Skip to main content

Paradigma e Proteut - Ag Apolloni - Analiza

“PARADIGMA E PROTEUT” APO NJË QASJE ORIGJINALE “GJENERALIT TË USHTRISË SË VDEKUR” TË ISMAIL KADARESË
Ag Aplloni: Paradigma e Proteut, monografi, botoi OM, 2012, f.388.
Nga Besim Muhadri
Nëse deri më tanë nuk është shkruar në plotni për romanin më të njohur të Kadaresë dhe të letërsisë shqiptare, Gjenerali i ushtrisë së vdekur kjo ka ndodhur tani, pas pothuajse një gjysmë shekulli të botimit të tij të parë. Studimi monografik Paradigma e Proteut i studiuesit dhe krijuesit të talentuar Ag Aplloni është vepra më e plotë, më gjithëpërfshirëse dhe më studimore që i bëhet romanit të Kadaresë. Me anë të këtij studimi voluminoz dhe të gjithanshëm janë parë, janë analizuar dhe janë studiuar pothuajse të gjitha elementet që përbëjnë këtë vepër madhore të shkrimtarit  tonë të shquar. Dr. Ag Apolloni, duke qenë një talent, të cilin talent e plotëson edhe me dije letrare dhe guxim intelektual, ia arrin që t’i del mbanë këtij projekti të rëndësishëm dhe të një pune të dorës së parë në fushën e studimit tonë letrar, që mbase edhe ka munguar deri më tani, sepse jo rrallë, një pjesë e studimeve të deritanishme, janë dominuar dhe dominohen nga të shikuarit qoftë me “syze” ideologjike”, qoftë edhe me kutin e mediokritetit. Kjo nuk ndodh me Ag Apollonin, i cili i pajisur nga trinia e lartpërmendur: Talenti-Dija dhe Guximi, arrin të na japë një monografi të shkëlqyer jo vetëm për romanin e Kadaresë Gjenerali i ushtrisë vdekur, por edhe për tërë pamjen e letërsisë shqiptare, sepse, siç e thotë edhe vet. “Të gjitha pjesët e këtij studimi së bashku analizojnë pasaportën e letërsisë shqiptare në të gjitha planet dhe ndërtojnë një monografi për këtë roman emblematik”.
Realizmi protetik i Kadaresë
Gjatë leximit të romanit dhe romaneve, por edhe të krijimtarisë së tërësishme të Kadaresë e me theks fokusimi në Gjeneralin e ushtrisë së vdekur, Ag Apolloni konstaton këto gjetje:
- Kadare nuk është shkrimtar i eksperimenteve letrare.
- Kadare ka një lidhje më të afërt me letërsinë e lashtë sesa me letërsinë bashkëkohore.
- Edhe përse i përket periudhës së postmodernizmit dhe vepra e tij është katërfish realiste, megjithatë realizmi i Kadaresë është realizëm protetik, në të cilin gjenden: realizmi, realizmi psikologjik, surealizmi dhe realizmi magjik...
- Kadare nuk është shkrimtar i modës dhe kjo kuptohet nga modelet që ndjek; Eskili, Shekspiri, Gogoli etj., me të cilët ndihet më i afërt se me të gjithë modernistët dhe postmodernistët. Për këtë arsye ai mbetet shkrimtari më i vjetër shqiptar, ndërsa vepra e tij mbetet atemporale, që nuk lidhet me asnjë kohë dhe u flet të gjitha kohëve.
Ndërkaq, sipas Ag Apollonit Gjenerali i ushtrisë së vdekur është një risi tematike e teknike në historinë e letërsisë shqipe, ndërsa vet Kadare nuk është shkrimtar i eksperimenteve letrare, fjala vjen siç janë postmodernistët Borges, Bartheleme, Vonnegut, Pinchon, Barth, Burns etj.
Studiuesi Apolloni, para se të shkruajë për romanin, apo romanet e Kadaresë, ai i bën një vështrim të shkurtër, por të thuktë rrugës së lindjes dhe të zhvillimit të romanit Gjenerali i ushtrisë së vdekur, duke e parë atë edhe në kontekstin e letërsisë botërore dhe të asaj shqiptare si dhe duke paraqitur pak a shumë vijat kronologjike, që i paraprinë detyrimisht rrugës së vendosjes së romanit të Kadaresë në kontekst me letërsinë shqipe dhe me atë botërore.
