Skip to main content

“Horrori në Vlorë/ Pas kokës, banorët gjejnë pjesë të tjera të skeletit të një njeriu” plus 9 more - Gazeta Dita

“Horrori në Vlorë/ Pas kokës, banorët gjejnë pjesë të tjera të skeletit të një njeriu” plus 9 more - Gazeta Dita


Horrori në Vlorë/ Pas kokës, banorët gjejnë pjesë të tjera të skeletit të një njeriu

Posted: 26 Jan 2017 01:59 AM PST

Në fshatin Karbunarë të Vlorës, aty ku dy ditë më parë një bari gjeti një kokë njeriu të dekompozuar, banorët kanë gjetur pjesë të tjera të skeletit.

Sipas burimeve nga policia e Vlorës bëhet fjalë për skeletet e këmbëve.

Gjymtyrët u gjetën së bashku me çizme llastiku.

Mesditën e të martës, rreth orës 13:55, një bari gjeti mbetjen e dekompozuar të kokës së një njeriu, ndërsa më pas njoftoi policinë. Ai ka rrëfyer se kishte gjetur kokën kur ishte duke ecur në këtë zonë, ndërsa ajo ishte e pa groposur.

"Isha duke ecur, për të shkuar në fshat, kur papritur pashë kokën. Ishte e pambuluar dhe e pa groposur. Lashë dikë aty që të mos e merrte ndonjë qen kokën dhe njoftova policinë".

Për të sqaruar rrethanat, policia ka dërguar mbetjen e kokës, në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë, për të përcaktuar kohën e vdekjes së personit si dhe shkakun e mundshëm të vdekjes.

Tentuan të korruptonin policët, pranga 4 shoferëve

Posted: 26 Jan 2017 01:57 AM PST

 

Policia e Shtetit ka vënë në pranga katër drejtues automjetesh të cilët akuzohen për korrupsion.

Ata kanë tentuar të korruptojnë oficerët e policisë.

Arrestimet

Arrestohet në flagrancë shtetasi Vangjel Bardhi pasi Terminalin e Pasagjerëve në Portin Detar Durrës, ka tentuar të korruptojë punonjësin e Policisë duke i futur në brendësi të pashaportës 50 €,me qëllim për të kaluar kufirin, pasi kishte kaluar ditët e qëndrimit në zonën Schengen.

Arrestohet shtetasi Tofik Shehu pasi në Terminalin e Pasagjerëve në Portin Detar Durrës ka tentuar të korruptojë punonjësin e Policisë Kufitare duke i futur në brendësi të pasaportës 20 €, me qëllim për të kaluar kufirin pasi ishte deportiv në zonën Schengen.

RASTI NE LUSHNJE

Lushnjë, i ofron ryshfet punonjësit të Policisë Rrugore për të shmangur shkeljen e bërë, arrestohet në flagrancë për "Korrupsion aktiv" shtetasi Pëllumb Kolgjini.

Ky shtetas duke udhëtuar në aksin rrugor Lushnje-Çermë, është ndaluar nga shërbimet e Policisë Rrugore Lushnje pasi drejtonte mjetin e tij tej normave të lejuara të shpejtësisë matur me Radar.

Korçë, tenton të korruptojë punonjësin e Policisë Rrugore, arrestohet  në flagrance drejtuesi i mjetit shtetasi Masar Braha.

Arrestimi i tij u bë pasi, ky shtetas duke drejtuar  mjetin tip "Iveko" në rrugën nacionale Korçë-Bilisht, i ka ofruar punonjësit të Policisë Rrugore një shumë prej 500 lekë, për të shmangur masën administrative për mosvendosje të rripit të sigurimit.

Rroj me Krishtin

Posted: 26 Jan 2017 01:55 AM PST

1. Kujtimet të trishtojnë

Ke dëshirë për të jetuar,
në dy skaje shekullorë,
kur sheh sy të yllëzuar,
gjinj të ndritur qumështorë.

Para syve të përmbyset,
kupë e ndritur qiellore,
kur sheh jetën si harliset,
nëpër kurmet vashërore.

Bukuria e përsosur,
gjendet veç te vashëria,
ndaj si dhimbje e pasosur,
më sëmbon në shpirt rinia.

Shkon dhe çasti i tanishëm,
shkon e më nuk kthehet kurrë,
e në qoftë i magjishëm,
ta mban shpirtin në torturë.

Vjen një çast që as Veriun,
s’tregon busulla në jetë,
ndaj kujtimet për njeriun,
bëhen vrasës të vërtetë.

