Skip to main content

“TAP përmbyll punimet për rrugët dhe urat ndihmëse në qarkun e Korçës” plus 9 more - Gazeta Shqiptare

“TAP përmbyll punimet për rrugët dhe urat ndihmëse në qarkun e Korçës” plus 9 more - Gazeta Shqiptare


TAP përmbyll punimet për rrugët dhe urat ndihmëse në qarkun e Korçës

Posted: 08 Nov 2016 08:01 AM PST

Trans Adriatik Pipeline” ka përfunduar punimet për rehabilitimin e rrugëve dhe urave ndihmëse në zonat më të izoluara të qarkut të Korçës. Për të parë nga afër infrastrukturën e përmirësuar, zëvendëskrye-ministri Niko Peleshi, zëvendësministri i Energjisë dhe Industrisë Ilir Bejtja, kryetari i Bashkisë së Korçës Sotiraq Filo dhe drejtuesit e TAP-it në Shqipëri organizuan një vizitë inspektimi. Ashtu si edhe ishte parashikuar, faza e parë e punimeve për të përmirësuar infrastrukturën rrugore përgjatë gjurmës së gazsjellësit në qarkun e Korçës përfundoi para fillimit të dimrit. Në zonat më të largëta malore të Korçës, nga ana e projektit TAP janë rindërtuar apo ndërtuar nga e para rreth 15.5 km rrugë dhe 9 ura që lidhin fshatrat me zonën urbane. Tashmë zonat më të thella malore të Korçës, si fshati Shtyllë, nuk do të kenë më problem të lidhen gjatë stinës së ftohtë me qytetin apo me fshatrat përreth. “Kjo është ngjarje shumë e rëndësishme për banorët e kësaj zone të thellë malore. Banorët e zonës së Shtyllës, dhe akoma më lart të Panaritit, vetëm pas pranverës mund të kishin një lidhje normale. Dua ta shoh këtë investim edhe përtej rëndësisë që ai ka për vetë dhjetëra apo qindra banorët që jetojnë këtu e që kanë një jetë të transformuar. Kjo zonë ka një potencial të jashtëzakonshëm turistik si Vithkuqi”, – u shpreh zv.kryeministri Peleshi, sipas të cilit, përmes rrugëve mund të flitet për projekte zhvillimi. Sipas tij, TAP-i është një ngjarje e rëndësishme jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë rajonin. “Jemi të kënaqur që këtu në Shqipëri, si një prej vendeve ku projekti kalon, punët po ecin mirë dhe ka mbaruar faza e rëndësishme e rrugëve të aksesit për rajonin e Korçës. Përveçse sjell më shumë akses për banorët dhe vizitorët potencialë, ka sjellë edhe një standard. Ky është një nga segmentet me standardin më të lartë në Shqipëri”, – theksoi Peleshi, ndërsa tha se duhet përfunduar rruga që lidh Vithkuqin me qytetin. Kjo infrastrukturë rrugore do të ndihmojë transportin e tubave dhe makinerive të tjera të nevojshme për ndërtimin e gazsjellësit TAP si dhe do të ndihmojë në zhvillimin e komuniteteve vendore përreth. Punimet për fazën e parë të rehabilitimit të infrastrukturës rrugore përgjatë gjurmës së gazsjellësit TAP nisën në verën e vitit 2015, dhe tashmë më shumë se 95% e punimeve kanë përfunduar.

Melita Protopapa: Djalin e kam besimtar, jo terrorist

Posted: 08 Nov 2016 08:00 AM PST

 

Xhensila Kodra

Gjykata e Krimeve të Rënda caktoi masën e arrestit me burg për katër të dyshuarit si pjesë e një grupi kriminal, që rekrutonte besimtarë myslimanë për xhihad luftarak në Siri e Irak. Mbrëmjen e së premtes u arrestuan Bekim Protopapa, mjek në Reç të Malësisë së Madhe; Ergys Faslia, i cili punonte berber në Shkodër; imami i vetëshpallur Xhezair Fishti dhe Medat Hasanin. Pas caktimit të masës, Melita Protopapa, e ëma e Bekimit tha për mediat se i biri është arrestuar vetëm për shkak të besimit, ndërkohë që i gjithë komuniteti në Reç të Malësisë së Madhe, ku ai punon si mjek kanë respekt për të. Gruaja pranoi se i biri ka njohje me Ergys Faslinë, njeriu i cili dyshohet si kreu i grupit që kryente rekrutime dhe se ka ndjekur disa herë procesin ndaj imamit të vetëshpallur Genci Abdurrahim Balla dhe të akuzuarve të tjerë. “E kam rritur jetim çunin. Është besimtar. Është njeri i ndershëm. Pyesni fshatarët se sa i ndihmon, shkoni në Reç, natën u shkon atje kur kanë nevojë. Fëmijët i kanë sjellë t’ua vizitojë, ka mbaruar shkëlqyer shkollën e lartë dhe ka ikur nga Tirana në Reç, ku nuk shkon askush dhe të ma marrin çunin këta. T’i heqin lirinë çunit tim, që e kam rritur jetim. Nuk ka këtu as njerzillëk as logjikë. Një baba me tri vajza të vogla të jetë terrorist?!”, tha nëna e Bekimit, Melita Protopapa.
Seanca
Në seancën gjyqësore të zhvilluar me dyer të mbyllura, katër të pandehurit nuk kanë pranuar asnjë prej akuzave të ngritura ndaj tyre. Ata janë shprehur se janë besimtarë dhe jo terroristë. Dy prej të pandehurve, Bekim Protopapa dhe Ergys Faslia nuk pranuan të mbroheshin me avokat dhe thanë se po persekutohen për shkak të besimit. “Më mbron Allahu. Nuk kam nevojë për avokat”, mësohet të ketë thënë mjeku Bekim Protopapa, i cili doli i pari para togave të zeza. “Nuk kam lidhje me akuzat. Po persekutohem për shkak të besimit islam”, ka thënë ai më tej, duke pohuar se nuk ka ndihmuar asnjë person që të shkojë në Siri. Edhe Ergys Faslia nuk pranoi të mbrohej me avokat. Ai këmbënguli në seancë se nuk ka kryer asnjë vepër penale dhe se është arrestuar për shkak të besimit. Para togave të zeza, Faslia ka mohuar njohjen me dy të arrestuarit e tjerë, Medat Hasani dhe Xhezair Fishtin, të cilët dolën të fundit para gjykatësve. Hasani dhe Fishti nuk pranuan asnjë prej akuzave ndaj tyre, ndërsa pranuan që të mbroheshin nga një avokat. Sipas organit të akuzës, katër personat e sipërpërmendur akuzohen si të dyshuar për “Veprime me qëllime terroriste” dhe “Nxitje e urrejtjes fetare”. Sipas prokurorisë, katër të dyshuarit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, por edhe me persona të tjerë nga vende të ndryshme propagandonin në mbështetje të grupit terrorist ISIS. Burime pranë organit të akuzës bënë me dije se ndaj tyre kanë përgjime dhe prova të forta që vërtetojnë akuzat që u janë ngritur dhe se informacioni për pjesëmarrje përkrahë ISIS u ka mbërritur nga agjencitë e huaja të inteligjencës.

