Skip to main content

““Don Kishoti” në Teatrin Kombëtar” plus 9 more - Gazeta Shqiptare

““Don Kishoti” në Teatrin Kombëtar” plus 9 more - Gazeta Shqiptare


“Don Kishoti” në Teatrin Kombëtar

Posted: 09 Nov 2016 08:01 AM PST

Don Kishoti është një mesoburrë zotëri nga La Mancha, Spanja qëndore, i fiksuar pas idealeve kalorsiake të lexuara në librat e tij. Ai një mbrëmje vendos të marrë shpatën dhe heshtën e tij dhe të dalë në mbrojtje të së drejtës duke gjunjëzuar të paudhët dhe dallaverexhinjtë. Në udhëtimet e tij të çmendura në mbrojtje të së drejtës ai shoqërohet nga fshatari besnik Sanço Pança. Në këmbim të shërbimeve të tij Don Kishoti i ka premtuar ta bëjë guvernator të ishullit të parë që do të pushtojë. Kështu Don Kishoti kalon një kalvar rrugëtimi për t’u kurorëzuar kalorës dhe për të fituar zemrën e të bukurës Dulqinjë të Tobozës. Shfaqja me regji të Klajd Ymerit do ketë premierën të shtunën në 11 nëntor në Teatrin Kombëtar pikërisht në 400 vjetorin e vdekjes së nobelistit Servantes. Romir Zalla është përzgjedhur për rolin kryesor atë të Don Kishotit, Sanço do të interpretohet nga Gentian Zeneli, Shaline (shërbëtorja e hanit) Adelina Muça, hanxhesha nga Albana Sançolli, hanxhiu aktori Gert Ferra, At Pedro nën interpretimin e aktorit Laert Vasili, Fernando (i dashuri Sharlines) Amos Zaharia, mbesa e Don Kishotit luhet nga aktorja Alesia Xhemalaj. Një tjetër veçanti e kësaj shfaqje është dhe pjesëmarrja e sopranos së njohur shqiptare Arlinda Morava, që do të luajë rolin e Fallxhores. Ndërsa, Dulcinja interpretohet nga aktorja kosovare Valina Muçolli. Shfaqja do të ruajë frymën e viteve kur zhvillohen ngjarjet. Fryma e Servantesit është mbajtur me fanatizëm. Kostumet në shfaqje do të jenë të periudhës 1550 ­1570. Vepra është mbajtur si një komedi argëtuese, por nuk i është hequr thelbi tragjikomik personazhit Don Kishot. “Don Kishoti” luhet për herë të parë si komedi në Teatrin Kombëtar, ku dhe për herë të parë shtohet një personazh komik, që do të interpretohet nga sopranoja aktore Arlinda Morava.

Sondazhet, Clinton pranë Shtëpisë së Bardhë

Posted: 09 Nov 2016 08:00 AM PST

Enida Himaj

Amerika është zgjuar sot me presidentin e 45 të saj. Ditën e djeshme në të gjithë kontinentin janë mbajtur zgjedhjet për presidentin e ri. Pas një fushate të egër dhe jo konvencionale, dy kandidatët, Hillary Clinton e demokratëve dhe Donald Trump i republikanëve, e mbyllën ciklin me një seri mitingjesh elektorale, ku i parashtruan argumentin përmbledhës zgjedhësve. Në përballjen shtet për shtet, Clinton duket se ka avantazh të lehtë nga sondazhet në disa nga shtetet ku zhvillohet betejë e ashpër si Pensilvania, Neveda apo Mishigeni. Por, Trump-i ka avantazh në Ohajo, Ajua, Hempshajrin e ri dhe është barazim në Florida dhe Karolinën e Veriut. Megjithatë, thuajse përgjatë gjithë fushatës, kandidatja e djathtë ka kryesuar sondazhet si një fituese e mundshme. Shtetet amerikane dhe vëzhguesit e zgjedhjeve njoftuan se ka pasur një numër rekord të votimeve të hershme, me një pjesëmarrje të madhe të pazakontë të votuesve hispanikë, që duket se i kanë dhënë përparësi Clinton-it. Sipas të dhënave të deritanishme, mbi 40% e votuesve amerikanë e kanë bërë zgjedhjen e tyre në ato që njihen si votimet e hershme. Sondazhet flasin për një fitore të Clinton. I fundit është ai i kryer nga “Reuters” dhe kompania e sondazheve “Ipsos”, të cilat vlerësojnë se Hillary Clinton ka 90% mundësi të jetë presidentja e ardhshme e SHBA-ve. Nivele rekorde të votuesve të hershëm janë njoftuar nga 23 shtete, përfshirë edhe distriktin e Columbia. ” CNN” ka ngritur edhe dy skenarë të mundshëm se si kandidatët mund t’i fitojnë zgjedhjet. Për Donald Trump-in është thelbësore të mbajë dy shtete të cilësuara bastione, të cilat Mitt Romnei i fitoi 4 vite më parë, Karolinën e Veriut dhe Arizonën. Gjithashtu, miliarderi duhet t’u rrëmbejë demokratëve 3 shtete të fituara nga Barak Obama në 2012-ën, Floridan, Ohajon dhe Ijouan. Një humbje në një nga këto 5 shtete do të ndërlikonte shumë rrugëtimin presidencial të Trump-it, shkruan “CNN”. Nga ana tjetër, kandidatja demokrate Clinton duhet të ruajë të pacenueshëm atë që quhet “muri blu” i demokratëve, fitoren në shtetet kyçe të Pensilvanisë, Miçiganit dhe Uiskonsit. Nëse ish-Sekretarja e Shtetit mban në këmbë “Murin Blu” dhe fiton një nga Karolina e Veriut, Florida dhe Ohajo, Shtëpia e Bardhë është e saj. E ndërsa rivalja e tij demokrate votoi vetëm herët në Chappaqua, New York, kandidati republikan për Shtëpinë e Bardhë ka zgjedhur të votojë pas saj, këtë herë në Midtown të Manhattanit. Por, edhe këtu ka vend për të bërë krahasime mes popullaritetit të dy kandidatëve. Gjatë votimit të Clinton, e cila u paraqit pranë qendrës zgjedhore të vendlindjes së saj e shoqëruar nga bashkëshorti Bill Clinton, ish-president i Amerikës, njerëz të shumtë ishin mbledhur për të bërë qoftë edhe një “selfie” me çiftin e njohur të politikanëve, e pse jo pati edhe nga ata që brohorisnin “Fituese do të jeni ju”. Ndërkohë, ndryshe nga kjo atmosferë, në qendrën e votimit të manjatit të pasurive të paluajtshme, në Manhattan u zhvillua një protestë. Nuk ishte një dosido, por një protestë e mbajtur nga dy gra të zhveshura “topless”, të cilat natyrshëm që pas këtij akti përfunduan në prangat e policisë së New York-ut. Trump ende nuk ishte paraqitur në zonën e tij zgjedhore për të hedhur votën, kur gratë e veshura me xhinse thërrisnin në kor: “Jashtë nga vendvotimet tona zoti Trump”. Madje, pati edhe thirrje aspak etike. Ndërkohë, rrjetet sociale kanë nisur të ironizojnë me kandidatin republikan, i cili është kapur nga aparatet fotografike të medieve amerikane, teksa sheh me bisht syri se për kë do të votojë Melania Tramp.

