Skip to main content

Tirana Observer: “Dasma e shqiptares me aktorin turk në Los Angeles dhe Stamboll” plus 9 more

Tirana Observer: “Dasma e shqiptares me aktorin turk në Los Angeles dhe Stamboll” plus 9 more


Dasma e shqiptares me aktorin turk në Los Angeles dhe Stamboll

Posted: 25 Jan 2017 10:08 AM PST

almeda-abaziMediat turke kanë raportuar se Almeda Abazi dhe Tolgahan Sayisman do të kurorëzohen më 13 shkurt të këtij viti.

Pikërisht këtë ditë ka lindur edhe modelja dhe këtë datë do ta duan ta festojnë dyfish. Së fundi, kanë dalë edhe disa detaje rreth dasmës mes çiftit më të famshëm dhe më të përfolur në Turqi

Mësohet se ceremonia martesore tyre do të bëhet në Los Angeles të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku Tolgahan ka edhe një vilë. Gjithçka do të bëhet me një rrjet të ngushtë të afërmish, ndërsa ceremonia festive më e zgjeruar do të mbahet në Stamboll.almeda-e1485359508213-780x439-550x310

Kujtojmë se muaj më parë, Sayisman bashkë me të atin i kërkuan dorën zyrtarisht në shtëpi, bukuroshes shqiptare.

 

Kristi Xhaferi: “Ndihem krenar që kam qenë produkt i sistemit arsimor të ngritur nga Kryepeshkopi Anastas”

Posted: 25 Jan 2017 10:07 AM PST

Dr. Isidor Koti

Kristi është sot një nga shembujt më tipik të arsimimit kishtar në Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe njëkohësisht ka vazhduar me vullnet e dashuri, traditën familjare si klerik, duke shërbyer në gradën dhjakon. Duke kaluar të gjitha stadet e arsimimit nëpër shkollat kishtare, ai tregon gjatë bisedës me median tonë, kontributin e Kishës në arsimin shqiptar dhe edukimin e brezit të ri, sikurse për rrjedhojë edhe kontributin ekonomiko-social në zhvillimin e vendit. Kristi nënvizon vëmendjen e veçantë që i ka kushtuar Kryepeshkopi Anastas në këta 25 vjet rindërtimit dhe zhvillimit të brendshëm të Kishës Orthodhokse të Shqipërisë si dhe inisiativat e rëndësishme në çështjet e arsimit, shëndetit, përkujdesjes sociale, zhvillimit rural, ekologjisë dhe kulturës në vend.

Cili është roli i arsimit kishtar në formimin tuaj?

Së pari, dua të theksoj se ndihem shumë krenar që personalisht kam qënë  një produkt i gjithë sistemit arsimor të ngritur nga Fortlumturia e Tij, Imzot Anasati. Kam nisur studimet e mia në shkollën e mesme të përgjithshme "Kryqi i Nderuar" në Gjirokastër, kam vijuar më pas studimet në Akademinë në Teologjike "Ngjallja e Krishtit" në Shën Vlash në Durrës dhe së fundmi përfundova studimet 5 vjeçare në degën Financë-Kontabilitet në Kolegjin Universitar "Logos".  Të gjitha këto vite studimi të mbuluara me burse të plotë me bekimin e Presidentit të këtyre shkollave, Prof.Dr.Imzot Anastasit, të cilin gjej rastin më të mirë për ta falenderuar përzemërsisht për gjithë investimin që ka kryer për arsimimin tim, ashtu siç për shumë e shumë të rinj të tjerë.

Duke ditur se arsimi luan një rol shumë të rëndësishëm në sigurimin e progresit ekonomiko – social dhe përmirësimin e shpërndarjen së të ardhurave e njëkohësisht duke e parë si një faktor kryesor i cili ndikon në mënyrë të drejtpërdrejt në zhvillimin e shoqërisë dhe ekonomisë së një vendi, ekonomistë të ndryshëm mbështesin idenë se "investimet në sektorin e edukimit janë rentabël kur ato kontribuojnë direkt në përmirësimin e produktivitetit individual apo kombëtar". Asnjë zhvillim ekonomik nuk është i mundur pa investim në fushën e arsimit. Pra duke patur parasysh ketë element mund të theksoj se një faktor i rëndësishëm për rritjen e qëndrueshme ekonomike është formimi i kapitalit njerëzor nëpërmjet arsimit dhe aftësive të çdo individi. Konkretisht, këtë investim kaq të dobishëm, unë e kam përjetuar personalisht në formimin dhe edukimin tim.