“Gazetari Patituçi i ‘Espresso’, që takoi Kadarenë, agjent që ka ardhur për të zbuluar vetëvrasjen e Mehmet Shehut”

Posted: 08 Nov 2016 08:00 AM PST

DASHNOR KALOÇI
Dashnor Kaloçi sjell librin më të ri
mbi shkrimtarin Ismail Kadare
“UET PRESS” dhe gazetari e studiuesi i arkivave, Dashnor Kaloçi, sjellin botimin më të ri “Kadare në dokumentet e ‘Pallatit të Ëndrrave'”
101 dokumente të panjohura arkivore të Sigurimit të Shtetit dhe Komitetit Qendror të PPSH-së, të klasifikuara “Tepër Sekret”, me procesverbale të mbledhjeve të Lidhjes së Shkrimtarëve, Byrosë Politike të K.Q. të PPSH-së, me analiza, kritika, propozime, dëshmi, informacione, raporte, relacione, letra, akuza, spiunime e denoncime ndaj shkrimtarit të njohur, Ismail Kadare, të gjitha të papublikuara më parë.
Libri do të përkthehet dhe do të botohet së shpejti në Angli dhe Francë, me një parathënie të gjatë të shkrimtarit Ismail Kadare me botuesin nga Londra.
Në muajin mars të vitit 1982, një gazetar i ri italian, i “Espresso” erdhi për një vizitë dyjavore në Shqipëri, natyrisht pasi më parë kishte kërkuar leje nga autoritetet shqiptare, përkatësisht nga Komiteti i Marrëdhënieve Kulturore dhe Miqësore me Botën e Jashtme, që asokohe kryesohej nga Javer Malo, (me origjinë nga Delvina), ish-diplomat karriere, ambasadori i parë shqiptar i pasluftës në Paris (1945-1947), drejtor Drejtorie në Sigurimin e Shtetit, për ndjekjen e Klerit Katolik në vitet 1947-’48, etj.. Ashtu siç ndodhte rëndom me të gjithë të huajt që vinin në Shqipëri, miq apo edhe të tjerë të panjohur, ata u nënshtroheshin praktikave standarde, duke kaluar nëpër një ‘filtër’ të hollë të organeve kompetente të Zbulimit Shqiptar dhe më pas iu akordohej leja e nevojshme. Po kështu, atyre u caktoheshin edhe personat që do t’i shoqëronin gjatë vizitës së tyre në vendin tonë, pasi më parë u ishte aprovuar edhe lista me emrat e personave që ato do takonin gjatë vizitës së tyre zyrtare e miqësore në vendin tonë. Këtë gjë e dëshmon edhe ky dokument që po publikojmë në këtë pjesë të librit, i cili është firmosur nga Manush Myftiu dhe në krye të faqes së parë ka edhe një shënim të Ramiz Alisë, (shiko faksimilja përkatëse), ku ka bërë vërejtjet e rastit për problemin në fjalë, si për Komitetin e Kulturës të Marrëdhënieve me Jashtë, ashtu dhe për ministrinë. Po kështu, lidhur me vizitën e gazetarit të ri italian, Demitro Patituçi me origjinë arbëreshe, për të cilin organet kompetente (Sigurimi i Shtetit, Dega e V, Zbulimi Politik, pranë Ministrisë së Jashtme, që në atë kohë drejtohej nga Jorgji Pjeshkazini), kanë hedhur dyshime se ai është një agjent i dërguar në Shqipëri për të mësuar lidhur me vetëvrasjen e kryeministrit Mehmet Shehu, ngjarje e ndodhur vetëm dy-tre muaj më parë…! Dhe nga personat që ka takuar gazetari italian, natyrisht me lejen e organeve kompetente, është dhe shkrimtari Ismail Kadare, ndaj të cilit në atë kohë kishin filluar survejimet dhe hetimet, pasi njihej si një nga njerëzit që kishte shumë miqësi me djalin e dytë të kryeministrit Mehmet Shehu, (Bashkimin), i cili ndodhej i internuar së bashku me të ëmën, (Fiqretin) në një fshat të largët, në Belsh të Elbasanit. Nuk dihet me saktësi nëse takimi i një gazetari italian 24-vjeçar dhe fare i panjohur i “Espresso” ishte i domosdoshëm me një shkrimtar mjaft të njohur edhe në Evropë e më gjerë, siç ishte Kadare, apo ajo gjë ishte e kurdisur nga ‘organet kompetente’, si kombinacion për ta implikuar atë në ndonjë rrjet agjenturor…! Versioni më i mundshëm mendohet se është ajo e një gracke apo kombinacioni të Sigurimit të Shtetit, për ta implikuar Kadarenë më pas dhe ajo gjë thuhet se është bërë direkt nga Kadri Hazbiu, i cili asokohe po ndjente lëkundjet e goditjes, që porsa kishte filluar ndaj tij. Dhe nisur nga ky fakt, duke ia ditur fare mirë ‘tabiatet dhe oreksin’ shefit të tij, Enverit, kërkonte ta ‘gostiste’ me një ‘gjah të majmë’, siç konsiderohej shkrimtari Ismail Kadare në atë kohë. Dhe më ketë gjë, ai jepte shenja besnikërie tek Enveri e gjithashtu fitonte pikë në mbarë opinionin e vendit. Gjë e cila bëhet me dije edhe në dokumentet në vijim të këtij libri, ku Hazbiu, sipas asaj që dëshmon dhëndri i tij, (Medin Çollaku), pikërisht në ato muaj u ka kërkuar dy fëmijëve të tij që të informonin Partinë mbi ato çka dinin dhe kishin dëgjuar për shkrimtarin Ismail Kadare. Të njëjtën porosi, pra për të denoncuar Kadarenë, Hazbiu pati nxitur edhe dhëndrin (Medin Çollaku), që të takohej me ministrin e Jashtëm, Nesti Nase dhe t’i ngrinte atij problemin se përse lejohej që Kadare të dilte vetëm jashtë shtetit, ndërkohë që kjo gjë nuk lejohej?! Ndërsa nuk dihet me saktësi as qëllimi i takimit të gazetarit të ri italian me Kadarenë dhe as deri ku mund të ketë shkuar tentativa e Kadri Hazbiut për të implikuar Kadarenë në ‘rrjete agjenturore’, ajo që mund të thuhet është fakti i njohur tashmë, se deri diku iu arrit kësaj. Dhe kjo ndodhi disa muaj më vonë, gjatë hetuesisë së Llambi Ziçishtit, ministrit të Shëndetësisë, që ishte arrestuar dhe mbahej në qelitë e burgut 313 në Tiranë, (i akuzuar si bashkëpunëtor i ngushtë i Kadri Hazbiut dhe Mehmet Shehut), me të cilin do njihemi në dokumentin në vijim. Ndërkaq, po japim të plotë dokumentin që bën fjalë për vizitën e gazetarit të ri italian në Shqipëri.

