Skip to main content

Mesazhi.com: “Dënohet me gjashtë muaj burg aktivisti i Vetëvendosjes” plus 9 more

Mesazhi.com: “Dënohet me gjashtë muaj burg aktivisti i Vetëvendosjes” plus 9 more


Dënohet me gjashtë muaj burg aktivisti i Vetëvendosjes

Posted: 27 Mar 2017 09:01 AM PDT

Gjykata Themelore në Pejë ka dënuar sot aktivistin e Lëvizjes Vetëvendosjes nga Peja, Besnik Zeqirajn, me 6 muaj burg. Ai akuzohej se në dhjetorin e vitit 2015 i kishte vënë zjarrin një makine të Gjykatës për Kundërvajtje, së bashku me një person tjetër, për çfarë me herët ka mbajtur 3 muaj burg si dhe 1 muaj masën e arrestit shtëpiak.

"Dënimi i aktivistit Zeqiraj është i pabazuar, rrjedhimisht i padrejtë e i papranueshëm. Ai do të vuaj edhe 2 muaj burg për një vepër të cilën nuk e ka kryer asnjëherë, dhe e cila i ngarkohet pa asnjë provë dokumentuese", thuhet në njoftimin e VV-së.

"Drejtësia e kapur dhe në shërbim të klanit Pronto vazhdon përndjekjen e aktivistëve të pafajshëm të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, gjersa qëndron e heshtur karshi sulmeve kriminale me motive politike nga segmente të pushtetit ndaj aktivistëve tanë. Ky pushtet që po shkon sigurt drejt theqafjes, është i tmerruar jo vetëm nga rënia e tij, por më shumë nga rritja e përkrahjes për VETËVENDOSJE!-n dhe shteti i së drejtës që synohet nga ne, me vendosjen e të cilit kriminelët do ta humbin lirinë. Veprimet e tilla siç është dënimi i padrejtë ndaj Besnik Zeqirajt, do të mbahen mend si padrejtësitë e fundit të këtij regjimi kriminal", përfundon njoftimi i VV-së.

The post Dënohet me gjashtë muaj burg aktivisti i Vetëvendosjes appeared first on Mesazhi.com.

Hoxha: E dhimbshme që edhe 18 vite pas luftës, nuk i kemi fajtorët për krimet e luftës

Posted: 27 Mar 2017 09:00 AM PDT

Ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, mori pjesë në tryezën në të cilën është prezantuar Raporti vjetor i Fondit për të Drejtën humanitare, me titull "Koha kalon, drejtësia për krimet e luftës zbehet", të mbështetur nga Ambasada e Britanisë së Madhe, ku ishte i pranishëm edhe Ambasadori O'Connell.

Ministrja Hoxha ka falënderuar të gjithë ata të cilët kontribuuan në hartimin e raportit i cili padyshim se do të ndihmojë Institucionet e Kosovës në luftën e tyre kundër kriminalitetit në përgjithësi, e veçanërisht në luftën kundër krimeve të motivuara etnikisht dhe politikisht si dhe në trajtimin e krimeve të luftës.

Sa i përket krimeve të luftës, Hoxha tha se është e dhimbshme për të gjithë neve që edhe pas 18 vitesh nga mbarimi i luftës, nenave, baballarëve, motrave, vëllezërve, bashkëshortëve e fëmijëve u mungon e vërteta. Prandaj, duhet të japim përgjigje në pyetjet që sjellin të vërtetën.

"E vërteta është më e pakta që duhet ta kenë në këtë dhimbje: çka dhe pse ndodhi? Si humbёn ata qё humbёn? Ku mbetёn familjarёt e tyre? Si do t'ia bёjnё pёr tё ecur pёrpara? A do të ndëshkohet dikush që vrau pamëshirshëm familjarin e tyre vetëm sepse fliste gjuhën tjetër, i përkiste kombit tjetër?", theksoi ministrja Hoxha.

Ajo tha se "nuk thuhet kot se drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar. Andaj të punojmë të gjithë së bashku që të mos iu mohohet drejtësia viktimave të këtyre krimeve dhe ftoi institucionet e gjyqësisë të kryejnë punën e vet me prioritet të veçantë për dënimin e autorëve të krimeve të luftës të kryera në Kosovë".

