bindim partnerët tanë shqiptarë për rekomandimet tona dhe për standardet ndërkombëtare që përfaqësojmë. Por, vendimet i merr Shqipëria si shtet sovran dhe institucionet e saj.

Albanian Daily News: Kontributi i Prezencës së OSBE-së nuk ka qenë i kufizuar vetëm në fushën e reformës zgjedhore apo në dhënien e këshillave rreth forcimit të demokracisë në një shtet që ka përjetuar një nga diktaturat më mizore të shteteve ish-komuniste të Evropës Lindore. Cilët janë disa nga projektet e tjera kryesore të ndërmarra nga kjo organizatë gjatë misionit të saj 20 vjeçar në Shqipëri?

Ambasadori Borchardt: Që nga mbërritja e Prezencës, ka pasur shumë arritje: është dhënë mbështetje për hartimin e ligjeve në shumë fusha, si për shembull Kushtetuta e vitit 1998, legjislacioni zgjedhor, strategjia kundër korrupsionit, ligji për Mbrojtjen nga Diskriminimi.

Gjithashtu, kemi mbështetur krijimin e Avokatit të Popullit, Shërbimit të Provës, platformës online njohligjin.al, vademekumit për avokatët dhe shkatërrimin e materialeve kimike ushtarake të rrezikshme. Së fundmi, trajtimi i të shkuarës është një projekt shumë interesant: Prezenca mbështet idenë e një dialogu kombëtar konstruktiv rreth ish-regjimit komunist në Shqipëri. Drejtësi pa vonesa: një program që mbështet gjykatat e rretheve në të gjithë vendin për të ulur në mënyrë të dukshme numrin e seancave joproduktive; dhe këto janë vetëm disa.

Albanian Daily News: Z. Ambasador, Shqipëria ka përparuar në fusha si transporti, energjia, dhe infrastruktura urbane dhe rurale. Por një gjë e tillë duhet baraspeshuar dhe me investime tek njerëzit, si rinia, gratë, pensionistët, dhe segmentet e cenueshme të shoqërisë. Po përmend disa fakte: ulja e varfërisë ka mbetur në vend që nga viti 2008, niveli i papunësisë tek të rinjtë ka pësuar ulje, por ende qëndron në shifrën 30% dhe më shumë se gjysma e grave në Shqipëri (të moshës 15-49 vjeç) kanë përjetuar të paktën një formë dhune në familje përgjatë jetës së tyre, investimet në arsim dhe shëndetësi janë të dyja në shifrën 3% të PBB-së, ndërsa mesatarja e OECD-së është më e lartë se 6% e PBB-së. A mendoni se duhet bërë më shumë për investimet në njerëz dhe tek infrastruktura sociale?  Cili është roli që mund të luajë Prezenca e OSBE-së për të përkrahur kushtet e jetesës së njerëzve?

Ambasadori Borchardt: OSBE-ja është pjesë e një mekanizmi bashkërendimi ndërmjet partnerëve të zhvillimit që veprojnë në Shqipëri, së bashku me donatorë të mëdhenj dy dhe shumëpalësh. Ne jemi të ndërgjegjshëm se ka ndihma financiare të mëdha që sillen në Shqipëri për të trajtuar çështjet që ju përmendët. Investimet në njerëz, rritja e aftësive dhe ofrimi i njohurive kanë qenë nga pikat ku është përqendruar OSBE-ja përgjatë viteve, në ato fusha që përmenden posaçërisht në mandatin tonë. Megjithatë, është e rëndësishme të nënvizojmë se OSBE-ja është organizatë rajonale sigurie dhe jo organizatë donatore. Ne investohemi me përpjekje për të zgjidhur çështjet e sigurisë në vend me anë të konceptit tonë tërësor të sigurisë. Respekti për të drejtat e njeriut dhe liritë themelore, demokracinë, dhe shtetin e së drejtës është pjesë e thelbit të konceptit tërësor të OSBE-së për sigurinë. Një gjë që gjithashtu e trajtojmë me seriozitet në konceptin tonë të sigurisë është që marrëdhëniet jo të mira ndërmjet qytetarëve dhe institucioneve dhe niveli i ulët i besimit i qytetarëve tek institucionet e tyre përbëjnë faktor pasigurie. Prandaj, ne jemi të angazhuar të afrojmë institucionet me qytetarët dhe të rrisim besimin e qytetarëve tek institucionet e tyre me anë të qasjes sonë të shumanshme: duke punuar për masat kundër korrupsionit, mbështetur reformën e gjyqësorit, përmirësuar efikasitetin e gjykatave, përkrahur të drejtat e njeriut, afruar parlamentin me votuesit, etj.