KOMITETI
Tiranë, më 31. 3. 1982
Nr. 54
INFORMACION
Nga data 10 deri 24 mars vizitoi vendin tonë si i dërguar i revistës italiane “Espresso” gazetari arbëresh Demitrio Patituçi.
Ambasada jonë në Romë që na e ka propozuar ka pasur mendim shumë të mirë për të dhe për shkak të artikujve që shkroi vitin e kaluar për ngjarjet në Kosovë. Patituqi ka qenë bashkë me motrën e tij në Shqipëri në grupin e studentëve të Kozencës që kanë ardhur në vitin 1979 për të ndjekur një kurs në gjuhën shqipe.
Në Komitet ai u prit nga shoku Ymer Minxhozi, me të cilin bisedoi kryesisht për gjendjen në Kosovë, marrëdhëniet tona me Jugosllavinë. U takua dhe zhvilloi biseda me shokët Hamit Beqja e Nasho Jorgaqi, me të cilët u informua për universitetin, për arsimin, lidhjet e universitetit me fakultetet e Kosovës etj., me shokun Dervish Gjiriti, bisedë me të cilin u interesua për parimet tona të Tregtisë Jashtme, shkëmbimet tona tregtare me vendet e tjera dhe me Italinë, me shokun Ismail Kadare, me shoqen Liri Gjoliku, e cila i foli për Kushtetutën, funksionimin e Kuvendit Popullor, gjykatat etj., me shokun Mezin Pajo etj. U takua me poetin Pano Çuka dhe me kryeredaktorin e gazetës “LaikoVima”, drejtues të kooperativës së Vriserasë, drejtorin e spitalit të Gjirokastrës, etj.
Gjithashtu, ai vizitoi Kombinatin e Autotraktorëve “Enver Hoxha”, Muzeun Historik Kombëtar, ekspozitën “Shqipëria sot”, Galerinë e Arteve Figurative, spitalin e Gjirokastrës, shkollën e mesme bujqësore në Delvinë, kooperativën e Rëmbecit etj.
Në takimet dhe bisedat e zhvilluara, ai u interesua dhe bëri këto pyetje: Kur janë hequr gradat në ushtri dhe për ç’arsye? Si bëhet dallimi në rangjet e ushtarakëve? Cili është roli i komisarit? Ç’akuza u bënë kundër Beqir Ballukut, i cili u pushkatua? Sa shpenzon shteti për mbrojtjen? A prodhoni armë? Jashtë janë të interesuar të dinë si mbrohet Shqipëria. A kanë pasur këtu sovjetikët nëndetëse atomike? A jeni në gjendje të përballoni një invazion dhe nga është probabiliteti më i madh nga lindja apo nga perëndimi? Si i keni pritur ngjarjet e Kosovës, a keni marrë masa ushtarake? Stërvitja ushtarake dhe vetëmbrojtja si ushtrohen? Nuk shoh milici të armatosur, kush e ruan rendin? Si u dënua Liri Belishova dhe ç’bëhet me të? Mehmet Shehu si u vra? Ç’mendon opinion për vetëvrasjen e tij? Ç’do të bëhet pas Enver Hoxhës? Çarçanët a kanë qenë fis i madh? Nedin Hoxha a është fis me shokun Enver Hoxha? Si varrosen komunistët? Sa është numri i anëtarëve të Partisë? A ka ndërmend shtypi të trajtojë përvjetorin e ngjarjeve në Kosovë? Për librin që kanë nxjerrë jugosllavët “Shqipëria e Enver Hoxhës” ç’qëndrim do të mbani, do të përgjigjeni? A ekziston marrëveshje turistike për ardhjen e kosovarëve dhe pse këtyre u bëhen lehtësira etj.
Gjatë bisedave dhe në mënyrë të veçantë me shoqëruesin shokun Anastas Gëdeshi, Patituçi ka shprehur këto mendime:
Pikëpamja jugosllave për problemin e Kosovës është përhapur shumë në Itali dhe këtu ka ndikuar dhe autoriteti i Titos. Propaganda jugosllave argumenton se po të krijohet Kosova Republikë do të kemi dy shtete shqiptare mbasi janë në kufi dhe do të krijohet e njëjta gjendje si në Kore e Gjermani. Ky është një argumentim i bazuar. Populli i Kosovës nuk ruan luciditetin dhe mendon se zgjidhja e vetme për të rifituar të drejtat do të arrihet vetëm nëpërmjet një luftë.
Gjatë vizitave Patituçi bëri shumë pyetje lidhur me Kushtetutën, ligjet, bujqësinë etj., etj. Shumë nga këto mund të futen në kuriozitetet e gazetarit, sidomos të një të riu që sapo ka dalë nga bankat e shkollës. Por, shumë pyetje të tjera duket se kanë qenë të përgatitura nga ata që e kanë dërguar Patituçin në Shqipëri. Këtu hyjnë gjithë pyetjet lidhur me Mehmet Shehun dhe me tradhtarë të tjerë, si dhe pyetjet lidhur me ushtrinë. Ai kërkoi të shkonte dhe në Pasha Liman “në mënyrë që të bënte një artikull sensasional” për të treguar se sovjetikët donin të ndërtonin bazën përballë Italisë. Këto pyetje që i bëri në takimet e organizuara, i bëri edhe në takime të paorganizuara e kokë më kokë me njerëz nga tanët që kishte njohur në Itali, në Kosovë dhe në Shqipëri në vitin 1979. Kështu psh. ai u takua me Ariana Lekën dhe Albana Sulejmani, të dyja balerina në Teatrin e Operës dhe Baletit që kishin qenë me grupet tona artistike në Kalabri, me të cilat qëndroi disa orë. Në bisedat me to na rezulton se ndërmjet të tjerash, ai kish pyetur Ariana Lekën: “Pse e vrau veten Mehmet Shehu? Po Bashkim Shehu ku ndodhet, në Ballsh apo në Belsh?”.
Gjithashtu, ai u takua edhe me disa studentë kongolezë, ndërmjet të cilëve me Elisabeta Mukeketa,/// së cilës edhe i premtoi ta merrte me vete në Itali pa vizë dhe të qëndronte rreth një javë me të dhe pastaj ajo të shkonte në Francë. Ai vajti në ambasadën franceze dhe italiane. Gjithë lëvizjet e tij në Tiranë, përpjekjet për t’u takuar vetë me gjithë ata që kishte njohur, pyetjet e shumta dhe kurioziteti i tij i tepruar ngjallën shumë dyshime tek ne. Përshtypja jonë është se ose ai është agjent dhe erdhi për një detyrë të caktuar, atë të informimit mbi vetëvrasjen e Mehmet Shehut, ose ai është si të thuash një agjentë në provë.
Patituçi ishte në Kosovë. Artikujt që shkroi tërhoqën vëmendjen. Ai u bë mik i ambasadës shqiptare. Ç’rast për shërbimin sekret italian, për të vënë në dorë mbi të. Ai është 24 vjeç, pra djalë i ri që kërkon të bëjë karrierë. Në këtë mënyrë, dikush i tregoi atij edhe portën e revistës “Espresso”.
Përsa u përket artikujve që mund të shkruaj, kjo do të varet nga revista dhe nga drejtori i saj.
Duhet ta pranojmë se ne nxituam që e pranuam propozimin e ambasadës sonë në Romë, aq më tepër kur ajo na ka dhënë prova të shumta që nuk e njeh as Italinë e as italianët dhe as arbëreshët që hyjnë e dalin në ambasadë. Nga ana tjetër, një gazetar që nuk ka formuar akoma personalitetin e tij, që nuk ka zënë akoma vend në një organ shtypi, mund të bëhet shumë lehtë një lojë në duart e drejtorit të gazetës, ose të shërbimeve që qëndrojnë pas tij.

