Skip to main content

“Reagon për herë të parë pas përjashtimit nga PD Mhill Fufi” plus 9 more - Gazeta Dita

“Reagon për herë të parë pas përjashtimit nga PD Mhill Fufi” plus 9 more - Gazeta Dita


Reagon për herë të parë pas përjashtimit nga PD Mhill Fufi

Posted: 04 Nov 2016 02:28 AM PDT

Reagon pas përjashtimit nga grupi i PD-së për herë të parë deputeti Mhill Fufi.

Ai ka theksuar se nuk "kam njoftim nga grupi i PD për përjashtimin. Me lajmin për përjashtim jam njohur në media. Zyrtarisht nuk më është komunikuar gjë. Jam anëtar i Komisionit të Ligjeve. Nuk jam njohur me vendim të grupit për mosvotim të projektligjeve", tha ai.

14958279_10209828006750169_418463603_n

Audio-skandali, merret në pyetje ish-kreu i Gjykatës së Gjirokastrës

Posted: 04 Nov 2016 02:25 AM PDT

Ish-kryetari i Gjykatës së Gjirokastrës, Guximtar Goçi është thirrur sot në Prokurorinë e Krimeve të Rënda ku po merret në pyetje lidhur me audio-skandalin e shfaqur në një emision investigativ ku i kërkonte favore seksuale një qytetareje në këmbim të dhënies së një vendimi gjyqësor.

Boçi akuzohet për "korrupsion pasiv" të gjyqtarëve.

Një ditë më parë u mor në pyetje gjyqtarja Blerta Çibuku.

Çibuku është gjyqtarja, e cila dha vendimin kundër denoncueses.

Kuvendi-KLSH-së: Të hetohen privatizimet e Berishës e Nanos

Posted: 04 Nov 2016 02:10 AM PDT

Të gjitha privatizimet dhe kontratat e rëndësishme koncesionare, të firmosura gjatë 25 viteve të pluralizmit, do t'i nënshtrohen auditimit nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Kjo është detyra kryesore që Kuvendi i Shqipërisë i ka lënë Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Ky institucion do të ketë tre vjet afat për të kaluar në sitën e ligjshmërisë dhe kostos financiare të gjitha koncesionet dhe privatizimet kryesore në 25 vitet e fundit.

Shkeljet, sipas rëndësisë dhe pasojave, me shumë gjasa, do të referohen në institucionet e reja të drejtësisë, në Prokurorinë e Posaçme dhe Gjykatat Speciale. Kambanat bien për qeveritë e drejtuara nga Sali Berisha dhe Fatos Nano, pasi koncesionet kryesore të tre viteve të fundit, nën drejtimin e qeverisë "Rama", kanë qenë objekt kontrolli nga KLSH, raporton Shqiptarja.com.

"KLSH-ja nxitet që për 3 vjet të auditojë të gjitha privatizimet dhe kontratat koncesionare të realizuara në sektorët strategjikë në 25 vitet e fundit, për të vlerësuar ligjshmërinë, efektivitetin dhe ndikimin e tyre në Buxhetin e Shtetit dhe te publiku", thuhet në rezolutën e Kuvendit për KLSH.

Molla e Ukshin Hotit, Ivo Andriçi, Vuçiçi, Edi Rama e të tjerë

Posted: 04 Nov 2016 02:08 AM PDT

 

Nga Sefer PASHA

 

Çdo vjeshtë vij në Krushë të Madhe edhe sikur të mos kem ndonjë motiv. Para se Ukshin Hoti të arrestohej për herë të tretë ai në oborrin e shtëpisë ka mbjellë një mollë. Molla është rritur. Mesa më kanë thënë krushasit Ukshin Hoti pasi e mbolli mollën nuk e pa më me sy. Dihet fati i tij tragjik. Molla, ballë për ballë bustit kushtuar atij, ka vite që lëshon kokrra. Vitet e fundit me pëlqimin e djaloshit që shërben në muze kam marrë çdo vjeshtë nga një kokërr mollë. Kur jam kthyer në Tiranë kokrrën e mollës e kam varur në bibliotekën time dhe poshtë saj kam shkruar thënien profetike të Ukshin Hotit: "Bëje ose vdis!". Sa herë që kam ndonjë telash, apo dramë i hedh sytë tek kokrra e mollës dhe thënia e Ukshin Hotit. Gjej forca e ndihem mirë. Nuk mbetem i lidhur pas gjalmit të hallit. Ja dal. Kokrra e mollës e mbjellë nga dora e Ukshin Hotit e shtyn një vit në mes të librave. Edhe pse rrudhet ajo nuk kalbet. Pikërisht për këtë arsye unë në vjeshtë vij në Krushën e Madhe. Këtë radhë nuk gjeta njeri tek shtëpia muze e Ukshin Hotit dhe si të isha një "vjedhës" zgjata dorën dhe e mora një kokërr mollë. Më duhet për të zëvendësuar atë që është thinjur në bibliotekë.

