Skip to main content

“Shkodër, kapet i riu i shpallur në kërkim për drogë dhe armë” plus 9 more Gazeta SHQIP

“Shkodër, kapet i riu i shpallur në kërkim për drogë dhe armë” plus 9 more Gazeta SHQIP


Shkodër, kapet i riu i shpallur në kërkim për drogë dhe armë

Posted: 09 Sep 2016 02:30 AM PDT

policia e shkodresPolicia e Shkodrës, në vijim të punës së tyre për kapjen e personave të shpallur në kërkim, me qëllim vënien para përgjegjësisë penale, ka arrestuar ditën e djeshme shtetasin Kristian Lacuku, 25 vjeç, banues në Shkodër.

I riu u ndalua për shkak se Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Shkodër ka urdhëruar ndalimin e tij, për veprën penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve e kryer në bashkëpunim". Lacukut iu gjetën 13 kilogramë kanabis, dy armë dhe një snajper.

9 shtator 2016 (gazeta-Shqip.com)

Libri-rrëfim i Benediktit të XVI: Dobësia ime është vendimmarrja

Posted: 09 Sep 2016 02:30 AM PDT

Papa Ratzinger mohon të ketë shkruar letrën e dorëheqjes për shkak se se ka qenë nën presion

ratcinger"Dobësia ime është ndoshta mungesa e vendosmërisë për të qeverisur dhe për të marrë vendime. Praktika e vendimmarrjes nuk është pika ime më e fortë, është një farë dobësie".

Ai që flet në librin-intervistë që do të dalë sot, është Papa i dorëhequr, Benedikti i 16-të, i cili ka nënvizuar gjithsesi që "nuk e konsideroj veten si një dështak". Por shpjegon që "Papa Françesku është njeriu i reformave praktike, ka shpirtin e duhur për të ndërhyrë për aksionet e karakterit organizativ".

Në libër, Papa Ratzinger, shpjegon që "tekstin e dorëheqjes, e kam shkruar unë maksimumi dy javë përpara. E kam shkruar në latinisht, sepse një gjë kaq e rëndësishme bëhet në latinisht. Nuk është aspak e vërtetë që isha i zhgënjyer apo gjëra të tilla. Përkundrazi, falënderoj Zotin, isha në një gjendje shpirtërore të paqtë të atij që ka kaluar vështirësi".

Papa i dorëhequr thekson se është prekur nga mënyra sesi pasardhësi i tij "është falur për mua, momentin e pritjes, pastaj mënyrën me të cilën përshëndeti njerëzit , gjë e cila goditi menjëherë".

Papa nga Gjermania pranon që "ç'kishtërimi i Europës po përparon dhe që elementi kristian po zhduket gjithnjë e më shumë nga struktura e shoqërisë. Rrjedhimisht kisha duhet të gjejë një formë të re të pranisë, duhet të ndryshojë mënyrën e saj për t'u prezantuar".

Duke u kthyer në periudhën e tij të fronit në sheshin Shën Pjetër, Ratzinger rrëfen që "nuk e shoh veten si një njeri të dështuar. Për 8 vjet kam bërë detyrën time. Ka pasur momente të vështira, por edhe një lëvizje pozitive". Dhe tani përfundon: "Duhet të përgatitemi për vdekjen, për të kaluar 'provimin' e fundit përballë Zotit. Besoj se do ta bëj, duke menduar që fundi po afron, duke u përpjekur të përgatitem për atë moment dhe para së gjithash, duke e mbajtur gjithnjë të pranishme në mendjen time. E rëndësishme nuk është ta imagjinoj, por të jetosh në ndërgjegjen që e gjithë jeta është panë këtij takimi".

E.A

9 shtator 2016 (gazeta-Shqip.com)

Berisha publikon letrën e maturantes: Mesatarja 9.8, por mbeta pa shkollë

Posted: 09 Sep 2016 02:09 AM PDT

bersihaIsh-kryeministri Sali Berisha ka postuar në Facebook, një letër të një maturanteje, e cila shprehet e pakënaqur për mënyrën e përzgjedhjes së fituesve në universitet. Maturantja thekson se në Shqipëri nuk ka drejtësi.

Postimi i Berishës

Letër dëshpëruese e maturantes Ariola, që përfundoi gjimnazin me mesatare 9.88!

