Skip to main content

Tirana Observer: “Kush është “Rasputini” i Shtëpisë së Bardhë që Basha i kërkoi ndihmë” plus 9 more

Tirana Observer: “Kush është “Rasputini” i Shtëpisë së Bardhë që Basha i kërkoi ndihmë” plus 9 more


Kush është “Rasputini” i Shtëpisë së Bardhë që Basha i kërkoi ndihmë

Posted: 28 Mar 2017 09:55 AM PDT

Shkrim për Lulzim Bashën  në portalin amerikan Breitbart.com ka bërë zhurmë në Tiranë.

Por cili është Stephen Bannon, këshilltar politik i presidencës Trump që ka themeluar portalin ekstrem të djathtë "Breitbart News"?

"American Eye" sjell një profil të  Stephen Bannon, i cilësuar si një Rasputin i kohëve moderne, dhe si një racist, anti-semit, dhe pro nacionalistëve të bardhë.  

Stephen K. Bannon, producent filmi dhe agjitator mediatik është aktualisht njeriu me më shumë ndikim në Shtëpinë e Bardhë.

Bannon ka vënë në qendër të pushtetit botëror, metodat dhe ideologjinë që e shndërruan median e tij "Breitbart", në zërin më të lartë të ekstremit të djathtë.

Gjurmët e tij shihen në vendimet e para të administratës Trump, si ndalimi i përkohshëm i refugjatëve dhe emigrantëve nga disa vende myslimane dhe ashtu si ideolog të tjerë të "trampismit" kombinon nacionalizmin ekonomik me mbrojtjen e kufijve të mbyllur dhe bindjen se i ashtuquajturi "islamo-fashizëm" është rreziku më i madh për civilizimin perëndimor. Është cilësuar si pushteti në hije, "Rasputini i kohëve moderne" i Trump.

Detyra e tij, shefi i strategjisë së Shtëpisë së Bardhë dhe këshilltar i Trump, i jep akses të privilegjuar në zyrën ovale. Vetëm pak ditë nga mbërritja në Shtëpinë e Bardhë presidenti i dha një kolltuk në komitetin drejtues të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, organizmi që koordinon politikën e jashtme dhe të sigurisë së Shtëpisë së Bardhë.

Atij i atribuohet autorësia, së bashku me Stephen Miller, e fjalimit të inaugurimit të presidentit më 20 janar, një fjalim me retorik populiste dhe nacionaliste të cilën e kultivon prej vitesh në dokumentarët e tij dhe në "Breitbart".

Polemikat rreth emrit të tij u ndezën që në ditën e parë që u bë i ditur emërimi. Shumë zëra hebrenj, myslimanë dhe jo vetëm shprehën shqetësimin e madh.

Në fakt Bannon u akuzua si "antisemit, maskilist dhe racist", ndërsa sajti që ka drejtuar ka përhapur shpesh herë teza konspirative. Lidhja Anti Shpifje (ADL), organizatë me bazë në Nju Jork që merret me luftën ndaj antisemitizmit në një komunikatë, u shpreh asokohe se "ishte kundër nominimit të Steven Banonn".

"Është e trishtë kur një njeri që ka kryesuar sajtin ueb kryesor të "alt –right", një grup nacionalistësh të bardhë, antisemit të pafytyrë dhe racistë, zgjidhet për të qenë pjesë e personelit të nivelit të lartë të Shtëpisë së Bardhë", ishte denoncimi i presidentit të ADL, Jonatan Greenblatt. Që kur Bannon mori drejtimin e "Breitbart News" i themeluar nga konservatoir Andrew Breibart, sajti është pozicionuar aq djathtas saqë është bërë një pikë referimi për supremacinë e bardhë.

Gjatë fushatës elektorale ka përhapur teza konspirative si për shembull ajo sipas të cilës asistentja e Hillary Clinton, Huma Abedin, është spiune e Arabisë Saudite. Breitbard, theksojnë shoqata të ndryshme hebraike dhe anti-raciste, shpesh i cilëson disa personazhe politike si "çifuti", apo "çifutja". Edhe në jetën private Bannon është akuzuar për anti-semitizëm.

Në dosjen e divorcit ish gruaja Mary Loiuse Piccard ka pohuar në gjykatë se Bannon nuk donte që vajzat të frekuentonin shkollat private në Los Anxhelos sepse aty kishte shumë student hebrenj. Bannon, i cili kohë më parë e përkufizoi veten si "leninist" që do të shkatërrojë establishmentin, shfaqet si arkitekti i revolucionit, apo gjeniu i së keqes.

