Skip to main content

“Për çfarë shpresojnë dhe kujt i frikësohen amerikanët për vitet e administratës Trump” plus 9 more Gazeta SHQIP

“Për çfarë shpresojnë dhe kujt i frikësohen amerikanët për vitet e administratës Trump” plus 9 more Gazeta SHQIP


Për çfarë shpresojnë dhe kujt i frikësohen amerikanët për vitet e administratës Trump

Posted: 21 Jan 2017 02:30 AM PST

Në një kodër pranë Jacumba, të Kalifornisë, fare pranë kufirit SHBA-Meksikë, dy pika karburanti rivalizojnë njëra-tjetrën nën hijen e flamurit amerikan.

Është një pamje tipike amerikane: vendasit dhe të ardhurit mbushin karburant dhe largohen drejt shkretëtirës. Por, kjo vendndodhje ndikohet prej murit të kufirit, si nga pjesa që është ndërtuar, po ashtu edhe nga pjesa që nuk është ngritur ende.

“Njerëzit vijnë nga Meksika dhe marrin vendet e punës që mund t’i kishin njerëzit këtu në SHBA”, thotë Patrick, nga qyteti kufitar El Centor, mbështetës i Presidentit të zgjedhur Donald Trump dhe votues për herë të dytë për republikanët.

Votuesi i pavarur Jairo Carcamo e përshkruan Hillary Clinton si “të shitur” dhe Donald Trump si “një racist”, por është i gatshëm megjithatë t’i japë shansin presidentit të 45-të të përmbushë premtimet e tij pozitive për ekonominë. Ai sidoqoftë nuk mendon se muri kufitar është pjesë e zgjidhjes.

Ai thotë se “nëse zoti Trump dëshiron të sigurojë kufirin për të mos lejuar hyrjen e trafikantëve të drogës dhe njerëzve të këqij, kjo është gjë e mirë. Por, duhen lënë të kalojnë njerëzit e mirë. Neve na duhen njerëz punëtorë, na duhen emigrantë, pasi një amerikan nuk del në fushë për të mbledhur mollë për vetëm 4 dollarë shportën”.

Patti Myers Wiseman, një demokrate e kahershme, mendon se nuk ka asnjë vlerë t’i jepet një shans Trump-it. Mospublikimi i deklarimit të tij taksave dhe mungesa e eksperiencës politike mjaftojnë që ajo ta konsiderojë presidentin “të pakualifikuar”.

Zonja Wiseman thotë se “ai nuk ka paguar taksa prej shumë vitesh për shkak të boshllëqeve ligjore. Ai po thotë se në muajt në vazhdim do të anulojë sigurimin shëndetësor Obamacare dhe gjëra të tjera. Mendoj se do të përfundojë i shkarkuar për shkelje.”

Ndërsa ajo përfundon cigaren që ka në dorë, zonja Wiseman zbulon se frika e saj më e madhe nuk është ekonomia, apo deklarata e taksave, por mundësia e një lufte të papritur. “Butoni i kuq”, thotë ajo.

York, Pennsylvania

“Ai di shumë marifete. Është i zgjuar, është biznesmen. Nëse doni të bëni diçka të mrekullueshme për këtë vend, ai do ta arrijë”, thotë greko-amerikani Yani Pripas, i cili ka ardhur në SHBA në vitin 1975. Pronar i dyqanit “Greek Super Foods” në tregun qendror të Yorkut, ai votoi dy herë për Presidentin Barack Obama, por këtë vit vendosi për zotin Trump.

Ai dëshiron që zoti Trump ta bëjë jetën në Amerikë siç ishte në vitet 1970-të. “Njerëzit ishin të lumtur. Kishin të ardhura. Nuk kishte kaq shumë të huaj në vend”, thotë ai.

Ditën përpara inaugurimit, një grup njerëzish që drekojnë aty çdo ditë u mblodhën në tregun në qendër të York-ut. Grupi përbëhet nga republikanë dhe demokratë, juristë, një sherif, dhe pronarë biznesesh. Ata takohen dhe bisedojnë rreth jetëve të tyre, komunitetit dhe sot, i flasin Zërit të Amerikës rreth politikës.

