Skip to main content

Tirana Observer: “E vërtetuar shkencërisht, fëmijët e marrin inteligjencën nga nëna!” plus 9 more

Tirana Observer: “E vërtetuar shkencërisht, fëmijët e marrin inteligjencën nga nëna!” plus 9 more


E vërtetuar shkencërisht, fëmijët e marrin inteligjencën nga nëna!

Posted: 18 Sep 2016 10:10 AM PDT

Njerëzit e zgjuar duhet t'ua dinë për nder nënave të tyre, sepse sipas një studimi, nënat janë përgjegjëset kryesore për transmetimin e gjeneve të inteligjencës tek fëmijët. Kështu, stereotipat gjinorë që mbijetuan gjatë shekujve ndoshta janë gati të zhduken. Gratë e vetme që duan një fëmijë inteligjent nuk kanë nevojë të kërkojnë për një çmimin Nobel në bankën më të afërt të spermës dhe ka të ngjarë që meshkujt të fillojnë të rivlerësojnë inteligjencën e grave.

Në bazë të kësaj ideje janë ato që quhen "gjenet e kushtëzuara", që sillen ndryshe në varësi të origjinës së tyre. Në thelb, këto gjene kanë një lloj lidhjeje biokimike, e cila i lejon të gjejnë origjinën dhe zbulon edhe nëse ata janë aktivë ose jo brenda qelizave pasardhëse. Çuditërisht, disa nga këto gjene të prekura funksionojnë vetëm nëse ato vijnë nga nëna. Nëse i njëjti gjen është trashëguar nga babai, çaktivizohet. Ndërkohë, gjenet e tjera funksionojnë në të kundërtën; aktivizohen vetëm nëse vijnë nga babai.

Dihet që inteligjenca është një komponent i trashëguar, por deri disa vite më parë mendohej se ajo varej njësoj si nga nëna, edhe nga babai. Gjithsesi, studime të ndryshme kanë zbuluar se fëmijët kanë më shumë gjasa ta trashëgojnë inteligjencën nga nëna, sepse gjenet e inteligjencës janë të lokalizuar në kromozomin X.

Një nga studimet e para në këtë fushë është realizuar në vitin 1984, në Universitetin e Kembrixhit, dhe është ndjekur nga shumë të tjerë gjatë viteve. Në këto studime është analizuar bashkë-evolucioni i trurit dhe kushtëzimi i gjenomit, duke konkluduar se gjenet e nënës kontribuojnë më shumë për zhvillimin e qendrave të mendimit në tru.

Gjatë eksperimentit të parë shkencëtarët krijuan embrionet e minjve që kishte vetëm gjenet e nënës ose të babait. Por, kur erdhi koha për t'i transferuar ata në mitrën e një miu të rritur, embrionet vdiqën. Kështu u zbulua se ka gjene të kushtëzuara, që aktivizohen vetëm kur trashëgohen nga nëna dhe se janë jetike për zhvillimin e duhur të embrionit. Nga ana tjetër, trashëgimia gjenetike e babait është thelbësore për rritjen e indeve që do të formojnë placentën.
Në atë kohë, studiuesit hipotetizuan se në qoftë se këto gjene ishin të rëndësishme për zhvillimin e embrionit, ishte gjithashtu e mundshme që ato mund të luajnë një rol të madh në jetën e kafshëve dhe të njerëzve, ndoshta mund të rezultojnë jetike edhe në disa funksione të trurit. Problemi ishte se si ta provonin këtë ide, sepse embrionet me gjene nga vetëm një prind vdiqën shpejt.

Shkencëtarët e gjetën një zgjidhje: ata zbuluan se embrionet mund të mbijetojnë në qoftë se qelizat normale embrionale mbahen dhe pjesa tjetër manipulohen. Në këtë mënyrë, ata krijuan disa minj të modifikuar gjenetikisht në laborator që, çuditërisht, nuk u zhvilluan në të njëjtën mënyrë.

Ata me një dozë shtesë të gjeneve të nënës zhvilluan një kokë dhe tru më të madh, por kishin trupa të vegjël. Në anën tjetër, ata që patën një dozë shtesë të gjeneve të babait e kishin trurin më të vogël dhe trupin më të madh.

Duke i analizuar me kujdes këto dallime studiuesit identifikuan qeliza që përmbanin vetëm gjenet e nënës apo të babait në gjashtë pjesë të ndryshme të trurit që kontrollojnë funksione të ndryshme njohëse, nga zakonet e të ngrënit deri te kujtesa.