Le të shohim nga afër dy fusha ku ka pasur projekte:

Ndërhyrja jonë në fushën kundër korrupsionit:

Në ndërhyrjen e saj të shumanshme, Prezenca po zhvillon mjetet për të përkrahur angazhimin e komunitetit të biznesit dhe shoqërisë civile për të luftuar korrupsionin, duke mbështetur komunitetin e biznesit për mbikëqyrjen e masave kundër ryshfetit përgjatë veprimtarisë së biznesit dhe duke organizuar takime konsultative me shoqërinë civile për të diskutuar rreth mekanizmave të raportimit të denoncimeve të korrupsionit dhe për të kryer programe trajnimi për rritjen e kapaciteteve për të mbikëqyrur planin e veprimit kundër korrupsionit. Prezenca po përmbyll Kodin e Sjelljes Kundër Korrupsionit, që ka për qëllim t'i japë komunitetit të biznesit në Shqipëri instrumente të dobishme për luftën kundër korrupsionit.

Gjithashtu, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, në bashkërendim me Koordinatorin Kombëtar Kundër Korrupsionit, po mbështet aktualisht veprimtarinë e Sallës Operacionale që administron portalin stopkorrupsionit.al, i cili është një instrument novator që i lejon qytetarëve të denoncojnë korrupsionin në mënyrë anonime tek autoritetet përgjegjëse. Ne besojmë se mbështetja e kësaj platforme denoncimi është shumë e rëndësishme për të rritur besimin e publikut te mekanizmat ekzistuese kundër korrupsionit në Shqipëri si dhe tek institucionet e përfshira në luftën ndaj korrupsionit.

Në fushën e qeverisjes vendore:

Në vitin 2017 do t'i jepet vëmendje e veçantë ofrimit të asistencës për njësitë e qeverisjes vendore  për të kuptuar më mirë faktorët nxitës të fenomenit të kultivimit të kanabisit, duke ofruar rekomandime praktike, si edhe modele alternative zhvillimi të mundshëm dhe duke kontribuuar përmes fushatave për ndryshimin e sjelljes, të cilat angazhojnë pikat e kontaktit në komunitete. Në vijimësi të mbështetjes së dhënë për vlerësimin e procesit të transferimit të pronave nga qeverisja qendrore tek ajo vendore, gjatë vitit 2017 Prezenca do të trajtojë mangësitë e identifikuara duke ofruar rritje të kapaciteteve për zyrtarët e bashkisë që merren me procesin e transferimit të pronave, në mënyrë që ata të ndërmarrin hapat e nevojshëm për të përfunduar procesin.

Albanian Daily News: OSBE-ja së bashku me ODIHR-in janë angazhuar për shumë vite me reformën zgjedhore në Shqipëri. Pas çdo zgjedhjeje, qofshin ato të përgjithshme apo vendore, ka pasur probleme dhe ato nuk janë konsideruar plotësisht demokratike në asnjë rast. Pyetja që bëhet tani kur Shqipëria pritet të mbajë zgjedhjet e përgjithshme më 18 qershor të këtij viti është a është përmirësuar sistemi zgjedhor dhe strukturat e tij për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme? Përse është bërë çështje për opozitën, por edhe për forca të tjera politike, një element i ri – votimi elektronik? Thënë shkurt, a jeni ju i shqetësuar që opozita mund të bojkotojë zgjedhjet e qershorit?  

Ambasadori Borchardt: Po ngrini disa çështje.
Në përgjithësi mund të them që sistemi zgjedhor i Shqipërisë është një sistem legjitim, që duhet respektuar. Partitë e mëdha të të dyja kaheve, të majta dhe të djathta, ranë dakord në vitin 2008 për sistemin aktual, pasi e konsideruan si më të përshtatshëm për realitetin shqiptar. Prandaj, çdo vendim për ta ruajtur apo për ta rishikuar atë i takon vetëm klasës politike. Ai mund të ndryshohet– nëse ka shumicë që favorizon ndryshimet – në kohë para zgjedhjeve të ardhshme.

Për sa i takon kuadrit ligjor zgjedhor, në raportet e vitit 2013 dhe 2015 për zgjedhjet në Shqipëri, OSCE/ODIHR ka vërejtur edhe që, pavarësisht mangësive, ai ofron zakonisht bazë të shëndoshë për mbajtjen e zgjedhjeve demokratike. Sidoqoftë, ky legjislacion duhet përmirësuar për të trajtuar rekomandimet e shumta që janë dhënë nga  OSCE/ODIHR-i dhe nga aktorë të tjerë ndërkombëtarë dhe vendas.

Zgjedhjet në Shqipëri kanë vuajtur vazhdimisht kryesisht prej zbatimit të papërshtatshëm nga të gjithë aktorët kryesorë. Mungesa e vullnetit politik nga partitë politike për të mbajtur zgjedhjet me efikasitet dhe politizimi i institucioneve të përfshira në mbajtjen e zgjedhjeve vazhdojnë që të dëmtojnë proceset zgjedhore.

Votimi elektronik është një sistem zgjedhor i mundshëm, por mjaft i komplikuar nga aspekti teknologjik. Futja e tij është kërkuar nga opozita që para zgjedhjeve të vitit 2013, kërkesa u ngrit sërish në vitin 2016 nga opozita e re. Në të dy rastet na u desh të shpjegonim që futja e një sistemi të tillë kërkon shumë kohë, që në të dyja herët nuk ka qenë në dispozicion në kohën kur është bërë kërkesa. Diskutimi mund të rihapet më 19 qershor për zgjedhjet e vitit 2019 dhe ne jemi gati të mbështesim Shqipërinë me njohuri për funksionimin e sistemeve të votimit elektronik.