Nisur nga përvoja dhe njohja juaj ndër vite, sipas jush, cili është kontributi që ka dhënë Kisha Orthodhokse në arsimin shqiptar?

Duke parë rëndësinë që luan arsimi në zhvillimin ekonomiko – social të vendit, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë është shembulli më konkret, pasi paralelisht me rindërtimin e saj dhe zhvillimin e brendshëm mori iniciativa të rëndësishme dhe në çështjet e arsimit e edukimit të brezit të ri me hapjen e shumë institucioneve arsimore në vend. Në të vërtetë arsimi është dituri dhe dituria është forcë shtytëse e zhvillimit të gjithëanshëm të një shoqërie. Mundësitë e edukimit janë në varësi të sistemit arsimor, legjislacionit në fuqi, ndarjes akademike të shkollave, politikave arsimore por dhe kostos që duhet të përballojë një individ apo familje për edukimin e fëmijëve të tyre. Shumë mirë e dimë që dëshirat janë të shumta, por mundësitë janë të pakta që çdo kush të përballojë kostot e edukimit, e në këtë aspekt Kisha Orthodhokse ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm duke u ofruar mundësinë shumë të rinjve për të ndjekur studimet nëpërmjet bursave të plota ose të pjesshme të akorduara nga Kryepiskopi Anastas pasi arsimimi dhe edukimi i brezit të ri ka qenë gjithmonë një ndër synimet kryesore të Tij. Duke parë nga afër kontributin e Kishës Orthodhokse në fushën e arsimit përgjatë 25 viteve (1992-2017), personalisht mora inisiativën për të paraqitur në tezën time pasuniversitare pikërisht këtë veprimtari, e njëkohësisht për të pasuruar larmishmërinë e punimeve dhe për të dhënë një kontribut në literaturë lidhur me këtë aspekt. Pra që të identifikohet një lidhje pozitive ndërmjet kontributit të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë në arsim dhe zhvillimit ekonomiko-social të vendit, nëpërmjet financimit në arsim duke hapur një sërë institucionesh arsimore e njëkohësisht punësimin e qindra personave në këto institucione.

Mund të na tregoni institucionet arsimore që ka themeluar Kisha Orthodhokse?

Përveç Akademisë Teologjike "Ngjallja e Krishtit" në Manastirin e Hirshëm të Shën Vlashit në Durrës u themelua në shtator të vitit 1998 në Gjirokastër Liceu Kishtar "Kryqi i Nderuar" me konvikt dhe nga viti 2007, funksionon një tjetër lice Kishtar me konvikt në Sukth të Durrësit me të njëjtin emër. Në vitin 2000 u themelua në Tiranë Instituti i parë i Formimit Profesional "Frymë Dashurie" dhe nga viti 2010 funksionon si Sh.L.P "Logos" me Kartën e Bolonjës, sistemi (3+2) Bachelor dhe Master e një tjetër Institut Professional u themelua në Gjirokastër (2004). Gjithashtu në Bularat të Gjirokastrës funksionon nga viti 2000, konvikti i vajzave "Trëndafili i Pavyshkur", në të cilin banojnë dhe arsimohen nxënëse të shkollës së mesme. Në tetor të vitit 2012, nisi për herë të parë funksionimi i Shkollës së Muzikës Bizantine, me konvikt në qëndrën "Thavor" në Tiranë pranë malit të Dajtit. Janë ngritur 21 kopshte në qytete të ndryshme të Shqipërisë : Tiranë, Durrës, Kavajë, Cërrik, Berat, Korçë, Elbasan, Pogradec, Lushnjë, Përmet, Sarandë, Gjirokastër (2), Vlorë, Shkodër, Derviçan, Tepelenë. Gjithashtu dhe 3 shkolla: një shqiptaro-amerikane "Protagonistët" në Tiranë që përfshin (kopsht, shkollë nëntëvjeçare, shkollë e mesme) dhe dy shkolla të tjera nëntëvjeçare shqiptaro-greke "Frymë Dashurie".