Në praktikë, gjatë ditëve të para të zhvillimit të embrionit, çdo qelizë mund të shfaqet kudo në tru, por në momentin që embrionet piqet dhe rritet, qelizat që kishin gjenet e babait grumbullohen në disa zona të trurit emocional: hipotalamus, amygdala, zona preoptike dhe septum. Këto fusha janë pjesë e sistemit limbik, i cili është përgjegjës për të siguruar mbijetesën tonë dhe është i përfshirë në funksione të tilla si seksi, ushqimi dhe agresioni. Megjithatë, studiuesit nuk kanë gjetur ndonjë qelizë atërore në korteksin e trurit, i cili është vendi ku zhvillohen funksionet më të avancuara njohëse, të tilla si të inteligjenca, mendimi, gjuha dhe planifikimi./Shqip

Lufta për Ballkanin

Posted: 18 Sep 2016 09:58 AM PDT

Bashkimi Evropian synon të forcojë ndikimin e tij në rajonin e Ballkanit Perëndimor kundrejt konkurrentëve të drejtpërdrejtë si Kina, Rusia, etj. Por, rajoni ka nevojë për shumë fonde për të siguruar një ndërlidhje që do t'i shërbente kësaj logjike. Vetëm për investimet në infrastrukturë, shifra e kërkuar llogaritet mesatarisht në rreth 6.5 miliardë euro në vit për një periudhë dhjetëvjeçare. Disa akademikë kanë realizuar një studim në lidhje me investimet që do të kërkohen dhe ku duhet të përqendrohen ato.

Kur vjen puna për të ruajtur ndikimet në arenën gjeopolitike, mjetet që përdoren shpesh mund bien në kundërshtim edhe me vetë politikat e brendshme. Por, në fund të fundit, mjeti justifikon qëllimin. Ky është edhe rasti i strategjisë që Bashkimi Evropian po ndjek me vendet e Ballkanit Perëndimor (UB6). Bëhet fjalë për atë që njihet si Procesi i Berlinit, për zbatimin e të cilit është krijuar edhe një program që lehtëson menaxhimin e projekteve strategjike, i njohur si "Uestern Balkans Investment Frameuork" (UBIF).

Bashkimi Evropian është i vendosur që të forcojë ndikimin në rajonin e Ballkanit, në kushtet kur konkurrentët e drejtpërdrejtë si Rusia e Kina po tregohen agresivë. Rajoni ka shumë probleme, ai nuk është i ndërlidhur mes tij. Tre akademikë, Klaude Berthomieu, Masimo Cingolani, Anastasia Ri kanë ndërmarrë një studim të detajuar ku paraqesin gjendjen e vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor, problemet që kanë dhe sfidat që i presin për një periudhë të paktën 5-10-vjeçare. Pavarësisht, nga një tendencë e qartë e Procesit të Berlinit për t'i dhënë më shumë prioritet energjisë dhe transportit, sipas studimit, sektori social dhe ai mjedisor kanë nevojë për investime kyçe, që janë të rëndësishme për të siguruar një zhvillim të qëndrueshëm.

1001 problemet e Ballkanit

Rajoni i Ballkanit Perëndimor po përballet me sfida të rëndësishme, si: tejkalimi i tranzicionit të institucioneve përmes reformave strukturore, adaptimi i legjislacionit, arritja e nivelit më të lartë të të ardhurave për frymë, reduktimi i papunësisë, ulja e varfërisë dhe pabarazisë etj. Modernizimi i infrastrukturës dhe integrimi i suksesshëm janë një test i vërtetë për rajonin në kushtet e tanishme, përfshirë këtu edhe emigracionin. Adresimi i këtyre sfidave në të njëjtën kohë, thuhet në studim, është i vështirë dhe duhet të mbështetet edhe nga zhvillimi ekonomik.

Zgjidhja duhet të gjendet në bashkimin e copave dhe baza janë investimet. Zhvillimi i qëndrueshëm i rajonit nuk mund të arrihet pa investimet, private dhe publike. Investimet private janë ende të ulëta, pas rënies dramatike që pësuan për shkak të krizës së 2008-s. Në këto kushte, thonë ekspertët, duhet të jenë investimet publike ato që të udhëheqin. Në kushtet e masave shtrënguese, qeveritë tentojnë që të shkurtojnë buxhetet për këto investime. Por, tani që po shfaqen shenjat e përmirësimit, është e rëndësishme që rritja të mbështetet përmes investimeve në infrastrukturë. Investimet që kërkohen janë thelbësore. Në Ballkanin Perëndimor stoku i kapitalit fizik për frymë llogaritet nën 30% dhe kjo është poshtë mesatares së BE-së. Në studim thuhet se është e vështirë që të jepen elemente të saktë të investimeve që kërkohen, megjithatë kërkimet e mëparshme kanë treguar se vendet e Ballkanit Perëndimor shpesh parashikojnë buxhete të konsiderueshme për investime dhe rreth 25% e tyre i zënë ato në infrastrukturë.

Pikërisht për të mbështetur këto zhvillime, në vitin 2014 nisi edhe ai që më pas u njoh si procesi i Berlinit. Në të u bë e ditur se rreth 150 milionë euro në vit do të dedikoheshin nga buxheti për të garantuar zhvillimin e ndërlidhjes së vendeve të Ballkanit Perëndimor deri në vitin 2020. Projektet e para u miratuan në Samitin e Vjenës që u mbajt më 27 gusht 2015, që parashikonte zbatimin e 6 projekteve rrugore dhe hekurudhore, për një vlerë prej rreth 342.5 milionë euro që do të financoheshin me fonde nga Programi i Para-Anëtarësimit (IPA).

