Rama: Rekomandim pa kushte. Do të plotësojmë detyrat Posted: 10 Nov 2016 08:00 AM PST Darina Tanushi Ambasadorja e BE-së në Tirana, Romana Vlahutin i dorëzoi dje zyrtarisht kryeministrit Edi Rama raportin e Komisionit Evropian, ku theksohej çelja e negociatave. Pas takimit, Rama e Vlahutin e cilësuan këtë një lajm pozitiv për Shqipërinë, gjatë një konference të përbashkët shtypi. "Tre vjet më parë, kjo arritje kaq domethënëse në procesin e integrimit dukej një mision i pamundur brenda mandatit tonë të parë qeverisës, por axhenda jonë reformiste dhe një betejë e paepur, e përditshme, pas një vonese të pajustifikueshme, shumëvjeçare, për të çuar përpara reforma rrënjësore, të rënda e me kosto, në çdo sektor, ja ku na ka dhënë të drejtë edhe ndërkombëtarisht. Komisioni Europian e ka vlerësuar aq pozitivisht progresin e bërë përmes reformave në çdo fushë, sa ka ndezur dritën jeshile për çeljen e negociatave për anëtarësim me Shqipërinë", – tha kryeministri. "Kazani i broçkullave, që zien përditë në mexhlisin tonë politik e mediatik, zhurmoi me të madhe për kushtet që do t'i viheshin Shqipërisë. Madje, shqiptarët dëgjuan pa pushim se deri dhe kanabisi do të ishte kusht për çeljen e negociatave, e të tjera e të tjera", – u shpreh Rama. Sipas tij, "Shqipëria, sot e ka marrë rekomandimin pozitiv për çeljen e këtyre negociatave pa kushte dhe vetëm me mirëkuptimin, krejt natyrshëm, që deri në momentin e fillimit të punës në tryezën e negocimit, të vazhdojë pa ndërprerje puna për zbatimin e reformës në drejtësi". "Si mund ta imagjinojmë se negociatat mund të çelën normalisht, nëse, kur ekipet të jenë gati për t'u ulur në tavolinë, nuk do ketë nisur ende zbatimi i vetingut për gjykatësit e prokurorët?! Këtë e kupton çdokush që ka dy fije mend në kokë, por e dinë edhe dritëshkurtrit që e kanë bllokuar përkohësisht vetingun, me kërkesën e turpshme për ta shpallur antikushtetues dhe që janë gati t'i zënë pritë Shqipërisë në rrugën drejt negociatave, për arsye që dihen", – tha Rama, edhe pse i shtriu opozitës dorën e bashkëpunimit. Ambasadorja e BE-së Romana Vlahutin, gjatë fjalës së saj e cilësoi rekomandimin një hap të madh, por shtoi se tashmë Shqipërisë i duhen përpjekje të mëtejshme dhe shtesë në luftën kundër krimit të organizuar kundër korrupsionit, si dhe duhet një veprim parandalues më i plotë në luftën kundër kanabisit. "Shqipëria e meriton këtë rekomandim, por nuk duhet të harrojë zbatimin e mëtejshëm të reformës në drejtësi dhe në veçanti vetingun. Mos lini mënjanë 5 prioritetet kyçe. Thelbi i çështjes është sundimi i ligjit. Duhet të ketë përpjekje shtesë në luftën kundër krimit të organizuar kundër korrupsionit me një historik më të besueshëm dhe të prekshëm sidomos në ndjekjen penale dhe dënime për rastet e nivelit të lartë në veçanti. Këtu përfshihet edhe lufta kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit, ku pritet të ketë një veprim më parandalues, më të plotë", – tha Vlahutin. Për Vlahutin, "rekomandimi i sotëm është një hap tjetër i madh në rrugëtimin e BE-së. BE-ja do vazhdojë t'ju mbështesë në reformat që do të ndërmerrni". |
Viktima në Mat, familjarët: Xhevahiri nuk është mbytur, por është vrarë Posted: 10 Nov 2016 08:00 AM PST Enver Doçi MAT Vëllai im është zhdukur që mëngjesin e së martës dhe ende nuk është bërë e mundur gjetja e trupit të tij. Ne kemi dyshime të forta se ai nuk është mbytur, por është vrarë. Kjo për faktin se kanë kaluar më shumë se 24 orë dhe ende nuk është gjetur trupi i tij. U bëjmë apel organeve përkatëse që të nisin hetimet për zbardhjen e kësaj ngjarjeje”. Kështu deklaroi dje Sokol Ndoj, vëllai i 44-vjeçarit Xhevahir Ndoj, i cili sipas burimeve zyrtare të policisë së Matit, mëngjesin e së martës u rrëmbye nga ujërat e përroit të fshatit Plan i Bardhë. Një ditë pas ngjarjes, familjarët e viktimës hedhin dyshime të forta në lidhje me këtë ngjarje. Ndërkohë, ata shprehen se kanë bërë vetë kërkime me orë të tëra, ndërsa nuk janë ndihmuar nga shteti për gjetjen e babait të 4 vajzave. REAGIMI I FAMILJES NDOJ “Nuk kemi marrë asnjë ndihmë nga shteti për gjetjen e trupit të vëllait që banonte në fshatin Plan i Bardhë. Një banor i zonës na tha se ai është rrëmbyer me gjithë makinë nga përroi. Por, nuk jemi të sigurt nëse personi që është marrë nga rrjedha ishte vëllai ynë. Ne dimë se Xhevahiri ka qenë mëngjesin e së martës në banesën e tij së bashku me një punëtor. Pasi kanë pirë kafe bashkë, vëllai e ka çuar me makinë punëtorin tek vendi ku ai punonte. Ndërsa, teksa po kthehej, Xhevahiri i cili punonte tek Rruga e Arbrit është marrë nga rrjedha me gjithë automjet. Pasi na dhanë lajmin, ne bashkë me banorët dhe policinë kemi kërkuar nga përroi Plan i Bardhë deri tek Ura e Lumit Mat dhe nuk kemi gjetur asgjë”, tha Sokol Ndoj nga fshati Karicë e Klosit. Ky i fundit bëri apel që kërkimet për gjetjen e trupit të vëllait të tij të bëhen nga ushtria. “Nuk mjaftojnë vetëm forcat e policisë, por duhet të angazhohet dhe ushtria për gjetjen e vëllait, nëse ai është mbytur, pasi ne kemi dyshime të forta për këtë. Ndërkaq, falënderoj Bashkinë e Klosit, e cila ka angazhuar 200 forca, përfshirë edhe rojet private për të bërë kërkime. Forcat janë ndarë grupe-grupe, por deri tani nuk kemi gjetur gjë”, tha vëllai i 44-vjeçarit që u deklarua se është mbytur. Ndërkaq, ka reaguar më ashpër xhaxhai i viktimës, Mustafa Ndoj. “Ne nuk jemi fare të qartë se çfarë ka ndodhur realisht. Nëse nipi im është mbytur, i bëj thirrje ministres Kodheli që të na ndihmojë për të gjetur trupin e tij. Ne kemi bërë kërkime, por deri tani është gjetur vetëm makina, e cila nuk dihet nëse është e nipit. Duhet të bëhet ekspertiza për të saktësuar një gjë të tillë. Dyshojmë se Xhevahiri është mbytur. Nuk ka mundësi që uji i përroit të marrë me vete një automjet 3 tonë. Këtu bëhet fjalë për një krim që duhet hetuar nga organet kompetente”, deklaroi Mustafa Ndoj. |