KRYETARI
(Javer Malo)
Arkivi Qendror i Shtetit. Fondi 14. Ap. Komitetit Qendror i PPSH-së, (Struktura) Dosja 78. Viti 1982. Fl. 1-4.

Ish­kryeministri kroat, këshilltar i Ramës

Posted: 08 Nov 2016 08:00 AM PST

Darina Tanushi

PS dhe kryeministri Edi Rama kanë filluar intensivisht punën për fitoren e zgjedhjeve të vitit 2017. Takimet e strukturave socialiste, veçanërisht kryesia apo të deleguarit e partisë nëpër qarqe janë më të shpeshta. Por, nga ana tjetër, vetë Rama si kryeministër ka menduar të gjejë këshilltarë të rinj. Kështu, mediat kroate publikuan lajmin se ish­kryeministri kroat, Zoran Milanoviç dhe Branko Gërçiç, ish­ zëvendëskryeministri dhe bashkëpunëtori i ngushtë i Milanoviç pritet që të bëhen këshilltarë të kryeministrit shqiptar, Edi Rama. Lajmi është bërë publik nga mediat kroate. Gazeta "Vecernji.hr" ka publikuar pak ditë më parë artikullin: Konsulentë në Shqipëri: "Milanoviç dhe Gërçiç ofrojnë këshilla për kryeministrin Rama". Milanoviç dhe Gërçiç në Tiranë janë takuar kohët e fundit edhe me kryeministrin shqiptar, Edi Rama, por edhe me disa politikanë të tjerë. Sipas mediave kroate, autoritetet shqiptare janë të interesuara për këshillat që ata mund t'u japin atyre, sidomos për procesin e integrimit në BE, meqë ish-kryeministri Milanoviç ka udhëhequr këtë proces për Kroacinë. Jo zyrtarisht ka udhëtuar për në Tiranë edhe Branko Gërçiç, ish­ministri dhe zëvendëskryeministri dhe bashkëpunëtor i ngushtë i Milanoviç. Milanoviç dhe Gërçiç janë takuar në tetor në Tiranë me Kryeministrin e Shqipërisë dhe udhëheqësin e Partisë Socialiste të Shqipërisë, Edi Rama, por edhe me disa politikanë shqiptarë. Duke pasur parasysh faktin se në Shqipëri vitin e ardhshëm do të zhvillohen zgjedhjet
parlamentare dhe se Shqipëria ka statusin e vendit kandidat për anëta-rësim në Bashkimin Evropian, por nuk ka hapur ende negociatat, përvoja e Milanoviçit si kryeministër i një vendi është tashmë anëtar i BE­së, sigurisht që nuk duhet të hidhet poshtë, – shkruajnë mediat kroate. Ato raportojnë se marrëveshja është arritur tashmë dhe se ish-kryeministri kroat, Zoran Milanoviç është i interesuar që karriera e tij të vazhdojë me konsulenca të tilla. Milanovic në Shqipëri ka kontakte të mira, por edhe në Maqedoni, Mal të Zi, Kosovë – shkruan "Vecernji.hr".
Organizimi
partiak
Ndërkohë dje kryeministri Edi Rama në cilësinë e kreut të PS-së mblodhi pas grupit parlamentar edhe sekretarët dhe koordinatorët socialistë në të 12 qarqet. Kjo do të jetë një mbledhje e përjavshme, njëorëshe për të shkëmbyer informacion se çfarë ndodh në bazë. Burimet bëjnë me dije se kreu i PS-së ka porositur që të pajisen me karta anëtarësie të gjithë anëtarët e vjetër dhe sigurisht të vijojë procesi i anëtarësimeve. Kjo është gjetur si një mënyrë për të parë se sa aktive është anëtarësia e partisë dhe për të shmangur rastet e fiktivitetit. Në fakt, aksioni për anëtarësimet e reja dhe kartën e re të anëtarësisë nisi një vit para 25 vjetorit të PS-së, kur Rama shpalli objektivin për t'i bërë 150 mijë anëtarë. Por, ende nuk është dhënë një shifër e saktë e anëtarësisë. Një tjetër afat që duhet të përmbushin drejtuesit vendorë të PS-së, por edhe të deleguarit e kryesisë është që deri në janar, asambletë e rretheve duhet të kenë propozuar listën e kandidatëve për deputetë, e cila do t'i kalojë qendrës për vlerësim. Po kështu, drejtuesit socialistë kanë vendosur të rikthejnë traditën e mbledhjeve të përbashkëta të drejtuesve të komisioneve parlamentare me ministrat e kabinetit "Rama", në mënyrë që të ketë një koordinim më të mirë të ligjeve. Ndërkohë më herët, deputetët socialistë morën për të disatën herë porosinë nga kryetari i grupit parlamentar, Gramoz Ruçi për të mos munguar në seancat parlamentare, ku duhet të jenë të gatshëm të mbrojnë ligjet.

FBI shfajëson Klinton, Trump: Sistem i manipuluar

Posted: 08 Nov 2016 08:00 AM PST

 

Amerikanët do t’u drejtohen qendrave të votimit ditën e sotme, ndërsa do të zgjedhin kreun e Shtëpisë së Bardhë. Alternativat janë dy: manjati Donald Trump, i cili gjatë fushatës është evidentuar për deklaratat e tij të bujshme kundër emigrantëve, dhe Hilari Klinton, e cila u përfshi në një skandal të vërtetë për ndikime të paligjshme gjatë kohës kur ishte Sekretare Shteti. Sipas sondazheve, dy kandidatët kanë qenë me një diferencë të vogël nga njëri-tjetri, ndaj fituesi do të jetë një surprizë për të gjithë. Teksa sulmonte për qëndrimet e tij “ekstreme” rivalin e saj republikan, Klinton e gjeti veten si subjekt i hetimeve të FBI-së, e cila nxori rezultatet vetëm dy ditë para zgjedhjeve, ku thuhej se nuk ishte gjetur asnjë provë që tregon se Hilari Klinton ka përdorur në mënyrë kriminale email-et e saj gjatë kohës që mbante postin e Sekretares së Shtetit. Në një letër drejtuar Kongresit, Drejtori i FBI-së, James Comey tha se agjencia ka përfunduar hetimet dhe se nuk ka gjetur asgjë që të ndryshojë qëndrimin fillestar, që e nxirrte Klintonin të pafajshme. Por Trump, duke qenë se ka mbështetur të gjithë fushatën e tij te skandali i email-eve, ka vazhduar të sulmojë kundërshtaren e tij demokrate dhe nuk i ka kursyer akuzat në drejtim të FBI-së. Gjatë një takimi me mbështetës në Detroit, Trump insistoi se është e pamundur që FBI-ja të analizojë rreth 650 mijë email-e në një kohë kaq të shkurtër. “Momentalisht ajo po mbrohet nga një sistem i manipuluar. Është një sistem totalisht i manipuluar, kam shumë kohë që e them”, – u shpreh Trump. “Hilari Klinton është fajtore, ajo e di këtë, FBI-ja e di këtë, njerëzit e dinë këtë, dhe tashmë është në dorën e popullit amerikan që të vendosë drejtësi në kutitë e votimit më 8 nëntor”, – vijoi ai më tej.