“Ende nuk po e besoj dot. Do të shkoj në inaugurim dhe me shumë ngazëllim. Është inaugurimi im i parë”, thotë Louis Rivera, i cili u zhvendos në York bashkë me të shoqin rreth një vit më parë. Ai ka votuar për demokratët që nga viti 2008.

Por, ai nuk është dhe aq i ngazëllyer për perspektivën e katër viteve të ardhshme. “Tashmë pres më të keqen, për shkak të gjërave që kanë thënë Trump, por le t’i japim atij mundësinë të ndryshojë dhe të përqafojë të gjithë”, thotë Rivera.

Jenna Geesey mendon se administrata Trump është zgjidhja për të dalë nga ngërçi.

“Shpresoj të mbajë premtimet për forcimin e sigurisë kombëtare dhe reformimin e sistemit tonë të kujdesit shëndetësor. Për një periudhë të stërzgjatur ka pasur një ngërç pa aktivitet dhe pa legjislacion të vërtetë në ndihmë të klasës së mesme”, thotë Jenna.

Juristja me bindje të forta demokrate, Audrey Woloshin, thotë se “që unë të ndjehem më komod me udhëheqësinë e tij, zoti Trump duhet të shndërrohet në një folës më të mendueshëm dhe më shumë diplomat”. Ajo thotë se është “krejtësisht kundër” pozicioneve filozofike dhe ideologjike të zotit Trump, si dhe të anëtarëve të kabinetit të tij, dhe se për këtë arsye ajo “ka shumë frikë”.

Lumberton, Karolina e Veriut

Qyteti Lumberton ka një nivel papunësie prej 2.5% më të lartë se sa mesatarja kombëtare.

Drejtori i Komisionit të Zhvillimit Industrial të Karolinës së Veriut, Gregory Cummings, thotë se “në periudhën 1996-2001, humbëm rreth 8 mijë vende pune. Humbëm në metalurgji dhe në tregun e tekstileve që ishte biznesi ynë kryesor. U goditëm shumë rëndë”.

Viti 1996 ishte viti i dytë i zbatimit të marrëveshjes së Tregtisë së Lirë të Amerikës së Veriut – NAFTA.

“Kur zoti Trump thotë se NAFTA nuk ishte një marrëveshje e vërtetë e tregtisë së lirë, por se favorizonte vetëm në një drejtim, ai merr kështu menjëherë vëmendjen e njerëzve të këtushëm”, thotë Phillip Stephens, kryetar i Partisë Republikane për bashkinë Robeson.

Pronari i një biznesi të vogël, Tanner Smith, ka jetuar në Lumberton gjatë gjithë jetës së tij, dhe ka qenë gjithnjë demokrat. Por, këtë radhë votoi për republikanët.

Por, çfarë pret prej Trump-it? “Të mbajë premtimet e tij dhe të veprojë me shpejtësi për vendet e punës”, thotë zoti Smith.

Demokratja, India Lowry, e cila nuk votoi për zotin Trump bën një punë të dytë në një dyqan ushqimesh gjysëm të gatshme. “Është shqetësuese që shumicën e mallrave e marrim nga Kina”, pranon ajo.

Biznesmeni Alton Locklear, votues i zotit Trump, thotë se falenderon Zotin që presidenti i ri do të lëvizë vendin në drejtim të ndryshëm. “Kam folur me shumë njerëz në komunitetin tim për të shtuar vendet e punës dhe ata janë të ngazëllyer”, thotë ai.

Ai thotë se qyteti Lumberton është një qytet fetar, me kisha në çdo cep.

“Dua të flas hapur. Trump tha të gjitha gjërat që ne kemi pasur në mendje, për çfarë duhet bërë për ekstremizmin islamik, emigracionin dhe taksat që paguajmë”, thotë zoti Locklear.

Ottawa, Illinois

Misri nuk do të mbillet në fushat e Illinois deri në muajin prill, kështu që këtu ka ende kohë për të menduar dhe diskutuar për ndryshimin e administratës.

Fermeri Monty Whipple plugon arat ku dikur punonte i ati dhe xhaxhai, rreth 19 kilometra pranë qytetit Ottawa. Por, gjërat kanë ndryshuar gjatë viteve të fundit, duke u ndërvarur më shumë nga tregtia.