 

Me kokrrën e mollës në dorë jam ulur pranë bustit që i kushtohet Ukshin Hotit dhe që mua nuk më pëlqen fare. Skulptori i Popullit Muntaz Dhrami më ka qetësuar. Është i vështirë portreti i Ukshin Hotit, më ka thënë ai. Nuk ke ku ta kapësh. Ngjan me engjëjt. Sado të mundohesh engjëllin as e pikturon dot dhe as i bën ndonjë shtatore. I tillë është dhe Ukshin Hoti. Engjëjt nuk zbresin në tokë. Ndihem i trishtuar. I hedh një sy bustit dhe sikur Ukshin Hoti të jetë i gjallë i artikuloj me zë të lartë vargun e Kadaresë kushtuar Majakovskit: "Ti ishe i madh, po ne ta hëngrëm kokën!". Po Ukshin Hoti a ngjan me Majakovskin, i them vetes. Poeti ka pika të përbashkëta me filozofin. Cilët janë ata që të vranë e pyes me zor e kthej kokën nga busti? Ti ke shkruar se "Më ka arrestuar policia e Repubilkës së Serbisë, me kërkesën e një pjese të alternativës shqiptare të Republikës së Kosovës". Pas disa sekondash heshtje më duket sikur diçka më thotë me zë të ngjirur. Në radhë të parë më kanë arrestuar pasardhësit e Ivo Andriqit që na e përmendi dhe Edi Rama. Nobelisti serb është autor i memorandumit antishqiptar për t'i asimiluar ata. Bie në mendime. Në transhetë e ushtarëve të Serbisë në Qafën e Prushit ditën e parë të çlirimit të Kosovës kam prekur librat e Ivo Andriqit dhe të Çubriloviçit. Ishin libra me kapak të trashë. Mbi kapakët e librit "Ura mbi Drin" të Andriqit kishte dhe tableta heroine. Ukshin Hoti ka të drejtë, i them vetes me qortim. Pasardhësit e Ivo Andriqit dhe Çubriloviçit e vranë tragjikun e madh. Dhe shkoi nëpër mënd atë rrëfenjën që e ka shkruar me dorën e tij Ukshin Hoti e që e kam në sirtarët e bibliotekës time dhe qe ende nuk është botuar me ca punë të tjera:

"Një shqiptar kishte vajtur për ta vizituar për lamtumirën e fundit një shok të tij serb që ndodhej në agoninë e vdekjes. Kur e kishte ndjerë prezencën e tij, serbi disi ishte zgjuar dhe kishte kërkuar nga shqiptari që t'ja ngrinte shtrojën e shtratit dhe të shikonte përfundi: – "Kumbar, mos u hidhëro!", – i kishte thënë serbi, sado që të doja, këtë pushkë e ruaja për ty. Nuk m'u bë të vdisja pa të treguar të vërtetën". "Vallahi kumbar! – i ishte përgjigjur shqiptari, duke u marrë ngrykë me të, – mos u bëj hiç merak se edhe unë nën jastëk e mbaja një sopatë". Mendohem pak dhe i them qetësisht se tani do të pajtohemi. Jemi fitimtarët. Po do të pajtohemi, më përgjigjet ai nervoz, që nga bronzi ngjyrë kadife. Pajtimi do të jetë një valle mbi një lumë gjaku. Pajtimin duhet ta kërkojmë ne çlirimtarët. Nga Lugina e Drinit të Bardhë fillojë të fryjë erë. Era e Drinit më kujtoj atë vargun epik: – "Ç'janë këto gjamë që po i bjen era"? 200 burra ka të vrarë vetëm në Krushë. Dhe do të ketë pajtim në Krushë mërmërijë????