Ku vihet re dobia e përgjithëshme e investimeve në arsim nga Kisha?

Ndër veprimet e para që kreu Kryepeshkopi Anastas sapo erdhi si Ekzark Patriarkal ishte hapja e një shkolle për klerikët, që ata të përgatiteshin dhe të kishin nivelin e duhur arsimor përballë sfidave të kohës. Që nga ajo kohë, gjithmonë me kujdesin e tij të veçantë dhe me mundësitë që ai krijoi, u hapën një sërë qendrash edukimi, duke nisur nga arsimi parashkollor, ai parauniversitar e deri tek arsimi i lartë. Qëllimi i këtij kontributi është shërbimi cilësor në aspektin edukues dhe social për familjet në nevojë. Të gjitha shkollat e Kishës janë vendosur në ambiente private dhe financohen ekonomikisht prej saj. Në të njëjtën kohë ofrohen qindra bursa për fëmijë dhe të rinj të të gjitha moshave. Në total numri i bursave vjetore, të plota ose të pjesshme të akorduara nga Kryepiskopi Anastas, ka arritur mbi 25,000 bursa. Që nga fillimi i veprimtarisë së institucioneve arsimore të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, në të gjitha nivelet arsimore, deri në vitin mësimor 2014-2015, janë arsimuar 9929 nxënës dhe studentë.

Kisha Orthodhokse e Shqipërisë përveç investimeve në institucionet e saj arsimore, ka përkrahur denjësisht dhe shkollat publike në vend duke kontribuar në mënyra të ndryshme, që nga restaurimi i shkollave e deri në plotësimin e materialeve didaktike. Gjithashtu, përsa i perket organizimit te sistemit arsimor kishtar te gjitha janë në përthuthje  me ligjin Nr. 10 057, Datë 22.01.2009, për ratifikimin e "Marrëveshjes Ndërmjet Këshillit të Ministarev të Republikës së Shqipërisë dhe Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë për Rregullimin e Marrëdhënieve të Ndërsjellta", vëmë re nene që i përkasin pikërisht kontributit të Kishës në arsim. Vlen të theksoj se përmes investimeve në arsim është kryer edhe punësimi i qindra personave në institucionet arsimore. (duke pasur ndikim në uljen e nivelit të papunësisë). Janë kryer investime në institucionet arsimore në vend, duke u ofruar punë dhjetra kompanive private në vend si dhe restaurimi i disa institucioneve arsimore publike, duke i kursyer shtetit miliona lekë.

16343612_10154063287646104_470578630_n 16343584_10154063292886104_283913693_n 16296145_10154063292946104_1636657422_n 16344359_10154063293026104_810433192_n 16244457_10154063293116104_1652236088_n 16344218_10154063293246104_234386245_n

 

Paralajmërimi i Schulz: SHBA po izolohet

Posted: 25 Jan 2017 09:53 AM PST

Europa duhet të qëndrojë e bashkuar dhe të bashkëpunojë me pjesë të tjera të botës përballë rrezikut që Shtetet e Bashkuara të Amerikës të zgjedhin rrugën e izolimit.

Paralajmërimi vjen nga Martin Schulz, kandidat i socialdemokratëve për postin e kancelarit.

Ish-presidenti i Parlamentit Europian foli një ditë pas zyrtarizimit të pjesëmarrjes së tij në garën kundër konservatores Angela Merkel në zgjedhjet e muajit shtator.

"Në një kohë kur shoqëritë po veçohen gjithnjë e më shumë, ne po shohim gjithashtu se shumë shtete po e bëjnë këtë. Politikat e njoftuara gjatë fushatës zgjedhore, tregojnë se Amerika mund të zgjedhje rrugën e izolimit", tha Martin Schulz, kandidat për kancelar.

Gjermania është e shqetësuar për mënjanimin e mundshëm nga presidenti amerikan Donald Trump, me këshilltarë të lartë që pretendojnë se nuk kanë mundur të krijojnë dot kanale komunikimi me administratën e re.

Qeveria Merkel këmbëngul që Uashingtoni të respektojë marrëveshjet tregtare në fuqi, pas shqetësimeve që shkaktoi mbështetja që republikani i ofroi Britanisë së Madhe pas Brexit-it, duke thënë se vendi do ishte në krye të radhës për ujdi të reja.

