Skip to main content

“Raportet Kosovë-Serbi: Përpjekje për të dal nga kornizat (pakoja)” plus 3 more Telegrafi Opinione

“Raportet Kosovë-Serbi: Përpjekje për të dal nga kornizat (pakoja)” plus 3 more Telegrafi Opinione


Raportet Kosovë-Serbi: Përpjekje për të dal nga kornizat (pakoja)

Posted: 26 Jan 2017 09:38 AM PST

I. Lufta e përmasave të gjera në këto rrethana e pamundur

Ngritja e tensioneve të fundit me Serbinë, sidomos sa i përket çështjes së trenit të famshëm, sikur ktheu njëfarë frike për mundësi lufte. Kjo situatë gjithsesi u ndihmua nga deklaratat luftënxitëse të krerëve të shtetit serb, por edhe nga një pasiguri që rrjedhë nga ajo që po shihet si mundësi e zhvendosjes së kornizave të marrëdhënieve ndërkombëtare, të vlerave që deri më tani kanë përcaktuar ato por edhe të mundësisë së ndryshimit gradual të raportit të forcave.

Sidoqoftë, konsideroj se gjasat për një luftë të përmasave të gjera me tendencë pushtimin e tërë Kosovës nga ana e Serbisë, në këtë kontekst, nuk janë realiste. Këto që po i them i mbështes në disa faktorë objektiv, të cilët në të gjitha rrethanat e vendosin Serbinë në pozitë të vështirë të realizojë një përpjekje për ripushtimin e Kosovës. E para, në Kosovë janë të stacionuara trupat e NATO-s përmes misionit të KFOR-it, të cilat kanë obligim ruajtjen e paqes këtu dhe çfarëdo sulmi ndaj Kosovës do të thoshte luftë me NATO-n; e dyta, përkundër faktit që Serbia në planin ushtarak është shumë më e fortë se Kosova, as ajo e as ne nuk jemi në pozitën në të cilën kemi qenë në të kaluarën. Serbia më nuk i ka trupat e vendosura në Kosovë me bazat ushtarake në të gjitha pjesët e saj. Rrjeti i saj informativ ndonëse ende aktiv, është i dëmtuar. Gjithashtu, situata e brendshme qoftë politike, qoftë ekonomike e qoftë mediale në Serbi nuk është e tillë çfarë ishte në kohën e pushtimit.

Në anën tjetër, ne vërtet kemi forca të brishta të sigurisë, por megjithatë kemi polici dhe kemi FSK-në që në rrethana lufte shumë shpejt mund të transformohen në trupa luftarake. Mos të harrojmë se luftën me Serbinë e kemi filluar duke e pasur atë në çdo pore të jetës institucionale në Kosovë, ndërsa ne duke qenë tërësisht jashtë çdo institucioni të mundshëm të sigurisë (p.sh. Bosnja e Hercegovina e ka pasur policinë dhe njësitë e mbrojtjes territoriale); e treta, sot kufiri me Shqipërinë nuk kontrollohet nga Serbia, gjë që mundëson furnizim dhe logjistikë shumë më të konsoliduar në rast lufte. Gjithashtu, sot përfshirja e Shqipërisë në luftë në planin e së drejtës ndërkombëtare do të ishte shumë më e lehtë sepse do të ishte i ftuar nga një shtet i pavarur (përderisa përfshirja e saj e hapur në operacione luftarake në të kaluarën ka mund të trajtohet si cenim i integritetit të një shtetit të pavarur, në atë rast Serbisë). Për më shumë të qënit anëtar i NATO-s, Shqipërisë dhe shqiptarëve u jep edhe një përparësi tjetër; e katërta, sulmi ndaj Kosovës do të thoshte sulm ndaj shqiptarëve dhe destabilizim i të gjitha shteteve ku jetojnë shqiptarët, pra destabilizim i rajonit.

Destabilizimi i rajonit do të thoshte edhe përfshirje e fuqive të tjera rajonale, e mbi të gjitha Turqisë, por edhe Greqisë, Kroacisë e Bullgarisë. Mos të harrojmë, të gjitha këto shtete janë anëtare të NATO-s; e pesta, Kosova sot përkundër të gjitha telasheve për të fuqizuar pozicionin e saj në arenën ndërkombëtare është e njohur nga më shumë se 100 shtete dhe kjo e vendos Serbinë në pozicion të rëndë në arenën ndërkombëtare (Serbia nuk është Rusi, edhe atëherë kur e ka përkrahjen e kësaj të fundit); e gjashta, të cilën e konsideroj shumë të rëndësishme, sot kemi një popull që e ka përjetuar shtetin dhe lirinë, kemi gjenerata të rritura pa Serbinë, e të cilët unë kam përshtypjen janë në gjendje të sakrifikojnë shumë më shumë se në luftën çlirimtare '98-'99.