Nuk është e lehtë të kuptohet se sa reale dhe sa legjendë janë pohimet që rrethojnë këtë njeri, por ama e sigurt është që legjenda e vesh me pushtetin e artë: Pak kohë më parë Time dhe New York Times ngrinin pyetjen nëse realisht ishte ai presidenti dhe jo Trump. SHBA-të kanë një traditë përsa i përket gjenive në hije, real apo imagjinar.

Në epokën e George W. Bush, presidenti i fundit republikan para Trump, ishin intelektualët neo-konservatorë si zëvendës/presidenti Dick Cheney, apo strategu Karl Rove. Trump, i cili ka dekada në jetën publike nuk është produkt i Bannon, por Bannon dhe të tjerë si Prokurori i Përgjithshëm, Jeff Sessions, kanë gjetur tek ai mjetin për një ideologji deri tani margjinale.

Në Shtëpinë e Bardhë Bannon, Sessions dhe këshilltarë të tjerë garojnë për influencë me figura si Reince Prieus, shefin e kabinetit, një republikan tradicional, anëtar i kastës së politikanëve profesionistë që Bannon u ka dedikuar gjysmën e jetës për t'i shkatërruar.

Skandali me mishin brazilian, bllokohen 188 ton në Shqipëri

Posted: 28 Mar 2017 08:43 AM PDT

"Porti i Durrësit është i vetmi prej të cilit hyjnë ngarkesat me mish nga Brazili. Për një muaj, çdo import i këtij produkti nuk do të lejohet të kalojë ne territorin shqiptar, pa iu bërë më parë analizat."

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit i ka bllokuar importet prej dy ditësh.

Këtij urdhëri i është shtuar një udhëzim i Ministrisë së Bujqësisë, i cili detyron autoritetet që të bëjnë kontrolle derisa të jetë e qartë nëse mishi brazilian është brenda standardeve.

Deri tani, Shqipëria ka bllokuar 134 ton mish derri dhe 54 ton mish pule, në magazinat frigoriferike të tre subjekteve që ndodhen në Tiranë, një në Fier dhe një tjetër në Elbasan, raporton Tv Klan.

Kontrollet po kryhen pasi mishi i ardhur nga Brazili ka arritur të thyejë edhe rregullat e sigurisë në vendet e Bashkimit Europian. Destinacioni i tij është për çdolloj konsumi.

Por sa e kanë autoritetet shqiptare nën kontroll situatën? Shoqata e Prodhuesve të Mishit thotë se siguria ushqimore në vendin tonë nuk është aty ku duhet.

Ekspertët e ushqimit thonë se është e vështirë të fshehësh mishin e kalbur, për shkak të erës së tij, por dyshimet janë se mbi të hidhen solucione që largojnë çdo lloj arome.

33 zyrtarë në Brazil janë nën hetim për dyshime se janë përfshirë në skandalin e eksportit të mishit të viçit të kalbur. Brazili eksporton çdo vit 11 miliardë dollarë mish, duke nxjerrë në vend të dytë Kinën, nga fuqia eksportuese e këtij produkti.

Videoja tallëse me Andi Lilën, kërkohet shkarkimi i imamit Ahmed Kalaja

Posted: 28 Mar 2017 08:38 AM PDT

Videoja e publikuar në rrjetet sociale ku futbollistët e Kombëtares Shqiptare, Armando Sadiku dhe Andi Lila, shfaqeshin në dhomën e një hoteli duke u tallur me përfaqësuesit e klerit ortodoks është bërë objekt debatesh dhe diskutimesh të shumta.

Por nëse dy futbollistët ia hodhën "paq", autori i videos, imami Ahmed Kalaja do të përballet me pasojat.

Komiteti Shtetëror për Kultet iu ka kërkuar zyrtarisht me anë të një letre, shkarkimin e Ahmed Kalasë nga detyra e imamit të xhamisë tek "Rruga e Kavajës" në kryeqytet, raporton BalkanWeb.

Kërkesa e Komitetit të Kulteve ka për bazë videon, ku shfaqet imam Ahmed Kalaj, që sipas zyrtarëve të qeverisë ka cënuar dhe prishur me dashje harmoninë ndërfetare në vend.

Shumë shpejt do të thirret dhe një mbledhje ku do të merret edhe vendimi për imamin, Ahmed Kalaja, pa saktësuar nëse ai do të shkarkohet apo jo nga kjo detyrë e lartë fetare.