Verifikim sahateve të energjisë, tarifat që do paguajë çdo qytetar

Posted: 09 Nov 2016 08:00 AM PST

Ornela Manjani

Punonjësit e Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë do të shkojnë shtëpi më shtëpi e biznes më biznes për të verifikuar vulat në sahatet që matin energjisë dhe regjistrimin e saj. Ministria e Financave dhe Ministria e Energjisë kanë hartuar një udhëzim të përbashkët, ku janë miratuar edhe tarifat që do të paguajnë qytetarët për këtë shërbim, të cilat variojnë nga 200 lekë deri 1.200 lekë.
Urdhri
Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri dhe ministri i Financave, Arben Ahmetaj kanë firmosur një urdhër të përbashkët për përcaktimin e tarifave-tavan të shërbimit të verifikimit të mjeteve matëse të energjisë elektrike. Sipas urdhrit, verifikimi i matësve të energjisë elektrike do të kryhet nga Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë (DPM), ose nga një person juridik i autorizuar prej saj, i akredituar sipas legjislacionit në fuqi. "Verifikimi i matësit realizohet në terren, aty ku matësi është i instaluar, pranë laboratorit të DPM-së, ose personit juridik të autorizuar prej saj. Për shërbimin e verifikimit të matësve të energjisë elektrike, të kryer nga DPM-ja ose nga personi juridik i autorizuar prej saj, paguhen vlerat financiare të rëna dakord ndërmjet palëve, pa tejkaluar tarifat-tavan të cilat përcaktohen në këtë udhëzim", thuhet në udhëzimin që mban firmën e dy ministrave. Periodiciteti i verifikimit të matësve të instaluar të klientit përcaktohet në Kodin e matjes, ndërsa llojet e shërbimeve që do të kontraktohen, sasitë dhe kushtet e realizimit të verifikimit të matësve, përcaktohen në kontratën-tip të miratuar nga ERE dhe të nënshkruar ndërmjet palëve. Tarifat janë për njësi (copë) dhe nuk përfshijnë TVSH-në. Ndërkohë, tarifat e verifikimit të matësve të energjisë elektrike derdhen në bankë në numrin e llogarisë së Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë dhe Kalibrimit, drejtorive rajonale, degëve, zyrave të saj, ose të personit juridik të autorizuar prej saj.
Sahatet
Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE) sapo ka përfunduar operacionin e vendosjes së matësve për të gjithë abonentët, të cilët faturoheshin aforfe për muaj të tërë. Sipas detyrimit ligjor, përcaktuar nga ERE, dhe angazhimit të Ministrisë së Energjisë, OSHEE-ja ndërmori fushatën e instalimit të matësve te të gjithë abonentët, për periudhën janar-qershor 2016, të cilët ishin rreth 37 mijë. Në total, duke filluar nga viti 2015, kur nisi dhe zbatimi i reformës në sektorin energjetik, deri në vitin 2016, janë instaluar rreth 71 mijë matës.

Përmbytjet: 50 mijë abonentë pa energji, 180 shtëpi me ujë

Posted: 09 Nov 2016 08:00 AM PST

 