Të pesë faktorët e fundit, bëjnë që të fuqizohet argumenti i parë, se forca që ka ardhur këtu të sigurojë paqen, NATO-ja, nuk do të lejojë një destabilizim të përmasave të daljes të tilla. Kjo normalisht nuk do të thotë që Serbia do t'i ndalë provokimet, sidomos ato në veri të vendit, e as do t'i ndal planet për ndonjë aneksim të mundshëm të veriut në rrethana të favorshme ndërkombëtare për të. Kështu që fakti se lufta e përmasave të gjera duket e pamundshme në këtë moment, nuk do të thotë se ne duhet të flemë e të mos përgatitemi edhe për skenarët më të këqij. Megjithatë edhe shfrytëzimi i të gjitha energjive në drejtim të një konflikti të mundshëm mund të jetë me pasoja në gjetjen e rrugës së drejtë për të zgjidhur problemet me Serbinë.

II. Destabilizimi i Kosovës qëllim i përhershëm i Serbisë

Sidoqoftë Serbia do të vazhdojë luftën e saj për ta bërë Kosovën shtet jofunksional, për ta deligjitimuar në çdo hap dhe për ta provokuar herë pas here dhe mbajtur në tension të vazhdueshëm. Në situatën aktuale do të vazhdojë lojën e saj të tensioneve të vazhdueshme në Kosovë. Planin serb për Kosovën do ta përvijoja në tri shtylla:

i. Në planin strategjik Serbia është duke bërë të gjitha përpjekjet që kufirin etnik serb ta shtyj deri në lumin Ibër, për të përfshirë në këtë vijë edhe pjesën veriore të qytetit të Mitrovicës nga ku janë dëbuar dhunshëm shumica e banorëve shqiptarë por edhe boshnjakë. Qëllimi i kësaj përpjekjeje është që Serbia të jetë e gatshme që në çfarëdo rrethanash të ndryshimit të raporteve të forcave në arenën ndërkombëtare apo të një gjeo-strategjie të re, të mund të krijojë rrethana për ndonjë rishikim kufiri që do të mund të përfshinte edhe këto pjesë të Kosovës.

ii. Në planin taktik Serbia do të vazhdojë me politikën e provokimeve (varësisht nga situata do të kemi edhe intensitet të ndryshëm të tensionit), ashtu siç ishte kjo me trenin, me murin, me fletë-arrestet ndërkombëtare për luftëtarët e lirisë, siç është rasti me z.Haradinaj, me fushata të egra kundër Kosovës, siç ishte rasti me fushatën kundër pranimit të Kosovës në UNESCO, etj.

iii. Për ta bërë Kosovën shtet jofunksional duke shfrytëzuar të gjitha mekanizmat dhe mundësit që i jep kushtetuta e Kosovës dhe tërë sistemi politiko-juridik i Kosovës. Dhe realisht kjo është pjesa më problematike për ne. Pakoja e Ahtisaarit dhe vetë kushtetuta si derivat i saj, e që përbëjnë një kompromis të madh të shqiptarëve, nuk erdhën me atë që fillimisht u ofrua si shkëmbim për këtë kompromis – njohjen e Kosovës nga Serbia. Përkundrazi, Serbia mjeshtërisht po e njeh këtë pako dhe këtë kushtetutë vetëm aq sa asaj po i përshtatet për të na destabilizuar. Pamundësia për të ndryshuar kushtetutën e vendit pa 2/3 e deputetëve të pakicave (që nënkupton së paku 4 deputetë serbë), në një vend me popullsinë shumicë shqiptare rreth 95%, e që po vërehet edhe tani sa i përket pamundësisë së ndryshimit të kushtetutës për të shndërruar FSK-në në ushtri të Kosovës, i jep Serbisë përmes pakicës serbe çelësin e destabilizimit të Kosovës.

Kështu, Serbia do të vazhdojë me veprimet e veta t'i shfrytëzojë serbët e Kosovës. Me të tilla veprime do të mbahet gjallë nacionalizmi si tek serbët ashtu edhe tek shqiptarët. Sigurisht, asnjëra palë nuk do të përfitojnë nga një situatë e tillë, e mbi të gjitha jo qyetetarët e Kosovës pa marrë parasysh kombësinë e tyre. Kjo situatë e tensioneve të vazhdueshme do të na shpenzojë aq shumë energji sa që në vazhdimësi do të kemi problem si shoqëri dhe si shtet në fokusimin në temat zhvillimore si ekonomia, arsimi, shëndetësia, sundimi i ligjit etj. Të gjithë do të mbetemi peng të moszgjidhjes së çështjes shqiptaro-serbe, përkatësisht të raporteve në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Të gjitha dështimet që mund t'i kenë të gjitha qeveritë në të ardhmen deri në zgjidhjen e këtij kontesti, do të pasohen me arsyetimet e telasheve politike dhe tensioneve të vazhdueshme që shkaktohen nga ndërhyrjet e Serbisë në Kosovë.