Gjithashtu, ju ngrini çështjen e një bojkoti të mundshëm të zgjedhjeve: besoj fuqimisht që shqiptarët meritojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme, në kohë dhe me përfaqësimin e duhur të të gjitha partive. OSCE/ODIHR-i po përgatit një mision shumë të plotë për vëzhgimin e zgjedhjeve. Nëse partitë duan që zgjedhjet të bazohen te një ligj më i mirë zgjedhor – atëherë ato duhet të gjejnë konsensus për përmirësimet. I kemi nxitur prej më shumë se një viti që ta bëjnë këtë gjë. Kemi bërë shumë rekomandime për përmirësime. Mënyra për të ecur para duhet të jetë dialogu për përmirësimet e Kodit Zgjedhor dhe jo kërcënimet për një bojkot të zgjedhjeve; një bojkot vetëm sa do të dëmtonte vendin dhe ata që e fillojnë atë. Kërcënimet për të ndërprerë procesin e rregullt demokratik do të ishin shumë të papërgjegjshme; janë shumë të paktë ata shqiptarë që mund të duan që vendi të shkojë 20 vite pas. Thirrjet për dhunë janë një territor ku nuk duhet shkelur absolutisht.

Albanian Daily News: Z. Ambasador, kur ju ishit Ambasador i Gjermanisë kishte një zonë të nxehtë të kultivimit të kanabisit në Lazarat, në Shqipërinë e Jugut. U bënë tre vite që flitet për 'kanabizim' të të gjithë Shqipërisë. Jo vetëm një problem vendor, është bërë shqetësim ndërkombëtar. Cili është roli i Prezencës së OSBE-së në kalimin e kësaj sëmundjeje të lidhur ngushtë me krimin e organizuar dhe korrupsionin në nivelet më të larta të politikës?

Ambasador Borchardt: Prodhimi i kanabisit ishte shqetësim ndërkombëtar edhe kur unë isha ambasador i Gjermanisë. Ka pasur shumë raportime ndërkombëtare për kanabisin në Shqipëri midis viteve 2007 dhe 2010 kur unë shërbeja këtu. Një prodhim prej 1000 tonësh me një vlerë shitjeje në rrugë prej 2000 milionë eurosh, siç u vlerësua në vitin 2013, tregoi që Lazarati nuk ishte problem "folklorik", apo lokal, por qendra e një industrie kriminale. Fatkeqësisht, politika shqiptare nuk ndërmori shumë veprime në këtë drejtim deri në vitin 2013. Këtë e dokumentojnë nivelet e ulëta të kapjeve dhe shkatërrimit. Ajo që ka ndryshuar sot është që politika dhe shoqëria diskutojnë për të, dhe që nga viti 2014, policia po e lufton në mënyrë shumë më intensive. Ky është një zhvillim pozitiv. Plantacionet e Lazaratit u shkatërruan në vitin 2014. Vitin e kaluar policia shkatërroi 2,5 milionë bimë kanabis. Ky është sukses – këto bimë do të kishin prodhuar sasi tejet të mëdha marijuane. Por kapjet e vazhdueshme të marijuanës dhe hashashit tregojnë që problemi nuk është zgjidhur. Qeveria ka hartuar një plan veprimi për të luftuar kanabisin, Prezenca e OSBE-së ishte e ftuar për të kontribuuar në këtë plan dhe e dha kontributin e saj. Ne e nxitim qeverinë që të zbatojë këtë Plan Veprimi me energji. Ne mbetemi të gatshëm që të vazhdojmë mbështetjen tonë – në veçanti në fushën e hetimeve penale. Gjithashtu, ne do të monitorojmë nga afër zbatimin e Planit të Veprimit.

Albanian Daily News: Shkëlqesia Juaj, çfarë mendoni ju për rolin e shoqërisë civile në Shqipëri, një vend ku për hir të së vërtetës, ekzistojnë më shumë se 1500 OJF të llojeve të ndryshme? A luajnë ato rolin që duhet të luajnë, apo shumica e tyre shërbejnë si mënyrë pasurimi për disa njerëz, apo më keq se kaq, si mjete për pastrimin e parave, sepse perceptimi i shumicës së njerëzve të zakonshëm për to është sikur janë joekzistente?