Ambasadori britanik Ruari O'Connell, i cili shprehu gatishmërinë e përkrahjes për shkak të mungesës së përvojës së gjyqësisë së Kosovës lidhur me këtë fushë duke theksuar angazhimin e vazhdueshëm që duhet të bëhet nga institucionet vendore në këtë drejtim.

The post Hoxha: E dhimbshme që edhe 18 vite pas luftës, nuk i kemi fajtorët për krimet e luftës appeared first on Mesazhi.com.

Veterani i UÇK-së jetonte në kushte të rënda, bamirësit e bëjnë me shtëpi të re (Video)

Posted: 27 Mar 2017 08:42 AM PDT

Familja tetë anëtarësh e ish-ushtarit të UÇK-së, Fetah Dvoranit nga fshati Terstenik i Drenasit është bërë me shtëpi të re. Kjo falë donatorëve të cilët për një kohë të shpejtë arritën të grumbullojnë mjetet e duhura për të kompletuar shtëpinë që tani e tutje do të jetojnë anëtarët e kësaj familje.

Fetahu si kryefamiljar tregon se që nga paslufta kanë jetuar në një shtëpi të improvizuar e cila nuk i ka plotësuar kushtet për banim.

Ai thotë se shëndeti i 6 fëmijëve është rrezikuar mjaftë, pasi që shtëpia e stërvjetëruar nuk ka poseduar as kushtet elementare për jetesë.

"E falënderoj Halil Kastratin, shoqatën bamirëse 'Jetimat e Ballkanit' dhe të gjithë ata donatorë të cilët na e ndërtuan këtë shtëpi dhe tash e tutje do të bëjmë një jetë të lumtur. Në atë shtëpi ka pasur minj dhe insekte tjera. Shëndeti i fëmijëve është dëmtuar nga pluhuri dhe myku", thotë Fetahu.

Halil Kastrati, drejtor i shoqatës "Jetimat e Ballkanit", tregon se këtë familje e kanë vizituar edhe më parë, andaj kanë vlerësuar se duhet të kërkohet forma për t'i dalë në ndihmë.

Ai thotë se meremetimi i kësaj shtëpie ka kushtuar më shumë se 7 mijë euro, të cilat i kanë siguruar nga donatorë të ndryshëm.

"Kësaj familje i kemi ndihmuar edhe më parë. Kemi vlerësuar se duhet të bëjmë diçka ngase shtëpia ku kanë jetuar ka qenë e pabanueshme. Ne kemi kërkuar ndihmë nga donatorët të cilët janë përgjigjur dhe arritëm që të kompletojmë këtë shtëpi që tani e tutje familja e Fetahut të jeton në kushte normale", thotë ai.

Kastrati apelon tek të gjithë ata që kanë mundësi të përkrahin nismat e tilla që kanë për qëllim zbutjen e varfërisë tek familjet me gjende të rënd socio-ekonomike.

Shtëpia ka tri dhoma, banjë dhe korridor, ndërsa falë bamirësve ajo është e mobiluar komplet dhe që nga sonte kjo familje do të ketë mundësinë të banojë në të.

The post Veterani i UÇK-së jetonte në kushte të rënda, bamirësit e bëjnë me shtëpi të re (Video) appeared first on Mesazhi.com.

Basha: Kemi mbështetje totale nga Uashingtoni

Posted: 27 Mar 2017 07:19 AM PDT

"Kemi marrë mbështetje totale në Uashington dhe këtë mbështetje e përkthejmë në këtë aksion politik që ka vetëm një synim, Shqipërinë e standardit europian. Nuk do të ketë asnjë tërheqje".

Kjo ishte deklarata e Lulzim Bashës nga çadra e protestës së opozitës, duke këmbëngulur se kauzat e Partisë Demokratike mbështeten nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

"Për këtë betejë, për këtë kauzë të zgjedhjeve të lira e të ndershme, largimit të krimit nga politika dhe luftën pa kompromis kundër drogës, kemi marrë mbështetje totale në Uashginton dhe këtë mbështetje e përkthejmë në këtë aksion politik që ka synim Shqipërinë. Nuk ka tërheqje sepse do të thotë rënie të zgjedhjeve të lira e të ndershme, tërheqje do të thotë Shqipëri të republikës së drogës. Do të ketë luftë të vendosur deri në fitore", deklaroi Basha.