Për vrasësin e Ukshin Hotit, Ivo Andriqin ka me dhjetra përmendore kurse për mikun e të gjithë shqiptarëve një bust tragjik. E mbledh veten. Filozofi i menduar më qorton. Jemi në liri, më thotë ai. Ajo kënga labe që ti e këndon në Vlorë: /Sazan e Karaburun//Janë vatanet e mia/ , tani i shkon për shtat Kosovës. Edhe një gur e një zall në brigjet e Ibrit nuk e shkel më çizmja e ushtarëve serbë. Pajtimi vjen vetvetiu. "Që në Prizren e përpjetë kështu ka qenë e do të jetë. Luftë për jetë e paqe për dreq", thotë një këngë e moçme. Luftë dhe kur e do puna edhe paqe. Me serbët na ndan një gardh e një rrëke.

 

statuja-ukshiniDal në rrugë dhe tek një familje porosis dy kafe. Një për vete dhe një për Ukshin Hotin që është në bust. Ukshin Hoti më thonë të mëhallës, pinte shumë kafe e shumë cigare. Pa fund. Librin "Filozofia Politike e çështjes shqiptare" e shkroi pikërisht tek kjo shtëpi. Të gjitha esetë dhe studimet janë shkruar tek kjo odë që tani është kthyer në muze. Vetëm dy – tre punë i ka shkruar në Lubjanë. M'i kanë treguar dhe vendet ku shtrihej barkas e shkruante e shkruante papushim. Nëna, Fatimja, i sillte bukë me djathë e speca me gjizë. Ndërsa ati, Nazyfi, gazeta e libra nga Prizreni. Nuk dilte nga rrethrrotullimi ku ishin kafenetë. S'kishte asnjë pare në xhep. Pinte shtambën me ujë i përvëluar nga diabeti. Zogjtë që nga degët e gorricës lëshonin glasa. Dhe librat e Marksit, të Kantit e të Niçes njolloseshin nga glasat. Kundërshtarët e tij punonin nëpër kabinetet e Prishtinës. Ata asgjë nuk lanë pas me përjashtim të letrave që shkruanin kundër tij e që ato janë të arshivuara në dosjen e UDB – së që ndodhet në Beograd. Miqtë e Ukshin Hotit që e vështronin kur ai shkruante ishin zogjtë e Pashtrikut, fluturat e Celinës, zambakët e Drinit të Bardhë, lulet e livadhit, hardhucat, gjarpërinjtë që vinin prej varrezave, flakët e rrufeve, vitat e Rahovecit, rrëketë që rrëshqisnin, dhelprat e Gjakovës, kuisjet e ujqërve, qentë e mëhallës, blegërimat e deleve, britmat e gjahtarëve, vajet e grave, kakarrimat e korbave, pikat e shiut, flokët e borës, sita e vesës, mjegulla e mëngjesit, ketrat e baldosat e misrave. Pas shtëpisë nën hijen e një gorrice që tani është plakur, 22 vjet më parë si kjo ditë vjeshte Ukshin Hoti me filxhanin e kafesë përpara ka shkruar: – "Shkenca konstaton se një territor kompakt me 115 mijë kilometra katror, nga Kongresi i Berlinit – 1878, gjer më sot, është ngushtuar në 55 gjer 65 mijë kilometra katror në të cilat populli shqiptar tani është në shumicë. Në Konferencën e Ambasadorëve në Londër 1912 – 1913, shteti shqiptar u krijua në një sipërfaqe prej pak më shumë se 28 mijë kilometra katror. Dallimi midis kësaj shifre dhe 65 mijë kilometrave katror në të cilat jeton sot në shumicë populli shqiptar në trojet e veta historike, duhet të inkuadrohet në shtetin e njësuar shqiptar".

 