Raporti i KE: Drejtësia në Shqipëri është e ngadaltë dhe e paefektshme Posted: 10 Nov 2016 08:00 AM PST Darina Tanushi Raporti i Komisionit Evropian, i dorëzuar dje, zyrtarisht te drejtuesit e shtetit shqiptar përcakton detyra konkrete për 33 kapituj të negocimit me Bashkimin Evropian. "Gazeta Shqiptare" zbardh sot pikat e raportit. Në pjesën e kritereve politike vlerësohet miratimi me konsensus i ndryshimeve kushtetuese, pavarësisht polarizimit të mëparshëm. Duke pasur parasysh zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme që do të mbahen në vitin 2017, Shqipëria pritet të miratojë në kohën e duhur ndryshimet e Kodit Zgjedhor dhe reformat që lidhen me të. Ato duhet të trajtojnë veçanërisht mungesën e paanësisë dhe profesionalizmit të administratës zgjedhore. Sistemi gjyqësor i Shqipërisë ka njëfarë niveli përgatitjeje, thuhet në raport, por administrimi i drejtësisë ka vazhduar të jetë i ngadaltë dhe i paefektshëm, korrupsioni ka vazhduar të mbizotërojë në gjithë sektorin. Shqipëria ka njëfarë niveli përgatitjeje në luftën kundër korrupsionit, thotë raporti, por duhen më shumë përpjekje, nevojiten për të luftuar korrupsionin në nivelin e lartë. KE vlerëson se bashkëpunimi mes policisë dhe prokurorisë duhet forcuar më tej për të shkatërruar në mënyrë më efektive rrjetet kriminale. Ndërsa, liria e shprehjes vlerësohet si një ecuri "në një farë niveli", megjithatë thuhet se "mjedisi i përgjithshëm është i favorshëm për lirinë e shprehjes". KE vlerëson se ka rritje ekonomike, por borxhi publik është i lartë dhe ende nuk ka nisur të ulet, ndërsa realizimi i ulët dhe i përsëritur i shpenzimeve qeveritare për investimet vazhdon. Parlamenti Megjithatë, polarizimi politik mbeti i lartë, duke penguar edhe dialogun politik dhe proceset teknike. Opozita ka pasur bojkote të pjesshme e jetëshkurtra në disa raste. Etika parlamentare nuk i përmbush dispozitat rregullatore dhe pritshmërinë e publikut. Kodi i Etikës, i cili ka qenë në procedurë parlamentare që nga fillimi i vitit 2016, është në pritje të miratimit. Administrata publike Shqipëria ka ecur në mënyrë të moderuar sa i përket reformës në administratën publike. Janë bërë disa përparime në reformën e administratës publike, në veçanti me procedura më transparente të rekrutimit për nëpunësit civil. Në vitin e ardhshëm, Shqipëria duhet në veçanti: . Të lidhë më shumë buxhetin vjetor dhe programin afatmesëm të buxhetit me njëri-tjetrin dhe me strategjitë e vazhdueshme për reforma dhe prioritetet e qeverisë. . Forcimin e kapaciteteve të burimeve njerëzore. . Harmonizimin e plotë të legjislacionit të sektorit përkatës me kodin e procedurave administrative dhe të miratojë aktet nënligjore për të siguruar zbatimin koherent. Funksionimi i gjyqësorit Sistemi gjyqësor në Shqipëri ka një nivel të përgatitjes. Është bërë progres i mirë në vitin e kaluar, sidomos përmes miratimit të një sërë amendamentesh kushtetuese, që hapën rrugën për reformën e plotë të drejtësisë. U miratua ligji për rivlerësimin e gjyqtarëve, prokurorëve dhe këshilltarëve ligjorë. Si pjesë e masave për të luftuar korrupsionin dhe për të rikrijuar besimin e publikut në gjyqësor, ligji parashikon rivlerësimin (verifikimit), në bazë të 3 kritereve: integritetit përmes vlerësimit të aseteve, vlerësimi përmes mjedisit shoqëror (lidhjeve të papërshtatshme me krimin e organizuar) dhe kompetencën profesionale. Aplikimi i tij është pezulluar nga Gjykata Kushtetuese, e cila po shqyrton kushtetutshmërinë e tij dhe ka kërkuar një opinion nga Komisioni i Venecias. Për më tepër, një sërë ligjesh organike, të identifikuara nga legjislatori shqiptar si prioritet për zbatimin e reformës në drejtësi janë miratuar. Nuk ka pasur progres në plotësimin e rekomandimeve të tjera të identifikuara të vitit të kaluar, përkatësisht plotësimin e vendeve të lira në Gjykatën e Lartë dhe gjykatave administrative; përdorimi efektiv i sistemit të unifikuar të menaxhimit të lëndëve dhe publikimi në kohën e duhur të të gjitha vendimeve gjyqësore së bashku me bazat e tyre. Për të përmbushur prioritet kyçe në reformën e sistemit të drejtësisë, në vitin e ardhshëm, Shqipëria duhet në veçanti: . Implementimi paraprakisht i dispozitave të reja kushtetuese, gjithashtu përmes miratimit dhe zbatimit të legjislacionit përkatës. . Ndjekja e reformave sektoriale në kuadër të strategjisë së miratuar së fundmi. . Të ndërtojë trupat e vetingut dhe të fillojë të ketë rezultate fillestare në procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Lufta kundër korrupsionit Në luftën ndaj korrupsionit është arritur një farë niveli përgatitjeje. Është arritur progres gjatë vitit të kaluar, sidomos përmes miratimit të ligjit për mbrojtjen e "bilbilfryrësve", ligjin për krijimin e një organi të specializuar dhe të pavarur antikorrupsion dhe rritjen e aksesit për regjistrat kombëtarë elektronikë publikë për prokurorët dhe policinë. Megjithatë, korrupsioni mbetet i përhapur në shumë fusha dhe vazhdon të jetë një problem. Nuk ka përparim në amendimin e legjislacionit për përgjimet dhe mbikëqyrjen, afatet kohore për hetimet dhe pranueshmërinë e provave para gjykatës. Pavarësia dhe efektiviteti i institucioneve të ngarkuara me luftën kundër korrupsionit vazhdon të jetë i kufizuar nga presioni politik dhe kapacitete të dobëta administrative. Në vitin e ardhshëm, Shqipëria duhet në veçanti: . Të demonstrojë progres të mëtutjeshëm në krijimin e një historiku solid të hetimeve, ndjekjeve penale dhe dënimeve në luftën kundër korrupsionit në të gjitha nivelet, duke përfshirë rikuperimin e pasurive. Të sigurojnë hetim të shëndoshë dhe ndjekjen penale të rasteve të referuara në prokurori nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit e Kontrollit dhe Pasurive dhe Konfliktit të Interesit dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit (ILDKPKI). . Të ndryshojë legjislacionin për përgjimet dhe mbikëqyrjen, afatet për hetimet dhe pranueshmërinë e provave para gjykatave për t'i bërë hetimet në rastet e korrupsionit më efikase, në përputhje me standardet evropiane dhe praktikat më të