III. Zgjidhja: Një platformë për bisedime që do të bazohej në reciprocitet deri ne ridefinim të kufijve

Përderisa kjo situatë do të na mbaj peng të tensioneve të vazhdueshme, te funksionalitetit problematik institucional, të betejave të pandalshme pozitë-opozitë (me ndryshime aktorësh në varësi të forcave që janë në pushtet dhe opozitë) e rrjedhimisht të moszhvillimit me ritmet e duhura, a kanë forcat politike shqiptare e rrjedhimisht a ka Kosova një strategji si të përballet me këto veprime të Serbisë? Ajo që shihet deri më tani veprimet tona janë ad hoc, si ajo me trenin, apo me seanca të njëpasnjëshme të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës. Njëra pjesë me tërë pakënaqësitë, edhe të brendshme, vazhdon bisedimet me Serbinë pa ndonjë platformë të qartë se ku do të arrihet dhe pjesa tjetër e cila është për ndërprerjen e bisedimeve dhe vendosjen e kushteve për Serbinë, gjithashtu nuk e ka të qartë se çfarë duhet bërë nëse Serbia plotëson ndonjërin nga kushtet (si psh. heqja e fletëarresteve) ndërsa problemet mbeten. Një kaos i tillë vërehet edhe në opinionin publik.

Prandaj, Lëvizja për Bashkim dhe unë personalisht mendojmë se dialogu me Serbinë nuk ka alternativë. Nuk ka alternativë sepse ne jemi ata që kemi më së shumti nevojë të zgjidhim problemet që i kemi me Serbinë. Gjithashtu konsiderojmë se sado problematik dhe kompleks që është konteksti ndërkombëtar, duhet shfrytëzuar fakti që edhe Serbia është e interesuar të integrohet në BE. Por, gjithashtu mendojmë se dialogu duhet të jetë thjeshtë vetëm politik dhe në të nuk do të duhej të diskutohej për çësthje teknike pa u zgjidhur problemet politike.

Me Serbinë kemi probleme politike, jo teknike. Lëvizja për Bashkim që në vjeshtën e vitit 2010 ka prezantuar Platformën për Zgjidhjen e Çështjes Shqiptaro-Serbe përmes bisedimeve politike. Si atëherë ashtu edhe sot, ne konsiderojmë se çështja e pavarësisë së Kosovës është kapitull i mbyllur në marrëdhëniet me Serbinë. Por problemet e mbetura politike në mes të dy shteteve konsistojnë nga statusi i tri komunave të Kosovës Lindore ku jetojnë shqiptarët (Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc) si dhe të tri komunave në veri të Kosovës ku jetojnë serbët (Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku). Ne si atëherë ashtu edhe tani e konsiderojmë jetike për Kosovën dhe funksionalitetin e saj që në bisedimet me Serbinë të shtrohet çështja e Kosovës Lindore, përkatësisht të shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë dhe të kërkohet zgjidhje reciproke me tri komunat veriore të Kosovës Leposaviqin, Zveçanin dhe Zubin Potokun.

Është njerëzore, është kombëtare, është qytetare dhe është shtetërore që të kërkohet reciprociteti në mes të këtyre dy pjesëve të cilat si në aspektin e homogjenitetit kombëtar, poashtu edhe të lidhjes territoriale me pjesët e kombeve të tyre janë në pozita gati se identike. Në këtë drejtim kemi kërkuar që të bëhen hapa të vendosur për kthimin e shqiptarëve në pjesën veriore të Mitrovicës dhe ajo të mos trajtohet në këtë projekt reciprociteti, sepse aty kemi të bëjmë me situatë klasike të spastrimit etnik. Sigurisht që për të shtruar me guxim një koncept të tillë në bisedime, duhet që ne forcat politike shqiptare njëherë të ulemi dhe të pajtohemi për të ndjekur këtë rrugë. Mbi të gjitha, për t'u pranuar ky koncept, duhet të dilet nga kornizat e tanishme të të menduarit, të dilet nga kornizat e zgjidhjeve të tanishme politiko-juridike, duhet të dilet nga logjika pakos së Ahtisaarit. Gjithnjë duke e pasur parasysh se këto nuk janë të shenjta dhe do të respektohen përderisa do të merremi vesh t'i ndryshojmë në mes vete, me ndërkombëtarët por edhe me serbët.

Në anën tjetër, jam i vetëdijshëm që ky koncept i LB-së shpesh herë është përzier me konceptin e shkëmbimit të territoreve. Këtu më duhet të bëjë një sqarim të shpejtë, reciprociteti në të drejta, në një situatë relaksimi në mes të dy shteteve dhe popujve mund dhe duhet të çojë në një ridefinim të kufijve por gjithmonë duke u bazuar në vullnetin e njerëzve që jetojnë në ato pjesë, përderisa shkëmbimi nuk e merr parasysh vullnetin e qytetarëve dhe popujve, por merrë parasysh sidomos pozitën gjeografike dhe resurset natyrore dhe shkëmbimet zakonisht përcillen me zhvendosje të popullsive.

Ridefinimi i kufijve në mes të Kosovës dhe Serbisë duke u zbatuar parimi i reciprocitetit dhe duke u bazuar në vullnetin e banorëve të atyre pjesëve, do të ishte zgjidhja më e drejtë dhe më e mirë afatgjatë për marrëdhëniet në mes të dy popujve dhe shteteve. Në anën tjetër, nëse ne vazhdojmë të sillemi me indolencë si ndaj veriut ashtu edhe ndaj shqiptarëve, në rrethana të tjera gjeo-strategjike vërtetë mund të ketë ridefinim të kufijve, por atëherë ai mund të na vendoset në Ibër në veri dhe të mos mbetet asnjë shqiptarë në Kosovën Lindore. Serbia është agresive sepse problemin me shqiptarët nuk po e konsideron të zgjidhur, ne po flemë sepse po e konsiderojmë të kundërtën. Gabimisht!

