Skip to main content

“Shkodër, u përplasën me policinë një ditë më parë, arrestohen 4 tregtarët e duhanit” plus 9 more Gazeta SHQIP

“Shkodër, u përplasën me policinë një ditë më parë, arrestohen 4 tregtarët e duhanit” plus 9 more Gazeta SHQIP


Shkodër, u përplasën me policinë një ditë më parë, arrestohen 4 tregtarët e duhanit

Posted: 12 Nov 2016 02:02 AM PST

1839204Katër tregtarë të duhanit janë arrestuar pasi u përfshinë në përplasjen fizike me punonjësit e anti-kontrabandës në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, Shkodër gjatë operacionit të djeshëm

Përmes një deklarate për shtyp policia informon se punonjësit e anti-kontrabandës në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, Shkodër po zbatonin plan operacionin në mbështetje dhe nga shërbimet e Sektorit të Krimit Ekonomik e Financiar në D.V.P-Shkodër, me qëllim goditjen e kontrabandës me mallra që paguhet akcizë. Përplasja ndodhi dje në tregun e ngritur në vendin e quajtur "RUS", Shkodër.

Pas hetimeve të kryera u bë i mundur arrestimi në flagrancë i 4 shtetasve Arjan Halili, 30 vjeç;  Marjan Palalej, 35 vjeç; Denis Zefi, 24 vjeç; Astrit Muçaj, 39 vjeç, banues në Shkodër

Policia informon se gjatë kontrollit të ushtruar, tregtarët kanë bërë rezistencë dhe për shkak të detyrës kanë kundërshtuar me dhunë e goditur me sende të forta punonjësit e anti-kontrabandës dhe të policisë, të cilët po kryenin detyrën për konfiskimin e një sasie duhani të grirë, pa dokumentacionin përkatës. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprat penale "Kundërshtim i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik" dhe "Kundërshtim i punonjësit të policisë së rendit publik".

12 nëntor 2016 (gazeta-Shqip.com)

7 kuriozitete mbi të mëdhenjtë e muzikës klasike

Posted: 12 Nov 2016 01:19 AM PST

Muzika klasike ecën përmes shekujve, duke kënaqur shpirtrat dhe veshët e shumë brezave. Beethoven, Mozart, Liszt,  Schubert, e tw tjerw,  janë gjeni të muzikës, por askush nuk i di anët e errëta të tyre, zakonet apo sëmundjet që i kanë përndjekur. Po ju paraqesim disa të vërteta rreth tyre, të cilat pakkush i di.

1-Fitorja dhe Hakmarrja

Ludwig van Beethoven
Ludwig van Beethoven

Simfonia nr 5, në Do minor të Ludwig van Beethoven, e realizuar në 1808,  është njohur si simfonia e Fitores. Dhe arsyeja është e thjeshtë: 4 notat fillestare (sol-sol-sol-mi bemole), u përdorën gjatë Luftës së II Botëror, si hapje tek Radio e Londrës, e cila transkriptonte kodin Mors: pikë-pikë-pikë-linja, që jepnin letrën V të Fitores. Sekuenca në fjalë është përmendur edhe në filmin V., për Hakmarrje, ndoshta për të njëjtin motiv.

2-Femrat nuk mund të ndiqnin pasionin për muzikë

 Fanny Mendelssohn
Fanny Mendelssohn

Kompozitori gjerman Felix Mendelssohn ishte një fëmijë ogurmirë, por jo i vetmi në familje: motra e tij Fanny Mendelssohn ishte e njëjta gjë ; muzikante dhe kompozitore. Asaj nuk iu lejua që të ndiqte dashurinë për muzikën sepse ishte femër. Ishte pikërisht familja që e pengoi atë dhe vëllai Felix pranoi se kishte publikuar disa nga kompozimet e saj me emrin e tij. Një shembull? Ishte i Fannyt vepra "Italien", kënga që Feliksi kishte bërë për mbretëreshën Viktoria, që në fakt ishte edhe kënga më e preferuar e saj. Ajo nuk e dinte që kënga ishte shkruar nga një femër.

3-Meritat e maces në muzikën klasike

gatto.900x600Arratisja në sol minor e Domenico Scarlatti është e njohur gjerësisht si “Cat Run”. Arsyeja? Scarlatti ishte frymëzuar nga melodia e krijuar nga Pulcinella, macja e tij, i cila ishte duke ecur në tastierë. Kjo mjaftoi që Scarlati të frymëzohej për kompozimin e famshëm.

4-Fetishizmi i fansave të Franz Liszt

cane.900x600Fetishizmi (adhurim e hyjnizim i diçkaje, duke iu përulur verbërisht) i një fansi roku, nuk është një fenomen i së sotmes.  Kompozitori hungarez Franz Liszt, ishte mbytur nga kërkesat e fansave, që kërkonin fijet e flokut të tij. Në një moment, Liszt mori një qen dhe i priste qimet dhe ua jepte fansave, duke i thënë se ishin flokët e tij.