mira. . Ndryshimin e kuadrit ligjor për financat e partive politike, për të krijuar një sistem efektiv dhe të përgjegjshëm të auditimit. Lufta kundër krimit të organizuar Vendi ka arritur në një nivel të përgatitjes në luftën kundër krimit të organizuar. Në përgjithësi, është bërë progres, në mënyrë të veçantë në identifikimin dhe shkatërrimin e parcelave me kanabis. Megjithatë, policia dhe prokuroria nuk arrijnë të identifikojnë bandat kriminale pas kultivimit të drogës dhe trafikimit, si dhe efikase gjyqësore ndjekjes në procedurë penale sigurohet rrallë. Ka pasur pak progres në përmbushjen e rekomandimeve të identifikuara të vitit të kaluar. Megjithatë, bashkëpunimi në mes të policisë dhe prokurorisë duhet të forcohet edhe më tej në mënyrë që ata të mund të shpërbërë rrjetet kriminale në mënyrë më efikase. Numri i dënimeve përfundimtare në rastet e krimeve të organizuara është ende i kufizuar, duke shënuar vetëm një rritje të lehtë në vitet e fundit. Shqipëria duhet në veçanti: . Të demonstrojnë progres të mëtejshëm për krijimin e hetimeve solide, ndjekje penale dhe dënime përfundimtare kundër grupeve të krimit të organizuar, duke përfshirë konfiskimin e aseteve kriminale dhe me sukses të çmontimit rrjeteve kriminale. . Të lidha ligjet relevante me standardet evropiane dhe praktikat më të mira, në veçanti ligjin e antimafias, Kodin e Procedurës Penale dhe legjislacionin për përgjimet dhe mbikëqyrjen, afatet kohore për hetimet dhe pranueshmërinë e provave. . Të decentralizojë forcat e specializuara të policisë, të shpërndajë burimet adekuate për luftën kundër krimit të organizuar dhe zbatuar një politikë efektive të burimeve njerëzore, duke përfshirë në bazë të meritave rekrutimit, promovimit dhe transferimit brenda policisë dhe prokurorive. Të drejtat e njeriut dhe mbrojtja e minoriteteve Kuadri ligjor për mbrojtjen e të drejtave të njeriut është përgjithësisht në përputhje me standardet evropiane dhe Shqipëria ka ratifikuar konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Megjithatë, zbatimi i të drejtave të njeriut mbetet të forcohet. Liria e shprehjes Vendi ka një farë niveli përgatitjeje në fushën e lirisë së shprehjes. Megjithatë, nuk ka pasur progres në këtë fushë gjatë vitit të kaluar. Rekomandimi vitet e fundit për të rritur transparencën e reklamave qeveritare në media nuk është adresuar. Mjedisi i përgjithshëm është përgjithësisht i favorshëm për ushtrimin e lirisë së shprehjes, por zbatimi mbetet një sfidë edhe në zonat ku ka një bazë të shëndoshë ligjore. Në vitin e ardhshëm, vendi duhet në veçanti: . Të përshtatë legjislacionin në përputhje me praktikat më të mira ndërkombëtare për reklamat shtetërore për të rritur transparencën. . Të sjellë kufizime pronësie për operatorët kombëtare në përputhje me standardet relevante ndërkombëtare. . Të forcojë më tej pavarësinë e autoritetit rregullator dhe transmetuesin publik. Ekzistenca e një ekonomie tregu funksionale Shqipëria ka përgatitje të moderuar në zhvillimin e një ekonomie funksionale të tregut. Janë bërë disa përparime në përmirësimin e bilancit buxhetor, duke luftuar informalitetin dhe reformimin e sektorit të energjisë elektrike. Reforma gjithëpërfshirëse gjyqësore ka filluar dhe duhet të zbatohet plotësisht për të përmirësuar ndjeshëm mjedisin e biznesit. Lëvizja për punë Shqipëria është në një fazë të hershme në lirinë e lëvizjes së punëtorëve. Nuk ka pasur progres në këtë fushë. Në vitin e ardhshëm, Shqipëria duhet: . Të ndjekë negocimin dhe zbatimin e marrëveshjeve të reja dypalëshe për sigurimet shoqërore, kryesisht me shtetet anëtare të BE. Prokurimet publike Shqipëria ka njëfarë niveli të përgatitjes në prokurimin publik. Ka nevojë për përpjekje për të përmirësuar pajtueshmërinë me procedurat dhe parandalimin e korrupsionit në ciklin e prokurimit. Nuk është bërë progres, është bërë në vitin e kaluar me përafrimin e mëtejshëm me 'acquis', në veçanti në forcimin e sistemit të shqyrtimit të prokurimit publik. Në vitin e ardhshëm, Shqipëria duhet në veçanti: . Të marrë hapa për të lidhur sistemin publik të shqyrtimit të prokurimit me standardet mbi pavarësinë e vendosur në 'acquis' përkatëse. . Të marrë masa për të adresuar rekomandimet e studimeve të fundit, për të forcuar respektimin e rregullave dhe efikasitetin e procedurave të prokurimit të prokurimit, rritjen e transparencës dhe forcimin e monitorimit. . Harmonizim të mëtejshëm me rregullat e prokurimit publik të BE-së, përfshirë në fushën e koncesioneve dhe prokurimeve të mbrojtjes dhe ngritjen e një regjistri koncesionesh të partneritetit publik- privat. Shoqëria e informacionit dhe media Shqipëria ka përgatitje të moderuar në fushën e shoqërisë informative dhe mediave audio-vizuale. Disa përparime janë bërë vitin e kaluar me krijimin e një shoqërie të informacionit, ndërkohë që nuk ka pasur përparim në politikën audio-vizuale. Vendi ka dështuar në zbatimin e kalimit dixhital dhe në garancitë ligjore mbi pronësinë pluraliste të mediave. Transporti publik Shqipëria ka një farë niveli përgatitjeje në fushën e politikave të transportit. Megjithatë, është e nevojshme më shumë punë për forcimin e kapaciteteve administrative për llojet e transportit hekurudhor dhe detar. Energjia Shqipëria ka përgatitje të moderuar në këtë fushë. Ka pasur pak progres në linjat e sektorit të gazit dhe të interkonjeksionit, por vendi ka bërë progres të vogël vetëm për masat e buta, për të cilat është rënë dakord për procesin e Berlinit. Taksimi Shqipëria ka përgatitje të moderuar në fushën e tatimeve. Është arritur progres, në veçanti në përafrimin legjislativ me 'acquis' për tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH) dhe akcizën. Performanca e të ardhurave në vitin 2015 ka tejkaluar objektivat, kryesisht rezulton nga luftimi i ekonomisë joformale. Politikat monetare dhe ekonomia Shqipëria ka përgatitje të moderuar në fushën e politikës ekonomike dhe monetare. Disa përparime janë bërë në mënyrë të veçantë, duke prezantuar një rregull