Kur veniten vezullimet,
kur burimet krejt shterojnë,
sido që të jenë kujtimet,
ato vetëm të trishtojnë.

5.12.2007

2. Rroj me Krishtin

Nuk më përkëdheli fati,
kalova kurthe dhe prita,
kush s’më do-iu shtoftë inati,
kush më do ju shtoftë dita.

Dhjetë vjet në buzë të varrit,
po logjikën kurrë s’e humba,
në kudhër të farkëtarit,
gdhenda këngë-s’derdha plumba.

Dhembjet ferr-po nuk e ktheva,
jetën në një shkretëtirë,
të bën dhembja që rrëfeva,
më të dashur-më të mirë.

Nuk se mbeti çdo gjë mbrapa,
u sosën dhembjet e zëmrës,
po pas jetës unë u kapa,
si foshnja në gji të nënës.

Ndonjëherë dhe jam dorëzuar,
se njeri jam natyrisht,
po në çast në këmbë jam çuar,
kur mendoja Zotin Krisht!

Krisht e shpirt ti je me mua,
e kam thënë herë pas here,
para dhembjeve të tua,
tonat janë fllade vere.

Më për dhembjet s’bëj çudi,
që shkenca nuk i mund dot,
që në dhimbje çdo njeri,
të mendojë të madhin Zot!

Të kujtojë të madhin Zot,
të paepur në torturë,
të mos përkëdhelet kot,
e të thotë-se jam sëmurë!

Vdes foshnja 2 muajshe në banesë

Posted: 26 Jan 2017 01:54 AM PST

 

Një foshnjë 2 muajshe, me inicialet A.B ka ndërruar jetë në banesë. Ngjarja ka ndodhur në lagjen numër 4 të qytetit të Durrësit.

Policia e qytetit bregdetar thotë se nga këqyrja e kufomës nuk janë konstatuar shenja dhune.

Nga veprimet e para hetimore dyshohet se vdekja ka ardhur nga shkaqe natyrale.

Kur BE bashkëjeton me korrupsionin: Vilë 1.6 milion euro për znj.Vlahutin në Rolling Hills

Posted: 26 Jan 2017 01:45 AM PST

 

Rolling Hills është një kompleks i njohur vilash të shtrenjta në periferi të Tiranës.

Mure të lartë rrethues me siguri të përforcuar mbyllin përbrenda tyre, vila të bukura të zhytura në luks dhe gjelbërim, të përshtatura për një standard të lartë jetese.

Nuk është rastësi që kjo zone e kryeqytetit e njohur edhe si "vilat e Lundrës" është bërë vitet e fundit vendi i preferuar për banim nga miliarderët e Tiranës mes të cilëve politikanë, ish-kryeministra e fëmijë ish-kryeministrash, maniatë mediash, biznesmenë etj, dhe sidomos shumë nga ata që ambasadorët e BE dhe SHBA në Tiranë i kanë akuzuar si të korruptuar dhe pengues të reformës në drejtësi gjatë muajve të fundit.

Për këtë arsye, ka qenë një befasi jo fort e këndshme për grupin investigativ të gazetës DITA, kur ka zbuluar nga një kontratë noteriale faktin që pikërisht në "fshatin e të korruptuarve" ka blerë së fundmi rezidencën e saj edhe denoncuesja e korrupsionit, ambasadorja e BE-së, Romana Vllahutin.

Një kontratë noteriale, ku ka shumë gjëra që nuk shkojnë, është publikuar sot nga DITA.

Pamje nga Rolling Hills në periferi të Tiranës

Pamje nga Rolling Hills në periferi të Tiranës

Dokumentet zbulojnë se rezidenca e re e ambasadores Vllahutin është blerë me fonde të BE-së për plot 1 milion e 649 mijë euro, duke u renditur ndoshta në top listën e vilave më të shtrenjta të Rolling Hills.

Bëhet fjalë për një vilë rreth 345 metra katrorë në një truall rreth 1600 metra katrorë.

Me një llogari të thjeshtë dhe duke krahasuar çmimet e vetë Rolling Hills në faqen zyrtare del se BE ka blerë me një super-çmim që tejkalon disa herë çmimin me të cilin shitet edhe vila më e shtrenjtë në këtë kompleks.

Në aktin noterial të shitjes vihet re përveç çmimit të fryrë edhe fakti që shitja është kryer nga shtetasi privat L.D. i datëlindjes 1980, posedues pronash milionëshe duke qenë vetëm 35 vjeç.