5-Humori i pistë i Mozartit

Mozart
Mozart

Të gjithë e dimë se Mozart ishte një gjeni, por pak e njohin pasionin e tij për të bërë humor me fjalë të pista. Në letrat e tij dhe madje në vepra të ndryshme gjenden batua për jashtëqitjen e njeriut. Madje ai ka tronditur edhe gruan e hekurt Margaret Thatcher,  e cila pasi kishte qenë prezente në një shfaqje në Amadeus të Peter Shaffer, tha se nuk mund të besonte një version kaq të ndyrë të kompozitorit. "Besoj se është e turpshme për Teatrin Kombëtar që të shohësh Mozartin që të thojë gjëra kaq të turpshme. Një kompozitor i muzikës kaq elegante dhe të mrekullueshme, është e pamundur që të flasë kështu".

6-Misteri Simfonia nr 8 të Franz Schubert

 Franz Schubert
Franz Schubert

Simfonia nr 8., e Franz Schubert është njohur edhe si një vepër e papërfunduar, sepse vetëm dy lëvizjet e para janë plotësuar dhe orkestruar nga autori. Po si ka mundësi? Hipotezat janë të ndryshme. Mund të bëhet fjalë për ndonjë eksperiment, ose ndoshta bëhej fjalë për pesimizëm: Schubert  ishte i bindur se nuk do ta mbaronte dhe e braktisi. Dikush thotë se ishte diagnoza e sifilizit dhe që e tronditi. Por teoria më e besueshme është një tjetër: dy lëvizjet e plota të kësaj simfonie kishin aq përsosmëri në vetvete, sa mjaftonin për të shprehur atë që Schubert donte të transmetonte. Prandaj, përfundimi i veprës ishte i panevojshëm.

7- Hypochondria e Çajkovskit

Pyotr Ilyich Tchaikovsky ( Çajkovski),
Pyotr Ilyich Tchaikovsky ( Çajkovski),

Kompozitori i madh rus, Pyotr Ilyich Tchaikovsky (ose Çajkovski), autori i veprës "Arrëthyesi", ishte aq hypochondrik, saqë mbante mjekrën me dorë, ndërsa drejtonte orkestrën e tij. Ai ka pohuar se e bënte këtë nga frika se mos i binte koka. Refuzonte të pinte gjëra që nuk ishin në shishe të mbyllura prej frikës se mos infektohej nga ndonjë sëmundje. Ironia e fatit bëri që në vitin 1893 të diagnostikohej me kolere dhe që vdiq pas disa orësh. Ka edhe nga ata që besojnë se kjo nuk ishte e vërtetë. Muzikantja sovjetike Alexandra Orlova thotë se Çajkovski vrau veten me arsenik, pas kërcënimeve që iu bënë, të cilët i thanë se do bënin publike homoseksualitetin e tij.

S. Muça

Sekuestrohet 26 kg hashash në Portin e Durrësit; në pranga poseduesi (Video)

Posted: 12 Nov 2016 01:13 AM PST

HashashPolicia Kufitare në bashkëpunim me Specialistët e Seksionit për Narkotikët sekuestrojnë në Portin e Durrës 26 kg marijuanë dhe arrestohet në flagrancë një shtetas. Në pranga ka rënë 23-vjeçari Bajram Myftaraj, banues në Tiranë.

Arrestimi i tij u bë pasi më datë 11.11.2016, në Portin e Durrësit, gjatë kontrollit të ushtruar në vijën e dytë në automjetin tip "Renault", me targa AA 277 PF,  që drejtohej nga shtetasi i lartpërmendur, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale  94 pako me peshë rreth 26 kg lëndë narkotike e dyshuar e llojit marjuanë.  Materialet i kaluan Prokurorisë së Krimeve të Rënda Tiranë për veprime të mëtejshme për veprën penale”Trafikimi i narkotikëve” e mbetur në tentativë.

12 nëntor 2016 (gazeta-Shqip.com)

Sfida ndaj Izraelit, 5 arsye pse fiton Shqipëria

Posted: 12 Nov 2016 12:45 AM PST

Kombetarja dhe De BiaziKombëtarja shqiptare do të zbresë në fushën e "Elbasan Arenës" për të zhvilluar ndeshjen e radhës të kualifikueseve për Botërorin 2018. Kuqezinjtë do të sfidohen nga Izraeli, një kombëtare që ka objektiva të njëjtë me përfaqësuesen tonë.

Në letër, Shqipëria është një skuadër më e mirë se Izraeli dhe me të drejtë pritet një fitore, edhe pse në kampin kuqezi janë kujdesur që të mos bëjnë shumë premtime. Megjithatë ne po radhisim 5 arsye pse Shqipëria mund të fitojë sot (e shtunë).

  1. Etrit Berisha dhe Bekim Balaj – Që në krye të herës duam të theksojmë se të gjithë lojtarët, këtu mund të përjashtohen dy-tre, janë duke u aktivizuar rregullisht me klubet e tyre, një gjë shumë pozitive për kombëtaren, por duam të veçojmë 2+1 lojtarë.