bazë fiskal dhe forcimin e planifikimit buxhetor afatmesëm. Në vitin e ardhshëm, Shqipëria duhet të bëjë përpjekje të mëtejshme për të përmirësuar politikëbërjen ekonomike, në veçanti: për zbatimin e dispozitave të reja të ligjit të ndryshuar Organik të Buxhetit si dhe për reduktimin e borxhit, mbikëqyrjen e partneritetit publik-privat dhe realizimin e buxhetit të vitit zgjedhor. Politikat sociale dhe punësimi Shqipëria ka një farë niveli të përgatitjes në politikës sociale dhe punësimit. Shkalla e punësimit dhe pjesëmarrja në tregun e punës mbetet i ulët dhe ekonomia informale është ende një ofrues i rëndësishëm i punës. Drejtësia, liria dhe siguria Shqipëria ka një farë niveli të përgatitjes për zbatimin e 'acquis' dhe standardet evropiane në këtë fushë. Është arritur një përparim. Hapat janë marrë për të përmirësuar kapacitetin institucional për menaxhimin e kufijve, azilit dhe luftën kundër terrorizmit. Numri i kërkesave të pabaza për azil të paraqitura nga shtetasit shqiptarë në BE mbetet në një nivel të qëndrueshëm dhe kërkon veprime konkrete. Politika e jashtme, siguria dhe mbrojtja Shqipëria ka një nivel të mirë të përgatitjes në politikën e sigurisë dhe të mbrojtjes së jashtme dhe ka bërë progres gjatë vitit të fundit. Shkatërrimi i municioneve të tepërta konvencionale është përfunduar. Regjistri online i armëve dhe municioneve nën administrimin e Policisë së Shtetit është plotësisht funksional. Në politikën e përbashkët të jashtme dhe të sigurisë, Shqipëria ka vazhduar të demonstrojnë përkushtim të qartë në mbështetjen e pozitave promovuara nga BE-ja për paqe dhe siguri. Shqipëria ka vazhduar të marrë pjesë në misionet e menaxhimit të krizave civile dhe ushtarake. Në vitin e ardhshëm vendi duhet në veçanti të finalizojë shkatërrimin e rezervave të mbetura të armëve të vogla e lehta dhe të përmirësojë gjendjen e depove. |
Kërcënimi i mjekëve: Ndryshoni Kodin Penal, ose s’vijojmë punën! Posted: 10 Nov 2016 08:00 AM PST Ndryshoni Kodin Penal për dënimin e ‘Mjekimit të Pakujdesshëm’ në të kundërt, vijimi i punës nga mjekët nën një klimë gati terrori dhe kërcënuese për lirinë e tyre është i pamundur dhe me pasoja po kaq të rrezikshme për shëndetin dhe jetën e pacientëve”. Kjo është deklarata e fortë e firmosur nga 18 shoqata të mjekëve, të gjithë emra të njohur e me peshë në mjekësinë shqiptare. Ata i kanë çuar të gjitha instancave shtetërore një letër, duke marrë shkas nga proceset e shumta gjyqësore apo arrestimet ndaj mjekëve në vitet e fundit. Në letrën e tyre, ata sqarojnë se institucionet shëndetësore nuk marrin asnjë lloj përgjegjësie penale në legjislacionin tonë, ndërsa i vetmi që goditet është mjeku edhe kur “pakujdesia” vjen si pasojë e problemeve në sistemin shëndetësor. Në legjislacionin penal shqiptar, në nenin 96 të Kodit Penal, është parashikuar që vepra penale e “Mjekimit të pakujdesshëm” dënohet me gjobë ose dënim deri në 5 vite. Po kjo vepër, kur ka shkaktuar infektim të të sëmurëve me infeksion HIV/AIDS dënohet me burgim nga 3-7 vite”. Sipas 18 mjekëve të njohur të përfaqësuar nga shoqatat e tyre, në botë çështjet e pakujdesisë mjekësore janë çështje civile, ndërsa në Shqipëri janë penale. “Përse ‘Pakujdesinë’ në Kujdesin Mjekësor bota e trajton si çështje civile? Pasi çështjet civile, në dallim me ato penale, kanë nivel të ulët prove dhe këtu hyn edhe mjekësia, e cila nuk është një shkencë e saktë. Mjekimi i pakujdesshëm kurrsesi nuk mund të përdoret si baza e një aktakuze, përndryshe do të futeshin në burg të paktën një herë përgjatë jetës gati 50 për qind e mjekëve dhe kryesisht ata të rinj”, shkruhet në deklaratën e mjekëve. Sipas tyre, në trajtimin e rasteve të tilla, shteti dhe ligjbërësit duhet të marrin parasysh edhe interesin publik, pasi Shqipëria sot ka rreth 3.4 mjekë për 1000 banorë (gati 3 herë më pak se mesatarja evropiane). Mjekët klinicistë do të humbin kështu lirinë për diagnostikimin dhe trajtimin rutinë të pacientëve, sidomos atyre me risk të lartë. Mjekët theksojnë faktin se në legjislacionin tonë penal nuk parashikohet deri më sot asnjë përgjegjësi konkrete penale për vetë institucionin mjekësor dhe sistemin ku mjeku ofron shërbimet mjekësore. “Kodi Penal përjashton automatikisht nga përgjegjësia institucionin mjekësor dhe sistemin e ndërtuar prej tij edhe për kushtet kur kemi të bëjmë me gabime të sistemeve shëndetësore, pra gabime të cilat rezultojnë gjatë zbatimit të rregulloreve apo urdhëresave, të cilat disiplinojnë shërbimet mjekësore. Nuk mund të pretendohet të gjendet përgjegjësia penale në çdo rast vetëm te mjekët, të cilët në të gjitha rastet fatkeqe të ndodhura në spitalet e institucionet shëndetësore janë të vetmit të cilët hetohen, ndalohen, madje dhe arrestohen nga ana e prokurorisë sikur të ishin kriminelë të rëndomtë, në kushtet kur këta mjekë janë duke ushtruar detyrën e tyre dhe përveç rasteve të veprimeve dhe neglizhencës të rëndë konkrete te pacienti nuk mund të jenë përgjegjës për vetë funksionimin e sistemit”, theksojnë profesorët. Ata kërkojnë rishikimin e legjislacionit penal duke insistuar se: Sjellja përpara përgjegjësisë konkrete penale/administrative të institucioneve mjekësore, të spitaleve e personave juridikë, për mosfunksionimin e mosgarantimin e funksionimit të sistemit është tashmë një domosdoshmëri. |
Putin: Të stabilizohen marrëdhëniet me SHBA Posted: 10 Nov 2016 08:00 AM PST Fitorja e kandidatit republikan Donald Trump në krye të Shtëpisë së Bardhë shkaktoi shok në mbarë botën dhe tronditi tregjet, por duket se ka gëzuar presidentin rus Vladimir Putin. Brenda pak orëve nga fjalimi i fitores së Trump, Putin e përgëzoi atë dhe deklaroi mbështetjen e Moskës për të rivendosur plotësisht marrëdhëniet, aktualisht të tensionuara për shkak të Sirisë dhe mënyrës se si duhet përballuar konflikti atje. Trump ka folur për rivendosjen dhe përmirësimin e marrëdhënieve me Rusinë. "Jemi të ndërgjegjshëm që rruga drejt kësaj do të jetë e vështirë, duke marrë parasysh gjendjen aktuale degraduese të marrëdhënieve mes SHBA-ve dhe Rusisë", – tha Putin për televizionin kombëtar rus. "E dimë se nuk ka për të qenë një rrugë e lehtë, duke pasur parasysh fatkeqësisht nivelin e degradimit të marrëdhënieve dypalëshe. Por Rusia tani është e gatshme të bëjë gjithçka është e mundur për stabilizimin e marrëdhënieve me Amerikën", – tha Putin. Më herët, Kremlini deklaroi se Putin kishte shprehur mirëbesimin e ndërtimit të një dialogu konstruktiv mes Moskës dhe Uashingtonit. Rusët i kanë ndjekur nga afër zgjedhjet në Amerikë dhe shumë e përgëzuan fitoren e Trump, duke e konsideruar si një hap pozitiv për tregjet financiare. |