“I nderuar Zoti Berisha! Me gjithe respektin qe kam per ju mora guximin t'u shkruaj. Une jam nje maturante, viktime e reformes se deshtuar ne arsim nga qeveria aktuale. Kam perfunduar gjimnazin me mesatare 9.88 dhe mesatarja e provimeve eshte 9.5. Endrra ime ka qene gjithmone mjekesia. E gjithe endrra ime u dogj vetem sepse nuk bera zgjedhjet e duhura per provimet e matures. Kjo sepse kane preferuar te mos i bejne te ditur kriteret ne fakultete ne menyre qe nga kjo skeme te perfundojme ne shkolla private. Por i nderuar, prinderit e mi kane hequr buken nga goja e tyre qe te arsimohem une. Une jam apolitike:nuk kam mbeshtetur kurre nje ngjyre politike por gjithmone ju kam pare si nje intelektual dhe dashamires i dijes. Jam ne dijeni qe mundesite tuaja jane te kufizuara dhe nuk mund te beni asgje per te gjithe ne; fatkeqesisht jemi ne duart e dikujt qe mesa duket e urren arsimimin. Por si ka mundesi qe 12 vite pune te palodhur, 12 vite etje per dije te therrmohen brenda nje dite?! A nuk supozohet qe ai qe punon fort duhet te shperblehet?! Ku eshte drejtesia ketu? Kesaj pyetje retorike e di qe smund ti pergjigjet askujt, por kisha nevoje qe ta shprehja edhe une mendimin tim tek dikush qe na mbeshtet neve, te nje intelektual i vertete, jo te dikush qe nuk di as se si te flase para nje audience pa u treguar arrogant e pa i ofenduar!

Kam filluar te ndjej urrejtje per kete vend pasi nuk kam me asnje fije shprese se drejtesia do te na miresevije me. Me kete ritem rinia do te preferoje te punoje pune te rendomta ne dhe te huaj se sa te qendroje ketu.

Me respekt

Ariola S.

9 shtator 2016 (gazeta-Shqip.com)

FIFA bllokon merkaton e Realit dhe Atletikos deri në janar 2018

Posted: 09 Sep 2016 02:07 AM PDT

derbyDy klubet e Madridit Real dhe Atletico nuk do të mund të afrojnë lojtarë deri në vitin 2018. Drejtuesit e FIFA-s konfirmuan këtë vendim, duke penalizuar kështu dy klubet e kryeqytetit spanjoll, për të mos bërë dot përforcime në dy periudhat e ardhshme të merkatos. Te Reali dhe Atletico pra nuk mund të vijë dot asnjë futbollist gjatë periudhës së transferimeve në janar të vitit 2017 si dhe në verën e ardhshme, e gjitha kjo për shkak të vendimit të FIFA-s për të dënuar këto dy klube, për firmosjen e kontratave me lojtarë nën moshën e lejuar.

Argumentet si dhe mbrojtja e kësaj cështje nga Reali dhe Atletico u hodhën poshtë nga Komiteti i Apelit dhe organizmi më i lartë i futbollit aplikoi të njëjtin vendim si në rastin e Barcelonës, që në vitin 2015 u privua nga blerja apo afrimi i lojtarëve për dy periudha të merkatos. Pra dy skuadrat finaliste të edicionit të fundit në Champions League nuk mund të firmosin dot me asnjë futbollist deri në janarin e vitit 2018, sidoqoftë si Reali ashtu edhe Atletico kanë të drejtë për të bërë ankimim në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv. Idea është e qartë, pasi të njëjtën gjë bëri edhe klubi katalanas.

Dy klubet nga Madridi do t'i drejtohen KAS-it në Lozanë, me qëllim shtyrjen e këtij vendimi për të paktën një fazë transferimesh. Në një rast të tillë si Reali ashtu edhe Atletico do të përfitonin kohë duke u përforcuar në janarin e ardhshëm, për t'iu nënshtruar më pas sanksioneve të FIFA-s. Këtë verë të dy klubet shpresonin shumë në ratifikimin e këtij dënimi, por vendimi përfundimtar i ditës së enjte konfirmoi shkeljet në artikujt 5, 9 dhe 19 si dhe në pikat 2 dhe 3 të rregullores dhe statutit të transferimit të futbollistëve. Menjëherë pas njoftimit të FIFA-s Reali publikoi një komunikatë, ku në fakt drejtuesit ankohen për vendimin e marrë nga organizmi më i lartë i futbollit, duke e konsideruar madje dënimin si krejtësisht të padrejtë dhe kundër pricipeve më elementare përsa i përket të drejtave të dy palëve.

Pa humbur kohë klubi më i lavdishëm spanjoll bëri të ditur se do të apelojë në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv, kundër këtij dënimi, me bindjen e plotë se gjithcka do të zgjidhet në favorin e tyre, gjithsesi në ankimim do të kërkohet gjithashtu që cështja të shqyrtohet me urgjencë, në mënyrë që KAS të shpallë vendimin sa më shpejt që të jetë e mundur. Natyrisht Atletico është klubi që preket më tepër nga një sanksion i tillë, pasi gjërat për momentin në klubin mbretëror duken vërtet mirë. Kështu në Santiago Bernabeu drejtuesit kaluan një verë të qetë dhe i vetmi përforcim nëse mund të quhet kështu është rikthimi në gjirin e skuadrës i sulmuesit Alvaro Morata. Reali ka fituar 2 nga 3 edicionet e fundit në Champions, si për ironi të fatit duke mundur në finale pikërisht Atletico-n, sidoqoftë në janar të vitit 2018 të vetmet probleme trajneri Zinedine Zidane mund t'i ketë nga mosha e dy qendërmbrojtësve: 35 Pepe dhe 32 Sergio Ramos, sepse përsa i përket pjesë tjetër të ekipit që tani trajneri francez ka nga dy alternativa për cdo pozicion.

