Skip to main content

“Shpirti në kontejner të mbeturinave!” plus 3 more Telegrafi Opinione

“Shpirti në kontejner të mbeturinave!” plus 3 more Telegrafi Opinione


Shpirti në kontejner të mbeturinave!

Posted: 02 Nov 2016 01:39 AM PDT

Roland Spahiu

Të shpresosh u bë mjeshtëri e secilit në Kosovë. Është mirë, sepse gjithsesi duhet t'i qëndrosh besnik ndjenjave njerëzore kur ato me çdo kusht pretendohen të merren nga ti. Por ama, disa nga ne ka një "por" të madhe në këtë farë muhabeti, sa i përket nocionit "të shpresosh, prapë të shpresosh e të shpresosh prapë".

Kush po shpreson?

Tani pra, t'i ndajmë në tre shpresuesit. Dhe nuk po e bëjmë këtë kuturu, por sepse realiteti qëndron ashtu. Një grup i shpresueseve të shoqërisë sonë janë familjet që kanë të ardhura të ulëta dhe në anën tjetër ata që kanë të ardhura mesatare. Deri këtu, nuk ka ndonjë gjë anormale, aq shumë, sa i përket cenimit të çmendurisë sonë shoqërore. Nuk ka, po qe se e lëmë anash tjetrin grup nga të cilit me çdo kusht edhe shumë vrazhdë duan t`ua marrin nga dora, barku e shpirti i tyre shpresën. Për të varfëritë, për të pastrehët, për gjysmë të strehët e për skamnorët është fjala. Këta janë njerëz që mbledhin ushqim dhe plaçka nga kontejnerët e mbeturinave.

A të bëhemi sikur nuk ekzistojnë skamnorët?

A të bëhemi sikur nuk ekzistojnë? Sikur nuk janë? Sikur ato që na i sheh syri janë iluzione? Ose ndoshta ata fusin kokën e duart në kontejner të mbeturinave për të bërë ndonjë eksperiment shkencor? Ose e kanë si hobi vallë? Por edhe nëse shtiremi kështu, e dini apo jo, fakti nuk ndryshon, ata, edhe ne po qe se i luajmë tre majmunët, pra ne edhe sikur nuk dëgjojmë, nuk shohim dhe nuk flasim, ata prapë do të jenë pjesë e shoqërisë sonë. Por a e dini çfarë ndodh, nëse shtiremi ne sikur skamnorët nuk ekzistojnë? Ah kjo është një gjë shumë interesante. Ja, po e them, menjëherë tani, ja, dëgjoni, nëse ne bëhemi sikur skamnorët nuk po i fusin kokat dhe duart e tyre në kontejner të mbeturinave neve shpirti na hyn nëpër ato kontejnerë të mbeturinave. Mund të më thoni "Shpirti i kujt more?" e mund të ju them, "Shpirti yt, shpirti im e shpirti i shoqërisë futet në ato kontejner të mbeturinave po qe se ne nuk i nxjerrim kokat dhe duart e skamnorëve nga mbeturinat. Kjo, për besë e thjeshtë është.

Si të mos e fusim shpirtin e shoqërisë në kontejnerë të mbeturinave?

Kjo ka një zgjidhje shumë të thjeshtë. Hapet një kuti apo një zyre, ku me nga një euro, kërkojë ndjesë për përdorimin e parasë në shkrim, por me një euro, ose më një gjysmë euro po të mblidheshin nga qytetarët që kanë mundësi, që i bie shumica e qytetarëve, nuk do të mbetej skamnorë në këtë shoqëri. Po qe se dikush, që është shteti, do të organizonte, e do të na siguronte që paratë tona do të derdheshin për këtë fenomen negativ, besojë se ky popull nuk do ta lejonte asnjë njeri pa strehë në kokë e pa ushqim në barkë. Por, me të drejtë, mund të parashtrohet pyetja, a kemi një shtet që mund të bëjë një gjë kaq të thjeshtë e kaq thelbësore? Unë nuk e di. Unë nuk po e shoh. Skamnorët po i shoh, por një shtet që detyrën e tij parësore e kryen nuk po e shoh. Në vend të këtij, një organizëm i paorganizuar, e një strukturë të destrukturalizuar, e një funksionim pa plan e pa strategji, unë nuk e quaj shtet. Dhe këtë nuk e bëjë kuturu, por sepse realiteti qëndron i tillë. Më vjen keq. Ne nuk kemi shtet.