Pse gabuam ne shqiptarët me Donald Trump-in? Posted: 10 Nov 2016 08:00 AM PST Mentor Kikia Pasi iu bashkuam masivisht një "mbështetjeje" të justifikuar, morale e shpirtërore për kandidaten Hillary Clinton, si pasojë e kontributit të presidentit Bill Clinton dhe të asaj vetë në çështjen shqiptare; pasi kontestuam kandidaturën e Donald Trump, nisur më shumë nga fakti se ai ishte kundër emigrantëve dhe ne si popull e shikojmë veten të gjithë kandidatë për emigrantë, pasi s'kemi gjetur zgjidhje tjetër për të ardhmen tonë deri tani; pasi u dhamë mend amerikanëve nëpër rrjete sociale, studio televizive, gazeta e salla konferencash; pasi shprehëm opinionin tonë, në shumicë, nga i pari i vendit deri tek i fundit, se Trump nuk bën për president, më në fund mbetëm gojëhapur: Mossssss! Amerikanët e votuan, e bënë president! Unë nuk bëj pjesë tek ata që thonë pas kësaj se 'unë e kisha parashikuar'. Jo, unë nuk e prisja, dhe nuk jam i bindur nëse amerikanët kanë bërë zgjidhjen e duhur, edhe pse isha i bindur se Clinton nuk do të ishte presidentja që i duhet Amerikës në këtë kohë. Por di të them me siguri se amerikanët, kur kanë votuar, nuk kanë menduar siç mendojmë ne, dhe kandidatët i kanë parë nga këndvështrime të ndryshme. Jo vetëm nga ne, por nga tërë Europa dhe bota, numri i njerëzve dhe qeverive të shokuara është vërtet i madh. Amerikanët kishin nevojë për një ndryshim, dhe këtë ndryshim nuk ua sillte dot Hillary Clinton, që përfaqëson vazhdimësinë e një pushteti 16-vjeçar dhe një administrate të konsumuar. A do ta sjellë Trump? Historia ka treguar se popujt kanë bërë edhe zgjedhje të gabuara, nga nevoja dhe dëshira për të bërë punë të mira. Por, se si do të qeverisë Trump, duhet të presim. Ndërkohë, skenaristët e "fundit të botës" duhet të bëjnë durim të shkruajnë mbi fatalitetin që na pret si pasojë e presidencës së Donald Trump. Unë nuk besoj se Trump do të bëjë shumë gjëra nga ato që premtoi në fushatë, si muri meksikan apo dëbimi a ndalimi i myslimanëve që të futen në SHBA. Megjithatë, kjo është çështje e së ardhmes dhe orakujt do të gabojnë të gjithë, me siguri, pasi Trump mund të jetë një president shumë më i mirë nga sa mendojnë optimistët, apo edhe shumë më i keq nga sa mendojnë pesimistët. Por një gjë ai e bëri: e shkundi status quo-në politike, në partinë më konservatore jo vetëm në SHBA, duke iu imponuar asaj dhe shoqërisë amerikane dhe duke demonstruar vlerat e demokracisë së këtij vendi të madh. Ai u nominua duke pasur kundër, nga kryetari i partisë, deri te figurat më të shquara dhe emblematike të republikanëve, përfshirë edhe dinastinë "Bush", që ishte përgatitur të hidhte në ring Bushin III. Ai shkatërroi mitin e veteranit të luftës, që ishte shndërruar në asetin më të rëndësishëm politik të çdo kandidati, në çdo nivel. Ai dëshmoi se vota e njerëzve është më e rëndësishme se çdo marrëveshje apo pazar politik në zyrat e partive, dhe arriti të marrë edhe votat e anëtarëve të partitë, edhe votat e qytetarëve amerikanë më pas. Habia shqiptare që Trump fitoi erdhi pikërisht sepse, parë nga vatha jonë, ai nuk mund as të kandidonte, sepse kishte kundër krerët e partisë. Dhe ne kemi të drejtë të mendojmë kështu, pasi në vathën tonë, pa miratimin e kryetarit të partisë askush nuk mund të bëhet as deputet, as kryetar bashkie, as drejtor shkolle e as pastruese materniteti. Nga vatha jonë, ne e pamë Trump-in si një biznesmen të krimbur në para që befas iu tek të bëhej president dhe doli në skenë. Jo – thamë, – nuk mund ta lejojnë një ndërtues aventurier të marrë drejtimin e Amerikës. Sepse këtu, këtyre biznesmenëve, partitë u marrin paratë, u vënë emrin në lista, i bëjnë deputetë dhe nuk i lejojnë as të flasin, pasi nuk dinë as të shkruajnë e as të lexojnë fjalime. Dhe media në fakt iu kundërvu ashpër e masivisht atij, deri ditën e fundit, sikundër edhe shumë figura të shquara, këngëtarë e aktorë u shprehën publikisht kundër. Por ne harruam se Amerika është një vend ku presidentët nuk i zgjedhin mediat dhe ambasadat e huaja, e aq më shumë peticionet e intelektualëve. Atje i zgjedh populli. Amerika është vendi ku vota e njeriut që mbledh gjethet në park ka të njëjtën vlerë me atë të një miliarderi. Ai është vendi ku vota e një gruaje obeze që pastron shtëpitë, ka të njëjtën vlerë me votën e Kim Kardashian. Ai nuk është vendi ku kandidatët mbledhin rreth vetes horrat e kriminelët që të bindin(detyrojnë) fisin dhe lagjen si të votojnë. Ai nuk është vendi ku të varfrit mblidhen si kope te klubi i fshatit dhe u shpërndahen nga 10 dollarë(në ekuivalent leku) për të shitur votën. Ai është vendi ku, nëse dikush mendon apo dëshiron të hyjë në garë, hyn dhe askush nuk e ndalon. Edhe kur ka shumicën kundër. Ai është vendi ku, nëse dikush punon fort, e fiton garën. Kjo është Amerika e lirisë, demokracisë dhe mundësive të barabarta! Ndaj, t'i lëmë parashikimet se ç'do t'i punojë botës presidenti i ri amerikan. Është koha që Amerikës të mos i marrim vetëm mbështetjen, por edhe modelin e demokracisë, duke ndrequr ndonjë gjë në këtë vathën tonë, tashmë kur po na vjen dita që të votojmë sërish ca kandidatë për deputetë, që qëndrojnë kokulur dhe turpërisht të bindur para kryetarëve të partive, për të siguruar një vend në listë. |