9 shtator 2016 (gazeta-Shqip.com)

Rrëshen, vritet me armë zjarri në lokal një ish-punonjës i OSHEE

Posted: 09 Sep 2016 01:52 AM PDT

policiaNjë ish-punonjës i OSHEE është vrarë me armë zjarri në Rrëshen. Mësohet se viktima është Saimir Jaku, i cili ka mbajtur postin e drejtorit të tensionit të lartë në veri të vendit.

Jaku u vra me armë zjarri në një lokal, për arsye që ende nuk dihen. Dy persona të maskuar kanë hyrë në lokal dhe kanë qëlluar Jakun. Policia ka nisur hetimet për ngjarjen e rëndë.

Raportohet se Jaku është shkarkuar nga detyra një javë më parë.

9 shtator 2016 (gazeta-Shqip.com)

Fan Noli: Ahmet Zogu, luan nga zemra dhe hekur nga karakteri

Posted: 09 Sep 2016 01:51 AM PDT

noli-e-zoguAhmet Zogu u aktivizua në veprimtaritë politike atdhetare qysh në moshë shumë të re, kur ishte student në Akademinë ushtarake të Gallatasarajit në Stamboll. Ai ishte anëtar dhe pjesëmarrës aktiv në klubin Bashkimi të Stambollit, i cili ka qenë qendra kryesore e aktivitetit politik të atdhetarëve shqiptarë brenda Perandorisë Otomane dhe në kolonitë ku ata jetonin si emigrantë.

Pas masakrave të Shefqet Dërgut Pashës mbi shqiptarët e Kosovës gjatë dhe pas kryengritjes së vitit 1910, Ahmet Zogu mbajti hapur një fjalim të ashpër proteste para shqiptarëve të Stambollit, për çka u kërcënua nga pushtetarët xhonturq dhe iu ndalua kthimi në Shqipëri.

Në kujtimet e tij, Sejfi Vllamasi shkruan: "Ahmet Zogun e kam njohur në Stamboll qysh më 1910. Në atë kohë tepër i ri, Zogu ka qenë anëtar me rëndësi i Klubit të Aksarait".

Angazhimi i tij në veprimtaritë politike atdhetare përkoi në kohë me zhvillimet dramatike në Ballkan, në dëm të kombit shqiptar.

Pas përfundimit të studimeve në vitin 1912, Zogu arriti të siguronte kthimin në atdhe me anë të miqve influentë.

Në këtë kohë, në Hotel Pera Palace, takohej shpesh me Ismail Qemalin dhe Xhaferr Bej Breshtanin, të cilët po përgatiteshin për një inkursion diplomatik në Rumani e Europë, në mbrojtje të çështjes kombëtare, dhe po punonin për përgatitjen e Autonomisë e Pavarësisë së Shqipërisë me ndihmën e Austro-Hungarisë.

Këto takime midis Zogut dhe Ismail Qemalit, fillimisht morën shkas nga nevoja për formulimin dhe më pas dërgimin e një peticioni të atdhetarëve shqiptarë drejtuar autoriteteve xhonturke, ku kërkoheshin masat konkrete të Turqisë kundër planeve të fqinjëve ballkanikë për coptimin e trojeve shqiptare midis tyre.

Më 20 korrik 1912 Zogu u nis nga Stambolli për në Shqipëri. Kur arriti në Selanik, u dërgoi telegrame solidariteti krerëve të kryengritësve shqiptarë si Sefedin Agë Pustinës në Dibër, Dervish Himës në Manastir, Ibrahim Temos në Dibër, Bajram Currit dhe Isa Boletinit në Kosovë, Abdi Toptanit në Tiranë dhe Kapedan Markagjonit në Shkup.

Sapo mbërriti në Ohër, ku qëndroi tre ditë, bisedoi me Parinë e Ohrit, të cilën e bëri me dije për planet e atdhetarëve dhe Ismail Qemalit në Stamboll.

Më 28 Korrik 1912 mbërriti në Dibër të Madhe, ku u prit nga Paria e Dibrës, e Matit dhe e Mirditës. Që këtej kryengritësit me në krye Zogun i dërguan kërkesa ultimative Stambollit, në mbështetje të kryengritësve shqiptarë që ndodheshin në Shkup.

Ndërkaq xhonturqit e trembur filluan të bëjnë lëshime. Ahmet Miftar Pasha shpërndau parlamentin dhe formoi qeverinë e re turke, e cila u akordonte liri shqiptarëve dhe autonomi të kushtëzuar, sipas së cilës njihej dhe garantohej Autonomia e Shqipërisë me qeveri dhe zyrtarë shqiptarë në 4 vilajetet e saj: të Kosovës, Shkodrës, Manastirit dhe Janinës.

Të trembur nga këto zhvillime, shtetet ballkanike filluan një aksion të fortë diplomatik dhe u përgatitën për luftë kundër Turqisë dhe shqiptarëve. Ata arritën të bllokojnë edhe projektin e kryediplomatit Bertold të Austro-Hungarisë të 13 gushtit 1912, që parashikonte mbrojtjen ushtarake të Turqisë dhe shpëtimin e trojeve shqiptare nga copëtimi.