Për herë të parë pas një kohe të gjatë, Etrit Berisha vjen në kombëtare pasi është aktivizuar çdo javë me skuadrën e tij. Në 6 ndeshjet e fundit, gardiani i portës kuqezi ka pësuar vetëm 1 gol. Më mirë se ai ka bërë vetëm Thibaut Courtois, portieri i Chelseat që nuk ka pësuar fare në 6 ndeshjet e fundit (1 me Belgjikën dhe 5 me Chelsean). Kjo formë e Berishës padyshim se e bën skuadrën të ndihet më e sigurt.

Edhe Bekim Balaj po kalon në një formë të jashtëzakonshme. Dëmtimi i Armando Sadikut dhe rënia në formë e Sokol Cikalleshit shtuan kokëdhimbjet për De Biasin, që tashmë i falet formës së Balajt. Sulmuesi shkodran shënoi dy gola për katër minuta në ndeshjen që skuadra e tij Terek Grozni e fitoi ndaj Zenitit. Kjo dopietë çoi në kuotën e tetë golave dhe Balaj është në krye ta klasifikimit të golashënuesve në Rusi.

Një tjetër lojtar që po kalon në një periudhë të mirë është edhe Azdren Llullaku. Sulmuesi me origjinë nga Kosova u rikthye në kombëtare pas formës së mirë në kampionatin rumun me Gaz Metanin. Me 12 gola në 14 javë, 28-vjeçari i kombëtares shqiptare mban kreun e renditjes së shënuesve më të mirë në ligën e parë rumune.

  1. Statistikat – Kjo është përballja e parë e Shqipërisë me Izraelin. Por, forma në ndeshjet e fundit i favorizon shumë kuqezinjtë. Në pesë ndeshjet e fundit zyrtare, Shqipëria ka një bilanc pozitiv me 3 fitore, 1 barazim dhe 1 humbje. E kundërta ndodh me Izraelin që ka 3 humbje, 1 fitore dhe 1 barazim në pesë sfidat e tyre fundit zyrtare.
  1. Skuadër e padisiplinuar – Izraeli është një skuadër e padisiplinuar taktikisht që bën të pësojë shumë gola. Kundërshtarët e Shqipërisë kanë pësuar të paktën një gol në shtatë ndeshjet e fundit. Në kualifikueset e Europianit, në 10 ndeshjet e luajtura, ata shënuan 16 dhe pësuan 14 gola. Ndërsa, kuqezinjtë, në 8 ndeshjet e zhvilluara në kualifikueset e Europianit kanë pësuar vetëm 5 gola ndërsa shënuan 10.
  1. Katër, numër fati – Shqipëria ka arritur dy fitore në ndeshjet e katërta kualifikuese nën drejtimin e De Biasit. Kombëtarja ka mundur 1-0 Slloveninë në fushatën e kualifikueseve të Botërorit të Brazilit dhe fitoi 2-1 ndaj Armenisë në kualifikueset e Europianit. Edhe kjo ndaj Izraelit është ndeshja e katërt.
  1. Masat e sigurisë – Aktualisht, lojtarët izraelitë vetëm në tualete nuk shkojnë pa praninë e policisë (edhe për këtë nuk jemi shumë të sigurt!). Të premten ata u stërvitën në "Elbasan Arena" ndërsa policia qëndronte në fushë. Hoteli i tyre është i rrethuar, ndërsa pikërisht për shkak të sigurisë u ndërrua edhe stadiumi ku do luhet kjo sfidë. Edhe për sot janë paralajmëruar masa të rrepta sigurie. Këto mund t'i shpërqendrojnë miqtë.