Ambasador Borchardt: Kur diskutojmë për hoqërinë civile duhet të jemi të vetëdijshëm se zemra e diskutimit është për demokracinë. Demokracia është e vërtetë për aq sa njerëzit janë aktivë dhe marrin pjesë në vendimet e marra në mënyrë demokratike. Numri i OJF-ve në vetvete nuk është tregues i një qytetarie aktive. Mund të keni 1500 ose 3000 OJF, por nuk është ajo çka nevojitet domosdoshmërisht për të pasur shoqëri civile të fortë. Sigurisht, numri i OJF-ve aktive në fusha të ndryshme është ogur i mirë për një demokraci. Por nuk është gjithçka duhet për një demokraci të gjallë.
Ajo që tregon shoqëri civile të vërtetë është angazhimi – në komunitetet vendore, në rrugë, midis komuniteteve, ndërmjet të gjithë kategorive sociale. Shoqëri e vërtetë civile do të thotë përfshirja e vërtetë në kauza që kanë realisht interesin e publikut; do të thotë përfshirje e vërtetë, dhe ndonjëherë përballje të vërtetë me autoritetet për çështje padrejtësie të perceptuar apo të njëmendtë apo për praktika të këqija. Duhet të distancohemi nga pështjellimi i përhapur gjerësisht i identifikimit të shoqërisë civile vetëm me OJF-të. Ndërkohë që OJF-të janë, sigurisht, pjesa më e dukshme e shoqërisë civile, ato janë, siç duhet të jenë, maja e ajsbergut. Shoqëria civile shkon përtej organizatave formale. Shoqëria civile shkon përtej projekteve të financuara nga donatorët, sado të rëndësishme dhe të mirë-zbatuara mund të jenë ato. Ndikimi i vërtetë i shoqërisë civile shihet kur shumë njerëz bashkojnë forcat për  kauza të përbashkëta.
Ka prova të prekshme – edhe të viteve të fundit – që shoqëria civile mund të sjellë ndryshim në Shqipëri. Aktivistët e shoqërisë civile në disa raste kanë bërë përpjekje të mëdha që të dëgjohet ana e tyre e ngjarjes për mbrojtjen e interesit publik  – përpjekjet e Aleancës kundër Importit të Mbetjeve në Shqipëri, veprimtaritë për mbrojtjen e luginës së lumit të Valbonës dhe zonave të tjera me vlerë natyrore dhe historike, apo lëvizja kundër çmontimit të armëve kimike siriane në Shqipëri, për të përmendur disa. Është e lehtë t'ia drejtosh gishtin shoqërisë civile dhe ta akuzosh se po keqpërdoret nga politikanët. Por në të vërtetë e gjithë shoqëria civile është politike. Shoqëria civile është një hapësirë politike – është arena ku qytetarët kërkojnë t'u japin formë rregullave që administrojnë aspektet e jetës sociale.
Prezenca dëshiron të ofrojë mbështetjen e duhur, të paanshme dhe efektive për shoqërinë civile, qytetarinë aktive dhe pjesëmarrjen e qytetarëve. Përpjekjet tona shkojnë drejt mbështetjes së angazhimit qytetar, edukimit demokratik dhe aktivizimit qytetar në mesin e të rinjve, me vëmendje të veçantë në zonat rurale, po aq sa edhe drejt mbështetjes për koordinimin e donatorëve ndërkombëtarë dhe vendas në fushën e zhvillimit të shoqërisë civile këtu në kryeqytetin e Shqipërisë. Qytetarët shqiptarë, në veçanti të rinjtë nga qytete më të vogla dhe fshatra shpesh e gjejnë veten të lënë jashtë nga jeta e shoqërisë civile që mbetet thellësisht e përqendruar në kryeqytet. Ka prova të mjaftueshme që tregojnë faktin se shoqëria civile mbetet e fragmentuar në tërësi dhe tepër e varur nga financimet e donatorëve. Nga ana tjetër, ka lajme të mira. Shqipëria ka bërë hapa përpara në krijimin e mekanizmave të saj për mbështetjen e zhvillimit të shoqërisë civile – themelimi i një Agjencie të financuar nga shteti për mbështetjen e shoqërisë civile është mishërim i atij mekanizmi. Ne kemi mbështetur, monitoruar, këshilluar dhe bashkërenduar përpjekjet tona me këtë institucion, në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë.
Një aspekt i rëndësishëm i punës sonë me shoqërinë civile është ta sjellim rininë shqiptare më pranë institucioneve demokratike; ne përpiqemi që të rrisim interesin e tyre për të bërë pyetje, për të sfiduar vendimmarrësit, për të debatuar me ta. Ndonjëherë ne organizojmë forume të hapura në zona të largëta, duke sjellë vendimmarrësit pranë të rinjve. Në debatin me ish-Kryetarin e Radhës të OSBE-së, Didier Burkhalter, një djalë shqiptar bëri pyetjen: "Çfarë është demokracia?" Ministri i jashtëm Burkhalter u përgjigj: "Demokracia është, mbi të gjitha, respekt për të gjithë. Është një mundësi që cilido të marrë pjesë për kërkimin e një zgjidhjeje. Gjithashtu, demokraci do të thotë gjithëpërfshirje dhe përgjegjësi".
Unë nuk do të mund ta kisha formuluar më mirë. Puna jonë është pikërisht kjo – t'u japim sa më shumë mundësi qytetarëve që të jenë pjesëmarrës, të edukojmë për demokracinë, të mbështesim gjithëpërfshirjen dhe përgjegjësinë e përbashkët. Zgjidhja për çdo krizë të demokracisë dhe ndreqja e çdo mangësie demokratike u takon qytetarëve shqiptarë. Qytetarët janë rojtarët më të mirë të demokracisë.