(Autori është kryetar i Lëvizjes për Bashkim)

The post Raportet Kosovë-Serbi: Përpjekje për të dal nga kornizat (pakoja) appeared first on Telegrafi.

Erë urrejtjeje…

Posted: 25 Jan 2017 11:06 AM PST

Bota e vjetër e shekullit të XX-të ka marrë fund pa kthim. Frank-Walter Steinmeier, ende ministër i Jashtëm dhe së shpejti kreu i shtetit gjerman, nuk është një nga ata që i shpëton kësaj. Megjithatë, ai i përmblodhi kështu zhvillimet aktuale. Marine Le Pen, kryetarja e Front National i jep atij të drejtë. "Po përjetojmë aktualisht fundin e një bote dhe lindjen e një të reje”, tha ajo të shtunën, në Koblencin gjerman, ku u mblodhën 800 të ftuar, populistë të djathtë nga e gjithë Evropa. Mund të qahesh për këtë, po nuk ia vlen. Brexit-i është realitet. Trump po ashtu. Në Evropën perëndimore po ndodh një metamorfozë politike. Populizmi është në modë. Asgjë (ende) nuk duket se do të jetë si më parë. Së shpejti votohet në vende të tjera të rëndësishme: Franca, Spanja, Gjermania.

Ndërkohë, SHBA-të po i thonë përfundimisht lamtumirë epokës si fuqi e rendit botëror. Në Siri ato i kanë hapur vend Putinit. Aq më shumë do të përqendrohen ato tani në Izrael. Premtimi i fushatës për zhvendosjen e Ambasadës amerikane nga Tel Avivi në Jerusalem nuk është thjesht një vendim organizativ – është një deklaratë politike. Një deklaratë e fortë madje. Një zhvendosje e tillë mund gati të barazohet me njohjen faktike të Jerusalemit si kryeqytet i vetëm i Izraelit. Më pak i rrezikshëm do të ishte një flakadan nëpër një pikë karburanti.

E, për Evropën nuk ka pse ta vrasë mendjen presidenti i ri, për këtë ai ka Petryt, Le Penët, dhe Wildersit – të afërmit e tij në qëndrime në format perëndimor. Qëllimi i të djathtëve evropianë është kthimi tek shtetet egoiste, të përqendruara në madhështinë e vet, pasqyrim i qëndrimeve të Trumpit "America first”. Nuk të çudit fakti që Theresa May është kryeministrja e parë nga kontinenti i vjetër që takohet me Trumpin. Lamtumira e britanikëve nga BE është për Trumpin dhe populistët evropianë një ushqim i gatshëm për të shprehur hapur përçmimin ndaj aleancave ndërnacionale.

Duket sikur zotëron tallja me çdo gjë që mësoi bota perëndimore pas Luftës së II Botërore. Politika e aleancave, parimi i solidaritetit, ndihma ekonomike. Sigurisht vota e Brexit-it ishte fitore e ngushtë, më shumë të mobilizuar ishin kundërshtarët e Brexit-it, të tjerët qëndruan në shtëpi duke menduar se do të mjaftojë edhe pa mua, ndoshta është menduar. Edhe Trumpi përfitoi nga sistemi amerikan i votimit, ndërkohë që në bazë të numrit absolut të votave ai përfaqëson më pak se gjysmën e amerikanëve. AfD në Gjermani dhe Fronti Nacional janë ende në opozitë. Por, ajo që e bën mjaft të rrezikshme zhvendosjen në skaj djathtas të politikës, ndryshimin e normave dhe atmosferën shoqërore në SHBA dhe Evropë është urrejtja e hapur ose e nënkuptuar e populistëve ndaj shtetit, demokracisë dhe elitave shoqërore, multinacionalitetit dhe mediave.

Fundjava që kaloi pasqyron nga Washingtoni në New York, Boston, Sidnei, Londër, Paris – edhe Koblenc – një realitet tjetër: protestën masive kundër qëndrimit të thjeshtëzuar, shpjegimeve të thjeshta për botën dhe nxitësve të së keqes. E, nëse demokracia duhet të jetë më shumë, se një koncept akademik në shkolla, atëherë ajo duhet të provojë veten tani, kudo: në parlamente, në media dhe në rrugë.

The post Erë urrejtjeje… appeared first on Telegrafi.

E dashur Amerikë, tani dukesh si një vend arab. Mirë se vjen në klub!

