Skip to main content

Tirana Observer: “Një kërkesë modeste për miqtë e LSI” plus 9 more

Tirana Observer: “Një kërkesë modeste për miqtë e LSI” plus 9 more


Një kërkesë modeste për miqtë e LSI

Posted: 29 Mar 2017 10:11 AM PDT

Nga Astrit Patozi

Të dashur Luan, Monika, Petrit, Klajda dhe natyrisht ty Ilir, që flet shumë qartë edhe me heshtjen tënde. Po ja bëni të vështirë këto ditë jetën Taulantit, Gramozit, Blerinës, Famirit, e natyrisht edhe Edit, i cili shkëlqen me mosprononcimin e tij. Ata janë nervozë dhe të irrituar, sa nga shpotitë dhe shigjetat tuaja të helmatisura, por më shumë ngaqë po i mbani zvarrë për koalicionin.

Nuk e fshehim dot që na vjen mirë, përsa po ndodh brenda “çadrës” suaj, por deri këtu, nuk ju falenderojmë dot. Jo thjesht se po vazhdoni çdo të enjte të mbani me oksigjen një qeveri të rrënuar moralisht dhe politikisht prej shumë kohësh, por mbi të gjitha se po u thoni shqiptarëve vetëm gjysmë të vërteta. Dhe në kushtet e krizës së thellë, që ka pushtuar vendin, askush nuk ka nevojë për këtë lloj shërbimi.

Sepse ju nuk jeni as portale dhe as analistë të pavarur, që të qëndroni mes palëve, për t’u bërë thirrje që të pajtohen, duke lëshuar secila nga pozicionet e veta. Ju nuk jeni priftërinj apo hoxhallarë, që predikoni faljen dhe mëshirën, por as pajtues gjaqesh për të ndërmjetësuar paqen mes “mëkatarëve”, që kanë vrarë njëri-tjetrin. Sepse ju jeni pjesë e problemit, përsa kohë i përkisni njërit kamp. Në mënyrë permanente dhe pa asnjë ditë ndërprerjeje. Që nga qershori i 2013-ës, e deri sot që po flasim.

Kur deklaroni se nuk mund të ketë zgjedhje në qershor pa opozitën, mos kujtoni se po i bën ndonjë nder Partisë Demokratike. Madje kam frikë që është e kundërta. Sepse, e thënë kështu, duket sikur është mungesa e opozitës, ajo që e shkakton krizën dhe sikur kjo është çështja që duhet zgjidhur sot në Shqipëri. Në fakt është kriza, që ka shkaktuar kjo qeveri, e cila vijon të mbahet në këmbë edhe me votat e LSI, ajo që e ka vënë në dyshim pjesëmarrjen e opozitës në zgjedhje. është pikërisht ajo problematikë për të cilën herë pas here, kanë folur edhe Teri, Petriti, Ylli, Luani e ndonjë tjetër, por asnjëherë Iliri. Natyrisht me fushata dhe me leje janë shprehur, por kjo ka pak rëndësi tani. Bandat e kanabisit, kur shartohen me shtetin dhe policinë prodhojnë një përbindësh të frikshëm, i cili i vret që në start zgjedhjet.

Dhe të gjithë udhëheqësit e LSI-së, që kanë folur për këtë çështje, kanë pasur plotësisht të drejtë. Nëse doni të jeni sadopak të besueshëm, hiqni dorë nga pozicioni i mediatorit, sepse as jeni votuar dhe as nuk ju pranon kush për të tillë. E keni detyrim të parë të deklaroni se zgjedhjet në Shqipëri kërcënohen nga qeveria dhe jo nga opozita. Sepse nëse do te ishte tekë e Partisë Demokratike bojkoti i zgjedhjeve, nuk keni asnjë arsye pse të kujtoni se pluralizmi ka ardhur në Shqipëri 27 vjet më parë. Nuk do të cënohej asnjë qime demokracia nga mospjesmarrja e një partie politike në zgjedhje, në rast se petendimet e saj do të ishin të sajuara, por ju e dini po aq mirë sa ne se nuk është kështu. Ndaj edhe ju takon që jo vetëm ta thoni edhe gjysmën tjetër të së vërtetës, por edhe të mbani qëndrimin tuaj për këtë. Cilido qoftë ai.