Integrimi, Bumçi: Pa plotësuar kushtet, nuk ka datë për në BE

Posted: 08 Nov 2016 08:00 AM PST

Valentina Madani

Partia Demokratike i ka kërkuar zyrtarisht Komisionit Europian që të shtojë kushtet ndaj Shqipërisë për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Deputeti PD-së, ish-ministër i Jashtëm, ka depozituar një amendament që kërkon zbatimin e 5 prioriteteve kyçe. Konkretisht Partia Demokratike përmes kësaj kërkese drejtuar Komisionit dhe Këshillit Europian kërkon vendosjen e kushteve për zgjedhjet, implementimin e ligjit të dekriminalizimit dhe të 5 prioriteteve. Deputeti i PD Aldo Bumçi i cili ndodhet në Bruksel deklaroi mbrëmë për News24 se pa plotësuar kushtet nuk ka datë për në BE.  Pak ditë më parë ish-kryeministri Berisha kërkoi që të vendosen kushte shtesë, ndërsa tha se Shqipëria nuk mund ta marrë statusin e vendit kandidat, pasi është e mbushur me kanabis. "Unë gjykoj se Komisioni Europian nuk mund të hapë negociatat pa u plotësuar kushtet. Ky është mendimi im. A i ka plotësuar Shqipëria kushtet për hapjen e negociatave, këtë le ta lëmë ta thotë Komisioni Europian, të mos e themi ne si opozitë, sepse ne kemi versionin tonë. Rama ka bërë një premtim që do garantojë hapjen e negociatave. Të presim e të shohim sa do ta mbajë. Informacionet e mia janë që do ketë kushte. Dmth, plotësimi i disa kushteve bën të mundur hapjen. Mund të bëhen edhe pak më shumë. Mund të shtohet edhe kanabisi", u shpreh ish-kryeministri Sali Berisha.
"Drejtësia"
Partia Demokratike do të dërgojë në Kushtetuese edhe ligjin e fundit të paketës për reformën në drejtësi. Ligji për organet e qeverisjes së drejtësisë, që parashikon mes të tjerash ngritjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor, konsiderohet nga demokratët si një ligj në shkelje flagrante të Kushtetutës. Nënkryetari demokrat për reformën në drejtësi, Oerd Bylykbashi, sqaroi dje për "TCH" se amendamentet e miratuara në mënyrë të njëanshme mbrëmjen e 3 nëntorit thellojnë antikushtetutshmërinë e ligjit që përcakton sesi do të ngrihen dy organet që do të qeverisin sistemin e drejtësisë. Oerd Bylykbashi e krahason një komision të ri "ad hoc", që do të filtrojë kandidaturat nga avokatia përpara se ato të shqyrtohen nga Kuvendi, me funksionet e dikurshme të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Një organ që opozita e konsideronte si kupolën e kontrollit të drejtësisë nga qeveria. Oerd Bylykbashi tha se komisioni "ad hoc" është një strukturë që nuk parashikohet nga Kushtetuta dhe është krijuar për t'i imponuar Kuvendit të Shqipërisë vullnetin e disa njerëzve të caktuar, me gjasë nën kontrollin e qeverisë. Kjo është arsyeja që sipas demokratëve, e bën flagrante shkeljen e Kushtetutës dhe që detyron opozitën të ankimojë ligjin në Kushtetuese, sapo ai të botohet në Fletoren Zyrtare.

“Daily Mail”: Si u tall vrasësi shqiptar me drejtësinë tonë

Posted: 08 Nov 2016 08:00 AM PST

 

Enida Himaj

Një vrasës shqiptar është kthyer në rrugët tona, pasi është tallur me procesin e ekstradimit”, e nis kështu shkrimin për vrasësin shqiptar, prestigjiozja “Daily Mail”. Ardian Rragami, i ekstraduar nga Britania pasi ishte dënuar me 15 vite burg, është rikthyer sërish për të jetuar në Mbretërinë e Bashkuar vetëm 4 vite më vonë. Gazeta britanike “Daily Mail” shkruan se Ardian Rragami, 45 vjeç, është tallur kështu me procesin e ekstradimit dhe sistemin e drejtësisë, duke u rikthyer sërish atje. Sipas gazetës, shqiptari përballet me akuzën e vrasjes në gjakftohtësi të një të afërmi. Ky person ishte një nga disidentët në vitet ’90 kundër regjimit komunist, ndërsa në vitin 1998, vrau fqinjin e tij në veri të Shqipërisë. Gazeta ia kushton artikullin jetës së tij, duke theksuar se u arrestua në vitin 2009, ndërsa në vitin 2010 u ekstradua për në Shqipëri për të vuajtur dënimin e dhënë teksa ishte ende në arrati. Pasi ka kryer dënimin në vitin 2014, gazeta shkruan se ai u rikthye në Britani, ku takoi bashkëshorten e tij Chrysoulla Michaels, 46-vjeçare, si dhe dy vajzat, në Eseks. “Lehtësia me të cilën ai ka qenë në gjendje të kalojë përsëri në Britani, pasi kishte gënjyer për të fituar qëndrimin këtu, është jashtëzakonisht e turpshme për autoritetet. Natën e kaluar, në përgjigje të një sërë pyetjesh nga ‘Mail’, Home Office tha se zyrtarët janë në dijeni të pranisë së tij në vend dhe janë duke u përpjekur për ekstradimin e tij”, shkruan gazeta. Në Shqipëri, Gjykata e Shkodrës e kishte dënuar me 15 vjet burg për vrasjen e shtetasit Qemal Kola, pas një sherri banal në një lokal. Në shtator të vitit 2009 ai u ekstradua dhe iu dorëzua drejtorisë së burgjeve në Rinas. Nën emrin Ardian Gashi, kishte përfituar azil në Angli dhe punonte në një firmë ndërtimi në Eseks, ku u zbulua nga Interpoli. Pasi përfitoi ulje dënimi në Apel, ai u bashkua me familjen e tij në Hertfordshire në vitin 2014. Kjo ngjarje po bën bujë në Angli, pasi pak javë më parë u zbulua historia e një tjetër vrasësi shqiptar që gjithashtu refuzon të depërtohet drejt vendit tonë. Avni Metra, vrasës i dyfishtë dhe i dënuar për përdhunim, ka bërë thirrje që të zbatohen të drejtat e njeriut në mënyrë që të mos ekstradohet nga Britania e Madhe. Në Shqipëri ai kërkohet për dy vrasje dhe posedim të armëve të zjarrit, ngjarje që datojnë në vitin 1996. Avokati i tij Helen Dawson i tha gjykatës se do të luftojë në këtë çështje bazuar në të drejtat e njeriut, duke argumentuar se ai ka frikë nga persekutimi dhe se tashmë është një njeri familjar, i cili ka ndërtuar jetën në Angli për 18 vitet e fundit dhe ka një raport të ngushtë dhe detyrime për katër fëmijët e tij. Mediat britanike po e ndjekin rastin e tij, pasi vlerësojnë se Anglia është kthyer në strehën e vrasësve shqiptarë.

