Skip to main content

“Presidenti meksikan e anulon takimin me Donald Trump ” plus 19 more Radio Evropa e Lirë

“Presidenti meksikan e anulon takimin me Donald Trump ” plus 19 more Radio Evropa e Lirë


Presidenti meksikan e anulon takimin me Donald Trump 

Posted: 26 Jan 2017 09:06 AM PST

Presidenti meksikan, Enrique Pena Nieto, ka thënë sot se ka hequr dorë nga takimi me Donald Trump, i paraparë për javën e ardhshme, pasi presidenti amerikan ka shkruar në Twitter se Meksika duhet të anulojë takimin nëse nuk është e gatshme të paguaj për murin përgjatë kufirit SHBA – Meksikë.  "Këtë mëngjes ne e kemi informuar Shtëpinë e Bardhë se unë nuk do të marrë pjesë në takimin e punës të planifikuar për të marten me presidentin e Shteteve të Bashkuara", ka shkruar në Twitter, Pena Nieto.  "Meksika e përsërit dëshirën e saj që të punoj me Shtetet e Bashkuara për të arritur marrëveshje prej të cilave të dy kombet përfitojnë", ka shkruar më tej ai. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Kosova nderon dhe kujton viktimat e Holokaustit

Posted: 26 Jan 2017 09:01 AM PST

Në prag të Ditës ndërkombëtare të Holokaustit, në Kosovë është mbajtur akademi në ndërim të viktimave të Holokaustit.   Përfaqësues të Institucioneve të Kosovës, ambasadorë të akredituar në Kosovë dhe përfaqësues të shoqatave shqiptaro hebraike pjesëmarrës në këtë akademi kanë kujtuar viktimat e Holokaustit.   Kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli ka thënë se në këtë ditë ndihet krenarë për gjithë ata bashkëkombës që në momentet më të rënda gjatë Luftës së Dytë Botërore i kanë ofruar mbështetje dhe strehim hebrenjve.   "Përvjetori i Holokaustit një histori shumë e rëndë. Askush më mirë dhe qartë se edhe vetë populli jonë nuk e përjeton këtë histori pavarësisht se ka ndodhur mbi 72 vite më herët, por në popullin shqiptarë pothuajse dy dekada me herët që i jemi nënshtruar të njëjtit realitet", ka thënë Veseli.   Gjatë Luftës së Dytë Botërore, shumë shqiptarë në Kosovë strehuan dhe mbrojtën hebrenj.    Ruzhdi Shkodra kryetar i Organizatës shqiptaro hebraike ka thënë se Kosova përgjatë viteve shënon Ditën ndërkombëtare të Holokaustit   "Sot e gjitha bota demokratike organizon ditën ndërkombëtare të kujtesës, kjo ngjarje qytetarët e Kosovës i gjen ballë hapur dhe krenar me familjet që strehuan dhe mbrojtën hebrenj", ka thënë Shkodra.    Holokausti përkujtohet në çdo 27 janar, në ditën kur forcat sovjetike e çliruan kampin Aushvic-Birkenau në vitin 1945.   Vlerësohet se afro 1.5 milionë hebrenj evropianë janë vrarë përgjatë Holokaustit, së bashku me 4.5 milionë hebrenj të tjerë, përfshirë meshkuj dhe gra.   Holokausti mbetet njëra nga tragjeditë më të mëdha të kohës moderne dhe megjithëse njihet botërisht, në vete ngërthen edhe miliona tragjedi personale dhe rrëfime të patreguara.  