Pas daljes së videos, Kalaja kërkoi ndjesë për gjithçka kishte ndodhur duke thënë se shakatë ishin bërë edhe me priftërinjtë edhe me imamët.

Ai theksoi se nuk do t'i lejonte kurrë vetes që mendimet dhe bindjet e tij për klerikët apo pjesëtarë të komuniteteve te tjera fetare, të jenë në kundërshtim me mësimet e Islamit.

INTERVISTA/ Parashqevi Simaku: Ju rrëfej Amerikën time!

Posted: 28 Mar 2017 08:20 AM PDT

Parashqevi  Simaku, këngëtarja e dashur e shqiptarëve iku nga Shqipëria në vitin 1992. Asnjë lajm prej saj, derisa u rikthye. Për të marrë pjesë në Festivalin e Këngës dhe dhënë një koncert në Shqipëri. Ishte viti 1997. Koha e gabuar për ta bërë këtë. Në Shqipëri luftohej.

Parashqevia dha këtë intervistë, në Hotel Rogner, për gazetaren Rudina Xhunga. Ishte 14 shkurt 1997.

Ndaj edhe pse në Shqipëri kishte luftë, të gjitha pyetjet janë për dashurinë.

Intervista nuk u botua për shkak se gazeta "Koha Jonë" u dogj më 2 mars 1997.

Ajo u botua e plotë, vetëm pas rihapjes, më 4 maj 1997.

Prej asaj kohe Parashqevei Simaku nuk ka folur më kurrë, askush nuk di çfarë ndodhi me të. Përveçse dimë me siguri që e duan akoma. Në Shqipëri, këtë divë të këngës, e duan të gjithë.

Nga Rudina Xhunga

Na thoni një datë që e veçoni nga të tjerat?

Dita e të dashuruarve. Në 14 shkurt '96, Robert, im shoq më propozoi martesë. Atë mbrëmje shkurti, ai më ftoi në restorantin Xhons të Beverly Hills, ku më dhuroi unazën e familjes së tij. Më pas mësova se po në atë restorant ishte martuar dhe Merlin Monro.

Si u njohët?

Nuk pata ndonjë romancë dashurie, sepse e vetmja dashuri që më ka lindur, më zhvillohet dhe besoj s'do më vdesë kurrë, është muzika, por s'kam harruar kurrë se në jetën time familja zë një vend të rëndësishëm. Njohja jonë erdhi për shkak të punës së përbashkët. Ai ishte instrumentist, i binte kitarës dhe këndonte në grupin, ku e shoqëruar nga 6 muzikantë, unë këndoja. Ndërsa po i jepnim dorën e fundit punës për të përfunduar albumin tim, më pyeti një ditë nëse mund të dilnim bashkë.

Përgjigja juaj ishte menjëherë po?

Një shqiptare nuk thotë menjëherë po, qoftë dhe në Amerikë. Unë kujtoj t'i kem thënë: "Puno me mua, ose dashurohu me mua", ndërsa ai m'u përgjigj se nuk do t'i pëlqente t'i ndante. Ai është shumë simpatik dhe unë duke i lënë refuzimet mënjanë, i shpjegova, që më parë duhet të respektonte traditën e vendit tim, pra t'i kërkonte dorën e vajzës, prindërve të mi, me anë të një letre. Kjo në fillim s'i pëlqeu shumë, por duke shkruar një letër të gjatë, të gjatë, nisi t'i dukej gati zbavitës fakti që iu shkruante dy njerëzve të panjohur, kundrejt të cilëve ndjente detyrim shpirtëror. Prindërit e mi i kthyen përgjigje pas dy javësh dhe pasi u prezantova në familjen e tij, për të dy nisi një jetë tjetër, një jetë e përbashkët që na duket sikur do të vazhdojë përjetësisht. Me kohë, kam kuptuar se ia vlen të ndash jetën tënde me një njeri të mrekullueshëm si Robert.

Robert është i mrekullueshëm, pse është i bukur, apo ka të tjera veti dhe karakteristika të padukshme për syrin e të panjohurit?

Është vështirë të flasësh për burrin tënd, por ajo që më duket kryesorja është ndjeshmëria e tij, ngrohtësia njerëzore me të cilën të rrethon, dashuria që të dhuron.

Ju e kishit thirrur ngaherë në ëndrrat tuaja një njeri si ai?

Unë kisha shkruar një listë dikur, me 10 veti që duhet t'i kishte bashkëshorti i ardhshëm. Roberti ka 13.

Pra në vitin '92 kur u larguat nga Shqipëria ishit pothuajse e bindur, se, askush këtu nuk do mund të qe i denjë për listën tuaj 10 kërkesëshe?