Në shtator 1912 shpërtheu kryengritja e Malësisë së Madhe dhe Kral Nikolla i Malit të Zi përfitoi nga situata, teksa më 8 tetor 1912 i shpalli luftë Turqisë dhe sulmoi kufijtë shqiptarë. Ndërkaq, më 17 dhe 18 tetor 1912, edhe Bullgaria, Serbia dhe Greqia i shpallën luftë Turqisë.

Me të marrë këto lajme, Ahmet Zogu shpalli kushtrimin e luftës për mbrojtjen e atdheut dhe në krye të 2 mijë matjanëve u nis për të shkuar në ndihmë të Shkodrës.

Më 1 nëntor 1912 hyri në Lezhë, ku kontaktoi me komandantin ushtarak të qytetit, kolonel Ali Fehmi Kosturin, i cili e njohu me situatën dramatike.

Zogu menjëherë hyri në luftime të përgjakshme me malazezët në Kakarriqin e pushtuar prej tyre, duke i thyer dhe duke u shkaktuar me qindra të vrarë, por duke humbur edhe vetë rreth 400 luftëtarë.

Ndërkohë merr lajmin se serbët po mësynin Matin dhe ndodheshin në portat e tij, në Qafë të Buallit dhe në Qafë Murrë, pasi kishin pushtuar Dibrën, shumica e luftëtarëve të të cilës ndodheshin në Shkodrën e rrethuar, për mbrojtjen e saj.

Zogu nis tërheqjen drejt Matit por i pritet rruga nga ushtria serbe që kishte zënë Kallmetin dhe po marshonte në drejtim të malit Velë, afër Lezhës.

Malazezët morën zemër dhe u rikthyen duke e rrethuar në bashkëpunim me serbët.

Pasi çau rrethimin, Zogu e la Lezhën nën mbrojtjen e trupave të kolonel Ali Fehmi Kosturit dhe me një marshim të shpejtë dhe në kushte të vështira arrin të kthehet në Mat.

Për këto beteja Terenc Toçi shkruante: "Në malet e Kakarriqit, në jug të Shkodrës, Zogu u ndesh me trupat malazeze, me ç’rast u ndez një luftim i gjatë dhe i përgjakshëm… Udhëheqësi i ri, gjithmonë në vijë të parë, ngjalli entuziazmin e besnikëve, duke dhënë njëherit prova të mëdha trimërie ndaj armiqve…".

Sapo mbërriti në vendlindje dhe riorganizoi e pozicionoi forcat, Zogu mori një letër nga Ismail Qemali, me anë të korrierit Ibrahim Kaloçi nga Elbasani, ku i kërkohej nisja urgjente për në Vlorë, në kuvend, për të shpallur Pavarësinë e Shqipërisë.

Me të marrë ftesën, Zogu mblodhi parinë e Matit e të Dibrës, dhe pasi i njoftoi për Kuvendin e Vlorës dhe nisjen e tij të detyrueshme për atje, u la amanet mbrojtjen me çdo çmim të Matit.

Pasi mbaroi me shpejtësi të gjitha këto përgatitje, mori me vete Riza Beg Çelën dhe Kurt Agë Kadiun, dhe me 25 kalorës u nis për në Vlorë. Në Elbasan mori Hamdi Beg Ohrin dhe Dervish Beg Biçakun, me të cilët shpejtoi për në Kuvendin e Pavarësisë.

Në kuvendin e Vlorës, Zogu ishte edhe përfaqësues i Mirditës, i ngarkuar me këtë detyrë nga kapedan Marka Gjoni dhe 12 bajraktarët e Mirditës.

Në proces-verbalin e Kuvendit Kombëtar, të botuar në gazetën "Përlindja e Shqipërisë", shkruhet se në Kuvendin e Vlorës, në emër të krahinës së Matit morën pjesë këta delegatë: … Mati: Ahmet bej Zogolli, Riza bej Zogolli, Kurt Agë Kadiu.

Pas përfundimit të Kuvendit, situata dramatike në Mat e detyroi të kthehej sërish me shpejtësi për ta mbrojtur krahinën nga sulmet serbe.

Më të mbërritur në Mat, Zogu mblodhi të gjithë krerët e Matit, Dibrës e Mirditës dhe pasi u komunikoi çfarë ishte vendosur në Kuvendin historik të Vlorës, u kërkoi që me çdo çmim e sakrificë të mbronin Matin e të çlironin Dibrën.

Në betejat e shqiptarëve të udhëhequra prej tij, serbët pësuan vetëm humbje të mëdha dhe kurrë nuk mundën të futen në Mat.

Konform pjesës së fshehtë (suplementare) të Traktatit të Aleancës midis Bullgarisë e Serbisë, nënshkruar më 29 shkurt të vitit 1912, Bullgaria i njohu Serbisë të drejtën e marrjes së territorit shqiptar, të mbajtur ende nën pushtimin otoman të deriatëhershëm. Në lidhje me këtë dispozitë, e duke u përpjekur që të sigurojnë daljen e Serbisë në det, trupat serbe, më 15 nëntor të vitit 1912 hynë në Lezhë dhe gradualisht pushtuan gjithë Shqipërinë e Veriut, deri në Tiranë e Durrës.