E çka është Republika e Kosovës?

Republika e Kosovës është vendi ynë, vullneti ynë, i cili zyrtarisht është shtet pa kurrfarë dyshimi. Por zyrtarisht. Ne ishim duke diskutuar në prizmin e skamnorëve dhe përmbushjes së nevojave elementare të shoqërisë, ku ky shtet zyrtar ka dështuar rëndë. Detyra jonë është që dikush duke shkruar, dikush lexuar, dikush duke folur, dikush duke dëgjuar e të gjithë duke vepruar në këtë shtet zyrtar, që është një dhuratë e madhe për ne, ta bëjmë një shtet njerëzorë edhe në terren.

Çka është një shtet njerëzor?

Një shtet njerëzor, ashtu si duhet të bëhet Kosova, është që të jetë në funksion të popullit. T'i zgjedhë nevojat dhe problemet e shoqërisë. Atëherë dhe atëherë një shtet mund të bëhet shtet. Përndryshe, si mund ta quajmë një shtet, i cili nuk ka ide dhe nuk ka vullnet që t`i ushqejë dhe t`i integrojë skamnorët në shoqëri të mund të quhet shtet i pavarur? Çfarë pavarësie është kjo? Ku ndonëse ke tokë, ke varfëri prapë. Ku ndonëse ke shkolla dhe universitete analfabetizëm ke prapë. Ndonëse ke gjykata, ke padrejtësi prapë? Por a e dini çfarë, më mirë të heshtim, shhhht, të shtiremi sikur të gjitha punët i kemi në rregull. A na dëgjoi kush? A na dëgjoi kush apo jo? Të shpresojmë se jo.

Çfarë është duke ndodhur tani?

Si duket dimri po vjen. E me dimër vjen shiu, vjen bora, vjen sqota. E më pastaj bëhet ftohtë. Ikim në hapësira të brendshme ku është ngrohtë. Po dikush, skamnorët pra, janë jashtë gjithë stinën, aty diku duke kërkuar të ndezin zjarr e ta fusin kokën ku të mundin. Ne, brenda, ata jashtë. Ne me anëtarët e familjes e shoqërinë, ata sy më sy me qenët endacakë. Ne fusim drurin në koftor, ata i fërkojnë duart për tu ngrohur. Ne fusim lugën me supën e ngrohtë në gojë, ata fusin kokën në kontejner. E kështu, ne fusim shpirtin në kontejnerë, ata shikojnë të habitur, se si vallë, shpirti i një populli të tërë, na paska mundësi të futet në kontejnerë të mbeturinave?! Ja, pikërisht kështu. Dhe kjo gjithsesi për fajin tonë. Ah, harrova, u dakorduam që të shtiremi sikur nuk do të ndodhte kështu. U dakorduam që t`i luajmë tre majmunët. Ju kërkoj ndjesë. Më mirë të heshtim, të mos dëgjojmë, të mos flasim. Jo, jo, nuk ka skamnorë në këtë vend, nuk ka të varfër në këtë vend, nuk ka të pastrehë në këtë vend. Ne që të gjithë punët i kemi në rregull.

The post Shpirti në kontejner të mbeturinave! appeared first on Telegrafi.

Mjeshtëria e shitjes (3): Kontakti me sy

Posted: 02 Nov 2016 12:54 AM PDT

Njohja e lëvizjes se trupit do të ju ndihmoj të realizoni shitje, të jeni më të suksesshëm në karrierë dhe në fund të ditës të fitoni më shumë para. Si t'i interpretojmë lëvizjet e trupit dhe si t'i japim kontaktin me sy në mënyrën e duhur personit me të cilin komunikojmë? Do ta trajtojmë tani. Kontakti me sy është jashtëzakonisht i rëndësishëm se si ndikon në realizim të shitjes, po ashtu mosdhënia e duhur e kontaktit me sy shumë lehtë mund ta humb realizimin e shitjes.