U vendos gjithashtu që do të mbështeteshin edhe 4 projekte fushën e interkonjeksionit dhe transmetimit të energjisë për një total prej 274 milionë eurosh. Përveç ndërlidhjes, thuhet në studim, rëndësi i është kushtuar edhe kërkesës për të mbështetur sektorë si ai social dhe mjedisor. Kjo do të mund të arrihet me ndihmën e fondeve IPA. Vlerësohet se përveç fondit 1 miliard euro për ndërlidhjen, do të mund të sigurohen edhe 1.8 miliardë euro për projektet e investimeve kapitale në rajon.

Nevoja për më shumë investime

Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Kroacia kanë nevojë urgjente për investime, thuhet në studim, në mënyrë që të arrijnë rrjetet bazë infrastrukturore të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian. Nevojat janë të mëdha në të gjithë sektorët e ekonomisë. Ndërsa, investimet private janë ngadalësuar, ekziston një mundësi për të përshpejtuar ritmin e zhvillimit, kjo duke i dhënë një shtysë më të madhe infrastrukturës. Një gjë e tillë do të eliminonte kufizimet për të krijuar një mjedis më të favorshëm për investime private vendase dhe të huaja direkte.

Në studim thuhet se nëse kjo mundësi do të humbasë, në rastin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, atëherë do të vazhdojë pabarazia aktuale strukturore dhe do të mbeten të "mbërthyera" në tranzicion, mos zhvillim, tensione sociale edhe për vitet në vijim. Një infrastrukturë më e mirë do të përmirësonte tërheqjen e kapitalit të huaj, si dhe do të ngushtonte hendekun që ekziston me Bashkimin Evropian. Në studim thuhet se gjatë vitit 2015 janë bërë përpjekje për të rritur investimet, veçanërisht ato direkt, që janë udhëhequr nga Shqipëria, Kosova, Serbia dhe Mali i Zi. Është e rëndësishme që të mbështetet ky trend pozitiv për ta vendosur Ballkanin Perëndimor në rrugën e rritjes së qëndrueshme. Një infrastrukturë më e mirë do të thotë akses më i shpejtë në energji, ndërlidhje më e mirë transportuese drejt tregjeve me forcë pune të kualifikuar. Të gjitha këto janë sinjale pozitive për sektorin privat.

Dhe një nga aspektet tërheqëse të Ballkanit Perëndimor është fuqia punëtore me kosto të ulët. Sipas studimit, në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, paga mesatare është 420 euro. Për orë pune, kostoja për çdo punëtor mesatarisht është 4.4 euro. Shqipëria ka nivelin më të ulët të pagesës për orë pune, për çdo punëtor në rreth 2.2 euro, e cila është 10% më e ulët se mesatarja e BE-së. Një tjetër çështje që mundon Ballkanin janë edhe flukset emigrante në rritje, gjë e cila shoqërohet me një sërë pasojash zinxhir. Studimi tregon se gjatë dy viteve të fundit, kërkesat nga personat që kanë kërkuar për herë të parë azil nga vendet e Bashkimit Europian janë trefishuar.

Në vitin 2013, numri i tyre ishte 56,000, ndërsa në vitin 2015, ky numër arriti në rreth 172,000, veçanërisht si pasojë e kërkesave të mbërritura nga Shqipëria dhe Kosova. Azilkërkuesit nga gjashtë vendet e Bashkimit Europian përfaqësojnë më shumë se 15% të numrit total të atyre me origjinë nga vendet jo të BE-së. Studimi tregon se zgjidhja për këto flukse të emigrantëve duhet të gjendet te përmirësimi i tregut të punës, në këtë mënyrë do të mund të ulej ritmi i tyre.

Në këtë aspekt do të ndihmonin edhe investimet private, por ritmi i tyre është ulur ndjeshëm. Investimet private, thotë studimi, janë në nivele të ulëta dhe së bashku me papunësinë mbeten probleme kyçe. Në vitin 2015, norma e papunësisë në rajonin e Ballkanit ishte 23% ose rreth 13 pikë përqindje më e lartë se mesatarja e EU15. Kjo tendencë rrit emigracionin drejt vendeve europiane më të zhvilluara. Një aspekt i rëndësishëm që pengon zhvillimin e këtij rajoni është edhe infrastruktura, e cila vuan nga mirëmbajta e dobët dhe fondet që kërkohen për rehabilitim janë të larta. Infrastruktura rrugore në vendet e Ballkanit Perëndimor është tre herë më e dobët sesa në vendet e BE-së. Rrjeti hekurudhor gjithashtu është në gjendje të vështirë dhe përthith më pak investime sesa ai hekurudhor, edhe pse është më konkurrues me tarifat.