Asokohe në gazetën "Times" të Londrës, më 25 nëntor 1912, u botua deklarata e Pashiqit sipas së cilës "Serbia kërkon Durrësin bashkë me hinterlandin përreth…".

Pas fillimit të luftës serbo-turke më 16 tetor 1912, serbët brenda dy javësh e thyen Korparmatën turke të Perëndimit në Kosovë, duke triumfuar në Çernalovë, për të pushtuar më pas Prizrenin më 1 nëntor, Gjakovën më 7 nëntor dhe Manastirin më 19 nëntor.

Pas këtyre fitoreve serbët nisën marshimin drejt Lumës, Dibrës dhe Pogradecit, për t'u pykëzuar në Shqipërinë e Mesme.

Vllamasi shkruan: "Me shkatërrimin e ushtrisë turke më 1912, … shqiptarët, para fuqive të mëdha serbe tërhiqen në Mat, ku mbasi u organizuan, bashkë me matjanët e zunë pozicionin e tretë në Qafën e Murrës dhe në Qafën e Buallit. Këtu lufta vazhdoi për një kohë të gjatë dhe serbët nuk përparuan më. Kësaj Lufte iu dha emri 'Lufta e Malësisë'.".

Revista e përmuajshme "Përparimi" e atdhetarëve të Shkodrës, në maj të vitit 1915 shkruante për Zogun: "… Ahmet Zogu asht ndër kto vendet t’ona ma i përndrituni atdhetar, e të gjithë ia njohin veprat, mundin, dijeninë, e e thrrasin shqyptar përnjimend. Asht i ri për moshë. Për mend asht i dijshëm e i hollë, sidomos n’ato punë qi i përkasin t’mirës s’Atdheut t’onë. E përnjimend, ndër kto tri vjet turbullimesh e luftnash, kjarisht u diftue kundra anmiqve t'Shqypnisë, e nuk kje rrejt as me pare e as prej friget, për me i mbajt pah anmikut t’Shqypnisë…".

Në një shkrim të tij, botuar në gazetën "Dielli" të datës 16 shkurt 1916, kushtuar figurës së Ahmet Zogut, Fan Noli është frymëzuar nga një letër që ka marrë nga Nikollë bej Ivanaj.

Në këtë shkrim Noli, ndër të tjera, thekson tekstualisht: "Nga letra që botuam dje, mësuam që i dëgjuari atdhetar, zoti Nikoll bej Ivanaj ndodhet në ushtërinë shqipëtare të Ahmet bej Matit. Ahmet bej Mati, me të cilin bashkëpunon Nikollë bej Ivanaj, është djalë fare i ri, … por luan nga zemra dhe hekur nga karakteri. Dhe e provoi me punë. Mati është i vetëm vend i Gegërisë që s'u shkel nga serbi, as në luftën ballkanike, as në luftën evropiane. Ahmet Zogolli, në krye të matjanëve të tij, e mprojti nga armiku i huaj dhe e mbajti lart flamurin e Skënderbeut. … nuk iu unj as serbit, as Esatit… E paçim sa malet.".

Studimi më lart është përgatitur nga një ekip studiuesish nën kujdesin dhe drejtimin e Kryetarit të Partisë Lëvizja e Legalitetit, z. Sulejman Gjana, sipas kërkesës të Profesor Muhamet Shatri për botim në edicionin 13 të "E Djathta Shqiptare në Mbrojtje të Shqipërisë Etnike", Shoqata “Trojet e Arbrit”, Prishtinë, Shtëpia Botuese “Lumbardhi”, Prizren, 2016 .

9 shtator 2016 (gazeta-Shqip.com)

Apeli nuk pranon kërkesën e Shullazit për lirim nga burgu

Posted: 09 Sep 2016 01:50 AM PDT

Emiljano-ShullaziGjykata e Apelit të Krimeve të Rënda ka hedhur poshtë kërkesën e Emiljano Shullazit për ndryshimin e masës së sigurisë. Shullazi kërkoi lirimin nga burgu.

Apeli ka refuzuar animimin e tij, ndërsa pritet që të zhvillohet edhe seanca gjyqësore ndaj Gilmano Danit.

Urdhri për arrestimin e Shullazit u dha nga gjykata më 17 prill, pas njoftimeve se grupi i tij kishte kërcënuar profesorët Dhori Kule dhe Mynyr Koni, duke kërkuar tërheqjen e këtij të fundit nga gara për rektor të Universitetit të Tiranës.

9 shtator 2016 (gazeta-Shqip.com)

Testi bërthamor i Koresë së Veriut provokon një tërmet 5 ballë

Posted: 09 Sep 2016 01:48 AM PDT

Seuli: I fortë thuajse si i Hiroshimës. Obama: Do të ketë pasoja

testi"Tërmeti i regjistruar në Korenë e Veriut është shkaktuar nga një test bërthamor". Kështu është shprehur shefi i kabinetit japonez Yoshihide Suga, duke konfirmuar hipotezat e para që lidhin tërmetin me magnitudë 5.0 të regjistruar në Koren ë veriut në orën 09:00 lokale dhe katër testet atomike të bëra më parë nga regjimi i Phenianit në rajonin Puunggye-ri. Testi i brendshëm përkon me 68-vjetorin e themelimit të shtetit komunist.