Nga Shqipëria ika zemërthyer prej lidhjes me një njeri i cili dukej se ecte në një rrugë krejt të kundërt nga e imja. Kur kuptova se sado të përpiqesha, rrugët tona s'do e kishin kurrë një pikë të përbashkët, sakrifikova dhimbjen time, për t'u larguar drejt së panjohurës, por jo me ide krejt të paqarta, pse ajo që gjithmonë më ka udhëhequr, ka qenë ambicia për të ecur në rrugën e artit.

Tani që jeni mirë, ç'kujtoni nga koha kur ishit keq?

Unë jam munduar të ruaj nga ajo histori dashurie vetëm të mirat, të bukurat, të cilat i kam bërë pjesë të jetës sime. I jam mirënjohës atij njeriu për ç'më dha dhe kam hedhur në harresë gjithë vuajtjet dhe dhimbjet.

Ç'e bënte të pamundur lidhjen tuaj?

Mospasja e idealeve të përbashkëta.

Ideali juaj ishte muzika. Po i atij?

Politika. Unë i jam dedikuar e gjitha idealit tim dhe them se nuk do e braktis kurrë. Për të s'di gjë.

Personit që s'doni t'i përmendni emrin, është pra një aventurë e harruar?

Ndjenja për të ishte plotësisht dashuri.

Pra dhe kur zemra thyhet një herë, sipas jush ngjitet sërish. S'ka gjë të pariparueshme?

Ka gjëra më të rëndësishme në jetë se dashuria…

Si për shembull martesa?

Jo pikërisht ajo. Për mua më e rëndësishme ishte riedukimi i vetvetes. Nëse ke synim të ecësh para, duhet të mos e harrosh të shkuarën, por të mos guxosh kurrë të kthesh kokën pas. Në të kundërt rrëzohesh.

Ju keni kaluar gjithë vështirësitë e mundshme dhe tani jeni një zonjë elegante dhe e qetë, apo pavarësisht nga ndryshimi i mbiemrit keni ngelur Parashqevi Simaku?

Deri tanimë unë kam mësuar, eksperimetuar, gabuar dhe pësuar. Tani po nis jetën e vërtetë.

Tregoni një gabim tuajin sentimental, pse ai ndikon dukshëm tek puna, sidomos kur puna është arti.

Jam zemërbutë dhe duhet ta kenë shkelur me mua. Kaq.

Pa emra?

Sigurisht.

Pra sipas jush thashethemet e pazakonta kanë krijuar një imazh irreal për ju?

Thashethemet për artistët, janë nga më të paimagjinueshmet, por unë mundohem t'i marr për kompliment. Madje të tilla ngacmime për mua dikur ishin bërë pjesë e jetës, aq sa gjatë qëndrimit në Amerikë ndjeja se më mungonin.

Shkollën 8-vjeçare dhe të mesme në Kavajë. Mandej befas e famshme dhe më tej studente e dramës. Një gjah i mirë për thashethemet…

Unë jam vajzë e dy prindërve që si shumë të tjerë në Shqipëri nuk kanë pasur mundësi të përfitojnë nga puna e tyre. Kësisoj më është dashur të luftoj si për ëndrrat dhe për mundësitë ekonomike.Jam munduar sidomos të ndihmoj mesa mundem familjen time. Babai dhe nëna ime janë dashuria dhe mbështetja shpirtërore më e madhe që kam pasur ngaherë. Atyre iu dedikoj jetën dhe ëndrrat e mia. Ata ishin artistë të lindur dhe kultivuan e lejuan tek unë ndjenjën artistike, me gjithë thashethemet dhe ngacmimet e zakonshme që më rrethonin, e që asnjë prind s'dëshiron t'i dëgjojë për bijën e vet.

Unë nuk kam bërë asnjëherë me ta artisten, por fëmijën e përulur, vajzën që lan, pastron shtëpinë, që s'del, kur ata nuk duan, që para se të futet në shtëpi nga shfaqja, fshin trukun që ata s'e durojnë dot, që ju kërkon kohë, pak kohë për martesë, duke ju premtuar se padyshim një ditë do t'i gëzojë si cilado vajzë, prindërit e vet, me martesën e aqpritur.

A ju ka kërkuar nëna juaj të martoheshit me ndonjë djalë të mirë në Kavajë?

Si jo. Madje më kishte zgjedhur një djalë simpatik, nga familje e mirë, që sipas saj ishte ideali.