Zoti Whipple votoi për zotin Trump, si zgjidhja e vetme e mbetur: “Ne eksportojmë shumë prodhime, që nga gruri dhe mishi; industria e bagëtisë ndërvaret nga eksportet. Zoti Trump është pozicionuar fort kundër disa prej marrëveshjeve të tregtisë që janë miratuar në të kaluarën, si NAFTA dhe të tjera”.

Agjenti i siguracioneve për fermerët, Robert Hasty, thotë se është më shumë republikan se sa demokrat, por se nuk vendosi dot të votojë për zotin Trump.

Zoti Hasty thotë se është më tepër konservator nga pikëpamja politike, por se ndjehet gjithnjë e më shumë liberal nga pikëpamja sociale: “Jam i shqetësuar për aspektin moral, për gjërat që ai ka thënë dhe ka bërë. Kam dy vajza të vogla dhe më duken trazuese gjërat që ai ka thënë nga podiumi”.

Minneapolis, Minnesota

Somalezët filluan të vijnë në Minneapolis në vitet 1980-të. Deri në vitin 2013, komuniteti ishte rritur në 250 mijë persona, me qindra biznese të tyret.

Somalezët anojnë nga demokratët, por janë aktivë në të dyja partitë. Shërbimi në gjuhën somaleze i Zërit të Amerikës konstatoi se ata janë të gatshëm të ndryshojnë preferencat duke zgjedhur ndërmjet dy partive.

Faduma Yusuf është një republikane krenare që kandidoi për këshillin bashkiak të qytetit Minneapolis në vitin 2013. Por, ajo votoi për zotin Obama në vitin 2008, dhe për Mitt Romney-n në vitin 2012. Këtë vit, ajo nuk votoi.

“Kur pashë Trump-in të ofendojë komunitetin tim somalez dhe komunitetin emigrant, dhe kur i emërtoi terroristë njerëzit që erdhën këtu për të mbijetuar dhe për një jetë më të mirë për veten dhe fëmijët, atëherë vendosa të mos votoj për të”, thotë zonja Yusuf.

Aktivisti social Faisal Derie votoi dy herë për zotin Obama, por këtë vit, vendosi për zotin Trump.

“Mendoj se do të jetë një ndër presidentët më të mirë në historinë e Shteteve të Bashkuara, nëse jo më i miri. Mendoj se do ja dalë shumë mirë si president, dhe se do punojë mirë me botën dhe udhëheqësit demokratë. Duke qenë se është biznesmen dhe jo nga një eksperiencë politike, mendoj se do të ndjejë vuajtjet e njerëzve të varfër”, thotë zoti Derie.

Samsam Aden, një studente somalezo-amerikane që erdhi në Minneapolis katër vite më parë si refugjate, votoi për zonjën Clinton, pasi thotë se e ardhmja e saj është e pasigurt nën administratën Trump.

“Unë dhe tre vëllezërit dhe motrat e mia patëm ëndrrën për t’u arsimuar dhe për të përcaktuar se çfarë do të bëhemi në atdheun tonë të ri. Por, tani që një burrë që kërcënon komunitetin tim po drejton vendin, ne jemi të pasigurtë se çfarë do të na sjellë e ardhmja. Në përgjithësi, nuk jam optimiste për të ardhmen e myslimanëve në SHBA”, thotë zonja Aden.

21 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)/VOA

Trump ngrin të gjithë rregulloret e fundit të Obamës

Posted: 21 Jan 2017 02:18 AM PST

Si një nga vendimet e para, presidenti i ri amerikan, Donald Trump ka vendosur ngrirjen e përgjithshme të rregulloreve të reja më 20 janar, duke ndaluar kështu urdhrat e nisura nga paraardhësi i tij, Barack Obama.

Ngrirja aplikohet ndaj një numri të gjerë të rregullave prej atyre që kanë qëllim ndalimin e ndryshimeve klimatike, ndërprerjen e krimeve në "Wall Street" e deri te propozimi për zvogëlimin e policave të sigurimit për hipoteka, por edhe programin e ashtuquajtur "Obamacare" që ofron siguri shëndetësore për miliona amerikanë.