Kryeministri Edi Rama mblodhi dje, dy herë brenda ditës, Zyrën Operacionale të Situatës në Kryeministri, ku janë shkëmbyer informacionet që vinin nga terreni. Deri në orët e pasdites ishin 50 mijë familje pa energji elektrike, nga 64 që ishin në mëngjes, ndërkohë që në të gjithë vendin ishin 180 shtëpi të përmbytura.
Takimi i paradites
Dorian Tola, koordinator në Zyrën Operacionale të Situatës: Reshjet intensive të shiut, të cilat kanë rënë në vendin tonë, kanë prekur disa qarqe të vendit. Qarqet më të prekura janë Durrësi, Tirana, Dibra, Lezha dhe Gjirokastra. Si pasojë e daljes nga shtrati të lumit Zezë në Fushë-Krujë, 3 familje mbetën të izoluara dhe u evakuuan nga forcat zjarrfikëse. Gjithashtu në Lezhë, një shkollë ka ndërprerë procesin mësimor. Ka prezencë uji në rrugë dhe në katet e para të banesave dhe bizneseve në disa ndërtesa të qarqeve të përmendura. Në autostradën Tiranë–Durrës, uji ka bllokuar një pjesë të segmentit të saj, prandaj dhe rruga ka qenë devijuar nga aksi dytësor, nga Ndroqi. Në Dibër, ujërat e lumit Drin kanë dalë nga shtrati duke rrezikuar 5 banesa, familjet e të cilave janë evakuuar. Në Shkodër, ujërat e lumit kanë shkatërruar një urë, e cila ka qenë më parë e dëmtuar, ura rurale që lidh Tamarën dhe Vajkalin. Në të gjitha akset e qarqeve Kukës dhe Dibër ka rënie gurësh dhe materialesh. Firmat e mirëmbajtjes po punojnë për ta pastruar dhe për ta mbajtur gjendjen nën kontroll. Gjendja më problematike paraqitet në aksin Hadroj-Qafë Bene, ku rënia e gurëve dhe dherave ka krijuar probleme serioze për qarkullimin. Më e rënduar gjendja në qarkullim paraqitet në Shkozë dhe te tuneli.
Për 24 orët e ardhshme dhe për ditët në vijim parashikohet mot me vranësira të dendura, me reshje shiu me intensitet të ulët, mesatar deri të lartë, pra, pritet të vazhdojë kjo situatë hidro–meteorologjike.
Kryeministri Rama: Emergjencat Civile kanë marrë këtë informacion prej disa ditësh dhe faktikisht prej dy ditësh që të gjitha strukturat, nën drejtimin e ministrave dhe personave përgjegjës, janë angazhuar për ta përballuar sa më mirë të jetë e mundur, një gjendje që realisht është vërtet e pazakonshme për sa u përket reshjeve të parashikuara.
Sokol Dervishaj: Në çështjen e ujësjellësve mund të them se situata është nën kontroll të plotë dhe se nuk ka asnjë problematikë deri tani, qoftë në furnizimin me energji të ujësjellësve, apo nga krijimi i ndonjë shqetësimi që mund të vinte nga reshjet e tepërta. Për sa i takon çështjes së akseve rrugore nacionale, sikurse u përmend këtu, ka një problematikë në disa prej tyre. Në aksin Tiranë-Durrës, i cili ka qenë problematik për shkak të reshjeve, janë angazhuar 6 fadroma dhe mjete të shtuara e fuqi punëtore nga kontraktorët e mirëmbajtjes së rrugëve dhe praktikisht po bëjnë një punë të mirë. Në zonën e Fushë-Krujës, nga prurjet e shumta të përrenjve ka prani të madhe të ujit në rrugë dhe përveç ujit, edhe gurë apo rrëshqitje, jo shumë serioze.
Takimi i pasdites
Kryeministri Rama: Ne e kemi ndjekur çdo minutë këtu nga Zyra Operacionale e Situatës gjithë vijimësinë e përpjekjeve, ashtu sikundër edhe gjithë volumin e ankesave, kërkesave, shqetësimeve të mbledhura në të gjithë territorin, në të gjitha nivelet, që nga niveli i qeverisjes vendore, te niveli i qytetarëve që na janë adresuar.
Dorian Tola: Ka një përmirësim të ndjeshëm për sa i përket furnizimit me energji elektrike, ku numri i abonentëve pa energji elektrike ka ardhur në rënie. Madje, sipas informacionit të fundit që kemi, aktualisht në të gjithë vendin janë rreth 60 mijë abonentë të mbetur pa energji elektrike. Gjithashtu, përmirësim ka pasur në drejtim të zhbllokimit të disa akseve rrugore në qarkun e Durrësit, në Lezhë dhe në Kukës. Është ndërprerë procesi mësimor në të gjithë vendin, deri në një urdhër të dytë. Siguria e jetës: 80 familje janë evakuuar në Tiranë, 4 familje në Dibër, në një rast evakuimi është përdorur helikopteri i Forcave të Armatosura, në një operacion të vështirë nga ajri. Fatkeqësisht një person është gjendur i mbytur në Lumin e Tiranës nga forcat palombare të RENEA-s. Rasti po hetohet, për të zbardhur rrethanat e ngjarjes. Akset rrugore: Akset më problematike paraqiten: Bajram Curri-Valbonë, i cili është i bllokuar; Në akset Shkodër-Qafë Qele dhe Harku i Bërdicës ka prani të shtuar uji, si pasojë e hapjes së HEC-it; në Skuraj, rruga është përmbytur për shkak të hapjes së portave të HEC-it Shkopet; në Kukës është shembur një urë mbi lumin Bushtricë, e cila lidh dy fshatra; kemi bllokim të segmentit Ndoj-Qafë Shtamë, në kilometrin e 13-të, si pasojë e rrëshqitjes masive të inerteve. Gjithashtu, fshati Zhebe në Përmet është izoluar, pasi është shembur ura që e lidh me qytetin; autostrada Tiranë-Durrës është hapur në një drejtim, pra është përmirësuar gjendja; gjithashtu është hapur për qarkullim edhe aksi Dushaj-Lekbibaj.
Tokat bujqësore në rang vendi: Në Shkodër 600 ha raportohen me prezencë uji; në Lezhë 850 ha; në Fushë-Krujë 280 ha; në Durrës 200 ha; në Tiranë 15 ha; në Gjirokastër 130 ha.
Forca të angazhuara: Gjithsej, 136 Forca të Armatosura, 23 mjete dhe 5 agregate kanë qenë në mbështetje të Emergjencave Civile.
Parashikimi i motit nuk ka ndryshuar. Pritet që situata të përkeqësohet 24 orët e ardhshme dhe reshjet me intensitet mesatar, deri të lartë, do vazhdojnë të bien edhe në ditët në vijim.
Shemsi Premçi: Janë informuar gjithë ministritë e linjës dhe deri më tani, situatat më kritike kanë qenë në rajonin e Tiranës: autostradat, hyrja te nyja e "Pallatit me Shigjeta", rruga "Don Bosko", Lumi i Tiranës, ku kemi pasur rreth 80 familje me prezencë uji, për të cilat janë angazhuar menjëherë të gjitha strukturat e Policisë, shërbimet zjarrfikëse dhe shërbimet e ushtrisë dhe janë evakuuar menjëherë familjet, e aktualisht ndodhen të sistemuara në shkollën 9-vjeçare "Gramoz Palushi", ku janë gjithsej 170 persona me të gjitha kushtet e nevojshme minimale për të jetuar. Në zonën e Lezhës ka pasur probleme në Droje, prezencë të ujit në 35 familje. Në Shkodër, në lagjen "Ajasem" ka prezencë uji në 40 banesa. Shtëpi me prezencë uji në të gjithë territorin e Shqipërisë janë gjithsej 180, por jo të përmbytura. Duhet ta theksojmë: jo të përmbytura, sepse aktualisht në asnjë nga banesat nuk ka ujë, me përjashtim të 10 banesave, të cilat kanë nga 10-30 centimetra ujë.
Erion Veliaj: Kemi bërë një menaxhim dhe normalizim të situatës gjatë orëve të ditës. E vetmja çështje e pazgjidhur ose që është një çështje aktive është çështja e ujit të pijshëm në Tiranë. Unë sapo kthehem nga Bovilla dhe bëmë aty një demonstrim fizik të situatës së ujit.
Kjo do të thotë që ne e kemi reduktuar në 30% furnizimin me ujë. Pra, vetëm 30% e kapacitetit furnizohet me ujë Tirana. Gjatë darkës do të ketë një furnizim me ujë të plotë, sepse është tashmë uji në depot e ujit i depozituar gjatë ditës, para se të ndodhte turbullira. Ne momentalisht jemi duke bërë teste çdo 10 minuta, por situata është aq dramatike. E thënë thjesht për qytetarët, përpara një vendimmarrjeje të vështirë, kam vendosur dhe kam urdhëruar që të ndodhë ky reduktim i ujit, pra ne të lëshojmë në sistem atë që kemi tashmë të filtruar, por të mos e teprojmë. Dua t'u bëj thirrje të gjithë qytetarëve të furnizohen sot në darkë për nevojat e 2-3 ditëve të ardhshme. Shpresoj se nuk do jetë i nevojshëm pezullimi total i filtrimit të ujit në Bovillë, megjithatë është i mundshëm. Më mirë ta themi të vërtetën siç është dhe të jemi të përgatitur e të marrim vendime të përgjegjshme. E, besoj që vendimi që kemi marrë për të kufizuar ujin në Tiranë derisa të shkojmë në një situatë të pranueshme, është vendim i drejtë, edhe pse jo vendimi më komod i mundshëm.