Mendoni se do të vazhdonit të këndonit tani,  po të ishit martuar me djalin nga Kavaja?

Mendoj se do të kishte nisur dhe ai të këndonte duet me mua.

Nëna juaj s'është penduar që ju la kohën të cilën kërkonit?

Prindërit e mi janë të kënaqur nga zgjedhja ime, madje një mbrëmje nëna më hapi dy valixhe ku ishin ruajtur ato që kishte blerë me rrogën e ruajtur në vite, për pajën time. U lumturova dhe i premtova se do t'i merrja të gjitha në Amerikë. Kur blinte ato, duke kursyer nga ushqimi i përditshëm, me siguri ajo ka ëndërruar për të bijën një burrë si ai që unë kam tani. Ndaj jam e lumtur që e bëra të lumtur.

Robert është shqiptaro-amerikan?

Prej 100 brezash amerikan.

Çfarë i treguat nënës suaj për Robert, kur e sollët në Shqipëri?

I thash se ne jemi të dy heronj, pse prej ditës që jemi njohur bashkë, nuk jemi ndarë asnjë moment dhe kjo jo vetëm që nuk na lodh, por na lidh më shumë. Bashkëpunojmë, bisedojmë, argëtohemi dhe nuk e kuptojmë s'i kemi bërë, kur nuk njiheshim.

Ju duket e pamundur ekzistenca e të tretit, fëmijës?

Fëmija është i mirëpritur, po erdhi, por për ne të dy do të qe mirë të mendonim ende për të ardhmen tonë profesionale, para se ai të na trokasë në jetën e përbashkët. Robert është laureuar në ekonomi, është një instrumentist i shkëlqyer, por e ka lënë në pritje karrierën e tij duke m'u përkushtuar mua, pse ka shumë besim tek talenti dhe dëshira ime për të ecur. Ne porsa kemi përfunduar një album "Fluturoj brenda tempullit tim" ku këngët janë shkruar dhe kompozuar 80% nga unë dhe 20% nga ai.

Ju në Shqipëri vetëm keni kënduar. Tani si keni mundur dhe të kompozoni?

Më parë unë nuk e kam provuar. Në Amerikë kam studiuar dhe punuar duke mundur së fundi të kompozoj, sidoqoftë jo krejtësisht vetëm. Krahë më ka dhënë sidomos kënga popullore shqiptare që e kam kënduar për aq shumë kohë në Shqipëri.

Dhe në Amerikë fillimisht?

Po, në Amerikë më ftoi një familje dibrane e cila më lidhi një kontratë pune nën restorantin e saj në Nju Jork. Vetëm se nuk këndova ato këngët e trishtuara popullore që linin shije të keqe, por shfrytëzova fillimisht repertorin tim të muzikës popullore dhe asaj të lehtë. Ndjenjat që përcillja tek shqiptarët në Amerikë, fitimi fillestar, nisi të më pëlqente, por pa harruar që sapo kisha hyrë dhe duhej të vazhdoja. U njoha me Antoni Athanas, i cili është heroi i ëndrrës sime. Ai kishte arritur majat e suksesit dhe përderisa Amerika atij ia kishte dhënë këtë mundësi, pse të mos ma jepte mua. Ndaj i kërkova një mendim të sinqertë dhe ai së pari më këshilloi hapin e parë, të mësoja gjuhën. Mandej më prezantoi me Stan Dragotin, të cilit i thashë se nuk kërkoja prej tij të më bënte artiste, por si thotë fjala e vjetër amerikane: "Fati është të njihesh me njerëzit e duhur në kohën e duhur". Për mua njeriu i duhur ishte ai, koha më ngelej ta përcaktoja. Për një vit jetova e vetme në Nju Jork, ku fillova një kurs intensiv gjuhe, të shoqëruar nga njohja e muzikës amerikane.

Si e siguronit financimin e kurseve?

Duke punuar padyshim shumë dhe duke dëshiruar shumë të arrij. Në Amerikë mjafton të duash dhe të dish të kërkosh atë që do, është i vetmi vend, ndoshta, ku cilido qofsh, s'ka ëndërr që s'të bëhet realitet.

Veç martesës suaj, jeta juaj sentimentale në Amerikë ka qenë e bardhë, e zbrazët?

Ka qenë e mbushur me eksperienca të ndryshme, por jo të rëndësishme. Dashuria e vetme që më mbante ka qenë afrimi tek ëndrra që sa më shume i afrohesh aq më shumë të largohet. Unë kam temperament, di të kërcej, të josh, të vishem, mësohem shpejt me të renë, por të gjitha di t'i tregoj me masë, e aty ku duhet. I përkas një vendi konservator si Shqipëria, një familjeje ku nëna rrinte në radhë për ushqimin tonë, ndaj s'ka si të mos e njoh ndjenjën e masës.