Lëviz pak nga e majta me filxhanin e kafesë në dorë. Ukshin Hoti as në bronz nuk është i qetë. Janë bërë shumë gjëma në Kosovë dhe në Krushë. Krusha e Madhe ndofta është i vetmi vend në botë që ka kaq shumë vejusha. Ato mbjellin speca që të mbajnë familjet me bukë. E si mund të jetë ai i qetë. Ka parë shumë gjatë viteve që qëndroi në Krushë. Ai shkruante nën hijen e lisit dhe udbashët e filmonin edhe kur urinonte shpesh nga tensioni e diabeti. Shpëtoi në fill nga verbimi. Thuhet se në Beograd janë me qindra orë film për lëvizjet e Ukshin Hotit në Krushë. Gojët e liga thonë gjithashtu se dosja e tij në arkivin e Ministrisë së Brendshme të Beogradit është mbi 5 mijë faqe. E thonë vetë udbashët që tani janë në pension. Disa ditë para arrestimit të fundit Ukshin Hoti shkruante i mbyllur brenda në shtëpi. Erdhën udbashët dhe pasi i shqyen derën, e goditën. I morën me dhjetëra dorëshkrime. Edhe ato në një fletore të trashë që po e qëndiste me shkrim dore. Dhe nuk dihet se ku përfunduan. Edhe në burgun e Prizrenit i kanë marrë disa punë. Ukshin Hoti ka protestuar. I kanë thënë se do t'ia kthejnë. Po ato punë nuk i ranë kurrë në duar, as atij dhe askujt tjetër. Do zoti dhe nuk janë djegur. Kur të bëhet pajtimi do t'i lexojmë ato dhe mendimet e panjohura për çështjen kombëtare, ku midis të tjerave i ulur mbi bar këtu,  tek kjo avlli do të shkruante: – "Shqipëria është i vetmi  vend në Evropë që kufizohet pothuajse nga të gjitha anët me vetveten, d.m.th. me popullin e vet dhe me trojet e veta historike".

 

Kafja për mikun që është në bronz u ftoh. Në buzët e filxhanit kafja ka formuar nja dy kokrra si të breshrit e që më tepër ngjajnë me luspat që lëshon gjarpri kur braktis lëkurën e që mua më shëmbëllejnë me syzat e Vuçiçit. Vuçiçi ishte alltie në duart e Millosheviçit kur drejtori i burgut të Dubravës, Aleksandar Rakoqeviçi duke zbatuar skenarin e UDB-së e nxori nga burgu ditën e diel të 16 majit të vitit 1999 kur administrata nuk punonte, dhe kur profesori i universitetit të Prishtinës kishte dhe 24 orë për të plotësuar afatin e detyrimit për vuajtjen e dënimit. Sa doli nga dera e burgut të Dubravës e përpiu era. Ku e pushkatuan pa gjyq udbashët? Këtë fakt e di shumë mirë Vuçiçi.

 

Sa shumë dua ta pyes atë që më vështron i menduar nga bronzi. Janë të pafundme të pathënat e tij. Ukshin Hoti është arkitekt i bashkimit kombëtar që do të ndodhë një ditë. Mollën e "vjedhur" e mbështjellë me pak bar të thatë dhe e paketoj në xhepin e çantës. Krusha e Madhe është e mbuluar nga një mjegull qetësie. Është e rreme. Në odat e saj ka shumë ohe e ahe. Dua të iki, por biseda me Ukshin Hotin në bronz më pëlqen. Vazhdoj ta ngacmoj dhe ai përgjigjet i ka në majë të gjuhës. Kurrë nuk e ka përmendur togfjalëshin "Shqipëri e Madhe". Ka folur për bashkimin e kombit shqiptar. Kadarenë në një punë të tij e quan "gjeni i kombit". Çfarë thotë ai më shumë se Mjeda i cili në poezinë "Gjuha shqipe" ka shkruar: – /Prej Tivarit e n'Prevezë/ /nji a gjuha e kombi nji/ /ku lëshon dielli njato rreze/ /qi veç toka e jote i di/. Pse Kosova duhet të ketë një identitet tjetër kombëtar? Ç'është kjo teori? Kush e ysht? Çfarë brumi gatuhet në magjen e Beogradit?

104 vjet më parë Isa Boletini do të vikaste: – "Unë jam mirë kur asht mirë Shqypnia". Gjenerali i madh u ul në gjunjë në Vlorë dhe puthi flamurin kombëtar. Qeverinë e Ismail Qemalit e siguruan kalorësit e Isa Boletinit. Shkuret që sot e bëjnë gojën çorape nuk maten dot me lisat. Liliputët nuk shikojnë më tutje se Qafa e Prushit. Së paku të mos broçkullisin. Filozofi që është lart në bronx nuk i lëviz qerpiku. Pikërisht në Krushë të Madhe ai ka deklaruar: – "Bashkimi i popullit shqiptar dhe i trojeve shqiptare në një shtet duhet të jetë parakusht për çfarëdo rregullimi të mëtejshëm të marrëdhënieve ndërshtetërore në këtë pjesë të Ballkanit".