Kemi një njoftim nga Ministria e Arsimit për pezullimin e mësimit nesër, e duhet ta respektojmë. Në fakt, vetëm në 2 nga 200 shkolla të Tiranës kemi pasur problematikë, megjithatë, duke qenë se shumë prej oborreve kanë pasur inerte e duhet të pastrohen, gjithë bashkia do jetë në dispozicion nesër. Nuk kemi pasur probleme në 31 çerdhet dhe 26 kopshtet e rikonstruktuara, kishim menduar edhe për këtë ditë. Do të thotë që ne do t'i kemi hapur ato nesër (sot), për prindër që për një arsye të caktuar nuk mund t'i mbajnë fëmijët në shtëpi. Në kopshtet e çerdhet e Tiranës dyert do jenë të hapura, për të mundësuar sadopak një lloj komoditeti në këtë situatë të vështirë për prindërit që nuk kanë një alternativë tjetër, në dallim nga nxënësit e shkollave, që mund të rrinë edhe vetëm.
Kryeministri Rama: Është me rëndësi e vlen të theksohet çështja e kësaj emergjence specifike që ka të bëjë me ndotjen e ujit të Bovillës, dhe që bëhet e mundur që të gjithë qytetarët e Tiranës ta kenë këtë informacion, gjë që mund të realizohet vetëm duke e përsëritur pa u lodhur e pa u mërzitur, pasi është një situatë që askush nuk do të dëshironte të sillte implikacione shëndetësore krejtësisht të evitueshme, duke marrë masat, gjatë natës së sotme, për të përfituar nga furnizimi me ujë të pastër e për të krijuar një depozitë për 2 apo 3 ditët në vijim.
Edmond Panariti: Situata duhet ndjekur në vazhdimësi dhe me vëmendje të madhe, për të bërë ç'është e mundur që të minimizojmë ato pasoja që mund të vijnë nga këto reshje të jashtëzakonshme. Kemi pasur bashkëpunim të frytshëm, në sintoni do të thosha, me pushtetin lokal, gjë që na gëzon, për arsye se, në mënyrë që sistemi të funksionojë në mënyrë integrale duhet që të kemi sintoni dhe sinkroni midis ndërhyrjeve që bëjmë në nivel qendror me ndërhyrjet që ndodhin në nivelet e kanaleve dytësore nga pushteti vendor.
Kryeministri Rama: Kemi ndërmarrë operacionin më masiv të pastrimit të kanaleve kryesore dhe atyre dytësore. Sikur të mos kishim bërë këtë punë kolosale gjatë këtij viti, do të ishim duke u përballur me një situatë shumë më dramatike. Patjetër që, kjo është edhe shprehje e faktit që na duhet ende ta vazhdojmë këtë punë. Kemi arritur thuajse të pastrojmë 1.000 kilometra kanale, të cilat na e kanë lehtësuar punën shumë dhe shpjegojnë dhe faktin që sasia e hektarëve të përmbytur është shumë më e vogël se çka do të ishte po të merrnim parasysh të njëjtin volum reshjesh, në kushtet e kanaleve të bllokuara.
Damian Gjiknuri: Në total, nëse prurjet e përgjithshme janë 3 mijë metra kub, për shkak të reshjeve dhe shkarkimeve kryesisht të përrenjve që derdhen në rezervuarin e Komanit, shkarkimet totale, që përfshijnë prodhimin e energjisë dhe shkarkimet e kontrolluara, janë në total 1760 metra kub ujë, të cilat nuk përbëjnë aspak rrezik për përmbytje masive ashtu siç kemi mësuar të shohim vitet e shkuara.
Këtu dua të theksoj edhe një gjë, që fatkeqësisht ka pasur edhe spekulime politike. Si duket, shpeshherë politika do mundohet të kapitalizojë edhe me fenomene natyrore, gjoja sikur akuzohet nga autoritetet publike korporata, e cila nuk ka njoftuar për shkarkimet e ujërave apo është shkaktare kryesore e disa përmbytjeve që kanë ndodhur.
Kryeministri Rama: Është e qartë që, as ne dhe asnjë qeveri apo bashki në botë nuk disponon ndonjë instrument për të ndaluar përmbytjet kur ato vijnë si rezultat i daljes nga parametrat maksimalë të mundësisë së administrimit të infrastrukturës së reshjeve. Sot jemi dëshmitarë që përmbytje shumë më të mëdha dhe shumë më rrëqethëse sesa kjo e Tiranës ndodhin edhe në qytete shumë më të zhvilluara dhe shumë më të konsoliduara, në pikëpamjen e infrastrukturës dhe gjithë sistemeve të mirëmbajtjes. Mjafton të kujtojmë – dhe është diçka që sot ua kam kujtuar edhe disa qytetarëve që herë pas here më kanë sinjalizuar me mesazhet e tyre, pasi ishin, për fat të keq, të bllokuar në autostradë – rastin kur deri në Paris shkoi uji në katin e parë të Muzeut të Luvrit. Pa folur pastaj për rajonin, ku vetëm një shtrëngatë ekstreme në një kohë të shkurtër krijoi gjithë atë kaos dhe gjithë ato pasoja në Maqedoni, apo në Serbi, pak kohë më parë, apo në Itali, ku pamjet e këtyre situatave janë bërë të përsëritura, ashtu sikundër janë të tilla edhe në të gjithë zonën e Europës Mesdhetare. Ajo që ne mund të bëjmë është ajo që po bëjmë, që të ndalemi te kufiri ku ndahet tërbimi i natyrës nga mundësitë e administrimit. Realisht, deri në këto momente, besoj që, puna e bërë në terren dhe mbi të gjitha i gjithë ky koordinim, si asnjëherë më parë, që po bëhet dhe falë këtij sistemi që ne kemi ndërtuar posaçërisht për situatat e emergjencave, flet vetë.
Drejtori i OSHEE, Ardian Çela: Rreth 62 mijë abonentë që në orën 18:00, janë pa energji, numri i fiderave është 47. Këto 47 fidera janë kryesisht në zona rurale, ku dhe fiderat janë të amortizuara. 54% e këtyre fiderave janë stakuar për arsye sigurie. Zona më e prekur është rajoni i Tiranës, konkretisht zonat e Kamzës dhe Farkës. Dua të përmend edhe një fakt, i cili ka qenë shumë i shpeshtë, si në javën e kaluar, dhe është vënë re edhe në ditën e sotme. Disa nga fiderat, siç është rasti i Farkës, janë dëmtuar nga ndërhyrje të kompanive private për punë private, apo hapje rrugësh e ndërtime banesash.
Mimi Kodheli: Ne kemi bërë planin tonë për ndërhyrjet në të gjithë vendin, bazuar edhe në të dhënat e fundit meteorologjike, dhe do të vazhdojmë t'i mbetemi këtij komunikimi dhe këtij plani.
Drejtori i OSHEE, Ardian Çela: Nga raportimi para një ore, kam një raportim tjetër, ku numri i fiderave nga 47 ka zbritur në 34, dhe numri i abonentëve që janë pa energji nga 64 mijë në 50 mijë. Kjo situatë vazhdon të përmirësohet. Në qytetin e Tiranës, ku paraqitet gjendja më dramatike, më e lënduar, numri i fiderave ka zbritur në 11 që janë pa furnizim me energji elektrike. Pra, grupet në terren po vazhdojnë të punojnë.
Saimir Tahiri: Janë deri tani, 2 viktima të regjistruara, pavarësisht se, me të drejtë, drejtori i Emergjencave Civile bëri ndarjen e shkaqeve. Viktima e regjistruar në Tiranë, sipas hetimeve, është për shkak të rrjedhjes së vrullshme të lumit të Tiranës, ndërsa në qarkun e Dibrës, për fat të keq, bëhet fjalë për pakujdesi të tepruar nga viktima. Janë mbi 3.500 forca në dispozicion vetëm për evakuimin dhe përgjigjen e rasteve të emergjencës së lartë, që mund të shmangin për sa është e mundur pasojat në shëndet dhe në jetën e qytetarëve.
Do të vazhdojë, me kërkesën e Ministrisë së Punëve të Brendshme, ndërprerja e mësimit. Unë e dëgjova edhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës e do këshilloja që, përveç rasteve të domosdoshme, ndërprerja e mësimit të aplikohej edhe për kopshtet dhe çerdhet, sepse është e nevojshme që, pavarësisht masave që janë marrë me rikonstruksionin e kopshteve dhe çerdheve dhe evitimit të situatave të përmbytjes në oborret e tyre, është e nevojshëm të shmangen trafiku, lëvizja e popullsisë, lëvizja e qytetarëve, në mënyrë që të kemi një kontroll sa më të mirë dhe hapësirë sa më të madhe, për të pasur lëvizjen e forcave dhe garantimin e shëndetit dhe jetës së qytetarëve.