Një mik i imi kishte plan të shkoj të blejë një veturë dhe me ftoj që t'i bëjë shoqëri për t'i vizituar disa auto sallone. I thash po, do të vij me gjithë qejf dhe kur shkova me të vendosa t'i përcjelli lëvizjet e trupit të shitësve të ndryshëm gjatë procesit të komunikim dhe prezantimit të veturave. Është një kënaqësi të përcjellësh me vëmendje njerëzit dhe të ndërhysh gjatë komunikimit të tyre në situata të ndryshme duke shtuar pyetje të tjera.

Ja se çka pash kur shkuam gjatë vizitës te këto auto sallone në Prishtinë. Zakonisht kemi has në shitës të cilët dëshirojnë të ndërtojnë një raport të mirë me klientin si blerës dhe e bëjnë në mënyrën më të mirë të mundshme që na lë përshtypje të mirë.

Magjia e shitjes (1): Me vetëbesim drejt cakut Magjia e shitjes (1): Me vetëbesim drejt cakut

Një gjë tjetër të cilën ata e kishin ishte kontakti me sy të cilin gjatë bisedës ata me a po pa vetëdije e bënin. Ne dy raste kemi vërejt që shitësit nuk ishin në pozitë të rehatshme me punën të cilën e bënin. Ata nuk e kishin kontaktin e mirë me sy dhe nuk munden të ndërtojnë një raport edhe pse tentuan të bëjnë atë për shakë se nuk ishin të përqendruar në kontakt direkt me klientin në këtë rast me shokun tim thjesht shpërqendronin shikimin përreth. Ju mungonte fokusi në klient dhe trajtimin e nevojave të tij.

Me të vërtetë ishte një eksperiencë e mirë duke përcjell kontaktin me sy në mes të shokut tim dhe shitësve të veturave. Mund t'u them se ai i refuzoj dy shitës për shakë të mosdhënies së kontaktit të mjaftueshëm sy në sy. Ai është ndier si i pa rëndësishëm për shitësin, kishte ndjenjë e mosdhënies se interesim për nevojën e klientit dhe mungesë e respektit për të.

Të flasim pak se si të mbajmë kontaktim me sy, në shumicën e kulturave të ndryshme rreth e përqark botës kontakti me sy është jashtë zakonisht i rëndësishëm.
Kjo mund të vërehet edhe kur jemi duke ecur përgjatë rrugës vazhdimisht shohim njerëz të ndryshëm me të cilët na japin kontakt me sy. Disa prej tyre na lëshojnë sytë dhe menjëherë i heqin, të tjerët t'i ngulin sytë deri sa nuk largohemi dhe është grupi i tret i njerëzve të cilët janë në mes. Unë i japi një rëndësi të madhe kontaktit me sy për shakë se me kontakt me sy ndërtoj besimin dhe lidhjen me njerëz.

Shpesh herë njerëzit mund të bëhen nervoz për shkak të shikim të thellë, por pasi që e shohin që shikimi nuk është tendencioz atëherë relaksohen dhe fitojnë besimin dhe ndërtojnë lidhje më lehtë.

Si duhet bërë këtë? Së pari rekomandohet që kontakti i par me sy duhet të jetë 3 deri 5 sekonda në hapësirën në mes të syve dhe hundës, pra në këtë trekëndësh. Qëllimi është që për herë të parë të shikosh personin aq gjatë sa të identifikosh ngjyrën e syve pastaj e largon shikimin nga ai ose ajo. Pastaj prapë e kthen shikimin pak me gjatë, por jo t'i ngulim sytë. Nëse i ngul sytë me shikimin e par në të atëherë do ta bësh nervoz kështu që duhet kohë pas kohe ta shtojmë kohëzgjatjen e kontaktit me sy deri sa të mjaftojnë të ndërtojmë besimin.

Mjeshtëria e shitjes (2): Shitja dhe blerja, si ndikojnë tek ne? Mjeshtëria e shitjes (2): Shitja dhe blerja, si ndikojnë tek ne?