Lindja apo botimi i romanit të Kadaresë, në një kohë kur në Shqipëri letërsia e realizmit socialist kishte filluar të merrte përmasa gjithëpërfshirëse, sipas Ag Apllonit është në kundërshtim me romanet e kësaj rryme, propagandues të ideologjisë komuniste, siç ishin “Çlirimtarët” e Shuteriqit, “Ata nuk ishin vetëm të Sterjo Spasses, “Qyteti i fundit” i Petro Markos, “Tri ngjyrat e kohës” të Ali Abdihoxhës etj. Një roman antiskematik dhe shpërfillës ndaj doktrinës së realizmit socialist.
Përderisa krijimtaria e Kadaresë e paralizon studimin historik të saj,  Apolloni nuk është i pajtimit me klasifikimin periodik që i bëhet veprës së Kadaresë, sepse romani i parë i shkruar botohet pas rënies së regjimit, por edhe disa të tjera i censurohen për t’iu botuar shumë më vonë. Po të merrej si kriter periodik data e botimit, thotë studiuesi,  atëherë do të lindin moskuptime mbi evoluimin e shkrimtarit, ndërsa në anën tjetër po të merrej dëshmia e autorit si fakt, nuk do të ishte shkencërisht e preferueshme. Prandaj si e tillë, “Realizmi në letërsinë botërore, realizmi shqiptar dhe realizmi i Kadaresë që sjell deri te gjeneza e Gjeneralit dhe e romaneve të tjera të Kadaresë, si Kronikë në gur dhe Pallati i ëndrrave që janë “rrëfime që s’njohin filtër dogmatik dhe e sfidojnë teknikën realiste, duke e mbushur me elemente psikologjike, surrealiste e magjike”, thotë Apolloni.
Kadare i ndikuar nga katër periudha të letërsisë shqiptare
Është interesant mënyra e analizës që Apolloni i bën së veprës së Kadaresë, qoftë në aspektin ideor,  qoftë në atë tematik, kompozicional, linguistik, stilistik dhe zhanror. Është një qasje krejt origjinale dhe koncize.  Studiuesi Apolloni veprën e Kadaresë e përcjell që nga lindja e tij si tregim, evoluimi në roman, retushimet e shumta e deri të versioni i fundit që i bën autori veprës së tij, ku heton evoluime të mëdha qoftë në aspektin gjuhësor, qoftë në atë artistik. Një qasje ndryshe i bëhet edhe analizës së poetikës së romanit, përkatësisht narratives, deskriptives, retorrikës dhe stilistikës.
Në pjesën e katërt të monografisë së tij, Ag Aplloni trajton relacionet e romanit, si paratekstualitetin, intretekstualitetin, intermedialitetin dhe metatekstualitetin, ku në këtë pjesë kalon nga e përgjithshmja në të veçantën. Interesante dhe ndoshta për herë të parë, në këtë formë, Gjeneralin e Kadaresë e shohim të ballafaquar, apo të krahasuar edhe me veprat e tjera të Kadaresë, me ato të letërsisë shqipe dhe të asaj botërore. Ndërkaq, me interes janë edhe pjesët ku studiuesi lëshohet në kërkime intermediale, duke prezantuar inskenimet dhe ekranizimet e veprës së Kadaresë, për ta përmbyllur librin me pjesën që ka të bëjë me kritikën letrare (metakritikën) për veprën e Kadaresë, qoftë nga ana e kritikëve shqiptarë, që i klasifikon si përfaqësues të kritikës dogmatike, të asaj autoritative dhe studimore, qoftë edhe të kritikës botërore. Kjo në një farë forme përbën projektin e Ag Apollonit, Paradimgma e Proteut.
Duke kërkuar përqasimet e Gjeneralit të Kadaresë me vepra të tjera të letërsisë shqiptare dhe asaj botërore, Ag Apolloni bën një punë të mirë në në këtë aspekt. Kur flet për ndikimet e letërsisë te Kadareja, të hetuara qoftë te Gjenerali, qoftë te veprat e tjera, Apolloni mendon se Kadareja është ndikuar nga katër periudhat e letërsisë shqipe: Tema e romanit, sipas tij prodhohet nga letërsia e humanizmit, identiteti i personazheve nga letërsia kristiane, liria e trajtimit të temave tabu nga letërsia arabiste, ndërsa letërsia e rilindjes krijon ndjenjën e krenarisë kombëtare. Po ashtu Apolloni te Gjenerali gjen edhe ndikimin e letërsisë së gjysmës së parë të shekullit njëzet, ndërkaq shkrimtarët që kanë ndikuar te Kadareja janë: Migjeni, Konica, Koliqi, Kuteli dhe Petro Marko.