Edi Rama që njohëm prej Voltanës

Posted: 09 Nov 2016 08:00 AM PST

Edi Lesi

Voltana Ademi me siguri nuk e ka menduar dhe nuk e ka pasur aspak qëllim, po pa dashjen e saj ka zbuluar për të gjithë një prej tipareve më të errëta të Edi Ramës, i cili në një përplasje të paprinciptë dhe të pabarabartë me kryetaren e Bashkisë së Shkodrës ka treguar se nuk i njeh 40 mijë vota. Nuk e njeh pra vullnetin e rreth 60 për qind të qytetarëve të Shkodrës që zgjodhën Voltanën edhe pse e dinin që idhnaku Rama mund të hakmerrej me atë që ka aktualisht në dorë, qesen e parave, siç edhe kërcënoi në fushatë. Shkodranët megjithatë zgjodhën si e menduan vetë, duke konfirmuar edhe një herë lirinë e tyre sipas një tradite mjaft të pasur në këtë drejtim.
Nuk ia dorëzuan Ramës bashkinë, pushtetin e tyre, sovranitetin e tyre vendor, edhe pse ai e rrethoi qytetin e Rozafës me të gjitha mjetet që kishte në dispozicion.
Që ditën e parë pas zgjedhjeve lokale të 2015-ës e deri më sot, kryeministri i vendit nuk e njeh zgjedhjen që kanë bërë shkodranët, nuk njeh ushtrimin e vullnetit të tyre, nuk njeh lirinë e tyre vendore.
Derisa nuk e ka në dorë ta emërojë, me vota nuk e merr dot, atëherë ka zgjedhur thjesht ta bëjë të paqenë.
A është duke ndëshkuar ai Voltanën? Jo, aspak, por një qytet të tërë, më të madhin e veriut.
E ka fshirë nga harta këtë bashki në ditë vere, në ditë shiu, në ditë përmbytjesh si kjo e sotmja.
Tokëvilli nga imazhet që vijnë prej tij ngjan se ka pasur shumë flokë, po patjetër që do kishte shkulur shumë prej tyre nëse do ishte dëshmitar i kësaj kohe. Ai e quan bashkinë si forcën e popujve të lirë dhe institucionet komunale të asaj rëndësie siç është shkolla fillore për shkencën. Me këto, qytetarët e prekin, shijojnë e përdorin zgjedhjen e tyre, lirinë e tyre. Sipas Tokëvillit, Edi Rama nuk dëshiron qytetarë, por ca njerëz nën qeverisje.
Liritë vendore përveçse e bëjnë njeriun sovran në lagjen e tij, në komunitetin e tij, krijojnë po ashtu organizëm, trupa sociale që shërbejnë si amortizatorë ndaj yryshit të shfrenuar të pushtetit qendror.
Kjo nuk është një luftë që e ka ndjellë, dhe as nuk e ka dëshiruar Voltana, e cila ka refuzuar t'i përgjigjet Ramës edhe pse ai e ktheu gati në fushatë kombëtare goditjen e saj, duke e shpallur edhe nga Skrapari i largët që nuk do t'i japë asaj asnjë qindarkë, sepse ai nuk e kuptoka atë. Ja ku nxori kryet një kriter i ri për të marrë para nga qeveria.
Ndërkohë është fiksuar thellë në opinion hakërrimi me neurone të çekuilibruara në stadiumin e Shkodrës, tek përsëriste si automat i çakërdisur kafeje me dy gishtat rrumbullakë që tundte në ajër: zero lekë, zero lekë, zero lekë.
Voltana nuk i është përgjigjur kësaj ftese për zjarr. Ajo vazhdon punën me mundësitë që ka dhe ka dërguar në qeveri vetëm për këtë vit rreth 19 projekte për ndërhyrje në infrastrukturë, për zhvillim, për arsim e shëndetësi, plane që prekin fshatrat, periferitë dhe qytetin. 19 projekte të refuzuara nga Edi Rama, pa asnjë motiv, por thjesht sepse ai nuk njeh zgjedhjen dhe lirinë e shkodranëve. E jo vetëm kaq, por ka vënë në lëvizje gjithë instrumentet që ka dhe stimulon edhe të tjerë për një betejë frontale e asgjësuese ndaj kryetares së Bashkisë Shkodër. Pse? Sepse shkodranët rezistuan, duke i prishur rëndë humorin vezirit të Surrelit.
Marrë nga "Balkanweb"