12 nëntor 2016 (gazeta-Shqip.com) / Top Channel

Dorëshkrimet e humbura

Posted: 12 Nov 2016 12:41 AM PST

Ag APOLLONI

Kulture 15033554_10211072054467464_1585519376_n

Kritika e variantit (variantistika) në Itali dhe, më vonë, kritika gjenetike në Francë ndikuan që gjatë viteve '70 të përgatiten studiues të interesuar për gjenetikën e teksteve. Kritika e variantit është formulim i studiuesit italian Gianfranco Contini, i cili nga vitet '30 – '90 të shekullit të kaluar, është marrë me studime filologjike, gjë që e ka kushtëzuar metodën mbi dorëshkrimet. Ndërsa termi kritikë gjenetike përdoret për herë të parë në vitin 1979, kur u publikua libri Ese të kritikës gjenetike, me pasthënien e titulluar Kritika gjenetike: origjina dhe perspektivat nga Louis Hay. Një nga këto nisma serioze është edhe ajo e vitit 1982 kur në Paris formohet Insituti i Teksteve dhe Dorëshkrimeve Moderne, që "desakralizon" autorin, duke mos e parë veprën e tij vetëm si të kryer, si tekst, por duke ia njohur edhe procesin e krijimit dhe, eventualisht, të përkryerjes, pra shkrimin. Kështu, studiuesit kalojnë nga autori te shkrimtari, nga shkrimtari te skriptori. Ata nuk e pranojnë veprën si të rënë nga qielli në formë definitive, por si një përpjekje të vazhdueshme kreative, e cila deri te forma e botimit mund të ketë pasur disa versione a variante. Kritika gjenetike nënkupton një objektiv të ri të studimit: jo vetëm tekstin, por edhe shkrimin, jo vetëm rezultatin, por edhe procesin (Hay, 2002: 99). Ajo është një lloj shartimi i filologjisë me kritikën, por nuk mjaftohet me kritikën tekstuale, pra as me përcaktimin e Ur-Tekstit (tekstit të parë), ngaqë shkon përtej, duke analizuar shënimet në margjina si dilema të autorit, apo si përmirësime. Analiza e tillë e dorëshkrimit quhet gjenetikë tekstuale, por nuk pretendon të njihet si teori. Qasja gjenetike e saj dëshmon se manuskripti është një manufakturë (punishte). Ajo përdor mjete nga semiotika, linguistika, psikanaliza, narratologjia etj., jo për të treguar pse, por për të dëshmuar si është krijuar teksti. Kritika gjenetike zbulon: metodën, karakterin dhe evoluimin e shkrimtarit, censurën e shtetit, autocensurën etj. Megjithatë, ajo nuk është kritikë pozitiviste, pasi që nuk e kërkon jetën e autorit, por jetën e veprës, duke analizuar draftet e dorëshkrimit.
Ndonëse ende nuk ka një manual për manuskriptin (dorëshkrimin), kritika gjenetike, nëpërmjet analizave të shumëfishta, tashmë ka arritur ta qartësojë objektivin e vet duke iu përgjigjur pyetjes: si është formuar teksti, apo edhe si është transformuar teksti?
Gjenetika sot mund të kuptohet si një poetikë proteike, apo poetikë e procesit, sepse evidenton ndryshimet e vazhdueshme. Ajo zbulon metodën e autorit, duke evidentuar shtresat e shkrimit dhe fazat e korrektimit, përfshirë këtu intervenimet në brendi dhe në margjina të tekstit: shtesa dhe heqje fjalësh, viza orientuese të bëra me dorë, përmirësime gabimesh etj.
Kritika gjenetike fillon me dosjen gjenetike, ku përfshihen: draftet, fletoret, evidencat etj., të cilat tregojnë sesi është prodhuar teksti.
Mirëpo, derisa ndryshimi i drafteve është punë për të cilën lexuesi mund të mos shqetësohet (sepse, tek e fundit, secili autor shkruan e shkarravit si të dojë para se ta botojë librin), ndryshimi i tekstit të publikuar zgjon interesimin e secilit lexues. Prandaj, krahas historisë së dorëshkrimit, ekziston edhe historia e botimit të një vepre. Të dyja krijojnë historinë e varianteve të veprës. Dihet që veprat e antikës dhe të mesjetës kanë ardhur në kohën tonë jo si origjinale, por si variante të servuara nga skriptorë të kohëve të ndryshme. Por historia e botimit, e tillë çfarë i intereson gjenetikës, bëhet çështje studimi vetëm nëse në botime të ndryshme ka intervenime brenda tekstit, ngaqë dihet se të gjithë autorët, para se t'i botojnë veprat, i korrigjojnë, i shkurtojnë, i zgjerojnë, i përmirësojnë, mirëpo janë të rrallë ata që i përpunojnë librat edhe pas botimit. Në letërsinë botërore për përpunime të shumta të dorëshkrimeve njihen Goethe, Gogol, Flaubert etj., kurse për intervenime nëpër ribotime njihen: James Joyce, Scot Fitzgerald etj.
Ndërsa në letërsinë shqipe shembullin përfaqësues të ndryshimeve të tilla, qoftë në dorëshkrime, qoftë në ribotime, e gjejmë tek Ismail Kadare. Madje, për Gjeneralin e ushtrisë së vdekur më e rëndësishme është historia e botimit sesa ajo e dorëshkrimit (i cili sipas Helena Kadaresë në "Kohë e pamjaftueshme", rezulton i humbur), pasi që të gjitha ndryshimet e bëra (shtesat dhe heqjet) në dorëshkrime, Kadare i ka publikuar nëpër variante të ribotimeve, jo pse nuk mund ta korrigjonte njëherë e mirë dorëshkrimin, por pse gjithmonë pas botimit i duket sikur nuk i ka thënë të gjitha, ose nuk i ka thënë në mënyrën që ka dashur: Ndonjëherë nuk ndjehem i kënaqur plotësisht. Prandaj rishkruaj një variant të dytë, pas botimit. E ndiej që është i nevojshëm një variant i dytë, por pres që libri të botohet njëherë (Faye, 2007: 45).
Kjo flet për një praktikë krejt ndryshe nga ajo e Flaubert-it, i cili bënte shumë përmirësime nëpër dorëshkrime, por pasi e botonte librin, nuk e prekte më. Kur bëhet fjalë për Gjeneralin, Kadare tregon se është shumë i lidhur me të, sepse ai i jep mundësi të vazhdueshme për intervenime: Ndoshta do t'ju duket e çuditshme, por kam përherë dëshirën t'i rikthehem romanit tim të parë, Gjenerali i ushtrisë së vdekur, ndonëse e kam ripunuar disa herë tashmë. Ndoshta nuk i kam shfrytëzuar ende të gjitha mundësitë (Faye, 2007: 45-46).
Duke analizuar Gjeneralin, nga viti 1962 deri 1998, mund të shihet fare qartë se shkrimtari ka përdorur teknikën e amplifikimit. Tregimi bëhet roman, mandej romanit i shtohen edhe 100 faqe. Që amplifikimi ishte shndërruar në fiksim të autorit, këtë e dëshmon edhe vetë Helena Kadare, duke treguar se ai e filloi punën për zgjerimin e tregimit, kështu që pas tri javësh e dha dorëshkrimin e ripunuar për daktilografim dhe pa që tregimi kishte dalë njëqind e pesëmbëdhjetë faqe, gjë që e nxiti të shtojë edhe tridhjetë ose dyzet faqe të tjera, në mënyrë që me ndërgjegje të qetë ta quante roman (H. Kadare, 2011: 101). Mirëpo, autori kishte rënë viktimë e manipulimeve të daktilografistëve, prandaj ai edhe pse shton faqe, gjatë daktilografimit romani i zvogëlohet: Zhgënjimi prej daktilografimit ishte katastrofik. Dorëshkrimi i mëparshëm prej 115 faqesh, jo vetëm që nuk kishte arritur aq sa kujtonte e shpresonte ai, por ishte tkurrur në 90 faqe (H. Kadare, 2011: 103). Pasi autori e merr si kriter zhanri numrin e faqeve, vendos ta realizojë ëndrrën e tij për ta bërë tregimin roman. Atëherë i lind ideja për ta shkruar historinë e ushtarit dezertor të cilën e jep në formë ditari. Gjithashtu, shton edhe nja 20 faqe të tjera nëpër kapitujt tjerë dhe puna merr fund (H. Kadare, 2011: 104).
Edhe pse në vitin 2011 Ismail Kadare deklaroi publikisht se nuk do të shkruante më romane, kjo nuk domethënë se ai ka hequr dorë nga përpunimet e veprave të tij. Këtë mënyrë të intervenimit kritika shqiptare nuk e ka analizuar asnjëherë sa dhe si duhet, madje ndonjë studiues krijimin e varianteve e ka parë si shenjë të papjekurisë së autorit, duke harruar që, siç thotë Tanselle, jostabiliteti tekstual kushtëzohet nga idealizmi editorial (Tanselle, 1996: 60).