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Rusi: Arrestimet e zyrtarëve të sigurisë mund të kenë lidhje me sulmet kibernetike në SHBA

Posted: 26 Jan 2017 08:27 AM PST

Mediat ruse raportojnë se një tjetër oficer i Shërbimit të Sigurisë Federale në Rusi (FSB) është arrestuar me akuzën për tradhëti të lartë në një rast që mund të ketë lidhje me sulmet kibernetike ndaj fushatës zgjedhore presidenciale në SHBA.  Ky është rasti i dytë pas atij për të cilin raportoj gazeta Kommersant ku u tha se një zyrtar i lartë i departamentit të inteligjencës kibernetike në FSB, agjencinë më të rëndësishme të sigurisë në Rusi, është arrestuar.  Raportimet në media ruse thonë se nënshefi i Qendrës për Sigurinë e Informacionit në FSB, Sergei Mikhailov, është arrestuar në muajin dhjetor me akuzën për tradhëti.    Në muajin dhjetor raportohet të jetë arrestuar edhe meaxheri i një kompanie të njohur ruse për sigurinë kibernetike.  Laboratori "Kaspersky" ia ka konfirmuar Radios Evropa e Lirë arrestimin e menaxherit të saj, Ruslan Stoyanov.  Më 26 janar, raportimet në disa media thonë se një tjetër zyrtar i FSB-së është arrestuar muajin e kaluar, duke e identifikuar të dyshuarin si Majorin Dmitry Dokuchayev. Ky i fundit e ka udhëhequr një tjetër njësi brenda Qendrës për Sigurinë e Informacionit dhe besohet se ka shërbyer nën Mikhailovin.  Në fillim të muajit janar, udhëheqësit e agjencive amerikane të inteligjencës i kanë thënë një komisionit të Senatit amerikan se Rusia ka kryer sulme kibernetike ndaj procesit zgjedhor në SHBA.  Një nga agjencitë e lajmeve ruse raporton se Mikhailov ka pasur lidhje me një grup hakerësh rusë që njihen me emrin "Humpty Dumpty". 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Ryan: Kostoja e murit me Meksikën shkon nga 12 – 15 miliardë dollarë 

Posted: 26 Jan 2017 08:06 AM PST

Udhëheqësi i Dhomës së Përfaqësuesve, Paul Ryan, ka thënë se kostoja e ndërtimit të murit me Meksikën, i propozuar nga presidenti Donald Trump, do të jetë nga 12 deri në 15 miliardë dollarë.  Ryan ka thënë se Kongresi do të paguaj për ndërtimin e murit.  Zyrtari republikan i ka bërë këto komente para mediave në Filadelfia, ku ligjvënësit republikanë janë duke e mbajtur takimin vjetor për ndërtimin e strategjisë së tyre.  Ryan nuk ka pranuar të thotë nëse çmimi për ndërtimin e murit do t'i shtohet deficitit, apo nëse Kongresi do të gjej mënyra të tjera për ta mbuluar shpenzimin.  Trump pritet të flas para këtyre ligjvënëse të enjten, një ditë pasi e ka nënshkruar urdhërin ekzekutiv për ndërtimin e murit.   

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Zyrtari francez i ekstremit të djathtë e viziton Izraelin, has në vështirësi për takime

Posted: 26 Jan 2017 07:33 AM PST

Nicolas Bay, sekretari i përgjithshëm i partisë së ekstremit të djathtë në Francë ka udhëtuar drejt Izraelit ku thotë se është takuar me zyrtarë ushtarak, qeveritar dhe politik, ndonëse Izraeli shmang lidhjet me këtë parti, raporton Associated Press.  Izreli nuk ka asnjë lidhje zyrtare me Frontin Kombëtar francez për shkak të ideologjisë së ekstremit të djathtë dhe historisë së partisë me anti-semitizmin.  Liderja e kësaj partie, Marine Le Pen është një nga kandidatët kyçe për zgjedhjet presidenciale që pritet të mbahen sivjet në Francë.  Emmanuel Nahshon nga Ministria e Jashtme e Izraelit ka thënë se zyrtari i partisë së Le Penit, Nicolas Bay ka qenë në vizitë private dhe se nuk do të takohet me zyrtarët. Mirëpo Bay ka postuar në Twitter fotografi nga takimet e tij me dy zyrtarë dhe me David Shayan, udhëheqësin e organizatës rinore të partisë në pushtet.  Shayan ka thënë se takimi ka ndodhur "rastësisht" duke mos treguar se për çfarë kanë biseduar.  Johann Habib, zëdhënësi i Federatës Frankofone të Izraelit, vizitën e Bay e ka quajtur "provokim".  Fronti Kombëtar francez ende nuk ka komentuar për vizitën. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Ulja e nivelit të ndotjes së ajrit përmes mosshfrytëzimit të makinave