Si tentuat mandej Hollivudin?

Një profesor i imi, pasi nisa të këndoj anglisht në restorantet amerikane më këshilloi: "Simaku provo Hollivudin. Konkurrenca duhet parë në sy që të përballet dhe konkurrenca e artit është Hollivudi". Takova sërish z. Dragoti që u habit nga anglishtja ime e përmirësuar dhe më ndihmoi duke më prezantuar me njerëz që dikur për mua ishin copëza të ëndrrës, e cila në saj të dashamirësisë së njerëzve që kisha rrotull dhe këmbënguljes sime, po bëhej realitet.

Ka aq shumë amerikanë që këndojnë. Pse një shqiptare duhet të fitojë lojën në tokën e tyre?

– Sepse ata janë të gjithë njësoj. Unë jam ndryshe, muzika ime, të kënduarit tim, folklori i vendit tim, shpirti im, ambicia ime është ndryshe, është shqiptare. Një origjinalitet ngaherë e kudo mirëpritet.

Ju jeni e mirëpritur në Amerikë?

Kam 4 vjet që jetoj atje. Pas kaq kohësh munda të arrij në pragun e ëndrrës amerikane për të qenë dikush. Tani për mua dera është e hapur. Puna është në do futem me këmbën e majtë, apo atë të djathtë.

Dhe ndërsa gjendeni në prag të ëndrrës befas ju e lini mënjanë për t'ju kthyer të shkuarës, Shqipërisë.

Shqipëria është vendi të cilit i përkas unë dhe gjithë ç'do mund të realizoj në jetë. Më është dukur këto kohë se isha gati profesionalisht të nisja koncertet në Europë dhe si pikënisje do të ishte vendi im. Situata përkohësisht nuk më duket e përshtatshme, pasi punët s'duken se po shkojnë mbarë, por mendoj se vështirësitë si në jetën e një njeriu dhe të një kombi janë pjesë e rimëkëmbjes. Unë nuk munda të jap këtu koncerte, por kjo s'do të thotë se s'do kthehem sërish.

Im shoq që është njëkohësisht dhe menaxheri im po lidhet me disa firma të huaja që do na mundësojnë shfaqjet në disa vende të Europës dhe unë mendoj se kënga popullore shqiptare e përpunuar, e moderuar, kënduar prej meje jo vetëm do të pëlqehet, por edhe do të duartrokitet në skenat e Europës që e kanë njohur dikur këtë këngë nga zëri i paharrueshëm i Vaçe Zelës dhe duhet të vazhdojnë ta njohin e ta dallojnë nga muzika e popujve të tjerë, pse vërtetë kënga jonë është ndryshe, është e bukur, është e mrekullueshme. Ajo është vetë fati dhe çelësi i suksesit për kë provon ta paraqesë në skenat e huaja dhe të pretendojë duartrokitje, lule dhe sukses.

Unë kam investuar shumë për të ardhmen time. Kam harxhuar gjithë ç'kam fituar për edukimin tim profesional e atë njerëzor. Tani kam gjithë mundësitë jo vetëm për ta paraqitur shkëlqyeshëm vetveten, por dhe vendin tim, folklorin tonë të jashtëzakonshëm.

Besoni tek ato që thoni apo siç e treguat në skenën e festivalit ju pëlqen ekzibicioni?

Në festival nuk bëra ekzibicion, por thjesht u kënaqa kur im shoq m'u afrua e më puthi ndërsa këndoja për herë të parë bashkë më të, në një skenë ku ngaherë kisha qenë e vetme. Besoj se nuk është i mençur ai që tregon përralla, por ai që bën përrallën e vetë realitet./dritare.net

Ofendoi gjyqtarin, Leo Messi pezullohet 4 ndeshje

Posted: 28 Mar 2017 07:56 AM PDT

Lionel Messi është pezulluar katër ndeshje për ofendim ndaj asistent arbitrit, në fund të ndeshjes, e cila vuri përballë Albiceleste me ekipin kombëtar kilian, të premten e kaluar, në Buenos Aires.

Messi nuk do të luajë sonte kundër Bolivisë, pastaj ndaj Uruguajit (31 gusht), Venezuelës (5 shtator) dhe Perusë (tetor 5). Messi shënoi golin e vetëm të fitores 1-0 të së enjtes ndaj Kilit, teksa goditi saktë nga pika e bardhë, pas arbitri Sandro Ricci dha një penallti të dyshimtë, për një shtyrje ndaj Angel Di Maria.