Versione dhe variante

Historia e letërsisë njeh mjaft shembuj të ndryshimit të veprave të periudhave të ndryshme. Por, kritika gjenetike kryesisht merret me vepra të shkruara nga shekulli 17 e këndej, pasi që më herët mungonte kujdesi i arkivimit të drafteve. Ndryshimet si ato në dorëshkrimet e Flaubert-it e Fitzgerald-it janë të natyrës artistike, mirëpo ka edhe raste kur censura imponon ndryshimet, si, për shembull, Tartufi, fundi i të cilit u imponua nga censura oborrtare, apo Vuajtjet e djaloshit Verter, për ribotimin e të cilit Goethe, duke kuptuar që kishte shkaktuar një valë vetëvrasjesh, shkroi dy strofa ku i porosit lexuesin të mos ndjekin fatin e Verterit.
Intervenimet zakonisht janë dy llojesh: ideologjike dhe artistike. Intervenimet ideologjike kushtëzohen nga censura politike, ose nga evoluimi intelektual i shkrimtarit, rrjedhimisht nga ndërrimi i bindjeve politike, ndërsa ato artistike imponohen nga vetë shkrimtari, i cili, pas një kohe, falë leximit, njeh më shumë praktika të shkrimit dhe përvetëson ide të cilat vendos t'i zbatojë në romanin tashmë të botuar për ta bërë më interesant në raste ribotimi. Sipas shkallës së intervenimit, tekstet e ndryshuara ndahen në variante (retushime të lehta) dhe versione (amplifikime, ose retushime të thella). Varianti karakterizohet nga intervenime të natyrës linguistike dhe stilistike, pra përfshin kryesisht dekorin, kurse versioni nënkupton intervenime më të thella në planin ideologjik dhe atë artistik.
Gjenerali ka tri versione që publikohen gjatë viteve 1962, 1963 dhe 1967. Fillimisht publikohet si tregim, pastaj si roman, për t'u botuar prapë si roman, por pothuajse dyfish më i madh. Këto të tria janë versione, sepse janë amplifikime të mëdha, ose shërbejnë si bazë për amplifikim (tregimi rritet e bëhet roman, pastaj romani rritet thuajse dhe një herë aq). Janë edhe dy variante: 1971 dhe 1998. Varianti i parë shton nja njëzet faqe, varianti i dytë përmban intervenime drejtshkrimore, intervenime ideore, stilistike dhe linguistike, shton dhe heq fragmente dhe ndonjë kapitull. Ndërsa prekje të lehta (por jo aq sa për t'u konsideruar variante) në përdorimin e shenjave të pikësimit, ka edhe në botimin e vitit 2001 dhe 2007. Botimet e tjera janë thjesht ribotime pa intervenime. Si tregim botohet edhe dy herë të tjera në revista: Zëri i Rinisë (Tiranë, 1962) dhe Jeta e Re (Prishtinë, 2011), si dhe një herë në format libri ("Om", Prishtinë, 2012). Si roman, në Prishtinë është botuar e ribotuar vetëm versioni i vitit 1967, përjashto botimin e "Kohës", që është ribotim i variantit 1998. Versioni i vitit 1967 edhe në Tiranë ribotohet më 1968. Pra, versioni i vitit 1967 ka qarkulluar më së shumti në hapësirën shqiptare, ndërsa në shekullin e ri qarkullon më shumë varianti i vitit 2001.
Gjenetika dhe variantistika tregojnë që Gjenerali i ushtrisë së vdekur është vepra më proteike e Ismail Kadaresë, i cili nga viti 1962 e deri sot, nuk ka hequr dorë nga intervenimet në të. Përpunimi i Gjeneralit është, siç do të thoshte Horaci, një punë me limë (labor limae) që udhëhiqet nga dëshira e autorit për ta përkryer veprën.