The post Basha: Kemi mbështetje totale nga Uashingtoni appeared first on Mesazhi.com.

Zgjedhjet e parakohshme më së largu në qershor

Posted: 27 Mar 2017 07:15 AM PDT

Daljet në terren dhe kontaktet e shpeshta me elektoratin nga ana e partive politike po shihen si indikacion për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme, edhe pse zyrtarisht një gjë të tillë këtë nuk e thonë në partitë e koalicionit PDK-LDK.

Analistë dhe njohës të proceseve zgjedhore kanë deklaruar se janë duke u bërë përgatitjet për zgjedhje të parakohshme, të cilat mund të mbahen më së largu në qershor të këtij viti.

Mazllum Baraliu, njohës i proceseve zgjedhore ka thënë për Telegrafin se kjo është një fushatë para fushatës që po e bëjnë në forma të ndryshme me elektoratin e tyre subjektet kryesore politike, dhe kjo në një mënyrë apo tjetër sinjalizon se do të ketë zgjedhje të parakohshme.

"Ka nevojë që të ketë zgjedhje të parakohshme dhe se po bëhen përgatitjet në një mënyrë apo tjetrën në atë drejtim, dhe kësaj i shtohet edhe fakti se kohëve të fundit ka pasur çështje të rëndësishme në mes të dy partive kryesore dhe eksponentëve të tyre, dhe të gjitha këto flasin se mund të ketë zgjedhje të parakohshme dhe mund të jenë në të njëjtën kohë me ato lokale por mund të jenë edhe para asaj kohe", u shpreh Baraliu.

Ai më tej u shpreh se të gjitha shenjat edhe indikacionet janë se mund të ketë zgjedhje të parakohshme, por se kjo varet nga rrethanat se kush ja nis i pari prej anëtarëve të koalicionit që ta ndërpres bashkëpunimin dhe koalicionin, ose jo, varet prej tyre se sa kanë besim që do të fitojnë zgjedhje.

Ngjashëm ka deklaruar edhe analisti Imer Mushkolaj, i cili ka thënë se të gjitha partitë politike kanë filluar përgatitjet dhe se ekziston mundësia që zgjedhjet të mbahen në muajin maj ose qershor.

"Zgjedhje do të ketë në fund të majit ose në fillim të qershorit. Mobilizimi i partive politike e dëshmon këtë. Jo vetëm PDK, por edhe partitë tjera janë duke bërë fushatë dhe duke u përgatitur", tha Mushkolaj për Telegrafin.

Edhe njohësi tjetër i proceseve zgjedhore, Blerim Burjani ka thënë se koha e duhur për mbajtjen e zgjedhjeve do të ishte muaji qershor.

"Sikur të ketë vullnet të pozitë për prishjen e këtij koalicioni, koha e duhur për mbajtjen e zgjedhjeve do të ishte qershori", tha Burajni, duke shtuar se pa zgjidhjen e Demarkacionit, Asociacionit dhe Forcave të Armatosura, nuk ka zgjedhje.

E mundësia e mbajtjes së zgjedhjeve nacionale dhe lokale në të njëjtën kohë, sipas Burjanit nuk është ide e mirë për shkak të mundësisë së manipulimeve.

"Mundësit e shfaqjes së dukurive negative në dy palë zgjedhje është e madhe. Kosova ka pasur një proces degradues zgjedhor në dy palë zgjedhje, në të njëjtën kohë në vitin 2007 ku kishte përplot probleme, vjedhje të votave etj", u shpreh Burjani për Telegrafin.

Pavarësisht sinjaleve nga partitë politike rreth përgatitjes për zgjedhje të parakohshme, Lidhjes Demokratike të Kosovës duket se nuk po i konvenon mbajtja e këtyre zgjedhjeve.

Një gjë të tillë analistët edhe njohësit e proceseve zgjedhore e kanë cilësuar si dëshirë të LDK-së që të qëndrojë sa më gjatë në pushtet.