Posted: 26 Jan 2017 06:07 AM PST

Në orët e hershme të mëngjesit në qytetin e Shkupit gjatë janarit, matjet kanë shënuar prani të lartë të grimcave të dëmshme kancerogjene PM10 në ajër, madje në disa ditë, prania e tyre ka qenë për dhjetë herë më e lartë nga niveli i lejuar.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Trump dëshiron rikthimin e torturës me mbytje në ujë 

Posted: 26 Jan 2017 06:01 AM PST

Presidenti amerikan, Donald Trump, thotë se ai mendon që teknika e torturës me mbytjen në ujë të të arrestuarve në përgjithësi shihet si një torturë që "absolutisht" funksionon, ndonëse për rikthimin e kësaj metode ai ka thënë se do ia lë shefave të CIA-s dhe Pentagonit të vendosin.  Në një intervistë dhënë televizionit "ABC News", e transmetuar më 25 janar, Trump ka thënë se Shtetet e Bashkuara duhet të "luftojnë zjarrin me zjarr" derisa amerikanëve iu hiqen kokat dhe krime të tjera që kryhen nga militantët e Shtetit Islamik.  "Kur ata iu këpusin kokat njerëzve tanë, dhe të tjerëve… kur (IS) bënë gjëra që askush nuk i ka dëgjuar prej mesjetës, a do të duhej të mendoj në të mirë të tortures me mbytje në ujë? Për aq sa më takon mua, ne duhet ta luftojmë zjarrin me zjarr", ka thënë ai.  Por, ai megjithatë ka thënë se do të mbështetet në këshillat e shefit të Pentagonit, James Mattis dhe Drejtorit të Agjencisë Qëndrore të Inteligjencës, Mike Pomeo.  "Nëse ata nuk duan ta bëjnë këtë, në rregull. Nëse duan ta kthejnë, atëherë do të punojë në atë drejtim", ka thënë presidenti Trump.  "Po, a ma merr mendja se funksionon? Absolutisht, unë mendoj se po", ka thënë ai.  Në muajin nëntor, pas takimit me Mattis, Trump iu ka thënë mediave se në përgjithësi ai i ka thënë që tortura me mbytjen në ujë nuk është efektive. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Termocentrali “Kosova e Re” në fazën përfundimtare