Sepse askush nuk ju pranon në rolin e vëzhguesit të paanshëm, sa kohë që vijon të mbeteni pjesë e rëndësishme e problemit, i cili ka vetëm një emër: Edi Rama dhe qeveria e tij. Fjala vjen, edhe për rastin e Kavajës, mirë bëtë që e përjashtuat veten nga farsa elektorale. Por duhet ta bëni të qartë për publikun pse e keni marrë këtë vendim.

E keni thjesht me kandidatin apo me faktin që aty nuk do të garojë opozita? Kam frikë se është e para, por nuk ka problem, sepse edhe ajo arsye e fortë është. Madje më duket rrëqethës karshillëku i zgjedhjes së re të Edi Ramës. Edhe sikur ta kishim porositur ne të opozitës, nuk do të kishte gjetur më të mirë, për të na dhënë të drejtë. Po prapëseprapë, Kavaja është shumë pak para humnerës që shfaqet në horizont nga dështimi i sigurt i zgjedhjeve të 18 qershorit, ndaj çdo aktor i rëndësishëm politik duhet të bëjë aq sa i takon për evitimin kësaj katastrofe kombëtare. Çdo ditë, që kalon, e afron ditën e llogarisë për cilindo përgjegjës. E thënë me dy fjalë, nuk mund t’i japësh të drejtë qingjit, kur je duke ndihmuar ujkun.

Tritan Shehu shkon në kongresin e PPE dhe del foto me…Nard Ndokën

Posted: 29 Mar 2017 09:57 AM PDT

Në punimet e kongresit të Partisë Popullore Europiane që mbahet në Maltë, së bashku me kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha ishin të pranishëm edhe politikanë të opozitës shqiptare.

Ndër ta Tritan Shehu, i cili ka shfrytëzuar mundësinë për të realizuar një fotografi me askënd tjetër përveçse…Nard Ndokës.

Shehu e ka shpërndarë fotografinë në rrjetet sociale duke shkruar "Gjatë punimeve dhe takimeve të sotme të Kongresit të Partisë Popullore Europiane", megjithëse duket të jetë takuar vetëm me kryetarin e tij dhe aleatin Ndoka, që ndoshta i takon përditë në Tiranë.

Tahiri i përvishet LSI-së: Për ca vota më shumë dalin në lajme për të sharë qeverinë

Posted: 29 Mar 2017 09:55 AM PDT

Ish-ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri gjatë një takimi me banorët e Paskuqanit reagopi në lidhje me akuzat e LSI-së ndaj qeverisë Rama.

Me tone mjaft të ashpra Tahiri shtoi se për ca vota më shumë dalin në lajme dhe shajnë qeverinë, duke iu referuar LSI.

"Në 18 qershor do ketë zgjedhje, duhet të shkojmë në zgjedhje të gjithë bashkë. Në fakt në 18 qershor vendosni ju, vendosin qytetarët dhe bëni gabim të mendoni se qeverisja e ardhshme vendoset në korridoret e qeverisë së madhe.

Politika e televizorit del herë me sharje, herë me llum, por qeverisja e ardhshme përcaktohet këtu, në çdo familje. Në çdo rrugë të Paskuqanit, Babrrusë, në çdo shtëpi. Qeverinë e ardhshme e keni ju në dorë, dhe jo në korridoret e politikës.

Duhet të shash qeverinë që të dalësh në lajme, që të bësh lajm, që të mbledhësh ca vota më shumë. Sa më shumë sulmojnë aq më shumë duan të na tërheqin në vorbullën e sherrit, t'i thonë se 'ja ku jemi të gjithë njësoj, dhe ndaj s'ka rëndësi se ku e çojmë votën'.

