Skip to main content

“Pse vazhdon të lëngojë libri shqiptar?!” plus 9 more - Gazeta Shqiptare

“Pse vazhdon të lëngojë libri shqiptar?!” plus 9 more - Gazeta Shqiptare


Pse vazhdon të lëngojë libri shqiptar?!

Posted: 06 Nov 2016 08:02 AM PST

Nga Ben Andoni

Tetori ishte një muaj i veçantë për Tiranën. Ministria e Kulturës, Bashkia e kryeqytetit, IDMC-së, "Tetori gjerman", shkollat e Tiranës e aktorë të tjerë bënë një aktivitet masiv për librin me epigramin: Tirana lexon. Në fakt, iniciativa e Ministrisë së Kulturës ka gjetur mbështetje dhe është përhapur, por kjo është krejt e pamjaftë me gjendjen me të cilën përballet sot libri shqiptar.
Sapo ka mbaruar aktiviteti, duket se Tirana, ka rënë në gjumin e saj letargjik sa i përket librit dhe diçka më shumë qytetet e tjera, ku gjurmët e librit dhe aktivitetet për të janë larg e më larg.
Me pak rreshta, duket se institucionet e kulturës, megjithë mundimin, nuk e përçojnë dot një politikë më dashamire me librin. Në krye të herës i gjithë problemi është financiar. E gjithë shtrëngesa vjen nga sistemi tatimor, që e ka prekur drejtpërdrejtë sistemin libror. Që nga janari i vitit 2013 janë rritur me 50 % taksat e veprimtarive librore të regjistruara (shtëpi botuese, librari, shtypshkronjë) dhe po kaq janë rritur me 50 % tatimi mbi honoraret e krijimtarisë librore. Sistemi i TVSH-së mbi librin është i çorientuar. Një nga botuesit më të rëndësishëm shqiptarë Petrit Ymeri, që e referon këtë si shqetësim, ngre edhe pyetjen: Para një viti u vendos ky tatim mbi librin elektronik. A janë lehtësime apo fleksibilitete këto?!
Ai e shton arsyetimin e tij dhe beson që problematika s'ka ndryshuar që nga të paktën viti 1998 e deri më sot, ku gishti i fajtorit vendoset te Ministria e Kulturës, të cilës i adresohen politika të gabuara shtetërore, ndërkohë që duhet thënë se gabimet e mëdha me librin në Shqipëri mbajnë fajtorë edhe shumë e shumë instanca. Nga njerëz të ndryshëm dhe artikullshkrues të ndryshëm thuhet e besohet se nuk bëhet asgjë, ndërkohë që një pjesë tjetër beson se gjërat kanë ndryshuar shumë. Kësaj i shtohet një punë e kujdesshme e MK-së për të bërë institucionalizimin e autorëve shqiptarë nëpër botë, por edhe përpjekje më e madhe për të bashkëpunuar me pushtetin lokal për librin dhe promovime të artistëve tanë jashtë. Ka artikulues të ndryshëm mendimesh, por duket se është një sistem i tërë që duhet të ballafaqohet dhe që për hir të së vërtetës, nuk është kaq i lehtë të shpërthehet. Kurse ajo që është më e frikshme për këtë gjëndje është kakofonia e zërave dhe mosrakordimi edhe për probleme themelore. Këtë e shikon me problematikat e panaireve të huaja, por edhe me përçarjen e madhe mes botuesve shqiptarë. Ndërkohë që veshi të kap kudo aktivitete për librin, promovime dhe deklamime, një fakt që e shton tymnajën por edhe tregon një lloj konfuzioni jo të vogël.
" Sikundër edhe në shumë fusha të tjera, edhe në punën me librin vëmendja është përqendruar në aktivitete propagandistike dhe imazhi të gënjeshtërt. Ka qenë domethënës mohimi i të drejtës së njerëzve të interesuar dhe i detyrimit që kanë institucionet shtetërore për debate publike për çështje kulturore të një rëndësie të dorës së parë sikurse është libri. Këto nuk mbulohen me projekte e mbështetje për klientët e administratës, as me veprimtaritë provinciale e teatrale që zgjasin sa një shi vere dhe janë shumë të kushtueshme, as me batuta dhe shakaçka provinciale", shprehet z. Ymeri. "Asgjë të re nga fronti i zgjidhjes së problematikave të librit, – do ishte përgjigja ime më e mirë. Vazhdojmë të punojmë, kryesisht, me dy burime financiare: paratë që investon UET Press për botime të ndryshme dhe autorë që na e lehtësojnë pak këtë barrë dhe i gjejnë vetë burimet financiare për botimin e librit. Na duket sikur jetojmë në ishull", thotë znj. Nathanaili për gjendjen e tanishme. Kurse znj. Irena Toçi mendon se libri duhet të shkojë te fëmijët, sepse vetëm kështu edukimi me leximin shkon që në rrënjë. Shumë referime, por që tej e fundit nuk e fshehin faktin se libri shqiptar lëngon. Prej kujt?! Pyetje e mirë.