 

Dielli që po perëndon në majën e Pashtrikut më ngjan me "Kullashin", kalin e Isa Boletinit. Më duhet të rri edhe pak para se të shkoj në hotel. Nuk dua ta lë vetëm mikun tim të ngrysur. I hedh sytë nga ara e tij nga krahu i Drinit të Bardhë. Më kanë thënë se Ukshin Hoti tek ecte anës arës me libra nën sqetull, kishte formuar një udhë të ngushtë sikur mbi të kishte shkelur e gjithë Krusha. Gjatë ditës e bënte qindra herë atë udhë. S'mund të lëvizte në udhë të tjera të fshatit. Prangat e UDB-së i priste nga minuti në minutë. Po i doli fjala. E priste luftën e UÇK-së. Për të kishte dëgjuar kur kishte qenë për t'u specializuar në universitetet amerikane të Çikagos, të Harvardit, në Kembrixh – Boston dhe  në Uashington. Domosdo ca sekrete i mori me vete. Hetuesit serbë e kanë torturuar në qeli sepse siç shkruan ai, kishin "dyshuar mbi qëndrimin tim në SHBA". "Teoricienët" e sotëm këto duhet t'i kuptojnë. Në mesin e zjarrit të luftës për çlirimin e Kosovës poeti rus Jevtushenko do të ulërinte: – "Popull rus, ngrehu në këmbë se shqiptarët na shfarosën vëllezërit serb". Sot Vuçiç përgatit një ushtri të fuqishme. Po në Kosovë ku është ushtria moderne që do i duhet pas 20 apo 30 vjetësh? /"Dhe çka mund të më ndodhë?/ Kush e di"? thotë poeti i madh turk Nazim Hikmet. Ambasadori jugosllav kur ndodhën trazirat në Shkodër nga kati i dytë i hotelit përsëriste atë që kishte thënë eprori i tij Millosheviçi, se "me një skuadër gjahtarësh tani e pushtonte Tiranën". Të përgatitemi për kohë më të vështira. Qysh në vitin 1912 Nikolla Pashiqi në një bisedë me të deleguarin rus në Ballkan i pat thënë atij se: – "S'ka komb shqiptar, ka vetëm fise shqiptare".

T'i mbajmë këmbët në tokë. Edhe Edi Rama është Edi Rama. Në fund të fundit i lumtë që e mban veten të barabartë me kryeministrat e Evropës. Një këngë që këndohet në Labëri thotë: – "Si lis i vetëm në mal". Ç'ta zgjas! Edhe në Kosovë shoh që e duan Edi Ramën. Sikur të votohej zgjidhej edhe Kryeministër i Kosovës. Grisjet me Ivo Andriqin janë të papranueshme për të. Autori i këtyre radhëve e që në Krushë më njohin si biograf të Ukshin Hotit, nuk është ithtar i Edi Ramës. Por edhe disa "teoricienë" nga Kosova duhet ta lënë Edi Ramën të luajë në skenën e teatrit të Europës. Ai është talent, por jo gjithçka e ka nga vetja. Është kancelarja gjermane, ambasadori amerikan e të tjerë e të tjerë. "Ca m'i merrni e ca m'i lini" thotë një proverb nga zonat malore të Beratit. Nuk ma merr mendja që ai thellë, thellë të jetë kundër ideve të filozofit që është gati të zbresë nga busti. Edhe heshtja për disa çështje është flori. Titoja, siç ka folur në odat e Krushës Ukshin Hoti, ka kërkuar bashkimin e Shqipërisë me Kosovën dhe jo të Kosovës me Shqipërinë. Një ditë të ishim pjesë e Serbisë dhe shkijet të dilnin në brigjet e Adriatikut. Ëndërra e shkive vazhdon me të tjera seri e me të tjera pamje. Popuj ju dua! Jini vigjilent!, thoshte Julius Fuçik.