Posted: 26 Jan 2017 05:17 AM PST

Projekti më i diskutuar në fushën energjetike, termocentrali " Kosova e Re", është në fazën përfundimtare të negociatave me investitorin përzgjedhës për ndërtimin e tij. Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Blerand Stavileci, tha për Radion Evropa e Lirë se nënshkrimi i marrëveshjes komerciale, që është faza e parafundit, me investitorin Contour Global, pritet të realizohet në muajin shkurt. Kurse ndërtimi pritet të nis gjatë muajve në vazhdim. Termocentrali " Kosova e Re" do të ndërtohet afër termocentralit aktual "Kosova B", me një kapacitet gjenerues prej 450 megavat. Vlera financiare e këtij projekti, sipas ministrit Stavileci, pritet të arrijë në rreth një miliard euro. "Nënshkrimi i marrëveshjeve komerciale e përbën fazën e parafundit të realizimit të projektit, ndërkaq fazën e fundit e përbën pakoja tenderuese për termocentralin". "Do të thotë, në momentin që nënshkruhen marrëveshjet komerciale, sipas një tabele kohore të aktiviteteve që ka paraparë investitori, mendohet që në fillim të marsit të nis pakoja tenderuese për ndërtuesin e termocentralit", ka thënë Stavileci. Por, ish Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismaili tha për Radion Evropa e Lirë se autoritet kompetente janë vonuar për fillimin e ndërtimit të termocentralit, "Kosova e Re".  "Ky termocentral është jashtëzakonisht i nevojshëm dhe sa më parë që do të fillojë do të jetë shumë mirë për Kosovën. Kosova është shumë vonë në realizimin e këtij projekti", ka thënë Ismaili.  Ndryshe, në vitin 2015, autoritet kompetente në Kosovë ofertuesin Contour Global, me seli në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e kishin përzgjedhur si kompaninë fituese për ndërtimin e këtij termocentrali.  Në anën tjetër, shoqëria civile vazhdimisht ka kundërshtuar ndërtimin e tij, me arsyetimin se Kosova nuk ka nevojë për termocentral të ri, por për një menaxhim më të mirë të shpenzimit të energjisë energjetike. Me gjithë kundërshtimet, Kushtrim Puka nga Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë për Energji (KOSID), ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se edhe vonesat për fillimin e ndërtimit të këtij termocentrali janë të pa arsyeshme dhe të përcjella me shumë parregullsi. "Mendoj se ky proces është shtyrë dhe është ndryshuar pakoja tenderuese, çka të lë të mendosh se këtu kishte lloj– lloj ndryshimesh të cilat nuk kanë përkuar me realitetin". "Kosova me kapacitet ekzistuese që ka nuk ka problem të mbuloj ngarkesën bazë të energjisë elektrike. Ne kemi problem të mbulojmë ngarkesën e konsumit kur është në maksimum i shpenzimit", thotë Puka. Projekti, sipas Pukës, ka qenë i destinuar për dështim, pasi që sipas tij, përgjatë kësaj dekade, ky projekt ka pësuar ndryshime, si në emërtim, kapacitete prodhuese, por edhe në aspektin ligjor. Sipas një raporti të këtij konsurciumi, thuhet se ndërtimi i Termocentralit "Kosova e Re", do të dëmtonte ekonomitë familjare dhe ekonominë e përgjithshme, pasi që do të rriste çmimin e energjisë elektrike për rreth 50 për qind. Por, këto të dhëna në këtë raport, janë mohuar nga zyrtarë qeveritar. (REL)

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Filipine: Informacione shqetësuese për shtrirjen e IS-it në Azi 

Posted: 26 Jan 2017 05:07 AM PST

Filipinet kanë siguruar informacione sekrete që thonë se janë përforcuar lidhjet në mes të militantëve vendor dhe grupit Shteti Islamik, ka thënë ministria e mbrojtjes së këtij shtetit të enjten, raporton Reuters.  Kjo ka shtuar shqetësimet se ekstremistët e Lindjes së Mesme kanë filluar të ndërtojnë një rrjet në Azinë Juglindore.  Informacionet tregojnë se lideri i grupit militant, Abu Sajaf i cili ka bërë emër për shkak të kidnapimeve të kryera në Filipinet jugore, po bënë përpjekje që të zgjerojë ndikimin në zona te reja në Filipine, pas marrjes së instruksioneve nga Shteti Islamik.  Ushtria deri vonë e ka hedhur poshtë ekzistimin e lidhjeve në mes të Shtetit Islamik dhe militantëve islamik në Filipine, duke thënë se Abu Sajaf ka shprehur besnikëri ndaj IS-it me qëllim që të fuqizojë profilin e tij në rajon.  Abu Sajaf, i cili operon në ishujt jugore të Filipineve, ka kidnapuar dhjetëra të huaj përgjatë viteve të fundit, disa prej të cilëve iu ka hequr kokat, përfshirë edhe dy kanadezë gjatë vitit të kaluar.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Kremlini reagon i përmbajtur ndaj planit amerikan për “Zona të Sigurta” në Siri

