Skip to main content

“Vrasja në Pogradec, sherri i dy të rinjve në “Facebook”” plus 9 more - Gazeta Shqiptare

“Vrasja në Pogradec, sherri i dy të rinjve në “Facebook”” plus 9 more - Gazeta Shqiptare


Vrasja në Pogradec, sherri i dy të rinjve në “Facebook”

Posted: 16 Sep 2016 05:57 AM PDT

Lediona Xheladinaj
Zbardhen mesazhet në "Facebook" mes 18-vjeçarit të vrarë, Fabio Hila dhe autorit Fabian Muçollari, të bëra 1 orë para vrasjes. Biseda mes tyre është e mbushur me fjalë të pista dhe kërcënime. Nga biseda del në pah se mes autorit dhe viktimës ka pasur shoqëri. Biseda mes viktimës Fabio Hila dhe autorit të krimit Fabion Muçollari ka nisur në orën 16:00 të pasdites së të martës dhe i pari që ka nisur debatin ka qenë Hila, i cili pretendonte se Muçollari kishte ndërhyrë në marrëdhënien që ai po ndërtonte me një vajzë, të cilën Muçollari e kishte shoqe të ngushtë. Pikërisht me pyetjen për marrëdhënien me Megin nis biseda. Por, Muçollari ka mohuar gjithçka, duke deklaruar se e kishte vetëm shoqe e nuk pretendonte asgjë tjetër. Sherri në "Facebook" ka degraduar në të shara e kërcënime, ndërsa vazhdimisht viktima Fabio Hila i kërkonte Muçollarit të shkonte në lokalin ku ndodhej. Ky i fundit insistonte që takimi të kryhej diku tjetër. Por, rreth një orë pas nisjes së bisedës, duket se të dyja palët kanë rënë dakord që të takoheshin në lokalin ku ndodhej viktima, Fabio Hila. Mesazhet e fundit janë shkëmbyer rreth orës 17:02, ndërkohë që vrasja e Hilës ndodhi rreth orës 18.00. Fabio Muçollari mësohet se ka shkuar në lokalin e basteve sportive ku ndodhej viktima dhe ka nisur një përplasje fizike mes tyre afër banakut të lokalit. Hila e ka goditur me karrige në kokë autorin, i cili pas kësaj ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të 17-vjeçarit dhe njëri prej 3 plumbave i mori jetën, pasi e preku në pjesën e zemrës. Pas vrasjes, bëhet me dije se Muçollari e fshehu automatikun në trup, duke ecur qetësisht për të mos rënë në sy të efektivëve të policisë. Por, pak minuta më vonë është kapur në kohë rekord pranë liqenit të Pogradecit nga vetë shefi i komisariatit. "News 24" gjithashtu mëson se si autori edhe viktima ishin me precedentë penalë. Fabio Muçollari kohë më parë, pas një sherri plagosi lehtë me thikë një person në Starovë, ndërsa Hila në një tjetër ngjarje në një pub në qendër të Pogradecit plagosi rëndë me mjete të forta një bashkëmoshatarin e tij. Ky i fundit u transportua në gjendje të rëndë në spital. Mësohet se për të dyja ngjarjet dy adoleshentët janë shoqëruar rreth 10 orë në polici e më pas janë lënë të lirë.