Posted: 25 Jan 2017 11:04 AM PST

Karl Sharro

E dashur Amerikë,

E kemi parë me shumë interes dhe kureshtje dramën e zgjedhjeve tuaja presidenciale. Është e vështirë të mos vërehen shumë prej ngjashmërive mes vendeve tona. Nga protesta e zjarrtë ditën e inaugurimit dhe mosmarrëveshjet e ashpra mbi madhësinë e turmave, tek ndërhyrja e shërbimit informativ në politikë dhe rritja e ekstremistëve të krahut të djathtë, duket se je duke udhëtuar shumë në drejtimin tonë – dhe në të njëjtën kohë, si ne, je duke u bërë një objekt kurioz për korrespondentët e huaj, të cilët janë duke u përpjekur t'i shpjegojnë botës se çfarë po ndodh në rajonin tuaj.

Ju mund të jeni e shqetësuar për shkak të drejtimit që keni marrë, por ne nuk jemi! Ndoshta ky do të jetë shansi për të lënë mënjanë dallimet tona, dhe të pranojmë se sa të ngjashëm jemi.

Le t'ia nisim nga fillimi. Gjatë fushatës ne u befasuam kur mësuam ndikimin që kreu i Mukhabarat-it amerikan (sigurimi i shtetit, d.m.th FBI-ja juaj) mund të ushtrojnë mbi procesin zgjedhor, thjesht duke zgjedhur të ndjekë një linjë të caktuar hetimi.

Siç mund ta dini, ky ka qenë një tipar konstant i politikës sonë që nga pavarësia.

Befasia jonë u kthye në habi, kur filluam të jemi dëshmitarë të një konflikti në lulëzim, ndërmjet presidentit të atëhershëm të zgjedhur dhe Mukhabarat-it amerikan, një tjetër tipar i rëndësishëm i politikës arabe. Në krye të kësaj, filluam të dëgjojmë raporte mbi ndërhyrjen e huaj në zgjedhjet tuaja, për të cilat disa thonë se mund të kenë ndikuar në rezultatin final të procesit.

Natyrisht, ne jemi mjaft të njohur edhe me këtë lloj situate, jo më pak për shkak të përpjekjeve të administratave tuaja gjatë dekadave të shkuara. E megjithatë, na erdhi si surprizë kur dëgjuam të flitet për "duar të huaja" dhe "agjenda sekrete" në një vend si Amerika. Na vjen keq. Në anën e ndritshme, ky qe edhe momenti kur filluan të përhapen teoritë e konspiracionit.

Ju na njihni; ne jemi mjaft të dhënë pas teorive konspirative – veçanërisht kur ato kanë të bëjnë me komplote nga fuqitë e jashtme – dhe e konsiderojmë veten specialist të këtij zhanri. Komplotet tuaja janë paksa të koklavitura, duhet të pranojmë, por meritojnë notën më të lartë sa i përket nivelit të kreativitetit.

A qe zgjedhja e Trampit një komplot rus? A ishte akuza për një komplot rus, një komplot liberal për të penguar hyrjen e Tramp në Shtëpinë e Bardhë? A lejoi Mukhabarat-i rrjedhjen e qëllimshme të informacionit për të dëmtuar Trampin? A qe mbulimi mediatik i teorive të konspiracionit të Mukhabarat-it mbi Trampin, pjesë e një teorie komploti liberale për ta rrëzuar? Këto teori janë të gjithë kaq komplekse dhe të hapura, ashtu si tonat.

Gjërat filluan të bëhen edhe më interesante, kur liberalët e tu filluan të mblidhen rreth degës heroike të Mukhabarat-t, CIA, në mënyrë që të shmangnin kërcënimin e ekstremistëve në pushtet dhe ndërhyrjen e jashtme nga Rusia. Ju do na kujtoni se kemi pasur përvoja të ngjashme vitet e fundit në Egjipt, Tunizi dhe Siri, dhe se mbetëm të zhgënjyer kur bota nuk e kuptoi pozicionin tonë.

Megjithatë, ne kemi dëshmuar shfaqjet publike të afinitetit për sigurinë shtetërore, gardianët e iluminuar të kombit. Kohët e fundit, madje kemi filluar të dëgjojmë edhe zëra rreth "shtetit të thellë" amerikan. Tani edhe kjo është gjithashtu diçka me të cilën ne jemi familjarë, dhe ajo ngre kaq shumë perspektiva interesante.

A do të përpiqet shteti i thellë të largojë presidentin e ri? A do tentojë gjyqësori të bllokojë programin e tij politik? Cilën anë do të mbajë ushtria? A do të fillojnë korrespondentët e huaj të flasin mbi "organet hije të shtetit amerikan"? Si do ta përdor Hollivudi, krahu argëtues i shtetit të thellë, fuqinë e tij për të kundërshtuar presidentin? Ne jemi të trullosur nga padurimi.

Dhe, meqë ra fjala tek ushtria, ndërsa ne qemë pak të zhgënjyer në fillim kur pamë se presidenti nuk kishte një sfond ushtarak, ai shpejt u zhvendos për ta korrigjuar atë duke emëruar një numër gjeneralësh në pozita të larta në administratë. Ne shpresojmë që ata të marrin pjesë në mbledhjet e kabinetit me uniformat e tyre; ka diçka shumë qetësuese tek udhëheqësi i kombit që rrethohet nga njerëz me uniforma ushtarake – mjafton të kini parasysh Sadam Hyseinin.