Posted: 26 Jan 2017 04:05 AM PST

Rusia ka reaguar e përmbajtur ndaj planit amerikan për krijimin e "zonave të sigurta" në Siri, duke thënë se Uashingtoni nuk është konsultuar me Moskën në këtë çështje dhe se të gjitha pasojat e mundshme duhet të ekzaminohen.  Presidenti amerikan, Donald Trump më 25 janar tha se synon të ngrejë "zona të sigurta për refugjatët në Siri", si pjesë e planit të tij për të kufizuar migrimin në SHBA. Sipas një dokumenti që e ka parë Reuters, Trump pritet që brenda pak ditësh ta urdhërojë Pentagonin dhe Departamentin e Shtetit të hartojnë një plan për këtë brenda tre muajsh.  "Jo, partnerët tanë amerikanë nuk janë konsultuar me ne", ka thënë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, më 26 janar.  "Ky është vendim sovran".  Peskov ka thënë se është e nevojshme që të "bëhen llogari të thella për të gjitha pasojat e mundshme" dhe se "është me rëndësi që ky plan të mos e përkeqësoj situatën me refugjatë".  Turqia e cila ka kohë që kërkon ngritjen e zonave të sigurta në Siri, ka thënë se po pret që ta shoh planin amerikan. "Ajo që është me rëndësi është rezultati i këtij studimi dhe çfarë lloji i rekomandimit do të dal prej kësaj", ka thënë zëdhënësi i ministrisë së jashtme turke, Huseyin Muftuoglu.  

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Stoltenberg beson që Mali i Zi së shpejti bëhet anëtar i NATO-s

Posted: 26 Jan 2017 03:15 AM PST

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg është i bindur që edhe Shtetet e Bashkuara do e pranojnë anëtarësimin e Malit të Zi në NATO.  "Kam besim se Protokolli i Anëtarësimit (i Malit të Zi në NATO) do të ratifikohet nga Senati (amerikan). Ai tashmë e ka kaluar Komisionin e Senatit për Marrëdhënie me Jashtë dhe ka përkrahje nga të dy partitë politike, prandaj nuk kam ndonjë arsye të besojë që nuk do të ndodh kështu edhe në Senat", ka thënë sot Stoltenberg pas takimit me kryeministrin malazez, Dushko Markoviq.  Stoltenberg ka thënë se ky Protokoll tashmë është ratifikuar nga 21 shtete, ndërsa sot edhe Senati francez pritet ta miratojë atë.  "(Pas Francës) do të bëhen 22 shtete. Dhe, ne presim që shtetet e tjera ta bëjnë të njejtën, por natyrisht, iu takon parlamenteve kombëtare të vendosin saktësisht se çfarë duan të bëjnë. Por, unë pres që të gjitha parlamentet, përfshirë edhe Senatin amerikan, ta bëjnë këtë që Mali i Zi të bëhet anëtar i plotë i NATO-s në një të ardhme të afërt", ka thënë Stoltenberg. 

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Së paku 27 fëmijë të vdekur nga acari në Afganistan

Posted: 26 Jan 2017 02:07 AM PST

Bora dhe ngricat kanë vrarë së paku 27 fëmijë në një zonë të largët të Afganistanit verior. Pesëdhjetë centimetra borë kanë bllokuar rrugët në qarkun Darzab të provincës Javzjan, ndërsa temperaturat kanë rënë në -10 gradë Celsius, tha guvernatori i qarkut, Rahmatullah Hashar. Ai tha se vdekjet kanë ndodhur gjatë dy-tre ditëve të fundit dhe se të gjithë fëmijët kanë qenë nën 5 vjeç. Fakti se rrugët janë të bllokuara mund të shkaktojë vdekje të reja, tha Hashar. Megjithatë, guvernatori i provincës, Reza Ghafoori, tha se do të dërgohen ndihma. Çdo dimër, reshjet e borës, acari dhe ortekët vrasin dhjetëra njerëz në Afganistan, ku për shkak të infrastrukturës së dobët, ekipet e shpëtimit e kanë të vështirë të arrijnë në zonat e izoluara.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Opozita siriane refuzon draftin rus të kushtetutës