Zëvendëskancelari gjerman, Sigmar Gabriel tha pas inaugurimit të Trump-it se Gjermania mund të ketë nevojë për strategji të reja ekonomike të orientuara drejt Azisë përballë politikave të mundshme proteksioniste në SHBA.

Donald Lu: Si ndikon platforma e Trump në raport me Shqipërinë

Posted: 25 Jan 2017 09:37 AM PST

Dy sfidat kryesore të Shqipërisë këtë vit sipas ambasadorit amerikan në Tiranë, Donald Lu, janë reforma në drejtësi dhe zgjedhjet e përgjithshme të qershorit.

Gjatë një bisede me studentë dhe pedagogë tek Fakulteti i Historisë në forumin e Humaniteteve, Lu  theksoi se ky vit që kemi përpara është "plot me sfida kur bëhet fjalë për zbatimin e reformës në drejtësi dhe zgjedhjet kombëtare."

Duke folur për reformën në drejtësi në Shqipëri, Ambasadori Lu vuri në dukje se populli shqiptar e kërkon dhe e mbështet atë.

Ai foli edhe për politikën e administratës së re në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ambasadori vuri në dukje se "Shtëpia e Bardhë e ka përkufizuar qëllimin e politikës së jashtme të Presidentit si të qëndrueshme, për një botë më të paqtë, me më pak konflikte dhe më shumë interesa të përbashkëta."

Ambasadori Lu mbajti një fjalim dhe iu përgjigj një shumëllojshmërie pyetjesh nga pjesëmarrësit në lidhje me Presidentin Donald Trump dhe si mund të ndikojnë platformat e tij të shprehura politike në marrëdhëniet ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, si dhe vendeve e rajoneve të tjera në botë.

Gjithashtu Ambasadori Lu ju përgjigj pyetjeve në lidhje me NATO-n, duke vënë në dukje se Sh.B.A. do të inkurajonte më shumë kontribute nga të gjithë anëtarët e aleancës.

Ambasadori theksoi gjithashtu se shkatërrimi i ISIS është përcaktuar si një nga prioritetet kryesore të politikës së jashtme, një qëllim të cilin ne e ndajmë me mbi gjashtëdhjetë vende të tjera të koalicionit kundër ISIS-it, duke përfshirë edhe Shqipërinë.

Klement Balilit, Meta letër Presidentit: Mblidh Këshillin e Sigurisë

Posted: 25 Jan 2017 08:34 AM PST

Zvarritja e arrestimit  të shumë të kërkuarit Klement Balili i njohur ndryshe nga shteti  Grek si "Eskobari" i Ballkanit duket se është  kthyer në një çështje shqetësuese për drejtuesit e institucioneve më të larta ligjzbatuese në vend.

Ilir Meta në cilësinë e Kryetarit të Kuvendit me anë të një letre dërguar mesditën e sotme Presidentit të Republikës Bujar Nishani i kërkon këtij të fundit të mbledh Këshillin e Sigurisë Kombëtare me qëllim analizimin e të gjitha veprimeve apo mosveprimeve të institucioneve shqiptare të ngarkuara me ligj për ndjekjen e procedurave për çështje të tilla.

Letra e plotë  që kryetari i Kuvendit, Ilir Meta i ka dërguar Presidentit të Republikës, Bujar Nishani

I nderuar z.President

Duke ju falenderuar për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e deritanishëm në ushtrimin e kompetencave dhe funksioneve kushtetuese, në cilësinë e anëtarit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, më lejoni që t'Ju parashtroj kërkesën si vijon:

Ashtu siç edhe mund të jeni bërë me dije, nga media e shkruar dhe elektronike apo burime të tjera informacioni, Klement Balili, një person me probleme serioze me ligjin, pavarësisht akteve procedural apo akuzave, të përcjella apo të paraqitura nga organet kompetente shqiptare apo ndërkombëtare, ende nuk është ndaluar për t'iu nënshtruar drejtësisë.

Partnerët tanë të SHBA, por edhe të tjerë ndërkombëtare, kanë përcjellë shqetësime dhe rezerva për mosndalimin e tij si dhe moskryerjen e veprimeve të shpejta dhe efikase, nga organet kompetente shqiptare, sipas përcaktimeve të akteve ndërkombëtare dhe legjislacionit në fuqi.