Kryeministri japonez, Shinzo Abe ka thënë që testi nuklear i Koresë së Veriut, është "një akt i patolerueshëm" dhe Japonia do të mbajë një qëndrim të fortë.

Këshilli Kombëtar i Sigurisë në Japoni, po koordinohet me qeveritë e SHBA-së dhe Koresë së Jugut për të analizuar situatën dhe verifikuar imazhet më të fundit satelitore.

"Jemi në dijeni të aktivitetit sizmik mbi gadishullin korean pranë një zone të veçantë për testet nukleare. Po monitorojmë situatën në koordinim të ngushtë me partnerët tanë të rajonit", – shkruan në "Twitter" zëdhënësi i sigurisë kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Ned Price. Presidenti i SHBA-ve, Barack Obama, ka kërcënuar për "pasoja të rënda" pas testit bërthamor.

"Presidenti, – ka shtuar Josh Earnest, – zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë, – ka theksuar se do të vazhdojë të këshillohet me aleatët në ditët në vijim për të treguar që provokimet e Koresë së Veriut do të kenë pasoja serioze".

Ndërkohë, testi nuklear i kryer nga Koreja e Veriut, "është më i fuqishmi i bërë deri tani, më pak i fortë se shpërthimi i bombës atomike mbi Hiroshimë".

Kështu u shprehën burime ushtarake të Seulit, sipas asaj që shkruajnë mediet ndërkombëtare. Fuqia e testit të pestë të Phenianit, kanë shpjeguar agjencitë metereologjike koreano-jugore, ka qenë i barabartë me "10 kilotonë, ndërsa ajo e Hiroshimës arrinte deri në 15".

9 shtator 2016 (gazeta-Shqip.com)

MITI I NJË “SAMITI” PËR DIASPORËN

Posted: 09 Sep 2016 01:27 AM PDT

Arben Manaj

arben-manaj-Sot është afati i skadimit për plotësimin e një formulari për pjesemarrjen, pas një ftese zyrtare në një samit të diasporës, që do të organizohet në fund të nëntorit në Tiranë.

Nuk e plotesova dhe nuk do të marr pjesë në të. Për këtë "Thanks, but no thanks", edhe pse e vlerësoj si ftese dipllomatike, me firmë elektronike standarte nga "miqesisht Edi Rama", po jap arsyet e mospranimit qëllimisht, në mënyrën më aspak dipllomatike, nisur nga konsiderata thjesht parimore.

Parimisht, dhe në kushte ideale, një samit i tillë është i vonuar në kohë, pas atyre butaforike të kohës së Berishës,  por kam drojën se ky më i fundit, është po aq i pasinqertë dhe jo serioz, për nga mënyra sesi është menduar të vilen propozimet dhe sugjerimet e atyre që është menduar "en masse", per kontributin e diasporës në mbarëvajtjen e punëve të kombit dhe shteteve respektive shqiptare.

Një formë e tillë organizimi kaq masive, me ftesa bujare, duket se është nisur nga parimi kinematografik "në mos njëri, tjetri Melkën do ma marë."

Të ftuarit janë thirrur me idenë e pjesëmarrjes, pasi kanë kontribute të caktuara, edhe pse jo të gjithë kanë cfarë kontribuojnë cilësisht, dhe kam frikë se në mes tyre më shumë ka fejsbukiste delirante dhe uber të apasionuar pas selfies në një aktivitetet të tillë, sesa të debatojnë sesi mund të rritet kontributi i diasporës.

Mbledhja e mendimeve nga ata që dihet se kanë ide për kësi punësh, mund të bëhej në forma të tjera më moderne në kohën e Viber-it e Skype-it. Por mesa duket, masiviteti dhe fanfara kam frikë është pjesë e konceptimit të këtij eventi të rëndësishëm, por të marr me sportivitet të papërgjegjshëm për të ftuar bahdiava njerëz, që do duhet  të lënë punët e angazhimet e tyre  familjare dhe profesionale nëpër Perëndim, për të ksehasur delire qeveritare.

Ky aktivitet parashikon cuditërisht që pjesëmarrësit të vijnë në Tiranë nga cdo cep i botës me shpenzimet e tyre të udhëtimit dhe qëndrimit.

Ndonjë turbo-nacionalist alla tallava mund të thotë se për atdheun duhet bërë një shpenzim i tille. Pa problem, per Atdheun Po, por kur ky Atdhe dhe ata që e drejtojnë këtë Atdhe momentalisht , tere meskinitet, kanë dhe i gjejne fondet për arredimin e zyrave të gjithë ministrave pa permendur emra dhe pa përjashtuar emra, apo gjejne para nga taksat e shqiptareve për Jaguar etj, minimalisht për një bilete kthyese, thjesht në shënjë respekti më shumë, se gjithshka tjeter, gjykoj se  parimisht është e pandershme t'u kerkosh atyre qe gjasme i vlerëson, që të vijnë me parat e tyre në një aktivitet që ti kërkon ta serviresh si sukses të punës tënde, e qe tek e mbramja, është një "tick" se e bëmë edhe këtë aktivitet.