Nëna e viktimës: Dua drejtësi për djalin tim

Posted: 16 Sep 2016 05:56 AM PDT

POGRADEC – Dhimbja e një nëne kur humbet fëmijën nuk mund të përshkruhet me fjalë. Tashmë që i biri nuk është, nënës së Fabio Hilës, 18-vjeçarit nga Pogradeci që u ekzekutua dy ditë më parë nga bashkëmoshatari i tij, nuk i mbetet gjë tjetër veçse të kërkojë që drejtësia të vihet në vend dhe vrasësi të marrë dënimin e merituar. Në një status në faqen e saj në "Facebook", nëna e Fabios nuk përjashton mundësinë e vetëgjyqësisë, në rast se vrasësi nuk merr dënimin që meriton.
STATUSI NE 'FB'
"Unë jam një nënë si nënat tuaja, që mu fik drita e syve, të vetmin djalë që kisha, në moshën kur ëndrrat zënë pjesën më të madhe në jetën e një fëmije, të një adoleshenti. Por, dora mizore e kriminelit ia mori shpirtin engjëllit tim, e vrau mizorisht me plumb në zemër dhe për çfarë? Për një fjalë goje mua mu shua jeta e engjëllit tim. Nëse ju si shtet, si polici, si qeveri nuk i jepni dënimin që meriton këtij barbari, kanibali, çnjerëzori dhe që kam besim që do ta bëni, unë, nëna e tij i premtova para arkivolit që do t'ia marr shpirtin, ashtu si ai bëri me fëmijën dhe engjëllin tim të vetëm. Jeni baballarë, keni fëmijë; jeni nëna e dini shumë mirë çdo të thotë fëmijë dhe duhet të marrë fund nxjerrja e vrasësve me një raport si i paaftë mendor, o me një gjykim si minoren… Vrasësi është dhe mbetet i tillë".

PD: SPAK, emërimet jo nga qeveria

Posted: 16 Sep 2016 05:55 AM PDT

Valentina Madani
Mazhoranca dhe opozita nuk kanë deri tani një qëndrim konsensual për një nga 6 ligjet e rëndësishme që duhet të miratohen deri në fund të shtatorit, është ai i organizimit dhe funksionimit të 3 institucioneve që luftojnë krimin e organizuar dhe korrupsionin në nivele të larta. PD-ja, në një dokument prej 31 faqesh ka detajuar opinionin e saj mbi ligjin për strukturën e posaçme antikorrupsion. Demokratët kundërshtojnë rolin e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit Pasurive dhe Drejtorisë së Sigurisë, në përzgjedhjen dhe emërimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve të gjykatave dhe prokurorive të posaçme, duke i vlerësuar si institucione të politizuara, ndaj ofrojnë këtë zgjidhje: "Për gjyqtarët dhe prokurorët, nga Komisioni i Posaçëm i Kualifikimit, në kuadër të procesit të rivlerësimit, deri në një periudhë 4 vite nga hyrja në fuqi e ligjit. Nëse kandidati kalon apo ka kaluar me sukses procesin e rivlerësimit, atëherë ai konsiderohet se e plotëson parakushtin e sigurisë të parashikuar nga Kushtetuta dhe ligji. Për nëpunësit civil gjyqësor të gjykatave të posaçme, punonjësit e SPAK, hetuesit e Njësisë së Posaçme dhe punonjësit e tjerë të këtyre strukturave, nga një komision 'Ad Hoc', të përbërë nga 3 anëtarë (2 prokurorë të SPAK dhe një gjyqtar i gjykatave të posaçme, të zgjedhur me short), deri në një periudhë 2-vjeçare, aq sa është edhe periudha e vëzhgimit aktiv të procesit të rekrutimit nga Komisioni i Pavarur i Rivlerësimit të SHBA dhe BE". Sipas PD-së pas periudhës tranzitore (respektivisht 4 dhe 2-vjeçare), verifikimi i parakushteve për të gjithë kategoritë e zyrtarëve, duhet të bëhet nga një komision 'Ad Hoc', i përbërë nga 5 anëtarë". Janë dhe 6 çështje të tjera që demokratët amendojnë në ligjin për Strukturën e Posaçme Antikorrupsion. Ekspertët demokratë argumentojnë se projektligji parashikon që në përbërje të njësisë së posaçme hetimore të ketë shërbime të Policisë Gjyqësore, të cilët emërohen nga Policia e Shtetit dhe organet e tjera të pushtetit ekzekutiv. Kjo sipas tyre bie ndesh me varësinë ekskluzive që Kushtetuta i ka njohur Njësisë së Posaçme Hetimore vetëm nga prokuroria e posaçme. Gjithashtu, ekspertët e selisë blu theksojnë se kriteret e emërimit të drejtorit të Njësisë së Posaçme Hetimore nuk garantojnë standardet e një konkurrimi të lirë, ndërsa nuk përjashtohen prokurorët dhe gjyqtarët e komunizmit. Në mbledhjen e pasdites së djeshme anëtari i Komisionit të Posaçëm të Reformës në Drejtësi socialisti Ulsi Manja konfirmoi se më 22 shtator Shqipëria do të ketë ligjin për hetimin e korrupsionit në radhët e zyrtarëve të lartë.
Sipas Ulsi Manjës, ky ligj do të miratohet në frymë të ndryshimeve kushtetuese të bëra më 22 korrik dhe ligjit të Vettingut. Ndërkohë, sipas anëtarit të djathtë në Komisionin e Reformës në Drejtësi ka thënë se është diskutuar dhe janë bërë riformulime që reflektojnë të gjitha shqetësimet e Partisë Demokratike. Sipas tij për nenin 6 edhe OPDAT ka rënë dakord paraprakisht.