Dhe për më tepër, nuk rezulton që selia e BE në Tiranë të ketë kryer tender për këtë blerje.

Duke qenë se përgjithësisht BE nuk blen vila për ambasadorët e vet, por perdor qiranë, ky përjashtim në Tiranë, aq më tepër me gjithë këto pikëpyetje nga pas, nuk ka kaluar pa u vënë re.

DITA ka mësuar se një mision auditi i BE-së do udhëtojë drejt Tiranës.

Ndërkohë një tjetër fakt kurioz i shton dyshimet: Agjencia e njohur për shkrime investiguese BIRN, e la përgjysëm hetimin për këtë blerje për arsye ende të panjohura.

Faqja e kontratës së firmosur nga znj.Vlahutin, ku përcaktohet çmimi i vilës

Faqja e kontratës ku përcaktohet çmimi i vilës

Hetimi u ndërpre në momentin që analiza krahasimore e çmimit të vilave në Rolling Hills nxorri në pah një të dhënë shumë kompromentuese: Çmimi i vilës në fjalë, as në shkurt 2015 kur u lidh kontrata, as sot e kësaj dite nuk i kalon të 1 milion eurot.

Një jurist i kontaktuar nga DITA thotë se duhet parë bazuar në çfarë rregullash zyra e BE në Tiranë ka vendosur të bëjë një blerje të tillë, pse vilë për ambasadoren dhe jo zyra për shembull; përpos faktit që duket e pa precedentë që një organizatë multinacionale blen prona në një shtet të caktuar.

E pyetur nga DITA Ministria e Drejtësisë nuk pranoi të jepte informacion mbi rastin, por gazeta disponon aktin noterial të blerjes.

Veç labirintit ligjor dhe dyshimeve që krijon kjo blerje disa pyetje mbi moralin e këtij veprimi bëhen të pashmangshme:

BE do paguajë detyrime të përbashkëta në këtë fshat me të gjithë banorët e tij miliarderë, pra do bashkëjetojë me ata që ka akuzuar për korrupsion.

A mund t'i lejojë vetes BE të blejë një pronë edhe më shtrenjtë se e blen një i korruptuar shqiptar, madje as e regjistron dhe as e deklaron këtë aset?

Është e vërtetë që bëhet fjalë për fonde të BE-së dhe fakti se çfarë fshihet pas çmimit abuziv me të cilin është blerë kjo pronë i përket misionit auditues që mbron interest e taksapaguesve europianë.

Por në Shqipëri, na intereson mesazhi publik që jep BE në këtë rast: Janë për t'u ndarë apo për të bashkëjetuar me korrupsionin?

Mbani dietë por nuk dobësoheni? 7 arsye pse ndodh kjo

Posted: 26 Jan 2017 01:44 AM PST

A ju ka ndodhur të mbani dieta të njëpasnjëshme dhe nuk dobësoheni ashtu siç e prisnit? Dietologët thonë se ka disa shkaqe për këtë fenomen.

-Mungesa e vitaminave

Bëj një test nëse të mungon ndonjë lloj vitamine dhe drejt e në farmaci, ose kërko ushqime të pasura me atë lloj vitamine. Ato mund të jenë vitaminat B që ndihmojnë në djegien e yndyrave dhe uljen e nivelit të stresit nëse ai ka fluturuar pa kontroll.

-Masa e racioneve

Dietologia skoceze Fiona Kirk rekomandon të përdorim racione ushqimesh me karbohidrate apo proteina jo më të mëdha sesa grushti dhe ta mbushim pjesën tjetër të pjatës me fruta dhe perime. Sigurisht duhet të përdorni pjata më të vogla që mos të ngelet më vend.

-Bakteret e zorrëve

Merrni shumë ushqime probiotike që furnizojnë nivelet e baktereve të shëndetshme që përfshijnë preshin, hudhrën dhe bananet dhe të shmangësh antibiotikët që mund t'i vrasin ato. Gjithashtu mund të marrësh një pije të përditshme probiotike si kosi.

– Truri

Fokusohuni te arsyet pse do të humbisni peshë dhe i thoni vetes se do t'ia dilni. Beni mirë t'i shënoni objektivat për peshën në një letër. "Unë këshilloj që të gjithë të mbajnë shënime dhe ta kontrollojnë para se të bëjnë diçka që vë në provë premtimin", – thotë trajneria personale e Jennifer Garner, Valerie Waters.

– Qëndroni ulur për një kohë të gjatë dhe nuk merreni me aktivitet sportiv.