Mbi 9 mijë policë, me uniforma të reja

Posted: 08 Nov 2016 08:00 AM PST

Xhensila Kodra

Mbi 9 mijë punonjës të Policisë së Shtetit do të kenë uniformat e reja. Elementi kryesor është stema e policisë. Uniformat janë të konceptuara me një ndërthurje dyngjyrëshe. Uniformat me kombinim të ngjyrës së verdhë me të zezë janë për efektivët e Policisë Rrugore, e kuqja me të zezë për njësitë “Shqiponja” dhe ngjyra blu me të zezë, e cila nuk është përdorur më parë, është për Policinë e Rendit. Prezantimi i uniformave të reja u bë këtë të hënë nga kryeministri Edi Rama, ministri i Bre-ndshëm, Saimir Tahiri; kreu i Policisë së Shtetit, Haki Çako e ndërsa të pranishëm ishin edhe drejtues të tjerë të policisë. Uniformat e reja të policisë u prodhuan në Turqi dhe me këtë rast, kryeministri Rama falënderoi qeverinë dhe presidentin turk. Duke mbajtur një fjalim krahasues mes dy periudhave të qeverisjes, Rama tha se mungesa e një uniforme dinjitoze e kishte kthyer policinë në objekt barsoletash. “Nuk ka qenë as 100 e as 10 vite më parë, por vetëm 3 vite më parë, kur Policia e Shtetit edhe për shkak të uniformës ishte bërë objekt barsoletash. Nuk ka qenë as 100 e as 10 vite më parë, por vetëm 3 vite më parë, kur Policia e Shtetit perceptohej në të gjitha anketimet e publikut, si një prej tri institucioneve më të korruptuara të Shqipërisë. E është vetëm në 3 vite që ky perceptim i shqiptarëve është përmbysur plotësisht e siç tregojnë të gjitha anketimet, por mbi të gjitha, anketimet e bëra nga institucionet prestigjioze ndërkombëtare, sot Policia e Shtetit është institucioni më i besuar i qytetarëve të Shqipërisë”, – tha Rama.
Pagat
Kryeministri Rama u ndal edhe te pagat e punonjësve të policisë, ku theksoi se do të ketë rritje që nga 1 marsi i 2017-ës dhe se Policia e Shtetit shqiptar të jetë ndër policitë më të mira të BE. “Pagat e punonjësve të policisë u rritën sidoqoftë me 25%. Ndërkohë që me buxhetin e vitit të ardhshëm, duke filluar nga 1 marsi i vitit 2017, pagat tuaja jo vetëm do të rriten përsëri, por tanimë ato do të kapin nivelin e lartë të rajonit tonë, duke mishëruar edhe zotimin tonë që të kemi një Polici Shteti, ndër më të mirat në rajon dhe ndër më të mbështeturat financiarisht dhe moralisht në rajon”, pohoi kryeministri, duke shprehur mirënjohje edhe për efektivët që kanë rënë në detyrë. Ai tha se familja e një dëshmori përfiton pension të përjetshëm dhe mbështetje të drejtpërdrejtë financiare për fëmijët, ndërkohë që në momentin pas rënies në krye të detyrës shpërblehet menjëherë me 10 paga. “Nuk ka paga, nuk ka pensione, nuk ka shpërblime që mund të kompensojnë boshllëkun që lë një dëshmor në familjen e vet dhe në zemrën e kolegëve të tij”, pohoi Rama. Kryeministri sqaroi më tej se ka ende punë për të bërë, për të ngushtuar hapësirën e veprimit të krimit dhe të pasojave të kriminalitetit. “Krimi asnjëherë, askund nuk zhduket njëherë e përgjithmonë, por ne kemi një ambicie të shpallur si detyrim ndaj qytetarëve të këtij vendi dhe ndaj gjeneratës tjetër, që kufirin me krimin ta vendosim aty ku krimi mbetet njëherë e mirë, në cep, jo në qendër të jetës sonë të përbashkët, siç ishte deri tri vite më parë”, përfundoi kryeministri.

Haki Çako: Policia, e përfshirë
tërësisht në një sërë objektivash
Kreu i Policisë së Shtetit, Haki Çako, gjatë fjalimit për prezantimin e uniformave të policisë tha se prej më se tri vitesh Policia e Shtetit është e përfshirë tërësisht në një sërë objektivash që kanë synuar realizimin me sukses të prioriteteve të Ministrisë Punëve të Brendshme dhe qeverisë shqiptare. Sipas tij, objektivat kanë qenë të lidhura ngushtësisht me aspiratat dhe pritshmëritë e të gjithë shqiptarëve për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, si dhe ngritjen e shërbimit policor në nivelet e simotrave evropiane. “Këto uniforma, grada dhe simbole, tashmë të miratuara pas një procesi të gjatë vlerësimit stilistikor dhe tradicional, do të përcjellin freskinë e 1500 oficerëve të rinj të policisë, të rekrutuar brenda tri viteve, por edhe gatishmërinë, përkushtimin dhe sakrificat e të gjitha strukturave policore”, tha Çako.

Saimir Tahiri: Sulmohemi
sepse i shërbejmë ligjit
Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, e cilësoi ditën e djeshme si më të rëndësishmen për policinë, duke thënë se tashmë policia është institucioni më i besueshëm për qytetarët, ndërsa më parë ishte policia më e varfër. “Nga sot do kemi uniforma të reja, të plota për çdo stinë, e mbi të gjitha mjaft cilësore, për mbi 9.000 punonjës policie, për Qarkullimin Rrugor, për Rendin, për ‘Shqiponjat’ dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë. Ne gjetëm një polici të varfër në arsim. Hapëm Akademinë e Sigurisë për të fituar sfidën më të madhe me mungesën e dijes”, tha Tahiri duke theksuar se është ulur numri i vrasjeve dhe i vjedhjeve. Është rritur lufta kundër drogës dhe pasuria kriminale e sekuestruar. Sipas tij, policia sot sulmohet, sepse nuk i shërben askujt tjetër përveç ligjit.