"LDK-ja ka pasur veprime specifike gjatë kësaj kohe, për arsye se zgjedhjet e 2014 i ka fituar me një program krejt tjetër me një orientim dhe strategji krejt tjetër dhe ka vepruar si ka vepruar dhe tashmë sigurisht se edhe brenda ka si në çdo subjekt tjetër politik pakënaqësi të brendshme dhe mbase mirë është akomoduar dhe dëshiron që ta përfundojë mandatin", tha Baraliu për Telegrafin.

Në rast të mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme, sipas Imer Mushkolajt, LDK ka gjasa që të mbetet në opozitë.

"Isa Mustafa dhe LDK e kanë të rëndësishme që të qëndrojnë sa më gjatë në pushtet, në këtë qeverisje, kështu që nuk iu konvenon fare që zgjedhjet të mbahen shpejt. Konfigurimi politik pas zgjedhjeve sipas të gjitha gjasave do të bëjë që LDK të mbetet në opozitë", theksoi Mushkolaj.

Sipas Mazllum Braliut dhe Imer Mushkolajt është e logjikshme që pas mbajtjes së këtyre zgjedhjeve të ketë ndryshime në skenën politike, pasi që siç u shprehën ata qytetarët janë të zhgënjyer.

E rreth kësaj çështje më skeptik shprehet njohësi i proceseve zgjedhore, Blerim Burjani i cili ka theksuar se nuk beson në ndryshime rrënjësore dhe befasi të mëdha.

Ai ka thënë se pret dalje më të ultë të elektoratit në zgjedhje si rezultat i zhgënjimit të madh të qytetarëve.

"Pra nëse veç kemi zgjedhje qendrore, elektorati do të bie dukshëm edhe për pozitën edhe për opozitën", tha Burjani.

The post Zgjedhjet e parakohshme më së largu në qershor appeared first on Mesazhi.com.

O’Connell i shqetësuar që kriminelët e luftës s’kanë dalë para drejtësisë

Posted: 27 Mar 2017 07:14 AM PDT

Ambasadori britanik në Kosovë, Ruairi O'Connell është shprehur i shqetësuar pasi sipas tij kriminelët e luftës në Kosovë ende s'kanë dhënë llogari.

Ai në një tryezë të organizuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare ku u prezantua raporti vjetor mbi monitorimin e gjykimeve mbi krimet e luftës dhe vepra penale të motivuara etnikisht dhe politikisht në Kosovë tha se ka vizituar personalisht familjarët e viktimave të luftës në Drenicë, Gjakovë ku janë kryer masakrat.

"Ndjej dhimbje për këto familje", ka thënë O'Connell, duke shtuar se këto familje nuk e kanë të lehtë të harrojnë se çfarë ndodhi me anëtarët e familjeve të tyre.

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë tha se trajtimi i krimeve të luftës duhet të jetë prioritet, në mënyrë që kriminelët e luftës të japin llogari.

The post O'Connell i shqetësuar që kriminelët e luftës s'kanë dalë para drejtësisë appeared first on Mesazhi.com.

Le Pen: BE-ja do të vdesë. Globalizimi do të marrë fund

Posted: 27 Mar 2017 06:33 AM PDT

"Bashkimi Europian do të vdesë dhe globalizmi do të mposhtet". Nuk kanë fund deklaratat polemizuese të Marine Le Penit, që kërkon të rientuziazmojë bazën e Frontit të saj Nacional në javët e fundit përpara zgjedhjeve presidenciale.

Vota e britanikëve për shkëputjen nga BE-ja dhe triumfi befasues i Donald Trumpit në betejën për Shtëpinë e Bardhë i dhanë krahë kryetares së partisë së ekstremit të djathtë, të pozicionuar hapur kundër bllokut dhe emigrantëve.

"Zgjedhjet franceze, – u tha ajo simpatizantëve gjatë një mitingu elektoral në Lille, – do të jenë hapi i radhës në rebelimin global të popujve".

"Bashkimi Europian do të vdesë, sepse njerëzit nuk e duan më. Ne do të konfirmojmë edhe njëherë se perandoritë arrogante dhe hegjemonike janë të destinuara të zhduken. Ne do ta ndryshojmë Europën dhe do t'i japim një energji të re idesë së saj, të rrezikuar nga varrmihësit federalistë", tha Marine Le Pen.