Për shkak të seriozitetit që paraqet çështja në fjalë dhe shqetësimit që ekziston për mosveprimin e institucioneve shqiptare, paraqes kërkesën:

Në cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Ju të thërrisni në një kohë sa më të shpejtë një mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, me qëllim analizimin e të gjitha veprimeve apo mosveprimeve të institucioneve shqiptare të ngarkuara me ligj për ndjekjen e procedurave për çështje të tilla.

Thirrja e mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare për çështje, do të dëshmojë seriozitetin e institucioneve dhe organeve të shtetit shqiptar për adresimin e përgjegjësive konkrete si dhe angazhimin që ato kanë në trajtimin e rasteve të tilla, me impact në sigurinë kombëtare.

Me besim të plotë në marrjen në konsideratë të kësaj kërkese, Ju falenderoj për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin.

Me respekt ILIR META

Indeksi i Pandëshkueshmërisë; bie besimi te Qeveria, Prokuroria dhe Parlamenti

Posted: 25 Jan 2017 07:14 AM PST

Një studim mbi perceptimin e pandëshkueshmërisë në vend nga Instituti për Kërkime dhe Alternativa Zhvillimi, IDRA, zbulon se besimi i qytetarëve shqiptarë te qeveria e kryeministrit Edi Rama ka rënë në tre vitet e fundit.

Besar Likmeta BIRN 

Sipas studimit të publikuar nga IDRA të mërkurën, indeksi i besimit në qeverinë shqiptare ra nga 42 pikë në një shkallë prej 100 pikësh në vitin 2014 në 35 pikë në vitin 2017, duke regjistruar një nga rëniet më të mëdha të besimit në institucionet publike.

Një tjetër institucion që ka shënuar rënie të lartë në indeks është dhe Parlamenti, i cili nga 34 pikë nga 100 pikë në 2014-ën, ka rënë në 27 pikë nga 100 pikë në 2017-ën.

Palamenti ndiqet nga Prokuroria e Përgjithshme, që gjithashtu ka shënuar rënie nga 38 në 32 pikë dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit, që ka shënuar një rënie nga 36 në 31 pikë.

Institucioni më pak i besuar nga qytetarët shqiptarë, ashtu si në vitin 2014 mbetet gjyqësori me 24 pikë në indeks nga 100 pikë, duke shënuar një rënie prej 2 pikësh nga viti 2014.

Studimi, i cili titullohet ""Pandëshkueshmëria – Opinioni publik mbi kuptimin, arsyet dhe rolin e institucioneve," dhe është kryer në periudhën kohore Tetor 2016-Janar 2017, është mbështetur teknikisht dhe financiarisht nga Fondacioni Shoqëria e Hapur në Shqipëri, OSFA.

Ky studim bazohet në një anketë kombëtare me 1200 persona në moshë 16 vjeç e lart, nga të cilët 200 të anketuar i përkasin grupmoshës 16-24 vjeç.

Sipas studimit, interesi i qytetarëve shqiptarë ndaj problematikave me të cilat vendi përballet ka pësuar një rritje gjatë viteve të fundit dhe fokusi i tyre kryesor mbeten çështjet politike, sociale dhe ekonomike.

"Ekonomia, korrupsioni dhe keqqeverisja figurojnë sërish si dimensionet më problematike në Shqipëri, por me një rënie përsa i përket frekuencës së natyrës së tyre problematike," tha IDRA në njoftim për shtyp mbi studimin.

Ekonomia vazhdon të jetë problemi kryesor me të cilin përballen shqiptarët, i vlerësuar si shumë problem nga 82 % e të anketuarve, i ndjekur nga korrupsioni dhe keqqeverisja, të identifikuar si shumë problem nga 80 % të anketuarave.  I treti problem serioz identifikohet pandëshkueshmëria, e ndjekur nga shëndetësia, arsimi dhe ndotja e mjedisit.

Ngjashëm me vitin 2014, kur indeksi i pandëshkueshmërisë u publikua për herë të parë, media vazhdon të vlerësohet si aktori më i suksesshëm përsa i përket hetimit dhe raportimit të shkeljeve të ligjit nga zyrtarët e lartë, pavarësish se shpesh perceptohet si një pushtet i kufizuar nga  interesa politike dhe ekonomike.  Televizioni vazhdon të jetë mediumi kryesor i informacionit për qytetarët, por një rol në rritje kanë dhe publikimet në internet dhe rrjetet sociale.