Por, ylli i Barcelonës, u zemërua nga gjyqtari anësor, Marcelo Van Gasse, në pjesën e dytë, të cilin thuhet se e ka abuzuar verbalisht."F*** off, your mother's c***," është raportuar që ai t'i ketë bërtitur Van Gasse, para se të refuzonte për t'i dhënë dorën mbas vërshëllimës përfundimtare.

Seks pa frena në “Euro 2016”, Islanda me rekord lindshmërie pas 9 muajsh

Posted: 28 Mar 2017 07:30 AM PDT

Suksesi historik i Islandës në finalet e "Euro 2016", fitorja e paharrueshme dhe kualifikimi i saj në kurriz të Anglisë në "Euro 2016", duket se ka frymëzuar një brez të tërë të rinj tifozësh, të cilët kanë lindur 9 muaj pas atij momenti deliri të këtij populli ishullor.

Referuar informacioneve nga spitalet (maternitetet) islandeze, është zbuluar se ka ardhur në jetë një numër rekord foshnjash të hënën, pikërisht nëntë muaj pas natës heroike në Nisë, shkruan britanikja The Sun.

Kombëtarja islandeze e futbollit, e cila renditet e 23-ta në botë, ka gëzuar një prej sukseseve më të mëdha të veta sportive, kur mposhti "Tre Luanët" me rezultatin 2-1, më 27 qershor të vitit të kaluar.

Rezultati shkaktoi festime të mëdha nga tifozët e ngazëllyer islandezë në Francë, si dhe në bare e restorante të vendit të tyre.

Dhe natyrisht, këto festime kanë kulmuar plotësisht natën e 27 qershorit, që ka qenë tejet e nxehtë, çka konfirmohej edhe nga stafi i "Landspitali" gjatë fundjavës, që njoftoi për një rekord lindshmërie, si asnjëherë më parë.

Vuçiç do vizitojë Kosovën, Prishtina i jep leje

Posted: 28 Mar 2017 06:22 AM PDT

Kryeministri serb Aleksandar Vuçiç pritet të udhëtojë të mërkurën drejt veriut të Kosovës, ku do të vizitojë kompleksin e Trepçës dhe do të takohet me minatorë e qytetarë të zonës, përpara se të mbajë një tubim elektoral në Leposaviç.

Qeveria e Kosovës ka marrë vendimin për ta lejuar këtë vizitë.

Vetë ministri i Jashtëm Enver Hoxhaj e pohoi një gjë të tillë gjatë konferencës për shtyp të mbajtur pas takimit me kreun e diplomacisë së Luksemburgut.

Vuçiç do të ketë mundësi të qëndrojë në Kosovë për tre orë.

Ai pritet të ndalojë në komunat serbe edhe pse ende nuk ka informacion nëse zgjedhjet presidenciale të Serbisë, të planifikuara më 2 prill, do të mbahen edhe në Kosovë dhe në çfarë forme do të ndodhë kjo.

Misioni i OSBE-së ka marrë pjesë javët e fundit në një seri takimesh ku është diskutuar mundësia e zhvillimit të këtyre votimeve. Konsultimet kanë përfshirë figura të rëndësishme në Prishtinë e Beograd, por pavarësisht intensitetit të tyre nuk ka ende asnjë rezultat përfundimtar.

Zyrtarët e Listës Serbe, që përfaqëson komunitetin serb në institucionet e Kosovës, argumentojnë se dyshtetësia u jep të drejtën serbëve që të votojnë për zgjedhjet presidenciale të Serbisë.

Ndërkohë, Komisioni Zgjedhor në Beograd miratoi ditë më parë udhëzimin për mbajtjen e zgjedhjeve në Kosovë, ku parashikohet zhvillimi i tyre me mbështetjen e OSBE-së, e cila do të përkujdeset për transportin e materialit zgjedhor nga kalimi kufitar deri tek vendvotimet dhe anasjelltas.

Tiranë, lavazhieri i vjedh monedhën prej floriri emigrantit nga Anglia

Posted: 28 Mar 2017 06:19 AM PDT

Një 40-vjeçar është ndaluar nga policia e kryeqytetit për vjedhje.

Xhavit Hafuzi, banues në Tiranë, i cili duke punuar si lavazhier, ka vjedhur një monedhë floriri sterlinë angleze në mjetin tip "Mazda", në pronësi të shtetasit A.V, vjeç 43 banues në Tiranë.