Hyri në fushat me hashash, Policia: Të marrim me forcë

Posted: 06 Nov 2016 08:00 AM PST

Sekretari për Aksionin Qytetar në Partinë Demokratike, Ervin Salianji është thirrur në datën 2 nëntor nga policia e Tepelenës për të dëshmuar lidhur me parcelat e drogës të filmuara prej tij në muajin gusht. Zyrtari demokrat rreth 4 muaj më parë arriti vetë të hyjë në një nga zonat e mbjella me hashash në Gusmar të Tepelenës dhe të denoncojë nga “vendi i krimit” fenomenin e kanabizimit të vendit. “Balkanweb” raporton se ky ‘denoncim’ do t’i kushtojë atij një sqarim më të detajuar para policisë, që kërkon tashmë nga Salianji, që në kuadër të hetimeve, të japë të dhëna më konkrete se për cilën zonë bëhet fjalë dhe se si mundi të shkelë në parcelat me kanabis. Por Salianji mësohet të mos ketë pranuar të shkojë për të dhënë sqarime para policisë edhe pse në shkresën zyrtare të nisur në adresë të tij lexohet qartë paralajmërimi se në rast refuzimi do të shoqërohet forcërisht për të dhënë dëshminë e tij.
Shkresa
Në një shkresë pa numër protokolli dhe pa datë, të firmosur nga oficeri i policisë gjyqësore, Zyhdi Sakaj bëhet e ditur ndër të tjera se “për nevoja të procedimi penal, njoftohet personi për t’u paraqitur në Komisariatin e Policisë Tepelenë në datën 02.11.2016 në orën 10:00, shtetasi Ilir Salianji. Paraqitja, kërkohet për t’u marrë në pyetje si person që ka dijeni për rrethanat e hetimit. “Në rast të mosparaqitjes ditën dhe orën e caktuar, pa pasur pengesë të ligjshme, paralajmëroheni se në bazë të nenit 308 të Kodit të Procedurës Penale, mund të urdhërohet shoqërimi i detyrueshëm nga Policia Gjyqësore”, – thuhet në letrën drejtuar Sekretarit për Aksionin Qytetar në Partinë Demokratike.
Reagimi
Ndërkohë me anë të një reagimi në “Facebook”, Salianji shprehet se “Nën kujdesin e posaçëm të policisë droga u mboll, u kultivua, u tha në diell dhe përpunua, u transportua, u shpërnda, u tymos dhe krijoi drama për mijëra familje dhe prodhoi miliona euro për Ramën e Tahirin!
Kjo shkresë është fytyra qesharake e një qeverie që nuk merr seriozisht as procedurat dhe jo më të marrë në konsideratë luftën ndaj krimit dhe kanabisit.
Në datë 1 Gusht publikuam për të gjitha mediat me vendndodhje konkrete, fshatin Gusmar (vendlindja e ministrit Tahiri) të plantacioneve pa fund të kanabisit. Policia nuk mori asnjë masë dhe nuk bëri asnjë ndërhyrje pavarësisht se publikisht apo në përballje publike me drejtues të ministrisë i kam sfiduar për të shkuar në terren për të parë mbushjen e vendit me drogë!
Sot, 3 muaj pas denoncimit, policia e Tahirit, qesharake deri në dhimbje si vetë ministri, më sjell këtë shkresë pa numër protokolli, pa datë, apo me data të lëna bosh duke kërkuar t’iu tregoj parcelat që vetë kishin mbjellë. Sot që droga është korrur, është tharë, është transportuar në shoqërimin e policisë, është shpërndarë dhe është tymosur duke prodhuar dramë për mijëra të rinj dhe familjet e tyre, e shumë para për Ramën e Tahirin. Sot mund të vij t’iu tregoj se ku shkojnë paratë e drogës dhe si janë bërë gati për të blerë votat për të kërcënuar zgjedhësit e për të mbajtur në pushtet qesharakë të llojit tuaj që paguhen nga taksat e qytetarëve për të luftuar krimin, por të bërë njësh me të”, – shkruan në “Facebook”, Sekretari për Aksionin Qytetar në PD, Ervin Salianji.

Kardinali: Papa u mahnit nga martirët shqiptarë

Posted: 06 Nov 2016 08:00 AM PST

Fatmira Nikolli

Në një meshë të mbajtur në katedralen e "Shën Shtjefnit" në Shkodër para rreth 10 mijë pelegrinëve, janë lumturuar dje, 38 martirët e Kishës Katolike, të vdekur a të vrarë nga regjimi komunist në vitet 1945-1974. Mesha u drejtua nga eminenca e tij, Kardinali Angelo Amato, prefekt i Kongregatës për Çështjet e Shenjtërve në Vatikan dhe i dërguar i Atit të Shenjtë, ndërsa me të bashkëkremtuan kardinalë, ipeshkvij e meshtarë. Gjatë një meshe që zgjati më shumë se dy orë, u lexua Letra Apostolike e Papa Françeskut, në të cilën thuhej se "duke pranuar dëshirën e Angelo Massafrës, me autoritetin tonë Apostolik, vendosim që të nderueshmit shërbëtorë të Hyjit, Vinçenc Prennushi dhe 37 shokët martirë të kishës në Shqipëri tani e tutje të quhen të lumë dhe që të mund të kremtohet festa e tyre më 5 nëntor – Papa Françesku".
Pelegrinët patën mbërritur në kishë që në orët e para të mëngjesit, e deri në orën 10:00, u rikujtuan jetëshkrimet e martirëve dhe ditët e fundit para vdekjes, bashkë me torturat.
Të pranishëm ishin disa kardinalë, 20 ipeshkvij, 300 meshtarë nga e gjithë bota, si edhe presidenti Bujar Nishani, kryeparlamentari Ilir Meta, ministrat Mirela Kumbaro, Lindita Nikolla, Mimi Kodheli, si edhe ish-kryeministri Sali Berisha, ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli dhe shefi i opozitës, Lulzim Basha. Nuk munguan as përfaqësuesit e komuniteteve fetare, ndërsa në mesazhet e dhëna nga mesha dhe pas saj, klerikët e Kishës Katolike, përfshirë edhe ipeshkvin e Shkodër-Pultit, Angelo Massafra, theksi u vu te fakti që "nuk janë përndjekësit, por martirët protagonistët e vërtetë të historisë së njerëzimit". Prej ditës së djeshme, emrat e 38 martirëve do të jenë pjesë e Kishës Universale. Veç mesazheve të paqes për luftërat në botë, mesha u mbyll me fjalët "Rroftë Krishti mbret, rroftë Shqipëria", të njëjta me ato të cilat, shumë meshtarë thanë para se të pushkatoheshin.
I DËRGUARI I PAPËS
Pas meshës, Kardinali Angelo Amato, përfaqësuesi i Atit të Shenjtë, tha në Shkodër se "Papa Françesku ka mbetur i mahnitur  nga dëshmitë e 38 martirëve shqiptarë", dhe se ai vetë është shumë i prekur nga pelegrinët, që sipas tij ishin të pranishëm me gjithë zemër. "Është një përshtypje shumë e mirë dhe njëkohësisht edhe shumë mallëngjyese", – tha në një konferencë për mediat, eminenca e tij.  "Papa ka ngelur shumë i prekur nga dëshmia e këtyre martirëve. Unë e njoh realitetin e persekutimit në Spanjë e në Meksikë, por persekutimi antikatolik në Shqipëri ka arritur në përmasa të jashtëzakonshme. Mendoj për të renë Maria Tuci, që është shkatërruar fizikisht e psikologjikisht nga një gjyqtar që quhej kolonel", – shtoi Kardinali. Duke vënë në dukje se martirët janë gjaku i Krishterimit, ai vuri theksin te ideja që "gjithë populli ka vuajtur, në veçanti besimtarët katolikë. Gjykimi mbi diktaturën tashmë është dhënë dhe është negativ, sepse ka mohuar lirinë, drejtësinë, vëllazërinë e të vërtetën". I pyetur mbi faktin që kriminelët nuk janë dënuar, ai tha se "jo vetëm martirët edhe persekutorët ishin të përndjekur, nga ata që komandonin, kishin frikë sepse nuk kishte drejtësi". Në fund, ipeshkvi i Shkodër-Pultit, Angelo Massafra lajmëroi se do të lumturohen edhe dy martirë të tjerë: Dom Gjon Gazulli e Pater Luigi Paliç.