Trampi është qartazi dashnor i shfaqjeve të mëdha ushtarake. Marshimi ushtarak në Pennsylvania Avenue. Avionët ushtarakë që fluturonin mbi Nju Jork dhe Uashington DC gjatë paradës. Këtu dikush kupton realisht se si mendojnë se liderët e mëdhenj. (Ne mund t'i rekomandojmë rrobaqepës të shkëlqyer, për t'i qepur një uniformë ushtarake elegante).

Falë presidentit të lajmeve, ne mund të përdorim tanimë termin "regjim amerikan" vendi juaj e ka fituar plotësisht këtë titull. Natyrisht, një aspekt tjetër i rëndësishëm në këtë transformim, është qëndrimi përbuzës i presidentit ndaj mediave. Ngjashmëri të lezetshme. Nga fajësimi i shtypit për angazhim në komplotet e fshehta për të minuar atë, tek kërcënimi për aksesin e tyre në pallatin e tij në Shtëpinë e Bardhë, deri tek refuzimi për të pranuar pyetje nga gazetarë të caktuar, Presidenti Tramp na kujton disa prej liderve tanë.

Në fakt, një lider arab që ankohet mbi mbulimin mediatik të CNN-it, është tipikisht një element kryesor i jetës sonë politike. Kjo mori një kthesë interesante të shtunën e shkuar, kur presidenti akuzoi mediat e për stisjen e konfliktit të tij me Mukhabarat-in dhe ministrin e tij të Informacionit, Shon Spajser, që fshikulloi median për raportimin e madhësisë së turmës gjatë ceremonisë së inagurimit presidencial.

Kërcënimet jo aq të fshehura nga presidenti dhe z. Spajser ndaj mediave, janë shumë në frymën e qeverisjes arabe. Ne jemi duke pritur të shohim se si saktësisht Presidenti Tramp, ka në plan të merret me një shtyp të bezdisshëm dhe të lodhshëm. Deri më tani, ai na kujton presidentin turk Rexhep Taip Erdogan, i cili ndoshta më shumë se çdo lider tjetër ka qenë në krye të lëvizjes për t'i treguar shtypit vendin e vet.

A do të vazhdojë ai të të ndjekë shembullin e z. Erdogan, në reduktimin gradual të lirisë së shtypit, apo do të zgjedhë qasjen arabe, duke zëvendësuar të gjitha mediat në një apo dy organe shtetërore? Megjithëse, momenti kur ndjemë një solidaritet të vërtetë me popullin amerikan, ishte kur filluam të dëgjojmë gazetarët e BBC-së të flasin për qytetarët tuaj me tonin përkrahës që ata normalisht përdorin për Lindjen e Mesme. Korrespondentët u dërguan në qoshet e largëta të Shteteve të Bashkuara, për të biseduar me fermerët dhe punëtorët e fabrikavr, në përpjekje për të kuptuar se si ndjehen, dhe bënin pyetje mospërfillëse.

Unë vij nga British Broadcasting Corporation, a e njihni BBC? Ku informoheni? A ndjeheni të zemëruar? A luan feja rol në mënyrën se si po votoni? (E vetmja gjë që mungonte qenë fotografitë e njerëzve me bojën blu në gishtin e tyre, ju lutem konsideroni përdorimin e kësaj praktike në të ardhmen).

U fol gjithashtu edhe për bastione rurale dhe urbane. Ndarje të thella sociale dhe gjeografike, origjina e të cilëve shkon pas në kohë. Ata nuk janë tamam ndarje fisnore, por qenë gjithsesi më shumë se sa sektarizmi i mjaftueshëm fetare dhe politik për të ndezur interesin tonë. Kush janë liberalët dhe konservatorët, dhe si filluan mosmarrëveshjet mes tyre?

Cili është dallimi ndërmjet të djathtës alternative dhe Tea Party? Cila është origjina e skizmës ndërmjet neo-konservatorëve dhe paleokonservatorëve? Ishte hipnotizuese, të shihje korrespondentë e huaj teksa përpiqeshin të shpjegonin dallimet.

Dhe pastaj ndodhën trazirat. Në prag të inaugurimin, filluam të dëgjojmë mbi protestat e të rinjve kundër regjimit të ri. E pra! Ky është kufiri mbi në plagjiaturën tanimë. Ju lutemi shkruajini vetë komplotet tuaja dhe mos merrni më hua tonat.

Edhe pse, ne zakonisht presim që liderët të marrin pushtetin para se të fillojmë të protestojmë; e pëlqejmë qasjen tuaj revolucionare parandaluese. Dhe inaugurimi, qe një shfaqje spektakolare: protesta, trazira, gaz lotsjellës – kishte të gjithë përbërësit e nevojshëm të një revolucioni arab.

Ne pamë imazhet e dritareve të thyera në Bankën e Amerikës, dhe një limuzinë të zhytur në flakë. Black Block la mesa duket vulën e vet në këto protesta. Dikush dogji një portret të zotit Tramp dhe një flamur amerikan. (dakord kjo ndodhi në Kanada, e megjithatë vlen të përmendet). Ne shohim sesi më shumë nga ato momente që u kapën në kamera, u shndërruan në fotove që ilustronin esetë në shtypin e huaj.