 

Më duhet të ngrihem. I hedh sytë nga molla të cilën e ka mbjellë me dorën e tij Ukshin Hoti. Që kur kam marrë nga një kokërr mollë tek kjo e Zotërisë që është në bronz, më ka ecur fati. Me botimet e librave mbarë më ka ecur. Sa futa në shtyp vëllimin e katërt të serisë kushtuar Zotërisë sipër meje me titull: – "Stina e fundit e Ukshin Hotit". Prandaj u them njerëzve të vijnë për t'u bekuar tek kjo mollë që matet me madhështinë e Pashtrikut. Xhit bëhet se molla nuk ka kokrra për të gjithë? Do të mjaftonte vetëm prekja e trungut të saj. Secili do të ketë fat. Ukshin Hoti që nga busti më duket sikur më vështron i pikëlluar. Edhe unë ndihem keq. Do ta lë vetëm. Ai një pjesë të jetës e kaloi fillikat nëpër burgje pa parë as dritën e syve, fëmijët e tij të shtrenjtë. Dhe vetmia iu kthye në dritë. Edhe molla e mbjellë prej tij që është në formën e qiririt, ndriçon. Kosova është pa pushtues. Fusha përpara monumentit është e lirë. Në majën e Pashtrikut nuk janë më topat dhe raketat e serbit që i kishin shënjestrat matanë Qafës së Malit mbi Pukë. Mollën Ukshin Hoti e mbolli për të mirë. Njerëz! Vraponi për në Krushën e madhe të prekni mollën e mbjellë nga Zotëria i ngrysur Ukshin Hoti, arkitekti i Bashkimit Kombëtar Shqiptar.

 

Molla e Ukshin Hotit ka lëshuar nëpër degë sythe dhe lule të bardha. Jemi në të dalë të vjeshtës së dytë. Nuk janë lule të stinës. I shikoj me kureshtje. Të jenë lule për kurorën e pajtimit? Zotëria në bronz nuk flet. Çohem. Filxhani plot me kafe nxin. Më bëhet sikur dëgjoj zëra. 200 burrat e vrarë të Krushës e rrethojnë bustin. Në kor, si në një gjëmim Drini, ata vikasin: – Ukshin! Ukshinnnnn. Nuk je vetëm. Jemi në krahun tënd.

Edhe të gjallët domosdo. Sa kam hedhur hapat e parë për të ikur. Ndjej një gjëmim edhe më të madh. Kthej kokën. Qindra vejusha të veshura me të zeza me fotografi në duar e rrethojnë bustin duke qarë. E tmerrshme, them me vete. Era rënkon dhe nga maja e një mullari fluturon një formë lule dielli si të jetë koka e Rakip Hotit kur serbët ia prenë atij jo shumë larg muzeut të Zotërisë, i cili Rakipin e kishte vëlla. Ndihem keq sa nuk dal dot në buzë të Drinit. Dreq o punë. Gjithsesi lulet e bardha në mollën e mbjellë nga Ukshin Hoti nuk kanë çelur kot në të dalë të vjeshtës së dytë. Lulet e bardha do t'i veshin vejushat e veshura me të zeza. Do të vijë një ditë. Jam turbull. Në arën e Zotërisë që është në bronz ndihet dhimbja dhe në plisat e ugarit, por nuk ka pushtues. Lufta nuk të dhuron më shumë se një arë me grurë pa pushtues.

 

Natën e mirë, i them Zotërisë që qysh duron në bronz. Një tufë me pëllumba të egër fluturojnë mbi gërxhet për nga Rahoveci. Dhe më tutje pas maleve, ku syri im ngec, përgjojnë serbët. Nuk janë të qetë pas dështimit të madh. Kanë mbetur pa djep. Edhe miku im Ukshin Hoti nuk fle mbi dafina. Lëngon. Ka hipur aty për të mos zbritur më. Një flutur ngjyrë mjalti i ulet mbi sup. Sa e bukur duket flutura në këtë muzg të trishtë për krushasit. Flutura, si të jetë zanë Drini, çoç fsheh një mister për Zotërinë nga Krusha e Madhe që nuk ka as varr. Mos flutura ka ndonjë gjysmë lajmi? Kush e di?

 

 

Krushë e Madhe, 28 tetor 2016

Legisi: PS-LSI, bashkë edhe në 2017-n

Posted: 04 Nov 2016 01:52 AM PDT

Ndre Legisi, një prej socialistëve të orëve të para, që prej themelimit të PS-së, është rikthyer në qendër të vëmendjes së këtyre ditëve, pas pjesëmarrjes në Konventën e Partisë Agrare Ambientaliste, por edhe pas takimit me kryeministrin Edi Rama. Në një intervistë për "GSh", Legisi u shpreh se nuk ka ndonjë ambicie për t'u rikthyer në politikë, por shton: "Kurrë mos thuaj kurrë".