Sa më shumë sulmojmë ata, aq më shumë me qytetarët duhet të flasim, aq më shumë duhet të bëjmë, aq më fortë duhet të luftojmë të gjithë bashkë. Përgjigja jonë është puna, për çdo sulm, për çdo akuzë, për çdo baltë që hedhin ndaj nesh. Ne jemi të vetëdijshëm që do na gjykojnë për punën, jo për llafet", tha Tahiri.

Andi Bushati: LSI po bëhet qesharake, nuk mund të bëjë të “virgjërën”

Posted: 29 Mar 2017 09:48 AM PDT

Analisti Andi Bushati ka kritikuar lojën me dy porta të LSI-së, duke e cilësuar atë si qesharake.

Bushati shprehet se e sheh me skepticizëm lojën që sipas tij, po bën aleati i Edi Ramës në qeveri, Ilir Meta kur e ndajnë pak kohë nga dita kur duhet të vendosë për koalicionin e zgjedhjeve të 18 qershorit.

I ftuar në rubrikën "Opinion" në studion e lajmeve në News 24, Bushati thotë se kjo parti është bërë qesharake me deklaratat e saj kontradiktore.

"Këtej regjistrohet që të futet në zgjedhje, nga ana tjetër bën sikur nuk do futet në proces pa opozitën. Kemi një deputet të LSI që thotë do shkojmë me Ramën dhe tjetri do dalim më vete. Pra vazhdojnë një lojë, një farsë jo vetëm që po bëhet qesharake, por edhe ne që e komentojmë rrezikojmë të kthehemi në qesharakë", tha ai.

Sipas tij, çfarëdo vendimi të marrë kjo forcë për koalicionin, qëndrimet e saj shpeshherë kundër Ramës tregojnë se janë të kundërt.

"Problemi është që as vendimi i 18 prillit nuk i shpëlan gjithë zigzaget që ka pasur gjatë kësaj periudhe. Ka thënë reforma në arsim ka dështuar, vendi është mbushur me kanabis, ka bllokuar ligjin e plehrave. Pra ka treguar që është kundër Ramës.

Pikëpyetja që ngrihet është pse duhet të jenë bashkë kur qenkëshin kaq të kundërt? Sido që të vendosë është vonë 18 prilli që LSI të bëjë të virgjërën", theksoi analisti.

Bushati shtoi se, mesazhet e fundit të LSI-së askush nuk është gjendje t'i dekriptojë.

"Duke qenë parti klienteliste, qëndron mes dy të mëdhenjve, LSI nuk do nga pikëpamja politike të marrë goditje të forta. As nga njwri krah, as nga tjetri ndaj bën këtë lojën njëherë e shkel syrin majtas, njëherë djathtas që të shkojë me qetësi dhe dashuri në zgjedhje", përfundoi Bushati.

Balla sulmon Monika Kryemadhin: Po manipulon brezin e ri

Posted: 29 Mar 2017 08:21 AM PDT

Deputeti socialist Taulant Balla ka zgjedhur një takim me të rinjtë e Elbasanit për t'ju përgjigjur deputetes së LSI-së, Monika Kryemadhi për akuzat e kësaj të fundit mbi reformën në arsim.

Duke e ironizuar, Balla thotë se LSI-ja po bën opozitë në vend të asaj të vërtetës që ka bojkotuar institucionet dhe proteston para kryeministrisë. Ai i kujton deputetes aleate se deklaratat e saj bëhen me qëllim që të manipulojë brezin e ri.

"Sulmi ndaj reformës në arsim bëhet për të manipuluar brezin e ri, pasi të vetmen opozitë që kemi e kemi brenda vetes",- tha Ballla.

Pak ditë më parë, deputetja e LSI-së Monika Kryemadhi kritikoi ligjin e arsimit të lartë dhe reformën në arsim të cilën e cilësoi një pseudoreformë, si dhe u përplas me deklarata me ministren e Arsimit Lindita Nikolla.