Sipas të anketuarve, fenomeni i pandëshkueshmërisë në Shqipëri lidhet ngushtësisht me moszbatimin e ligjit dhe mosfunksionimin e sistemit të drejtësisë si dhe korrupsionin. Ligji perceptohet se vepron me dy standarte, një për qytetarët e thjeshtë dhe një tjetër për zyrtarët e lartë.

Edhe pse 'mesatarisht' të informuar për reformën në drejtësi, pritshmëritë e shqiptarëve në lidhje me zbatimin e saj  janë të dyzuara dhe vetëm 42 % e të anketuarve shprehen optimistë për zbatimin e reformës.

Në vlerësimin e perfomancës së institucioneve ligjzbatuese, Prokuroria e Përgjithshme merr notën më negative, ku 22 % e të anketuarve e vlerësojnë punën e saj keq dhe 18 % si shumë keq, 35 % as mirë as keq dhe vetëm 19% shumë mirë dhe mirë. Ndyshe nga Prokuroria e Përgjithshme, Policia e Shtetit ka një vlerësim më të mirë, ku 2 /3 e të anketuarve e vlerësojnë si mirë (44%) dhe shumë mirë (22%).

Coutinho rinovon, më i paguari te Liverpooli: Është koha të fitojmë edhe Ligën e Kampionëve

Posted: 25 Jan 2017 06:57 AM PST

Braziliani i Liverpoolit, Philippe Coutinho ka nënshkruar një kontratë të re 5-vjeçare, me një vlerë prej afro 150 mijë paund në javë, duke e bërë atë lojtarin më të paguar në klubin anglez.

24-vjeçari i "Seleçao"-s iu bashkua "të kuqve" nga Interi në janar të vitit 2014 për një shumë prej 8.5 milionë paund, ndërkohë që tashmë do të qëndrojë në "Anfield Road" deri në vitin 2022.

Deri më tani, Coutinho ka shënuar 34 gola në 163 ndeshje të luajtura me Liverpool.

"Jam shumë i lumtur për të nënshkruar një kontratë të re me këtë klub, të cilit i jam shumë mirënjohës. Do të punoj shumë për ta shlyer besimin e treguar ndaj meje.

Ky është një klub fantastik, një nga klubet më të mëdha në botë. Ne duhet të jemi atje, në mesin e klubeve të tjera të mëdha, duke garuar e rivalizuar për trofe. Ky është një klub futbolli me lojtarë të mëdhenj dhe staf të mrekullueshëm teknik. Liverpool ka gjithçka për të arritur gjëra të mëdha në të ardhmen. Që kur mbërrita këtu me familjen u pritëm krahëhapur nga të gjithë. Ndihemi si në shtëpi në këtë klub, e ndiejmë veten pjesë të këtij qyteti. Kjo është një ditë shumë e rëndësishme për mua, gruan dhe vajzën time. Jam i lumtur! Titujt, mendoj se janë shumë të rëndësishëm. Kur them tituj, dua të nënkuptoj kampionatin.

Premier League është një nga ligat më të mira në botë. Është koha që edhe në Ligën e Kampionëve të luajmë për të fituar, për të luftuar me ekipet më të mira në Europë. Ky është qëllimi im, ky është qëllimi i të gjithëve në këtë klub futbolli", tha ai për faqen zyrtare të ekipit në internet.

Nga sa mësohet, në kontratën e re të Coutinhos nuk ka një klauzolë për prishjen e parakohshme të saj, ndërsa do të hyjë në fuqi nga 1 korriku i këtij viti.

Coutinho është përfolur mbi një lëvizje të mundshme te kampionët e Spanjës, Barcelona, por vet ai i mohon këto zëra: "Kam nënshkruar këtë kontratë për të qëndruar këtu edhe për shumë vite të tjera, pasi ky është një nder i madh për mua. Këtu jam pritur me krahët hapur nga kushdo, por edhe nga tifozët që nga dita ime e parë".