Vetëm për të zhvilluar 31 projekte prioritare të përcaktuara në rrjetin e SEETO-s, gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor kanë nevojë për 6.7 miliardë euro investime. Në total, vetëm për transportin investimet e nevojshme llogariten në rreth 40 miliardë euro, përfshirë këtu edhe Kroacinë. Nga ana tjetër, rajoni nuk shfrytëzon të gjithë potencialin e tij për prodhimin e energjisë. Megjithatë, varësia nga importet në këto vende është më e ulët, por ky sektor në zonat urbane kërkon rritje të kapaciteteve. Çmimet e energjisë janë dy herë më të ulëta sesa në BE dhe energjia e prodhuar është më konkurruese, duke u kthyer në potencial eksporti dhe input të lirë për industrinë e brendshme. Sipas Strategjisë së Komunitetit të Energjisë, skenari me kosto minimale parashikon një total investimi që kërkohen për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor në rreth 35.5 miliardë euro. Por, një skenar më ambicioz që parashikon edhe reduktimin e emetimeve të dioksidit të karbonit e çon këtë shifër në 59.9 miliardë euro.

Sektori i mjedisit ofron një sërë mundësish, por duhet marrë në konsideratë vunerabiliteti i tij. Hendeku infrastrukturor në këtë sektor është i madh dhe mund të prodhojë një sërë efektesh. Sektori social, veçanërisht ai i edukimit gjatë periudhës së tranzicionit, nuk ka qenë ndër prioritetet kryesore të qeverive. Niveli i regjistrimeve në institucionet arsimore ka rënë ndjeshëm, veçanërisht në rajonet si Shqipëria, Kosova dhe Bosnjë–Hercegovina. Në vendet e Ballkanit, shpenzimet për shëndetësi dhe edukim nga ana e qeverive janë më të ulëta se niveli europian. Studimi tregon se investimet në edukim dhe shëndetësi nuk mund të japin rezultate të menjëhershme, por ato ndikojnë në zhvillimin afatgjatë, pa të cilën struktura e papunësisë nuk mund të përmirësohet.

Studimi i akademikëve evropianë tregon se duke marrë në konsideratë normën e lartë të papunësisë, qeveritë nuk duhet të tregohen neglizhent, por duhet t'i konsiderojnë si prioritete kombëtare. Një sektor me potenciale të mëdha janë Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme (NVM). Roli i tyre në rritjen e punësimit është thelbësor, por ato përballen me kushte të forta për kreditimin, gjë që i vë përballë vështirësive. Ky vlerësohet si sektori që ka nevojë për më shumë investime në terma vjetorë. Investimet në infrastrukturë do të përmirësonin kushtet e zhvillimit. Numri i tyre është më i madh në sektorin e ndërtimit.

Çfarë duhet të ndryshojë

Mesazhi kryesor që përcillet përmes këtij studimi për vendet e Ballkanit Perëndimor është se asnjë strategji nuk mund të zhvillohet pa investime. Në infrastrukturë, nevojat janë të mëdha dhe urgjente. Fondet IPA II parashikojnë grante për vendet e Ballkanit Perëndimor në vlerën 2 miliardë euro për periudhën 2015–2020. Në logjikën e "Uestern Balkans Investment Frameuork", këto grante mund të mbështeten edhe nga kreditë që mund të ofrojnë institucionet ndërkombëtare financiare.

Në studim thuhet se në Shqipëri ka nevojë urgjente për investime në sektorin hekurudhor, i cili është ndërtuar që në vitin 1917. Ndërsa vlerësohen përmirësimet që janë bërë në përmirësimin e rrjetit rrugor, i cili është zgjeruar në masën 45% (sipas të dhënave të vitit 2014). Gjatë dhjetë viteve të fundit, thuhet në studim, Shqipëria ka bërë përpjekjet më të mëdha, duke ndërtuar më shumë se 300 km rrugë, e ndjekur nga Kroacia dhe Serbia përkatësisht me 280 dhe 240 km. Megjithatë, Shqipëria dhe Kosova vazhdojnë të kenë densitetin më të ulët të rrugëve 1 km/1,000 banorë në rreth 13-19 km. Në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, investimet vjetore në infrastrukturën rrugore llogariten mesatarisht në 0.8%. Sipas SEETO-s, investimet urgjente në infrastrukturë vlerësohen në rreth 12.5 miliardë euro (9.3 mld euro për hekurudhat dhe 3.1 mld euro për rrugë). Vetëm për zbatimin e 48 projekteve prioritare të nisura në vitin 2016 nevojiten 9.64 miliardë euro.

Në studim thuhet se duhet t'i kushtohet vëmendje e veçantë promovimit të SME-ve, të cilat janë shtyllat e zhvillimit të Ballkanit Perëndimor. Ato përbëjnë 99.6% të "popullsisë" sipërmarrëse, shifër e cila është afër mesatares së BE-së që është rreth 99.8%. Shqipëria renditet ndër vendet e Ballkanit që kanë një kontribut të ulët të SME-ve në punësim, në rreth 60%, në një nivel gati të njëjtë me Malin e Zi. Parashikohet që investimet në SME, për të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor deri në vitin 2020 të llogariten në rreth 9.7 miliardë euro, sipas skenarit më të mirë.