FSHF kërkoi ndryshimin e stadiumit

Posted: 09 Nov 2016 08:00 AM PST

Zhvendosja e ndeshjes Shqipëri-Izrael është bërë me kërkesën e Federatës Shqiptare të Futbollit dhe arsyeja ka qenë mungesa e sigurisë në impiantin e qytetit të Shkodrës. Pas lajmit të publikuar të hënën nga “Panorama Sport” se arrestimet e disa personave në Shkodër ishin kryer sepse Mossad kishte njoftuar se ata mund të kryenin akte terrorizmi në stadium gjatë ndeshjes, u vendos ndryshimi i impiantit. Kërkesa në FIFA nuk është dorëzuar nga Federata Izraelite e Futbollit, siç mund të mendohej, por nga Federata Shqiptare e Futbollit. Kjo e fundit ka dorëzuar dje në FIFA një kërkesë për zhvendosjen e ndeshjes në Elbasan dhe ajo është aprovuar nga organizata, e cila rregullon eliminatoret e “Botërorit 2018” në kuadër të së cilës zhvillohet kjo ndeshje. “Pasi federata shqiptare i kërkoi FIFA-s të lëvizte vendndodhjen e ndeshjes kundër Izraelit për shkak të kushteve të sigurisë, FIFA vendosi që ndeshja të zhvendosej në Elbasan, pranë Tiranës. Federata e Izraelit e aprovoi këtë ndryshim”, shkruhej në njoftimin e federatës izraelite.
Biletat
Nuk ka vend për panik për sa i përket çështjes së biletave të Shqipëri-Izrael, pavarësisht ndryshimit të vendzhvillimit të ndeshjes. Menjëherë pas vendimit të FIFA-s, që përcaktoi “Elbasan Arenën” si vendin ku do të luhet takimi i së shtunës së ardhshme, drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit janë mbledhur për të përcaktuar modalitetet dhe hapat që do të ndërmerren, në mënyrë që ky ndryshim i programit të mos cenojë personat që ishin pajisur me një biletë në “Loro Boriçi”. Nga shitjet on-line janë pajisur me një biletë për në impiantin e Shkodrës rreth 7 mijë persona dhe menjëherë pas ndryshimit të stadiumit, serveri është bllokuar për disa orë, në mënyrë që të mos ketë më shitje të tjera. Për sa u përket personave që janë pajisur me një biletë për në “Loro Boriçi”, të gjithë do të marrin një tjetër, që i mundëson prezencën në këtë ndeshje në “Elbasan Arena”, ndërsa mbetet për t’u vendosur si do të operohet në mënyrë për pajisjen me to. Gjithashtu, edhe çmimet e biletave nuk do të ndryshojnë, duke mbetur në fuqi ato që ishin përcaktuar që më parë për ndeshjen në “Loro Boriçi”, ndërkohë që nuk paraqet asnjë problem aspekti organizativ i ndeshjes në “Elbasan Arena”.

Lajme / Luana Vjollca, dedikim romantik të dashurit

Posted: 09 Nov 2016 08:00 AM PST

Janë shumë të rralla herët kur moderatorja simpatike flet për dashurinë. Ndaj, jo të paktë kanë qenë ata që janë habitur nga kjo foto e saj, ku mesa duket ka qenë një dedikim për partnerin. Kohët e fundit moderatorja Luana Vjollca ka kaluar mjaft kohë midis Tiranës dhe Prishtinës. Një fakt i tillë ka ndodhur jo vetëm për shkak të bashkëpunimit muzikor që do të ketë së shpejti me këngëtarin Ylli Limani, por gjithashtu edhe për shkak të të dashurit të saj, Krenar Çoçaj. Këtë herë Luana është bërë romantike dhe ka publikuar në "SnapChat" një foto bardhezi nga makina, ndërkohë që bie shi, ku ka shkruar: "Gjith je kon veç ti", e shkruar në dialektin kosovar. Ky është dedikimi i parë i dashurisë që Vjollca bën për të dashurin e saj.

Elia lë pas muajin e mjaltit, i kthehet punës si aktore
Dasma e saj ka qenë një nga më të komentuarat për këtë vit dhe gjithashtu, edhe muaji i saj i mjaltit. Por, tashmë princesha Elia Zaharia i është rikthyer profesionit të saj si aktore. Ajo ka publikuar në rrjete sociale një foto nga xhirimet e filmit "Yjet e së ardhmes", ku ka pozuar së bashku me aktorin e njohur shqiptar Luftar Paja. Elia në këtë foto duket më në formë se kurrë.

Nora Istrefi dhe Albana Osmani "frymëzohen" nga Kim Kardashian
Këngëtarja Nora Istrefi dhe moderatorja e "Top Channel", Albana Osmani vërtetë nuk kanë asnjë lidhje të përbashkët përsa i përket profesionit të tyre, por përsa i përket pamjes së jashtme dhe 'look'-ut, mund të themi se të dyja vajzat janë ndër më të bukurat e personazheve publikë shqiptarë. Si Nora, ashtu edhe Albana, shfaqin linja perfekte trupore dhe nuk është çudi që të dyjave t'i shkojnë për shtat veshje apo aksesorë të njëjtë, sepse fiziku i tyre ua lejon këtë gjë. Por, duket se edhe këto dy bukuroshe kanë një pikë referimi teksa flasim për modën. Çizmet trendi që vajzat kanë zgjedhur të veshin, i kanë "huazuar" nga 'showgirl'-i Kim Kardashian. E nëse na pyesin ne se cilën nga këto dy bukuroshe preferojmë, themi Albanën, për këmbët e gjata dhe seksi që ka.

Zaimina bën konfuz publikun
Kur nuk ka kaluar shumë kohë që nga ndarja e saj me të dashurin, Zaimina ka menduar t'i bëjë konfuzë të gjithë ndjekësit e saj. Së fundmi ajo ka publikuar një foto në rrjete sociale, ku shfaqet në krahët e një mashkulli, të cilit nuk ia ka zbuluar fytyrë dhe që e quan "panda". Menjëherë kanë nisur edhe lajmet se djaloshi në krah është i dashuri saj. Në fakt kemi mundur të marrim vesh se djali që e shoqëron në këtë foto dhe këngëtarja e quan "panda", është fotografi Juxhin Kurti. Prej kohësh Juxhini dhe Zaimina bashkëpunojnë së bashku, por janë thjesht miq të mirë.