Bojkoti i zgjedhjeve, Spaho: Me Ramën s’ka votë të lirë

Posted: 08 Nov 2016 08:00 AM PST

Valentina Madani

Edmond Spaho, nënkryetari i PD-së, paralajmëron braktisjen e Kuvendit dhe fillimin e protestave të fuqishme në mbarë vendin për shkak të situatës së vështirë që po kalon vendi. Z. Spaho përmes "Gazeta Shqiptare" akuzon kryeministrin Edi Rama për lidhje të forta me krimin dhe përpjekje për të blerë votat e 2017-ës përmes parave të tij. Sipas tij, Rama është problemi dhe jo zgjidhja. Ndaj zyrtari i lartë i PD-së shpreh bindjen se, në kushtet kur nuk zbatohet ligji i dekriminalizimit, kur Shqipëria është shndërruar në një narko- republikë dhe kur zgjedhjet e lira janë në rrezik, opozita ka gati strategjinë e saj të daljes nga kriza.
Z. Spaho, sa shqetësuese është situata e kanabisit në Shqipëri dhe përse PD-ja e ka kthyer këtë çështje në qendër të betejës së saj politike brenda dhe jashtë Shqipërisë?
Situata është mjaft shqetësuese, sepse, sikundër mund ta keni konstatuar edhe ju, kanabisi është mbjellë në çdo cep të Shqipërisë. Nëse deri disa muaj përpara kur kapeshin disa qindra kg kanabis bënte përshtypje, sot po bëhet e zakonshme të kapen disa tonë në ditë. Kujtoj rastet e kapura javët e fundit, të cilat kanë qenë jo vetëm në sasi kolosale, por afër qendrave të banuara dhe stacioneve të policisë. E kemi vënë në fokus të luftës politike, sepse nëse do ta shkatërrosh një vend, lejoje të kultivojë drogë. Eksperiencat e vendeve të tjera nuk lënë vend për dyshim. Por nuk është vetëm kjo! Paratë e drogës po financojnë përherë e më shumë zgjedhjet, duke i dhënë fund demokracisë, pasi po rrënohet institucioni i parë i saj që janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme.
Përse Edi Rama nuk është pjesë e zgjidhjes, por është pjesë e problemit?
Është pjesë e problemit, sepse Rama erdhi në pushtet me elementë kriminalë, me justifikimin se vetëm kështu mund ta rrëzonte Berishën. Kriminelët jo vetëm që i përdori në zgjedhjet e vitit 2013, por i solli edhe në parlament. Më pas i instaloi ata në administratën publike dhe polici. Për këtë kemi dhënë prova të pakundërshtueshme për zyrtarë me lidhje dhe aktivitet kriminal. Në zgjedhjet e vitit 2015, Rama kandidoi elementë me të shkuar kriminale, dhe ata fituan në disa qytete të rëndësishme dhe sot po i mbron me zell. Ata të cilët ligji i dekriminalizimit i nxori nga dera, Rama i qarkulloi duke i emëruar zyrtarë të rëndësishëm të PS-së në rrethe, siç është rasti i Lezhës. Në këto kushte, nuk mund të presësh zgjidhje nga ai, pasi është ideatori dhe zbatuesi i skemave të mbajtjes së pushtetit me çdo kusht nëpërmjet lidhjeve me krimin dhe paratë e drogës.
Sa të rrezikuara janë zgjedhjet e ardhshme të 2017-së dhe ku bazohet PD-ja kur akuzon Edi Ramën se me paratë e krimit kërkon të blejë votat e shqiptarëve?
Nëse Edi Rama do lihet në pushtet, nuk do të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Këtë e treguan zgjedhjet e vitit 2015, dhe veçanërisht zgjedhjet në Dibër, ku bëri provën gjenerale para zgjedhjeve të përgjithshme. Paralelisht me këtë ka zhvlerësuar ligjin e dekriminalizimit, duke marrë në mbrojtje ata të cilët duhej të ishin në burg, si kryetarët e bashkive në Kavajë dhe Krujë, por edhe në ndonjë rreth tjetër, nëpërmjet ndërhyrjeve në sistemin gjyqësor. Reformën zgjedhore e katandisi në një farsë duke e zvarritur. Nuk pranoi votimin dhe numërimin elektronik, financimin e kontrolluar nga shteti të fushatave zgjedhore si dhe kriminalizimin e shitblerjes së votës.
Sikurse përmenda më lart, në Dibër u bënë provat e përgjithshme, duke përdorur kultivuesit e kanabisit si dhe paratë e tyre për blerje masive të votës.
PD-ja, si do ta garantojë votën e shqiptarëve?
Vota e shqiptarëve garantohet duke larguar Edi Ramën nga qeverisja dhe organizimi i zgjedhjeve të ardhshme. Për këtë po përpiqemi të ndërgjegjësojmë këdo që ka sy për të parë dhe veshë për të dëgjuar; të majtë dhe të djathtë, shoqërinë civile, median dhe këdo tjetër që i dhimbsen fatet dhe e ardhmja e këtij vendi. Nëse do të jetë e nevojshme për të kuptuar se sa e rëndë dhe serioze është gjendja, mund të detyrohemi të braktisim edhe parlamentin, pasi mosgarantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme është detyra e parë e çdo institucioni demokratik.
Kur do ta braktisni Kuvendin?
Largimi nga parlamenti do të jetë mjeti i fundit për t'u treguar qytetarëve se në çfarë rruge pa krye jemi futur.
Një nga rrugët e rrëzimit të Edi Ramës nga pushteti, janë protestat?
Mendimi i kujtdo sot në opozitë është se Edi Rama mund të largohet vetëm me protesta të mirëorganizuara dhe të qëndrueshme.
Dhe kur do të fillojnë protestat?
Po punojmë për fillimin e protestave.
Nëse nuk e arrin dot një gjë të tillë, a do t'i bojkotojë opozita zgjedhjet?
Detyra jonë nuk është që të bojkotojmë zgjedhjet, por të garantojmë që do zhvillohen zgjedhje të lira dhe të ndershme e nga ky proces të dalë një qeverisje më e mirë, në përputhje me vullnetin e qytetarëve.
A është e vërtetë që deputetë të PD-së po lobon në Bruksel për shtyrjen e datës së hapjes së negociatave të anëtarësimit?
Partia Demokratike është forca e parë e cila i hapi rrugën integrimit euroatlantik të vendit duke e anëtarësuar në Këshillin e Evropës, në NATO. Hoqi vizat dhe plotësoi kushtet për të marrë statusin e vendit kandidat, status i cili u bllokua nga mazhoranca e sotme, atëherë në opozitë, nëpërmjet pretendimit qesharak për emërimin e kryetarit të qarkut të Fierit. Ne jemi të vendosur ta mbështesim procesin e integrimit europian të vendit si e vetmja rrugë nga duhet të shkojmë. Këtë e treguam kur u miratua statusi i vendit kandidat para dy vitesh. Kushtëzimi i datës së hapjes së negociatave jo vetëm me plotësimin e disa prioriteteve, tashmë të identifikuara nga BE-ja, si reforma në drejtësi, dekriminalizimi, lufta ndaj trafiqeve etj., duhet të shoqërohet edhe me organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Asnjë vend nuk mund të plotësojë standardet dhe të negociojë futjen në BE sa kohë nuk është në gjendje të organizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Çfarë strategjie po ndjek PD-ja për t'u rikthyer në pushtet?
Ne do të vijmë në pushtet duke kthyer besimin e qytetarëve te PD-ja si alternativë për një qeverisje ndryshe nga kjo e tri viteve të mazhorancës së majtë. Ne do të vijmë në pushtet nëpërmjet zgjedhjeve dhe me një program i cili të garantojë rritjen ekonomike të vendit, hapjen e vendeve të reja të punës dhe forcimin e institucioneve demokratike. Për këto çështje kemi kohë që punojmë dhe do t'u ofrojmë qytetarëve një alternativë reale dhe të mundshme për t'u realizuar.
Por, që të mundësohen sa thashë më sipër, duhet të garantohet një proces zgjedhor i lirë dhe i ndershëm.
Programi i ri i PD-së tashmë ka marrë dhe bekimin e CDU-së së Kancelares Merkel, por ku konsiston kryesisht?
Programi i PD-së është realist dhe konkret. Më pak shtet arbitrar dhe arrogant dhe më shumë liri për individin. Tatimet dhe taksat e qeverisë sonë do të përbëjnë gjithmonë pjesën më të vogël të kostos së qytetarëve dhe të sipërmarrjeve dhe do të kthehen tërësisht në shërbim të tyre. Që do të thotë: taksa të ulëta, taksë e sheshtë 9 për qind, TVSH 15 për qind, taksa të ulëta, më pak taksa. Dhe, asnjë shpenzim që nuk shkon tërësisht në shërbim të taksapaguesit.
Kreu i PD-së ka lajmëruar një aleancë të gjerë kundër qeverisë. Kë përfshin kjo aleancë? Çfarë nënkupton deklarata e z. Basha 'së bashku me një aleancë vlerash që sa vjen e shtohet, madje edhe me faktorë politikë brenda vetë Partisë Socialiste, duhet t'i japim zgjidhje duke larguar kryeproblemin, Edi Ramën?' Si do të bëhet aleanca me faktorë edhe nga e majta?
Ne po u bëjmë thirrje të gjitha shtresave të vendit, partive politike, shoqërisë civile, medias dhe kujtdo tjetër që është i interesuar që vendi të mos gremiset në një diktaturë të re të komanduar nga grupet e krimit të organizuar, që t'i bashkohet koalicionit opozitar për të larguar Edi Ramën dhe Rilindjen e tij, si e keqja më e madhe që i kanoset vendit. Këtë tashmë nuk e themi vetëm ne, por edhe aleatë të ngushtë të Ramës në vitin 2013, të cilët po i kërkojnë të majtës që të shkëputet nga Edi Rama.
Çfarë ndodh nëse nuk merren parasysh tri kushtet e opozitës: zbatimi i ligjit të dekriminalizimit, çështja e drogës dhe shndërrimit të Shqipërisë në një narko-republikë, dhe çështja e zgjedhjeve të lira?
Dekriminalizimi, çrrënjosja e kanabizimit të vendit dhe zgjedhjet e lira dhe të ndershme do të ndodhin, sepse për këto janë të interesuar qytetarët, pasi ndryshe vendi nuk ka të ardhme.
Këto tri kushte, besoni se do të pengojnë marrjen e rekomandimit për hapjen e negociatave mes Shqipërisë dhe BE-së?
A dini ju ndonjë vend i cili të ketë probleme të tilla si këto që ka Shqipëria dhe të jetë duke negociuar anëtarësimin në BE? BE-ja është hapësira e lirive dhe e të drejtave të njeriut, e demokracisë dhe e prosperitetit ekonomik, dhe e tillë do mbetet edhe në të ardhmen.
Jeni të gatshëm për bashkëpunim me LSI-në për hir të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme?
Ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me të gjithë ata të cilët janë në opozitë me Edi Ramën si dhe të mbajë përgjegjësi kushdo që i shërben Edi Ramës për të mbajtur në këmbë regjimin e tij.