PS-LSI: Rrëzohet dekreti i Nishanit, përmirësime në ligj

Posted: 16 Sep 2016 05:54 AM PDT

Dy kryetarët e grupeve parlamentare të partive aleate në qeveri, Gramoz Ruçi i PS-së dhe Petrit Vasili ranë dakord dje dhe njoftuan Kuvendin për rikthimin e ligjit "për masat shtesë të sigurisë", në komisionin parlamentar të ligjeve. Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta njoftoi në fund të seancës së djeshme se me kërkesë të Ruçit dhe të Vasilit, ligji për kamerat e sigurisë do të rishqyrtohet. Meta ka udhëzuar deputetët e komisionit të sigurisë që javën që vjen të mblidhen dhe të rakordojnë ndryshimet në ligj, sipas marrëveshjes së bërë mes PS e LSI. LSI ka kërkuar që vendosja e kamerave të sigurisë të mos jetë e detyrueshme për të gjithë, por të ketë kategorizim. Ndërkohë, burimet nga PS bënë me dije se javën që vjen, në seancën e radhës dekreti i Nishanit që e kthente projektligjin për rishqyrtim si antikushtetues do të rrëzohet, por projekti do të përmirësohet. Ligji është propozuar nga Ministria e Brendshme dhe ka si qëllim marrjen e masave të sigurisë, për subjekte private e publike.

Gjosha: Vonesa në miratimin e 6 ligjeve dëmton “drejtësinë”

Posted: 16 Sep 2016 05:53 AM PDT

Ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha deklaroi dje, se Shqipëria nuk anëtarësohet para 2020 në Bashkimin Evropian. Në një intervistë televizive për "Scan TV", Gjosha u shpreh: "Kjo nuk do të thotë që Shqipëria të mos ecë përpara me procesin e integrimit. Nuk besoj se ndokush nga ne do të priste që në 2020 Shqipëria do të ishte një vend anëtar". E pyetur nëse anëtarësimi do të jetë më vonë, Gjosha tha: "Patjetër që pak më vonë, duhet të jemi edhe realist për kushtet të cilat ne plotësojmë për të qenë pjesë e BE". Sa i përket lidhjes me reformën në drejtësi, Gjosha tha: "Është e rëndësishme që ne të hedhim hapat e parë të implementimit të kësaj reforme dhe të miratojmë edhe 6 ligjet e tjera që i hapin rrugën zbatimit të saj dhe më pas do të shohim nga komisioni atë që quhet trak-records, historikun e të dhënave apo rezultatet e shkruara në letër. "Çdo vonesë, theksoi ajo, do ta dëmtonte jo vetëm procesin e integrimit, por do të dëmtonte realizimin e reformës në tërësi. Kjo e pengon shumë vendin për të ecur përpara dhe pengon edhe afatet kohore që ne tashmë i kemi të vendosura, të detajuara edhe për procesin e integrimit".