BIBLIOGRAFI
George T. Tanselle, Textual Instability and Editorial Idealism, "Studies in Bibliography", XLIX, 1996.
Helena Kadare, Kohë e pamjaftueshme, Onufri, Tiranë, 2011
Éric Faye, Tri biseda me Kadarenë, Onufri, Tiranë, 2007
Louis Hay, La litterature des ecrivains. Questions de Critique Genetique, Paris, 2002

Ndahet nga jeta shkrimtari Bahri Myftari

Posted: 12 Nov 2016 12:39 AM PST

u1_Bahri-Myftari-largeaBahri Myftari një emër i njohur në letrat shqipe është ndarë nga jeta më 11 nëntor 2016 në moshën 72 vjeçare. I njohur për tregimet e ndjera ai ka një kontribut në letërsinë shqipe si autor I disa librave.

Bariu lindi në Elbasan në vitin 1944, në një familje të njohur. Atje u edukua dhe u shkollua dhe më pas kreu studimet në Institutin Pedagogjik dhe u diplomua si mësues. Profesionin më fisnik nën diell atë të mësuesit e ushtroi në disa fshatra të Elbasanit dhe më pas në qytetin e Elbasanit. Ai u dallua mbi shokët e tij për përkushtimin e edukimit të brezit të ri.
Por ajo që e bëri një personalitet të njohur në Shqipëri dhe jashtë kufijve ishte aktiviteti si shkrimtar. Ai filloi të botojë në moshë të re dhe provoi disa gjini, dramën, reportazhin, por u shqua në gjininë e tregimeve.
Ai botoi një korpus të vërtetë përmbledhje me tregime, që janë pritur e vlerësuar nga lexuesi i gjerë.
Tregimet e tij u vlerësuan nga autoritete të njohura si Vath Koreshi, Perikli Jorgoni, Behar Gjoka, Koçi Petriti, Teodr Laço, Gëzim Zilja, Enver Lepenica, Qazim Shehu, Anastas Kondo, Bardhosh Gaçe etj.
Të gjith këta kanë vënë në dukje veçoritë e tregimeve të tij që dallojnë dhe se prurjet e tij në fushën e letërsisë së ditëve tona janë me vlera.
Bahri Myftari është dalluar edhe si aktivist shoqëror, ai me mençuri dhe shpirtin e tij demokratik, pa degradimin e sistemit diktatorial komunist dhe u radhit në vijën e parë të luftëtarëve për të përmbysur atë diktaturë.
Në sistemin demokratik ai ishte një nga krijuesit dhe udhëheqësit e Partisë Socialdemokrate dhe luftoi me të gjitha forcat për trumfin e idealeve demokratike.
Bahri Myftari u shqua edhe në fushën e publicistikës, në krah të publicistëve të njohur Fahri Balliu, Astrit Nuri, Xhevat Mustafa etj ai dha kontributin e tij të vlefshëm për triumfin e ideve demokratike.
Edhe në pension ai ishte njeri aktiv dhe ishte çdo ditë në punë, me shkrime publicistike, me tregime në shtypin e përditshëm, me pjesëmarrje e diskutime në aktivitet kulturore, në çdo rast duke dhënë mendimin e tij me guximin që e karakterizonte dhe me qytetari.
Humbja e tij, është humbja e një intelektuali dhe shkrimtari që nuk bënte gjumë për problemet e shoqërisë sonë.

12 nëntor 2016 (gazeta-Shqip.com)

Vrasja në Vlorë, policia: Autori i kishte shitur makinën viktimës (Video)

Posted: 12 Nov 2016 12:31 AM PST

fisheket Arma automatike Arma 2

Arrestohet autori i vrasjes së Fabjon Veizajt,  ngjarjes së ndodhur paraditen e 11 nëntorit në fshatin Vranisht të Vlorës. Burime nga policia bëjnë me dije se arrestimi i Marjo Ribajt, 23 vjeç u bë brenda 10 orëve nga krimi, teksa po tentonte ti largohej policisë.

Marjo RibajSë bashku me të,  në pranga përfundoi edhe Endri Pango, 28 vjeç, banues në Vlorë, si bashkëpunëtor për përkrahje në kryerjen e krimit. Operacioni u kodua  "Qafa e Halimit" Vranisht. Veizaj gjeti vdekjen e menjëhershme. Viktima dhe autori ishin shokë.