Mirëpo, Apolloni vë në spikamë të studimit të tij analitik, edhe ndikimin e veprës së Kadaresë tek shkrimtarët e tjerë shqiptarë, bashkëkohës të tij, të cilat, herë-herë kanë relacione reciproke. Këto ndikime i sheh te: Rexhep Qosja, Anton Pashku, Din Mehmeti, Azem Shkreli, Ali Podrimja, Sabri Hamiti, Fatos Kongoli, Bashkim Shehu, Agron Tufa, Ridvan Dibra, Flutura Açka etj.
Realcionin ndikues në mes Qosjes dhe Kadaresë Apolloni e sheh si reciprok, ngase “ashtu si Qosja që bën një roman të tipit a la hypothese (“Një dashuri dhe shtatë faje”) duke u nisur nga një roman a la these (“Krushqit janë të ngrirë”), edhe Kadare bën një roman të madh (“Pallati i ëndrrave”) mbi një tregim të vogël (Deklarata që është tregim në “Vdekja më vjen prej syve të tillë”). Mirëpo këtë ngjashmëri Apolloni nuk e sheh të dëmshme, sepse ngjashmëritë e tilla, që hasen edhe në letërsitë e popujve të tjerë, nuk ia humbin vlerën veprave të tyre.
Kur është fjala te lidhjet e Gjeneralit të ushtrisë së vdekur me vepra të letërsisë botërore, Apolloni këto lidhje i gjen me veprat si: Persët, Orestia (Eskili), Don Kishoti i Mançës (Sevantes), Shpirtra të vdekur (Gogol), Zemra e errësirës (Conrad), por edhe tekste epike, biblike e folklorike, të cilat shfaqen në forma të ndryshme brenda rrëfimit”. Elemente ngjashmërie të Gjeneralit të ushtrisë së vdekur po ashtu gjen edhe me Homerin, Sofakliun, Eurupidin, Dante Alighierin, Cervantesin, Gothen, Conradin, Legorkvistin, Brechtinetj.
Mosinformacioni i duhur i Rugovës dhe joakademizmi i Hamitit
Kur është fjala te vlerësimi (“gjykimi”) që i bëhet veprës së Kadaresë, veçanërisht nga ana e kritikëve shqiptarë, ajo që të zgjon kureshtjen është kundrimi i Apollonit ndaj këtij aspekti, veçanërisht kur është fjala te ndarja e kritikëve dhe kritikës për veprën e Kadaresë, të cilnën e klasifikon në disa kategori: Në kritikën dogmatike, autoritative dhe në atë studimore. Në këtë aspekt mund edhe te mos pajtohemi. Te kritika autoritative dhe ajo studimore lista e emrave që “ia mbushin syrin” Apollonit duket shumë i varfër. Mendojmë se kjo listë është shumë më e gjerë, ndërsa te kritika “studimore”, përveç Bajram Krasnqit, të tjerët janë emra pak të njohur. Megjithatë ky është mendim i studiuesit dhe i shikuar nga prizmi i tij.  Në kritikën dogmatike ai fut kritikët Razi Brahimin, Dalan Shapllon, Kuldret Velçën, Koço Bihikun dhe Jorgo Bulën; në kritikën autoritative, me përfaqësuesit e saj: Martin Camaj, Arshi Pipa, Rexhep Qosja, Ibrahim Rugova dhe Sabri Hamiti si dhe në kritikën studimore, me përfaqësuesit e saj: Bajram Krasniqi, Gëzim Aliu, Edmond Çali dhe Viola Isufaj. Është po ashtu interesant vlerësimi që i jep “gjykimeve” apo vlerësimeve të kritikëve, e në mënyrë të veçantë të atyre që ai i qet në taborin e kritikës autoritative. Këtu ai shquan Arshi Pipën, të cilin e cilëson si njërin ndër studiuesit shqiptar më serioz të veprës së Kadaresë (ndonëse janë të njohura raportet e Pipës me Kadarenë, që nuk kanë qenë aspak të mira). Apolloni thotë se Pia që në vitin 1978 te Kadare ka vërejtur mosrespektimin e sorealizmit, madje duke e quajtur edhe si Jetushqenku shqiptar. Ndërkaq, ajo që të tërheq vëmendjen janë ato për Qosjen, Rugovën dhe Hamitin, si tre nga kritikët më në zë të kohës. Për Qosjen Apolloni thotë se ndonëse kulminacionin e Kadaresë e shihte te Gjenerali dhe të cilin e vlerësonte lart, “çuditërisht nuk u mor asnjëherë me të. Pas vitit 2005, kur plasi polemika mes tyre, çfarëdo konstatimi që mund të jepnin, apo edhe që mund të japin, këta dy autorë për  njëri-tjetrin, rrezikon të shihet si i pavlerë, sepse në mes është një grindje që e zhduk mundësinë e gjykimit racional e objektiv”.