Sipas studimit, rritja ekonomike mund të stimulohet përmes investimeve, por kapacitetet huamarrëse duhet të adaptohen sipas konceptit të 'hapësirës fiskale' bazuar edhe në vizionin e donatorëve të të institucioneve financiare ndërkombëtare. Ekziston gjithashtu rreziku se rajoni mund të mbërthehet në një cikël vicioz të rritjes së ulët, të investimeve të dobëta private, papunësisë së lartë dhe nivelit të lartë të borxhit. Për të adresuar këtë sfidë, roli i zhvillimit të financave është vendimtar. Kjo është e vetmja mënyrë për të financuar projekte afatgjata të nevojshme. /Monitor/

Basha: Rama jep shfaqje në veri, zero investime në këtë zonë

Posted: 18 Sep 2016 08:55 AM PDT

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka kritikuar turin e kreut të qeverisë Edi Rama në veri të vendit.

Përmes një postimi në Facebook, Basha e cilëson një show të Kryeministrit në përfundim të mandatit, pasi sipas tij bilancin e investime në këtë rajon e ka zero.

"Tani qe ditet e mandatit po i sosin Edi Rama u nis per Vermosh, Tamare, Malsi te Madhe, Vaun e Dejes, Puke etj. Nuk eshte aty per te degjuar, eshte per shfaqje. Nuk eshte aty per qytetaret, njerezit me halle, se zgjedhja e tij jane trafikantet, banditet. Me ta eshte rreshtuar qekur erdhi ne pushtet, me ta po e mbyll mandatin.Nuk eshte aty per bilanc. Asnje investim publik, asnje meter rruge, asnje shkolle e re, asnje vend pune ne 3 vjet. Asnje bilanc nuk tregon para qytetareve te cilet ia plasen ne fytyre kete realitet te dhimbshem", tha kreu i PD.

Sipas Bashës, Rama nuk ka shkuar në veri për të dëgjuar hallet e qytetarëve.

"Kush ngre zerin per faturat e kripura, per varferine, per papunesine, per arsimin apo shendetesine, i nderpritet fjala: "pusho se jemi ne televizion". Harbuteria e tij nuk ka kufi. U thote te papuneve, te skamurve, "merrni kredi". Po per cfare, qe te blejne fare kanabisi, te mbjellin droge, te behen bujqit e kooperatives se tij te madhe narkotike.Prandaj ka shkuar, per te vetmen gje qe ka bere, kultivimin e kanabisit, kthimin e kodrave, arave dhe maleve te Shqiperise ne hambar hashashi.Bujtes i Mark dhe Arben Frrokut u shfaq dhe sot, duke sfiduar hapur cdo punonjes policie qe perballet me krimin dhe qytetaret e ndershem te ketij vendi.

Asnje kumbar nuk e ka nenshtruar dot nje shoqeri te tere, thekson Basha, dhe shqiptaret sipas tij nuk do ta lejojne, por do bashkohen nen thirrjen per ta shpetuar vendin nga karteli i droges.

"Ne kemi zgjedhur qytetaret, punen e ndershme, sigurine dhe te ardhmen pa kanabis. #Shqiperia me mire pa Edi Ramen", përfundoi Basha.

Zgjedhjet në Dibër, Rama: Shehu, kandidati i parë në botë që nuk votoi për veten

Posted: 18 Sep 2016 08:49 AM PDT

Kryeministri Edi Rama përmes një video mesazhi analizoi të dielën fitoren e së majtës në zgjedhjet lokale të Dibrës.
Sipas tij, fitorja e Muharrem Ramës ishte një mësim i mirë për të gjithë, pasi Dibra bëri një zgjedhje me mend.
Rama tha se e djathta u paraqit në Dibër me premtime që nuk mbahen dot, ndërsa shtoi se kandidati i majtë ishte pjesë e qytetarëve të Dibrës, i njihte problemet e tyer, i dëgjonte dhe premtimet e tij janë më të realizueshme.
"Dibranët na dhanë një mësim të mirë. Dibranët bënë zgjedhjen e duhur. Na besuan Dibrën për të vijuar të bashkëpunojmë së bashku për një qytet më të mirë. Dibranët, po dhe ne jemi të qartë që ka shumë probleme në Dibër, por qytetarët atje e kanë kuptuar që nuk është e djathta zgjidhja, por ne", tha Rama.
Ai ironizoi edhe kandidatin e djthatë Sherefedin Shehu, duke thënë se është i vetmi në botë që nuk votoi për vete.

Rilindja e meriton Metën president

Posted: 18 Sep 2016 08:32 AM PDT

Nga Andi Bushati

Propozimi i fundit i ardhur nga Rilindja për të ngjitur Ilir Metën në krye të shtetit është përfumdimi logjik i batakut të firmosur që në marveshjen e një prillit dhe që vazhdon ende edhe sot.