Gallatasaraj përjashton Hakan Sukurin për lidhje me lëvizjen gyleniste

Posted: 27 Mar 2017 08:16 AM PDT

Komiteti Ekzekutiv i ekipit turk të futbollit, Gallatasaraj përjashtoi yllin e futbollit turk, Hakan Sukur si edhe Arif Erdemin nga lista e ish-lojtarëve si edhe nga ekipi kombëtar i futbollit.

Dy ish-lojtarët po kërkohen nga autoritetet e Ankarasë me akuzën se i përkasin rrjetit nën kontrollin e imamit në mërgim, Fetullah Gylen, i akuzuar nga Erdogani edhe për një grusht të dështuar shteti në korrik 2016.

Vendimi u mor dje pasi qeveria turke kishte kritikuar ashpër ekipin e njohur për mbajtjen e tyre si anëtarë të asamblesë së përgjithshme.

Hakan Sukur, shënuesi më i mirë në kombëtaren turke të futbollit, ka luajtur edhe me Torinon, Interin dhe Parmën.

Aktualisht, Sukur ndodhet jashtë vendit me ndihmën e fansave të tij të shumtë.

FOTO/ De Rossi kërkon “falje” pas golit, bën shqiponjën

Posted: 27 Mar 2017 07:41 AM PDT

Edhe pse Daniele De Rossi na bëri gol me penallti në ndeshjen kundër Italisë, rrjeti i internetit është ndezur pro tij pas publikimit të një fotografie që mesfushori italian ka bërë me një tifoze shqiptare.

Edhe ai si pas Gianluigi Buffon, bën simbolin e shqiponjës duke bërë që tifozët të harrojnë inatin e golit dhe fotoja të bëhet virale.

Kjo foto vjen pas asaj të Buffon me Shakohoxhën që të dy krijuan me pëllëmbë simbolin e shqiponjës.

De Rossi me tifozen shqiptare

Buffon me Shakohoxhën

LETRA/ Partia e Merkel kundër bojkotit të PD: Futuni në zgjedhje, ndryshe do keni pasoja

Posted: 27 Mar 2017 07:21 AM PDT

Pas Shteteve të Bashkuara të Amerikës, edhe partia e Angela Merkel, CDU, një partner i Partisë Demokratike, pozicionohet kundër bojkotit të parlamentit dhe zgjedhjeve parlamentare nga opozita.

Përmes një letre të mbërritur në selinë e demokratëve, e cila mban datën 23 mars, zëvendëskryetari i grupit të CDU-CSU në Parlamentin gjerman, Franz Josef Jung, i cili është njëkohësisht edhe shefi i politikës së jashtme në CDU, si dhe ministër i Mbrojtjes së Gjermanisë, i kërkon Lulzim Bashës të heqë dorë nga rruga e bojkotit të zgjedhjeve.

Në letrën e Jung sqarohet se CDU pajtohet me shqetësimet e opozitës për shitblerjen e votës, por shton gjithashtu se bojkoti nuk është zgjidhje në një kohë kur Brukseli pret zbatimin e Reformës në Drejtësi.

CDU dhe CSU, thotë zëvendëskryetari i grupit parlamentar të Bundestagut, është shumë e shqetësuar që në zgjedhjet e 18 qershorit mund të ketë falsifikim të madh si rezultat i blerjes së votave dhe mjeteve të tjera, por bojkotin ai e cilëson si rrugë të gabuar, përfshirë këtu edhe kërkesën për qeveri teknike.

Franz Josef Jung paralajmëron për pasojat e rënda për vendin dhe për vetë Partinë Demokratike. "Vonesa e reformës në drejtësi dhe bojkoti i zgjedhjeve nga opozita do ta kthenin Shqipërinë shumë mbrapa në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian dhe do të dëmtonte shumë marrëdhëniet mes PD-së dhe CDU-CSU. Kjo nuk është në interesin tonë", vijon Jung ne letrën e tij.

Zyrtari i lartë gjerman është ultimativ kur thotë se, ka mënyra të tjera për të ulur rrezikun e zgjedhjeve jo të drejta. Në emër të grupit parlamentar më të rëndësishëm në Gjermani dhe në mesin e partive popullore europiane, Jung i drejton kryetarit të Partisë Demokratike lutjen e tyre urgjente.

"Për t'i dhënë fund menjëherë bojkotit parlamentar, për të marrë pjesë në mënyrë aktive në zbatimin e reformës në drejtësi dhe për t'u regjistruar për zgjedhjet kombëtare pa vendosur parakushtet e përmendura më sipër", thekson Jung.

Letra e plotë e funksionarit të CDU

Berlin, 23 Mars 2017

Angela Merkel dhe Franz Josef Jung

I nderuar z. Kryetar, i dashur z. Basha!