Ka qenë një nga kundërshtarët e bashkëpunimit PS-LSI, në 2013-ën, kur LSI-ja sapo u shkëput nga PD-ja në qeveri dhe u bashkua me PS-në, por tashmë sugjeron që ky bashkëpunim të vijojë, duke bërë që të dyja partitë, siç kanë ndarë qeverisjen, të ndajnë edhe përgjegjësitë.

Në këto kushte, bashkëpunimi PS-LSI është normal, sepse ato janë bashkë në qeverisje dhe do të dalin para votuesve me bilancin e punës 4-vjeçare. Nëse votuesit do t'u besojnë përsëri, kjo është një rrjedhë normale. Ashtu siç kanë ndarë dhe kanë qeverisur së bashku, të mbajnë edhe përgjegjësitë”, thotë Legisi.

HETIMI / Gra shtatzëna punonin në magazinën e drogës

Posted: 04 Nov 2016 01:29 AM PDT

Gra shtatzëna në punishten e drogës në Rrëshen. Nevoja ekonomike ka bërë që pavarësisht gjendjes shëndetësore dhe rrezikut për jetën e fëmijës, ato të bëhen pjesë e punishtes së drogës. Policia e Shtetit deklaroi dje se u bë arrestimi i 22 personave në magazinën ku përpunohej droga, në një sasi prej 4.2 tonësh.

Vetëm pasi kaluan mbi 24 orë nga aksioni, policia bëri saktësimin e sasisë së drogës që u gjet në ambientet e ish-pularisë, por të tjera detaje mësohen nga aksioni.

Në punishten e drogës ishin të punësuara 9 vajza e gra, të gjitha banore të Mirditës, mosha e të cilave varion nga 16 deri në 55 vjeçe. Ato shkonin çdo ditë në këtë godinë, e cila ndodhet rreth 500 metra larg qendrës së Rrëshenit, për të marrë një pagesë ditore deri në 2 mijë lekë të rinj.

Për këtë arsye, jo vetëm adoleshentja 16- vjeçare, por edhe një nënë që ishte disamuajshe shtatzënë, rreth 25 vjeçe, ishte pjesë e grupit të përditshëm të punonjësve të drogës. Këtë fakt e bëjnë të ditur burime jozyrtare të Policisë së Lezhës, e cila ishte pjesë e 100 forcave të përfshira në aksionin e zhvilluar të mërkurën, raporton "Panorama".

Vetëm ditën e djeshme, Policia dha informacion zyrtar për magazinën ku po thahej dhe po bëhej gati për tregti lënda narkotike, në një sasi prej 4.2 tonësh. Sipas bluve, si rezultat i operacionit të koduar "Befasia", në të cilin u përfshinë Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë, Komisariati i Mirditës dhe FNSH-të e Tiranës, u proceduan penalisht 32 persona, ku për 22 prej tyre u prenë fletarrestet, ndërsa për 9 të tjerë, që janë femra, u vendos që të hetohen në gjendje të lirë.

Gjithashtu, policia ka shpallur në kërkim pronarin e magazinës, shtetasin Kastriot Reçi, 44 vjeç, banues në Rrëshen. Shumica e të ndaluarve janë nga Mirdita, por bien në sy dhe persona të tjerë, të cilët rezultojnë nga Gjirokastra, Lushnja, Lezha dhe Kurbini.

Nga të dhënat bëhet e ditur se personat e ndaluar janë arrestuar në flagrancë brenda magazinës së drogës, teksa ishin duke punuar në procesin e tharjes dhe të ambalazhimit të saj. Në rrëfimin e tyre para grupit hetimor, ato mësohet të kenë thënë se janë punësuar aty për shkak të kushteve të vështira ekonomike.

Pasi janë marrë në pyetje, ata kanë treguar se paguheshin nga 2 mijë lekë të rinj dhe si pjesë e procedurës së punës ishte pastrimi i kanabisit dhe më pas paketimi i tij, pasi ishte tharë.

Ata punonin edhe gjatë orëve të natës, ndërkohë që kanë deklaruar se kanë punësuar njëri-tjetrin. Dy prej të arrestuarve ishin burrë dhe grua, të cilët prej disa javësh ishin të punësuar në këtë punishte droge.