Ai i jep fund disa klisheve mashtruese që grupimi i Ramës i ka servirur publikut për më shumë se tre vite me radhë. Së pari ai i nxjerr bojën argumentave të përdorur në pranverën e vitit 2013 se koalicioni me njeriun me bllok në dorë, me atë që i kish quajtur viktimat e 21 janarit kokëpalarë, me të trashin që në bashkëpunim me të gjatin "vidhin Shqipërinë për të vjedhur vota dhe vidhnin vota për te vjedhur Shqipërinë", pra që aleanca me LSI-në, ishte një domosdoshmëri për të përmbysur regjimin e Berishës.

Tani, Berisha dhe falangat e tij janë shndërruar pothuajse në asgjë. Atyre mund tu vjedhin votat, u kanë rrëmbyer mediat, u kanë marrë klientët e biznesit dhe i përqeshin në parlament.

Pra tashmë alibia e rrezikut nga gogoli Berisha ka rënë. E megjithatë koalicioni i "të gjitha qelbësirave" për të përballuar Berishën po përsëritet, këtë radhë për të mbajtur pushtetin edhe pas zgjedhjeve të 2017 e madje për të gllabëruar edhe presidencën.

Alibia e dytë që i bie Rilindjes me propozimin për të çuar Metën drejt presidencës është ajo e propoganduar nga Rama, përmes të gjitha kanaleve diplomatike dhe mediave në shërbim të tij.

Për një kohë të gjatë kryeministri dhe të tijë janë munduar ta pikturojnë qeverisjen si një aleancë socialistësh të ndershëm me partnerë fatkeqësisht hajdutë. Disa arrestime flagrante të njerëzve të Metës, hapja me katapultë shtetërore e skandalit DIA CEZ, raportimi që u bëhej parnerëve të huaj për babzinë e Ilir Metës, i shërbenin këtij qëllimi.

Në më të shumtat e rasteve, falë rrjetit të tij okult, përgjimeve, dosjeve që ka grumbulluar dhe çantës simbolike të Spartak Brahos, Meta arriti ti shantazhojë socialistët që mos e hapnin kutinë e Pandorës, se pastaj do të dilnin njëlloj të përlyer.

Ai ia arriti qëllimit.

Propozimi i tanishëm për ta ngritur atë në krye të shtetit, është shenja më e mirë e këtij kapitullimi dhe konfirmim i faktit se ata janë të gjithë njësoj.

Alibia e tretë që i bie Ramës me propozimin për të katapultuar vëllain e tij armik në krye të shtetit, si një figurë të pastër, të ndershme dhe përbashkuese, është ajo që u përhap gjatë procesit të reformës në drejtësi: shpesh nga rilindasit u fol për një grup pro perendimor që e përkrahte reformën e kërkuar nga euro- amerikanët dhe një tjetër antiperendimor që i vinte asaj shkopij në rrota.

Hapja e dritës jeshile për të bërë president njeriun që sipas rilindasve bëri gjithçka për ta penguar një reformë që po bëhej për burgosjen e tij, e rrëzon edhe këtë hipotezë. Ajo tregon edhe njëherë se ndryshe nga çu kujtua ato ditë "dashuria mëkatare" nuk paska përfunduar.

Pra halli, kalkulimet, veset e përbashkëta, mungesa ulëritëse e moralit dhe koherencës e kanë detyruar Edi Ramën drejt fatit të pashmangshëm për ta shpënë Metën në presidencë.

Deri këtu nuk ka asnjë çudi.

As fabula mashtruese e rilindjes dhe as idiotët e dobishëm që besuan tek ajo, nuk meritonin një fund më të mirë.

Meta president është ikona më përfaqësuese e mënyrës se si kjo shumicë erdhi në pushtet dhe si ajo qeveverisi këtë vend.

Problemi i vetëm këtej e tutje është me shqiptarët. Eshtë me dilemën se si do të sillen votuesit në qershor 2017 me këtë shumicë, e cila do ti predikojë se do të angazhohet për zbatimin e Reformës në drejtësi, pasi ka ulur në postin më të nderuar të shtetit, njeriun me bllok në dorë? (Lapsi.al)

luzioni i shëndetësisë falas

Posted: 18 Sep 2016 08:28 AM PDT

Nga Klodian Tomorri

Rasti tragjik i nënës së ndjerë që humbi jetën në maternitet ka rikthyer edhe një herë debatin e "Shëndetësisë falas". Në morinë e çmendurive që gatuajnë qeveritë, ky meriton një vend në piedestal.

Shëndetësia falas është një koncept, i cili nuk bën asgjë tjetër përvecse detyron të varfrit të paguajnë për të pasurit. Nëse ka një premtim të pambajtur, për të cilin qeveria duhet lavderuar ai është pikërisht ky.

Çfarë do me thënë shëndetësi falas? Do të thotë kjo se Shqipëria ka zbuluar ndonjë formulë magjike që i prodhon ilaçet pa kosto? Ka ndërtuar ndonjë fabrikë që prodhon aparaturat mjekësore falas? Apo ka krijuar robotë që zëvendësojnë mjekët pa kosto? Jo. Të gjitha këto kushtojnë dhe kur diçka kushton, dikush duhet të paguajë.