Skandal me depozitat e ujit nëpër pallate, minj të ngordhur e llum në ujin që konsumojmë

Posted: 29 Mar 2017 07:48 AM PDT

"Pamjet që sapo patë i përkasin pikërisht kësaj depozite, e cila furnizon me ujë 60 familje të një pallati në zonën Komuna e Parisit. Gjithçka u zbulua pas iniciativës së administratorit të këtij pallati, për të pastruar depozitat që nuk ishin pastruar prej 15 vjetësh".

Është depozitë e ujit të pijshëm. E ujit me të cilin gatuajmë, lajmë dhëmbët apo trupin.

Në të u gjet edhe një mi i ngordhur, por administratori refuzoi t'i bënte publike pamjet.

Të tilla si kjo depozitë, që mban 5 mijë litra ujë, janë me mijëra nëpër Tiranë. Janë ato poshtë pallateve, apo sipër tarracave.

Me qindra prej tyre nuk janë pastruar asnjëherë. Ato janë nën administrimin e pallateve dhe pastrohen vetëm me iniciativa personale të banorëve. Asnjë institucion nuk e merr përgjegjësinë për mirëmbajtjen e depozita.

Instituti i Shëndetit Publik ka kryer kontrolle të ujit që del nga depozitat vetëm me kërkesë të banorëve. Konkluzioni i saj është që uji është jashtë standardeve higjenike, me rrezik për përhapjen e infeksioneve dhe sëmundjeve të rënda.

Një situatë skandaloze me të cilën përballen qindra mijëra shqiptarë.

Tv Klan

Nga Kliton Nesturi /Të flasim hapur

Posted: 29 Mar 2017 07:22 AM PDT

1.

Para pak kohësh pata fatin të lexoja librin "Zëra nga Çernobili" të Svetlana Aleksieviç, fituese e çmimit Nobël në letërsi, në vitin 2015. Që prej faqes së parë e deri tek e fundit, unë, ashtu si çdo lexues, u përballa me të vërtetën tragjike të ngjarjes së Çernobilit dhe pasojat që rrodhën prej saj, të cilat ndryshuan fatin e jetës së shumë njerëzve, jo vetëm të një kombi. Qysh në krye të herës, mund të them se njeriut të sotëm rrallë i ndesh të lexojë një libër kaq të vërtetë, e të përshkruar realisht nga vet protagonistët. Mjeshtëria e autores qëndron në faktin e hulumtimit dhe pasqyrimit të së vërtetës, pa tentuar që të fshehë asgjë. Nga forma dhe stili i rrëfimit, jam i destinuar që t'i besoj autores dhe ta pranoj çdo gjë si të vërtetë. E vërteta është e hidhur,tragjike, por në fund të fundit duhet pranuar. "Zëra nga Çernobili" është një libër që të bën të reflektosh mbi të vërtetën dhe mbi të gjitha mbi sinqeritetin me të cilën ajo të përball, pavarësisht se ajo ngrihet ndaj një shteti apo superfuqie.

2.

Në takimet që kam pasur me nxënës dhe studentë, kur jam ftuar të bashkëbisedoj me ta për letërsinë apo edhe për krijimtarinë time, kam ndjerë tek ata një dëshirë për të mësuar të vërtetën, për ta njohur dhe jetuar atë. Gjatë bashkëbisedimeve, vija re se pavarësisht zhvillimit teknologjik dhe informacionit që marrin prej tij, sërish, mjaft prej tyre ata kishin mungesë informacioni për gjera të realitetit të përditshëm shqiptar, me të cilin do të përballen në një çast ambiciet dhe dëshirat e tyre. Mungonte njohja me lëvizjet dhe realitetin që ndeshet në tregun e edukimit dhe të punës. Mjaft prej tyre nuk kishin njohuri për lëvizjen e mekanizmave të ndryshme lëvizëse, influencimin e metodologjive të ndryshme në jetën shqiptare.