“Pse më ngacmon motrën?” 17-vjeçari godet disa herë me thikë bashkëmoshatarin

Posted: 04 Nov 2016 01:18 AM PDT

Sherri mes dy adoleshentëve për pak sa nuk ka përfunduar në tragjedi. Një 17-vjeçar është arrestuar nga policia e Mallakastrës.

I riu me inicialet M.B ka tentuar të vrasë bashkëmoshatarin e vet. Ditën e djeshme ai ka goditur disa herë më thikë 17-vjeçarin Rr.A.

Autori i kësaj ngjarje, ishte përjashtuar nga shkolla… Por si një i ri problematik, ai rinte tek dera e shkollës dhe 17-vjeçari Rr.A i kishte kërkuar të mos rrinte aty, pasi i ngacmonte të motrën.

Pas një konflikti me fjalë ata janë përballur në një nga rrugët e qytetit, ku 17-vjeçari M.B e ka qëlluar disa herë me thikë.

I plagosuri fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetën në spitalin rajonal të Fierit.

Shpërthim në Turqi, tensione pas arrestimit të politikanëve kurdë

Posted: 04 Nov 2016 01:15 AM PDT

Turqia vijon të tronditet nga bombardimet. Të paktën një person ka humbur jetën dhe 30 janë plagosur pas një shpërthimi, i cili tronditi një nga lagjet kryesore të  Dijarbakir, qytetit më te madh juglindor të vendit, në të cilin pjesa më e madhe që banojnë janë kryesisht kurdë.

Dhjetëra ambulanca dhe ekipe të ndihmës së shpejte u mblodhën menjëherë në vendngjarje. Më herët, policia turke për shkak të një hetimi për terrorizmin , kishte arrestuar 11 ligjvënës te grupimit pro-kurd të parlamentit, ndër të cilët edhe liderët e Partisë Demokratike Popullore, grupimi i dytë më i madh opozitar në vend.

Ndër të plagosurit, përveç civilëve janë edhe disa oficerë policie, kjo pasi  bomba ishte vendosur në një makinë pranë stacionit të policisë në lagjen Baglar.

Ndërtesa më parë ishte përdorur si një shkollë për kadetët e policisë dhe ndodhej  rreth 200 metra larg  burgut me te madh te qytetit.

Partia e Punëtorëve të Armatosur të Kurdistanit  prej tre dekadash zhvillon kryengritje në Turqinë juglindore, çka bëhet objekt i konfliktit të vazhdueshëm me qeverinë e Ankarasë.

Zbulohet sërish një magazinë droge

Posted: 04 Nov 2016 01:07 AM PDT

Një tjetër vend që përdorej për tharjen e kanabisit është zbuluar nga policia e Gjirokastrës.

Sipas policisë operacioni është zhvilluar në territorin e fshatit Këllëz, Lunxhëri, në një zonë të pyllëzuar.

kapanon 2

Aty u evidentua një kapanon i improvizuar, brenda të cilit u gjetën në proces tharje 370 bimë kanabis.

kapanon 3
Për sasinë e drogës policia thotë se është përgjegjës shtetasi D.G , banor i zonës, i cili është shpallur në kërkim. Lënda narkotike është asgjësuar nga efektivët e policisë me anë të djegies.

Parashikimi i motit, priten rrebeshe

Posted: 04 Nov 2016 01:05 AM PDT

Kushtet e paqëndrueshme atmosferike do të mbeten prezent në vendin tonë edhe gjatë ditës së nesërme, për pasojë vranësirat dhe shirat do të jenë të pranishme.

Më të dendura shirat paraqiten në veri – veriperëndim të territorit. Pjesa e dytë e ditës do të vijojë me vranësira dhe shira në pjesën më të madhe të territorit ku herë pas here do të jenë në formë rrebeshi. Parashikohet që shirat të mbeten prezent edhe gjatë natës ku në ekstremin verior do të jenë me intensitet mesatar.

Temperaturat e ajrit do të rriten lehtë në vlerat e mëngjesit, ndërsa mesdita nuk do të sjellë shumë ndryshim të temperaturave në vend.

Era do të fryjë mesatare në tokë dhe deri e fortë në det duke arritur shpejtësinë maksimale 45 km/h nga drejtimi Jugperëndimor, për pasojë në det do të gjenerohen dallgë 4 ballë.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more