Rugova, thotë Apolloni në jetën  e tij shkroi vetëm dy fjalë për Gjeneralin, edhe pse në vitin 1980 kishte bërë parathënien e kompletit të veprave të Kadaresë, të botuar nga “Rilindja” e Prishtinës. Madje te Rugova Apolloni has edhe mosinformacionin e duhur sa i përket tematikës së veprave të Kadaresë, që të shpie te “rreziku” i mundësisë së mosleximit të veprave të Kadaresë, ndonëse ishte i ngarkuar nga redaksia të shkruante parathënien e kompletit të veprave. Këtë “gafë” të Rugovës Apolloni e sheh kur Rugova pohon se Kadare e trajton temën e luftës vetëm te Gjenerali i ushtrisë së vdekur dhe Kronikë në gur, ndonëse dihet botërisht se tema e luftës më drejtpërdrejt trajtohet te Nëntori i një kryeqyteti.
Megjithatë, anakronizmin më të madh Apolloni e sheh te Sabri Hamiti, i cili (“pa ia bërë analizën, ia cakton diagnozën”) Kadarenë e  klasifikon si përfaqësues i shkollës socrealiste, sado që e përmirëson më vonë, te “Tematologjia”, ku Gjeneralin e klasifikon si romani i parë modern shqiptar. “Në libërthin e tij Shkollat letrare shqipe, thotë Apolloni, Sabri Hamiti Kadarenë e konsideron përfaqësues të shkollës socrealite duke e cilësuar si shkrimtari më i njohur i kësaj shkolle”. Këtë “diagnostifikim”, para “analizës” të Hamitit, Apolloni i cilëson si një vlerësim të paragjykuar dhe një tendencë joakademike. Si një tendencë për ulur Kadarenë dhe për ngritur në cilësinë e disidentit Kasëm Trebeshinën. Mirëpo tendencë të tillë të Hamitit (këtu si duket Apolloni largohet nga tema, nëse kemi të drejtë të themi kështu, sado që ai ka shumë të drejtë) Apolloni heton edhe me rastin e injorimit të romanit Vdekja më vjen prej syve të tillë të Rexhep Qosjes, si një nga romanet më antiskematike, për ta ngritur antiromanin OH të Anton Pashkut.
Këto dhe shumë aspekte të tjera, që arritëm pak a shumë t’i shpërfaqim në këtë vështrim tonin përbëjnë veprën studimore Paradigma e Proteut të Ag Apollonit, që është ndër studimet më të thukta, më të gjithanshme, më të pandikuara dhe më reale mbi prozën e Kadaresë, përkatësisht mbi romanin Gjenerali i ushtrisë së vdekur, i cili, siç do të shprehej studiuesi Apolloni në paragrafin e parafundit të monografisë së tij “Pavarësisht tentimeve të diktatorit për ta instrumentalizuar, pavarësisht kërcënimeve të censurës për ta “përmirësuar” dhe pavarësisht kritikës tendencioze shqiptare për ta nënvlerësuar, përmes shkathtësisë ka arritur të korrë suksese të jashtëzakonshme në skenën botërore”.
Paradigma e Proteut është ndër të parat vepra studimore e shkruar “pa nuanca dhe “syze” ideologjike” për një vepër siç është Gjenerali i ushtrisë së vdekur, apo, kjo lavdie të letërsisë shqipe në botë, siç do të shprehej autori, e cila do të çelë një brazdë të re të studimit “ndryshe” dhe në mënyrë të thelluar të veprave të mëdha letrare. Kjo monografi, natyrisht se edhe mund të hapë debate, të cilat mund të jenë në favor të lindjes edhe të veprave të tjera të kësaj natyre.
loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more