Edi Rama: Berisha je “qen lufte”. Ish-kryeministri: Qeveri kanabiste

Posted: 16 Sep 2016 05:52 AM PDT

Darina Tanushi
Seanca e djeshme parlamentare përplasi sërish kryeministrin Edi Rama me opozitën. Ka mjaftuar një etiketim i Ramës për ish-kryeministrin Berisha, të cilin e quajti "war dog", ("qen lufte"), të ngrinte në këmbët dhe të acaronte deputetin demokrat Flamur Noka. Noka i shkoi Ramës afër tek foltorja e Kuvendit, duke i kërkuar të mos flasë në atë mënyrë. Noka i kërkoi edhe kreut të Kuvendit ta nxirrte jashtë kryeministrin. Në këtë moment Garda ka dalë në mbrojtje të kryeministrit. Seanca u ndërpre pas disa minutash dhe rifilloi më pas, ndërkohë që opozita e braktisi më vonë. Më herët, ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi qeverinë për trafikun e drogës. "Zotërinjtë pas shpine përbëjnë një organizatë kanabiste të vërtetë. Kanabizimi dhe vendosja e diktaturës së krimit janë problemet kryesore të Shqipërisë. Qeveria shpif, çirret dhe citon dokumente që nuk ekzistojnë për kanabisin. Sot u fol edhe për Dibrën. Më 2 korrik të 2015-ës deklarova se seanca ishte e funeralit të zgjedhjeve në Shqipëri. Dibra ishte hapja e njërit prej këtyre varreve të krijuara nga ju. Vota e shqiptarëve u varros në Dibër. Prapa çjerrjeve të Abazit qëndrojnë vjedhjet e miliona eurove të bëra me Ramën dhe ndërtimet pa leje", u shpreh Berisha. "Vetëm në Kurvelesh, mbi 3.2 milionë rrënjë kanabis të mbjella. Të paktën 20 milionë rrënjë kanabis të mbjella në të gjithë Shqipërinë. E konfirmojnë raportet", tha Berisha ndërsa shtoi se kryeministri Edi Rama i ka dërguar disa SMS Ymer Lalës, i cili sipas tij kontrollon 100 mijë rrënjë kanabis në Selishtë. Më pas reagoi kryeministri Edi Rama, i cili iu përgjigj akuzave të Berishës. "Nëse do ndodhte çudia që Saliu nuk do fliste, do flisja unë për Saliun, se do doja ta uroja para parlamentit dhe popullit shqiptar për një arritje, që nuk besoj se tjetër figurë e politikës shqiptare do e arrijë ndonjëherë, futjen në Hollivud. Sali, të përgëzoj që arrite të bëhesh frymëzim edhe për Hollivudin dhe të sugjeroj që atë zyrën e avokatisë që ke ta vësh në veprim për të drejtat e autorit, se filmi 'Qen lufte' pa ty nuk do të ishte krijuar nga Hollivudi", tha Rama. Kjo ka acaruar deputetët e opozitës. Përveç debatit me Flamur Nokën, Rama pati edhe me ish-kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila mbante në dorë foton e avionit të rrëzuar dje në Ishëm. "Fol për avionin", tha Topalli. Kaq ka mjaftuar që Rama t'i drejtohet deputetes së PD-së, ndërsa iu përgjigj me ironi: "Jozefinë, siç dole, ashtu mbete". Ai ia kthehu Topallit duke shtuar se: "Nuk të shkon të tundësh shkopin e Flamurit", referuar akuzave që deputeti Noka bëri për lidhjet e zyrtarëve të qeverisë me trafikun e drogës. "Për pak ditë do të dalë raporti zyrtar i Guardia di Finanzas, por të jap një shifër e do të të sfidoj, siç të sfidova me atë foton e maturantes, që dole blof. Guardia di Finanza do të raportojë që sipërfaqja, sasia e drogës e kultivuar këtë vit është 10 herë më pak se një vit më parë, si sasi, jo si sipërfaqe. E thonë se kanë ndryshuar farën e kanabisit. Dëgjo Flamurin që thotë ishte plot. Po Flamuri ku e pa? Lërë Flamurin të tundë flamurin, nuk të shkon ty të tundësh flamurin e Flamurit. Mes teje e flamurit, unë të zgjedh ty 100 herë në 100. Kështu që mos shkund shkopin e Flamurit", tha kryeministri Rama, drejtuar deputetes Jozefina Topalli. "E vetmja përgjigje që mund t'i jepet Saliut për mesazhet, porosia ime ka qenë e prerë: fusni nën tokë parcelat e drogës, ku shfaqet cirku i PD-së. Një muaj rresht, PD e cila u nis për në Dibër njësoj si ajo armata që shkoi drejt Batërlosë, nuk ka dhe nuk tregoi jo një parcelë, por as një gjethe. Keni luajtur mendsh fare që të dilni të shpallni fitoren para kohe. Nuk është një çështje që mund ta zgjidhim me debate. Imagjino çfarë mendoni, por s'kanë të drejtë t'ju akuzojnë, pasi të kalojë këtu paketa kushtetuese. Ju nuk keni dot kurajë që të çoheni këtu dhe të thoni se parcelat e drogës janë. Në 2013-ën, ku kanabisi u mboll nën hundën e qeverisë suaj departamenti i shtetit sot, prodhimi i marijuanës mbeti i lartë. Më dëgjo me durim, se herën tjetër dole me një fotografi, se siç dole, ashtu mbete. Mos dil me atë fotografi, se avioni është më i madh", tha Rama. Topalli ia ktheu duke i thënë: "Foton do t'ia tregoj ambasadorit amerikan dhe do t'i shpjegoj me durim se kush është Al Kapone i Shqipërisë. Shpresoj të mos jetë e vonë dita që ti të futesh në listat e DEA-s amerikane", tha Topalli duke iu drejtuar kryeministrit Rama. Duke ju referuar zgjedhjeve në Dibër, Rama tha: "Pas një palë zgjedhjesh, një forcë politike; as ju s'e keni bërë e as ne s'e kemi bërë, të thotë falënderojmë votuesit tanë me numër dhe më pas të mbajë një ligjëratë të tërë duke ofenduar votuesit e tjerë".