– Nuk konsumoni ujë sa duhet

– I kapërceni proteinat– Shumë studime kanë arritur në përfundimin se proteinat përshpejtojnë dobësimin dhe forcojnë muskujt.

Djemtë e pashallarëve të rinj

Posted: 26 Jan 2017 01:44 AM PST

 

Nga Bedri Islami

Është një fakt i çuditshëm: që nga 13 korriku i vitit 2010 dhe deri në dhjetorin e vitit 2011, shtetasi Shkëlzen Berisha, biri i ish shefit të qeverisë së asaj kohe, Berisha, ka udhëtuar jashtë shtetit 36 herë, ose, më e kapur për të gjithë, në secilin muaj ai ka qenë dy herë jashtë shtetit. Vetëm një herë ka pasur kalim tokësor, në të gjitha rastet e tjera ai ka fluturuar me avionë dhe destinacionet e tij kanë qenë Vjena, Stambolli, Roma, Londra, Praga, Milano etj.

Thuajse një të tretën e kësaj periudhe, kur është edhe piku i krijimit të aferës ciklopike CEZ, ai është gjendur jashtë Shqipërisë, duke udhëtuar nëpër botën ku i duhej " të bënte lobing" që babai i tij të adresonte gjithçka në adresën e duhur.

Them se është fakt i çuditshëm, pasi, pikërisht në këtë periudhë, ai ishte gjysmë i pa punë, pra jetonte vetëm me ndërmjetësinë në shitjen e objekteve, megjithëse ende askush nuk e di se ku ishin ndërmjetësimet e tij dhe cilat objekte ka shitur. Megjithë udhëtimet e tij, të cilat, normalisht, nëse do të përballoheshin nga ai, kapin shpenzime marramendëse, të papërballueshme edhe për sheikët e naftës, përsëri pasuria e tij është shtuar me qindra mijëra euro të deklaruara dhe me shumë të tjera të paditura, të cilat shfaqen tani në udhëtimet e mëtejshme që bën dhe në financimet pa skaj të një njeriu të vetëm.

Fillimisht, duke parë edhe udhëtimet e tjera të tij, më bëri përshtypje fakti se në një periudhë 18 mujore, por edhe më tej, ai asnjëherë nuk ka fluturuar drejt Suedisë, ku pavarësisht nga ndarja me ish gruan e tij, jetojnë dy fëmijët që ka nga martesa e kohës së "ilegalitetit". Për  një familje, e cila, ditë e natë, flet për kodin e familjes dhe kodin e nderit, mungesa e atit pranë fëmijëve të tij, më shumë se gjithçka të sjell në mendje "arratitë" e prindërve plangprishës, por kjo është diçka e tij vetjake, të cilën, edhe pse dukshëm bie në sy, nuk ka pse e tjerrim më tej.

Në historinë e dekadave të fundit në Shqipëri, shumë nga komunistët e bindur, fanatikë deri në thelbin e shpirtit, me urdhër ose jo, u shndërruan brenda natës në demokratikas dhe morën mbi vete autorësinë e një mendimi të ri perëndimor. Sali Berisha është njëri prej tyre. Shefi i gazetës "55", Balliu , është një tjetër. Pashko ishte po ashtu në majën e piramidës së një kohe të shkuar dhe jo larg tij ishte edhe Ruli. Tritan Shehu , po ashtu, Fullani në të njëjtën rrymë, dhe lista e "të konvertuarve" në themelimin e PD-së ishte bukur më e gjatë se sa lista e të përndjekurve politikë ose e pinjollëve të familjeve të njohura intelektuale.

Të mjedisuar shumë shpejt me klimën e re, që vetë e krijuan, kur burri çmohej jo më nga arsyeja, por nga aftësia për të vjedhur, kur merita e një njeriu në pushtet nuk ishte më ndershmëria dhe përkushtimi, por mashtrimi dhe përfitimi; kur pas fjalëve për popullin çmohej më shumë rrjepja e popullit, dhe vetë populli trajtohej e vazhdon të trajtohet si një turmë fatkobe, këto statura, fillimisht politike, krijuan klasën e re të pashallarëve, të cilët, në të gjithë atë që zhvilluan kishin me vete një dëshmi të sigurt: megjithë fjalën demokratike, në thelb ata mbetën pashallarë të kuq, më të rrëmujshëm, më të egër dhe më agresivë e të papërmbajtur se sa pashallarët që përmend dikur Kadare.