Ky nuk është aspak faji i tyre, as i studentëve dhe aq më pak i nxënësve. Gjatë këtyre viteve, atyre iu është servirur një arsimim i mangët, pavarësisht "reformave" që janë ndërmarrë në këtë periudhë mbi çerek shekullore. Por më shumë se sa nga shkolla, brezave që po vijnë po u serviret një komunikim i mangët qysh në familje. Rendja pas ritmit të jetës, problemeve, por edhe virtualitetit sidomos e moshës së mesme, ka bërë që në familjet shqiptare të krijohet një hendek mes etërve dhe bijëve, prindërve dhe fëmijëve. Jo aq në plotësimin e dëshirave të tyre, se sa në komunikimin e ngushtë ndaj problemeve të jetës dhe shoqërisë. Duam apo nuk duam, me dashje apo pa dashje, po rrisim dhe po pregatisim një gjenerata asociale. Ndoshta, duke tentuar t'i mbajmë fëmijët larg problemeve, po ndikohet në përkëdheljet dhe keqedukimin e tyre. Për më tepër, që tashmë nëpër mas-media po serviren si modele "yje" kalimtarë, të cilët veç jetës së tyre të luksit dhe thashetheme nuk thonë asgjë. Por mbi të gjitha, ai që mungon më së shumti është komunikimi i hapur.

3.

Të folurit hapur është një ngërç i vjetër i shoqërisë shqiptare. Të mbrujtur fillimisht me menatlitetin anadollak i të qëndruarit "urtë e butë" ndaj të tjerëve dhe probleme sociale të shoqërisë, i cili zuri rrënjë të forta gjatë sundimit turk për gati pesë shekuj, e më pas me frikën që u instalua dhe u trashëgua gjatë sistemit komunist, për të mos menduar e folur ndryshe, shqiptarët dëshmuan shpirtin e tyre të kompromisit dhe pazotësinë për t'u përballur me të vërtetat. Kjo dëshmoi humbjen e sinqeritetit ndaj vetevetes dhe të tjerëve, dhe evidentimin e karakterit hileqar. Ndoshta po tregohem pak i egër, por nuk po s'di se si ta quaj ndryshe.

Ndërkaq, ajo që duhej të ndryshonte gjatë këtij çerekshekulli të shndërrimit të sistemit politik, ndërgjegjësimit të shoqërisë dhe komunikimi i hapur ndërmjet njëri-tjetrit por edhe problemeve që na shqetësojne, nuk po rezulton të ketë ndodhur në atë masë që pritej. Njerëzit në Shqipëri, edhe tashmë kur po mbyllet edhe dhjetëvjeçari i dytë i shekullit të XXI, ende e quajnë herezi që të flasësh hapur. Model për këtë nuk duhet të shohim numrin e madh të projekteve masmediale (radio, tv, gazeta, revista, portale, etj), as numrin e gazetarëve apo atyre që intervistohen, artistëve, analistëve, shoqërisë civile, etj, por masën e madhe të popullsisë, atyre që ngurrojnë të heshtin edhe kur shohin se individë, biznese, grupe të caktuara apo edhe vet shteti iu bën ndonjë padrejtësi. Ende nuk kemi parë një protestë të vetme ndaj varfërisë, rritjes së taksave, çmimeve dhe inflacionit, apo ndaj politikave të ndryshme sociale që ndikojnë në shëndetin, arsimimin apo pensionet. Mungojnë reagimet ndaj klasës politike, shkaktare të gjendjes ku ndodhemi edhe sot. Kudo sheh varfëri, klane, klanizim, fise, kërcënime për bukën e gojës. Njerëzit nuk po guxojnë të dalin hapur. Mjaft prej tyre kanë zgjedhur të reagojnë nëpër rrjetet sociale, por në këtë epokë moderne asnjë rend, qeveri, shtet apo shoqëri nuk ka ndryshuar prej rrjeteve sociale. Përkundrazi, karvani i varfërisë, padrejtësive dhe korrupsionit ironikisht ka vazhduar të eci përpara.