Stuhia e shirave, përmbyten në shkallë vendi 1.189 ha tokë

Posted: 09 Nov 2016 08:00 AM PST

 

Stuhia e shirave gjatë 24 orëve të fundit ka shkaktuar përmbytje masive në disa qarqe të vendit tonë. Fryrja dhe dalja nga shtrati e lumenjve dhe përrenjve ka zhytur nën ujë sipërfaqe të tëra toke në Shkodër, Lezhë, Mirditë, Durrës dhe Gjirokastër, ndërsa janë përmbytur me dhjetëra banesa. Burime zyrtare nga Ministria e Bujqësisë dje bënë me dije se si pasojë e reshjeve janë përmbytur në shkallë vendi 1.189 ha tokë. Ndërsa, mësohet se janë evakuuar mbi 100 familje. Sipas burimeve të mësipërme rezulton se situata paraqitet më problematike në qarkun e Lezhës. Situata e krijuar nga “çmenduria e motit” ka bërë që të ngrihen shtabet e emergjencës dhe të merren masa të menjëhershme për mbajtjen nën kontroll të situatës. Emergjencat Civile në gjithë vendin kanë angazhuar mbi 3.500 forca të strukturave zjarrfikëse, emergjencave, ushtarake, të Policisë së Shtetit dhe njësive vendore. Gjithashtu, janë 70 mjete të vëna në dispozicion për situatën, si dhe 1 helikopter.
QARKU SHKODER
Shkodra i ka vuajtur gjithmonë përmbytjet dhe rrallë shpëton ndonjë vit pa pasoja nga reshjet e shiut. Për 24 orë ajo është mbuluar nga uji dhe forcat e emergjencave kanë nxjerrë në rrugë varkat për t’u ardhur në ndihmë banorëve. Mësohet se 30 banesa janë të rrethuara nga uji, ndërsa rreth 200 ha tokë gjenden nën ujë në njësinë administrative Bushat, në zonën e Urës së Dedë Gjo Lulit. Rruga nacionale nuk ka pasur probleme, ndërkohë që uji i është afruar Harkut të Bërdicës. Sipas burimeve nga vendorët, lumenjtë Buna dhe Drini janë afër kuotave maksimale.
QARKU LEZHE
Reshjet e rrëmbyera kanë krijuar situatë kritike në qarkun e Lezhës. Situata është rënduar akoma më shumë, pasi argjinatura në njësitë Shën Koll dhe Rrilë është çarë në dy vende. Lajmi është konfirmuar për “GSH” nga prefekti Eduard Ndreca. Sipas Ndrecës, në vendngjarje janë forcat e ushtrisë, ndërsa po përpiqen që të mbyllin çarjen e argjinaturës. Fatmirësisht, deri tani nuk ka rrezik për banesa, pasi ato janë larg zonës ku ndodhet argjinatura. Ndërkohë, dramatike do të bëhej situata nëse çahej edhe argjinatura në Tale. Nga të dhënat që vijnë nga vendngjarja, mësohet se rrezikohet çarja e argjinaturës në disa pika. Ndërkaq, lumi Mat rrezikon të dalë sipër argjinaturës edhe për 5 cm. Burime zyrtare dje pohuan se janë 130 ha tokë nën ujë në Bregun e Matit (Spiten, Markatomaj), rreth 70 ha në Tresh; rreth 60 ha në Tale; rreth 50 ha në Barbullonjë; rreth 400 ha në Balldre-Torovicë si dhe 50 ha në Zadrimë (Baqel). Probleme ka në Gjorm dhe Zheje të Bashkisë Kurbin, ku ka përmbytje edhe të shtëpive, për shkak të shkarkimit të rezervuarit që administrohet nga bashkia si dhe të reshjeve të shumta që kanë rënë. Në zonën Fushë Kuqe ka rreth 90 ha tokë nën ujë. Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar probleme edhe në Mirditë, ku është dëmtuar Unaza e qytetit pas prurjeve të lumit Zmea. Sipas të dhënave, mësohet se Unaza është nxjerrë jashtë funksionit. Sakaq, bëhet e ditur se është izoluar fshati Kaçinar, pasi është përmbytur Ura e Cekave.
QARKU DURRES
Si pasojë e reshjeve me intensitet të lartë në disa lagje të qytetit bregdetar ka pasur prezencë uji në katet e para të disa banesave, kryesisht në lagjet nr.18 dhe nr.4. Punonjësit e ndërmarrjeve të bashkisë dhe Shërbimi Zjarrfikës po punojnë me motopompa për të bërë të mundur tërheqjen e ujit dhe kthimin në normalitet të situatës. Ndërkaq, lumi Zezë ka dalë nga shtrati dhe ka izoluar 3 familje, banuese në njësinë administrative Fushë-Krujë, të cilat janë evakuuar nga Forcat Zjarrfikëse të Krujës. Nga Batalioni i Mbështetjes Rajonale të Forcave të Armatosura janë dërguar në Fushë-Krujë dy ekipe shpëtimi me varka për të ndihmuar familjet në nevojë. Që prej mesnate në Fushë-Krujë mungon edhe energjia elektrike. Raportohet për përmbytje edhe në Nikël, Derven dhe Arrameras.
QARKU DIBER
Moti i keq ka krijuar probleme edhe në qarkun e Dibrës. Dalja nga shtati e lumit Drini i Zi ka rrezikuar 10 banesa, ndërsa janë evakuuar familjet. Në fshatin Urakë të Matit, lumi ka marrë me vete urën (e telit). Nga ura e Matit deri në Suç, si pasojë e reshjeve të dendura të shiut është bllokuar rruga nacionale, ku 3 mjete po punojnë për hapjen e rrugës. Në fshatin Muzhaç, Mat si pasojë e daljes nga shtrati i përroit të këtij fshati 15 familje rrezikohet të përmbyten. Në fshatin Batër e Madhe të njësisë administrative Komsi janë evakuuar 15 familje. Në qytetin Burrel, 4 banesa dhe 3 biznese kanë prezencë uji.