Si vetë ata bënë edhe fëmijët e tyre: i mësuan me idenë se, duke qenë fëmijë pashallarësh, kanë gjithë të drejtën e botës të përmbysin, të rrëmojnë, të grabisin, të shijojnë pasurinë e grabitur, të kenë të drejtën e dhunës, përbuzjes dhe të hakmarrjes.

Fenomeni Berisha, rinor, nuk është i vetmi, megjithëse asnjëherë përbindshmëria financiare nuk është shfaqur në këto përmasa.

Vajza e Balliut ishte aksionere në firmat pranë Gërdecit dhe askush nuk e trazoi faktin se si një vajzë e re kishte mundur të ishte aq e pasur. Djali i Fullanit "trimërohet" përmes pasurisë milionëshe të babait të tij, shfaqet përbuzshëm në makinat super të shtrenjta dhe i bën karshillëk shtetit, duke qenë dyfish i sigurt në fuqinë mbi shtetin: nga babai i pasuruar tmerrshëm dhe nga nëna që sundon në Gjykatën e Lartë. Edhe sikur asgjë të mos bëjnë ata, tashmë e kanë krijuar hijen e rëndë të pashallëkut që zotëron në jetën e fëmijëve të tyre. Ndërsa prindërit flasin për "vobektësinë", natyrisht kur janë në opozitë, një drekë e zakonshme e fëmijëve të tyre kushton më shumë se sa rroga mujore e një gruaje në fabrikën e këpucëve, kudo qoftë ajo. Një udhëtim i Berishës rinor kushton sa rroga e një viti, ndërsa në statuset e tij, ish shefi i qeverisë, secilën ditë e secilën natë, që nga qershori i vitit të shkuar, bën thirrje për të përmbysur pushtetin e tashëm, pasi njerëzit po jetojnë në mjerim.

Historia e djemve të pashallarëve nuk fillon me Berishën rinor.

Në trevat ballkanike ka pasur edhe më herët bij të tillë, të cilët, përbindshëm, janë vendosur mbi shtetin dhe e kanë sunduar atë me dorë të hekurt. Niku i Çausheskut është një shembull prej tyre. Mirkoja i Sllobadanit është një shembull tjetër. Megjithëse koha e tyre duket e largët, ngjashmëria në sjelljen ndaj shtetit është e njëllojtë, megjithëse, si thonë gjermanët, të gjitha krahasimet çalojnë.

Çalon edhe krahasimi im.

Në tetë vitet e fundit të pushtetit Berisha, askush, absolutisht askush, nuk ka sunduar mbi shtetin se sa një lapërdhar pushtetor se sa djali i shefit të qeverisë së kohës. Ai e ka shqepur shtetin kënd më kënd, e ka përbuzur duke e vjedhur dhe e ka gjakosur duke e vrarë.

Nën këmbët e tij ishte vënë policia, përmes koliqajve dhe grupin të njohur si "Çiftelia", ishin vënë financat e shtetit, përmes tenderimeve të dhëna nga Bode, ishte pushtuar ministria e Mbrojtjes përmes lejes së dhënë nga Medie; ishte vënë nën këmbë ministria e Drejtësisë përmes një butaforie ministrore si ishte Bumçi; në shërbimin e tij ishte struktura e ERE, CEZ, Ministria e Transportit, përmes një kollovari politik si Basha, dhe, edhe sot e kësaj dite, askush nuk e di pasurinë e tij. Ndoshta as ai vetë.

Përse ndodhi një fenomen i tillë?

Si është e mundur që një birbo politik të verë nën këmbët e tij të gjitha strukturat e shtetit, të bëjë gjëmën në Gërdec, të jetë relatori i vërtetë i CEZ, të ketë pasemërin "njeriu me çantë"?

Shtetin nën këmbët e tij nuk e vendosi ai. E vendosi i ati për llogari të të birit.

Nëse ky shtet do të fillojë, qoftë edhe një herë të ketë drejtësi, duhet të fillojë pikërisht nga ky fakt: vendosjen e shtetit nën këmbët e një shefi qeverie, i cili, edhe demokracinë e aspironte dhe e realizonte si diktaturë, që , mes njërës dhe tjetrës kohë, zgjodhi nga të dyja: dhunën politike nga e para dhe grabitjen financiare nga e dyta.

Nuk e di se çfarë bëhen fëmijët e pashallarëve të dikurshëm politikë. Nuk kam pasur kurrë ndonjë lidhje me to dhe as që nuk mund të kisha. Disa mund të jenë bënë biznesmenë, një e drejtë e tyre, nëse janë bërë ndershmërisht; disa janë jashtë shtetit, nuk e di se ku janë; të tjerë mund të jenë bërë pjesë e strukturave të ndryshme ose janë marrë me gjëra të pista.