Rexhep Qosja: A ishin elitë Ahmet Zogu e Esat Pasha apo Avni Rustemi? Posted: 10 Nov 2016 08:00 AM PST Nga Rexhep Qosja ELITË INTELEKTUALE DHE POLITIKE APO ELITË KOLONIALE? A kemi elitë intelektuale? A kemi elitë politike? Në qoftë se themi, Jo, s'kemi elitë intelektuale, atëherë do të na jepet përgjigje me plot hidhërime dhe dyshime: – Si s'kemi elitë intelektuale kur kemi aq njerëz me fakultete, me magjistratura e me doktoratura, kur kemi aq krijues në fusha të ndryshme krijuese, artistike, shkencore, që njihen dhe gjithnjë e më shumë po çmohen në botë! Në qoftë se themi, Jo, s'kemi elitë politike, atëherë do të na jepet përgjigje edhe me më shumë hidhërim edhe me më shumë dyshime: – Si s'kemi elitë politike kur kemi politikanë e shtetarë me stazh të përjetshëm, që lindin e vdesin në poste, të çmuar në vend, të çmuar në krejt botën shqiptare dhe gjithnjë e më të çmuar edhe në Evropë, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe në botë në përgjithësi! S'kemi elitë as të përkohshme e as të përhershme. Në qoftë se në të dyja pyetjet e sipërshënuara përgjigjemi, prapë, Jo, s'kemi elitë, atëherë togfjalëshat nocionorë elitë intelektuale dhe elitë politike do të duhej, do të ishte mirë, t'i zëvendësonim me togfjalëshat nocionorë klasë intelektuale dhe klasë politike. Nuk kemi elitë intelektuale dhe elitë politike evropiane, me vlera të përmbajtura në mendime evropiane dhe me vlera të përmbajtura në sjellje evropiane, vërtet evropiane, që aq shpesh i theksojnë me gojë e me shkrim, që aq shumë mendojnë se i kanë edhe disa intelektualë, edhe disa njerëz politikë. E në qoftë se nuk kemi elitë intelektuale dhe elitë politike me vlera të përmbajtura në mendime dhe me vlera të përmbajtura në sjellje evropiane, vërtet evropiane, atëherë nuk e di se mund të thuhet: kemi një elitë intelektuale dhe kemi një elitë politike jo evropiane, po shqiptare, që do t'i bënte të mundshme dikujt tjetër të thoshte: elita jonë intelektuale dhe elita jonë politike është elitë provinciale. Në fjalën elitë janë të përmbajtura disa vlera të veçanta, të cilat i quajmë evropiane, por të cilat nuk janë të përmbajtura në mendimet dhe në sjelljet e numrit më të madh të intelektualëve tanë e të numrit edhe më të madh të njerëzve tanë politikë. Ndryshe prej intelektualit evropian, me pavarësi të tillë të mendimeve e të sjelljeve, me identitet të tillë mendor dhe moral, intelektuali shqiptar tradicionalisht ishte dhe është servil, poltron, puthadorës, lehtë, madje vullnetarisht, i nënshtrueshëm ndaj pushtetit dhe ndaj pushtetarëve. Sociologët dhe psikologët dhe politikologët e thonë në studimet e tyre se kjo është prirje mendore dhe morale e intelektualëve orientalë në përgjithësi. Dëshmitë për mendime dhe sjellje të tilla lehtë të nënshtrueshme të intelektualëve tanë kemi pa numër shumë, pothuaj në gjithë jetën tonë politike e shoqërore, pothuaj në gjithë historinë tonë prej se kemi njerëz të shkolluar, me fakultete, në trojet shqiptare, që tash e njëqind e katër vjet disa nga këto troje quhen Shqipëri, që prej mbas Luftës së Dytë Botërore disa quhen rreth, mandej autonomi, kurse prej vitit 2008 shtet i Kosovës. Dëshmi për mendime dhe sjellje të tilla lehtë të nënshtrueshme ndaj pushtetit dhe ndaj pushtetarëve na kanë dhuruar gjithnjë jo vetëm ata me fakultete, jo vetëm të ashtuquajturit intelektualë të zakonshëm, por edhe intelektualët krijues, shkrimtarët, piktorët, skulptorët, kompozitorët, artistët e ndryshëm, studiuesit shkencorë, shkrimtarët e filozofisë e të teorisë. E të tjerë e të tjerë. Por, dëshmitë më treguese, kur më tragjike e kur më komike, për mendime dhe sjellje të tilla servile të krijuesve, më së shumti të shkrimtarëve dhe të studiuesve shkencorë, na janë dhënë në kohën e rendit politik shoqëror dhe kushtetutar juridik komunist, që quhet diktaturë, diktaturë staliniste në Shqipëri, kurse diktaturë vetëqeverisëse, në të vërtetë neostaliniste në Jugosllavi, prandaj edhe në Kosovë. Përjashtimet prej këtij rreshti të nënshtruarish, që himnizonin Partinë e Punës Shtet në Shqipëri dhe Lidhjen e Komunistëve Shtet në Jugosllavi, prandaj edhe në Kosovën e pushtuar prej Serbisë dhe Jugosllavisë, ishin të rralla, të vogla, gati të padukshme. Është thënë prej të tjerëve dhe vazhdon të thuhet prej të tjerëve se të jesh i shkolluar, të kesh fakultet, nuk do të thotë vetvetiu se je intelektual. Jo. Është thënë prej të tjerëve dhe vazhdon të thuhet prej të tjerëve se të kesh magjistraturë a të jesh i doktoruar nuk do të thotë se je intelektual. Jo. Është thënë prej të tjerëve dhe vazhdon të thuhet prej të tjerëve se diplomat e fakultetit, të magjistraturës, të doktoraturës nuk të bëjnë vetvetiu intelektual. Jo. Është thënë prej të tjerëve dhe vazhdon të thuhet prej të tjerëve se të jesh anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë apo i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës a të cilitdo shtet tjetër, të jesh i Akademisë Evropiane a të cilit do kontinent tjetër nuk do të thotë vetvetiu se je intelektual. Jo. Pranimi në cilëndo Akademi të Shkencave a të Shkencave e të Arteve nuk të bën vetvetiu intelektual. Jo. Nuk të bën intelektual sidomos pranimi në Akademinë e Shkencave e të Arteve të Kosovës në të cilën prej gjithsej 24 anëtarëve të saj, 12 janë kryetar, nënkryetar dhe anëtarë të Kryesisë së një Partie e të dy partive simotra të saj, që me shkencë e me arte merren si Ziza e Kiza kur mbesin pa poste politike! Intelektual të bën identiteti i yt origjinal mendor dhe moral. Nuk mund të quhet intelektual ai i cili interesat e përgjithshme ia nënshtron leverdive vetjake. Nuk mund të quhet intelektual ai, i diplomuar, i magjistruar a i doktoruar, ai në cilëndo Akademi të shkencave a të shkencave e të arteve qoftë i pranuar, që vishet e zhvishet nëntë herë në ditë për leverditë vetjake, por s'di ç'do të thotë togfjalëshi të mirat e përgjithshme publike. Jo. Intelektual mund të quhet ai individ i cili e ka pranuar rrezikun që vetvetiu e përmban mospajtimi i shprehur publikisht e jo i fshehur nën flokë a nën flokë e kapuç me të këqijat, që mund të prodhojnë