Pjesëmarrësit e mbledhjes së grupit tonë të punës të Ballkanit Perëndimor, e cila u zhvillua të martën, më 21 Mars me Dr. Heusgen, mu luten, të përcjellë tek Ju shqetësimin tonë të thellë në lidhje me zhvillimet e fundit në Shqipëri. Pasi grupi im parlamentar u angazhua fuqishëm për reformën në drejtesi në vendin tuaj dhe më pas kjo u votua edhe me votat e grupit Tuaj parlamentar më 21 korrik, ne tani jemi shumë të pakënaqur që kjo reformë e rëndësishme, e dëshiruar nga rreth 90% e shqiptarëve, nuk po vihet ne zbatim, sepse PD po bojkoton parlamentin.

Edhe ne jemi gjithashtu shumë, shumë te shqetësuar që në zgjedhjet e 18 qershorit mund të ketë fallsifikim të madh të zgjedhjeve si rezultat i blerjes së votave dhe mjeteve të tjera. Por ne mendojmë se është rruga e gabuar, që ky problem mundohet të zgjidhet përmes bojkotit parlamentar dhe deklarimin e mos regjistrimit për zgjedhjet e 18 qershorit, nëse qeveria e zgjedhur shqiptare nuk jep menjëherë dorëheqjen dhe të zëvendësohet me një "qeveri teknike" nga të gjitha grupet parlamentare.

Vonesa e reformës në drejtësi dhe bojkoti i zgjedhjeve nga opozita do ta kthenin Shqipërinë shumë mbrapa në rrugën e saj drejt BE-së. Dhe do të dëmtonte shumë marrëdhëniet mes PD-së dhe CDU/CSU-se.

Kjo nuk është në interesin tonë!

Duke qenë se ka mënyra të tjera për të ulur rrezikun e zgjedhjeve jo të drejta, do të doja t' Ju drejtoja lutjen tonë urgjente, për t'i dhënë fund menjëherë bojkotit parlamentar, për të marrë pjesë në mënyrë aktive në zbatimin e reformës në drejtësi dhe per t´u regjistruar për zgjedhjet kombëtare pa vendosur parakushtet e përmendura më sipër.

Për këtë ne jemi të gatshëm t' Ju ndihmojmë me të gjitha forcat tona për të ndërtuar ura dhe për të bërë gjithcka për të siguruar zgjedhje të drejta.

Gjithashtu për këtë duhet synuar progresi në procesin e dekriminalizimit dhe në luftën kundër kultivimit të kanabisit. Dhe sigurisht ka edhe shumë mënyra të tjera!

E rëndësishme është të gjendet një rrugë e pranueshme nga të gjithë për të dalë nga kjo situatë e ngatërruar.

Ju lutem, na bëni me dije sa më shpejt të jetë e mundur, si ne mund t'Ju ndihmojmë.

Ne e bëjmë këtë thirrje për Ju dhe partinë Tuaj edhe me qëllimin e vazhdimit të bashkëpunimit mes grupeve tona parlamentare dhe partive, i cili deri tani ka qenë shumë i mirë dhe i ngushtë.

Urimet më të mira".

Opozita sfidon apelin e Merkel dhe Trump: Nuk hyjmë në zgjedhje pa qeveri teknike

Posted: 27 Mar 2017 06:48 AM PDT

Pavarësisht thirrjeve të CDU-së së kancelares së Gjermanisë, Angela Merkel dhe apelit të SHBA-ve për të marrë pjesë në zgjedhje, koalicioni opozitar nuk heq dorë nga kërkesa për krijimin e qeverisë teknike, si kusht për të hyrë në garën elektorale të 18 qershorit.

Me anë të një deklarate për mediat, koalicioni opozitar bën me dije se kanë marrë unanimisht vendimin për mosparaqitjen e kërkesës për regjistrim si subjekte zgjedhore në KQZ, deri në arritjen e një marrëveshje politike për krijimin e qeverisë teknike me mbështetje të gjerë.

NJOFTIMI I KOALICIONIT OPOZITAR

Partitë e koalicionit opozitar duke shqyrtuar krizën e thellë politike ku ndodhet Shqipëria, kërcënimin e zgjedhjeve nga krimi i veshur me pushtet, droga dhe paratë e pista dhe vendosja e të gjitha strukturave shtetërore në funksion të fushatës së partive qeverisëse, konfirmojnë njëzëri vendimin e shpallur me 18 shkurt: se zgjidhja e vetme që garanton zgjedhje të lira dhe të ndershme është krijimi i një qeverie teknike me mbështetje të gjerë politike, e cila do të zbatojë ligjin e dekriminalizimit, do të luftojë me efikasitet narkotrafikun, krimin e organizuar dhe paratë e pista të drogës dhe do të krijojë kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Duke marrë në konsideratë raportet e fundit ndërkombëtare si ai i Departamentit Amerikan të Shtetit dhe i EUROPOL, në të cilat Shqipëria kryeson listën euopiane për prodhimin e trafikimin e drogës dhe pastrimin e parave, është e qartë se shqiptarët ndodhen në kushtet e asgjësimit të zgjedhjeve të lira nga krimi i organizuar dhe paratë e drogës me lidhje qeveritare. Në këto kushte, partitë e koalicionit opozitar konfirmojnë unanimisht vendimin për mosparaqitjen e kërkesës për regjistrim si subjekte zgjedhore në KQZ deri në arritjen e një marrëveshje politike për krijimin e qeverisë teknike me mbështetje të gjerë. Partitë aleate të koalicionit opozitar përshëndesin dhe falenderojnë me mirënjohje të thellë të gjithë qytetarët shqiptarë që i janë bashkuar kësaj lëvizje popullore për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe bëjnë thirrje për një mobilizim të të gjitha energjive, dhe qëndresë të vendosur, deri në fitoren e kauzës për zgjedhje të lira e të ndershme.