Policia zbulon 2 kapanonë në Përmet, sekuestrohen 95 kilogramë hashash

Posted: 06 Nov 2016 08:00 AM PST

PERMET – Zbulohen 2 kapanonë me drogë në Përmet, ndërsa janë sekuestruar 95 kg kanabis. Burime nga policia e Gjirokastrës bënë me dije se në pyllin e fshatit Kreshovë, të Njësisë Administrative Petran, janë asgjësuar 1.100 bimë narkotike në proces tharjeje. “Vijojnë operacionet antikanabis të zhvilluara nga Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër për evidentimin dhe goditjen e vend-magazinimeve të bimëve narkotike. Një tjetër operacion është zhvilluar nga Drejtoria Vendore e Policisë Gjirokastër në bashkëpunim me SH.Ç.B.A dhe Komisariatin e Policisë Përmet. Evidentohen dy kapanonë të vegjël që shërbenin për tharje të bimëve narkotike. Sekuestrohen 95 kg lëndë narkotike kanabis sativa”, deklaroi dje Policia e Shtetit. Asgjësohen 1.100 bimë narkotike në proces tharjeje. Operacioni u zhvillua në pyllin e fshatit Kreshovë, të Njësisë Administrative Petran, Bashkia Përmet. Gjatë operacionit u evidentuan dy kapanonë të vegjël të mbuluar me plastmas, ku brenda tyre u gjetën të varura për t’u tharë 1.100 bimë narkotike. Gjithashtu u gjetën dhe u sekuestruan edhe 11 thasë të mbushur me boçe të bimëve narkotike, me peshë 95 kg kanabis sativa. Bimët u asgjësuan në vend me anë të djegies. Policia e Përmetit, mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative, po punon për kapjen e dy shtetasve, banorë të asaj zone, si autorë të dyshuar të kësaj ngjarjeje.

“Himni i Martirëve” nga Zadeja e Çapaliku

Posted: 06 Nov 2016 08:00 AM PST

Një "Himn për Martirët" është interpretuar dje në Katedralen e Shën Shtjefnit nga kori i katedrales, nën drejtimin e dirigjentit Zef Çoba. Himni, i kompozuar nga Almarin Zadeja, me tekst të Alfred Çapalikut, është interpretuar nga kori, mes të cilëve i pranishëm ishte edhe artisti i Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit, Armando Likaj. Teksti vë në dukje torturat dhe persekutimin, përdor disa prej frazave që ata kanë thënë para se të ndahen nga jeta, vë në dukje se vdiqën "për fe e atdhe", çka ka qenë devizë e njohur e klerit katolik, ndërsa i cilëson ata mjaft të denjë. Ndërkaq, muzika e kompozuar nga Almarin Zadeja, luajtur në organo nga Rozeta Leka, është një muzikë e fuqishme që sjell në vëmendje dhimbje e paqe njëherësh, është marshim e himn, ndërsa kori këndon "o lule, petale nga zjarri i përflakur, o yje ndriçuese mbi barin e përgjakur, kurora triumfi ju ratë mbi dhe, si bien martirët: -Për Zot e për fe". Himni ishte përgatitur enkas për meshën e Lumturimit, ndërsa përgatitjet për të, në Shkodër kanë nisur prej kohësh.

“Ushtrimet e melankonisë”

Posted: 06 Nov 2016 08:00 AM PST

Nga Preç Zogaj

Një klithmë larg fundit
Qetësi…
Një lule po mblidhet
në muzgun e botës
rreth aurës sime.
Nuk jam më njeri, siç kam menduar.
Ky është momenti i së vërtetës.
Njëherë, një çast të vetëm
kam qenë një prej luleve të hyjnisë.
Qetësi…
E paanë jeta,
një klithmë është larg fundit.
Shtator 2014

Fundi
Fundi është pafundësisht i vogël
Po unë e shoh si asnjëherë tjetër.

Jam klepsidra e kohës sime që nuk kthehet.

Epilog
Nënës
Me këmbët e veta, me hapin e vet të ngadalshëm,
si të Amstrongut, pushtuesit të hënës,
mbërriti nëna në fundin e jetës.

Vdekja e saj, vetëm e saj u zgjua nga gjumi shekullor
plot habi dhe përtesë,
pa asnjë ngut për ta pranuar
në banesën e zezë.

Ngjarje të mëdha po ndodhin në këtë shtëpi të vjetër,
në këtë oborr të vogël pesëdhjetë metra katror,
Vdekja largohet teksa nëna çapitet ta prekë,
Fshihet vdekja teksa nëna kthen sytë ta shohë,
nga qoshku i saj i hedh ditë dhe muaj shtesë…

Ngjarje të mëdha po ndodhin këtu:
Nga ijet, nga brinjët e një gruaje
dalin e treten papushim në dritë
ditët e saj të ruajtura si monedha.