Pavarësisht ndryshimeve politike gjatë këtyre dy dekadave e gjysmë, shoqëria jonë vazhdon të jetojë në një shtet të varfër dhe si e tillë edhe ajo mbetet e tillë, në mentalitet dhe filozofi. Kjo duhet të ndryshojë. Të flasim hapur, sot është domsodoshmëri. Ndryshe, do të vazhdojmë të endemi kështu edhe për shumë dekada dhe ata që do vijnë pas nesh nuk do të na e falin.

LSI kundër PS-së: Nuk futemi në zgjedhjet e Kavajës, nuk marrim pjesë në farsë

Posted: 29 Mar 2017 07:10 AM PDT

Pas regjistrimit të LSI-së në KQZ për zgjedhjet e 18 qershorit, Luan Rama deklaron se LSI nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e Kavajës.

Rama tha se LSI nuk merr pjesë në këtë farsë ku një vend i NATO-s zhvillon zgjedhje pa opozitën.

Kavaja është një rast i çuditshëm, sepse bëhen zgjedhje për shkak të papërgjegjshmërisë në zgjedhjet e mëparshme dhe gabimit në zgjedhje dhe qytetarëve të Kavajës u jepet mundësia të korrigjojnë gabimin, që nuk e bënë.  

LSI nuk merr pjesë në farsë, është e vendosur dhe do të ushtrojë kontributin që të zhvillohen zgjedhje me standarde Europiane.

Absurde që në 2017 një vend i NATO të zhvillojë zgjedhje pa opozitën” deklaroi ai për Report Tv.

Në kohësinë e lirizmit të poezisë moderne

Posted: 29 Mar 2017 06:05 AM PDT

Nga Anila Kruti

"Mos më pyet ku kam qenë", është libri i ribotuar tashmë i poetit Ilirian Zhupa, i cili që në titull vjen tek lexuesi me kohësinë e vet, sepse ky libër mbart poezi moderne që nuk e humbasin vlerën dhe kohën e tyre. Poezia e Ilirianit ka një empati të veçantë që në vargjet e para që lexon dhe të udhëheq drejt një universi mendimi e ndjesie fine. Mendimi, figuracioni, leksiku, stilemat, janë të zgjedhura me kujdes për të hyrë në një dialog imagjinar dhe për të gjetur veten në vargjet e tij. Diskursi poetik në të gjithë tharmin e librit e bën poetin hyjnor dhe tokësor. Ai vjen poetik,i brishtë,i fortë, i dashuruar,i shfaqur dhe i fshehtë. Ai vjen mes tokës dhe qiellit,stinëve,ditë-netëve,me kohë e pa kohë. Libri hapet me poezinë e parë 'Atdheu'

Atdheu zgjerohej si rrathët mbi ujëra

Këtu poeti na shpalos një dashuri të madhe për Atdheun që sa vjen e rritet, e cila e ka shoqëruar atë që nga vegjëlia e tij e deri tash në udhën e jetës. Po kaq intereante është zëvendësimi i atdheut si emër i përveçëm i gjithë dimensionin esencial të afinitetit, ku dashuria është e jetshme dhe sublime,veçoj vargjet:

E megjithatë mësova kaq gjëra, prapë në mendje më mbeti,

'Atdheu i parë',zëri i nënës,lojnat, përrallat e gjyshes. . .

Shpesh, poeti identifikohet me Vjosën, ashtu si dhe vargjet e tij,që vinë ëmbël, pastaj rrëmbyeshëm, më pas të lenë të mendohesh derisa të merr rrjedha e mendimit dhe të çon në universin e natyrës. I gjithë botëkuptimi i tij në një baladë,që të mbush shpirtin me muzën dhe ndjeshmërinë e vargut, por padyshim dhe mendimit që e shoqëron gjithë poemën. Ndër të tjera tek poema Baladë për Vjosën dhe për vete,veçoj:

Dhe kalë jelebardhë që brigjeve rend

Dhe brymë e mardhur dhe erë dhe shpend.