 

Apologjia e Andi Lilës: Greqia, shtëpia ime. Videoja, sjellje e pamençur!

Posted: 27 Mar 2017 06:38 AM PDT

Andi Lila, mbrojtësi i kombëtares kuqezi, e kupton gabimin që ka bërë me atë video para ndeshjes me Italinë, ku shfaqej në një pozicion thellësisht të kritikueshëm, me një fjalor që nuk ka të bëjë me një profesionist.

Duke parë edhe zemërimin e madh që ka shkaktuar kjo gjë në Greqi, natyrisht edhe në klubin e tij në këtë vend, kavajasi ka menduar të bëjë apologji përmes një statusi, të shkruar në gjuhën angleze, të bërë publik në faqen e tij në Facebook:

"Disa nga ju mund të keni parë një video të publikuar disa ditë më parë në internet, që më tregon mua duke bërë disa vërejtje injorante lidhur me një prift. Unë do të doja të bëjë një apologji pa rezerva ndaj gjithkujt që është ofenduar, veçanërisht ndaj priftit.

Ai është një zotëri, Pas Giannina është në zemrën e tij, ndaj nuk e meriton të bëj shaka me të.

Komentet e mia ishin të pavend dhe jashtëzakonisht të pandjeshme. Nuk jam duke u përpjekur për të mbrojtur veprimet e mia, por vërejtjet u bënë në privat dhe nuk kishin synim të ofendonin askënd. Unë tani e kuptoj se komentet e mia ishin të pamençura.

Sjellja ime ishte tejet e papërshtatshme, e papjekur dhe në të mungonte respekti, që Pas Giannina meriton.

Ky është një shpërqëndrim nga synimet tona të arritjes së Europës në këtë sezon. Nga dita e parë më kanë uruar mirëseardhjen në Greqi dhe nuk kam asgjë tjetër, përpos dashurisë dhe ngrohtësisë për të gjithë njerëzit në këtë vend.

Gruaja dhe djali im, si dhe unë, e konsiderojmë Greqinë si shtëpinë tonë, ndaj më vjen shumë keq të shoh cilindo të ofenduar nga veprimet e pamençura të miat. Përsëri, më vjen keq për veprimet e mia dhe shpresoj se mund ta hedhim këtë çështje pas nesh.

Mezi po pres të kthehem prapë në Greqi, pas angazhimeve me kombëtaren."

Elvana Gjata drejt suksesit në Amerikë, darkon me yllin e njohur ndërkombëtar

Posted: 27 Mar 2017 06:24 AM PDT

Elvana Gjata prej disa muajsh është terhequr nga skena e muzikës shqiptare me qëllim ndërkombëtarizimin e saj si artiste. Pas shfaqjes së saj në ceremoninë e ndarjes së çmimeve Grammys, këngëtarja ka intriguer sërish fansat e saj me një video të publikuar në Snapchat.

Mbrëmjen e djeshme ajo ka darkuar me disa miq dhe bashkëpunëtor, mes tyre edhe ylli ndërkombëtar Skrillex. Nuk dihet nëse kjo është një darke mes shokësh apo ka diçka më tepër mes tyre. A do kemi ndonjë bashkëpunim të saj me artistë të njohur në Amerikë? Na mbetet të presim për të kuptuar më tepër.

De Biazi zbardh kulisat: Xhaka më shkroi SMS, i thashë se në ekip nuk ka as Pele dhe Maradona

Posted: 27 Mar 2017 06:11 AM PDT

Është konsideruar me të drejtë skandal në kombëtaren e Shqipërisë largimi i Taulant Xhakës nga grumbullimi, pas ndeshjes me Italinë.

Tabloidi zviceran, "Blick", ka folur me trajnerin Gianni De Biasi, të cilin e ka pyetur në lidhje me marrëdhënien e krisur përfundimisht mes tij dhe mesfushorit të Bazelit.

"Të premten, kombëtarja e shqiponjave humbi 2-0 në Palermo, kundër Italisë, dhe tani nuk ka asnjë shans për të shkuar në finalet e Kupës së Botës. Shqipëria ishte me fat, që shënjoi ndeshjen e 1000-të të Buffonit në karrierë. Taulant Xhaka qëndroi 90 minuta në stol, nuk luajti fare, por këtë fakt nuk e ka kapërdirë dot mbas ndeshjes. Ai është nisur drejt Zvicrës, duke e lënë kombëtaren, megjithëse Shqipëria do të luajë sfidën miqësore kundër Bosnje-Hercegovinës, të martën në Elbasan," – shkruan "Blick", që mundohet të hedhë dritë mbi atë që po ndodh, përmes një interviste me De Biazin.