Sadiku mund t’ia dalë, De Biazi shpreson

Posted: 09 Nov 2016 08:00 AM PST

Kombëtarja shqiptare e futbollit ka zhvilluar dje e plotë stërvitjen e paradites në Durrës, duke përgatitur ndeshjen kundër Izraelit. Trajneri Xhani De Biazi kishte në dispozicion të gjithë futbollistët, pasi grupit iu bashkuan edhe dy të fundit, Odise Roshi dhe Bekim Balaj. Megjithatë, të dy lojtarët që udhëtonin nga Rusia u stërvitën të diferencuar, duke kryer vrapime bashkë me Mërgim Mavrajn dhe Armando Sadikun. Ky i fundit vazhdon planin e përgatitjes individuale, duke shpresuar që të riaftësohet në kohë dhe stafi mjekësor i Kombëtares po e monitoron nga afër gjendjen e tij, në tentativën për të bërë gati lojtarin për ndeshjen e të shtunës. Sadiku ka qenë prej disa javësh nën mbikëqyrjen e Xhanluka Stesinës, mjekut të Kombëtares, i cili punon në qendrën “J-Medical”, ku po riaftësohej sulmuesi. Stesina i ka konfirmuar De Biazit se lojtari mund të bëhet gati për këtë sfidë dhe kjo është arsyeja pse Sadiku u grumbullua, ndonëse nuk ka zhvilluar asnjë ndeshje që nga momenti i dëmtimit. Sakaq, pjesa tjetër e grupit vazhdoi të punonte taktikisht me ekipin me ushtrime që kishin si qëllim daljen nga mbrojtja në sulm si repart. Pjesë e grupit ishte edhe Arlind Ajeti, një tjetër lojtar i rëndësishëm i riaftësuar, pas një fillimi sezoni problematik për shkak të dëmtimeve.

Drama “Askushi” në skenë, shiten biletat e natës së parë

Posted: 09 Nov 2016 08:00 AM PST

 

Klodiana Haxhiaj

DURRËS

Drama “Askushi”, e autorit Bashkim Hoxha, në 10 nëntor do të ketë premierën e saj në teatrin “Aleksandër Moisiu” në Durrës.
Kasta e aktorëve të mrekullueshëm është në provat finale, ndërsa autori Bashkim Hoxha këtë radhë vjen edhe me rolin e regjisorit të dramës.
Për vënien në skenë të dramës janë kapërcyer vështirësi të shumta, por vepra ka ardhur e realizuar mjeshtërisht nga një kastë e shkëlqyer aktorësh profesionistë, që kanë punuar për rreth 2 muaj.
Para provës gjenerale, aktorët kanë falur mjaft emocione. Subjekti i dramës të ngërthen deri në fund të saj. Emrat e personazheve janë marrë nga mitologjia greke, Penelopa, Ulisi, Antinoi, Kalipso, Eurimaku, por subjekti është aktual, ai i transformimit të njerëzve, të cilët braktisin idealet dhe të korruptuar nga pushteti, nuk njohin asgjë përveç interesave personale të tyre, duke braktisur miqtë, shoqërinë e gjithçka.
Asistent regjisori Elios Ibro thotë se mesazhi që përcjell drama e dramaturgut Bashkim Hoxha është ai i transformimit të njeriut, i cili harron idealet e vërteta. “Ata kanë qenë tre shokë në luftë të cilët luftuan për çlirimin e atdheut: Antinoi, Ulisi dhe Eurimaku. Ishin me ideale të mëdha për vendin. Në luftë ‘vritet’ Antinoi, trupi i të cilit nuk u gjet kurrë. Antinoi u shpëtua nga një trupë cirku e cila kalonte me shpejtësi në atë vend gjatë luftës. Pas 7 vjetësh ai rikthehet, por rikthimi i tij prish të gjitha balancat e jetës në qytet. Antinoi paraqitet si “Askushi” në kërkim të vetvetes, të jetës e të shokëve të dikurshëm të rinisë.
E dashura e tij Penelopa, roli i së cilës luhet nga Eralda Çaushi, e ka pritur si Penelopa Odisenë, por Penelopa këtë radhë është një biznesmene e mbështetur nga politikani kandidat për president, Ulisi. Penelopa është transformuar në një tjetër njeri, ashtu sikundër edhe shokët e tij. Ulisi është kthyer në një politikan grykës, ndërsa Eurimaku është arratisur në një fshat të largët e merret me bujqësi, për të mos u ndotur nga pisllëku i pushtetit.
“Është një punë e madhe, me një impenjim të madh që kanë bërë të gjithë aktorët dhe i gjithë stafi. Në këtë shfaqje nuk ka ndarje të kategorisë së roleve i parë apo i dytë. Të gjitha rolet kanë ngarkesë të plotë”, – thotë asistent regjisori Ibraj.
Pas 5 vjetësh, aktori Marvin Tafaj rikthehet në teatrin “Aleksandër Moisiu” me rolin e politikanit të korruptuar Antinoi, Eralda Çaushi në rolin e Penelopës, Besmir Bitraku me rolin e Ulisit, Mimoza Marjanaku me rolin e Kalipsosë, Xheni Fama me Eurimakun, Gjergj Doci me drejtuesin e Cirkut, Edmond Halili, Dashamir Sinani, Muharrem Asllani e Anxhelo Jaupi, vijnë në rolet e klounëve. Është një ansambël i vërtetë ngjyrash e skenash, që të mban frymën pezull gjatë gjithë shfaqjes nga skena në skenë.
“Ju vërtet mendoni se mund të vijë dhe të shfaqet ‘Askushi’??? A mund të ketë trajta dhe tipare një njeri me emrin ‘Askushi’? Askushi është ajër… Edhe është, edhe nuk është”, – thotë Mimoza Marjanaku.
Në staf mbështetës i madh është pas kuintave. Në rolin e as/regjisorit vjen Elios Ibro, imazhi kurohet nga Indrit Domi e Besmir Domi, formulimi muzikor nga Julian Shyti, koreografia nga Arian Plaku, kostumografia nga Lira Zahiri, grimi nga Edison Balkla, inspektor skene është Elio Bajramaj, ndriçimi nga Kreshnik Bregu e Arjan Jaupi. Qytetarët e artdashësit durrsakë kanë treguar interes të madh për këtë dramë, madje për shfaqjen e parë në datën 10 nëntor, kur do të jetë edhe premiera e “Askushit”, me autor Bashkim Hoxhën, nuk ka mbetur më asnjë biletë në shitje. Qytetarët kanë mundësi që ta ndjekin në tri netët pasardhëse. Drama “Askushi”, e shkruar në mënyrë brilante, fitoi çmimin e parë në konkursin mbarëkombëtar të dramaturgjisë shqiptare në Prishtinë, dhe fitoi të drejtën automatikisht për t’u vënë në skenë në teatrin kombëtar të Kosovës. Për këtë dramë autori ka punuar intensivisht për një periudhë 2-vjeçare. Ai ka në proces edhe disa vepra të tjera letrare.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more