Pushon së qeni nënë nëna.
Ka ardhur krijuesi- shpëtimtari, ajo i afrohet
me hap të lehtë e të sigurt prej vajze,
Është me të, nuk duhet ta shohë,
Por Ai e sheh, mrekullia
njofton sërish ekzistencën.
Alelulja! Edhe pse mua
më la pa nënë.

Anonime
Ndoshta njëherë, kur të mos jem më
shpirtit tim do t'i bjerë rruga
nga ato treme ku pushojnë
në gjumë të thellë eshtrat e mia.

Nuk më pëlqen të shoh pa u parë.
Nuk e shtyj dot të rroj pa u prekur.
Ah, të mund t'i ngrija edhe një herë
prej lagështisë format që kisha,
Të mund t'u jepja dritë dhe jetë
atyre syve – të mund të kridhesha
në fatin e zhguallit tim shekullor,
Të mund te vdisja
përgjithmonë.
Qershor 2008

Vdekja e bëri gjëmën dhe u fsheh
Vdekja e bëri gjëmën dhe u fsheh
në harkun e degëve të zhveshura të kajsisë,
në strehët e shamive të përlotura të grave.
Na la ta lajmë të vdekurin tonë,
Na la t'i veshim petka të mira,
Na la ta vajtojmë me nge,
të tëhujëzoheshim me të.
Na la…
Na la…
gjersa erdh ora
nga degët lakuriqe zbriti,
prenë e vet ngadalë e mori
mes heshtjes, lotësh e bekimesh.
Mars 2011

Monolog dy
Jam shqiptar,
Kam një pllakë, si pergamenë në shpatullën e djathtë,
Ku ther e ther sa herë bie shi
jeli i vjetër i të parëve të mi.

Dua ta nxjerr, ta vë në dritë,
me bindjen e marrë se atje
në një gjuhë më të vjetër se kjo që di
gjendet i shkruar sekreti,
Ai që kërkojnë albanalogët, ilirologët,
Ai që nuk e gjeti Eqerem Çabej,
Ai që po zgjohet ndërsa dimri afrohet
nga të katër anët.

Jam shqiptar
Prej këtu atje,
Prej atje këtu
Në caqet e një gjuhë që u hap dhe u mblodh
në qiell të hapur dikur, që njeh
në ikset e studiuara nga Petro Zheji
amësinë e gjuhëve që sot popullojnë
si vajza të bukura Oksidentin.

Prezantohem me tokën e ullishtave që pa në ëndërr Aleksandri
sikur ishte fëmijë dhe kishte ardhur për festë te dajat.
Ja dhe udhëtimi i Pjetrit drejt Romës,
Pakkush më njeh në bukën që i dhamë në Durrës,
Askush s'më njeh në gjunjëzimin final
të perandorit Kostandin para kryqit të Krishtit
me gjithë mijëvjeçarët e paganizmit.

Gjergj Kastrioti, ai që arratiset
me varrin dhe eshtrat e tij në erë,
Buzuku, Bogdani, Bardhi, BudiKorrierët
e Librit në një gjuhë të pashkruar
që duhet të shkruhet para se t'i vrasin.
Papa Klementi duke u mësuar shqipen shenjtorëve,
Naim Frashëri, Jeronim De Rada, Gjegj Fishta,
Nënë Tereza, e dërguara, që nuk tregoi,
Gjyshi im duke ardhur me thesin e kripës nga Shëngjini,
Nëna ime në kalë të nuses
duke qarë për lulet e vogla të Mirditës
Të gjitha i lexon, i deshifron dimri
në pergamenën, në therjet e shpatullës sime.

Jam shqiptar,
Vështroj nga gjuha ime si nga një kala
kohën e botës që vërshon.
Kam frikë për fëmijët e mi,
Kam frikë për fëmijët e fëmijëve të mi
Mos do t'i lerë pas,
mos do t'i hedhë
rruzulli tokësor duke u rrotulluar.

Ngado më shtyn kjo natë, ky mall
Ngado më shtyn kjo natë, ky mall
përveçse te ti atje ku nuk më pret,
E lamë të thënë të rrimë pa u parë
me terrin e pakalueshëm ndërmjet.

Tani që s'të kam jam bërë më i shkuar,
një zot më mban peng nëpër kujtime
të lashta, të huaja që s'di t'i kem jetuarJam
unë fantazma e jetës sime.

Asnjë largësi, arrati a ikje
s'më çon dot matanë kësaj lëngate,
Kudo është mungesë, kudo përshpirtje,
Një letër e gjatë pa shkrim zotnisë sate.

Një shtjellë e purpurt, magji e vjetër
na mbajti në jerm një vit përqafuar.
Dhe nuk mund të kishte vazhdim tjetër
nga kjo vetmi që nuk ka të mbaruar.

Duhej të kishim ikur…
Dukej të kishim ikur në anë të kundërta të botës
jo për t'u humbur, as për t'u harruar,
jo për të provuar forcën e një dhimbjeje
që mbledh në grusht oqeanet.

Nuk ka kohë në të ikurit prapa të mendimeve.
Ti je e do të jesh e dashura ime
në krahët dhe shtratin e çdo menelau.
Fëmija yt, i cilitdo burri
me kujtimin tim do të ngjizet.

Duhet të kishin ikur në anë të kundërta të kohës,
Duhej të kishin ikur në anë të kundërta të botës,
Për hir të çasteve kur dikur
nëpër ne u ngjit kuqëlimi…
Por ne jetojmë njëri pa tjetrin
në të njëjtin qytet të veremit,
Në të njëjtat rrugë,
Në të njëjtën gjuhë.
Kupa po mbushet,
nuk e ka të gjatë durimi.

Anekënd baresin fantazmat tona
Shkëmbehen me ne, na e bëjnë me dorë,
na pyesin për orën, na shkundin nga supet,
na thonë: ç'po bëni?

Edhe vdekja, edhe ajo
mëri të madhe zuri me ne,
Në fytyrë na i mbylli portat.