Sondazhet tregojnë në vazhdimësi se, Le Pen do të arrijë rezultate të kënaqshme gjatë raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale më 23 prill, por mund të humbasë në raundin e dytë të 7 majit përballë kandidatit të qendrës, Emmanuel Macron.

Ajo është përpjekur të fitojë terren duke kritikuar BE-në, që ka humbur popullaritet mes votuesve, u thotë se nëse merr drejtimin e Elizesë nuk do ta shkëpusë menjëherë Francën nga Bashkimi Europian, por pas 6 muajsh do të mbajë një referendum mbi rinegociimin e kushteve të anëtarësimit të saj.

The post Le Pen: BE-ja do të vdesë. Globalizimi do të marrë fund appeared first on Mesazhi.com.

Apeli lë në paraburgim Murat Jasharin dhe Avni Llumnicën

Posted: 27 Mar 2017 02:51 AM PDT

Gjykata e Apelit ka lënë në fuqi masën e paraburgimit për Murat Jasharin dhe Avni Llumnicën, dhe masën e arrestit shtëpiak për Arsim Ibrahimin.

"Gjykata e Apelit e Kosovës, në seancën e kolegjit të mbajtur me 23.03.2017, e ka lënë në fuqi masën e paraburgimit prej 30 ditësh, për të pandehurit M.J. dhe A.Ll. dhe atë të arrestit shtëpiak për të pandehurin A.I.

Në këtë mënyrë kolegji i ka refuzuar si të pa pabazuara ankesat e avokatëve mbrojtës kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, të datës 14.03.2017", thuhet në njoftim.Murat Jashari po dyshohet nga ana e prokurorisë për veprat penale 'Hakmarrje në tentativë' dhe 'Mbajtje nën pronësi, kontroll apo posedim të pa autorizuar të armëve'.

Avni Llumnica dyshohet për veprën penale 'Hakmarrje në ndihmë'. Ndërsa Arsim Ibrahimi për 'Dhënie të ndihmës kryerësve, pas kryerjes se veprës penale'.Murat Jashari dyshohet për plagosjen e avokatit Azem Vllasi, të cilin e kishte quajtur tradhtar.

The post Apeli lë në paraburgim Murat Jasharin dhe Avni Llumnicën appeared first on Mesazhi.com.

Vdes punëtori i administratës së Kuvendit në vend të punës

Posted: 27 Mar 2017 02:05 AM PDT

Ka vdekur një punëtor i administratës së Kuvendit gjatë orëve të mëngjesit.

Ekipi mjekësor ka arritur në vendin e ngjarjes rreth orës 9:00 të mëngjesit.

Sipas mjekut kujdestar, i cili ka folur për Gazetën Insajderi, ka thënë se punëtori i administratës ka vdekur në vendin e tij të punës.

Sipas po të njëjtit mjek, dyshohet se ka pasur sulm kardiak.

The post Vdes punëtori i administratës së Kuvendit në vend të punës appeared first on Mesazhi.com.

Vrasësi i drejtorit të Arsimit në Prishtinë dënohet me 27 vjet burgim

Posted: 27 Mar 2017 02:04 AM PDT

Gani Sahiti akuzohet për vrasjen e ish-drejtorit të Arsimit të Komunës së Prishtinës, Remzi Salihut.

Kallxo.com merr vesh se Gjykata e Apelit e ka vërtetuar dënimin ndaj Gani Sahitit, i dënuar me 27 vjet burgim për vrasjen e ish-drejtorit të Arsimit të Komunës së Prishtinës.

Në rigjykim, në tetor të vitit të kaluar, Sahiti ishte dënuar me 27 vjet burgim, një dënim më i butë ky nga gjykimi i parë kur ishte dënuar me 35 vjet heqje lirie.

Sahiti akuzohet se më 3 tetor 2011 në vendin e punës në mënyrë dinake dhe të paskrupullt privoi nga jeta Remzi Salihun, atëkohë drejtor i Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Prishtinës.

The post Vrasësi i drejtorit të Arsimit në Prishtinë dënohet me 27 vjet burgim appeared first on Mesazhi.com.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more