Këta dy shtetas janë kapur nga Policia në dalje të fshatit Vranisht, duke udhëtuar me automjetin tip “Fiat-Punto” me targë AL 892 VS në pronësi të Marjos, të cilët në tentativë për t’iu shpëtuar shërbimeve të policisë janë rrethuar në mënyrë të menjëhershme pranë vendit të quajtur “Qafa e Halimit” duke u arrestuar në flagrancë.

Dyshohet se krimi ka ndodhur për shkak të shitblerjes së një automjeti në muajin Gusht të 2016. Autori i ka shitur një makinë viktimës dhe për pasojë mes tyre a nisur edhe sherri.  Gjendet dhe sekuestrohet arma e krimit “Automatik model 56”, 2 krehra dhe 50 copë fishekë të kalibrit 7.62 mm, të cilat autori i kishte fshehur në mes të pyllit rreth 300 m larg banesës së tij.

Gjithashtu, Policia bën me dije se këta persona janë të dy me precedent penal të mëparshëm; Marjo Ribaj i dënuar më parë për “Vjedhje” dhe E.Pango, i dënuar më parë për “Plagosje të rëndë me dashje”.

Materialet iu referuan Prokurorisë për veprat penale “Vrasje në rrethana cilësuese kundrejt 2 ose më shumë personave” dhe “Armëmbajtje pa leje”, kryer në bashkëpunim, në ngarkim të dy shtetasve.

12 nëntor 2016 (gazeta-Shqip.com)

BURSA POLITIKE E SË ENJTES!

Posted: 12 Nov 2016 12:00 AM PST

Alfred PEZA

Alfred PezaNëse ka një "mall" që zhvlerësohet në mënyrën më kostante këto 25 vitet e fundit në Shqipëri, ajo është fjala.

Vendi ku më së shumti konsumohet ky krim është salla e seancave plenarë e të Kuvendit të Shqipërisë. Nga tempulli i shenjtë i fjalës së të zgjedhurve të popullit, ajo është shndërruar në jo pak raste, në të enjten e zezë të "Wall street"-it të gjuhës shqipe.
Shkaktari absolut i krizës permanente të fjalës, është lufta e paprecedentë verbale e Sali Berishës, ndaj kujtdo që i bëhet sadopak pengesë ndër kundërshtarët e tij politikë.
Deri në atë masë, sa as rregullat e Kanunit për fjalën e as ligjet moderne, as norma parlamentare, as rregullat e tjera të shkruara e të pashkruara, as fjalët e urta të tipit "gjuha kocka s'ka, po kocka thyen", nuk pijnë më ujë.

E tregoi këtë me fjalorin e tij të pashembullt, për çdo Parlament të sotëm, e ndoshta të të gjitha kohërave, edhe të enjten e kësaj jave.
Ku mbajti një nga fjalimet model të shthurjes së çdo kufiri, cdo fantazie dhe të cdo standardi, në komunikimin politik publik.

Nuk ka në diskurin e tij politik, asnjë fjalë mbi rendin e ditës. Asnjë respektim të normës kohore të përcaktuar nga rregullorja. Asnjë bosht, asnjë temë apo linjë konkrete. Ka vetëm dy gjëra: Një amalgamë copëzash lajmesh apo thashethemesh të mbledhura në pazarin virtual, me zellin e një milingone dhe durimin e një kinezi, gjatë 7 ditëve që i ndajnë dy të enjtet; dhe një lumë sharjesh, kërcënimesh, epitetesh, shejtanbudallëqesh, që vërshojnë si Vjosa pas reshjeve të ditëve të fundit.

Për të përmbytur, bërë pis, shkatërruar e bërë me baltë, këdo që mendon se po tënton t'i dalë përpara. Fare të paktat raste kur ai mungon, janë të vetmet seanca ku mund të bësh debat idesh, argumentash, tezash dhe alternativash me kolegët e opozitës.

Ia kam qarë hallin më shumë se gjithkujt në gjithë këtë histori të trishtë dhune të pashembull verbale dhe estetitikisht syvrasëse, punonjëseve të seancave plenare të Parlamentit. Atyre që i ka rënë barra për të zbardhur çdo javë të gjitha këto ligjërime, e për t'i shndërruar në tekste të procesrverbaleve.
Për t'i dhënë formën e një dokumenti zyrtar, që duhet të miratohen në seancat pasardhëse.
Për tu ruajtur më pas, në arkiva. Duke patur si normë të paprekshme, renditjen e fjalëve të thëna ne erë, në tekste sipas rregullave të drejtshkrimit dhe normës letrare të gjuhës shqipe.
Jam i bindur se kushdo gjuhëtar apo studiues i shkencave të komunikimit publik, politik, i ligjeve apo historian i çështjeve të pushtetit legjislativ që do të marrë nesër guximin që të mundohet për të kuptuar se çfarë ka dashur të thotë autori, me siguri që do ta kuptojë shpejt se gjithçka është një mision i pamundur.