40-vjeçari e ka shitur monedhën në një argjendari, kundrejt shumës 34.000 lekë, e cila u bllokua me cilësinë e provës materiale.

Ronaldo dhe Mourinho, më të pasurit e futbollit

Posted: 28 Mar 2017 06:03 AM PDT

Cristiano Ronaldo dhe José Mourinho janë më të pasurit e futbollit botëror.

Sipas klasifikimit të publikuar nga France Football, mes pagesës, shpërblimeve dhe të ardhurave nga reklamat, gjatë sezonit 2016-2017 ylli i Realit të Madridit ka përfituar plot 87,5 milionë euro.

Në vendin e dytë pozicionohet Lionel Messi në kuotën e 76,5 milionë eurove, ndërsa i treti është braziliani Neymar, në kuotën 55,5 milionë euro.

Mes pesë futbollistëve më të paguar në botë janë edhe sulmuesi uellsian i Realit të Madridit, Gareth Bale me 41 milionë euro dhe ish-sulmuesi Napoli e PSG, Ezequiel Lavezzi, që nga kinezët e Hebei Fortune përfiton një çek me vlerë 28,5 milionë euro.

Renditja e më të paguarve për trajnerë kryesohet nga Jose Mourinho. "Special One" përfiton plot 28 milionë euro dhe lë pas Marcello Lippin, që nga aventura në krye të stolit të përfaqësueses kineze shtoi në llogarinë bankare 23,5 milionë, ndërsa Laurent Blanc pozicionohet i treti me 20 milionë euro të ardhura.

Në vendin e katërt ndodhet trajneri i Bayern Munchen, Carlo Ancelotti me 15,8 milionë euro përfitime, ndërsa Pep Guardiola është vetëm i pesti me 14,5 milionë euro të ardhura.

Revista e njohur franceze ka publikuar edhe përfitimet e futbollistëve të Ligue 1. Më i paguari në elitën e futbollit francez është Thiago Silva me 14,4 milionë euro, që ndiqet nga Radamel Falcao me 13,6 milionë, Angel Di Maria (12,6 mln) dhe nga Marco Verratti me 11,8 milionë euro. Top 5 mbyllet nga sulmuesi i Paris Saint Germain, Edinson Cavani që përfiton 10,2 milionë euro.

Divorci me BE-në, zbulohet fatura e kripur që do paguajnë britanikët

Posted: 28 Mar 2017 04:32 AM PDT

Theresa May nis të mërkurën aktivizimin e nenit 50 dhe njofton zyrtarisht bllokun europian për shkëputjen e Britanisë së Madhe nga BE-ja.

Negociatat mes Londrës dhe 27 vendeve të mbetura anëtare parashikohet të zgjasin dy vjet.

Një nga pyetjet kryesore që shtrohet në këtë rast, është sa do t'u kushtojë britanikëve ky largim?

"The Sun" flet për 60 miliardë euro që Brukseli do t’ia ngarkojë, sipas saj, në kurriz Britanisë së Madhe. Fatura e "divorcit" është e kripur.

Teorikisht, Mbretërisë së Bashkuar do t'i kërkohen kontribute në buxhetin e BE-së deri në vitin 2022, ose 2023, miratimin e të cilit e ka aprovuar dhe vetë.

Por si May, ashtu dhe Dhoma e Lartë e Parlamentit britanik kanë ngarkuar juristët të verifikojnë gjendjen juridike, të bindur se sapo të realizohet shkëputja, Londra nuk do të jetë më e detyruar t'i paguajë unionit asgjë.

Për çdo rast, nga sa shpjegonte dikur ligjvënësi kristian-demokrat gjerman Reimer Boge, vendet që kërkojnë pjesëmarrjen në tregun e përbashkët duhet të hedhin para në arkën e përbashkët. Nëse nuk bëhen pagesa të tilla, studentëve dhe universiteteve britanike do t'ju ndalohet përfshirja në programet dhe financimet e BE-së.

"Gjermania, Holanda, Suedia dhe vende kontribuese të tjera nuk do ta pranojnë kurrë që të paguajnë faturën e një tregu të brendshëm, ku Britania mund te ketë akses pa derdhur asnjë cent”, pati deklaruar ai.

Pavarësisht kostos së procedurës, një gjë është e qartë: liderët e bllokut duan ta tregojnë se ndarja nga BE-ja kushton, ndërsa Britania vetë do të përpiqet ta minimizojë sa më shumë ndikimin financiar të një lëvizjeje të tillë.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more