Posted: 26 Jan 2017 01:55 AM PST

Opozita e Sirisë ka refuzuar propozimin e Rusisë për një kushtetutë të re, thonë raportet e mediave. Moska ka thënë se drafti, i prezantuar gjatë një takimi me rebelët sirianë në bisedimet për paqe, këtë javë në Kazakistan, bazohet në idetë nga Qeveria e Sirisë, opozita dhe fuqitë rajonale. Por, Bloomberg citon Yahya al-Aridin, anëtar i delegacionit të opozitës në bisedimet në Astana, të ketë thënë se "sirianët janë ata që duhet të shkruajnë kushtetutën". "Rusët e kanë vënë draftin në tavolinë, por ne as që e kemi marrë", tha për agjencinë AFP një burim i paidentifikuar i delegacionit të rebelëve. Në fund të bisedimeve në Astana, më 24 janar, Rusia, Irani dhe Turqia, si ndërmjetësuese të takimit, kanë thënë se do të përpiqen të mbajnë në fuqi armëpushimin e brishtë në Siri.  

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Më shumë se 40 gra nga Kosova në luftën e Sirisë e Irakut

Posted: 26 Jan 2017 01:49 AM PST

Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS), në raportin e fundit të publikuar të enjten, thotë se "gratë kanë marrë pjesë në organizatat terroriste si kujdestare dhe ofruese kujdesi; kanë promovuar ideologji ekstremiste të dhunshme dhe kanë rekrutuar gra të tjera për t'u bashkuar me grupet e dhunshme ekstremiste". Raporti i titulluar 'Gratë në ekstremizmin e dhunshëm, mësimet e nxjerra nga Kosova', Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë konstaton se që nga fillimi i konfliktit në Siri dhe Irak, mes vitit 2012 dhe fillimit të vitit 2016, rreth 44 gra janë përfshirë në konflikt, dhe në mesin e tyre edhe 27 fëmijë. QKSS-ja thotë se "Policia e Kosovës ka njoftuar për vetëm 7 gra të kthyera në Kosovë, ndërkohë që njëra prej tyre përballet me aktakuzë dhe pret dënimin". Rudina Jakupi nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, në një konferencë ku është publikuar raporti, tha se Kosova në krahasim me vendet e rajonit, zë vendin e dytë me pjesëmarrjen e grave të përfshira në zonat e luftës në Lindje të Mesme. "Kosova renditet e dyta [në rajon] për arsye se ka 44 gra që i janë bashkuar konfliktit të Sirisë dhe Irakut. Bosnja ka 60 dhe me pas vazhdohet me Maqedoninë e Shqipërinë dhe Serbinë", tha Jakupi. Në raportin e paraqitur nga QKSS-ja, theksohet se "disa nga gratë e kthyera nga konflikti mbeten të izoluara dhe pa mbështetje nga institucionet". Disa prej këtyre grave, sipas raportit, pasi janë kthyer në Kosovë nga vatrat e luftës, ku kanë mund ta humbin bashkëshortin, janë detyruar të martohen sërish. Autoritetet e sigurisë në Kosovë thonë se rreth 316 veta besohet se kanë marrë pjesë në konfliktet në Lindjen e Mesme, ndërsa në zonat e luftës vlerësohet se ende ndodhen 140 veta. Vesë Kelmendi nga QKSS-ja, tha po ashtu, se në Kosovës disa nga gratë që u janë bashkuar grupeve terroriste në Siri dhe Irak, janë detyruar nga bashkëshortët e tyre të përfshihen në ato gupe, por, sipas saj, ka raste kur gra kosovare, kanë përkrahur dhe vazhdojnë ta mbështesin ideologjinë e luftëtareve të IS-it. "Ne kemi dy profile të këtyre grave; gra që refuzojnë t'u bashkohen këtyre grupeve ekstreme dhe në anën tjetër gra që potencialisht u janë bashkuar grupeve ekstremiste, pastaj janë kthyer në Kosovë dhe prapë vazhdojnë ndoshta me përqafu idenë e grupeve ekstreme apo luftën në konfliktin e Sirisë dhe Irakut", tha Kelmendi. Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Valdet Hoxha, njëkohësisht koordinator nacional kundër terrorizmit, tha se numri i grave të përfshira në vatrat e luftës nga informacionet zyrtare është i përafërt me ato të publikuara nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë. "Kur të flasim për shifra dhe numra duhet të kemi parasysh dy anë të medaljes, në njërën anë ato që i kemi të regjistruara, por që nuk mund ta përjashtojmë mundësinë që të ketë, qoftë gra apo burra që i janë bashkuar konflikti, që aktualisht janë në konflikt apo që edhe janë rikthyer në vendi tonë dhe eventualisht mund të jenë jashtë këtyre statistikave", tha Hoxha. Besa Ismajli, profesoreshë në Fakultetin e Shkencave Islame në Prishtinë, tha se gratë, të cilat mund të kenë shkuar në Siri apo Irak, ato nuk kanë pasur njohuritë e mjaftueshme për fenë. "Nga përvojat që ne kemi në kuadër të BIK-ut,[është] që njohuritë mbi fenë te këto gra janë të ulëta, ndonjëherë shumë të ulëta", theksoi Ismajli. Në raportin e QKSS-së thuhet se gratë ose nënat e luftëtarëve të huaj janë të margjinalizuara nga shoqëria në Kosovë. QKSS-ja ka rekomanduar për institucionet dhe organizatat joqeveritare që të bashkëpunojnë në mënyrë që këtë kategori, ta integrojnë në shoqëri. Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës [RrGGK], që punon për dhe me gratë në përgjithësi, tha në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, se si rrjet nuk i dallon, por edhe nuk kanë programe të veçanta për gratë që janë apo që kanë qenë të përfshira në ekstremizëm të dhunshëm.  "RrGGK-ja është një rrjet prej 114 organizatash që punojnë me çështje të ndryshme të ndërlidhura me barazinë gjinore dhe me çështjet e grave dhe janë në kontakt të drejtpërdrejtë me gratë gjithandej vendit. Potencialisht, gratë për të cilat ju jeni interesuar, janë të lira t'i kontaktojnë këto organizata dhe të ngrisin shqetësimet e tyre apo të kërkojnë ndihmë", thuhet në përgjigjen e RrGGK-së. Besohet se 117 veta janë kthyer në Kosovë dhe deri tash 35 veta janë dënuar nga gjykatat. Kuvendi i Kosovës ka miratuar më shumë se një vit më parë ligjin që ndalon pjesëmarrjen e qytetarëve të Kosovës në luftërat e huaja dhe parasheh dënime deri në 15 vjet heqje lirie për të gjithë ata që marrin pjesë, nxisin apo mbështesin përfshirjen në konfliktet jashtë Kosovës.(REL)

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Dejevsky: Njohja e Kosovës nga Rusia si shkëmbim për Krimenë

Posted: 26 Jan 2017 01:07 AM PST

Publicistja e njohur britanike, njohëse e rrethanave në Rusi, Mary Dejevsky, i tha Radios Evropa e Lirë, se zgjidhja e mundshme përmes një marrëveshjeje mes perëndimit dhe Rusisë do të ishte "njohja e autoritetit rus mbi Krimenë si shkëmbim që Rusia ta pranojë pavarësinë e Kosovës".