Shëndetësia falas është një deformim, që nënkupton se sistemi shëndetësor financohet nga taksimi i përgjithshem. Çdo të thotë kjo më shkoqur?

Do të thotë që miliarderët do shkojnë të kurohen në spitalet publike apo private falas dhe faturë do e paguajëqeveria nga taksat që u ka marrë edhe fukarenjve. Kjo është çmenduria që prodhon e ashtuquajtura "Shëndetësia falas". Njësoj si check up-i falas dhe koncesionet e tjera të shërbimeve shëndetësore falas, të cilat nuk bëjnë asgjë tjetër përveçse devijojnë paratë e qytetarëve në kontot e të pasurve.

Modeli më i mirë i sistemit shëndetësor, është ai që i jep akses të gjithë qytetarëve, por që subvencionon shtresat në nevojë. Ky model bën të mundur financimin e drejte të sistemit shëndetësor, shmang deformimet në treg dhe i bën të mundur që shoqëria të mbështesë shtresat vulnerabel.

"Nuk ka drekë falas"- tha Milton Friedman dikur. Po hajde thuaja Beqjas këtë.

Detajet/ Trafikantët u larguan me skaf pasi avioni u rrëzua

Posted: 18 Sep 2016 07:52 AM PDT

Hetimet zbulojnë të tjera detaje për avionin italian, që mbeti të enjten në grykëderdhjen e Ishmit. Dyshohet se disa persona mund të kenë qenë në vendngjarje së bashku me pilotin italian Guido Andrea Guidi dhe të jenë larguar me ndihmën e një skafi kur avioni mbeti mes shkurreve, në përpjekje për t'u ulur në pistën që ishte hapur 10 ditë më parë nga trafikantët.

Burime nga grupi hetimor bëjnë të ditur për Tv Klan se trafikantët kanë qenë duke pritur avionin për të ngarkuar lëndën narkotike, të cilën ata e kishin me vete në skaf.

"Corriere Della Sera" duke iu referuar burimeve nga shërbimet sekrete italiane, shkruan se Guidi kishte bërë një kontratë me trafikantët që të ngarkohet 200 kg marijuanë dhe do të paguhej 20 mijë euro.

Këto të dhëna, piloti italian i ka pranuar edhe gjatë marrjes në pyetje nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Për shkak të daljes së këtij informacioni, prokurori ka hapur edhe një çështje për nxjerrje të sekretit hetimor.

Por "Corriere Della Sera" shkruan se pesha që mund të mbajë avioni që ngeci në Ishëm është 1.5 ton.

Ky fakt i bën prokurorët të dyshojnë se, sasia që do të merrte ai me vete do të ishte më e madhe se ajo e deklaruara prej tij.

Guidi ka treguar edhe emrat e dy personave, një shqiptari dhe një italiani, duke thënë se ata e kishin kontaktuar për të bërë transportin e drogës.

Këta persona, sipas gazetës prestigjioze italiane, janë të njohur nga drejtësia shqiptare dhe ajo e vendit fqinj.

Hetimet janë shtrirë edhe në Itali ku autoritetet atje po verifikojnë të gjitha detajet e dhëna nga 69 –vjeçari.

Mediat italiane shkruajnë gjithashtu se autoritet e klubit ajror të Savonës, pjesë e të cilit është avioni tip "Piper" i ngecur në Ishëm, kanë bërë me dije se ai është nisur të mërkurën. Dhe se te premten pasdite, pas një ndalese në Kremona duhet të kthehej në Bari.

Presidenti i Klubit të fluturimeve ajrore, Mauro Zunino tha se "Guido nuk ka njoftuar për ndryshim të destinacionit të lëvizjes për në Shqipëri".

Prokuroria e Krimeve të Rënda në Shqipëri ka kërkuar edhe ndihmën e INTERFORCE-s për të zbuluar rrjetin e narko-trafikut./ TV KLAN

Universitetet/ Ja datat e aplikimit për raundin e dytë

Posted: 18 Sep 2016 07:47 AM PDT

Java e fundit e muajit shtator është vënë në dispozicion të të gjithë maturantëve që nuk u shpallën fitues në raundin e parë të garës. Sipas kalendarit me datat në rrethe, aplikimet nisin më 23 shtator dhe përfundojnë më 1 tetor.

Maturantët e kryeqytetit janë të parët që nisin aplikimet me një afat 3­ ditor. Në ditën e tretë u bashkohen edhe ata të Kamzës, Kavajës, Durrësit dhe Krujës, për ta mbyllur në ditën e fundit, më 30 shtator, me qytetet në Verilindje.

Edhe në këtë raund kandidatët do të përzgjedhin dhjetë programe studimi nga universitetet publike dhe private. Përpara se të nisin aplikimet për raundin e dytë, universitetet duhet të shpallin kuotat e lira për secilin program studimi.