Ai tregon si i është përgjigjur Xhakës pasi ky i fundit e lajmëroi me SMS për largimin, ndërsa ka edhe një mesazh të qartë për tifozët shqiptarë që ndërprenë ndeshjen në Palermo.

Xhani De Biazi, si ndjeheni?

Keq, sigurisht.

Përse?

Sepse u mundëm në Itali dhe shanset tona për kualifikimin janë zero.

Po për Xhakën?

Ai më shkroi një SMS pas ndeshjes, tha se po kthehej në Bazel për t'u stërvitur atje.

Si iu përgjigjët?

I thashë se nuk kishte të shenjtë, Pele apo Maradona në skuadër.

Që do të thotë…

Të gjithë janë të barabartë. Të gjithë duhet të ndjekin instruksionet e trajnerëve.

A e kuptoni reagimin e Taulantit?

Le ta themi kështu: Nuk më erdhi si surprizë.

Që në Europianin e Francës u aludua se ka pasur përplasje mes jush dhe Taulantit, pasi ai ishte thjesht një zëvendësues ndaj vendit pritës…

Kjo nuk është e vërtetë.

Përse nuk luajti në Itali?

Ai kishte luajtur të gjitha ndeshjet e mëparshme kualifikuese, me përjashtim të njërës. Por ndaj Italisë kisha plane të tjera taktike.

A ka ende Taulant Xhaka një të ardhme te Shqipëria?

Kjo është në dorën e tij, jo në dorën time.

Atëherë nuk ia keni mbyllur derën pavarësisht situatës së fundit?

Jo.

Po për Amir Abrashin. Ai u largua gjithashtu pas ndeshjes me Italinë?

Amiri ka probleme me gjurin. Ne bëmë gjithçka që ishte e mundur që ta kishim në Palermo. Nuk ishte mjaftueshëm. Fakti që ai u largua tani është logjik. Pritet që të kthehet përsëri në formë. Nuk ka asnjë problem me të.

Po me tifozët shqiptarë? Ndeshja u ndal për shkak të sjelljes së tyre…

Është e vërtetë. Dhe unë nuk e kuptoj. Nuk kemi pasur asnjëherë problem me tifozët gjatë 5 viteve të fundit. Ata nuk ishin fansat tonë të vërtetë.

A iku treni i kualifikueseve për Shqipërinë?

Kështu duket. Por e kam thënë që në fillimin e kualifikueseve se ne normalisht nuk do të kishim mundësi me këtë grup. Unë do të kisha preferuar që të luaja kundër Letonisë siç bëtë ju. Atëherë ne me shumë mundësi do të kishim fituar.

 

Foto/ Ja si dukeshin Ledina Çelo dhe Manjola Nallbani para 17 vitesh

Posted: 27 Mar 2017 06:09 AM PDT

Ditët e fundit, Ledina Çelo duket se është bërë nostalgjike për vitet e karrierës muzikore në Shqipëri. Pas fotos së shkrepur në 2012-ën me Aurela Gaçen dhe Juliana Pashën, tani ka shkuar edhe me pas në kohë. Pikërisht në vitin 2000, duke festuar Vitin e Ri me Manjola Nallbanin. Miqësia e tyre i ka rezistuar kohës dhe largësisë. Rreth 1 vit më parë ishte Leonora Jakupi ajo që përmendte të shkuarën dhe publikonte një foto ku ishte në skenë bashkë me Manjola Nallbanin dhe Ledina Çelon, të veshura si ushtarake të UÇK-së.

Më 2 maj shpallen fituesit e Lotarisë Amerikane, ambasada: Kini kujdes nga këto mashtrime

Posted: 27 Mar 2017 05:36 AM PDT

Më 2 maj shpallen fituesit e "Lotarisë Amerikane".

Me këtë rast, ambasada amerikane në Tiranë njofton gjithë aplikuesit që të kenë kujdes nga disa emaile mashtruese.

Njoftimi:

Miq, ju lutem mos harroni: Departamenti Amerikan i Shtetit nuk do t'ju kontaktojë nëpërmjet postës elektronike për t'ju njoftuar nëse ju jeni përzgjedhur për lotarinë DV-2018 apo jo; ju duhet të hyni në dvlottery.state.gov duke filluar nga 2 maji 2017 për të mësuar nëse ju jeni përzgjedhur.

Kenny dhe unë sapo kemi zbuluar disa emaile të rreme, si më poshtë.

Ju lutemi shpërndajini ato me miqtë tuaj dhe tregojuni atyre që emaile të tilla janë të rreme!

Nëse ju vijnë të tilla emaile, injorojini ato! Le të mbrojmë veten nga mashtrimet e Vizave të Lotarisë!

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more