Një Princ që na buzëqesh

Posted: 06 Nov 2016 08:00 AM PST

Nga Rudolf MARKU

1
Në letërsinë botërore duket se librat me titujt që përmbajnë fjalën Princ, kanë qenë vërtet me fat të veçantë, po aq sa ç'është dhe titulli Princ një privilegj mbretëror në përditshmërinë e zakonshme. Madje, përveç statusit të kurorës, Princi është edhe një shëmbëlltyrë përrallore, shëmbëllesë e atyre rrëfenjave dhe kallëzimeve që i kemi dëgjuar qysh në vitet e hershme të jetës sonë. Pra, një narracion letrar: Princi që vihet në kërkimin e Hirushes; Princi që dashuron një vajzë të varfër; Princi që guxon të luftojë kuçedrën e që në fund çliron pengun e saj; Princi si personifikim për çfarë dëshirojmë, simbol i ëndrrës më sublime.
Lexuesi nuk e ka të vështirë të kujtohet posaçërisht për tre libra të letërsisë botërore, të cilët na vijnë ndër mend si librat më fatlumë: "Princi i lumtur" i Oskar Uajlldit, "Princi i vogël" i Ekzyperisë, "Princi dhe i Varfri" i Mark Tuenit. Janë libra që kanë bashkuar statusin mbretëror të rangut Princ me statusin mbretëror të mjeshtërisë së lartë të tre autorëve.
Letërsia shqipe guxon të shtojë dhe një princ të katërt, "Princin e buzëqeshjes" të Zija Çelës. Një shkrimtar që ka provuar prej kohësh se romanet dhe tregimet e tij kanë status të lartë, larg letërsisë së rëndomtë stinore. Madje, duke lexuar këtë libër të ri me proza të shkurtra, dëshiroj të kujtoj se edhe përgjatë viteve, sa herë ka shkruar tregime, Çela është shfaqur estetikisht si autor me statusin e tij princëror.
Një Princ që na buzëqesh që në titullin e librit, drejtpërdrejt në ballinë. Një princ i mirë, ashtu siç janë ata të rrëfenjave dhe të letërsisë së shkruar. Por do të tregoheshim të mangët, nëse burimin e buzëqeshjes do ta kufizonim thjesht te princi. Në fakt, është vetë Mirësia njerëzore që mund të quhet princ a princeshë. Dhe po të vazhdojmë me zhvokshjen metaforike të matrushkës ruse, tek e cila kur heq një kukull të shfaqet një tjetër, atëherë sapo ke zbuluar mirësinë që e mbulonte princi, ja ku na  shfaqet vetë autori që na buzëqesh, sepse paskësh qenë fshehur pikërisht pas mirësisë.
I vëmendshëm që të jetë i saktë deri në fund, autori ka nxituar të na kujtojë me anë të një nëntitulli shpjegues, të vënë në kllapa, se tekstet e këtij libri janë "33 tregime për adoleshentë, por edhe prindër e fëmijë". Një mundim i kotë. Pasi një shkrimtar që merr përsipër të shkruajë një libër, duke mëtuar se është për fëmijë, gjithmonë do të ballafaqohet me mëdyshjen paradoksale: A jam i rritur aq sa të mund të shkruaj për fëmijë?
Tre librat e famshëm që përmendëm në krye, janë libra që lexohen nga fëmijët, të cilët nesër do të bëhen burra e gra, si dhe nga të rriturit që sot shpresojnë të kenë mbetur edhe fëmijë. Në këtë rast vetiu të shkon mendja te paradoksi i Ajnshtajnit. Kur u pyet se cili ishte sekreti i gjenisë së vet, shkencëtari i madh u përgjigj: Sekreti? Ndoshta se kam mbetur fëmijë për një kohë shumë më të gjatë nga të tjerët.
Tregimet e këtij libri janë të llojit të letërsisë fatlume, që lexohet në çdo moshë. Në fund të fundit një Princ ka aq forcë tërheqëse, sa t'i magjepsë të gjithë, po ashtu si dhe bukuria e Helenës së Trojës që magjepste njëherësh fëmijët dhe pleqtë e moçëm. Po aq sa dhe ëndrrat e paarritshme. Ose në dukje të paarritshme. Heminguej është shprehur se libri, që ka ndikuar më shumë nga të gjithë librat e tjerë në krijimtarinë e vet, është një libër për fëmijë që titullohet "Tom Sojer". Një libër të cilit e gjithë letërsia moderne amerikane i ka një borxh të madh, ngulte këmbë Heminguej.

2
Më 2012-n shkrimtari Zija Çela botoi njëherësh dy  përmbledhje me tregime, "Pika drite në Eklips" e "Buza e kuqe dhe Gjaku i errët". (Dyzet vite nga tregimi nismëtar. Dyzet vite që, krahas romanit, lëvron edhe prozën e shkurtër.) Vëllimi i parë përmblidhte tregime të shkruara e të botuara deri në vitin 1990, ndërsa i dyti ato pas 1990-s.
Jam i mendimit se ai botim i Zija Çelës duhej të qe konsideruar, pa asnjë mëdyshje dhe pa asnjë teprim, një festë letrare. Sapo i ke lexuar tregimet e të dyja përmbledhjeve voluminoze, kufiri kohor sfumohet dhe bëhet inekzistent, sepse tregimet kanë një koherencë të jashtëzakonshme artistike.
Po qe se Zija Çela, për një trill kokëshkrepjeje, tregimin e parë (kronologjikisht) do ta kishte zhvendosur si tregimin e shkruar në fund, dhe tregimin e fundit ta datonte si të shkruar para dyzet vitesh, asnjë lexues (me gjasë as studiues letërsie) nuk do ta kishte vënë re këtë zhvendosje. Sepse koha te shkrimtarët e mirë është vetëm Art.
E po kështu edhe me këtë libër princëror. Nëse Zija Çela do të këmbëngulte se libri i tij më i fundit ka tregime që i adresohen vetëm një lexuesi të përcaktuar nga vitet e moshës, pas lëçitjes çdokush do të dyshonte për ndonjë kurth shakaje të autorit, i cili ka dashur të vërë në provë shijen dhe pjekurinë e lexuesit.
Sepse koha prapë (këtë radhë te lexuesit) asgjësohet përballë mjeshtërisë artistike. Është ai, Princi i Mirë, që u buzëqesh të gjithëve dhe jo një a dy njerëzve.
Të githëve. Dhe në çdo kohë.