Në bazë të pikëve që kanë, maturantët duhet të konsultohen më parë me to dhe kriteret që kanë secila prej tyre. Zgjedhja finale këshillohet të kryhet pasi të jenë përllogaritur pikët që u duhen për secilën prej preferencave.

Aplikimet

Raundi i dytë është parashikuar të jetë njësoj me të parin, duke nisur që te pagesa për aplikimin. Por ajo do të bëhet vetëm nga ata që nuk aplikuan në raundin e parë. Mandatpagesa prej 2 mijë lekësh dorëzohet në sekretarinë e shkollës ku maturanti ka përfunduar studimet me qëllim për të hedhur në sistem notën mesatare.

Ndërsa procesi i aplikimit do të kryhet online në çdo mjedis ku ka internet, duke renditur dhjetë degët që ai mendon se shpallet fitues. Numri i aplikimeve në këtë raund pritet të jetë i lartë, pasi do të përfshihen në garë edhe maturantët kalues të vjeshtës, që janë plot 7 mijë.

Brenda datës 4 tetor, agjencia kombëtare e provimeve u nis universiteteve listën e kandidatëve. Këta të fundit do të kenë kohë vetëm dy ditë për të bërë renditjen e kandidatëve, që parashikohet të shpallen më 6 tetor. Ndërsa regjistrimet do të nisin më 16 deri më 20 tetor. Ndryshe nga faza e parë, ku fituesit mbajtën pezull deri në dhjetë programe të fituara, tashmë, ata që regjistrohen në një degë, çregjistrohen automatikisht nga lista e degëve të tjera që mund t'i kenë fituar.

Kjo u hap rrugë maturantëve poshtë vijës së kuqe, të cilët me lirimin e një vendi, mund të shpallen fitues. Në këtë raund, numri i aplikimeve pritet të jetë shumë i lartë për shkak se shumica e maturantëve u shpallën jofitues në të parin, ndërsa shumë të tjerë nuk janë regjistruar për të garuar sërish për një degë shumë më të preferuar.

Sipas të dhënave të bëra publike nga universitetet, në raundin e parë, vetëm një pjesë e vogël e fituesve rezultojnë të kenë kryer regjistrimin përfundimtar në fakultete. Gjithsesi, "të luhaturit" kanë edhe dy ditë kohë për të vendosur fatin e tyre.

Mos e lini Whatsapp-in t’ju mashtrojë për privatësinë

Posted: 18 Sep 2016 07:39 AM PDT

Kur aplikacioni i mesazheve, Whatsapp, u lancua në vitin 2009, dukej si një nga shpikjet më interesante të kohës.

Themeluesi i tij Jan Koum, kishte shpjeguar në një post blogu arsyen pse kompania e tij nuk shiste reklama. Në shkurt të vitit 2014, diçka e çuditshme ndodhi. Facebook u ofrua të blinte Whatsapp për 19 miliardë dollarë dhe themeluesi i tij, e hëngri karremin.

Duke marrë parasysh se të ardhurat e Facebook varen nga shitja e reklamave, shumë nga ne vranë mendjen se ku kishin shkuar principet e Koum dhe se gjithçka e kishte një çmim.

Më 25 gusht, Whatsapp njoftoi se do ndryshonte termat dhe kushtet e tij të privatësisë. Në një post thoshte se do ndante me Facebook dhe përdoruesit e tij, numrat e telefonit dhe detaje rreth herës së fundit që kishin hyrë në Whatsapp.

Nëse jeni përdorues i Whatsapp, mos bini pre e kësaj shakaje: shkoni tek "Settings", zgjidhni "Account", "Share my account info" dhe shtypni "Don't share". Bëjeni tani, sepse koha po mbaron./Tv klan

VIDEO/ Erion Veliaj zbulon sekretet: Ha thonjtë (flet edhe për seksin)

Posted: 18 Sep 2016 06:52 AM PDT

Në intervistën 60 sekondëshe për "Prive', Kreu i Bashkisë Erion Veliaj ka zbuluar disa sekrete për jetën e tij.

Çfarë do kishe ndryshuar në ceremoninë e dasmës?

Do kisha marrë pak verë më të mirë.

Nëse jo në politikë ku do ju shihnim?

Ndoshta eksplorator në Afrikë

Cila është krenaria më e madhe?

Nëna ime.

Çfarë ju ka ngelur peng?

Fillova të luaj futboll, t'i bija kitarës, dështova me sukses në të dyja, kjo e treta e vërteta po rezulton më e mirë.

A jeni tip romantik?

Jo aq sa mund të isha.

Për kë do e lije politikën?

Për të udhëtuar, më pëlqen shumë të eksploroj

Dëgjoni muzikë shqip?

Dëgjoj shumë, dëgjoj Alban Skënderajn, Era Istrefin, Dua Lipën.

Hera e fundit që keni parë film në kinema?

Batman me Supermen

Vesi më i keq i juaji?

Unë ha thonjtë.

Po mania?

Jam më shumë perfeksionist seç duhet

A ka ndikuar në jetën tuaj seksuale të qenurit i pari i Tiranës?

Fare.

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more