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Bilanci përfundimtar: 29 të vdekur nga orteku në Itali

Posted: 25 Jan 2017 11:52 PM PST

Numri përfundimtar i të vdekurve nga orteku shkatërrues i borës në Itali qëndron në 29. Zjarrfikësit kanë dhënë lajmin pas një javë kërkimesh në hotelin Rigopiano, në zonën e Abruzos, i cili është goditur nga bora. Në kohën e incidentit, në hotel kanë qenë rreth 300 veta. Prokurorët thanë se autopsitë e gjashtë trupave të parë të ekzaminuar, kanë treguar se shumica kanë vdekur nga trauma, ndërsa ka pasur edhe shenja të hipotermisë dhe mbytjes. Orteku i borës ka goditur hotelin më 19 janar, pas disa tërmetesh. Pjesa qendrore e Italisë është goditur nga disa tërmete në muajt e fundit. Një tërmet në muajin gusht ka lënë të vdekur afro 300 njerëz.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Brazili përfshihet nga epidemia e etheve të verdha

Posted: 25 Jan 2017 11:17 PM PST

Ministria e Shëndetësisë e Brazilit ka porositur 11.5 milionë doza të vaksinës për ethet e verdha. Sëmundja ka shënuar shpërthimin më të madh në këtë vend qysh në vitin 2000. Shtatëdhjetë raste – përfshirë 40 vdekje – janë konfirmuar. Shumica e tyre janë në zonat rurale të shtetit Minas Gerais. Mbi 300 raste janë duke u hetuar. Ethet e verdha mund të jenë potencialisht fatale dhe transmetohen nga mushkonjat. Simptomat përfshijnë ethe, dhimbje dhe të vjella. Sëmundja mund të shkaktojë dështimin e veshkave dhe të mëlçisë, si dhe gjakderdhje. Guvernatori i Minas Gerais ka shpallur 180 ditë të gjendjes së jashtëzakonshme.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Meksika thotë se nuk do të paguajë për murin e Trumpit

Posted: 25 Jan 2017 11:05 PM PST

Meksika tha se nuk do të paguajë për murin kufitar, që ka vendosur të ngrejë presidenti i SHBA-së, Donald Trump. Presidenti i Meksikës, Enrique Pena Nieto, tha se i vjen keq për barrierën dhe se vendi i tij "nuk beson në mure". Pena Nieto, megjithatë, nuk tha se do të anulojë ose shtyjë udhëtimin në Uashington, më 31 janar, për të takuar Trumpin. Trump ka nënshkruar urdhrin ekzekutiv për një "barrierë të pakalueshme fizike" dhe ka thënë se Meksika do ta rimbursojë SHBA-në për të. Pena Nieto insistoi se "Meksika nuk do të paguajë për asnjë mur". Sipas Trumpit, muri do të pengojë "përdhunuesit dhe kriminelët" meksikanë të hyjnë në SHBA.  

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

May zotohet se do t’i ripërtërijë marrëdhëniet me SHBA-në

Posted: 25 Jan 2017 10:53 PM PST

Kryeministrja britanike, Theresa May, u zotua se do të ripërtërijë "marrëdhëniet e veçanta" të Mbretërisë së Bashkuar me Shtetet e Bashkuara. Ajo udhëton sot në Filadelfia, për t'iu adresuar liderëve republikanë të SHBA-së. May do t'iu thotë atyre se pas daljes së Britanisë nga Bashkimi Evropian, një Britani "sovrane, globale" do që t'i zgjerojë lidhjet me "miqtë e vjetër". Të premten, May do të bëhet udhëheqësja e parë botërore që do të takojë presidentin e ri të SHBA-së, Donald Trump, në Shtëpinë e Bardhë. Mundësitë tregtare pas daljes së Britanisë nga BE-ja, siguria, bashkëpunimi në inteligjencë dhe e ardhmja e NATO-s pritet të jenë tema të takimit.  

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

Trump do të ngrejë "zona të sigurta" për t'i mbajtur refugjatët në Siri

Posted: 25 Jan 2017 10:15 PM PST

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, në kuadër të politikave të tij për migrimin, tha se do të krijojë zona të sigurta për refugjatët në Siri. Ky propozim ka kohë që qarkullon, por paraardhësi i Trumpit, Barack Obama, i ka rezistuar nga frika se mund ta tërheqë SHBA-në edhe më shumë në luftën e përgjakshme të Sirisë dhe ta çojë në përleshje eventuale me trupat ruse.

This posting includes an audio/video/photo media file: Download Now

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more