Memorandimi nga shefi i stafit të Shtëpisë së Bardhë, Reince Priebus thotë se agjencitë federale duhet të ndalojnë punën në bazë të këtyre rregulloreve dhe të mos dorëzojnë për publikim asnjë rregullore të përfunduar në Regjistrin Federal derisa të emëruarit e Trumpit t’i rishikojnë ato. Dekreti shtynë për kohë të pacaktuar këto rregullore pasi shumica e të nominurave nga presidenti Trump nuk janë konfirmuar ende nga Senati.

Memorandumi i Priebus gjithashtu kërkon që edhe rregulloret që janë publikuar në Regjistrin Federal, por nuk kanë filluar të zbatohen ende, të shtyhen për 60 ditë derisa të bëhet rishikimi i tyre.

Priebus ka thënë se Drejtori i Buxhetit i Shtëpisë së Bardhë mund të bëjë përjashtime për rregullore kritike që të fillojnë së zbatuari. Dokumenti është i ngjashëm me atë që shefi i stafit të Obamës e ka ndërmarrë, një ditë pas inaugurimit të Obamës në vitin 2009.

21 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)

“21 Janari”, protestuesit e AK hedhin tymuese drejt Kryeministrisë

Posted: 21 Jan 2017 02:13 AM PST

Aleanca Kuq e Zi ka zhvilluar sot një protestë për 4 të vrarët e "21 Janarit" përpara Kryeministrisë. Gjatë fjalët së tij, kreu i kësaj Partie, Kreshnik Spahiu kërkoi drejtësi për 4 të vrarët.

"Nëse deri më 2 mars nuk vendoset drejtësi jo për ata 4 familjarë, por për të gjithë Shqipërinë dhe nuk largon kriminelët, më 2 mars do jemi atje, këtë herë jo me fishekzjarrë por ndryshe" paralajmëroi kreu i AK, Kreshnik Spahiu.  Pas fjalimit protestuesit u përplasën me policinë dhe hodhën tymuese. Situata është vënë shumë shpejt nën kontroll.

21 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)

Librazhd, motoçikleta del nga rruga; 1 i vdekur dhe 1 i plagosur rëndë

Posted: 21 Jan 2017 01:31 AM PST

Një aksident i ndodhur mëngjesin e së shtunës në aksin rrugor Librazhd-Qafë Thanë i ka marrë jetën një 21-vjeçari, ndërsa një bashkëmoshatari i tij ndodhet në gjendje të rëndë. Ngjarja ka ndodhur pranë kthesës për në fshatin Xhyrë. Dy të rinjtë udhëtonin me motoçikletë dhe humbja e kontrollit të mjetit ka qenë fatale.

21-vjeçari Roland Duka, i cili ishte pasagjer, ka gjetur vdekjen e menjëhershme, ndërsa i riu tjetër që drejtonte mjetin është dërguar në spital në gjendje të rëndë.  Sipas informacioneve paraprake të rinjtë kanë qenë me shpejtësi tej normave, ata kanë humbur kontrollin e mjetit dhe janë përplasur me tabelat dhe murin anësor të rrugës.

 

21 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)

Vlorë, bllokohet gomonia me dy italianë

Posted: 21 Jan 2017 01:27 AM PST

Policia e Vlorës ka bllokuar një gomone me dy shtetas italianë që ndodhej në afërsi të zonës së Porto Palermos. Mjeti është bllokuar rreth orës 04:50, në Porto-Palermo Himarë  me 2 shtetas italianë në bord, M.M., 45 vjeç; A.A., 29 vjeç.

Gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin lundrues “Gomone” me gjatësi 8 m, me dy motorë mërkuri 250 KF, nuk janë konstatuar materiale apo sende të kundraligjshme.

Nga hetimet paraprake, nga deklaratat e tyre, mësohet se të dy shtetasit italianë janë nisur me mjetin e tyre lundrues nga Monopoli-Itali, në drejtim të Korfuzit, por për shkak të një defekti të shkaktuar nga motorat, janë kthyer për të ndaluar në Porto-Palermo, Himarë.

Policia Kufitare ka bllokuar mjetin lundrues dhe po kryhen veprimet e mëtejshme hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave.