Nënshkrimin e kontratës së re e ka përshëndetur edhe trajneri Jurgen Klopp, i cili thotë se vendimi jep një "mesazh të qartë" nga lojtari. "Është një lajm i mrekullueshëm. Ai është një lojtar klasi dhe e di mirë që mund t'i realizojë ëndrrat dhe ambiciet e tij këtu, me Liverpoolin", tha Klopp, ekipi i të cilit renditet në vendin e 4-t të Premier League, 10 pikë më pak se Chelsea kryesues.

Partizani do të luaj në “Selman Stërmasi”

Posted: 25 Jan 2017 06:24 AM PST

Partizani do të luajë ndeshjet në shtëpi në stadiumin "Selman Stërmasi". Lajmi u dha nga vetë kryebashkiaku i kryeqytetit, Erjon Veliaj pas takimit me presidentët e klubeve të futbollit të Tiranës dhe Partizanit.

Akordi është arritur dhe gjithçka do të behët kundrejt një pagese. Bashkia e Tiranës është aksionere e në klubin bardheblu.

Partizani pas shembjes së stadiumit "Qemal Stafa" ku po ndërtohet një arenë e re futbollit shtegtoi në Elbasan për të zhvilluar ndeshjet si pritës.

Mendohet që stadiumi i ri i Partizanit që po ndërtohet në periferi të kryeqytetit të jetë gati për sezonin e ardhshëm.

Itali, lavdëronte ISIS në Facebook, shqiptari nën mbikëqyrje për terrorizëm

Posted: 25 Jan 2017 06:21 AM PST

Një shqiptar 38-vjeçar, Edmond Ahmetaj, është vënë nën mbikëqyrje speciale nga policia italiane, e po hetohet për terrorizëm ndërkombëtar.

Ahmetaj, rezident në provincën e Barit, jeton atje prej disa vitesh me të shoqen dhe të vëllanë, e që prej majit 2016 ka marrë edhe nënshtetësinë italiane.

Por vëzhgimi i tij nisi që nëntorin e vitit 2015, pas atentateve të Parisit.

38-vjeçari kishte shprehur asokohe në "Facebook" përçmim për viktimat e lavdëronte ISIS-in, duke publikuar edhe një video të lidhur me një atentat të mundshëm në Itali.

Mbikëqyrja speciale, e aplikuar në Bari e që përbën të katërtën herë kur ajo zbatohet në vendin fqinj që prej ligjit të vitit 2015, e shtrin aplikueshmërinë e masave të Antimafias edhe te krimet e terrorizmit.

Sipas policisë, shqiptari ka bërë propagandë xhihadiste në rrjetet sociale dhe në "Facebook" mendohet të ketë pasur kontakte edhe me grupe të tjera bashkatdhetarësh, ku i thurte lavde grupeve terroriste të natyrës islamike.

Në profilin e tij shihej dhe një foto me armë zjarri, e një video me intervistën e një imami në Londër, ku përmendej një sulm i mundshëm në Romë.

Detaje nga dasma e Almeda Abazit me aktorin turk

Posted: 25 Jan 2017 06:13 AM PST

Kur kanë mbetur vetëm rreth tri jave nga një prej dasmave më të përfolura të momentit, shtypi turk ka publikuar disa detaje interesante nga ceremonia që pritet të kurorëzojë në martesë modelen dhe aktoren shqiptare, Almeda Abazi dhe aktorin e famshëm turk, Tolgahan Sayisman.

Shqiptarja është në lidhje dashurie me aktorin turk prej dy vitesh, ndërsa në Nëntor 2016 ata u fejuan dhe filluan përgatitjet për dasmë. Çifti pritej të martohej në Pranverë, por Sayisman ka vendosur qe ditëlindjen e Almedës, 13 shkurt,  ta bëjë edhe më të paharrueshme duke caktuar dasmën në atë ditë.

Media turke raporton se Abazi dhe Sayisman do të udhëtojnë drejt Los Angeles në SHBA, ku ata kanë një shtëpi të tyren, për ceremoninë e martesës. Atje do të hedhin firmat në certifikatën e martesës dhe më pas do të ketë edhe një ceremoni shik.

Sayisman raportohet të ketë përgatitur një listë prej 25 personash për të marrë pjesë në këtë ceremoni.

Pas kthimit nga Los Angeles, çifti pritet të organizojë një festë edhe për miqtë në Stamboll./tvklan.al

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more