Edhe pse, nëse doni që këto protesta të jenë spektakle të suksesshme, më poshtë po japim disa këshilla të rëndësishme: Përdorni median sociale, dhe flisni për rëndësinë e Twitter-it dhe Facebook-ut në përhapjen e protestës së lëvizjes. Sigurohuni që të theksoni se lëvizja juaj është pa udhëheqës dhe organike.

Vini në dukje faktin se nuk i përkisni asnjë prej partive politike tradicionale, apo se nuk keni ideologji të njohura. Dilni me slogane që tërheqin masat . Dhe mbi të gjitha, sigurohuni të theksoni se jeni ju të moderuarit. Gazetarët dhe analistët pëlqejnë të dëgjojnë gjëra të tilla, sikurse i zbuluam vetë gjatë protestave tona.

Dhe kinin kujdes me marrjen e ndihmës nga fuqitë e jashtme. Ne dëgjojmë se si Kanadaja ashtu edhe Meksika, mund të përpiqen të ndërhyjnë në politikën tuaj të brendshme. Me rusët tashmë të përfshirë, kjo situatë premton të formësohet deri në një konfrontim ndërkombëtar. Jini e përgatitur për një përmbytje artikujsh nga think-tank të ndryshme, në lidhje me atë nëse ndërhyrja në SHBA qe e drejtë apo e gabuar, nëse ndryshimi i regjimit mund të ndodhë shpejt, nëse konfrontimi aktual do të shndërrohet në një konflikt të zgjatur, apo nëse në plan është një luftë me prokurë.

Fjalë paralajmëruese, para se të hysh në këtë shteg. Ne e provuam vetë revolucionin, dhe nuk funksionoi aq mirë. Ndoshta ju duhet vetëm të përshtateni me jetesën nën regjimin e ri. Na thoshit gjithmonë se qënia e një njeriu të dorë së fortë në krye, është zgjidhja më e mirë për vendet arabe, përndryshe do të kishte kaos. Fundja, populli amerikan nuk është ndoshta gati për demokracinë. Përballu me këtë situatë Amerikë, ju dukeni tanimë si një vend arab.

Sinqerisht,

Bota Arabe

PS: Ne kemi marrë guximin të ridizenjojmë flamurin tuaj; A ju pëlqen? Gjithashtu, ne jemi duke i bashkëngjitur një formular aplikimi për në Ligën Arabe, merrni në konsideratë aderimin në të.

(Autori është është arkitekt, satirist dhe komentator për Lindjen e Mesme)

The post E dashur Amerikë, tani dukesh si një vend arab. Mirë se vjen në klub! appeared first on Telegrafi.

Rendi Botëror 2.0

Posted: 25 Jan 2017 10:56 AM PST

Përafërsisht katër shekuj, qëkur Paqja e Uestfalisë në 1648 i dha fund Luftës në Evropë, koncepti i sovranitetit – e drejta e vendeve për një ekzistencë të pavarur dhe autonomi – ka formuar thelbin e rendit ndërkombëtar. Dhe, për një arsye të mirë: siç kemi parë shekull pas shekulli, përfshirë këtë aktualin, një botë në të cilën kufijtë shkelen me forcë është një botë e destabilitetit dhe konfliktit.

Por, në një botë të globalizuar, një sistem operacional global i mbështetur vetëm në respektimin e sovranitetit – ta quajmë Rendi Botëror 1.0 – është bërë gjithnjë e më i papërshtatshëm. Pak gjë mbetet lokale tashmë. Thuajse gjithkush dhe gjithçka, nga turistët te terroristët, refugjatët deri te emailet, sëmundjet, dollarët dhe gazet serrë, mund të arrijë thuajse kudo. Rezultati është se çfarë hyn në një vend nuk mund të jetë shqetësim vetëm i atij vendi. Realitetet e sotme kërkojnë një sistem operimi të përditësuar – Rendi Botëror 2.0 – bazuar në "obligimin e sovranit", nocion që thotë se shtetet sovrane jo vetëm kanë të drejta por edhe detyrime ndaj të tjerëve.

Një rend ndërkombëtar i ri do të kërkojë gjithashtu një set të zgjeruar normash dhe marrëveshjesh duke filluar me një bazë të rënë dakord për shtetësinë. Qeveritë ekzistuese do të bien dakord të marrin në konsideratë ofertat për shtetësinë vetëm në rastet kur ka një justifikim historik, një arsyetim bindës dhe mbështetje popullore, dhe kur subjekti i ri i propozuar është i zbatueshëm.

Rendi Botëror 2.0 duhet të përfshijë ndalesa në kryerjen apo mbështetjen në çdo lloj forme të terrorizmit. Gjithashtu duhet të përfshijë forcim të normave që ndalojnë përhapjen apo përdorimin e armëve të shkatërrimit në masë. Ndërsa bota priret të bjerë dakord në kufizimin e riprodhimit të armëve duke kufizuar aksesin e vendeve në teknologji dhe materiale të nevojshme, konsensusi shpesh prishet sapo ka ndodhur shpërndarja. Kjo duhet të bëhet një temë diskutimi në takimet bilaterale dhe multilaterale, jo sepse do të çonte në një marrëveshje formale, por sepse do të përqendronte vëmendjen në sanksionet e rrepta apo në veprimtarinë që ushtria po ndërmerr, që mundet më pas të ulë gjasat e shpërndarjes së armëve.