Asosacioni i mrekullueshëm i kalit brigjeve, apo i shpendit krahasimisht me lumin të jep idenë se ai ecën i lirë bashkë me vrullin e vargjeve,epiteti jelebardhë e bën të gjithë togfjalëshin kristal, ashtu si valët e bardha të lumit, ku mbështjellin shpirtin e poetit dhe rrjedhën jetësore. Po kështu tek kjo poemë, vargjet:

Gjëmon edhe flet, thërret e pisket

Dhe këngë dhe vaj dhe vdekje dhe jetë. . .

Tek vargu i parë shkallëzimi poetik vjen si forcë e mendimit të brendshëm ashtu si vrulli i shtratit të lumit, por edhe shpirtit njerëzor.

Në vargun e dytë, antiteza poetike, kënga-vaji;vdekja-jeta. Këto vargje kanë ndjesi të fuqishme dhe me anë të figurshmërisë poeti është njerëzor,ai shpërfaq destinën e njeriut .

Një tjetër poezi që të mbush me emocion,me lotë, me ndjenjë mëmësie, brengë dhe vuajtje, dhimbje të përhershme duke u futur në shpirtin e poetit, poezia :Ishe fëmijë, shpejtove të rriteshe.

Ku mban dedikimin e shkruar -Nipit tim të vogël-

Hap sytë. Ti largohesh me vrap, pa kuptuar.

Lë prapa veç ca shenja prej ere.

Vrapoj jashtë. S`je askund. Të kam brenda.

Ndjenja atërore, malli dhe dhimbja, dramaciteti, por dhe mbartja brenda shpirtit mbartin dukshëm dashurinë e afinitetit që me vargun e tretë antologjik do të thosha, shpreh dashurinë e terëbotshme të poetit për njeriun e dashur, të mungueshëm fizikisht por madhështor dhe të jetshmëm, brenda shpirtit.

-Lirizmi modern si himn i dashurisë gjithë-dimensionale

Lirizmi magjik,idili i dashurisë me ngjyresa të shumëfishta emocionale ku poeti niset nga uni vetiak, për të gjetur veten më pas në kumtin që përçon strofa, apo poezia, vinë befasishëm, të gjetura dhe kredo poetike mes tij dhe universit njerëzor.

Lirizëm i gjallë, tronditës, i jetshëm dhe herë herë vdekatar. Poeti lartëson unin e tij në emër të dashurisë njerëzore për të hyrë në komunikim me lexuesin, sigurisht. Vargu estetik, por edhe plot mendim udhëton me poetin,ndërsa ai është altruist,i paqtë dhe i natyrshëm.

Tek poezia Borxhet e dashurisë, veçoj vargjet:

Jam veshur hollë në këtë botë të ndjeshme,

Gjithkush që më do ma hollon veshjen. . .

Mungesa e dashurisë, por edhe kumti i saj të shkrira me një ndjesi fine i japin vargjeve ngjyresa të gjalla. Poetët gjithnjë shkruajnë për mungsa, por mungesa të trajtuara në mënyrë lakonike dhe lirike e bëjnë heroinën lirike të pushtueshme në vlerën e saj dashurore.

Nga poezia Është vonë të më mungosh, veçoj vargjet:

Më mungojnë shumë gjëra, por ti më mungon e para.

Po,kështu mendimi filozofik, revolta shpirtërore ndaj kohës e shoh të qepur aq bukur në dy poezi tepër domethënëse,Manikinët dhe Njeriu prej leckash, veçoj vargjet:

Rrimë në vitrinë . . .

Na veshin,

Na zhvshin,

Na fshijnë.

Ne presim të qetë dhe heshtim

Se jemi manekinë .

Njeriu prej leckash

Përkulet majtas e djathtas nga shkulmat e forta të dimrit.

Shtrëngon fort kapelën mbërthyer nën mjekrën e ftohtë.

Mendoj se, këtu poeti shpreh revoltën shpirtërore ndaj njerëzve të përshtatur me destinën e shoqërisë së asaj kohe,por edhe revoltën e tij për të kundërshtuar me forcë atë çfarë ngjet.