Imagjino nëse dikush që do të duhet të bëjë studime krahasimore përshembull rreth debatit politik parlamentar në vitet '20-'30 të shekullit të kaluar dhe atij të sotëm. Dhe të krahasojë fjalimet e pjesëtarëve të grupit të opozitës së 90 e ca viteve më parë, të asaj që edhe atëherë edhe sot quhet Partia Demokratike, duke dashur të krahasojë evolucionin e ligjërimit politik në Parlament të Fan Nolit, Luigj Gurakuqit, Stavro Vinjaut, Sulejman Delvinës e Ali Këlcyrës, me ligjërimet e Sali Berishës.

Shumë shpejt ka për të kuptuar së në gjithë këtë rruzull, vetëm dy gjëra ecin mbrapsht: gaforret dhe cilësia e ligjërimit politik të opozitës shqiptare

12 nëntor 2016 (gazeta-Shqip.com)

Horoskopi – 12 nëntor 2016

Posted: 11 Nov 2016 11:50 PM PST

horoskopi1-212DASHI

Do të pranoni lehtësisht idetë dhe vendimet e të tjerëve duke mos u shfaqur agresivë. Nëse nuk e keni vendosur akoma  se çfarë do të bëni gjatë ditës, organizoni një mbrëmje intime për vete e partnerin tuaj.

DEMI

Nëse mendoni të ndryshoni vendin e punës, prisni derisa të merrni një propozim interesant. Mos merrni vendime të nxituara që mund të rëndojnë shumë në jetën tuaj sociale e gjendjen ekonomike.

BINJAKET

Do të jenë të favorizuara si raportet në çift, ashtu edhe me ortakët tuaj. Nëse ndonjë telash i vogël mund t'ju shkaktojë probleme diskutoni hapur me partnerin për të gjetur zgjidhje.

GAFORRJA

Nëse keni ndonjë dyshim, do të thotë se keni mjaft okazione midis të cilave duhet të zgjidhni më të përshtatshmen. Si në çështjen e ndjenjave ashtu edhe në çështjet praktike mund ti përmbaheni fort realitetit pa u udhëhequr nga ëndrrat.

LUANI

Kini kujdes të mos punoni shumë me fantazi. Vazhdoni të hidhni hap pas hapi. Me kapriçot tuaja do të përfundoni duke u humbur durimin edhe atyre që deri më tani ju kanë qëndruar pranë.

VIRGJERESHA

Do të jetë një moment magjik për ju dhe shoqërinë tuaj. Mos nguroni të shfaqni ato çka dëshironi të bëni, pasi ndihma dhe përkrahja e tyre nuk do të mungojë.

PESHORJA

Nëse keni në mendje ndonjë shpenzim impenjativ, bëjini mirë llogaritë më përpara. Mos u hiqni indiferentë përpara nevojave të të tjerëve, pasi çdokush ju ka ofruar ndihmën e vet atëherë kur keni pasur nevojë.

AKREPI

Një mik mjaft i ngushtë do ju besojë problemet e veta, duke bërë që të kaloni një ditë jo shumë të qetë. Dashuria juaj ju mbron nga pjesa tjetër e botës, prandaj mos hezitoni ti përkushtoheni.

SHIGJETARI

Do të ndjeheni në formë e nuk do të hezitoni t'u bëni surpriza miqve tuaj. Do të ndërtoni raporte të konsoliduara e plot emocione me ata që do ju rrethojnë.

BRICJAPI

Do të mundoheni të tërhiqni vëmendjen e dikujt që vlen por jo gjithmonë do të përshtatni teknikën më të mirë. Paqartësia do të jetë armikja juaj sot, prandaj informohuni përpara se të vendosni.

UJORI

Do të nevrikoseni për hiç mos gjë e, duke bërë që askush të mos e kuptojë sjelljen tuaj. Mbase e vërteta është se nuk dëshironi të pranoni propozimet që ju kanë bërë, e kërkoni çfarëdolloj justifikimi për ta shtyrë.

PESHQIT

Do të merrni një telefonatë a një vizitë që do ju gëzojë. Lejojini partnerit që t'ju ngrejë lart moralin me humorin dhe argëtimet e tij.

Ekstradohet nga Gjermania 46-vjeçari që vodhi dy kosovarë

Posted: 11 Nov 2016 01:15 PM PST

ekstradimNjë 46-vjeçar i lindur në Tropojë u ekstradua nga Gjermani drejt vendit tonë.

Petrit Çakrajt i është caktuar në 8 korrik të 2015-ës nga Gjykata e Kurbinit masa e sigurisë e "arrestit me burg" për kryerjen e veprës penale “Vjedhje me dhunë".

Më datë 3 korrik të 2015-ës në aksin rrugor Laç-Fushë Krujë, Petrit Cakraj, i është prezantuar dy shtetasve kosovarë si punonjës policie dhe i ka marrë shtetasit Sh.L, sasinë prej 9200 Euro të cilat i mbanin në çantë.

Si rezultat i bashkëpunimit të  Interpol Tirana me Interpol Wiesbaden, u bë i mundur arrestimi i tij në Gjermani, duke u finalizuar me ekstradimin e tij drejt vendit tonë.

11 nëntor 2016 (gazeta-Shqip.com)

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more