Nëse e bëjmë mënyrë të duhur kohëzgjatjen e mbajtjes së kontaktin me sy do përmirësojmë komunikimin si dhe shitjen. Nëse gjatë shikimit të parë e japim kohëzgjatjen e tepruar atëherë do ta dëmtojmë shitjen, nëse e bëjmë shumë shkurt atëherë njerëzit nuk do të besojnë dhe do të reflektoj mos respekt dhe mosinteresim ndaj klientit siç e pamë me lart në rastin e shokut tim i cili kishte dal të blejë veturë.

Pra besoj që pajtoheni me përfundimin që me kontaktin e duhur të kohës sy në sy do të krijomë atmosferë të këndshme të besimit me bashkëbiseduesin apo klientin.

P.s.

Me siguri u intereson se çka ndodhi me shokun tim me të cilin shkuam të blejmë veturë. Ai ka blerë veturën prej shitësit i cili ka pas kontaktim me sy më të bindshëm.

Për më tepër informacion, pyetje, për trajnime individuale ose të dedikuara për kompaninë tuaj mund të më kontaktoni në email: denis.gafuri@smardonline.com, apo në këto rrjete sociale: Twitter, LinkedIn apo Facebook.

The post Mjeshtëria e shitjes (3): Kontakti me sy appeared first on Telegrafi.

Luther, kthehu sërish!

Posted: 01 Nov 2016 03:43 AM PDT

Astrid Prange de Oliveira

Lutheri e ktheu me kokë poshtë botën e Mesjetës! Ai guxoi që t’i kundërshtojë si Papën, ashtu edhe Perandorin – dhe 500 vjet të shkuara kjo jo vetëm që ishte diçka e pamundur, por qe një dënim i sigurtë me vdekje. Me këtë ai shtroi çështjen se kush ishte më i fuqishëm.

Pushtetin në kohën e Lutherit e kishin Perandori dhe Papa. Por kur ishte fjala për çështje besimi, murgu agustinian nuk donte që t’u nënshtrohej atyre, por pushtetit të ndërgjegjes së tij. Ai e vinte në dyshim që Papa është i pagabueshëm dhe nuk pranoi që t’i bindej sundimtarit më të fuqishëm të Evropës. Roma reagoi ndaj kësaj sjelljeje të përbindshme me shkishërimin e tij, Perandori Karl V ia hoqi mbrojtjen ligjore dhe e shpalli Lutherin njeri jashtë ligjit.

Rebelimin Lutheri e justifikoi duke iu referuar ndërgjegjes së tij. Ai ishte shumë i bindur se besimi është një dhuratë. Kërkimi i Zotit nuk përshpejtohet duke bërë vepra të mira, dënimet për mëkatet nuk falen me ndjesa të kishës.

Ky mesazh teologjik ra si bombë në kohën kur tregtia me ndjesa lulëzonte dhe sa kishte nisur të shtypeshin librat. Ai e përtëriti krishterimin, i dha një shtysë modernizimi kishës katolike dhe përgatiti rrugën për iluminizmin. Lutheri krijoi në këtë mënyrë bazat mendore për tolerancën, lirinë fetare dhe vetëvendosjen, siç i njohim ato sot.

Kjo në një kohë kur murgu agustinan Luther nuk e pa veten asnjëherë si revolucionar, megjithëse ai u hapi rrugën ndryshimeve revolucionare. Ai nuk ishte ndarës i kishës, por një kryengritës konservator, i cili donte ta reformonte kishën “e tij” dhe ta çonte në fillimet e krishtërimit.

Që këtë ai nuk e arriti, kjo kishte të bënte edhe me mungesën e vullnetit të Romës. Vatikani e refuzoi deklaratën e konsensusit të arritur në bisedat fetare të Regensburgut në vitin 1541. Me këtë, 24 vjet vjet pas shpalljes së tezave të Lutherit në Wittenberg humbi edhe shansi i fundit për të rënë dakord.