Abuzimet me ilaçet, KLSH: Dëmi, 1.6 miliardë lekë

Posted: 08 Nov 2016 08:00 AM PST

Ornela Manjani

Abuzimet me rimbursimin e ilaçeve kanë kapur shifrën e 1.6 miliardë lekëve. Janë 80.123 receta fiktive përmes të cilave janë “vjedhur” paratë nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. Shuma e vjedhur dhe si funksiononte skema për marrjen e parave nga Fondi janë zbardhur nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili ka kryer një auditim për vitin 2015.
Skema e vjedhjes
Kontrolli i Lartë i Shtetit bën të ditur se, nisur nga fakti që jo çdo recetë e deklaruar nga rrjeti farmaceutik në programin e-farmacia është detyrim për t’u regjistruar e më tej rimbursuar, janë konstatuar diferenca ndërmjet recetave me rimbursim të vetëdeklaruara në programin e-farmacia dhe recetave fizike të regjistruara në sistemin e recetave. “Në program janë evidentuar raste të recetave që nuk kanë mjekë me statusin ‘Pranuar’, në total 80.123 rekorde. Në program janë evidentuar raste të hyrjeve të farmacive nga furnitorë që iu ka mbaruar kontrata me FSDKSH-në, me statusin ‘Pranuar’, në total 321.042 rekorde. Në program janë evidentuar raste të faturave hyrëse me minus (pra kthime) dhe statusin ‘Pranuar’ të farmacive nga furnitorë që iu ka mbaruar kontrata me FSDKSH-në, në total 1.253 rekorde. Edhe në këtë sistem nuk ka asnjë gjurmë të sistemimit të veprimeve të regjistruara gabim, duke mbartur ngjarjet njëra pas tjetrës”, thuhet në raport.
Problematikat
Kontrolli i Lartë bën të ditur se depot farmaceutike rezultojnë ta kenë mbyllur vitin 2015 (dhjetor 2015) me gjendje negative për 14 barna të rimbursueshme në shumën 1,086,307 mijë lekë, çka do të thotë që, referuar të dhënave të sistemit, janë deklaruar shitje të barnave drejt rrjetit të hapur farmaceutik më shumë sesa deklarimi në hyrje i tyre. Sipas KLSH-së, nga përpunimi i të dhënave është konstatuar se në 10 raste, në bilancin shitje, konsum, gjendje të barnave të rimbursuara, rezulton një diferencë, ku vlera e rimbursuar është më e madhe se vlera e barnave të shitura nga depot dhe rrjeti farmaceutik me 541,192 mijë lekë. “Në 16 raste janë regjistruar shitje me minus, të cilat rezultojnë të jenë kthime të barnave nga Qendrat Spitalore në drejtim të depove farmaceutike brenda datës së skadencës në shumën 7,731 mijë lekë, për barna si Ketosteril, Mircera syringe, Renvela, Zelboraf etj., me argumentimin e nevojës për barna të tjera. Regjistrohen fatura shitjeje, kur sasia e barnave në faturë është më e madhe se gjendja e tyre, si dhe nuk regjistrohen të dhëna për barnat që shkojnë te subjektet që nuk kanë kontratë me FSDKSH-në për depo apo farmaci”, thuhet në raportin e KLSH-së. Sipas raportit të auditimit, nuk ekzistojnë kontrolle për sasinë e barit që subjekti blen dhe sasinë po për të njëjtin bar që i njëjti subjekt kthen, ku kthimi i tij regjistrohet si shitje me minus. “Nuk rezulton të jetë bërë ndonjëherë gjatë vitit 2015 automatikisht apo manualisht kryqëzimi i të dhënave për hyrjet e barnave që depot deklarojnë, me të njëjtin informacion që ka Agjencia e Kontrollit të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore (AKBPM)”, thuhet në raport.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more