njerëz, organizata, parti, institucione, bashkësi organizatash, institucionesh a shtetesh. Intelektual quhet ai individ, i cili e pranon rrezikun që e përmban kritika me gojë dhe me shkrim në mënyrë publike e padrejtësive, vjedhjeve, zhvatjeve, shtypjeve e të këqijave e delikteve të tjera, që bëjnë individë, shoqata, organizata, parti, institucione, bashkësi organizatash, institucionesh a shtetesh. Intelektual quhet dhe është ai individ që me gojë e me shkrim, publikisht, ngre zërin kundër mashtrimeve, gënjeshtrave, shpifjeve, denoncimeve, fyerjeve që bëjnë pushtetarë, organizata, institucione, bashkësi organizatash a shtetesh. Intelektual quhet dhe është ai individ i cili publikisht ngre zërin kundër pushtetarëve, organizatave, partive, shteteve, bashkësive të organizatave a shteteve siç ishin dikur Perandoria Otomane e Mbretëria Austro-Hungareze, kurse më vonë Bashkimi Sovjetik dhe Jugosllavia, që përndjekin të tjerët, që përndjekin kundërshtarët, qofshin ata kundërshtarë politikë e ideologjikë, qofshin ata krijues të ndryshëm-shkrimtarë a artistë të tjerë, studiues shkencorë, filozofë. E të tjerë. A ka nevojë të theksohet se sa shumë na kanë munguar dhe se sa shumë na mungojnë individët e këtillë, kritikët e këtillë, mospajtuesit e këtillë me të këqijat politike, shoqërore, morale e të tjera, sesa shumë na mungojnë ata që quajmë intelektualë, elitë intelektuale. Nuk e përjashtoj mundësinë që të jetë i madh numri i lexuesve të cilët nuk do të pajtohen me virtytet me të cilat është i pajisur ai që quaj intelektual në këtë krye të librit. Ndodh kështu sepse njerëz të ndryshëm e duan, e çmojnë, madje e adhurojnë nocionin elitë, qoftë kur ai u dhurohet intelektualëve, qoftë kur ai u dhurohet politikanëve, pavarësisht sa pajtohen e s'pajtohen ata me të këqijat politike, shoqërore, shtetërore, pavarësisht sa dinë të ngrenë a s'përtojnë të varin kokën e tyre. Cilëve individë mund t'u dhurohet e cilëve mund t'u mohohet nocioni, në të vërtetë vlerësimi elitë në historinë e në të tashmen tonë? Përgjigjja në këtë pyetje ndoshta mund të jepet më qartë përmes pyetjeve dhe përgjigjeve. Të provojmë. A mund të quhet elitë këshilltari politik i Ali Pashë Tepelenës, i cili kishte ndikim të jashtëzakonshëm në të këshilluarin e tij, i cili e këshillonte atë se çka të bënte në situata të veçanta dramatike, i cili e këshillonte atë si të sillej ndaj shtetasve të ndryshëm dhe ndaj vizitorëve të ndryshëm, i cili e këshillonte atë si të sillej ndaj diplomatëve të ndryshëm, i cili e këshillonte kujt t'ia priste kokën e kënd ta varte apo ishte elitë Hasan Zuko Kamberi, i cili me mosdurim të madh i gjykonte sjelljet prej dhunëtarësh të pashallarëve dhe sjelljen prej puthadori të neveritshëm të këshilltarit të Ali Pashës? A ishin elitë pashallarët shqiptarë që i shërbenin sulltanit dhe zbatonin të gjitha masat e dhunshme pushtetore që ai kërkonte ndaj popullit shqiptar apo ishin elitë Jani Vreto, Zef Jubani, Naim Frashëri dhe Sami Frashëri, që do ta gjykojnë të padurueshëm atë sundim pushtues dhe shërbëtorët e tij shqiptarë. A ishte elitë, elitë politike dhe intelektuale, bejtexhiu që këndonte lumturinë e shqiptarëve në Perandorinë Otomane apo ishte elitë Anton Zako Çajupi, që shkruante për vuajtjet e shqiptarëve në atdhe dhe të shqiptarëve në mërgim, si pasojë e pushtimit nga ajo Perandori duke rrezikuar fatin e vet dhe fatin e veprave të veta? A ishin elitë deputetët shqiptarë në Kuvendin e Perandorisë Otomane, që pajtoheshin me sundimin e xhonturqve, apo elitë ishte Hasan Prishtina që nuk pajtohej me atë sundim? A ishin elitë ata shkrimtarë, ata gazetarë e ata publicistë që e këndonin dhe festonin me shkrimet e tyre Mbretërinë shqiptare të shpallur pas shuarjes së Revolucionit të vitit 1924 me dhunën e bellogardistëve të vendosur në Mbretërinë Serbe, Kroate e Sllovene apo ishin elitë Nonda Bulka, Petro Marko, Millosh Gjergj Nikolla, që me shkrimet e tyre, me sjelljet e tyre tregonin se sa ishin kundër Mbretit Zog dhe politikës së tij feudale? A ishte elitë Ahmet Zogu me të gjithë bejlerët, agallarët dhe bajraktarët, që donin ta mbanin Shqipërinë në një gjendje feudale, që fitimin e kishin të vetmin qëllim, kurse fuqinë të vetmin mjet për sundimin feudal dhe për arritjen e atij fitimi apo elitë ishte Fan Noli që, si askush tjetër, me poezi e me publicistikë, e kishte ngritur zërin kundër pesë të këqijave, pesë anarkive në jetën shqiptare, që prodhonte politika e feudalit Ahmet Zogu me feudalët e tjerë: kundër anarkisë fetare, kundër anarkisë sociale, kundër anarkisë morale, kundër anarkisë patriotike, kundër anarkisë së idealeve? A ishte elitë Esad Pashë Toptani, i cili për t'u mbajtur në pushtet në një pjesë të Shqipërisë, ishte ngritur kundër Ismail Qemalit e gjithë Shqipërisë, duke ua shitur interesat e saj shtetërore dhe kombëtare Nikolla Pashiqit, Serbisë dhe Jugosllavisë, apo elitë kombëtare ishte Avni Rrustemi që në Paris do ta shpëtojë Shqipërinë prej atij vasali të Serbisë dhe tradhtarëve të mbledhur rreth tij? Ne jemi fajtorë, ne qytetarët, ne, sovrani, pse kënga e servilizmit mendor vazhdon të këndohet në jetën tonë aq gëzueshëm edhe sot si dje. Qytetarët, sovranët e vetëm, do të duhej të kenë ilaçin politik e moral si për valltarët politikë të indoktrinuar, ashtu edhe për ata të rrahur me kamxhik. |