Por, askush nuk bëri dot me shtetin si ndodhi në 8 vjetëshin e qeverisjes së fundit Berisha, kur i gjithë shteti u sundua nga një katërshe familjare: baba, nënë, motër e djalë.

Rikthimi i Orwellit dhe “1984”-ës, pak ditë pas betimit të Trumpit

Posted: 26 Jan 2017 01:37 AM PST

Libri "1984" i George Orwellit është rikthyer në listat e librave më të shitur në këtë fillim të 2017-ës.

Romani i famshëm që flet për jetën në një shtet totalitar ndodhet tashmë në vendin e gjashtë të librave më të shitur të Amazon. Ditën e hënë, libri endej mes vendit të 5 dhe të 7.

I botuar fillimisht në vitin 1949, libri që imagjinonte një shoqëri të ardhshme autoritare, konsiderohet nga shumë njerëz si një prej romaneve me më shumë ndikim të shekullit 20. Shteti i tij, Oqeania, përdor një gjuhë të quajtur "E-Folme-e-re" (dhe fjalë si "dyfish-plus-mirë") për të kufizuar lirinë e mendimit.

Libri fokusohet sidomos në impaktin e survejimit prej qeverisë së kudondodhur dhe përdorimin e propagandës nga ana e shtetit, për të forcuar ortodoksinë për një lider të gjithëpushtetshëm, që quhet Vëllai i Madh.

Popullariteti i rigjetur i romanit vjen disa ditë pasi Sekretari i Shtypit i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer argumentoi se betimi i Trumpit të premten tërhoqi audiencën më të madhe që është parë në ndonjë periudhë inaugurimi, pavarësisht provave të qarta e të pakundërshtueshme filmike që tregonin të kundërtën.

Këshilltarja e Trumpit, Kellyanne Conway më vonë e mbrojti atë argument, duke thënë se deklaratat e rreme të Spicer ishin në fakt "fakte alternative".

Një frazë e tillë i kujtoi shumëkujt "Ministrinë e të Vërtetës" të Orwellit, që, si shkruante ai, merret me "gënjeshtrat".

Statusi bestseller i librit nuk vjen domosdoshmërisht për shkak të Ekipit Trump, pasi 1984 mbetet një lexim i kërkuar në shumë shkolla.

Lista e librave bestseller e Amazon përditësohet vazhdimisht, kështu që qëndrimi i 1984 në krye mund të mos zgjasë shumë. Aktualisht ai ndodhet prapa "Shënim për veten" i autorit Connor Franta dhe para "Figura të fshehura" të Margot Lee Shetterly.

Nuk është hera e parë që 1984 sheh një rritje të shitjeve në vitet e fundit. Libri arriti në listën e më të shiturve të Amazon edhe në vitin 2013, pasi Eduard Snoudeni zbuloi ekzistencën e programeve të përgjimit të NSA./CNN-bota.al

Sot seanca plenare, Rama takon Metën në Kryesinë e Kuvendit

Posted: 26 Jan 2017 01:34 AM PST

 

Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim para seancës plenare me Kryetarin e Kuvendit.

Takimi i kryeministrit Rama me Ilir Metën ka zgjatur për rreth 60 minuta në Kryesi.

Në qendër të bisedës mes dy udhëheqësve të koalicionit mendohet se nuk kanë qenë vetëm çështjet e rendit të ditës në parlament, por reformat dhe koalicioni.

Takimi vjen një ditë pas letrës që Meta i dërgoi Nishanit për të mbledhur Këshillin e Sigurisë me qëllim analizimin e veprimeve për arrestimin e tij.

Sekuestrohet 1 kg kokainë në Tiranë, 2 në pranga

Posted: 26 Jan 2017 01:08 AM PST

Policia e Tiranës ka sekuestruar rreth 1 kg kokainë dhe ka arrestuar dy shtetas, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim.

Të arrestuarit janë 49-vjeçari Gjergji Gjinaj dhe 53-vjeçari Ismail Alushi, të dy banues në Tiranë. Në kërkim është shpallur 41-vjeçari A.K.

tiran-droga-2-1Këta persona dyshohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kryenin aktivitetin kriminal të shitjes së kokainës dhe heroinës, në zona të ndryshme të Tiranës.

Lëndën narkotike e siguronin tek shtetasi Ismail Allushi.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more