Komunikimi me natyrën të cilës i referohet poeti, por edhe hapësirës kozmike, ku spektri i vargjeve thelbësohet nga fryma e dashurisë fryma. Verbi unik ku sintetizon figurshmërinë letrare e bëjnë poezinë ta lexosh me endje. Shtjellimi i së bukurës, me ngjyra të holla, për të vizatuar figurën delikate të femrës me vijën paralele të mështenkës si gjetje e veçantë, poeti i sjell fluide dhe të skaliten në mendje. Veçoj poezinë:

Mos më prek

Mos më prek!

– më ka thënë një mështenkë në rrugë,

-Kam lëkurë të hollë,

Prekja jote lë gjurmë. . .

Tek ky libër ndoshta ka edhe më shumë thesare dhe gjëra të pagjetura nga unë,por si lexuese dhe krijuese së njëjtës gjini letrare,mendoj që ky libër është i tërëkohshëm, sepse poezia ka verb të fuqishëm esencial dhe estetik. Poezi të tilla si poezia e poetit Zhupa, të shijojnë dhe lënë gjurmë në kujtesë dhe në shpirt kanë fatin hyjnor të jenë universale.

“Vatra”, letër gjykatës franceze: Lironi Ramush Haradinaj!

Posted: 29 Mar 2017 05:59 AM PDT

Në një letër, të shkruar në gjuhën franceze dhe dërguar Gjykatës së Apelit të Colmar-it, Francë, Federata Panshqiptare e Amerikës "VATRA", kërkon që heroi i Luftës së Kosovës, Ramush Haradinaj, të lirohet nga akuzat e sajuara të Serbisë.

Në letrën e Federatës Vatra, ndër të tjera shkruhet: Federata Panshqiptare e Amerikës "Vatra", shoqëria më e vjetër që përfaqëson diasporën shqiptare që prej vitit 1912, mendon se mbajtja e z. Ramush Haradinaj nën kontroll gjyqësor, vendosur nga Gjykata e Apelit të Colmar-it, mbështetet mbi baza juridike të kontestueshme dhe se është me pasoja të rrezikshme për paqen dhe stabilitetin në Ballkan. Ajo mendon se kjo çështje është tërësisht politike dhe se po përdoret nga Serbia vetëm për qëllime provokuese që nxisin urrejtjen ndaj popujve ballkanikë, dhe posaçërisht ndaj popullsisë shqiptare të Kosovës.

Serbia vazhdon të mos njohë pavarësinë e Kosovës, megjithëse kjo pavarësi është pranuar ligjërisht më 2010 nga Gjykata ndërkombëtare e Drejtësisë dhe sot njihet nga 114 shtete. Serbia i mohon z. Haradinaj dhe popullit kosovar çdo nënshtetësi që nuk është serbe, si dhe të drejtën për të jetuar të lirë e të pavarur në kufijtë e tyre të ligjshëm, ndërkohë që vetë Serbia nuk ka juridiksion mbi qytetarët kosovarë.

Duke abuzuar me kuadrin juridik ndërkombëtar, Serbia ka lëshuar mandate arresti ndërkombëtar ndaj tij dhe ndaj shumë personaliteteve politike kosovare, ndërkohë që z. Haradinaj është paraqitur vullnetarisht në TPI dhe Gjykata ndërkombëtare e Hagës e ka shpallur më 2012 të pafajshëm për të gjitha akuzat që i janë bërë.

Veteran i UÇK-së, hero i Luftës së Kosovës, ish kryeministër i Kosoves,  dhe drejtues aktual i AAK (Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës), Z. Haradinaj, është një personalitet i shquar dhe shumë i respektuar në gjirin e popullit shqiptar të Kosovës.

Federata "Vatra", që ka dorëzuar tashmë dy peticione të nënshkruara tek autoritetet franceze, bën edhe një herë thirrje për lirimin e z.Haradinaj, me qëllim që të marrin fund veprimet provokuese të Serbisë ndaj personaliteteve politike kosovare dhe ndaj pavarësisë së Kosovës.

New York, mars 2017.

Sekretare                       Kryetari i Federatës "Vatra"

Nazo Veliu                           Gjon Buçaj

 

 

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more