Thuajse të gjithë ata që do vinë nga cdo cep i botës, jam i sigurt se nuk e kanë problem një bilete avjoni dhe qëndrimin nëpër shtëpitë e tyre nëpër Shqipëri, përfshi edhe mua, që shpenzimet janë  gjëja më e pakët që më shqetëson, pasi ata që më njohin m'i njohin pasionet dhe gjakimin tim historik drejt surealizmave të kësaj bote.

Por, parimisht është fyese. Plus, trajtimi i kesaj kategorie shqiptaresh si marksist-leninistët e huaj të kohes së Enver Hoxhës, duke i cuar për vizita nëpër muzeume si Krujë e Durrës, sipas programit që na kanë dërguar, është pak ta quash qesharake.

Skepticizmi im për një iniciativë të tillë për thithjen e mendimit të njerëzve të shquar të diasporës përmes një eventi të tillë masiv në ftesa, më duket i pasinqertë, nisur edhe nga fakti se me përjashtim të Erjon Veliajt, askush, që nga kryeministri Rama, nuk ka denjuar të takohej dhe bisedoj me shqiparët e Britanisë, qoftë edhe njeherë të vetme, në afro dhjetë herët që ka ardhur në Londër. Qofte edhe për sy e faqe.

Shqiparët e Britanisë edhe pse janë ndër më të sofistikuarit për mendimin tim personal, kanë probleme të shumta që asnjë qeveri nuk ua ka zgjidhur, dhe as ka marr mundimin për një gjë të tillë, përkundrazi.

Ja vetem disa prej tyre, duke filluar nga me trivialet: Ligji për ndalimin e makinave angleze, që është miratuar pasi gjoja ndikokan në rritjen e aksidenteve, jo vetëm që nuk është i bazuar në shifra, por edhe ka dëmtuar tërë shqiptarët e Britanisë.  Ky ligj me lobim të fuqishëm afarsit, ua ka bërë më të vështirë qëndrimin në Shqipëri atyre që janë me origjinë prej andej.

Ashtu si edhe shqiptarët nga vendet e tjera, edhe për shqiptaret e Britanisë, udhëtimi në atdhe është ndër më të shtrenjtët me linjat ajrore që bëjnë kërdinë me udhëtarët shqiptare, dhe mungesa e impenjmit për të bërë më shumë apo edhe të pamundurën për afrimin e linjave britanike ose jo low-cost me leverdi për të gjithë shqiptarët, është humbje edhe për shtetin, por që dukshëm nuk ua vret xhepin parisë dhe oligarakëve që sjellin fëmijët për ti shkolluar nëpër shkollat dhe univeristet e kripura britanike.

Shqiptarët e Britanisë kane mundësira të mëdha financiare dhe një know-how të konsiderueshëm, por mundësia e tyre për ti investuar ne atdhe, ndesh në murrin e lartë të korrupsionit.

Une, personalisht, jam ne dijeni të disa rasteve kur shqiptarë të suksesshëm të Britanisë kërkojne mik e ndërhyrje se duan të investojnë, por u kërkojnë t'u rrjepin lekurën.

Komuniteti shqiptar i Britanisë ka shumë njerëz të ditur dhe profesionist  të integruar që punojnë nëpër institucione të respektuara të botës së biznesit, në shoqërinë civile dhe media, por askush në atdheun e super të ditureve te shkuma party, nuk u ka për borxh t'ua marr mendim dhe t'ua vjelë ekspertizën.

Qeveria mund të niset nga modelet hebraike të ndikimit dhe marredhënieve me disporën transatlantike, por Shqipëria nuk është Izrael dhe shqiptarët nuk janë aq të pasur ne financa dhe dije sa hebrenjtë, por po aq te lidhur sa ata me atdheun dhe fatet e tij. Dhe kjo është fatkeqësia më e madhe e atdheut tone dhe atyre që e kanë drejtuar deri më sot sa me padije aq edhe me fodullëk.

Shqiptarët nëpër botë, mbi të gjitha, dhe kjo është kryesorje, do duan të ndihen të respektuar dhe te barabartë, dhe t'u njihet e drejta e votës nga kudo që jetojnë, të regjistruar apo pa regjistruar, me emrat reale apo fiktive nga halli, sic abuzohet me mosdëshirën për t'u dhëne të drejtën e votimit.

Dhe kjo mosgatishmëri për një të drejtë kushtetuese, që mbi të gjitha të bën të ndihesh pjesë e shtetit amë, është e patjetërsueshme dhe detyre e atyrë që e kanë në dorë për ta bërë, pasi ka modele të gatshme, por që nuk duan, pasi i tremben votës së pavarur të emigrantëve që për shkak të latimit perëndimor, janë të pablershëm nga një thes miell, 200 euro apo një vënd punë në administrate. Dhe kjo votë e tyre mund t'u prish shumë punë kalemexhinjëve elektoral.