3
Me këtë libër Zija Çela duhej të ishte ndodhur përpara vështirësisë së atij shkrimtarit, i cili pasi ka botuar dy vëllimet që kanë shënuar watershed-in e prozës së tij të shkurtër, ballafaqohet me mëdyshjen: Po tani?! Është dilema e atij thyerësit të rekordit, i cili ngurron të marrë pjesë në garën e ardhshme, nga droja se mos mbetet prapa rezultatit të mëparshëm.
Zija Çela duket se, çuditërisht, nuk e ka patur këtë kompleks. Dhe me të drejtë, sepse tekefundit bota krijuese e Artit bën që çdo libër, çdo pikturë a pjesë muzikore të jetë një mini-univers paralel, i ngjashëm me veprat e tjera ngase ka të njëjtat ligje e materie në përbërjen e vet, po aq sa dhe i pakrahasueshëm, si çdo botë paralele, madje edhe me vetë veprat e të njëjtit autor.
Princi i Mirë na sjell  tregime të mrekullueshme, nota të reja që janë tjetërsoj, që kanë ndjeshmëri, butësi, imagjinatë, poezi, stil përrallor, të përcaktuara nga adresimi (i përfytyruar) ndaj një lexuesi adoleshent.
Mirëpo, në të vërtetë, këto tregime përballojnë njëkohësisht lexuesin e ditur, të rrahur me vaj e uthull me letërsinë e mirë, në atë shkallë sa ta shfaqin autorin si një  tregimtar po aq të veçantë dhe po aq të fuqishëm, sa Koliqi e Kuteli. Vetë Princi i Mirë bën kujdes që të na sjellë përmes tregimeve gjuhë të zotëruar mjeshtërisht, trille shkrimore, ngjarje tërheqëse dhe situata të veçanta, karaktere ballkanike dhe universale, nganjëherë gogoliane-ballkanike dhe herë të tjera karaktere rrëfimesh të çuditshme të treguara netësh si te Kuteli.
"Princi i buzëqeshjes" sikur do të na kujtojë disa herë Italo Kalvinon, i cili ngulte këmbë se ç'shembull i jashtëzakonshëm është stili përrallor sidomos për tregimin e shkurtër. Andaj Zija Çela na sjell "Engjëjt", shkruar me delikatesën e përrallave të Oskar Uajlldit, tregim i pakompromentuar nga asnjë klishe, qofshin dhe klishetë subkoshiente që na vijnë pa kuptuar. I paharrueshëm, si tregim kompakt dhe magjik, mbetet "Qengji i grigjës". E po në këtë libër "Kuçedra", një alegori e dhimbshme e realitetit tonë, por që tregohet mjeshtërisht si përrallë. Ndoshta ky tregim do të ishte marrë si shembull nga Kalvino se si duhet shkruar tregimi bashkëkohës përmes mjeteve shprehëse të përrallës. Sepse "Kuçedra" është njëkohësisht edhe tërheqës e zbavitës, elemente aq të domosdoshme të letërsisë së mirë. E këto përgjithësisht i mungojnë letërsisë sonë, e cila vuan nga varfëria e toneve dhe serioziteti i tepruar didaktik. Princat e mirë janë të buzëqeshur, shërbyesit dhe zemërvegjëlit janë gjithmonë të zymtë.
Princi i Zija Çelës ka ditur të na vijë si Princ i vërtetë: me klasin estetik, me hijeshinë stilistikore, me larminë dhe ngjyrat e titujve, me premtimin se ka ardhur i vendosur ta trashëgojë legjitimitetin e kurorës së Princave të mëdhenj paraardhës të mbretërisë së letërsisë.

Familjarët e ish-gruas, Avni Allmetës: Jemi në gjak, do të të ndajmë në 14 copa

Posted: 06 Nov 2016 08:00 AM PST

Klodiana Haxhiaj

DURRES

Një ditë pasi tregoi live  historinë e martesës së tij në emisionin “Me Zemër të Hapur” në “News24”, është kërcënuar me jetë Avni Allmeta. Deklarata e tij se nusen nuk e gjeti të virgjër dhe e ktheu te prindërit ka acaruar tejet këta të fundit. Ata e kanë kërcënuar sërish 36-vjeçarin me origjinë nga Klosi i Burrelit, i cili që prej 10 vitesh banon në Shkozet të Durrësit. Të paktën kështu deklaroi dje babai i 36-vjeçarit. Sami Allmeta tha se e ka telefonuar vëllai i ish-nuses së djalit, i cili i ka thënë se janë në gjak. “Vëllai i nuses së tim biri më tha se ‘më keni një gjak borxh, pasi djali juaj ka dalë në televizor e ka folur për motrën time. Djalin tënd, Avniun, po e pashë në ndonjë rrugë apo përballë, do ta ndaj në 14 copa'”, – kështu u shpreh 82-vjeçari. Sapo është vënë në dijeni në lidhje me kërcënimin nga të afërmit e bashkëshortes, Avni Allmeta ka reaguar menjëherë, duke kërkuar mbrojtje nga shteti. Nga ana tjetër, 36-vjeçari pohoi se e dashuron gruan e tij dhe nëse ajo i kërkon falje është i gatshëm të jetojë me të. Ndërkohë, në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Sami Allmeta tregoi me detaje se çfarë ka përjetuar familja e tij pas martesës së të birit. I moshuari tha se është i shqetësuar nga kërcënimet e familjarëve të nuses, të cilën e ka respektuar dhe dashur si vajzën e vet. Por, plaku deklaroi se me nderin nuk mund të luhet.