Lutheri nuk është i përshtatshëm as si model tolerance. Ai i ndërpreu marrëdhëniet jo vetëm me Romën, por edhe me reformatorë të tjerë si Ulrich Zwingli, Thomas Müntzer dhe Erasmusi i Rotterdamit. Pa folur për urrejtjen e tmerrshme ndaj hebrenjve, e cila shpërtheu tek ai kur qe i moshuar.

Dhe megjithatë, Lutheri e shtroi rrugën për tolerancën dhe iluminizmin. Sepse themelimi i shumë kishave të reja në botë bëri që të krishterët e konfesioneve të ndryshme që atëherë të jenë të detyruar ta pranojnë njëri-tjetrin në besimin e tyre. Një proces i vështirë ky, i cili ende nuk ka përfunduar.

Lutheri nuk është njeri që të ngjall simpati. Ai është një reformator i guximshëm, me karakter të fortë, me tipare të ashpra e të vështira. Dhe ai është bërë pjesë e ADN-së gjermane. Shumë nga cilësitë e tij sot konsiderohen “tipike gjermane”: konservator, besnik ndaj parimeve, militant, përmirësues i botës. Po të jetonte Lutheri sot, me siguri që ai do të grindej njëkohësisht me Këshillin e Sigurimit të OKB-së, me NATO-n dhe me krerët shpirtërorë të të gjitha feve.

Ah, sikur Lutheri të kthehej dhe ta përfundonte veprën e tij! Kisha e tij do të kishte nevojë për të. Sigurisht ai do të kuptohej më mirë me Papën Françesk, se sa me Leo X dhe me Clemensin VII, me Papët e kohës së tij.

Po ta dinte se Françesku do ta përkujtojë pikërisht në 31 tetor së bashku me protestantët Reformacionin në Shoqatën Botërore Luteriane në Lund të Suedisë, ai do të kishte qenë me dëshirë mes mysafirëve të ftuar. Ndoshta ai do të ishte bërë shumë pishman, që dikur e ka quajtur “anti-të-krishterë” Papën! Sepse edhe ky Papë është një njeri i llojit të tij: është i guximshëm dhe kërkon ta reformojë kishën e tij.

Nëse vëllezërit e tij do të hanin së bashku me Françeskun Darkën e Shenjtë, atëherë vepra e Lutherit do të konsiderohej e përfunduar dhe do të niste reformacioni i Reformacionit! Komuniteti në Kishën e Zotit do të ishte dhurata më e madhe, të cilët protestantët dhe katolikët mund t’ia bënin njëri-tjetrit një mbrëmje përpara përvjetorit të 500-të të Reformacionit.

Papa Françesk duket se e ka kuptuar këtë. Me përpikmëri për jubileun ai dha urdhër që në sallën e audiencave të Vatikanit të vendoset një statujë e Lutherit. Ai priti pelegrinë nga vendi kryesor i Reformacionit, bëri të ditur “Süddeutsche Zeitung”. Përgjigjia e tij për pyetjen, se kush janë më të mirë, katolikët apo protestantët, mund të kthehet në moto të jubileut: “Më të mirë janë të gjithë bashkë.”

The post Luther, kthehu sërish! appeared first on Telegrafi.

Dialog i imagjinuar në mes të profesorit vehabist dhe studentit vehabist

Posted: 01 Nov 2016 03:36 AM PDT

Musli Vërbani

Babai tërë jetën e tij kishte ëndërruar që fëmija i tij të shkollohej në Medinen e ndriçuar. Në vendin ku kishte jetuar Muhamedi a.s., në vendin ku kishin jetuar sehabet. Erdhi momenti dhe djali e kreu Medresenë, i erdh edhe lajmi se djali ishte regjistruar në Universitetin e Medines. Me mallëngjim e dërgoi djalin në Medinen e ndriçuar.

Pasi i përfundon djali studimet, i bënë gati rrobat për t'u kthyer në vendlindje, por para se të përshëndetet e zhvillon një dialog me shejhun e tij vehabist:

Shejhu Vehabist: Tani i ke përfunduar studimet. Kur të kthehesh në vendin tënd thuaj: "Ne jemi ehlus suneti vel xhemati.", "Ne thërrasim në TEVHID.", "Ne jemi kundër shirkut dhe bidatit.", "Ne jemi grupi i shpëtuar." dhe "vetëm menhexhi (planprogrami) i ynë është i drejtë."