Rama citon rregulloren: Të mos shkelet “veshja zyrtare”

Posted: 16 Sep 2016 05:51 AM PDT

Kryeministri Edi Rama i është drejtuar dje kryetarit të Kuvendit, duke i lexuar rregulloren për veshjet zyrtare. "Ka një nen rregullorja kryetar, që është neni 67, i cili parashikon se zyrtarët duhet të paraqiten me veshje zyrtare përtej të gjitha lirive të shfrenuara. Por, ai ka pafytyrësinë të lëshohet këtu dhe të lëshojë 1001 akuza e ofendime me libër shtëpie, të paktën kufizojmë shfaqjen në këtë sallë të Parlamentit, të trupave të pavetëdijshëm, që nuk dinë se ku janë. E vijnë tamam sikur janë në një nga ato parlamentet e Kolumbisë së dikurshme dhe shfaqen aty me forcën e pakufishme të së shëmtuarës. Kjo nuk duhet të ndodhë më", tha kryeministri Rama. Neni i rregullores, të cilit iu referua kryeministri Rama është neni 67, i cili përcakton paraqitjen e deputetëve në seancat plenare edhe në komisione. "Deputetët, gjatë zhvillimit të mbledhjeve të komisioneve dhe të seancës plenare, paraqiten me veshje zyrtare dhe nuk duhet të përdorin telefonat e lëvizshëm", parashikohet në nenin 67.