Zoti Sami, ju, e patë djalin tuaj dje (të premten) në televizion?
Po, e pashë. Ai tregoi gjithçka që ka ndodhur në të vërtetë. Ndërkohë që në mbrëmje na kanë kërcënuar me jetë. Ky është shqetësimi ynë më i madh si familje.
Mund të na thoni kur dhe kush ju ka kërcënuar?
Mbrëmjen e së premtes, rreth orës 20:30, ka rënë telefoni. Personi që telefonoi më tha se ishte vëllai i nuses sonë. Kishte inat dhe fliste me zë të lartë. Ai më tha direkt se ishim në gjak. “Ju më keni një gjak borxh, pasi djali juaj ka dalë në televizor e ka folur për motrën time. Djalin tënd Avniun, po e pashë në ndonjë rrugë apo përballë, do ta ndaj në 14 copa”. Kështu më tha personi që telefonoi.
Si reaguat ju pas telefonatës kërcënuese?
Më pas mora në telefon djalin dhe i thashë që je në gjak me njerëzit e ish-gruas. Kjo na ka shqetësuar shumë. Është e rëndë që të na ndodhin këto gjëra në moshën e pleqërisë. Ne po prisnim të bëheshim me nip në shtëpi, pasi mësuam që nusja është shtatzënë, por nuk e di çfarë ndodhi me të.
Këtu me ju ka qëndruar nusja, në të njëjtën shtëpi?
Po, këtu e solli djali. Ne i kishim thënë asaj që djali është i papunë, pa të ardhura, çfarë do të hanim ne, do të hante edhe ajo. Nusja na respektonte dhe unë e respektoja më shumë se vajzën time. E respektoja dyfish, pasi ishte jetime, pa babë, dhe më vinte keq.
Ju, e keni pyetur nusen se si shkonte me djalin tuaj?
Po. E kam pyetur disa herë si prind, pasi u doja të mirën. I thosha ‘a të dhunon djali’, ndërsa ajo më thoshte ‘jo’. Unë e besoja se im bir nuk e dhunonte. Unë do i flisja tim biri nëse e shikoja një veprim të tillë.
Si ndodhi që ata u ndanë?
Erdhi daja i saj këtu dhe po kërkonte llogari pse Avniu është i papunë. Djali i tha atij, që mbesën tënde ma keni dhënë jo të rregullt. Ndërsa, ai i tha nuses ‘bëhu gati se të marr me vete’. Nusja pa marrë mendimin tim la të gjitha nishanet këtu dhe mori plaçkat e saj dhe doli te dera. Unë mbeta i çuditur, po ashtu edhe të tjerët, pasi nuk e prisnim që nusja të largohej nga shtëpia me një fjalë që i tha daja i saj.
Zoti Sami, çfarë mund të na thoni në lidhje me deklaratat e djalit tuaj se ndarja mori shkas ngaqë nusja nuk ishte e virgjër?
Për mendimin tim, djali nuk duhej ta kishte mbajtur aq gjatë nusen, por ta kishte nisur me vrap në shtëpinë e saj. Nuk ka falje për të tilla gjëra në fisin tonë, familjen tonë apo edhe në zonën tonë. Unë i besoj djalit, se ai është i rritur dhe nuk është i vogël, dhe në këtë mënyrë kërkon të drejtën e vet.
Pas ndarjes, çfarë ndodhi midis jush në familje?
Unë fillimisht nuk e besova djalin, ndaj e përzura nga shtëpia. I thashë që ai i kishte fajet që u nda nga gruaja. Djali iku në Greqi dy muaj.
Çfarë mund të na thoni për traditat tuaja?
Ne jemi njerëz të ndershëm gjithë jetën. Jemi të varfër, por të ndershëm. Kam rritur 7 fëmijë të mitë dhe një nip, pra 8 gjithsej. 4 djem e 4 vajza, por me nderin nuk luhet.
Me çfarë jetoni?
Jemi tre të moshuar, unë, bashkëshortja dhe motra ime burrneshë (e pamartuar). Me pensionet tona shumë të vogla ushqenim edhe fëmijët, djalin e nusen që na erdhën.

I riu nga Burreli: Gruan e ndava 48 orë pas martesës se nuk ishte e virgjër

Një histori e pazakontë, tej kufijve të së paimagjin    ueshmes. E tillë është historia e 36-vjeçarit Avni Allmeti, nga Burreli, e publikuar dy ditë më parë në emisionin “Me Zemër të Hapur” në “News24”. Nga ideja e fejesës me shkuesi me një vajzë, njohja në një lokal të Burrelit, prezantimi dhe një bisedë e përciptë për njeriun e jetës që nuk i doli ashtu siç e priste. Avniu u fejua me mblesëri dhe kërkoi të merrte një nuse të virgjër ashtu sipas zakonit, por vetë pranoi se kishte pasur lidhje me vajza nga e gjithë Shqipëria. Ditën e prezantimit, 2 minuta bisedë jashtë dyerve të lokalit ku ishin ulur me njerëzit e fisit mjaftoi për ta njohur njëri-tjetrin dhe për t’ia bërë të qartë se ‘atij nuk ia hidhte dot njeri’. Një martesë e nisur me dyshime që në fillim, por sërish 36-vjeçari priste që gruaja e tij, 2 vjet më e vogël, të ishte e virgjër, se ashtu ishte zakoni. Ai tha se nuk e provoi dot nusen natën e parë të martesës pasi kishin fjetur si motër e vëlla, pavarësisht se ai është ‘një djalë 2 metra dhe se edhe mund ta kishte përdhunuar, por nuk donte vetë’. Natën e dytë e kuptoi që ajo nuk ishte e virgjër, por vajza nuk e ka pranuar dhe s’ka pranuar t’i kërkojë falje, siç Avniu i kishte kërkuar.

Ish-kunata: Avniu ta lërë motrën të qetë, i sëmurë

Ndërsa 36-vjeçari nga Burreli, Avni Allmeti tregonte historinë e martesës, në kërkim të sinqeritetit të ish-partneres në studion e emisionit “Me Zemër të Hapur” në “News24” telefonoi ish-kunata e tij, e cila i jep përgjigjen përfundimtare: ta lërë të qetë motrën e saj! Pas këtij momenti, kur falja nga ana e ish-gruas jo vetëm mungoi, por u kthye në refuzim, Avniu heq unazën e martesës. “Edhe në krevat i thosha ‘vetëm më thuaj më fal'”, – rrëfeu ai. Ndërsa, ish-kunata tha për Avniun se “ishte dhunues. Nuk ishte për motrën, ishte i sëmurë. Ne nuk i kemi bërë asnjë kërcënim. Avniu ta lërë rehat, të mos e marrë më në telefon. Motra ime nuk e do dhe të mos e përmendë më me gojë”.