Studenti Vehabist: Gëzohet dhe e tund kokën në shenjë pohimi (i përulet) (Edhe pse nuk është e argumentuar që Muhamedi a.s. e ka tundur kokën në shenjë miratimi apo pranimi gjatë një bisede me ndonjërin prej sehabeve. Por, shejhu nuk e qortoi për një veprim të tillë. Edhe pse nuk ka argument që kështu të ketë vepruar Muhamedi a.s.).

Shejhu Vehabist: Pasi që të kthehesh në vendlindje do ta fillosh punën si Dai (thirrës islam).

Studenti Vehabist: Jo, jo. Pasi që të kthehem në vendlindje do ta filloj punën si imam (hoxhë) dhe menjëherë pasi që ta pranoj detyrën mund të ndodh ndonjë rast vdekjeje dhe do të më duhet t'ia fali namazin e xhenazes edhe atij i cili nuk është falur gjatë jetës së tij.

Shejhu Vehabist: Namazin e xhenazes mos ja fal atij i cili nuk ka falur namaz gjatë tërë jetës së tij.

Studenti Vehabist: Por, nëse është babai ose nëna ime.

Shejhu Vehabist: Edhe nëse është babai ose nëna jote.

Studenti Vehabist: Po kështu kanë vepruar djemtë e komunistëve. Kur i tërë xhemati ia falte namazin e xhenazes babasë së tij, ata ndaleshin para derës së xhamisë dhe nuk hynin në xhami.

Shejhu Vehabist: Po, pasi që nuk është falur vet sa ka qenë gjallë, nuk ka se si t'i falet namazi i xhenazes pasi që të ketë vdekur.

Studenti Vehabist: Pastaj pas shtatë ditëve do të thirrem të këndoj mevlud.

Shejhu Vehabist: Po, si të këndohet mevlud me rastin e vdekjes së familjarit. Kjo është bidat.

Studenti Vehabist: Por, ata këndojnë mevlud edhe me rastin e ditëlindjes së Muhamedit a.s.

Shejhu Vehabist: Jo, jo! Nuk lejohet të këndohet mevlud, sepse aty kërcejnë, pinë alkool dhe këndojnë salavate me xhematë.

Studenti Vehabist: Jo, jo shejh, alkool nuk pinë. Por, shërbehet ushqim dhe ëmbëlsira. Kurse në mes të Mevludit ngrihen në këmbë si shenjë respekti ndaj Muhamedit a.s.

Shejhu Vehabist: Po ata qenkan duke e adhuruar Muhamedin a.s., ndërsa Muhamedi a.s. ka vdekur dhe kjo është e ndaluar.

Studenti Vehabist: Ata gjatë këndimit të mevludit këndojnë salavate për Muhamedin a.s. me xhemat.

Shejhu Vehabist: Si është e mundur që këndojnë salavate me xhematë (në kor) për Muhamedin a.s.

Studenti Vehabist: Salavatet janë të përmendura në Kur'an: "Vërtetë Allahu dhe melaqet dërgojnë salavate për pejgamberin. O ju të cilët keni besuar, dërgoni salavate për të…" (El-Ahzab)

Shejhu Vehabist: Por nuk përmendet këndimi i salavateve në Mevlud.

Studenti Vehabist: Po edhe në mënyrë individuale muezini këndon salavate pas ezanit të çdo namazi dhe pas ezanit të namazit të xhumasë.

Shejhu Vehabist: Po edhe në mënyrë individuale pas ezanit është e ndaluar sepse ajeti nuk e përmend se salavatet këndohen pas çdo ezani dhe pas ezanit të namazit të xhumasë.

Studenti Vehabist: I nderuari shejh, po si të veproj unë sepse tek ne kur ta falin namazin e farzit ngrihen dhe e falin sunetin menjëherë.