Ben Blushi: Qeveria, fitore në masë të pamerituar në Dibër

Posted: 16 Sep 2016 05:51 AM PDT

Darina Tanushi
Deputeti kritik në PS, Ben Blushi deklaroi dje, se qeveria fitoi "në një masë të pamerituar", në Dibër. Gjatë fjalës në Kuvend, Blushi u përpoq të shpjegonte se çfarë e solli fitoren e qeverisë, ndërsa ironizoi Berishën, Metën e Rilindjen. Pyetjes se çfarë vjen pas fitores së Dibrës, Blushi ju përgjigj po vetë: "Nga Rilindja, deliri do të rritet dhe për shkak të Dibrës, Rilindja do qeverisë edhe më keq, sepse nuk ka asnjë arsye të qeverisë më mirë për sa kohë që populli e voton edhe kur nuk bën asnjë punë". "Nga PD, besimi se mund të vijë në pushtet do ulet dhe sigurisht dibranët në radhët e opozitës do shtohen, pra njerëz, të cilët do bëhen me Rilindjen, duke menduar se përdhunimi është gjithnjë më i shijshëm se tradhtia, pasi përdhunimi ka një avantazh kundrejt tradhtisë: Ai është alibik. Pas tij edhe mund të ankohesh, se nuk e ke pranuar. Dhe siç kanë ardhur punët, gjërat do të vazhdojnë siç kanë qenë: Tre yjet që shkëlqejnë në qiellin e Dibrës do vazhdojnë të shndrisin. Këta janë DELIRI, SALIRI dhe ILIRI", u shpreh Blushi. "Shqiptarët prej njëzet vitesh jetojnë në galaktikën e tyre. Ata do vazhdojnë të prodhojnë dhe të shkëmbejnë dibrat me njëri-tjetrin. Për sa kohë që votojnë për DELIRIN, për SALIRIN dhe për ILIRIN, nuk kanë asnjë arsye të ankohen për dibranët, të cilët sot janë kthyer në një manual elektoral që të mëson se si të llastosh qeverinë. Këtë manual e prodhoi SALIRI, e transportoi ILIRI dhe e kopjoi me sukses DELIRI. Unë lexova vetëm një pjesë të tij në Dibër", ironizoi Blushi. Deputeti kritik u shpreh se humbja e PD-së nuk i intereson, për të mos thënë që gjithë jetën e ka gëzuar më shumë se leximi i një romani të mirë. "I kam shijuar humbjet e PD dhe do vazhdoj t'i shijoj. Madje PD, siç është sot, meriton të humbë dhe do vazhdojë të humbë si një grup politik i pavotueshëm dhe totalisht i demotivuar. "Por, ajo që më çudit dhe më shtyn të merrem me Dibrën nuk është humbja e PD, por fitorja e qeverisë në një masë të pamerituar. Edhe vetë Rilindja, e cila është mësuar të fitojë merita të pamerituara e ka vështirë të shpjegojë çfarë ndodhi në Dibër. "Sipas PD votat aty janë blerë. Por, unë them se është e pamundur që me gjithë deformimet e zakonshme përfshi edhe blerjen, Rilindja arriti të blejë katër mijë dibranë, aq sa për të mundur njëkohësisht tre gjëra: Partinë Demokratike që ishte në fushatë, LSI që nuk ishte në fushatë, dhe gojën e atyre që ankohen për paaftësinë e qeverisë dhe janë në çdo fushatë", ju përgjigj Blushi, pyetjes së ngritur po vetë. "Atëherë çfarë ka ndodhur në Dibër nëse nuk janë blerë kaq shumë vota? Çfarë magjie është kjo që bën që për një vit votat dhjetëfishohen? A ka pra aftësi Dibra të thyejë të gjitha ligjësitë elektorale të njohura? Sepse të besosh që Dibra voton majtas është si të besosh sot se grekët do votonin për Angela Merkelin", u shpreh Blushi. Ai tha idenë e tij se përse dibranët votuan qeverinë. "Dibranët nuk kanë votuar kundër të djathtës, nuk kanë votuar pro të majtës, ata kanë votuar për Qeverinë. Dibra tregoi diçka që prej kohësh nuk mund ta fshehim më. Populli nuk do të votojë kundër qeverive. Populli do ta ketë mirë me qeverinë çka është një bjerrje e pritshmërive dhe shpresës. Populli i Dibrës nuk votoi nga inati se nuk ka, por nga frika se mund të humbë edhe atë që ka. Dibra është sot krahina më e varfër në Evropë", u shpreh Blushi.