Meta: Ne bëmë reformat, presim hapjen e negociatave me BE-në

Posted: 06 Nov 2016 08:00 AM PST

Valentina Madani

Kreu i LSI-së Ilir Meta shprehet optimist për një rekomandim pozitiv nga Komisioni Europian për hapjen e negociatave të anëtarësimit në BE. Gjatë një takimi me strukturat e LSI, në Berat, Meta evidentoi rolin kyç të partisë që drejton në realizimin e reformave, sidomos asaj në drejtësi. Z. Meta apeloi për bashkëpunim për të përmbushur kriteret për integrim në Bashkimin Europian. Gjatë shpërndarjes së teserave 600 anëtarëve të rinj në partinë e tij, kreu i LSI-së, përmendi rëndësinë e rolit të LSI në politikën shqiptare si dhe rëndësinë e përmirësimit të vazhdueshëm të saj. "Ne presim javën e ardhshme një rekomandim pozitiv nga Komisioni Europian për çeljen negociatave midis Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian. Padyshim që roli i Lëvizjes Socialiste për Integrim ka qenë kyç për realizimin e shumë reforma në vend dhe në mënyrë të veçantë për arritjen e konsensusit për reformën kryesore, atë të drejtësisë, sepse vetëm përmes bashkëpunimit për çështjet më të mëdha që i interesojnë të ardhmes afatgjatë të vendit dhe qytetarëve tanë, ne do të arrijmë të plotësojmë të gjitha ato standarde që kërkon anëtarësimi në Bashkimin Europian, por që kërkon edhe përmirësimi i vazhdueshëm i standardeve të jetesës së qytetarëve tanë", u shpreh z. Meta. Në fjalën e mbajtur gjatë këtij takimi, që u zhvillua në prag të zgjedhjeve të 6 nëntorit për Kryetarin e LSI-së, z. Ilir Meta vlerësoi rolin e Lëvizjes Socialiste për Integrim në realizimin e reformave më madhore të vendit, që do të bëjnë të mundur çeljen e negociatave me Bashkimin Europian.
Gjithashtu, z. Ilir Meta theksoi se Lëvizja Socialiste për Integrim do të kërkojë shumë më tepër nga vetja në mënyrë që t'i shërbejë më mirë Shqipërisë dhe të gjithë atyre që besojnë tek kjo lëvizje. Sipas z. Meta, hapja e LSI-së është një kontribut shumë i rëndësishëm për forcimin e saj, ashtu sikurse demokratizimi i mëtejshëm i vetë LSI-së e ndihmon atë që të bëhet akoma më e fortë. "Një LSI më e fortë do të thotë një Shqipëri më e qetë, më e stabilizuar dhe më e sigurt në rrugën e integrimit evropian dhe për zhvillimin e qëndrueshëm. Ndaj rritja e LSI, fuqizimi i saj, ruajtja e vlerave që kjo forcë politike ka sjellë dhe për të cilat qëndron në jetën politike të vendit është një shërbim në radhë të parë ndaj vendit, – deklaroi z. Meta. – LSI do të kërkojë shumë më tepër nga vetja në mënyrë që t'i shërbejë më mirë Shqipërisë dhe të gjithë atyre që besojnë tek kjo lëvizje. LSI gjithmonë gjen fuqinë për të reflektuar dhe për të përmirësuar vetveten dhe kjo është një nga avantazhet më të mëdha të saj në raport me forcat e tjera politike që shkëputen nga realiteti". Nënkryetarja e LSI, Kejdi Mehmetaj tha në fjalën e saj se zgjedhjet brenda strukturave të LSI-së janë një mundësi e mirë për të afruar edhe më shumë njerëz të dijes brenda strukturave drejtuese të partisë.

Rama: Mbi 50 mijë anëtarë do votojnë për kryetarin

Posted: 06 Nov 2016 08:00 AM PST

LSI është gati për zgjedhjet e sotme të kreut të ri. Sekretari i Përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim në një deklaratë drejtuar mediave deklaroi dje se zgjedhjet për kryetar dhe delegatë do të bëhen me parimin një anëtarë një votë. Sipas tij gjithçka është gati, për votimin e mbi 50 mijë që do zgjedhin kryetarin e ri të partisë. Z.Rama njoftoi se do të zgjidhen edhe 2400 delegatë, ndërsa deputetët, ministrat, këshilltarët dhe kryetarët e bashkive janë drejtpërdrejtë delegatë. Ai theksoi se në dispozicion të votuesve do të jenë 225 qendra votimi në të gjithë Shqipërinë. "Nesër (sot) LSI zgjedh kryetarin dhe delegatët për konventën kombëtare. Kryetari dhe delegatët zgjidhen me parimin një anëtar një votë. Për zgjedhjet në LSI 225 qendra votimi në gjithë Shqipërinë, rreth 5 mijë kandidatë për të zgjedhur 2400 delegatë. Deputetët, ministrat, këshilltarët dhe kryetarët e bashkive janë drejtpërdrejtë delegatë. Mbi 50 mijë anëtarë të LSI pajisen me kartën e re të anëtarësisë" u shpreh z.Luan Rama. Ai bëri me dije se aktualisht ka kaluar mbi 50 mijë numri i atyre që kanë aplikuar dhe kanë marrë kartën e re të anëtarësisë. "Që do të thotë se të gjithë këta, pra mbi 50 mijë që është numri i anëtarëve të LSI-së të rikonfirmuar, duhet të marrin pjesë nesër për të votuar për kryetarin dhe për delegatët e konventës", ka thënë Rama. Në garën për kreun e ri të LSI marrin pjesë kryetari aktual i kësaj force, Ilir Meta, përballë akademikut Shezai Rrokaj dhe deputetit Përparim Spahiu.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more