Shejhu Vehabist: Kur ta vazhdojnë faljen e sunetit pas faljes së farzit, ti rri ulur, e kur të ulen ata, ti ngrihu dhe fale sunetin sepse nëse e ngjall një sunet të Muhamedit a.s. ti do të hysh në xhenet. E sunet është që menjëherë pas farzit t'i bësh tesbihët dhe atë vetmas, e pastaj të ngrihesh dhe ta falësh sunetin.

Studenti Vehabist: Por kështu unë do të shkaktoja çrregullim në rendin dhe rregullat e xhamisë, sepse tek ne ka rregull dhe qetësi shpirtërore deri sa xhemati është në xhami.

Shejhu Vehabist: Të falësh sunetin menjëherë pas farzit është bidat dhe ti nuk je duke krijuar çrregullim, janë duke krijuar çrregullim ata të cilët e falin namazin sunet menjëherë pas namazit farz.

Studenti Vehabist: I nderuari Shejh. Pas namazit do të më duhet që të bëjë tesbihin me xhematë.

Shejhu Vehabist: Tesbihu së bashku me xhematë është bidat dhe çdo bidat është humbje dhe çdo humbje të shpie në zjarr të xhehenemit dhe tesbihi me xhemat është haram.

Studenti Vehabist: Po edhe duanë në fund të namazit e bëjnë së bashku.

Shejhu Vehabist: Kjo është bidat.

Studenti Vehabist: Gjatë muajit të Ramazanit, pas jacisë i falinë edhe nga 20 rekate namaz të teravisë.

Shejhu Vehabist: Po kjo është e ndaluar dhe bidat, sepse duhet të falen vetëm 8 rekate.

Studenti Vehabist: Po namazi i natës prej 8 rekateve me xhemat a nuk është bidat, sikurse teravitë, dhikri dhe tesbihi me xhemat pas namazit?

Shejhu Vehabist: Namazi i natës e zëvendëson namazin e teravisë, se teravia me xhemat është bidat.

Studenti Vehabist: Por, në Qaben e madhëruar dhe këtu në Medinen e ndriçuar i falin nga 20 rekate të namazit të teravive, kjo a nuk është bidat?

Shejhu Vehabist: Ti mos fol për Mekën dhe Medinen, se në xhamitë tjera përpos Mekes dhe Medines i falin nga 8 rekate dhe ti mos fal teravi por vetëm 8 rekate namaz nate (jo teravi).

Studenti Vehabist: I nderuari shejh, tek ne ka teqe dhe njerëzit po i vizitojnë varret dhe teqet.

Shejhu Vehabist: Kjo është e ndaluar, kjo është shirk (idhujtari) dhe këto varre dhe teqe duhet rrënuar.

Studenti Vehabist: Por, këtu në Medine pas kryerjes së haxhit po vijnë dhe po e vizitojnë xhaminë e Muhamedit a.s. dhe gjatë vizitës po shkojnë edhe te varri i Muhamedit a.s., a nuk është edhe kjo teqe dhe a duhet të prishet edhe kjo, pra kubeja e gjelbër mbi varrin e Muhamedit a.s.?

Shejhu Vehabist: Ne i kemi prishur mijëra kube mbi varre, i kemi prishur mijëra teqe dhe na ka mbetur vetëm kjo kube por edhe kjo duhet të prishet, sepse kubeja e gjelbër mbi varre quhet teqe dhe duhet të hiqet.

Studenti Vehabist: Por prapë se prapë mbesin varret (varri i Muhamedit a.s., i Ebu Bekrit r.a., dhe i Omerit r.a., të cilat gjenden brenda xhamisë së Pejgamberit s.a.v.s.).

Shejhu Vehabist: Po edhe kjo duhet të bëhet, pra duhet të hiqet varri i Muhamedit a.s. nga xhamia e Muhamedit a.s., pasi është shirk sepse po e madhërojnë varrin dhe për të mos e lejuar shirkun duhet ta heqim edhe varrin e Muhamedit a.s. nga xhamia e Muhamedit a.s..

Studenti Vehabist: Ne jemi vend i varfër dhe shumë studentë janë të zgjuar dhe nuk kanë mjete financiare të shkollohen.