Balla: PD të kërkojë falje, fyeu popullin e Dibrës

Posted: 16 Sep 2016 05:50 AM PDT

Deputeti socialist Taulant Balla i ka bërë thirrje PD-së që t'i kërkojë falje popullit të Dibrës për fyerjet e vazhdueshme që pas shpalljes së fitores së kandidatit të majtë. "Dhëndri i Berishës i quajti dibranët të pa dinjitet, kjo është e turpshme", deklaroi Balla. "Si ka mundësi që partia më e madhe sot në opozitë të arrijë sot në atë pikë, sa të humbasë aq shumë në Dibër. Kërkoi test kombëtar, e pasi shpalli në orën 20 mu në qendër të Dibrës fitoren e Shehut, kur mbaroi numërimi, fyen të gjithë votuesit e Muharrem Ramës. Thanë se ishte vënë në diskutim morali i dibranëve. Por dibranët kanë dinjitet, ata kanë bërë histori, në historinë e madhe të vendit tonë. PD e do shumë këtë popull, por populli nuk e do. Aleanca që e quani ju "e krimit me popullin", e mundi PD. Ulemi sy për sy para dibranëve, e shohim se kush ka bërë më shumë", tha Balla. Deputeti Pjerin Ndreu tha se PD humbi zgjedhjet edhe në bastionin e saj dhe po baltos çdo gjë për të justifikuar humbjen. Ndërsa deputeti Sadri Abazi u tha deputetëve të PD: "Turp të kenë, Dibra i priti si miq dhe i përcolli siç e ka zakoni, me trastën bosh".

Paloka, Ramës: Inspektojmë Selishtën, nëse ka drogë ti jep dorëheqjen

Posted: 16 Sep 2016 05:49 AM PDT

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Edi Paloka ka sfiduar në seancën e djeshme kryeministrin e vendit që të inspektojnë rajonin e Selishtës në Dibër dhe nëse gjendet lëndë narkotike e kultivuar atëherë ai duhet të japë dorëheqjen. "E sfidoj publikisht Edi Ramën, të marrim mediat e të nisemi tani duke filluar nga Selishta e vazhduar në zona të tjera në Dibër. Nëse nuk ka kanabis, unë largohem nga Parlamenti. Nëse ka, Edi Rama dhe qeveria e tij të japë dorëheqjen. Në të kundërt çdo shqiptar duhet ta dijë se si hashashi, korrupsioni dhe krimi vendosi për Dibrën", u shpreh Paloka. Deputeti i qarkut të Dibrës, Roland Keta, tha dje se Basha veproi drejt me zgjedhjet në Dibër dhe se ata që mendojnë si Edi Rama e gjejnë fajin tek opozita. Ai thotë se zona e tij është e mbushur me drogë dhe roje të ardhur nga anekënd vendit. "Zona ime ishte Selishta e mbushur me drogë dhe roje të ardhura anekënd vendit për ta mbrojtur atë. Presioni ndihej kudo, paratë u derdhën lumë vetëm e vetëm që Edi Rama të krekosej sot si gjeli në majë të plehut", tha Keta.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more