Operacioni është kryer  si bashkëpunim i forcave Delta dhe Drejtoria e Policisë e Vlorës të cilët po kontrollojnë territorin. Shtetasit italianë, njëri nga Brindizi dhe tjetri nga Bari.

21 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)

Durrës, shoferi i dha policit 2 mijë lekë, arrestohet

Posted: 21 Jan 2017 01:22 AM PST

Policia e Durrësit ka goditur një tjetër rast mitdhënieje, duke arrestuar në flagrancë një drejtues mjetit. Në pranga ka rënë shtetasi Holger Shahini 19 vjeç, banues në Tiranë. Arrestimi në flagrancë i  tij u bë pasi më datë 20 janar 2017,  tek Mbikalimi i Shkozetit është ndaluar nga Punonjësi i Qarkullimit Rrugor pasi drejtonte automjetin tej normave të lejuara të shpejtësisë, 70 km/ orë mbi normën e lejuar.

Me qëllim për t’iu shmangur masës administrative për shkeljen e konstatuar, Shahini ka tentuar ti ofrojë shumën prej 2 000 lekë punonjësit të policisë. Materialet i kaluan Prokurorisë Durrës, për veprime të mëtejshme për veprën penale "Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike".

21 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)

DY LËNDË TË REJA PËR SHKOLLËN SHQIPE…!

Posted: 21 Jan 2017 01:15 AM PST

Nga: Besim ZYMBERI

Në shkollat shqipe anekënd shtrirjes gjeografike shqiptare, duhet të futen në sistem edukimi dy lëndë të reja:

1. Filozofia e Urtësisë Iliro-shqiptare

2. Filozofia Kombëtare, Politike, Ushtarake, Intelektuale e Qytetare e Gjergj Kastriotit-Skënderbeu

Futja e këtyre dy lëndëve në sistemin e edukimit, do të kishte një rëndësi themeltare për përurimin adekuat të vlerave tona si popull dhe reflektimin e këtyre vlerave në progresin e idesë së qytetarisë në Evropë e më gjerë.

Brenda lëndës së parë të re të propozuar, do të kishte një kapitull të veçantë, në të cilin do të mësoheshin: Kultet e besimit iliro-shqiptar në shekuj dhe marrëdhënia e kulturës iliro-shqiptare me fetë monoteiste, gjatë historisë.

Kujtoj se dy lëndët e propozuara, do ta rimbushnin zbrazëtinë ideologjike të shpirtit të sotëm shqiptar dhe njëkohësisht, botës së qytetëruar, do t'i kutonin kontributin e kulturës iliro-shqiptare në ngritjen, edukimin dhe emancipimin e vlerave të përbotshme të lirisë, paqes, humanizmit, demokracisë e qytetarisë.

Kujtoj se dy lëndët e propozuara, do të ishin edhe një përgjigje në kërkesat e imponuara për ripërurim apo imponim të ri modelesh ideologjike, të cilat kanë qenë pjesë e rrugëtimit tonë historik, porse nuk kanë arritur që të përbirohen me efekte tjetërsuese mentale në shpirtin tonë plotësisht…!?

21 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)

Qytetarët dorëzojnë vullnetarisht armët (Video)

Posted: 21 Jan 2017 01:13 AM PST

Një biznesmen nga Mallakastra është paraqitur në Komisariatin e policisë për të dorëzuar armën e zjarrit që mbante në banesë. Këtë veprim, ai e ka bërë pas thirrjes së ministri të Brendshëm, Saimir Tahiri, për dorëzimin e armëve në mënyrë vullnetare. Biznesmeni, u ka bërë thirrje qytetarëve të tjerë që të veprojnë si ai.

"Këtë armë e posedojë që nga '97. Duke iu përgjigjur thirrjes së ministrit të Brendshëm, zotit Saimir Tahiri, iu bëj thirrje qytetarëve që të dorëzojnë armët, sepse rendi dhe siguria është rritur dhe nuk kemi pse t'i posedojmë këto armë", është thirrja që biznesmeni bën.