Shejhu Vehabist: Ti kur të shkosh në vendlindje do të japësh bursa, këto mjete do të sigurohen nga zekati për student.

Studenti Vehabist: Të japim bursa?! Por, për fakultetin ekonomik a mund të jepet bursa?

Shejhu Vehabist: Jepni bursa për dituri, se studentët kanë nevojë për bursa.

Studenti Vehabist: Pasi ta përfundoj fakultetin, ai i cili e ka kryer fakultetin ekonomik, duhet të punoj në Bankë komerciale apo depozitive.

Shejhu Vehabist: Ti thuaj atij (të cilin e ke financuar të kryej fakultetin ekonomik) e ke të ndaluar të punosh në Banka sepse është haram sikurse të ketë bërë prostitucion me nënën e vet.

Studenti Vehabist: Po nëse punon në ndonjë firmë apo punë tjetër.

Shejhu Vehabist: Po edhe kjo është haram sepse ato firma kanë marrë mjete financiare me kamatë në banka komerciale apo depozitive.

Studenti Vehabist: Po a të japim bursa për ata të cilët janë në fakultetin juridik?

Shejhu Vehabist: Jepni bursa se studentët kanë nevojë për bursa.

Studenti Vehabist: Kur ta përfundojnë duhet të punojnë në gjyqe laike.

Shejhu Vehabist: Pasi ta përfundojnë fakultetin juridik, ti thuaju se e kanë të ndaluar të punojnë në gjykatë dhe në prokurori sepse ai gjykon me ligj tjetër pos ligjit të Allahut.

Studenti Vehabist: Por, ne jetojmë në shtet laik.

Shejhu Vehabist: Po edhe shteti laik është haram dhe është bidat.

Studenti Vehabist: Po kjo po i bie se në çdo çështje duhet t'i kundërshtoj dhe se çdo gjë qenka bidat sepse ne jetojmë në shtet laik dhe kjo po i bie se ne po jetojmë në bidat (shtet laik).

Shejhu Vehabist: Bidati është më i keq se kufri sepse për kufrin shejtani i thotë se ti je pajtuar me pabesimin tënd dhe e lë të lirë, ndërsa shejtani i thotë bidatgjiut: vazhdo edhe më tutje se e ke me të drejtë, ti duhesh ta forcosh bidatin tënd.

Studenti Vehabist: Po kjo po i bie se në çdo çështje duhet t'i kundërshtoj dhe që të mos jem prej tyre (popullit tim).

Shejhu Vehabist: Po, ti duhet ta lëshosh mjekrën dhe të dallohesh prej tyre, sepse kush i përngjet një populli, ai është prej tyre e kështu që ti nuk je prej tyre dhe ne duhet të dallohemi prej tyre sepse vetëm ne jemi grupi i shpëtuar dhe ky është qëllimi ynë, ky është menhexhi (planprogrami) ynë, në mënyrë që ta pastrojmë fenë, sepse kush e pastron fenë hyn në xhenet. Vetëm menhexhi (planprogrami) ynë është i drejtë. Ti vazhdo dhe bëj daëve. Kështu kemi vepruar në të gjitha vendet islame të cilat kanë qenë vende socialiste. Kështu kemi vepruar me Algjerinë dhe kemi vazhduar me Afganistanin dhe Çeçeninë. Kështu kemi vepruar me pranverën Arabe në Egjipt dhe e kemi vazhduar me Sirinë dhe Irakun. Në bazë të kësaj ideologjie ne bëjmë përçarje dhe vazhdimisht themi se "është e ndaluar dhe haram përçarja në mesin e muslimanëve". Për shkak të bidatit dhe shirkut të tyre ne vrasim bidatgjinj, ua shkatërrojmë shtëpitë, lagjet dhe qytetet sepse i kanë mbushur me bidate dhe janë bërë shtete laike dhe kësisoj neve na është lejuar gjaku i tyre, pasuria e tyre dhe nderi i tyre.

The post Dialog i imagjinuar në mes të profesorit vehabist dhe studentit vehabist appeared first on Telegrafi.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more