Eshtë e turpshme që Kosova u'a mundëson shtetasve të vetë votimin në distancë, e deri Filipinet e shumica e vëndeve normale në botë, ndërsa shqiptarët e Shqipërisë do duhet të paguajne mbi 350 pound bileta avjoni apo tre ditë rrugë nëpër kontinent me makina, për të votuar në verë në Shqipëri për politikanë që nuk u bie  ndërmënd për ta se egzistojne po jo, aty ku i degdisi fati i nje fati të munguar në atdhe.

Ndaj dhe personalisht, nuk denjoj te shkoj ne samit, dhe nuk pranoj të bëhem lojë e një fanfare, që dyshoj se do këtë suksesin e proklamuar.

Gjithësesi edhe pse nuk do marr pjesë personalisht, sërish ky shkrim modest, është per aq sa vlen, kontributi im i aty per atyshem, për këtë cështje, që edhe këto këshilla dhe sugjerime për qeverinë, si britanik, edhe unë i ofroj falas, sipas një modeli blerist të njohur tashmë…!

Gjykatësit e Vlorës përkujtojnë Skerdilajd Konomin

Posted: 09 Sep 2016 01:17 AM PDT

1473406683_konomi1Përkujtohet nga gjyqtarët e Vlorës 5-vjetori i vrasjes së Skerdilajd Konomit. Ata kanë ndezur qirinj në vendin ku në vitin 2011 u vra gjykatësi.

Kreu i Gjykatës së Vlorës, Skënder Haluci tha: "Me ndryshimin e sistemit të drejtësisë, shpresojmë të bëhet një hetim i mirëfilltë për vrasjen e Konomit".

Skerdilajd Konomi ndërroi jetë në 9 shtator 2011, pasi një sasi tritoli shpërtheu në mjetin që po udhëtonte.

9 shtator 2016 (gazeta-Shqip.com) T.CH

loading...

Lexo edhe:

Postimet e fundit






Popular posts from this blog

Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit

  Trajta e shquar dhe e pashquar e emrit Trajta themelore e emrit është rasa emërore e pashquar.  Nga trajta themelore ose parësore i fitojmë format e tjera gramatikore të emrit (trajtat). Emrat , si në njëjës ashtu edhe në shumës, përdoren në dy trajta: a) në trajtë të pashquar dhe b) në trajtë të shquar shquar. Emri në trajtën e pashquar tregon qenie, sende ose dukuri në përgjithësi, në mënyrë të papërcaktuar. P.sh.: një nxënës, një punëtor, një mendim , një mace, një laps etj. Emri në trajtën e shquar tregon qenie, sende ose dukuri të tjera, të veçuara nga gjërat e tjera të llojit të vet. P.sh.: nxënësi, punëtori, mendimi, macja, lapsi etj.   Formë përfaqësuese (bazë) e emrit është trajta e pashquar, numri njëjës, rasa emërore : djalë, vajzë, shkollë, lule, letër, njeri, kompjuter, lepur, qen, piano etj. Trajta e shquar e emrit formohet duke i pasvendosur formës përfaqësuese nyjën shquese, përkatësisht mbaresën: a) për emrat e gjin

Ese të ndryshme shqip

Ese dhe Hartime '' Ese dhe hartime të ndryshme shqip dhe anglisht '' Ndalohet rreptësisht kopjimi dhe postimi në një faqe tjetër.  Redaksia Rapitful ka lexuar disa ankesa në emailin e saj të bëra nga disa arsimtarë dhe profesorë ku janë ankuar se nxënësit po i kopjojnë esetë dhe hartimet nga faqja Rapitful dhe me ato ese apo shkrime po prezantohen gjatë shkrimit të eseve dhe hartimeve. Pra redaksia Rapitful kërkon nga nxënësit që të mos kopjojnë esetë dhe hartimet dhe me to të prezantohen para mësimdhënësve por le të jenë këto ese vetëm si një udhërrëfyes se si duhet të shkruhet një ese apo hartim dhe asesi të kopjohen. Ju faleminderit për mirëkuptim. Ese dhe hartime do te shtohen vazhdimisht keshtuqe na vizitoni prap. Nëse dëshironi Analiza letrare të veprave të ndryshme kliko mbi Analiza Letrare Kliko mbi titullin që ju intereson Ese për Diturinë   Për Mjekët! Fakultetet e sotme po kryhen me teste 6 arsye për të mos studiuar mjekësinë P

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more

Tekste shqip: ““Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi” plus 21 more “Ah Kjo Rruga E Gurbetit” - Shaqir Cërvadiku & Fatjon Dervishi “Du Me T'pa” - Gjyle Qollaku Nora Istrefi “Kercejna” - Sabiani Feat. Denis Taraj Getoar Selimi “Du Me T'pa” - Lori Bora Zemani “Million” - Melissa
Related Posts Plugin for WordPress, Blogger...

Labels

Show more