Gjithashtu edhe në Korçë një qytetar ka dorëzuar vullnetarisht një armë dhe 350 fishekë.  Në Gramsh janë dorëzuar dy armë  dhe 30 fishekë. Dorëzohen në Komisariatin e Policisë Krujë dy armë zjarri dhe 420 fishekë.

21 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)

Orteku në Itali, dhjetë persona gjenden gjallë nën borë

Posted: 21 Jan 2017 12:41 AM PST

Dhjetë njerëz janë nxjerrë të gjallë nga hoteli Rigopiano i Italisë, dy ditë pasi ai është goditur nga një ortek bore. Ekipet e shpëtimit thanë se të mbijetuarit janë gjetur nën borë. Në mesin e tyre janë dy fëmijë, thanë mediat italiane.

Orteku i borës ka goditur hotelin në rajonin Abruzo, pas disa tërmetesh. Së paku katër njerëz janë konfirmuar të vrarë dhe rreth 20 të tjerë janë ende të zhdukur. Përpjekjet për shpëtim po vazhdojnë edhe pse në kushte të vështira.

21 janar 2017 (gazeta-Shqip.com)

Horoskopi – 21 janar 2017

Posted: 21 Jan 2017 12:25 AM PST

DASHI

Influenca negative e Neptunit nuk do arrijë dot të prekë jetën sentimentale të çifteve sot. Në planin financiar do jetë Saturni ai që do iu ndihmojë t'i zgjidhni problemet.

Demi

Venusi do iu krijojë një ambient të ngrohtë dhe mjaft romantik për jetën tuaj në çift. Në sektorin e financave gjërat do shkojnë mirë dhe mund të kryeni ndonjë transaksion me rëndësi.

 

 

Binjakët

Dashuria për të gjithë do ketë prioritet gjatë kësaj dite. Mos i anashkaloni problemet e vogla financiare sepse do keni vështirësi të mëdha më vonë.

Gaforrja

Nuk iu pëlqen aspak të qëndroni në qetësi dhe të prisni si do shkojnë gjërat ndërmjet jush me partnerin, përkundrazi do jeni plot energji dhe do e bëni më harmonik ambientin. Financat ka rrezik të preken nga influenca negative e Uranit.

Luani

Për ata që janë tashmë në një lidhje të qëndrueshme do ndodhin gjëra më serioze. Disa mund të vendosin të jetojnë bashkë e disa të fejohen. Perspektivat financiare janë goxha të mira.

Virgjëresha 

Lumturia në çift do mbizotërojë gjatë gjithë ditës së sotme. Venusi do e mbrojë lidhjen tuaj dhe do e shtojë komunikimin. Në planin financiar do jenë të shumtë planetët që do iu ndihmojnë ta përmirësoni situatën.

Peshorja 

Ditë e mrekullueshme kjo e sotmja për ata që janë në një lidhje. Do kuptoheni mjaft mirë me atë që keni në krah dhe do përjetoni emocione të shumta. Financat nuk do jenë problematike, madje mund të bëni edhe investime.

Akrepi 

Ndikimi i planetëve do jetë mjaft pozitiv sot për jetën tuaj në çift. Pritet një ditë e bukur dhe e mbushur me komunikim. Gjërat pritet të stabilizohen në planin financiar.

Shigjetari 

Sot do i tregoni edhe njëherë tjetër partnerit tuaj sa shumë që e doni. Ai nga ana tjetër do ketë menduar për një surprizë të madhe dhe emocionuese. Në planin financiar nuk priten probleme, megjithatë nuk do jeni të kënaqur nga situata.

Bricjapi 

Veçoria më e mirë e jetës suaj në çift është sinqeriteti reciprok dhe bashkëpunimi. Menaxhojini me kujdes të ardhurat gjatë kësaj dite nëse nuk doni të keni vështirësi më vonë.

Ujori 

Ndikimi i yjeve në planin financiar do jetë i ndërlikuar. Ekuilibri financiar nuk do ketë asnjë tronditje, megjithatë shpenzimet duhet të vazhdoni t'i bëni me maturi.

Peshqit 

Dita e sotme do jetë më e favorshme për ata që janë vetëm sesa për çiftet. Në planin financiar duhet të bëni më tepër kujdes dhe të shpenzoni me maturi.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more