DITA E PARË E PANAIRIT, BESNIK MUSTAFAJ E FLUTURA AÇKA: LEXOHET SHUMË PAK Posted: 10 Nov 2016 08:00 AM PST Ka nisur të mërkurën në Tiranë, panairi i 19-të i librit. Hapjen e shënoi një tryezë ku u mblodhën botues e shkrimtarë për të folur për problematikat e librit, probleme të shpërndarjes, shitjes, leximit e përkthimit. Mes tyre, qenë shkrimtarja e botuesja Flutura Açka, Parid Teferiçi, Henri Çili, Alfred Lela etj. Petrit Ymeri, kryetar i Shoqatës së Botuesve, ritha para mediave, uljen e tirazhit të botimeve dhe problemet me leximin. I pranishëm në hapje, shkrimtari Besnik Mustafaj u shpreh se marrëdhënia e tij me librin është specifike, në kuptimin që, ai është një lexues shumë i madh që nga fëmijëria, por dhe autor librash në prozë, në poezi dhe në eseistikë. “Përplasja ime brenda vetes gjatë politikës (kur merresha me politikë aktive) ishte kur nuk arrita të gjeja kohën për të lexuar, jo thjesht kur nuk arrita të gjeja kohën për të shkruar. Pra, nëse arrin një pikë kur njeriu nuk arrin të gjejë kohën për të lexuar, duhet të bëjë një zgjedhje të rëndësishme, që unë personalisht në rastin konkret e bëra”, – tha Mustafaj. Ai shtoi se e konsideron, sidomos në kontekstin shqiptar, një ngjarje këtë panair. “E konsideroj të një rëndësie shumë të veçantë, një mungesë me pasoja të mëdha të rrjetit të shpërndarjes së librit, kemi një mungesë të rrjetit të librarive jashtë Tiranës, brenda Tiranës ka shumë pak librari, pra është një event që ka kuptim feste, sepse mua më ka pëlqyer gjithmonë karakteri entuziast, pjesëmarrja dhe vizitat e shqiptarëve të të gjitha moshave, që nga fëmijët e shkollave e deri te pensionistët, pjesëmarrja e shumë grave që vijnë e vizitojnë dhe blejnë libra me këtë rast”. Sipas tij, është një rast që rrëzon atë që “lexuesit kryesorë në shoqërinë e sotme numerikisht janë shtëpiaket”, gratë që nuk angazhohen me aktivitet profesional jashtë shtëpisë e që kanë shumë kohë. “Do të thotë që do të përputhej edhe letërsia që ato lexonin me serialet televizive. Unë këtu në panair në vazhdimësi kam parë zonja të ftilluara kulturalisht, dinamike profesionalisht. Është një moment kur edhe ne si shkrimtarë kemi rastin të shihemi me botues të huaj e me shkrimtarë të huaj”, – tha ish-ministri i Jashtëm. Flutura Açka kërkoi që 20-vjetori i panairit, që mbahet vitin e ardhshëm, të kthehet në “një festë të vërtetë. Nuk ka qenë e lehtë në këto 19 vite. Duke qenë shkrimtare e botuese, e kuptoj lëvizjen për të parë ça ndodh me libraritë e lexuesin. Në rrethe, e shoh se libraritë konkurrohen nga butikët”. Duke rimarrë fjalën, Petrit Ymeri tha se “nuk jemi akaparuar me politikën, jemi të gatshëm të bashkëpunojmë”. Nga ana tjetër, mori fjalën edhe Parid Teferiçi. “Le t’i lënë sharjet botues-përkthyes apo autorët që shajnë njëri-tjetrin, madje edhe vetë politikanët. Unë shpresoj që libri të akaparojë politikën, jo politika librin. Më vjen keq, se është vend i themeluar nga poetë e shkrimtarë. Ne, nuk e kemi luksin të mos lexojmë, se jemi vendi i Kadaresë. Për të qenë shqiptarë të mirë duhet të jemi lexues të mirë, e duke lexuar shumë do dimë të jemi lexues të mirë”, – tha ai në mbyllje. |
Takaj i jep besim Agostinelit, italiani vijon punën Posted: 10 Nov 2016 08:00 AM PST Ardjan Takaj konfirmon Andrea Agostinelin në krye të stolit të Skënderbeut. Prej ditësh flitej se “dashuria” mes italianit dhe bardhekuqve korçarë kishte mbërritur në stacionin e fundit, teksa nuk munguan nga mediat e ndryshme dhe alternativat për emrin e zëvendësuesit të italianit. Humbja ndaj Flamurtarit ka zemëruar opinionin korçar, që është shprehur hapur kundër Agostinelit. 5 ndeshje pa fitore janë shumë, ndërsa Skënderbeu ka humbur dhe vendin e parë, të cilin e ka marrë Kukësi falë edhe golavarazhit më të mirë. Agostineli ishte larguar për në vendlindje në fundjavë dhe është rikthyer të mërkurën paradite në Shqipëri, për të shkuar menjëherë në Durrës për t’u takuar me Ardjan Takajn. Presidenti ka biseduar për disa orë me trajnerin e tij, ndërsa në fund i ka dhënë sërish besim me shpresën se Skënderbeu do të ndryshojë rezultatet duke filluar nga përballja e radhës me Korabin. Andrea Agostineli do të vijojë kështu punën e tij me Skënderbeun, ndërsa kampionët duhet të mbrojnë titullin nga një betejë e fortë me rivalë që kanë ngushtuar hendekun e viteve të shkuara me korçarët. |
Berisha cakton objektivin: Vendi i tretë është dështim Posted: 10 Nov 2016 08:00 AM PST Pas një viti ëndrrash, ku Shqipëria u bë pjesë e futbollit të madh falë pjesëmarrjes në Kampionatin Europian dhe në një sezon përrallor me Atalantën, ku është mes portierëve me performancën më të mirë në Europë, Etrit Berisha nuk mendon të ndalet. Gardiani kuqezi flet për vendin e dytë në grupin kualifikues të “Botërorit 2018”, si objektivi që duhet realizuar. “Me Izraelin është ndeshja jonë më decizive, sepse luajmë me një kundërshtar direkt për të pasur një mundësi të mirë për të arritur vendin e dytë”. Asnjë lapsus! Çdo rezultat tjetër, që nuk është vendi i dytë dhe një biletë drejt fazës play-off të Kupës së Botës, për Etrit Berishën do të ishte zhgënjim. “Vendi i tretë është një dështim për ne. Në kualifikuese ose shkon, ose nuk shkon. Vendi i tretë nuk është një arritje. Ne do të synojmë vendin e dytë”. Përsa i takon sfidës me Izraelin, “Titi” vlerësoi forcën sulmuese të kundërshtarëve, megjithatë ka besim te Kombëtarja, se do të mbrohet mirë dhe do të krijojë për të gjetur golin e fitores. “Izraeli ka një ekip shumë të fortë në fazën sulmuese. I kemi parë të gjitha stërvitjet e tyre. Ne do të mbështetemi te mbrojtja jonë solide, e cila do të ndihmojë edhe sulmin për të marrë 3 piket”. Spostimi i ndeshjes nga “Loro Boriçi” i Shkodrës në “Elbasan Arena” për arsye sigurie të skuadrës mike nuk e shqetëson gardianin kuqezi, që i fton tifozët në stadium për ta kthyer mbrëmjen e 12 nëntorit në festë kuqezi. “Nuk kemi asnjë shqetësim nga ana e sigurisë, pasi ndeshjet që kemi luajtur më parë kanë qenë të gjitha shumë të sigurta”. Ndërkohë, më pas ishte radha e Ledian Memushajt për t’u pyetjeve të gazetarëve. Mesfushori vlonjat pohoi faktin se skuadra po stërvitet fort dhe se është mirë që ka konkurrencë në ekip. Memushaj gjithashtu largoi vëmendjen nga ndeshja me Italinë, teksa u shpreh: “Italia? Kanë shumë respekt për skuadrën tonë dhe ata e vlerësojnë arritjen tonë të deritanishme. Por ne, na duhet të përqendrohemi tek Izraeli. Po stërvitemi shumë fort për këtë ndeshje. Në kombëtare ka shumë konkurrencë dhe kjo është gjë shumë e mirë. Zgjedhjet janë të trajnerit dhe unë do të përpiqem sa më shumë për të merituar besimin e tij dhe për të dhënë më të mirën”, përfundoi mesfushori i Kombëtares së Shqipërisë. |