Një element tjetër thelbësor i një rendi të ri botëror është bashkëpunimi në ndryshimin klimatik, që mund të jetë manifestimi tipik i globalizimit, sepse të gjitha vendet janë të ekspozuara ndaj pasojave të tij, pavarësisht kontributit për të. Marrëveshja klimatike e Parisit 2015 – ku qeveritë ranë dakord të kufizojnë çlirimin e gazeve serrë dhe të ofrojnë burime për të ndihmuar vendet më të varfra të përshtaten – ishte një hap në drejtimin e duhur. Progresi në këtë drejtim duhet të vazhdojë.

Hapësira kibernetike është domenin më i ri i aktivitetit ndërkombëtar karakterizuar nga bashkëpunimi dhe konflikti. Synimi në këtë zonë duhet të jetë të krijohen marrëveshje ndërkombëtare që inkurajojnë përdorimin e mirë të hapësirës kibernetike dhe dekurajojnë përdorimin e keq. Qeveritë duhet të veprojnë vazhdimisht brenda këtij regjimi si pjesë e obligimeve të tyre sovrane – ose do të përballen me saksione apo pasoja.

Shëndeti global paraqet një grup të ndryshëm sfidash. Në një botë të globalizuar, një shëprthim i një sëmundje infektive në një vend mund të evolojë me shpejtësi në një kërcënim për shëndetin kudo, siç ndodhi vitet e fundit me SARS, Ebola, dhe Zika. Fatmirësisht ideja e obligimit sovran është tashmë e përparuar në këtë sferë: vendet janë të përgjegjshme për përpjekjen për të gjurmuar shërbimet e sëmundjeve efektive, për t'u përgjigjur siç duhet dhe për të lajmëruar të tjerët nëpër botë.

Kur vjen puna për refugjatët, nuk ka zëvendësim më të mirë sesa veprimtaria lokale që synon të parandalojë situatat që gjenerojnë valë të mëdha refugjatësh. Në parim, ky është një argument për ndërhyrje humanitare në situata të caktuara. Por përkthimi i këtij parimi në praktikë do të mbetet i vështirë, për shkak të agjendave të ndryshme politike dhe kostos së lartë të ndërhyrjes efektive. Edhe pa një konsensus, megjithatë, ka një arsye të fortë për rritje të fondeve për refugjatët, duke siguruar trajtim njerëzor për ta dhe duke vënë kuota të drejta për sistemimin e tyre.

Marrëveshjet tregtare janë pakte të detyrimeve sovrane reciproke që lidhen me barrierat tarifore dhe jotarifore. Kur një palë beson se detyrimet nuk përmbushen, ka të drejtën e arbitrazhit në Organizatën Botërore të Tregtisë. Por, gjërat janë më pak të qarta kur vjen puna te subvencionet qeveritare apo manipulimi i monedhës. Sfida, kështu, është të përcaktohen detyrimet e sakta sovrane në këto zona për paktet e ardhshme tregtare dhe të krijohet mekanizmi për të kërkuar llogari te qeveritë.

Krijimi i konceptit të detyrimeve sovrane si një themel i rendit ndërkombëtar do të marrë dekada konsultime dhe negociata – dhe atëherë, pranimi dhe impakti do të jetë jo i barabartë. Progresi do të vijë vetëm vullnetarisht, nga vetë vendet në vend të urdhrit nga lart-poshtë.

Realisht, do të jetë e vështirë të luhet me marrëveshjen e detyrimeve specifike të sovranëve dhe të mënyrës se si këto duhen vënë në zbatim.

Për t'i komplikuar çështjet edhe më keq, administrata e presidentit Donald Trump ka përqafuar një doktrinë "Amerika e Para" që është shumë jokonsistente me atë që po sugjerohet këtu. Nëse kjo mbetet qasja e SHBA-së, progresi kundrejt krijimit të llojit të rendit që bota e sotme e ndërlidhur kërkon do të vijë vetëm nëse fuqi të tjera të mëdha e kërkojnë – ose do të duhet të pritet për pasardhësin e Trump. Një qasje e tillë, megjithatë, do të jetë e dyta më e mirë, dhe do ta linte SHBA-në dhe pjesën tjetër të botës në gjendje më të keqe.

Tani është koha të fillohen bisedimet e nevojshme. Globalizimi është këtu për të qëndruar. Ecja përpara drejt një rendi të ri ndërkombëtar që inkorporon detyrimet sovrane është mënyra më e mirë për të përballuar situatën. Rendi Botëror 2.0 i ndërtuar mbi detyrimin sovran, është sigurisht një projekt ambicioz – por i lindur prej realizmit, jo idealizmit.

The post Rendi Botëror 2.0 appeared first on Telegrafi.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more